Normal view

IGJEO: Rrezik i lartë për zjarre në pesë qarqe, temperaturat deri në 40°C

By: A R
10 August 2026 at 16:06

Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) ka paralajmëruar nivel të lartë rreziku për zjarret në pyje gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme në pesë qarqe të vendit.

Sipas IGJEO-s, rrezik “I LARTË” pritet në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan dhe Fier, ndërsa në Shkodër, Kukës, Dibër, Berat, Vlorë, Gjirokastër dhe Korçë niveli i rrezikut parashikohet “I MODERUAR”.

Në disa qarqe, rreziku i lartë pritet vetëm në zona të lokalizuara, konkretisht në jugperëndim të Shkodrës, qendër të Kukësit, jugperëndim të Dibrës, verilindje të Korçës dhe veriperëndim të Beratit.

Instituti thekson se rreziku pritet të jetë më i lartë gjatë ditës së nesërme.

Sa i përket kushteve meteorologjike, pasditen e sotme priten reshje lokalisht të dobëta në qarqet Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa në pjesën tjetër të vendit nuk parashikohen reshje. Për të martën nuk priten reshje.

Temperaturat minimale dhe maksimale pritet të luhaten nga 23 deri në 35° C në zonat bregdetare, 22 deri në 39° C në vendet e ulëta dhe 16 deri në 34°C në zonat malore.

Era pritet të jetë e lehtë deri mesatare, ndërsa në bregdet dhe zonat malore, mund të jetë e fortë.

Rekord në aviacionin civil/ Karakaçi: 6 milionë pasagjerë në Rinas, 900 mijë më shumë se vjet

By: A R
10 August 2026 at 16:02

Viti 2026 po shënon një rekord të ri sa i takon aviacionit civil, duke arritur në shifra të paregjistruara më parë. Sezoni turistik veror është periudha e cila shënon një fluks të lartë sa i takon numrit të fluturimeve dhe pasagjerëve.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi ishte pranë Albcontrol, ku u njoh nga drejtori Dritan Isaku, me të gjithë procesin që po bëhet për menaxhimin e fluksit të fluturimeve, si dhe masat e marra për të garantuar një proces pa problematika dhe vonesa.

Drejtori Isaku bëri të ditur se prej muajit janar dhe deri në korrik janë përpunuar rreth 242 mijë fluturime, 11% më shumë, krahasuar me vitin e kaluar, ndërkohë që janë marrë të gjitha masat, duke shtuar edhe stafin, për t’ju përgjigjur fluksit në rritje.

“Në dy-tre vitet e fundit, për shkak të rritjes së trafikut në aeroportin e Tiranës, ky sektor ka pasur një ngarkesë të shtuar. Kemi marrë masa dhe me shtimin e stafeve për përballimin e sezonit dhe për përballimin e të gjithë situatave, qoftë të pazakonta ose emergjente, të cilat edhe mund të ndodhin, por për moment nuk kemi patur asnjë problematikë”, tha Isaku.

Aktualisht aeroporti ndërkombëtar i Tiranës klasifikohet si aeroporti me ngarkesën më të madhe në Ballkan.

Ministri Karakaçi tha se vit pas viti Shqipëria po regjistron shifra rekord sa i takon aviacionit civil, i cili nga ana e tij po i përgjigjet të gjithë këtij fluksi në mënyrë më të mënyrë duke mos sjellë asnjë vonesë në përpunimin e pasagjerëve.

“Ne vazhdojmë përsëri me rritjen e trafikut ajror. Nga viti në vit kemi rritje. Edhe këtë vit, në krahasim me vitin 2025, si për kategorinë e ulje-ngritjeve nga aeroporti i Tiranës, ashtu edhe për trafikun që kalon mbi kufirin shqiptar, kemi një rritje dyshifrore. Dhe po ashtu është edhe shumë evidente në fakt, që duhet theksuar, që edhe puna shumë e mirë e menaxhimit të aeroportit të Tiranës, pasi në këtë 6-mujor që ne kemi shifrat zyrtare, kemi një numër pasagjerësh pothuajse mbi 17% të zbritur në aeroportin e Tiranës, rreth 6 milionë dhe për ta krahasuar me vitin 2025 kemi rreth 900 mijë pasagjerë më shumë. Konfirmim i trendit të rritjes së menaxhimit të aeroportit, por edhe atë çfarë është evidente në të gjithë Shqipërinë, i fluksit të rritjes së turistëve dhe i menaxhimit të mirë që bëhet në aeroportin e Tiranës”, tha Karakaçi.

