Festivali Victorious rikthehet këtë fundjavë në Southsea Common të Portsmouth, duke sjellë tri ditë me muzikë, argëtim dhe aktivitete për të gjitha moshat. Festivali nis të premten dhe do të vazhdojë deri të dielën, nga ora 11:00 deri në 23:00. Organizatorët presin deri në 80 mijë persona me bileta në ditë.
Në krye të programit janë Richard Ashcroft të premten, The Black Keys të shtunën dhe Kasabian të dielën. Në skenat e festivalit do të performojnë gjithashtu Scissor Sisters, Faithless, Bastille, Nile Rodgers & CHIC, The Streets, Jessie J, Basement Jaxx, Kelis, Kate Nash dhe The Vaccines. Përveç koncerteve, vizitorët do të kenë mundësi të ndjekin shfaqje në skate park, roller disco, mundje profesionale dhe aktivitete të dedikuara për fëmijët.
Për të shmangur trafikun, organizatorët rekomandojnë përdorimin e transportit publik, biçikletave ose ecjen. Nuk do të ketë parking në hapësirën e festivalit, ndërsa për automjetet është parashikuar parking në Lakeside Car Park dhe transport me autobus drejt zonës së festivalit.
Vizitorët duhet të kenë parasysh edhe rregullat e hyrjes. Pagesat në bare dhe tezga do të bëhen vetëm me kartë, ndërsa nuk lejohen pije dhe ushqime nga jashtë, përveç ushqimit për bebe. Gjithashtu janë të ndaluara karriget, çadrat e mëdha, dronët, lazerët dhe flamujt me shtiza. Sa i përket motit, gjatë fundjavës priten temperatura rreth 20 gradë Celsius, me reshje të lehta dhe erë të premten e të shtunën, ndërsa të dielën mund të ketë rrebeshe me bubullima.
Për shkak të festivalit, disa atraksione të Southsea do të mbyllen përkohësisht dhe do të rikthehen në funksion nga e hëna, 31 gusht. Victorious Festival pritet të kthejë Portsmouth-in në një prej qendrave kryesore të muzikës dhe argëtimit gjatë këtij fundjave./KultPlus.com
Pak dritë! Pak dritë! Pak dritë, o shok, o vlla. Të lutem, pak dritë në kët natë kur shpirti vuen, kur të dhemb e s’di ç’të dhemb, e syni gjum nuk ka, urren nuk din ç’urren, don e s’din se ç’don. Pak dritë! O burrë! O hero’ ngado që të jesh. Burrë që shkatrron edhe që ndërton sërish!
Pak dritë vetëm, të lutem, mshirë të kesh, se do çmendem në kët natë pa gjumë dhe pa pishë. Oh! ta kisha pishën të madhe edhe të ndezun! Me flakën e pishës në qiellin e ksaj nate ta shkruejshe kushtrimin… Ehu burrë i tretun Do ta shifsha vallen tande në majë të një shpate. Por pishë nuk kam e vetëm janë burrat, shokët…
Dergjem n’errsin pa gjumë dhe pa dritë… Askush s’më ndigjon, çirren kot më kot… Hesht more, hesht! por qëndro, o shpirt. Gjeli këndon dhe thotë se asht afër drita Gjel, rren a s’rren? cila asht fjala e jote? Kur ti këndon thonë se asht afër drita… Por un s’besoj sonte në fjalët e ksaj bote. Hiqmuni qafe, mendimet O jastëk ty të rroki, të përqafoj si shpëtimin, më fal atë që due: gjumin dhe andr’min e dy buzve që pëshpërisin ngushllimin./KultPlus.com
Dhjetëra mijëra festivalistë kanë mbërritur në Reading Festival, pavarësisht reshjeve të dendura që kanë shoqëruar ditën e parë. Rreth 100 mijë persona pritet të marrin pjesë në event, ku do të performojnë Charli XCX, Raye, Chase & Status, Dave dhe Fontaines D.C. Në një intervistë për BBC, Jack, i cili mbërriti me miqtë e tij një ditë më herët, tregoi se njëra prej çadrave të grupit u përmbyt nga shiu.
“Për fat të mirë, nuk ishte e imja”, tha ai, duke shtuar se pas motit të thatë të vitit të kaluar, këtë herë festivalistët do të përballen me baltën. Edhe Tabby, e cila po merr pjesë për herë të parë, tha për BBC se moti nuk ishte ai që prisnin.
“Shiu na e ka ulur pak humorin, por do të argëtohemi edhe në shi”, u shpreh ajo. Reshjet pritet të vazhdojnë gjatë tri ditëve të festivalit./KultPlus.com
Eventet dhe performancat artistike të Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor (TKOBAP) po i shton vlerë ofertës kulturore dhe sezonit turistik në vend.
TKOBAP ka shënuar rritje të ndjeshme të aktivitetit artistik gjatë periudhës janar–korrik 2026, ndërsa të ardhurat nga eventet kulturore janë më shumë se dyfishuar, duke arritur në 19 milionë lekë, nga 9,44 milionë lekë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ndau statistikat e aktivitetit të TKOBAP, duke theksuar rritjen e numrit të eventeve, premierave, spektatorëve dhe të ardhurave krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Sipas të dhënave të publikuara nga Gonxhja, gjatë shtatë muajve të parë të vitit u zhvilluan 150 evente, nga 122 në të njëjtën periudhë të vitit 2025, me një rritje prej 23%.
Numri i premierave arriti në 58, kundrejt 24 premierave në vitin e kaluar, duke shënuar një rritje prej 142%.
Edhe interesi i publikut ka ardhur në rritje. Gjatë periudhës janar–korrik u shitën rreth 19 mijë bileta, nga 10 178 një vit më parë, ose 86,7% më shumë.
Të ardhurat nga aktivitetet artistike arritën në 19 milionë lekë, nga 9,44 milionë lekë në të njëjtën periudhë të vitit 2025, duke shënuar një rritje prej 101,3%.
Në aktivitetet e TKOBAP morën pjesë mbi 21 mijë spektatorë, ndërsa në skenat shqiptare dhe ndërkombëtare u angazhuan më shumë se 400 artistë. Gjatë kësaj periudhe, trupa realizoi gjithashtu mbi 10 shfaqje në skena ndërkombëtare.
Gonxhja vlerësoi se rritja e aktivitetit të TKOBAP nuk matet vetëm përmes shifrave, por edhe përmes rritjes së pjesëmarrjes së publikut, mbushjes së sallave dhe prezantimit të artit shqiptar përtej kufijve.
Aktiviteti kulturor, veçanërisht gjatë sezonit turistik, përbën një element të rëndësishëm të ofertës turistike të vendit, duke ndërthurur promovimin e kulturës shqiptare me zhvillimin e ekonomisë turistike./atsh/KultPlus.com
Artistja e njohur japoneze Yayoi Kusama, një prej figurave më të rëndësishme të artit bashkëkohor, ka vdekur në moshën 97-vjeçare. E njohur në mbarë botën për pikat karakteristike, ngjyrat e forta, format e përsëritura, pasqyrat dhe instalacionet e saj magjepsëse, Kusama krijoi vepra që tërhoqën miliona vizitorë në galeri dhe muze në mbarë botën.
Kusama u shfaq në skenën e artit pop dhe u bë një prej artistëve të rrallë që arriti të shndërrojë artin bashkëkohor në një fenomen masiv. Ekspozitat e saj në qytete si Tokio, Nju Jorku dhe Londra u shoqëruan me radhë të gjata vizitorësh dhe interes të jashtëzakonshëm publik.
Pikat shumëngjyrëshe, që u bënë simboli i saj, mbuluan galeri të tëra, skulptura gjigante dhe hapësira publike. Përmes pasqyrave dhe dritave, artistja krijonte instalacione që jepnin përshtypjen e hapësirave pa fund, të njohura si “Infinity Mirror Rooms”.
Kusama kishte treguar se që në fëmijëri përjetonte halucinacione me pika dhe drita. Ajo i shndërroi këto përvoja në burim frymëzimi artistik, veçanërisht gjatë viteve 1960, duke zhvilluar një stil që do ta bënte të dallueshme në të gjithë botën.
Një tjetër moment i rëndësishëm në karrierën e saj erdhi me përfaqësimin e Japonisë në Bienalen e Venecias, duke e ndihmuar të fitonte një audiencë edhe më të madhe ndërkombëtare.
Veprat e Kusamës janë ekspozuar në institucione prestigjioze, përfshirë Muzeun e Artit Modern në Nju Jork, Tate Modern në Londër dhe Muzeun Kombëtar të Artit Modern në Tokio.
Popullariteti i saj u shtri edhe përtej galerive. Në vitin 2017, vizitorët e ekspozitës së saj në Hirshhorn Museum në Uashington aplikuan më shumë se 800 mijë ngjitëse me pika në një dhomë të bardhë, duke e kthyer hapësirën në një instalacion kolektiv.
Në vitin 2021, “Infinity Mirror Rooms” u rikthyen në Tate Modern në Londër, ku ekspozita tërhoqi një numër të madh vizitorësh dhe u zgjat disa herë për shkak të kërkesës së lartë.
Kusama vazhdoi të ishte pjesë e projekteve madhore edhe në vitet e fundit të jetës. Në vitin 2023, një figurë gjigante e saj u vendos mbi dyqanin kryesor të Louis Vuitton në Champs-Élysées në Paris, ndërsa instalacionet e saj monumentale u shfaqën në qytete si Mançesteri dhe Melburni.
Për dekada me radhë, Kusama jetoi vullnetarisht në një spital psikiatrik në Tokio, ndërsa vazhdoi të punonte dhe të krijonte art. Ajo ndërroi jetë në një spital në Tokio, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në artin bashkëkohor.
