Normal view

Zjarret vijojnë të shkatërrojnë Evropën, mijëra njerëz detyrohen të braktisin shtëpitë

15 August 2026 at 23:00

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi të shtunën pasdite se Evropa ndodhet në “gatishmëri të lartë për zjarret” dhe se presioni mbi vendet e Evropës Lindore po rritet.

Evropa vijon të luftojë me një seri zjarresh shkatërruese, ndërsa kontinenti përballet me temperatura përvëluese dhe thatësirë gjithnjë e më të rëndë. Mijëra njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Emergjenca në Francë dhe Gjermani

Në Francë, autoritetet njoftuan se të shtunën u evakuuan edhe 100 banorë dhe pushues nga zona përreth qytetit Luglon, në departamentin Landes, në jugperëndim të vendit. Zjarri, i cili shpërtheu të enjten, vijon të jetë aktiv.

Në një përditësim të publikuar të shtunën në mëngjes, Prefektura e Landes njoftoi se flakët kishin përfshirë deri në atë moment rreth 1.580 hektarë. Zjarri ishte “veçanërisht aktiv” në juglindje të Luglonit, pranë fshatit Garein.

“Gjithsej 550 zjarrfikës janë aktualisht të angazhuar për të luftuar përhapjen e zjarrit. Mjetet ajrore do të rinisin operacionet”, njoftoi prefektura.

Në rajonin Eifel të Gjermanisë, një zjarr i përmasave të mëdha ka shkaktuar evakuimin e të paktën 1.800 personave nga Hürtgenwaldi, ku rreth 1.400 zjarrfikës po luftojnë me flakët.

Ky besohet se është zjarri më i madh pyjor në historinë e landit të Renanisë Veriore-Vestfalisë.

Ndërkohë, përforcime nga shërbimet zjarrfikëse gjermane janë dërguar për të ndihmuar kolegët belgë, të cilët po luftojnë me një tjetër zjarr në parkun natyror Fagnes, pranë kufirit mes dy vendeve.

Autoritetet njoftuan se zjarri shpërtheu të premten dhe ka përfshirë të paktën 16 kilometra katrorë pyje.

Rreth 1.000 persona janë evakuuar edhe në rajonin verilindor të Aragonit, në Spanjë, ku vijon të jetë aktiv një zjarr që ka shkrumbuar më shumë se 15.000 hektarë. Megjithatë, zjarrfikësit deklaruan se e kanë ndalur përhapjen e tij drejt zonave të banuara. Parashikimet meteorologjike tregojnë se temperaturat mund të ulen së shpejti, ndërsa janë të mundshme edhe reshje të lehta shiu.

Edhe Greqia ndodhet në gjendje të lartë gatishmërie, pasi erërat e forta në disa pjesë të vendit kanë shtuar rrezikun e shpërthimit të zjarreve.

Sipas shërbimit zjarrfikës, gjatë 24 orëve të fundit kanë shpërthyer më shumë se 50 zjarre në zona bujqësore dhe pyjore, megjithëse shumica e tyre janë vënë nën kontroll.

Evropa Lindore

Në Kroaci, shërbimet e emergjencës po luftojnë me një zjarr në ishullin Dugi Otok, ku janë angazhuar më shumë se 100 zjarrfikës dhe dy avionë zjarrfikës.

Të premten, 240 zjarrfikës dhe tre avionë arritën të vendosnin nën kontroll një tjetër zjarr në gadishullin Pelješac.

Autoritetet serbe njoftuan të premten në mbrëmje se po luftonin me 25 zjarre pyjore. Njëri prej tyre kishte shkatërruar rreth 25 kilometra katrorë sipërfaqe në Parkun Kombëtar Deliblatska, pranë Beogradit.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi të shtunën pasdite se Evropa ndodhej në “gatishmëri të lartë për zjarret” dhe se presioni mbi vendet e Evropës Lindore po shtohej.

Ajo shtoi se satelitët e programit të Bashkimit Evropian për vëzhgimin e Tokës, “Copernicus”, po mbështesin tashmë operacionet e hartëzimit në Spanjë, Shqipëri, Greqi, Francë, Gjermani dhe Serbi. Von der Leyen theksoi gjithashtu se Mekanizmi i Mbrojtjes Civile i Bashkimit Evropian është i gatshëm të ndërhyjë “kur një vend kërkon ndihmë”. Euronews.com

The post Zjarret vijojnë të shkatërrojnë Evropën, mijëra njerëz detyrohen të braktisin shtëpitë appeared first on Euronews Albania.

Arrestohet shqiptari nga Kosova në Greqi, kapën 324 kg marihuanë

15 August 2026 at 22:51

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njoftoi se në kuadër të një hetimi disamujor dhe bashkëpunimit ndërkombëtar me autoritetet e Maqedonisë së Veriut dhe të Greqisë, në Selanik, autoritetet e Greqisë, kanë ndërmarrë veprime konkrete që kanë rezultuar me arrestimin e dy personave të dyshuar për trafikim me narkotikë.

