Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 December 2025Java News

Fluks i lartë automjetesh nga Tirana drejt Korçës dhe Vlorës/ Rrugorja thirrje qytetarëve: Zgjidhni rrugë alternative për të shmangur trafikun

By: Os De
24 December 2025 at 15:55

Shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Elbasan kanë intensifikuar masat dhe janë në gatishmëri të plotë për menaxhimin e qarkullimit rrugor, për shkak të fluksit të lartë të automjeteve që lëvizin nga Tirana në drejtim të Korçës dhe Vlorës, si edhe anasjelltas. Si pasojë e këtij fluksi, parashikohet trafik i rënduar dhe qarkullim i ngadalësuar.

Patrulla shtesë janë vendosur në pikat me ngarkesë të lartë trafiku, me qëllim parandalimin e bllokimeve dhe garantimin e një qarkullimi sa më të rrjedhshëm dhe të sigurt për të gjithë përdoruesit e rrugës.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që do të qarkullojnë në drejtim të Vlorës dhe Gjirokastrës, që kur është e mundur, të përdorin rrugë alternative, për të shmangur ngarkesën e lartë të trafikut dhe vonesat në lëvizje.

“Policia Rrugore u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë durim, të respektojnë distancën e sigurisë, të qëndrojnë në radhë dhe të shmangin parakalimet e gabuara, të cilat mund të kthehen në burim aksidentesh ose bllokimesh të qarkullimit.

Njëkohësisht, janë forcuar masat parandaluese kundër aksidenteve rrugore, përmes monitorimit të akseve rrugore me automjete inteligjente, radarë automatikë dhe patrulla të lëvizshme, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore.

Qytetarët ftohen të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe udhëzimet e Policisë, si dhe të denoncojnë çdo shkelje në numrin pa pagesë 112”, thekson policia në deklaratën zyrtare.

“U arrestuan pa asnjë provë dhe fakt”- Deputeti Klevis Balliu pas lirimit të protestuesve nga Gjykata: U ndaluan nga Policia me urdhrat e..

By: Os De
24 December 2025 at 15:48

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar menjëherë pas lirimit nga Gjykata e Tiranës të protestuesve opozitare, që u cilësuan arrestime të paligjshme dhe u vendosën në detyrim paraqitjeje. 

Ai nënvizoi se arrestimet ishin bërë pa asnjë provë dhe fakt dhe ishte një përpjekje e shtetit për të frikësuar qytetarët opozitarë. 

“U faktua se nuk kishte asnjë provë dhe asnjë fakt, por vetëm një përpjekje e shëmtuar për të frikësuar qytetarët përmes dhunës së narkoshtetit”, shkruan ligjvënësi opozitar. 

Reagimi i deputetit të PD, Klevis Balliu: 

“Të rinjtë që u arrestuan nga policia nën urdhrat e Ergys Agasi u liruan. 

U faktua se nuk kishte asnjë provë dhe asnjë fakt, por vetëm një përpjekje e shëmtuar për të frikësuar qytetarët përmes dhunës së narkoshtetit. 

Por gabuan. Sot, ata janë edhe më të motivuar. Nëse Edi Rama nuk largohet, reagimi qytetar do të intensifikohet dhe do të zgjerohet. 

Narkoshteti ka rënë dhe është e padiskutueshme që nuk do të lejojmë kurrë që arkitekti i tij të vazhdojë uzurpimin e institucioneve”. 

 

Kardiokirurgu për gjykim, Gjykata e Posaçme merr vendimin për Edvin Priftin

By: Os De
24 December 2025 at 15:41

Gjykata e Posaçme kalon për gjykim dosjen në ngarkim të kardiokirurgut, Edvin Prifti. Ai akuzohet nga SPAK  për “korrupsion pasiv” në 7 raste, “vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Fshehje e të ardhurave” dhe “pastrim parash”. Dyshimet e SPAK ndaj mjekut nisën pas disa përgjimeve të bëra për llogari të dosjes ndaj ish-gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha.

SPAK akuzoi në atë kohë se shtetasja e arrestuar, Manuela Mallkuçi, i ka dhënë para mjekut të kardiokirurgjisë që të operonte jashtë radhe nënën e saj të sëmurë. Po gjatë hetimeve, Priftit ju gjetën në shtëpi 220 mijë euro për të cilat u akuzua për fshehje të të ardhurave.

“Sistemi ka filluar të funksionojë”, pati deklaruar asokohe Kryeministri Edi Rama. Vetë Prifti, gjatë mbrojtjes kundër arrestit me burg apo masave të tjera të sigurisë, ka deklaruar se paratë ishin fituar nga çmimet ndërkombëtare që ka marrë.

Pas betejave ligjore këto vite Prifti u rikthye në detyrë në QSUT. Vetëm tani nis për të gjykimi në GJKKO.

Kardiokirurgu ka mohuar akuzat në vijimësi dhe ka pretenduar se shteti u vu pas tij për shkak të qëndrimeve kritike që mbajti gjatë pandemisë Covid-19. Sot ai thotë se studimet për atë kohë po i japin të drejtë./ A2 CNN

“Rrezikoni përjashtimin nga Traktati për Energjinë”, MIE: Nuk është marrë asnjë vendim nga BE, sajim për dezinformim keqdashës!

By: Os De
24 December 2025 at 15:31

Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjisë ka reaguar pas lajmeve që kanë qarkulluar së fundmi në disa media, se Brukseli ka skualifikuar qeverinë shqiptare nga Ministeriali i Energjisë së BE. Në një komunikatë për mediat theksohet se ky lajm është i pavërtetë.

