Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shpreson për mbërritjen e përfaqësuesve amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner në Kiev brenda dy javësh.
Presidenti u pyet se kur dëgjoi për herë të fundit nga të dërguarit e paqes të Donald Trump dhe nëse ata do të vinin ndonjëherë në Kiev.
"Po, ne mbështetemi që ata të vijnë në Kiev. Shpresoj që ata të gjejnë një mundësi për të ardhur këtu brenda dy javësh. Por të paktën kam marrë një mesazh të tillë nga grupi im negociator, ata më thanë se kishin kontakte me Steve dhe Jared, dhe thanë se janë të gatshëm të vijnë në Ukrainë dhe të flasin, nëse, sigurisht, nëse - gjithmonë nëse... Dhe sot, 'nëse', do të thotë Lindja e Mesme", shtoi ai.
Siç deklaroi Zelensky, "ne duhet të shohim ekipin negociator amerikan në Ukrainë", transmeton Telegrafi.
"Ata nuk kanë qenë kurrë këtu. Mendoj se është e rëndësishme, jo [vetëm] për ne. Është e dobishme për ta që të kuptojnë, të shohin, të shohin njerëzit, se jeta e tyre po vazhdon, por ne duam ta ndalojmë këtë luftë. Kjo ka për qëllim të ndalojë Rusinë. Ata kanë qenë disa herë në Moskë. E thashë më parë për këtë, nëse duan të shkojnë këtë herë në Moskë, duhet të vijnë në Kiev dhe pastaj të shkojnë në Moskë. Mendoj se do të jetë e dobishme", shtoi presidenti. /Telegrafi/
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se i konsideron vizitat e të dërguarve amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner në Moskë, por jo në Kiev, "mungesë respekti".
Dyshja vizitoi kryeqytetin rus në fund të vitit të kaluar, ndërsa bisedimet për armëpushim që synonin t'i jepnin fund luftës në Ukrainë morën hov, dhe përsëri në janar.
Witkoff, i cili ka qenë në Moskë tetë herë, është takuar me Vladimir Putinin në shumë raste.
Megjithatë, as ai dhe as Kushner nuk e kanë vizituar ndonjëherë Kievin në një cilësi zyrtare, transmeton Telegrafi.
"Është mungesë respekti [nga ana e tyre] të vijnë në Moskë dhe jo në Kiev, është thjesht mungesë respekti", tha Zelensky në një intervistë me një media ukrainase.
"E kuptoj që kemi logjistikë komplekse... Nëse ata nuk duan, mund të takohemi në vende të tjera", shtoi ai.
Witkoff, është i dërguari special i Donald Trump dhe Kushner është dhëndri i presidentit amerikan.
Më herët gjatë prillit, Zelensky tha se të dy po planifikonin të vizitonin Ukrainën, por ky udhëtim nuk u realizua kurrë mes luftës SHBA-Izrael me Iranin.
Samiti i fundit trepalësh midis Rusisë, SHBA-së dhe Ukrainës ishte në mesin e shkurtit.
Më pak se dy javë më vonë, SHBA-të dhe Izraeli filluan të godisnin Iranin dhe vëmendja u zhvendos nga përfundimi i luftës në Ukrainë, e cila ka vazhduar për më shumë se katër vjet.
Witkoff dhe Kushner janë pjesë e ekipit negociator të SHBA-së që udhëton për në Pakistan për bisedime armëpushimi me Iranin, dhe Zelensky pranoi se vëmendja e SHBA-së ishte në Lindjen e Mesme.
"Por sidoqoftë, për ne është e rëndësishme të vazhdojmë bashkëpunimin me amerikanët", shtoi ai.
Bisedimet për armëpushim fituan ritëm në vjeshtën e vitit 2025, kur doli në pah se zyrtarët rusë dhe amerikanë kishin punuar në një plan për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, i cili dukej se përfshinte disa kushte të pafavorshme për Kievin.
Ukraina kërkoi të përfshihej në bisedime dhe pasuan disa takime dhe samite. Deri në shkurt, si Moska ashtu edhe Kievi thanë se kishin arritur një marrëveshje për disa "çështje ushtarake", duke përfshirë vendndodhjen e vijës së frontit dhe monitorimin e armëpushimit.
Çështje të tjera mbeten të pazgjidhura, duke përfshirë kërkesën e Ukrainës që Rusia të kthejë fëmijët ukrainas që i ka deportuar me forcë që nga fillimi i luftës, dhe këmbënguljen e Moskës për një "ndryshim regjimi" në Kiev.
Por çështja kryesore është statusi i rajonit lindor të Donbasit të Ukrainës. Kërkesa e Moskës për territor sovran ukrainas në këmbim të përfundimit të luftës është e papranueshme për Kievin, dhe asnjëra palë nuk është e gatshme të tërhiqet - duke i lënë bisedimet në një rrugë pa krye.
"Ne po kërkojmë një kompromis midis dy pozicioneve plotësisht polare. Ende nuk e kemi gjetur atë", tha Kyrylo Budanov, shefi i shtabit të Zelensky-t, në shkurt. /Telegrafi/
Ekipi amerikan që po udhëheq bisedimet me Iranin sot përbëhet nga figura të njohura.
Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance pritet të udhëheqë delegacionin, i cili përfshin edhe të dërguarin për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff dhe dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump, Jared Kushner, shkruan skynews.
Witkoff dhe Kushner, të cilët kanë qenë gjithashtu të përfshirë në bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, kanë marrë pjesë edhe në negociatat për programin bërthamor të Iranit, të cilat ishin në zhvillim kur SHBA dhe Izraeli nisën sulmin më 28 shkurt, duke filluar luftën.
