Normal view

Palestina ëndërron me futbollin/ Vendi i shkatërruar nga lufta, kombëtarja luan për “Botërorin”

10 June 2025 at 12:44

Në një kohë që paqja duket ende larg, një vend i shkatërruar nga lufta si Palestina sheh një fije drite dhe shprese te futbolli.

Përtej çdo imagjinate, kombëtarja palestineze ëndërron të jetë një nga finalistet e Botërorit 2026 që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.

Kjo do të ishte një arritje historike, por më parë duhet të fitojë ndeshjen kundër Oman në eliminatoret e zonës Aziatike, në program mbrëmjen e sotme në stadiumin “Mbreti Abdullah II” në Jordani.

Në rast suksesi, kjo kombëtare e përbërë nga lojtarë, më së shumti me origjinë palestineze të lindur në vende të ndryshme të botës, do të kualifikohej në raundin e katërt kualifikues. Më pas në fazën e play-off do të luante për kualifikimin direkt.

Një sipërmarrje e madhe sportive dhe mbi të gjitha e mbushur me histori njerëzore, për një vend të kthyer në rrënoja, ku jetohet mes frikës së luftës dhe viktimave të përditëshme.

Të gjitha këto janë kthyer në një dozë eksta krenarie për futbollistët, siç tha edhe Oday Dabbagh në konferencën për mediat. Ai luan me Aberdeen në Skoci dhe është shënuesi më i mirë në historinë e Palestinës me 16 gola.

Kombëtarja palestineze mban vendin e 101 në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA, ndërsa vjen në këtë sfidë, si një takim me historinë pas fitoreve në dy ndeshjet e fundit kundër Irakut dhe Kuvajtit.

Për fitore në Letoni/ Trajneri Sylvinho pritet të bëjë ndryshime në formacion

10 June 2025 at 11:43

Jo më kot thuhet se është më e rëndësishme sesa ajo e së shtunës.

Kombëtarja luan sonte në Letoni, në 20:45, sfidën e radhës të eliminatoreve të Kupës së Botës dhe objektivi i vetëm është fitorja.

Nëse dëshirojmë të arrijmë vendin e dytë në grup dhe të shkojmë në plej of, nuk mund të ketë hap fals.

Trajneri Silvinjo pritet të bëjë ndryshime në formacion, pas shpenzimit tepër të madh të energjive në duelin ndaj Serbisë, dhe për shkak të pezullimit të kapitenit Berat Gjimshiti.

Në portë mbetet Strakosha, ndërsa në qendër të mbrojtjes mund të jetë dyshja Ismajli-Kumbulla, që nuk ishin në fushë ndaj serbëve.

Natyrisht, alternativë është Adrian Bajrami i Benfikës, që herën e fundit mbeti në tribunë.

Në krah nuk ka dyshime për Mitajn, por tekniku brazilian duhet të mendohet nëse Hysaj mund të ketë sërish forca, apo më mirë të luajë Balliu.

Shehu dhe Asllani mbijetojnë, po ashtu si Broja, ndërsa ka dyshime nëse do të luhet me Hoxhën e Laçin siç ndodhi të shtunën, apo me Muçin e Bajramin.

Në sulm është dilema e fundit, me Manajn jo pak të lodhur, por që duket se pëlqehet nga Silvinjo për shkak të lëvizshmërisë së tij në fushë.

Alternativë është padyshim Mirlind Daku që pati pak minuta të shtunën.

Shqipëria ka 4 pikë në grupin tonë eliminator pas 3 ndeshjeve, me humbje në Angli, fitore në Tiranë kundër Andorrës dhe barazim po në kryeqytet ndaj Serbisë.

❌