Institucioni shpreh shqetësimin e tij për dezinformimin dhe lajmet keqdashëse që lidhen me sektorin energjetik. Sqarimi i prerë i ministrisë: “Sqarojmë prerazi se nuk ka ekzistuar, nuk ekziston dhe nuk është marrë asnjë vendim i BE-së (organeve të saj) ndaj Shqipërisë. Çdo pretendim në këtë drejtim është një sajim i pastër mediatik.”

Ministria sqaroi se diskutimet e zhvilluara së fundmi kanë qenë vetëm në nivelin e Sekretariatit të Energjisë, një strukturë teknike e krijuar për të asistuar vendet jo-anëtare dhe për të nxitur zhvillimin e sektorit energjetik në linjë me standardet europiane. Shqipëria vazhdon të jetë një nga vendet me performancën më të qëndrueshme dhe pozitive në zbatimin e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, sipas raporteve ndërkombëtare.

Gjatë mbledhjes së Sekretariatit të Energjisë javën e kaluar, u identifikuan masa të përgjithshme që duhet të përmbushen nga të gjitha vendet anëtare deri në korrik 2026. Në rastin e Shqipërisë, sipas ministrisë kërkesa konsiston në përafrimin e ligjit për sektorin e energjisë me rregulloret e BE-së, një proces normal dhe i planifikuar, për të cilin projektligji dhe aktet e tjera janë përfunduar, publikuar për konsultim publik dhe disa tashmë të miratuara.

Ministria e Energjisë thekson se paraqitja e kësaj procedure si “ndëshkim” ose “përjashtim” është manipulim i hapur i fakteve dhe sulm i qëllimshëm ndaj sektorit energjetik shqiptar.

REAGIMI

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpreh shqetësimin e saj të thellë për dezinformimin keqdashës dhe lajmet tërësisht të pavërteta dhe të qëllimshme për sa i përket sektorit energjitik.

Sqarojmë prerazi se nuk ka ekzistuar, nuk ekziston dhe nuk është marrë asnjë vendim i BE-së (organeve të saj) ndaj Shqipërisë.

Çdo pretendim në këtë drejtim është një sajim i pastër mediatik. Diskutimet e zhvilluara së fundmi kanë qenë vetëm në nivelin e Sekretariatit të Energjisë, një strukturë teknike e krijuar posaçërisht për të asistuar vendet jo-anëtare dhe nxitur zhvillimin e sektorit energjetik në linjë me standardet e vendeve te BE.

Shqipëria, është një nga vendet me performancën më të qëndrueshme dhe pozitive në zbatimin e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, vlerësim i reflektuar qartë në raportet ndërkombëtare përkatëse. Përpjekjet për ta paraqitur vendin si problematik janë të rreme dhe dashakeqe.

Gjatë mbledhjes së Sekretariatit të Energjisë të mbajtur javën e kaluar, janë identifikuar masa të përgjithshme që duhet të përmbushen nga të gjitha vendet anëtare (të këtij Traktati) deri në korrik 2026. Në rastin e Shqipërisë, kërkesa konsiston në përafrimin e ligjit për sektorin e energjisë me Rregulloret e BE-se, një proces normal dhe i planifikuar, për të cilin projektligji dhe aktet e tjera janë përfunduar, publikuar për konsultim publik dhe disa të miratuara. Paraqitja e kësaj procedure si “ndëshkim” apo “përjashtim” është manipulim i hapur i fakteve dhe sulm i pastër, i qëllimshëm, dhe i koordinuar ndaj sektorit energjitik shqiptar.

Deklaratat dhe shkrimet e publikuara në orët e fundit përbëjnë shpifje të qëllimshme, me synim baltosjen e një prej sektorëve më të suksesshëm të Shqipërisë. Ky sukses është i dokumentuar qartë edhe nën Kapitullin 15 të negociatave me Bashkimin Europian, ku sektori i energjisë konsiderohet ndër fushat me progres real dhe të matshëm.

Theksojmë me forcë se në asnjë raport zyrtar të Komunitetit të Energjisë nuk përmenden ndëshkime apo shkaqe për mospërmbushje detyrimesh për TEC-in e Roskovecit, termocentralet lundruese, rrjetin e interkonjeksioni apo të tjera. Përfshirja e tyre në këto lajme përbën një manipulim të qëllimshëm, i cili nuk ka asnjë bazë faktike dhe synon vetëm dëmtimin e imazhit të Shqipërisë në fushën energjetike dhe në procesin e integrimit europian, duke realizuar qartazi planin dashakeqës të faktorëve të ndryshëm që janë aktive në këto momente.

Institucionet përgjegjëse nuk do të tolerojnë keqinformimin dhe do të reagojnë ndaj çdo përpjekjeje për dezinformim publik dhe baltosje, duke garantuar transparencë, korrektësi dhe vijimësi të reformave në sektorin energjetik.

(EMRAT-VIDEO)Operacioni kundër lëndëve narkotike/ Goditet rrjeti kriminal në Tiranë, 22 të arrestuar! Zonat ku e shitnin drogën

By: Os De
24 December 2025 at 15:25

Policia e Tiranës ka arrestuar 22 persona, të cilët merreshin me trafikun e lëndëve narkotike. 

U arrestuan shtetasit Renaldo Dalipi, Engelbert Pjetri, Armandi Hajdini, Olsi Mici, Fatjon Cela (Çela), Xhon Boci, Laert Murataj, Artan Pullazi, Erald Sina, Blerim Mali, Gentjan Vercani, Valerjos Bushi, Olkid Hajdari, Dylber Alijaj, Angjelos Mema, Majdi Musa, Jurgen Hekurani, Erdison Gjella, Abdurahman Bollati, Klodian Rrucaj, Indri Nakaj dhe Genti Kraja. 

Gjatë aksionit u sekyestruan 500 gramë lëndë e dyshuar narkotike Kokainë; 10 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe 100 doza të kësaj lënde; 5 automjete; 28 celularë; 6 peshore elektronike dhe 3 000 euro. 

