Normal view

Fuçia e barutit në kokën tonë: Si e formojnë stereotipet e vjetra vështrimin tonë ndaj Ballkanit - dhe pse kjo tregon më shumë për ne sesa për vetë rajonin

21 August 2026 at 16:55


Në këtë artikull, historiani austriak Ralf Grabuschnig shkruan se imazhi i Ballkanit si "fuçi baruti" nuk është një realitet natyror, por një stereotip perëndimor i formuar historikisht, i cili tregon më shumë për vetëperceptimin dhe projeksionet e Perëndimit sesa për shkaqet komplekse të dhunës në vetë Evropën Juglindore.

Ralf Grabuschnig

Kur në fillim të viteve 1990 shpërtheu lufta në ish-Jugosllavi, për shumë vëzhgues shpjegimi për këtë dhunë dukej i qartë: sërish Ballkani. Sërish fuçia e vjetër evropiane e barutit. Sërish shpërthimi i një urrejtjeje që gjoja gjëmon vazhdimisht nën sipërfaqe në këtë rajon. Kjo ishte një narrativë e rehatshme, e njohur - dhe e gabuar.

Mbi të gjitha: kjo narrativë ka traditë. Vetë termi "Ballkan" ka origjinë osmane. Në fakt, ai përshkruan një vargmal në Bullgarinë e sotme dhe në burimet osmane zakonisht përdorej pikërisht në këtë kontekst.

Që ky emër i një vargmali t'i vishej dikur gjithë gadishullit, i detyrohemi - jo krejt rastësisht - një gjeografi gjerman: August Zeune, i cili në vitin 1808 shkroi për herë të parë për "gadishullin ballkanik". Ai nuk ishte i vetmi evropian perëndimor që në këtë kthesë drejt shekullit XIX filloi të shkruante për Ballkanin.

Por çfarë saktësisht i përket Ballkanit dhe çfarë jo: kjo ishte e paqartë atëherë dhe mbetet e paqartë edhe sot. Si gadishull, kufijtë e rreptë gjeografikë janë të qartë vetëm në tri anë - perëndim, lindje dhe jug. Në veri, ndërkaq, kufijtë mbeten të paqartë deri sot. Përgjigjet për pyetjen se ku fillon "Ballkani" ndryshojnë ende shumë. Për ta kuptuar këtë paqartësi, mjafton të pyesësh njerëz në rrugët e Lubjanës, Zagrebit apo Budapestit. Ballkani fillon gjithmonë disa kilometra më tej.

Kjo paqartësi gjeografike nuk është rastësi. Ajo tregon diçka më themelore: Ballkani nuk është një rajon i përcaktuar qartë, por më shumë një ide. Një koncept. Dhe në fund të fundit: një ekran projeksioni.

Ky zhvillim vazhdoi së paku me përshkrimin e August Zeunes për "gadishullin". Që në shekullin XVIII, kur fuqia osmane në Evropë filloi ngadalë të dobësohej, rajoni u hap për udhëtarët perëndimorë. Fillimisht erdhën kryesisht tregtarë dhe diplomatë nga Perandoria Habsburgase dhe Venecia. Që nga fillimi i shekullit XIX, erdhën gjithnjë e më shumë udhëtarë të pasur, kryesisht nga Franca dhe Britania e Madhe, në kuadër të "Grand Tour"-it, të njohur atëherë nëpër Evropë.

Në Ballkan, ata kishin një destinacion të caktuar: Greqinë. "Djepin e qytetërimit evropian", siç e shihnin shumë prej tyre. Të rinjtë që udhëtonin donin të shkonin te Akropoli, në Delfi, te gjurmët e Athinës dhe Spartës.

Ajo që gjenin realisht atje, megjithatë, rrallë përputhej me pritshmëritë e tyre. Popullsia reale e Greqisë kishte pak të përbashkët me helenët e lashtë që kishin në mendje udhëtarët. Shkrimtari francez François-René de Chateaubriand madje u këshillonte turistëve të tjerë: "Mos e shihni kurrë Greqinë, zotëri, përveçse te Homeri. Kjo është mënyra më e mirë." (Maria Todorova: Imagining the Balkans, Oxford University Press, 1997, f. 94)

Ishte një qëndrim që më vonë do të shtrihej nga Greqia në të gjithë gadishullin ballkanik. Popullsia lokale përshkruhej në raportet perëndimore të udhëtimit të shekullit XIX si e prapambetur, arkaike dhe e paqytetëruar. Udhëtari anglez Harry de Windt e titulloi shkurt e shkoq një raport udhëtimi të vitit 1907 "Through Savage Europe" (Nëpër Evropën e egër), për të mos lënë asnjë dyshim në këtë drejtim.

