Normal view

Bashkia Vlorë shpall vakancat për pozicione të lira pas dorëheqjeve të drejtorëve

10 July 2025 at 20:39

Pas dorëheqjeve të drejtorëve të drejtorive, Bashkia e Vlorës ka shpallur vakancat për pozita të reja, duke ftuar qytetarët që besojnë se kanë përvojën, gatishmërinë dhe përgjegjshmërinë e duhur për të kontribuar në zhvillimin e qytetit, të aplikojnë për pozitat vakante.

Në faqen zyrtare të web-it të Bashkisë Vlorë janë shpallur procedurat për aplikim për disa nga pozitat e lira. Ndërkohë, autoritetet e Bashkisë bëjnë me dije se janë ende në proces të hartimit të dokumentacionit për pozitat e tjera drejtorish, dhe se në një të ardhme të afërt do të shpallen dhe informacione të tjera për pozitat vakante.

Të gjithë të interesuarit, të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar, brenda afateve të përcaktuara, në çdo shpallje, për pozicionet si më poshtë:

* Drejtor në Drejtorinë e Projekteve të Huaja, Integrimit Europian dhe Diasporës
* Drejtor në Drejtorinë e Auditimit të Brendshëm
* Drejtor në Drejtorinë e Protokoll-Arkivës
* Kryeinspektor në Inspektoriatin e Mbrojtjes së Territorit
* Drejtor në Policinë Bashkiake
* Drejtor në Ndërmarrjen e Shërbimeve Publike
* Drejtor në Ndërmarrjen e Gjelbërimit
* Drejtor në Ndërmarrjen e Pastrimit
* Drejtor në Drejtorinë e Mbrojtjes Civile)
* Drejtor në Qendrën Kulturore të Fëmijëve
* Drejtor në Shtëpinë e Foshnjes
* Drejtor në Teatrin “Petro Marko”

LEXONI GJITHASHTU:

The post Bashkia Vlorë shpall vakancat për pozicione të lira pas dorëheqjeve të drejtorëve appeared first on Euronews Albania.

Ermal Dredha firmos dorëheqjet e drejtuesve të bashkisë së Vlorës

8 July 2025 at 20:10

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, ka marrë një vendim të rëndësishëm duke firmosur dorëheqjet e të gjithë drejtuesve të administratës vendore.

Ky vendim, që u finalizua pas një takimi të zhvilluar me dyer të mbyllura të martën, vjen si pjesë e një procesi reformash të domosdoshme për ristrukturimin dhe përmirësimin e eficiencës së administratës. Largimi i drejtorëve dhe përgjegjësve të institucioneve vartëse të bashkisë synon t’i përgjigjet kërkesës së kryeministrit për përgjegjësi të reja në nivelet drejtuese të pushtetit vendor.

Pas këtij vendimi, pritet që në ditët e ardhshme të bëhen publike emrat e rinj që do të udhëhojnë sektorët kyç në Bashkinë e Vlorës.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Ermal Dredha firmos dorëheqjet e drejtuesve të bashkisë së Vlorës appeared first on Euronews Albania.

A e keni menduar dorëheqjen? Si përgjigjet kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha

By: Besnik
7 July 2025 at 22:18

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, foli në emisionin “NOW me Erla Mëhillin” në lidhje me aksionin e ideuar nga kryeministri Edi Rama për lirimin e hapësirave publike në qytet.

Ai bëri të ditur ecurinë e këtij aksioni dhe theksoi se pas kritikave të kryeministrit, të gjithë përfaqësuesit dhe zyrtarët e bashkisë janë më të motivuar për të punuar në shërbim të qytetarëve.

Në studio ishte edhe gazetari Bledian Koka, i cili e pyeti kryebashkiakun në lidhje me dorëheqjet e drejtorëve të bashkisë pas kritikave të Ramës dhe nëse vetë Dredha kishte menduar ta japte dorëheqjen.

“Duke marrë parasysh kritikat e Ramës në lidhje me punën e drejtorëve të bashkisë dhe dorëheqjet e tyre, kur ata gjetën kurajon për të dhënë dorëheqjen, po ju vetë si kryetar, a e keni menduar ndonjëherë dorëheqjen kur patë që ekipi juaj dështoi? Apo qoftë edhe për faktin se kjo u quajt nga ekspertët si një imponim antiligjor i kryeministrit për të “shkrirë” bashkinë që ju drejtoni?”, tha Koka.

Dredha iu përgjigj gazetarit duke thënë se një vendim antikushtetues do të ishte vetëm nëse drejtorët do të shkarkoheshin pa të drejtë.

