Normal view

Tragjedi gjatë aksionit kundër flakëve në Greqi/ Përplasen dy helikopterë zjarrfikës, dy të vdekur e dy të plagosur!

By: A R
2 August 2026 at 19:25

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë operacioneve për shuarjen e zjarrit masiv në zonën e Psathës, në Atikë, ku dy helikopterë zjarrfikës janë përplasur me njëri-tjetrin në ajër. Për pasojë, dy persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Sipas informacioneve paraprake nga autoritetet, viktimat janë një shtetas grek dhe një shtetas rumun, ndërsa dy anëtarët e tjerë të ekuipazheve janë shpëtuar me sukses nga forcat e kërkim-shpëtimit.

Shërbimi Zjarrfikës i Greqisë konfirmoi përmes një njoftimi zyrtar se dy helikopterët e tipit Bell, të marrë me qira për operacionet në zonën Atikë–Beoti, u përplasën gjatë ndërhyrjes për shuarjen e flakëve. Mjetet ajrore ishin ngritur pak më parë nga aeroporti i Elefsinës.

 

Në bordin e dy mjetëve ndodheshin gjithsej katër persona (dy shtetas grekë dhe dy të huaj). Burime nga kompania që kishte dhënë me qira helikopterët bëjnë me dije se dyshimet e para për shkakun e përplasjes tragjike lidhen me një gabim njerëzor.

 

Menjëherë pas aksidentit u aktivizua me urgjencë operacioni i kërkim-shpëtimit. Ekipet e emergjencës arritën të lokalizonin katër anëtarët e ekuipazheve, ku dy prej tyre u dërguan në spital me plagë, ndërsa dy të tjerët u nxorën pa shenja jete. Autoritetet greke kanë nisur hetimet e plota për zbardhjen e rrethanave të kësaj tragjedie.

“Disa deputetë tanë bënë ‘tribunin e vegjëlisë’”, Kundërshtitë për reformën territoriale, reagon Rama: Djegia e teserave të PS, akti i turpshëm

By: A R
2 August 2026 at 18:52

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj debateve dhe kundërshtimeve të ngritura pas publikimit të propozimit për reformën e re administrativo-territoriale, duke hedhur poshtë pretendimet se brenda PS ka protesta kundër nismës.

Në një reagim në platformën X, Rama e quan të turpshme aktin e djegies së teserave të PS, ndërsa thekson se ka deputetë brenda të majtës që siç thotë ai “kanë bërë “tribunin e vegjëlisë” pa ditur tamam çfarë thonë”.

“Vazhdon qarja e hallit të kalorësit se po i varen këmbët, së fundi edhe me një agjitim të madh nga vajtorët e vajtojcat, që tanimë po protestohet edhe “brenda PS” dhe kjo qenka një shenjë tmerrësisht e keqe për “regjimin”. Në fakt jo, përjashto aktin e turpshëm të djegies së teserave të PS në një rast, nga disa individë që as vetë s’kanë ditur tamam ç’kanë bërë apo ndonjë rast kur deputetë tanët kanë bërë “tribunin e vegjëlisë” pa ditur tamam çfarë thonë, gjithçka tjetër është jo vetëm normale po edhe e mirëseardhur”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se drafti i reformës administrativo-territoriale ndodhet në fazën 60-ditore të konsultimit publik, duke i dhënë mundësi qytetarëve, institucioneve dhe pushtetit vendor të shprehin qëndrimet e tyre.

“Të gjithë do të informohen shumë më tepër përgjatë këtyre 60 ditëve lidhur me arsyet logjike të propozimeve – ku nuk ka pasur si të merren parasysh reputacioni i zonës bashkiake që nga koha e antikitetit, numri i të rënëve në luftrat e 2000 vjetëve të fundit apo të tjera të dhëna e gojëdhana të kësaj natyre, të cilat s’kanë qenë dhe s’mund të jenë farë argumenta në këtë debat”, shkruan kryeministri.

Reagimi i Edi Ramës

Vazhdon qarja e hallit të kalorësit se po i varen këmbët, së fundi edhe me një agjitim të madh nga vajtorët e vajtojcat, që tanimë po protestohet edhe “brenda PS” dhe kjo qenka një shenjë tmerrësisht e keqe për “regjimin”.