Më herët janë arrestuar gjatë operacioneve të mëparshme 5 shtetas ndërsa vijon puna për kapjen e 6 shtetasve të tjerë të identifikuar si pjesë e këtij grupi kriminal. 

Njoftimi i policisë  

Tiranë/Finalizohet pas 4 javësh hetime, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, operacioni policor i koduar “Labirinti 2”.  

Goditet një grup kriminal që shiste lëndë narkotike. 

Identifikohen 33 shtetas, pjesëtarë të grupit kriminal, të cilët, individualisht ose të organizuar në grupe, ushtronin veprimtarinë e paligjshme të shitjes së lëndëve narkotike, në trajta të ndryshme.  

Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg” për 22 prej tyre. 

5 shtetas janë arrestuar gjatë periudhës hetimore, ndërsa vijon puna për kapjen e 6 shtetasve të tjerë të identifikuar si pjesë e këtij grupi kriminal.  

Si rezultat i operacionit u sekuestruan rreth 500 gramë lëndë e dyshuar narkotike Kokainë; 10 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe 100 doza të kësaj lënde; 5 automjete; 28 celularë; 6 peshore elektronike dhe 3 000 euro. 

Në kuadër të operacionit u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit:

R. D., 32 vjeç, E. P., 33 vjeç, A. H., 43 vjeç, O. M., 32 vjeç, F. C. (Ç), 34 vjeç, Xh. B., 31 vjeç, L. M., 23 vjeç, A. P., 47 vjeç, E. S., 39 vjeç, B. M., 34 vjeç, G. V., 39 vjeç, V. B., 19 vjeç, O. H., 35 vjeç, D. A., 39 vjeç, A. M., 23 vjeç, M. M., 19 vjeç, J. H., 29 vjeç, E. Gj., 31 vjeç, A. B., 20 vjeç, K. Rr., 27 vjeç, I. N., 22 vjeç dhe G. K., 20 vjeç.

Gjatë periudhës hetimore janë arrestuar shtetasit: A. V., 23 vjeç, E. P., 22 vjeç, G. V., 19 vjeç, S. C., 22 vjeç dhe R. Gj., 22 vjeç, të cilëve iu janë sekuestruar sasi të ndryshme lëndësh narkotike. 

Nga hetimet rezultoi se aktiviteti kriminal i shitjes së lëndëve narkotike shtrihej në disa zona të qytetit të Tiranës, kryesisht në: Bllok, Kamëz, Laprakë, Selitë, Tiranë e Re, Shkozë, Ali Demi, Xhamllik, Pazari i Ri, Shkolla e Kuqe, Astir, Myslym Shyri dhe Komuna e Parisit.

Lëndët narkotike shiteshin në lokale, tabakino, mjete taksi, si dhe të kamufluara si shpërndarje porosish të ndryshme.

6 shtetas të tjerë të identifikuar si pjesë e këtij rrjeti janë shpallur në kërkim. Vijon puna për kapjen e tyre dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. 

 

Demokratët kundërshtuan zgjedhjen e tij si Avokat i Popullit, Shabani: Nëse Kushtetuesja shfuqizon emërimin tim…

By: Os De
24 December 2025 at 15:10

Avokati i Popullit, Endrit Shabani, ka folur pas emërimit të tij në detyrë lidhur me  dinamikat që shoqëruan zgjedhjen e tij në këtë post. 

I pyetur nëse deputeti Ervin Salianji ka kërkuar mbështetje për emërimin e tij, Shabani u përgjigj shkurt: “Salianji nuk është deputet. Nuk kam asnjë koment, nuk është fushë e veprimtarisë sime.” 

Në lidhje me paralajmërimet se çështja mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese, për shkak të pretendimeve për tërheqjen e firmave nga disa deputetë, Shabani u shpreh se është i hapur për një hap të tillë. 

“Nëse Gjykata Kushtetues e shfuqizon emërimin tim, normalisht nuk do jem më Avokat i Popullit. Nëse më ndodh një aksident më pas, mund të vdes dhe nuk do jem më. Sot jam Avokat Populli, nëse ata duan ta çojnë ta bëjnë, ta verifikojnë dhe të shohin nëse ka ndonjë gjë nëse mund të mësojmë nga procedura”, tha ai. 

Shabani sqaroi gjithashtu se ka mbledhur 35 firma brenda afatit ligjor, pasi kishte dëgjuar pretendimet e tërheqjes së firmave. 

Shabani: Unë jam për Avokat Populli tani dhe nuk jam aktor politik, komentator politik, do luftoj që zoti Flamur Noka të gëzoj të drejtën për të thënë çfarë të dojë, por nuk mund të komentoj qëmtimet e tij dhe luftën brenda PD. 

Pyetje: A ka kërkuar Saliani të të mbështesin? 

Shabani:  Salianji nuk është deputet. Nuk kam asnjë koment, nuk është fushë e veprimtarisë sime. 

Pyetje: Çështja nuk ka mbaruar me kaq, do shkojnë  në Kushtetuese sepse i kanë tërhequr firmat, e tyre. Duke kërkuar shfuqizimin e emërimit të tyre në krye të Avokatit të Popullit. 

Shabani: Nëse Gjykata Kushtetues e shfuqizon emërimin tim, normalisht nuk do jem më Avokat i Popullit. Nëse më ndodh një aksident më pas, mund të vdes dhe nuk do jem më. Sot jam Avokat Populli, nëse ata duan ta çojnë ta bëjnë, ta verifikojnë dhe të shohin nëse ka ndonjë gjë nëse mund të mësojmë nga procedura. 