“Në mesin e personave të arrestuar ndodhet edhe një shtetas i Republikës së Kosovës, A.G.

Gjatë operacionit, policia greke ka gjetur dhe sekuestruar 324 kg substancë narkotike e llojit kanabis.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë kontribuar në këtë proces përmes veprimeve hetimore dhe shkëmbimit të informacionit me autoritetet partnere.

PSRK dhe Policia e Kosovës, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, do të vazhdojnë ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

The post Arrestohet shqiptari nga Kosova në Greqi, kapën 324 kg marihuanë appeared first on Euronews Albania.

Zjarr në një fabrikë në Gjakovë, ndërhyjnë zjarrfikësit

15 August 2026 at 22:00

Një zjarr përfshiu Fabrikën e Dekorimit në Gjakovë këtë të shtunë rreth orës 16:00.

Njësia Profesionale e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Gjakovë njoftoi se kishte ndodhur djegie e mbetjeve të bykut në kazanët e fabrikës.

Kjo njësi ndërhyri dhe lokalizoi situatën, duke parandaluar përhapjen e zjarrit në pjesët e tjera të objektit.

The post Zjarr në një fabrikë në Gjakovë, ndërhyjnë zjarrfikësit appeared first on Euronews Albania.

Rama për median britanike: Zvërneci nuk ndalet, do konsultohemi me palët e interesuara

15 August 2026 at 21:14

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar së fundmi një intervistë për median britanike “UnHerd” teksa ka folur lidhur me protestat në Tiranë.

Në intervistën për UnHerd, Rama u shpreh se protestat e sotme janë të nxitura kryesisht nga forca të vogla opozitare, si nga e majta ashtu edhe nga e djathta ekstreme. Ai vlerësoi protestat e qershorit si më të mëdha teksa theksoi se sipas tij protestat e sotme nuk janë të njëjta me ato të qershorit.

“Protestat e sotme nuk janë protestat e qershorit, kështu që njerëzit që folën sot janë të ndryshëm”, tha Rama.

“Jam shumë, shumë krenar që kemi pasur një protestë kaq të madhe për ditë të tëra në një mënyrë shumë paqësore, dhe se askush nuk u lëndua”, u shpreh kryeministri.

Rama ndër të tjera theksoi se rrjetet sociale dhe algoritmet kanë luajtur rol në mobilizimin e protestuesve.

“Algoritmi bëri shumë për t’i sjellë ato në bulevard. Një përqindje shumë e lartë e përmbajtjes prodhohet jashtë ndërtesës. Nuk është shqiptare”, u shpreh ai.

Rama deklaroi se projekti i Zvërnecit nuk do të ndalet, por qeveria do të zhvillojë një proces konsultimi me palët e interesuara. Sipas tij, në fund projekti do të jetë i suksesshëm dhe “do të jetë i bukur”.

“Nëse kjo nuk do të kishte të bënte me Jared Kushnerin, Trumpin, Ivankën dhe të gjitha llojet e fantazive, kjo nuk do të kishte qenë aq e mirë për algoritmin”, tha Rama.

Kryeministri në intervistë gjithashtu u pyet lidhur me akuzat e opozitës për lidhje mes qeverisë dhe krimit të organizuar. Ai i hodhi poshtë akuzat dhe kundërshtoi kategorikisht edhe përkufizimin e Shqipërisë si “narko-shtet”.

“‘Narko-shtet’, një narko-shtet që filloi të mbyllë kapitujt e negociatave me BE-në? Nuk përputhet në asnjë formë apo formë”, u përgjigj ai.

Lidhur me kritikat e ish-ministres Elisa Spiropali ndaj mënyrës së qeverisjes dhe për mundësinë e përçarjeve brenda Partisë Socialiste, ai nuk pranoi të komentonte, duke e cilësuar këtë si çështje të brendshme të partisë.

Rama gjithashtu në fund të intervistës deklaroi se pas 13 vitesh në krye të shtetit nuk ka më asgjë për ti provuar vetes dhe se tashmë ai ka vendin e tij në historinë e Shqipërisë.

“Dëgjo, jam këtu prej 13 vitesh tani. Pra, kam edhe tre vite. Nuk kam asgjë për t’i provuar vetes. Kam vendin tim në historinë e këtij vendi”, tha ai.

The post Rama për median britanike: Zvërneci nuk ndalet, do konsultohemi me palët e interesuara appeared first on Euronews Albania.