Në fakt jo, përjashto aktin e turpshëm të djegies së teserave të PS në një rast, nga disa individë që as vetë s’kanë ditur tamam ç’kanë bërë apo ndonjë rast kur deputetë tanët kanë bërë “tribunin e vegjëlisë” pa ditur tamam çfarë thonë, gjithçka tjetër është jo vetëm normale po edhe e mirëseardhur.

Një, sepse dokumenti i reformës së propozuar është pikërisht në fazën e vet të konsultimit publik ligjor prej 60 ditësh dhe kjo fazë do të thotë pikërisht, bujrum gjithkush të shprehet lirisht për propozimin.

Dy, sepse sipas ligjit kryetarët e bashkive e këshillat bashkiakë duhet të shprehen me shkrim për qëndrimet e tyre dhe është krejt e kuptueshme që ata që janë kundër të shprehen edhe me forma të tjera paqësore – për sa kohë nuk bllokojnë rrugë e nuk pengojnë të tjerët të bëjnë jetën e tyre, duke u futur vetë në konflikt me ligjin dhe me PS bashkë.

Tre, sepse as në Shqipëri nuk ka regjim, as në PS nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë vendim për të shkurajuar askënd që të shprehë opinionin e vet për këtë reformë, për të cilën sigurisht do të vendosë parlamenti, por deri atëherë të gjithë do të dëgjohen, përfshirë edhe bashkitë që mund të duan të integrojnë tek vetja bashki më të vogla që në propozimin aktual mbeten siç janë.

Nga ana tjetër të gjithë do të informohen shumë më tepër përgjatë këtyre 60 ditëve lidhur me arsyet logjike të propozimeve – ku nuk ka pasur si të merren parasysh reputacioni i zonës bashkiake që nga koha e antikitetit, numri i të rënëve në luftrat e 2000 vjetëve të fundit apo të tjera të dhëna e gojëdhana të kësaj natyre, të cilat s’kanë qenë dhe s’mund të jenë farë argumenta në këtë debat.

U aksidentua në minierën e Tërnovës, gjendet trupi i pajetë i 40-vjeçarit (EMRI)

By: A R
2 August 2026 at 18:39

Është bërë e mundur nxjerrja nga galeria e trupit të minatorit Ilir Kolaveri, i cili humbi jetën në minierën e Tërnovës në Bulqizë.

Sipas informacioneve, 40-vjeçariIlir Kolaveri, dyshohet se ra në një furnel, ku më pas është mbuluar nga një masiv gurësh.

Pas nxjerrjes nga galeria, trupi është transportuar drejt Tiranës, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore për përcaktimin e plotë të shkaqeve të vdekjes.

Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të këtij aksidenti tragjik në minierë.

Burime bëjnë me dije se miniera e kromit në Tërnovë administrohet nga kompania “Eternal Security”.

Reforma territoriale, ish-ministri socialist akuzon Ramën: Centralizoi pushtetin dhe injoroi rekomandimet e BE

By: A R
2 August 2026 at 18:36

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka lëshuar akuza dhe kritika të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe reformës territoriale të ndërmarrë nga qeveria socialiste.

Përmes një interviste te Syri TV, Malaj deklaroi se kjo reformë nuk arriti të forconte pushtetin vendor, por përkundrazi, dobësoi demokracinë lokale duke u konceptuar e gjitha mbi interesa elektorale.

Sipas ish-ministrit socialist, përqendrimi i kompetencave në duart e pushtetit qendror ka zbehur autonominë e bashkive në vend dhe ka cenuar drejtpërdrejt parimin europian të subsidiaritetit.

Më tej, Arben Malaj e cilësoi modelin e sotëm të drejtimit si thellësisht të centralizuar, ndërsa akuzoi ekzekutivin se ka injoruar udhëzimet kryesore të partnerëve ndërkombëtarë.

“Qeveria ka injoruar rekomandimet e Bashkimit Europian për decentralizimin, investimet dhe transparencën,” — u shpreh ai, duke nëvizuar se pushteti vendor është kthyer në një zgjatim të ekzekutivit qendror.

