Gazeta Si – Një tërmet me magnitudë 7.4 goditi Kolumbinë perëndimore, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 74 personave – kryesisht në qytetin Pereira dhe në rajonin bregdetar të Valle del Cauca.
Tërmeti ndodhi në një thellësi prej 110 kilometrash, ndërsa epiqendra u regjistrua pesë kilometra në lindje të San José del Palmar, një qytezë në një zonë malore të Kolumbisë.
Lëkundjet u ndjenë në kryeqytet, Bogota, si dhe në qytete si Medellín e Cali, madje edhe në vendet fqinje, Ekuador dhe Panama.
Janë shkaktuar dëme të mëdha dhe ka pasur një numër të lënduarish, por përmasat e plota të tyre ende nuk janë përcaktuar.
Cali është qyteti kryesor që po përballet me situatën më kritike. Më shumë se njëzet ndërtesa janë shembur dhe njerëz kanë mbetur të bllokuar brenda; kryetari i bashkisë deklaroi se ka kërkuar ndihmë për operacionet e shpëtimit nga Bogotaja dhe Medellíni, ndërsa banorët dhe autoritetet vendore kanë nisur përpjekjet për të nxjerrë njerëzit nga rrënojat. Në zonë ka ndërprerje të furnizimit me energji elektrike, gaz dhe ujë.
Autoriteti i aviacionit të Kolumbisë ka raportuar dëme të konsiderueshme në shtatë aeroporte – veçanërisht në ato të Manizales dhe Pereirës – dhe ka bërë të ditur se ato janë mbyllur.
Tërmeti ndodhi në orën 07:34 me orën lokale (14:34 në Shqipëri) dhe u pasua nga një lëkundje tjetër me magnitudë 5, me epiqendër 16 kilometra në perëndim të San José del Palmar.
Presidenti i ri i vendit, Abelardo de la Espriella, tha se do të krijohej një njësi qendrore për të koordinuar përpjekjet e ndihmës në vend dhe se ai do të udhëtonte drejt Pereirës.
Venezuela, e cila pësoi dy tërmete shkatërruese në qershor, fillimisht kishte frikë se tërmeti në Kolumbi mund të prekte edhe territorin venezuelian, por deri më tani nuk janë raportuar dëme.
Gazeta Si – Ministria e Jashtme e Shqipërisë, ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit serb Aleksandar Vuçiç lidhur me mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër dhe përfshirjen e ekspertëve dhe institucioneve serbe në shqyrtimin e kësaj mundësie.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka shprehur “shqetësim të thellë” për deklaratën, duke theksuar se ndryshimi i rrjedhës së një lumi që është pjesë e një sistemi ujor ndërkufitar nuk mund të trajtohet si një çështje thjesht e brendshme e një shteti.
Sipas Hoxhës, çdo ndërhyrje që mund të ndikojë në territorin, mjedisin, sigurinë dhe furnizimin me ujë të një vendi tjetër duhet të bëhet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe përmes konsultimeve me palën e prekur.
“Ndryshimi i rrjedhës së një lumi që përbën pjesë të një sistemi ujor ndërkufitar nuk është një çështje thjesht e brendshme apo një vendim që mund të merret në mënyrë të njëanshme, veçanërisht kur pasojat e tij prekin drejtpërdrejt territorin, mjedisin, sigurinë ujore, furnizimin me ujë dhe jetën e qytetarëve të një vendi tjetër”, tha ministri i Jashtëm Ferit Hoxha, përmes një reagimi në X.
Hoxha i është referuar edhe detyrimeve ndërkombëtare të Serbisë, duke theksuar se Beogradi është palë e Konventës së UNECE-së për Mbrojtjen dhe Përdorimin e Ujërave Ndërkufitare dhe Liqeneve Ndërkombëtare që prej vitit 2010.
Sipas tij, parimet e përdorimit të drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare, parandalimi i dëmeve ndërkufitare, si dhe detyrimi për bashkëpunim, shkëmbim informacioni dhe konsultim janë pjesë e standardeve të së drejtës ndërkombëtare.
Hoxha shtoi se Shqipëria pret që Serbia të respektojë plotësisht detyrimet e saj ndërkombëtare dhe parimet e fqinjësisë së mirë.
“Uji nuk mund të përdoret si instrument presioni politik dhe as si mjet për të ndëshkuar një vend apo një popullsi tjetër. Shqipëria mbështet fuqimisht të drejtën e Kosovës për siguri, zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtjen e burimeve të saj ujore. Ne besojmë fort dhe presim qe çështje të tilla të trajtohen përmes #dialogut, bashkëpunimit dhe standardeve evropiane, jo përmes kërcënimeve apo ndërhyrjeve e veprimeve të njëanshme””.
Sipas presidentit serb, ideja për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit ekziston që prej vitit 1985 dhe lidhet me nevojat e banorëve pranë liqenit.
Ai pretendoi se një projekt i tillë mund të ndikojë edhe në uljen e nivelit të ujit në liqenin e Ujmanit, nga i cili furnizohet me ujë Kosova.
Presidenti serb u ndal edhe te prishja e objekteve pa leje pranë liqenit të Ujmanit, duke thënë se po i ndjek nga afër zhvillimet.
Gazeta Si – Dy incidente të rënda janë regjistruar gjatë natës në qarkun e Lezhës. Policia njofton se një 28-vjeçar ka kallëzuar se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, teksa po lëvizte në këmbë. Fatmirësisht, 28-vjeçari Sierdi Kolziu nuk ka pësuar dëmtime.
“Rreth orës 23:55, në Laç, shtetasi Sierdi Kolziu, 28 vjeç, banues në Laç, ka kallëzuar se, duke lëvizur në këmbë, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, pa shkaktuar dëmtime”, njofton policia.