Të gjitha shifrat, shtoi Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë dëshmojnë edhe një herë se tashmë Shqipëria ka hyrë në një fazë të re zhvillimi. “Ne po vazhdojmë rritjen vit pas viti në industrinë e aviacionit civil. Dhe kjo vjen shumë qartë për shkak të politikave të Qeverisë Shqiptare në aviacionin civil që kanë bërë të mundur edhe diversifikimin e operatorëve dhe linjave të trafikut ajror, duke krijuar kështu edhe mundësi më të mira për turizmin, por edhe mundësi për ndërlidhje më të mira ekonomike ndërmjet shteteve, pasi linjat ajrore intensifikojnë marrëdhëniet mes shteteve”, nënvizoi Krakaçi.

Një element i rëndësishëm është edhe rritja e numrit të desitacioneve të cilat kanë sjellë në Shqipëri turistë dhe vizitorë nga shumë vende të botës të cilët tashmë kanë mundësi ta aksesojnë vendin tonë përmes linjave direkte të fluturimeve.

“Rama po shet propagandë,”/ Balliu akuzon qeverinë për aferë me industrinë ushtarake: “Timak Defence” e Rony Yefet ka vetëm 1,500 euro aktive prodhuese. SPAK të verifikojë përdorimin e KAYO

By: A R
10 August 2026 at 15:43

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë lidhur me projektin e industrisë ushtarake dhe partneritetin mes shoqërisë publike KAYO dhe kompanisë private Timak Defence. Në një deklaratë publike, Balliu pretendon se automjetet e prezantuara nga kryeministri Edi Rama si pjesë e prodhimit “Made in Albania” nuk përfaqësojnë një industri të mirëfilltë ushtarake shqiptare.

Sipas deputetit demokrat, bilancet e kompanisë Timak Defence ngrenë pikëpyetje mbi kapacitetet reale të saj prodhuese.

Balliu deklaron se kompania është krijuar më 4 gusht 2025 dhe se në fund të dhjetorit kishte 14 punonjës, ndërsa fondi total i pagave për pesë muaj ishte 5.8 milionë lekë. Ai pretendon gjithashtu se aktivet afatgjata të kompanisë, ku përfshihen makineritë dhe pajisjet, kapnin vetëm rreth 146 mijë lekë, ose afërsisht 1,500 euro.

 

 

“Me 1,500 euro nuk ndërtohet një fabrikë automjetesh ushtarake. Me 1,500 euro nuk prodhohen automjete të blinduara”, deklaroi Balliu, duke e përdorur këtë shifër si argument për të vënë në dyshim kapacitetet prodhuese të kompanisë.

Deputeti i PD-së pretendon se, ndërkohë që aktivet afatgjata të kompanisë janë shumë të ulëta, ajo rezulton të ketë mbi 10.5 milionë euro aktive afatshkurtra, të cilat sipas tij lidhen kryesisht me parapagime të marra përmes kontratave me shtetin.

Balliu e cilësoi këtë situatë si një tregues të një modeli që, sipas tij, nuk përfaqëson industrializim të mirëfilltë, por një mekanizëm që favorizon një kompani të caktuar.

Ai ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi mënyrën se si automjete të markave ndërkombëtare, përfshirë Toyota Land Cruiser dhe MAN, prezantohen si pjesë e prodhimit shqiptar.

Sipas tij, qeveria duhet të sqarojë se cila është vlera e shtuar që krijohet realisht në Shqipëri përmes punës, kapitalit dhe teknologjisë. Në deklaratën e tij, Balliu kërkoi publikimin e të gjitha kontratave të lidhura mes KAYO, Timak Defence dhe institucioneve shtetërore.