Ish-komandant i Gardës Revolucionare të Iranit, Ghalibaf është paraqitur historikisht si një linje e ashpër politike, por që Perëndimi mund të negociojë me të.
“Është një opsion i fortë”, i tha Politico një zyrtar i administratës amerikane.
“Ai është një nga më të lartët… por duhet t’i testojmë dhe nuk mund të nxitojmë”, shtoi ai.
Megjithatë, të tjerë kanë shprehur dyshime për këtë pretendim dhe mbetet e paqartë se sa ndikim real ka Ghalibaf në Iran.
Ndryshe, bisedimet e paqes mes SHBA-së dhe Iranit pritet të fillojnë sot në Pakistan. /Telegrafi/
Donald Trump u pyet në lidhje me raportet se JD Vance, zëvendëspresidenti i tij, po udhëheq bisedimet me Iranin.
Në përgjigje, udhëheqësi amerikan thotë se Vance është "i përfshirë", por përmend edhe të tjerë që po marrin pjesë, transmeton Telegrafi.
Trump thotë se të tjerët e përfshirë janë: dhëndri i tij Jared Kushner, i dërguari i tij special Steve Witkoff, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio.
Në anën tjetër raportohet se mbi 3 mijë trupa amerikane janë urdhëruar të dërgohen në Lindjen e Mesme.
Sa i përket ultimatumit që i ishte dhënë Iranit nga presidenti amerikan, Trump njoftoi se ka pauzuar atë ultimatum për t’i dhënë hapësirë bisedimeve. /Telegrafi/
Izraeli dhe Libani pritet të zhvillojnë bisedime të drejtpërdrejta në ditët në vijim, bisedimet e para që nga fillimi i luftës me Iranin që e ka zhytur Libanin më thellë në konflikt, shkruan Reuters.
Dhëndri i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Jared Kushner, do të jetë i përfshirë në bisedimet që mund të zhvillohen në Paris ose në Qipro, me mikun e besuar të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, Ron Dermer, që do të kryesojë delegacionin izraelit.
Negociatat pritet të përqendrohen në përfundimin e luftimeve në Liban dhe çarmatosjen e grupit të armatosur libanez Hezbollah, sipas raportimeve.
Më herët sot, presidenti francez Emmanuel Macron ofroi t'i priste
Ndryshe, Hezbollahu hapi zjarr ndaj Izraelit më 2 mars, duke thënë se po hakmerrej për vrasjen e udhëheqësit suprem të Iranit në fillim të luftës SHBA-Izrael kundër Iranit.
Që atëherë, Izraeli ka nisur një fushatë të gjerë bombardimesh kundër grupit të fuqishëm të armatosur libanez, i cili ka vrarë më shumë se 770 njerëz dhe ka zhvendosur qindra mijëra të tjerë, ndërsa Hezbollahu ka qëlluar qindra raketa përtej kufirit. /Telegrafi/
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, i bërtiti të dërguarit të posaçëm të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Steve Witkoff, gjatë një takimi të enjten në Gjenevë, që synonte të shmangte një konflikt ushtarak, sipas një raporti të NBC News.
Duke cituar një zyrtar të lartë, raporti thotë se Araghchi filloi t'i bërtiste Ëitkoff dhe dhëndrit të Trump, Jared Kushner, pasi diplomati iranian pretendoi se vendi i tij ka një "të drejtë të patjetërsueshme" për pasurimin e uraniumit, duke bërë që Witkoff të përgjigjej duke thënë se SHBA-të kanë një "të drejtë të patjetërsueshme" për të ndaluar Iranin.
"Nëse preferoni, mund të iki", citohet t'i ketë thënë Witkoff Araghchi-t në përgjigje të britmave të tij, transmeton Telegrafi.
Zyrtari i lartë amerikan i tha NBC-së, se Witkoff dhe Kushner më pas e informuan Trumpin, i cili ishte "i hutuar". Më pak se dy ditë më vonë, SHBA-të po godisnin Iranin.
Në anën tjetër, Trump ka njoftuar se sulmet mund të zgjasin katër deri në pesë javë në Iran, duke u zotuar se nuk do të ndalet derisa të arrihet qëllimi. /Telegrafi/
Zyrtarët amerikanë dhe iranianë po takohen në Gjenevë për një raund të tretë bisedimesh indirekte që shihen si thelbësore për shmangien e konfliktit, me presidentin Donald Trump që kërcënon të godasë Iranin nëse nuk arrihet një marrëveshje bërthamore.
Diskutimet vijnë në mes të grumbullimit më të madh ushtarak amerikan në Lindjen e Mesme që nga pushtimi i Irakut i udhëhequr nga SHBA-të në vitin 2003, dhe me Iranin që zotohet të përgjigjet ndaj një sulmi me forcë.
Bisedimet po ndërmjetësohen përsëri nga Ministri i Jashtëm i Omanit, Badr Albusaidi, i cili tha se negociatorët kishin "demonstruar një hapje të paparë ndaj ideve dhe zgjidhjeve të reja dhe krijuese".
Por shanset për një marrëveshje mbeten të paqarta, transmeton Telegrafi.
Ndërsa Trump ka thënë se preferon ta zgjidhë krizën përmes diplomacisë, ai ka thënë gjithashtu se po shqyrton një sulm të kufizuar ndaj Iranit për të ushtruar presion mbi udhëheqësit e tij që të pranojnë një marrëveshje.
Megjithatë, presidenti ka bërë pak për të shpjeguar se çfarë po kërkon në negociata dhe pse mund të ketë nevojë për të ndërmarrë veprime ushtarake tani, tetë muaj pasi SHBA-të bombarduan objektet bërthamore iraniane gjatë një lufte midis Izraelit dhe Iranit.
