Normal view

Mbi normat e OBSH, nga “Pazari i Ri” tek “21 Dhjetori”, zhurmat që po na “luajnë nga fiqiri”

25 May 2026 at 12:00

Nga Jona Cenameri

Çdo mëngjes, Tirana zgjohet mes zhurmës. Para se të hapen dyqanet dhe kafenetë, dëgjohet trapani i pallatit ngjitur, çekiçi mbi beton, motorët që kalojnë me shpejtësi dhe boritë e makinave të bllokuara në trafik. 

Në kryeqytet, zhurma është bërë pjesë e përditshmërisë. Ajo të ndjek nga mëngjesi deri natën vonë: në rrugë, në zyra, pranë shkollave, në lagjet ku ndërtohen pallate të reja apo në zonat ku muzika e lokaleve përzihet me trafikun. Për shumë banorë, kjo është kthyer në normalitet. Por ekspertët paralajmërojnë se organizmi nuk “mësohet” kurrë realisht me ndotjen akustike.

“Ekspozimi kronik ndaj ndotjes akustike konsiderohet sot një faktor i rëndësishëm risku për shëndetin mendor nëpërmjet aktivizimit të mekanizmave neuropsikologjike,” thotë psikiatrja Arjana Rreli. 

Sipas saj, zhurma urbane aktivizon vazhdimisht sistemin e stresit në organizëm, duke rritur sekretimin e hormoneve si kortizoli dhe adrenalina. “Kjo çon në rritje të niveleve të ankthit, irritabilitetit, lodhjes mendore, vështirësive në përqendrim dhe uljes së pragut emocional ndaj stresorëve të përditshëm”, shpjegon ajo.

Sipas Rrelit, një nga efektet më të dokumentuara është ndikimi në cilësinë e gjumit. “Edhe kur individit i duket se është mësuar me zhurmën, sistemi nervor vazhdon ta regjistrojë atë si stimul”, thotë ajo, duke shtuar se zgjimet e shpeshta dhe fragmentimi i gjumit ndikojnë më pas në ankth, depresion dhe mirëfunksionimin psikosocial.

Ky shqetësim nuk lidhet vetëm me perceptimin subjektiv të qytetarëve. 

Raportet 

Raporti “Environmental Noise in Europe 2025” i Agjencisë Europiane të Mjedisit (EEA), e konsideron ndotjen akustike një nga rreziqet kryesore mjedisore për shëndetin publik në Europë. 

Sipas raportit, rreth 112 milionë europianë, më shumë se 20% e popullsisë, ekspozohen ndaj niveleve të dëmshme të zhurmës nga trafiku rrugor, hekurudhor dhe ajror. Sipas standardeve të OBSH-së numri i të ekspozuarve rritet në rreth 150 milionë njerëz, ose mbi 30% e popullsisë europiane. 

OBSH rekomandon që zhurma nga trafiku rrugor të mos kalojë 53 decibel gjatë periudhës ditë-mbrëmje-natë dhe 45 decibel gjatë natës, pasi efektet negative në shëndet mund të shfaqen edhe në nivele më të ulëta se pragjet aktuale europiane. 

Sipas EEA-së, ekspozimi afatgjatë ndaj ndotjes akustike lidhet çdo vit me rreth 73 mijë vdekje të parakohshme në Europë, 49 mijë raste të reja sëmundjesh kardiovaskulare dhe 23 mijë raste diabeti të tipit 2. Raporti thekson gjithashtu se zhurma kronike lidhet me çrregullime të gjumit, probleme të shëndetit mendor dhe dëmtime njohëse tek fëmijët. 

“Një pjesë e pacientëve raportojnë hipervigjilencë, tension të vazhdueshëm psikofiziologjik dhe vështirësi në relaksim për shkak të ekspozimit të përditshëm ndaj trafikut, ndërtimeve apo muzikës me volum të lartë,” thotë Rreli. Sipas saj, ky ndikim është më i theksuar tek personat me çrregullime ankthi, stresi apo humori, ku zhurma mund të 

bëhet faktor përkeqësues i simptomave ekzistuese.

