Një situatë e vështirë ka përfshirë disa akse rrugore në Qarkun e Shkodrës gjatë orëve të fundit, ku reshjet e breshërit dhe dëborës kanë krijuar vështirësi të konsiderueshme në qarkullimin e automjeteve.
Sipas një njoftimi zyrtar nga Prefekti i Qarkut Shkodër, disa familje, përfshirë edhe fëmijë, kanë mbetur të bllokuara në segmente të ndryshme rrugore. Problemet janë evidentuar në aksin nga zona e Bunit të Bajraktarit deri në zbritje drejt qytetit të Koplikut.
Aktualisht, mbi 200 mjete po përpiqen të lëvizin drejt Koplikut, ndërsa reshjet e breshërit dhe dëborës të alternuara me ngrica e kanë bërë qarkullimin të vështirë dhe të rrezikshëm.
Lëvizja është rivendosur në sajë të ndërhyrjes në terren, ku ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore dhe mjetet borëpastruese.
Nga Gazeta ‘Si’- Instituti i Gjeoshkencave ka lëshuar një njoftim për parashikimin e rrezikut nga përmbytjet, duke paralajmëruar qytetarët për reshje intensive dhe situatë të vështirë në disa zona të vendit.
Sipas IGJEO, nesër (e shtunë, 3 janar) priten reshje me intensitet të lartë, kryesisht në veri dhe qendër të vendit. Në qarqet Shkodër dhe Kukës mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje dherash.
Në zonat urbane të këtyre qarqeve mund të shfaqen gjithashtu probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.
Parashikimi i IGJEO për periudhën 3–7 janar 2026 tregon se reshjet intensive, kryesisht në veri dhe jug të vendit, do të shkaktojnë rritje të rrezikshme të prurjeve dhe niveleve në lumenjtë Drin-Buna, Liqeni Shkodrës, lumi Mat, Shkumbin dhe Vjosë.
Në zonat malore dhe Alpe priten reshje dëbore.
IGJEO u bën thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm, të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale për sigurinë e tyre.
Një tërmet i fortë goditi sot (2 janar) Meksikën, duke shkaktuar frikë dhe panik, deri edhe rrezik të mundshëm për dëme në njerëz, përveç atyre materiale, pasi dridhjet ishin të forta.
Forca e lëkundjeve sizmike raportohet se ishte me magnitudë 6.5 ballë të shkallës Rihter dhe epiqendra ishte Mexico City.
Njoftimin e bëri shërbimi kombëtar sizmologjik i vendit.
#Sismo: de Magnitud de 6.5 a 4 km NNW de Rancho Viejo, #Mexico.
Sipas Qendrës Gjermane të Kërkimeve të Gjeoshkencës, tërmeti kishte një magnitudë 6.3 ballë dhe epiqendra e tij ndodhej në Guerrero, Meksikë.
Ai e kishte origjinën në një thellësi fokale prej 10 kilometrash. Dridhja u ndje në shumë lagje të kryeqytetit dhe e detyroi presidenten Claudia Sheinbaum të ndërpresë konferencën e saj të përditshme për shtyp.
Presidentja njoftoi më pas se kishte folur me guvernatoren e Guerrero-s dhe se nuk dukej të kishte ndonjë dëm serioz në atë shtet.
#LATEST — Mexican President Sheinbaum abruptly pauses her press conference as 6.5-magnitude earthquake shakes Mexico City pic.twitter.com/0YRqLo8XPi
Nga Gazeta Si – Faza e grupeve në “Kupën e Kombeve të Afrikës” në Marok ishte një spektakël elektriizues ku talenti dhe lojtarë kyç si Mohamed El Shenawy, Riyad Mahrez, Sadio Mané dhe Amad Diallo u dalluan për skuadrat e tyre.
Nga prezenca autoritare e El Shenawy-t në portë te lidershipi i Mahrez në sulm, këta lojtarë kanë dëshmuan vlerat e tyre në skenën kontinentale.
Formacioni më i Mirë zgjodhi performuesit më të qëndrueshëm, ndikues dhe influentë të fazës së grupeve – individë, paraqitjet e të cilëve vendosën tonin për fazën me eliminim direkt.
– Portier: Mohamed El Shenawy (Egjipt)
– Mbrojtës: Noussair Mazraoui (Marok), Axel Tuanzebe (RD Kongo), Edmond Tapsoba (Burkina Faso), Yahia Attiat-Allah El Abdi (Marok)
Nga Gazeta Si – Ndeshjet e fazës së 1/8 së finales në “Kupën e Kombeve të Afrikës TotalEnergies CAF Marok 2025” u përcaktuan pas një faze grupesh emocionuese, që vuri në pah cilësinë dhe nivelin botëror të futbollit në kontinentin afrikan.
Faza e parë me eliminim direkt do të zhvillohet nga e shtuna, 3 Janar, deri të martën, 6 Janar, me dy ndeshje çdo ditë në orën 17:00 dhe 20:00, ndërsa skuadrat e mbetura luftojnë për një vend në ¼ finale.
Vendasit e Marokut do të përballen me Tanzaninë në “Stade Prince Moulay Abdellah” në Rabat të dielën (ora 17:00) ku pritet një publik entuziast në mbështetje për të fituar titullin e parë kontinental pas 50 vitesh.
Maroku e mbylli Grupin A në vendin e parë, ndërsa Tanzania u kualifikua si një nga 4 skuadrat më të mira të renditura në vendin e 3-të, nga Grupi C.
Afrika e Jugut dhe Kameruni do të përballen në stadiumin “Al Medina” në Rabat (ora 20:00), në një duel që vendos përballë trajnerin Hugo Broos me skuadrën që e udhëhoqi drejt titullit në vitin 2017.
Para këtyre ndeshjeve, fituesi i vitit 2021, Senegali, do të luajë kundër Sudanit të shtunën (ora 17:00) në “Grand Stade de Tanger”, në ndeshjen e parë të fazës së 1/8.
Në të njëjtën mbrëmje, Mali do të përballet me Tunizinë (ora 20:00) në “Stade Mohammed V” në Kazablanka.
Mali synon titullin e parë kontinental ndërsa Tunizia kërkon të përsërisë triumfin e vitit 2004.
Egjipti mban rekordin me 7 tituj në “TotalEnergies CAF AFCON”, por nuk e ka ngritur trofeun që nga viti 2010.
Faraonët do të përballen me Beninin të hënën (ora 17:00) në “Grand Stade de Agadir”.
Një nga skuadrat më mbresëlënëse të fazës së grupeve, Nigeria, do të luajë kundër Mozambikut (ora 20:00) në “Complexe Sportif de Fès”, me synimin një hap më shumë pas medaljes së argjendtë në edicionin 2023.
Algjeria dhe Republika Demokratike e Kongos do të takohen të martën (ora 17:00) në “Stade Prince Héritier Moulay El Hassan” në Rabat, përpara se kjo fazë të mbyllet me përballjen mes kampionëve në fuqi, Bregut të Fildishtë, dhe Burkina Faso-s (ora 20:00) në “Grand Stade de Marrakech”.
¼ finalet do të zhvillohen më 9–10 Janar, ndërsa Finalja është planifikuar më 18 Janar në “Stade Prince Moulay Abdellah”.