Ai kërkoi gjithashtu transparencë mbi mënyrën e përzgjedhjes së kompanisë, vlerën e kontratave dhe burimin e financimit.

Deputeti demokrat i bëri thirrje SPAK-ut që të hetojë mënyrën e dhënies së kontratave, përdorimin e shoqërisë publike KAYO dhe nëse ka pasur shkelje të ligjit apo eliminim të konkurrencës.

“Ky nuk është industrializim. Ky është industrializimi i korrupsionit”, deklaroi Balliu.

Akuzat e deputetit të PD-së përbëjnë pretendime politike dhe ekonomike, ndërsa për verifikimin e tyre nevojitet shqyrtimi i dokumenteve zyrtare, kontratave dhe bilanceve të kompanive përkatëse. Deri në këtë fazë, deklarata e Balliut nuk përbën në vetvete provë përfundimtare se ka pasur shkelje ligjore apo korrupsion.

Balliu e mbylli deklaratën duke kërkuar që çështja të hetohet dhe që qytetarët të kenë transparencë të plotë mbi përdorimin e fondeve publike në projektet e industrisë së mbrojtjes.

Deklarata e deputetit të PD, Klevis Balliu:

Prej kohësh, Edi Rama po përpiqet t’u shesë shqiptarëve mashtrimin e radhës, duke e paraqitur si ‘industri ushtarake shqiptare’ atë që në fakt duket si një tjetër aferë e ndërtuar me paratë e taksapaguesve.

Me propagandë të përditshme, kryeministri promovon 40 automjete ushtarake si ‘Made in Albania’, duke pretenduar se Shqipëria ka hyrë në industrinë e prodhimit të mjeteve ushtarake përmes partneritetit mes shoqërisë publike KAYO dhe kompanisë private Timak Defence të Rony Yefet.

Por propaganda e Edi Ramës përplaset me faktet.

Kur qytetarët ngritën pyetjen e thjeshtë se si automjete të markave Toyota, Land Cruiser apo MAN mund të quhen prodhim shqiptar, kryeministri nuk dha asnjë shpjegim ekonomik. Ai zgjodhi propagandën dhe sulmin ndaj kritikëve.

Por në ekonomi propaganda nuk ka vlerë. Vlerë kanë vetëm faktet.

Nëse një vend prodhon, kjo provohet nga vlera e shtuar që krijohet përmes punës, kapitalit dhe teknologjisë.

Le të shohim faktet.

Sipas bilancit zyrtar, Timak Defence është krijuar më 4 gusht 2025. Në fund të muajit dhjetor kompania kishte vetëm 14 punonjës dhe një fond total pagash prej 5.8 milionë lekësh, ose rreth 61 mijë euro për pesë muaj.

Kjo do të thotë se fondi mesatar i pagave është vetëm 12 mijë euro në muaj, ndërsa paga mesatare bruto për punonjës është rreth 860 euro.

Pra, sipas vetë bilancit të kompanisë, e gjithë vlera e shtuar nga puna në Shqipëri është vetëm 12 mijë euro në muaj, ose rreth 150 mijë euro në vit.

Këto nuk janë shifra të një industrie ushtarake. Janë shifra të një biznesi të vogël.

Po aq domethënës është edhe kapitali prodhues.

Bilanci zyrtar tregon se aktivet afatgjata të kompanisë, pra makineritë, pajisjet dhe linjat e prodhimit, janë vetëm 146 mijë lekë, ose rreth 1 500 euro.

Po, vetëm 1 500 euro aktive prodhuese.

Me 1 500 euro nuk ndërtohet një fabrikë automjetesh ushtarake. Me 1 500 euro nuk prodhohen automjete të blinduara. Me 1 500 euro nuk krijohet një industri që Edi Rama e shet si krenari kombëtare.

Ndërkohë, kompania rezulton të ketë mbi 10.5 milionë euro aktive afatshkurtra, të krijuara kryesisht nga parapagimet e marra përmes kontratave me shtetin shqiptar.