Tirana 

Në Shqipëri mungon ende një hartë e plotë kombëtare për ndotjen akustike, por monitorimet alternative të realizuara nga Co-PLAN dhe projekti GreenAL/Green Lungs tregojnë se Tirana përballet me nivele të larta zhurme, të lidhura kryesisht me trafikun, ndërtimet dhe aktivitetin urban intensiv. 

Monitorimi i Co-PLAN i realizuar në 13 pika të kryeqytetit nxori se nivelet më të larta të ndotjes akustike u regjistruan në Sheshin Italia me 72.2 decibel, pranë shkollës “Mihal Grameno” me 71.2 decibel dhe në Rrugën e Kavajës me 70 decibel. 

Edhe zona të tjera problematike si Pazari i Ri dhe Kryqëzimi i “21 Dhjetorit” regjistruan nivele deri në 69 dhe 68 decibel. 

OBSH

Sipas standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ekspozimi i vazhdueshëm mbi 55 decibel konsiderohet i dëmshëm për shëndetin dhe mirëqenien. Megjithatë, sipas monitorimit të Co-PLAN, edhe zona që rezultuan relativisht më pak të ekspozuara ndaj zhurmës, si Zogu i Zi, regjistruan vlera nga 56 deri në 58 decibel, mbi pragun e rekomanduar nga OBSH. 

Në një qytet si Tirana, ku ndërtimet janë të vazhdueshme dhe trafiku mbetet i rënduar në shumicën e akseve kryesore, problemi nuk mund të shihet më vetëm si bezdi urbane.

BE

Bashkimi Europian kërkon që shtetet të monitorojnë ndotjen akustike dhe të hartojnë plane për uljen e saj, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron për ndikimin që zhurma ka në shëndetin fizik dhe mendor.

Por në Tiranë, ndërsa qyteti vazhdon të zgjerohet mes kantierëve, trafikut dhe betonit, qetësia mbetet gjithnjë e më e rrallë. 

Në shumë lagje, zhurma nuk ndalet as natën, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se pasojat vazhdojnë të grumbullohen në heshtje, në gjumin e fragmentuar, ankthin e përditshëm dhe lodhjen mendore të një qyteti që rrallë arrin të heshtë.

Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit “Friedrich Ebert” në Tiranë

The post Mbi normat e OBSH, nga “Pazari i Ri” tek “21 Dhjetori”, zhurmat që po na “luajnë nga fiqiri” appeared first on Faktoje.al.

Thethi që “thithi turistët” dhe fadromat e IKMT-së

17 July 2025 at 15:00

Nga Sebi Alla- Pa njërën këmbë dhe një dorë, invalidi i punës Bashkim Koçeku, bëri përpjekjen e fundit që me “forcën e tij” aq sa ia lejonte fiziku, të ndalte fadromat e IKMT-së që mos i shkatërronin pesë bujtina të vogla druri me të cilat ai dhe familja u vetëpunësuan. Mundi shkoi më kot, pasi në kulmin e sezonit turistik veror, në zonën e Thethit pranë Alpeve të Shqipërisë, mësynë fadromat e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), me qëllimin e prerë për të prishur objektet pa leje, (rreth 70 të tilla) shtëpiza druri, kontejnerë dhe ndërtesa dy dhe tre katëshe karabina me kolona betoni dhe mure. Pavarësisht përplasjeve të policisë dhe inspektorëve të IKMT me banorët, një javë më pas, më 15 korrik u shkatërrua me eksploziv edhe objekti i fundit i planifikuar në këtë operacion. Bashkë me ndërtesat e betonit u rrafshuan me tokën edhe strukturat e çmontueshme, kryesisht shtëpiza dërrase, apo kontejnerë, objekte të cilat nuk klasifikohen ndërtime që dëmtojnë territorin. Pas këtij aksioni, në Theth dhe jo vetëm, janë ngritur pikëpyetje të mëdha mes thirrjes së vazhdueshme të kryeministrit Rama për “investim në vendlindje”, pasigurisë juridike mbi certifikimin e pronës nga Kadastrat që janë kthyer në problem madhor dhe mundit të shumë familjeve që lejohen të ndërtojnë në kundërshtim me ligjin (sipas deklarimeve duke paguar nëndorë policë dhe inspektorë) dhe më pas me “urdhër nga lart” u shkatërrohen objektet.