Nga pikat dhe pasqyrat deri te skulpturat gjigante dhe hapësirat që dukeshin sikur nuk kishin fund, Yayoi Kusama arriti të krijojë një univers artistik tërësisht të sajin, një botë që e bëri atë një prej artisteve më të njohura dhe më të dashura të kohës sonë./KultPlus.com
Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka përkujtuar në ditën e lindjes arkeologun e shquar Frano Prendi, një prej themeluesve të arkeologjisë shqiptare dhe një nga studiuesit më të rëndësishëm të prehistorisë së vendit.
Frano Prendi lindi më 27 gusht 1928 në Shkodër. Pas përfundimit të shkollës së mesme në vendlindje, ndoqi studimet për arkeologji në Universitetin e Sofjes, ku u diplomua në vitin 1951. Po atë vit nisi punën në Institutin e Shkencave, duke iu kushtuar kërkimeve arkeologjike dhe studimit të lashtësisë shqiptare.
Prendi ishte ndër nismëtarët e kërkimeve sistematike në fushën e prehistorisë shqiptare dhe drejtoi gërmime në disa prej qendrave më të rëndësishme arkeologjike të vendit. Një vend të veçantë në veprimtarinë e tij zë Maliqi, krahas Kamnikut, Podgorisë, Blazit, Sovjanit, varrezave tumulare të Matit, Mjedës, Vajzës, Dropullit dhe qendrave të tjera.
Gjatë viteve 1958–1960, ai zhvilloi gërmime edhe në qytetin antik të Apolonisë, ndërsa më vonë veprimtaria e tij u shtri edhe në periudhën ilire dhe mesjetare.
Një prej kontributeve të rëndësishme të Prendit ishte zbulimi i qytezës ilire të Irmajt në Gramsh, si dhe puna shumëvjeçare në qytetin iliro-shqiptar të Lezhës.
Veprimtaria e tij shkencore është e pasqyruar në një numër të madh artikujsh, kumtesash dhe studimesh, ndër të cilat “Neoliti dhe eneoliti në Shqipëri”, “Epoka e bronzit në Shqipëri” dhe “Unitet dhe veçori në kulturën ilire të kohës së hekurit në Shqipëri”.
Ai ishte gjithashtu bashkautor i veprave themelore për historinë shqiptare, përfshirë “Historia e Shqipërisë”, vëllimi I (1959), “Historia e popullit shqiptar”, vëllimi I (2002) dhe “Les Illyriens” (1985), si dhe një ndër përgatitësit e vëllimit “Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë” (1965).
Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në arkeologjinë shqiptare, Frano Prendi u dekorua me urdhrin “Mjeshtër i Madh”, ndërsa Collège de France e nderoi me Medaljen e Nderit.
Frano Prendi u nda nga jeta në vitin 2011, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar shkencore dhe një kontribut të pazëvendësueshëm në njohjen e prehistorisë dhe historisë së lashtë të Shqipërisë./KultPlus.com
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar se përmes platformës eKosova kanë aplikuar gjithsej 5,033 kandidatë për Provimin e Maturës, ndërsa pas shqyrtimit dhe verifikimit janë aprovuar 4,967 aplikime.
Provimi i Maturës do të mbahet të shtunën, më 29 gusht 2026, duke filluar nga ora 10:00, në gjithsej 55 qendra të testimit.
Të gjithë komisionarët dhe administruesit duhet të jenë të pranishëm në qendrat përkatëse një orë para fillimit të provimit, me qëllim të sigurimit të organizimit dhe mbarëvajtjes së procesit.
Ndërkaq, kandidatët duhet të paraqiten në qendrën e testimit të përcaktuar në listat përfundimtare dhe të kenë me vete dokumentin përkatës të identifikimit.
Ministria thekson se, për garantimin e një procesi të rregullt, të sigurt dhe të barabartë për të gjithë kandidatët, kërkohet respektimi i plotë i udhëzimeve dhe rregullave të përcaktuara për administrimin e Provimit të Maturës./KultPlus.com
Shkruan: Ag Apolloni Pas këtij materialit “Top Secret 2”, që e zbuloi policia dhe e përfshiu në aktakuzë Prokuroria, është i qartë efekti turbullues e trazues në publik: njëri grup thotë “ju thojsha, po s’besojshit”, grupi tjetër thotë “na zbulun, qafirat”, grupi i tretë, që kanë qenë shumë rehat nën regjimin serb, thonë “hajt se s’osht ndonji gjo e madhe, ashtu-kshtu s’e kena meritu m’u bo shtet”, por ka edhe të tjerë që lypin “vërtetësinë” e dokumentit, thuajse nuk mjaftojnë faktet e realitetit përreth për këta njëzet e kusur vjet. Kjo i bie: ndoshta na ka hangër ujku, por pa e pa dokumentin me vulë e nënshkrim, s’besoj. Ujku, apo biri i tij, Vuçiqi, fshin dhëmbët dhe thotë “hajt se më vonë, pasi ta kryej drekën me mishin tuaj, jua sjell edhe certifikatën e vdekjes”.
Po të mendonin mirë, kryeministri i Kosovës dhe kryetari i komunës së Prishtinës, menjëherë pas publikimit të atij materiali, do të duhej ta pezullonin lejen për ndërtimin e xhamisë gjigante te posta në kryeqytet. Pas kësaj, ‘asnjë bllok e asnjë baskí’ të mos vihej në asnjë xhami në ndërtim anekënd Kosovës. Mbirja e xhamive pas luftës, si kërpudhat pas shiut, ishte plan serb për destabilizimin e shtetit laik të Kosovës, prandaj duhet ndaluar puna në të gjitha ato që janë në proces ndërtimi, derisa të sqarohet gjithçka se sa prej këtyre objekteve janë rezultat i kësaj strategjie serbe. E që janë, po shihet e po dihet, por se sa e se si, ende s’e dimë. Besimtarët muslimanë, ata që ende ndihen shqiptarë, duhet ta tregojnë veten kësaj here: ta refuzojnë lutjen në këto objekte të pasluftës, derisa të sqarohet kjo punë. Siç thuhej në kohën e Reformës së Kishës, besimtari i vërtetë mund t’i lutet Zotit nga shtëpia, përderisa Shtëpia e Zotit është korruptuar. Kemi para syve një material që flet për institucione islamike të korruptuara dhe për një manipulim të madh të popullatës shqiptare të Kosovës, si dhe një realitet të pasluftës që ‘uluron’ nga ky manipulim fetar. Është për keqardhje që disa shqiptarë insistojnë se këtij dokumenti, meqenëse nuk është i nënshkruar as nga Millosheviçi, as nga Vuçiqi, as nga ndonjë tjetër “viç” e “iç”, s’duhet t’i besojmë hiç. Si mund të jemi kaq viça, kur nëpër vite kemi parë procesin e radikalizimit islamik të shoqërisë sonë? Secili prej nesh e ka pasur një shok që ka qenë keq ekonomikisht, dhe, pastaj, sapo ka nisur të shkojë në xhami, ka ndryshuar jeta e tij, jo në planin shpirtëror, por në atë material. T’ju them të drejtën, shpesh jam habitur nga transformimet brenda nate të disa shokëve nga laikë në muslimanë të devotshëm. Kjo që në historinë e krishterimit i ka ndodhur Shën Palit, në çerekshekullin e fundit në Kosovë u ka ndodhë jo qindra, apo mijëra, por qindra mijëra shqiptarëve. Sa shqiptarë janë nisur për të studiuar dhe kanë përfunduar të indoktrinuar? Sa shqiptarë janë nisur për universitet dhe veç kur i kemi parë nëpër rrjete sociale me çarçafë në Qabe, duke bërë ‘selfie’ me ‘kit shoqin’, ‘me kusherinin’, ‘me doktorin’, ‘me profesorin’, ‘me shkrimtarin’, ‘me aktorin’, pra selfie me gjithkënd që ishte “ndriçuar” rishtas. Ka munguar veç edhe një ‘selfie me Allahun’, për ta kuptuar që kemi rrëshqitë vërtet.
Tash, më thoni: a vërtet keni pasur nevojë për këtë dokument për ta kuptuar që na ka hangër dreqi? Jemi disa njerëz që kemi insistuar prej fillimit të mos pranohet Kali i Trojës brenda mureve tona, por financimet nga Serbia dhe Turqia kanë qenë më joshëse se këshillat e britmat tona. Serbët dhe turqit në vitet ’50 të shekullit të kaluar nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi që brenda një dekade rezultoi me shpërnguljen e mbi njëqind mijë shqiptarëve nga Kosova në Turqi. Mirëpo, shqiptarët që kanë harruar dëmet që Turqia për qindra vjet ia ka sjellë këtij vendi, kanë harruar edhe planin e parë modern serbo-turk kundër shqiptarëve (shpërnguljen dhe asimilimin), dhe, natyrisht, s’e kuptojnë as planin e dytë “post-modern” serbo-turk (financimin dhe radikalizimin), dhe tash presin të dalë një dokument më bindës, ani pse realiteti ynë s’ka nevojë për dokumente, por për sy që shohin, veshë që dëgjojnë, koka që kuptojnë. Janë dy fakte që asnjë shqiptarë s’mund t’i mohojë: shteti që e sulmon më së shpeshti e më së shumti Kosovën është Serbia, dhe shteti që e financon më së shumti Kosovën është Turqia. (Për këtë arsye, shqiptarët naivë mendojnë se Turqia është me ne. Ajo i thotë Serbisë: mos m’i prekë shqiptarët, se janë të mitë; Serbia i thotë: unë veç po të ndihmoj t’i marrësh. Ne gëzohemi që jemi të Turqisë. Dhe, kështu, të dyja japin pare për qëllime të veta, kurse ne, në vend që të protestojmë e të kërkojmë ndihmë nga Perëndimi, bëhemi me atë që s’po na masakron, po veç po na mashtron e asimilon. Pra, për njerëzit pa kujtesë historike, më e mirë është Turqia që të ka masakruar deri para një shekulli sesa Serbia që të ka masakruar para çerek shekulli). Për ne të tjerët, të dyja kanë dy të përbashkëta: bashkëpunojnë prej shekujsh kundër shqiptarëve dhe nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur. Është fakt që Serbia s’e njeh fare shtetin tonë, kurse Turqia e njeh de jure, por de facto e konsideron vilajet të saj (kudo e kurdo ndërton xhami, kudo e kurdo arreston njerëz brenda këtij vilajeti, pa e pyetur askënd; qysh po don me të injoru ndryshe?). Për Turqinë, Bosnja, Kosova, Shqipëria dhe gjysma e Maqedonisë së Veriut nuk janë shtete, por vilajete të saj. Përndryshe, prej kah kjo dashuri e saj për këto vende që i ka shtypur dikur dhe i kontrollon edhe tash. Mos të harrojmë një ‘koincidencë’: sapo çlirohet Kosova nga Serbia, shfaqet ideja për ri-pushtimin e saj nga Turqia. Në qershor 1999 çlirohet Kosova, në korrik 1999 lirohet nga burgu Recep Tayyip Erdoğan. Lirimi i tij ishte robërim i ri për ne, sepse ai menjëherë shfaqi idetë e tij neo-osmaniste për t’i kontrolluar vendet e ish-Perandorisë Osmane, përmes diplomacisë, investimeve, institucioneve kulturore dhe fetare dhe formave të tjera të ndryshme, të cilat së bashku, përbëjnë Kalin e Trojës brenda Kosovës.