Intervista:

Malaj: Ne si studiues theksojmë deficitin demokratik që nënkupton largimin e votës së drejtpërdrejtë për ata që do t’i drejtojnë dhe për vendimet e rëndësishme që merren për zhvillimin e komunitetit. Reduktimi gjithnjë e më i thellë i numrit të bashkive dhe shpikja e konceptit të qytetit si një ngjizje a njësi e ndërmjetme, ku drejtuesi i qytetit do të jetë një nënkryetar i bashkisë, thotë reformatori i madh i PS-së. Në fakt, nënkryetari, sipas të gjitha përvojave dhe përkufizimeve, është një person i zgjedhur nga kryetari dhe e panevojshme të miratohet në këshill. Pra, do të jetë një nëpunës i kryetarit dhe nuk ka asnjë autoritet të votës së banorëve të zonës që të jetë ai që do t’i drejtojë ata. Kjo është e para dhe mbi të gjitha. E dyta, demokracia vendore europiane është ajo që ka në thelb parimin e subsidiaritetit. Domethënë, për problemet e zonës, përgjigjet drejtuesi i zonës i zgjedhur nga banorët e zonës. Në qoftë se kjo njësi vendore, jo administrative, unë nuk e përdor fjalën administrative se është thjesht burokraci, ndërsa fjala komunë, fjala qytet, duhet të jetë në thelb demokracia lokale, e cila konsiderohet gjaku i demokracisë vendore. Dhe në këtë aspekt, në qoftë se një njësi, një komunë, një qytet dështon të plotësojë detyrimet e tij ndaj banorëve të tij për shumë arsye, ndërhyn menjëherë qeveria qendrore. Në qoftë se problemet bëhen akoma më të mprehta, ndërhyn Bashkimi Europian. Më lejoni të kujtoj rastin e krizës së plehrave në Napoli.

Bashkia e Napolit nuk e menaxhoi dot. Ndërhyri qeveria e Berluskonit dhe u kërkua ndihmë nga Bashkimi Europian. Nuk qartësohet, janë fokusuar vetëm te numrat, por organizimet territoriale janë aspekte të rëndësishme të demokracisë, të vetëqeverisjes, të decentralizimit, të autonomisë financiare. Nuk ka asnjë element që kjo reformë shton demokracinë vendore, rrit qeverisjen me pjesëmarrje, rrit autonominë financiare dhe plot elementë të tjerë. Dhe autonomia financiare nuk rritet se po bashkohesh me një qytet të madh, se të humbasësh tërë konceptimin e një qeverisje demokratike, të t’i mbledhë nga një bashki dhe t’ia japë një komune që në rastin konkret… dhe unë besoj shumë të kryetarët e komunave, qofshin të Partisë Socialiste, qofshin të partive të tjera, pashë rastin e bashkisë së Patosit, e cila kishte një koeficient…

Pyetje:  Të… si të thuash, të mirëqeverisjes së saj.

Malaj: Po. 71.4%, kur të gjithë të tjerat e kishin më të pakët. Kështu që në këtë aspekt, unë mendoj se është ajo që ka përsëritur Rama dhe Balla që herën tjetër ne do t’i fitojmë të 61 bashkitë, tani bëhet më e lehtë se bëhen 46. Pra është në thelb antidemokratike. Shifrat janë përdorur ose statistikat keqpërdoren thjesht për të fshehur thelbin e kësaj reforme.

Pyetje: Pra është një llogaritje elektorale, thoni ju kjo ndarje.

Malaj: Totalisht, dhe e kam thënë shumë më përpara që kur nisi kjo reformë. Nuk kam ngritur pyetjen: e vret apo e rrit demokracinë vendore kjo reformë? Rezulton që e vret, nuk e rrit.

Pyetje: Po sa e duam vërtet ne këtë demokracinë vendore zoti Malaj, pasi kam përshtypjen që pushteti qendror në Shqipëri gjithmonë, sidomos gjatë këtij drejtuesi që kemi tani, zotit Rama nga 2013-ta, nuk shfaq asnjë dëshirë për delegim kompetencash. Ndoshta pranon atë që i thotë BE-ja në parim, po duket ajo dëshira nëse e ke apo jo këtë…

Malaj: Dëshira mungon totalisht dhe bëre mirë që e lidhe me Bashkimin Europian. Le ta shikojmë më gjerë sesa thjesht një problem numër bashkish. A u bë i qartë në shkurt që kishte shumë vlerësime pozitive për qeverinë shqiptare që nuk ishin në realitet të tilla? A reaguan institucionet europiane kundër këtij raporti të parë dhe a u desh të kalonin dy-tre muaj që të miratohej i dyti, i cili kishte detyrime strikte? A u kërkua që të anuloheshin investitorët strategjikë?