Çmontimi i strukturave…!

“Leja e dhënë për një strukturë të lehtë të çmontueshme të mos kthehet në beton, nuk janë leje ndërtimi të përhershme, janë leje ndërtimi të përkohëshme përgjatë sezonit turistik”. Kështu deklaroi dy vite më parë Ministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro, por në të paktën tre raste në Theth, edhe ndërtesat e vogla prej druri u shkatërruan në kulmin e sezonit turistik.  “Kisha pesë shtëpi druri, pa beton pa asnjë gjë. I kisha ndërtuar në tokën time, si kam zënë tokën askujt, është tokë e trashëguar nga të parët e mi. Nuk ka asnjë pëllëmbë beton, kisha vetëm shtëpi druri dhe ato mi prishën”, tha mes lotësh dhe thirrjeve të vazhdueshme për ndihmë dhe “vënie dorë në zemër”, invalidi Bashkim Koçeku, pasi kishte bërë kundërshtitë e fundit ndërsa zvarritej duke shtyrë një kordon të ngjeshur policësh të FNSH-së.

Përplasja qeveri-prokurori

Në ditën e parë të nisjes së aksionit për prishjen e objekteve pa leje në Theth, kryeministri Edi Rama kritikoi ashpër prokuroren e Shkodrës Elsa Gjeli, duke e akuzuar se nuk kishte nisur procedim penal për rastet e ndërtimeve pa leje në Theth. “Po ju lexoj se si arsyeton zonja Gjeli, prokurore nga trupa e shumë mirëpaguar me taksat e shqiptarëve, e cila presupozohet se duhet t’i mbrojë pasuritë e përbashkëta të këtij populli, thesaret e këtij vendi, nga individë si ai që ka plagosur Thethin, në cënim total të çdo lloj norme të bashkëjetesës në këtë vend dhe shkelje flagrante të një sërë ligjesh pasi është zonë e mbrojtur”, tha Rama. Në vijim Rama e etiketoi disa herë prokuroren dhe kërkoi përmes Ministrit të Drejtësisë që të nisë procedimi disiplinor nga ILD (Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë). Në një qëndrim të mëvonshëm, reagoi Prokuroria e Shkodrës e cila në një arsyetim të gjatë mbronte punën e prokurores dhe vinte në diskutim pikërisht referimet e Policisë së Shkodrës. “Vendimi i datës 30.05.2025 i prokurores zj. Elsa Gjeli është marrë në përputhje të plotë me nenin 290, pika ç, të Kodit të Procedurës Penale, ku parashikohet se: “Procedimi penal nuk mund të fillojë kur fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale ose kur del qartë që fakti nuk ekziston”-mbajti qëndrim Prokuroria e Shkodrës. Nisur nga ky rast, më tej thekson se nga vlerësimi i plotë i fakteve dhe akteve procedurale, u konstatua se faktet e referuar nga policia e shtetit nuk përbëjnë ndërtim të paligjshëm në kuptim të nenit 199/a të Kodit Penal dhe “Vetë Policia, në procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, është shprehur se kontenjerët nuk janë vendosur mbi bazamente betoni, por kanë qenë të vendosura mbi rrasa guri të prera”, citohet nga Prokuroria.

