Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 10 January 2026Java News

Groenlanda, Trump: S’lejojmë ta marrin Kina ose Rusia, ata nuk mund të jenë fqinjët e SHBA

By: A R
9 January 2026 at 23:01

Presidenti Donald Trump është shprehur i vendosur se SHBA do ta arrijnë ta marrin Groenlandën, në një mënyrë apo në një tjetër.

Sipas mediave të huaja, komentet Trump i bëri teksa u pyet nga gazetarët se çdo të ndodhte me territorin e Groenlandës dhe se sa para do t’i ofronte Danimarkës për të.

Trump tha se nuk po flet ende për paratë, po ndoshta sipas tij mund të flasë në një tjetër moment.

“Tani për tani, ne do të bëjmë diçka për Groenlandën, pavarësisht nëse u pëlqen apo jo, sepse nëse nuk e bëjmë, Rusia ose Kina do ta marrin Groenlandën dhe nuk do ta kemi Rusinë ose Kinën si fqinjë. Në rregull? Do të doja të bënim një marrëveshje, e dini, në mënyrën e lehtë. Por nëse nuk e bëjmë në mënyrën e lehtë, do ta bëjmë në mënyrën e vështirë”, tha mes të tjerash Trump.

Kujtojmë se pas operacionit ushtarak të SHBA-së në Venezuelë, Trump e ka ashpërsuar retorikën e tij për marrjen e Groenlandës.

Nga ana tjetër, Bashkimi Europian ka dalë kundër deklaratave të tij, duke thënë se duhet të zbatohen parimet universale të sovranitetit të shteteve.

Eksperti ngre shqetësimin: Durrësi s`ka arkivat e projekteve, ja pse bllokohen kanalet

By: A R
9 January 2026 at 22:54

Eksperti Genc Juka, i ftuar në studion e “ÇdoKënd” nga Merita Haklaj, në AC2NN, shpjegoi pse Durrësi ka shpesh probleme me përmbytjet.

“Në Durrës tani është problem që uji tërhiqet shumë ngadalë. Po të kesh një sistem të miradministruar, uji tërhiqet menjëherë. Mangësitë në profesionalizëm sjellin këto gjëra. Për shembull, nuk mundet që Bordi i Kullimit, që është ent, nuk pranon ndërhyrje në profilin e tij me tendera. Nuk bëhet me tendera mirëmbajtja. E dyta, duhet një ent siç ka qenë dikur Instituti që gjykonte çdo ndërhyrje që bëhej. Ishte gabim që u hoqën institutet. Në Amerikë ka një Ent Kombëtar Kullimi, që është i atashuar te Departamenti i Mbrojtjes. Nuk po them që të atashohet aty, por të bëhet ent nacional që të ketë arkiva. Durrësi kam bindjen se nuk ka arkiva të projekteve se si kanë qenë. Në Durrës, në fillim të viteve ’90 punonin 25 eksavatorë për të hequr dherat që bllokonin kanalet kulluese. Po sot, sa eskavatorë ka Bashkia? Mendoj se duhet të jenë 3-4, jo më shumë”, deklaroi Juka.

“Sot në Durrës, në zonën e ish-Kënetës ka banesa dhe biznese, që bëjnë ndërhyrje nëpër kanale të dyta a të treta, duke bllokuar kanalet. Duhet enti që të japë aprovimin për të bërë ndërhyrje të tilla. Në lidhje me hidrovorin, kush e bëri projektin? Kush e aprovoi projektin? Ka ndonjë byro? Duhet të jetë një institucion për këtë punë”, shtoi Juka.

Policia kalon në gatishmëri të përforcuar, 5500 efektivë dhe 700 mjete në patrullim

By: A R
9 January 2026 at 22:47

Policia e Shtetit, në kuadër të masave për përballimin e situatës së rënduar atmosferike, përmes një njoftimi zyrtar, bëri me dije se ka kaluar në një regjim gatishmërie të shtuar për të garantuar sigurinë në akset rrugore dhe për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.

Në të gjithë territorin e vendit janë angazhuar rreth 5,500 punonjës policie, të mbështetur nga një flotë prej 700 mjetesh. Patrullimet janë intensifikuar si në zonat urbane ashtu edhe në ato rurale, me fokus parandalimin e aksidenteve dhe mbajtjen e rendit.

Duke marrë shkas nga kushtet e vështira të dukshmërisë gjatë natës dhe reshjeve të dendura, Policia ka lëshuar një apel për drejtuesit e automjeteve:

“Për shkak të motit të keq dhe fushëpamjes së kufizuar, apelojmë për kujdes të shtuar. Moderoni shpejtësinë dhe për çdo emergjencë telefononi menjëherë në numrin 112.”