Irani ka hedhur poshtë kërkesën e SHBA-së për të ndaluar pasurimin e uraniumit në territorin e tij, por ka pasur indikacione se është i përgatitur të ofrojë disa lëshime në lidhje me programin e tij bërthamor.
Ashtu si në dy raundet e mëparshme të diskutimeve në fillim të këtij muaji, delegacioni iranian udhëhiqet nga Ministri i Jashtëm, Abbas Araghchi, ndërsa SHBA-të përfaqësohen nga i dërguari special Steve Witkoff dhe dhëndri i Trump, Jared Kushner.
Në javët e fundit, SHBA-të kanë dërguar mijëra trupa dhe atë që Trump e ka përshkruar si një "armatë" në rajon, duke përfshirë dy transportues aeroplanësh së bashku me anije të tjera luftarake, si dhe aeroplanë luftarakë dhe aeroplanë furnizimi me karburant.
Trump kërcënoi për herë të parë të bombardonte Iranin muajin e kaluar, ndërsa forcat e sigurisë shtypën brutalisht protestat antiqeveritare, duke vrarë mijëra njerëz. Por që atëherë, fokusi i tij është kthyer në programin bërthamor të Iranit, i cili ka qenë në qendër të një mosmarrëveshjeje të gjatë me Perëndimin.
Për dekada të tëra, SHBA-të dhe Izraeli e kanë akuzuar Iranin se po përpiqet të zhvillojë fshehurazi një armë bërthamore. Irani këmbëngul se programi i tij është vetëm për qëllime paqësore, megjithëse vendi është i vetmi shtet pa armë bërthamore që ka uranium të pasuruar në nivelin e duhur për armë bërthamore. /Telegrafi/
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të martën se ishte i gatshëm të zgjidhte mosmarrëveshjet midis SHBA-së dhe Iranit përmes mjeteve diplomatike, por nuk do të lejonte kurrë që Republika Islamike të pajiset me armë bërthamore.
“Preferenca ime është ta zgjidh këtë problem përmes diplomacisë, por një gjë është e sigurt: Nuk do të lejoj kurrë që sponsori numër një i terrorizmit në botë, që ata janë me siguri, të ketë një armë bërthamore”, tha ai gjatë fjalimit të tij “Gjendjes së Kombit”, përcjell Telegrafi.
Trump konfirmoi se SHBA-ja dhe Irani ishin në bisedime, megjithatë ky i fundit nuk ishte zotuar të hiqte dorë kategorikisht nga armatimi bërthamor.
“Ne jemi në negociata me ta, ata duan të bëjnë një marrëveshje, por nuk i kemi dëgjuar ato fjalë sekrete: ‘Ne kurrë nuk do të kemi një armë bërthamore’”, shtoi ai.
Gjatë mandatit të tij të parë nga viti 2017 deri në vitin 2020, Trump kishte revokuar një marrëveshje bërthamore midis SHBA-së dhe Iranit të iniciuar nga paraardhësi i tij Barack Obama dhe kishte rivendosur sanksionet ndaj vendit.
Që nga fundi i dhjetorit, Irani ka qenë skenë e protestave antiqeveritare që u shtypën me dhunë nga autoritetet dhe, sipas aktivistëve iranianë jashtë vendit, çuan në vdekjen e dhjetëra mijëra njerëzve.
Kujtojmë se ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, u nis për në Gjenevë për të marrë pjesë në raundin tjetër të negociatave indirekte bërthamore me Shtetet e Bashkuara të enjten.
Araghchi, i cili shërben si negociatori kryesor iranian, shoqërohet nga një delegacion i nivelit të lartë.
Pala amerikane, si në raundet e mëparshme, do të udhëhiqet nga i Dërguari Special i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe dhëndri i Presidentit Donald Trump, Jared Kushner.
Teherani dhe Uashingtoni kanë zhvilluar dy raunde bisedimesh indirekte nën ndërmjetësimin e Omanit që kur “diplomacia bërthamore” rifilloi muajin e kaluar, pas përpjekjeve të vendeve rajonale, përfshirë Turqinë, për të zvogëluar tensionet. /Telegrafi/
Franca i ka ndaluar ambasadorit amerikan Charles Kushner qasjen te ministrat e qeverisë, pasi ai nuk u paraqit në një takim për të diskutuar komentet e bëra nga administrata Trump në lidhje me vrasjen e aktivistit të ekstremit të djathtë Quentin Deranque.
Ministri i Jashtëm, Jean-Noël Barrot kishte thirrur Kushnerin, babanë e dhëndrit dhe këshilltarit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Jared Kushner, pasi ambasada amerikane në Paris ripostoi komentet e administratës Trump në Uashington në lidhje me Deranque.
Deranque, 23 vjeç, vdiq nga lëndimet në kokë pas përleshjeve midis mbështetësve të së majtës radikale dhe të së djathtës ekstreme gjatë një proteste më 12 shkurt kundër një politikani nga partia e krahut të majtë Franca e Papërkulur (LFI) në Lyon, transmeton Telegrafi.
"Në dritën e këtij dështimi të dukshëm për të kuptuar kërkesat themelore të misionit ambasadorial dhe nderin e përfaqësimit të vendit tënd, ministri (Barrot) ka kërkuar që atij (Kushnerit) të mos i lejohet më qasje e drejtpërdrejtë te anëtarët e qeverisë franceze", tha ministria e Jashtme.
Megjithatë, Kushner do të lejohej të vazhdonte detyrat e tij diplomatike dhe të kishte "shkëmbime" me zyrtarët, shtoi ajo në një deklaratë.