Gjykata e Korçës ka lënë në arrest me burg 67 vjeçarin Rushan Selko i cili akuzohet se përdhunoi dhe la shtatzënë një 12 vieçare.
Selko abuzoi seksualisht me fqinjën e tij të mitur në muajin gusht. Ngjarja e rëndë ndodhi në banesën e 67 vjeçarit në fshatin Piskupat në bashkinë e Pogradecit.
Gjatë kësaj periudhe ai kërcënonte të miturën që të mos tregonte për atë çfarë kishte ndodhur ndërkohë rasti u zbulua nga prindërit e të miturës të cilët vunë re ndryshimet fizike të saj. Ekzaminimi mjekësor zbuloi se vajza ishte 22 javëshe shtatzanë dhe më pas ajo rrëfeu të gjithë ngjarjen e rëndë.
Organi i akuzës ka kërkuar masën e sigurisë arrest në burg për 67 vjeçarin çka është pranuar edhe nga gjykata. Seanca e zhvilluar me dyer të mbyllura ka zgjatur më tepër se dy orë.
Nga Gazeta ‘Si’- Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur Orikumin sot në 2 janar 2025, ku një burrë dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij dhe më pas i ka dhënë fund edhe jetës së tij.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:30 ku në trupin e Sose Xhebroit, rreth 48 vjeç, janë konstatuar shenja dhune të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga bashkëshorti i saj Llogora Xhebroit, rreth 52 vjeç.
48- vjeçarja ka ndërruar jetë në banesë.
Pas kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë në zonën përreth banesës, autori i dyshuar është gjetur i pajetë në garazh, ku dyshohet se ka kryer vetëvrasje me armë zjarri.
Pranë trupit të tij është konstatuar një armë zjarri tip Glock dhe një gëzhojë kalibër 9 mm.
Çifti ishin prindër të dy djemve.
Sipas burimeve çifti ka patur probleme dhe kanë shkuar drejt divorcit më parë dhe më pas janë ribashkuar sërish. Të njëjtat burime bëjnë me dije se konfliktet mes tyre kanë nisur prej një muaji.
Nga Gazeta ‘Si’- Trupi ka nevojë për vitaminën D, në mënyrë që kockat të jenë më të forta dhe më të shëndetshme. Në të njëjtën kohë, vitamina D e ndihmon trupin të përthithë kalciumin, luan një rol të rëndësishëm në rritjen dhe zhvillimin e qelizave, si dhe zvogëlon rreziqet e inflamacionit.
Kur kjo vitaminë mungon, trupi dërgon disa sinjale, të cilat nëse po i has, mund të kesh mungesë të vitaminës D.
Po djersin më shumë seç duhet
Djersa, veçanërisht në periudhën e dimrit mund të lidhet me mungesën e vitaminës D. Kjo ndodh sepse ndërkohë që aktiviteti i trupit vijon të jetë i njëjtë, temperatura e trupit ngrihet, edhe nëse mjedisi përreth nuk është aq i nxehtë.
Në mënyrë të papritur ndihesh i/e lodhur
Mungesa e vitaminës D përkthehet me ndjesinë e lodhjes, edhe kur ke bërë mjaftueshëm gjumë. Studimet tregojnë se mungesa e kësaj vitamine shkakton edhe marrje mendsh.
Mund të ndihesh i/e trishtuar
Shumë gjëra të trishtojnë, ama, një arsye tjetër mund të jetë edhe vitamina D. Studimet tregojnë se ekziston një lidhje mes depresionit dhe mungesës së vitaminës D, pasi kjo e fundit ndikon në disa sfera të trurit, duke aktivizuar edhe hormonet pozitive si: dopamina dhe serotonina.
Mund të ndiesh dhimbje në kocka dhe muskuj
Është vënë re se në disa persona të diagnostikuar me artrit, ka mungesë të vitaminës D dhe kjo shkakton dhimbje në muskuj dhe kocka. Nëse gjatë kohëve të fundit, ke ndjerë dhimbje apo bezdi në kyçe, ndoshta është momenti të masësh nivelin e vitaminës D.
Por, si ta furnizosh trupin me vitaminë D?
Që të marrësh vitaminën D, duhet të ekspozohesh në diell, por në të njëjtën kohë, të duhet të mbrohesh nga dielli me SPF, për shkak se ylli më i afërt me Tokën, është gjithashtu edhe ndër faktorët kryesorë për kancerin e lëkurës.
Pra, të duhet që vitaminën D ta ndërthurësh me dietën ushqimore. Sugjerohet të konsumosh: salmon, sardele, ton, vezë, djathë, kërpudha, qumësht, kos, si dhe drithëra dhe lëng portokalli.
Gjithashtu, vitamina D merret edhe përmes medikamenteve specifike, për të cilat duhet të konsultohesh me mjekun.
Nga Gazeta ‘Si’- Një investigim i detajuar i publikuar nga bashkëpunëtorët e të ndjerit Aleksei Navalny ka zbuluar ekzistencën e një tjetër prone luksoze që dyshohet se përdoret nga presidenti rus Vladimir Putin.
Kësaj here, hetimi fokusohet në gadishullin e Krimesë, territor i aneksuar nga Rusia në vitin 2014, ku sipas të dhënave është ndërtuar një kompleks rezidencial gjigant me vlerë mbi 100 milionë euro.
Kompleksi ndodhet në Kepin Aya, mbi një shkëmb me pamje nga Deti i Azovit, vetëm disa kilometra larg qytetit strategjik të Sevastopolit.
Sipas dokumenteve, pamjeve satelitore dhe fotografive të publikuara në investigim, prona fillimisht ishte projektuar për ish-presidentin ukrainas Viktor Yanukovych. Pas rrëzimit të tij dhe marrjes nën kontroll të Krimesë nga Rusia, objekti u konfiskua nga autoritetet ruse.
Zyrtarisht, vila ishte parashikuar të shndërrohej në një sanatorium shtetëror, por sipas ekipit të Navalnyt, kjo nuk u realizua kurrë. Në vend të kësaj, kompleksi dyshohet se iu vu në dispozicion presidentit rus dhe rrethit të tij të ngushtë.
Rezidenca kryesore shtrihet në rreth 9 mijë metra katrorë, ndërsa një ndërtesë tjetër, e pozicionuar më pranë detit, ka një sipërfaqe prej afro 5 mijë metrash katrorë. Pamjet nga satelitët tregojnë se kompleksi përfshin një mol privat, një plazh artificial me rërë të bardhë dhe një heliport të vendosur në pjesën më të lartë të pronës, duke garantuar izolim dhe siguri maksimale.
Brendësia e vilës përshkruhet si jashtëzakonisht luksoze. Dy suita martesore, secila me sipërfaqe rreth 240 metra katrorë, janë të pajisura me banja private prej 50 metrash katrorë.
Sipas investigimit, vetëm arredimi i një banje kushton rreth 120 mijë euro dhe përfshin xhakuzi dhe elementë dekorativë të veshur me ar, si dhe vaska speciale me çmim rreth 32 mijë euro secila.
