Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 29 January 2026Java News

Historike në Venezuelë, Parlamenti hap tregun e naftës, merr fund monopoli i Çavizmit

By: A R
29 January 2026 at 23:00

Venezuela, vendi me rezervat më të mëdha të naftës në botë, ka marrë një vendim që shënon fundin e një epoke ideologjike dhe ekonomike. Parlamenti i vendit miratoi këtë të enjte (29 janar 2026) një reformë radikale që i hap dyert kapitalit privat në sektorin e naftës, duke zhbërë kështu politikën e “kontrollit të ngurtë shtetëror” të vendosur nga Hugo Çavez dhe pasuesit e tij prej më shumë se çerek shekulli.

Ligji, i cili kaloi në lexim të dytë në Asamblenë Kombëtare, tashmë pret vetëm vulën finale: nënshkrimin ekzekutiv nga Presidentja e përkohshme de facto, Delcy Rodríguez, për të hyrë zyrtarisht në fuqi.

Ajo që e bën këtë vendim historik është fakti se u votua nga vetë Partia Socialiste e Bashkuar e Venezuelës (PSUV), forca politike e themeluar nga Çavez, e cila gëzon shumicën në Asamble. Deputetët socialistë, të cilët për dekada kanë shtetëzuar asete dhe kanë demonizuar kapitalin privat në sektorin strategjik energjetik, miratuan liberalizimin e tregut.

Kjo lëvizje shihet nga vëzhguesit ndërkombëtarë si një pranim i heshtur i dështimit të modelit të centralizuar, i cili, i kombinuar me sanksionet dhe keqmenaxhimin, e kishte çuar industrinë e naftës të Venezuelës (PDVSA) drejt kolapsit total teknik dhe financiar.

Masa e re ligjore thyen tabunë e madhe të Çavizmit. Shteti nuk do të jetë më i vetmi operator në fushat naftëmbajtëse. Kompanitë ndërkombëtare dhe investitorët privatë do të kenë të drejtë të zotërojnë aksione dhe të menaxhojnë operacione, me shpresën për të sjellë kapitalin dhe teknologjinë e munguar.

Tani sytë janë drejtuar nga pallati presidencial “Miraflores”, ku Delcy Rodríguez pritet të hedhë firmën që do të zyrtarizojë këtë ndryshim drastik kursi, në një përpjekje për të ringjallur “zemrën” e ekonomisë venezueliane në vitin 2026.

“Vlora është hajdutëria më e madhe”, avokati: Kadastra ishte bërë “ferr” për qytetarët

By: A R
29 January 2026 at 22:52

Reforma Territoriale ka sjellë debat dhe polemika mes të ftuarve në “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus.

Avokati Edmond Petraj u shpreh se ndryshimet territoriale janë të nevojshme, deklaratë e cila solli komentin e deputetit Redi Muçi nga “Lëvizja Bashkë”, i cili tha se sot nuk ka autonomi lokale, duke sjellë si shembull zhvendosjen e Kadastrës së Vlorës në Tiranë.

Për avokatin Petraj, kjo ishte gjëja më e mirë që u bë, pasi Kadastra e Vlorës ishte kthyer në një “ferr” për qytetarët e Vlorës.

Pjesë nga debati:

Muçi: Çështja e ndarjes territoriale lidhet edhe me autonominë lokale. Kjo qeveri ka treguar centralizim. Ja si e larguan Kadastrën nga Vlora.

Petraj: Kadastra e Vlorës është bërë ferr. Të gjitha shërbimet nuk jepen nga Kadastra.

Borakaj: Pse është kthyer në ferr?

Petraj: Vlora është hajdutëria më e madhe.

Borakaj: Pse nuk ka njerëz të ndershëm?

Petraj: Vetëm problemet që ka sot Kadastra e Vlorës nuk mbarojnë në Gjykatën Administrative.

Borakaj: Të shkaktuara nga kush?

Petraj: Nga vetë administrata. Ajo Kadastrë, por edhe kadastrat e tjera, kanë mbivendosje pa fund.

Grimci: Pse ka mbivendosje? Sepse kur u bë dixhitalizimi u tjetërsuan pronat, nga AKSHI.

Petraj: Nuk është AKSHI.

Muharremi: Problemin që shkaktuan ata, po e vuajmë ne sot.

Petraj: Kadastrat, në përgjithësi, nuk respektojnë kërkesat e qytetarëve. Një qytetar ka të drejtë të caktojë kufijtë e pronës; kur ka mospërputhje me hartën, ata nuk mblidhen për të ngritur komisionin dhe për të saktësuar pronën.

Borakaj: Ju thatë se zgjidhet për 5 minuta, pse nuk zgjidhet?

Petraj: Administrata duhet të marrë profesionistë brenda.

“Në mars ’97 protestoja kundër Berishës, sot jemi kolegë”, flet deputetja e Vlorës!

By: A R
29 January 2026 at 22:45

Briseida Çakërri është deputetja më e re e Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësuese e qarkut të Vlorës. Ajo u betua më 30 tetor, duke zënë vendin e Bruna Mersinit, e cila kandidoi dhe fitoi postin e kryetares së Bashkisë së Vlorës. Rrugëtimi i saj drejt politikës nuk ka qenë i shpejtë, por i ndërtuar me vite përkushtim, aktivitet dhe pasion për qytetarët dhe vendin e saj.
Në një intervistë për emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në DritareTv, Çakërri rrëfeu emocionet e momentit kur u betua në parlament:

“E thashë pak ëmbël fjalën ‘betohem’, por nuk mund ta përshkruash dot me fjalë emocionin, nderin dhe përgjegjësinë që ndjeva. Ishte një nga momentet më të bukura të rrugëtimit tim”. Ajo shtoi se të qenit deputete ka qenë gjithmonë një dëshirë personale, e ndërtuar përmes ndjekjes së politikës dhe angazhimeve të ndryshme:

“Kam punuar me vite me radhë, por nuk mund ta dish kur do të vijë ai moment i betimit. E kam ndjekur politikën gjithmonë dhe dëshiroja të isha këtu”.

Tre muaj pas betimit, Briseida Çakërri tregon se përvoja në parlament ndryshon shumë nga ajo që shihet nga jashtë: “Debatet televizive nuk tregojnë punën intensive që bëhet. Kupton që ke më shumë përgjegjësi se sa duket, por mësohesh me ritmin e punës dhe ndihesh pjesë e rëndësishme e vendimmarrjes”. Ajo thekson se është aktive si në seancat plenare, ashtu edhe në komisionet e ekonomisë dhe turizmit, duke kombinuar angazhimin parlamentar me shërbimin për qytetarët e Vlorës.

Në zgjedhjet e 11 majit, ajo u rendit e 11-ta nga 16 kandidatët e PS-së në qarkun e Vlorës, duke marrë 2,610 vota në Shqipëri dhe 38 në diasporë, gjithsej rreth 3,000 vota. Briseida vlerëson se ky rezultat është fryt i angazhimit të saj të vazhdueshëm dhe përkatësisë familjare:
“Më ka ndihmuar shumë prejardhja ime. Vij nga një familje qytetare vlonjate, një mbiemër i njohur në qytet dhe një rrugëtim shumë i gjatë pune. Fushatën time e bëra derë më derë, duke kërkuar votat e çdo qytetari, pa dallim bindjes politike”.