Pra, investimi real në kapacitete prodhuese është pothuajse zero, ndërsa milionat e taksave të shqiptarëve kanë hyrë në llogaritë e kompanisë.

Kjo është arsyeja pse Partia Demokratike ngre dyshime serioze se nuk kemi të bëjmë me një histori suksesi industrial, por me një skemë të ndërtuar për të eliminuar konkurrencën dhe për të garantuar fitime të privilegjuara me paratë e qytetarëve.

Në vend që ushtria shqiptare të furnizohet përmes tenderëve të hapur ndërkombëtarë, ku kompanitë konkurrojnë për çmimin dhe cilësinë më të mirë, qeveria ka krijuar një mekanizëm ku një kompani e favorizuar shfaqet si ‘prodhues’, ndërkohë që bilancet e saj nuk pasqyrojnë as kapacitetet minimale të një industrie prodhuese.

Ky nuk është industrializim. Ky është industrializimi i korrupsionit.

Edi Rama nuk po ndërton industri shqiptare. Ai po ndërton monopole me paratë e shqiptarëve dhe më pas i shet ato si histori suksesi.

Sa herë që një qeveri zëvendëson konkurrencën me privilegjin, tregun me klientelizmin dhe prodhimin me propagandën, humbësi është qytetari shqiptar.

Partia Demokratike kërkon publikimin e menjëhershëm të të gjitha kontratave të lidhura mes KAYO, Timak Defence dhe institucioneve shtetërore, si dhe transparencë të plotë mbi mënyrën e përzgjedhjes së kësaj kompanie, vlerën e kontratave dhe burimin e financimit.

Ne i bëjmë thirrje SPAK-ut të hetojë këtë skemë deri në fund, të verifikojë mënyrën e dhënies së kontratave, eliminimin e konkurrencës, përdorimin e shoqërisë publike KAYO dhe çdo element që mund të përbëjë shkelje të ligjit.

Shqiptarët nuk kanë nevojë për spektakle propagandistike dhe gënjeshtra të ricikluara.

Ata kanë nevojë për një qeveri që ndërton industri të vërtetë, jo fasada; që krijon vende pune, jo monopole; që respekton taksat e qytetarëve, jo i përdor ato për të ushqyer klientët e pushtetit.

Bilancet nuk gënjejnë. Shifrat nuk gënjejnë. Ato tregojnë se pas propagandës së Edi Ramës fshihet një tjetër aferë që meriton hetim të plotë dhe përgjegjësi politike e ligjore.

Tirana pa ujë 24 orë, por Ujësjellësi shënon rekord fitimesh

By: A R
10 August 2026 at 11:26

Dy kompani shtetërore, “Ujesjellës dhe kanalizime Tiranë” dhe prodhuesi i kartave të identitetit “Identitek”, që si qëllim parësor kanë ofrimin e shërbimeve ndaj publikut, janë kthyer në fakt në makineri të mëdha fitimi për shtetin dhe nuk i kanalizojnë këto fitime në ulje të tarifave për konsumatorët.

Sipas të dhënave të publikuara në raportet vjetore, Ujësjellës-Kanalizime  i Tiranës raportoi të ardhura prej 4.5 miliardë lekësh në vitin 2025, me rritje të letë prej 2.7%. Fitimi para taksave u rrit ndjeshëm me gati 30%, në 1.5 miliardë lekë (rreth 16 milionë euro).

Edhe kompania shtetërore e prodhimit të kartave të identitetit dhe pasaportave, “Identitek”, e cila ka vijuar aktivitetin e koncesionarit “Aleat”, ka raportuar të ardhura prej 3.5 miliardë lekësh në 2025-n, me rënie vjetore prej 3.8%. Edhe në këtë rast, 2025-a ka qenë pozitiv për fitimet që kanë arritur në gati 1.8 miliardë lekë (rreth 19 milionë euro), me rritje 10% nga viti i mëparshëm.

Të dy operatorët shtetërorë kanë fituar së bashku rreth 3.3 miliardë lekë, ose gati 35 milionë euro në 2025-n.