Ne foto: Gjate nje aksioni te ndermarre ne Theth nga IKMT

Falja e gjobave për ndërtimet pa leje

Ajo çfarë ka mbetur në Theth janë grumbuj inertesh dhe pirgje dërrasash, bashkë me pasigurinë e banorëve dhe paqartësinë sesi do të vijojë çështja e ndërtimeve, në një kohë kur dy premtime të kthyera në nisma ligjore janë “Paketa e Maleve” që sipas qeverisë synon zhvillimin turistik në zonat malore dhe falja e gjobave për ndërtimet pa leje. Pak muaj para zgjedhjeve të përgjithshme Parlamentare, kryeministri Edi Rama zgjodhi pikërisht Thethin për tu dhënë lajmin se do të faleshin gjobat e vendosura për ndërtimet pa leje, duke u bërë thirrje emigrantëve të asaj zone turistike që të vinin dhe investonin në ngritjen e bujtinave. “Këtu ka një masë shumë të madhe gjobash të cilat janë vendosur si rezultat i ndërhyrjeve apo i ndërtimeve gjithmonë ku aty ku keni pasur shtëpinë e vjetër apo aty ku keni truallin tuaj, që janë bërë për shkak të nevojës për të krijuar ekonomi përmes turizmit dhe që nuk janë ndërtuar sipas ligjit, jo sepse nuk keni dashur të ndërtoni sipas ligjit, por sepse shtrëngimi i legjislacionit për këtë zonë që figuron si zonë e mbrojtur natyrore e ka bërë të pamundur dhe qeveria do t’i fali të gjitha këta gjoba”, tha Rama. Një vit më pas situata në Theth është e rëndë për shumë banorë të zonës që në tokat e tyre, por të papajisur me dokumenta pronësie edhe për shkak të problemeve serioze të Kadastrës që nuk i pajis me dokumentacion, kishin nisur ndërtimin e objekteve për qëllime biznesi në sektorin e shërbimeve, pjesa më e madhe biznes familjar.

Ne foto: Gjate nje aksioni te IKMT ne Theth

Paketa e Maleve

Në Theth, por edhe zona të tjera turistike malore druhen se pas aksioneve për prishjen e objekteve pa leje dhe mbajtjen peng me certifikatat e pronësisë, fshihet nisma e “Paketës së Maleve”, një projektligj i miratuar në Parlament në janar të këtij viti. “Paketa e Maleve” do të ketë brenda një sërë masash që të gjithë ata që i kanë lënë këto male në kërkim të një jete më të mirë, të kthehen dhe me bukuritë e këtyre maleve të bëjnë sukses, të bëjnë ekonomi, të bëjnë mirëqenie dhe t’u lënë fëmijëve të tyre trashëgimi një pasuri të jashtëzakonshme“, tha kryeministri në bisedën me banorët e Thethit më 30 qershor të vitit të kaluar. Sipas qeverisë, “Paketa e Maleve“, synon nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në zonat malore të vendit. Ky ligj parashikon kriteret e kalimit të pronësisë shtetërore në private kundrejt blerjes me një tarifë simbolike prej 1 euro, me kusht që hapësira e përfituar të përdoret specifikisht për zhvillimin turistik. “Ligji i miratuar parashikon mes poseduesit jo pronar dhe qeverisë firmosjen e një kontrate shitjeje me kusht sipas të cilit  pronari merr çertifikatën e pronësisë vetëm pasi realizon ndërtimin e planifikuar. “Synohet përdorimi i tokës qoftë “pyll”, “kullotë” livadh për investime që zhvillojnë zonën”-thuhet në një nga pikat. Pikërisht kjo klauzolë i jep mundësi subjekteve të interesuara, vendase dhe të huaja, që në zona të caktuara me potencial turistik të përfitojnë kullotë dhe pyje që në zërin kadastral cilësohet si “tokë shtet”. Deri mesditën e datës 16 korrik, kryeministri Edi Rama njoftoi se ishin 787 aplikime për të përfituar nga kjo nismë. Në hartën e publikuar duket qartë se një pjesë e konsiderueshme e aplikimeve për “Paketën e Maleve” përfshin zonat bregdetare dhe kodrinore. “Paketa synon forcimin e kohezionit social, rimëkëmbjen ekonomike të zonave malore, rritjen e të ardhurave bashkiake, nxitjen e investimeve dhe frenimin e emigracionit. Përmes një procesi të thjeshtuar administrative”, thuhet në faqen zyrtare të paketaemaleve.gov,al.

Përfundimi

Ndërtimet pa leje në vendin tonë, veçanërisht në zonat turistike, kryesisht në vijën bregdetare dhe në disa zona të turizmit malor cilësohen si problem i pazgjidhur, pavarësisht premtimeve për legalizime, apo pajisje me certifikata pronësie dhe leje ndërtimi të rregullt nga njësitë vendore. Në periudhë fushatash zgjedhore, falja e gjobave për ndërtimet pa leje, apo edhe lënia e lirë e qytetarëve për të ndërtuar, u kthyen në dëm serioz pas zgjedhjeve duke shkatërruar dhjetëra objekte dhe kursimet e shumë qytetarëve një pjesë e të cilëve u kthyen nga emigracioni për të investuar në vendlindje, Nisur nga problematika, deklaratën konkrete të ministres Kumbaro për leje ndërtimi të përkohshme për strukturat e çmontueshme përgjatë sezonit turistik do ta kategorizojmë të pambajtur    

The post Thethi që “thithi turistët” dhe fadromat e IKMT-së appeared first on Faktoje.al.