Ajo rrëfeu historinë e familjes së saj, e cila ka dhënë kontribut të madh për Shqipërinë: “Vij nga një familje atdhetare dhe dëshmorësh. Musa Çakërri, një nga të parët tanë, u vra në vitin 1905, dhe vizita e parë e Ismail Qemalit pas ngritjes së flamurit të pavarësisë ishte te familja jonë për të kërkuar faljen e gjakut. Babai im, Krenar Çakërri, ka qenë themelues i degës së PS-së në Vlorë dhe aktiviteti i tij politik ka ndikuar shumë tek unë”.

Briseida kujton aktivitetin e saj të hershëm politik, që nisi që në fëmijëri: “Kam qenë vetëm gjashtë vjeç kur mora pjesë për herë të parë në protesta në vitin 1997. Nga atëherë politika ka qenë pjesë e jetës sime. Kam qenë aktiviste në Fresh, pastaj kryetare e organizatës së lagjes dhe më pas për rajonin”.

Ajo ka përfunduar studimet në financë, ka dy mastera dhe specializime të ndryshme, duke punuar edhe si pedagoge dhe për projekte të Bashkimit Europian në Itali. Megjithatë, Briseida zgjodhi të qëndrojë në Shqipëri dhe të kontribuojë në vendin e saj: “Është më e lehtë të ikësh dhe të kontribuosh jashtë, por i detyrohem Shqipërisë shumë. Dua të jem këtu dhe të shërbej qytetarët e mi”.

Emri i saj, Briseida, ka frymëzim nga figura mitologjike e Trojës: “Mami lexonte shumë Homerin dhe vendosi t’u japë këtë emër fëmijëve. Në Shqipëri janë vetëm 18 persona me këtë emër”.
E pyetur për Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe për Sali Berishën, ajo u shpreh se:
“Edi Rama është një nga figurat më të forta të politikës shqiptare dhe do të lërë gjurmë të forta në Shqipëri. Sali Berisha, ndërkohë, është aty për të mbrojtur interesat e veta, jo të popullit”.
Si deputete e re e Vlorës, Çakërri viziton rregullisht qytetin dhe fshatrat për të dëgjuar qytetarët dhe për të adresuar problemet e tyre:

“Politika nuk bëhet vetëm nga foltorja. Çdo votë është një qytetar që ka besuar tek emri im, dhe unë kam për obligim të shërbej për ta. Problemet e tyre i transmetoj te bashkia ose institucionet përkatëse dhe mundohem t’i ndihmoj sa më shumë”.

Përsa i përket turizmit, Briseida tregon për projektligje që synojnë bashkëpunimin mes agjencive turistike në Shqipëri dhe vendet e Ballkanit, me trajnime dhe lehtësira fiskale:
“Synojmë të bëjmë turizmin shtyllën më të fortë të ekonomisë, dhe kjo është shumë e rëndësishme për Vlorën”.- shprehet Çakërri.

Armët bërthamore të Iranit, Hegseth: Ushtria e SHBA-së e gatshme të zbatojë çdo vendim të Trumpit

By: A R
29 January 2026 at 22:38

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth ka deklaruar se ushtria e SHBA-së është e gatshme të zbatojë çfarëdo vendimi që merr presidenti Donald Trump lidhur me Iranin, për të parandaluar që Teherani të vijojë më tej aftësitë e tij bërthamore.

Gjatë një mbledhjeje të kabinetit, ku Trump i kërkoi Hegsethit të komentonte situatën – me një forcë të madhe ushtarake amerikane të grumbulluar në rajon – ai tha se “ata nuk duhet të rrisin kapacitetet bërthamore. Ne do të jemi të gatshëm të ofrojmë çfarëdo që ky president pret nga Departamenti i Luftës (War Department),” duke iu referuar emërtimit jozyrtar që administrata Trump i ka vënë Departamentit të Mbrojtjes.

Zyrtarë amerikanë thanë se Trump po shqyrton opsionet, por ende nuk ka vendosur nëse do të godasë Iranin.

Tensionet SHBA-Iran u rritën pas shtypjes së përgjakshme të protestave në të gjithë Iranin nga autoritetet klerikale në javët e fundit.

Trump ka kërcënuar vazhdimisht se do të ndërhyjë nëse Irani vazhdon të vrasë protestuesit, por demonstratat në mbarë vendin për shkak të vështirësive ekonomike dhe shtypjes politike janë qetësuar tashmë.

Ai ka thënë se SHBA do të veprojë nëse Teherani rifillon programin e tij bërthamor pas sulmeve ajrore të qershorit nga forcat izraelite dhe amerikane ndaj instalacioneve kyçe bërthamore.

Sherr në studio / Muharremi: Këta të opozitës kanë perla! Demokratja: Me kë e ke ti?

By: A R
29 January 2026 at 22:31

Studioja e “Quo Vadis”, e moderatores Pranvera Borakaj, është kthyer në arenë debati mes të ftuarve këtë të enjte.

Përfaqësuesit e opozitës dhe mazhorancës janë përplasur për reformën në drejtësi dhe mënyrën se si funksionon ajo kur bëhet fjalë për politikanë të caktuar.

Anëtari i PS në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Alfred Muharremi, i cilësoi “perla” akuzat e opozitës ndaj sistemit të drejtësisë, por edhe qëndrimet e saj për politikanë të caktuar.

I menjëhershëm ishte reagimi i kryetares së PD të Degës 1 në Tiranë, Eda Grimci, e cila tha se, lidhur me qëndrimet e mazhorancës dhe atë që ka krijuar kjo mazhorancë ndër vite, ka raporte të OSBE-së që rrëzojnë propagandën.

Pjesë nga biseda:

Muharremi: Këta të opozitës janë një perlë e vërtetë.

Grimci: Me kë e ke ti?

Muharremi: Këto partitë e reja janë përfshirë në një vorbull dhe hajde të mbushim emisionin.

Grimci: Le të rrimë te Rama.

Muçi: Ka hallin e Shqipërisë.

Muharremi: Ia tregoi Shqipëria më 11 maj zotërisë.

Grimci: Ta tregoi edhe raporti i OSBE-së.

Muharremi: Nëse ka njeri dhe ka qenë vullneti i Edi Ramës për të pasur një drejtësi të pavarur. Reforma territoriale gjyqësore është vettingu i gjyqtarëve.

Agron Shehaj del hapur kundër Berishës: Nuk më kanë votuar që të ulem me partitë e vjetra!

By: A R
29 January 2026 at 22:23

“Nuk më kanë votuar të ulem me partitë e vjetra”, kështu ka deklaruar mbrëmjen e sotme kreu i partisë Mundësia Agron Shehaj, ndërsa ishte i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan.

Tema e diskutimit të kësaj mbrëmjeje ishte “A do të bashkohet opozita?” dhe i pyetur nga gazetari Blendi Fevziu lidhur me qëndrimin e tij ndaj bashkëpunimit me partitë e tjera opozitare, Shehaj tha se kjo nuk mjafton për ta rrëzuar nga qeveria kryeministrin Edi Rama.

