Normal view

​Nënshkruhet marrëveshja mbi 110 mijë euro për fermerët e Drenasit

8 April 2026 at 15:12


Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me organizatën Islamic Relief Worldwide – Zyra në Kosovë, për mbështetjen e fermerëve lokalë me pajisje bujqësore, në vlerë mbi 110 mijë euro.

Marrëveshja është nënshkruar me drejtorin e kësaj organizate, Dr. Mohamed Soliman, dhe parasheh realizimin e një projekti në sektorin e bujqësisë, i cili synon rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe përmirësimin e kushteve të punës për fermerët e komunës.

Sipas detajeve të marrëveshjes, vlera totale e projektit është 110,873.40 euro, prej të cilave 61,350 euro, apo 55 për qind, do të financohen nga Islamic Relief, ndërsa 49,523.40 euro, apo 45 për qind, nga Komuna e Drenasit.

Përfitues të projektit do të jenë fermerët e komunës, ndërsa zbatimi i tij do të bëhet në bashkëpunim me Drejtorinë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural.

Po ashtu, marrëveshja parasheh edhe pjesëmarrjen e fermerëve përfitues me 30 për qind të vlerës së komponentës përfituese, pas publikimit të listës së përfituesve.

Nga Komuna e Drenasit bëjnë të ditur se përmes këtij projekti synohet fuqizimi i sektorit bujqësor përmes një modeli bashkëpunimi ndërmjet donatorit, institucionit lokal dhe vetë fermerëve, me qëllim zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë në këtë komunë. /Telegrafi/

As në Prishtinë dhe as në Drenas, ​Lladrovci zbulon një skenar të ri për stadiumin nacional

8 April 2026 at 09:57


Debati për ndërtimin e stadiumit kombëtar të futbollit në Kosovë vazhdon të mbetet një nga temat më të diskutuara në vend, duke përfshirë institucione, federata dhe opinionin publik.

Kërkesa në rritje për kapacitete më të mëdha dhe standarde ndërkombëtare, sidomos në prag të organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030, ka shtuar presionin për një vendim sa më të shpejtë dhe të qartë për lokacionin e këtij projekti madhor.

Në këtë kontekst, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, duke folur për KosovaPress rreth kësaj çështje, ka deklaruar se ka informacione jozyrtare lidhur me vendndodhjen e mundshme të stadiumit, duke theksuar se vendimi final ende nuk është marrë dhe se procesi është në fazë vlerësimi nga institucionet përgjegjëse.

Ai ka bërë të ditur se sipas informatave që posedon, një nga opsionet që po qarkullon është ndërtimi i stadiumit në afërsi të Prishtina Mall, megjithatë ka shprehur rezerva për këtë ide dhe ka paralajmëruar për implikimet ligjore në rast të keqpërdorimeve të mundshme.

“Unë kam informata jo zyrtare që do të bëhet prapa Prishtina Mall, në Graçanicë, në qoftë se dikush e dërgon për biznese të veta tek Prishtina Mall, ka për të pasur shumë probleme me ligjin sepse atje prona kushton bajagi shtrenjtë”, ka thënë fillimisht Lladrovci.

“Kam informacione jo zyrtare thash që nuk e besoj por si informacion ka dalë që i ka pasur kërkesat. Me sa kam informacion unë qeveria ose ministria e ka caktuar një komision i cili ka për ta bërë vlerësimin dhe ka për të vendosur, e që është nga Komiteti Olimpik, që është nga federata dhe nga ministria”.

“Ne në kuadër të Lojërave Mesdhetare është dashtë me qenë dhe ka qenë i paraparë edhe stadiumi, e kemi një nënshkrim me ministrin paraprak që e kemi bërë dhe që e kemi në memorandum të nënshkruar për tu ndërtuar stadiumi sa më shpejtë. Unë dhe gjithë infrastrukturën që e kam sa i përket Lojërave Mesdhetare, unë kam vënë dispozicion dhe jam i gatshëm me e bë çdo ndërhyrje që do të kërkojnë nga ky komitet t’i themi ose nga ky komision i përcaktuar për këtë çështje”, përfundoi kryetari i Drenasit.

Së fundi, ministri i Ministrisë për Rini dhe Sport, Blerim Gashani, në një intervistë në “SportCast” të KosovaPressit, pranoi se momentalisht, Drenasi mbetet si lokacioni më i mundshëm për nisjen e ndërtimit të stadiumit të ri.

Kujtojmë se Kosova do të jetë organizatore e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030 dhe ndërtimi i një stadiumi të ri është premtuar për këtë ngjarje, andaj, me afrimin e afateve për këtë ngjarje, pritet që institucionet përgjegjëse të intensifikojnë procesin dhe të dalin me një vendim përfundimtar që do të përcaktojë një nga projektet më të rëndësishme sportive në vend.

❌