“Një zjarrfikës u plagos”, prefekti i Tiranës jep detaje nga hetimet për flakët te 5 Maji

By: A R
9 January 2026 at 22:39

Prefekti i Tiranës Afrim Qëndro, në një prononcim për Klan News, komentoi më tepër ngjarjen e rëndë gjatë ditës së djeshme, në 8 janar 2026, ku tregu i 5 Majit, mori flakë.

Qëndro u shpreh se dje, zjarrfikëset rrezikuan jetën gjatë aksionit. Ai tha se hetimet kanë nisur mbi rastin dhe duhet të pritet përfundimi i tyre. Po ashtu, Qëndro deklaroi se kreu i zjarrfikësve të Kamzës është plagosur gjatë aksionit për shuarjen e flakëve.

“Ende nuk dihet shkaku i zjarrit tek 5 maji, janë dy alternativa. Një është nga një kabull elektrik ose një prizë. Në mesim e godinës ka rënë zjarri fillimisht, por nuk dimë zyrtarisht shkakun. Për 7 -8 minuta ka qenë zjarrfikësja e parë e Tiranës në vendngjarje, më vonë erdhën zjarrfikëse nga Elbasani, Vora. Kanë qenë 16 a 17 zjarrfikëse që janë përpjekur të shuajnë flakët. Hetimet kanë nisur dhe duhet të presim se çfarë do dalë nga to. Dëmi është shumë i madh, nuk ka dalë shuma sesa është dëmi total. Dua t’i uroj shërim të shpejtë komandantit të zjarrfikëseve të Kamzës, që dje u plagos gjatë aksionit. Është rrezikuar edhe jeta e zjarrfikësve, edhe policia ka bërë punë shumë të mirë, duke siguruar perimetrin, sepse në momentet e para, njerëzit futeshin aty ku ishte zjarri”, u shpreh Qëndro.

Dje, në 9 janar 2026, te tregu i rrobave të përdorura tek 5 Maji, ra një zjarr i përmasave të mëdha. Pasojat financiare nga zjarri apokaliptik ishin të shumta.

Protestë para Bashkisë së Durrësit, policia ndalon të riun që po sulmonte godinën me fishekzjarrnte

By: A R
9 January 2026 at 22:30

Pak pas orës 18:00 nisi protesta e banorëve të Durrësit para bashkisë, pas situatës së vështirë që është krijuar në qytetin bregdetar nga përmbytjet.

Policia shoqëroi një person që po hidhte fishekzjarre në drejtim të këtij institucioni.

“E drejta e dëmshpërblimit u takon të gjithëve, mos veproni në kurriz të njëri-tjetrit”, tha një protestuese.

Protestuesit tentuan disa herë të hynin brenda bashkisë, por u ndalën nga forcat e policisë.

Më pas, ata marshuan drejt Drejtorisë Vendore të Policisë si shprehje indinjate ndaj personit të shoqëruar në komisaritat për hedhje kapsollash.

EMRI / Gjendet i vdekur një person në Elbasan, Policia jep detajet e para

By: A R
9 January 2026 at 22:21

Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e sotme në lagjen “Brigada 17 Sulmuese”, ku një 60-vjeçar është gjetur i pajetë.

Viktima është identifikuar si Vasil Gashi, ndërsa trupi i tij u konstatua nga banorë të zonës, të cilët njoftuan menjëherë policinë.

Sipas informacioneve paraprake, 60-vjeçari ishte i veshur me uniformë pune në momentin kur u gjet pa shenja jete, çka ka ngritur dyshime mbi rrethanat e ngjarjes. Forcat e policisë dhe grupi hetimor kanë mbërritur në vendngjarje, duke kryer këqyrjen paraprake dhe mbledhjen e provave, raporton gazetari Fatos Salliu për Klan News.

Autoritetet bëjnë me dije se hetimet janë në vijim për të sqaruar shkaqet e vdekjes, ndërsa trupi i viktimës është dërguar për ekspertizë mjeko-ligjore, e cila pritet të hedhë dritë mbi rrethanat dhe nëse kemi të bëjmë me vdekje natyrale apo ngjarje me elementë penalë.

Kalaja: Gabim ftesa për komunistët në tryezën e opozitës, protestat të mos jenë thjesht “foltore”

By: A R
9 January 2026 at 22:13

Debati mbi strategjinë opozitare për vitin 2026 në emisionin “3D” në RTSH është shoqëruar edhe me kritika të drejtpërdrejta nga ish-kandidati për deputet i PD-së, Aulon Kalaja. Kalaja është fokusuar te “pastërtia” e aleancave dhe te forma e reagimit opozitar.

Kalaja e vlerësoi tryezën e thirrur nga PD si një “hap të parë” drejt bashkimit në një front, por ngriti dyshime të forta mbi sinqeritetin e disa pjesëmarrësve.