Disa shqiptarë që nuk i kanë dhënë kokat e tyre më qira, e dinë që muslimanët kosovarë që e futën Kalin e Trojës brenda fill pas luftës, janë në gjendje të bëjnë çmos ta justifikojnë veten, ose t’u hedhin hi syve atyre që deri sot s’e kanë parë realitetin në sy, dhe që tani po përjetojnë ethet e atij dokumenti, që, realisht, e egërson shoqërinë (por nuk e polarizon, sepse të polarizuar ishim shkaku i radikalizimit të vrullshëm fetar, falë të cilit edhe heroin kombëtar Adem Jashari viteve të fundit përpiqeshin ta kthenin në hero fetar).
Kur flasim për këtë manipulim, s’duhet të flasim vetëm për Kosovën, por edhe për shqiptarët në diasporë (Evropë dhe Amerikë), sidomos ata në Zvicër (siç ishte theksuar edhe në atë materialin e Prokurorisë), që edhe takimet kulturore dhe politike i mbajnë nëpër xhamia. Dhe një faj të madh, pa dyshim, e kanë edhe biznesmenët shqiptarë, të cilët kanë suficit financiar dhe deficit patriotik, dhe japin para për ndërtimin e objekteve fetare, dhe kështu bëhen pjesa e tretë (prapanica) e Kalit të Trojës: Serbia, Turqia dhe biznesmenët tanë ‘humanitarë’.
Ai dokument ishte veç një zile për disa që kanë fjetur deri pasdite. Një zile që thotë: zgjohuni, ndaloni televizionet pro-turke, ndaloni projektet pro-serbe, refuzojeni artin e haxhi-aktorëve, luftoni demagogët ‘humanitarë’ me humanizmin tuaj të vërtetë! Ndërtimi i shtetit, pra edhe i shtëpive për të varfrit dhe xhamive në atë shtet, duhet të jetë në duar të vetë shtetit, jo të shoqatave ‘humanitare’, ashtu si edhe arsimi që s’duhet t’u lihet në dorë trashëgimtarëve të UDB-ashëve.
Prandaj, do të ishte mirë, që të gjithë intelektualët e Kosovës, nëse kanë mbetur ende të tillë, nga universitetet, Akademia, institucionet e tjera laike dhe shoqëria civile, të punojnë për dekonstruktimin e këtij Kali të Trojës që e kemi futur brenda dhe për parandalimin e dëmit të mëtejshëm. Sot, edhe pse pak vonë, duhet ta kuptojmë që nuk janë vetëm mjekroshët radikalë ata që ia kanë lëshuar mjekrën Kosovës. Unë nuk besoj që një njeri pa mjekër e pa flokë si spiuni Fatmir Sheholli do të mund t’ia dilte pa ndihmën tonë. Prandaj, për gjithë këta vjet, nëse nuk kemi bërë asgjë dhe vazhdojmë të rrimë duarkryq përballë radikalizimit islamik në vendin tonë, ne të gjithë jemi fatmirsheholla. Tash që u hap barku i Kalit të Trojës, po e shohim se aty paskan qenë serbët, turqit dhe ata shqiptarë që me dekada u shërbyen ‘pushtuesve tanë të kohëve të ndryshme’. E di që edhe pas këtyre fjalëve të mia, ju do t’i lëshoni prapë gjarpinjtë, por unë, bashkë me disa prej jush që keni sy dhe kujtesë, gjithmonë duhet ta përsërisim refrenin: “I kam frikë danajtë edhe kur sjellin dhurata”. /KultPlus.com
Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka njoftuar se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut po zhvillon inspektime në terren për të kontrolluar ushtrimin e veprimtarisë së udhërrëfyesve turistikë në Kosovë.
Sipas ministrisë, rastet e ushtrimit të kësaj veprimtarie pa licencë po ndëshkohen me gjobë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ministria u ka bërë thirrje të gjithë personave që ushtrojnë këtë veprimtari pa licencë që të kryejnë procesin e licencimit dhe të vazhdojnë punën në mënyrë të rregullt dhe profesionale.
“Një turizëm i zhvilluar kërkon rregulla të qarta, zbatim të ligjit dhe shërbime cilësore për vizitorët”, thuhet në njoftim.
Ministria thekson se licencimi është detyrim ligjor, por edhe një garanci për ofrimin e shërbimeve më profesionale dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Kosovë./KultPlus.com
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim lamtumirës Shefen në detyrë të Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova.
Gjatë takimit, Haxhiu e falënderoi Palatovën për bashkëpunimin dhe angazhimin e saj gjatë shërbimit në Kosovë, duke vlerësuar njëkohësisht mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për proceset e rëndësishme të vendit.
U.D. Presidentja theksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë me Bashkimin Evropian dhe të avancimit të mëtejshëm të Kosovës në rrugën e saj evropiane.
Në fund të takimit, Haxhiu i uroi Palatovës suksese në angazhimet e saj të ardhshme./KultPlus.com
Akademia e Shkencave e Shqipërisë njoftoi me hidhërim të thellë se më 27 gusht 2026 u nda nga jeta akademik emeritus Mark Tirta, një prej studiuesve më të shquar të etnologjisë dhe antropologjisë shqiptare dhe një personalitet i rëndësishëm i albanologjisë.
Me ndarjen e tij nga jeta, shkenca dhe kultura shqiptare humbasin një dijetar që për më shumë se gjashtë dekada ia kushtoi jetën kërkimit shkencor, dokumentimit dhe interpretimit të kulturës materiale e shpirtërore të shqiptarëve.
Mark Tirta lindi më 21 maj 1938 në Orosh të Mirditës. Kreu studimet e larta në degën Histori-Gjuhësi të Universitetit të Tiranës, të cilat i përfundoi në vitin 1961. Pas studimeve punoi në arsim në rrethin e Mirditës, ndërsa në vitin 1968 nisi veprimtarinë kërkimore në sektorin e etnografisë të Institutit të Historisë.
Prej vitit 1979 vijoi punën pranë Institutit të Kulturës Popullore, ku ndërtoi një pjesë të rëndësishme të karrierës së tij shkencore. Në vitin 2008 u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në Seksionin e Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, ndërsa më pas mori statusin Akademik Emeritus.
Një prej veçorive më të rëndësishme të punës së tij ishte kërkimi i drejtpërdrejtë në terren. Tirta mori pjesë në ekspedita të shumta në vise të ndryshme shqiptare, duke mbledhur dhe dokumentuar dëshmi mbi jetën, traditat, zakonet, besimet dhe mënyrat e organizimit të komuniteteve shqiptare.
Veprimtaria e tij kërkimore ishte e gjerë dhe përfshinte migrimet e shqiptarëve, mitologjinë popullore, familjen, veshjet popullore, të drejtën zakonore, toponiminë, antroponiminë, artin popullor, historinë e etnologjisë shqiptare dhe personalitetet e kësaj fushe.
Trashëgimia e tij bibliografike është e jashtëzakonshme. Ai botoi më shumë se 300 punime shkencore e kulturore, mori pjesë me mbi 100 kumtesa në sesione shkencore, simpoziume, konferenca dhe kongrese kombëtare e ndërkombëtare, ndërsa rreth 42 punime të tij u botuan në gjuhë të huaja.
Ndër veprat e tij më të rëndësishme janë “Mitologjia ndër shqiptarë” (2004), “Etnologjia e shqiptarëve” (2003, 2006), “Etnologjia e përgjithshme” (2001, 2008), “Migrime të shqiptarëve” (1999), “Mjeshtëria e kërkimit shkencor në etnologji” (2006), “Panteoni e simbolika, doke e kode…” (2007) dhe “Lëvizjet migruese të shqiptarëve, të brendshme e në popujt më afër” (2013).
Në historinë e studimeve shqiptare, Mark Tirta do të kujtohet si një nga dijetarët që i dha një dimension të rëndësishëm shkencor studimit të kulturës tradicionale shqiptare. Për të, etnologjia nuk ishte vetëm mbledhje dhe përshkrim faktesh, por një mënyrë për të kuptuar historinë, kujtesën, identitetin dhe vazhdimësinë kulturore të shqiptarëve.
Librat, studimet dhe materialet që la pas përbëjnë një pasuri të çmuar për studiuesit e sotëm dhe të ardhshëm të etnologjisë, antropologjisë, folklorit, historisë së kulturës dhe albanologjisë.