"Sigurisht, mbetet e mundur që Ambasadori Charles Kushner të kryejë detyrat e tij dhe të paraqitet në Quai d'Orsay, në mënyrë që të mund të zhvillojmë diskutimet diplomatike të nevojshme për të zbutur irritimet që mund të lindin në mënyrë të pashmangshme në një miqësi që shtrihet në 250 vjet", tha ajo.
Kushner ishte thirrur për të shpjeguar një deklaratë nga Byroja Kundër Terrorizmit e Departamentit të Shtetit të SHBA-së, e cila postoi në X se "raportet, të konfirmuara nga ministri francez i Brendshëm, se Quentin Deranque u vra nga militantë të krahut të majtë, duhet të na shqetësojnë të gjithëve".
Vrasja e Deranque nxori në pah një klimë tensioni të thellë politik në Francë përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.
"Ne hedhim poshtë çdo instrumentalizim të kësaj tragjedie, e cila ka zhytur një familje franceze në zi, për qëllime politike", tha Barrot gjatë fundjavës.
"Nuk kemi mësime për të nxjerrë, veçanërisht për çështjen e dhunës, nga lëvizja reaksionare ndërkombëtare", shtoi ai.
Departamenti i Shtetit tha në postimin e tij se "e majta radikale e dhunshme është në rritje dhe roli i saj në vdekjen e Quentin Deranque tregon kërcënimin që ajo paraqet për sigurinë publike. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë situatën dhe presim që autorët e dhunës të dalin para drejtësisë".
Kushner nuk ishte paraqitur tashmë në një takim për të cilin ishte thirrur në gusht për shkak të letrës së tij drejtuar presidentit francez Emmanuel Macron, ku pretendonte se vendi nuk kishte bërë mjaftueshëm për të luftuar antisemitizmin. Zyrtarët e huaj të Francës u takuan me një përfaqësues të ambasadorit të SHBA-së në vend të kësaj. /Telegrafi/
Të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner nuk do të marrin pjesë në raundin e ardhshëm të negociatave që synojnë t'i japin fund luftës në Ukrainë, tha Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio para Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë të mërkurën.
"[Rusia dhe Ukraina] do të vazhdojnë bisedimet përsëri këtë javë. Në këtë drejtim, dypalëshe. Mund të ketë një prani amerikane, por nuk do të jenë Steve dhe Jared," tha Rubio.
Delegacionet ukrainase dhe ruse u takuan të premten dhe të shtunën e kaluar në Abu Dhabi në negociatat e tyre të para ballë për ballë mbi një plan që po drejtohet nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump për t'i dhënë fund luftës.
Ekipi i Ukrainës kryesohej nga Ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov, një negociator me përvojë në bisedimet me Moskën, së bashku me shefin e Zyrës Presidenciale dhe ish-kreun e inteligjencës Kyrylo Budanov, ligjvënësin dhe negociatorin David Arakhamia dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm Andriy Hnatov, ndër të tjerë.
Rusia u përfaqësua nga një delegacion i udhëhequr nga Igor Kostyukov, kreu i GRU-së, shërbimit të inteligjencës ushtarake të Rusisë. Media investigative Agentstvo raportoi se Alexander Zorin, zëvendësdrejtori i parë i GRU-së për informacionin, gjithashtu mori pjesë në bisedime.
Një raund i tretë negociatash pritet të zhvillohet më vonë këtë javë. Presidenti Volodymyr Zelensky i ka karakterizuar diskutimet e mëparshme si "konstruktive", ndërsa zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se mbetet "punë e rëndësishme përpara".
Rubio u tha gjithashtu ligjvënësve të mërkurën se statusi i ardhshëm i Donetskut mbetet pengesa kryesore për arritjen e një marrëveshjeje paqeje midis Kievit dhe Moskës.
"E vetmja pikë e mbetur... është pretendimi territorial mbi Donetskun. Ka një punë aktive për të parë nëse pikëpamjet e të dyja palëve për këtë mund të pajtohen", tha Rubio.
"Është ende një urë që nuk e kemi kaluar. Është ende një boshllëk, por të paktën kemi qenë në gjendje ta ngushtojmë çështjen e vendosur në një qendër, dhe ndoshta do të jetë shumë e vështirë."
Një video e publikuar vitin e kaluar me Ivanka Trump dhe bashkëshortin e saj, Jared Kushner, ka nisur sërish të bëhet virale në rrjetet sociale, duke rikthyer në vëmendje një incident të tensionuar gjatë një eventi në Miami.
Pamjet janë rishpërndarë së fundmi nga faqja Nexta në platformën X (ish-Twitter), e cila ka ngritur pikëpyetje nëse veprimi i truprojës ishte pjesë e protokollit apo një reagim i tepruar.
Ngjarja në fjalë ka ndodhur më 3 maj të vitit të kaluar, teksa Ivanka Trump dhe Jared Kushner po largoheshin nga klubi i njohur Carbone Beach në Miami.
— (@)
Vajza 43-vjeçare e presidentit Donald Trump u pa duke ecur dorë për dore me bashkëshortin e saj, ndërsa shoqëroheshin nga agjentë të Shërbimit Sekret të veshur civil, drejt automjetit të tyre.