“Tryeza mund të ishte bërë edhe më mirë. Por është një rast i mirë… Megjithatë, jo të gjitha partitë kanë qëllim të rrëzojnë Edi Ramën. Kemi shembullin e atij që u bë Avokat i Popullit me firmat e PD dhe me votat e PS. Për mua ai është ministër i qeverisë,” deklaroi Kalaja.

Një nga pikat më të forta të kritikës lidhej me përbërjen ideologjike të tryezës. Kalaja e cilësoi të papranueshme ftesën ndaj partive të spektrit komunist, duke e quajtur këtë një përsëritje të gabimeve të së shkuarës.

“Nuk e kuptoj se si PD fton në tryezë edhe parti komuniste. S’ka pasur moral as flirti me partinë komuniste të Hysni Milloshit. Partitë duhet të jenë të kujdesshme në ftesat që bëjnë,” theksoi ai.

Në përfundim, Kalaja kërkoi që PD, si faktori kryesor opozitar në vend, të ndryshojë strategjinë e protestave.

“Protestat duhet të jenë madhështore, jo ‘foltore’,” tha ai.

Trump jep lajmin: Do të takohem me Presidentin e Kolumbisë muajin e ardhshëm

By: A R
9 January 2026 at 22:05

Donald Trump ka thënë se do të takohet me Presidentin kolumbian në javën e parë të shkurtit.

Sipas mediave të huaja, Presidenti amerikan e përshkroi më parë Gustavo Petron si një “njeri të sëmurë”.

Por më pas ai e zbuti retorikën e tij kundër tij ditët e fundit, përpara se të dy të zhvillonin një bisedë telefonike të mërkurën.

Trump tha pas bisedës telefonike me Petron se ai i fundit e kishte ndryshuar retorikën e tij gjatë bisedës me të. Trump e cilësoi telefonatën si një nder të madh për të.

Kujtojmë se pas kapjes së ish-Presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, nga ushtria amerikane, tonet mes Trump dhe Petron u ashpërsuan.

Trump e cilësoi Petron si një trafikant droge që duhet të ketë kujdes që të mos i ndodhë e njëjta gjë si Maduros, ndërsa Presidenti venezuelian e cilësoi si të padrejtë operacionin ushtarak të SHBA-së në Karakas.

Yesterday — 9 January 2026Java News

100 mijë lekë për shpenzimet arsimore kush ka fëmijë nën 18 vjeç, Tatimet: Ja si të aplikoni për të përfituar rimbursimin

By: A R
9 January 2026 at 21:57

Kush ka fëmijë nën 18 vjeç do të kompensohet me 48 mijë lekë të reja, ndërsa për shpenzimet arsimore do të rimbursohen me 100 mijë lekë të reja. Në një njoftim në rrjetet sociale, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka bërë të ditur sesi të përfitoni.

Sipas saj çdo individ që ka plotësuar DIVA 2025 përfiton zbritje nga baza tatimore me 48 mijë lekë të reja, ndërsa për shpenzimet arsimore përfiton 1 milionë lekë të reja. Këto të ardhura përfitohen nga prindërit apo kujdestarët e fëmijëve që kanë të ardhura vjetore deri në 1.2 milionë lekë.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme e Tatimeve, kërkesa kryehet vetëm njëherë nga anëtari i familjes që ka të ardhurat më të larta vjetore.

Por sipas tatimeve kompensimi përfitohet edhe nëse individi nuk ka detyrim ëpr të deklaruar DIVA 2025.

Në njoftimin e DPT-së bëhet e ditur edhe për dokumentet që duhet të plotësoni dhe të dorëzoni.

 

Djali u nda nga jeta në moshën 18-vjeçare, ringritja nga dhimbja e Besa Muçës: Jetoj me kujtimet e tij

By: A R
9 January 2026 at 21:49

Besa Muça, make up artistja e njohur, ka kaluar dhimbjen më të madhe që mund të përjetojë një nënë: humbjen e fëmijës. Djali i saj, Inri, u nda nga jeta në moshën 18-vjeçare pas një lufte të gjatë me shëndetin. Ai lindi ndryshe, me spektrin e autizmit e më vonë, në moshën 12-vjeçare, u diagnostikua edhe me epilepsi.

“Kalonte 20-25 kriza në ditë”, tregon Besa në programin “Rudina” në Tv Klan teksa përlotet kur kujton morinë e barnave që merrte djali. “Them ndonjëherë, sa ilaçe pinte Inri, si mund të durojë?”, thotë ajo mes lotësh.

Ditët e fundit të Inrit nuk po shënonin më përparim. Një ditë, Besa mori telefonatën më të dhimbshme.

Besa Muça: Kohët e fundit nuk bënte më terapi aq shumë sa më përpara, po shikonim që nga dita në ditë bëhej edhe më keq…

Rudina Magjistari: Është histori shumë e trishtë. Pati ndonjë krizë të fortë në fund?