Unë nuk mendoj se qëndron tërheqja e firmave të tyre. Unë mblodha 35 firma, madje një nga drejtuesit e PD ka firmosur 5 minuta pra se të mbyllej afati. Vazhdoja të mblidhja firma sepse mendoja se dikush mund të tërhiqej. Kaloj afati, 2 ditë pas afatit dëgjova që do tërheqin firmat. Kjo nuk mund të ndodh, sepse unë nuk mund të fus me firma të tjera 

 

PD kërkon mbledhje urgjente për Ballukun, i drejtohet Kryetarit të Kuvendit

By: A R
24 December 2025 at 15:00

Anëtarët e Partisë Demokratike në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin i kanë kërkuar Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, thirrjen e mbledhjes së këshillit për çështjen Balluku.

Në shkresë ata kërkojnë që mbledhja të zhvillohet ditën e premte, më 26 dhjetor, në orën 11:00.

PD kërkon mbledhje urgjente për Ballukun, i drejtohet Kryetarit

PD kërkon mbledhje urgjente për Ballukun, i drejtohet Kryetarit

Sanksionet e SHBA ndaj zyrtarëve europianë, reagon ashpër Macron

By: A R
24 December 2025 at 14:52

SHBA ka vendosur sanksione ndaj 5 zyrtarëve evropianë, për të cilët thotë se kanë nxitur censurë, duke vënë në shënjestër kompani dhe qytetarë amerikanë. Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ka argumentuar se ky vendim është marrë për “aktivistë radikalë dhe organizata të politizuara”. Kufizimet e vizave janë vendosur për 5 individë, përfshirë ish-Komisionerin Evropian, Thierry Breton. Atyre iu ndalohet hyrja në vend. Vetë Breton e quajti vendimin “gjueti shtrigash”.

Gjithashtu, dy aktivistë britanikë janë midis pesë personave të sanksionuar: Imran Ahmed, ish-këshilltar i Partisë Laburiste, i cili tani drejton Qendrën për Kundërshtimin e Urrejtjes Dixhitale (CCDH), dhe Clare Melford, Drejtore Ekzekutive e Indeksit Global të Dezinformimit (GDI). Ata u etiketuan si “aktivistë radikalë” nga administrata Trump dhe iu ndalua hyrja në SHBA.

Sanksionet i shpalli Nënsekretarja e Shtetit, Sarah B. Rogers, e cila akuzoi organizatën “Indeksi Global i Dezinformimit” se po përdor paratë e taksapaguesve amerikanë “për të nxitur censurën dhe futjen në listën e zezë të shtypit amerikan”.

Midis të prekurve janë edhe dy drejtorë menaxhues të organizatës gjermane “HateAid”, e cila bën fushatë kundër abuzimit online: Anna-Lena von Hodenberg dhe Josephine Ballon.

Vendimi i Uashingtonit ka shkaktuar reagime të forta politike në Bruksel dhe kryeqytete të tjera evropiane, duke rritur tensionet në çështjet që lidhen me rregullimin e platformave digjitale dhe luftën kundër dezinformimit.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka reaguar ashpër. Në një postim në X, Macron deklaroi se Franca i dënon këto masa, duke i cilësuar si akte presioni dhe frikësimi që synojnë të dëmtojnë sovranitetin digjital të Bashkimit Evropian.

Sipas tij, rregulloret digjitale të BE-së janë miratuar përmes një procesi demokratik dhe kanë për qëllim garantimin e konkurrencës së ndershme mes platformave digjitale.

“Franca dënon masat kufizuese të vizave të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara kundër Thierry Breton dhe katër figurave të tjera evropiane. Rregulloret digjitale të Bashkimit Evropian zbatohen brenda Europës për të garantuar konkurrencë të ndershme, pa synuar asnjë vend të tretë. Së bashku me Komisionin Evropian dhe partnerët tanë evropianë, ne do të vazhdojmë të mbrojmë sovranitetin tonë digjital dhe autonominë tonë rregullatore”, tha Macron

Edhe Komisioni Evropian reagoi dhe tha se ka “kërkuar sqarime” nga SHBA-ja dhe se do të “përgjigjet shpejt dhe me vendosmëri për të mbrojtur autonominë rregullatore kundër masave të pajustifikuara”.

Gjithashtu, organizatat e prekura e kanë quajtur vendimin një akt që cenon fjalën e lirë.

Vendos qeveria: Edhe e premtja pushim për administratën!

By: A R
24 December 2025 at 14:45

Këshilli i Ministrave ka vendosur që edhe dita e premte, më 26 dhjetor, të jetë ditë pushimi për administratën publike.

Sipas vendimit, pushimi vjen si zgjatje e festës së Krishtlindjes, pasi administrata nuk do të punojë as ditën e enjte, më 25 dhjetor, e cila është festë zyrtare.

Në këtë mënyrë, punonjësit e administratës përfitojnë dy ditë rresht pushimi, ndërsa institucionet publike do t’i rikthehen normalisht aktivitetit të hënën.

“Mbi 1 mijë e 400 vende parkimi”, Rama inspekton punimet në QSUT

By: A R
24 December 2025 at 14:37

Kryeministri Edi Rama ka inspektuar këtë të mërkurë, më 24 dhjetor, qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku po vijon puna për Pediatrinë Infektive, e cila do të ndërtohet nga e para, për një shërbim më cilësor për pacientët, së bashku me parkimin e ri multifunksional me 1 mijë e 400 vende, si edhe me shërbime të tjera, si salla konferencash apo hapësira trajnimi për mjekët.

Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, që po i tregonte kryeministrit strukturat, u shpreh se pritet që punimet të përfundojnë “brenda shtatorit të vitit të ardhshëm”.

“Gati shtatorin e ardhshëm”, Rama inspekton kantierin e “Kengo Art Park” në Petrelë

By: A R
24 December 2025 at 13:59

Kryeministri Edi Rama po zhvillon një inspektim këtë të mërkurë, më 24 dhjetor, në kantierin e projektit të ri “Kengo Art Park”, që po ndërtohet në zemër të natyrës së Petrelës.