Ndërsa në fshatin Shënkoll, ka shpërthyer një sasi e vogël lënde plasëse në portën e murit rrethues të banesës së 73-vjeçarit Mark Deda, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
“Rreth orës 04:00, në fshatin Shënkoll, në portën e murit rrethues të banesës së shtetasit Mark Deda 73 vjeç, ka shpërthyer, dyshohet, një sasi e vogël lënde plasëse. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale”, njofton policia.
Grupet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të të dyja rasteve, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve.
Gazeta Si – Zyra e Andrei Soldatov-it u kontrollua për herë të parë nga shërbimet e sigurisë së Moskës në nëntor të vitit 2002.
Ai ishte 27 vjeç dhe Vladimir Putini kishte më pak se dy vjet në postin e presidentit. Ajo që e shqetësoi Kremlinin në atë kohë ishte një artikull që Soldatovi po përgatitej të publikonte lidhur me sulmin e përgjakshëm të forcave speciale në Teatrin Dubrovka, të ndërmarrë për të liruar pengjet e mbajtura nga një njësi komandoje çeçene.
Që nga ai moment, për shkak të punës së tij si gazetar investigativ, Soldatovi do të merrej në pyetje të paktën katër herë të tjera në Lefortovo – kompleksin e burgjeve të kontrolluar nga FSB-ja, shërbimi rus i sigurisë.
Soldatovi është një nga ekspertët kryesorë në botë për FSB-në, pasardhësen e KGB-së së epokës sovjetike.
Libri i tij i vitit 2012, “The New Nobility: The Restoration of Russia’s Security State and the Enduring Legacy of the KGB” (PublicAffairs), i shkruar në bashkëpunim me Irina Borogan-in, ishte një best-seller ndërkombëtar dhe një fenomen editorial brenda vetë Rusisë.
Agjencia e tij, “Agentura.ru”, është burimi kryesor i informacionit mbi inteligjencën ruse dhe aparatin shtetëror represiv.
Që nga viti 2022, ndaj Soldatovit ekziston një urdhër-arresti në Rusi për “përhapje të informacioneve të rreme rreth ushtrisë”.
Aktualisht ai jeton në mërgim në Londër, ku është studiues i ftuar në King’s College. Biseda me të u përqendrua te kontrolli gjithnjë e më i fortë që komuniteti i inteligjencës ushtron mbi Kremlinin – dhe pse, për këta “njerëz të forcës”, lufta e vazhdueshme kundër Ukrainës është shndërruar gjithnjë e më shumë në një çështje të politikës së brendshme ruse: në lojë është e ardhmja e diktaturës së Putinit.
Është një regjim që ata synojnë ta ruajnë dhe ta mbrojnë, edhe pse kjo nënkupton kapjen e vetë diktatorit në rrjetën e tyre.
Gazetari rus, Andrei Soldatov
Muajt e fundit, në Rusi janë rihapur qendrat e paraburgimit të shërbimeve sekrete – të cilat ishin mbyllur pas rënies së Bashkimit Sovjetik – krahas kufizimeve të reja për qasjen në internet të vendosura nga po këto agjenci. A është rritur fuqia e FSB-së si pasojë e luftës? Dhe a vlen kjo veçanërisht për të ashtuquajturën “Shërbimi i Dytë” i FSB-së, i cili e ka për detyrë zyrtare “mbrojtjen e rendit kushtetues” dhe “luftën kundër terrorizmit”?
Po, FSB-ja e ka zgjeruar ndikimin e saj që nga viti 2022. Këtë e ka bërë në mënyrë drastike dhe prania e saj është shumë e dukshme sot.
Megjithatë, besoj se Shërbimi i Dytë është vetëm një pjesë e panoramës së përgjithshme. Me gjasë, ai tërheq më shumë vëmendje, sepse ndikimi i tij është më i dukshëm, duke marrë parasysh se sa drejtpërdrejt ndikon te shoqëria ruse.
Edhe Shërbimi i Parë i FSB-së – që merret me kundërzbulimin – po bëhet gjithnjë e më agresiv. Kjo ka çuar në një shtim të rasteve të spiunazhit, duke krijuar një klimë paranoje në të gjithë vendin.
Njerëzit shohin spiunë kudo – jo vetëm nga Ukraina, CIA apo MI6-a britanike, por edhe nga Kina. Situata ka arritur në atë pikë saqë shërbimet e sigurisë tani dekurajojnë në mënyrë aktive çdo kontakt me shtetas të huaj.
Rreth një vit më parë, “The New York Times” zbuloi ekzistencën e një dokumenti të brendshëm të FSB-së, i cili e paraqiste Kinën si “armik” dhe spiunazhin e Pekinit si një kërcënim për Rusinë – pikërisht e kundërta e retorikës zyrtare lidhur me “miqësinë pa kufij” mes Vladimir Putinit dhe Xi Jinpingut. Gjithashtu, muajt e fundit ka dalë në pah se operacionet kineze të spiunazhit kibernetik kanë pasur në shënjestër kompani ruse të mbrojtjes. A u referoheni pikërisht këtyre rasteve?
Disa nga rastet janë publike, siç thoni ju. Të tjera jo, sepse përfshijnë qendra kërkimore dhe universitete. Megjithatë, njerëzit në ato qarqe preferojnë të mos flasin shumë për incidente të mundshme spiunazhi në mjedisin e tyre.
Çfarë ndikimi ka kjo dinamikë në zhvillimin e luftës kundër Ukrainës?
Duhet pasur parasysh se FSB-ja përfshin gjithashtu një ‘Shërbim të Tretë’ – kundërzbulimin ushtarak – i cili në teori mbikëqyr forcat e armatosura. Por, meqenëse lufta është bërë kaq e gjerë dhe komplekse, mandati i kundërzbulimit ushtarak është zgjeruar jashtëzakonisht shumë.
Ai mbikëqyr gjithashtu të gjitha kontratat e dhëna kompanive për prodhimin e mallrave dhe shërbimeve për ushtrinë.