Sipas pamjeve, një turmë e vogël ishte mbledhur rreth çiftit, madje disa persona po ecnin shumë pranë tyre në drejtim të SUV-it. Në një moment, një agjent i Shërbimit Sekret vendosi dorën mbi një burrë që po afrohej tepër pranë çiftit. Ky i fundit reagoi duke e kapur agjentin nga supi, çka shkaktoi një reagim të menjëhershëm dhe të fortë nga ana e truprojës, i cili e shtyu burrin prapa. Ky veprim u shoqërua me reagime të dëgjueshme nga turma, ndërsa Ivanka Trump dhe Jared Kushner u kthyen për një çast për të parë çfarë po ndodhte, përpara se të hipnin në makinë.
Shërbimi Sekret ka reaguar lidhur me incidentin përmes një deklarate, duke sqaruar se gjatë një lëvizjeje mbrojtëse, një person i rritur ka hyrë shumë pranë perimetrit të sigurisë. Sipas tyre, një agjent ka ndërhyrë menjëherë për ta larguar fizikisht individin dhe për të rivendosur distancën e nevojshme të sigurisë. Agjencia ka theksuar se është thelbësore që publiku të ruajë distancën nga forcat e rendit dhe personeli mbrojtës, në mënyrë që të garantohet siguria e të gjithëve, sipas People.
Ivanka Trump nuk ka reaguar drejtpërdrejt për incidentin në rrjetet e saj sociale. Megjithatë, ajo ka publikuar disa fotografi nga fundjava në Miami, ku shfaqet duke kaluar kohë me bashkëshortin dhe duke ndjekur Çmimin e Madh të Formula 1 në Miami. “City Lights x Racing Stripes this F1 weekend in Miami”, ka shkruar ajo krahas imazheve.
Po ashtu, Ivanka ka ndarë edhe një fotografi të dy djemve të saj, Joseph dhe Theodore, të veshur me bluza të kuqe të ekipit Ferrari, duke treguar se familja ka shijuar nga afër atmosferën e garave të Formula 1. /Telegrafi/
Jared Kushner, dhëndri dhe bashkëpunëtori i ngushtë i presidentit amerikan Donald Trump, deklaroi sot se Gaza ka “potencial të jashtëzakonshëm” dhe prezantoi në Davos planet e administratës amerikane për arritjen e një paqeje të qëndrueshme dhe rindërtimin e rajonit.
Ai tha se “Gaza e re mund të sjellë shpresë dhe të bëhet një destinacion” dhe theksoi se administrata ka përgatitur një “plan kryesor” për zhvillimin e Gazës, si pjesë e përpjekjeve për t’i dhënë fund konflikteve midis Izraelit dhe Hamasit.
Kushner shtoi se plani mbështetet në demilitarizimin e Hamasit dhe se Shtetet e Bashkuara nuk kanë një “plan B” tjetër për këtë proces.
Jared Kushner shows parts of the reconstruction plan for Gaza.
100 000+ permanent housing units are to be built in Gaza and 500 000 jobs created in Gaza City within construction, agriculture, manufacturing, services and the digital economy pic.twitter.com/7cv5Q1gVMs — Visegrád 24 (@visegrad24) January 22, 2026
Trump deklaroi se Gaza është një “tokë e mrekullueshme” dhe se njerëzit që jetojnë aty “do të jetojnë shumë mirë”.
Ai falënderoi Jared Kushner dhe përfaqësuesin amerikan për Azinë Perëndimore, Steve Witkoff, për punën e tyre në negociatat e paqes dhe hartimin e planit.
Presidenti amerikan shtoi se pozicioni bregdetar i Gazës e bën atë “jashtëzakonisht të veçantë” dhe se zhvillimi i rajonit mund të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për banorët që jetojnë aktualisht në kushte të vështira.
Ai gjithashtu nënvizoi se ekipi i tij ka ndihmuar në dërgimin e një sasi rekord ndihmash humanitare në Gaza që nga vendosja e armëpushimit, duke krijuar kështu bazën për një fazë të re të planit amerikan për rajonin. /Telegrafi/
Këshilli Ekzekutiv themelues – me Trumpin si kryetar – është në krye të Bordit të Paqes.
Anëtarët e tij janë:
Tony Blair, ish-kryeministër britanik;
Jared Kushner, dhëndri i Trump;
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio;
I dërguari special i SHBA-së në Lindjen e Mesme, Steve Witkoff;
Marc Rowan, Drejtor Ekzekutiv i firmës financiare Apollo Global Management;
Ajay Banga, president i Grupit të Bankës Botërore;
Robert Gabriel, zëvendëskëshilltar i sigurisë kombëtare i SHBA-së.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, hapi ceremoninë kushtuar “Bordit të Paqes” ndërkombëtar duke u fokusuar në politikën e brendshme dhe duke u mburrur me rritjen ekonomike të SHBA-së, ndërsa e shikonin më shumë se një duzinë udhëheqësish botërorë.
“Ne kemi një mandat të shkëlqyer në vend, siç thashë dje, ekonomia amerikane po lulëzon”, tha ai.
“Kur Amerika lulëzon, e gjithë bota lulëzon”, shtoi ai. /Telegrafi/
Dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner, i cili ishte çelësi i ndërmjetësimit të planit të paqes për Gazën, ka dhënë detaje në Davos.
Ai zbuloi një "master plan" për të ardhmen e Gazës, me hartën e mëposhtme që shfaqet, transmeton Telegrafi.
Do të kryhet në faza, tha ai, duke përfshirë strehimin e fuqisë punëtore, punësimin 100% dhe "mundësi për të gjithë".
"Njerëzit na pyesin se cili është plani ynë B. Ne nuk kemi një plan B, ne kemi një plan. Ne nënshkruam një marrëveshje. Ne të gjithë jemi të përkushtuar ta bëjmë atë marrëveshje të funksionojë", theksoi Kushner.