Në kompleks ndodhen gjithashtu dhoma të dedikuara për një grua dhe dy fëmijë. Hetimi pretendon se këto ambiente janë përshtatur për ish-gjimnasten olimpike Alina Kabaeva, e cila prej vitesh përflitet si partnerja e fshehtë e Putinit, si dhe për dy fëmijët e tyre. Kremlini nuk ka dhënë asnjë konfirmim zyrtar për këtë çështje.
Një element tjetër i pazakontë i rezidencës është prania e një spitali privat, i cili zë një kat të tërë të ndërtesës kryesore. Ai përfshin një sallë operacioni të pajisur me teknologji mjekësore moderne gjermane dhe finlandeze, klinikë dentare, pajisje ultrazëri dhe aparatura të avancuara. Në të njëjtin kat ndodhet edhe një kriokamerë, teknologji shumë e shtrenjtë që përdoret për trajtime ekstreme, të cilën investigimi thotë se presidenti rus e preferon.
Për argëtim, kompleksi përmban edhe një sallë private kinemaje me tetë vende dhe pajisje moderne audio-vizive.
Sipas ekipit të Navalnyt, financimi i kësaj prone nuk është bërë drejtpërdrejt nga Vladimir Putin, por nga oligarkë të fuqishëm rusë të lidhur ngushtë me të. Prona, sipas hetimit, është regjistruar në emër të disa kompanive guackë, të përdorura për të fshehur pronësinë reale.
Investigimi përfundon me një pyetje provokuese për publikun dhe komunitetin ndërkombëtar: “Putini dhe miqtë e tij kanë grumbulluar aq shumë pasuri gjatë 25 viteve në pushtet, sa është e pamundur t’i shpenzojnë. Sa pallate i duhen një njeriu?”
Publikimi pritet të nxisë debate të reja ndërkombëtare mbi pasurinë e fshehtë të presidentit rus, veçanërisht në një kohë kur Rusia përballet me sanksione të rënda ekonomike dhe një pjesë e madhe e popullsisë po përjeton vështirësi financiare.
Nga Gazeta ‘Si’- Pas ditëve me diell vendi është përfshirë gjatë ditës së sotme nga mot i keq me reshje shiu, temperatura të ulëta dhe reshje dëbore në zonat malore.
Reshjet e borës përfshinë territorin e bashkive Pukë e Fushë Arrëz mëngjesin e kësaj të premteje, teksa temperaturat kanë zbritur minus.
Segmentet rrugore rurale momentalisht janë të kalueshme, ndërsa trashësia e borës pritet të krijojë probleme kryesisht në aksin rrugor Kryezi -Iballës ku trashësia e borës në Qafën e Sharit i ka kaluar 20 cm.
Reshjet e dëborës kanë përfshirë këtë mëngjes edhe qytetin e Shkodrës dhe zonat përreth, ndërsa nuk ka akse rrugore të bllokuara dhe qarkullimi zhvillohet normalisht.
Për shkak të prezencës së akullit, përgjatë segmentit Milot-Kalimash u regjistruan tre aksidente rrugore, ku janë përfshirë rreth 15 automjete, mes tyre një mikrobus me pasagjer dhe një autoambulancë.
Nga aksidentet u dëmtuan gjashtë persona, të cilët kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore në spitalin e Rrëshenit dhe fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, Rruga e Kombit, në të dyja drejtimet e lëvizjes Kukës – Tuneli i Kalimashit, po përballet me reshje të dendura shiu të shoqëruara me erë të fortë, çka e bën qarkullimin më të vështirë.
Nga Gazeta ‘Si’- Gjatë dekadës së fundit, numri i konflikteve të armatosura aktive është rritur ndjeshëm.
Shumë prej tyre kanë qenë jashtëzakonisht vdekjeprurëse. Por disa konflikte të tjera kanë mbetur ende nën pragun e dhunës — megjithatë, nëse do të shpërthenin hapur, do të përmbysnin rajonet përkatëse dhe rendin botëror.
Kina kundër Tajvanit
A do të përpiqet Xi Jinping të lërë gjurmë në histori? Udhëheqësit kinezë kanë ndjekur luftën e Rusisë në Ukrainë dhe ndoshta kanë nxjerrë mësime të zymta mbi vështirësitë e pushtimit ushtarak. Por pabarazia e madhe në kapacitetet ushtarake mes Kinës dhe Tajvanit do të thotë se Pekini mund të tundohet të veprojë nëse mbështetja amerikane për ishullin duket se dobësohet, ose nëse kostoja ekonomike e një sulmi bie. Për momentin, një bllokadë duket më e mundshme sesa një pushtim, edhe pse edhe ajo mbart rreziqe të mëdha, përfshirë ndërhyrjen ushtarake dhe hakmarrjen ekonomike nga SHBA-ja dhe aleatët e saj.
India kundër Pakistanit
Dy armiqtë e përbetuar me armë bërthamore janë sjellë së fundmi sërish nga pragu i luftës pas një përplasjeje vdekjeprurëse — por konflikti i tyre thelbësor mbetet i pazgjidhur. Në prill 2025, një sulm në Indi që vrau 26 turistë shkaktoi krizën më serioze ndër vite, me goditje ndërkufitare dhe mbi 50 të vdekur përgjatë vijës së kontrollit në Kashmir, përpara se të shpallej një armëpushim.
Rritja e shpejtë ekonomike e Indisë po zgjeron hendekun në fuqinë ushtarake konvencionale. Me një të pestën e popullsisë botërore mes tyre, ruajtja e paqes në vitin 2026 është jashtëzakonisht e rëndësishme. Dy faktorë do ta bëjnë këtë më të vështirë: Amerika, e cila shpesh ndërmjetëson mes dy vendeve, ka ftohur marrëdhëniet me Indinë për shkak të një lufte tarifore. Dhe në përplasjen e fundit, India dhe Pakistani treguan më pak përmbajtje sesa në të kaluarën.
Rusia kundër Ukrainës
Humbjet e Rusisë tani vlerësohen të jenë më të mëdha se ato të Shteteve të Bashkuara në Luftën e Dytë Botërore. Forcat e saj kanë pushtuar vetëm 1.3% territor shtesë të Ukrainës që nga dhjetori 2022. Kjo matematikë e konsumimit sugjeron se viti 2026 do të sjellë ose përparim tejet të ngadaltë, ose një konflikt të ngrirë nga rraskapitja, ose një lloj marrëveshjeje. Por janë të mundshme edhe dy skenarë të tjerë: një kolaps i frontit ose politik i Ukrainës, i ndihmuar nga sabotimi i Kremlinit; ose një thyerje e ekonomisë ruse, nëse sulmet ajrore paralizojnë industrinë e saj të naftës. Secili prej këtyre skenarëve do të kishte pasoja masive për Europën dhe botën.
Izraeli kundër Hamasit
A do të zgjasë armëpushimi i brishtë?
Gaza është në gërmadha, me dhjetëra mijëra të vdekur. Forcat izraelite ende kontrollojnë gjysmën e territorit dhe Hamasi nuk është çarmatosur. Sado e tmerrshme që do të ishte, një rifillim i luftës nuk është i paimagjinueshëm. Të dyja palët tashmë e kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkeljen e armëpushimit më të fundit, të negociuar në tetor. Por nëse Trump mbetet i angazhuar në planin e tij të paqes dhe palët bashkëpunojnë, ka edhe shpresë. Nëse materializohet një forcë ndërkombëtare paqeruajtëse, rindërtimi mund të nisë më në fund në shkallë të gjerë.