Sipas Shehajt, ideja se bashkimi i opozitës është një “çelës magjik” për zgjidhjen e problemeve të Shqipërisë është e gabuar. Madje ai kujtoi se bashkëpunime të tilla janë provuar edhe më parë, pa sjellë ndryshim real për qytetarët.

Kreu i partisë Mundësia tha se problemi kryesor është mungesa e një alternative të besueshme politike, që të adresojë hallet konkrete të qytetarëve, si çështja e pronës, zhvillimi ekonomik, arsimi dhe shëndetësia. Sipas tij, qytetarët nuk janë të interesuar vetëm se kush largohet nga pushteti, por çfarë ofron opozita në vend të tij.

Pjesë nga biseda në studio:

Blendi FevziuShehaj, ishe më skeptik ditën e hënë, ku je me pozicionin e sotëm?

Agron ShehajUnë isha për jo në fakt, jo skeptik. Tani po flasim për bashkimin sikur bashkimi të ishte çelësi magjik për çdo problem që ka Shqipëria.

Blendi FevziuJo nuk po flasim për bashkimin, bashkëpunim i opozitës se fjala bashkim është shumë e madhe

Agron ShehajBashkëpunim, se na ka munguar bashkëpunimi dhe ky është problemi i madh i shqiptarëve dhe kjo është arsyeja pse Edi Rama është në pushtet dhe ne jemi në opozitë. Tani bashkëpunimi, bashkimi në një qëllim. Qëllimi në thelb i bashkimit është të ikë Rama. Ky është. Rama është një kryeministër i korruptuar dhe duhet të ikë sa më shpejt, por ne bashkëpunime të tilla kemi patur pa fund.

Blendi FevziuTë ikë Rama apo të ikë Partia Socialiste?

Agron ShehajTani një sekondë, kur themi të ikë Rama themi të ikë Partia Socialiste, të ikë kjo mazhorancë. Por ne 34 vjet këtë kemi pasur gjithmonë, njëherë të ikë Berisha, të ikë Nano, pastaj të ikë Berisha prap, tani të ikë Rama. Problemi është se ne duhet të shkojmë përtej kësaj. Ne duhet të flasim për alernativën, është alternativa që na duhet.

Kush na dëgjon na shtëpia thotë, ore çfarë po flasin këta?! Për bashkim, të ikë Rama, të vijë dikush tjetër. Ai që na dëgjon ka hallin e pronës dhe do të dijë, Rama nuk ia dha pronën, ia mori dhe ia dha një oligarku, dhe do të dijë, këta që duan të vijnë çfarë plani kanë për pronën, do ma kthejnë apo s’do ma kthejnë?! Sa të besueshëm janë, që do vijnë ta shkundin Ramën dhe ta rrëzojnë?! E njëjta gjë vlen për atë të riun në Theth që Rama nuk ia dha pronën, që Rama nuk ia dha lejen e ndërtimit të ndërtonte një lokal të vogël të jetonte me turistët, e ia prishi.

E njëjta gjë vlen për shëndetësinë, për arsimin, ne duhet të flasim për një alternativë, për një alternativë të besueshme dhe vetëm kështu e fitojmë besimin e qytetarëve. Ore ne duhet të shikojmë… ne kemi patur zgjedhje, se këtu jemi duke dhënë mend, duke dhënë opinione. Duhet të shikojmë faktet. Në zgjedhjet e fundit në 2025-ën, partitë e vjetra apo tradicionale kanë humbur 1/3 e votave, kanë kaluar nga 750 mijë vota, në 500 mijë vota. Kanë humbur 250 mijë vota. E kanë kuptuar apo jo që kanë një problem besueshmërie?!

Kanë marrë për herë të parë partitë e reja pothuajse 150 mijë vota. Qytetarët shqiptarë janë lodhur me partitë e vjetra, i thanë 100 mijë herë, ndryshoni, rinovohuni, riformohuni sepse kështu nuk mund të vazhdojmë dhe përqafuan një parti tjetër politike, partitë e reja.

Dhe partitë e reja nuk u votuan të ulen me partitë e vjetra. I votuan sepse besuan se ata janë ndryshimi. Dhe ne si parti e re, nuk mund të na thonë ‘tani hajde ulemi ne’. Sepse neve nuk na kanë votuar të ulemi me partitë tradicionale, sepse ndryshe votonin partitë tradicionale, nuk votonin për ne. Ne duhet të flasim për alternativën, duhet të fitojmë besimin e qytetarëve. Si ikën Rama? Rama nuk ikën me bashkimin, nuk mjafton bashkimi. Që të ikë Rama duhet të fitojmë besimin e qytetarëve dhe për sa kohë që s’e fitojmë besimin e qytetarëve Rama nuk ikën.

Territorialja në “udhëkryq”, Farrici: Përgjegjësi e opozitës të marrë pjesë në Komision

By: A R
29 January 2026 at 22:16

Mazhoranca socialiste do t’i japë edhe një mundësi Partisë Demokratike për t’u bërë pjesë e Reformës Territoriale, duke vendosur ta presë në komision deri të hënën.

Sot, konferenca e kryetarëve u mblodh për të diskutuar propozimin e socialistëve për të ndryshuar përbërjen e komisionit të posaçëm të Reformës Territoriale, duke i hequr opozitës barazinë e anëtarëve dhe bashkëkryetarin.

Mazhoranca argumentoi se ky ndryshim është i nevojshëm për të zhbllokuar punën e komisionit, pasi opozita e ka bojkotuar atë.

Adelina Farrici nga shoqata e bashkive të Shqipërisë, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus” me gazetarin Roland Zili tha se opozita e ka detyrim të marrë pjesë në Komision, duke qenë se deputetët janë të mandatuarit e popullit.

Intervista e plotë

-Si e shikoni mënyrën se si po procedon komisioni i Reformës Territoriale i cili deri më sot nuk ka hedhur ende hapin e parë drejt një pune konkrete?

Farrici: Në momentin e krijimit të Komisionit të Reformës Administrative dhe Territoriale, ishte një moment optimist, pasi kishte gjithëpërfshirje politike. Është shumë e rëndësishme gjithëpërfshirja politike, pasi nuk do të donim që ky të ishte një proces i njëanshëm. Duhet të jetë një proces konsultues, një proces që adreson problematikat që janë evidentuar gjatë këtyre 10 viteve implementim të reformës së 2014.

-Ju po thoni që reforma duhet të marrë konsensusin e opozitës. A mund të procedojë PS e vetme nëse PD nuk shkon në komision të hënën?

Farrici: Secili nga deputetet e zgjedhur, qofshin përfaqësues të mazhoracës apo opozitës, janë persona që janë mandatuar dhe janë përfaqësues të një pjese të komunitetit. Nëse bëhet fjalë për vendimmarrje në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve është përgjegjësi e tyre të jenë pjesë. Nuk do të dëshironte askush që përsëri reforma të shikohet si e njëanshme ashtu siç ndodhi dhe në 2014. Është përgjegjësi e opozitës të jetë pjesë, të japë opinionet, rekomandimet e veta.

-Çfarë pritshmëri keni ju nga puna e këtij komisioni si shoqatë?

Farrici: Komisioni do vazhdojë të funksionojë. Koha është shumë e shkurtër, duhet një punë shumë intensive. Duhet një proces konsultues. Duhet të fillojë sa më shpejt punë në mënyrë që të kemi një rezultat konkret që të implementohet dhe zbatohet për zgjedhjet e ardhshme lokale.

