Gazeta Si – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar me një postim në Facebook ndaj kërkesës së Prokurorisë në Hagë për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së me nga 45 vjet burg, 180 në total.
Kurti tha se një gjë e tillë nuk mbështetet në standarde ndërkombëtare, por edhe e injoron kontekstin e luftës në Kosovë.
“Ne nuk kemi pasur kurrë plan shfarosje të asnjë populli tjetër apo të civilëve. Kërkesa e sotme e Prokurorisë në Hagë për dënim prej 45 vitesh burgim për secilin nga drejtuesit e akuzuar të UÇK-së nuk mbështetet në ndonjë standard të pranuar ndërkombëtar të dënimit. Ajo injoron plotësisht kontekstin e luftës në Kosovë dhe përpiqet ta vendosë këtë çështje në një vakum juridik, duke shkëputur veprimet nga realiteti i një lufte çlirimtare”.
Kreu i VV-së tha se çdo përpjekje për t’i shkëputur veprimet individuale nga ky kontekst historik e politik rrezikon të deformojë të vërtetën dhe kuptimin e asaj lufte.
“Thelbi moral dhe historik i luftës sonë çlirimtare konsiston në mbijetesën dhe dinjitetin e popullit. UÇK-ja ishte bartëse e një lufte të drejtë, ruajtëse dhe mbrojtëse. Ajo u zhvillua në rrethanat e okupimit të egër kur dhuna e apart’heidit po shndërrohej në gjenocid shtetëror. Republika e Kosovës mbetet e palëkundur në bindjen se UÇK-ja bëri luftë të drejtë dhe kryengritje anti-kolonialiste”, shkroi Kurti në Facebook.
Gazeta Si – Ghislaine Maxwell, partnerja e ngushtë prej kohësh e autorit të dënuar të krimeve seksuale, Jeffrey Epstein, është e gatshme të dëshmojë për Epstein nëse presidenti i SHBA-ve, Donald Trump i jep mëshirë.
Avokati i saj, David Oscar Markus, e tha këtë gjatë një seance dëgjimore me dyer të mbyllura në Kongresin e SHBA-ve. Maxwell përdori të drejtën e saj për të mos dëshmuar, sipas Amendamentit të 5 në SHBA.
Avokati i saj argumenton se ai e këshilloi Maxwell të përdorte Amendamentin e Pestë, sepse gjyqi është ende në pritje.
Maxwell, e cila po vuan një dënim me 20 vjet burg për shfrytëzim seksual të të miturve, beson se dënimi i saj rezultoi nga një gjyq i padrejtë.
“Nëse Komiteti dhe publiku amerikan me të vërtetë duan të vërtetën e pafiltruar rreth asaj që ndodhi, ekziston një rrugë e qartë përpara. Maxwell është e përgatitur të flasë plotësisht dhe sinqerisht nëse falet nga presidenti Trump. Vetëm ajo mund ta tregojë historinë e plotë. Disave mund të mos u pëlqejë ajo që ajo ka për të thënë, por e vërteta ka rëndësi. Presidentët Trump dhe Clinton, për shembull, nuk bënë asgjë të gabuar. Vetëm Maxwell mund të shpjegojë pse dhe publiku ka të drejtë për këtë shpjegim”, tha avokati, i cili gjithashtu postoi deklaratën e tij në platformën e mediave sociale.
Gazeta Si – Kryeministi Edi Rama ka reaguar ashpër në rrjete sociale pas pretencës për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli.
Në një postim në rrjetet sociale, ai thekson se nuk kupton ku buron filli logjik që ka ndjekur prokuroria për të dalë me këtë kërkesë. Gjuha e tij bëhet akoma më e ashpër ku thekson se ajo që nxorri sot prokuroria ishte “një mal me m*t”.
Kryeministri Rama shkruan se po mundohet të gjejë logjikën pas kërkesës së prokurorisë për të ‘varrosjen për së gjalli’ të katër burrave.
“Më pyesin miq nga Prishtina pse nuk po shprehesh për mikun tënd që sot u ngarkua me 45 vjet burg në pretencën e prokurorisë së Hagës?! Nuk po shprehem dot, pasi ende po mundohem ta gjej ku buron filli logjik që ka ndjekur prokuroria për të dalë me kërkesën për varrosje për së gjalli të katër burrave dhe si kurrë ndonjëherë, fjalët nuk më vijnë në ndihmë për t’u shprehur… Ndjesë, më duhet kohë ta gëlltis gjithë atë mal me m*t që nxorri sot ajo prokurori në zemër të Europës demokratike”, tha Rama.
Prokuroria Speciale në hagë kërkon 45 vite burg për secilin, në total 180 vite, duke i akuzuar për krime lufte me qëllim marrjen e pushtetit në Kosovë, përfshirë vrasjen e 100 personave dhe abuzime ndaj qindra të tjerëve.
Gazeta Si – Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, deklaroi se Shqipëria po ndjek “me shqetësim të thellë” zhvillimet në Dhomat e Specializuara të Hagës, ku sot prokuroria paraqiti kërkesën për dënimin me 180 vite burg në total ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një postim në rjetet sociale, ministrja thekson se ajo që ushqen më shumë perceptimin e një ashpërsie të njëanshme kah ish-krerëve të UÇK-së, është fakti se në të njëjtën mënyrë nuk janë trajtuar as përgjegjësit e aparatit shtypës të regjimit serb.
“Kohëzgjatja e paraburgimit, që tashmë ka kaluar pesë vjet pa një vendim përfundimtar, dhe natyra e akuzave të ngritura, ngrenë pikëpyetje serioze mbi proporcionalitetin, standardet e procesit të rregullt ligjor dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut. Kjo situatë ushqen gjithnjë e më shumë perceptimin e një ashpërsie të njëanshme në trajtimin e kësaj çështjeje, sidomos kur krahasohet me mënyrën se si janë trajtuar përgjegjësit e aparatit shtypës të regjimit serb. Edhe sot, shumë nga krimet e kryera nga forcat serbe ndaj popullsisë civile të Kosovës mbeten të patrajtuara dhe pa përgjegjësi të plotë penale. Kjo pabarazi në ndjekjen e drejtësisë rrezikon të krijojë ndjesinë e standardeve të dyfishta dhe të cenojë besimin e publikut në drejtësinë ndërkombëtare”, deklaroi Spiropali.
Më tej ajo thekson se drejtësia ndërkombëtare duhet të jetë e paanshme, e balancuar dhe e mbështetur në prova të pakontestueshme.
“Pa krijuar perceptimin e trajtimeve selektive ndaj palëve të përfshira në konflikt. Drejtësia që perceptohet si e njëanshme rrezikon të dëmtojë besimin publik dhe të lërë plagë të reja në një rajon që ka nevojë për pajtim të qëndrueshëm”, shton Spiropali.
Ministrja nënvizon se UÇK-ja ishte një lëvizje çlirimtare që gëzoi mbështetjen e gjerë edhe të bashkësisë ndërkombëtare në përballe me një regjim që ushtroi dhunë sistematike, spastrim etnik dhe krime të dokumentuara kundër popullsisë civile.
Sipas saj, proceset gjyqësore që trajtojnë individë të asaj lufte duhet të ruajnë me kujdes dallimin thelbësor mes përgjegjësisë individuale penale dhe karakterit historik të luftës për liri.
“Gjykata ka sot një përgjegjësi të veçantë për të garantuar që procesi të mos lejojë që gjuha dhe qasja e Prokurorisë të prekin padrejtësisht luftën çlirimtare, historinë e pavarësisë dhe dinjitetin e atyre që luftuan për liri. Vetëm një vendim i drejtë, i bazuar në prova dhe në standardet më të larta të drejtësisë, mund të largojë hijen e rëndë që këto qëndrime kanë hedhur mbi kujtesën historike të një lufte të drejtë”, deklaroi Spiropali.