Një burrë në Gaza mban një thes me ushqime
Gazanët e zhvendosur do të mund të kthehen në atë që ka mbetur nga shtëpitë e tyre. Për momentin, megjithatë, rezultati më i mundshëm është ai i njohur: një territor i ndarë, palestinezë që vuajnë dhe një pauzë e dhunës që zgjat — derisa të mos zgjasë më.
Kongo kundër Ruandës
Tensione dekadash mbi padrejtësi etnike dhe pasuritë minerare të Kongos lindore kërcënojnë të shpërthejnë në luftë të hapur. Nën diktatorin Paul Kagame, Ruanda në vitin 2025 armatosi, furnizoi dhe drejtoi rebelët e M23, të cilët pushtuan Goman, një qytet i madh në Republikën Demokratike të Kongos, dhe për më tepër dërgoi edhe trupat e saj.
Zonat e operimit të M23 në Kongo janë, përmes ndërmjetësimit, afërsisht dyfish i territorit të Ruandës, dhe një marrëveshje e brishtë e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë mes zotit Kagame dhe Félix Tshisekedi, presidentit të Kongos, nuk i përfshinte ata.
Trupat ugandeze gjithashtu kanë shtuar aktivitetin në Kongo — duke vepruar si “partnerë sigurie” të qeverisë së dobët kongoleze — sepse shqetësohen për M23, të cilët luftojnë aleatët e tyre lokalë. Ari është pjesë e joshjes. Ruanda, e cila ka pak rezerva vendase, është bërë në mënyrë misterioze një eksportuese e madhe. Në lojë janë gjithashtu nafta, gazi dhe minerale si kobalti, thelbësor për prodhimin e baterive.
Sudani
Forcat e Armatosura Sudaneze (SAF) dhe Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) mbeten të përfshira në një luftë të ashpër. RSF kontrollon pjesën më të madhe të Darfurit dhe Sudanisë perëndimore, ndërsa SAF mban kryeqytetin dhe rajonet lindore. Miliona civilë janë në arrati dhe shumë prej tyre po vdesin nga uria. Konflikti — dhe kriza më e madhe humanitare në Afrikë — ka gjasa të vazhdojë, i ushqyer nga mbështetja e Egjiptit për SAF-in, Emirateve të Bashkuara Arabe për RSF-në dhe fuqive të tjera rajonale (EBA mohon përfshirjen).
Megjithatë, nëse mbështetësit e dy palëve shohin arsye për kompromis, një marrëveshje mund të jetë e mundur — dhe potencialisht shumë fitimprurëse. Për një ndërmjetës ambicioz si Donald Trump, Sudani ofron si pasuri (ar, naftë dhe një vijë bregdetare strategjike), ashtu edhe mundësinë për t’i dhënë fund asaj që mund të jetë konflikti aktiv më vdekjeprurës në botë.
Venezuela
Në fokusin e saj të rinovuar mbi sigurinë në “hemisferën tonë”, administrata Trump ka grumbulluar forca përballë Venezuelës, ka zgjeruar stërvitjet ushtarake dhe ka goditur varka të vogla që pretendon se kontrabandojnë drogë. Qëllimi përfundimtar mund të jetë përshpejtimi i fundit të regjimit të Nicolás Maduro-s, edhe pse nuk është e qartë se sa forcë është e gatshme të përdorë Amerika.
Sulmet ajrore janë më të mundshme sesa një pushtim amfib. Trump mund të dërgojë madje edhe forca speciale nëse sheh një mundësi për të kapur ose vrarë zotin Maduro. Presidenti i Venezuelës nuk ka mungesë armiqsh. Ai ka përshkallëzuar së fundmi pretendimin shekullor të Venezuelës mbi dy të tretat e territorit të Guajanës fqinje — rajonin Essequibo, të pasur me naftë. Pavarësisht urdhrave të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të mos e bërë këtë, Venezuela mbajti zgjedhje të paligjshme për guvernator në maj 2025 për “Guajanën Esequiba”, duke zgjedhur administratorë për territore që nuk i kontrollon.
Por çdo lëvizje e Venezuelës ndaj Guajanës do të shkaktonte me siguri një përballje me Shtetet e Bashkuara.
Nga Gazeta ‘Si’- Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka ulur ndjeshëm tarifat e propozuara për importet e makaronave italiane, të cilat do të kishin rritur gati dyfish çmimet e shumë markave për konsumatorët amerikanë.
Donald Trump kishte kërcënuar të vendoste tarifa deri në 92% mbi kompanitë italiane të makaronave, pas akuzave se 13 prodhues, përfshirë Barilla, La Molisana dhe Pastificio Lucio Garofalo, po shisnin produktet e tyre në tregun amerikan me çmime “tejet të ulëta dhe joproporcionale”.
Italia eksporton vlerë rreth 770 milionë dollarë në vit në SHBA, që përbën rreth 16% të gjithë pastave të importuara atje.
Të enjten, qeveria italiane njoftoi se Departamenti Amerikan i Tregtisë (DoC) kishte rishqyrtuar tarifat e propozuara dhe i kishte ulur ato në një shkallë nga 2% deri në 14%.
Këto tarifa do të shtohen mbi një tarifë ekzistuese prej 15% që Trump ka vendosur për shumicën e mallrave të importuara nga Bashkimi Europian. Megjithatë, DoC njoftoi se s’ka marrë akoma një vendim përfundimtar mbi nivelin e tarifave që do të vendosen për këta prodhues të makaronave dhe se vendimi final pritet të shpallet më 12 mars.
Departamenti tha se një analizë paraprake, publikuar më herët gjatë javës, tregonte se prodhuesit italianë kishin “adresuar shumë nga pyetjet e Departamentit”, çka shpjegon edhe uljen e tarifave. Vendimi final do të bëhet publik me përfundimin e shqyrtimit në mars.
Shtetet e Bashkuara thanë se 13 kompanitë e synuara përbëjnë rreth 16% të importeve italiane të pastës në SHBA. Coldiretti, shoqata kryesore e agribiznesit në Itali, kishte paralajmëruar më parë se tarifat e planifikuara do të ishin një “goditje fatale” për industrinë italiane të makaronave.
Komisioni Europian gjithashtu kishte deklaruar se do të ndërhynte në mos-zhvillim të situatës nëse do të ishte e nevojshme.
Ministria e Jashtme e Italisë njoftoi se rishikimi paraprak tregonte se tarifa për La Molisana do të reduktohej në 2.26%, ndërsa tarifa për Garofalo do të ishte rreth 14%. Ndërsa 11 prodhuesit e tjerë do të përballeshin me tarifa prej rreth 9.09%.
“Rikalkulimi i tarifave është një shenjë që autoritetet amerikane njohin dëshirën tonë konstruktive për bashkëpunim,” tha ministria në një deklaratë.