Ndoshta këtu qëndron dallimi më i thellë mes Rusisë së sotme dhe Bashkimit Sovjetik të rreth dyzet viteve më parë. Bashkimi Sovjetik kishte një kompleks ushtarako-industrial dhe ai ishte gjigant.
Ai ekziston ende sot, por ka edhe kompani private që kryejnë punë për forcat e armatosura – për shembull, duke zhvilluar softuerë për dronë.
Dhe tani, kundërzbulimi ushtarak beson se ka të drejtë të spiunojë edhe ato kompani. Edhe këtu, rastet ndonjëherë bëhen publike, por shpesh ato mbeten të fshehta.
Vladimir Putini (majtas) – asokohe zyrtar i lartë dhe nënkryetar i Bashkisë së Shën Pjetërburgut – shoqëron Mikhail Gorbaçovin gjatë një vizite në qytet në vitin 1994
Si e interpretoni ligjin që hyri në fuqi në Rusi prillin e kaluar, i cili ia beson sërish menaxhimin e disa burgjeve të caktuara shërbimeve sekrete?
Që nga viti i kaluar, FSB-ja po krijon një sistem paralel dhe të pavarur burgjesh, që nuk ka asnjë lidhje me sistemin e mëparshëm penitenciar. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për burgje, por edhe për logjistikë.
Të burgosurit ukrainas të luftës transferohen nga FSB-ja në burgje që kontrollohen po nga vetë FSB-ja – jo thjesht për t’i ndëshkuar, por për qëllime të inteligjencës.
Mënyra më e mirë për të rekrutuar njerëz nga radhët e armikut – në këtë rast, ukrainasit – është ta bësh këtë në burg.
Është një sistem i zhvilluar nga shërbimet e sigurisë së Stalinit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Mund të ushtrosh presion mbi këta individë dhe mbi të afërmit e tyre në Ukrainë, si dhe ke mundësinë t’i rekrutosh ata. Kështu e sheh FSB-ja rolin e saj në luftë.
Pra, a po përpiqen ata t’i rekrutojnë familjet e të burgosurve të luftës përmes shtrëngimit?
Kjo është arsyeja pse, në rastet e fundit të sabotimit në Evropë, nuk flitet më vetëm për rusë. Autorët janë moldavë, ukrainas, bjellorusë – njerëz të llojeve të ndryshme.
FSB-ja e kupton se rusët mund të identifikohen lehtësisht; kjo është e qartë. Kështu që, është më mirë të rekrutosh nga radhët e ukrainasve.
Roli i FSB-së në luftë po bëhet vendimtar dhe pikërisht kështu agjentët e shërbimeve sekrete e pozicionojnë veten përballë Putinit. Dhe natyrisht, për sa i përket stabilitetit politik, ata janë vërtet të pazëvendësueshëm.
A po bëhet Putini peng i FSB-së për sa i përket qasjes në informacionet e inteligjencës mbi luftën dhe aftësisë për të ruajtur njëfarë niveli kontrolli mbi shoqërinë ruse dhe komunitetin e biznesit?
Nuk është aq e thjeshtë. Personeli i sotëm i FSB-së është i ndryshëm nga ai i njëzet viteve më parë. Njëzet vjet më parë, FSB-ja ishte më e vogël, por njerëzit brenda saj ishin, mesatarisht më proaktivë.
Sot, Putini ka kohë që është në pushtet dhe kemi një brez zyrtarësh, karriera e të cilëve është zhvilluar nën një president të vetëm.
Kjo e kufizon të kuptuarit e tyre për peizazhin politik, sepse ai është mjedisi ku ata u formuan profesionalisht.
Për ta, ideja për të bërë diçka që sfidon Putinin është praktikisht e paimagjinueshme. Ata janë më pak ambiciozë se brezi i mëparshëm – ai që u ngjit në pushtet krahas vetë Putinit – si Nikolai Patrushev (Sekretari i Këshillit të Sigurimit të Kremlinit dhe ish-kreu i FSB-së).
Ai brez i mëparshëm e përjetoi katastrofën e viteve ’90 dhe i kujton shumë mirë vitet ’80 – dekadën e fundit të Bashkimit Sovjetik. Ata e kuptonin shkallën e pushtetit të tyre. Për brezin e ri, situata është ndryshe.
Fillimisht, gjatë epokës sovjetike, Putini ishte një oficer i zakonshëm i KGB-së, ndërsa në vitet ’90 u bë kreu i FSB-së para se të ngjitej në pushtetin politik. Si sillet ai me ish-kolegët e tij?
Para se të fillonte lufta, ai u kujdes t’i jepte disa mësime FSB-së. Ai krijoi një atmosferë represioni selektiv edhe aty.
Me gjasë, gjithçka nisi një ose dy vjet pas pushtimit të Krimesë në vitin 2014, kur pamë valën e parë të arrestimeve të zyrtarëve të lartë.
Që atëherë, personelit të FSB-së u janë hequr të drejta të ndryshme: ata nuk mund të udhëtojnë më jashtë vendit dhe as të mbajnë llogari bankare apo prona të huaja.
Disa oficerë shumë të njohur brenda shërbimit u akuzuan madje për korrupsion – në një mënyrë që poshtëroi të gjithë trupën e agjentëve.
Megjithatë, në fund të fundit, Putini mbështetet gjithnjë e më shumë te shërbimet e inteligjencës për shumë funksione, veçanërisht në lidhje me luftën. A nuk jeni dakord?
Është e vërtetë. Nga njëra anë, Putini po bëhet gjithnjë e më i varur nga FSB-ja, duke pasur parasysh rolet e shumta që po merr përsipër ky shërbim dhe informacionin që ai merr prej tij mbi ecurinë e konfliktit.
Nga ana tjetër, personeli i inteligjencës ka më pak ambicie politike. Ata kanë më pak gjasa se në të kaluarën të ndërhyjnë në arenën politike.