Normat e fitimit të tyre luhaten në 30-50%, shumë më të larta sesa mesatarja e tregut, që luhatet në rreth 9-10%, sipas INSTAT.

Në praktikën ndërkombëtare, kompanitë që ofrojnë shërbime publike në kushte monopoli zakonisht rregullohen me parimin që tarifat të mbulojnë kostot e shërbimit, investimet e nevojshme dhe një kthim të arsyeshëm, por jo të prodhojnë norma të larta fitimi të shkëputura nga cilësia e shërbimit.

Në sektorin e ujit psh, OECD e vendos theksin te balanca mes rikuperimit të kostove, qëndrueshmërisë financiare dhe përballueshmërisë së tarifave për konsumatorët

Ujësjellësi i Tiranës, normë fitimi 33%, por nuk ka ujë 24 orë në ditë

Ujësjellës-kanalizime i Tiranës raportoi një normë fitimi prej 33% në 2025-n, ndërsa në vlerë fitimi arriti rekord, që nga 2018-a. Niveli më i lartë i fitimeve para taksave deri tani ishte në 2023-n, në gati 1.3 miliardë lekë.

Në vitin 2018, çmimi i ujit në Tiranë u rrit mesatarisht me 44%. Nga ai vit, që përkon dhe me kohën, kur filloi të operaonte si e vetme, pas ndarjes me Kamzën dhe Vorën, Ujësjellësi Tiranë raporton fitime prej 10-12 milionë euro në vit (përveç 2020-s).

Në atë kohë, rritja e çmimit  u argumentua atëherë me nevojën për të përmirësuar gjendjen financiare të UKT-së dhe për të financuar investime që synonin furnizimin e Tiranës me ujë 24 orë në ditë brenda pesë viteve.

Të dhënat zyrtare të Entit Rregullator të Ujit tregojnë se objektivi nuk u realizua. Në vitin 2024, Ujësjellës-Kanalizime Tiranë raportonte mesatarisht vetëm 17 orë furnizim me ujë në ditë, një nivel i pandryshuar nga 2022 dhe 2023, por shumë zona kanë ujë vetëm disa orë në ditë.

Fitimi kumulativ para taksave i ujësjellësit nga 2018-a arrin në rreth 9.1 miliardë lekë në 2018-2025.

Qytetarët ndërkohë detyrohen të blejnë ujin e pijshëm për shkak të cilësisë së dobët të ujit të rubinetit.

“Identitek” fiton gjysmën e shpenzimeve të publikut për karta identiteti

“Identitek2 kishte një kthim edhe më të lartë prej 51%, që do të thotë që për çdo 100 lekë që arkëtohen nga ata që duan të marrin një pashaportë apo kartë identiteti, 51 lekë janë fitime të kompanisë.

“Identitek” filloi aktivitetin e prodhimit të kartave të identitetit në vitin 2023, pas përfundimit të koncesionit të kompanisë franceze, “Aleat”. “Identitek” ia ka kaluar dhe koncesionarit, që në vitin e tij më të mirë, në 2021-n, kishte një normë fitimi prej 40%, teksa arriti të ardhura prej 5.5 miliardë lekësh.

Shtetasit shqiptarë kanë ndërkohë kostot më të larta në rajon për marrjen e pasaportave dhe kartave të identitetit. Në Shqipëri për të marrë një pasaportë biometrike duhen paguar 7500 lekë, ose rreth 75 euro.

Me afat të përshpejtuar, për 2-3 ditë, tarifa rritet në 18 mijë lekë (rreth 180 euro).

Mesatarja europiane luhatet në rreth 70–80 euro, pra dukshëm më e lartë se vendet e Ballkanit Perëndimor, ku çmimet janë mes 30–40 euro, përveç Shqipërisë që është shumë më pranë mesatares së BE-së./Monitor

Denis Bajri akuzon Ibrahim Licin për atentatin në burg: Urdhëroi të më vrisnin brenda qelisë

By: A R
10 August 2026 at 11:02

Denis Bajri alias Brajovic akuzon kundërshtarin e tij të përbetuar të shumëkërkuarin Ibrahim Lici, se urdhëroi sulmin ndaj tij brenda qelisë së burgut të Fierit. Gjatë dëshmisë së dhënë para hetuesve Bajri, të cilin tentuan ta vrisnin me thikë artizanale brenda burgut, ka pretenduar se Jurgen Zotaj e sulmoi me porosi të Licit.