Më tej ministrja riafirmon qëndrimin e Shqipërisë se drejtësia duhet të shërbejë për të vërtetën dhe pajtimin dhe jo për të krijuar narrativa që rishkruajnë historinë ose relativizojnë përgjegjësitë e njohura ndërkombëtarisht për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
Më herët, Prokuroria Speciale në Hagë kërkoi nga 45 vite burg për ish-komandantët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri VBeseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Gazeta Si – “Kisha edhe një këngë nga vajza ime Fortuna, por për Sanremon preferova të këndoja për fëmijët e të gjithëve”. Kështu e prezanton Ermal Meta “Stella Stellina”, këngën që do të këndojë në Festivalin Italian të Këngës.
Kjo është paraqitja e tij e pestë, e gjashta nëse llogaritet ajo me grupin e tij debutues, La Fame di Camilla, dhe një triumf, në vitin 2018, si dyshe me Fabrizio Moro, për “Non mi avete fatto niente”.
Dhe pas dhunës në familje të “Vietato morire” (viti 2017) dhe sulmeve terroriste që pasuan fitoren e tetë viteve më parë, ai sjell një temë tjetër aktuale.
“Stella Stellina” është historia e një vajze të vogël viktimë e luftës në Gaza… një temë përçarëse…
Nëse është përçarëse, dua të ndahem nga ata që mendojnë se është. Dua të rri larg atyre që besojnë se nuk mund të flasim për një popull që është masakruar vazhdimisht për 70 vjet, një popull që është në gojën e të gjithëve, por askush nuk flet për të, një oksimoron i çmendur. Por unë nuk po flas për luftën; lufta është midis dy ushtrive dhe këtu unë shoh vetëm një….
Si lindi “Stella Stellina”?
Vajza ime Fortuna, e cila është një vjeçe e gjysmë, më kërkon shpesh të luaj për të: ‘muzikë, babi’… Unë shpik vjersha për fëmijë me kitarën në dorë dhe një ditë po improvizoja diçka në “Stella Stellina”. Ajo melodi më ngeli në mendje, por pastaj m’u kujtua një video që kërkon pëlqimin tënd për ta parë për shkak të përmbajtjes së saj delikate. E hapa dhe shprehja në fytyrën e një vajze të vogël nga Gaza më përshkoi. Teksti erdhi nga mënyra e vendosjes së vetes sime para një qytetari të Gazës të dëshpëruar.
Vajza e vogël nuk ka emër në këngë.
Ajo nuk ka një emër, ashtu si populli i saj nuk ka zë, por të gjithë mund të kenë një.
A keni frikë nga reagimet politike?
Ato nuk më trembin. Një kantautor ka një detyrë: të shprehë atë që ndjen pa filtër. Jam gati për çdo kritikë për të mbrojtur atë që besoj. Unë përdor të drejtën e lirisë së fjalës të garantuar nga Kushtetuta dhe nuk do ta mbyll gojën.
Fortuna (vajza e tij) është 1 vjeçe e gjysmë vjeç dhe shumë e re për ta kuptuar, por disa muaj më parë ju adoptuat Klodjanën dhe Lumturijen, dy vajza 18-vjeçare shqiptare. Si përshtatet tema e Gazës në familjen tuaj?
Unë dhe gruaja ime, Chiara, jemi të tronditur dhe të habitur. Reagimi i vajzave është heshtja, ndoshta nga frika, ndoshta nga mosdija se si të gjejnë fjalët e duhura.
Adoptimi vjen pas një udhëtimi në Casa Rosalba, një shtëpi bamirësie në Lezhë, në vendlindjen tuaj në Shqipëri, e cila kujdeset për vajza me histori të ndërlikuara…
Përgjegjësja e shtëpisë, Motër Alma, erdhi në një nga koncertet e mia dhe më ftoi të vizitoja shtëpinë. Ndjeva një lidhje të menjëhershme. Ishte një nga ato gjëra që jeta të sjell dhe nuk mund t’i injorosh. Ato ishin 15 vjeçe dhe për shkak të kompleksiteteve burokratike të birësimit ndërkombëtar, të ndikuara nga fakti që unë dhe Chiara nuk jemi të martuar, vendosëm të prisnim derisa të mbushnin 18 vjeçe. Që atëherë, në marrëveshje me Motër Almën, ato i kanë kaluar pushimet e Krishtlindjeve dhe të verës me ne. Herën e parë që vajzat u kthyen në Shqipëri, ishte sikur ne me Chiara-n ramë në heshtje.
Së shpejti do të dalë një album: “Funzioni vitale” do të dalë më 27 shkurt.
Është një album i përshkuar nga tema e kohës. Koha e kuptuar, jo si një arkë thesari kujtimesh, por si mashtrim. E kaluara është zona jonë e rehatisë, është një dhomë që e dini, por nuk ju tregon se kush jeni tani dhe kush do të jeni. Dhe ndoshta as kush ishit sepse, për një formë mbrojtjeje, ti hedh dritë mbi disa gjëra dhe jo mbi të tjerat. Në këto vite kam prerë lidhjet me të kaluarën, kam hequr dorë nga shumë gjëra për t’i bërë vend asaj që do të vijë.
Në “Delorean” dhe “Levi’s 501”, e kaluara ka gjithashtu një vlerë pozitive: është nostalgji…
Nostalgjia është një akt besnikërie ndaj asaj që ishe. Ato xhinse, për shembull, janë adoleshenca ime. Më rrinë tmerrësisht… Adoleshenca është momenti kur shkëputesh nga familja jote dhe nga një satelit bëhesh një planet.
Më 13 shkurt, Carlo Conti do t’ju çojë në Kuirinale…
Jam i lumtur dhe i nderuar që takoj Presidentin Mattarella. Vitet e fundit, ndryshe nga figurat e tjera, ai i ka dhënë dinjitet dhe shtyllën kurrizore Italisë. Do të sigurohem që të gjej një kravatë për rastin.
Gazeta Si – Princi William dhe gruaja e tij, Kate, kanë shprehur “shqetësimin e tyre të thellë” për “zbulimet e vazhdueshme” që dalin nga dosjet që rrethojnë skandalin e pedofilit të ndjerë amerikan, Jeffrey Epstein.
Kjo është sipas një deklarate të lëshuar nga Pallati Kensington, deklarata e tyre e parë zyrtare mbi çështjen e mprehtë për familjen mbretërore britanike, e cila implikon drejtpërdrejt ish-Princin Andrewm vëllain e Mbretit Charles.
Ky i fundit është në qendër të një polemike të re: policia po heton “akuza të reja”, se ish-Duka i Jorkut, kur ishte i dërguari ndërkombëtar i tregtisë së Mbretërisë së Bashkuar, “ndau informacion konfidencial” me ish-financierin amerikan.
Mbreti Charles III ka shprehur “shqetësimin e tij të thellë” lidhur me akuzat e vazhdueshme për sjelljen e Princit Andrew, duke deklaruar se Pallati Mbretëror është i gatshëm të bashkëpunojë me policinë nëse kërkohet.
Mbreti Charles: Jemi gati të bashkëpunojmë me policinë!
Në një deklaratë zyrtare, një zëdhënës i Pallatit Buckingham tha se Mbreti e ka bërë të qartë, si me fjalë ashtu edhe me veprime të paprecedenta, shqetësimin e tij për akuzat që vazhdojnë të dalin në dritë ndaj Andrew Mountbatten-Windsor.
Sipas tij, nëse autoritetet e Thames Valley Police kontaktojnë Pallatin, Mbretëria do të ofrojë mbështetjen e nevojshme.
Deri më tani, Pallati Buckingham nuk është kontaktuar nga policia lidhur me pretendimet se Andrew ka shpërndarë raporte konfidenciale gjatë kohës kur shërbente si i dërguar tregtar, duke i dërguar ato tek Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale.
