Normal view

Vlorë/ Zjarr pranë zonës së ish-Fushës së Aviacionit, ndërhyjnë zjarrfikësit për të shmangur përhapjen e flakëve

27 June 2026 at 13:54

VLORË- Një zjarr ka rënë pak minuta më parë në pjesën periferike të qytetit, në zonën e ish-Fushës së Aviacionit, pranë një zone të banuar.

Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë përfshirë një territor me barishte të thata dhe shkurre, duke shkaktuar shqetësim për banorët e zonës. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë nisur ndërhyrjen për izolimin dhe shuarjen e flakëve.

Burime nga terreni bëjnë të ditur se, falë reagimit të shpejtë të zjarrfikësve, deri tani nuk raportohet rrezik për banesat pranë vatrës së zjarrit.

Paraprakisht dyshohet se zjarri mund të jetë vendosur në mënyrë të qëllimshme, megjithatë shkaqet e sakta do të përcaktohen pas përfundimit të hetimeve nga autoritetet kompetente.

Operacioni për shuarjen e plotë të flakëve vijon.

Armë e granata në anë të rrugës/ Vlorë, qytetarja zbulon municionet, policia në vendngjarje

19 June 2026 at 10:28

Disa granata të ndryshkura dhe dy armë të mbuluara me rrobë janë konstatuar në anën e rrugës së plazhit të vjetër.

Në zonën që shkon në drejtim të Zvërnecit tek Kanali i Motorit një qytetare ka parë armët dhe granatat anës rrugës.

Ato janë në një prej akseve rrugore më të frekuentuara në qytet dhe kanë dalë në pjesën anësore të rrugës.

Është njoftuar policia ndërsa dyshohet se janë të shumë viteve më parë.

Elizabeta Shehaj është qytetarja e cila ka zbuluar armët në shesh Ajo tregon se ka qënë duke kaluar kur ka shkelur njërën prej tyre. Shehaj thotë se i ka gjetur në pjesën anësore të rrugës./abcnews.al

Vlorë/ Parashutisti rrëzohet në det gjatë uljes, dy pushues i shpëtojnë jetën (Video)

By: Rovena
18 June 2026 at 14:20

Një incident i rrezikshëm është regjistruar në bregdet, ku një parashutist është rrëzuar në det gjatë tentativës për ulje, duke rrezikuar seriozisht jetën.

Sipas informacioneve paraprake, parashutisti ka humbur kontrollin në momentet e fundit të zbritjes dhe ka përfunduar në ujë. Situata ka krijuar momente paniku për pushuesit që ndodheshin në zonë.

Vendimtare kanë qenë reagimi dhe guximi i dy pushuesve, të cilët janë hedhur menjëherë në det sapo kanë vënë re ngjarjen. Ata kanë notuar drejt të dëmtuarit dhe kanë arritur ta nxjerrin në breg, duke i dhënë ndihmën e parë deri në mbërritjen e shërbimeve të emergjencës.

Më pas, i lënduari është transportuar me urgjencë drejt spitalit, ku po merr ndihmë të specializuar mjekësore. Ende nuk ka informacion zyrtar mbi gjendjen e tij shëndetësore.

Autoritetet pritet të zbardhin rrethanat e plota të incidentit dhe shkaqet që çuan në rrëzimin e parashutistit

Vlorë, shtohen tragetet për verën/ Nga 1 korriku do të operojnë dy linja tragetesh me Italinë

By: Rovena
16 June 2026 at 15:39

Për t’iu përgjigjur kërkesës së shtuar dhe fluksit të sezonit veror, në portin e Vlorës nga data 1 korrik do funksionojnë dy linja tragetesh me Italinë.

Drejtori i portit të Vlorës, Valdet Bello, në një intervistë për ABC News, konfirmoi se ka nisur zbatimi i masave të posaçme me qëllim lehtësimin e pasagjerëve dhe mjeteve që operojnë në port.

Drejtori i Portit të Vlorës tha se përgatitjet kanë nisur tashmë, ndërsa muajt korrik dhe gusht pritet të shënojnë fluksin më të lartë të lëvizjeve, si çdo vit.