“Drejtorët nuk janë shkarkuar pa të drejtë, nuk kemi asnjë vendim antikushtetues. Në këtë aspekt, ata nuk janë shkarkuar pa të drejtë, por ne kërkojmë nga vetja të bëjmë më të mirën e mundshme dhe këtë e kemi si detyrë ndaj vetes dhe ndaj atyre që punojnë me ne. Jemi gjithmonë në kërkim të mundësive të reja dhe për të dhënë mundësi profesionistëve të rinj,” tha Dredha.

Ai shtoi se po bëhen përpjekje për të gjetur profesionistë të rinj që t’i bashkohen skuadrës së PS-së, me qëllim të avancimit të Shqipërisë drejt një vizioni të qartë.

“Ne duam të bëjmë më të mirën për Vlorën, dhe kjo është një filozofi dhe strategji e re, ku edhe deputetët e rinj dhe ata aktual të PS-së po bashkohen për të punuar në terren,” përfundoi kryebashkiaku.

LEXONI GJITHASHTU:

The post A e keni menduar dorëheqjen? Si përgjigjet kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha appeared first on Euronews Albania.

Aksident i rëndë në autostradën Vlorë–Fier, makina përmbyset në afërsi të Novoselës

By: Besnik
7 July 2025 at 16:16

Një aksident i rëndë është shënuar mesditën e kësaj të hëne në autostradën Vlorë–Fier, pranë fshatit Novoselë.

Një automjet ku udhëtonin tre persona ka dalë nga rruga dhe është përmbysur, ndërsa një prej tyre ka mbetur i plagosur rëndë dhe është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, ku po merr ndihmën mjekësore.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë çarja e njërit prej gomave gjatë lëvizjes.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Aksident i rëndë në autostradën Vlorë–Fier, makina përmbyset në afërsi të Novoselës appeared first on Euronews Albania.

Ekskluzive| U përlesh me truprojat e Ramës, flet e moshuara: Pse kërkova ta takoj

By: Besnik
7 July 2025 at 15:39

Pamjet e kësaj të moshuare, kur këtë të hënë kërkonte të bisedonte me kryeministrin Edi Rama në Vlorë, u bënë virale në rrjet.

Euronews Albania ka arritur t’i marrë një intervistë ekskluzive 82-vjeçares nga Vlora, Katina Thanasi, e cila ngulmoi dhe ia arriti të bisedonte me Ramën gjatë kohës që kryeministri ishte në Vlorë për inspektim në kuadër të lirimit të hapësirave publike.

Katina Thanasi tregon edhe momentet e bisedës me Ramën dhe çfarë i kërkoi ajo atij.

Ajo thotë se, pasi u shty me një efektive dhe truprojat e Ramës, i shprehu atij shqetësimin e saj.

Katina thotë se Rama i tha “çfarë ke që bërtet” dhe më pas ajo i shpjegoi problemin e kanalit pranë banesës së saj, i cili duhej pastruar.

“Jam Katina Thanasi, jam 82 vjeçare. Doli Rama, unë isha atje, më rrethuan policët se s’donin të më linin të takoja Ramën. Unë i thashë do ta takoj. Shty ata policët, shty unë dhe ata duke më shtyrë mua. Përplasja me ta ishte e vështirë. Më thanë do të arrestojmë. I thashë: ‘S’më arrestoni dot, se s’kam bërë ndonjë gjë. Nuk kam vjedhur, s’kam bërë ndonjë gjë.’ Ishte një police vajzë dhe pesë të tjerë. Shty ata mua, shty unë ata. Rama ikte poshtë, i thashë: ‘Rama, mos ik se të dua! Mos ik se të dua për kokë të djalit’, kështu i thashë. Këta më shtynin mua, Rama qëndroi aty në anë. Policët më mbanin, ndërsa unë i shtyva. Rama më tha mua: ‘Pse bërtet?’ I thashë: ‘Po bërtas për këta’. I thashë Ramës, ky kryetari i bashkisë që rrin me ty… Kam dy vjet e gjysmë që i them për pastrimin e kanalit dhe të tokës dhe ky nuk vjen. Kam shqetësim që të më pastrohet kanali dhe toka.” – tha ajo.

E pyetur nga gazetari i Euronews Albania në Vlorë nëse tani që bisedoi me Ramën do t’i zgjidhet problemi, ajo thotë se nuk ka besim pa parë veprime konkrete, ndërsa thekson se nëse kjo gjë nuk zgjidhet, do vazhdojë të kërkojë sërish që t’i jepet zgjidhje.

“Të them të drejtën, për kokë të djalit të vetëm, nuk është se kam shpresë se do më zgjidhet problemi për kokë të djalit, sepse këta të gënjejnë, të keqen nëna. Megjtihatë pasdi kam biseduar me Ramën, erdhen dy djem, i thanë këtij që ka tokën: ‘A të futemi dot te toka jote të pastrojmë?’ Ai i tha: ‘Futuni’, por ata s’janë futur akoma me prentendimin që nuk lejohet të futesh te toka e dikujt tjetër,” – thotë 82-vjeçarja.