Programi i nderimit për Akademik Emeritus Mark Tirta (1938–2026) do të zhvillohet më 28 gusht 2026, në Sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave. Akademia solemne do të mbahet nga ora 10:00 deri në 10:45, homazhet nga ora 11:00 deri në 13:00, ndërsa në orën 13:20 do të mbahet fjala e lamtumirës. Përcjellja për në banesën e fundit do të bëhet në orën 13:30.
Me ndarjen e tij nga jeta, Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe albanologjia humbasin një prej studiuesve të tyre më të shquar, ndërsa trashëgimia kulturore shqiptare humbet një prej njerëzve që ia kushtoi jetën dokumentimit dhe ruajtjes së saj./KultPlus.com
Papa Leone XIV është i pranishëm në listën e revistës amerikane ”Vanity Fair” të personaliteteve më të veshura mirë të vitit 2026, në kategorinë “Origjinalët”, e cila bashkon 10 nga “personat e veshur më çuditshëm dhe inovativë”.
Kryetar i Kishës Katolike në listë i bashkohen muzikantët Björk dhe Rosalía dhe regjisori Spike Lee.
”Vanity Fair” përmendi stilin jokonvencional të papës si arsyen e përfshirjes.
“Edhe para papatit, Leone, i njohur më parë si ati Bob, e çoi veshjen e tij modeste ngjyrë krem në lartësi qiellore duke e kombinuar atë me ‘Nike”, tha revista.
“Leone e ka ruajtur ndjenjën e tij të rastësisë ironike, ndonjëherë duke veshur kapele bejsbolli”, theksoi ajo.
Nuk është çmimi i parë papal i stilit
Nuk është hera e parë që papa i lindur në SHBA shfaqet në një listë të tillë.
”Vogue” e kishte vendosur tashmë Leonen në listën e saj të 55 njerëzve më të veshur të vitit 2025.
Megjithatë, ”Vogue” vlerësoi rikthimin e tij në “trashëgiminë papale për veshjet liturgjike të përshtatshme” dhe ndarjen e tij nga stili modest i paraardhësit të tij, Françeskut.
”The New York Times” gjithashtu e numëroi Leonen midis njerëzve më elegantë të vitit 2025.
Si ”Vogue” ashtu edhe ”New York Times” e njohën stilin e tij në vitin e zgjedhjes së tij si papë.
Leone doli nga konklava si papa i ri më 8 maj 2025, pas vdekjes së papa Françeskut.
Ai është qytetari i parë amerikan që zë Karrigen e Shën Pjetrit.
Ai njihet si tifoz i ekipit të bejsbollit ”Chicago White Sox” dhe një fotografi e tij duke veshur kapelen e ekipit të qytetit të tij të lindjes bëri bujë./atsh/KultPlus.com
Shkrimtari i njohur hungarez Péter Nádas, një prej zërave më të rëndësishëm të letërsisë evropiane bashkëkohore, është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare.
Lajmi u konfirmua nga botuesi i tij, i cili bëri të ditur se Nádas vdiq në shtëpinë e tij në Gombosszeg, një fshat në jugperëndim të Hungarisë, ku kishte jetuar i tërhequr nga jeta publike për dekada.
Nádas lindi në Budapest më 14 tetor 1942. Ai i mbijetoi Holokaustit së bashku me familjen, duke u fshehur dhe duke përdorur dokumente të falsifikuara. Megjithatë, gjatë fëmijërisë së tij, trashëgimia hebraike e familjes nuk u diskutua.
Prindërit e tij ishin komunistë të bindur, por më vonë u zhgënjyen nga ideologjia. Nëna e Nádasit vdiq nga një sëmundje kur ai ishte vetëm 13 vjeç, ndërsa tre vite më vonë, babai i tij u vetëvra. Këto përvoja të hershme të humbjes, traumës dhe heshtjes do të linin gjurmë të thella në botën e tij letrare.
Nádas nisi të punonte si gazetar në vitin 1965 dhe vijoi këtë profesion deri në vitin 1969, përpara se t’i kushtohej tërësisht letërsisë.
Ai u bë i njohur ndërkombëtarisht me romanin “Një libër kujtimesh”, për të cilin punoi për afro 12 vjet. Vepra, prej rreth 1300 faqesh, u konsiderua një pikë kthese në karrierën e tij dhe një prej romaneve më të rëndësishme të letërsisë evropiane të shekullit XX.
Një tjetër vepër madhore ishte “Histori paralele”, për të cilën Nádas punoi për 17 vjet. Romani, me më shumë se 1000 faqe, ndërthur personazhe, ngjarje dhe periudha të ndryshme historike, duke krijuar një univers kompleks letrar ku kufijtë mes kujtesës individuale dhe historisë kolektive bëhen shpesh të paqartë.
Në veprat e tij, Nádas eksploroi Evropën e shekullit XX, traumat e luftërave dhe diktaturave, kujtesën, dëshirën dhe marrëdhëniet njerëzore. Trupi dhe përvoja fizike e njeriut zënë një vend të veçantë në shkrimtarinë e tij, ndërsa rrëfimi i tij karakterizohet nga një vëmendje e jashtëzakonshme ndaj detajeve, kujtesës dhe ndërthurjes së kohëve.
Nádas ishte gjithashtu autor i kujtimeve dypjesëshe “Detaje të shkëlqyera”, një vepër që përbën një përballje të thellë me historinë dhe kujtesën familjare e kolektive. Nëpërmjet historisë së familjes së tij, shkrimtari rikthehet te traumat e Evropës së shekullit XX dhe mënyra se si ngjarjet historike vazhdojnë të jetojnë në kujtesën e brezave.
Që prej vitit 1984, shkrimtari jetonte në Gombosszeg, në një shtëpi tradicionale fshatare të ndërtuar me argjilë dhe dru, së bashku me bashkëshorten e tij, Magda Salamon. Larg zhurmës së jetës publike, ai vijoi për dekada të ndërtonte një nga veprat më ambicioze të letërsisë hungareze dhe evropiane.
Gjatë viteve të fundit, emri i Péter Nádas u përmend shpesh mes pretendentëve për Çmimin Nobel në Letërsi. Megjithatë, në vitin 2025, çmimi iu dha bashkëkombësit të tij, shkrimtarit hungarez László Krasznahorkai.
Përtej çmimeve dhe vlerësimeve, rëndësia e Nádasit qëndron në mënyrën se si ai e shndërroi përvojën personale në një reflektim të gjerë mbi historinë evropiane. Romanet e tij të mëdha nuk janë thjesht rrëfime për individë, por përpjekje për të kuptuar se si luftërat, diktaturat, kujtesa, humbja dhe dëshira formësojnë jetën njerëzore.
Me veprën e tij monumentale dhe stilin e veçantë të rrëfimit, Péter Nádas lë pas një trashëgimi të rëndësishme në letërsinë evropiane dhe një prej portreteve më të thella letrare të historisë së trazuar të shekullit XX./KultPlus.com
Bota e muzikës dhe Hollywood-i janë përfshirë nga dhimbja pas ndarjes nga jeta të Dolly Parton, e cila vdiq më 25 gusht, në moshën 80-vjeçare. Familja e saj e bëri të ditur lajmin përmes një deklarate me video, ndërsa përfaqësuesit e këngëtares thanë se ajo po përballej privatisht me kancerin.
Lajmi shkaktoi reagime të shumta nga emrat më të mëdhenj të muzikës, kinemasë dhe televizionit, të cilët e kujtuan Parton jo vetëm për talentin e saj, por edhe për bujarinë, humorin, humanizmin dhe ndikimin që pati në jetën e miliona njerëzve.
Taylor Swift: “Një botë pa Dolly-n nuk ndihet e mundur, reale apo e drejtë”
Taylor Swift tha se një botë pa Parton nuk i duket “e mundur, reale apo e drejtë”, por trashëgimia e saj do të jetë e përjetshme.
“Ajo ishte vërtet dhurata që vazhdonte të jepte. Dolly na dha dikë që ta admironim, ndërsa na inkurajonte të ishim ata që jemi si individë”, tha Swift.
“Sidoqoftë, ajo ishte në gjendje të na jepte mësimet e saj për botën në mënyrë të butë dhe të sinqertë, njëkohësisht dhe shpeshherë në mënyrë gazmore. Ajo arriti t’i jepte botës misterin dhe fantazinë e fundit në disa aspekte të jetës së saj, por edhe transparencë të plotë në gjërat që kishin rëndësi.”
Swift e përshkroi Parton si “hir të vërtetë dhe forcë të vërtetë, të gjitha të bashkuara në një person të mahnitshëm”.
“Ajo kishte zemrën më të butë kur bëhej fjalë për vështirësitë e të tjerëve dhe një shtyllë kurrizore prej çeliku për të mbrojtur vlerën e saj si artiste.”
Këngëtarja falënderoi Parton për meloditë dhe tekstet që, sipas saj, “shkrinin edhe zemrat më të ftohta”, për miliona libra që ajo u dha fëmijëve në mbarë botën përmes nismave të saj dhe për mënyrën se si u mësoi vajzave të reja të ëndërronin.
“Dolly, do të mendoj për ty në çdo hap të rrugës”, përfundoi Swift.
Jane Fonda: “Ajo është e thurur përgjithmonë në jetën dhe zemrat tona”
Jane Fonda, e cila luajti përkrah Parton në filmin ikonë “9 to 5”, shkroi se ishte e shkatërruar nga lajmi.
“Sapo mësova se Dolly ka vazhduar rrugën e saj. E di se miliona njerëz po vajtojnë dhe dua të them këtë – më shumë se çdo person tjetër që kam njohur, Dolly do të jetë gjithmonë me ne, sepse ajo ishte aq e pranishme, aq e fuqishme, aq bujare dhe lozonjare, saqë është e thurur përgjithmonë në të gjitha jetët dhe zemrat tona.”
