Prefektura e Qarkut Gjirokastër ka dhënë sot, më 9 janar 2026, një pasqyrë të detajuar për situatën e përmbytjeve dhe dëmeve të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut dhe dëbora në qytet dhe zonat përreth. Sipas raportit ditor të prefektit, disa akse rrugore janë rikthyer në normalitet, ndërsa disa ura dhe rrugë malore mbeten problematike dhe kërkojnë ndërhyrje të mëtejshme.
Në Bashkinë Gjirokastër, raporti njofton se “aksi rrugor Kolonjë–Golëm është në normalitet, pasi u larguan inertet nga firma që rikonstrukton këtë aks rrugor”. Megjithatë, vijon puna për normalizimin e situatës në kilometrin 17 të aksit Gjirokastër–Tepelenë, ku erozioni i argjinaturës së lumit Drino ka krijuar problematika. Raportohet gjithashtu se në fshatin Dhoksat, Njësia Administrative Lunxhëri, ditën e sotme filloi puna për hapjen e rrugës, ndërsa aksi rrugor që lidh fshatrat Krinë, Tranoshisht dhe Saraqinishtë është rikthyer në normalitet, pasi u riparua ura.
Në Bashkinë Dropull, mbetet problematike ura e Glinës, ndërsa në Bashkinë Libohovë, rruga që shkon në fshatrat Dhiar, Topovë dhe Zhej është e bllokuar nga rreshqitjet e dheut. Bashkia ka ndërhyrë duke larguar inertet në qendrat urbane dhe duke pastruar dëborën në aksin rrugor Suhe–Poliçan. Ndërkohë, situata në Bashkinë Memaliaj raportohet e qetë.
Prefektura thekson se në Bashkinë Përmet, në lagjen “Sede”, janë pastruar baltrat nga rrugët dhe banesat, ndërsa familjarët e katër banesave të evakuara do të vijojnë të jenë të akomoduar në konvikt deri në një njoftim të mëtejshëm nga Bashkia Përmet. Në aksin rrugor Përmet–Dogana e Tre Urave, qarkullimi kryhet me një korsi në hyrje të fshatit Petran, ndërsa në Njësinë Administrative Frashër rruga mbetet e bllokuar për shkak të reshjeve dhe masiveve të dherave.
Bashkia Tepelenë njofton se në aksin Tepelenë–Gjirokastër, në vendin e quajtur “Shkalla e Zezë”, qarkullimi është i mundur vetëm me një korsi dhe situata po monitorohet nga Policia e Shtetit. Për shkak të reshjeve të dëborës mbi 30 cm pati bllokime në disa fshatra të njësive administrative Kurvelesh dhe Qendër, por ato u hapën me ndërhyrjen e bashkisë, duke përdorur fadroma dhe hedhur kripë.
Në Bashkinë Këlcyrë, raporti thekson se rruga e fshatit Zhepovë është hapur, ndërsa rruga e fshatit Mbrezhdan u bllokua përsëri dhe “ditën e nesërme do të punohet për pastrimin e dherave dhe rikthimin e këtij aksi rrugor në normalitet”. Sipas OSHEE, të gjithë fiderat që furnizojnë qarkun Gjirokastër janë në punë, ndërsa niveli i lumit Vjosë është 3.5 metra në Memaliaj dhe 2.6 metra në Përmet.
Prefektura thekson se ndërhyrjet po kryhen në bashkëpunim me Forcat e Armatosura dhe grupet e monitorimit, dhe pas përfundimit të vlerësimit do të nisin edhe masat e dëmshpërblimit financiar për familjet e prekura. Raporti përfundon duke vënë në dukje se “situata në qarkun Gjirokastër është në përmirësim, por mbetet e nevojshme vigjilencë dhe kujdes për aksin rrugor dhe për zonat me rrezik për rrëshqitje dhe përmbytje”.
Qytetarët dhe udhëtarët paralajmërohen të ndjekin njoftimet e bashkive dhe autoriteteve për sigurinë dhe qarkullimin e lirë në qarqet e prekura nga reshjet dhe dëbora.