Deklarata e Pallatit Kensington – Deklarata e shkurtër e Pallatit Kensington thekson se mendimet e Princit dhe Dukeshës së Uellsit janë “me viktimat” e skandalit Epstein, dhe e rëndësishmja, Andrew nuk përmendet kurrë.
Megjithëse ka një referencë indirekte për turpërimet e shumta që ai ka shkaktuar, të cilat në mënyrë të pashmangshme pasqyrohen në angazhimet kryesore ndërkombëtare të monarkisë: nga vizita e William në Arabinë Saudite (ku ai tashmë është takuar me Princin e Kurorës, Mohammed bin Salman dhe vrasja brutale e gazetarit disident Jamal Khashoggi në konsullatën saudite në Stamboll, duket se është lënë pas dore), deri te vizita e Mbretit Charles në Londër muajin e ardhshëm për vizitën e parë shtetërore nga një udhëheqës nigerian në Mbretërinë e Bashkuar në 37 vjet.
Thyerja e heshtjes – Që nga publikimi i dosjeve të fundit në SHBA mbi skandalin Epstein, pak më shumë se një javë më parë, anëtarë të shquar të familjes mbretërore kishin shmangur komentimin e drejtpërdrejtë mbi serinë e zbulimeve të turpshme rreth ish-Dukës së Jorkut, i cili tashmë kishte rënë përfundimisht nga froni për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me ndërmjetësin e pedofilëve që kreu vetëvrasje në burg.
Ndërkohë, Princi Edward kohët e fundit kishte thyer heshtjen e familjes Windsor, duke deklaruar se “është e nevojshme të kujtojmë viktimat”, duke folur në Samitin e Qeverive Botërore në Dubai, duke theksuar më vonë se “kishte kaq shumë”.
Të enjten e kaluar, vetë Charles III u sfidua, ndërsa ishte në një vizitë publike me Mbretëreshën Camilla në fshatin Dedham në Essex, për përfshirjen e vëllait të tij në këtë çështje.
Informacione për Epstein – Në fakt, Andrew sapo është përfshirë nga një “stuhi e re”. Një agjenci policore e Mbretërisë së Bashkuar ka thënë se po “vlerëson akuzat” se ish-princi i dërgoi raporte konfidenciale Epsteinit.
Hetimi u nis, pasi disa media raportuan email-e që ishin pjesë e hetimit të Departamentit të Drejtësisë të SHBA-ve ndaj ish-financierit.
Email-et sugjerojnë se Mountbatten-Windsor i dërgoi Epstein raporte në lidhje me një udhëtim të vitit 2010 në Azinë Juglindore, kur ai ishte i dërguari i tregtisë ndërkombëtare i Mbretërisë së Bashkuar.
Princi i atëhershëm, gjithashtu duket se ka ndarë me Epstein itinerarin e udhëtimit dyjavor që e çoi atë në Hanoi, Saigon, Singapor, Kuala Lumpur dhe Hong Kong.
Policia e Luginës së Thames, e cila po kryen hetime, po mbulon zonat në perëndim të Londrës, duke përfshirë rezidencën e Andrew, Mountbatten-Windsor në Royal Lodge pranë Kështjellës Windsor.
Gazeta Si – Dy automjete të dyshuara si të vjedhura, të cilat dyshohet se do përdoreshin për një ngjarje kriminale, janë zbuluar në Vlorë të fshehura në një sipërfaqe ullishteje në fshatin Babicë e Madhe.
Sipas policisë, u gjetën po ashtu edhe 3 bidona me benzinë, që mendohet se do përdoreshin më pas për të djegur një prej mjeteve.
Policia tha se kishte siguruar informacionet në rrugë operative dhe për këtë arsye janë kryer kontrolle të imtësishme ne aksin rrugor dhe territorin e fshatit Babicë e Madhe.
“Automjetet dhe provat e tjera të sekuestruara po i nënshtrohen ekzaminimeve shkencore. Grupi i posaçëm hetimor i DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave si dhe për identifikimin dhe dokumentimin e autorësisë”, njoftoi policia.
Gazeta Si – Një biznesmen në Tiranë, Gjergji Fela është arrestuar, pasi dyshohet se ka ndërtuar një skemë mashtrimi me fatura fiktive, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm financiar prej rreth 62 milionë lekësh.
Sipas Prokurorisë së Tiranës, 50-vjeçari, akuzohet për veprat penale “krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH)” dhe “Fshehje e të ardhurave”.
Sipas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Tiranës në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor dhe Policinë e Shtetit, 50-vjeçari ka përdorur subjektin tregtar “Dorina Fela”, në emër të bashkëshortes së tij, për të kryer shitje fiktive në vlerën rreth 150 milionë lekë. Si pasojë, dëmi i përllogaritur ndaj buxhetit të shtetit kap shifrën 62,670,861 lekë.
Sipas organit të akuzës, veprimet janë realizuar përmes deklarimeve të pavërteta dhe përdorimit të faturave fiktive, me qëllim krijimin e një skeme mashtruese fiskale për përfitimin e padrejtë të kreditimit të TVSH-së dhe uljen e bazës së tatueshme për tatimin mbi fitimin, duke cenuar interesat financiare të shtetit.
Në kuadër të këtij procedimi penal, Fela u arrestua pasi dyshohet se ka pasur rol organizues dhe drejtues në këtë veprimtari të paligjshme, duke përdorur subjektin tregtar në emër të bashkëshortes së tij për realizimin e skemës mashtruese.
Gazeta Si – Në Gjykatën e Posaçme, ka nisur këtë të hënë gjyqi në themel për dosjen “Partizani”, ku një nga të pandehurit, Jamarbër Malltezi ka nisur të lexojë 200 faqe me prova për të kundërshtuar akuzat.
Menjëherë në sallë kanë nisur debate mbi mënyrën sesi ai i cilësonte prokurorët të cilët i quan “prokurorë politikë”.
Gjykata ndërhyri duke i kërkuar Malltezit që t’u drejtohej vetëm si “prokurorë”. Por dhëndri i ish-kryeministri Berisha, e zëvëndësoi më pas fjalën me, “prokurorët pika pika”.
Malltezi e cilësoi procesin si një “përndjekje politike” dhe jo si ndjekje penale, duke pretenduar shkelje të konventave ndërkombëtare.
Ai ngriti akuza ndaj prokurores Enkeleda Millonai, duke theksuar se ajo është emëruar nga Taulant Balla, i cili, po sipas Malltezit, ka kallëzuar çështjen në emër të Partisë Socialiste.
Në sallën e gjyqit, ka përmendur po ashtu prokurorin Arben Kraja, duke deklaruar se ka qenë hetues i Sigurimit të Shtetit, dhe sipas tij, për këtë arsye nuk mund të jetë objektiv në këtë proces.
Në kuadër të hetimeve të aferës “Partizani”, më 16 janar, Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi masën e sigurimit “sekuestro preventive” për pasuritë e Argita dhe Jamarbër Malltezit, i akuzuar nga SPAK për korrupsion pasiv.
Nga Gazeta ‘Si’- Përveçse sulm ndaj drejtësisë, opozita e sheh qëndrimin e kryeministrit Edi Rama për pezullimin e Belinda Ballukut edhe si dëmtim të procesit të integrimit.
“Ky qëndrim do të provokojë zhbërjën e plotë të procesit të integrimit me Shqipërinë. Asnjë votë nuk do të ketë”, tha Berisha.
Me urgjencë reagoi edhe kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi, i cili thotë se Rama kërkon të ndryshojë Kodin e Procedurës Penale sepse sipas tij drejtësia po prek pushtetin e tij.
Deklaratat e kryeministrit se tashmë nuk ka nxitim për arrestimin e ish-numrit dy të qeverisë, i quajti manovër politike.