Besa Muça: Po. Djali nuk ka qenë tek unë, ka qenë tek ish-vjehrra, do ta merrja ditën e shtunë. Di që më vjen një telefonatë nga ora 8 e gjysmë, e dëgjoj, por nuk ishte më ai zëri “Besa si je”, por direkt një zë që ishte duke qarë. Di që kam shkuar shumë shpejt afër tyre. Djali ishte i shtruar në spital dhe pas dy ditësh humbi jetën.

Largimi i Inrit në vitin 2024 i ka lënë pas një dhimbje të pamatshme, por edhe kujtime të paharrueshme.

Besa Muça: Ka lënë kujtime. Unë mendoj që ai më ka mësuar që çfarë është forca, çfarë është të gëzohesh për një gjë shumë të vogël, çfarë është durimi dhe të kuptoj çdo situatë ashtu siç vjen. Shpresën unë e kam pasur të madhe, asnjëherë s’e kam menduar që Inri do të ikte. Kam menduar që në qoftë se do të më ndodhë ndonjë gjë, si do të shkojë jeta e djalit tim? Nuk e dija që do të më ndodhte e kundërta. Unë kam kujtimet e tij që mua më mbajnë.

Disa zona problematike, por situata në përmirësim/ Si paraqitet gjendja në Gjirokastër?

By: A R
9 January 2026 at 21:41

Prefektura e Qarkut Gjirokastër ka dhënë sot, më 9 janar 2026, një pasqyrë të detajuar për situatën e përmbytjeve dhe dëmeve të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut dhe dëbora në qytet dhe zonat përreth. Sipas raportit ditor të prefektit, disa akse rrugore janë rikthyer në normalitet, ndërsa disa ura dhe rrugë malore mbeten problematike dhe kërkojnë ndërhyrje të mëtejshme.

Në Bashkinë Gjirokastër, raporti njofton se “aksi rrugor Kolonjë–Golëm është në normalitet, pasi u larguan inertet nga firma që rikonstrukton këtë aks rrugor”. Megjithatë, vijon puna për normalizimin e situatës në kilometrin 17 të aksit Gjirokastër–Tepelenë, ku erozioni i argjinaturës së lumit Drino ka krijuar problematika. Raportohet gjithashtu se në fshatin Dhoksat, Njësia Administrative Lunxhëri, ditën e sotme filloi puna për hapjen e rrugës, ndërsa aksi rrugor që lidh fshatrat Krinë, Tranoshisht dhe Saraqinishtë është rikthyer në normalitet, pasi u riparua ura.

Në Bashkinë Dropull, mbetet problematike ura e Glinës, ndërsa në Bashkinë Libohovë, rruga që shkon në fshatrat Dhiar, Topovë dhe Zhej është e bllokuar nga rreshqitjet e dheut. Bashkia ka ndërhyrë duke larguar inertet në qendrat urbane dhe duke pastruar dëborën në aksin rrugor Suhe–Poliçan. Ndërkohë, situata në Bashkinë Memaliaj raportohet e qetë.

Prefektura thekson se në Bashkinë Përmet, në lagjen “Sede”, janë pastruar baltrat nga rrugët dhe banesat, ndërsa familjarët e katër banesave të evakuara do të vijojnë të jenë të akomoduar në konvikt deri në një njoftim të mëtejshëm nga Bashkia Përmet. Në aksin rrugor Përmet–Dogana e Tre Urave, qarkullimi kryhet me një korsi në hyrje të fshatit Petran, ndërsa në Njësinë Administrative Frashër rruga mbetet e bllokuar për shkak të reshjeve dhe masiveve të dherave.

Bashkia Tepelenë njofton se në aksin Tepelenë–Gjirokastër, në vendin e quajtur “Shkalla e Zezë”, qarkullimi është i mundur vetëm me një korsi dhe situata po monitorohet nga Policia e Shtetit. Për shkak të reshjeve të dëborës mbi 30 cm pati bllokime në disa fshatra të njësive administrative Kurvelesh dhe Qendër, por ato u hapën me ndërhyrjen e bashkisë, duke përdorur fadroma dhe hedhur kripë.

Në Bashkinë Këlcyrë, raporti thekson se rruga e fshatit Zhepovë është hapur, ndërsa rruga e fshatit Mbrezhdan u bllokua përsëri dhe “ditën e nesërme do të punohet për pastrimin e dherave dhe rikthimin e këtij aksi rrugor në normalitet”. Sipas OSHEE, të gjithë fiderat që furnizojnë qarkun Gjirokastër janë në punë, ndërsa niveli i lumit Vjosë është 3.5 metra në Memaliaj dhe 2.6 metra në Përmet.