Ky ndryshim i qëndrimit ndaj tarifave të pastës erdhi një ditë pasi administrata amerikane njoftoi se po shtonin me një vit rritjen e tarifave për mobiljet e tapiceruara, dollapët e kuzhinës dhe elemente të tjerë shtëpiakë. Importet e këtyre sendeve ishin planifikuar të shkonin nga 25% në 50% që nga 1 janari, por tani është vendosur një shtyrje.
Shtëpia e Bardhë tha se SHBA vazhdon të jetë e angazhuar në negociata produktive me partnerët tregtarë./ The Guardian
Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump, ka paralajmëruar Iranin se SHBA-të do të ndërhyjnë në rast se autoritetet iraniane përdorin dhunë vdekjeprurëse ndaj protestuesve paqësorë.
Në një deklaratë publike të shpërndarë përmes rrjetit të tij social, Trump tha se nëse Irani “qëllon dhe vret në mënyrë të dhunshme protestues paqësorë”, Shtetet e Bashkuara do të “vijnë në ndihmë të tyre”.
Ai shtoi se SHBA-të janë “të gatshme dhe të përgatitura për veprim”, duke përdorur shprehjen: “We are locked and loaded and ready to go” (jemi të karikuar dhe gati për të vepruar).
Deklarata e presidentit amerikan vjen në një klimë tensionesh të larta, ndërsa në Iran janë raportuar protesta dhe përplasje mes qytetarëve dhe forcave të sigurisë. Trump e cilësoi përdorimin e dhunës ndaj protestuesve si një praktikë të zakonshme të regjimit iranian, duke rritur më tej retorikën e ashpër mes dy vendeve.
Mesazhi i publikuar përforcon qëndrimin e administratës amerikane ndaj Teheranit dhe sinjalizon se Washingtoni është i gatshëm të reagojë nëse situata përshkallëzohet. Megjithatë, deklarata nuk përmban detaje konkrete mbi formën apo shkallën e një ndërhyrjeje të mundshme.
Reagimi i Iranit ndaj paralajmërimit të presidentit amerikan mbetet ende i paqartë, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek nga afër zhvillimet, mes shqetësimeve për një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve në rajon.
Nga Gazeta ‘Si’- Është ora një e mëngjesit, herët të shtunën, në një klub nate. Muzika, dritat, njerëzit.
Ky është momenti kur festa merr vërtet hov dhe kontrolli del nga dora — ose të paktën, kështu duhet të jetë. Por rruga për të ardhur deri këtu ka qenë gjithçka tjetër veçse spontane.
Së pari, bileta e hyrjes: mesatarisht nga 20 deri në 30 dollarë, dhe duhet ta blesh disa ditë përpara, në rast se shiten të gjitha ose rritet çmimi.
Pastaj, duhet të krijosh një grup në WhatsApp për ata që janë të përkushtuar.
Dhe në fund, të përballesh me pritjen te dera, me përgjumjen dhe me të ftohtin, vetëm që të arrish të futesh brenda. Më në fund, në pistën e vallëzimit, është koha të lëvizësh, të presësh që të vendosin këngën që ndez atmosferën. Një pije, dy pije — por gjërat nuk shpërthejnë kurrë tamam. Dhe pashmangshmërisht, i bën vetes pyetjen:
“Çfarë po bëjmë këtu deri në pesë të mëngjesit? O Zot! Dua të shkoj në shtëpi dhe të dëgjoj muzikën time me shokët.”
Të paktën, kështu i ndodhte Nicolás A.-së, një student dhe muzikant 22-vjeçar, sa herë që shkonte në klub.
“Paguan hyrjen dhe kur vjen dita, as nuk ke qejf,” shpjegon ai. “Në rrethet tona, nuk na pëlqen të jemi kaq të lidhur, apo të shpenzojmë gjithë paratë për një natë të vetme. Ndihesh i mbytur dhe sikur je i detyruar ta kalosh natën në një mënyrë të caktuar. Mendoj se sot na pëlqen të kemi mundësinë të vendosim vetë se çfarë vallëzojmë dhe çfarë bëjmë. Kjo i bën netët shumë më argëtuese.”
Nicolás, i cili e arriti moshën e klubeve gjatë izolimeve të Covid-19, është i ngjashëm me shumë të rinj të brezit Z,(12-27 vjeçarët) të cilët po gjejnë alternativa të tjera ndaj një industrie nate që duket gjithnjë e më e shtrenjtë, e njëtrajtshme dhe e ngurtë.
Raporti më i fundit i Federatës Kombëtare të Sipërmarrësve të Argëtimit dhe Kohës së Lirë në Spanjë parashikon një rënie prej 2.6% të të ardhurave për sezonin 2024–2025, çka shumëkush ia atribuon përfundimit të nevojës post-pandemike për të dalë, inflacionit dhe rritjes së çmimeve. Në këtë panoramë, zgjidhja më e zakonshme duket se është festa në shtëpi — një traditë po aq e vjetër sa edhe vetë pirja e alkoolit.
Çdo brez ka versionin e vet të festës në shtëpi. Sipas një ankete të vitit 2024 nga kompania e analizës së trendeve Ypulse, 63% e të rinjve europianë preferojnë të organizojnë mbledhje në shtëpi sesa të shkojnë në klub.
Festat në shtëpi nuk janë asgjë e re: të rinjtë janë takuar në shtëpi për dekada të tëra.
Festat në shtëpi, ose “house sessions” — në rastin e eventeve me DJ — mund të variojnë shumë, nga takime më të qeta deri te festat më të shfrenuara, në stilin e Euphoria.
Çelësi është rimarrja e kontrollit mbi shpenzimet dhe mënyrën se si ia del mbanë gjatë një krize të kostos së jetesës, për të mos përmendur perspektivat e punësimit që po bëhen gjithnjë e më të pasigurta.
Shembulli më spektakolar i rëndësisë së festës në shtëpi vjen nga Bad Bunny, artisti më i dëgjuar në botë këtë vit në Spotify dhe, me shumë gjasë, i pranishëm në një numër të madh festash të tilla anembanë globit. Për rezidencën e tij në Porto Riko, artisti ndërtoi një shtëpi mbi skenë, ku vallëzonte dhe festonte me të ftuar si Austin Butler, LeBron James dhe Penélope Cruz.
“La Casita” është kthyer në simbol të rikthimit të tij te rrënjët dhe tani, artisti planifikon ta marrë me vete në turneun e tij përreth botës. Por larg suksesit dërrmues të turneut Debí Tirar Más Fotos, festat në shtëpi lidhen me zhvillimin e hapësirave kulturore alternative. Sidomos për DJ-të, ato përfaqësojnë një katalizator thelbësor.
Sipas një ankete të fundit të publikuar nga Alpha Theta, një kompani pajisjesh audio, një e treta e Gen Z thonë se seti më i mirë i një DJ-je që kanë dëgjuar ndonjëherë ka ndodhur në një shtëpi, dhe pothuajse gjysma mendojnë se ky është vendi më i mirë për të zbuluar muzikë të re pa nxitim.
Nga të gjitha vendet e përfshira në anketë, Spanja kishte përqindjen më të lartë të DJ-ve (28%) që thonë se e kanë nisur karrierën e tyre në festa shtëpie.