Katina thotë se këtë problem më parë ia kishte parashtruar kryetarit të bashkisë dhe për gati dy vjet e gjysmë nuk ishte marrë asnjë masë

“Unë kam vajtur  te kryetari, e takova dhe më krehu dorën kështu. Problemi kanalit të madh… Hedhin qen të ngordhur, mushkonjat të hanë se vijnë prej kanalit. S’kanë vënë një kazan të hedhin mbeturinat, mileti. Atë i thashë: ‘Vini një kazan se njerëzit janë të papërgjegjshëm. Shqiptarët i hedhin në kanal, po s’po vënë dorë.’ Unë e takova Ramën, po merakun s’e kam hequr akoma sa të pastrohet kanali. Merakun do ta çoj deri në fund. Nëse nuk vijnë këtu, më kanë atje nesër. Për kokë të djalit, që në mëngjes, në orën 8–9 jam atje, nëse nuk do vijnë,” – thotë 82-vjeçarja.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Ekskluzive| U përlesh me truprojat e Ramës, flet e moshuara: Pse kërkova ta takoj appeared first on Euronews Albania.

Rama në Vlorë: Nuk kemi tendencë t’i zëmë frymën bizneseve, trotuaret do të lirohen

7 July 2025 at 11:31

Gjatë vizitës së tij në qytetin e Vlorës, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një deklaratë për mediat rreth orës 11:00 në Pallatin e Kulturës. Në fjalën e tij, Rama theksoi se aksioni për lirimin e hapësirave publike, sidomos trotuareve të Lungomares, është një masë e domosdoshme për të harmonizuar interesat e bizneset dhe qytetarëve.

“Nuk ka asnjë tendencë për ti ngushtuar frymëmarrjen bizneseve por ka një domosdoshmëri për të harmonizuar plotësisht interesat e të dyja palëve me prioritet qytetarët që ecin në këmbë. Lungomarja e cila u bë motor i transformimit urban, por edhe të një transforimi të ekonomisë vendore, duhet të kalojë tani në një nivel tjetër të paraqitjes por edhe të shërbimit”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se Lungomarja tani duhet të kalojë në një fazë të re zhvillimi dhe e konsideroi të papranueshëm kjoskëzimin e trotuarit.

“Kjoskëzimi i trotuarit është i papranueshëm dhe pasi është çliruar plotësisht trotuari i dedikuar vetëm këmbësorëve, do tu jepet të gjithë njësive të shërbimit në Lungomare një dizajn i ri, shpresoj ta kemi gati në shtator-tetor, pasi kemi filluar ta punojmë me qëllimin për të harmonizuar nevojën dhe interesin e tyre për të pasur një shërbim të mjaftueshëm me nevojën e qytetit për të pasur një dukje sa më spektakolare”, shtoi kryeministri Rama.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Rama në Vlorë: Nuk kemi tendencë t’i zëmë frymën bizneseve, trotuaret do të lirohen appeared first on Euronews Albania.

Rama flet për shkarkimet në Vlorë: Të gjithë drejtorët do të jenë të rinj, aplikoni

By: fra nc
7 July 2025 at 11:31

Kryeministri Edi Rama ishte këtë të hënë në qytetin e Vlorës, ku inspektoi nga afër aksionin e nisur në qytet për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme nga bizneset.

Shefi i qeverisë mbajti dhe një deklaratë për media nga Vlora, ku foli mbi shkarkimet e drejtorëve të bashkisë Vlorë, por dhe të administratës qendrore në këtë qytet.

Rama përshëndeti dorëheqjen e drejtorëve dhe tha se, duke parë performancën e tyre të ulët, ata nuk do të mund të riciklohen si drejtorë në pozicione të tjera.

Kryeministri tha se të gjithë drejtorët në bashkinë e Vlorës dhe administratën qendrore të qytetit do të jenë të rinj.

Ai ftoi pedagogët e universitetit të Vlorës, por dhe të rinj të diplomuar që të konkurrojnë për t’iu bashkuar administratës, pasi procesi i përzgjedhjes do të jetë meritokratik.

“Secilit dhe secilës mund t’u jepen mundësi të reja në të ardhmen. Por ndërkohë dua t’i ftoj të gjithë burrat, gratë dhe vajzat profesioniste që të aplikojnë për të shërbyer në administratën e bashkisë së Vlorës, duke i siguruar që ne do të jemi shumë kërkues dhe shumë rigorozë në funksion të meritës.

Ata janë dorëhequr dhe i falënderoj e i përshëndes, dhe asnjë person që ka mbuluar pozicione drejtuese në bashkinë e Vlorës ose në qarkun e Vlorës nuk do të rimerret si drejtues në këtë fazë. Të gjithë drejtuesit do të jenë të rinj.

