Normal view

Detajet e operacionit në Turqi, si e fsheh shërbimi sekret presidentin amerikan

11 August 2026 at 23:02

Më 8 korrik, presidenti amerikan Donald Trump hipi në avionin presidencial Air Force One përpara kamerave televizive, teksa largohej nga samiti i NATO-s në Turqi.

Por kur avioni i madh Boeing u ngrit nga Ankaraja, presidenti thuhet se ishte larguar fshehurazi me një kamion të furnizimit ushqimor drejt një avioni “C-32A”, version ushtarak i Boeing 757, i cili më pas e transportoi në bazën ajrore RAF Mildenhall në Mbretërinë e Bashkuar.

Personat që mbetën në bord shërbyen pa e ditur si karrem dhe nuk kishin asnjë dijeni se Trump nuk udhëtonte më me ta.

Megjithatë, mashtrime të tilla nuk janë të pazakonta. “Është shumë e zakonshme”, tha Ronald Kessler, autor i disa librave mbi Shërbimin Sekret. “Ekziston një histori e gjatë strategjish për të mashtruar këdo që mund të përpiqet t’i bëjë dëm presidentit”, raporton BBC.

Robert McDonald, ish-zyrtar i lartë i Shërbimit Sekret me përvojë në mbrojtjen e presidentëve, i tha BBC-së se mashtrime në shkallë më të vogël përdoren shpesh gjatë lëvizjes së autokolonave presidenciale.

Këto autokolona, që zakonisht përfshijnë dhjetëra automjete sigurie e mbështetjeje, ambulanca dhe furgonë me gazetarët e Shtëpisë së Bardhë, zakonisht përfshijnë edhe dy limuzinat e blinduara të presidentit, të njohura si The Beast.

Ndërsa njëra transporton presidentin, tjetra udhëton pranë saj si karrem, duke ndërruar pozicion gjatë rrugës drejt destinacionit. “Ne e quajmë këtë ‘lojë me guaska’ (shell game)”, tha McDonald, i cili drejtonte një nga këto automjete gjatë administratës së George W. Bush.

“Edhe në Uashington, kur shkonim drejt bazës Andrews, të dy limuzinat ndërronin pozicion, për shembull nën një mbikalim.”

“Por kjo ndodhte larg syve të kujtdo tjetër, përveç pjesëtarëve të autokolonës. Përdoren metoda të ndryshme për të ngatërruar këdo që mund të përbëjë rrezik”, shtoi ai.

Në mënyrë të ngjashme, edhe Marine One, helikopteri presidencial, zakonisht fluturon në formacion me tre helikopterë, të cilët ndërrojnë pozicion gjatë fluturimit, në mënyrë që kërcënimet e mundshme të mos dinë se cili prej tyre transporton presidentin.

Mashtrime edhe më të sofistikuara

Për udhëtimet jashtë vendit me rrezik të lartë përdoren metoda edhe më të ndërlikuara. “Nuk ndodh shpesh,” tha ish-agjenti i Shërbimit Sekret Paul Eckloff, duke iu referuar ndërrimit të avionit. “Por është një nga opsionet që Shërbimi Sekret dhe ekipet e mbrojtjes së drejtuesve kanë gjithmonë në dispozicion.”

“Kur presidenti udhëton në zona lufte, shpesh përdoren taktika që krijojnë pasiguri tek kundërshtari për avionin apo lëvizjen që ai do të bëjë,” shtoi ai.

Në mars të vitit 2000, presidenti i atëhershëm Bill Clinton fluturoi nga India drejt Islamabadit me një avion ekzekutiv pa shenja dalluese, i cili u ul pas një avioni karrem me ngjyrat e Air Force One. Tre vjet më vonë, Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti George W. Bush do ta kalonte Ditën e Falënderimeve në Teksas, por ai mbërriti fshehurazi në Bagdad me një Air Force One me dritat e fikura.

Në vitin 2023, edhe Joe Biden u dërgua fshehurazi në Ukrainë, i shoqëruar vetëm nga një gazetar dhe një fotograf.

Në të tre rastet, gazetarët që ndodheshin në bord ishin në dijeni të mashtrimit, por u ishte kërkuar të mos e raportonin atë në kohë reale.

Pse u mor kjo masë?

Natyra e saktë e kërcënimit të perceptuar në rastin më të fundit mbetet ende e paqartë. Shërbimi Sekret nuk ka komentuar incidentin, ndërsa Shtëpia e Bardhë as nuk e ka konfirmuar dhe as mohuar, duke deklaruar vetëm se përdor çdo mjet të mundshëm për mbrojtjen e presidentit.

Ekspertët thonë se, megjithëse përgatiten plane për skenarë të ndryshëm, Shërbimi Sekret duhet të ruajë fleksibilitetin dhe të jetë i gatshëm të improvizojë përballë kërcënimeve të reja, sidomos gjatë udhëtimeve jashtë vendit. Sipas McDonald, fakti që presidenti Trump u transferua fshehurazi nga Air Force One në një tjetër avion tregon se rreziku është konsideruar serioz.

“Kjo më tregon se niveli i kërcënimit në Turqi ishte relativisht i lartë,” tha ai, duke shtuar se stafi presidencial, Shërbimi Sekret dhe Zyra Ushtarake e Shtëpisë së Bardhë ka shumë gjasa të jenë njoftuar menjëherë. “Këta njerëz me shumë mundësi u mblodhën në një sallë, morën informacionin e inteligjencës dhe hartuan një plan për të neutralizuar kërcënimin,” shpjegoi ai.