Njëri prej tyre është IceSplinter, 26 vjeç, i cili lëviz mes ambienteve profesionale dhe shtëpive.
“Ajo që ndodh aty nuk ka asnjë lidhje me klubet, ku ka shumë më tepër kufizime. Në shtëpi, publiku është shumë më pjesëmarrës dhe si DJ mund të rrezikosh më shumë. Shpik diçka ndryshe në çdo event,” shpjegon ai. Ai është gjithashtu i bindur se muzika ka fuqinë të shkojë përtej festës dhe të krijojë përvoja më të thella. “[Festat në shtëpi] janë një strehë për të kanalizuar atë që jemi. Çdo grup shkarkohet në një mënyrë të ndryshme dhe këto përvoja nuk kanë të bëjnë vetëm me dëgjimin dhe vallëzimin, por gjenerojnë më shumë biseda,” shton ai.
Adoleshentët në një festë në një apartament në Beck Street në New York City, gjatë verës së vitit 1983.
Një flluskë brezash
Përtej muzikës, festat në shtëpi thyejnë disa dinamika që duket se e kanë mbytur jetën tradicionale të natës.
“Shumë njerëz as nuk dinë si të dalin, si të pinë apo si të sillen, gjë që e sheh në mega-klube. Del jashtë për të pirë një cigare dhe të bezdisin të gjithë. Nuk e kuptojnë ku është kufiri mes shoqërimit dhe ndërhyrjes,” thotë Camprubí. Por ajo paralajmëron edhe për rreziqet e flluskave të festave në shtëpi.
“Jeta e natës ‘mainstream’ ka qenë gjithmonë një gropë pa fund për të humbur para dhe për të pasur përvoja jo edhe aq të këndshme. Por ekziston rreziku i krijimit të ambienteve endogamike. Kur del jashtë, detyrohesh të ndërveprosh me realitete, ambiente dhe lloje të tjera muzike, dhe kjo na ushqen si njerëz. Eventet në shtëpi duhet të jenë të hapura për miqtë e miqve dhe për njerëz që nuk janë pjesë e jetës sonë të përditshme,” thotë ajo.
Ky lloj takimi me të panjohur, thotë Juan Carlos Usó, autor i librit Historia del ocio nocturno en España (Historia e jetës së natës në Spanjë; El Desvelo, 2025), njihet si “shkolla e rrjedhshmërisë sociale”, sipas mësuesit të tij Antonio Escohotado.
Kjo “shkollë”, shpjegon ai, më parë ndodhej vetëm në klube nate, deri sa marketingu i shndërroi ato në një “imponim të argëtimit të homogjenizuar”. Tani, rrjetet sociale e kanë marrë këtë rol — nuk ke më nevojë të dalësh për të festuar që të njohësh njerëz të rinj apo të flirtosh — dhe bashkë me të kanë marrë edhe një pjesë të madhe të funksionit të klubeve.
Edhe pse pasiguria ekonomike është një nga arsyet kryesore të rritjes së festave në shtëpi, Usó thotë se nuk është e vetmja. Rrjetet sociale lejojnë gjithashtu përhapjen e mënyrave të ndryshme të festimit. Dhe një shtëpi është një ambient ideal për shumë prej tyre.
Ka po aq lloje festash në shtëpi: ditën ose natën, me ose pa DJ, me listë të rreptë të ftuarish ose me ftesë të hapur, me ose pa kod veshjeje dhe — ndoshta më e rëndësishmja — me ose pa alkool. Sepse sot, rezulton se pirja nuk është më kusht për të festuar.
Nga Gazeta “SI”- Ditët e para të janarit shpesh shoqërohen me stres: detyra të mbetura nga fundi i vitit, qëllime të reja për vitin e ri dhe presion për një fillim të shkëlqyer. Ekspertët sugjerojnë disa strategji të thjeshta, të mbështetura nga studimet shkencore, për të përballuar këto ditë më qetësisht.
Organizimi i ditës dhe menaxhimi i kohës
Vendosja e prioriteteve dhe ndarja e detyrave në hapa të vogla ndihmon në reduktimin e stresit. Burime si American Psychological Association rekomandojnë fokusimin vetëm tek disa gjëra kryesore dhe shmangien e mbingarkesës.
Aktiviteti fizik
Studimet tregojnë se aktiviteti fizik ul nivelet e kortizolit, hormoni i stresit, dhe rrit endorfinat, duke përmirësuar mirëqenien. Shëtitjet, vrapi, joga apo sportet e lehta janë mënyra të thjeshta për të lehtësuar tensionin e ditëve të para të vitit.
Gjumi i mjaftueshëm
Gjumi i mirë është themelor për përballimin e stresit. Hulumtimet tregojnë se mungesa e gjumit rrit nervozizmin dhe ul aftësinë për t’u rikuperuar nga ngarkesa psikologjike. Rekomandohet të flemë 7–8 orë natën dhe të mbajmë një rutinë të rregullt gjumi.
Teknikat e menaxhimit të stresit
Meditimi, frymëmarrja e thellë dhe journaling (shkrimi i ndjenjave dhe mendimeve) janë metoda të provuara për të ulur stresin dhe për të përmirësuar fokusin. Studimet shkencore tregojnë se këto praktika reduktojnë simptomat e ankthit dhe përmirësojnë gjumin.
Kontrolli i pritshmërive
Nuk është e nevojshme që fillimi i vitit të jetë perfekt. Vendosja e qëllimeve të vogla dhe të realizueshme ndihmon në uljen e presionit dhe rrit shanset për sukses afatgjatë.
Ekspertët theksojnë se kombinimi i këtyre strategjive është më efektiv. Organizimi i ditës, aktiviteti fizik, gjumi i mirë dhe teknikat e menaxhimit të stresit mund të ndihmojnë çdo person të nisë vitin e ri me më pak tension dhe më shumë qetësi.
Nga Gazeta ‘Si’- Vitin e kaluar, POLITICO zgjodhi të shikonte përpara me një dozë optimizmi, duke renditur disa arsye – pjesërisht serioze, pjesërisht ironike – pse 2025 mund të sillte zhvillime pozitive.
Disa prej atyre parashikimeve rezultuan të qëlluara, të tjera jo. Donald Trump arriti (ose të paktën pretendoi se arriti) t’i japë fund luftës në Gaza, por konflikti në Ukrainë vazhdon të mbetet një plagë e hapur në zemër të Europës.
Në vend të parashikimeve të zakonshme, këtë herë qasja është më cinike, por ndoshta edhe më realiste: po ofrohen “koeficientë bastesh” për skenarët e vitit 2026.
Jo sepse politika duhet trajtuar si lojë fati, por sepse në këtë epokë kaotike, probabiliteti shpesh është mjeti i vetëm për të matur të ardhmen. Nga mbijetesa politike e Viktor Orbánit dhe Benjamin Netanyahut, te rreziku i një krize financiare globale dhe përplasjet e reja në Uashington, panorama globale mbetet thellësisht e paqëndrueshme.
A do të vinte autori pagën e tij mujore në bast për ndonjërin prej këtyre skenarëve? Përgjigjja është e prerë: jo. Mjafton shembulli i Harry Kakavas, një nga agjentët më të suksesshëm të pasurive të paluajtshme në Australi, i cili ndërtoi një perandori financiare vetëm për ta humbur gjithçka në tavolinat e Baccarat-it.