Ndoshta ai llogarit pikërisht në këtë, pasi e kupton psikologjinë e këtij brezi njerëzish të FSB-së. Me gjasë, ai beson se mund t’u heqë çdo lloj autonomie, gjë që i jep atij një ndjesi sigurie. Por, sigurisht, ai nuk mund t’i kontrollojë të gjithë – për arsye të dukshme.
Feliks Dzerzhinsky, revolucionari bolshevik, aleat i Leninit dhe themelues i Çekës, policisë së parë sekrete sovjetike
Çfarë doni të thoni?
Për shembull, edhe nëse ai beson se të gjithë përreth tij kanë frikë prej tij dhe nuk do të thurnin kurrë ndonjë komplot – gjë që ka gjasa të jetë e vërtetë – ai nuk mund ta kuptojë i vetëm se çfarë po ndodh në vend.
Ai nuk mund ta dijë se si po evoluon situata në Siberi për shembull, pa një sistem adekuat për rrjedhën e informacionit jashtë FSB-së.
Si mund ta verifikojë dikush saktësinë e raporteve nëse edhe vetë guvernatorët rajonalë të përfshirë kanë frikë nga shërbimi sekret? Në kohën e Bashkimit Sovjetik, strukturat e Partisë mund të ofronin versionin e tyre të ngjarjeve; sot, nuk ekziston një strukturë e tillë institucionale.
Sipas jush, cilat janë shenjat më të dukshme të ndikimit në rritje të FSB-së gjatë vitit të kaluar? E kam fjalën për shenja që mund të jenë pikërisht para syve të të gjithëve, por që ndoshta jo të gjithë i kanë identifikuar si të tilla.
Rasti i Feliks Dzerzhinskit – revolucionarit bolshevik, aleatit të Leninit dhe themeluesit të Çekës, policisë së parë sekrete sovjetike – është një shembull i mundshëm.
Duket se vendimi për ta rikthyer statujën e tij para ndërtesës së Lubjankës – selisë historike të shërbimeve sekrete – është marrë praktikisht.
Ajo ishte hequr në vitin 1958, gjatë procesit të de-stalinizimit. Kohët e fundit, Putini madje ia vuri emrin e tij akademisë së FSB-së. Është një zhvillim relativisht i ri dhe, për të qenë i sinqertë, mjaft skizofrenik; nuk mendoj se e kuptoj plotësisht.
E kuptoj mentalitetin e njerëzve të FSB-së, por jo deri në atë pikë. Si një njeri racional, nuk mund ta konceptoj se si dikush mund të lavdërojë njëkohësisht dikë për krijimin e policisë sekrete, ndërsa harron se po ai njeri ishte një revolucionar.
Nuk e kuptoj se si udhëheqësit e sotëm rusë mund të përpiqen të jenë trashëgimtarë si të perandorisë cariste, ashtu edhe të Çekës – e cila, në atë kohë, ndihmoi në shkatërrimin e asaj perandorie cariste.
Si mund të pajtohen aspirata të tilla? Megjithatë, nëse e shikon thjesht si çështje të mbrojtjes së një regjimi, atëherë ndoshta ka kuptim. Por e gjithë kjo bisedë rreth rehabilitimit të Dzerzhinskit është relativisht e re.
Çfarë mund të pritet nëse Rusia bëhet një vend i dominuar gjithnjë e më shumë nga shërbimet e saj sekrete, ndërkohë që Putini plaket dhe dobësohet?
Njerëzit ndonjëherë bëjnë krahasime me Bashkimin Sovjetik në vitet e tij të fundit. Por ata harrojnë se KGB-ja – shërbimi sekret i asaj epoke – e mbështeti Perestrojkën.
Ata e bënë këtë për një arsye shumë cinike, praktike dhe në interes të vetvetes: agjentët sekretë donin të çliroheshin nga kontrolli i Partisë Komuniste. Sot, ne nuk përballemi më me lloje të tilla çështjesh, sepse “Rusia e Bashkuar” (partia e Putinit – shën. i red.) është një farsë.
Edhe atëherë, Bashkimi Sovjetik pushtoi një vend tjetër – Afganistanin – megjithatë roli i KGB-së mbeti relativisht i kufizuar. Ajo nuk ishte organizata gjakatare dhe e kalitur në beteja që është FSB-ja sot.
Tani në FSB kemi njerëz që kanë shërbyer në Ukrainë, që kanë kryer tortura, që kanë gjak në duar dhe që e dinë se çfarë është në lojë.
Ata janë shumë më agresivë, më brutalë dhe ndoshta më të organizuar, sepse ndarja e atyre përvojave krijon një ndjesi vëllazërie mes tyre, e cila thjesht nuk ekzistonte në vitet ’80.
A shihni dallime midis objektivave të KGB-së gjatë viteve të fundit të Bashkimit Sovjetik dhe atyre të FSB-së pas më shumë se një çerek shekulli sundimi të Putinit?
Atëherë – në vitet ’80 – njerëzit në qeveri, në Partinë Komuniste, në vetë KGB-në dhe në ushtri, me gjasë ende ushqenin iluzione.
Ata shpresonin për atë që mund të ndodhte pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Sot, megjithatë, ata që mbajnë poste përgjegjësie në Rusi nuk ushqejnë më iluzione të tilla.
Ata kanë një vizion shumë, shumë të zymtë për të ardhmen. Këta janë njerëz që e mbajnë mend se si rrodhën ngjarjet kur u shemb Bashkimi Sovjetik.
Nga këndvështrimi i tyre, tabloja është shumë e qartë. Narrativa që ata i thonë vetes për historinë e vendit të tyre është e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë: hera e fundit që Bashkimi Sovjetik i dha fund një lufte – asaj në Afganistan – çoi menjëherë në poshtërimin e shtetit dhe të ushtrisë, si dhe e solli KGB-në në prag të kolapsit.
Këta njerëz nuk duan që historia të përsëritet. Kështu që, për ta, nuk ka dyshim. Ata nuk shqetësohen vërtet për gjendjen e ekonomisë apo për pasojat afatgjata të veprimeve të Kremlinit. Për ta, kjo është një luftë ekzistenciale.
