Normal view

Syzet e zgjuara të “Meta”-s nënkuptojnë se çdo fëmijë mund të xhirohet fshehurazi: Si ta trajtojmë këtë rrezik, në epokën e IA-së?

21 July 2026 at 09:12


Kompania argumenton se u takon individëve të sigurohen që të mos e “shfrytëzojnë në mënyrë aktive” këtë teknologji. Kjo nuk do t'i mbajë fëmijët të sigurt.

Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

M'u desh pak kohë ta kuptoja se çfarë po bënte burri i ulur pranë meje në tren. Shfletonte fotografi të një vajze të vogël në telefonin e tij, duke zmadhuar disa prej tyre dhe duke prerë imazhet. Sigurisht, nuk ishte aspak e pazakontë, përveç faktit se - me një vështrim më të afërt - fotografitë ishin qartazi të vogëlushes së ulur përballë nesh e cila po luante me prindërit e saj. Në një tren plot me njerëz, ku shumica ishim ashiqare duke shikuar telefonat tanë, një i panjohur po e fotografonte vazhdimisht fshehurazi atë vajzë të vogël. Dhe, po të mos ishte ai ekran telefoni aq i dukshëm që shpërfaqi atë, nuk do të ishte kapur.

Ai takim kishte ndodhur ca kohë më parë, por m'u kujtua javën e kaluar kur dëgjova një fragment ku zëvendëspresidenti i Meta-s për pajisjet që mbahen në trup, Alex Himel, fliste me naivitet për BBC-në se si i kishte përdorur syzet e tij të reja inteligjente për të filmuar vajzën e tij duke kënduar në një konkurs talentesh. Ato i mundësuan ta fiksonte atë kujtim pa qenë nevoja ta shikonte përmes një ekrani, tha ai, duke e lejuar “disi ta jetonte çastin, me kokën lart dhe duar të lira”. Deri këtu, gjithçka duket bukur. Por, ç'të themi për rrezikun kur njerëz të pështirë i përdorin ato për të filmuar fshehurazi vajzat e të tjerëve, me kokën lart dhe duar të lira? Syzet e zgjuara të Meta-s kanë një dritëz të vogël paralajmëruese që pulson në kornizë për të treguar kur përdoruesi po xhiron, por teknologjia është ende aq e re saqë shumë njerëzve nuk u shkon ndër mend ta shikojnë atë. Dhe, në epokën e IA-së [inteligjenca artificiale], imazhet e vjedhura të fëmijëve kanë rëndësi. Të shkrepura në jetën reale ose të grumbulluara nga interneti, ato janë lënda e parë për krijimin e materialeve me pamje realiste të abuzimit seksual të fëmijëve - të llojit më ekstrem dhe më shqetësues. (Nëse kjo tingëllon si një krim i zymtë, por në fund të fundit me pak ose me aspak viktima të drejtpërdrejta, Internet Watch Foundation paralajmëroi - në një raport të fundit - se materialet e krijuara nga IA-ja rrezikojnë të ushqejnë interesin seksual ndaj fëmijëve, të normalizojnë dhunën dhe të rrisin rrezikun e kryerjes së abuzimeve në jetën reale.)

Kur Google prezantoi syzet e para të zgjuara në vitin 2013, ato nuk u përhapën: dukeshin të bëra për maniakë të teknologjisë, por edhe potencialisht tepër shqetësuese - duke pasur parasysh mundësitë që u jepnin përndjekësve, provokatorëve në internet, kriminelëve që mblidhnin informacione dhe forcave të rendit në regjime shtypëse. Por, gjigantët e teknologjisë nuk kanë hequr dorë nga ëndrra për t'i lidhur njerëzit më natyrshëm me internetin, ndërsa versionet më të reja mësojnë nga gabimet e kaluara. Syzet e Meta-s janë më elegante - falë bashkëpunimeve me Ray-Ban-in dhe Kylie Jennerin - dhe reklamohen haptazi për prindërit me sloganin: “Mos e humb kurrë asnjë çast”. Dëshiron të regjistrosh momentet e rëndësishme të foshnjës sate ose të bësh të gjitha ato gjëra që zakonisht i bën fshehurazi kur je me fëmijët - të kontrollosh postën elektronike, të blesh në internet, të dëgjosh podkaste - pa i hequr sytë prej tyre? Është një mënyrë joshëse promovimi për prindërit e zënë, me ndjenjë faji dhe që përpiqen të bëjnë shumë gjëra njëherësh. Por, shqetësimet për mbrojtjen e fëmijëve që lidhen me filmimin e fshehtë janë mjaftueshëm reale, saqë shumë çerdhe dhe shkolla kanë filluar t'i ndalojnë këto syze në ambientet e tyre.

Megjithatë, ka një kthesë në këtë histori: t'i bësh këto syze të papranueshme nga pikëpamja shoqërore rrezikon të krijojë viktima të tjera. Kjo teknologji mund të ndryshojë jetën e personave të verbër, duke i ndihmuar të orientohen me siguri mes pengesave ose të përkthejnë menjëherë tekstin në audio.

Meta ka argumentuar se u takon individëve të sigurohen që të mos e “shfrytëzojnë në mënyrë aktive” këtë teknologji, gjë që të bën të pyesësh nëse kompania ka mësuar ndonjë gjë nga mënyra se si njerëzit u përballën me platformat e saj të rrjeteve sociale. Ndër mundësitë rregullatore mund të përfshihet legjislacion i ri për privatësinë, i përshtatur për epokën digjitale, që do t'i detyronte prodhuesit ta bënin shumë më të qartë se kur syzet regjistrojnë - ndoshta edhe me një sinjal zanor paralajmërues, si bipi i një kamioni që lëviz mbrapsht - të paktën derisa të gjithë të mësohemi ta shikojmë dy herë këdo që mban syze. Por, meqenëse kjo do t'i bënte ato jashtëzakonisht të sikletshme për t'u mbajtur, nuk ka gjasa t'u pëlqejë kompanive të teknologjisë që synojnë një treg masiv fitimprurës.