Prefektura thekson se ndërhyrjet po kryhen në bashkëpunim me Forcat e Armatosura dhe grupet e monitorimit, dhe pas përfundimit të vlerësimit do të nisin edhe masat e dëmshpërblimit financiar për familjet e prekura. Raporti përfundon duke vënë në dukje se “situata në qarkun Gjirokastër është në përmirësim, por mbetet e nevojshme vigjilencë dhe kujdes për aksin rrugor dhe për zonat me rrezik për rrëshqitje dhe përmbytje”.

Qytetarët dhe udhëtarët paralajmërohen të ndjekin njoftimet e bashkive dhe autoriteteve për sigurinë dhe qarkullimin e lirë në qarqet e prekura nga reshjet dhe dëbora.

E dhimbshme/ Familja shqiptare aksidentohet në Gjermani, ndërron jetë vogëlushi

By: A R
9 January 2026 at 21:33

Një ngjarje e rëndë rrugore ka tronditur opinionin publik, pasi një familje me origjinë nga Kosova, që po udhëtonte drejt Gjermanisë pas pushimeve të fundvitit, u përfshi në një aksident të rëndë. Aksidenti ndodhi në zonën Waldshut-Tiengen, pranë kufirit gjermano-zviceran, një segment rrugor i njohur për qarkullim të dendur dhe kushte të vështira gjatë dimrit.

Si pasojë e përplasjes fatale, një fëmijë i mitur humbi jetën, ndërsa anëtarët e tjerë të familjes mbetën të lënduar dhe u transportuan për ndihmë mjekësore. Rrethanat e sakta të aksidentit janë ende nën hetim nga autoritetet gjermane, të cilat po punojnë për të zbardhur shkaqet, që çuan në këtë tragjedi.

Lajmi për humbjen e jetës së fëmijës u konfirmua nga një familjar përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ku shprehej dhimbja e thellë për këtë humbje të parakohshme dhe tronditëse. Familjarët bënë me dije se detajet lidhur me ceremoninë mortore do të njoftohen në ditët në vijim.

Operacion antidrogë në shtëpinë e shqiptarit në Itali, sekuestrohen 100 kg drogë, kokaina e groposur në kopësht

By: A R
9 January 2026 at 21:25

Një operacion antidrogë i zhvilluar sot nga policia e Teramos në Itali ka çuar në pranga një shtats shqiptar emri të i cilit nuk bëhet e i ditur nga mediat italiane. Sipas mediave fqinje në operacion janë sekuestruar mbi 70 kg hashash, 30 kg kokainë dhe mbi 3 kg heroinë.

Mbi 100 kg lëndë narkotike u sekuestruan nga policia e Teramos në  shtëpinë e shtetasit shqiptar në Nereto, Abruco.  Mediat italiane raportojnë se shtëpia e tij ishte kthyer në një qendër të vërtetë droge, me hashash dhe heroinë të fshehur në një dhomë të përdorur si depo mjetesh, ndërsa një pjesë e kokainës ishte fshehur në fuçi të groposura në kopsht.

Operacion antidrogë në shtëpinë e shqiptarit në Itali,

Sipas prokurorisë italiane, droga ishte gati për t’u shitur palëve të treta. Gjithashtu u gjetën dhe u sekuestruan 30 kg substanca të tjera narkotike, peshore digjitale, një makinë paketimi me vakum, një presë hidraulike dhe materiale paketimi për drogë.

“Si mund të flitet me dikë që shkon në SPAK çdo të hënë?”, Ndreu: PD përmbyti Shkodrën dhe nuk dha asnjë lek!

By: A R
9 January 2026 at 21:17

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në studion e lajmeve në Klan News, këtë të premte, 9 janar, kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu dha informacione mbi situatën e përmbytjeve në këtë bashki, si dhe iu përgjigj akuzave të opozitës për moshpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për situatën.

Ata mbytën pesë herë Shkodrën për një muaj dhe as nuk shpallën gjendjen e jashtëzakonshme, as nuk dhanë lek, s’kanë moral të flasin ata. Normal se të mbytet pesë herë Shkodra për një muaj…nuk ka ndodhur në qeverinë tonë që nuk janë dëmshpërblyer. Kushdo që i bie telefonit të kryetarit të bashkisë, emergjencave, ne jemi përgjigjur menjëherë”, u shpreh kryebashkiaku.

Sa i përket zhvillimeve të vrullshme politike të janarit dhe akuzave të opozitës dhe kërkesës së saj për qeveri teknike, Ndreu u shpreh: “Ndaj kryetarit të opozitës ka një çështje, një masë penale. Si mund të kërkojë një person që është në SPAK, po me alibinë e SPAK-ut kërkon qeveri teknike. Si mund të ulesh në tryezë me një njeri që është problematik, kur ti shkon çdo të hënë në SPAK”.