Për të përballuar këtë ngarkesë, numri i sporteleve funksionale është rritur nga katër në gjashtë.

Fundjava që lamë pas regjistroi një numër më të lartë lëvizjesh në port, ndërsa muajt korrik dhe gusht pritet të sjellin sërish një fluks të konsiderueshëm pasagjerësh nëpërmjet Portit të Vlorës.

Vlorë/ Përfshihet nga flakët apartamenti në katin e 8-të të një pallati, vetëm dëme materiale

16 June 2026 at 07:34

Një apartament në katin e 8-të të një pallati në lagjen Pavarësia, pranë ish-Kombinatit, është përfshirë nga flakët rreth orës 01:00 të mëngjesit sotëm në Vlorë.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë punuar për disa orë për të vënë nën kontroll flakët dhe për të parandaluar përhapjen e zjarrit në apartamentet përreth.

Operacioni ka qenë i vështirë për shkak të lartësisë së katit ku ra zjarri.

Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale në banesë kanë qenë të konsiderueshme.

Shkaqet e zjarrit ende nuk janë bërë të ditura, ndërsa pritet që ekspertët të kryejnë verifikimet përkatëse për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes./abcnews.al

Një cep i Beratit në Vlorë-Lokali që ruan stilin klasik

15 June 2026 at 19:56

Mes bareve moderne, arredime luksoze që dominojnë sot qytetin e Vlorës, ekziston një ambient që të kthen pas në kohë.

Tapete klasike, perde me detaje tradicionale, filxhanë që kujtojnë shtëpitë e dikurshme dhe një atmosferë që të jep ndjesinë e një shtëpie, jo të një lokali

Pas këtij koncepti qëndron Majlinda Opingari, 49 vjeç, me origjinë nga Berati dhe prej vitesh e vendosur në Vlore

Majlinda tregon se ideja lindi vite më parë, si një mënyrë për t’u treguar klientëve se një bar-kafe mund të ketë identitet.

Frymëzimi, sipas saj, lidhet me fëmijërinë në Berat  Ajo thotë se në fillim nuk ishte e lehte për të.

“Nuk ishte e lehtë, por klinetët u mësuan”, shprehet ajo.

Sipas Majlindës, njerëzit janë lodhur disi nga  stilit modern dhe kërkojnë ambiente që krijojnë ndjesi më të ngrohta

Madje, ajo ka edhe një cep të preferuar brenda lokalit.

Zjarr në një banesë në Vlorë, shkak dyshohet shkëndija elektrike

12 June 2026 at 21:24

Një shkëndijë elektrike në panelin elektrik të një banese ka rrezikuar të shkaktojë djegien e plotë të saj. Ngjarja ka alarmuar banorët, të cilët kanë njoftuar menjëherë shërbimet zjarrfikëse.

Forcat e zjarrfikëses kanë ndërhyrë në kohë, duke bërë të mundur izolimin e vatrës së zjarrit dhe shmangien e përhapjes së flakëve në pjesët e tjera të banesës.

Megjithëse zjarri është neutralizuar pa shkaktuar dëme të mëdha materiale, bloza dhe tymi kanë përfshirë të gjitha ambientet e shtëpisë, duke shkaktuar dëmtime në mobilie dhe sende të tjera shtëpiake.

Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa po punohet për vlerësimin e dëmeve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Vlorë, muzetë tërheqin turistët/ Muzetë të hapur gjatë gjithë ditës dhe në fundjavë

12 June 2026 at 13:58

VLORË– Historia e Shqipërisë tërheq të huajt. Në Vlorë turistët nuk largohen nga qyteti  pa vizituar muzetë e tij.

Ndikuar nga rritja e numrit të vizitorëve  muzetë do të qëndrojnë të hapur përtej orarit të zakonshëm.

Turistët do të kenë mundësi t’i vizitojnë dhe gjatë fundjavës deri më 15 shtator.

Në Vlorë sezoni turistik  pritet të shënojë rritje të numrit të turistëve që vizitojnë muzetë sipas përgjegjësit të tyre./abcnews.al

Vlorë/ 27-vjeçarja bie nga kati i gjashtë i pallatit, në gjendje kritike për jetën

10 June 2026 at 23:55

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në zonën e Ujit të Ftohtë, pranë Lungomares në Vlorë.