Të njëjtin vlerësim ndau edhe Marc Polymeropoulos, ish-oficer i CIA-s me 26 vite eksperiencë në Irak, Afganistan dhe operacione të fshehta në mbarë botën. “Pyetja kryesore është natyra e kërcënimit dhe çfarë ishte aq serioze sa ta detyronte Shërbimin Sekret të organizonte një operacion të tillë mashtrues,” tha ai.

Sipas tij, lind edhe pyetja nëse qeveria dhe komuniteti i inteligjencës kishin detyrimin të paralajmëronin personat që mbetën në avion.

“Nëse avioni do të ishte rrëzuar dhe ne do ta dinim paraprakisht, nuk mund ta lejonim të ndodhte. Nëse dimë se ISIS do të sulmojë një objektiv në Moskë, ne paralajmërojmë rusët. Pse? Sepse nëse aty vritet një qytetar amerikan, nuk mund ta lejojmë një gjë të tillë.”

A ishin në rrezik personat që mbetën në avion?

Nuk është ende e qartë se sa i madh ishte rreziku për ata që mbetën në bord, ose nëse ishin realisht në rrezik.

Gazetarët raportuan se u udhëzuan vazhdimisht të mbanin të mbyllura perdet e dritareve të avionit. Sipas McDonald, kjo është një praktikë “jo e pazakontë”, që tregon se po merreshin masa shtesë për mbrojtjen e pasagjerëve.

Ai shtoi se Shërbimi Sekret nuk ka asnjë detyrim ligjor të informojë publikun për kërcënimet apo për operacionet që zhvillon për mbrojtjen e presidentit dhe shoqëruesve të tij. Ky vendim i takon Shtëpisë së Bardhë ose agjencive të tjera. “Shërbimi Sekret nuk merret me marrëdhënie me publikun,” tha ai. “Ne jemi shumë të zotë në ruajtjen e sekreteve, siç e tregon edhe emri ynë. Nuk është e nevojshme që të gjithë të dinë gjithçka.”

***

The post Detajet e operacionit në Turqi, si e fsheh shërbimi sekret presidentin amerikan appeared first on Euronews Albania.

Riaktivizohet zjarri në lagjen “Abaze” të Krujës

11 August 2026 at 22:52

Mbrëmjen e sotme zjarri në lagjen Abaze të Krujës është riaktivizuar sërish. Kreu i PD në Krujë, Aulon Kalaj, në një reagim në rrjetet sociale shkruan: “Riaktivizohet dhe një herë zjarri në lagjen “Abaze”, në Krujë!

Banorët më thonë se autoritetet përkatëse nuk kanë shkuar ende në terren, tek vatra e flakes”.

Gjatë ditës, në Krujë ishin aktive dy vatra zjarri. Në lagjen Abaze, flakët u favorizuan nga era, por sipas autoriteteve nuk paraqitën rrezik për zonat e banuara.

Ndërsa në zonën Krastë–Halil, situata u përkeqësua në orët e para të mëngjesit, duke rritur rrezikun për banesat. U desh ndërhyrja me dy helikopterë bëri të mundur normalizimin e situatës dhe vijimin e punës për shuarjen e plotë të zjarrit.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë pasdites në të gjithë vendin janë aktive 8 vatra zjarri, të shpërndara në qarqet Tiranë, Fier, Durrës, Gjirokastër dhe Dibër. Në operacionet për menaxhimin e situatës u angazhuan 165 forca operacionale, 85 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa nga ajri u zhvilluan 7 misione me helikopterë dhe 2 misione me avionë Air Tractor.

The post Riaktivizohet zjarri në lagjen “Abaze” të Krujës appeared first on Euronews Albania.

Vapa ndryshon tregun e banesave në Francë, blerësit kërkojnë shtëpi më të freskëta

11 August 2026 at 22:38

Nxehtësia është bërë tashmë një faktor edhe gjatë vizitave për të parë banesat. Ndërsa valët e të nxehtit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta këtë verë, blerësit francezë po i kushtojnë vëmendje në rritje komoditetit termik të shtëpisë së tyre të ardhshme, raporton Euronews.com.

Në Paris, një burrë rreth të tridhjetave, gjatë vizitës në një studio prej 14 metrash katrorë në katin e fundit të një ndërtese, pyet:  “Nga maji deri në shtator ose tetor, a do të mund ta përdor këtë apartament dhe të jetoj rehat? Apo edhe unë do të më duhet të largohem si të gjithë të tjerët, sepse bëhet shumë vapë?”

Dikur i konsideruar një avantazh, orientimi i një banese tani vlerësohet sipas aftësisë së saj për të ruajtur freskinë. Në kryeqytetin francez, banesat me orientim të plotë nga jugu po humbasin tërheqjen.

“Pronat me orientim nga jugu nuk kërkohen më aq shumë sa më parë, sepse njerëzit e kuptojnë se kur një banesë është e orientuar nga jugu, dielli bie shumë fort mbi të,” hotë agjenti imobiliar Joseph Denke nga FredéLion.

Gjatë vizitave, blerësit i kushtojnë vëmendje çdo elementi që ndihmon në mbajtjen e freskisë: planimetrisë që lejon qarkullimin e ajrit, mundësisë për të ajrosur banesën gjatë natës, grilave, tarracës ose një hapësire të jashtme me hije. Disa marrin në konsideratë edhe praninë e pemëve në lagje.