Dhe politika, sot, është më e paparashikueshme se kurrë – veçanërisht me Donald Trumpin sërish në Shtëpinë e Bardhë. Pas një fillimi të stuhishëm të mandatit të dytë, viti 2026 pritet të jetë një test i vërtetë për rendin global.
Trump dhe lufta në Ukrainë: marrëveshje apo iluzion?
Koeficienti: 4/1
Pavarësisht retorikës perëndimore për sanksione shkatërruese dhe izolim ekonomik, Vladimir Putin duket i patundur. Lufta vazhdon me kosto të mëdha njerëzore, ndërsa shoqëria ruse përballet me pasoja gjithnjë e më të dukshme ekonomike. Megjithatë, Kremlini vazhdon të këmbëngulë në kërkesat e tij maksimale.
Në anën tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka pak hapësirë për kompromis. Çdo lëshim i madh territorial apo politik do të rrezikonte jo vetëm mbështetjen publike, por edhe stabilitetin e vetë shtetit ukrainas.
Donald Trump, megjithatë, vazhdon të besojë se një marrëveshje është e mundur. Pas takimeve dhe kontakteve të tij me Putinin, ai ka shprehur bindjen se lideri rus “dëshiron të bëjë një marrëveshje” – edhe pse shpesh duket i kapur mes vetëbesimit dhe dyshimit se mund të jetë duke u manipuluar.
Problemi është se për Putinin, zgjatja e luftës mund të jetë më e leverdishme sesa përfundimi i saj. Ajo lodh Europën financiarisht, rrit tensionet brenda NATO-s dhe shpërqendron Perëndimin nga Kina dhe Tajvani.
Por kjo strategji ka kufijtë e saj: ekonomia ruse po përballet me norma të larta interesi, mungesë fuqie punëtore dhe borxhe në rritje. As status quo-ja nuk mund të zgjasë pafundësisht.
Kur tregjet e bonove humbasin durimin
Koeficienti: 5/1
James Carville, strategu legjendar i Bill Clintonit, dikur tha se po të kishte mundësi të rilindte, do të donte të ishte tregu i bonove, sepse “mund të frikësosh këdo”. Ky citim tingëllon më aktual se kurrë.
Borxhi publik në rritje – nga Japonia te Franca, Britania dhe Shtetet e Bashkuara – ka mbajtur kostot e huamarrjes në nivele rekord. Investitorët po tregohen gjithnjë e më skeptikë për aftësinë e qeverive për të mbajtur financat nën kontroll. Dhe qeveritë, nga ana e tyre, po shmangin vendime politikisht të dhimbshme si rritja e taksave apo shkurtimi i shpenzimeve.
Historia tregon se krizat financiare dhe ato politike ecin paralelisht, duke ushqyer njëra-tjetrën. Nëse tregjet vendosin se borxhi publik është bërë i paqëndrueshëm, pasojat politike mund të jenë po aq dramatike sa ato ekonomike.
Netanyahu, magjistari i mbijetesës politik
Koeficienti: 3/1
Benjamin Netanyahu nuk e ka fituar pa arsye nofkën “Magjistari”. Sa herë që karriera e tij është dukur e përfunduar, ai ka gjetur një mënyrë për t’u rikthyer. Edhe pas dështimit të rëndë të 7 tetorit, që u konsiderua si një nga goditjet më të mëdha ndaj sigurisë së Izraelit, pozitat e tij politike janë përmirësuar gradualisht.
Zgjedhjet parlamentare duhet të mbahen deri në tetor 2026, por Netanyahu mund të preferojë t’i përshpejtojë ato. As koalicioni i tij dhe as opozita nuk kanë shumicë të qartë, duke e bërë skenën politike izraelite thellësisht të fragmentuar. Në këtë kaos, aftësia e Netanyahut për të mbijetuar politikisht nuk duhet nënvlerësuar.
Orbán dhe testi më i vështirë i pushtetit
Koeficienti: 2/1
Viktor Orbán ka fituar tri zgjedhjet e fundit dhe mbetet favorit edhe përballë lodhjes së elektoratit, inflacionit dhe skandaleve politike. Kundërshtari i tij kryesor, Péter Magyar, po përfiton nga pakënaqësia publike, por një pjesë e madhe e votuesve hungarezë janë ende të pavendosur.
Orbán pritet të luajë sërish kartën e zakonshme: luftërat kulturore, euroskepticizmi dhe frika nga përfshirja në luftën e Ukrainës. Dhe, siç ka ndodhur edhe më parë, kjo strategji mund t’i sjellë një tjetër fitore.
Kriza e bankave hije: paralajmërimi i radhës
Koeficienti: 3/1
Bankat hije dhe tregjet private të kreditimit kontrollojnë tashmë një pjesë kolosale të sistemit financiar global. Paralajmërimet për një krizë të mundshme po shtohen, ndërsa qeveritë kanë shumë më pak hapësirë për ndërhyrje sesa në vitin 2008.
Nëse kjo flluskë shpërthen, pasojat do të jenë globale – dhe shumë më të vështira për t’u menaxhuar në një klimë populizmi dhe mosbesimi ndaj institucioneve.
SHBA: betejë e ashpër mes demokratëve dhe republikanëve
Republikanët do ta kenë të vështirë të ruajnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet afatmesme. Historia është kundër tyre. Senati, megjithatë, mbetet një terren më i sigurt për GOP-in.
Një fitore demokrate do të kërkonte një valë të fortë anti-Trump – e pamundur, por jo e pamendueshme në një Amerikë gjithnjë e më të polarizuar.
Mjetet e inteligjencës artificiale (IA) për të përmirësuar shëndetin e njerëzve fituan terren në vitin 2025, duke premtuar të personalizojnë kujdesin mjekësor, të përshpejtojnë diagnozat, të ndihmojnë në zbulimin e ilaçeve të reja dhe më shumë.
Finlanda, për shembull, po përdor IA-në për të trajnuar punonjësit e shëndetësisë, ndërsa Estonia po e aplikon atë në analizën e të dhënave mjekësore dhe Spanja po përdor IA-në për zbulimin e sëmundjeve.
Megjithatë, hulumtimet tregojnë se IA nuk duhet të zëvendësojë profesionistët mjekësorë së shpejti: Mjekët ende e tejkalojnë IA-në në mjediset e emergjencës, dhe chatbot-et e IA-së kanë vështirësi në adresimin e problemeve të shëndetit mendor dhe rrezikojnë të përhapin dezinformata mjekësore.
Ekzistojnë gjithashtu shqetësime të mëdha për sigurinë, me ekspertë të teknologjisë dhe kundër-terrorizmit që paralajmërojnë se ekstremistët mund të përvetësojnë mjetet e IA-së për të krijuar armë biologjike të afta të shkaktojnë një pandemi.
Megjithatë, inteligjenca artificiale po gjen gjithnjë e më shumë rrugën e saj në fushën mjekësore. Ja pesë mënyra se si ajo ka ndryshuar shëndetin dhe mirëqenien e europianëve këtë vit.