“Kur një Kryeministër ndryshon ligjin ndërkohë që po hetohet bashkëpunëtorja e tij më e afërt, ai nuk po mbron ndonjë parim kushtetues apo ligjor. Po mbron pushtetin e vet të korruptuar. Rregullat nuk ndryshohen në mes të hetimit për të shpëtuar veten. Ligji është i qartë. Nuk ndryshohet sepse prek pushtetin. Këshilli i Mandateve duhet të mblidhet pa justifikime, pa shtyrje artificiale, pa manovra politike. Kryetari e Kuvendit duhet të zgjedhë: ose në anën e ligjit, ose në anën e pengimit të drejtësisë”, tha Bardhi.
Debatet përfshinë edhe komisionet parlamentare, ku deputetja demokrate Ina Zhupa kërkoi dorëzimin e imunitetit të Ballukut, deklaratë që hasi kundërshtinë e socialistëve.
“Vetë e keni lënë me 8 anëtarë se s’erdhi nga qielli. Imuniteti të ishte dorëzuar si ta pezullonte apo jo Kushtetuesja. Kjo është rruga, të mos pengosh drejtësinë”, tha Ina Zhupa.
“E keni kthyer komisionin si foltore. Reforma është bërë falë PS-së, dhe është lideri juaj që shkon çdo ditë të hëne para SPAK e nuk lë gjë pa thënë dhe sot na dilni sikur mbroni drejtësinë. PS ka pritur vendimin e Kushtetueses, do të mblidhet edhe Këshilli i Mandateve, ka një afat prej tre muajsh”, i replikoi Arkend Balla.
Nga Gazeta ‘Si’- Policia e Shtetit ka marrë masa për mbarëvajtjen e protestës kombëtarë të Partisë Demokratike, e cila do të mbahet ditën e nesërme, 10 shkurt, në orën 17:00, para Kryeministrisë.
Policia njofton se do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore në kryeqytet.
Nga ora 23:45 e ditës së sotme, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve deri në përfundim të tubimit, në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”;
Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia paralajmëron se në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore.
Nga Gazeta ‘SI’ – Deputetja e opozitës, Jorida Tabaku paraqiti sot në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme rikthimin e skemës së akcizës së diferencuar për prodhuesit e vegjël të birrës, një masë që synon të mbështesë prodhuesit vendas, të rrisë konkurrueshmërinë dhe të nxisë investimet në industrinë artizanale të birrës në Shqipëri.
Sipas saj, në projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, parashikohet ndryshimi i një tatimi për të përcaktuar disa kritere të reja sa i takon birrave artizanale, me qëllim mbrojtjen e prodhimeve “Made in Albania”, nga rënia e euros apo dhe ekonomia informale.
Sipas saj, propozimi ligjor ka një bazë të krahasuar me praktikat e BE-së.
“Ky projektligj propozon rikthimin e një skeme të diferencuar të tatimit, që mbështet prodhuesit e vegjël vendas dhe harmonizohet me praktikat e mira të Bashkimit Europian,” tha Tabaku, duke vënë në dukje se kjo masë është në përputhje me Direktivën 92/83/KE dhe 92/84/KE.
Sipas Tabakut, ndryshimet e fundvitit 2022 që unifikuan tarifën në 710 lekë/HL për shkallë alkoolometrike dhe hoqën trajtimin e veçantë për prodhuesit nën 200,000 HL/vit, sollën pasoja të padëshiruara: rritje të kostove për prodhuesit vendas, ulje të konkurrueshmërisë dhe dobësim të trendit të investimeve në industrinë artizanale të birrës, një sektor me potencial zhvillimi, punësimi dhe turizëm kulinar.
Ajo tha se taksat e larta e kanë ulur me 11% prodhimin vendas ashtu siç e ka ulur prodhimin bujqësor TVSH-ja , apo rënia e eksporteve të fasonerisë nga politikat e larta fiskale.
Projektligji parashikon dy nivele të akcizës: Për prodhuesit deri në 200,000 HL/vit, tarifa reduktohet në 372,2 lekë/HL për shkallë alkoolometrike. Për prodhuesit mbi 200,000 HL/vit, vazhdon të zbatohet tarifa 744,4 lekë/HL për shkallë alkoolometrike.
“Kthimi i skemës së diferencuar nuk dëmton administrimin fiskal, lejon monitorim efektiv dhe redukton hapësirat për shmangie. Projektligji synon të vendosë një balancë të arsyeshme ndërmjet objektivave fiskale dhe nevojave të zhvillimit ekonomik të sektorit të birrës” tha Tabaku.
Sipas deputetes, rikthimi i akcizës së diferencuar do të rrisë konkurrueshmërinë, punësimin dhe formalizimin e industrisë së birrës, duke mbështetur prodhuesit vendas dhe zhvillimin e sektorit artizanal.
Relatori i projektligjit për rikthimin e skemës së akcizës së diferencuar për birrën, deputeti Erion Malaj, deklaroi se iniciativa e propozuar nga deputetja Jorida Tabaku nuk është parashikuar në Planin Kombëtar për Integrimin Evropian 2024–2026 dhe se nuk është konsultuar me qeverinë dhe grupet e interesit.
“Projektligji nuk është pjesë e planit kombëtar dhe synon diferencimin e akcizës për birrën. Rikthimi diferencial nuk cenon administrimin fiskal deri në 200,000 HL/vit, por çdo ndryshim ka impakt financiar” tha Malaj.
Ai shtoi se, sipas Kushtetutës, çdo projektligj joqeveritar që kërkon ndryshime në shpenzimet e buxhetit duhet të marrë miratimin e Këshillit të Ministrave brenda 30 ditëve nga paraqitja, si dhe të shqyrtohet me grupet e interesit.
“Projektligji nuk është i shoqëruar me tabelë përputhshmërie me legjislacionin e Bashkimit Evropian, ndaj nuk e mbështesim miratimin e tij”, tha Malaj.
Në fund të diskutimeve, propozimi i Tabakut nuk u miratua.
Filmi “Taxi Driver” i Martin Scorsese, i nominuar për katër çmime Oscar dhe fitues i Palmës së Artë në Festivalin e Kanës 1976, është një portret i ashpër dhe i alienizimit urban, dhe konsiderohet gjerësisht si një nga filmat më të rëndësishëm amerikanë të të gjitha kohërave.
Njëkohësisht, është padyshim edhe një nga më shqetësuesit.
“Taxi Driver” kanalizon zemërimin, paranojën dhe ndarjen sociale të një dekade amerikane të formësuar nga kriza ekonomike, dhuna imperialiste dhe skandalet politike. I vendosur në degradimin e një Neë York-u në deindustrializim të shpejtë, filmi ofron një portret të dëshpëruar të një shoqërie që po shpërbëhet.
Në thelbin e tij qëndron një vizion tepër shqetësues i maskulinitetit, i lidhur me racizmin dhe mizogjinë.
Forcat sociale dhe psikologjike që “Taxi Driver” nxori në pah nuk janë zhdukur. Në fakt, ato thjesht janë zhvendosur, duke gjetur shprehje të reja në kulturat digjitale të formësuara nga shprehja e pakënaqësive, mllefi estetik dhe monetizimi i zemërimit mashkullor.
Egzistencializmi amerikan
Travis Bickle, interpretuar me intensitet shqetësues nga Robert De Niro, është krijim i skenaristit Paul Schrader, i cili u frymëzua shumë nga përvojat e tij personale të izolimit dhe krizës emocionale. Schrader gjithashtu u referua në letërsi, duke përmendur “Njeriun e Nëntokës” të Fyodor Dostoevskit si një ndikim formues.
Duke vendosur heronjtë ekzistencialë europianë në kontekst amerikan, Schrader shpjegoi: “Zbuloni se ai bëhet më injorant, i pashpjegueshëm ndaj natyrës së problemit të tij. Problemi i Travis është i njëjtë si ai i heroit ekzistencial: a duhet të ekzistoj? Por Travis nuk e kupton që ky është problemi i tij, ndaj dhe fokusohet diku tjetër, dhe kjo është një shenjë e pjekurisë së pamjaftueshme dhe rinisë së vendit tonë.”