31 vatra zjarri u regjistruan në vend, Ministria e Mbrojtjes: 11 ende aktive. Vijon puna për menaxhimin e situatës

15 August 2026 at 21:00

Ministria e Mbrojtjes ka dalë me një përditësim të fundit lidhur me situatën e zjarreve në vend deri në orën 20:00. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se janë regjistruar 31 vatra zjarri, nga të cilat 11 mbeten aktive dhe 2 janë nën monitorim.

Sipas ministrisë, për menaxhimin e situatës janë angazhuar 396 forca operacionale dhe 41 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 120 efektivë, 2 mjete zjarrfikëse, 2 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Sipas njoftimit, në Malin e Dajtit po viijon puna për shuarjen e zjarrit, me mbështetjen e 50 efektivëve të FA dhe 2 helikopterëve të Forcës Ajrore. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Vatra në Priskë-Gurrë e Madhe-Farkë-Lundër është nën kontroll dhe monitorim.

Në Gurë-Lurë gjithashtu po vijon operacioni në një perimetër të gjerë. Ministria bën me dije se janë angazhuar 150 forca bashkiake, 20 policore, 11 ADZM, 15 efektivë MZSH dhe 50 efektivë të FA, të mbështetur nga 2 avionë Air Tractor. Gjithashtu janë hapur korridore që kanë penguar përhapjen e zjarrit drejt banesave dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Qafë Helmes, Dibër në terren janë 11 efektivë MZSH, 27 forca bashkiake dhe 20 efektivë të FA. Zjarri është fikur nga krahu i Bulqizës dhe vijon aktiv në drejtim të Selishtës.Abazaj, Krujë – Vatra vijon aktive, por me intensitet të ulët dhe pa rrezik për zonat e banuara; zjarri në Zidoll është në monitorim.

Në Lufaj, Mirditë po vijon puna për hapjen e korridoreve ndarëse, pavarësisht terrenit të vështirë dhe bimësisë së dendur. Nuk ka rrezik për banesat.

Në Fushë-Lajë, Pukë mësohet se zjarri mbetet aktiv në terren shumë të thyer, që vështirëson ndërhyrjen e forcave të MZSH. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Aktive mbeten vatrat në Sotirë, Libohovë dhe Krahës. Në Libohovë zjarri po shkon drejt izolimit, ndërsa në të gjitha rastet nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Në Gjormë, Selenicë raportohet se vatra është vënë nën kontroll nga MZSH dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Dardhë, Librazhd po vijon puna nga MZSH, shërbimi pyjor dhe forcat bashkiake për shuarjen e zjarrit. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. AKMC vijon koordinimin dhe monitorimin e situatës në të gjithë territorin.

The post 31 vatra zjarri u regjistruan në vend, Ministria e Mbrojtjes: 11 ende aktive. Vijon puna për menaxhimin e situatës appeared first on Euronews Albania.

Ministria e Mbrojtjes thirrje qytetarëve: Mos u bëj shkak për një zjarr

15 August 2026 at 20:51

Ministria e Mbrojtjes mbrëmjen e kësaj të shtunë përmes një postimi në “Facebook” ka bërë një apel për qytetatët që të mos bëhen shkak për krijimin e vatrave të reja të zjarreve. Ministria në postim bën thirrje që qytetarët të mos ndezin zjarre dhe të mos hedhin cigare të ndezura në natyrë.

Ndër të tjera në postim theksohet se një pakujdesi mund të rrezikojë jetë, banesa dhe natyrën. Ministria gjithashtu theksoi se në rast konstatimi zjarri, qytetarët të kontaktojnë një nga numrat: 112, 128, 129.

“MOS U BËJ SHKAK PËR NJË ZJARR! Mos ndiz zjarre në pyje, fusha apo pranë bimësisë së thatë. Mos hidh cigare të ndezura. Mos përdor fishekzjarre pranë zonave me bimësi.

Një pakujdesi mund të rrezikojë jetë, banesa dhe natyrën. KONSTATOVE ZJARR? 112 • 128 • 129″ shkruhet në njoftim.

The post Ministria e Mbrojtjes thirrje qytetarëve: Mos u bëj shkak për një zjarr appeared first on Euronews Albania.

Koreja e Jugut propozon bisedime për t’i dhënë fund zyrtarisht luftës me Korenë e Veriut

15 August 2026 at 20:42

Presidenti i Koresë së Jugut ka propozuar bisedime me fqinjin e saj verior për t’i dhënë fund zyrtarisht luftës midis të dyjave.

Lee Jae Myung sugjeroi një “sistem sigurie me shumë shtresa” për të shmangur përshkallëzimet përgjatë kufirit të vendeve, i njohur si zona e demilitarizuar (DMZ), dhe ofroi të diskutonte mënyra praktike për të ndaluar ambiciet bërthamore të Phenianit.

Koreja e Veriut ka testuar vazhdimisht raketa balistike të afta të mbajnë koka bërthamore, gjë që është perceptuar në Seul dhe Japoninë fqinje si një përpjekje për të frikësuar dhe për të projektuar fuqi.