-A do të përfshiheni ju si shoqatë me propozime konkrete?

Farrici: Ne do ta ndjekim këtë proces, do të dërgojmë rekomandimet tona, do jemi pjesë e tryezave konsultuese, do angazhojmë edhe ekspertë të ndryshëm.

-Cilat janë ndryshimet kryesore që duhet të sjellë kjo reformë sipas jush?

Farrici: Gjërat që janë artikuluar, që reforma e mëparshme nuk i arriti, një nga gjërat është demokracia lokale dhe përfaqësimi i zonave rurale. Duke qenë se i kemi paralelisht qoftë Reformën Territoriale, qoftë atë Zgjedhore, duhet të adresohet që te reforma zgjedhore që të kemi gjithëpërfaqësim të të gjitha zonave në këshillin bashkiak, pra të zgjedhurit të jenë edhe nga zonat rurale. E dyta është shërbimi ndaj qytetarëve. Të jetë një shërbim që shkon më parë qytetarëve. Kjo do realizohet nëpërmjet fuqizimit të Njësive Administrative. Kjo reformë do të shikohet si një reformë që do bëjë bashkitë funksionale.

Ndryshimet në Kod nuk i shpëtojnë shpifësit profesionistë nga gjyqet penale

29 January 2026 at 22:08

Nga Carlo Bollino

Parlamenti ka miratuar ditët e fundit një ndryshim në Kodin Penal që, në pamje të parë, i mbron gazetarët nga ndjekja penale për shpifje. Shpifja, edhe në Shqipëri (ashtu si në shumë vende të Bashkimit Evropian), është krim i parashikuar si në Kodin Civil ashtu edhe në Kodin Penal. Kodi Penal nuk parashikon arrest për shpifësit, por vetëm gjobë, e cila gjithsesi mund të arrijë deri në 3 milionë lekë (të rinj). Kodi civil parashikon vetëm një dëmshpërblim. Me përhapjen e rrjeteve sociale, shpifja është kthyer në një krim me rëndësi të madhe, por në Shqipëri ajo është edhe më e përhapur, pasi përveç ushtrisë së “hejtersave” online (shpesh anonimë), në shumë raste i bashkohen edhe gazetarë që shkruajnë në mediat tradicionale. I nxitur nga Bashkimi Evropian, Parlamenti shqiptar ka vendosur ta depenalizoje këtë vepër vetëm për gazetarët, një vendim delikat i marrë në emër të lirisë së shtypit.

Ndryshimi i miratuar ngre disa çështje që dua t’i theksoj, pas mbi 40 vitesh përvojë në profesionin e gazetarit, të ushtruar në vende të ndryshme të botës, dhe sidomos si viktimë tashmë prej më shumë se tridhjetë vitesh e shpifjeve me origjinë politike të pësuara këtu në Shqipëri për shkak të profesionit tim.

Së pari, e kundërshtoj kategorikisht idenë se shpifja dhe liria e informacionit janë e njëjta gjë, apo se janë në ndonjë mënyrë të lidhura me njëra-tjetrën. Në fakt është e kundërta: liria e informacionit është viktima kryesore e shpifjes, sepse gazetari i vërtetë kërkon të vërtetën, e cila shpesh është e vështirë për t’u gjetur dhe edhe më e vështirë për t’u publikuar, ndërsa shpifja është shpesh një gënjeshtër e qëllimshme, që qarkullon shumë më lirshëm. Në media, pra, është shumë më e lehtë të publikohen shpifje sesa të vërteta.

Çështja e dytë është se ndryshimi i futur në Kodin Penal mbron vetëm figurën e “gazetarit”, e cila në Shqipëri nuk rregullohet nga asnjë ligj dhe as nuk identifikohet nga ndonjë regjistër apo urdhër profesional, siç ndodh për profesione të tjera, për shembull avokatët apo mjekët. Këtu, në fakt, çdokush mund të fshihet pas etiketës “gazetar”, edhe gjobaxhinj vulgarë apo ish-funksionarë partie, të cilët në një vend liberal nuk do të kishin asgjë të përbashkët me profesionin e gazetarit. Pak ditë më parë, një fotoreporter i njohur italian (Fabrizio Corona) u dënua në Itali për të hequr nga faqja e tij në YouTube disa video shpifëse, pikërisht me argumentin se, duke mos qenë gazetar i regjistruar në një urdhër profesional, ai nuk po ushtronte asnjë të drejtë për informim. Si do të munden gjyqtarët shqiptarë të dallojnë një gazetar të vërtetë shqiptar nga një shpifës i maskuar si gazetar?

Megjithatë, duhet thënë se ndryshimi i futur në Kodin Penal nuk i shpëton të gjithë shpifësit. Për të përfituar nga ky “imunitet”, gazetari duhet të provojë dy gjëra që shpifësit profesionistë (ndryshe nga gazetarët e vërtetë) nuk i bëjnë kurrë:

se ka bërë çdo përpjekje për të verifikuar bazueshmërinë e akuzës;

në prani të një përgënjeshtrimi nga ana e të akuzuarit, se e ka publikuar atë ose madje ka fshirë artikullin apo deklaratën shpifëse.

Shpifësit që e bëjnë këtë si profesion (dhe pak rëndësi ka nëse janë apo jo të maskuar si gazetarë), përkundrazi, sillen saktësisht në mënyrë të kundërt dhe, në përvojën time të gjatë si viktimë e shpifjeve në Shqipëri, i njoh shumë mirë.

Shpifësit profesionistë:

Nuk i verifikojnë kurrë akuzat e tyre; edhe kur kanë dokumente në dorë, i interpretojnë sipas interesit të tyre; nuk dëgjojnë kurrë versionin e viktimës dhe, në rastin më të mirë, përsërisin mekanikisht akuzat e bëra nga lideri i tyre politik kundër “armikut” të radhës. Me Kodin e ri, këto sjellje nuk do të mjaftojnë për t’i shpëtuar procesit penal.

Shpifësit profesionistë nuk publikojnë kurrë asnjë përgënjeshtrim, sepse përndryshe shpifja (apo gjoba) humbet efektivitetin ose sepse lideri politik nga i cili marrin urdhra ua ndalon këtë. Me Kodin e ri, mjafton të mos publikohet përgënjeshtrimi për të përfunduar nën ndjekje penale.

Ndryshe nga shpifësit profesionistë, gazetarët e vërtetë, përpara se të publikojnë një akuzë, përpiqen të verifikojnë bazueshmërinë e saj, tentojnë të interpretojnë saktë dokumentet, kërkojnë versionin e viktimës, distancohen nga deklaratat në dukje shpifëse të politikanëve dhe, në prani të një përgënjeshtrimi, e marrin atë në konsideratë dhe e publikojnë. Ndryshimi i ri i Kodit Penal, pra, mbron vetëm gazetarët “në mirëbesim”, të cilët, duke u sjellë në mënyrë korrekte, edhe nëse gabojnë duke publikuar lajme të pasakta, dëshmojnë se qëllimi i tyre ishte vetëm informimi, pa ndonjë qëllim tjetër.