Një mundësi tjetër do të ishte që përgjegjësia për përdorimin keqdashës t'u ngarkohej prodhuesve dhe jo përdoruesve. Megjithatë, kjo mund të nënkuptojë vite të tëra procesesh gjyqësore - tepër të ngadalta - që do të përfundonin shumë kohë pasi dëmi të ishte shkaktuar. Ndërkohë, zgjidhja më radikale do të ishte një regjim rregullator para daljes në treg për teknologjitë e reja, i cili do ta njihte potencialin e tyre për të shkaktuar dëm shoqëror, njësoj siç veprohet me miratimin e barnave të reja ose të produkteve të reja ushqimore.

Ndoshta zgjidhja më e mirë është ajo që historia tregon se ka më pak gjasa të ndodhë: që një industri dritëshkurtër teknologjike të fillojë t'i parashikojë më mirë rreziqet e mundshme dhe t'i eliminojë ato që në fazën e projektimit - edhe kur ato duhej të ishin të dukshme nga hapësira. Me siguri ka gjëra që, për t’i parë, askush nuk ka nevojë për syze të zgjuara. /Telegrafi/

Burnhami duhet të zotërojë diçka që Starmeri nuk mundi: artin e marrëdhënieve me Trumpin

11 July 2026 at 10:11


Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Tashmë gjithçka ka nisur të duket shumë reale. Të paktën kështu u shpreh Andy Burnham në ditën kur, në thelb, u bë kryeministër në pritje i Britanisë; një çast sa dehës aq edhe i kthjellët.

Dokumentet janë nënshkruar, zaret janë hedhur. Keir Starmeri ende nuk e ka lënë ndërtesën, por partia e tij tashmë flet për të sikur ai disi nuk mund të dëgjojë. Të premten, Burnhami bëri ndarjen e tij të parë të ashpër me paraardhësin, duke kërkuar ndjesë, mbi kokën e Starmerit, për mënyrën se si laburistët e trajtuan luftën në Gazë. Sipas tij, qeveria duhej të kishte bërë thirrje për armëpushim më herët dhe tani duhet të shtojë presionin ndaj Izraelit.

Meqenëse Ministria e Jashtme tashmë po shqyrton vendosjen e sanksioneve të mëtejshme, kjo, në njëfarë mënyre, përbën më pak një ndryshim dramatik në politikën e jashtme sesa një ndryshim të tonit në politikën e brendshme. Duke pranuar shqetësimin e thellë të krahut të majtë për Gazën, i cili pa dyshim shtyu një pjesë të votuesve laburistë drejt Partisë së Gjelbër, Burnhami po sinjalizon se, për mirë apo për keq, ai do t'i dëgjojë më me kujdes anëtarët e bazës sesa bëri Starmeri. (Megjithëse disa nuk do të jenë të kënaqur derisa ai ta quajë luftën gjenocid dhe të ndalojë shitjen e armëve.) Por, si çdo përpjekje për ta ashpërsuar politikën britanike ndaj Izraelit, kjo ngre gjithashtu disa pyetje interesante për marrëdhënien e tij me Shtëpinë e Bardhë.

Si do të sillet me këtë president kaq të vështirë pasi të marrë detyrën, njeriu të cilin Donald Trumpi e hodhi poshtë duke e quajtur "kryetar bashkie i një qyteti"? Megjithëse në disa drejtime gjithçka vazhdon si zakonisht - Burnhami u zotua këtë javë për objektivin e NATO-s prej 3,5 përqind për shpenzimet e mbrojtjes, pa shpjeguar se si do të paguhet, si edhe për ta mbajtur Jonathan Powellin në postin e këshilltarit për sigurinë kombëtare - ai hyn në detyrë në një pikë kthese për marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Perëndimin.

Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, po i thotë secilit që dëgjon - përfshirë rrethin e Burnhamit me të cilin ka lidhje të ngushta nëpërmjet këshilltarit të tij, Andy Haldane, ish-zëvendësin e tij kur drejtonte Bankën e Anglisë - se Amerika e dikurshme nuk po kthehet. Edhe Giorgia Meloni e Italisë, dikur e preferuara e presidentit, duket se e ka humbur durimin me të.

Frustrimi ishte i dukshëm në samitin e NATO-s të zhvilluar këtë javë në Ankara, ku Trumpi kërcënoi se do të ndalonte tregtinë me Spanjën nëse ajo nuk bindet ndaj kërkesave të tij për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes; konfirmoi dëshirën e tij për të zotëruar Grenlandën; dhe, hodhi poshtë armëpushimin e brishtë në Gjirin Persik duke rifilluar bombardimet ndaj Iranit. Edhe më shqetësuese sesa rritja e çmimeve të naftës, që pasoi, është perspektiva e një lloji të ri konflikti të vazhdueshëm në Gjirin Persik, i cili do të ishte ekuivalenti vdekjeprurës i luftërave tregtare të Trumpit të cilat nisin e ndalen pa pushim dhe zhvillohen me pak konsideratë për normat ekzistuese ose për dëmin ndaj aleatëve.

Në librin e tij të ri, me titullin e drejtpërdrejtë Ten Steps to Prevent World War Three [Dhjetë hapa për të parandaluar Luftën e Tretë Botërore], ish-ministri i Jashtëm dhe ushtaraku Tobias Ellwood përshkruan një të ardhme ku konfliktet e tilla janë bërë rutinë. Libri hapet në vitin 2040, duke imagjinuar Perëndimin teksa kthen kokën pas dhe vajton mundësitë e humbura në mesin e viteve 2020 për të shmangur katastrofën. Sepse, në vitin 2040, është tepër vonë: shkatërrimi nga Trumpi i rendit botëror të bazuar në rregulla i ka lejuar Kinës të mbushë boshllëkun, duke ndërtuar një rend të ri përmes aleancave strategjike me Rusinë dhe vendeve të tjera - bazuar në shtrëngim, destabilizim dhe sulme që mund të mohohen.

