Normal view

DASH publikon raportin për Shqipërinë: Të shtohen hetimet për korrupsionin

17 February 2025 at 23:12

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për luftën ndaj narkotikëve dhe pastrimit të parave.

Për Shqipërinë, bëhet thirrje që të shtohen hetimet, pjesa më e madhe e pastrimit të parave është e lidhur me trafikun e drogës dhe korrupsionin.

Pjesa më e madhe e pastrimit të parave në Shqipëri është e lidhur me trafikun e drogës, evazionin fiskal dhe korrupsionin. Ky është konkluzioni i Departamentit Amerikan të Shtetit, në raportin e fundit për luftën ndaj krimit dhe narkotikëve, dhe për këtë arsye bëhet thirrje për thellim të hetimit nga drejtësia.

“Shqipëria duhet të zbatojë ligjet ekzistuese dhe të zgjerojë kapacitetin e policisë dhe prokurorëve për t’u fokusuar te korrupsioni, pastrimi i parave dhe krimet ekonomike. Shqipëria duhet të zbatojë plotësisht reformën gjyqësore të nisur në vitet 2016-2017.” DASH

Në raport, Departamenti Amerikan vlerëson punën e Prokurorisë së Posaçme, ku përmend hetimet ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka.

“Në tetor 2023, SPAK njoftoi hetim ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, i sanksionuar nga SHBA për korrupsion, pasi dhëndri i tij përfitoi afro 5 milionë dollarë. Po në tetor, gjykatat dënuan ish-ministrin e mjedisit Koka, për pastrim parash, korrupsion dhe shpërdorim detyre sepse një kompani i dha atij 1.47 milionë dollarë.”

Në vlerësimet për aktivitetin e biznesit dhe regjimin e inspektimit, DASH shkruan se duhet të rregullohet legjislacioni për institucionet e mikrokredive dhe monedhat dixhitale.

The post DASH publikon raportin për Shqipërinë: Të shtohen hetimet për korrupsionin appeared first on Telegrafi.

Shtetet e Bashkuara sanksionojnë bashkëpunëtorin e ngushtë të Orbanit, dyshohet se është i përfshirë në korrupsion

7 January 2025 at 18:30

Uashingtoni ka vendosur të vendosë zyrtarin e qeverisë hungareze Antal Rogán në listën e sanksioneve për shkak të përfshirjes së tij të dyshuar në korrupsion, njoftoi të martën Departamenti amerikan i Shtetit.

Rogán, një ekonomist dhe ish-kryetar bashkie i Belváros-Lipótváros, është një nga figurat e larta më me ndikim në qeverinë e kryeministrit Viktor Orbán.

Portofoli i tij si ministër përgjegjës i zyrës së kabinetit të Orban mbulon një gamë të gjerë fushash, duke përfshirë komunikimet zyrtare dhe joformale të qeverisë, si dhe inteligjencën civile.

Para kësaj, Rogán ishte kreu i grupit parlamentar të partisë së Orbanit, Fidesz, transmeton Telegrafi.

“Gjatë mandatit të tij si zyrtar qeveritar, duke përfshirë edhe si ministër përgjegjës për zyrën e kabinetit të Orbanit, Rogán thuhet se ka orkestruar skema të dizajnuara për të kontrolluar sektorët strategjikë të ekonomisë hungareze”, u tha nga  Departamenti i Shtetit të SHBA në një deklaratë të martën.

“Ministri Rogán ka luajtur një rol qendror në mundësimin e një sistemi në Hungari që ka përfituar vet dhe partia e tij në kurriz të popullit hungarez”, u tha ndër tjera nga DASH.

“Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje liderëve të Hungarisë që të trajtojnë korrupsionin në mënyrë proaktive, pa mëdyshje dhe me vendosmëri. Një Hungari më transparente do të kontribuojë në një aleancë më të fortë transatlantike dhe një Evropë më të begatë”, thuhet në përfundimin e deklaratës.

Ministri i Jashtëm hungarez Péter Szijjártó kritikoi vendimin e Uashingtonit, duke thënë se ishte një akt hakmarrjeje i organizuar nga ambasadori i SHBA në Hungari, David Pressman.

“Kjo është hakmarrja personale ndaj Rogán Antal e ambasadorit të dërguar nga administrata e dështuar amerikane në Hungari, i cili largohet pa sukses dhe me turp”, tha Szijjártó në një postim në Facebook.

“Sa mirë që në pak ditë Shtetet e Bashkuara do të udhëhiqen nga njerëz që e shohin vendin tonë si mik dhe jo armik”, shtoi ai.

Rogan u vendos në listën e Zyrës së Kontrollit të Pasurive të Huaja sipas Aktit Global Magnitsky, i cili synon abuzuesit e të drejtave të njeriut dhe aktorët globalë të korrupsionit. /Telegrafi/

 

The post Shtetet e Bashkuara sanksionojnë bashkëpunëtorin e ngushtë të Orbanit, dyshohet se është i përfshirë në korrupsion appeared first on Telegrafi.