Kondicioneri, një pikë e fortë në shitje

Kondicioneri, i cili deri më tani rrallë theksohej në njoftimet për shitje, po shndërrohet në një avantazh të rëndësishëm. Pronarët nuk hezitojnë më ta promovojnë këtë veçori kur nxjerrin pronën në treg.

“Në të kaluarën, pronarët nuk mendonin domosdoshmërisht të theksonin faktin se banesa kishte grila ose kondicioner. Sot, këto janë elemente që promovohen shumë qartë,” thotë Laetitia Caron, drejtoreshë e përgjithshme e platformës PAP (Particulier à particulier).

Ky ndryshim në kriteret e blerjes po ndikon edhe në shitjen e disa pronave. Në arrondissement-in e 5-të të Parisit, një apartament prej 66 metrash katrorë, megjithëse me dritare të mëdha, po e ka të vështirë të gjejë blerës. Banesa nuk ka ventilim nga dy anët dhe ajri qarkullon dobët.

“Njerëzit ndihen sikur po mbyten aty brenda dhe nuk ka zgjidhje tjetër përveç instalimit të një kondicioneri,” thotë agjenti imobiliar Christian Tokoto nga Guy Hoquet.

Një në tre francezë mund të mendojë të ndryshojë banesë

Sipas studimit “Canicule & Immobilier 2026” të platformës Leboncoin, i realizuar me 1,752 të anketuar, 81% e francezëve thonë se ndiejnë parehati për shkak të temperaturave të larta në banesat e tyre, ndërsa një në tre do të merrte në konsideratë zhvendosjen për shkak të valëve të të nxehtit.

Valët e të nxehtit nuk shihen më si fenomene të izoluara, por po ndikojnë gjithnjë e më shumë në zgjedhjet për vendbanimin, shpjegon Sophie Bourg, drejtoreshë e marketingut në Leboncoin Immobilier.

“Freskia dhe komoditeti gjatë verës janë bërë tashmë një kriter më vete në tregun e pasurive të paluajtshme,” thotë ajo.

The post Vapa ndryshon tregun e banesave në Francë, blerësit kërkojnë shtëpi më të freskëta appeared first on Euronews Albania.

Gjunkshi: Lura po digjet, situata ka dalë jashtë kontrollit!

11 August 2026 at 22:29

Këshilltari për Sigurinë në Partinë Demokratike, Xhemal Gjunkshi, ka bërë thirrje për ndërhyrje urgjente në Lurë, duke deklaruar se situata nga zjarret ka dalë jashtë kontrollit.

Sipas tij, pas më shumë se tetë orësh, flakët vijojnë të përhapen me shpejtësi, duke djegur qindra hektarë pyje e kullota dhe duke rrezikuar banorët, banesat, bagëtitë, si dhe fshatin Fushë-Lurë.

Në reagimin e tij, Gjunkshi kërkon shtimin e forcave zjarrfikëse, angazhimin e Forcave të Armatosura, ndërhyrje ajrore me helikopterë dhe avionë, si dhe një plan të qartë për mbrojtjen ose evakuimin e banorëve. Qytetarët kanë nevojë për shtetin në terren, jo për deklarata nga zyrat e institucioneve. Mobilizoni kapacitetet që dispononi dhe dërgoni ndihmën ajrore tani! Lura nuk duhet braktisur!“, shkruan ai.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se gjatë 12 orëve të fundit janë raportuar 23 vatra zjarri në të gjithë vendin, nga të cilat 8 mbeten aktive. Sipas ministrisë, në Gurë-Lurë po zhvillohet një operacion me forca zjarrfikëse, vullnetarë dhe 2 helikopterë të Forcave të Armatosura, të vendosur pranë banesave për mbrojtjen e komunitetit, ndërsa mjetet ajrore ndërprenë operacionet gjatë mbrëmjes dhe ndërhyrja vijon nga toka. Autoritetet theksojnë se strukturat e mbrojtjes civile mbeten në terren deri në neutralizimin e plotë të vatrave aktive.

The post Gjunkshi: Lura po digjet, situata ka dalë jashtë kontrollit! appeared first on Euronews Albania.

Zjarr në kodrat e Tushemishtit

11 August 2026 at 22:25

Një zjarr përfshiu mbrëmjen e së hënës kodrat mbi fshatin Tushemisht, në Pogradec.

Pas marrjes së njoftimit, forcat e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi ndërhynë menjëherë, duke izoluar flakët dhe shuar vatrën, e cila rrezikonte të përhapej me shpejtësi.

Institucionet u bëjne apel qytetarëve të njoftojnë menjëherë autoritetet për çdo vatër zjarri të konstatuar dhe të tregohen të kujdesshëm me ndezjen e zjarreve apo hedhjen e cigareve, pasi ditët në vijim priten temperatura shumë të larta.

The post Zjarr në kodrat e Tushemishtit appeared first on Euronews Albania.

24 vatra zjarri në një ditë. Tetë janë ende aktive

11 August 2026 at 22:16

Ministria e Mbrojtjes bën me dije se gjatë 12 orëve të fundit janë raportuar 23 vatra zjarri në të gjithë vendin, nga të cilat 8 vijojnë të jenë aktive.

Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 26 automjete zjarrfikëse, 310 forca operacionale, 103 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”, ndërsa mjetet ajrore kanë ndërprerë operacionet gjatë mbrëmjes.