"Ekziston një master plan. Ne do ta bëjmë atë në faza në Lindjen e Mesme. Ata ndërtojnë qytete të tilla në, e dini, dy, tre milionë njerëz. Ata e ndërtojnë këtë në tre vjet. Dhe kështu gjëra të tilla janë shumë të realizueshme nëse i bëjmë të ndodhin”, tha ndër tjera dhëndri i Trump.
Kushner përfundoi fjalimin me një apel pasi tha se po sheh “shumë njerëz që përpiqen të përshkallëzojnë situatën”.
“Thjesht qetësohuni për 30 ditë. Mendoj se lufta ka mbaruar, le të bëjmë çmos të përpiqemi të punojmë së bashku, qëllimi ynë këtu është paqja midis Izraelit dhe popullit palestinez”, tha ai.
“Të gjithë duan të jetojnë në paqe, të gjithë duan të jetojnë me dinjitet, le t’i përqendrojmë përpjekjet tona drejt promovimit të atyre që po bëjnë punën për ta ndërtuar këtë”, përfundoi fjalimin Kushner. /Telegrafi/
Nën masa të rrepta sigurie, dhëndri i Donald Trump sapo ka mbërritur në Vlorë. Jared Kushner ka mbërritur i shoqëruar nga një delegacion në zonën e Ujit të ftohtë. Mësohet se Kushner është i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij, Ivanka Trump.
Aty do të zhvilloj një takim për të diskutuar më tepër rreth investimit në ishullin e Sazanit. Sipas informacioneve do të zhvillohet një takim nëpërmjet Jared Kushner me një studio arkitekturore ku do të diskutohet për mënyrën e realizimit të projektit, investimit në ishullin e Sazanit, raporton euronews.al.
Janë bërë publike emrat e personave që do të jenë pjesë e Komitetit Kombëtar për menaxhimin e Gazës, i formuar me propozim të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Ekipi do të udhëhiqet nga Ali Shaath, ndërsa anëtarë të tij janë: Abdul Karim Ashour, Jaber Al-Daour, Bashir Al-Rais, Ali Barhoum, Aed Yaghi, Osama Al-Saadawi, Sami Nasman, Mohammad Bseiso, Arabi Abu Shaaban, Hana Tarzi, Rami Halas, Omar Shamali, Ayed Abu Ramadan dhe Husni Al-Mughni.
Secili prej tyre do të jetë përgjegjës për një sektor të veçantë, që përfshin fusha nga financat deri te arsimi, raporton reuters.
Përveç këtij ekipi, Trump ka emëruar edhe trupa këshillimore që do të veprojnë në bashkëpunim me Komitetin Kombëtar për menaxhimin e Gazës, ku do të përfshihen emra të njohur të politikës ndërkombëtare.
Ndër ta janë ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, si dhe të dërguarit e Trump-it, Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
Bordi do të përfshijë gjithashtu drejtuesin e fondeve private dhe miliarderin Marc Rowan, presidentin e Bankës Botërore Ajay Banga, si dhe Robert Gabriel, këshilltar i Trump-it, bëri të ditur Shtëpia e Bardhë, duke shtuar se Nickolay Mladenov, ish-i dërguar i OKB-së për Lindjen e Mesme, do të jetë përfaqësuesi i lartë për Gazën.
Gjeneralmajori i ushtrisë Jasper Jeffers, komandant i operacioneve speciale të SHBA-së, është emëruar komandant i Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit, njoftoi Shtëpia e Bardhë. Një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e miratuar në mes të nëntorit, autorizoi bordin dhe vendet që bashkëpunojnë me të të krijojnë këtë forcë në Gaza.
Me emërimin e këtyre strukturave ka nisur zyrtarisht zbatimi i fazës së dytë të armëpushimit në Gaza, gjatë së cilës synohet vendosja e një administrate në këtë territor palestinez pa përfshirjen e Hamasit.
Faza e parë e armëpushimit zgjati tre muaj, gjatë së cilës Izraeli e shkeli marrëveshjen disa herë dhe si pasojë u vranë qindra civilë palestinezë.
Ndryshe, sulmet izraelite në Gaza që nga tetori i vitit 2023 ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra mijëra njerëzve, ka krijuar një krizë urie dhe ka zhvendosur brenda territorit të gjithë popullsinë e Gazës. Shumë ekspertë të të drejtave të njeriut, studiues dhe një hetim i OKB-së vlerësojnë se kjo përbën gjenocid.
Izraeli ka deklaruar se ka vepruar në vetëmbrojtje, pasi militantë të udhëhequr nga Hamasi vranë 1200 persona dhe morën më shumë se 250 pengje gjatë një sulmi në fund të vitit 2023. /Telegrafi/
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim të gjatë dhe konstruktiv me përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, konkretisht me Steve Witkoff dhe Jared Kushner. Sipas tij, takimi ka pasur një atmosferë pozitive dhe është përqendruar në çështje thelbësore që lidhen me përpjekjet për arritjen e paqes.
Gjatë bisedimeve janë shkëmbyer “ide të mira” dhe janë trajtuar “shumë detaje”, përfshirë edhe propozime të reja nga pala ukrainase lidhur me procesin e paqes.
Këto propozime përfshijnë formatet e mundshme të negociatave, organizimin e takimeve të ardhshme dhe përcaktimin e afateve kohore për hapat e mëtejshëm diplomatikë.
— (@)
Zelensky theksoi se dokumentet paraprake janë pothuajse të përfunduara, megjithatë disa “çështje të ndjeshme” ende kërkojnë diskutime dhe punë të mëtejshme.
Ai shtoi se periudha në vijim pritet të jetë shumë intensive në aspektin diplomatik, me angazhime të shumta dhe përpjekje të shtuara për të çuar përpara procesin e paqes.