Për fat të mirë, fyerjet me të cilat zakonisht gazetarët e rremë shoqërojnë shpifjet e tyre nuk do të gëzojnë asnjë imunitet: Kodi Penal (neni 119) nuk është ndryshuar dhe fyerja vazhdon të mbetet vepër penale për të gjithë, me një dënim që mund të arrijë deri në 3 milionë lekë (të rinj). Pikërisht sjellja kriminale (pra e dënueshme nga Kodi Penal) e profesionistëve të shpifjes e ka shtyrë Sali Berishën dhe klanin e tij politik t’i mbrojnë ata, duke tentuar në Parlament të depenalizoje jo vetëm shpifjen, por edhe fyerjen pa vendosur asnjë kusht, të dyja mjete që Berisha dhe partia e tij i përdorin bashkë me ”gazetarë të familjes” prej dekadash si armë të përditshme politike.

Së fundi, ka edhe një pikë tjetër për t’u sqaruar: a do të mjaftonte procesi civil për t’u mbrojtur nga shpifja dhe fyerja? Përgjigjja është JO. Dhe jo sepse Kodi Civil nuk i parashikon fyerjen dhe shpifjen si shkelje, por sepse drejtësia civile është aq e ngadaltë dhe e bllokuar nga mungesa kronike e gjyqtarëve, saqë një proces zgjat zakonisht shumë vite. Dhe në pritje të vendimit, shpifësit profesionistë, sapo marrin vesh se janë paditur, i përdorin ato vite pritjeje për t’u hakmarrë, duke u hedhur në shpifje dhe fyerje të tjera, pa i lënë viktimës asnjë mbrojtje.

Ndryshimet në Kodin Penal përbëjnë pra një hap përpara të Shqipërisë drejt legjislacionit evropian, i cili ofron mbrojtje më të madhe për gazetarët e vërtetë dhe nuk u jep asnjë avantazh shpifësve profesionistë, për të cilët, në të vërtetë, do të nevojitej edhe dënimi me burg, dënim që jo rastësisht Sali Berisha arriti ta heqë nga Kodi Penal 14 vite më parë. Një lëvizje që synonte t’u dhuronte një imunitet të fortë për të mbrojtur kriminelët e partisë nga përdorimi i shpifjes dhe fyerjes kundër qytetarëve dhe kundërshtarëve politikë.

Bashkimi i opozitës, Shehi: Nëse na thonë ec te oborri jonë se kemi gjelin, nuk vlen!

By: A R
29 January 2026 at 22:00

Cilat janë pikat që bashkon opozitën kundër mazhorancës pavarëissht ndryshimeve?

Pikërisht për këtë temë po diskutohet në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, ku ishte i ftuar dhe Dashamir Shehi, kreu i LZHK-së.

Shehi u ndal fillimisht tek drejtësia në vend, për të cilën u shpreh se është e “dhunuar”, por ama e cilëson mjetin e duhur për t’u përdorur nga opozita.

A bijmë dakord që shpresa më e madhe që kemi ne si opozitarë është kjo drejtësi, e keq, e dhunuar, e korruptuar, vendosja emrin si të duash. Po s’kemi më të mirë se kaq. A jemi dakord që mirë a keq këta prokurorë na japin një dorë në këtë muhabet? E jo thjesht ta interpretojmë se po na japin një dorë për të ardhur në pushtet, por po i japin një mundësi shoqërisë shqiptare në një farë mënyre të pastrohet“, tha ai.

Sa i përket bashkëpunimit të opozitës, ose cilësuar ndryshe si bashkimi i saj, Shehi shprehet se “Ça do bëjmë, do bëjmë krushqni ne? Në qoftë se bijmë dakord për këto gjëra, që është gabuar e po mundohemi t’i rikuperojmë, mund të bëjmë një rrugë bashkë”.

Zbulohet bakter i rrezikshëm në qumështin për foshnja, AKU tërheq produktin nga tregu

By: A R
29 January 2026 at 21:51

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka lëshuar një paralajmërim urgjent për të gjithë prindërit në Shqipëri. Një lloj specifik i qumështit për foshnja po tërhiqet menjëherë nga tregu për shkak të pranisë së një substance të rrezikshme.

Gjatë kontrolleve në Gjermani, në produktin Aptamil 1 Pronutra (800g) është gjetur prani e një toksine (cereulide) që vjen nga bakteri Bacillus cereus. Ky bakter mund të shkaktojë probleme shëndetësore, ndaj është dhënë alarmi në të gjithë rrjetin europian të sigurisë ushqimore (RASFF).

AKU njoftoi qytetarët se nëse e kanë blerë këtë produkt ta kthejnë në pikat e shitjes.
Sipas autoritetit inspektorët janë tashmë në terren për të bllokuar çdo kuti të mbetur nëpër rafte.

NJOFTIMI I PLOTË

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit informon opinionin publik mbi njoftimin me numër reference 2026.0663 të ardhur nga Sistemi RASFF. Gjatë kontrolleve zyrtare të kryera në Gjermani, është konstatuar prani e substancës cereulide, një toksinë e prodhuar nga bakteri Bacillus cereus në formulë për infant. Të dhënat e produktit:

Emri i produktit: APTAMIL 1 PRONUTRA 800G ADVANCED; Numri i artikullit 172911; Data e Skadencës: 10/11/2026

Trupat inspektuese në terren janë angazhuar në verifikimin dhe tërheqjen e menjëhershme të produktit nga tregu.

AKU i bën thirrje konsumatorëve nëse e kanë blerë këtë produkt dhe e kanë gjendje, ta kthejnë atë në pikat e shitjes.

Pas urdhrit të AKU-së, firma tërheq nga tregu të gjitha seritë e qumështit  Aptamil - Bota Sot

Vjet mbi 20 mijë biznese të reja, kryeson Tirana me rreth 11.200 të tilla. Më pas vijnë Durrësi, Vlora e Fieri

By: A R
29 January 2026 at 21:30

Viti 2025 rezultoi një vit me rritje të fortë të sipërmarrjes në vend. Sipas të dhënave të publikuara nga Qendra Kombëtare e Biznesit, gjatë vitit që lamë pas janë regjistruar mbi 20 mijë biznese të reja, ose rreth 3.200 biznese më shumë se viti 2024.

Tirana vijon të kryesojë me numrin më të lartë të bizneseve të reja, rreth 11.200 të tilla, duke mbajtur peshën më të madhe të regjistrimeve në shkallë vendi.

Pas saj renditen Durrësi, Vlora, Fieri, Elbasani dhe Shkodra.

Sa i përket fushave ku po investojnë sipërmarrësit e rinj, në vend të parë qëndron tregtia me shumicë dhe pakicë, ndërsa vend të konsiderueshmë zë edhe riparimi i automjeteve. Më pas vijnë akomodimi dhe shërbimi ushqimor, ndërtimi, apo edhe sektori i informacionit dhe komunikacionit.

Një tjetër tregues domethënës është edhe roli i grave në sipërmarrje. Gjatë vitit 2025, rreth 6,600 biznese të reja rezultojnë të drejtuara nga gratë./vizionplus.tv

“Peleshi noter, Parlamenti realizon normën”, Kaso: Vetëm 3 deputetë dinë ç’është votuar për kodin penal

By: A R
29 January 2026 at 21:21

Ivi Kaso, deputet i Partisë Demokratike, i ftuar në studion e “Off the Record” u shpreh se kryeparlamentari Niko Peleshi është kthyer në noter, ndërsa Parlamenti, sipas tij, thjesht realizon normën.