Për situatën e përmbytjeve, kryebashkiaku u shpreh se Lezha është problematike pasi shumë toka janë në nivel me detin, por situata nuk është alarmante.

Pamje dramatike nga rrëshqitja e dheut në Vlorë, mali “fshin” rrugën, izolohen dhjetëra familje

By: A R
9 January 2026 at 21:10

Situata e motit të keq ka marrë përmasa dramatike në zonën e Lumit të Vlorës. Pamje tronditëse të publikuara së fundmi tregojnë momentin kur një masiv i tërë shkëmbor shkëputet nga mali, duke marrë me vete dhe duke zhdukur plotësisht trasenë e rrugës në aksin Matogjin-Bashaj.

Nuk bëhet fjalë për një dëmtim të zakonshëm, por për një shembje totale të infrastrukturës. Siç shihet nga pamjet, rruga e automjeteve është zhdukur në humnerë së bashku me faqen e malit, duke e bërë zonën të pakalueshme jo vetëm për mjetet, por edhe për këmbësorët.

Pasojat janë kritike për banorët e zonës. Raportohet se dhjetëra familje kanë mbetur të izoluara totalisht, pa asnjë mundësi komunikimi apo lëvizjeje drejt qendrave urbane. Kjo shembje e bën të pamundur edhe ndërhyrjen e menjëhershme të mjeteve të emergjencës.

Autoritetet lokale pritet të vlerësojnë situatën, por duke parë përmasat e shembjes, rikuperimi i këtij aksi duket se do të kërkojë kohë.

Vaksinimi HPV nis edhe te djemtë! Epidemiologia: Ndihmon në parandalimin e kancerit

By: Os De
9 January 2026 at 21:03

Duke filluar nga 5 janari, në qendrat shëndetësore të vendit ka nisur edhe vaksinimi i djemve 13-vjeçarë me kundër Human Papilloma Virus, vaksinë e futur tashmë në kalendarin kombëtar. 

Vendimi për ta bërë të detyrueshëm injeksionin edhe për djemtë, sipas epidemiologëve, synon parandalimin e disa llojeve të kancerit të lidhura me HPV-në, ndërsa te vajzat vaksina mbron kryesisht nga kanceri i qafës së mitrës. 

“Por në fakt papiloma virus është e dëmshme jo vetëm te vajza, por dhe te djemtë. Të djemtë shkakton probleme serioze duke shkaktuar në disa raste kancer të organeve gjenitale, një organ të traktit urogenital, kancer të faringit, domethënë dhe ata kanë shumë pasoja nga Human Papiloma virus. Por jo të gjithë Human Papiloma virus në momentin që futen në organizëm shkaktojnë probleme”, tha epidemiologia Rovena Daja. 

Sipas epidemiologes, prindërit janë informuar përmes fushatave sensibilizuese, por edhe në mënyrë direkte, përmes mesazheve të dërguara nga programi i vaksinimit. 

“Ne kemi të regjistruar të gjithë fëmijët që janë aktualisht deri në moshën 20 vjeç dhe numrat e telefonit të njërit prej prindërve shkon mesazhi në telefon ku informohet paraprakisht që fëmija juaj duhet të aplikojë aktualisht vaksinën ndaj HPV-së e cila aplikohet në moshën 13 vjeç dhe ky mesazh ju shkon prindërve si për djemtë ashtu edhe për vajzat”, tha ajo. 

Dozat e vaksinës për mbulimin e mbi 18 mijë djemve që këtë vit mbushin 13 vjeç janë shpërndarë tashmë në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin. 

“Vaksina është në gjendje, është në Institutin e Shëndetit Publik dhe ndërkohë e kemi shpërndarë dhe në të gjitha Qendrat shëndetësore”, tha ajo. 

Sipas Institutit të Shëndetit Publik, që nga viti 2022 janë vaksinuar në total rreth 46 mijë vajza kundër Human Papilloma Virus. 

Horror në Kretë, një fëmijë lindi nga incesti/ Babai përdhunon vajzat, njëra prej tyre e mitur, vëllai: Mamaja i dinte të gjitha…

By: Os De
9 January 2026 at 20:59

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Kretën, ku një baba duket se ka përdhunuar dy vajzat e tij. 

Ajo që e bën edhe më të rëndë situatën është që duket se mamaja e vajzave kishte dijeni për gjithçka që po ndodhte dhe nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që një akt i tillë monstruoz të ndalonte. Të paktën kështu pretendon vëllai i vajzave. 

Dy vajzat mësohet se janë të moshës 14 dhe 22-vjeccare, me probleme të shëndetit mendor. 

Vëllai i vajzave, vetëm 23 vjeç ka marrë në kujdestari motrat pas zbulimit të ngjarjes së rëndë. Ajo që trondit edhe më shumë është fakti se babai duket se ka lënë shtatzënë bijën 22-vjeccare dhe ka edhe një fëmijë me të. 