Konflikti midis dy pushtuesve të gadishullit Korean është ngrirë në mënyrë efektive që nga nënshkrimi i një armëpushimi në vitin 1953. Ata nuk nënshkruan një traktat paqeje dhe për këtë arsye teknikisht kanë mbetur ende në luftë që atëherë.

Lee, i cili u bë president i Koresë së Jugut vitin e kaluar pasi paraardhësi i tij Yoon Suk Yeol u akuzua për përpjekjen për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, është përpjekur të shkrijë marrëdhëniet me Korenë e Veriut dhe aleatin e saj Kinën, të cilat ishin përkeqësuar nën drejtimin e Yoon.

Lee shprehu shpresën se të dy kombet do të ulen ballë për ballë për bashkëjetesë paqësore dhe rritje të ndërsjellë, duke shtuar se kjo mund të shërbejë si një forum për të diskutuar mënyra efektive për të ndaluar përparimin e aftësive bërthamore të Veriut.

Koreja e Veriut ende nuk ka reaguar ndaj ofertës së Lee-së. Pheniani më parë i ka refuzuar ofertat e Lee-së për angazhim, duke kritikuar një marrëveshje që SHBA-të të ndërtojnë në Korenë e Jugut një flotë nëndetësesh me energji bërthamore dhe duke denoncuar stërvitjet e përbashkëta midis dy aleatëve.

Në janar të vitit 2024, udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, njoftoi se bashkimi me Jugun nuk ishte më i mundur.

Koreja e Veriut e shpalli veten fuqi bërthamore në vitin 2022 dhe u zotua se nuk do të heqë dorë kurrë nga armët e saj, nga të cilat vlerësohet se zotëron dhjetëra.

The post Koreja e Jugut propozon bisedime për t’i dhënë fund zyrtarisht luftës me Korenë e Veriut appeared first on Euronews Albania.

Policia marokene arreston 111 persona ndërsa përpiqeshin të hynin në Ceuta

15 August 2026 at 20:27

Policia marokene ka arrestuar 111 persona ndërsa ata përpiqeshin të hynin në territorin spanjoll Ceuta, mes masave të shtuara të sigurisë nga të dyja palët, pasi postimet në mediat sociale bënë thirrje për një kalim tjetër masiv kufitar.

Tentativa e kalimit të shtunën erdhi dy javë pasi më shumë se 72,000 emigrantë vërshuan në Ceuta. Të paktën 96 persona vdiqën duke u përpjekur të arrinin në tokën evropiane.

Një burim në ministrinë e brendshme të Marokut i tha agjencisë së lajmeve Reuters se midis të ndaluarve ishin 109 migrantë nga Afrika Sub-Sahariane dhe dy qytetarë marokenë të arrestuar pranë Ceutës.

Policia marokene përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë grupet e migrantëve të mbledhur në kodra rreth 3 km larg kufirit. Reuters më vonë pa qindra oficerë policie dhe të tjerë me rroba civile, duke u kthyer nga kodrat jashtë Fnideq.

The post Policia marokene arreston 111 persona ndërsa përpiqeshin të hynin në Ceuta appeared first on Euronews Albania.

Tërheqje masive e vezëve në SHBA për shkak të shpërthimit të salmonelës, rreth 100 persona të sëmurë

15 August 2026 at 20:19

Një tërheqje masive e vezëve është registruar në SHBA, ndërsa zyrtarët hetojnë një shpërthim të salmonelës që ka sëmurë gati 100 persona.

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave më 12 gusht riklasifikoi tërheqjen e gati 1.6 milion vezësh të bardha dhe kafe të kultivuara në kafaz, për shkak të shqetësimeve se ato mund të jenë të kontaminuara me salmonelë.

Tërheqja tani është përcaktuar si klasa I, të cilën FDA e përcakton si “një situatë në të cilën ekziston një probabilitet i arsyeshëm që përdorimi ose ekspozimi ndaj një produkti të paligjshëm do të shkaktojë pasoja serioze negative shëndetësore ose vdekje”.

Të paktën 98 persona në 17 shtete janë sëmurë në shpërthimin e lidhur me vezët e tërhequra nga tregu që nga 24 korriku, me 26 persona të shtruar në spital. Sëmundjet u raportuan midis 21 nëntorit 2025 dhe 30 qershorit 2026.

The post Tërheqje masive e vezëve në SHBA për shkak të shpërthimit të salmonelës, rreth 100 persona të sëmurë appeared first on Euronews Albania.

Dita e 77-të e protestës, qytetarët mblidhen para Kryeministrisë

15 August 2026 at 20:08

Protesta e aktivistëve dhe qytetarëve në Tiranë hyri këtë të shtune në ditën e saj të 77-të ndërsa si çdo pasdite, pas orës 19:00, ata u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, ku vijuan me thirrjet “Ju erdhi fundi”, “Shqipëri e re”, “Rama jep dorëheqjen”, etj.

Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesi marshuan drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku u ndalën përpara godinës së Kryeministrisë ku po vijojnë me thirrjet kundër qeverisë dhe me fjalime.

Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë aktuale. Si çdo protestë tjetër, pas fjalimeve protestuesit pritet të marshojnë në rrugët e Tiranës.

The post Dita e 77-të e protestës, qytetarët mblidhen para Kryeministrisë appeared first on Euronews Albania.

Mashtrimet online, polica thirrje qytetarëve: Mos klikoni linqet që u vijnë në SMS. Mos jepni asnjë të dhënë

15 August 2026 at 19:58

Policia e Shtetit ka lëshuar një njoftim zyrtar për qytetarët, duke bërë thirrje për vigjilencë dhe kujdes të shtuar ndaj një vale të re mesazhesh mashtruese të tipit “phishing” që po qarkullojnë përmes SMS-ve dhe aplikacioneve të komunikimit si WhatsApp.

Sipas autoriteteve, autorët paraqiten në mënyrë të rreme si përfaqësues të institucioneve bankare ose subjekteve publike, duke u kërkuar qytetarëve të përditësojnë të dhënat bankare, të verifikojnë llogaritë apo të ndjekin linke të përfshira në mesazh.

Policia ka bërë thirrje që qytetarët të mos klikojnë linqet që u shkojnë në mesazhe. Sipas policisë këto të dhëna mund të përdoren më pas për kryerjen e transaksioneve të paautorizuara dhe shkaktimin e dëmeve financiare.

“Policia e Shtetit-Në vijim të njoftimeve të herëpashershme të bëra nga Policia e Shtetit, me qëllim parandalimin e mashtrimeve online dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve, nisur edhe nga fakti që, ditët e fundit, janë konstatuar raste të mesazheve mashtruese të dërguara përmes SMS-ve dhe aplikacioneve të komunikimit, përfshirë WhatsApp-in, nga numra të ndryshëm telefoni, sqarojmë qytetarët se:

Në këto mesazhe, autorët paraqiten në mënyrë të rreme si përfaqësues të institucioneve bankare dhe u kërkojnë qytetarëve të përditësojnë të dhënat bankare, të verifikojnë llogarinë apo të kryejnë veprime të tjera, duke klikuar në një link të përfshirë në mesazh.

Bëhet fjalë për skema mashtrimi të tipit “phishing”, të cilat synojnë vjedhjen e kredencialeve të e-banking, kodeve të verifikimit (OTP), si dhe të dhënave të kartave bankare. Këto të dhëna mund të përdoren më pas për kryerjen e transaksioneve të paautorizuara dhe shkaktimin e dëmeve financiare.

Për t’u mbrojtur nga këto mashtrime: Mos klikoni në linke të dërguara përmes SMS-ve, WhatsApp-it apo aplikacioneve të tjera të komunikimit, veçanërisht kur mesazhi vjen nga numra të panjohur ose të dyshimtë.

Mos jepni asnjëherë fjalëkalimet, kodet OTP, PIN-in apo të dhënat e kartës bankare. Përpara se të identifikoheni në shërbimet bankare, kontrolloni me kujdes adresën e faqes së internetit dhe sigurohuni që po përdorni kanalet zyrtare të bankës.

Bankat nuk kërkojnë të dhëna konfidenciale përmes linkeve të dyshimta. Për çdo paqartësi, kontaktoni bankën vetëm përmes numrave dhe kanaleve të saj zyrtare.

Nëse keni klikuar në një link të dyshimtë ose keni dhënë të dhënat tuaja bankare: Kontaktoni menjëherë bankën për të bllokuar kartën ose llogarinë dhe për të marrë masat e nevojshme.

Ndryshoni menjëherë fjalëkalimet e aksesit në shërbimet bankare. Raportoni rastin në Policinë e Shtetit, në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe në çdo drejtori vendore.

Policia e Shtetit apelon për vigjilencë dhe kujdes të shtuar ndaj çdo mesazhi, linku apo faqeje interneti që kërkon të dhëna personale, bankare ose kode verifikimi. Mos klikoni. Mos jepni të dhëna. Verifikoni gjithmonë përmes kanaleve zyrtare”, njofton policia.

The post Mashtrimet online, polica thirrje qytetarëve: Mos klikoni linqet që u vijnë në SMS. Mos jepni asnjë të dhënë appeared first on Euronews Albania.

Qindra të arrestuar për zjarret në Francë, 70% e tyre akuzohen për zjarrvënie të qëllimshme

15 August 2026 at 19:36

Gati 500 persona janë arrestuar që nga fillimi i verës në lidhje me zjarret në Francë, e cila po lufton me zjarre të mëdha që kanë djegur qindra mijëra hektarë tokë.