Ndërhyrjet vijojnë në Dajt, Priskë të Madhe, Drenie të Patosit, Krujë, malin e Nemërçkës dhe malin e Dhëmbelit, ku sipas autoriteteve nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Një operacion i rëndësishëm po zhvillohet edhe në Gurë-Lurë të Dibrës, ku forcat zjarrfikëse, vullnetarët dhe dy helikopterë të Forcave të Armatosura u angazhuan pranë banesave për mbrojtjen e komunitetit.

Ndërkohë, Ministria njofton se vatra e zjarrit në Vilëz të Kurbinit është shuar plotësisht.

Sipas ministrisë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe strukturat vendore vijojnë koordinimin dhe operacionet në terren deri në neutralizimin e plotë të vatrave aktive.

The post 24 vatra zjarri në një ditë. Tetë janë ende aktive appeared first on Euronews Albania.

“Kosova rrezikon bllokadën totale, po shpërfillet Kushtetuta”

11 August 2026 at 22:06

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar pas mbledhjes së radhës të Kryesisë së kësaj partie, duke shprehur shqetësimin për krizën politike dhe bllokadën institucionale në të cilën ndodhet vendi.


Gjini ka thënë se pozicioni i Aleancës që nga përfundimi i zgjedhjeve ka qenë konstruktiv dhe në funksion të krijimit të institucioneve të rregullta.

Sipas tij, Aleanca ka hartuar një ofertë të qartë në interes të qytetarëve, por ajo po injorohet nga partia e parë e dalë nga zgjedhjet.

“Si Aleancë, ne kemi hartuar një ofertë të qartë të dedikuar për qytetarët, e cila po injorohet totalisht nga partia e parë e dalë nga zgjedhjet, edhe pse zotimi ndaj këtyre pikave do të çonte menjëherë në tejkalimin e këtij ngërçi politik”, ka shkruar Gjini.

Ai ka kritikuar ashpër mënyrën se si po trajtohet situata institucionale, duke thënë se Kosova po përballet me rrezikun e një bllokade totale pas, siç është shprehur ai, “shkeljes dhe djegies së afateve për konstituimin e Kuvendit”.

Gjini ka akuzuar gjithashtu partinë fituese të zgjedhjeve se përmes veprimeve të saj po cenon rendin kushtetues dhe pavarësinë e institucioneve.

“Partia që ka fituar zgjedhjet po i bën sulm vetë shtetit përmes ligjeve që cenojnë pavarësinë e institucioneve, duke shkatërruar rendin kushtetues”, ka deklaruar ai.

Sipas Gjinit, kjo situatë po ndikon edhe në fusha të tjera të rëndësishme, duke dëmtuar ekonominë, shëndetësinë, arsimin dhe imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Në fund, kryetari i Aleancës ka theksuar se Aleanca do të vazhdojë angazhimin politik për tejkalimin e krizës.

“Kosova është më e madhe se çdo krizë politike e shkaktuar artificialisht si kjo që po shohim sot. Si Aleancë, do të vazhdojmë të angazhohemi në mbrojtje të projektit tonë shtetëror dhe do të përdorim çdo rrugë politike për të rikthyer normalitetin dhe zhvillimin në vend”, ka shkruar Gjini.

Vazhdimi i seancës konstituive është ndëprerë të shtunën me kërkesë të kreut të LVV-së, Albin Kurti dhe pas ekskalimit të situatës në seancë gjatë gjuajtjes me vezë të Albin Kurtit nga deputetja e Alenacës, Time Kadrijaj. 

The post “Kosova rrezikon bllokadën totale, po shpërfillet Kushtetuta” appeared first on Euronews Albania.

Rumania shkatërron dy dronë “Gerbera” që lëvizën pranë një projekti të madh gazi në Detin e Zi

11 August 2026 at 20:58

Ministri i Mbrojtjes i Rumanisë, Radu Miruta njoftoi se zhytësit e ushtrisë rumune shkatërruan dy dronë të tipit Gerbera që lëviznin në Detin e Zi të vendit, pranë projektit të gazit në det të hapur Neptun Deep.

Shteti anëtar i NATO-s ndan një kufi tokësor prej 614 km me Ukrainën dhe ka parë dronë rusë të shkelin vazhdimisht hapësirën e saj ajrore gjatë katër viteve të fundit, si dhe mina që lundrojnë në Detin e Zi përgjatë rrugëve kryesore tregtare dhe të energjisë.

Në korrik, pilotët e avionëve luftarakë rumunë F-16 rrëzuan tre dronë rusë që kishin shkelur hapësirën ajrore kombëtare gjatë tre ditëve radhazi, pas dhjetëra ndërhyrjeve të tilla në më shumë se katër vitet e pushtimit të Ukrainës nga Moska.

Të martën, një anije civile që punonte pranë projektit të gazit në det të hapur Neptun Deep i vuri re dronët, tha Miruta. Ministri nuk specifikoi origjinën e dronëve, por tha se Ukraina kishte konfirmuar se ato nuk i përkisnin forcave të saj.

“Për sigurinë e korsisë së transportit detar dhe punimet që po kryhen përreth platformës, u mor vendimi për të kryer një shkatërrim të kontrolluar me anë të shpërthimit”, tha Miruta.

Shtetet anëtare të NATO-s, Rumania, Bullgaria dhe Turqia, të cilat ndajnë Detin e Zi me Gjeorgjinë, Rusinë dhe Ukrainën, kanë neutralizuar më shumë se 150 mina që lëviznin nëpër korridoret kryesore tregtare.