“Është një Parlament i cili me ndërgjegje po e zhbën rolin e tij. Peleshi është i vetmi kryetar Parlamenti që po deligjitimon karrigen ku është ulur. Një kryetar Parlamenti që shndërrohet në një noter të mesazhit që i bën kreu i grupit parlamentar të PS, që vetë nuk di çfarë ka në rend të ditës. Mos të flasim për deputetët. Nga 85 deputetët që votuan ndryshimet në Kod, nëse ka më shumë se 3 deputetë që e dinë se çfarë kanë votuar atë ditë, unë jap dorëheqjen nga çdo funksion”, tha Kaso.

“Kështu është katandisur Parlamenti. Kanë qenë një herë e një kohë këto ndërmarrjet që duhet të plotësonin normën. Është një Parlament që fut 21 ligje, dy ndryshime Kodi dhe realizon normën pa debat. Opozita i tha mazhorancës që mund të qëndrojë edhe 3 ditë për t’i diskutuar”, shtoi Kaso.

“Jemi në presion me kohën”, Mazniku flet për ‘Territorialen’: Procesi, me apo pa opozitën nuk ndalet më!

By: A R
29 January 2026 at 21:13

PD ka kohë deri të hënën të rikthehet tek reformat ose PS do të vijojë e vetme. Arbjan Mazniku, bashkëkryetar komisioni për Territorialen, në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC News, u shpreh se për reformën Territoriale nuk janë aspak në avantazh me kohën dhe se nuk ka vend për të humbur kohë.

Gjatë intervistës, ai theksoi se pavarësisht se qëndrimit të opozitës, procesi i nisur tashmë nuk do të ndalet.

“Nëse ne ia dalim të bëjmë reformë me 140 vota do ishte idealja të shkonim një mekanizëm konsensusi. Ramë dakord për bashkë-kryesi dhe bëmë mbledhjen e parë opozita nuk erdhi, mbledhjen e dytë erdhi por të tretë dhe mbledhjen e katër nuk erdhi. Nëse nuk vijnë ditën e hënë, ne të gjithë anëtarët e PS në komision kanë kërkesën të firmosur ku ne të bëjmë ndryshimin, pra të kryejmë një komision dhe të futemi në një proces pune, por roli i opozitës nuk preket do jetë mëse e mirëpritur, por procesi nuk ndalet më. Me reformën territoriale jemi në një presion në afat me kohën. Ndërsa Reforma elektorale ka avantazh më të madh në kohë”, tha ai.

Një tjetër shqiptar sulmohet me thikë në burgjet greke. Sapo ishte transferuar nga…

By: A R
29 January 2026 at 21:06

Një shqiptar i dënuar me nofkën “Demos” u sulmua me thikë të enjten pasdite, pasi u transferua në burgun e Malandrinos në Greqi.

Sipas informacioneve nga mediat greke, ai u transferua në burgun e Malandrinos dhe pak para se të arrinte në repartin e tij ai u sulmua. Ai mori lëndime të rënda por pa asnjë rrezik për jetën e tij.

Shqiptari mësohet se ishte i përfshirë në tentativën e vrasjes së Jan Lalës që ndodhi në maj 2025. Lala ishte duke udhëtuar me makinën e tij dhe u qëllua me një kallashnikov.

Automjeti i blinduar i 41-vjecarit grek e shpëtoi pasi edhe pas 50 të shtënave ai nuk u plagos. “Demos” gjithashtu njihet për marrëdhëniet e tij me një figurë të njohur të mafias greke.

“Nuk duhet të bëhet dy herë i njëjti gabim”/Bejko: Berisha po vazhdon me të njëjtat skema bllokimi për Reformën Territoriale!

By: Os De
29 January 2026 at 21:00

Politologu Roland Bejko u shpreh kritik ndaj qëndrimit të opozitës lidhur me Reformën Territoriale.

Gjatë intervistës në emisionin “Real Story” në ABC News, Bejko tha se qëndrimi i Berishës është i njëjtë me ato të kaluarat dhe se po bën sërish po të njëjtin gabim.

“Sjellja që po bën opozita sot është e njëjta me 2014 dhe e njëjta sjellje që e mbajti PD larg kësaj reforme. Qëndrimi i Berishës është identik i njëjtë me sot. Por ti nuk mund ta fitosh dot luftën nëse nuk shkon në luftë… Nuk mund të bëhet dy herë i njëjti gabim. Zanafilla e kësaj humbje që ka PD filluan pikërisht këtu, tek bojkoti i parë…Kjo reformë në atë kohë është bërë enkas në shërbim elektoral të PS. Dhe ndarja administrative është bërë sipas leverdisë elektorale…Po të ishte opozita pjesëmarrëse në komision dhe nëse duam të gjykojmë sot nëse ka qenë apo jo e suksesshme kjo reformë duhet të nisemi nga pyetje përse u bë reforma? Njëra prej arsyeve ishte të shkurtoheshin shpenzimet financiare, që jo vetëm nuk u shkurtuan, por edhe u shtuan. Në Komision drejtori i Ministrisë së Financave, dha shifrat dhe numri në administratë ishte shtuar…Pse duhet reforma dhe opozita të jetë? Sepse të gjitha reformat e rëndësishme dhe duan qëndrueshmëri në kohë…Ajo që thotë Berisha do dalim jashtë dhe do e bëjmë vetë reformën është budallik…”, tha ai.

Fundi i një tabuje mesjetare, Franca heq konceptin e detyrimit martesor për marrëdhënie seksuale

By: Os De
29 January 2026 at 20:55

Franca do ta përfshijë në ligj fundin e të ashtuquajturave “të drejta bashkëshortore”, ose idenë se martesa nënkupton një detyrim për të kryer marrëdhënie seksuale.

Një projektligj i miratuar të mërkurën në Asamblenë Kombëtare shton një klauzolë në kodin civil të vendit për të bërë të qartë se martesa nuk krijon një “detyrim për marrëdhënie seksuale”.

Ligji i propozuar gjithashtu e bën të pamundur përdorimin e mungesës së marrëdhënieve seksuale si argument në një divorc të bazuar mbi fajin. Edhe pse ka gjasa të mos ketë ndikim të madh në gjykata, mbështetësit shpresojnë që ligji të ndihmojë në parandalimin e përdhunimit brenda martesës.

“Duke lejuar që një e drejtë apo detyrim i tillë të vazhdojë, ne kolektivisht po japim miratimin tonë për një sistem dominimi dhe grabitjeje nga burri ndaj gruas,” tha sponsorizuesja e projektligjit, deputetja e të Gjelbërve Marie-Charlotte Garin, citon BBC“Martesa nuk mund të jetë një flluskë ku pëlqimi për seks konsiderohet përfundimtar dhe i përjetshëm.”

Ligji do të fshijë një paqartësi që ka vazhduar pavarësisht se nuk ka pasur asnjë përmendje të qartë të “detyrimit bashkëshortor” në tekstet ligjore.

Aktualisht, kodi civil francez i përkufizon detyrimet e martesës si “respekt, besnikëri, mbështetje dhe ndihmë,” dhe thotë se çiftet angazhohen për një “bashkësi jetese”.