Sipas informacioneve paraprake, një grua rreth 27-vjeçare me inicialet ka rënë nga kati i gjashtë i një pallati. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e urgjencës, të cilat e kanë transportuar të renë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës.

Burime paraprake bëjnë me dije se 27-vjeçarja ndodhet në gjendje kritike për jetën dhe po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Në këtë fazë, nuk ka ende informacion zyrtar mbi shkaqet që çuan në këtë incident./abcnews.al

EMRAT/ Goditet grupi kriminal! Policia jep detaje nga aksioni në Vlorë: 6 të arrestuar, mes tyre një i kërkuar nga Italia

9 June 2026 at 09:30

Një grup kriminal me rrezikshmëri të lartë shoqërore, me aktivitet në fushën e krimeve kundër personit dhe të narkotikëve, është goditur nga Policia e Vlorës në kuadër të operacionit të koduar “Grupi”.

Gjatë aksionit janë arrestuar gjashtë persona, mes tyre një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane dhe dy të tjerë në kërkim kombëtar.

Operacioni u zhvillua nga specialistët e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë (FNSH), Njësia Fier, dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, pas informacioneve operative se disa persona me precedentë kriminalë lëviznin të armatosur dhe me mjete të blinduara.

Në kuadër të operacionit të koduar “Grupi”, u vunë në pranga shtetasit:
-Florian Shala alias Florian Alliaj;
-Neritan Dalipaj alias Neritan Qejvanaj;
-Aleksandër Dula alias Aleksandër Thomai alias Ilir Dula;
-Miço Beqaraj;
-Turi Aligjoni;
-Dritan Çelaj.

Aleksandër Dula alias Aleksandër Thomai alias Ilir Dula, rezulton i dënuar nga Gjykata e Apelit në Lecce të Italisë me 6 vite e 8 muaj burg për trafikim të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Në të njëjtin ambient u arrestuan edhe Turi Aligjoni 55 vjeç, i dyshuar si autor i plagosjes me armë zjarri të ndodhur më 7 qershor në Vlorë, si dhe Dritan Çelaj 48 vjeç.

Të dy ishin të shpallur në kërkim kombëtar për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje e armëve”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjatë operacionit policia sekuestroi katër armë zjarri pistoleta të markave “Glock”, “Sig Sauer” dhe “Canik”, municion luftarak, shtatë telefona celularë, 1850 euro dhe tre automjete, dy prej të cilave me targa të huaja. Njëri prej mjeteve ishte i blinduar.

Nga hetimet paraprake ka rezultuar se automjeti tip “BMW X5”, i sekuestruar gjatë operacionit, ishte përdorur nga Turi Aligjoni për t’u larguar nga vendi i ngjarjes pas plagosjes së 26-vjeçarit F. L., ngjarje e ndodhur në Vlorë dy ditë më parë.

Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të grupit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në veprimtarinë e tij të paligjshme.

Alarm për tritol në një automjet në Vlorë/ Policia në vendngjarje

By: Rovena
6 June 2026 at 22:55

Një situatë paniku është regjistruar pak më parë, ku një qytetar ka njoftuar me urgjencë policinë pasi ka dyshuar se poshtë automjetit të tij mund të ishte vendosur një sasi lënde plasëse.

Menjëherë pas marrjes së këtij sinjalizimi, forcat e rendit kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë ndërhyrë duke vendosur perimetrin e sigurisë për të shmangur çdo rrezik të mundshëm për kalimtarët dhe banorët përreth.

Ekspertët xhenierë dhe shërbimet e Policisë kanë nisur menjëherë verifikimet e hollësishme në mjetin e dyshuar.

Burime paraprake nga terreni bëjnë me dije se deri në këto momente nuk është konstatuar asnjë objekt i dyshimtë apo lëndë plasëse, megjithatë kontrollet e rrepta po vijojnë me intensitet të plotë për të përjashtuar çdo dyshim dhe për të garantuar sigurinë e plotë të zonës.