Lufta e Tretë Botërore e Ellwoodit nuk është një betejë e vetme territoriale, por një seri konfliktesh lokale dhe luftërash me ndërmjetës në mbarë botën, që krijojnë një klimë dhune dhe pasigurie pothuajse të përhershme, në të cilën tabutë e luftës - përfshirë edhe përdorimin e armëve bërthamore taktike - shkelen rregullisht. Grenlanda humb, NATO-ja shpërbëhet dhe qeveritë perëndimore reduktohen në administrimin degradues. Fatkeqësitë klimatike ose shpërthimet e sëmundjeve godasin më rëndë sesa do të godisnin në rrethana të tjera, sepse vendet nuk bashkëpunojnë kundër kërcënimeve të përbashkëta. Është vetëm një skenar i mundshëm, thekson Ellwoodi, jo parashikim. Megjithatë, është goxha i besueshëm për të qenë ngushëllues.

Receta e tij për ta shmangur këtë nis me përcaktimin e saktë se cilat pjesë të rendit botëror të bazuar në rregulla Perëndimi synon të mbrojë dhe, më pas, me bashkimin e vendeve me të njëjtin mendim rreth tyre. Të ribashkohet me Tregun e Përbashkët, të ndajë teknologjinë e energjisë së rinovueshme me vendet më të varfra, të zgjerojë pjesëmarrjen ushtarake evropiane në forcat me dislokim të shpejtë dhe të krijojë një "aleancë për stabilitet" të fuqive të mesme - nga Evropa deri në Kanada dhe nga India deri në Brazili - e përqendruar në parandalimin e hershëm dhe uljen e tensioneve përpara se konfliktet të përshkallëzohen në luftë të hapur.

Kjo agjendë nuk bie ndesh me profilin e Burnhamit, aftësia e të cilit si kryetar bashkie qëndronte në bashkimin e aleatëve me pikëpamje të ngjashme dhe i cili tashmë predikon ndërhyrjen e hershme në politikën e brendshme. Por, lë të hapur pyetjen se deri ku duhet shkuar në përballjen me njeriun që synon ta frenojë. Argumenti në favor të mbajtjes së marrëdhënieve të mira me Trumpin ka qenë gjithmonë se prej kësaj vareshin jetët e njerëzve: Ukrainës i duhej ndihma amerikane për të luftuar Rusinë, Evropës i duhej kohë për t'u riarmatosur dhe Britania mbështetet tepër te Uashingtoni si për parandalimin e saj bërthamor, ashtu edhe për shkëmbimin e informacionit të inteligjencës për të ndjekur një politikë konfrontuese.

Por, kërcënimi ndaj Grenlandës, i përsëritur edhe këtë javë, i bindi shumë udhëheqës evropianë se diçka duhej të ndryshonte. Ukraina ende ka nevojë për ndihmën e Shteteve të Bashkuara, por më pak se më parë pasi ka zhvilluar kapacitetet e veta të prodhimit të armatimeve. Për më tepër, tani është Bashkimi Evropian ai që paguan për armët që furnizon Uashingtoni - një marrëveshje me të cilën Trumpi duket i kënaqur, gjykuar nga mënyra se si ai i vlerësoi këtë javë sulmet e guximshme të Ukrainës me dronë në territorin rus. (Në mënyrë paradoksale, ndonëse ngurronte ta ndihmonte Ukrainën pikërisht kur ajo kishte më shumë nevojë për të, ai nuk humbet asnjë rast për t'u lidhur me suksesin.)

Starmeri nuk gaboi kur bëri ato udhëtime poshtëruese në Uashington. Ai mund të ndihet krenar që ndihmoi në fitimin e kohës për Ukrainën, e cila e shfrytëzoi atë me zgjuarsi dhe guxim të jashtëzakonshëm, si dhe për shumë nga fqinjët e saj. Vendi i cili, në mënyrë ironike, e shpërdoroi atë periudhë ishte Britania. Duke mos ia shpjeguar kurrë siç duhet publikut nevojën për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes, e aq më pak mënyrën se si do të financoheshin ato, Starmeri tani ia lë këtë rrëmujë - së bashku me disa zgjedhje historike lidhur me marrëdhënien e veçantë me Shtetet e Bashkuara - pasardhësit të tij ende të papërvojë.

Nëse e ka seriozisht kur thotë se do të kalojë më pak kohë me politikën e jashtme sesa "Keiri i cili nuk ishte kurrë këtu", atëherë, në këto rrethana Burnhamit do t'i duhet një ministër i Jashtëm i jashtëzakonshëm. (David Miliband, i cili e mbajti këtë post në qeverinë e Gordon Brownit dhe që fare mirë mund të ishte bërë ambasador i Britanisë në Uashington po të kishte fituar Kamala Harrisi në vitin 2024, tani dukshëm po paraqitet si kandidat.)

Por, atij do t'i duhet gjithashtu të zotërojë diçka që Starmeri nuk arriti ta zotëronte, atë që një ish-ministër i Jashtëm e quan arti i titrimit: matjen me kujdes të dozës së çdo ndryshimi sado të vogël në politikë ose të çdo gjesti simbolik, në mënyrë që ai të jetë mjaftueshëm i fortë për të shkaktuar reagimin e dëshiruar dhe asgjë më tepër. Mjaftueshëm i vendosur për Gazën që të mos duket bashkëfajtor moralisht, por pa mohuar të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje. Jo tepër afër Trumpit, por vetëm aq sa duhet. Dhe, çdo herë, me një fije floku që ndan suksesin nga ai lloj dështimi për të cilin, deri në vitin 2040, fëmijët tanë mund të pendohen me hidhërim. Për një gjë Burnhami ka të drejtë: më reale se kaq nuk bëhet. /Telegrafi/

Influencerët ia shitën botës një fantazi për Dubain - dhe tani ajo është zhdukur në një re tymi raketash

6 March 2026 at 10:49


Qyteti u paraqit si një vend i dëshirueshëm për të jetuar, por ata që u shpërngulën atje tani po e kuptojnë pasigurinë që vjen me të qenët migrant ekonomik.

Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Për t’u mashtruar nga një vegim, nuk është e nevojshme të jesh i humbur në shkretëtirë. Ndonjëherë, iluzioni është më i fortë pikërisht atëherë kur mendon se je i sigurt në shtëpi, duke postuar nga pishina për festën e llastimit të vajzës sate adoleshente dhe për jetën tënde vezulluese në një qytet ku “mundësitë janë të pafundme”, siç priren të jenë për vajzat e miliarderëve që jetojnë në parajsa fiskale. Dhe, pikërisht atëherë fantazia shpërthen në një re tymi raketash të kapura nga mbrojtja ajrore, duke lënë pas vetëm një grua tjetër me pizhame që i thotë Instagrami-t (siç bëri Petra Ecclestone në fundjavë) se ajo u shpërngul në Dubai “për t’u ndier e sigurt” dhe se lufta nuk përmendej askund në kushtet e kontratës.