Pallati “Lubyanka” në Moskë, selia e FSB-së dhe, për dekada të tëra, e KGB-së
A mendojnë ata se mbijetesa e organizatës së tyre është në lojë?
Po: nëse do të ndalonin, për ta do të ishte fundi. Dhe ata e dinë këtë.
Përshtypja është gjithmonë se këto organizata të “shtetit të thellë” rus nuk shqetësohen shumë për Ukrainën, gjeopolitikën, rolin e Rusisë në botë apo edhe — siç thoni ju — për ekonominë apo shoqërinë ruse. Ata janë të interesuar të ruajnë dhe të zgjerojnë rolin e tyre, si dhe të bindin Putinin t’u japë buxhete më të mëdha e më shumë detyra që mund t’i kryejnë pa pasur nevojë të kërkojnë miratimin e liderit suprem çdo herë. Ky është gjithashtu një faktor që ndikon në luftë. Natyrisht, kjo ka pasoja për Rusinë, për marrëdhëniet midis Rusisë dhe Ukrainës dhe për pjesën tjetër të botës. Por a ka të bëjë vërtet logjika e FSB-së me vetëruajtjen e organizatës së tyre?
Po, patjetër. Por nga këndvështrimi i tyre, gjërat qëndrojnë ndryshe. Ata kanë një bindje të rrënjosur thellë se shteti rus është i brishtë. Ata besojnë te ideja e brishtësisë së shtetit.
Pse?
Për shkak të shekullit të njëzetë; ata besojnë se gjatë atij shekulli, Rusia kaloi dy katastrofa gjeopolitike: rënien e Perandorisë Ruse pas Luftës së Parë Botërore dhe rënien e Bashkimit Sovjetik.
Në të dyja rastet, ata nuk i kuptojnë vërtet shkaqet, ndaj i thonë vetes: “Ne – shërbimi sekret – jemi forca e brendshme e domosdoshme. Ne mund ta mbrojmë në mënyrë efektive stabilitetin politik”.
Ata besojnë se, nëse do të dështonin, kjo do të çonte menjëherë në diçka të ngjashme me Revolucionin Rus të vitit 1917. Për ta, kjo justifikon gjithçka – represionet, atentatet, helmimet – sepse besojnë se kostoja për Rusinë, nëse ata dështojnë, do të ishte shumë më e lartë.
Vazhdimi i luftës në Ukrainë pafundësisht ndjek pikërisht këtë logjikë të brendshme, apo jo?
Po, absolutisht.
Sipas jush, si mund të shpjegohet fakti që në Perëndim, rrënjët e luftës – të ngulitura thellë brenda Rusisë dhe “shtetit të saj të thellë” – si dhe rreziqet e një regresioni të mëtejshëm të sistemit rus, kuptohen kaq pak dhe diskutohen rrallë?
Në njëfarë mënyre, e kuptoj. Para së gjithash, sepse kjo luftë ka ngjallur emocione të jashtëzakonshme dhe të pazakonta në Perëndim.
Ajo nuk mund të krahasohet, për shembull, me luftën në Afganistan. Ndoshta mund të krahasohet me luftën në Ballkan; sido që të jetë, ajo mbart një ngarkesë të fortë emocionale.
Dhe kur njerëzit udhëhiqen nga emocionet, ata kërkojnë shpjegime të thjeshta në vend që të marrin parasysh kompleksitetin e shkaqeve apo atë që mund të ndodhë më pas.
Ata mund ta përfytyrojnë se, në një moment të caktuar, Rusia do të kalojë një Perestrojkë të re apo diçka të ngjashme.
Por, sërish, kjo do të ishte thjesht një kërkim për një zgjidhje dhe shpjegim të thjeshtë për atë që po ndodh. Dhe kjo është për të ardhur keq, sepse nuk ndihmon.
Gazeta Si – Të paktën 13 persona humbën jetën dhe 39 të tjerë u plagosën në një sulm me dron të kryer nga Ukraina ndaj Nizhnekamsk-ut, një qytet në rajonin e Tatarstanit, i cili ndodhet rreth një mijë kilometra në lindje të Moskës.
Ky sulm renditet ndër më të rëndët të kryera nga Ukraina kundër Rusisë që kur kjo e fundit nisi luftën në vitin 2022.
Ndër objektivat e goditura ishte një rafineri në pronësi të “Tatneft”-it, një kompanie të madhe ruse të energjisë; ajo është një nga objektet më të avancuara teknologjikisht në vend.
Në përgjithësi, Ukraina nuk i merr në shënjestër civilët – ndryshe nga Rusia, e cila e bën shpesh këtë – por përqendrohet te infrastruktura energjetike, veçanërisht te objektet e përpunimit të naftës, me synimin që popullsia civile ta ndiejë ndikimin e luftës pa u goditur drejtpërdrejt.
Kjo strategji ka shkaktuar ndërprerje të shumta të energjisë elektrike dhe racionim të karburantit në pjesë të ndryshme të Rusisë, duke e detyruar vendin të rrisë importet, pavarësisht se është një prodhues i madh nafte.
Autoritetet ruse deklaruan se Ukraina sulmoi 16 rajone të ndryshme gjatë natës dhe pretenduan se kishin rrëzuar më shumë se 450 dronë.
Nga ana e saj, ushtria ukrainase raportoi se kishte goditur me sukses dy rafineri – një në rajonin e Samarës dhe një tjetër në rajonin e Krasnodarit – ndonëse nuk mori përsipër përgjegjësinë për sulmin ndaj objektit në Tatarstan.
Gazeta Si – Gjatë një konference të mbajtur sot, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ngriti alarmin për forcimin e ushtrisë serbe, duke deklaruar se zgjerimi i kapaciteteve ushtarake të Serbisë lidhet me synimet hegjemoniste ndaj Kosovës.
Sipas tij, Beogradi ka një strategji të caktuar ushtarake dhe politike të lidhur me synimet hegjemoniste ndaj Kosovës.
