Normal view

Vlora ende pa terminalin e premtuar interurban

16 November 2024 at 14:00

Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 Majit, kandidati socialist për Bashkinë Vlorë, Ermal Dredha përfshiu në programin e tij edhe ndërtimin e terminalit të autobusëve ndërqytetas. Por verifikimet e Faktoje.al tregojnë se terminali interurban ende nuk ka nisur të ndërtohet. Bashkia thotë se ka përfunduar vetëm projektimin dhe se akoma nuk ka siguruar fondet për ndërtimin e tij.

Vjolanda Peca

Më 10 Maj, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore, kandidati socialist për Bashkinë e Vlorës, Ermal Dredha, premtoi ndërtimin e një terminali të ri për autobusët ndërqytetas, i cili do të lehtësonte aksesin për vizitorët nga brenda dhe jashtë vendit. Ky angazhim ishte pjesë e prioriteteve të tij për zhvillimin e turizmit, një pikë kyçe në programin e tij elektoral.

Fillimisht ne duhet të kapim hartën e gjithë Vlorës. Bashkia do të ndërtojë një ndërmarrje brenda bashkisë që të plotësojë të gjithë kërkesat e komunitetit të Vlorës. Duhet të kemi terminal auobusësh që Vlorës i mungon.” u shpreh Dredha në një intervistë 10 ditë përpara zgjedhjeve vendore.

Për të dytin vit radhazi, Faktoje vendosi ta verfikojë këtë premtim të rëndësishëm për Vlorën si qytet, por dhe për zhvillimin e turizmit. Faktoje.al vendosi të shkojë në Vlorë më 20 shtator, 16 muaj pas premtimit për të parë nëse kanë nisur punimet për ndërtimin e terminalit interurban. 

Vendqëndrimi i autobusëve në Vlorë, shtator 2024

Aktualisht, për autobusët ndërqytetas, nuk ka një terminal, por vetëm një vendqëndrim, në anë të rrugës, ku ato parkojnë në pritje të pasagjerëve me destinacion, qytete të ndryshme të vendit.

 “Vlorës i duhet një terminal i tillë, duhet të ishte bërë më kohë. Vijnë turistë, nuk dinë ku të shkojnë, në diell në vapë presin jashtë”- na thotë Bujari, 57 vjeç.

Problematika bëhet dhe me e ndjeshme gjatë ditëve më rreshje kur shume qytetarë janë të detyruar të qëndrojnë jashtë dhe të mos kenë një ambient për të pritur.

‘Po ç’të bëjmë! Unë vij në Vlorë nga Fieri se kam motrën sëmurë, një herë në dy javë. Po të kishtim një vend që të fusnim kokën kur bie shi të paktën…” na tregon Lumturia, 46 vjeç. 

Sipas INSTAT, në vitin 2023 Vlora renditet si destinacioni i dytë më i preferuara për udhëtime për qëllime personale apo biznesi në Shqipëri dhe gjatë këtij vijt trasporti rrugor më shërbim urban ka patur një rritje dhe zë thuajse 40% të lëvizjes. 

Grafiku nga INSTAT

Faktoje iu drejtua më një kërkesë për informacion bashkisë së Vlorës për që deri ne momentin e publikimit të shkrimit ende nuk ka një përgjigje për këtë pike.

Pjesë nga kërksesa për informarcion dërguar bashkisë Vlorë 

Sipas Merita Mema specialiste e transportit në bashkinë e Vlorës, janë 45-50 autobusë interurbanë që kryejnë shërbimin e transportit të pasagjerëve nga Vlora për në qytetet tjera.

Bashkia e Vlorës ka bërë detyrën e projektimit dhe ka kërkuar fonde për zbatimin dhe ndërtimin e një terminali”– u shpreh nëpërmjet një telefonate për Faktoje.al znj.Mema, duke shtuar më tej që është propozuar që, terminali interurban të ndërtohet afër tregut të shumicës, përballë KSHA-së.

Nga ana tjetër, sipas saj, përsa i përket shërbimit të transportit të brendshëm, ishin në funksion 13 autobusë që lëviznin nëpër qytet.

Nisur nga verifikimet në terren, premtimi elektoral i kryebashkiakut të Vlorës Ermal Dredha për ndërtimin e një terminali interurban do t’a konsiderojmë ende të pambajtur.

*Faktoje.al, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

The post Vlora ende pa terminalin e premtuar interurban appeared first on Faktoje.al.

Ku shkojnë mbeturinat e Vlorës?

3 November 2024 at 13:00

Gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të 14 majit, kandidati socialist për Bashkinë e Vlorës, Ermal Dredha bëri një premtim për pastrimin e qytetit.

Një verifikim i kryer nga Faktoje.al, ka treguar se ky premtim nuk është realizuar plotësisht dhe se shtimi i kontenierëve është vetëm një pjesë e punës së kryer për pastrimin e qytetit.

VJOLANDA PECA

Çështjen e një qyteti të pastër, shqetësim i ngritur nga vetë banorët, kryetari aktual i Bashkisë, e kishte renditur si përparësi të programit të tij elektoral.