Këto përshkrime, megjithatë, as atëherë nuk lindën në vakuum. Ato u shkruan nga njerëz prej dy perandorive më të mëdha koloniale të kohës: Britania e Madhe dhe Franca. Nga njerëz që ishin mësuar t'i shihnin pjesë të tjera të botës si të prapambetura dhe ta pranonin këtë prapambetje si justifikim për sundimin kolonial.

Kështu ishte tani edhe vështrimi ndaj Ballkanit, deri atëherë pak i njohur. Për shkak të pozicionimit të tij brenda Evropës, ai nuk mund të përshtatej si një "tjetër" krejtësisht i huaj, por u bë një lloj "tjetri brenda vetes". Jo krejtësisht oriental, por edhe jo vërtet evropian. Një hapësirë e ndërmjetme. Një zonë kufitare.

Historianja bullgare Maria Todorova e ka quajtur këtë fenomen "ballkanizëm", duke iu referuar konceptit të famshëm të orientalizmit të Edward Saidit. Ashtu si në rastin e Orientit, argumenton Todorova, edhe paraqitja e stereotipizuar e Ballkanit shërbente kryesisht për një qëllim: vetëpërkufizimin pozitiv të Perëndimit.

Duke e përshkruar Ballkanin si të egër, të dhunshëm dhe irracional, Perëndimi mund ta shihte veten si e kundërta e saktë: e ndriçuar, moderne, racionale dhe paqësore.

Deri në fund të shekullit XIX, ky perceptim i Ballkanit fitoi një përcaktim domethënës që mbetet edhe sot: "fuçi baruti". Përshkrimet që e paraqisnin rajonin si të rrezikshëm dhe shpërthyes filluan të shtoheshin nga vitet 1870: në kohën e Kongresit të Berlinit dhe të ndezjes së "çështjes maqedonase". Ideja e Ballkanit si "fitil në fuçinë e barutit evropian" (vetë rajoni shndërrohet në fuçi baruti më vonë) u vendos përfundimisht me Luftërat Ballkanike të viteve 1912/13 dhe shpërthimin e mëpasshëm të Luftës së Parë Botërore.

"Serbia është edhe sot fitili më i nxehtë i fuçisë evropiane të barutit. Nëse duam të parandalojmë një shpërthim, zjarri duhet të shuhet shpejt dhe me dorë të fortë", shkroi për shembull gazeta vjeneze “Neuigkeits-Welt-Blatt” në korrik të vitit 1914 - vetëm disa ditë para fillimit të luftës.

Në atë kohë, deklarata të tilla nuk ishin më raste të izoluara. Lidhja mes "Ballkanit" dhe "dhunës" ishte tashmë fort e ngulitur në kujtesën kolektive të Perëndimit që në fillim të shekullit XX - dhe atje do të mbetej.

Kështu, ky imazh i Ballkanit mbetet i pranishëm deri sot dhe pothuajse nuk ka ndryshuar gjatë njëqind viteve të fundit. Përgjatë shekullit XX, metafora e fuçisë së barutit thjesht u ringjall sërish e sërish. Në kontekstin e Luftës së Ftohtë dhe, natyrisht, edhe në vitet 1990.

"Tani që komunizmi ka rënë, po qarkullojnë mbi Ballkanin emocione që kanë humbur funksionin e tyre legjitim", shkroi gazetari amerikan Robert Kaplan në vitin 1993, në librin e tij të suksesshëm “Balkan Ghosts” (Fantazmat e Ballkanit).

Libri arriti sukses ndërkombëtar pikërisht në mes të luftës në Jugosllavi dhe formësoi perceptimin e një brezi të tërë vendimmarrësish politikë, diplomatikë dhe ushtarakë. Kaplan skiconte një rajon pa përvojat formuese të Rilindjes (Renesansës) dhe Iluminizmit. Në vend të kësaj, rajoni ishte, sipas tij, i karakterizuar nga "urrejtja shekullore", e ngrirë nën sundimin osman e më pas komunist, e cila tani po dilte sërish në sipërfaqe me gjithë fuqinë e saj.