Schrader gjithashtu u frymëzua nga ngjarjet bashkëkohore, përfshirë atentatin e dështuar ndaj politikani të djathtë George Ëallace nga Arthur Bremer. Rezultati ishte një personazh që kristalizoi konfuzionet e dhunshme të epokës.
Si Bremer, Travis mban një ditar. Shikojmë pjesë nga ai ditar gjatë filmit dhe dëgjojmë fragmente në zë:
“Të gjitha kafshët dalin natën. Prostituta, homoseksualë, të sëmurë, të korruptuar. Një ditë, një shi i vërtetë do të vijë dhe do të lajë gjithë këtë papastërti nga rrugët.”
Travis, një tregues i pasigurt dhe i paqëndrueshëm, pretendon se ka shërbyer në Vietnam dhe merr një punë si taksist sepse ka probleme me gjumin. Ai punon kryesisht natën dhe, i tensionuar, lëviz në qytet në një gjendje shqetësimi të vazhdueshëm.
Një mëngjes, pas një turni të gjatë, ai vë re një grua të re përmes dritares së një zyre në Midtoën Manhattan. Kjo është Betsy (Cybill Shepherd), një punonjëse ambicioze e një fushate presidenciale.
Betsy shpejt bëhet objekti i fiksimit të Travis. Ai qëndron afër taksisë së saj, duke e vëzhguar nga larg, dhe më vonë arrin ta bindë të dalë me të, por takimi nuk shkon mirë.
Socialisht jo i aftë, ideja e Travis për argëtim është një vizitë në një kinema pornografike në Times Square. Ai duket i habitur kur Betsy vendos të largohet dhe ndërpret çdo kontakt me të, gjë që vetëm e thellon zemërimin e Travis dhe çon në një konfrontim të dhunshëm në zyrën e saj.
Travis fillon të përkeqësohet, duke i rrëfyer një kolegu taksist se ka “disa ide të këqija” në kokë. Ai vendos një plan veprimi. Hyrjet në ditarin e tij bëhen edhe më shqetësuese.
Ai fillon të stërvitet, mbush taksinë me armë dhe planifikon vrasjen publike të shefit të Betsy. Dhuna politike bëhet një mënyrë për të formësuar pakënaqësinë e tij, duke e kthyer zemërimin në një ëndërr të jashtëzakonshme. Ai praktikon të shtënat përpara pasqyrës në apartamentin e tij të zymtë.
Fjalia e improvizuar e De Niro, “You talkin’ to me?”, u bë sipas studimit të filmave “ndoshta skena më e cituar në historinë e kinemasë”.
Kur plani i vrasjes së Palantine dështoi, Travis drejton vëmendjen tek Iris, një vajzë 12-vjeçare prostitutë interpretuar nga Jodie Foster. Ai vendos ta “ndihmojë” të largohet nga tutori, duke besuar se veprimi i tij është moral.
Filmi përfundon me një notë ironike dhe të paqartë.
Një trashëgimi e errët
“Taxi Driver” ndau kritikët, por pati sukses të menjëhershëm tek publiku. Fuqia e tij shqetësuese nuk u dobësua me kohën; madje, pasardhësia e tij ka qenë po aq shqetësuese sa vetë filmi.
Në 1981, John Hinckley Jr., i fiksuar me filmin, tentoi të vrasë Ronald Reaganin për të impresionuar Jodie Foster. Ky incident tronditi Scorsese, i cili për një kohë të shkurtër mendoi të linte kinemanë.
Travis Bickle është ngritur herë pas here në statusin e anti-hero. Personazhi ka lënë një hije të madhe kulturore, më dukshëm në “Joker” të Todd Phillips (2019).
Një serial dokumentar i vitit 2025 për karrierën e Scorsese rikthehet tek ky pyetje e trashëgimisë. Regjisorja Rebecca Williams i thotë Schrader-it se ka përshtypjen se “ka shumë Travis Bickles, sidomos tani”. Schrader përgjigjet prerë:
“Të gjithë po flasin me njëri-tjetrin në internet. Kur i shkrova për herë të parë, ai nuk po fliste me askënd. Në atë moment ishte Njeriu i Nëntokës. Tani është Njeriu i Internetit.”
Një mendim që të bën të reflektosh thellë./theconversation
Gazeta Si – Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla, është vetëdorëzuar në Policinë e Kavajës disa orë pas dënimit me 1 vit burg nga Apeli i GJKKO-së për veprën penale të “korrupsionit në zgjedhje”. Në polici, janë vetëdorëzuar gjithashtu edhe Blerim Xhamani dhe Ndriçim Tafxhafa.
Memolla nuk ishte në seancë kur Apeli la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, ndërsa për të pritej të firmosej së shpejti një urdhër-arrest nga autoritetet për të kryer vuajtjen e dënimit 1-vjeçar në një burg të sigurisë së zakonshme.
Përpos 1 viti heqje lirie, Memollës i ndalohet për 5 vite ushtrimi i funksioneve publike, që do të thotë se Rrogozhina mbetet pa kryetar dhe që brenda pak kohësh pritet të zjvillohen zgjedhje për përfaqësuesin e ri.
Sipas burimeve, GJKKO ka refuzuar kërkesën e Memollës për konvertim të masës së sigurisë, ku pretendonte një zbutje të saj.
Po ashtu, janë shpallur fajtorë edhe dy bashkëpunëtorë të kryebashkiakut, Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku. Ata janë dënuar përkatësisht me nga 1 vit dhe 8 muaj burg, ku për Toskun dënimi u pezullua duke u vendosur në shërbim prove.
Pjesë e kësaj dosje është edhe Ndriçim Tafxhafa, dënuar me 1 vit burg po për korrupsion aktiv në zgjedhje.
Hetimet për kryebashkiakun nisën pas publikimit në media të një audio-përgjimi, ku dëgjohet Edison Memolla, në atë kohë kandidat për Kryetar Bashkie në Rrogozhinë, teksa ndikon tek një elektriçist, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor.
Kryebashkiaku u dërgua në gjykim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar së bashku me tre të pandehur të tjerë, Ndriçim Tafxhafa dhe Blerim Xhamani të akuzuar “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe Isuf Tosku, i akuzuar për falsifikim të dokumentave, kryer në bashkëpunim.
Sipas SPAK-ut Memolla ndikoi tek Blerim Xhamani, elektriçist pranë FSHU Durrës, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet lokale, si dhe komunikon me Xhamanin, për punësime në Bashkinë Rrogozhinë, po ashtu në këmbim të votës.
I pandehuri Ndriçim Tafxhafa, i ka premtuar shtetases për shlyerje të detyrimeve ndaj OSHEE dhe për strehim, ndërsa Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku kanë falsifikuar të dhënat në procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke paraqitur të dhëna të rreme.
Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar sërish vendimin e Kushtetueses për pezullimin nga detyra të Ballukut, duke u shprehur se gjyqtarët, të cilët votuan 4 me 4, sipas tij kanë dhënë vendimin nën diktatin e Edi Ramës.
“4 gjyqtarë të saj votuan kundër heqjes së pezullimit, votuan duke shkelmuar ligje dhe kushtetutë, votuan në diktatin e egër të Edi Ramës. Faktikisht, Balluku mbeti e pezulluar, por gjykata pezulloi veten e vet”, tha Berisha.
Më tej, kryedemokrati u ndal edhe te deklarata e Ramës pas mbledhjes së grupit të PS-së ditën e sotme, ku tha se kreu i qeverisë kërcënoi në mënyrën më të paskrupullt Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme.
“Edi Rama kërcënoi në mënyrën më të paskrupullt prokurorinë, gjykatën dhe u zotua se do mbrojë gjer në pikën e fundit të tij veten dhe Ballukun.