“Zgjerimi i kapaciteteve ushtarake të Serbisë nuk është thjesht një përpjekje për të modernizuar ushtrinë e saj, po një strategji më e gjerë politike dhe diplomatike që lidhet drejtpërdrejt me synimet hegjemoniste karshi rajonit tonë, e veçanti Kosovës. Retorika e vazhdueshme e liderëve të saj dëshmon vijimësinë e pretendimeve ekspansioniste të Serbisë në rajon, shoqëruar me thirrje për fuqizimin e mëtejshëm të kapaciteteve ushtarake për arritjen e këtij qëllimi” u shpreh ai në kohën kur Vuçiç ka ashpërsuar retorikën e tij duke folur madje edhe për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër.
Deklarata e Kurtit vjen në një kohë kur në Serbi janë shfaqur sërish mesazhe me përmbajtje kërcënuese ndaj Kosovës.
Sipas raportimeve, në Peruçac është shfaqur një grafit me mbishkrimin “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, një ditë pasi presidenti serb Aleksandër Vuçiç foli për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër në zonën e Ujmanit.
Të dielën Vuçiç bëri të ditur se për këtë çështje janë angazhuar ekspertë dhe inxhinierë. “Ne tashmë kemi ftuar ekspertët që merren me këtë çështje, sektorin e ndërtimit, inxhinierë dhe të tjerë. Meqë po e maltretojnë kaq shumë popullin tonë, të shohim, kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, dhe pastaj do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”, deklaroi Vuçiç gjatë vizitës në punimet e Urës së Vjetër Hekurudhore në Beograd.
Gazeta Si – Dy personazhe të njohur të botës së krimit, Denis Bajri i grupit të Shkodrës dhe Aldo Gjini i Fushë-Krujës, së bashku me një të tretë, Jurgen Zotajn, u përleshën me njëri-tjetrin, gjatë kohës që ishin në ambientet e paraburgimit të shtunën e 8 gushtit.
Sipas informacioneve të siguruara, të burgosurit të përfshirë në konflikt nuk kanë qenë shokë qelie dhe ndodheshin në sektorë të ndryshëm të institucionit të vuajtjes së dënimit.
Siç shihet dhe në foto, gjatë përleshjes u përdor një send i improvizuar si armë e ftohtë (thikë), e përbërë nga fundi i një tenxhereje të mprehur dhe të prerë, i fiksuar me dru.
Nga dëshmia e një personi që ka dijeni për ngjarjen, mësohet se dy prej të burgosurve kishin shkuar për vizitë tek Denis Bajri. Ata janë takuar me të dhe, pasi kanë biseduar, i kanë propozuar të uleshin së bashku për të pirë një kafe.
Sipas dëshmisë, Denis Bajri ka pranuar të bashkohet me ta dhe të tre janë ulur së bashku. Në fillim takimi ka qenë normal, madje të përfshirët kanë shkëmbyer përshëndetje dhe përqafime, pasi njiheshin më herët.
Por situata ka ndryshuar gjatë momentit kur janë ulur për kafe. Pikërisht aty ka nisur debati mes tyre, i cili më pas ka përshkallëzuar në konflikt fizik dhe ka përfunduar me plagosjen e dy prej të burgosurve.
Bajri ka deklaruar para hetuesve se fillimisht është sulmuar me sendin e improvizuar dhe se më pas ka arritur t’ia marrë atë njërit prej të dënuarve dhe është kundërpërgjigjur.
Motivi i saktë i debatit mbetet ende i paqartë. Personat e përfshirë nuk kanë dhënë, të paktën deri tani, një version të plotë mbi atë që ka shkaktuar përplasjen, ndërsa motivi po hetohet nga strukturat përkatëse të burgjeve dhe Prokuroria.
Sipas burimeve, të burgosurit kanë dhënë vetëm një version sipërfaqësor të ngjarjes, duke pretenduar se ishin të njohur me njëri-tjetrin dhe se konflikti nisi gjatë bisedës për kafe.
Pas incidentit, masat e sigurisë kanë qenë të menjëhershme. Dy të burgosurit e tjerë janë transferuar nga burgu i Fierit. Sipas informacionit paraprak, njëri është dërguar në Burrel, ndërsa tjetri në Korçë. Në burgun e Fierit ka mbetur vetëm Denis Bajri.
Gazeta Si – Sali Berisha ka kritikuar deklaratën e presidentit ukrainas Volodymir Zelenski, i cili gjatë një vizite zyrtare në Beograd, në krah të homologut të tij, Aleksandër Vuçiç, theksoi se Ukraina nuk do e njohë pavarësinë e Kosovës.
Sipas kreut të PD, kjo është një deklaratë krejtësisht e papranueshme dhe se pavarësia e Kosovës është njohur nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.
“Shpreh keqardhje për deklaratën e Zelenskyt. Pavarësia e Kosovës është e njohur nga Gjykata e Drejtësisë Ndërkombëtare. Pavarësisht qëndrimit të Ukrainës, Shqipëria dhe Kosova janë solidarizuar me luftën heroike të popullit ukrainas kundër agresionit barbar rus, – u shpreh Berisha. – Është deklaratë krejtësisht e papranueshme. Shqiptarët duhet ta mbështesin Ukrainën në luftë ndaj Rusisë. Ne nuk harrojmë këtë deklaratë, por nuk mund të ndryshojmë qëndrimin ndaj agresionit rus”, u shpreh kryedemokrati Berisha.
Ndërkohë, flamuri i Ukrainës, i vendosur në qendër të Prishtinës me mbishkrimin “Free Ukraine”, është hequr.
Ky veprim erdhi pikërisht pas deklaratës së Zelenskit se Ukraina nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar duke theksuar se solidariteti i Kosovës me popullin ukrainas mbetet i palëkundur, por shtetësia e Kosovës duhet të respektohet.