Përfshihet nga flakët një automjet në Kaninë, dyshohet për shkëndijë elektrike

5 June 2026 at 22:46

Një automjet tip “Benz” është përfshirë nga flakët mbrëmjen e sotme në zonën e Kaninës, në Vlorë.

Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka shpërthyer teksa automjeti ishte në lëvizje, ndërsa dyshohet se shkak ka qenë një shkëndijë elektrike ne mjet. Flakët kanë përfshirë me shpejtësi mjetin, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur vënien nën kontroll të flakëve dhe shuarjen e zjarrit.

Fatmirësisht, sipas të dhënave paraprake, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa policia dhe grupi hetimor po punojnë për të përcaktuar shkaqet që çuan në përfshirjen e automjetit nga flakët.

Zbardhet ngjarja në Vlorë/ 37-vjeçari u vetëplagos me armë gjahu, është jashtë rrezikut për jetën

By: Rovena
5 June 2026 at 10:36

Mbrëmjen e djeshme, shtetasi Sh. K, 37 vjeç, banues në Sevaster, dyshohet se është vetëplagosur aksidentalisht në këmbë, me armë gjahu që e mbante pa leje.

Ai po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën. Materialet procedurale u referuan në Prokurori, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

VIDEO-EMRI/ 37-vjeçari në gjendje të rëndë në spital! U paraqit me plagë në këmbë, dyshohet se është vetëplagosur me armë zjarri

4 June 2026 at 23:10

Një person është transportuar në spital në Korçë për të marrë trajtim mjekësor, pasi ka marrë plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit.

I plagosuri është identifikuar si Shpati Kamberaj 37 vjeç. Mësohet se ka marrë plagë në këmbë. 37-vjeçar ndodhet në gjendje të rëndë dhe është në sallë operacioni. Ndërsa dyshohet se është vetëplagosur me armë zjarri.

Rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta.

 

Sezoni turistik/ Vlorë, pezullohen për 3 muaj ndërtimet dhe kufizohet qarkullimi i mjeteve të rënda

By: Rovena
2 June 2026 at 10:30

Bashkia Vlorë njofton qytetarët, bizneset dhe subjektet e ndërtimit se, në kuadër të garantimit të mbarëvajtjes së sezonit turistik veror 2026, do të zbatohen masa të veçanta për kufizimin e qarkullimit të mjeteve të rënda dhe disiplinimin e aktiviteteve të ndërtimit.

Periudha e zbatimit: 05 Qershor – 15 Shtator 2026

Pezullohen përkohësisht punimet e ndërtimit në zonat urbane dhe turistike të Bashkisë Vlorë, përfshirë qytetin e Vlorës, Lungomaren, Skelën, Ujin e Ftohtë, Plazhin e Vjetër, Radhimën, Orikumin, Jonufrën, Nartën, Zvernecin dhe akset kryesore turistike. Përjashtim bëjnë vetëm punimet infrastrukturore dhe shërbimet publike të autorizuara nga Bashkia Vlorë.

Ndalohet qarkullimi i mjeteve të rënda mbi 3.5 ton:

Të premten: ora 15:00 – 24:00

Të shtunën dhe të dielën: gjatë gjithë ditës

Ndalohet kryerja e ngarkim-shkarkimit nga mjetet e transportit të mallrave 1.5 – 3.5 ton:

Nga e hëna në të premte: ora 06:00 – 11:00 dhe 15:00 – 24:00

Të shtunën dhe të dielën: ora 06:00 – 24:00

Ndalohet parkimi i mjeteve mbi 3.5 ton dhe i kamperave në rrugët kryesore të qytetit, përfshirë Lungomaren dhe Bulevardin “Ismail Qemali”, sipas përcaktimeve të urdhrit.

Këto masa synojnë përmirësimin e qarkullimit rrugor, garantimin e sigurisë publike dhe ofrimin e një eksperience sa më cilësore për qytetarët dhe vizitorët gjatë sezonit turistik.