Dhe Rama vazhdon dhe e keqpërdor, duke dhënë edhe koncesione nafte që do jetë një barrë e rëndë disa qindra milionë euro mbi shqiptarët gjatë kësaj periudhe. A u kërkua rishikimi i ndryshimeve të vitit 2014 mbi zonat e mbrojtura? Çfarë bëri Rama? Të kundërtën. A u kërkua që nëse bashkohet Amerikës dhe Bashkimit Europian të krijojë një ambient për investime të huaja direkte dhe me garë? Ne e kemi të gjithë me dekrete mbretërit, kryeministrorë.

Pra, e përzgjedh ai investitorin strategjik, i thotë plotëso dokumentat dhe pastaj ia sjell Shqipërisë. Po çfarë është kjo rrugë? Si do përgjigjet Rama tani për atë madhështinë e lavdishme të projektit të Durrësit, që e mbyti gjithë televizionin, më shumë fliste Rama sesa fliste investitori strategjik. Po tani ai që i thotë që kam gabuar? Çfarë do bëhet me ato qindra-mijëra që kanë bërë parapagesë? Se po na ndodhin në ’97-ën, që kur vëren se ata që kanë paratë e shqiptarëve janë të pashoq, shqiptarët futen akoma…

Kështjella miliona euro, avioni dhe mjetet luksoze: pasuritë e Ermal Beqirit që kërkon të bllokojë SPAK

By: A R
2 August 2026 at 13:00

SPAK në njoftimin zyrtar mbi arrestimin e biznesmenit Ermal Beqiri në Francë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për aferën e AKSHI-t, ka zbardhur edhe pasuritë me vlerë miliona euro, nga llogaritë bankare te pasuritë e paluajtshme që ai disponon në shtetin francez ku dhe u arrestua.

Ermal Beqiri rezulton me pasuri me vlerë miliona euro. Sipas SPAK Beqiri ka blerë në Oise të Francës një kështjellë për 2.6 mln euro.

Foto tregojnë qartë pamjet të kështjellës, nga ambientet brenda dhe jashtë saj.

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

Gjithashtu Ermal Beqirit i janë zbuluar mbi 2 mln euro në llogari bankare, 2 apartamente si dhe disa mjete motorike. Ai u arrestua na Francë ndërsa fluturonte me një avion mbi një central bërthamor. Ndërsa SPAK në reagimin e tij zyrtar theksoi se këto pasuri të zbuluara do të sekuestrohen.

 

 

Kështjella ndodhet në komunën Berneuil-en-Bray, në departamentin Oise, rreth një orë larg ParisitKompleksi është i rrethuar nga park dhe gardh mbrojtës, ndërsa fasadat dhe çatitë gëzojnë statusin e monumentit historik të mbrojtur nga shteti francez.

“2 mln euro në llogari bankare, bleu kështjellë 2.6 mln euro, 2 apartamente

“Hetimet e mëtejshme nga autoritetet franceze e konfirmuan këtë informacion dhe identifikuan disa asete me origjinë kriminale të ndodhura në Francë, veçanërisht llogari bankar me një vlerë totale prej mbi dy milionë eurosh, dy apartamente, u evidentua blerja e një kështjelle në departamentin e Oise (60) rreth 2.6 milion euro, mjete motorike etj.

Për këto asete si dhe për të tjera të cilat do të rezultojnë nga hetimet e mëtejshme, i është dërguar kërkesë për ndihmë juridike autoriteteve gjyqësore franceze me qëllim sekuestrimin e tyre.

Më datë 24 korrik 2026, biznesmeni Ermal Beqiri u arrestua nga autoritetet franceze pasi hyri me një avion të lehtë në hapësirën ajrore të kufizuar të centralit bërthamor të Penly-t (Seine-Maritime) dhe u detyrua të ulej në aerodromin e Albert-it (Somme). Gjykata franceze urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të tij, për qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë”, sqaroi SPAK në njoftim zyrtar të bërë më herët.