Kush mund ta kishte menduar se të jetosh disa qindra milje larg Teheranit - në vijë ajrore për dronët - mund të kishte rreziqe? Me siguri jo ai menaxher spekulativ fondesh që u ankua në Financial Times se “marrëveshja nuk ishte që të ekspozoheshe ndaj gjeopolitikës”.

Por, nëse është e vështirë të kesh simpati për super të pasurit, teksa zbulojnë se ka disa gjëra që paratë nuk mund t’i blejnë, ata nuk janë të vetmit britanikë të bllokuar në Gjirin Persik. Marrëveshja që Dubai u ofroi migrantëve ekonomikë - dhe kjo është ajo çfarë janë britanikët të cilët kërkojnë një jetë më të mirë në Gjirin Persik, sado që disa mund ta urrejnë këtë etiketë - ishte një lloj i [filmit] Shou i Trumanit në jetën reale: një strehë e ndritshme, me diell, e sterilizuar dhe me kriminalitet të ulët për këdo që dëshironte të pasurohej ose të mbetej i pasur, e mbajtur në këmbë nga ndëshkimet e rrepta për këdo që do të guxonte t’i prishte publikisht iluzionet e saj.

Krahas menaxherëve të pasurisë, agjentëve të pasurive të paluajtshme dhe bashkëshorteve të reja të bukura me lëkurë të lëmuar që zakonisht shoqërojnë super të pasurit, Dubai tërhoqi edhe pjesën e vet të përdoruesve të X-it me shenjën e kaltër që mbështesin [partinë] Reform-ën, duke folur nga klubet e tyre të plazhit për mënyrën se si Londra gjoja po shkatërrohej; influencerë që kërkonin sfond luksi për videot e tyre të hapjes së pakove; djem të kriptomonedhave, teknologë dhe mashtrues të ndryshëm. Por, shumë hapa më poshtë në shkallën financiare, pas tyre erdhi një ushtri punëtorësh të rinj të përkohshëm për të pastruar pishinat e tyre, për t’u kujdesur për fëmijët e tyre dhe për t’u dhënë atyre mësime pilatesi, shumë prej të cilëve tani kanë familje në vendet e tyre që janë të shqetësuara deri në ankth. Mburruni, po deshët, kur tani po zbulojnë pse njerëzit e tjerë qëndrojnë në shtëpi kur bie shi, por kjo lloj kënaqësie nga fatkeqësia e të tjerëve duket e shëmtuar kur qeniet e tjera njerëzore flenë në bodrumet e veta ndërsa regjimi tiranik iranian përpiqet t’i vrasë.

Rreth 300 mijë britanikë vlerësohet se janë bllokuar në të gjithë rajonin e Gjirit për shkak të luftës: secili, nga çiftet në muaj mjalti që thjesht po ndërronin aeroplanët, te udhëtarët e biznesit, punonjës ndihme që po merrnin disa ditë pushim nga zonat e luftës dhe familje që po vizitonin të afërmit. Shumica prej tyre nuk e prisnin luftën, jo më shumë sesa ne që jemi në Britani ku ajo së shpejti do të mbërrijë në një formë më pak vdekjeprurëse përmes rritjes së çmimeve të gazit dhe karburantit, zinxhirëve të ndërprerë të furnizimit, komuniteteve të diasporës që presin me ankth lajme për të afërmit e tyre dhe gjithë zemërimin helmues që inflacioni në rritje mund të shkaktojë kundër një qeverie laburiste pikërisht në momentin kur rimëkëmbja ekonomike dukej se ishte në horizont.


A mund të shkaktojë lufta në Lindjen e Mesme një krizë ekonomike globale?

Kjo luftë po e shndërron në armë ndërlidhjen globale, apo mënyrat e panumërta në të cilat goditjet e largëta nëpër botë afrohen më pranë shtëpisë falë lëvizjes së njerëzve, parave dhe mallrave - si edhe përmes videove në TikTok të xhiruara nga dikush që të duket si shoqe, sepse e sheh çdo ditë duke biseduar ndërsa bën grimin.

Pse Irani, ndërsa është nën sulm, po provokon zemërimin - dhe jo simpatinë - e botës arabe duke hedhur dronë mbi hotele në Dubai, rafineri nafte në Arabinë Saudite dhe objekte të gazit të lëngshëm natyror në Katar? Natyrisht, për t’i shtyrë fqinjët të ushtrojnë presion mbi amerikanët, por edhe për t’i treguar Uashingtonit se, nëse ai bie, atëherë do ta tërheqë me vete gjithë lagjen. Strategjia e Iranit është ta bëjë rajonin më të gjerë të Gjirit të duket një vend tepër i rrezikshëm për të investuar, për të kaluar dimrin në diell apo për t’u mbështetur për furnizime energjie: pra, të shkëpusë lidhjet e tij me botën e jashtme. Një regjim i përjashtuar, që është vetë i mbyllur dhe i izoluar, po sulmon vendet prosperiteti i të cilëve varet nga të qenit të hapur, duke përdorur lidhjet e tyre me Perëndimin si mjet presioni. Dhe, Dubai është objektivi i tij më i afërt dhe më i qartë që ngjan me Perëndimin, i cenueshëm ndaj presionit sepse është ndërtuar mbi njerëz mjaftueshëm pragmatikë sa të lëvizin atje ku shkon paraja.

Po e shkruaj këtë nga Franca, ku gazeta ime e mëngjesit thotë se Bali është Dubai i ri për influencerët: i nxehtë, pafundësisht i përshtatshëm për Instagram, por më i lirë dhe - ç’është më e rëndësishmja - jo fqinj me Iranin. Ndoshta ata thjesht do të mbledhin tripodët e kamerave dhe do të largohen, ndërsa ndiqen kot nga kërkesat e liderit të liberal-demokratëve, Ed Davey, që britanikët jashtë vendit të detyrohen të paguajnë taksa në rast se ushtria jonë duhet t’i shpëtojë përsëri. (Le të themi vetëm se mund të kërkojnë në Google për “tensionet në Detin e Kinës Jugore”.)