Ministria e Brendshme tha se 474 persona janë arrestuar që nga 1 korriku, përfshirë 183 të mitur.
70% e të arrestuarve akuzohen për zjarrvënie të qëllimshme, ndërsa 30% janë për zjarrvënie nga pakujdesia.

Një djalë 15-vjeçar është në paraburgim për një zjarr në Bordeaux, në të cilin vdiqën dy zjarrfikës. Ndërkohë, Franca vazhdon të përballet me fronte të mëdha.

Të premten, më shumë se 500 banorë të një fshati në Francën jugperëndimore u evakuuan nga shtëpitë e tyre për shkak të një zjarri që përfshiu një pyll me pisha. Thatësira e zgjatur në rajon i dha zjarrit përmasa shumë të mëdha.

The post Qindra të arrestuar për zjarret në Francë, 70% e tyre akuzohen për zjarrvënie të qëllimshme appeared first on Euronews Albania.

I zhdukur prej një viti, gjendet një trup i pa jetë në Rumani. Dyshohet se i përket alpinistit britanik

15 August 2026 at 19:31

Një trup është gjetur gjatë kërkimeve për një 18-vjeçar britanik i cili u zhduk vitin e kaluar ndërsa po bënte ecje në Rumani. George Smyth, një student i gjeologjisë në Universitetin e Bristolit , u zhduk në nëntor.

Të shtunën, policia e Avon dhe Somerset tha se një trup i gjetur në rajonin e malit Bucegi teksa besohet të jetë ai i Smyth.

Familja e tij është informuar. Do të bëhen përpjekje për ta kthyer trupin e Smyth në Mbretërinë e Bashkuar sapo të kryhet identifikimi zyrtar.

Studenti, nga Newport në Shropshire, besohet se është nisur nga Poiana Brasov duke u drejtuar për në Bran. Ai arriti në Tiganesti, ku bëri një telefonatë emergjente për ndihmë.

Në atë kohë, ekipet e shpëtimit thanë se ai ndodhej në një “zonë malore shumë të izoluar dhe të vështirë për t’u arritur” dhe kushtet e motit ishin jashtëzakonisht të rënda me erëra të forta, reshje të dendura dëbore dhe mjegull të dendur.

Sebastian Marinescu, nga shërbimi i shpëtimit malor të zonës, i tha më parë BBC-së se 18-vjeçari ishte i çorientuar, i rraskapitur fizikisht dhe tashmë tregonte shenja hipotermie kur morën thirrjen e urgjencës.

The post I zhdukur prej një viti, gjendet një trup i pa jetë në Rumani. Dyshohet se i përket alpinistit britanik appeared first on Euronews Albania.

Rikthehet qarkullimi në aksin Elbasan-Cërrik, përfundojnë ndërhyrjet pas bllokimit nga çarja e kanalit vaditës

15 August 2026 at 19:11

Është rikthyer qarkullimi normalisht i automjeteve në aksin rrugor Elbasan-Cërrik, pasi ekipet e ASHPR përfunduan me sukses ndërhyrjen për pastrimin e rrugës pas një çarje në kanalin kryesor vaditës “Naum Panxhi” .

Ngjarja u regjistruar mesditën e kësaj të shtunë, teksa çarja në kanal solli vërshimin e menjëhershëm të ujit dhe inerteve në rrugë. Për pasojë, qarkullimi i automjeteve u bllokua plotësisht për disa orë.

Pas disa orësh punë intensive dhe angazhimi maksimal në terren, është bërë i mundur rikthimi i plotë i normalitetit në aksin rrugor Elbasan-Cërrik.

The post Rikthehet qarkullimi në aksin Elbasan-Cërrik, përfundojnë ndërhyrjet pas bllokimit nga çarja e kanalit vaditës appeared first on Euronews Albania.

Ministri Nufi ndan pamjet: Disa vatra zjarri aktive në Dajt, Bulqizë dhe Lurë. Nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara

15 August 2026 at 19:00

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi përmes një postimi në “Facebook” ka ndarë pamje nga operacionet e shuarjes së zjarreve aktive në vend. Nufi shkruan se po vijon angazhimi i Forcave të Armatosura në përballimin e vatrave të zjarrit në disa zona të vendit.

Sipas tij, në zonën e Dajtit janë të angazhuar 50 efektivë të Regjimentit të Operacioneve Speciale dhe 2 helikopterë. Ai shton se vatrat janë nën kontroll dhe nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara.

Sa i përket vatrave në Bulqizë janë të angazhuar 20 efektivë dhe 3 mjete. Ministri thekson se edhe në këtë zonë nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Lurë mësohet se janë angazhuar 50 efektivë, 6 mjete, 1 zjarrfikëse dhe 2 avionë Air Tractor. Lura mbetet një nga vatrat me angazhimin më të madh.