Fonda vlerësoi katalogun e saj të jashtëzakonshëm muzikor e kinematografik dhe punën filantropike të Dollywood Foundation.
“Le të jemi mirënjohës për gjithçka që ajo na ka lënë për të lehtësuar trishtimin tonë tani”, shkroi ajo.
“Unë kurrë nuk kam njohur dikë si ajo. Ajo kishte instinktin e një të mbijetuareje dhe dukej se gjithmonë e dinte saktësisht çfarë të bënte, çfarë të thoshte, për t’i rregulluar gjërat… dhe pastaj nxirrte të pasmet nga dritarja e makinës dhe i tregonte të pasmet Kenny Rogers-it në shtëpinë e tij. Ajo ishte mishërimi trupor i empatisë. Kjo është diçka prej saj që do të donte që të gjithë ta merrnim me vete.”
Linda Ronstadt: “Bota është një vend më i varfër pa të”
Linda Ronstadt, e cila bashkëpunoi me Parton dhe Emmylou Harris në albumin klasik “Trio”, tha:
“Jam thellësisht e trishtuar nga ndarja nga jeta e shoqes sime, Dolly Parton. Një nga përvojat më të jashtëzakonshme muzikore të jetës sime ishte regjistrimi me të. Bota është një vend më i varfër pa të.”
Sally Field: “Nuk do të ketë kurrë një tjetër”
Sally Field publikoi një fotografi të kastit të “Steel Magnolias”, ku shfaqej edhe Parton.
“Nëse vërtet ekzistojnë engjëj në tokë, atëherë sapo kemi humbur një të tillë, Dolly Parton. Nuk do të ketë kurrë një tjetër. E adhuroja me gjithë zemër dhe do ta çmoj gjithmonë kohën që kaluam së bashku. Përgjithmonë. Pusho në paqe, e bukura Dolly.”
Julia Roberts: “Dielli është zbehur sot”
Julia Roberts e përshkroi Parton si “një njeri magjik dhe plot gëzim”.
“Ta kem njohur është një thesar në jetën time. Dielli është zbehur sot.”
Ndërsa Shirley MacLaine tha:
“Zoti na e dërgoi dhe ajo është kthyer në shtëpi.”
Jamie Lee Curtis: “Ajo është një shembull për të gjithë ne”
Jamie Lee Curtis kujtoi guximin e Parton për të ndjekur rrugën e saj.
“Thonë se nuk duhet t’i takosh heronjtë e tu. Guximi i saj për të kuptuar se ishte më shumë nga sa mendonin të tjerët dhe se duhej të shkëputej e të vazhdonte drejt punëve dhe mundësive të reja e çoi atë të shkruante ‘I Will Always Love You’ si mënyrën e saj për të falënderuar dhe dashur, por edhe për të vazhduar përpara. Ajo është një shembull i madh për të gjithë ne.”
Carol Burnett: “Ne ishim një familje”
Carol Burnett kujtoi kohën kur punoi me Parton në specialin televiziv “Dolly & Carol in Nashville”.
“Jam shumë e trishtuar tani. Një nga kujtimet e mia të preferuara ishte xhirimi i specialit ‘Carol and Dolly’ në Nashville. Xhiruam gjatë javës së Falënderimeve dhe Dolly përgatiti darka individuale me gjel deti për secilin prej nesh, të cilat i kishte gatuar vetë. Ne ishim një familje. E tillë ishte ajo.”
Sarah Jessica Parker: “Nuk duhej ta njihnim për ta dashur”
Sarah Jessica Parker shkroi:
“Jo!!!!!! Unë nuk e takova kurrë @dollyparton, por zot, sa shumë e doja. Nuk mendoj se ndonjërit prej nesh i duhej ta njihte për ta dashur. Një nga njerëzit më të mëdhenj që ka nxjerrë ndonjëherë ky vend. Legjendë. Vërtet.”
Parker theksoi gjithashtu se Parton “gjithmonë mbronte ata që njihte dhe kuptonte se kishin nevojë për dikë që t’i përkrahte”.
“Çfarë humbjeje. Por a nuk jemi kaq me fat, kaq të privilegjuar për dhuratat e pafundme që ajo ndau me botën. Udhëtim të mbarë dhe pusho në paqe. Do të na mungosh jashtëzakonisht shumë.”
Leanne Morgan: “Nuk kishte askush si ajo”
Komikja Leanne Morgan tha se “thjesht nuk kishte askush si Dolly”.
Edhe pse nuk pati mundësinë ta takonte, Morgan tregoi se shpesh i çonte fëmijët e saj në Dollywood.
“E di që ajo është në lavdi, sepse gjithmonë fliste për besimin e saj. Dhe kjo më ka bërë gjithmonë përshtypje te Dolly – dhe e admiroja për shumë arsye – por ajo ishte gjithmonë autentikisht vetvetja. Unë jam nga fshati… dhe mendoja: ‘Nëse ajo mund ta bëjë këtë, edhe unë mund ta bëj. Mund të jem vetvetja dhe nuk duhet të turpërohem nga vendi nga vij.’”
Rosie O’Donnell: “Ky engjëll i tokës është kthyer në parajsë”
Rosie O’Donnell shkroi:
“Ky engjëll i tokës është kthyer në parajsë, atje nga ku erdhi – zemërthyer.”
Kristin Chenoweth: “Inspirimi im i fundit”
Kristin Chenoweth tha se u “thye menjëherë në zemër” kur mori vesh lajmin.
“E takova Dolly-n në disa raste dhe ajo gjithmonë më bënte të ndihesha si një nga njerëzit e saj. Madje pranoi të këndonte me mua në një prej albumeve të mia.”
“Frymëzimi im i fundit. Bota ka humbur një nga më të mirët, por e di se nuk do ta harrojmë kurrë, sepse ajo është e pamundur të harrohet. Të dua Dolly dhe gjithmonë do të të dua.”
Goldie Hawn: “Ajo ishte një rreze drite”
Goldie Hawn publikoi një fotografi bardhezi nga dita kur takoi Parton.
“Ajo ishte një rreze drite! Edhe atëherë, ajo ndriçonte si një engjëll, një qenie e gëzueshme, qiellore. Dolly na bekoi të gjithëve për breza të tërë. Pusho, engjëlli im i dashur, dhe, siç the ti, vazhdo t’i mbash engjëjt duke krijuar muzikë dhe duke kënduar në parajsë.”
Ethan Hawke: “Një yll polar”
Ethan Hawke shkroi se gjithçka që njerëzit thonë për Parton është e vërtetë.
“E thellë, serioze, lozonjare, e dashur, e mençur… Një grua me integritet. Një yll polar. Ajo dinte si të kishte një ndikim pozitiv dhe të qeshte ndërkohë që e bënte këtë. U largova nga prania e saj më i lehtësuar dhe i motivuar për të qenë më i mirë.”
Reba McEntire: “Nuk do të ketë kurrë, kurrë një tjetër si ti”
Reba McEntire shkroi se sapo kishte marrë lajmin për “miken” e saj.
“Dolly, faleminderit për të gjitha gjërat e mrekullueshme që bëre për ne këtu në tokë. Dashuria jote, muzika jote dhe ti i dhe kaq shumë botës me zemrën tënde të madhe, të madhe. Nuk do të ketë kurrë, kurrë një tjetër si ti.”
Ajo shtoi se Parton do të këndonte në parajsë këngët e saj të preferuara me familjarët dhe miqtë që kishin ikur para saj.
“Nuk do ta harroj kurrë herën e parë që të takova dhe nuk do ta harroj kurrë bisedën tonë të fundit. E mbaj atë me dashuri në zemrën time. Gjithmonë do të të dua.”
Billy Ray Cyrus: “Do të të dua gjithmonë me gjithë zemër”
Billy Ray Cyrus tha se kishte “aq shumë momente dhe kujtime me Dolly-n, saqë është e vështirë të dish nga t’ia fillosh”.
“Si çdo djalë i vogël, unë u rrita duke e dashur Dolly-n. Ajo ishte pjesë e jetës sonë, në televizorët tanë, në dhomat tona të ndenjes.”
Duke kujtuar miqësinë e tyre, ai tha se Parton i kishte dërguar së fundmi një mesazh të bukur.
“Dolly së fundmi më dërgoi një mesazh të bukur, duke më thënë se më donte me gjithë zemër. Unë gjithmonë do ta dua në të njëjtën mënyrë… me gjithë zemër… dhe gjithmonë do ta bëj.”
Blake Shelton: “Ajo ishte pikërisht personi që mendoni se ishte”
Blake Shelton tha se vdekja e Parton është “vërtet një humbje për të gjithë botën”.
“Me siguri absolute mund të them se të gjithë po ndiejmë të njëjtën dhimbje në zemër sot.”
Shelton kujtoi kohën kur punoi me të në “The Voice”.
“Dua që të gjithë ta dinë se ajo ishte PIKËRISHT personi që mendoni se ishte. Ishte sikur të ishe me anëtarin më qesharak, më të dashur, më të kujdesshëm dhe më të afërt të familjes tënde… Ne të duam, Dolly.”
Tim McGraw: “Ajo ishte modeli”
Tim McGraw tha se Parton u tregoi të gjithëve se çfarë ishte e mundur, “jo vetëm si qenie njerëzore, por edhe si artiste”.
“Ajo ishte modeli, kokë e shpatulla mbi këdo që erdhi para saj dhe mbi të gjithë ne që erdhëm pas saj. Gjithçka që bëri, e bëri me mirësi, hijeshi dhe atë zgjuarsinë dhe buzëqeshjen e saj të famshme. Ka qenë e vështirë të mos derdhësh lot gjithë ditën. Nuk do të ketë kurrë një tjetër Dolly Parton.”