Kam një thirrje të veçantë për pedagogët e universitetit. Natyrisht që puna e tyre në universitet është shumë e vyer, por janë të mirëpritur të kontribuojnë më shumë për qytetin. Cilado dhe cilido prej tyre që do të dojë të afrohet në administratën e bashkisë apo në role drejtuese në administratën qendrore do të jetë i mirëseardhur. Vlerësimi pastaj do të bëhet sipas performancës së secilit në procesin përzgjedhës, i cili do të jetë një proces meritokratik.

Po ashtu, të gjithë ata që kanë studiuar në Vlorë, në Tiranë, apo jashtë vendit dhe që janë të dëshiruar të shërbejnë për administratën e bashkisë apo të shtetit, por që ndërkohë punojnë kamarierë apo punë të tjera, janë të mirëpritur të konkurrojnë,” tha Rama.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Rama flet për shkarkimet në Vlorë: Të gjithë drejtorët do të jenë të rinj, aplikoni appeared first on Euronews Albania.

Kryeministri Rama mbërrin në bashkinë e Vlorës, pritet me duartrokitje nga qytetarët

7 July 2025 at 09:30

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Vlorë, ku është pritur nga kryetari i bashkisë, gjithashtu nga Pirro Vengu, dhe ministri Bledi Çuçi. Teksa zbriste nga makina për të inspektuar procesin e nisur për lirimin e hapësirave publike në Lungomare, Rama u prit me duartrokitje nga qytetarët.

Në një koment të djeshëm, kryeministri theksoi se aktivitetet e bizneseve, sidomos lokaleve, kishin zaptuar trotuaret dhe i kishin bllokuar ato për këmbësorët. Pas ultimatumit 48-orësh të dhënë në rrjetet sociale, aksioni për heqjen e bizneseve që shfrytëzojnë paligjshëm hapësirat publike ka nisur në mesnatë.

Rama theksoi se ky aksion është i nevojshëm për të përmirësuar shërbimet dhe për të sjellë Lungomaren në përputhje me imazhin e “Shqipërisë Turistike”.

Ai e konsideroi Lungomaren si model për një qytet bregdetar modern dhe theksoi se duhet të shërbejë si shembull për dizajnin e vijës bregdetare.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Kryeministri Rama mbërrin në bashkinë e Vlorës, pritet me duartrokitje nga qytetarët appeared first on Euronews Albania.

Fluks i lartë në Portin e Vlorës: Rriten ndjeshëm hyrjet e pasagjerëve dhe mjeteve

6 July 2025 at 09:41

Kjo e dielë e korrikut ka shënuar një nga ditët me fluksin më të lartë të hyrjeve në Portin e Vlorës. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë ditës së djeshme kanë mbërritur 599 pasagjerë, shumica prej të cilëve janë shtetas shqiptarë që jetojnë në Itali dhe kanë zgjedhur të kalojnë pushimet në atdhe, kryesisht në bregdetin e Vlorës.

Krahas tyre, një numër i konsiderueshëm turistësh të huaj kanë zbarkuar gjithashtu në qytet, duke konfirmuar trendin pozitiv të turizmit në këtë sezon veror.

Së bashku me pasagjerët, kanë hyrë edhe një volum i konsiderueshëm mjetesh, përfshirë:

120 makina,

1 karrocë me rimorkio,

5 kampingë (camper),

2 minibusë,

4 autobusë,

10 kamionë,

1 furgon,

2 motoçikleta.

Ky fluks dëshmon jo vetëm për rëndësinë e Portit të Vlorës si një pikë hyrëse strategjike për jugun e vendit, por edhe për rritjen e interesit të emigrantëve dhe turistëve për të kaluar pushimet verore në Shqipëri.

Muaji korrik pritet të shënojë rekorde të reja, duke e kthyer Vlorën në një nga destinacionet më të frekuentuara këtë verë.

LEXONI GJIHASHTU:

The post Fluks i lartë në Portin e Vlorës: Rriten ndjeshëm hyrjet e pasagjerëve dhe mjeteve appeared first on Euronews Albania.

Flet kreu i ri i PS në Vlorë: Jemi gjithmonë gati për çdo nevojë të partisë

5 July 2025 at 21:44

Kryeminstri dhe kryetari i PS, Edi Rama shkarkoi dy ditë më parë kryetarin dhe nënkryetaren e PS në Vlorë Admir Malaj dhe Vilma Bello, dhe në vend të tyre emëroi Klevis Kason dhe Erjona Ismailin.

Në një intervistë ekskluzive për emisionin Now me gazetaren Greta Topjana, Kaso u shpreh se ishte i surprizuar por edhe i vlerësuar për këtë detyrë.