Kjo ishte një përsëritje e narrativës së vjetër për Ballkanin e dhunshëm dhe pati pasoja krejt reale edhe në vitet 1990. Bill dhe Hillary Clinton e kishin lexuar librin e Kaplanit, ashtu si edhe anëtarë të shumtë të komunitetit ndërkombëtar diplomatik. Dhe ideja se luftërat jugosllave ishin thjesht një shpërthim i një urrejtje ballkanike, të lashtë dhe irracionale, kontribuoi gjithashtu në faktin që Perëndimi ngurroi kaq gjatë të ndërhynte më vendosmërisht.

Ndërsa në Washington dhe Bruksel, në fillim të viteve 1990, po debatohej, Sarajeva mbeti e rrethuar për më shumë se tre vjet. Në vitin 1995, në Srebrenicë u vranë mbi 8000 njerëz.

Narrativa e rehatshme e "urrejtjes së lashtë" fshihte atë që në të vërtetë kishte ndodhur në Jugosllavi. Shpërbërja e dhunshme e këtij shteti pati sigurisht shumë shkaqe: kriza ekonomike, rënia e bllokut lindor, dështimi institucional dhe instrumentalizimi i qëllimshëm i narrativave nacionaliste nga elitat politike.

Të gjithë këta faktorë do të meritonin të diskutoheshin. Por fakti që në vend të kësaj u fol me zë të lartë për një urrejtje irracionale e të lashtë, e mbylli pamjen ndaj kompleksitetit real.

Aspekte të tilla si fakti që edhe në vitin 1985 - vetëm gjashtë vjet para fillimit të luftës - një përqindje jashtëzakonisht e lartë e të rinjve në Jugosllavi u identifikua në një sondazh për herë të parë kryesisht si "jugosllavë". Ose fakti që ende në vitin 1990, në pothuajse të gjitha qytetet e mëdha të vendit, kishte protesta të mëdha antiluftë. Ose fakti që shumë ushtarë, në javët dhe muajt e parë të luftërave, dezertuan ose refuzuan urdhrat.

Lufta nuk ishte ligj natyror. Ajo ishte një katastrofë e krijuar nga njerëzit, ashtu si të gjitha katastrofat e tilla, dhe mund të ishte parandaluar nga njerëzit.

Kjo është një e vërtetë që fshihet pas imazhit të rehatshëm dhe të thjeshtuar që Perëndimi ka për Ballkanin. Antropologia Tone Bringa e thotë shkurt e qartë: "Na vjen lehtë ta shohim ish-Jugosllavinë me një mendjemadhësi vetëkënaqëse. Por kjo histori mbart mësime për të gjitha shoqëritë. Sepse edhe gjetkë ekzistojnë rryma të fshehta të mosdurimit, racizmit dhe frikës nga 'tjetri'. Rryma që, kur nxiten nga të fuqishmit, mund të shndërrohen në dhunë, ose tolerohen nga shteti derisa lulëzojnë pa ndëshkim."

Këto rryma mund të bëhen të rrezikshme kudo, edhe "tek ne". Fuçia e barutit, siç duket, gjendet më pak në Ballkan e më shumë në kokat tona.

Ralf Grabuschnig është historian dhe krijues i mediave dixhitale. Në podkastin e tij "Deja-vu Geschichte" dhe në buletinin javor (newsletter) "Geschichtshappen", ai merret me rrënjët e së tashmes sonë. Ky shkrim bazohet në serialin e tij të podkastit "Ballkani si fuça e barutit". Teksti u botua në blogun e historisë të gazetës austriake “Standard”. Përktheu dhe redaktoi: E.R.

BeerFest Kosova 2026

21 August 2026 at 15:25


BeerFest Kosova 2026 rikthehet në Prishtinë nga 2 deri më 4 tetor, me një koncept të rifreskuar që bashkon birrën, gastronominë, muzikën dhe argëtimin në AMC Hall Parking.

Për tri ditë, festivali synon të krijojë një përvojë të plotë për vizitorët, me degustime, oferta gastronomike dhe një program muzikor me emra të njohur të skenës vendore. BeerFest Kosova rikthehet kështu si një hapësirë sociale dhe argëtuese për publikun mbi 18 vjeç.

Detajet

Data: 2–4 tetor 2026
Vendndodhja: AMC Hall Parking, Prishtinë
Mosha: 18+

Programi

Gjatë tri netëve të BeerFest Kosova 2026 do të performojnë një numër artistësh të njohur të skenës muzikore vendore.