“Paska ecur në krahasim me herën tjetër!”, u shpreh Rama.

Projekti, i cili zë një sipërfaqe prej 32 mijë metrash katrorë, do të shërbejë si një qendër e re për artin dhe kulturën.

“Kengo Art Park” është projektuar nga arkitekti i njohur japonez, Kengo Kuma, dhe synon të integrohet në peizazhin natyror të zonës, duke krijuar një hapësirë moderne për aktivitete kulturore dhe artistike.

“I projektuar nga mjeshtri i arkitekturës, japonezi Kengo Kuma, ky park vjen në vazhdën e investimeve të qeverisë për transformimin e aseteve publike duke i kthyer godinat e amortizuara, në qendra arti, kulture, ekspozimi, inovacioni, e hapësira socializimi për të rinjtë, duke ruajtur nga pikëpamja arkitekturore edhe memorien historike të vetë godinave.”, shkruan kryeministri krahas videos.

Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, shpjegoi se projekti shtrihet në dy zona kryesore dhe se kanë përfunduar të gjitha punimet e përforcimit të strukturave ekzistuese, të cilat ishin të degraduara dhe janë rindërtuar nga e para, duke respektuar kërkesat e veçanta arkitekturore të projektit.

“Jemi në kantierin e Kengo Art Park, parkut të artit Kengo që emrin e ka marrë nga arkitekti i famshëm Kengo Kumo, i cili është ai që e ka projektuar këtë projekt. Projekti shtrihet në dy zona, zona e parë është kjo, këtu zonat në dy zona matanë. Ka mbaruar pjesa e përforcimit, që është bërë komplet nga e para. Këto kanë qenë godina të rrënuara dhe kanë filluar pjesët e rifiniturave të brendshme dhe pjesa e suvatimeve të brendshme, që do të jetë me suva akustike dhe kundër lagështirës, por që janë të veçanta për këto lloj funksionesh. Ky si projekt është në vazhdën e projekteve që qeveria shqiptare ka ndërmarrë për transformimin e aseteve publike, të cilat kanë degraduar, duke i kthyer këto në qendra zhvillimi, duke i kthyer në si nga pikëpamja arkitekturore dhe urbanistike, po ashtu edhe nga pikëpamja funksionale.” shpjegoi Agolli.

Parku do të përfshijë pavione ekspozimi të përhershme dhe të përkohshme, ambiente për workshope dhe punishte arti, shtëpi për artistë, hapësira administrative, si edhe zona shërbimi si bar-restorant dhe ambiente pritjeje e informacioni.

Një element i veçantë i projektit është krijimi i shesheve dhe hapësirave të hapura, përfshirë një strukturë që funksionon si një amfiteatër natyror, e përshtatshme për evente kulturore dhe artistike të ndryshme, duke e kthyer parkun në një hapësirë dinamike socializimi për të rinjtë dhe familjet.

Agolli tha se sipas planit të zbatimit, “Kengo Art Park” pritet të përfundojë në “shtator të vitit të ardhshëm“.

Me një sipërfaqe ndërtimi prej rreth 7 400 metrash katrorë, ky projekt do të jetë një nga hapësirat më të mëdha të artit, kulturës dhe ekspozimit në Tiranë, duke shtuar një tjetër pikë referimi në hartën kulturore dhe turistike të vendit.

Agolli që po i shpjegonte Ramës ecurinë e punimeve, u shpreh se “Njerëzit do vijnë ta vizitojnë edhe për shkak të arkitektit, sepse është një nga arkitektët më të mirë në botë.”

Ai tha se ndonëse i gjithë parku është 32 mijë metra katrorë, sipërfaqja e ndërtimit do të jetë 7 mijë e 400 metra katrorë, duke u bërë një nga hapësirat e ekspozimit më të madh të artit në Tiranë.

Rriten çmimet e ushqimeve për festa! Të moshuarit: Kemi hequr dorë nga mishi…

By: A R
24 December 2025 at 13:51

Festat e fundvitit po reflektojnë një rritje të çmimeve të produkteve të shportës, por edhe të çmimeve të tjera, të cilat qytetarët duan t’i kenë në tryezën e tyre për ndërrimin e viteve.

Qytetarët shprehen se çmimet janë të larta dhe të papërballueshme.

“Tani për festa i ngrejnë një çikë (çmimet). Mora dy kile mish atje, 37 mijë lekë,” tregon një zotëri.

Të moshuarit thonë se nuk ja dalin me pensionet e tyre, por mbështeten nga fëmijët.

“Neve na ndihmojnë çik kalamajtë, që ti mbledhim bashkë dhe ta festojmë, në përgjithësi janë të larta,” tregon një zonjë.

Sipas të dhënave të fundit të INSTAT për muajin nëntor, të gjitha produktet e shportës kanë pësuar rritje, por rritje më të madhe të çmimeve ka pasur grupi “Qumësht, djathë dhe vezë”, të cilat u shtrenjtuan me 4,9 %, pasuar nga nëngrupet “Vajra dhe yndyrna” me një rritje prej 4,6 %, ndërkohë që rritje kanë pësuar edhe peshku dhe mishi.

Kjo rritje ka vijuar edhe në dhjetor, ndërsa të moshuarit thonë se për disa nga këto produkte kanë hequr dorë, ose i kanë zëvendësuar me më të lira.

“Frutat që janë të shtrenjta s’i marrim dot. Peshku nuk diskutohet, mishi i viçit nuk diskutohet. Marrim pulë që është më lirë”, shprehet një e moshuar.

Për të moshuarit, çmimet janë të larta jo vetëm për festa, por gjatë gjithë vitit.