Ai është thirrur sot në Bruksel. Sipas medieve, sepse nuk dihet, por mediat shkruajnë se ka takim, është thirrur direkt nga numri një i Këshillit të BE për t’i komunikuar qëndrimin e prerë të BE ndaj qëndrimeve të tij antikushtetuese, antidemokratike, ndaj zotimit të tij për të vazhduar grushtin e shtetit.
Pra, ju e patë, ju e shihni, ai shkon në Bruksel me fustanin e Ballukut, në kuptimin që shkon si avokat i turpshëm i saj dhe të gjitha i ka për veten e tij.
Në Bruksel, dhe në mbarë kryeqytetet, është kuptuar se çfarë përfaqëson, çfarë kalbësire përfaqëson Edi Rama. Është kuptuar se autori i aferave të Ballukut është direkt Rama. Është kuptuar se Edi Rama, për fatin e mirë të shqiptarëve, është Ergys Agasi.
Është kuptuar se ata, në sipërmarrjen e dominuar tërësisht nga familja e tij, në agjencinë e dominuar tërësisht nga familja e tij, AKSHI, jo vetëm kanë vjedhur qindra milionë, por kanë urdhëruar pengmarrje dhe krime të shëmtuara”, tha Berisha.
Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i PD-së Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka vetëm suksese imagjinare.
Duke iu referuar vizitës që Rama do zhvillojë në Bruksel sot, Berisha tha se sipas tij Shqipëria nuk plotëson asnjë kusht për integrimin në BE.
“Rama po shkon drejt fundit të merituar. Ai po zhbën edhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Shqipëria nuk plotëson asnjë kusht për integrim në BE. Rama ka vetëm suksese imagjinare. Tirana plotëson vetëm kushtin gjeo-strategjik. Duke thënë këtë, garantoj partnerët europianë se Partia Demokratike ka prioritet integrimin e vendit në BE, por jo në mënyrë mashtruese, por gjithçka në meritë e performancë.
PD ka bërë më shumë se çdo parti tjetër në integrimin e vendit drejt Bashkimit Europian. Ishte Partia Demokratike që arriti Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. Ne liberalizuam vizat. Ne kur përmbushëm kërkesat e BE-së, nuk iu lutëm askujt, por çdo gjë ishte shumë serioze. Shqipëria sot është një vend ku të drejtat e njeriut dhunohet masivisht. Rama ankohet sot se janë mbushur burgjet. Por, burgjet i mbushi Rama, që i la shqiptarët pa të drejtën e procesit gjyqësor. Rama do shkelmojë në Bruksel interesat e shqiptarëve, do mbrojë interesat e tij. Nesër është dita e qytetarëve. Ftoj qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë, se ne nuk mposhtemi kurrë nga një klikë që kërkon të vjedhë vendin”, tha Berisha.
Po ashtu, Berisha paralajmëroi se nuk do të ketë asnjë votë për këtë qeveri, që siç tha, e ka mendjen të vjedhë qytetarët.
“Rama nuk do të ketë asnjë votë. Asnjë bashkëpunim me Ramaduron. Ne jemi partnerë me qytetarin dhe jo me këtë qeveri hajdute. Në lidhje me protestën në Rrjoll, ne jemi kundër prekjes së tokës të pronarëve privat, qoftë edhe një metër kartrorë tokë. Ne nuk pranojmë që të tjerëve t’ju merret toka e tyre”, u shpreh ai.
Berisha përsëriti se e vetmja rrugë për të rrëzuar qeverinë janë protestat dhe vetëm protestat.
“Ne e kemi thënë se e vetmja rrugë për të rrëzuar këtë qeveri janë vetëm protestat. Ne nuk do të rreshtim, derisa ta rrëzojmë këtë regjim gjakatar”, deklaroi Berisha.
Gazeta Si – Partia konservatore Liberale Demokratike (LDP) e kryeministres, Sanae Takaichi fitoi me shumicë dërrmuese në zgjedhjet parlamentare të mbajtura të dielën, më 8 shkurt, në Japoni.
LDP fitoi 316, nga 465 vendet e disponueshme dhe do të ketë shumicën e vetme në Dhomën e Përfaqësuesve.
Koalicioni me Partinë e Inovacionit (IPP) do të fitojë gjithashtu 36 vende. Kjo është fitorja më e madhe për një parti japoneze që nga Lufta e Dytë Botërore dhe një rezultat që e forcon më tej Takaichi-n, e cila kishte bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme posaçërisht për të konsoliduar stabilitetin e qeverisë së tij.
Aleanca e Reformës së qendrës, opozita kryesore ndaj qeverisë, fitoi vetëm 49 vende. Përpara se Dhoma të shpërbëhej, koalicioni që bashkon Komeiton dhe Partinë Kushtetuese të Japonisë të qendrës së majtë, kishte 172 vende.
Partia Demokratike për Popullin e qendrës dhe populiste njëkohësisht, fitoi 28 vende, ndërsa partia e ekstremit të djathtë Sanseito fitoi 15.
Sanae Takaichi ka qenë në detyrë për rreth tre muaj dhe kishte shpërndarë dhomën e ulët të parlamentit, ku koalicioni qeverisës kishte ruajtur një shumicë të vogël.
Votimi i së dielës kishte të bënte vetëm me këtë degë të parlamentit, e cila përbëhet nga 465 përfaqësues, të zgjedhur sipas një sistemi të përzier (gjysma mazhoritar dhe gjysma proporcional).
Parlamenti japonez, ose Dieta Kombëtare, ka gjithashtu një Dhomë Këshilltarësh, të përbërë nga 248 përfaqësues dhe e cila nuk mund të shpërndahet nga qeveria.
Ajo do të rinovohet me zgjedhjet në vitin 2028, por ende ka një rol dytësor, pasi vetëm Dhoma e Përfaqësuesve mund të votojë mosbesim ndaj qeverisë.
Sondazhet parazgjedhore i kishin dhënë LDP-së një epërsi të fortë, duke sinjalizuar një rigjallërim të popullaritetit pas disa vitesh të vështira, pavarësisht se kishte dominuar politikën japoneze për 70 vitet e fundit.
Rezultatet e zgjedhjeve shënojnë një ndryshim të rëndësishëm, të mundësuar kryesisht nga Takaichi dhe popullariteti i saj, falë strategjive të tij të reja të komunikimit që i kanë sjellë mbështetje të papritur, madje edhe midis të rinjve.
Vlerësimet e saj të miratimit që kur mori detyrën kanë luhatur rreth 60-70 përqind, një përqindje shumë e lartë që u ul vetëm në javët e fundit pas shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme në një kohë të vështirë për Japoninë, veçanërisht për shkak të inflacionit të lartë dhe rënies së jenit, monedhës së vendase.
Nga Gazeta ‘Si’- Me kërkesën për 45 vite burg për secilin nga ish krerët e UÇK-së, Haga ka rikthyer një pyetje që ka shqetësuar ekspertët për vite me radhë: a po e humb drejtësia ndërkombëtare sensin e kontekstit historik?
Mes zërave më të qartë që e ka artikuluar këtë dilemë është Daniel Serwer, ekspert amerikan për Ballkanin dhe profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare, i cili që në fazat e hershme të ngritjes së Dhomave të Specializuara paralajmëroi se Haga po rrezikonte të bënte një gabim themelor, jo vetëm juridik, por edhe politik dhe moral.
Në një artikull të shkruar në blogun e tij në tetor të vitit të shkuar, të titulluar ‘Tribunali që ka humbur rrugën’, ndërsa ndante një takim që kishte zhvilluar me Hashim Thaçin në Hagë, Serwer argumentoi se mënyra se si janë ndërtuar aktakuzat dhe procesi gjyqësor kundër udhëheqësve të UÇK-së është sipas tij problematik.