Në fund, lideri ukrainas shprehu mirënjohjen e saj ndaj Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e vazhdueshme dhe bëri thirrje për rritjen e presionit ndërkombëtar ndaj Rusisë.
Zelensky paralajmëroi se zvarritja e luftës do të sjellë pasoja të rënda, duke theksuar se vonesat vetëm sa e përkeqësojnë situatën dhe rrisin kostot njerëzore dhe politike të konfliktit. /Telegrafi/
Kirill Dmitriev, i dërguar i udhëheqësit të Kremlinit, Vladimir Putin, ka thënë se bisedimet me palën amerikane mbi luftën e Rusisë kundër Ukrainës kanë qenë "konstruktive" dhe do të vazhdojnë të shtunën dhe të dielën.
Në një koment të shkurtër, Dmitriev i përshkroi diskutimet me të dërguarin special të SHBA-së, Steve Witkoff, dhe dhëndrin e Trump, Jared Kushner, si "konstruktive".
Ai shtoi se bisedimet në Miami kishin filluar dhe do të vazhdonin të shtunën dhe të dielën, transmeton Telegrafi.
Kremlini më parë konfirmoi raportet e medias se po bëheshin përgatitje për një takim me përfaqësuesit e SHBA-së për të shqyrtuar rezultatet e bisedimeve midis Shteteve të Bashkuara, Ukrainës dhe Evropës mbi një marrëveshje paqeje.
Në mbrëmjen e 19 dhjetorit, Rustem Umierov, Sekretari i Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes së Ukrainës, tha se një takim midis delegacionit negociator ukrainas dhe partnerëve amerikanë dhe evropianë kishte përfunduar.
Më 20 dhjetor, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha në një konferencë të përbashkët për shtyp së bashku me kryeministrin portugez Luís Montenegro në Kiev, se Shtetet e Bashkuara kishin propozuar që të zhvillohen "bisedime paqeje" me përfaqësues të Ukrainës dhe Rusisë dhe ndoshta edhe të vendeve evropiane.
Zelensky tha gjithashtu gjatë një konference online me gazetarët të shtunën se ai e konsideron të rëndësishme ruajtjen e pjesëmarrjes së SHBA-së në "bisedimet e paqes", duke komentuar një propozim të presidentit Francez Emmanuel Macron për të rifilluar angazhimin me Rusinë. /Telegrafi/
Zyrtarët amerikanë dhe rusë pritet të takohen në Miami këtë fundjavë, si pjesë e përpjekjeve të administratës Trump për t'i dhënë fund gati katër viteve të luftës midis Kievit dhe Moskës, sipas dy personave të njohur me çështjen, shkruan Politico.
Ndërsa përpjekjet e presidentit Donald Trump për t'i dhënë fund luftimeve kanë dështuar, SHBA-të kanë shtuar presionin mbi Ukrainën për të bërë lëshime që do t'i jepnin fund luftës, transmeton Telegrafi.
Planet mbeten në ndryshim e sipër, por nëse ato zhvillohen këtë fundjavë, administrata do t'ua paraqesë rezultatin e raundit më të fundit të diskutimeve zyrtarëve rusë, të cilët nuk kanë ndryshuar shumë në kërkesat e tyre.
Delegacioni rus pritet të përfshijë kreun e fondit sovran të pasurisë së Rusisë, Kirill Dmitriev, sipas njërit prej personave të njohur me çështjen.
Të dy personave iu dha anonimiteti për të diskutuar planet për raundet e ardhshme të bisedimeve të ndjeshme. I dërguari special i administratës Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i Trump, Jared Kushner, pritet të përfaqësojnë palën amerikane.
Witkoff dhe Kushner më herët këtë javë zhvilluan bisedime maratonë në Berlin me zyrtarë ukrainas dhe evropianë për të rënë dakord mbi garancitë e sigurisë amerikane për Kievin, lëshimet territoriale dhe çështje të tjera, ndërsa Uashingtoni vazhdoi të ushtronte presion mbi Kievin në përpjekjet e tij për t'i dhënë fund luftës.
SHBA-të kanë ofruar një premtim të ndërsjellë mbrojtjeje të ngjashëm me premtimin që u ka bërë anëtarëve të NATO-s, ndërsa Ukraina është tërhequr nga kërkesa e saj për t'u bashkuar menjëherë me aleancën transatlantike.
Zyrtarët e administratës Trump besojnë se Rusia do të pranojë garancitë perëndimore të sigurisë dhe anëtarësimin e Ukrainës në BE në një marrëveshje përfundimtare.
Por presidenti rus Vladimir Putin të mërkurën nuk dha shenja se ishte tërhequr nga dëshira e tij për t'i dhënë fund ekzistencës së Ukrainës si shtet sovran.
Duke folur me zyrtarë të lartë të mbrojtjes në Moskë, ai tha se Rusia nuk do të tërhiqej nga misioni i saj për të "çliruar tokat e saj historike" dhe parashikoi se "derri" evropian që mbështet Kievin përfundimisht do të humbiste pushtetin.
SHBA-të kanë thënë se presin që së shpejti të mbledhin një grup zyrtarësh ushtarakë që mbështesin Ukrainën në SHBA, për të përcaktuar më tej detajet teknike mbi sigurinë dhe territorin. Bisedimet SHBA-Rusi në Miami dukeshin të ishin një përpjekje e veçantë.
Këshilltari ukrainas i sigurisë kombëtare, Rustem Umerov, pritet gjithashtu të takohet me delegacionin amerikan përpara takimit SHBA-Rusi, tha personi i parë i njohur me çështjen, duke shtuar se planet mbeten të paqarta.