Askund në tekstet ligjore nuk përmendet “e drejta bashkëshortore”,  pra e drejta seksuale. Origjina e këtij nocioni gjendet në ligjin kishtar mesjetar.

Megjithatë, gjyqtarët në çështje moderne divorci, herë pas here, i kanë dhënë një interpretim të gjerë konceptit të “bashkësisë së jetesës” duke përfshirë edhe marrëdhëniet seksuale.

Në një rast të famshëm në vitin 2019, një grua u gjet se kishte refuzuar marrëdhënie seksuale me bashkëshortin e saj për disa vite, dhe ai më pas u lejua të merrte një divorc të bazuar mbi fajin, duke nënkuptuar fajin e saj. Por gruaja e çoi çështjen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR), e cila vitin e kaluar dënoi Francën që lejoi refuzimin seksit të merrej si bazë për një divorc. Kjo u përshëndet si një përparim i rëndësishëm nga aktivistet feministe.

Vendimi i ECHR-së e ka bërë praktikisht të pamundur që ndonjë gjykatës francez divorci të japë një vendim të ngjashëm, prandaj ligji i ri synon kryesisht të qartësojë situatën, me ndryshimin që ka gjasa të mos ketë ndikim të madh në gjykata.

Për aktivistët, nocioni se gratë kanë një “detyrim” të pranojnë seksin me burrat e tyre është diçka që ende ekziston në disa pjesë të shoqërisë dhe duhet të sfidohet.

Në Francë, si në shumicën e vendeve të tjera, përdhunimi brenda martesës tani është i sanksionuar me ligj, ndërsa para vitit 1990 burrat mund të argumentonin se martesa nënkuptonte pëlqim.

Që nga nëntori i vitit të kaluar, përkufizimi ligjor i përdhunimit në Francë është zgjeruar gjithashtu për të përfshirë nocionin e mos-pëlqimit.

Më parë, përdhunimi përkufizohej si një akt seksual i kryer me “dhunë, detyrim, kërcënim ose befasi”. Tani është çdo akt ku nuk ka “pëlqim të informuar, specifik, paraprak dhe të revokueshëm”. Heshtja ose mungesa e reagimit nuk nënkuptojnë pëlqim, thotë ligji.

“Reforma territoriale po ribëhet, sepse e para dështoi”, Mërtiri: U bë në funksion të politikës, jo të qytetarëve!

By: Os De
29 January 2026 at 20:54

Analisti Ergys Mërtiri tha në “Real Story” se reforma territoriale e pak viteve më parë ka dështuar, sepse nuk u bë në interes të qytetarëve, por të interesave politikës. 

“Mua më duket se problemi i madh është që rëndësi që i është dhënë efektit politik, interesave që lidhen me reformën territoriale, e kanë nxjerrë në plan të dytë nevojën që kanë qytetarët. 

Pyetja e parë është se pse po ndryshohet. Pse po ribëhet? Kjo do të thotë se ka dështuar e para”, tha ai. 

Ai theksoi se territori i vendit është ndarë deri tani në bazë të parimeve elektorale dhe jo të interesave bazike të qytetarëve. 

“E para ka dështuar, sepse nuk është parë në funksion të qytetarëve, por në funksion të interesave për të ndarë votat në terren, ku marrim një deputet më shumë apo një më pak. 

Qëllimi është ta ndajmë territorin në atë mënyrë, që të marrim më shumë vota”, theksoi ai. 

 

Skandali seksual në Malin e Zi/ Pas postimit të videove me këshilltarin e presidentit, flet zyrtarja e lartë: Më tha se s’kisha ku të fshihesha

By: Os De
29 January 2026 at 20:48

Një skandal politik i madh ka shpërthyer në Malin e Zi, pas rrjedhjes së një videoje seksuale që përfshin një zyrtare të lartë dhe një këshilltar të martuar të Presidentit të Malit të Zi.

Mirjana Pajković, drejtoreshë për Promovimin dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, dhe Dejan Vukšić, ish-drejtor i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, janë detyruar të japin dorëheqjen pas shpërndarjes së materialit në rrjetet sociale, duke shkaktuar një stuhi zemërimi në qeveri.

Pajković dhe Vukšić dhanë dorëheqjet brenda disa javësh nga njëri-tjetri, pas shpërndarjes së materialeve të papërshtatshme që supozohet të tregojnë Pajković duke kryer akt seksual me Vukšić, i cili është i martuar.

Në një deklaratë të saj, Pajković inkurajoi “çdo grua” të kundërshtojë idenë që ato duhet të heshtin për situata të tilla dhe akuzoi Vukšić për shantazh me videon, të cilën ajo tha se nuk e dinte deri në shpërndarjen e saj.

“Kur u ekspozova ndaj dhunës ekstreme që postova në rrjetet sociale, ku personi i parë pranë presidentit të vendit, ish-përfaqësuesi i lartë i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, me insistim dhe gjatë gjithë bisedës më tha që nuk do të kisha asnjë vend ku të fshihesha dhe asnjë vend ku të jetoja në Malin e Zi”, tha Pajković.

Ajo shtoi se largimi i saj ishte për arsye personale, por e akuzoi Vukšić për kërcënimin me videon, duke e detyruar atë të mbante gojën mbyllur. Sipas Pajković, Vukšić e kërcënoi me dëmshpërblim nëse ajo nuk pranon kërkesat e tij.

“Për shembull, kur dikush po ju shantazhon… Kur dikush më i fuqishëm kërkon një favor apo sjellje që nuk dëshironi, dhe nëse refuzoni, do të dorëzoheni tek dikush që është mishërimi i pushtetit më të lartë të shtetit,” tha ajo.

Të dy palët kanë mohuar akuzat dhe kanë paraqitur ankesa penale. Pajković ka bërë një ankesë për shpërndarjen e paautorizuar të materialeve të papërshtatshme, duke përfshirë një foto të saj. Ajo gjithashtu ka pretenduar se ka marrë kërcënime nga një linjë fikse brenda zyrës së presidentit.

Në një mesazh të regjistruar, një zë thuhet të ketë paralajmëruar që “i gjithë Mali i Zi do ta shohë” materialin që komprometon Pajković.

Pas shpërndarjes së materialeve, Vukšić dha dorëheqjen në fund të dhjetorit, gjithashtu duke përmendur arsye personale. Ai mohoi çdo përgjegjësi për shkeljen e privatësisë së Pajković dhe shpërndarjen e videove të diskutueshme, duke theksuar se ai e pa materialin për herë të parë vetëm kur ai filloi të qarkullonte në mënyrë të paligjshme në rrjetet sociale.

Vukšić gjithashtu e akuzoi Pajković për vjedhjen e telefonit që supozohet të kishte regjistruar kërcënimet e tij dhe për përpjekje për të shantazhuar atë që të tërhiqte kandidaturën e tij për postin e gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese.

Ndërkohë që ende mbetet e paqartë kush e publikoi videon seksuale, shpërndarja e pornografisë hakmarrëse është një krim i rëndë në Malin e Zi. Ata që dëshmohen fajtorë mund të përballen me dënime deri në pesë vjet burg.