Në korrik, të tre shtetet ranë dakord të zgjerojnë një task forcë të përbashkët që pastron minat që lundrojnë në Detin e Zi, për të përfshirë misione për të mbrojtur infrastrukturën kritike.

The post Rumania shkatërron dy dronë “Gerbera” që lëvizën pranë një projekti të madh gazi në Detin e Zi appeared first on Euronews Albania.

Zjarr në një sipërfaqe pyjore mbi fshatin Sinicë në Devoll, zjarrfikësit në vendngjarje (VIDEO)

11 August 2026 at 20:46

Një zjarr ka përfshirë pasditen e kësaj të martë një sipërfaqe pyjore në zonën e njohur si “Lëndina e Madhe”, mbi fshatin Sinicë në Devoll.

Pas marrjes së njoftimit për flakët nga shërbimi zjarrfikës i Bashkisë Devoll, drejt zonës është nisur një ekip prej 11 zjarrfikësish dhe 3 punonjësish të shërbimit pyjor.

Forcat në terren po punojnë për vënien nën kontroll dhe neutralizimin e vatrës së zjarrit, ndërsa ndërhyrja vijon.

Për momentin nuk dihet sipërfaqja e saktë e përfshirë nga flakët dhe as shkaku i rënies së zjarrit. Shërbimet zjarrfikëse po monitorojnë situatën dhe po punojnë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve në zonën pyjore.

The post Zjarr në një sipërfaqe pyjore mbi fshatin Sinicë në Devoll, zjarrfikësit në vendngjarje (VIDEO) appeared first on Euronews Albania.

Shqipëria e para për sigurinë kibernetike, Rama pas reagimeve: U vërsulën si tufa sorrash me turlilloj krrakrrash

11 August 2026 at 20:35

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në “Facebook” ka reaguar lidhur me renditjen e Shqipërisë e para në indeksin global të sigurisë kibernetike. Rama shkruan se kjo renditje ka sjellë reagime dhe urrejtje të cilat sipas tij janë tufa sorrash e korbash me turlilloj krrakrrash.

Ndër të tjera, Rama shkruan se “është e dhimbshme të jesh troll i një shteti që del në krye të klasifikimit botëror pikërisht në aftësinë mbrojtëse nga trollimet malinje”. Ai theksoi se Shqipëria u ngjit në majë aty ku deri jo shumë vite më parë ishte në fund.

“NJË SHËNIM I NEVOJSHËM për urrejtësit besnikë dhe ushtrinë e tyre të trollave. Sapo postova lajmin që Shqipëria doli e para në indeksin global të sigurisë kibernetike, ata u vërsulën si tufa sorrash e korbash me turlilloj krrakrrash.

Po nëse lajmi ishte “gënjeshtër”, “propagandë”, “budallallëk”, atëherë pse gjithë ai mund i madh me gurë e me baltë? Asnjë njeri normal nuk harxhon energji për të shuar një qiri të fikur.

Në fakt renditjen në National Cyber Security Index nuk e bën as një sorrë, as një korb dhe as një troll. E vendos një metodologji ndërkombëtare, me 98.33 pikë, të matura mbi kuadrin ligjor, kapacitetet institucionale dhe sistemin e parandalimit. Urrejtësit e mi besnikë mund të hidhen përpjetë, por tabela nuk ndryshon pse ata derdhin mllef e jargë mbi pasqyrat e tyre digjitale.

Mund të jetë e dhimbshme të jesh troll i një shteti që del në krye të klasifikimit botëror pikërisht në aftësinë mbrojtëse nga trollimet malinje, por s’ka ilaç për dhimbjen e urrejtësve.

Kështu që vazhdoni, forca, çdo koment i juaji është një klikim më shumë, një provë më shumë, dhe një buzëqeshje më shumë për mua, në këtë ditë të bukur arritjeje fantastike.

Miq dhe aleatë të vërtetë që e dinë mirë ç’është ky Index Global sot më uruan, ndërsa dështakzemërakët e Shqipërisë më sulmuan. Të dyja palët, në mënyrën e tyre konfirmuan të njëjtën gjë:

Shqipëria u ngjit në majë aty ku deri jo shumë vite më parë ishte në fund. Dhe kjo u dhemb vetëm atyre që e duan medoemos në fund, e që prej muajsh për “inat të vjehrrës u bënë rrogoz i mullixhiut” duke parë ëndrra me revolucione, dorëheqje, pushtet dhe duke prodhuar deri edhe diasporë nga Prishtina e Tetova”, shkroi Rama.

The post Shqipëria e para për sigurinë kibernetike, Rama pas reagimeve: U vërsulën si tufa sorrash me turlilloj krrakrrash appeared first on Euronews Albania.

Venezuela vendos shërbime konsullore me Izraelin pas një ndërprerjeje diplomatike 17-vjeçare

11 August 2026 at 20:18

Qeveria e Venezuelës njoftoi këtë të martë se ka rënë dakord me Izraelin për të krijuar një mekanizëm koordinimi për të mundësuar shërbimet konsullore, një ndryshim ‘dramatik’ pasi ajo prishi marrëdhëniet me Izraelin në vitin 2009.

Venezuela, e cila i dha fund marrëdhënieve 17 vjet më parë për shkak të sulmeve izraelite në Rripin e Gazës, historikisht ka qenë aleate me Iranin, por qeveria e saj është bërë më e lidhur me Uashingtonin që kur SHBA-të kapën Presidentin Nicolas Maduro në janar.