Paralajmërimi i tij bëhet veçanërisht relevant sot, ndërsa prokuroria kërkoi dënimin ekstrem prej 180 vitesh burg në total për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin.
Duhet theksuar se Serwer nuk e ka vënë kurrë në dyshim nevojën për drejtësi apo hetimin e krimeve individuale por sipas tij mënyra se si po ndërtohet procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së po krijon një ekuilibër të rremë mes agresorit dhe viktimës.
Më poshtë Gazetasi.al sjell artikullin i cili jep pikëpamjen e tij të plotë pse Serwer mendon se Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po devijojnë nga drejtësia.
Foto nga protesta në Tiranë në mbështetje të ish-liderëve të UÇK, tetor 2025
Postuar nga Daniel Serwer – 18 tetor 2025
Dje kalova 40 minutat e mia të caktuara me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në seksionin ndërkombëtar të burgut holandez në Hagë. Doja të rinovoja një miqësi të vjetër. Është e njohur në Kosovë që ne patëm një përçarje pak para se ai të shkonte vullnetarisht në Hagë për t’u përballur me gjyqin. Doja gjithashtu të kuptoja më mirë realitetin pas Dhomave të Specializuara të Kosovës, që po zhvillojnë gjyqin e tij. Prandaj u takova edhe me zëdhënësin e tribunalit, Michael Doyle, të cilin e njoh që nga shërbimi i tij i shkëlqyer pranë përfaqësuesit të lartë Inzko në Bosnje.
Kujdes lexues. Nëse po kërkoni ndonjë detaj “pikant” për atë që më tha Hashimi, mos lexoni më tej. Bisedat tona kanë qenë gjithmonë private në të kaluarën, dhe kjo do të mbetet po ashtu. Përveç zyrtarit të burgut që ishte i pranishëm për të dëgjuar, sipas rregullave. Do ta respektoj konfidencialitetin e asaj që tha Hashimi. Por ai gjithmonë ka respektuar të drejtën time për të shprehur publikisht çfarë mendoj, dhe jam i sigurt që ende e respekton
Parahistoria
Unë dhe Hashimi takoheshim sa herë që shkoja në Kosovë ose ai vinte në SHBA. Ky zakon filloi në vitin 1999, kur ai ishte pjesë e udhëheqjes shqiptare të Kosovës që Instituti i Paqes i Shteteve të Bashkuara e solli në një resort në Lansdowne, Virginia. E bëmë këtë sepse dhuna ndërmjet shqiptarëve po shtohej pas luftës NATO/Jugosllavi. Kishim frikë se mund të çonte në luftë civile. Krime, pa dyshim, kishin ndodhur pas luftës.
Hashimi gjithmonë ia ka atribuar kthesën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës drejt politikës atij mu këtij takimi në Lansdoëne. Ai përfshiu pothuajse të gjithë liderët kryesorë politikë, të shoqërisë civile dhe të medias të Kosovës pasluftës. Deklarata që u nxor nga ai takim u bë udhërrëfyes për përpjekjet e mëvonshme politike, shoqërore e ekonomike. Kjo nismë çoi edhe në një takim dy vjet më vonë me udhëheqësinë serbe të Kosovës në Airlie House, si dhe në një fushatë të madhe kundër dhunës, ku Hashimi luajti një rol kyç.
Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara
Në bisedimet e dështuara të Rambujesë, në fund të vitit 1998, Hashimi ishte padyshim një nga të preferuarit e amerikanëve. Si zëdhënës politik i UÇK-së, ai arriti më në fund t’i bindte komandantët e ndryshëm të firmosnin marrëveshjen e propozuar. Refuzimi serb çoi në bombardimet e NATO-s ndaj Jugosllavisë.
Por pas luftës, ai as nuk u ngjit shpejt, as nuk pati mbështetje të pakushtëzuar amerikane. Amerikanët u shqetësuan kur Hashimi emëroi kryetarë të rinj komunash në Kosovë, duke e pretenduar këtë autoritet si “kryeministër” i një “qeverie të përkohshme” të krijuar disa muaj më herët. Kryetarët që ai emëroi zëvendësuan ata që “presidenti” Rugova i kishte vendosur gjatë dekadës së shtypjes serbe. Ne e paralajmëruam Hashimin në Lansdoëne se këta “kryetarë” nuk do të mund të përmbushnin pritjet dhe do të mbaheshin përgjegjës për dështime në zgjedhjet e para komunale.
Ato u mbajtën një vit pas luftës. Amerikanët donin të shmangnin gabimin e bërë në Bosnje, ku zgjedhjet kombëtare u mbajtën vetëm një vit pas luftës – dhe përfunduan duke rikthyer në pushtet të gjithë udhëheqësit e palëve ndërluftuese. Në Kosovë, zgjedhjet komunale përmbysën shumë nga kryetarët e UÇK-së, ashtu siç kishin parashikuar amerikanët. Do të duheshin vite që Partia Demokratike e Kosovës e Hashimit të rimëkëmbej. Hashimi luajti role të rëndësishme gjatë protektoratit të OKB-së, por shija e parë e pushtetit ekzekutiv i erdhi në vitin 2008, kur udhëhoqi shpalljen e pavarësisë dhe më pas u bë kryeministër.
Tribunali
Thaçi u ngjit në postin e presidentit në vitin 2016. Deri atëherë, amerikanët dhe evropianët po kërkonin me ngulm krijimin e një tribunali që do të gjykonte akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që kishin ndodhur kryesisht pas përfundimit të luftës, në vitin 1999. Më tronditëset ishin pretendimet se UÇK-ja kishte rrëmbyer serbë, i kishte çuar në veri të Shqipërisë, u kishte hequr organet dhe i kishte vrarë. I kisha dëgjuar këto akuza menjëherë pas luftës, por gazetari që m’i përmendi më tha se nuk mund të përmbushte standardet gazetareske për t’i botuar. As raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011, që i bëri publike, nuk ishte më i mirë.
Por kur prokurori amerikan Clint Williamson raportoi në vitin 2014 se kishte bazë të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzave ndaj anëtarëve të UÇK-së, presioni diplomatik u bë i pakontrollueshëm. Si president, Hashimi përdori ndikimin e tij për t’i bindur deputetët të miratonin një amendament kushtetues që krijonte një gjykatë të Kosovës, por që do të zhvillohej në Hagë dhe do të ishte plotësisht e stafuar me ndërkombëtarë. Edhe unë u shpreha në mbështetje të saj, duke besuar se do të merrej kryesisht me akuzat për trafik organesh. Dhomat e Specializuara të Kosovës u bënë funksionale në vitin 2017, në një objekt që Norvegjia pagoi për ta rinovuar dhe që financohet nga Bashkimi Evropian.
Nuk e kisha imagjinuar kurrë që “Dhomat Speciale” do të bënin atë që bënë. Në vitin 2020 ato ngritën aktakuzë ndaj Hashimit dhe tre bashkëluftëtarëve të tij të UÇK-së për “ndërmarrje të përbashkët kriminale” që kishte kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit – pa përfshirë fare akuzat për trafik organesh. Ai dha dorëheqjen nga posti i presidentit dhe shkoi në Hagë, ku qëndron i burgosur që prej atëherë: 2.5 vite në paraburgim dhe tani 2.5 të tjera gjatë gjyqit.
Çka është problematike me këtë pamje?
Ka shumë gjëra që nuk shkojnë – ose më saktë, në mënyrën si unë e shoh këtë pamje.