Në mesin e emrave të paralajmëruar janë:

  • Capital T
  • Majk
  • Buta
  • Rina Balaj
  • Lluni
  • Shaolin Gang
  • Blerando
  • David Dreshaj
  • BB Poqi
  • Dafina Bytyqi
  • Melinda
  • Ya Nina

Programi do të shoqërohet me përvoja të ndryshme të degustimit, ushqim dhe aktivitete që plotësojnë atmosferën e festivalit.

Arsyet pse duhet të merrni pjesë

  • Për të përjetuar konceptin e rifreskuar të BeerFest Kosova.
  • Për të ndjekur performanca nga artistë të njohur gjatë tri netëve.
  • Për të eksploruar oferta të ndryshme të birrës dhe gastronomisë.
  • Për të kaluar një mbrëmje festive me miqtë në një ambient social.
  • Për të qenë pjesë e rikthimit të një prej festivaleve të njohura të këtij formati në Kosovë.

Informatat tjera për biletat dhe pjesëmarrjen

Biletat kushtojnë 10 euro dhe mund të blihen online përmes platformës Rave Travel.

BeerFest Kosova është event i dedikuar vetëm për personat mbi 18 vjeç.

Kontakt: 045 666 220
Email: info@eventure.tv
Instagram: BeerFest Kosova
Website: beerfestkosova.com

Autoritetet ruse lëshojnë fletëarrest për gazetarin gjerman pas pyetjes për luftën në Ukrainë

21 August 2026 at 15:23


Autoritetet në Rusi kanë lëshuar një fletëarrest kundër korrespondentit të gazetës gjermane "Frankfurter Allgemeine Zeitung" (FAZ) për Ballkanin, Michael Martens.

Siç u bë e ditur të enjten në faqen e Ministrisë së Brendshme ruse, gazetari kërkohet sipas një neni të Kodit Penal.

Sipas burimeve të agjencisë ruse të lajmeve TASS, Martens akuzohet për "nxitje të urrejtjes", një vepër që nëse dënohet në Rusi mund të çojë deri në gjashtë vjet burgim.

Shkak për këtë masë u bë një pyetje që Martens bëri më 8 gusht gjatë një konferencë shtypi në Beograd, ku morën pjesë Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Gazetari e pyeti presidentin ukrainas se çfarë mund të bëjnë evropianët për ta ndihmuar Ukrainën që të "vrasë më shumë rusë", duke shtuar menjëherë: "ushtarë rusë, natyrisht".

Kjo deklaratë nxiti reagime dhe polemika të shumta, veçanërisht në Rusi dhe Serbi, por edhe në qarqet e ekstremit të djathtë dhe të majtë në Gjermani.

Më vonë, redaksia e "FAZ" sqaroi se pyetja ishte "formuluar në mënyrë të paqartë" dhe se nuk është politikë redaksionale e gazetës që "të vriten sa më shumë ushtarë rusë".

Nga ana e tij, vetë Martens deklaroi në rrjetin social X se pyetja ishte e mirëmenduar.

Ai sqaroi se bëhej fjalë për një aludim ndaj një citati të ish-kryeministrit britanik Winston Churchill gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Churchill i kishte dhënë udhëzim oficerit të tij të ndërlidhjes, Fitzroy Maclean, përpara takimit me udhëheqësin komunist jugosllav Josip Broz Tito, duke i thënë të tregonte se si mund t'i ndihmonin partizanët "për të vrarë akoma më shumë gjermanë".

Krahas bërjes publike të fletëarrestit nga Rusia, Ambasada ruse në Berlin i ka dërguar një shkresë Prokurorisë së Berlinit, duke kërkuar një vlerësim juridik nëse formulimet e Martens përbëjnë vepër penale sipas ligjit gjerman, përfshirë nxitjen e urrejtjes ndaj një populli tjetër apo thirrjen publike për kryerjen e veprave penale.

Prokuroria e Berlinit konfirmoi pranimin e shkresës dhe sqaroi se sipas ligjit është e detyruar të shqyrtojë nëse ekziston ndonjë dyshim fillestar, duke theksuar se kjo nuk do të thotë automatisht nisje e hetimit dhe se vlen prezumimi i pafajësisë.