Zac Brown: “Talent i pastër, shpirt i pastër, dashuri e pastër”
Zac Brown e quajti Parton “një engjëll të vërtetë”.
“Talent i pastër, shpirt i pastër, dashuri e pastër. Ajo jetoi duke dhënë shembull. Unë dhe gruaja ime jemi të shkatërruar, por ndihemi kaq të bekuar që e njohëm zemrën e saj.”
Ai kujtoi edhe bashkëpunimin e tyre në këngën “Butterfly”.
“Dolly është një thesar kombëtar. Ajo këndoi me gjithë zemër në ‘Butterfly’ dhe nuk do ta harroj kurrë herën e parë që dëgjova atë që këndoi dhe sa shumë e donte atë këngë.”
“Besoj se ajo do të donte që ne ta festonim jetën e saj, të ishim të vërtetë me atë që jemi dhe t’i tregonim njëri-tjetrit dashuri dhe mirësi. Ajo e donte Jezusin dhe jetoi si Ai, duke dhënë shembull. Faleminderit, Dolly, për gjithë dashurinë dhe muzikën që i dhe kësaj bote. Do të jetosh përgjithmonë në këngët e tua dhe në zemrat tona.”
Kacey Musgraves: “Jam shumë e lumtur që është me Carl Dean”
Kacey Musgraves shkroi shkurt në X:
“Jam shumë e lumtur që është me Carl Dean. Askush të mos më flasë sot.”
Maren Morris: “Nuk do të ketë kurrë një tjetër”
Maren Morris publikoi një video ku këndonte me Parton.
“Nuk do të ketë kurrë një tjetër. Dolly Parton ishte personi për të cilin të gjithë mund të binim dakord. Ajo ishte dhe është një dritë.”
Katy Perry: “Trashëgimia e saj do të vazhdojë të përhapet”
Katy Perry, duke folur më 26 gusht në Los Angeles, tha se të gjithë ende po e përpunojnë humbjen.
“Mendoj se të gjithë ende po e përpunojmë, sepse ajo ishte një dritë.”
Perry vlerësoi filantropinë e Parton dhe punën e saj për promovimin e leximit te fëmijët.
“Drita e saj përhapet dhe do të vazhdojë të përhapet përgjithmonë.”
Ajo e kujtoi gjithashtu si “jashtëzakonisht gazmore”.
“Mendoj se trashëgimia e saj është diçka që duhet ndjekur dhe admiruar përgjithmonë… të gjithë duhet ta marrin si shembull. Ajo është standardi.”
Eminem: “Edhe për një fëmijë që dëgjonte kryesisht rap, ajo ishte një ikonë”
Eminem publikoi një letër që Parton ia kishte dërguar në vitin 2022, kur ai u përfshi në Rock & Roll Hall of Fame.
“Më vjen keq që nuk patëm mundësinë të takoheshim, por marrja e kësaj letre nga Dolly pati një ndikim të madh tek unë. Ajo nuk kishte pse të merrte kohë për ta bërë këtë. Edhe për një fëmijë që dëgjonte kryesisht muzikë rap, ajo ishte një ikonë. Një superstar në çdo kuptim. Pusho i qetë, Dolly. Dhe faleminderit për fjalët e tua të mira.”
Në letrën e saj, Parton i kishte shkruar Eminem se, edhe pse nuk dinte shumë për rap-in, ishte e qartë se ai ishte “më i miri i këtij zhanri”.
“Gjithmonë kam ndier një lidhje të pashpjegueshme me ty, sikur të të njihja në njëfarë mënyre. Kisha shpresuar të të takoja në ceremoni, por e di si janë këto gjëra. Personalisht, i urrej dhe e humba shansin tim, por ndoshta një ditë do të takohemi.”
“Pavarësisht se sa kompleks mund të jetë bota jote, vetëm dije se je shumë i veçantë dhe prek njerëzit në mënyra që as nuk i di.”
Kelly Clarkson: “Ajo i bënte të gjithë të ndiheshin të veçantë”
Kelly Clarkson, e cila bashkëpunoi me Parton në një version të ri të “9 to 5”, shkroi:
“Dolly Parton kishte një mënyrë për t’i bërë të gjithë të ndiheshin të veçantë, të parë dhe të mirëpritur, sikur të ishit miq të vjetër.”
“Do të më mungojë zemra dhe zëri i saj, ashtu siç do t’u mungojë miliona njerëzve. Çfarë dhurate dhe talenti i jashtëzakonshëm ishte dhe vazhdon të jetë, me një katalog të mrekullueshëm arti që na ka lënë të gjithëve.”
Mick Jagger: “Sa kompozitore dhe këngëtare e mrekullueshme ishte”
Frontmeni i Rolling Stones, Mick Jagger, shkroi:
“Çfarë kompozitoreje dhe këngëtareje e mrekullueshme ishte Dolly. Ajo bashkoi kaq shumë njerëz. Të gjithëve do të na mungojë shumë.”
Paul McCartney: “Është e vështirë të imagjinosh të jetosh në një botë pa Dolly-n”
Paul McCartney tha se ishte “e vështirë ta përpije lajmin” për vdekjen e Parton.
“Ajo ishte një grua kaq e mrekullueshme. E takova për herë të parë në Nashville, në Grand Ole Opry, ku ajo po performonte me yllin e country-t Porter Wagoner dhe ishte gati të niste karrierën e saj solo.”
“Shkrimi i këngëve, këndimi dhe filantropia e saj ishin të pakrahasueshme në botën e muzikës country dhe është e vështirë të imagjinosh të jetosh në një botë pa Dolly-n.”
McCartney e cilësoi gjithashtu një biznesmene shumë të zgjuar, e cila e kuptonte vlerën e muzikës së saj dhe, mbi të gjitha, ndikimin që kishte te njerëzit.
“Nuk kishte nder më të madh për mua sesa ta dëgjoja të këndonte këngën time ‘Let It Be’ dhe, edhe pse unë dhashë vetëm një kontribut të vogël në të, jam shumë krenar që ajo e këndoi. Jam shumë krenar që e kam njohur dhe admiroj talentet e saj unike. Faleminderit, Dolly, për muzikën e bukur që më dhe mua dhe gjithë botës. Ne do të të duam gjithmonë.”
Brandi Carlile shkroi se Parton “i ndërroi krahët e fluturës sot”.
Carlile tregoi se gjatë gjithë javës kishte ndier diçka dhe kishte kënduar këngën e Parton të vitit 1971, “Coat of Many Colors”, ndërsa u kishte kërkuar njerëzve të luteshin çdo ditë pa e ditur përse.
“Ajo më mori fytyrën në duar dhe u lut për mua një herë. Që atëherë nuk kam qenë më e njëjta. Lutjet e saj ndoshta ishin më të fuqishme se të miat apo të kujtdo tjetër, sepse ajo lutje ka pasur një aureolë shumëngjyrëshe, si ylberi, dhe shpresoj të më zgjasë gjithë jetën.”
Carlile kujtoi edhe performancën e Parton në Glastonbury, duke thënë se publiku prej rreth 200 mijë njerëzish iu përgjigj me “amen” kur këngëtarja kërkoi një të tillë.
Hillary Clinton: “Dolly bëri gjithë të mirën që mundi”
Hillary Clinton e kujtoi Parton për “zemrën e saj të madhe”.
“Dolly Parton bëri gjithë të mirën që mundi, për të gjithë njerëzit që mundi, për aq kohë sa mundi. Nga kompozimet e saj legjendare te Imagination Library, e cila dërgonte një milion libra në muaj te fëmijët në të gjithë vendin, ajo ishte më e mira e Amerikës.”
Jeff Bezos: “Ajo na tregoi se çfarë do të thotë të udhëheqësh me dashuri”
Themeluesi i Amazon, Jeff Bezos, shkroi:
“Dolly e kaloi gjithë jetën duke na treguar se çfarë do të thotë të udhëheqësh me dashuri. Lauren dhe unë jemi shumë mirënjohës që e njohëm. Ajo i ngriti të gjithë përmes muzikës së saj, bujarisë dhe gëzimit të saj. Ngushëllimet tona të sinqerta për familjen e saj dhe për këdo që ajo preku.”
Koreografi Derek Hough tha se ishte i zemërthyer nga lajmi.
“Një ikonë absolute, një legjendë e vërtetë jo vetëm për muzikën e saj, por edhe për shpirtin, mirësinë, gëzimin dhe dritën e saj.”
Hough kujtoi momentin kur ndau skenën me të në “Dancing with the Stars” në vitin 2007.
“Isha me fat që ndava skenën me të, diçka që nuk do ta marr kurrë si të mirëqenë. Muzika e saj dhe mënyra se si i bënte njerëzit të ndiheshin do të jetojnë përgjithmonë. Faleminderit, Dolly. Nuk do të harrohesh kurrë.” /KultPlus.com
Një ekspozitë fotografike kushtuar Shën Nënë Terezës është hapur në Zagreb, duke sjellë përmes fotografive momente nga jeta dhe veprimtaria e figurës së njohur shqiptare me famë botërore.
Më 26 gusht 2026, në Atelier LM në Zagreb, u hap ekspozita fotografike “Majka Terezija – St Teresa of Calcutta”, e fotografit të njohur kroat Zvonimir Atletić.
Ekspozita, e organizuar nga Qendra Kroate e Fotografisë (Hrvatski Fotografski Centar), nën drejtimin e Luka Mjedës, sjell përmes objektivit fotografik momente që pasqyrojnë thjeshtësinë, përkushtimin dhe humanizmin e Nënë Terezës – Gonxhe Bojaxhiut.
Përmes fotografive, ajo shfaqet si një figurë që tejkaloi kufijtë e vendeve dhe kulturave, duke u shndërruar në simbol botëror të dashurisë, solidaritetit dhe dinjitetit njerëzor.