Dredha premtoi, një qytet në të cilin “do të shtohen kosha, hapësira të dedikuara për grumbullimin e mbetjeve apo krijimin e fushatave sensibilizuese dhe ndërgjegjësuese mbi pastërtinë e qytetit”.

Faktoje iu drejtua Bashkisë Vlorë me një kërkesë për informacion lidhur më këtë premtim. Sipas Bashkisë, në qytet “janë shtuar 150 kontenierë të rinj me kapacitet 1100 litra dhe janë zhvilluar aktivitete ndërgjegjësuese në shkolla”.

Faktoje më 20 shtator 2024, ishte në qytetin e Vlorës për të verifikuar premtimin e bërë në maj të 2023, nga kryebashkiaku socialist

Përgjatë rrugëve viheshin re kontenierët e rinj të shtuar, të cilët ishin ngjyrë jeshile, të ndryshëm nga kontenierët e vegjël metalik ngjyrë gri, të trashëguar.

Kontenierët e rinj në qytetin e Vlorës
Kontenierët e vjetër në qytetin e Vlorës

Edhe banorët, me të cilët kontaktuam, pohuan se krahasimisht me vitin e kaluar qyteti ishte më i pastër.

Vendgrumbullimi i mbetjeve

Shqetësim për qytetarët, mbetej megjithatë, vendgrumbullimi i mbetjeve dhe lënia pezull e punimeve të landfillit të Sherishtës.

Kryebashkiaku vlonjat kishte premtuar shtimin e hapësirave të dedikuara për grumbullimin e mbetjeve, por në Vlorë është ende vetëm një vendgrumbullim, në fushë të hapur, pranë një zone të banuar, në lagjen 24 Maji, njohur si ish-Fusha e Aviacionit.

Vendgrumbullimi i mbetjeve të qytetit të Vlorës

Pirgje me plehra, të shpërndara kudo, edhe jashtë territoreve të saj, ishte panorama mbytëse që të ofron vendgrumbullimi i mbetjeve të qytetit.

Landfilli i Sherishtës

Në tetor të 2023 zoti Dredha sëbashku me kryeministrin Edi Rama, diskutuan për landfillin e Sherishtës dhe dhe faktin që ai duhet të vihet në punë sa më shpejt.

Landfilli i Sherishtës, 20.09.2024

“Zgjidhja afatgjatë është të vendoset funksion të plotë landfilli që është ndërtuar në Sherishtë.”deklaroi një vit më parë kryebashkiaku Dredha.

Disa muaj më vonë, gjatë një vizite në Vlorë edhe kryeministri Edi Rama iu rikthye vënies në punë të landfillit. Rama kërkoi që landfilli të ishte gati pranverën e këtij viti.

“Duhet ta mbyllim përpara sezonit”, tha kryeministri Rama.

Por verifikimet në terren tregojnë të kundërtën. “Punimet në landfillin e Sherishtës kanë përfunduar në fazën 97-98%, dhe nuk po mbyllet për shkak të pagesës së disa makinerive”, u shpreh gjatë një komunikimi telefonik me Faktoje.al, Dorian Xhelili drejtor i Shërbimeve Publike në Bashki, duke shtuar se sipas tij “problemi është drejt zgjidhjes”.

Përfundim

Premtimin elektoral të kryebashkiakut socialist Ermal Dredha për pastrimin e qytetit, pas verifikimit të kryer në terren në zona të ndryshme të qytetit të Vlorës dhe informacionit zyrtar, do ta kategorizojmë deri tani pjesërisht të mbajtur.

*Faktoje, e mbështetur nga National Endoëment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

The post Ku shkojnë mbeturinat e Vlorës? appeared first on Faktoje.al.

Perimetri i ‘padukshëm’ i sigurisë në plazhe

1 September 2024 at 12:00

Edhe këtë sezon veror autoritetet paralajmëruan dënime të ashpra ndaj shkelësve që cënojnë sigurinë e pushuesve në bregdet. Verifikimet e Faktoje tregojnë se pavarësisht disa gjobave, perimetri i sigurisë në disa plazhe shkelet, duke rrezikuar jetën e pushuesve.

Afrovita Hysaj

Në hyrje të sezonit veror, ish ministri i Brendshëm Taulant Balla, paralajmëroi ndëshkime të ashpra për të gjithë shkelësit e perimetrit të sigurisë në bregdet.

‘Policia Kufitare dhe Roja Bregdetare janë në çdo moment në krye të detyrës për të ofruar ndihmë. Operatorët turistikë, duhet të kuptojnë që nuk mund të dalin në lundrim të pacertifikuar dhe se në çdo rast masat ndëshkimore do të jenë të ashpra dhe mjetet detare do të bllokohen sipas ligjit. Nuk mund të rrezikohet kurrësesi nga papërgjegjshmëria jeta e pushuesve’, deklaroi më 1 maj Balla, teksa përshëndeste Policinë Kufitare dhe Rojen Bregdetare për shpëtimin e 11 turistëve në det, pasi mjeti i tyre lundrues pësoi defekt.