Asociacioni i Gazetarëve Gjermanë (DJV) ka protestuar ashpër ndaj veprimeve të Moskës. Kryetari i Asociacionit, Mika Beuster, deklaroi se drejtësia, përfshirë atë ruse, nuk ka asnjë punë me pyetjet që gazetarët bëjnë në një konferencë shtypi.

Gazetarit Martens nuk i kanoset asnjë ekstradim nga Gjermania drejt Rusisë. Megjithatë, situata mund të bëhet më e rrezikshme për të gjatë punës në rajonin e Ballkanit ku ai vepron si korrespondent, e veçanërisht në Serbi, e cila mban marrëdhënie të afërta me Rusinë.

Vrasja e turistit portugez në Ksamil, S.V dhe 10 të arrestuarit e tjerë dalin para gjykatës

21 August 2026 at 12:54


S.V dhe 10 persona të tjerë të përfshirë në hetimin për vrasjen e turistit portugez Luis Miguel Varela Mendes janë paraqitur këtë të enjte në Gjykatën e Sarandës.

Të arrestuarit do të njihen me masat e sigurisë të kërkuara nga Prokuroria, në kuadër të hetimeve për ngjarjen e rëndë që tronditi Ksamilin dhe mbarë opinionin publik.

20-vjeçari, i cili po kalonte pushimet në Ksamil, humbi jetën në orët e para të mëngjesit të së martës, pas një përleshjeje të dyshuar me mjete prerëse.

Policia ka arrestuar 11 persona në lidhje me vrasjen e të riut portugez. I dyshuari kryesor për goditjen me thikë është një 29-vjeçar, Sokrat Lipan, alias Sokrat Vata, i cili ka precedentë penalë në Mbretërinë e Bashkuar për vepra të lidhura me trafikun e drogës, mbajtjen e armëve dhe drejtimin e rrezikshëm të automjetit. /A2cnn.al/

Statistikat e reja në Zvicër: Popullsia po rritet dhe po plaket

21 August 2026 at 12:13


Zvicra po përjeton një rritje të vazhdueshme të popullsisë, e cila tashmë ka kaluar pragun e 9 milionë banorëve.

Sipas të dhënave më të fundit demografike të Entit Federal të Statistikave, ky zgjerim i popullsisë është kryesisht rrjedhojë nga imigrimi si dhe rritja e jetëgjatësisë, ndërkohë që vendi përballet me sfida të reja sa i përket plakjes së shoqërisë.

Faktori kryesor i rritjes mbetet imigrimi i fuqisë punëtore të kualifikuar nga vendet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë.

Pa ardhjen e banorëve të rinj nga jashtë, popullsia zvicerane do të shënonte rënie, pasi shkalla e lindshmërisë tek gratë vendase mbetet në nivele të ulëta dhe nuk mjafton për të zëvendësuar brezat.

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm lidhet me strukturën e moshës.

Zvicra po plaket me ritme të shpejta: brezi i të ashtuquajturve “baby boomers” (të lindur në vitet '50 dhe '60) po del gradualisht në pension.

Kjo bën që përqindja e personave mbi 65 vjeç të rritet ndjeshëm, ndërsa numri i personave në moshë pune po pëson tkurrje relative.

Sipas projeksioneve zyrtare për dekadat e ardhshme, nëse këto tendenca vazhdojnë, popullsia e Zvicrës mund të arrijë deri në 10 milionë banorë rreth mesit të këtij shekulli.

Kjo rritje sjell me vete sfida të mëdha praktike për vendin, veçanërisht në menaxhimin e infrastrukturës, hapësirave të banimit, transportit publik si dhe financimin afatgjatë të sistemit të pensioneve dhe kujdesit shëndetësor. /Telegrafi/

Islami: Reagimi i Petkoviqit pjesë e luftës hibride për kontrollin e narrativës

21 August 2026 at 12:04


Analisti i sigurisë, Avni Islami ka reaguar lidhur me deklaratat e drejtorit të Zyrës për Kosovë dhe Metohi në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, pas operacionit të institucioneve të Kosovës në veri të vendit, ku u zbulua dhe konfiskua një sasi e konsiderueshme armatimi.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Islami ka vlerësuar se reagimi i Petkoviqit ndaj ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla është pjesë e një përpjekjeje për ta minimizuar rëndësinë e aksionit të institucioneve të sigurisë.