Nufi thekson se janë hapur korridore me fadroma, duke ndaluar avancimin e zjarrit drejt banesave. Ai theksoi se nuk ka rrezik për zonat e banuara.

The post Ministri Nufi ndan pamjet: Disa vatra zjarri aktive në Dajt, Bulqizë dhe Lurë. Nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara appeared first on Euronews Albania.

Gjenden trupat e 21 palestinezëve nën rrënoja në Gaza, fillon kërkimi për 40 të tjerë

15 August 2026 at 18:46

Ekipet e mbrojtjes civile në Gaza nxorën të shtunën mbetjet e 21 palestinezëve nën dy shtëpi të shkatërruara nga sulmet izraelite gjatë luftës në Rripin e Gazës.

Ata filluan të kërkonin për eshtrat e 40 të tjerëve që besohet se ishin bllokuar nën një shtëpi të tretë.

Trupat e 12 palestinezëve u gjetën pranë zonës Asqula në qytetin lindor të Gazës. Ekipet gjetën gjithashtu mbetjet e nëntë palestinezëve nga shtëpia e familjes Gharbiyah në zonën Katiba në qytetin perëndimor të Gazës.

Ekipet më vonë u zhvendosën në shtëpinë e familjes al-Maghribi në lagjen Zeitoun në qytetin lindor të Gazës, pasi morën raportime se mbetjet e 40 palestinezëve ishin varrosur nën rrënoja.

The post Gjenden trupat e 21 palestinezëve nën rrënoja në Gaza, fillon kërkimi për 40 të tjerë appeared first on Euronews Albania.

Rusia paralajmëron SHBA dhe Turqinë: Transferimi i armëve në Ukrainë do të shkaktojë dëme

15 August 2026 at 18:34

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, lëshoi ​​paralajmërime për Uashingtonin dhe Ankaranë lidhur me raportet për transferimin e armëve amerikane në Ukrainë.

Siç deklaroi Maria Zakharova, Rusia kërkoi shpjegime nga të dy vendet në lidhje me transferimin e mundshëm në Kiev të një arsenali të konsiderueshëm të armëve dhe municioneve amerikane të vendosura në Turqi.

“Një veprim i tillë do të shkaktonte dëme serioze në marrëdhëniet tona dypalëshe me Uashingtonin dhe Ankaranë,” tha Maria Zakharova në një deklaratë.

Ministria e Jashtme ruse hodhi poshtë të premten idenë e një armëpushimi në Detin e Zi, duke deklaruar se nuk sheh asnjë arsye që do t’u ofronin hapësirë ​​frymëmarrjeje forcave ukrainase.

Zakharova gjithashtu akuzoi Ukrainën për “akte të paturpshme terroriste” kundër transportit detar, megjithatë, pa iu referuar sulmeve të nisura nga vetë Rusia.

The post Rusia paralajmëron SHBA dhe Turqinë: Transferimi i armëve në Ukrainë do të shkaktojë dëme appeared first on Euronews Albania.

Aksidentoi për vdekje 7-vjeçarin, Gjykata e Apelit ndryshon masën e sigurisë në “arrest shtëpie” për Petri Bozon

15 August 2026 at 18:27

Gjykata e Apelit Tiranë ka vendosur ndryshimin e masës së sigurimit ndaj producentit Petri Bozo, duke zëvendësuar masën “arrest në burg” me “arrest në shtëpi” dhe duke urdhëruar lirimin e tij të menjëhershëm nga paraburgimi. Bozo u arrestua para pak muajsh pasi aksidentoi një 7-vjeçar në Elbasan teksa i mituri po shkonte në shkollë.

Vendimi i Apelit vjen pas kërkesës së paraqitur më herët nga mbrojtja e Bozos për zëvendësimin e masës së sigurisë. Kërkesa ishte shqyrtuar fillimisht nga Gjykata e Elbasanit, e cila kishte vendosur ta rrëzonte atë, duke lënë në fuqi masën “arrest në burg”.

Pas ankimit, çështja kaloi për shqyrtim në Gjykatën e Apelit Tiranë, e cila ka vlerësuar ndryshe kërkesën e mbrojtjes dhe ka vendosur një masë më të lehtë sigurie.

Petri Bozo ishte vendosur në masën e sigurisë “arrest në burg” nga Gjykata e Elbasanit, pas shqyrtimit të kërkesës së organit të akuzës. Prokuroria kishte paraqitur përpara gjykatës provat dhe argumentet mbi të cilat mbështeste kërkesën për masën më të rëndë të sigurimit.

Kërkesa e prokurorisë ishte pranuar nga Gjykata e Elbasanit dhe producenti kishte qëndruar për disa javë në paraburgim.