Por, personalisht, nëse ka një gjë që dua më shumë nga djemtë e palestrave dhe vajzat e mirëqenies që krijojnë përmbajtje nga Dubai - më shumë sesa paratë e tyre - është që ta përdorin atë ndikim. Tani kur ata e dinë se cila është ndjesia kur duhet të mbledhësh gjërat dhe të ikësh nga bombat që bien, do të doja që të ndërprisnin për një moment përmbajtjen me #sponsored vetëm sa për të reflektuar mbi mësimet e nxjerra nga ky version luksoz i përvojës së refugjatëve. Pse të mos përdorin ato lidhje me botën e jashtme që Irani duket kaq i etur t’i shkatërrojë, dhe t’u flasin miliona ndjekësve të tyre në TikTok, Instagram dhe YouTube për pasigurinë e rrugës së migrantit dhe për faktin se të shpërngulesh jashtë vendit për një jetë më të mirë - siç bëjnë çdo ditë miliona njerëz në rrethana shumë më kërcënuese për jetën - nuk është aq komode sa pretendojnë disa?

Nëse dëshiron të pasurohesh në Dubai ose të vdesësh duke u përpjekur, jam e gatshme ta pranoj se kjo është puna jote. Por, vetëm nëse ndihesh njësoj për çdo migrant tjetër ekonomik: sepse, të pëlqejë apo jo, edhe ti je një prej tyre. /Telegrafi/

Pse Trumpi është i interesuar për Grenlandën?

9 January 2026 at 11:11


Parashikimet sugjerojnë se ngrohja globale mund të krijojë një rrugë të shkurtër nga Azia në Amerikën e Veriut dhe rrugë të reja për tregti, transport detar - dhe sulm.

Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Një javë tjetër, një fenomen tjetër i çuditshëm moti për të cilin ndoshta nuk keni dëgjuar kurrë. Nëse nuk është “bomba e motit” me erëra dhe borë ekstreme që Britania po përpiqet të përballojë teksa po shkruaj, janë raportet në The Guardian për drerët në Arktik që po përballen me të kundërtën: moti jashtëzakonisht i ngrohtë që sjell më shumë shi, i cili ngrin dhe krijon një lloj dëbore të cilën ata nuk mund ta gërmojnë lehtësisht me thundrat e tyre për të arritur tek ushqimi. Në një habitat aq të ashpër sa Arktiku, ku mbijetesa varet nga përshtatja e duhur, edhe ndryshimet më të vogla të motit kanë pasoja që përhapen pafundësisht - dhe jo vetëm për drerët.

Për dekada të tëra, politikanët kanë paralajmëruar për luftërat klimatike që po vijnë - konflikte të shkaktuara nga thatësira, përmbytjet, zjarret dhe stuhitë që detyrojnë njerëzit të zhvendosen, ose i shtyjnë të konkurrojnë me fqinjët për burime të pakësuara natyrore. Për këdo që e ka paramenduar këtë si diçka që do të ndodhte larg pragut të Evropës, në shkretëtira të goditura nga thatësira ose në ishujt e Paqësorit që po zhyten ngadalë në det, diskutimet e kësaj jave në Shtëpinë e Bardhë - për marrjen në pronësi të Grenlandës - janë një alarm i zëshëm për t’u zgjuar. Siç e ka thënë komandanti i parë i Marinës britanike, gjenerali Gwyn Jenkins - për këdo që ka qenë i gatshëm ta dëgjojë - shkrirja e Veriut, për shkak të krizës klimatike, ka shkaktuar prej kohësh një garë të egër në Arktikun që po shkrihet: për burime, territore dhe qasje strategjike në Atlantik. Për të kuptuar se si kjo e kërcënon Evropën Veriore, shikoni globin nga sipër, jo hartën.

Deri në fillim të viteve 2040, parashikimet sugjerojnë se ngrohja globale mund t’i bëjë ujërat e ngrira rreth Polit të Veriut - oqeanin që ndan Rusinë nga Kanadaja dhe Grenlanda - pothuajse pa akull gjatë verës. Kjo mund të hapë një rrugë të re të shkurtër nga Azia për në Amerikën e Veriut, jo përmes mesit të planetit, por nga sipër, duke krijuar rrugë të reja për tregti, transport detar, peshkim - dhe, gjëja më shqetësuese - për sulm.

Një teatër i ri lufte po shfaqet si pasojë e akullit që po shkrihet, dhe Kina, Rusia dhe ShBA-ja janë gjithnjë e më të përfshira në një betejë për dominim. Ndërkohë, teksa temperaturat në rritje e kthejnë Veriun e largët në një tabelë shahu për autokratët, territoret që kanë fatin e keq të jenë në rrugë - nga Grenlanda te Kanadaja e deri te arkipelagu norvegjez i Svalbardit, të cilin Rusia e ka dëshiruar prej kohësh - rrezikojnë të bëhen pionë.

Pothuajse po aq të rrezikshme për këto vende, sa kërcënimet që sjell Poli që po shkrihet, janë edhe mundësitë që hapen. Përse mendon ShBA-ja se duhet të aneksojë Grenlandën miqësore për të mbrojtur këtë kufi kritik arktik? Në fund të fundit, ata kanë pasur trupa të vendosura në këtë territor autonom danez që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe Danimarka e ka bërë të qartë gatishmërinë se janë të mirëpritur të sjellin më shumë. Interesant, përfitimi i vetëm që vjen ekskluzivisht me pronësinë, është e drejta mbi pasuritë nëntokësore që mund të zbulohen ndërsa ky vend i ngrirë nxehet!