Gjarpri gjigand afrikan ndahet rrejshëm si i shfaqur në Mat

17 June 2025 at 13:06

Pretendimi: Kjo video tregon një gjarpër gjigand në Mat

Verdikti: E pavërtetë

————————————————————-

Një video që ka marrë mbi njëmijë pëlqime në Facebook pretendohet se tregon një gjarpër gjigand që është shfaqur në një fshat të Matit.

Megjithatë, me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, gjeti se gjarpri në video me gjasa është një piton shkëmbor afrikan, Python sebae, një specie gjarpri vendase e Afrikës sub-Sahariane.

Pitoni shkëmbor i Afrikës Qendrore konsiderohet si një nga speciet më të gjata të gjarpërinjve në botë.

Videos së pitonit afrikan i është mbivendosur audio nga një kronikë e vitit 2018 që fliste për shfaqjen e një gjarpri të pazakonshëm në një fshat të Matit. 

Megjithatë, gjarpri i shfaqur në Mat 7 vite më parë nuk është ai që tregon video e mësipërme. Video që pretendohej se tregonte gjarprin matjan e tregonte atë duke u varur nga një pemë.

Premtimi i Ramës për pasaportën europiane, gjeopolitika ndihmon, por reformat na mbajnë në lojë

5 May 2025 at 17:00

Pak më shumë se dhjetë vjet pas anëtarësimit të Sllovenisë në Bashkimin Evropian, ish-eurodeputeti slloven Jelko Kacin u shpreh atëbotë (2004) se vendi i tij, edhe pse kishte shpresuar në një proces të shpejtë negociatash, u përball me vonesa për shkak të kushteve të vendosura nga BE. “Kur ne filluam negociatat besuam se do t’i kryenim me një të kërcitur të gishtave”, do të shprehej ai.

Sot, më shumë se dy dekada pasi Shqipëria mori (fillimisht) statusin e vendit kandidat (2014) dhe pas hapjes zyrtare të negociatave, vendi ndodhet në një fazë të re, atë të hapjes së grup- kapitujve.

Kryeministri Edi Rama shprehet se Shqipëria mund të bëhet anëtare e BE-së brenda pak vitesh, duke i numëruar madje me “gishtat e dorës”.

“Shqipëria ka në tryezë një plan të dakordësuar me Bashkimin Europian për të mbyllur negociatat brenda vitit 2027”, thotë Rama.

Ai e identifikon këtë proçes me veten e tij dhe Partinë Socialiste si e vetmi mjet që e çon Shqipërinë në BE, duke përjashtuar de facto alternativat e tjera, sipas tij, si të paafta.

Afatet

Por sa i mundur është për Shqipërinë afati i vendosur? Drejtori Ekzekutiv i EMA-s, Gledis Gjipali, thotë për Faktoje.al se synimi për të mbyllur gjithë procesin e negociatave brenda 2027 është ambicioz, por i arritshëm. 

“Ambicioz për shkak të historisë së procesit të integrimit të Shqipërisë, ku krahasimisht me vendet e rajonit vendit tonë i janë dashur më shumë vite për të arritur etapat e ndryshme të tij. Që me negociatat për MSA-në, (2003 deri me 2006, dhe hyrja në fuqi në 2009 e saj), e më pas me aplikimin për anëtarësim, ( i bërë në 2009, por statusi si vend kandidat u arrit vetëm në 2014, dhe nisja e negociatave në 2024) Shqipëria ka pasur shumë pengesa që kanë ngadalësuar rrugëtimin e saj”, thotë ai.

Rëndom, kryeministri Rama e paraqet Shqipërinë si shembull frymëzues në krahasim me vendet e tjera në rajon, por rrugëtimi i secilit vend (Mali i Zi, Serbi, Maqedoni e Veriut), sipas ekspertit Gjergji Vurmo, është i veçantë.