Në momentin e caktimit të masës së sigurisë, avokatët mbrojtës të Bozos e kishin kundërshtuar vendimin dhe kishin kërkuar që ndaj tij të aplikohej një masë më e lehtë. Megjithatë, trupa gjykuese në Elbasan kishte vendosur lënien e tij në burg.

Vendimi i marrë tashmë nga Gjykata e Apelit ndryshon situatën juridike për producentin, i cili do ta vijojë masën e sigurimit në kushtet e arrestit në shtëpi.

Sipas vendimit të Apelit, masa “arrest në burg” është zëvendësuar me “arrest në shtëpi”, ndërsa është urdhëruar lirimi i menjëhershëm i Petri Bozos nga paraburgimi.

Çështja penale ndaj tij vijon të jetë në shqyrtim dhe ndryshimi i masës së sigurimit nuk përbën vendim përfundimtar mbi fajësinë apo pafajësinë e të pandehurit.

The post Aksidentoi për vdekje 7-vjeçarin, Gjykata e Apelit ndryshon masën e sigurisë në “arrest shtëpie” për Petri Bozon appeared first on Euronews Albania.

Ishte nisur nga Shqipëria, zbulohen në Greqi mbi 300 kg kanabis brenda materialeve të riciklueshme. Destinacion Turqia

15 August 2026 at 18:12

Një organizatë kriminale që shtrinte aktivitetin e saj nga Shqipëria përmes Greqisë deri në Turqi është goditur pas një operacioni policor në shkallë të gjerë të zhvilluar mëngjesin e së premtes në Selanik. Si rezultat i ndërhyrjes, janë arrestuar dy të persona, përkatësisht 58 dhe 43 vjeç, ndërsa një person i tretë është shpallur në kërkim.

Sipas hetimeve të policisë greke, grupi kriminal kishte një strukturë të mirëorganizuar dhe infrastrukturë profesionale. Për të transportuar sasitë e konsiderueshme të kanabisit të papërpunuar nga Shqipëria në drejtim të Turqisë, anëtarët përdornin kamionë të transportit ndërkombëtar.

Për të shmangur kontrollet dhe për të legalizuar lëvizjet, droga fshihej në vende të posaçme të projektuara brenda ngarkesave të ligjshme me letër për riciklim.

Gjatë operacionit në një hapësirë të mbyllur në Selanik, dy të dyshuarit u kapën në flagrancë teksa posedonin 8 paleta me letër ricikrimi.

Në brendësi të këtyre ngarkesave u zbuluan pakot me kanabis të papërpunuar, me një peshë totale prej 324 kilogramë e 474 gramë.

Autoritetet vlerësojnë se përfitimi që grupi synonte të siguronte nga kjo ngarkesë arrinte shifrën e 700,000 eurove.

Të arrestuarit janë dërguar pranë organit kompetent të akuzës për masat e mëtejshme ligjore, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar dhe kapur bashkëpunëtorët e tjerë në Shqipëri dhe Turqi.

The post Ishte nisur nga Shqipëria, zbulohen në Greqi mbi 300 kg kanabis brenda materialeve të riciklueshme. Destinacion Turqia appeared first on Euronews Albania.

Incidenti i armatosur në Elbasan, policia jep detajet: Vihet në pranga autori. Sekuestrohet pistoleta

15 August 2026 at 17:57

Policia e Elbasanit ka dalë me një njoftim lidhur me incidentin e armatosur të regjistruar këtë të shtunë në një lokal. Policia bën me dije se autori është vënë në pranga teksa është sekuestruar dhe një pistoletë me të cilën ai tentoi të vriste një 50-vjeçari. Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve që sollën këtë ngjarje.

“Elbasan/ Finalizohet operacioni policor i koduar “Reagimi”. Tentoi të vriste me armë zjarri një shtetas, reagimi në kohë dhe me profesionalizëm i shërbimeve të Policisë çon në pranga autorin e dyshuar.

Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë me të cilën autori tentoi të vriste 50-vjeçarin. Pas marrjes së njoftimit, rreth orës 13:00, se në ambientet e jashtme të një lokali, në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan, një shtetas kishte tentuar të vriste me armë zjarri shtetasin E. K., 50 vjeç, shërbimet e Policisë organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Falë reagimit të menjëhershëm të Policisë dhe veprimeve profesionale të kryera në kuadër të operacionit “Reagimi”, u bë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar, shtetasit P. B., 52 vjeç.

Njëkohësisht, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, armën e zjarrit pistoletë me të cilën autori tentoi të vriste 50-vjeçarin.

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit”, thuhet në reagimin e policisë.

The post Incidenti i armatosur në Elbasan, policia jep detajet: Vihet në pranga autori. Sekuestrohet pistoleta appeared first on Euronews Albania.

❌