Grenlanda është një burim i rrallë dhe i pashfrytëzuar jo vetëm për naftë dhe gaz, por edhe për mineralet e rralla që përdoren për të prodhuar gjithçka - nga bateritë e makinave elektrike te procesorët e qendrave të të dhënave, të cilat janë shpresa e ShBA-së për të fituar garën teknologjike me Kinën - siç ishte goma nga Malajzia apo pambuku nga India për ekonomitë e dikurshme koloniale. Edhe pse shpesh është gabim të kërkosh së tepërmi metodën logjike në çmendurinë e dukshme presidenciale, nuk mungojnë ideologët dhe krerët e teknologjisë në orbitën e Trumpit të cilët janë në gjendje t’i lidhin të gjitha këto dhe t’ia shesin atij. Dhe, edhe nëse shfrytëzimi i Arktikut nuk është ekonomikisht i vlefshëm për shumë vite, ankesat e Trumpit këtë javë për “plot anije kineze dhe ruse kudo” bëjnë me dije se dikush e ka bindur se nuk mund t’i lejojë rivalët ta mposhtin atë në një mundësi të vlefshme zhvillimi - një koncept që çdo ish-manjat pasurish të paluajtshme mund ta kuptojë. Në fund të fundit, në Ukrainë, Trumpi kërkoi të drejta për nxjerrjen e mineraleve të rralla në këmbim të garancive të sigurisë, dhe në Gazë mendoi për ndërtimin e hoteleve mbi rrënojat e bombarduara: pse të mos përpiqet të përfitojë shpejt nga një katastrofë mjedisore?

Dhe, teksa për britanikët e gjithë kjo duket si një epokë e re e perandorisë, për besnikët e MAGA-s ndoshta ka një jehonë të një historie shumë më amerikane - atë të kolonëve që krijonin pasurinë e tyre duke iu bashkuar karvanëve drejt Perëndimit, duke shtyrë kufijtë e kombit pafundësisht përpara, duke shpallur pretendime mbi tokat e popujve autoktonë dhe duke i mbajtur ato përmes një përzierjeje brutale të tregtisë dhe dhunës. Qëllimi nuk është të pushtohet Grenlanda, shpjegon sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, por të blihet - ose të paktën të merret me qira për qasje ekskluzive ushtarake. Është tregues i asaj se sa shpejt është shembur marrëdhënia midis ShBA-së dhe ish-aleatëve të saj - në pak më shumë se një vit - saqë kjo thuhet për të qetësuar: ej, miq, duam vetëm t’ju shfrytëzojmë, jo t’ju vrasim!

Duke pasur parasysh hapësirën legjendare të shkurtër të vëmendjes së presidentit, është e vështirë të thuhet se çfarë fati e pret Grenlandën. Ndoshta thjesht do të mërzitet dhe do të vazhdojë diku tjetër, sidomos pasi të kenë kaluar zgjedhjet afatmesme dhe të mos ketë më nevojë për dramë jashtë vendit për të larguar vëmendjen nga dështimet e brendshme. Ose, përkundrazi, ndoshta Shtëpia e Bardhë do të huazojë manualin e Putinit, duke shfrytëzuar dëshirën e grenlandezëve për pavarësi nga Danimarka për të nxitur lloj-lloj trazirash të brendshme - të cilat lehtë ndizen në epokën e rrjeteve sociale - përpara se ta paraqesë ShBA-në si një shpëtimtar dashamirës që vjen për t’i mbrojtur dhe për t’i pasuruar.

Por, sido që të jetë, më mirë të mësohemi me idenë se ky është fillimi, jo fundi i konflikteve që mund të vijnë teksa ngrohja globale rishkruan hartat tona, zhbën aleancat e vjetra dhe krijon rivalitete të reja vdekjeprurëse për tokë, ujë dhe burime natyrore.

Sigurisht që do të jetë më keq për ata që tashmë jetojnë në kufijtë e mbijetesës - në shkretëtira tepër të thata që të rritet diçka, ose në qytete bregdetare që tashmë po luftojnë me ngritjen e niveleve të detit, ose në vendet tepër të varfra për të mbrojtur veten nga stuhitë gjithnjë e më të dhunshme - sesa për Evropën me klimë të butë dhe me fat. Dhe, sigurisht që këto rreziqe mund të menaxhoheshin më mirë nga qeveritë bashkëpunuese që i trajtojnë ngjarjet, si shkrirja e Veriut, si një sfidë kolektive për njerëzimin që duhen përballuar së bashku, dhe jo si një garë vdekjeprurëse për përparësi kombëtare.

Por, në javën kur Trumpi njoftoi se do ta tërhiqte ShBA-në nga një sërë nismash ndërkombëtare për klimën, është e qartë se kjo nuk është bota në të cilën jetojmë. Prandaj, të paktën, le të shërbejë Grenlanda e varfër dhe e sfilitur si një kujtesë se kriza klimatike do të ketë pasoja gjeopolitike të cilat mezi kemi filluar t’i kuptojmë, dhe se çdo gjë që mund të bëjmë për të kufizuar temperaturën në rritje ose për të zbutur efektet e saj, ka ende rëndësi. Madje, ose ndoshta, pikërisht sepse nuk mund ta zhbëjmë ende dëmin që tashmë është bërë me qëllim. /Telegrafi/

Njihuni me brezin X: Në moshë të mesme, të tërbuar dhe të radikalizuar nga vreri i internetit

7 November 2025 at 09:18


Kush po e shtyn përpara rebelimin populist? Nuk janë pensionistët e acaruar apo adoleshentët e ndjeshëm - është brezi im.

Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Kur kishim dyshime, flisnim për motin. Ose, nëse jo për këtë, atëherë për atë se përse trenat përsëri vonohen, apo sa e bukur ishte foshnja e dikujt: ai lloji i rutinës monotone që shkëmben me të huajt në rrugë. Por, diçka po ndryshon në mënyrën se si flasim në publik.