“Raundet e bisedimeve në javët e fundit rezultuan në një marrëveshje për të krijuar një mekanizëm koordinimi që do të mundësojë ofrimin e shërbimeve konsullore për qytetarët e të dy vendeve”, njoftoi zyra e ministrit të Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar.

Marrëdhëniet janë përmirësuar gjithashtu që kur Izraeli dërgoi ndihmë humanitare pas tërmetit. Një delegacion ndihme izraelite u dërgua në Venezuelë, i cili ofroi ndihmë profesionale për reagimin ndaj emergjencave dhe përpjekjet e rimëkëmbjes së vendit.

The post Venezuela vendos shërbime konsullore me Izraelin pas një ndërprerjeje diplomatike 17-vjeçare appeared first on Euronews Albania.

Dita e 73-të e protestës, qytetarët mblidhen para Kryeministrisë

11 August 2026 at 20:09

Protesta e aktivistëve dhe qytetarëve në Tiranë hyri këtë të martë në ditën e saj të 73-të ndërsa si çdo pasdite, pas orës 19:00, ata u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, ku vijuan me thirrjet “Shqipëri e re”, “Rama jep dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në Burg”, etj.

Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit u nisën në marshim drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku u ndalën përpara godinës së Kryeministrisë ku po vijojnë me thirrjet kundër qeverisë dhe me fjalime.

Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë aktuale. Si çdo protestë tjetër, pas fjalimeve protestuesit pritet të marshojnë në rrugët e Tiranës.

The post Dita e 73-të e protestës, qytetarët mblidhen para Kryeministrisë appeared first on Euronews Albania.

Shpërthen tubi i gazit të një mjeti lundrues në Velipojë, 39-vjeçari pëson djegie në trup. Transportohet te Trauma

11 August 2026 at 19:50

Një ngjarje aksidentale është regjistruar pasditen e kësaj të martë në zonën e Velipojës, ku një 39-vjeçar ka mbetur i lënduar si pasojë e shpërthimit të tubit të gazit të një mjeti lundrues.

Sipas informacioneve paraprake të policisë, ngjarja ka regjistruar rreth orës 19:00, në afërsi të Stacionit të Policisë Kufitare Velipojë.

39-vjeçari i identifikuar me iniciale E. N. mësohet se ishte duke zbritur një mjet lundrues në pronësi të tij nga karroceria e automjetit transportues. Gjatë këtij procesi, dyshohet se i ka shpërthyer aksidentalisht tubi i gazit të mjetit lundrues.

Si pasojë e shpërthimit, 39-vjeçari ka pësuar djegie në trup. Ai fillimisht është dërguar për të marrë ndihmën e parë mjekësore në Spitalin Rajonal të Shkodrës.

Për shkak të plagëve të marra dhe nevojës për ndërhyrje më të specializuar, ai u transportua drejt spitalit të Traumës.

“Velipojë/Informacion paraprak. Rreth orës 19:00, në afërsi të Stacionit të Policisë Kufitare Velipojë, dyshohet se, gjatë zbritjes nga karroceria e një mjeti lundrues në pronësi të tij, shtetasit E. N., 39 vjeç, i ka shpërthyer aksidentalisht tubi i gazit të këtij mjeti lundrues.

Si pasojë, 39-vjeçari ka pësuar djegie në trup. Pas marrjes së ndihmës së parë në Spitalin Rajonal Shkodër, ai po transportohet drejt Tiranës për mjekim më të specializuar. Grupi hetimor po kryen veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.

The post Shpërthen tubi i gazit të një mjeti lundrues në Velipojë, 39-vjeçari pëson djegie në trup. Transportohet te Trauma appeared first on Euronews Albania.

Sulmi rus vret 7 persona në uzinën e çelikut në Ukrainë, Kievi: Moska përdori raketa të Koresë së Veriut

11 August 2026 at 19:43

Shtatë punëtorë u vranë në një fabrikë çeliku ukrainase të martën gjatë një sulmi rus në qytetin juglindor të Zaporizhzhisë, në të cilin presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se Moska përdori raketa balistike të Koresë së Veriut.

Fabrika e Zaporizhstal u detyrua të pezullonte prodhimin pasi u godit ndërsa Rusia goditi Zaporizhzhian me raketa hipersonike Zircon, bomba ajrore të telekomanduara dhe raketa balistike të furnizuara nga Pheniani.

“Sulmi me raketë balistike ndodhi ndërsa punonjësit po shkonin drejt një strehimore menjëherë pasi u dha alarmi për sulm ajror”, tha kompania mëmë Metinvest Group në një deklaratë që e çoi numrin e të vdekurve në shtatë.

Sulmi e ndaloi plotësisht prodhimin në uzinë dhe vendet e tjera të dëmtuara po funksiononin me kapacitet të reduktuar, tha kompania.

Guvernatori rajonal Ivan Fedorov postoi foto të ndërtesave dhe automjeteve në flakë pas sulmit, i cili dëmtoi edhe katër ndërtesa banimi. Të paktën 24 persona u plagosën. Nuk u raportuan dëme në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhisë.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se forcat ruse kishin goditur një uzinë metalurgjike në Zaporizhzhia që prodhon çelik të petëzuar, i cili thuhet se përdorej nga ushtria ukrainase.