Rama ka deklaruar se Prishtina do të qëndrojë përkrah popujve që përballen me luftë, dhunë dhe persekutim, por asnjë kauzë nuk mund të ndërtohet duke cenuar dinjitetin dhe sakrificën e popullit të Kosovës.
Deklarata e Zelenskit erdhi gjatë vizitës së tij në Beograd, ku ai përsëriti qëndrimin e Ukrainës për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe vlerësoi qëndrimin e Serbisë ndaj integritetit territorial të Ukrainës.
Gazeta Si – Nga 7 gushti kanë hyrë në fuqi ndryshimet e reja në Kodin Rrugor, të cilat sjellin masa më të ashpra për drejtuesit që shkelin rregullat e qarkullimit.
Drejtori i Policisë Rrugore, Perlat Vatoci, ka prezantuar ndryshimet dhe ka bërë apel për më shumë përgjegjshmëri në rrugë.
Një nga masat më të forta lidhet me drejtimin e automjetit pa leje drejtimi. Personave që kapen duke drejtuar mjet pa qenë të pajisur me patentë, e drejta për t’u pajisur me leje drejtimi u shtyhet deri në 1 vit, ndërsa për të miturit kjo periudhë shkon deri në 2 vjet.
Po ashtu, Vatoci deklaroi se janë ashpërsuar ndjeshëm edhe masat për drejtimin e automjetit nën efektin e alkoolit.
Leja e drejtimit hiqet përgjithmonë kur një drejtues rezulton me më shumë se 0.5 g/l alkool në gjak, nëse më parë është konstatuar dhe ndëshkuar për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit ose në gjendje të dehur.
Sipas Policisë Rrugore, masa synon të adresojë numrin e aksidenteve me pasoja të rënda që lidhen me drejtimin e mjeteve nën efektin e alkoolit.
Ndryshime të tjera prekin sjelljet agresive dhe të rrezikshme në rrugë, veçanërisht në zonat urbane, pranë shkollave, kryqëzimeve dhe degëzimeve.
Për shkelje të tilla, përfshirë mosrregullimin e shpejtësisë në rrugë me fushëpamje të kufizuar, ndryshimet e shpeshta të korsisë pa sinjalizim dhe manovrat që rrezikojnë përdoruesit e tjerë të rrugës, gjoba është rritur nga 20 mijë në 60 mijë lekë.
Përdorimi i telefonit celular gjatë drejtimit nuk ndëshkohet më vetëm për drejtuesit e automjeteve.
Kodi i ri parashikon sanksionim edhe për përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të biçikletave, motomjeteve deri në 50 cc dhe monopatinave me motor.
Ndërkohë, për drejtuesit e automjeteve është ashpërsuar edhe rregulli për përsëritjen e shkeljes: patenta pezullohet pas dy ndëshkimeve brenda të njëjtit vit për përdorimin e telefonit, nga tre shkelje që kërkoheshin më parë.
Policia e konsideron përdorimin e celularit një ndër faktorët kryesorë që çon në humbjen e kontrollit mbi mjetin dhe në aksidente.
Masa të posaçme janë vendosur edhe për personat që kanë marrë patentën gjatë 24 muajve të fundit.
Për këtë kategori parashikohen rregulla të veçanta lidhur me drejtimin nën ndikimin e alkoolit, si dhe kufizime specifike të shpejtësisë.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është heqja e mundësisë për të shmangur pezullimin e patentës përmes pagesës së një shume sa dyfishi i gjobës maksimale.
Deri më 7 gusht, në disa raste drejtuesi që ndëshkohej me gjobë dhe pezullim të patentës mund të zgjidhte pagesën e dyfishit të masës maksimale administrative, duke shmangur pezullimin.
Kjo mundësi është hequr. Në rastet kur Kodi parashikon pezullimin e lejes së drejtimit, ajo tashmë pezullohet automatikisht.
Policia Rrugore ka njoftuar se strukturat në të gjithë vendin janë informuar për ndryshimet dhe janë udhëzuar për zbatimin e tyre.
Gazeta Si – Një 70-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se është autori i dy zjarrvënieve të regjistruara gjatë dy ditëve të fundit në Lundër dhe Shkozë.
Policia bën me dije se i arrestuari, me inicialet S. A., u identifikua pas veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1.
Sipas hetimeve, më 9 gusht, në fshatin Lundër, 70-vjeçari dyshohet se ka ndezur zjarr pranë magazinave të Bashkisë së Tiranës.
Një ditë më parë, më 8 gusht, ai dyshohet se ka ndezur zjarr pranë disa shkurreve në afërsi të një kabine elektrike në Shkozë.
Gazeta Si – Një motor, i cili dyshohet se u përdor nga grabtitësit e argjendarisë në Paskuqan pak ditë më parë, u gjet këtë të hënë nga Policia e Tiranës.
Pasi morën bizhuteritë në argjendarinë “Luani”, ata përdorën motorin pa targa për të humbur gjurmët nëpër rrugët periferike të Kamzës.
Motori me ngjyrë të kuqe u gjet i braktisur në një liqen në Zall Herr, rreth 14 kilometra larg Paskuqanit.
Pavarësisht zbulimit të mjetit, ende nuk ka asnjë gjurmë nga autorët e grabitjes së ndodhur më 5 gusht, ku dy persona, të maskuar dhe me kallashnikovë, hynë brenda në argjendari dhe arritën të merrnin me vete bizhuteri që e kalojnë vlerën e 1.5 milionë lekëve.
Dyshohet se njëri prej autorëve kishte shkuar në argjendari një ditë para grabitjes për të patur dijeni të plotë mbi bizhuteritë e shtrenjta.
Autorët dyshohet të jenë njohës të mirë të zonës. Referuar kamerave të sigurisë, grabitësit kanë shmangur lëvizjet nëpër rrugët kryesore.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, nuk përjashtohet mundësia që ata të kenë pasur bashkëpunëtorë të tjerë.