Verifikim

Në mbyllje të muajit gusht, Faktoje vendosi të bëjë një verifikim lidhur me sigurinë e pushuesve në disa plazhe. Në Vlorë, vendqendrimi i mjeteve lundruese ndodhet pranë kalatës së portit të mallrave, ndaj dhe plazhi në këtë zonë është i ndaluar.  

Por, në plazhe të tjera si ai i Karaburunit apo Sazanit, destinacione të shumicës së mjeteve lundruese nga Vlora, nuk kanë vendqendrime të përcaktuara. Në këto plazhe mjetet lundruese gjendet pranë pushuesveqë lahen në det, duke përbërë rrezik.

E njëjta panoramë të shfaqet në plazhet e Radhimës, më tej Dhërmiut dhe një pjesë të mirë të rivierës- kryesisht plazhet e mbyllura.

Pamjet më poshtë janë xhiruar në Porto Palermo, në zonën ku njihet si vendqëndrim i mjeteve lundruese, por që njëkohësisht ka leje edhe për përdorim plazhi. Kështu, pushuesit në këtë plazh duhet të notojnë pranë mjeteve lundruese, duke rrezikuar jetën.

Nga vëzhgimet në terren, krahas mungesës së vendqendrimeve për këto mjete, një tjetër problematikë lidhet me zbatimin e korridoreve për daljen e mjeteve lundruese.

Ndëshkime për shkelësit

E gjithë vija bregdetare Vlorë – Sarandë, kontrollohet nga Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin që dispozicion 18 mjete lundruese Jet Ski të Njësisë Policore Detare dhe 6 mjete lundruese B.P.

Nga fillimi I vitit e deri në fund të korrikit janë kontrolluar dhe verifikuar 4791 mjete lundruese, nga të cilat 133 mjete lundruese janë bllokuar dhe gjobitur- për tu liruar pas shlyerjes së gjobave. 

Policia e Kufirit ka vendosur 133 masa administrative, por nuk jep asnjë informacion mbi numrin apo personat e proceduar penalisht për shkelje të ligjit detar.

Edhe drejtoria vendore te Policisë Vlorë, në komunikatat e bëra publike për periudhën Janar- korrik tregon dhjetra raste të personave të cilët abuzojnë jo vetëm duke shkelur kufirin e lundrimit me mjete lundruese por duke rrezikuar edhe jetën e pushuesve. Mirëpo, në Prokurori nuk janë referuar të gjithë rastet.

Kullat e vrojtimit bosh

Në mungesë janë dhe vëzhguesit bregdetar, veçanërisht në plazhet publike. Ndërsa në plazhet private, zbulohet praktika e regjistrimit fiktiv (kryesisht vetë pronarët) në rolin e vëzhguesve, por kullat e vrojtimit mbeten bosh.

‘Roje nuk kam parë fare, asnjëherë nuk e kemi parë.’- thotë një pushuese në Vlorë

Referuar të dhënave nga Policia, gjatë këtij sezoni ka pasur 6 viktima në plazhe- shtetas që janë mbytur apo kanë humbur jetën për shkak të problemeve kardiake.

Leneda Halili, trajnuese e vrojtuesvë të plazheve thotë se Vlora edhe këtë vit është përballur me mungesa të theksuara të vrojtuesve.

‘Interesi nga të rinjtë e qytetit të Vlorës për të ushtruar profesionin sezonal të vrojtuesit të plazhit mbetet i ulët. Janë rreth 35 persona të cilët deri më tani janë trajnuar për të ushtruar rolin e vrojtuesit të plazhit.’

Më tej ajo shton se për këtë arsye, bizneset gjejnë zgjidhje fictive.

‘Në Vlorë vazhdon tendenca që për vrojtues plazhi trajnohen pronarët e bizneseve, subjekteve private vetëm për të plotësuar dokumentacionet e shfrytëzimit të hapësirës publike si plazh.’ – thotë Halili.

‘Shumica e vrojtuesve të trajnuar janë për punësim jashtë vendit, sepse në vendet e Bashkimit Europian ata paguhen shumë më tepër, pra marin Certifikatën dhe ikin jashtë’- argumenton ajo.

Edhe pse është një detyrim ligjor, bregdeti i Jugut në pjesën më të madhe të plazheve ka mungesë të kufizueseve të notit.

‘Nuk ka shirita, mirë do të ishte të kishte.’ – thotë një pushues në Vlorë.

Mungesa e kufizuesve të notit në det vihet re brenda në qytet por edhe në periferi të Vlorës. Verifikimet tregojnë se vetëm 40% e plazheve e respektojnë këtë detyrim.

Përfundim

Nisur nga verifikimet e kryera, deklaratën e ish ministrit të brendshëm Taulant Balla, mbi perimetrin e sigurisë në plazhe do ta kategorizojmë gjysmë të vërtetë.

The post Perimetri i ‘padukshëm’ i sigurisë në plazhe appeared first on Faktoje.al.

❌