Normal view

Nga suksesi global te kriza financiare/ “BioNTech”, rënia e superfuqisë pandemike

14 May 2026 at 09:41

Gjashtë vjet pasi u bë simbol i luftës globale kundër pandemisë COVID-19, kompania gjermane e bioteknologjisë “BioNTech” po përballet me një krizë të thellë financiare dhe organizative.

Kompania me seli në Mainz, e njohur për zhvillimin e vaksinës së parë të miratuar me teknologjinë ARNi kundër COVID-19 në bashkëpunim me Pfizer, ka njoftuar mbylljen e disa uzinave prodhuese në Gjermani dhe Singapor, si dhe shkurtime masive të vendeve të punës.

Sipas raportimeve, rreth 1,860 punonjës pritet të humbasin vendin e punës.

BioNTech raportoi humbje neto tremujore prej 532 milionë eurosh, ndërsa kompania po përgatitet edhe për largimin e themeluesve të saj, Ugur Sahin dhe Ozlem Tureci, të cilët u kthyen në figura globale gjatë pandemisë.

Analistët financiarë vlerësojnë se rënia e BioNTech lidhet me përfundimin e bumit të jashtëzakonshëm të të ardhurave nga vaksina kundër COVID-19, që solli miliarda euro fitime gjatë viteve të pandemisë. Rënia e kërkesës për vaksina në Evropë dhe SHBA ka lënë kompaninë me kapacitete të tepërta prodhimi dhe kosto të larta operative.

Si pjesë e ristrukturimit, BioNTech ka bërë të ditur se prodhimi i lidhur me vaksinat kundër koronavirusit do të transferohet te Pfizer.

Ekspertët theksojnë se rasti i BioNTech nxjerr në pah rrezikun e mbështetjes së një kompanie vetëm te një produkt i suksesshëm, sidomos në sektorin e bioteknologjisë, ku kostot e kërkimit dhe zhvillimit janë të larta dhe tregu mbetet i paqëndrueshëm.

Kompania kishte përfituar gjithashtu qindra milionë euro mbështetje nga qeveria gjermane për kërkimet kundër kancerit dhe për zhvillimin e vaksinës gjatë pandemisë.

/abcnews.al/

Future2Tech panairi i teknologjisë dhe inovacionit/ Rikthehet për edicionin e tij të tretë më 2-3 tetor 2025 në Pallatin e Kongreseve

2 October 2025 at 14:58

Future2Tech panairi më i madh i inovacionit, teknologjisë dhe edukimit në Shqipëri është rikhyer në edicionin e tretë të tij.

Ky edicion ka mbledhur bashkë mbi 100 kompani të njohura të teknologjisë nga Shqipëria, Kosova e Italia, të cilat do të prezantojnë një sërë risish.

“Në këtë panair teknologjie, inovacioni dhe edukimi, presim që të japim mesazhe të rëndësishme dhe të japim informacion, ndërgjegjësim mbi teknologjinë përdorimin e duhur të saj dhe zhvillmimet që priten në të ardhmen. Janë mbi 100 kompani pjesëmarrëse, holli kryesor i pallatit të Kongreseve nuk do të mbante më shumë kompani. Kemi kompani nga Shqipëria, brande ndërkombëtare, nga Kosova Italia. Pra, rajoni dhe vendet fqinje janë prezent në të gjithë panairet tona, por sidomos në teknologji”,

Panairi Future2Tech synon të  të bashkojë liderët më të mirë të teknologjisë, startup-et, investitorët, edukatorët dhe pionierët e industrisë për dy ditë zbulimesh të reja, rrjetëzimi dhe bashkëpunimi.

“Ne besojmë që ekosistemi inovacionit, dhe teknologjisë në vend është duke u zhvilluar, dhe zhvillimi vjen nga të rinjtë. Nga modelet e para të cilat vitin e parë kanë qenë start up, ndërsa pas dy vitesh janë kthyer si biznese këtu. Ne shohim një potencial shumë të madh të kompanive të reja të cilat janë mbi 50 kompani që monitorohen në panair, ndjekin eventet dhe kanë mundësinë të takojnë mentor apo folës që janë ekspertë në fushat e tyre”

Sisal Albania  e cila ofron shërbime ndërkombetare është një ndër kompaninë pjesëmarrëse në panairin e teknologjisë dhe inovacionit.

“Ne kemi ekspertizë, jemi një kompani shareservice, shërbimet tona janë për tregjet ndërkombëtare por me ekspertizë në Shqipëri me një cilësi shumë të lartë ndaj shërbimit të klientit dhe të inovacioneve të ndryshme që ne kemi në projekte ndërkombëtare”

Ndërkohë kompania InfoSoft  do të prezantojë për të gjithë të interesuarit risi mbi inteligjencën artificiale.

“Këtë vit, mbështesim Future2Tech dhe gjatë dy ditëve të ardhshme do të marrim pjesë në tre panele ku do të trajtojmë inteligjencën Artificiale Cybersecurity”

Future2Tech është panairi kryesor tregtar në Ballkan i dedikuar teknologjisë, inovacionit dhe arsimit. ky event do të  zhvillohet në datat 2  dhe 3 tetor në pallatin e Kongreseve dhe vjen si një organizim i Iceberg Exbhition dhe Albania Tech./abcneës.al

Tesla tërheq nga tregu rreth 239,000 automjete, ja çfarë problemi dyshohet 

10 January 2025 at 15:44

Kompania Tesla njoftoi se ka tërhequr rreth 239,000 automjete të saj për shkak të një problemi që mund të çojë në një mosfunksionim të kamerës së pasme.

