Policia Kufitare e Vlorës ndihmon pushuesit e bllokuar me mjete lundruese në det
Policia Kufitare Vlorë u ka ndihmuar disa pushuesve që u rrezikuan gjatë lundrimit me mjetet e tyre lundruese, në Sarandë dhe në Palasë.
Në njoftimin e policisë thuhet se pas marrjes së njoftimeve në kohë reale, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë me mjetet e tyre lundruese dhe bënë të mundur ndihmën dhe shoqërimin e sigurt të turistëve dhe mjeteve lundruese drejt bregut.
“Pas marrjes së njoftimit se, rreth një milje larg Gjirit të Sarandës, kapiteni i një jahti me flamur maltez kërkonte ndihmë pasi mjeti i tij lundrues kishte pësuar defekt dhe kishte marrë ujë, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë menjëherë dhe bënë të mundur shoqërimin e kapitenit në mënyrë të sigurt në breg dhe rimorkimin e jahtit në Portin e Limionit”, njoftoi policia.
Tutje, policia njofton për rastin në Palasë.
“Pas marrjes së njoftimit se, në zonën e Shën Andreut, disa turistë që ndodheshin në bordin e një mjeti lundrues po rrezikoheshin për shkak të kushteve të vështira të detit, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë menjëherë dhe bënë të mundur shoqërimin e turistëve në mënyrë të sigurt në breg dhe ankorimin e mjetit të tyre lundrues në molin e Palasës. Falë reagimit të menjëhershëm dhe profesional të strukturave të Policisë Kufitare, u shmangën pasojat e rrezikshme për jetën e pushuesve dhe u garantua siguria e mjeteve lundruese”, theksohet mes tjerash në komunikatë.
Gjithashtu, thuhet se Policia Kufitare Vlorë mbetet e angazhuar 24/7 për garantimin e sigurisë së jetës së pushuesve dhe fton qytetarët që, në çdo rast emergjence në det, të telefonojnë menjëherë në numrin 112. /Telegrafi/
The post Policia Kufitare e Vlorës ndihmon pushuesit e bllokuar me mjete lundruese në det appeared first on Telegrafi.