Sipas Islamit, pretendimi i Petkoviqit se konferenca e Sveçlës në Zubin Potok ishte “sajim” synon të zhvendosë vëmendjen nga konfiskimi i arsenalit të armëve dhe ta kthejë debatin te akuzat e Beogradit ndaj Policisë së Kosovës për keqtrajtime dhe arrestime të pjesëtarëve të komunitetit serb.

“Ky reagim erdhi menjëherë pas goditjes që mori Beogradi zyrtar nga zbulimi dhe konfiskimi i një arsenali të madh armatimi në veri të vendit”, ka shkruar Islami.

Ai e ka cilësuar këtë qasje si pjesë të asaj që e quan “luftë asimetrike hibride” për kontrollin e narrativës ndërkombëtare.

Sipas tij, ndërsa institucionet e Kosovës veprojnë në kuadër të luftës kundër kriminalitetit të organizuar dhe zbatimit të ligjit, Beogradi përpiqet që aksionet e tilla t’i paraqesë si presion ndaj komunitetit serb.

Islami ka thënë se incidentet dhe operacionet e sigurisë shpesh shndërrohen në mjete të përplasjeve politike dhe diplomatike mes Kosovës dhe Serbisë.

Në fund të reagimit të tij, analisti ka vlerësuar se, sipas tij, narrativat dhe deklaratat e pushtetit në Beograd po humbin besueshmërinë në sytë e bashkësisë ndërkombëtare, duke pretenduar se strategjia e dezinformimit po njihet gjithnjë e më shumë.

“Kosova mbetet e palëkundur në mbrojtjen e sovranitetit dhe sigurisë kombëtare”, ka përfunduar Islami. /Telegrafi/


Konkurset e javës në Telegrafi Jobs: Mundësi të reja në disa fusha profesionale

21 August 2026 at 11:09


Tregu i punës në Kosovë vazhdon të lëvizë dhe kjo javë solli në Telegrafi Jobs disa konkurse që mbulojnë fusha mjaft të ndryshme nga njëra tjetra. Nga marketingu digjital e deri te zejet teknike, nga pozitat në menaxhim e deri te ato në shërbim ndaj klientëve, oferta është e larmishme dhe u drejtohet profileve të ndryshme profesionale.

Kjo javë solli një sërë ofertash pune në pozita kryesore nga sektorë të ndryshëm, të cilat po i paraqesim më poshtë për të gjithë ata që janë të interesuar për një mundësi të re karriere.

Nëse jeni duke kërkuar një pozitë në fushën e marketingut dhe krijimit të përmbajtjes, WONDGROUP LLC ka hapur konkurs për Real Estate Content & Marketing Assistant në Prishtinë, pozitë e përshtatshme për kandidatë me shkathtësi në krijim përmbajtjeje dhe marketing digjital.

Po ashtu, për ata me prirje nga puna teknike, Elkos Group po kërkon Mjeshtër/Servisim i Pirunjerëve në Pejë, pozitë që kërkon përvojë praktike në mirëmbajtjen e pajisjeve.

Vende pune ka edhe në fushën e menaxhimit dhe burimeve njerëzore. Hebs Kosova ka hapur njëherësh tre konkurse: Koordinator/e i/e Burimeve Njerëzore në Çagllavicë, Menaxher/e i/e Departamentit Teknik – Teknik për Pajisje Profesionale në Prishtinë, dhe Menaxher/e për Marketing në Çagllavicë.

Nëse preferoni një angazhim në shërbim ndaj klientëve ose gastronomi, po kërkohet Arkatare/Kuzhiniere në disa lokacione, përfshirë Prishtinë dhe Fushë Kosovë, si dhe Podujevë. Mund të aplikoni edhe për pozitën Staf Restoranti në Ferizaj, ose Shofer Delivery/Motorrist Delivery në Gjilan, të dyja gjithashtu nga Hebs Kosova.

Apliko sot

Gjeni pozitën që ju përshtatet dhe aplikoni direkt në Telegrafi Jobs - konkurset kanë afate të kufizuara, mos e humbisni mundësinë.


Mjeshtër/Servisim i Pirunjerëve


Apliko Tani!

Real Estate Content & Marketing Assistant


Apliko Tani!

Koordinator i Burimeve Njerezore


Apliko Tani!

Arkatare, Kuzhiniere


Apliko Tani!

Menaxher i Departamentit Teknik , Teknik per Pajisje Profesionale


Apliko Tani!

Shofer Delivery, Motorrist Delivery


Apliko Tani!