Pas një operacioni kërkim-shpëtimi, gjenden dy motoristët e humbur në Malin e Jezercës

By: A R
2 August 2026 at 12:48

Dy motoristët që humbën në zonën malore të Jezercës janë gjetur pas një operacioni kërkim-shpëtimi të zhvilluar nga ekipet nga Kosova.

Pas disa orësh kërkimesh në terren të vështirë, ekipet e shpëtimit kanë arritur t’i lokalizojnë dy personat, të cilët fatmirësisht ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

Motoristët kishin humbur kontaktet gjatë lëvizjes në zonën malore, duke vënë në lëvizje autoritetet dhe grupet e kërkim-shpëtimit. Ndërhyrja e shpejtë bëri të mundur gjetjen dhe nxjerrjen e tyre nga terreni i vështirë.

Reagimi:

Përfundim i aksionit me sukses

Ju njoftojmë se dy motoristët e humbur janë lokalizuar dhe janë tërhequr në një vend të sigurt.

Departamenti i Motoristëve i Shoqatës së Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim realizoi tërheqjen e tyre nga terreni.

Jemi të lumtur që ky aksion u përmbyll me sukses dhe që të dy motoristët janë tashmë të sigurt.

Aksidenti në galeritë e Bulqizës, minatori ende i bllokuar nën tokë, sindikata ngre alarmin për kushtet e sigurisë në miniera

By: A R
2 August 2026 at 12:46

Që prej mesditës të së shtunës në minierën e Tërnovës së Madhe në Bulqizë ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimin për gjetjen e trupit të minatorit Ilir Kalaveri që u zu poshtë nga një masiv kromi teksa ishte duke punuar në galeri.

Minatori 40-vjeçar me detyrë brigadier në minierën që administrohet nga kompania “Eternal Security” dyshohet se ka rënë në një furnelë gjatë procesit të punës dhe gjetja e trupit të tij ende nuk është bërë e mundur.

Kjo ngjarje ngre pikëpyetje të mëdha dhe shqetësim serioz për zbatimin me përpikëri të protokollit të mbrojtjes gjatë punës në minierë nga ana e kompanisë që shfrytëzon këtë galeri kromi.

Pas kësaj ngjarjeje të rëndë, ka reaguar edhe Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë, e cila shpreh shqetësimin se ky nuk është një rast i izoluar, duke argumentuar se aksidentet në punë vazhdojnë të përsëriten në sektorin minerar, në ndërtim, në energjetikë, në transport, në bujqësi dhe në sektorë të tjerë, ndërsa punëtorët vazhdojnë të paguajnë me jetën ose me shëndetin e tyre mungesën e sigurisë në vendin e punës. Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë kërkon që hetimi për këtë ngjarje të jetë i plotë, i pavarur dhe transparent dhe përgjegjësit për këtë ngjarje të rëndë të vihen përpara përgjegjësisë ligjore, nëse konstatohen shkelje të legjislacionit për sigurinë dhe shëndetin në punë.

Ndaj KSSH u bën thirrje autoriteteve përgjegjëse që çdo aksident në punë duhet të hetohet me seriozitet dhe jo të mbyllet si statistikë e radhës.

Bilanci tragjik nga përmbytjet në Kinë, shkon në 25 numri i viktimave në zonën turistike

By: A R
2 August 2026 at 11:34

Është rritur bilanci i viktimave nga përmbytja e menjëhershme që goditi një zonë turistike në veriperëndim të Kinës, duke shkuar nga 10 në 25 persona të vdekur.

Sipas mediave shtetërore kineze, fatkeqësia natyrore ndodhi më 26 korrik në zonën turistike Shuangshimen, në rajonin malor të Gansu-së jugore. Përveç viktimave, 23 persona të tjerë mbetën të plagosur nga vërshimet e fuqishme.

Zona e Shuangshimenit është një destinacion i njohur për alpinistët dhe kampistët gjatë sezonit të verës, por reshjet intensive shkaktuan përmbytje të papritura që sollën shkatërrime të mëdha.

Agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua raportoi se Komisioni Kombëtar i Parandalimit të Fatkeqësive në Kinë do të mbikëqyrë hetimin për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të katastrofës. Kina është përballur këtë verë me një seri fenomenesh ekstreme të motit, përfshirë përmbytje dhe rrëshqitje dheu. Në fillim të korrikut, 21 persona humbën jetën nga një rrëshqitje toke në të njëjtën provincë të Gansu-së.

Autoritetet kineze kanë shtuar masat e monitorimit dhe paralajmërimit për zonat me rrezik të lartë, ndërsa vendi vijon të përballet me ndikimet e motit ekstrem.

Shkrumbohet plotësisht magazina bujqësore në Berat, shpëtohet banesa dy katëshe

By: A R
2 August 2026 at 09:45

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mbrëmjen e djeshme një magazinë e mbushur me materiale dhe prodhime bujqësore në fshatin Veterik në bashkinë Berat.

Si pasojë e flakëve magazina është shkrumbuar plotësisht.

Flakët kanë nisur fillimisht në magazinë dhe më pas janë përhapur me shpejtësi edhe drejt banesës dy katëshe që ndodhej ngjitur me të. Në momentin e mbërritjes së forcave zjarrfikëse, zjarri kishte depërtuar në katin e parë të banesës në pronësi të shtetasit Sokrat Delibashi.

Ndërhyrja në kohë e shërbimit zjarrfikës bëri të mundur lokalizimin e flakëve dhe shmangien e përhapjes së mëtejshme, duke shpëtuar strukturën e banesës nga dëmtime më të mëdha.

 

 

Nga zjarri, magazina me materiale dhe prodhime bujqësore është dëmtuar rëndë dhe është shkrumbuar tërësisht. Shërbimet e policisë,  po punojnë për përcaktimin e shkaqeve dhe rrethanave që çuan në rënien e zjarrit.

Pendohet Mohamed Alabbar: Ndërtimi në Portin e Durrësit ishte një gabim, veprova shumë shpejt

By: A R
2 August 2026 at 00:10

Biznesmeni dhe sipërmarrësi global, Mohamed Alabbar ka deklaruar se ndërtimin në portin e Durrësit ishte një gabim. Në një rrëfim të publikuar më 1 gusht, Alabbar u shpreh se ndërtimi në Shqipëri u bë shumë shpejt dhe se ishte një gabim.

“Për shembull, në Shqipëri e ndërtova shumë shpejt. Ishte një gabim,” deklaroi ai.

Më tej, Alabbar ndalet te përvoja e tij në Mal të Zi, ku thotë se nuk duhej të kishte marrë pjesë në tenderin për plazhet, duke e cilësuar atë si një ide budallaqe. Ai thotë se pas këshillave ligjore që kishte marrë, kompania e tij paraqiti një ofertë më të lartë për të siguruar fitoren në tender. Megjithatë Mohamed Alabbar e konsideron këtë si një vendim të gabuar.

Mohamed Alabbar: Për shembull, në Shqipëri e ndërtova shumë shpejt. Ishte një gabim. Në Mal të Zi mendoj se nuk duhej të kisha marrë pjesë në tenderin për plazhet. Ishte një ide budallaqe. Gjithmonë debatoja me avokatin tim indian, sepse i thosha: “Dëgjo, a të kujtohet çfarë bëmë në Serbi? Ndërtuam atë shëtitore të bukur para se të nënshkruhej kontrata. Do të bëjmë një beach club aq të bukur, sa ndoshta njerëz nga qytete të tjera do të na telefonojnë.Oh, këta janë njerëz të mirë, e dini. Ose ndoshta në Long Beach, nuk e di ose pak më në veri të Budvës, ka disa plazhe shumë të bukura.”

Donim t’u tregonim atyre një lloj shenje dalluese tonën. Pastaj unë i thashë: “Kam marrë këshillë ligjore, sepse nuk kemi përvojë lokale. Duhet të paguajmë pak më shumë që të shpallemi fitues.”

Por oferta jonë doli e gabuar. Fituam rreth nëntë plazhe dhe, kur pashë që kryetari i Ulqinit ishte i zemëruar, i thashë: “Zotëri, më vjen shumë keq. Ishte gabimi im. Ua kthej të gjitha plazhet familjeve tuaja. Nuk kam asnjë interes për to.” Pra, ishte një gabim.

❌