Ai komentoi edhe kritikat e fundit të kryeministrit ndaj bashkisë që pasuan me dorëheqjen e 21 drejtorëve, duke i argumentuar me vëmendjen e madhe që kreu i qeverisë ka ndaj Vlorës.

“Nuk e prisja fare dhe nuk e kisha idenë por duke qenë se bëjmë pjesë në strukturat e PS shumë aktive, ne jemi gati në çdo moment për çdo nevojë që partia ka dhe është kënaqësi dhe përgjegjësi të drejtosh PS e Vlorës, një nga bastionet më të mëdha në vend. Vlora është një qytet që gëlon ndaj problematikat duhet të marrin zgjidhej po aq shpejt, nuk ka probleme që nuk zgjidhen por njerëz që nuk i zgjidhin. Kryeministri ka vëmendje shumë të madhe ndaj Vlorës, ndaj reagimi duhet të jetë në lartësinë e duhur”, tha Kaso.

The post Flet kreu i ri i PS në Vlorë: Jemi gjithmonë gati për çdo nevojë të partisë appeared first on Euronews Albania.

Përplasja në Vlorë, zyrtari i PD: Luftë klanesh brenda PS, Dredha u bë pengesë

5 July 2025 at 21:11

Atird Hoxha, anëtar i Këshillit Bashkiak të Vlorës, nga radhët e PD-së komentoi në një intervistë për Euronews Albania përplasjen e kryeministrin Edi Rama me bashkinë Vlorë dhe dorëheqjen e 21 drejtorëve të kësaj bashke pas ultimatumit të këtij  të fundit.

Sipas tij bëhet fjalë për një përplasje mes klaneve brenda PS për shkak të prishjes së interesave të mëdha financiare në këtë qytet.

“Kjo është një përplasje e brendshme në PS në të cilën Rama tashmë ka marrë pozicion duke përkrahur një grup të caktuar në PS për të sulmuar Dredhën, është një luftë mes klaneve në PS. Nuk mundet kurrsesi të detyrosh të dorëhiqen në grup 21 drejtorë, jo për t’i mbrojtur, por çfarë përgjegjësie ka me pastrimin drejtori i teatrit, të pallatit të sportit? Janë të gjithë të PS këta. Portalet e PS në Vlorë po bëjnë një luftë të shëmtuar kundër Dredhës. Interesat në Vlorë në sektorin e ndërtimit janë shumë të larta dhe ndoshta Dredha dhe të tijtë janë bërë pengesë për ta kthyer Vlorën në kantier kullash ndërtimi dhe mendoj se kjo është arsyeja e vetme”, tha Hoxha.

 

LEXONI GJITHASHTU:


The post Përplasja në Vlorë, zyrtari i PD: Luftë klanesh brenda PS, Dredha u bë pengesë appeared first on Euronews Albania.

Pas kritikave të Ramës, ngrihet Task Forcë e Posaçme për Vlorën: Kush do ta drejtojë

By: fra nc
5 July 2025 at 14:51

Pas vizitës së Kryeministrit Edi Rama në qytetin e Vlorës, administrata qendrore dhe vendore është vënë në lëvizje për të garantuar një sezon turistik sa më të qetë dhe efikas. Mësohet se ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, do të pozicionohet në qytetin e Vlorës, ku sipas burimeve do të angazhohet së bashku me strukturat e bashkisë dhe ato qendrore për mbarëvajtjen e sezonit turistik.

Mësohet se Vengu ka kërkuar që të gjitha strukturat të jenë në gatishmëri të plotë për të menaxhuar fluksin e turistëve dhe për të përballuar çdo situatë që mund të paraqitet gjatë muajve të nxehtë të verës.

Burime bëjnë me dije se do të ngrihet një Task Forcë e posaçme për muajt korrik dhe gusht, teksa në bashkëpunim me të gjithë deputetët e Vlorës do të ndahen edhe prioritetet e punës në tre drejtime kryesore, duke përfshirë edhe të gjitha strukturat vendore dhe qendrore, të cilat konsistojnë tek: pastrimi dhe mjedisi, mirëmbajtja e infrastrukturës, siguria dhe shëndeti.

Sipas burimeve, administrata qendrore dhe vendore do të jenë në gatishmëri edhe fundjavave për porositë e lëna. Mësohet se Pirro Vengu, Bledi Çuçi, Vullnet Sinaj dhe deputetët e tjerë do të organizojnë takime të shpeshta për të analizuar edhe performancën e çdo drejtuesi.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Pas kritikave të Ramës, ngrihet Task Forcë e Posaçme për Vlorën: Kush do ta drejtojë appeared first on Euronews Albania.

Berisha: Shkarkimi i drejtorëve në Vlorë dëshmi e regjimit dhe partisë-shtet

By: fra nc
4 July 2025 at 13:51

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar akuzat ndaj mazhorancës, duke e cilësuar procesin zgjedhor të 11 majit si një “farsë elektorale” të organizuar nga kryeministri Edi Rama.