1. Parashikimi i rreziqeve shëndetësore
Shkencëtarët zhvilluan një model të IA-së që mund të parashikojë më shumë se 1,000 gjendje mjekësore, duke përfshirë lloje të caktuara kanceri, ataqe në zemër dhe diabet, më shumë se një dekadë para se dikush të diagnostikohet zyrtarisht.
Ndërsa nuk është ende gati për t’u përdorur në zyrat e mjekëve, mjeti mund t’i ndihmojë studiuesit të kuptojnë se si zhvillohen sëmundjet me kalimin e kohës.
Ndërkohë, mjete të tjera të IA-së u lancuan këtë vit për të parashikuar nëse mutacionet e rralla gjenetike do të cojnë në sëmundje, për të parashikuar rreziqet e shëndetit të zemrës së grave duke analizuar mamografitë e tyre dhe për të përdorur skanime mjekësore rutinë për të identifikuar biomarkuesit e stresit kronik.
2. Përshpejtimi i diagnozës së sëmundjeve
Në një rast të parë europian, një asistent i IA-së i quajtur Prof. Valmed u certifikua këtë vit për të ndihmuar mjekët me diagnozën dhe trajtimin, i ndihmuar nga një mori të dhënash mjekësore të pacientëve.
Mjete të tjera diagnostikuese janë gjithashtu në horizont. Në Mbretërinë e Bashkuar, për shembull, studiuesit thanë se një stetoskop i mundësuar nga IA mund të zbulojë gjendjet e zemrës në vetëm 15 sekonda.
Stetoskopi ishte disi shumë i ndjeshëm, duke pasur parasysh se testimet e mëtejshme përjashtuan dështimin e zemrës për rreth dy të tretat e pacientëve të raportuar nga stetoskopi. Megjithatë, studiuesit thanë se mjeti gjeti gjithashtu probleme të vërteta të zemrës që përndryshe mund të mos zbuloheshin.
Gjithashtu në Mbretërinë e Bashkuar, mjekët po përdorin inteligjencën artificiale për t’u kursyer pacientëve javë pritjeje për një diagnozë të kancerit të prostatës.
Mjeti i inteligjencës artificiale analizon skanimet e imazherisë mjekësore dhe identifikon pacientët me rrezik të lartë për kancerin e prostatës, gjë që i dërgon ata në krye të radhës për t’u shqyrtuar nga një radiolog.
3. Monitorimi i pacientëve pas operacioneve
Një ekip kërkimor gjerman përdori inteligjencën artificiale për të automatizuar procesin e monitorimit të pacientëve të cilëve u janë implantuar stenta koronare në enët e gjakut të hapura që ishin bllokuar për shkak të sëmundjeve të zemrës. Zakonisht, ndjekja e procesit të shërimit kërkon shumë kohë dhe mund të çojë në ndërlikime të tjera.
Algoritmi i mundësuar nga inteligjenca artificiale përdor imazherinë e enëve të gjakut për të analizuar se sa mirë po shërohen pacientët dhe është në gjendje të dallojë shpejt midis modeleve të ndryshme të shërimit me një nivel të ngjashëm saktësie me klinicistët ekspertë. Studiuesit thanë se mjeti mund të ndihmojë në standardizimin e monitorimit të stentit dhe përmirësimin e shëndetit të zemrës.
4. Luftimi i rezistencës ndaj antibiotikëve
Shkencëtarët po përdorin inteligjencën artificiale për të luftuar superbakteret rezistente ndaj antibiotikëve, të cilat përbëjnë një kërcënim në rritje për shëndetin publik në të gjithë Europën.
Gjatë tre viteve të ardhshme, ata planifikojnë të zhvillojnë një model të IA-së për të hartuar dhe testuar trajtime të reja për bakteret rezistente ndaj ilaçeve, dhe do ta përdorin IA-në për të kuptuar më mirë se si sistemi imunitar i përgjigjet një lloji tjetër bakteri ndërsa kërkojnë një vaksinë efektive.
5. Çlirimi i mjekëve nga puna administrative
Zyrat e mjekëve dhe spitalet në të gjithë Europën po përdorin mjete të IA-së për t’i ndihmuar ata të menaxhojnë detyrat administrative, siç janë mbajtja e shënimeve dhe referimet. Qëllimi është t’u jepet mjekëve më shumë kohë me pacientët mes mungesës në rritje të punonjësve shëndetësorë dhe presioneve të mëdha mbi stafin.
Microsoft e bëri asistentin e saj klinik të IA-së të disponueshëm në Irlandë këtë vit, për shembull, ndërsa Tandem Health e Suedisë lançoi ‘recepsionistin’ e saj mjekësor të mundësuar nga IA në Spanjë, Gjermani, Mbretërinë e Bashkuar dhe Finlandë. Ajo gjithashtu operon në Holandë, Norvegji dhe Danimarkë.
Nga Gazeta ‘Si’- Policia e Shkodrës ka zbardhur vrasjen e 67- vjeçarit Hysni Ymeri në Shkodër, më 29 dhjetor, i cili sapo mbërriti në hyrjen e pallatit për t’u ngjitur në katin e katërt ku edhe banonte, një shpërthim i fuqishëm tritoli i mori jetën, në lagjen “Manush Alimani”.
Policia ka finalizuar operacionin policor të koduar “SHADOWS”, ku 4 persona janë vënë në pranga: Gerti Bushati, Ergys Ibrahimi, Edison Hasaj dhe Gjergji Zefi.
Sipas policisë, këta persona kundrejt pagesës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 29.12.2025, duke përdorur lëndë eksplozive e dyshuar me telekomandim në distancë, kanë shpërthyer panelin elektrik të pallatit ku banonte Hysni Ymeri.
Gjatë veprimeve të policisë janë sekuestruar 28 celularë, 1 automjet “Mercedes-Benz”, municion, lëndë narkotike dhe kokaine, pajisje GPS, kamera sigurie dhe rroba të përdorura nga autori i dyshuar.
Hetimet vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe sqarimin e motiveve.
Nga Gazeta ‘Si’- “Gjatë 24 orëve të fundit, rusët kanë nisur 737 sulme kundër 27 vendbanimeve në rajonin e Zaporizhzhisë”, njoftoi në Telegram kreu i OVA-së së Zaporizhzhisë, Ivan Fedorov, siç raportohet nga Ukrinform.
Dy persona u plagosën në sulmet armike në distriktet Zaporizhzhia dhe Polohiv të rajonit. Pesëdhjetë e katër persona u raportuan se kanë pësuar dëme në shtëpi, automjete dhe infrastrukturë.
Ndërkohë, mbrojtja ajrore ruse ka shkatërruar 64 dronë ukrainas mbrëmë, tha Ministria Ruse e Mbrojtjes, duke cituar TASS.
Njëzet dronë me krahë fiks u rrëzuan në rajonin e Saratovit, tha ministria.
Tetë dronë u shkatërruan në rajonet Voronezh dhe Saratov, shtatë në rajonin e Moskës, gjashtë në rajonet Ryazan dhe Rostov, tre në rajonin Tula, dy në rajonin Belgorod dhe nga një në rajonet Kursk, Penza, Kaluga dhe Tambov, shtoi ajo.