Në një numër të caktuar automjetesh të prekura, kur automjeti është i ndezur, mund të ndodhë një qark i shkurtër në tabelën e kompjuterit të makinës, i cili do të çaktivizonte kamerën e pasme, sipas një deklarate të publikuar nga Reuters.

Në fjalë janë disa automjete Tesla Model 3 dhe Model S, të prodhuara në periudhën 2024-2025, si dhe disa automjete Model X dhe Model Y, të prodhuara në periudhën 2023-2025. Supozohet se është e mundur të zgjidhet ky problem duke përditësuar softuerin.

Administrata Kombëtare e Sigurisë së Trafikut në Autostrada të SHBA (NHTSA) tha të martën se ka hapur një hetim për 2.6 milionë automjete Tesla në SHBA mbi raportet e përplasjeve që dyshohet se janë shkaktuar nga sistemi i telekomandës së makinës. Drejtuesit e lënduar deklaruan se duke përdorur këtë sistem kishin shumë pak kohë për të shmangur një përplasje, shton agjencia britanike.

Hetimi i ri vjen pasi NHTSA në tetor nisi një hetim për 2.4 milionë automjete Tesla të pajisura me softuer vetëdrejtues (FSD) pas katër përplasjeve të raportuara të shkaktuara nga softueri, njëra prej të cilave ishte fatale./abcnews.al

Honda prezanton bateritë e reja me një distancë deri në një mijë kilometra

6 January 2025 at 11:50

Honda planifikon të prodhojë SSB (bateri në gjendje të ngurtë) për automjetet elektrike që mund të sigurojnë një distancë deri në 1000 kilometra me një karikim të vetëm. Kjo është më shumë se dyfishi i gamës së makinave elektrike të prodhuara në masë aktualisht në treg, njoftoi kompania japoneze.

Nëse ky qëllim arrihet, do të ishte një hap i madh në tejkalimin e “ankthit të rrezes”, pengesa kryesore për përdorimin e gjerë të automjeteve elektrike në botë.

Në nëntor, Honda zbuloi linjën e prodhimit për bateritë e saj të ardhshme të gjendjes së ngurtë, të cilat prodhuesi japonez i automjeteve planifikon t’i integrojë në automjetet e tij elektrike dhe t’i prodhojë në masë në gjysmën e dytë të kësaj dekade./abcnews.al

Ministri i Financave: Britania do të rishikojë objektivat e shitjes së makinave elektrike

27 November 2024 at 14:56

Në Britaninë e Madhe kanë nisur konsultimet që do të shqyrtojnë qëllimet e rritjes së shitjes së automjeteve elektrike (EV) për industrinë e automobilave, tha ministrja e Financave Rachel Reeves.

Ne duam që njerëzit të blejnë automjete elektrike, por duam gjithashtu të mbajmë vende pune dhe investime në Britani, theksoi ajo, sipas Reuters.

Industria britanike e makinave ka paralajmëruar më parë se vendosja e objektivave të shitjeve për automjetet elektrike mund të çojë në mbylljen e fabrikave dhe humbjen e vendeve të punës.

Ritmi i tranzicionit në EV-të miqësore me klimën po ka efekte negative në tregun e makinave dhe në tërheqjen e Mbretërisë së Bashkuar për investitorët, paralajmëroi Shoqata e Prodhuesve të Motorëve (SMMT) javën e kaluar. Objektivi i përgjithshëm i vitit 2030 për të ndaluar shitjen e makinave të reja me benzinë ​​dhe naftë mbetet në fuqi./abcnews.al

Gjermania synon të bëhet lidere në Evropë për inteligjencë artificiale

22 October 2024 at 16:40

Qeveria gjermane shpreson të krijojë kornizën që Gjermania të bëhet lidere në sektorin e inteligjencës artificiale në Evropë, kanë thënë ministrat e këtij vendi.

Në mesin e hapave të nevojshëm është përmendur zbatimi i rregulloreve të reja të Bashkimit Evropian për inteligjencë artificiale dhe qasja më e lehtë në të dhëna për bizneset e reja inovative, ka thënë ministri për Çështje Digjitale, Volker Wissing, në Samitin Digjital të Qeverisë, të mbajtur në Frankfurt.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz e ka pranuar që për kohë të gjatë, shumë pak gjëra kanë ndodhur në Gjermani kur është fjala për inteligjencën artificiale, dhe i ka përmendur mundësitë që ofron teknologjia e re.

“Besoj se kemi mundësi fantastike, sidomos ku është në funksion fuqia e kompjuterit”, ka thënë ai, duke shprehur bindjen se kompanitë gjermane mund të zhvillojnë modele biznesore, bazuar në atë teknologji.

Gjermania lavdërohet për trajnimet akademike që ofron për ekspertët e inteligjencës artificiale, mirëpo ekspertët besojnë se në këtë vend ka deficit të madh në përdorim të aplikacioneve që funksionojnë me inteligjencë artificiale në sektorët e biznesit dhe administratës.

Aktualisht asnjë kompani gjermane nuk është në grupin e kompanive lidere në botë për inteligjencë artificale.

Ministri i Ekonomisë, Robert Habeck, ka thënë se samiti ka treguar se Gjermania është në rrugën e duhur.

“Por, konkurrenca është e ashpër dhe ne duhet të bëjmë më shumë përpjekje. Neve na duhen kompani të inteligjencës artificiale që mund të përballojnë këtë garë dhe të inkuadrohen në ekonominë gjermane”, ka thënë ai.

Shtetet e Bashkuara, me lojtarë si OpenAI dhe Google, dhe Kina, me kompanitë si Baidu dhe Alibaba, konsiderohen lidere në botë në fushën e inteligjencës artificiale.

Kompanitë më të madha evropiane në këtë fushë janë nga Franca, Mistral AI dhe Contentsquare./rel

❌