Ngjarja kulturore u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Medias të Republikës së Kroacisë, Qytetit të Zagrebit, Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, Ambasadës së Republikës së Indisë dhe Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kroaci.
Në ceremoninë e hapjes, Ambasadën e Kosovës e përfaqësoi këshilltarja Senada Dushi.
Mbështetja e përbashkët e përfaqësive diplomatike të Kosovës, Shqipërisë dhe Indisë i jep ekspozitës një simbolikë të veçantë. Ajo lidh identitetin shqiptar të Nënë Terezës me Indinë, vendin ku ajo zhvilloi misionin e saj humanitar, ndërsa Zagrebi shërben si një hapësirë e kujtesës dhe dialogut kulturor.
Për Ambasadën e Kosovës në Kroaci, ekspozita përbën njëkohësisht një nderim për trashëgiminë e Shën Nënë Terezës – Gonxhe Bojaxhiut dhe një formë të diplomacisë kulturore që synon të ndërtojë ura ndërmjet popujve përmes vlerave universale që ajo përfaqësoi gjatë gjithë jetës.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 9 shtator 2026 në Zagreb./KultPlus.com
Bashkëthemeluesi i Microsoft, Bill Gates, ka paralajmëruar për ndryshimet e thella që Inteligjenca Artificiale pritet të sjellë në shoqëri, duke e cilësuar periudhën që po afron si një nga më të “turbulltat” në historinë moderne.
Në një ese të gjatë dhe në një intervistë për The New York Times, Gates argumenton se Inteligjenca Artificiale nuk është thjesht një tjetër revolucion teknologjik. Sipas tij, shpejtësia me të cilën po zhvillohet kjo teknologji, aftësia e saj për të kryer detyra që më parë kërkonin gjykim njerëzor dhe integrimi i saj i shpejtë në jetën e përditshme po krijojnë një situatë të paprecedentë.
Gates ka shprehur shqetësime edhe për vetë industrinë e IA-së. Sipas tij, njerëzit që e njohin më mirë këtë teknologji mund të jenë më të shqetësuar për rreziqet e saj sesa e pranojnë publikisht, ndërsa interesat e mëdha financiare që lidhen me zhvillimin e saj mund të ndikojnë në mënyrën se si paraqiten këto rreziqe.
Tregu i punës përballë një ndryshimi të shpejtë
Një nga ndryshimet kryesore që Gates veçon është shpejtësia. Ndërsa kompjuteri personal dhe interneti transformuan tregun e punës gradualisht, gjatë disa dekadave, Inteligjenca Artificiale mund të ndryshojë profesione dhe procese të tëra brenda pak vitesh.
Pozicionet e nivelit fillestar dhe të mesëm në fusha si shitjet, shërbimi ndaj klientit, zhvillimi i softuerëve dhe mbështetja ligjore mund të jenë ndër të parat që do të përballen me presionin e automatizimit.
Rreziku, sipas Gates, nuk kufizohet vetëm te profesionet e zyrave. Me zhvillimin e robotëve më fleksibël dhe më të lirë, edhe punë që sot konsiderohen më pak të ekspozuara ndaj automatizimit mund të ndryshojnë.
Veçanërisht të ndjeshme mund të jenë pozicionet hyrëse, të cilat për shumë të rinj përbëjnë pikën e parë të hyrjes në tregun e punës. Nëse këto vende pune automatizohen, brezat e rinj mund ta kenë më të vështirë të fitojnë përvojën fillestare që tradicionalisht u ka shërbyer si bazë për karrierën.
Rreziku i keqpërdorimit
Një tjetër shqetësim i rëndësishëm lidhet me përdorimin keqdashës të Inteligjencës Artificiale. Teknologjia mund të përdoret për sulme kibernetike, mashtrime dhe krijimin e përmbajtjeve gjithnjë e më bindëse.
Në një epokë të deepfake-ve dhe dezinformimit të personalizuar, aftësia për të dalluar informacionin e vërtetë nga ai i manipuluar mund të bëhet gjithnjë e më e vështirë.
Por Gates e sheh biosigurinë si një prej rreziqeve më serioze. Sipas tij, përparimi i modeleve të IA-së mund të ulë pengesat për zhvillimin e agjentëve biologjikë të rrezikshëm, duke u dhënë grupeve të vogla aftësi që dikur kërkonin burime dhe ekspertizë shumë më të mëdha.
Paradoksi, sipas tij, është se të njëjtat mjete mund të përdoren si për mbrojtjen ndaj kërcënimeve biologjike, ashtu edhe për shfrytëzimin e dobësive.
A do të zëvendësojë IA-ja shoqërinë njerëzore?
Gates shpreh shqetësim edhe për mënyrën se si njerëzit po ndërveprojnë me chatbot-et.
Sistemet që janë të disponueshme 24 orë në ditë, komunikojnë vazhdimisht dhe mund t’u ofrojnë përdoruesve një formë “shoqërie”, mund të krijojnë varësi emocionale.
Shqetësimi është veçanërisht i madh për fëmijët dhe të rinjtë, për të cilët përdorimi i vazhdueshëm i këtyre teknologjive mund të ndikojë edhe në mënyrën e të menduarit, komunikimit dhe vlerësimit kritik të informacionit.
Gates nuk kërkon ndalimin e IA-së
Pavarësisht paralajmërimeve, Gates nuk beson se Inteligjenca Artificiale duhet të ndalet.
Përkundrazi, ai sheh potencial të madh në përdorimin e saj në shkencë, shëndetësi, arsim dhe bujqësi, veçanërisht në vendet më të varfra.
Por këto përfitime, sipas tij, nuk do të shfaqen automatikisht. Nevojiten politika të reja, institucione mbikëqyrëse dhe rregulla që të sigurojnë se përfitimet e teknologjisë shpërndahen në mënyrë sa më të gjerë.
Një prej ideve të tij është vendosja e një takse mbi përdorimin e IA-së dhe robotëve. Gates argumenton se sistemi aktual fiskal mund ta favorizojë automatizimin, pasi puna njerëzore ngarkohet me taksa mbi pagat, ndërsa investimet në makineri mund të jenë më të favorshme nga pikëpamja fiskale.
Ai ka propozuar gjithashtu që disa aktivitete të konsiderohen si thelbësisht njerëzore, përmes konceptit që e quan “Njerëzori i Rezervuar”, si dhe ka kërkuar institucione kombëtare dhe ndërkombëtare për mbikëqyrjen e zhvillimit të Inteligjencës Artificiale.
“Ajo që po ndodh është tronditëse”
Paralajmërimet e Gates marrin peshë edhe nga përvoja e tij e gjatë në industrinë e teknologjisë. Ai ka pranuar se zhvillimet e fundit në Inteligjencën Artificiale e kanë befasuar edhe atë, veçanërisht në fusha që njeh nga afër, si programimi.
Mjetet moderne të kodimit të mbështetura nga IA, sipas tij, kanë arritur rezultate që tregojnë se sistemet artificiale mund të tejkalojnë aftësitë njerëzore në detyra të caktuara.
Kjo përfaqëson një ndryshim të dukshëm nga optimizmi i viteve të mëparshme, kur Inteligjenca Artificiale shihej kryesisht si një mjet që do t’i ndihmonte njerëzit të punonin më pak dhe të kishin më shumë kohë për aktivitete të tjera.
Sot, Gates është dukshëm më i kujdesshëm.
Debati, sipas tij, nuk është më nëse Inteligjenca Artificiale do ta ndryshojë botën, por sa shpejt do ta bëjë këtë, kush do të përfitojë, kush do të humbasë dhe nëse institucionet do të arrijnë të krijojnë rregullat e nevojshme përpara se teknologjia të ecë shumë më shpejt se shoqëria./KultPlus.com
Serbia ka vendosur që ta tërheqë ekipin në basketbollin 3×3, ku ishte planifikuar dueli me Kosovën.
Organizatori ka njoftuar për ndryshimet në orarin e transmetimeve të Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026“, pas tërheqjes së Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut nga gara e basketbollit 3×3.
Vendimi i Serbisë tërheq vëmendje të veçantë për Kosovën, pasi përfaqësuesja serbe ishte shortuar në të njëjtin grup me Kosovën, ndërsa dy ekipet kishin të planifikuar përballjen më 29 gusht.
Unioni i Transmetuesve Evropianë-EBU, ka komunikuar se, si pasojë e tërheqjeve, është ndryshuar orari i garave dhe versioni i ri zëvendëson atë të shpërndarë më herët.
Edhe pse nuk është dhënë ndonjë arsye zyrtare që tërheqjen e Serbisë ta lidhë me Kosovën, koha dhe rrethanat e tërheqjes kanë ngritur pikëpyetje, pasi Serbia në të kaluarën, veçanërisht në sportet ekipore, ka shmangur pjesëmarrjen në gara ku është përballur me Kosovën, apo ka kërkuar short pjesërisht të dirigjuar për të mos u vendosur në të njëjtin grup.
Kështu, me tërheqjen e Serbisë, nuk do të zhvillohet as përballja e planifikuar më 29 gusht, Kosovë–Serbi në basketbollin 3×3
Vëmendja tani është edhe te boksi. Mbetet të shihet nëse sot do të ketë zhvillime të ngjashme edhe në finalen e kategorisë deri në 60 kilogramë për femra, ku Donjeta Sadiku do të përballet me rusen me pasaportë serbe, Kristina Kuhulova.
Sadiku synon medaljen e artë në Taranto, në një tjetër përballje që e vendos Kosovën përballë një sportisteje me lidhje me Serbinë.
Meçi i Donjeta Sadikut, vie në transmetim të drejtpërdrejt në RTK, sot në orën 17:15. /rtk/
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa ka zbuluar librin e radhës në rubrikën e saj “Dua’s Monthly Read” për muajin shtator 2026. Zgjedhja e saj është romani “Martyr!” i shkrimtarit iraniano-amerikan Kaveh Akbar, një vepër që ndërthur temat e identitetit, humbjes, varësisë, artit dhe kërkimit të kuptimit të jetës.