Rasti i vetëm

Eksperti për integrimin, Gledis Gjipali, thotë se asnjë vend i mëparshëm nuk ka mundur t’i përmbyllë negociatat brenda një periudhe 3 vjeçare, (referuar proceseve që një vend duhet të ndjekë si Shqipëria).  Ai mund ta krahasojë deri diku procesin me zgjerimin e madh të BE-së  (2004) me vendet ish-komuniste të Evropës Qendrore dhe Lindore, por sërish procesi, sipas tij, është ndryshe nga 20 vjet më parë 

Krahasimi

Kryeministri Rama ka përmendur Finlandën si vendin që e ka thyer këtë rekord.

Por Drejtori Ekzekutiv (njëherazi themeluesi) i Elevate Consulting, Gjergji Vurmo, thotë për Faktoje.al se procesi i përshpejtuar i anëtarësimit të Finlandës bashkë me dy vendet e tjera (Austri dhe Suedi)  lidhet me arritjet ekonomike të këtyre vendeve dhe jo vetëm. 

“Të tre vendet filluan zyrtarisht negociatat në Shkurt 1993 dhe i përfunduan në Mars 1994. Brenda të njëjtit vit u nënshkruan dhe ratifikuan traktatet e anëtarësimit dhe nga 1 Janar 1995 u bënë zyrtarisht anëtare të BE”, thotë Vurmo. Sipas tij, rasti i Shqipërisë është i ndryshëm, pasi edhe nëse anëtarësohemi,  BE-ja mund të vendosë masa shtesë në disa fusha të veçanta.

Situata gjeopolitike

Nuk kemi vende të ngjashme, por ka një element të rëndësishëm që e favorizon Shqipërinë këto kohë.

“Situata gjeopolitike është në favor të Shqipërisë ndërkohë që reforma të rëndësishme të ndërmarra kanë dhënë fytet e tyre, duke e bërë vendin tonë partner më të besueshëm përballë BE-së dhe vendeve të saj anëtare. Tashmë vendi ynë ka barrën të provojë se mund t’i arrij standardet e kërkuara duke thelluar reformat dhe zbatimin e tyre pasi nuk ka pengesa të jashtme ndaj procesit”, thotë Gjipali.

Edhe Vurmo mbështet të njëjtën tezë: “Aktualisht mund të themi se Shqipëria mundet potencialisht të përfitojë pikërisht nga një moment i tillë i volitshëm gjeopolitik në rajon dhe më gjerë. Sigurisht këtu nuk duhet mohuar edhe progresi i vendit në disa aspekte, po aq sa duhen njohur edhe sfidat tona”.  Precedenti kur zgjerimi nuk ka qenë vetëm çështje teknike, por edhe qëllim strategjik dhe gjeopolitik është i përsëritshëm

Vurmo sjell ndërmend se, historia e BE ka njohur edhe më herët raste të tilla anëtarësimi ku elementi gjeo-politik (më shumë sesa ai i përmbushjes se kritereve teknike) ka luajtur një rol të posaçëm, si rasti i Greqisë apo ai i Spanjës.

Arritja

Thënë kjo, dhe duke marrë të mirëqenë vullnetin politik të vendeve anëtare, teorikisht, sipas Vurmos, është e mundur që vendi të përmbyllë negociatat deri në fund të 2027-ës dhe të nënshkruajë dhe ratifikojë traktatin e anëtarësimit deri në 2030-ën, ku me siguri, sipas tij, do të kërkohen periudha tranzitore më të gjata (pas 2030-ës) për politika të caktuara.

Kushtet

Shqipëria duhet të zbatojë reforma të thella në fusha kyçe si sundimi i ligjit, ekonomia dhe lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Kohëzgjatja e negociatave me BE-në varet nga shpejtësia e këtyre reformave dhe përafrimi me legjislacionin e BE-së. Çdo kapitull negociues konsiderohet i mbyllur vetëm kur të gjitha vendet anëtare janë plotësisht të kënaqura me progresin dhe procesi përfundon kur të gjithë kapitujt janë mbyllur zyrtarisht nga Këshilli Evropian.

The post Premtimi i Ramës për pasaportën europiane, gjeopolitika ndihmon, por reformat na mbajnë në lojë appeared first on Faktoje.al.

❌