Nga pamjet e publikuara nga kryedemokrati shihen persona që shoqërojnë votuesit në dhomën e fshehtë dhe që votojnë së bashku.

“Në këto pamje faktohet në mënyrë të pakundërshtueshme se ky proces ishte farsë, farsë dhe vetëm farsë. Ky proces nuk ka asgjë të përbashkët me fshehtësinë e votës, por përbën një kontroll të plotë mbi vullnetin e qytetarëve,” deklaroi Berisha.

Ndërkohë, Berisha komentoi edhe shkarkimin e drejtorëve të bashkisë Vlorë nga Kryeministri Rama, duke e cilësuar këtë një akt brutal ndaj autonomisë së pushtetit vendor dhe një përpjekje për të hedhur hi syve të qytetarëve.

“Së pari, qëndrimet e tij janë dëshmi flagrante e asaj që kemi denoncuar prej kohësh: Shqipëria është kthyer në një parti-shtet. Vetëm në regjime të tilla shkelmohen kompetencat e pushtetit vendor. Kushtetuta dhe marrëveshjet ndërkombëtare i njohin autonominë e plotë qeverisjes vendore nga qeverisja qendrore, por këto akte ndodhin sot vetëm në Korenë e Veriut apo në kohët më të errëta të diktaturës staliniste”, tha Berisha.

Sipas tij, shkarkimi i drejtorëve në Vlorë është “akt i kokave të turkut” për të mbuluar dështimet e qeverisë në këtë qytet.

“Pasi ka dhunuar zgjedhjet në Vlorë, pasi ka katandisur qytetin në një gjendje mjerimi, pasi mbush brigjet me ujëra të zeza dhe djeg çdo dy javë qindra ton plehra që helmojnë qytetarët, Rama u jep si kockë disa shkarkime drejtorësh. Këta drejtorë janë vartës të kryetarit të bashkisë dhe jo të kryeministrit, por gjithçka u bë për të mbuluar përgjegjësitë reale”, përfundoi Berisha.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Berisha: Shkarkimi i drejtorëve në Vlorë dëshmi e regjimit dhe partisë-shtet appeared first on Euronews Albania.

Rama dha ultimatum për lirimin e zonës pranë “Muradies” në Vlorë, bashkia në aksion

By: fra nc
4 July 2025 at 11:56

Gjatë vizitës të zhvilluar ditën e enjte në qytetin qytetin e Vlorës, kryeministri Edi Rama dha “ultimatum” për lirimin e hapësirave publike në zonën historike pranë “Muradies”.

Burime bëjnë me dije se teksa ndaloi për të pirë një kafe, kreu i qeverisë u irritua nga zaptimi i trotuareve nga lokalet përreth, që sipas tij pengojnë lëvizjen e qytetarëve.

Kërkesa e shefit të qeverisë u pasua menjëherë nga veprimet e autoriteteve lokale.

Mëngjesin e sotëm, inspektorët e Bashkisë së Vlorës dhe Policia Bashkiake ndërhynë në zonë, duke kërkuar nga bizneset lirimin e hapësirave të zaptuara.

Kujtojmë gjithashtu se pas ultimatumit të kryeministrit për të shkarkuar të gjithë drejtorët e bashkisë në Vlorë, shumica prej tyre kanë dhënë dorëheqjen këtë të premte.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Rama dha ultimatum për lirimin e zonës pranë “Muradies” në Vlorë, bashkia në aksion appeared first on Euronews Albania.

Rama “shkarkoi” drejtorët në Bashkinë Vlorë, reagon Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë

By: fra nc
4 July 2025 at 10:25

Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë ka reaguar pas ndërhyrjes së Kryeministrit Edi Rama në Bashkinë e Vlorës, i cili kërkoi shkarkimin e të gjithë drejtorëve në pushtetin vendor.

Shoqata në reagimin e saj e ka konsideruar këtë veprim si të papranueshëm dhe në kundërshtim me Kushtetutën.

Shoqata shpreh shqetësimin për atë që e cilëson si “ndërhyrje të përsëritura të Kryeministrit në çështjet administrative të bashkive”, duke përmendur rastet në Bashkinë e Tiranës dhe së fundmi atë të Vlorës.

“Ndërhyrjet e fundit përbëjnë një praktikë të papranueshme, e cila bie ndesh me parimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të ligjit nr. 139/2015 ‘Për vetëqeverisjen vendore’,” thuhet në deklaratë.

Shoqata thekson se Kushtetuta garanton autonominë vendore si një nga shtyllat e pushtetit lokal, ndërsa ligji për vetëqeverisjen vendore përcakton qartë kompetencat dhe mekanizmat e llogaridhënies brenda bashkive. Sipas saj, çdo ndërhyrje e pushtetit qendror cenon këtë autonomi dhe bie ndesh me parimin e ndarjes së pushteteve.