DASH reagon pas arrestimit të Metës: SHBA mbështet përpjekjet e SPAK-ut kundër korrupsionit të nivelit të lartë

23 October 2024 at 07:40

Shtetet e Bashkuara të Amerikës thonë se mbështesin përpjekjet e SPAK-ut kundër korrupsionit të nivelit të lartë.

Qëndrimi i Uashingtonit u shpreh në një përgjigje të Departamentit amerikan Shtetit të martën në mbrëmje, ndaj një kërkese të Zërit të Amerikës për të komentuar pas arrestimit të ish-Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.

“Jemi në dijeni të arrestimit. Ju referojmë tek autoritetet shqiptare për detaje të mëtejshme në lidhje me rastin. Shtetet e Bashkuara mbështesin përparimin e Shqipërisë drejt sundimit të ligjit, përfshirë përpjekjet e SPAK-ut për të ndjekur penalisht korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar, në përputhje me ligjin”, shprehet një zëdhënës i Departamentit të Shtetit në përgjigje të interesimit të Zërit të Amerikës.

Ish-Presidenti i Republikës dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u arrestua të hënën me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

SPAK-u e shpalli persona në hetim nën dyshimet për korrupsion pasiv, mosdeklarim dhe fshehje pasurie si dhe pastrim të parave Ilir Metën, si edhe vendosi masën për detyrim paraqitjeje për Monika Kryemadhin, si edhe arrest në shtëpi për Pirro Xhixhon dhe detyrim paraqitjeje për Ema Çokun.

Avokati mbrojtës Genc Gjokutaj, tha për mediat pas takimit me Metën në mjediset e sigurisë, se akuzat janë të pabazuara dhe arrestimi ëshë bërë për qëllime politike.

Politikanë të tjerë opozitarë e cilësuan veprimin si një sulm politik nga kryeministri Edi Rama ndaj opozitës.

Meta, ish bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi pritet të dalin para gjykatës në një seancë ku do të shqyrtohen masat e sigurisë ndaj tyre.

Krahas akuzave nga SPAK-u për Metën, të martën vazhduan reagimet mbi mënyrën se si u ndalua të hënën në mesditë nga policia ish presidenti i Republikës, i cili e cilësoi ngjarjen si “rrëmbim në mënyrë banditeske”.

Por ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Hoxha, deklaroi në rrjetet sociale se forca lëvizëse operacionale, e specializuar për ndalime sipas standardeve, gjatë zbatimit të vendimit të gjykatës ndeshi me një subjekt, që kundërshtoi forcërisht t’i nënshtrohej vendimit të Gjykatës, sapo mori dijeni për të.

SPAK-u detajoi të hënën në një njoftim publik se Ilir Meta e Monika Kryemadhi, në bashkëpunim mes tyre dhe me funksionarë të tjerë publikë, dyshohet se kanë kryer korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurish në një seri episodesh, që nisin nga afro 15 vjet më parë.

The post DASH reagon pas arrestimit të Metës: SHBA mbështet përpjekjet e SPAK-ut kundër korrupsionit të nivelit të lartë appeared first on Telegrafi.

Vizita e Haradinajt në SHBA: Në Pentagon do të flasë për anëtarësimin e Kosovës në NATO, nesër pritet në DASh

21 October 2024 at 18:33

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, sot pritet në Pentagon ku do të flasë për anëtarësimin e  Kosovës në NATO.

Kjo u bë e ditur në një komunikatë të AAK-së, ku theksohet se shefi i saj nesër do të pritet në Departamentin e Shtetit.

“Gjatë ditës së sotme, Haradinaj do të pritet në Pentagon, ku do të flasë për anëtarësimin e Kosovës në NATO, ndërsa nesër do të jetë në Departamentin e Shtetit”, thuhet aty.

Në qytetin Yonkers të Nju Jorkut, kryetari i qytetit Mike Spano, ka nderuar Haradinajn, me Mirënjohjen e Qytetit.

Në këtë ceremoni, 20 tetori 2024 u shpall zyrtarisht si ‘Dita e Nderuar e Ramush Haradinajt’. Po ashtu, kryetari Spano shpalli 20 tetorin si ditën zyrtare të ngritjes së flamurit të Kosovës në Yonkers.

“Haradinaj këtë nderim e vlerësim ia dedikoi të gjithë atyre që besojnë në Kosovën e lirë dhe të integruar në NATO, në miqësinë e përhershme me popullin dhe shtetin amerikan, si dhe bashkëluftëtarëve të tij të UÇK-së”, thuhet në komunikatën e AAK-së.

The post Vizita e Haradinajt në SHBA: Në Pentagon do të flasë për anëtarësimin e Kosovës në NATO, nesër pritet në DASh appeared first on Telegrafi.

❌