Ministria tha gjithashtu se forcat ruse kishin goditur kompleksin e klasifikimit Nova Poshta në Kiev, të cilin e përshkroi si të përdorur për shpërndarjen e mallrave me përdorim të dyfishtë, duke përfshirë komponentë për dronë dhe pajisje të luftës elektronike.

Sulmet pasuan një sulm me dron ukrainas, për të cilin autoritetet ruse thanë të hënën se kishte vrarë të paktën 13 persona dhe plagosur 39 të tjerë në Nizhnekamsk. Ukraina tha se sulmi kishte goditur rafinerinë e naftës TANECO të qytetit.

Një tjetër sulm me dron ukrainas vrau një person dhe plagosi dy gjatë natës në rajonin Voronezh të Rusisë dhe shkaktoi zjarre në mjediset e magazinave, tha guvernatori rajonal.

Gjashtë persona u vranë gjithashtu gjatë natës në rajonet ukrainase të Dnipropetrovsk dhe Donetsk, thanë zyrtarët ukrainas më herët të martën.

The post Sulmi rus vret 7 persona në uzinën e çelikut në Ukrainë, Kievi: Moska përdori raketa të Koresë së Veriut appeared first on Euronews Albania.

Zyrtarët amerikanë paralajmërojnë për çmime më të larta të naftës dhe gazit, shkak mbyllja e Ngushticës së Hormuzit

11 August 2026 at 19:28

Një ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Ngushtica e Hormuzit është “e hapur”, zyrtarët brenda administratës së tij po rrisin parashikimet e tyre për çmimet e naftës dhe benzinës, ndërsa “kufizimet” bllokojnë rrjedhën e energjisë përmes asaj rruge ujore kritike.

Departamenti i Energjisë, Administrata e Informacionit për Energjinë (EIA), tani presin që tranziti i energjisë përmes Ngushticës së Hormuzit të mbetet i kufizuar deri në gusht.

EIA e rriti çmimin e saj mesatar për naftën Brent për vitin 2026, pikën referuese globale të naftës, në 87 dollarë për fuçi të martën. Kjo është më lart nga një parashikim prej 82 dollarësh një muaj më parë për Brent dhe afër niveleve aktuale.

Zyrtarët tani presin që çmimet me pakicë të benzinës të jenë mesatarisht 3.78 dollarë për galon këtë vit, nga parashikimi i mëparshëm prej 3.64 dollarë për galon. Sipas AAA, çmimet e benzinës ishin vetëm 2.98 dollarë për galon në nivel kombëtar para se të fillonte lufta.

Parashikuesit gjithashtu rritën vlerësimet e tyre për çmimet e naftës dhe benzinës për vitin 2027. Ky presion mbi Ngushticën e Hormuzit, rruga e ngushtë ujore që zakonisht lejon që një e pesta e naftës botërore të rrjedhë nëpër të, bëri që EIA të rriste parashikimin e saj se sa prodhim nafte në Lindjen e Mesme do të jetë jashtë linje në muajt në vijim.

Parashikimi është në kontrast të fortë me komentet e vetë Trump. Trump u tha gazetarëve në Zyrën Ovale të hënën se ngushtica është “e hapur tani” dhe se vetëm Marina e Shteteve të Bashkuara ka kontroll mbi rrugën ujore.

Vetëm tetë anije kaluan Ngushticën e Hormuzit të hënën, krahasuar me mesataren prej 120 para luftës, sipas firmës së inteligjencës detare Kpler.

The post Zyrtarët amerikanë paralajmërojnë për çmime më të larta të naftës dhe gazit, shkak mbyllja e Ngushticës së Hormuzit appeared first on Euronews Albania.

PDK letër Avni Deharit, i kërkon që të thërrasë nesër vazhdimin e seancës konstituive në Kuvend

11 August 2026 at 19:09

Partia e dytë më e madhe në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja, i ka dërguar një letër kryesuesit të seancës, deputetit të Vetëvendosjes, Avni Dehari, që të thërrasë për nesër vazhdimin e seancës konstituive.

Në një letër të nënshkruar nga sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, i kërkohet Deharit që ta thërrasë për nesër, në orën 11:00, seancën, kur edhe është afati i dytë prej 48 orësh, sipas Rregullores.

Në letër, PDK-ja thotë se mos-thirrja e seancës ka krijuar një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe mosrespektimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Edhe nëse Dehari nuk i fton deputetët, ata të PDK-së planifikojnë të paraqiten nesër në ambientet e Kuvendit.

The post PDK letër Avni Deharit, i kërkon që të thërrasë nesër vazhdimin e seancës konstituive në Kuvend appeared first on Euronews Albania.

Deklarata e Vuçiç për devijimin e lumit Ibër, reagon Departamenti amerikan i Shtetit

11 August 2026 at 19:03

Departamenti amerikan i Shtetit këtë të martë ka reaguar lidhur me deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç i cili paralajmëroi planet e tij për ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së lumit Ibër, veprim që mund të lërë Kosovën pa ujë dhe energji elektrike.

Departamenti amerikan i Shtetit për “Radio Evropa e Lirë” deklaroi se paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor janë prioritete të Shteteve të Bashkuara.

“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është pjesë e domosdoshme e këtij procesi”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Më herët Brukseli reagoi duke theksuar e duhet të shmangen veprimet që nuk i shërbejnë normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Vuçiç, deklaroi se autoritetet serbe po shqyrtojnë me ekspertë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit, duke e lidhur këtë me rrënimin e shtëpive dhe vilave të serbëve pranë Liqenit të Ujmanit, në veri të Kosovës.