“Është e papranueshme që përfaqësuesit politikë të nivelit qendror të ndërhyjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në emërime, shkarkime apo vendimmarrje administrative në bashki, të cilat janë institucione të pavarura dhe të zgjedhura me votën e qytetarëve,” thuhet më tej në qëndrim.

Shoqata u bën thirrje institucioneve mbikëqyrëse të reagojnë dhe të mbrojnë integritetin ligjor të pushtetit vendor, ndërsa kërkon nga aktorët politikë të respektojnë kufijtë kushtetues të përgjegjësive të tyre për të mos cënuar funksionimin demokratik të qeverisjes vendore.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Rama “shkarkoi” drejtorët në Bashkinë Vlorë, reagon Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë appeared first on Euronews Albania.

Rama “furtunë” në Vlorë, kërkon shkarkime masive në bashki! Zbardhen porositë e lëna

By: fra nc
3 July 2025 at 13:23

Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të enjte një vizitë të papritur në Bashkinë e Vlorës, ku mbajti një mbledhje me dyer të mbyllura me drejtuesit lokalë.

Gjatë takimit, Rama shprehu pakënaqësi të theksuara për menaxhimin e sezonit turistik, problemet me furnizimin me ujë të pijshëm dhe ankesat e qytetarëve lidhur me cilësinë e shërbimeve.

Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se Rama u ka kërkuar drejtorëve të bashkisë të paraqesin dorëheqjen, së bashku me disa drejtorë rajonalë.

Sipas të njëjtave burime, Rama ka qenë veçanërisht i ashpër me kryetarin e bashkisë, duke ngritur shqetësimin për furnizimin me ujë të pijshëm dhe menaxhimin e mbetjeve urbane në qytet. Kryeministri ka theksuar se situata është e papranueshme dhe ka kërkuar përgjegjësi të drejtpërdrejtë nga drejtuesit vendorë.

Përveç kësaj, u kërkua largimi i një pjese të administratës së Bashkisë së Vlorës. Rama kritikoi edhe deputetët e qarkut për performancën e tyre të dobët gjatë periudhës së fundit.

Vizita e papritur dhe kërkesat për ndryshime rrënjësore në administratën lokale vijnë në një moment ku problemet me ujin e pijshëm në kulmin e sezonit turistik kanë shkaktuar shumë pakënaqësi.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Rama “furtunë” në Vlorë, kërkon shkarkime masive në bashki! Zbardhen porositë e lëna appeared first on Euronews Albania.

Rama ndryshon drejtuesit e Partisë Socialiste në Vlorë

3 July 2025 at 13:00

Kryeministri Edi Rama ka bërë ndryshime në strukturat drejtues të Partisë Socialiste në Vlorë. Admir Malaj dhe Vilma Bello nuk do të jenë më bashkëkryetarë të degës, ndërsa në krye të Partisë Socialiste Vlorë është komanduar Klevis Kaso si kryetar, ndërsa bashkëkryetare është emëruar Erjona Ismaili.

Ditën e sotme kryeminstri Edi Rama zhvilloi një mbledhje në qytetin e Vlorës, teksa mësohet se kyeminstri shfaqi hapur pakënaqësitë e tij për performancën e Bashkisë së Vlorës dhe institucioneve lokale.

Burime nga mbledhja bëjnë me dije se thelbi i kritikave të Ramës ka qenë menaxhimi i dobët i sezonit turistik, mungesa e ujit të pijshëm dhe ankesat në rritje të qytetarëve për shërbimet publike.

Kryeministri ka kërkuar dorëheqjen e disa drejtuesve të institucioneve në qytet, të cilët, sipas tij, nuk kanë treguar efikasitet dhe nuk kanë përmbushur detyrat funksionale, si në rastin e largimit të Admir Malajt dhe Vilma Bellos.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Rama ndryshon drejtuesit e Partisë Socialiste në Vlorë appeared first on Euronews Albania.

Rama vizitë të papritur në Bashkinë e Vlorës, mbledh gjithë stafin dhe deputetët

By: fra nc
3 July 2025 at 09:49

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një vizitë të papritur në Bashkinë e Vlorës. Burime pranë bashkisë bëjnë me dije se kreu i qeverisë do të zhvillojë një mbledhje me të gjithë stafin e institucionit, ku është kërkuar edhe prania e deputetëve dhe ish-deputetëve të qarkut Vlorë.

Në fokus të diskutimeve pritet të jenë problematikat e qytetit dhe sfidat e qeverisjes vendore.