“Babai im i përdhunoi të dyja motrat e mia. Askush tjetër nuk i ka prekur vajzat. Ai i bëri të gjitha. Nëna ime dinte gjithçka. Më 3 janar 2025 motra ime më zbuloi se fëmija është rezultat i përdhunimit dhe se është i babait tonë. Motra donte ta rriste fëmijën, megjithatë prindërit ndërhynë, duke informuar Shërbimin e Mirëqenies Sociale se ajo gjoja nuk ishte e aftë ta rriste atë”, tha ai. 

Ai pohon se motrat e tij ndihen të sigurta me të dhe dëshirojnë të mbeten nën kujdesin e tij. 

 

Bisedime mes Belgjikës dhe Shqipërisë për strehimin e të burgosurve të huaj? Detajet i jep ministrja belge e Azilit!

By: Os De
9 January 2026 at 20:56

Me sytë nga Shqipëria dhe Kosova, Belgjika po shqyrton mundësi të reja për të rritur numrin e migrantëve të paligjshëm që largohen nga vendi. Ministrja belge e Azilit dhe Migracionit, Anneleen Van Bossuyt, ka deklaruar se qeveria po merr në konsideratë “çdo zgjidhje të mundshme”, përfshirë edhe marrjen me qira të hapësirave në burgje jashtë Belgjikës për të strehuar të burgosur të huaj. 

Në një intervistë për Euronews, Van Bossuyt tha se Belgjika është e hapur për partneritete me vende të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë, si pjesë e masave kundër migracionit të paligjshëm. Ajo konfirmoi se së fundmi ka qenë në Shqipëri dhe në Kosovë për të eksploruar mundësitë e strehimit të të burgosurve të huaj. 

“Po shqyrtojmë çdo zgjidhje të mundshme për të rritur shkallën e kthimeve. Kjo është një nga opsionet që po diskutojmë me Ministrinë e Drejtësisë,” u shpreh ministrja belge. 

Sipas saj, në rastin e Shqipërisë, diskutimet kanë të bëjnë me strehimin e shtetasve shqiptarë që aktualisht vuajnë dënime në burgjet belge. Ndërsa për Kosovën, synimi është transferimi i personave që qëndrojnë ilegalisht në Belgjikë dhe ndodhen në burgjet e saj, pavarësisht kombësisë. 

Euroneës kujton se Danimarka ka nisur tashmë një skemë të ngjashme, duke dërguar në Kosovë të huaj, të cilët duhet të vuajnë dënimin  përpara kthimit në vendet e origjinës. Po ashtu, Italia ka hapur vitin e kaluar qendra ndalimi për migrantët në Shqipëri, një praktikë që ka ngjallur debate ligjore dhe kritika nga organizatat për të drejtat e njeriut. 

Van Bossuyt theksoi se Belgjika është e hapur edhe për marrëveshje përtej Ballkanit Perëndimor. 

“Ishim në Shqipëri dhe Kosovë dhe folëm me ministrat përkatës, por mund të ketë edhe vende të tjera. E rëndësishme është të shohim se ku mund të mbështetemi te një zgjidhje e tillë,” tha ajo. 

E pyetur nëse Belgjika do të konsideronte zgjidhje të ngjashme edhe për migrantë që qëndrojnë ilegalisht në vend, por nuk janë të dënuar, ministrja u shpreh se kjo mund të shqyrtohet në kuadër të një marrëveshjeje të re të Bashkimit Evropian, e cila do të lejonte dërgimin e tyre në të ashtuquajturat “qendra kthimi” jashtë BE-së, në vende që konsiderohen të sigurta. 

Tryeza e Berishës, Gjuzi: Forum përtej partive politike! Merkoçi: Propagandë me të njëjtat figura dhe ide!

By: Os De
9 January 2026 at 19:57

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një tryezë me aleatët e tij dhe forca të vogla opozitare, ku munguan Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit, Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt dhe Mundësia e Agron Shehajt. 

I ftuar në Studio Live në Report TV, kreu i Partisë Kombëtare Konservatore, Kujtim Gjuzi, u shpreh se tryeza kishte si synim ndërtimin e një strukture më të gjerë politike. 

“Tryeza zgjati përtej 90 minutave, më shumë seç duhet. Berisha sot mblodhi partitë politike parlamentare dhe jo parlamentare. Tryeza ishte për të thënë që duhet ngritur një forum përtej PD-së dhe partive parlamentare e jo parlamentare. U arrit me konsensus që të gjithë së bashku të ngremë një aleancë që vjen nga qendra deri te konservatorët,” tha Gjuzi, duke shtuar se “protesta dhe rezistenca janë dy hapat që duhet të ndërmarrë opozita kundër qeverisë së Edi Ramës”. 