Trump mbledh kabinetin pas debateve mes demokratëve dhe republikanëve: Po punojmë të mos kemi mbyllje të dytë të qeverisë

By: Os De
29 January 2026 at 20:44

Presidenti amerikan Donald Trump ka thirrur këtë të enjte në një mbledhje kabinetin e tij, e cila u transmetua online dhe përfundoi pa pyetje nga gazetarët dhe pa komente nga sekretarja e Sigurisë së Brendshme Kristi Noem apo Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi.

Siç shkruan CNN, mbledhja duket se synonte të shmangte debatet mbi situatën në Minnesota, pas vdekjes së dy qytetarëve amerikanë nga agjentët federalë, dhe pas kontrollit të FBI-së në një zyrë zgjedhore në Georgia lidhur me humbjen e Trump në zgjedhjet e vitit 2020.

Gjatë mbledhjes, demokratët votuan për të bllokuar një paketë të madhe financimi që përfshinte Departamentin e Sigurisë së Brendshme dhe disa agjenci të tjera, ndërsa negociatat me republikanët dhe Shtëpinë e Bardhë vazhdojnë për të vendosur kufizime në përpjekjet e Trump për zbatimin e ligjit të emigracionit.

Qeveria amerikane rrezikon një pezullim të pjesshëm në fund të javës nëse ligjvënësit nuk arrijnë marrëveshje për paketën e financimeve.

Senatorët bllokojnë ligjin e madh të shpenzimeve

Një grup senatorësh nga të dyja partitë bllokuan një ligj të madh shpenzimesh, ndërsa negociatat e fundit vazhdojnë për të shmangur një pezullim të pjesshëm të qeverisë, që mund të jetë i kushtueshëm.

Demokratët, pas incidentit fatal të Alex Pretti nga agjentët federalë në Minneapolis, kërkojnë ndryshime në politikat e Departamentit të Imigracionit dhe Doganave (ICE) dhe refuzuan të miratojnë paketën e gjashtë ligjeve të financimit. Shtatë senatorë konservatorë iu bashkuan për të bllokuar paketën, në një votim që përfundoi me rezultatin 45-55.

Demokratët kërkojnë që financimi për Departamentin e Sigurisë së Brendshme të ndahet nga pjesa tjetër e paketës në mënyrë që të rinegociohet. Nëse nuk arrihet kjo marrëveshje, disa agjenci kyçe si Mbrojtja, Shëndetësia, Punësimi, Arsimi, Transporti dhe Zhvillimi Urban mund të mbeten pa fonde të premten në mesnatë. Edhe në rast arritjes së marrëveshjes, ligji duhet të kalojë miratimin në të dyja dhomat e Kongresit, çka mund të shtyjë miratimin final deri të hënën.

Trump: Shpresojmë të shmangim pezullimin e qeverisë!

Presidenti Trump u shpreh optimist se Kongresi do të shmangë pezullimin e qeverisë. Ai deklaroi:

“Shpresojmë që të mos ketë pezullim. Mendoj se jemi afër. Demokratët nuk besoj se duan ta shohin gjithashtu.”, u shpreh ai, duke shtuar se të dyja palët po diskutonin për një marrëveshje të mundshme për të ndarë financimin e Sigurisë së Brendshme nga pjesa tjetër e paketës ligjore dhe për ta financuar për një periudhë të shkurtër.

Izolimi i Berishës dhe dilema e PD-së: pse Basha mbetet i domosdoshëm

29 January 2026 at 20:37

Nga Ermal Peçi

Vendimi për t’i hequr fjalën Sali Berishës në Strasburg nuk është një incident protokollar. Është një mesazh politik i qartë. Pas shpalljes non grata nga Shtetet e Bashkuara, tashmë edhe institucionet evropiane po vendosin kufijtë e tyre ndaj një figure që për dekada ka dominuar politikën shqiptare, por që sot përfaqëson një kapital të konsumuar ndërkombëtarisht.

Në arenën evropiane nuk ka rëndësi sa njerëz mblidhen në shesh apo sa fort artikulohet retorika sovraniste në Tiranë. Aty vlejnë legjitimiteti institucional dhe besueshmëria politike. Pikërisht këtu, Berisha nuk është më aset për Partinë Demokratike, por një barrë e rënd.

Heqja e fjalës në Strasburg është simbolike, ajo tregon një figurë që nuk përputhet më me standardet politike dhe morale të institucioneve evropiane. Është e njëjta logjikë që e ka izoluar Berishën në raport me SHBA-në, edhe pse dihet se Evropa tradicionalisht ka qenë më e butë në qëndrimet e saj.

Në këtë kontekst, kontrasti me Lulzim Bashën është i pashmangshëm. Basha, pavarësisht kritikave, dështimeve elektorale apo kurtheve politike që i janë ngritur, nuk ka probleme legjitimiteti ndërkombëtar. Ai ka qenë i pranuar, i dëgjuar dhe i aksesueshëm në Bruksel, Uashington dhe kryeqytetet evropiane. Nuk i janë mbyllur dyer, nuk i është hequr fjala dhe nuk është trajtuar si problem protokollar apo rrezik reputacional.

Këtu nuk bëhet fjalë për karizëm apo folklor politik, por për diçka shumë më thelbësore: a është PD një parti që mund të rikthehet në pushtet me mbështetje perëndimore? Apo një opozitë e izoluar në abstraksionin e saj politik?

Sot, PD ndodhet pikërisht në këtë abstraksion. Një parti që flet për demokraci, por drejtohet nga një figurë që SHBA-ja dhe Perëndimi nuk e njohin më si partner. Një parti që pretendon të jetë alternativë qeverisëse, por që nuk ka akses real në tryezat ku vendosen fatet politike të rajonit.

Në këtë situatë, nevoja për një figurë si Basha nuk lidhet me nostalgji apo rehabilitim personal, por me nevojën për normalitet politik. Një lider që mund të mos ndezë turmat, por që nuk mbyll dyert e BE-së dhe SHBA-së. Një figurë me një CV politike konkrete dhe funksionale, e reflektuar edhe së fundmi në përmbylljen me sukses të projekt-rezolutës për asetet ruse e cila monitorohej nga SHBA-ja.

Politika shqiptare ka hyrë në një fazë ku legjitimiteti ndërkombëtar është po aq vendimtar sa vota e brendshme. Pa të, çdo projekt politik mund të funksionojë në diskursin vendas, por mbetet i paralizuar në raport me aleatët, integrimin europian dhe vendimmarrjen reale..

Berisha sot është simbol i rezistencës së brendshme, por edhe i izolimit të jashtëm. Basha ka përfaqësuar dhe vazhdon të përfaqësojë një kanal komunikimi me SHBA-në dhe Perëndimin.

Kjo nuk është çështje preference personale. Është çështje mbijetese politike për Partinë Demokratike.

Nëse PD vazhdon të sfidojë realitetin ndërkombëtar, ajo do të mbetet në opozitë jo për shkak të manipulimeve të kundërshtarit, por për shkak të refuzimit të aleatëve.

Siç do të shprehej Henry Kissinger: “Në politikën e jashtme nuk fiton ai që flet më fort, por ai që konsiderohet i besueshëm.”

Pikërisht kjo është ajo që sot i mungon Partisë Demokratike në raport me aleatët e saj strategjikë.

❌
❌