Normal view

Krim urrejtjeje në SHBA! Burri e pyeti të huajin nëse ishte mysliman dhe më pas filloi ta godiste me thikë

15 July 2026 at 09:04

Një burrë 48-vjeçar është arrestuar në shtetin e Utah, SHBA, pasi dyshohet se sulmoi me thikë një mysliman në një qendër tregtare, duke deklaruar më pas para policisë se e kishte zgjedhur viktimën për shkak të fesë së saj. Sipas dokumenteve të paraqitura në gjykatë, i dyshuari, Peter Michael Larsen, u tha hetuesve se kishte “ndërmend të vriste myslimanë” dhe se e kishte shënjestruar viktimën me qëllim që ta vriste për shkak të besimit të tij fetar. Policia e konsideron atë një rrezik të lartë për publikun, duke përmendur prirjet e tij të dhunshme dhe bindjet ekstremiste.

Ngjarja ndodhi të hënën në qendrën tregtare Valley Fair Mall, në West Valley City të Utah. Sipas autoriteteve, viktima, e cila punonte në një kioskë brenda qendrës tregtare, u godit disa herë me thikë dhe u gjet me plagë të shumta në trup, ndërsa kishte humbur shumë gjak.

Policia bëri të ditur se sulmuesi u neutralizua nga kalimtarët, të cilët e rrëzuan në tokë dhe e mbajtën deri në mbërritjen e forcave të rendit. Sipas Imam Shuaib Dean, drejtues i Qendrës Islamike të Utah, sulmuesi fillimisht iu afrua viktimës, e pyeti për emrin dhe fenë e tij, më pas kërkoi një shishe ujë. Në momentin që viktima u kthye për të marrë ujin, ai nisi ta godiste me thikë.

Viktima ndodhet në gjendje kritike në spital. Sipas një fushate të hapur për mbledhjen e fondeve, ai është goditur rreth 15 herë me thikë dhe i është nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale.

Peter Michael Larsen mbahet në paraburgim dhe po hetohet për tentativë vrasjeje dhe përdorim të një arme të rrezikshme.

Ngjarja është dënuar nga organizatat myslimane në SHBA, përfshirë Këshillin për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike (CAIR), të cilat kanë ngritur shqetësimin për rritjen e incidenteve të motivuara nga urrejtja ndaj myslimanëve. Sipas grupeve të të drejtave të njeriut, islamofobia në SHBA është shtuar vitet e fundit, e nxitur nga retorika anti-emigracion, ideologjitë supremaciste të bardha dhe tensionet e lidhura me luftën në Gaza.

PD mbledh sot Këshillin Kombëtar, pritet zgjedhja e Sekretarit të Përgjithshëm, nënkryetarëve dhe strukturave

15 July 2026 at 08:57

Partia Demokratike do të mbledhë sot, Këshillin Kombëtar, ku pritet të zgjidhet ekipi i ri drejtues. Në njoftimin zyrtar të shpërndarë nga PD bëhet e ditur se në rendin e ditës janë përfshirë zgjedhja e Sekretarit të Përgjithshëm, nënkryetarëve të partisë, Sekretariatit të PD-së dhe Komisionit të Apelimit.

Mbledhja e Këshillit Kombëtar do të zhvillohet në orën 18:00, ndërsa pritet që vendimmarrja e këtij organi të përcaktojë strukturën kryesore drejtuese të PD-së në vijim. Kjo mbledhje vjen pas asaj të 1 korrikut, ku Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike zgjodhi kryetarin e këtij organi dhe 20 anëtarë të Kryesisë së partisë.

 Me zgjedhjen e strukturave të reja drejtuese, demokratët synojnë të konsolidojnë ekipin politik që do të jetë në krah të Sali Berishës në drejtimin e opozitës dhe në përballjet e ardhshme politike.

Në njoftimin drejtuar anëtarëve të Këshillit Kombëtar, PD falënderoi mbështetësit dhe bëri thirrje për bashkëpunim në punën e përbashkët për organizimin e mëtejshëm të partisë.

❌