Fuqia blerëse e familjeve shqiptare është ulur nga vitin në vit. Të dhënat zyrtare tregojnë se mbi 40 % të buxheteve familjare shkojnë për konsum.

RRITJA E ÇMIMIT TË USHQIMEVE
Qumësht, djathë dhe vezë: 4,9 %
Vajra dhe yndyrna: 4,6 %
Peshk: 3,3 %
Mish: 2,9 %

Kapen 51 kg drogë në Gjirokastër, një i arrestuar dhe tre në kërkim

By: A R
24 December 2025 at 13:43

Policia ka finalizuar operacionin antidrogë të koduar “Black Scale” në Gjirokastër, duke sekuestruar rreth 51 kg kanabis sativa, të ndarë në 48 pako, të cilat dyshohet se do të trafikoheshin drejt Greqisë.

Në pranga ka rënë 30-vjeçari N. P., banues në fshatin Rusan, Delvinë, i cili transportonte lëndën narkotike të fshehur në një hapësirë të improvizuar tek shasia e automjetit tip Nissan.

Policia identifikoi edhe tre persona të tjerë, bashkëpunëtorë të 30-vjeçarit, të cilët i ka shpallur në kërkim. Njëri prej tyre është vëllai i të arrestuarit, ndërsa dy të tjerët dyshohet se kanë pasur role organizatore dhe ndihmëse.

Gjatë operacionit, përveç lëndës narkotike, u sekuestruan automjeti tip Nissan dhe tre celularë të të arrestuarit. Hetimet vazhdojnë për kapjen e tre personave të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e përgjegjësisë penale të të gjithë të përfshirëve.

Hodhën molotovë para Kryeministrisë, Prokuroria e kërkon detyrim paraqitje për 4 militantët e PD

By: A R
24 December 2025 at 13:35

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar detyrim paraqitje për 4 të arrestuarit pas protestës së Partisë Demokratike dy ditë më parë përpara Kryeministrisë.

Ata u arrestuan pasi akuzohen se kanë hedhur lëndë djegëse dhe kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë.

Përveç katër të arrestuarve u proceduan penalisht edhe 7 persona, mes tyre përfaqësuesi organizativ i Partisë Demokratike që zhvilloi tubimin, Ervin Minarolli.

Hodhën lëndë djegëse (molotovë) dhe kundërshtuan punonjësit e Policisë, gjatë tubimit të zhvilluar dje, identifikohen 11 shtetas. Arrestohen 4 prej tyre, procedohen penalisht 7 të tjerët. Procedohet penalisht dhe përfaqësuesi organizativ i subjektit politik që zhvilloi tubimin, pasi nuk ka zbatuar detyrimet për identifikimin e personave përgjegjës për mbarëvajtjen e tubimit, në bazë të ligjit Nr. 8773, “Për tubimet”, neni 10, theksoi në njoftimin e saj policia.

Ndërkohë gjatë tubimit u dëmtuan 3 punonjës policie.   

“Më datë 22.12.2025, rreth orës 18:00, subjekti politik Partia Demokratike zhvilloi një tubim në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë. Gjatë zhvillimit të tubimit, disa prej pjesëmarrësve kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë së Shtetit që ishin të planëzuar me shërbim për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe kanë hedhur drejt tyre lëndë djegëse (molotovë). 

Si rezultat i veprimeve hetimore, u identifikuan 11 shtetas që kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit. Në vijim: -u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. K., 39 vjeç, E. S., 36 vjeç, Xh. D., 38 vjeç dhe A. H., 38 vjeç;-nisi procedimi penal për shtetasit: B. F., E. M., M. M., Sh. D., K. P., R. B. dhe një 16-vjeçar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkaq, pas referimit të materialeve në Prokurori, organi i akuzës ka kërkuar detyrim paraqitje për 4 të arrestuarit.

Prokuroria e Fierit mbyll hetimet dhe çon në gjyq tre drejtorët e bashkisë

By: A R
24 December 2025 at 13:27

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka njoftuar këtë të mëkurë, më 24 dhjetor, përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq dy drejtoreshat e Bashkisë Fier dhe drejtorin e DVKT-së Rajoni Jugor, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm.

Në mesin e të pandehurve janë: A.H., Drejtoreshë e Përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës; A.C., Drejtoreshë e Taksave dhe Tarifave Vendore; si dhe V.Ç., Drejtor i DVKT-së Rajoni Jugor.

Kështu, në njoftimin për mediat bëhet me dije hetimet kanë zbuluar se drejtoresha e Përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës me inicialet A.H, nuk ka marrë masat për vendosjen e kasës fiskale në sistemin e parkimit të Bashkisë, duke lejuar shmangien e detyrimeve tatimore në vlera të konsiderueshme.

Gjithashtu, ajo akuzohet se ka ushtruar ndikim të paligjshëm për të realizuar faturime fiktive dhe për të ulur vlerat e taksave për disa subjekte, përfshirë edhe manipulimin e përllogaritjes së taksave të një subjekti privat.

A.C., nga ana tjetër, ka lëshuar fatura mbi vlerën reale për disa subjekte dhe, pas ankesave të këtyre të fundit, ka ulur vlerat e taksave edhe më shumë se parashikimet e vendosura nga Këshilli Bashkiak. Ajo gjithashtu nuk ka marrë masat për fiskalizimin e pikave të parkimit të mjeteve në administrimin e Bashkisë.

Ndërkohë, V.Ç. ka detyruar inspektorët të kryejnë kontroll në një subjekt tregtar pa urdhër pune nga DPT, nuk ka kërkuar rikontroll në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe nuk ka mbikëqyrur fushatën sensibilizuese për subjektet e tjera.