“Aldo Gjini kërkoi të më takonte. Ai erdhi ne qelinë time bashkë me Jurgen Zoton. Ky i fundit më dha një telefon. Në linjë ishte Ibrahim Lici. Ai më tha jeta jote kaq e pat!. Në atë moment Zoto tentoi të më sulmonte me thikë”, deklaroi ndër të tjera Denis Bajri.

Gjatë përleshjes, Bajri dhe Zoto mbetën të plagosur dhe u trasportuan për ndihmë mjekësore. Pas ngjarjes, Komisioni i Disiplinës në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve vendosi të përjashtojë 8 efektive të policisë dhe t’i referojë në prokurori për shpërdorim detyre. Shërbimi për çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Burgje është duke hetuar për të nxjerrë përgjegjësinë e punonjësve të policisë, të cilët kanë lejuar lëvizjet e të dënuarve dhe të paraburgosurve nga njëra godinë në tjetrën, si dhe faktin se ata kishin telefon, send rreptësishtë i ndaluar në qeli.

Komisioni i disiplinës urdhëroi masën e izolimit për 3 muaj për Gjinin e Zotaj. Aldo Gjini u transferua në Drenovë, ndërsa Zoto në burgun e Burrelit.

Zjarret në vend, 5 vatra mbeten ende aktive/ Ministria e Mbrojtjes bën bilancin gjatë 24 orëve: Në terren mbi 300 forca operacioneve dhe 150 efektivë të FA

By: A R
10 August 2026 at 09:36

Ministria e Mbrojtjes njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 27 vatra zjarri në të gjithë vendin. Pesë prej tyre vijojnë të jenë aktive, ndërsa dy të tjera po mbahen nën monitorim.Për përballimin e situatës janë angazhuar 42 automjete zjarrfikëse dhe 371 forca operacionale. Në mbështetje të operacioneve janë vënë edhe 153 efektivë të Forcave të Armatosura, 6 automjete zjarrfikëse, një autoambulancë e FA-së, 4 helikopterë dhe një avion “Air Tractor” i Forcës Ajrore.

Kavajë dhe Tirane

Në Cikallesh, në bashkinë Kavajë, ekipet vijojnë punën për eliminimin e vatrave të mbetura. Situata nuk paraqitet problematike dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara.

 

 

Në Dajt dhe Priskë të Madhe, situata vijon të monitorohet dhe deri tani nuk raportohet rrezik për banesat.

Mallakastër

Në zonën Panahor–Ndrenie–Vlosh, zjarri është nën kontroll. Edhe në Koilaç–Greshicë/Hekal situata është stabilizuar dhe nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara.

Krujë

Në Abaze, zjarri është reduktuar në vatra të vogla dhe nuk paraqet rrezik për komunitetin.

Në Krastë, për shkak të terrenit të vështirë, ndërhyrja po mbështetet nga ajri me një helikopter të Forcës Ajrore. Pranë vatrës nuk ka banesa dhe nuk raportohet rrezik i drejtpërdrejtë për komunitetin.

Kurbin

Në Vilëz, zjarri vijon të jetë aktiv. Ndërhyrja e dy helikopterëve të Forcave të Armatosura gjatë ditës së djeshme ka frenuar përhapjen e flakëve dhe ka shmangur rrezikun për kishën, varrezat dhe banesat.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit janë shuar plotësisht edhe disa vatra të tjera, përfshirë ato në Xhaferaj–Oblikë, Spatharë dhe Kodrën e Butë në Cërrik.

AKMC dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë monitorimin dhe koordinimin e operacioneve në terren, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe zonave të banuara.