Shkeli perimetrin e sigurisë duke rrezikuar jetën e pushuesve/ Vlorë, gjobitet me 500 mijë lekë drejtuesi i Jet Ski

31 May 2026 at 10:18

Një mjet lundrues tip Jet Ski është bllokuar nga Policia Kufitare, ndërsa drejtuesi i tij është ndëshkuar me masë administrative në vlerën 500.000 lekë të rinj, pasi kishte shkelur perimetrin e sigurisë në zonën e Karaburunit, duke rrezikuar jetën e pushuesve.

Sipas Policisë së Shtetit, ndërhyrja erdhi menjëherë pas raportimeve dhe videos së dërguar nga qytetarët, ku shfaqej Jet Ski-ja duke lundruar në afërsi të bregut, në kundërshtim me rregullat e sigurisë detare.

Shërbimet e Policisë Kufitare të SPK Triport, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, arritën të konstatojnë dhe ndalojnë mjetin lundrues teksa po afrohej pranë molit të peshkimit në territorin e SPK Triport.

Pas verifikimeve, mjeti u bllokua në pikën e bllokimit të mjeteve lundruese pranë SMIL-it, ndërsa drejtuesi, shtetasi me iniciale E. U., u gjobit me 500 mijë lekë të rinj për shkeljen e konstatuar./abcnews.al

Vlora, optimiste për sezonin turistik/ Prenotimet në rritje, operatorët paralajmërojnë mungesë kapacitetesh

26 May 2026 at 13:54

Sezoni turistik në Vlorë ka nisur me sinjale pozitive, ndërsa operatorët turistikë parashikojnë një verë me fluks edhe më të lartë vizitorësh krahasuar me një vit më parë.

Interesi i shtuar për rivierën shqiptare dhe prenotimet e hershme, jo vetëm për muajt e parë të sezonit, por edhe për kulmin e verës, po krijojnë pritshmëri optimiste për një tjetër vit të suksesshëm për turizmin në jug të vendit.

Sipas përfaqësuesve të sektorit, rritja e numrit të turistëve ka sjellë edhe sfida sa i përket fuqisë punëtore. Edhe këtë sezon bizneset kanë nisur angazhimin e stafit vendas, por kërkesat e larta për shërbim pritet të detyrojnë operatorët të punësojnë sërish punëtorë të huaj.

Ndërkohë, kërkesat në rritje për pushime në Vlorë dhe në gjithë jugun e vendit po vënë në provë edhe kapacitetet akomoduese. Operatorët turistikë thonë se në shumë raste kërkesa tejkalon ofertën ekzistuese, çka po nxit investime të reja në struktura hoteliere.

Me vijën bregdetare, natyrën dhe ofertën turistike që tërheq çdo vit më shumë vizitorë vendas e të huaj, Vlora pritet të mbetet edhe këtë verë një nga destinacionet më të kërkuara të turizmit shqiptar.

/abcnews.al/

Vlorë, konvikt i ri me kushte bashkëkohore në Shkollën profesionale “Pavarësia”

25 May 2026 at 10:57

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu inspektoi nga afër rikonstruksionin e plotë të konviktit në shkollën profesionale “Pavarësia”, në Vlorë, i cili tashmë u ofron studentëve që jetojnë aty kushte bashkëkohore me standarde europiane.

Si pjesë e investimeve të qeverisë dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit, rikonstruksionit të plotë i është nënshtruar edhe shkolla profesionale, ku për sezonin 2025-2026 kjo shkollë së bashku me atë tregtare kanë rreth 800 studentë të regjistruar.

“Shkolla “Pavarësia’ së bashku me Shkollën Tregtare kanë diku 800 studentë të regjistruar për vitin akademik 2025-2026 ndërkohë që konviktin e shfrytëzojnë rreth 100 nxënës. Paralelisht me mbarimin e konviktit është në rikonstruksion edhe shkolla “Pavarësia” dhe gjithë territori përreth do sistemohet për të krijuar një korpus të shkollës profesionale, konviktit dhe praktikës. Ne po punojmë për arsimin profesional dhe investimi këtu nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit është pjesë e paketës e kryer në 8 qytete të Shqipërisë për ti dhënë vëmendjen e duhur arsimit profesional si një nga ato komponent që besojnë fort se u shërben të rinjve, por dhe orientimit të tyre drejt tregu të punës dhe ofertave që tregu i punës ka. Nëpërmjet tregut të punës nuk i japim vetëm një diplomë të rinjve, por u japim mundësi zhvillimit ekonomik të vendit dhe mundësi konkrete për punësim”, tha zëvendëskryeministrja Albana Koçiu.

Kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli tha se ky investim është pjesë e paketës që qeveria ka bërë në disa konvikte të shkollave profesionale në gjithë Shqipërinë. “Në kemi përfunduar punimet në disa konvikte në gjithë Shqipërinë. Praktikisht ne kemi përfunduar punimet në konviktet e Kukësit, Dibrës, Elbasanit, Shkodrës dhe Lushnjes. Konviktet janë të gjithë pjesë e një ndërhyje të një standardi të lartë”, tha Agolli.
Kryetarja e Bashkisë Vlorë, Bruna Mersini bëri me dije se kjo është faza e parë e projektit, ndërsa faza e dytë është mbarimi i gjithë zonës së praktikës dhe në fund gjithë territorit që do shërbejë si korpus.

Vlora “ndizet” nga muzika folklorike/ Ansamble nga shtete të ndryshme në qytetin bregdetar për festivalin “Aulona Folk Festival”

23 May 2026 at 23:13

Vlora është e gjitha e përfshirë nga atmosfera folklorike. Qytetarët shijuan spektaklin e dhuruar nga ansamble nga vende të ndryshme të botës, që kanë mbërritur këtë fundjavë në qytetin bregdetar në kuadër të festivalit ndërkombëtar “Aulona Folk Festival”.

Në rrugët e qytetit, atmosfera ka qenë festive dhe plot ngjyra.

Grupet pjesëmarrëse kanë kërcyer valle tradicionale, ndërsa secili ansambël është dalluar nga kostumet shumëngjyrëshe dhe muzika karakteristike e kulturave të tyre.

Turistë dhe qytetarë të shumtë janë ndalur për të ndjekur nga afër shfaqjet artistike.

Më shumë vëmendje kanë tërhequr grupet nga Kili dhe Brazili, të cilët krijuan një atmosferë elektrizuese me performancat dhe energjinë e tyre në pedonalen dhe zonat kryesore të qytetit.

“Aulona Folk Festival”, që organizohet çdo vit në Vlorë, vijon ta kthejë qytetin në një qendër të kulturës dhe traditave ndërkombëtare, duke promovuar turizmin dhe shkëmbimin kulturor mes vendeve pjesëmarrëse./abcnews.al

Turistët me kamper zbulojnë Shqipërinë/ Vlora, surpriza e vizitorëve nga vendet europiane

23 May 2026 at 17:50

Dëshira për të zbuluar sa më shumë ka bërë që shumë të huaj të udhëtojnë me kamper nëpër Shqipëri. Disa prej tyre janë vendosur në bregdetin e Vlorës ,

Qyteti i ka surprizuar. Vizitorët vijnë nga Austria, Gjermania, Zvicra dhe Holanda.

“Jam nga Austria. Më pëlqen natyra, njerëzit. Do të qëndrojmë deri nga qershori.”

“Jam nga Gjermania. Është hera e parë në Shqipëri. Do të qëndrojmë rreth 1 javë. Na pëlqen natyra. Është shumë këndshëm.”

 “Do të qëndrojmë dy javë në Vlorë, do të shkojmë në Shkodër e më pas në Mal të Zi.”

Jo vetëm deti, por edhe mali dhe mikpritja shqiptare mbeten arsye kryesore për t’u rikthyer në vendin tonë.

“Jam nga Zvicra. Është hera e dytë që vij. Kam qenë këtu tre vjet më parë. Kam ardhur një javë para. Ne bëjmë hiking. Më pëlqen ushqimi. Më pëlqen deti, por më shumë mali. Po kalojmë shumë mirë.”

“Jam nga Zvicra. Është hera ime e parë këtu. Është vend i bukur, me njerëz të këndshëm e ushqim të mirë.”

Vlora mbetet ndër destinacionet kryesore për shumë të huaj, numër i cili, sipas operatorëve turistikë, pritet të rritet ndjeshëm këtë sezon veror./abcnews.al

❌