Në përfundim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier dërgoi çështjen në gjyq në ngarkim të të pandehurve:

-A.H., e akuzuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 248 dhe 245/1 prg.3 të Kodit Penal;

-A.C., i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

-V.Ç., i akuzuar për veprën kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Prokuroria e Fierit thekson se angazhohet për vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë punonjësve shtetërorë ose në shërbim publik që kryejnë vepra penale kundër veprimtarisë shtetërore.

Berisha: Rama ka dalë hapur kundër heqjes së imuniteteve dhe arrestimit të kriminelëve

By: A R
24 December 2025 at 13:19

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ashpërsuar akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se ai ka dalë hapur kundër heqjes së imuniteteve dhe arrestimit të personave të përfshirë në krim të organizuar.

Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se Rama është “i ngërthyer kokë e këmbë nga mafia”, duke përmendur emra të zyrtarëve të lartë të qeverisë, për të cilët tha se janë të lidhur me veprimtari kriminale. Sipas tij, kryeministri ka marrë një vendim ekstrem për të bllokuar zbatimin e ligjit dhe vendimet e prokurorisë dhe gjykatave.

“Rama del haptas kundër heqjes së imuniteteve dhe arrestimit të kriminelëve. Kapo i kapove është vetë Edi Rama. Ai është skllav i krimeve të veta,” deklaroi Berisha.

Sipas liderit demokrat, shpresa e vetme për largimin e kryeministrit mbetet reagimi qytetar, përmes një proteste të vazhdueshme dhe paqësore. Berisha theksoi se protesta nuk duhet të jetë simbolike apo afatshkurtër, por e qëndrueshme deri në largimin e Ramës nga pushteti, shkruan A2 CNN.

“Bulevardi dhe sheshi duhet të jenë të qytetarëve, jo për një, dy apo tre ditë, por aq kohë sa duhet për ta larguar,” u shpreh ai, duke shtuar se opozita do të punojë për të bindur qytetarët të angazhohen në një revoltë paqësore.

Berisha e cilësoi qeverisjen aktuale si “regjimin më të urryer dhe më armiqësor” që shqiptarët kanë pasur pas periudhës së Enver Hoxhës, duke garantuar se, sipas tij, Rama do të përballet me drejtësinë.

Rikthimi i Ballukut në detyrë, emërohen drejtorët e rinj të KESH dhe ARRSH

By: A R
24 December 2025 at 13:11

Heqja e pezullimit ndaj ministres Belinda Balluku nga Gjykata Kushtetuese ka bërë që të firmosen ndryshimet për institucionet që kishin mbetur pa drejtues.

Burime për JavaNews thonë se ditën e sotme në mbledhjen e Qeverisë, Ami Kozeli është larguar nga detyra e zv.ministrit dhe është emëruar drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Po ashtu, edhe Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ka tashmë një drejtues. Viola Haxhiademi është emëruar sot administratore e KESH.

Nga ana tjetër, Besjan Kadiu ka lënë detyrën e zv.ministrit për t’u emëruar Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës.

Pezullimi i ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, i kishte lënë pa drejtues dy institucionet KESH dhe ARRSH, pas vendosjes në arrest shtëpie të drejtorëve të tyre. Ky shqetësim u ngrit nga Kryeministri Rama duke u shprehur se pezullimi i Ballukut bënte të pamundur emërimet krerëve të rinj.

Policia sekuestron 44 kuti me fishekëzjarre, procedohet penalisht pronarja e dyqanit

By: A R
24 December 2025 at 12:59

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër kanë intensifikuar kontrollet në zbatim të planit të masave për ndalimin e tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike, në prag të festave të fundvitit.

Gjatë një kontrolli të ushtruar në një dyqan në lagjen “Tre Heronjtë”, u gjetën dhe sekuestruan 44 kuti me lëndë piroteknike (kapsolla), të ndaluara për tregtim.

Pronarja e dyqanit, shtetasja S. P., u procedua penalisht, ndërsa materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Shkodrës për veprime të mëtejshme.

Policia bën të ditur se kontrollet për parandalimin e tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike do të vijojnë në të gjithë qarkun, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë festave të fundvitit.

Horoskopi ditor për nesë, e Enjte 25 Dhjetor 2025

By: A R
24 December 2025 at 12:48

Dashi

Tregohuni sa me diplomate dhe te duruar me partnerin tuaj gjate kësaj dite ne mënyrë qe gjerat te ecin ashtu si duhet ne lidhjen qe keni krijuar. Beqaret nga ana tjetër do ndiheni mjaft mire sepse do takojnë persona qe ja vlejnë t’i kesh pranë. Për sa iu përket financave, nuk duhet ne asnjë mënyrë te bëni ndonjë çmenduri sepse situata do ju dale jashtë kontrollit.

Demi

Do e rivendosni dialogun ne çift gjate kësaj dite dhe gjerat do shkojnë mjaft mire me personin qe keni ne krah. Do merreni vesh për gjithçka me te dhe nuk pritet te linde as problemi me i vogël. Beqaret do gjejnë mënyrën e duhur për te joshur dike. Ne planin financiar do jeni me shume fat dhe do kryeni edhe disa investime te rëndësishme.

Binjaket

Klima ne jetën tuaj ne çift do jete mjaft e ngrohte dhe pasionante gjate kësaj dite. Kënaqësitë dhe emocionet do jene te njëpasnjëshme kështu qe nuk do keni çfarë te kërkoni me shume. Beqaret do kenë disa takime, por nuk do arrijnë ta gjejnë menjëherë personin e ëndrrave. Financat do jene ne gjendje goxha te mire. Nuk do keni vështirësi te kryeni shpenzimet e dëshiruara.