Deklarata e tij nxiti reagime të ashpra nga zyrtarët në Kosovë dhe u pasua edhe nga një përplasje publike ndërmjet zyrtarëve të Shqipërisë dhe Serbisë.

Komisioni Evropian rikujtoi gjithashtu se përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është parakusht që të dyja palët të avancojnë në rrugën e tyre evropiane.

The post Deklarata e Vuçiç për devijimin e lumit Ibër, reagon Departamenti amerikan i Shtetit appeared first on Euronews Albania.

Transformatori jashtë funksionit në zonën e “Ujit të Ftohtë”, Ujësjellës Kanalizime Vlorë: Shkak zjarri, po zëvendësohet

11 August 2026 at 18:55

Ujësjellës Kanalizime Vlorë ka dalë këtë të martë me një njoftim zyrtar teksa bëjnë me dije se përshkak të zjarrit të rënë ditën e sotme transformatori i Stacionit Nr. 2 të Ujësjellësit në zonën e “Ujit të Ftohtë” është aktualisht jashtë funksionit.

Më tej bëhet me dije se OSHEE ka nisur punën për zëvendësimin e transformatorit të dëmtuar.

“Ju bëjmë me dije se transformatori i Stacionit Nr. 2 të Ujësjellësit, në zonën e “Ujit të Ftohtë”, është aktualisht jashtë funksionit, si pasojë e një zjarri të konstatuar gjatë ditës së sotme.

Falënderojmë Shërbimin Zjarrfikës për ndërhyrjen e menjëhershme dhe punën e kryer për shuarjen e zjarrit dhe vendosjen e situatës nën kontroll. Ndërkohë, OSHEE ka nisur punën për zëvendësimin e transformatorit të dëmtuar.

Për shkak të kësaj situate, gjatë pasdites së sotme mund të ketë kufizime ose luhatje në furnizimin me ujë në disa zona fundore.

Ekipet e Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë dhe OSHEE vijojnë punën për rikthimin e situatës në normalitet në kohën më të shkurtër të mundshme. Falënderojmë qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin”, thuhet në njoftimin e Ujësjellës Kanalizime Vlorë.

The post Transformatori jashtë funksionit në zonën e “Ujit të Ftohtë”, Ujësjellës Kanalizime Vlorë: Shkak zjarri, po zëvendësohet appeared first on Euronews Albania.

Tymi dhe hiri i vullkanit Etna anulon disa fluturime në Maltë

11 August 2026 at 18:45

Një re hiri nga vullkani Etna i Siçilisë u përhap mbi Maltë të martën, duke i detyruar linjat ajrore të anulojnë disa fluturime drejt ishullit mesdhetar në kulmin e sezonit turistik.

“Aktualisht po përjetojmë ndërprerje të fluturimeve për shkak të reve të hirit vullkanik mbi Ishujt Maltezë pas aktivitetit të fundit në malin Etna”, tha Aeroporti Ndërkombëtar i Maltës në një mesazh në Facebook.

Një zëdhënës tha se 19 fluturime ishin anuluar deri në mes të pasdites të së martës dhe disa fluturime të tjera ishin vonuar ndjeshëm.

Aeroporti i Maltës është rreth 220 km në jug të malit Etna, vullkani më aktiv në Evropë, i cili filloi të shpërthejë përsëri javën e kaluar, duke detyruar mbylljen e aeroportit kryesor të Siçilisë në qytetin e Katanias për disa ditë.

Aeroporti i Katanias, i pesti më i ngarkuari i Italisë për nga trafiku i pasagjerëve, tha të martën se kishte zgjatur ndalimin e të gjitha mbërritjeve dhe nisjeve deri në orën 11:00 të mëngjesit të mërkurën.

Pasagjerët me fluturime të planifikuara si nga Katania ashtu edhe nga Malta u këshilluan të kontrollonin statusin e udhëtimit të tyre përpara se të udhëtonin për në secilin aeroport.

The post Tymi dhe hiri i vullkanit Etna anulon disa fluturime në Maltë appeared first on Euronews Albania.

Trump për taksën e Nju Jorkut mbi shtëpitë e dyta luksoze: Eksperiment i rrezikshëm politik

11 August 2026 at 18:32

Presidenti amerikan, Donald Trump tha të martën se po vlerësonte nëse qeveria federale mund të ngrinte një sfidë ligjore për të shmangur një mbishpagim progresiv për shtëpitë e dyta luksoze në New York City.

Trump e quajti taksën e re “pied-a-terre” të Nju Jorkut si eksperiment të rrezikshëm politik.

Taksa e re – e emëruar sipas një termi francez për një vendbanim dytësor që përkthehet si “këmbë në tokë” – u miratua si ligj si pjesë e buxhetit të shtetit të Nju Jorkut në maj.

“Po kërkoj të shoh nëse Qeveria Federale ka ndonjë të drejtë ligjore për të shmangur këtë katastrofë”, tha Trump.

Taksa është kundërshtuar tashmë në gjykatën shtetërore dhe një gjyqtar i Staten Island të hënën bllokoi përkohësisht zbatimin e saj, sipas mediave amerikane.

The post Trump për taksën e Nju Jorkut mbi shtëpitë e dyta luksoze: Eksperiment i rrezikshëm politik appeared first on Euronews Albania.

❌