Së pari, mashtrimi me pretekstin. Parlamenti i Kosovës besonte, ashtu si edhe unë, se fokusi kryesor i tribunalit do të ishin akuzat për trafik organesh. Mbrojtja e ka ngritur këtë pikë në gjykatë dhe e ka humbur, sepse në raportin e Martyt ka edhe akuza të tjera. Por për një laik – si unë – nëse do që “klienti” të mbetet i kënaqur, nuk i shet një gjë dhe i dorëzon një tjetër. Sigurisht, tribunali s’ka ndonjë arsye të kujdeset për mua si “klient”, por në njëfarë mënyre jam. Tribunalet e tilla duhet të ofrojnë drejtësi, jo hakmarrje të bazuar në mashtrim. Asnjë lëvizje çlirimtare në të ardhmen nuk do të pranojë një tribunal të tillë.
Së dyti, natyra e akuzave. Akuzimi i gjithë udhëheqjes politike dhe ushtarake të UÇK-së për “ndërmarrje të përbashkët kriminale” jep përshtypjen se po kriminalizohet vetë revolta kundër shtypjes serbe. Sigurisht që UÇK-ja ishte e paligjshme sipas ligjeve serbe, ashtu si revolucioni amerikan ishte i paligjshëm sipas ligjeve britanike. Por SHBA dhe NATO e mbështetën UÇK-në sepse besonin se kauza ishte e drejtë. Tribunali thotë se kjo nuk është çështje e rebelimit, por e veprave konkrete. Por provo t’ia shpjegosh këtë dikujt në Kosovë (ose në Serbi).
Së treti, juridiksioni i gjykatës nuk përfshin Serbinë, ku gjithashtu janë kryer krime pas luftës. Tre vëllezërit Bytyqi u vranë atje pas luftës, ashtu si edhe të tjerë. Po të kishin këmbëngulur diplomatët që tribunali të trajtonte edhe ato krime, ndoshta sot ose nuk do të kishim tribunal fare, ose do të kishim një që do të shihej më me simpati në Kosovë. Fajësoj veten që nuk e ngrita këtë çështje në atë kohë.
Më e rëndësishmja
Së katërti, dhe ankesa ime kryesore sot, është koha absurde që Hashimi dhe shokët e tij janë mbajtur në paraburgim dhe gjatë gjyqit. Parimi “i pafajshëm deri në provimin e fajësisë” nuk duhet të mbetet një slogan bosh. Të gjithë këta njerëz dhanë dorëheqje dhe shkuan vullnetarisht në Hagë – diçka që kundërshtarët e tyre në Serbi nuk e bënë. Si mund të justifikohen pesë vjet burgim (në një burg me siguri të lartë, nga sa pashë vetë) pa e ditur ende nëse dikush është fajtor apo jo?
Përgjigjja zyrtare është frika nga frikësimi ose manipulimi i dëshmitarëve, që sipas tribunalit ka qenë problem. Nuk e pranoj si shpjegim të mjaftueshëm. Tribunalit do t’i duhej shumë kohë më parë t’i kishte liruar këta burra. Asnjëri prej tyre nuk do të arratisej. Të gjithë mund të mbikëqyreshin pa u mbajtur të mbyllur në Hagë.
Fajtor apo i pafajshëm
Nuk e di nëse këta udhëheqës të UÇK-së janë fajtorë apo të pafajshëm. Nuk i kam lexuar të gjitha procesverbalet e gjyqit. Edhe sikur t’i kisha lexuar, përgjegjësia i takon tribunalit, jo mua. Shpresoj vetëm që vendimi të mos ndikohet nga pritjet e qeverive evropiane për të marrë disa dënime në këmbim të qindra milionave euro që kanë investuar në këtë proces.
Një histori e fundit për Hashimin, mjaft e vjetër saqë qeveria amerikane duhet ta ketë deklasifikuar tashmë. Para 26 vitesh, në Lansdowne, u gjenda me të dhe me një nga komandantët e UÇK-së në mëngjes. Për të bërë pak bisedë, thashë se duhej të ishte e çuditshme për ta të gjendeshin në një resort luksoz në Virxhinia, kur vetëm disa javë më parë kishin luftuar në malet e Kosovës.
Hashimi pa komandantin që rrinte me të, i cili i ngrysi vetullat, dhe më tha: “Unë në fakt kurrë s’kam qenë luftëtar. Kam qenë zëdhënësi politik.”
Mendoj se mu në atë çast Hashimi ishte nën shumë presion për të më thënë të vërtetën.
Gazeta Si – Një prej autorëve të dyshuar që dhunoi avokatin Kujtim Cakrani në një pikë karburanti në Vlorë, është identifikuar.
Sipas policisë, bhet fjalë për 40-vjeçarin Skerdilajd Xhindi, banues në Vlorë, i cili u shpall në kërkim për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim”.
Në dëshminë e tij, avokati Cakrani, tha se dy persona të panjohur për të e kanë sulmuar në momentin që ai po furnizohej me karburant në hyrje të Vlorës.
Fillimisht, ata e kanë ofenduar dhe sharë, ndërsa dyshohet se konflikti ka nisur për shkak të një parkimi , edhe pse avokati shprehet se nuk beson se ky ka qenë shkaku i vërtetë.
Më pas, dy personat kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij, duke e goditur me një mjet prerës në pjesën e pasme të kokës.
Gazeta Si – Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka miratuar në Mbledhjen e Përgjithshme të Inspektorëve, më 30 janar 2026, planin e inspektimeve në prokurori e gjykata për vitin 2026.
Sipas njoftimit, thuhet e inspektimet tematike dhe institucionale do jenë edhe gjatë vitit 2026, instrumenti me të cilin Inspektori i Lartë i Drejtësisë mat eficencën e drejtësisë në vend, ndërsa këtë vit, në mënyrë të dedikuar, do të monitorojë edhe zbatimin e rekomandimeve të lëna nga inspektime të mëparshme.
Në Mbledhjen e Përgjithshme të Inspektorëve, u paraqit analiza e të dhënave mbi llojin e pretendimeve të ankuesve, qytetarë apo institucione deri në dhjetor 2025, si dhe pretendimet e ankesave të trajtuara me vendimmarrje gjatë vitit 2025.
Sipas të dhënave, pjesën më të madhe e zënë pretendimet për vendimmarrje të padrejta, pretendimet për zvarritje gjykimi, zvarritje të veprimtarisë hetimore dhe vonesa në dorëzimin e vendimeve gjyqësore.
Në Mbledhjen e Përgjithshme të Inspektorëve u evidentua se gjatë vitit 2025, sipas traditës,Inspektori i Lartë i Drejtësisë i ka dërguar kërkesa për tematika inspektimesh për planin e inspektimeve për vitin 2026, institucioneve të drejtësisë, Prokurorit të Përgjithshëm, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Ministrit të Drejtësisë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
Në mbledhje u vlerësua angazhimi i tri institucioneve, që kanë përcjellë propozime për inspektimet tematike ose institucionale, konkretisht Prokurori i Përgjithshëm ka propozuar 2 tematika inspektimesh, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, 4 tematika inspektimesh dhe Ministri i Drejtësisë 5 tematika inspektimesh.
Pas diskutimeve mbi të dhënat e ankesave të përcjella, të propozimeve të ardhura nga tri institucionet e drejtësisë, si dhe të prioriteteve të punës së ILD-së, edhe për shtrirje gjithëpërfshirëse gjeografike të inspektimit në gjykata e prokurori, Mbledhja e Përgjithshme e Inspektorëve miratoi gjithsej 9 inspektime për t’u realizuar gjatë vitit 2026, 8 inspektime tematike dhe 1 inspektim institucional.
E veçanta këtë vit është miratimi i 2 inspektimeve tematike mbi ndjekjen e rekomandimeve të inspektimeve të mëparshme.
Nga trajtimi i ankesave të qytetarëve dhe institucioneve, kohëzgjatja e proceseve civile gjyqësore, shpallja dhe arsyetimi i vendimeve gjyqësore, respektimi i afateve të paraburgimit, trajtimi i referimeve dhe kallëzimeve penale ndaj punonjësit të policisë së shtetit dhe atij të burgjeve për keqtrajtim, kalendari i inspektimeve për vitin 2026 përmban.