Gaforrja

te dashuruarit do kenë gjate gjithë kohës mbështetjen e Venusit. Ai do ua qartësojë mendimet dhe do iu ndihmoje t’i zgjidhni me qetësi disa probleme te vogla. Beqaret do kenë veçse dashuri platonike, asgjë konkrete nuk pritet te ndodhe. Financat do jene gjate gjithë kohës te mbrojtura. Shpenzoni për gjerat me te nevojshme, po kurrsesi pa e tepruar.

Luani

Do jeni shume tolerante gjate kësaj dite me atë qe keni ne krah dhe gjithçka do shkoje si duhet. Do i harroni madje edhe problemet e vogla qe keni pasur dikur. Beqaret nuk duhet te ecin kuturu dhe te pranojnë çdo ftese qe do iu behet sepse do pendohen rende. Ne planin financiar nuk do jeni aspak te matur dhe gjerat nuk do ecin si i kishin menduar.

Virgjeresha

Nëse keni pasur probleme serioze njëjtën tuaj ne çift, sot gjithçka do rregullohet. Partneri do jete ne humor dhe i gatshëm t’ua plotësojë dëshirat. Beqaret qe nuk mundohen fare te gjejnë një person për ta pasur ne krah dhe presin qe gjerat t’iu bien nga qielli, nuk do ja dalin dot te ndryshojnë status. Ne planin financiar duhen bere kufizime ne mënyrë qe gjendja te mbetet e qëndrueshme.

Peshorja

Për ata qe janë ne një lidhe do ketë shume tension dhe mosmarrëveshje gjate kësaj dite. Edhe pse do mundoheni shume te ruani një klime harmonike, nuk do ja dilni dot. Beqaret do e vuajnë shume vetminë , por nga ana tjetër nuk do hedhin asnjë hap për ta ndryshuar situatën. Financat duhen mbajtur sa me shume nen kontroll. Gjendja do jete e paqëndrueshme.

Akrepi

Mos bëni gabim ta idealizoni partnerin tuaj gjate kësaj dite sepse ne një moment apo ne një tjetër do zhgënjeheni tej mase prej tij. Beqaret nga ana tjetër nuk duhet te kërkojnë persona perfektë apo gjera te pamundura. Merrini gjerat ashtu si t’iu vijnë. Ne planin financiar nuk rekomandohet te kryhen transaksione te tejskajshme. Gjendja do jete serish delikate.

Shigjetari

Dita e sotme do jete e mrekullueshme dhe mjaft emocionuese. As vete nuk do e kuptoni sesi gjerat do ju ecin aq mire, kështu qe nuk do keni për çfarë te shqetësoheni. Beqaret do jene me shume fat dhe do arrijnë ta bëjnë për vete personin qe aq shume kane pëlqyer. Financat do jene pak me te mira se kohet e fundit dhe do ndiheni me te qete.

Bricjapi

Aq mire do ja kaloni gjate kësaj dite me personin qe keni ne krah saqë nuk do kërkoni asgjë me shume nga jeta. Do filloni madje te programoni edhe te ardhmen. Beqaret do marrin mesazhe dashurie nga persona qe i kane njohur me pare, por nuk kishin menduar se mund t’i pëlqenin. Ne planin financiar bëni kujdes. Mos shpenzoni shuma te mëdha sepse do keni probleme.

Ujori

Çiftet qe kane kohe qe janë ne krize do kenë një dite me te qete, por gjithsesi atmosfera serish nuk do jete ashtu si duhet. Beqaret do vazhdojnë te kërkojnë princin e tyre te kaltër. Nuk do mungojnë njohjet e reja, por gjithsesi nuk priten menjëherë ndryshime te statusit. Ne planin financiar asgjë nuk do jete e thjeshte. Kurseni sot qe edhe e nesërmja te jete e mire.

Peshqit

Nëse ka kohe qe rutina është bere pjese e jetës suaj ne çift duhet te mundoheni sa me shpejt ta ndryshoni situatën. Vetëm kështu nuk do lejoni qe problemet dhe debatet te jene te zjarrta. Beqaret do e kenë me te lehte ta gjejnë një person te përshtatshëm gjate një feste te organizuar nga miqtë. Gjendja e financave do jete e mire. Do jeni goxha kursimtare.

Aksidenti çon në arrestimin e 32-vjeçarit, i kishte shkaktuar mbi 300 milionë lekë dëm shtetit

By: A R
24 December 2025 at 12:40

Një 32-vjeçar, i cili shkaktoi një aksident në Sukth duke u përplasur me disa pemë, është ndaluar nga Policia, pasi rezultoi se ishte në gjendje të dehur dhe për më tepër, në kërkim për një dënim me burg.

Sipas njoftimit zyrtar nga uniformat blu, menjëherë pas sinjalizimit për aksidentin rrugor, efektivë të Policisë Rrugore shkuan në vendngjarje, ku pasi konfirmuan se drejtuesi ishte i dehur, zbuluan se ishte në kërkim për mashtrim tatimor.

“Menjëherë pas njoftimit për një aksident rrugor, në Sukth, ku një automjet ishte përplasur me disa pemë, shërbimet e Policisë Rrugore shkuan në vendngjarje, për të kryer veprimet procedurale të nevojshme. Në vijim, iu bë test alkooli, drejtuesit të automjetit, shtetasit A. D., 32 vjeç, rezultat i të cilit, herën e dytë ishte 1.29 mg/l.

Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se 32-vjeçari ishte aktualisht në kërkim, sepse Gjykata e Tiranës, në vitin 2024, e ka dënuar me 2 vjet burgim, për veprën penale “Krijimi i skemave të mashtrimit lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar.”, bëjnë me dije uniformat blu.

I riu akuzohet se në vitin 2022, ai ka administruar një subjekt, për të cilin janë lëshuar fatura fiktive, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej rreth 300 milionë lekësh, së bashku me 12 persona të tjerë.

Nga aksidenti, u dëmtua lehtë pasagjeri që ndodhej në automjet.

❌
❌