Udhëheqësit evropianë kanë kaluar pjesën më të madhe të dy javëve të fundit duke u përpjekur të hartojnë plane specifike për garancitë e sigurisë për Kievin, duke përfshirë një zonë të çmilitarizuar përgjatë vijave aktuale të frontit dhe premtimet për trupa për trajnimin e forcave ukrainase dhe monitorimin e çdo armëpushimi.
Një zyrtar evropian, i cili gjithashtu mbeti anonim për të diskutuar diplomacinë delikate, tha se trupat e koalicionit ka të ngjarë të ngarkohen me detyrën e operimit të avionëve dhe dronëve për të mbikëqyrur vijat e frontit, ndërsa disa trupa do të stacionohen në Ukrainën perëndimore "për të ndihmuar në rindërtimin e forcave ukrainase - jo për të shërbyer në vijën e frontit". /Telegrafi/
Vendimi i kompanisë së dhëndrit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për t'u tërhequr nga projekti lukzos është më shumë se provë e qartë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq i ka shpërdoruar të gjitha shanset e tij me Uashingtonin.
Kështu së paku vlerëson analisti i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq, shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi.
Madje Jakshiq beson se në fund të fundit, ''Trump nuk dëshiron ta shohë më Vuçiqin me sy''.
Në këtë drejtim, ai thekson se një tjetër përpjekje e Vuçiqit për të riparuar marrëdhëniet e dëmtuara me Uashingtonin dështoi.
Për Jakshiqin, shpjegimi me të cilin kompania e dhëndrit të Donald Trump e braktisi projektin është jashtëzakonisht i rëndësishëm.
Kujtojmë se njoftimi për tërheqjen e kompanisë së Kushnerit u publikua më 15 dhjetor - në ditën kur Prokuroria për Krim të Organizuar në Serbi ngriti aktakuzë ndaj ministrit serb të Kulturës, Nikolla Sellakoviq, për shkelje ligjore gjatë heqjes së statusit të monumentit kulturor ndaj ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm.
Dhe në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë, kompania investuese “Affinity Partners” tha se “vizioni ynë për projektin në Beograd ishte të ofronim një dizajn elegant dhe frymëzues, që pasqyronte përparimin e Serbisë”.
“Jemi krenarë për arkitekturën që ka krijuar ekipi ynë. Sepse, projektet me kuptim duhet të bashkojnë, jo të ndajnë, dhe nga respekti për popullin e Serbisë dhe për qytetin e Beogradit, ne po e tërheqim aplikimin tonë dhe po e bëjmë një hap pas në këtë moment”, thuhej në deklaratë.
Dhe Jakshiq nuk ka dyshime se ky mesazh i dërguar nga ana tjetër e Atlantikut përputhet në mënyrë të përkryer me rrjedhat e marrëdhënieve amerikano-serbe në kohët e fundit.
Ai kujton se ata ishin më shumë se të shqetësuar nga sjellja e Vuçiqit në maj të këtij viti, kur ai u përpoq të hynte në konventën republikane në Florida.
Për të kujtuar, presidenti i Serbisë shkoi për një vizitë në SHBA pranverën e kaluar, nga e cila u kthye pa planifikuar pas dy ditësh, dhe siç u njoftua në atë kohë, për arsye shëndetësore.
Sipas raporteve jozyrtare të medias, Vuçiq priste të takohej me Trumpin në takimin e republikanëve në Florida, por kjo nuk ndodhi.
"Përshtypja ime është se Donald Trump nuk dëshiron më ta shohë Aleksandar Vuçiçin me sy. Duket se Vuçiq i ka shpërdoruar shanset e tij me Trumpin, ashtu siç i shpërdoroi ato me Moskën dhe Bashkimin Evropian", thekson Jakshiq.
Ai paralajmëron gjithashtu se amerikanët nuk e falin faktin që Vuçiq u përpoq t'i përfshijë ata në aferat e tij të brendshme të korrupsionit.
Andaj, sipas mendimit të tij, Vuçiq praktikisht ia mbylli derën vetes me Donald Trumpin.
Duke komentuar se si ky episod i fundit në marrëdhëniet serbo-amerikane mund të reflektojë në historinë e sanksioneve amerikane kundër Industrisë Serbe të Naftës, Jakshiç thekson se kjo është vetëm një vazhdim i serisë së aferave që Vuçiq bëri në marrëdhëniet me amerikanët.
Në vendin ku gjendeshin ndërtesat e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, të shkatërruara gjatë bombardimeve të NATO-s më 1999, kompania investuese “Affinity Partners” kishte planifikuar një kompleks banimi dhe biznesi me markën Trump.
E Vuçiq tha se për shkak të “gjuetisë së shtrigave” që u bë ndaj investitorit dhe ndërtimit, Serbia humbi një investim të vlefshëm prej së paku 750 milionë eurosh.
Ai fajësoi Prokurorinë dhe “bllokuesit” - siç i quan ai protestuesit antiqeveritarë që protestojnë për më shumë se një vit kundër Qeverisë së udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe.
“Personalisht, do të kujdesem që të gjithë ata që kanë kontribuar në shkaktimin e këtij dëmi, të përgjigjen”, tha presidenti serb.
Ai paralajmëroi se do të “paraqesë personalisht kallëzime penale” kundër “të gjithë atyre që morën pjesë në ‘gjuetinë e shtrigave’ dhe shkatërrimin e investimit”, duke i akuzuar për “dëm ekonomik ndaj Serbisë”.
Ai i hodhi poshtë akuzat për korrupsion në këtë projekt. /Telegrafi/