Disa ditë më parë isha në [supermarketin] Aldi, duke bërë bisedën e zakonshme në arkë. Kur arkëtarja tha se ishte e lodhur nga puna me turne shtesë për të fituar ca para për Krishtlindje, burri pas meje ndërhyri duke thënë se do të jetë edhe më keq pasi “ajo do të na marrë të gjitha paratë” (nëse Rachel Reeves ishte në hamendje, deklaratat e saj për buxhetin po ndikojnë). Deri këtu rutinë, po të mos kishte vazhduar të shtonte se ajo dhe pjesa tjetër e qeverisë duhej të hiqeshin qafe dhe se ka mjaft ish-ushtarakë përreth që dinë se çfarë duhet bërë - përpara se të vazhdonte në mënyrë më grafike, derisa radha ra në heshtje dhe njerëzit nisën të lëviznin. Por, gjëja më e çuditshme ishte se ai i tha të gjitha këto me mjaft qetësi, sikur vrasja politike të ishte temë e pranueshme bisede me të huajt, si futbolli apo sa gjatë kanë zgjatur punimet në rrugë. Vetëm më vonë më ra në mend: ishte lloji i bisedës nga Facebook-u që ka marrë jetë. Ai e thoshte me zë të lartë, edhe në publik, llojin e gjërave që njerëzit i thonë shpesh në internet, pa e kuptuar se në botën reale ato janë ende tronditëse - të paktën për tani.

Mendova për të kur ministri i Shëndetësisë, Wes Streeting, shprehu shqetësim këtë javë se po bëhej “e pranueshme, në aspektin social, të jesh racist” sërish, me punonjës të NHS-it [Shërbimi Shëndetësor Kombëtar] nga pakicat etnike që luftojnë me një valë demoralizuese gjërash të cilat njerëzit, me sa duket, tani ndihen të guximshëm t’ua thonë atyre. Ajo që përshkroi Streetingu - jo vetëm racizëm i paepur, por një ndjesi e përgjithshme se frenimet po zhduken - shtrihet shumë përtej dhomave të pritjes në spitale. Mund ta ndjesh në stacione autobusi, ku pyetjet e sjellshme se përse 44-shi nuk ndalon më këtu përfundojnë papritur në tangjente të egra për gjurmë kimike ose për qeverinë që të përgjon; ose në biseda rastësore në derën e shkollës, ku prindërit që përndryshe duken krejtësisht normalë dalin të kenë disa ide shumë të çuditshme për vaksinat.

Një mike e quan këtë “sauna politike”, pas bisedave të mbushura me teori konspirative që ajo dëgjon në saunën e qendrës lokale të rekreacionit. Por, sido që ta quani, është sikur njerëzit po shprehin me zë të lartë monologët e tyre të brendshëm - gjërat që deri vonë do të kishin pasur turp t’i thoshin në publik, apo ndoshta edhe t’ia pranonin vetes se i mendojnë - me zë të lartë. Sepse, në fund të fundit, ata i thonë këto gjëra në internet dhe askush nuk befasohet. Pse jo në një dhomë pritjeje në spital? Është ekuivalenti i bisedës së djemve të rinj që përpiqen të provojnë në jetën reale gjërat që kanë parë në pornografinë e internetit dhe çuditen kur përfundojnë keq - përveçse këtë herë fajtorët nuk janë adoleshentë e hutuar, por prindërit e tyre, të shkëputur nga shembja marramendëse dhe e shpejtë e normave sociale në internet dhe kthimi i sharjeve që nuk i kanë dëgjuar me zë të lartë që nga fëmijëria.

Radikalizimi i moshës së mesme tingëllon pothuajse si një kontradiktë, një reagim ndaj gjithë stereotipave rreth rehatisë në rutinë. Për më tepër, në mendjen tonë, nëse jo diku tjetër, brezi X [të lindur mes viteve 1965-1960] ka qenë gjithmonë paqeruajtësi i butë i luftërave kulturore: as aq i vjetër për të qenë reaksionar dhe as aq i ri për të qenë me zgjimin [woke], por duke zënë një zonë të artë të moderuar diku në mes. Por, diçka duket se na ka ndodhur ndërsa hymë në vitet e krizës së mesme. Tani brezi X është mjaftueshëm i vjetër për t’u shqetësuar se bota po ndryshon dhe po na lë pas: se nëse pushohemi nga puna mund të mos na punësojnë më, se martesat tona mund të mos mbijetojnë largimin e fëmijëve, se pikëpamjet tona janë të vjetruara dhe dikush po vjen për të na kurthuar, se njerëzit po tallen me ne pas shpinës tonë. Megjithëse shumica kalojnë pa ndonjë shpërthim politik, kjo kohë e jetës ka padyshim viktimat e saj që kërkojnë një dalje për zemërimin dhe zhgënjimin e mbajtur në shishe se pse jeta nuk doli ashtu siç ishte planifikuar.

Janë brezi X, jo pensionistët e acaruar apo djemtë adoleshentë të joshur nga influencuesit e djathtë, ata që po fuqizojnë tani rebelimin populist. Vetëm 19 përqind e britanikëve rreth të pesëdhjetave votuan Reform UK-në në zgjedhjet e fundit të përgjithshme, por një e treta e atyre midis moshës 50 dhe 64 do ta votonin tani, sipas YouGov-it, që është një kthesë jashtëzakonisht e shpejtë për brezin e “Britanisë atraktive” [Cool Britannia] që solli Tony Blairin në Kryeministri - dhe ky fakt është thelbësor për kalimin e partisë nga periferia në kryeqendër. Në ShBA, brezi X është quajtur “brezi më pro-Trump”, sepse kanë më shumë gjasa se çdo tjetër të identifikohen si republikanë.

Megjithatë, me përjashtime të rralla, si projekti Smidge - një studim ndërkombëtar trevjeçar në zhvillim mbi mënyrën se si përhapen teoritë konspirative dhe dezinformimi midis moshave 45-65-vjeçare dhe si mund të funksionojë deradikalizimi për këtë grupmoshë - ne tregojmë çuditërisht pak kureshtje mbi mënyrën se si mendjet e moshës së mesme janë formuar nga jetesa gjatë këtij eksperimenti të madh të lirive të pakontrolluara të fjalës.