Pamjet e siguruara nga Euronews Albania tregojnë kryeministrin Rama teksa hyn në ambientet e Bashkisë së Vlorës i shoqëruar nga ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, dhe kryetari i bashkisë, Ermal Dredha.

Kjo vizitë vjen pak ditë pas 34-vjetorit të Partisë Socialiste, ku Rama dhe Dredha u vunë re në disa momentet të tensionuara mes tyre. Gjuha e trupit e kryeministrit në bisedën mes tyre, u interpretua si pakënaqësi ndaj punës së kryebashkiakut.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Euronews Albania (@euronews_albania)

LEXONI GJITHASHTU:

The post Rama vizitë të papritur në Bashkinë e Vlorës, mbledh gjithë stafin dhe deputetët appeared first on Euronews Albania.

Qentë endacakë në Vlorë problem për turistët e huaj: Të sterilizohen

2 July 2025 at 16:58

Qentë endacakë të cilët shëtisin të lirë në territorin e qytetit të Vlorës janë kthyer në problem për turistët e huaj.

Elena Moliboshko është një shtetase me origjinë nga Polonia, e cila prej disa vitesh jeton dhe punon në Vlorë. Për të, kjo situatë e qenve endacakë që shëtisin të lirë është jo normale.

“Siç ju e dini, këtu në qytet fatkeqësisht ka një numër të lartë të qenve endacakë dhe kjo nuk është një gjë e mirë. Unë dua t’ju them juve që pjesa më e madhe e këtyre qenve janë miqësorë. Unë deri tani nuk kam pasur probleme. Por kjo situatë këtu është e tepërt dhe fatkeqësisht ata janë kudo, në vende publike, në bar-kafe, në vendet ku luajnë fëmijët”, thotë ajo.

Ky fenomen më parë ka qenë tepër i përhapur edhe në Poloni, por që u zgjidh falë sterilizimit masiv.

“Unë vij nga Polonia. Disa vite më parë në vendin tim ishte e njëjta situatë dhe u kthye shumë e vështirë për t’u kontrolluar ky problem. Por në Poloni u krye një sterilizim masiv i qenve endacakë dhe më pas tek ata u vendos edhe nga një çip. Në vendin tonë ne nuk i vramë ata, por ndaluam riprodhimin”, tregoi turistja.

Në shumë raste qentë endacakë në Vlorë, të cilët shëtisin lirshëm dhe pa pronarë, kanë kafshuar edhe turistë të huaj. Liljana Breshani, animaliste, e cila administron një qendër për strehimin dhe sterilizimin e këtyre kafshëve, ka folur në lidhje me këtë situatë.

“Kafshët endacake sulmojnë në momentin që ndihen të kërcënuara. Ata përcaktojnë habitatin e tyre ku kanë të siguruar burimet ushqimore dhe ujin, dhe ku ndihen që njerëzit i duan. Arsye tjetër është momenti kur kafshët janë në momentin e shumimit. Ndaj bëni kujdes: kur një kafshë është e qetë dhe në habitatin e vet, mos e godisni, mos shprehni rrezikshmëri”, u shpreh ajo.

Dhjetëra raste paraqiten çdo vit në spitalin rajonal të Vlorës me kafshime apo dëmtime trupore nga qentë endacakë. Shumica prej tyre janë qytetarë të Vlorës, ku nuk mungojnë as fëmijët e vegjël, por edhe shtetasit e huaj.

 

 

 

The post Qentë endacakë në Vlorë problem për turistët e huaj: Të sterilizohen appeared first on Euronews Albania.

Vlorë: Theu masën e arrestit dhe kanosi me thikë një person, arresohet 36 vjeçari

2 July 2025 at 14:41

Një konflikt në qytetin e Vlorës është parandaluar falë ndërhyrjes së menjëhershme të Forcës së Posaçme “Shqiponja”.

Policia bëri të mundur arrestimin e shtetasit me iniciale A. Ç., 36 vjeç, banues në lagjen “Osman Haxhiu”, i cili kishte shkelur masën e “arrestit në shtëpi” dhe kishte kanosur me thikë një 35-vjeçar në lagjen “Uji i Ftohtë”,

Ngjarja mësohet të ketë ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta. 36-vjeçari ndodhej nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vjedhja”.

Gjatë ndërhyrjes, shërbimet e “Shqiponjave” arritën të neutralizojnë situatën pa dëmtime dhe të vënë në pranga autorin, duke shmangur rrezikun për jetën e qytetarëve.

Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan 36-vjeçarin për “Kanosje”, “Largim të të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Mbajtje pa leje e armëve të ftohta”.

Policia e Vlorës deklaroi se vijon angazhimin për parandalimin dhe goditjen e çdo rasti që cenon rendin dhe sigurinë publike.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Vlorë: Theu masën e arrestit dhe kanosi me thikë një person, arresohet 36 vjeçari appeared first on Euronews Albania.

❌