Tajfuni “Dolphin” godet Kinën/ Mbi 1 milion të evakuuar, anulohen 1,400 fluturime në Shangai

By: A R
10 August 2026 at 09:34

Një prej stuhive më të fuqishme të sezonit ka goditur Kinën lindore, duke detyruar autoritetet të evakuojnë më shumë se një milion njerëz dhe të ndërpresin një pjesë të madhe të transportit në rajon. Tajfuni “Dolphin” ka sjellë erëra të forta, reshje intensive dhe përmbytje, ndërsa autoritetet paralajmërojnë për rrezik të shtuar gjatë ditëve në vijim.

Sipas autoriteteve meteorologjike kineze, tajfuni arriti në tokë për herë të parë në Yuhuan, në provincën Zhejiang, me erëra që arrinin shpejtësinë 150 km/orë. Rreth një orë më vonë, stuhia goditi për herë të dytë pranë qytetit të Wenzhou.

Tajfuni ka shkaktuar ndërprerje të rëndësishme të transportit në të gjithë rajonin. Vetëm në Shangai janë anuluar rreth 1,400 fluturime, ndërsa shërbime të tjera transporti janë pezulluar për shkak të kushteve të rrezikshme atmosferike.

 

 

Autoritetet kineze kishin shpallur më herët alarmin e kuq, nivelin më të lartë të paralajmërimit për mot të rrezikshëm, por të hënën në mëngjes e ulën nivelin e alarmit pasi stuhia filloi të dobësohej.

Megjithatë, rreziku mbetet i lartë.

Reshje të dendura dhe rrezik për përmbytje

Tajfuni “Dolphin” po lëviz drejt brendësisë së Kinës, ndërsa meteorologët paralajmërojnë për reshje të rrëmbyeshme, përmbytje të mëdha dhe rrëshqitje dheu deri të mërkurën.

Reshje të dendura janë parashikuar në provincat Shandong, Henan, Hubei, Anhui, Jiangsu dhe Zhejiang, si dhe në qytetin e Shangait.

Në disa zona të Zhejiang, parashikohet që sasia e reshjeve të arrijë nga 250 deri në 500 milimetra gjatë ditëve të ardhshme.

Pamjet e publikuara nga mediat shtetërore kineze tregojnë rrugë të përmbytura në Shangai, ndërsa disa biznese në katet përdhese janë mbuluar nga uji. Banorët janë parë duke lëvizur nëpër ujëra që arrijnë deri në kyçet e këmbëve.

Qindra mijëra të zhvendosur

Në Wenzhou, autoritetet kanë zhvendosur rreth 900,000 banorë dhe kanë hapur më shumë se 1,000 strehimore emergjente.

Në Taizhou, rreth 390,000 persona janë evakuuar nga banesat e tyre.

Në Hangzhou, kryeqytetin e provincës Zhejiang, autoritetet kanë hequr tarifat e parkimit në hapësirat publike për shoferët që kërkojnë strehim për shkak të erërave të forta dhe përmbytjeve.

Ndërkohë, qeveritë lokale u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin aktivitetet në natyrë.

Disa prej atraksioneve më të njohura turistike janë mbyllur përkohësisht, përfshirë pjesë të Disneyland dhe Legoland, si dhe disa platforma panoramike përgjatë zonës së Bund në Shangai.

Një tajfun me jetëgjatësi të pazakontë

Sipas transmetuesit shtetëror kinez CCTV, stuhia ka përshkuar një distancë prej rreth 6,000 kilometrash përpara se të arrinte në tokë.

Kjo sugjeron një jetëgjatësi më shumë se tre herë më të madhe se ajo e një tajfuni mesatar.

CCTV raportoi gjithashtu se “Dolphin” ka një qarkullim masiv dhe kapacitet të lartë për prodhimin e reshjeve, faktorë që mund të rrisin ndjeshëm rrezikun e përmbytjeve në ditët e ardhshme.

Autoritetet kineze mbeten në gatishmëri ndërsa tajfuni vazhdon të zhvendoset drejt brendësisë së vendit.

❌