Staf Restoranti


Apliko Tani!

Arkatare,Kuzhiniere


Apliko Tani!

Menaxher/e per Marketing


Apliko Tani!

Frutex bëhet pronare e objektit historik "Nestor Hotel" në Ludwigsburg të Gjermanisë

21 August 2026 at 11:00


Kompania kosovare Frutex vazhdon të shënojë arritje të reja edhe në arenën ndërkombëtare, duke konfirmuar se është bërë pronare e kompleksit historik "Nestor Hotel", i vendosur në qytetin gjerman të Ludwigsburgut.

Objekti ikonik, i ndërtuar në vitin 1874, përfaqëson një nga ndërtesat më të njohura të qytetit dhe shtrihet në një sipërfaqe ndërtimore prej 13,500 metrash katrorë, mbi një parcelë me sipërfaqe totale prej 1.35 hektarësh. Kompleksi përfshin 179 dhoma hoteli, restorant, salla për evente, si dhe objekte të tjera përcjellëse që plotësojnë ofertën e tij.

''Një pjesë e këtij kompleksi do të shërbejë si qendër për koordinimin e aktiviteteve të shitjes dhe zhvillimin e biznesit të produkteve Frutex në Gjermani dhe në tregjet evropiane, duke forcuar më tej praninë tonë dhe mbështetjen për partnerët në rajon

Sipas njoftimit të kompanisë, një pjesë e këtij kompleksi do të shndërrohet në qendër koordinuese për aktivitetet e shitjes dhe zhvillimin e biznesit të produkteve Frutex në Gjermani dhe në tregjet evropiane. Ky hap synon të forcojë praninë e kompanisë në rajon, duke ofruar njëkohësisht mbështetje më të madhe për partnerët e saj në Evropë'', theksohet në njoftim.

Ky investim vjen si dëshmi e rradhës e ambicieve në rritje të Frutex-it për t'u pozicionuar fuqishëm në tregjet ndërkombëtare, duke bashkuar traditën e një objekti historik gjerman me vizionin modern të zhvillimit të biznesit kosovar jashtë vendit.

Me këtë hap, Frutex shton edhe një sukses tjetër në listën e arritjeve të saj, duke dëshmuar se kompanitë kosovare janë të gatshme dhe të afta të konkurrojnë e të investojnë me sukses edhe në tregjet evropiane.

Këta janë emrat më të popullarizuar për foshnjat në Zvicër - mes tyre edhe dy emra shqiptarë

21 August 2026 at 10:40


Enti Federal i Statistikave në Zvicër ka publikuar klasifikimin zyrtar të emrave më të përhapur për foshnjat e lindura gjatë vitit 2025.

Në kategorinë e djemve, emri Noah vazhdon të ruajë kryesimin e listës, i ndjekur nga Liam dhe Gabriel.

Ndërkaq, te vajzat vendin e parë e zë emri Sofia, ndërsa pozicionet vijuese i mbajnë emrat Emma dhe Mia.

Emri Noah konfirmon edhe një herë dominimin e tij afatgjatë në vend.

Ai ka qenë më i preferuari për prindërit zviceranë në vitet 2010 e 2011, përgjatë periudhës nga viti 2013 deri më 2017, si dhe pa ndërprerje nga viti 2021 deri më 2024, duke e ruajtur sërish pozitën e parë gjatë vitit 2025.

Në anën tjetër, Sofia ngjitet në majë të klasifikimit për vajzat, pasi ka qenë vazhdimisht mes tre emrave më të pëlqyer gjatë periudhave 2017-2019 dhe 2022-2024.

Përtej kryesuesve, të dhënat e reja statistikore shfaqin edhe lëvizje të dukshme në preferenca.

Ngritjen më të madhe në ranglistë e shënuan emrat Liyana te vajzat dhe Arno te djemtë, të cilët mes viteve 2024 dhe 2025 u ngjitën përkatësisht me 279 dhe 199 pozicione.

Në krahun tjetër, rënien më të madhe e pësuan emri Linda, i cili humbi 69 vende te vajzat, si dhe emri Milan, i cili ra me 76 pozicione te djemtë.

Ndërkaq, pjesë e listës së 100 emrave më të përhapur për të porsalindurit u bënë për herë të parë edhe emrat Mina dhe Maleo. Në vendin e 23-të është emri Luan. Te vajzat emri Dua është në vendin e 65-të. /Telegrafi/

❌