Gazeta Si – Një vajzë 23-vjeçare është dhunuar fizikisht në banesën e saj në Shkodër nga dy persona. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e të dielës në rrethana të paqarta në lagjen “Xhabije”, rreth orës 22:20.
E reja ndodhet në spital, ndërkohë policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Deri më tani nuk dihen arsyet e kësaj ngjarjeje.
Gazeta Si – Më shumë se një milion njerëz janë evakuuar në Kinën lindore për shkak të mbërritjes së tajfunit “Dolphin”, i cili arriti në bregdetin e vendit të dielën, duke sjellë reshje të dendura shiu dhe rrezik për përmbytje e rrëshqitje dheu.
Në momentin e mbërritjes në tokë, shpejtësia e erërave të qëndrueshme pranë qendrës së stuhisë arrinte në 151 kilometra në orë. Ky është tajfuni më i fuqishëm që ka goditur Kinën këtë vit.
Yuhuan dhe Wenzhou, në provincën Zhejiang, ishin ndër qytetet e para që u prekën. Në Wenzhou u evakuuan më shumë se 900,000 njerëz dhe u hapën rreth 1,500 strehimore emergjence.
Meteorologët parashikojnë se në provincë mund të bien midis 250 dhe 500 milimetra shi gjatë ditëve në vijim.
Fillimisht, autoritetet kineze shpallën nivelin më të lartë të alarmit që zakonisht vendoset në raste të tilla, por e ulën atë të hënën në mëngjes pasi tajfuni humbi fuqinë.
Megjithatë, për të hënën parashikohen ende reshje të dendura shiu në pjesën më të madhe të Kinës lindore – përfshirë provincat Shandong, Henan, Hubei, Anhui dhe Jiangsu, si dhe qytetin e Shangait.
Të dielën, më shumë se 1.380 fluturime – 60 për qind e totalit të planifikuar – u anuluan në dy aeroportet ndërkombëtare të Shangait për shkak të tajfunit. Gjithashtu, disa atraksione turistike në qytet janë mbyllur tashmë.
Qeveria u ka bërë thirrje të gjithë banorëve të qëndrojnë brenda dhe të shmangin aktivitetet në ambiente të hapura.
Tajfuni “Dolphin” mbërriti në Kinë pasi solli erëra të forta dhe reshje shiu në ishullin e Tajvanit. Të premten e kaluar, ai goditi gjithashtu ishujt Okinawa të Japonisë, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike për më shumë se 50 000 ndërtesa dhe duke detyruar mbylljen e aeroportit; gjashtë persona mbetën të lënduar.
Gazeta Si – Kamerat e instaluara në dronët detarë “K3 Scout”, të përdorur nga Marina Mbretërore dhe forcat speciale të Mbretërisë së Bashkuar, transmetonin të dhëna në një adresë IP që ndodhej në Kinë.
Kjo u bë e ditur nga gazeta britanike “The Telegraph”, e cila raportoi se pajisjet – të furnizuara si pjesë e një flote me vlerë 12 milionë paund – përmbanin komponentë të prodhuar në Kinë.
Një hetim zbuloi se kamerat po dërgonin të ashtuquajturat “komunikime rrahjesh zemre” në Kinë – të dhëna të përdorura për të konfirmuar se pajisjet ishin në linjë dhe funksionale.
Megjithatë, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar deklaroi se nuk gjeti prova që informacioni i ndjeshëm ose sistemet ushtarake ishin aksesuar, kompromentuar ose transmetuar jashtë vendit.
Pas zbulimit, lidhja e internetit e kamerave u çaktivizua. Njësitë K3 Scout – të furnizuara nga firma britanike Kraken Technology Group dhe në përdorim që nga marsi i kaluar – operohen nga Skuadroni i Forcave Bregdetare dhe Komando 47 e Marinës Mbretërore; ato ishin gjithashtu të planifikuara për përdorim në misionet e ardhshme britanike në Gjirin që synojnë të sigurojnë lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Sipas një burimi në sektorin e mbrojtjes të cituar nga gazeta, incidenti përbën “një dështim serioz në kontrollin e origjinës së komponentëve” dhe thuhet se ka cenuar besimin te platforma.
Janë ngritur gjithashtu shqetësime lidhur me ekspozimin e mundshëm të personelit me leje sigurie në selinë e Special Boat Service në Poole, si dhe për faktin se disa kamera dyshohet se kanë mbetur aktive edhe kur dronët ishin të fikur.
Kompania Kraken deklaroi se disa pajisje të palëve të treta – ndonëse në përputhje me rregulloret amerikane NDAA – përmbanin një numër të kufizuar komponentësh me origjinë të huaj; megjithatë, kompania siguroi se një auditim i kryer me Marinën Mbretërore (Royal Navy) nuk zbuloi asnjë shkëmbim informacioni të ndjeshëm jashtë kanaleve të autorizuara.
Shqetësime janë shfaqur edhe në Spanjë, ku grupi kinez i automobilizmit SAIC Motor planifikon të ndërtojë fabrikën e tij të parë evropiane në Ferrol.
Megjithatë, vendndodhja e propozuar ndodhet pranë një baze ushtarake dhe kantierit detar Navantia, duke ngjallur frikë në Ministrinë spanjolle të Mbrojtjes dhe në Qendrën Kombëtare të Inteligjencës lidhur me rreziqet e mundshme të spiunazhit, siç raportohet nga gazeta “El País”.
SAIC Motor është një ndërmarrje shtetërore kineze dhe investimi kërkon miratimin e Këshillit të Ministrave.
Shqetësimi buron si nga rreziku i spiunazhit elektronik, ashtu edhe nga mundësia që personeli i ndërmarrjeve të shumta vendase të vogla dhe të mesme – të cilat punojnë paralelisht për Navantia-n, Marinën dhe potencialisht për SAIC – të mund të kontaktohet nga shërbimet e inteligjencës kineze. Si pasojë, Marina dhe Navantia thuhet se synojnë të forcojnë sistemet e tyre të sigurisë.