Romani ndjek Cyrus Shams, një të ri iraniano-amerikan që përballet me një trishtim të thellë dhe me varësinë e kaluar, ndërsa përpiqet të kuptojë vdekjen e nënës së tij. Ajo humbi jetën në vitin 1988, kur avioni i Iran Air Flight 655 u rrëzua pasi u godit nga një kryqëzor amerikan mbi Gjirin Persik.
Humbja e nënës dhe hija e gjatë e kësaj tragjedie ndikojnë thellësisht në jetën e Cyrusit, i cili, ndërsa përpiqet të jetojë në abstinencë dhe të gjejë një kuptim për ekzistencën e tij, zhvillon një obsesion me martirizimin.
Në përshkrimin e saj për librin, Dua Lipa thotë se romani e ka bërë të mendojë për martirizimin në një mënyrë që nuk e kishte konsideruar më parë.
“‘Martyr!’ më bëri të mendoj për martirizimin në mënyra që nuk i kisha konsideruar kurrë më parë”, shkruan ajo.
Sipas Duas, romani e çon këtë temë përtej konceptit tradicional të sakrificës për një kauzë apo vend. Një moment i rëndësishëm vjen kur Cyrus takon Orkideh, një artiste e sëmurë përfundimisht, e cila po i kalon ditët e fundit të jetës së saj e ekspozuar në Muzeun e Bruklinit.
Ky takim e bën atë ta shohë pyetjen e sakrificës nga një këndvështrim krejt tjetër.
“‘Martyr!’ vlon nga një energji kaotike dhe një etje për jetën që bie ndesh me obsesionin e Cyrusit për vdekjen”, shkruan Dua, duke vlerësuar edhe humorin e veçantë të romanit.
Ajo veçon mënyrën se si personazhi kryesor përpiqet të luajë rolin e “njeriut të mirë” ndërsa punon si aktor mjekësor që simulon dhimbjen për para, si dhe një sekuencë të gjatë ëndrre në të cilën shfaqet edhe personazhi i njohur Lisa Simpson.
Për Duan, “Martyr!” është një libër që arrin të bashkojë tema të rënda me humor dhe një energji të pazakontë.
“Ky roman është i thellë, i sinqertë, rregullisht komik dhe krejt ndryshe nga çdo gjë që kam lexuar më parë”, shprehet ajo.
Me “Martyr!”, Dua Lipa vazhdon rubrikën e saj mujore të leximit, përmes së cilës ndan me ndjekësit libra që i kanë lënë mbresë dhe nxit interesin për letërsinë tek një audiencë të gjerë./KultPlus.com
Sportistët e Kosovës kanë vazhduar të garojnë në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026, ku gjatë ditës të së mërkures janë zhvilluar garat në tenis, qitje sportive dhe padel.
Në tenis, garat për Kosovën nisën të mërkurën me Jasin Jakupin, ndërsa në garë ishin Learta Muharremi dhe Florent Limani, të cilët konkurruan në konkurrencën miks. Në të dyja përballjet, kundërshtarët ishin tenistë nga Malta, ndaj të cilëve përfaqësuesit kosovarë pësuan humbje.
Learta Muharremi dhe Florent Limani do të vazhdojnë garimin edhe në konkurrencën individuale.
Në qitje sportive, Diellza Lluga përfaqësoi Kosovën në disiplinën e pistoletës ajrore 10 metra. Ajo e përfundoi garën në vendin e 26-të, duke grumbulluar 587.4 pikë.
Në të njëjtën disiplinë, por në konkurrencën e meshkujve, Kosovën sot do ta përfaqësojë Nexhat Sahiti.
Ndërkohë, në padel, çifti kosovar në konkurrencën miks, Lavdrim Krasniqi dhe Donika Bashota, arriti deri në çerekfinale.
Në këtë fazë ata u përballën me çiftin italian Casseta dhe Dal Pozzo, ndërsa fitorja i takoi përfaqësuesve të Italisë, të cilët konsiderohen ndër favoritët për medaljen e artë.
Megjithatë, arritja e Krasniqit dhe Bashotës në tetë më të mirat përbën një sukses për ekipin kosovar, pas fitores së tyre ndaj Malit të Zi në fazën paraprake.
Kosova po vazhdon kështu paraqitjet në disiplina të ndryshme sportive në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026, me synimin për rezultate sa më të mira në arenën ndërkombëtare./KultPlus.com
Më 26 gusht 1938, në moshën vetëm 26-vjeçare, u nda nga jeta Migjeni, një prej zërave më të fuqishëm dhe më novatorë të letërsisë shqiptare të shekullit XX. Përmes poezisë dhe prozës së tij, ai solli në letërsi realitetin e dhimbshëm të varfërisë, padrejtësisë dhe dëshpërimit njerëzor, duke u shndërruar në një nga figurat më të rëndësishme të modernizmit shqiptar.
Emri i vërtetë i Migjenit ishte Millosh Gjergj Nikolla. Ai lindi më 13 tetor 1911 në Shkodër dhe, ndonëse jetoi vetëm 26 vjet, la pas një vepër që vazhdon të lexohet, studiohet dhe të ndikojë në brezat e rinj.
Krijimtaria e Migjenit u zhvillua në vitet ’30, në një periudhë të karakterizuar nga ndryshime të mëdha shoqërore e politike. Përballë realitetit të kohës, ai zgjodhi një gjuhë të drejtpërdrejtë, kritike dhe shpeshherë të ashpër, duke sjellë në qendër të letërsisë njerëzit e varfër, të pambrojtur dhe të margjinalizuar.
Në poezinë e tij ndihet vazhdimisht përplasja mes dëshirës për jetë dhe një realiteti që prodhon vuajtje. Varfëria, mjerimi, shtypja, hipokrizia dhe mungesa e shpresës shfaqen jo thjesht si tema letrare, por si plagë të një shoqërie që poeti i vështron me revoltë.
“Vargjet e Lira”, vepra që ndryshoi poezinë shqiptare
Një nga veprat më të rëndësishme të Migjenit është “Vargjet e Lira”, përmbledhje poetike e botuar pas vdekjes së tij, më 1944.
Në këtë vepër, Migjeni i dha poezisë shqiptare një frymë të re. Ai u largua nga idealizimi dhe romantizimi i realitetit, duke zgjedhur të flasë për jetën ashtu siç e shihte: të vështirë, të padrejtë dhe shpeshherë të pamëshirshme.
Poezitë “Kanga e mjerimit” dhe “Poema e mjerimit” janë ndër krijimet e tij më të njohura. Në to, mjerimi njerëzor bëhet një nga figurat qendrore të poezisë së tij, ndërsa zëri poetik merr formën e një proteste kundër një realiteti ku vuajtja ishte kthyer në përditshmëri.
Migjeni nuk shkruan vetëm për të përshkruar. Ai shkruan për të tronditur, për të ngritur pyetje dhe për ta detyruar lexuesin të përballet me atë që shoqëria shpesh përpiqet ta fshehë.
Proza e njerëzve të harruar
Edhe në prozë, Migjeni u përqendrua te shtresat më të pambrojtura të shoqërisë.
Tregime si “Luli i vocërr”, “Zeneli” dhe “Bukuria që vret” sjellin personazhe të zakonshme, por të vendosura përballë rrethanave të jashtëzakonshme të varfërisë dhe padrejtësisë.
Në këto rrëfime, autori tregon jetën e njerëzve që shpesh mbeten jashtë vëmendjes së shoqërisë. Fëmijët, të varfrit dhe njerëzit e margjinalizuar bëhen qendra e një letërsie që nuk i shmanget dhimbjes.
Realizmi i Migjenit është i ashpër, por në të njëjtën kohë mbart një ndjeshmëri të thellë njerëzore. Ai nuk i vështron personazhet e tij nga larg; përmes tyre ai shfaq revoltën ndaj kushteve që i kanë dënuar të jetojnë në mjerim.
Një zë modern në letërsinë shqiptare
Migjeni konsiderohet një prej autorëve që sollën modernizmin në letërsinë shqiptare. Risi e tij nuk qëndron vetëm te temat, por edhe te mënyra e të shkruarit, ritmi, figuracioni dhe gjuha poetike.
Ai guxoi të trajtojë tema që letërsia e kohës shpesh i anashkalonte dhe e vendosi individin përballë një shoqërie të mbushur me kontradikta.
Për këtë arsye, vepra e Migjenit mbetet aktuale edhe shumë dekada pas vdekjes së tij. Pyetjet që ngre për varfërinë, dinjitetin njerëzor, pabarazinë, shpresën dhe përgjegjësinë e shoqërisë nuk i përkasin vetëm kohës në të cilën ai jetoi.
Jeta e Migjenit u ndërpre më 26 gusht 1938, kur ai vdiq nga tuberkulozi në moshën vetëm 26-vjeçare. Por vdekja e hershme nuk e zbehu ndikimin e tij. Përkundrazi, vepra e mbetur pas tij u bë një prej pikave të referimit të letërsisë moderne shqiptare.
Migjeni mbetet një shkrimtar që nuk iu shmang realitetit. Ai zgjodhi të fliste për ata që nuk kishin zë, të përshkruante plagët e shoqërisë dhe ta kthente revoltën në art.
Më shumë se tetë dekada pas vdekjes së tij, Migjeni vazhdon të jetë një nga zërat më të fuqishëm të letërsisë shqiptare. Poezitë dhe tregimet e tij dëshmojnë se letërsia mund të jetë njëkohësisht art, dëshmi dhe protestë — një mënyrë për ta parë shoqërinë në pasqyrë dhe për të mos lejuar që dhimbjet e saj të harrohen./KultPlus.com