Në krahun tjetër, analisti Fatmir Merkoci e cilësoi tryezën një nismë propagandistike pa përmbajtje konkrete. 

“Kjo tryezë është e stisur sepse është thirrur për propagandë dhe kishte të njëjtat figura që nuk kanë asnjë ide. Në të gjitha diskutimet ke fjalët ‘duhet’ dhe ‘ndoshta’. Nuk ka absolutisht asnjë zgjidhje. Kishte kauzë? Jo! S’kishte as alternativë. Me gjej një rast në një vend të botës, ku partitë politike bëjnë protesta dhe revolta dhe përmbysin qeverinë” tha Merkoçi duke argumentuar se përpjekjet e opozitës për forume e protesta janë të pasuksesshme për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës. 

Gjuzi komentoi edhe foton që qarkulloi në rrjetet sociale, ku Selami Jenishehri shfaqej duke dremitur gjatë fjalës së Berishës. 

“Ishin dritat e larta. S’ka bërë asgjë për turp,” u shpreh Gjuzi, duke minimizuar episodin që bëri xhiron e rrjetit. 

Ndryshe nga ai, Merkoci e vlerësoi tryezën si të pavlefshme në kushtet kur mungon një analizë e brendshme brenda PD-së. 

“Ajo tryezë do të kishte vlerë nëse PD do të kishte bërë analizën e vet. Që nga maji deri më sot, PD nuk ka bërë asnjë analizë,” tha ai. Sipas Merkocit, opozita po përsërit të njëjtin model politik pa përmbajtje. “Nëse vazhdojnë të bëjnë shoë politik, ‘Rama ik’ nuk është kërkesë. E keni bërë politikën si pazar,” përfundoi ai. 

 

VIDEO-Stuhia e fuqishme përfshin Turqinë/ Kamioni rrëzohet në mes të rrugës..

By: Os De
9 January 2026 at 19:48

Turqia po përballet me një stuhi të jashtëzakonshme që ka përshkuar vendin këto ditë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturën publike dhe duke ndikuar drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Erërat e fuqishme kanë përmbysur kamionë dhe automjete të mëdha në rrugët kryesore, duke vështirësuar qarkullimin dhe duke rrezikuar jetën e përdoruesve të rrugës. Shumë ndërtesa janë dëmtuar nga stuhia, ndërsa çatitë e tyre janë rrëzuar pjesërisht, duke rrezikuar banorët dhe duke krijuar nevojën për ndërhyrje urgjente të ekipit të shpëtimit.

Në zonat bregdetare, kushtet kanë arritur nivele kritike: valë të larta dhe erëra të forta kanë penguar lundrimin dhe operacionet e anijeve në portet kryesore. Autoritetet kanë lëshuar paralajmërime për të gjithë kapitenët e anijeve dhe operatorët detarë, duke kërkuar që të shmangin udhëtimet pa domosdoshmëri dhe të marrin të gjitha masat për të garantuar sigurinë e ekuipazhit dhe të mallrave.

 

A powerful storm is raging in Turkey — strong winds are overturning trucks and tearing roofs off buildings

There is chaos at the piers as well, with violent conditions at sea. https://t.co/nDj2G4ND2M pic.twitter.com/24rRUmbe0g

— NEXTA (@nexta_tv) January 9, 2026

Përveç dëmeve në transport dhe infrastrukturë, stuhia ka rrezikuar edhe zonat urbane dhe fshatrat e prekur nga përmbytjet. Uji ka përfshirë rrugët kryesore dhe lagjet e qyteteve, duke detyruar evakuime të përkohshme dhe vendosjen e pikave emergjente për ndihmë humanitare. Rrëshqitjet e dheut janë raportuar në zona malore, duke rrezikuar banesa dhe ferma të vogla, ndërsa autoritetet janë duke monitoruar situatën, për të parandaluar aksidente të mëtejshme.

Ekipe të specializuara emergjente dhe zjarrfikësit janë angazhuar 24 orë në terren për të asistuar personat e prekur, për të hapur rrugët e bllokuara dhe për të garantuar sigurinë në zonat më të rrezikuara. Paralajmërimet për qytetarët theksojnë nevojën për vigjilencë të vazhdueshme, shmangie të udhëtimeve të panevojshme dhe ndjekje të njoftimeve të autoriteteve gjatë gjithë kalimit të motit ekstrem.

Stuhia, që konsiderohet një nga më të fuqishmet që ka goditur vendin në vitet e fundit, ka nxitur një mobilizim të plotë të strukturave shtetërore dhe lokale për të minimizuar dëmet dhe për të ndihmuar komunitetet më të prekura. Situata mbetet e paparashikueshme dhe qytetarët paralajmërohen që të marrin masa sigurie dhe të jenë të gatshëm për çdo zhvillim të papritur të kushteve atmosferike.

❌
❌