Brezi im pëlqen të mendojë se jemi mbi ndikimin që shohim në internet: se jemi më të zotët me teknologjinë se prindërit tanë, më pak të prekur nga TikTok-u se fëmijët tanë, dhe mjaft të pjekur për ta ndarë atë nga jeta reale. Por, dëshmitë sugjerojnë se nuk jemi aq të aftë për ta ndarë sa mendojmë. Ndoshta befasia e vetme, duke marrë parasysh sa i hollë ka qenë gjithmonë muri i katërt që ndan diskursin në linjë [online] dhe jashtë linje [offline], është se kjo ka marrë shumë kohë për t’u thyer. /Telegrafi/

Baballarët milenialë po përjetojnë diçka që nënat e kanë ditur prej kohësh

18 October 2025 at 14:18


Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

A mund të kenë burrat me të vërtetë gjithçka? Është një pyetje qesharake, natyrisht; një supozim kontrovers nga i cili gratë kanë kaluat vite të tëra duke u përpjekur që të çliroheshin. Nënat kanë punuar gjatë dhe shumë për të hedhur poshtë mitin se dikush duhet të jetë në gjendje të menaxhojë e vetme një punë, fëmijën, një marrëdhënie të lumtur dhe një jetë me kuptim pa u djersitur kurrë ose (më me rëndësi) pa pasur nevojë për ndihmë.

Dhe, deri në një farë mase kemi pasur sukses, gjykuar nga një sondazh me pesë mijë baballarë në Mbretërinë e Bashkuar, publikuar këtë javë nga organizata bamirëse Working Families që zbuloi se tri të katërtat tani thonë se me të vërtetë duan të ndajnë barrën e prindërimit në mënyrë të barabartë me partneret e tyre. Por, duket se bota e jashtme nuk ka arritur ende të na ndjekë.

Një në pesë burra tha se ishte pyetur - kur kërkoi pushim nga puna për arsye familjare - se ku ishte gruaja ose partnerja e tij. Përkthim: a nuk është ajo puna e saj? Dhe, ndoshta, me zë të ulët: nëse në shtëpinë tënde nuk është puna e saj, çfarë lloj burri je ti? Shumica e pengesave të tjera që burrat raportuan - si ato për sfidën nëse kriza familjare ishte me të vërtetë kaq urgjente, ose të shqetësoheshin se shefi i tyre do të mendonte më pak për ta për shkak të kërkesës - do të jenë të njohura në mënyrë për shumicën e nënave që punojnë. Por, mua kurrë nuk më kanë pyetur pse nuk mund ta shtyjë burrin të bëjë gjithçka, në një mënyrë që nënkupton se duhet të ketë diçka që nuk shkon me mua ose jo.

Betejat e baballarëve që punojnë janë si të njëjta ashtu edhe të ndryshme nga ato të nënave që punojnë, dhe këtu qëndron ndjesia e lehtë e dyshimit mes dy kampeve që në thelb po luftojnë të njëjtën luftë. (Supozimi se nënat janë prindër të paracaktuar, se thjesht duhet të lënë gjithçka nëse një fëmijë është i sëmurë ose nëse telefonon shkolla, është toksik për të dy gjinitë sepse minon karrierat e grave dhe gjithashtu përpjekjet e burrave për të qenë baballarë të mirë.) Megjithatë, mund të jetë e vështirë të shihen ngjashmëritë në punë kur luftoni me njëri-tjetrin në shtëpi, të kyçur në konkurrencë për të treguar kush është më i lodhur ose kujt i takon të shkojë në këndin e lojërave për fëmijë. Ku ishe ti kur ne po bënim punën më të vështirë?, mendojnë gratë për vete, kur dëgjojnë një lloj burri që flet me zë të lartë për faktin se është krenar që është me të vërtetë i pranishëm për fëmijët. Ah, tani burrat janë të interesuar për punën fleksibile: tani që pandemia e ka normalizuar plotësisht punën mjaft të këndshme nga shtëpia, është thjesht çështje e përdorimit të të drejtave ligjore që gratë dikur luftuan si luanesha për t’i fituar? Kur disa nga deputetët e rinj meshkuj të Partisë Laburiste filluan të bënin fushatë për pushim atësie më të paguar dhe të ishin të hapur për ta marrë vetë atë, ata nuk u bënë gjithmonë të dashur për koleget e tyre gra që kishin qenë në ato barrikada për vite me radhë, megjithëse baballarët që angazhohen kanë qenë gjithmonë pjesa e fundit e enigmës së barazisë.

Por, dikush duhet t’u tregojë burrave se kjo mund të bëhet. Mësimi nga futja e pushimit të përbashkët prindëror - që nënkupton se çiftet munden, në teori, të ndajnë deri në 50 javë pushim mes vete gjatë vitit të parë të fëmijës - është se shumë baballarë nuk ndihen rehat të shfrytëzojnë të drejtat e reja që u jepen, sepse ende e ndiejnë presionin për të qenë siguruesit kryesorë të të ardhurave. Qeveria tashmë është zotuar të bëjë një rishikim më të gjerë të lejes prindërore, dhe këtë verë komiteti ndërpartiak për barazi në Dhomën e Komunave argumentoi, në një raport, se pushimi atësor më bujar dhe i paguar duhet të jetë një përparësi (aktualisht shumë burra mbeten me minimumin ligjor, i ngrirë në kohë në më pak se gjysma e pagës minimale kombëtare). Por, as kjo nuk do të sjellë ndryshim rrënjësor nëse burrat nuk ndihen të lirë ta marrin atë pa u ndëshkuar.

Një zgjidhje e ofruar në konferencën e kësaj jave për Prindërimin e Barabartë në Londër, ku u diskutua edhe kërkimi i Working Families, ishte një fushatë që burrat të “jenë prindër të zëshëm” duke marrë gjithë pushimin që u takon dhe duke vendosur haptazi marrjen e fëmijëve nga çerdhja, në kalendarët e zyrës, në vend që të shtiren se po largohen më herët për ndonjë takim shumë të rëndësishëm. Nëse jo për diçka tjetër, kjo mund të hapë një bisedë për stresin që disa burra duket se po e mbajnë brenda vetes.

Sepse, baballarët, siç duket, nuk janë tamam në rregull. Një anketë e thelluar mbi qëndrimet e burrave britanikë ndaj maskulinitetit, e publikuar këtë javë nga YouGov, paraqet një tablo inkurajuese në shumë aspekte, duke vënë re se - në kundërshtim me besimin e zakonshëm - të rinjtë nuk janë të gjithë mizogjenë të zemëruar të radikalizuar në internet. (Vetëm 13 përqind e brezit Z kanë një mendim pozitiv për ndikuesin famëkeq Andrew Tate, megjithëse mund të argumentohet se kjo është 13 përqind më shumë seç duhet.) Por, sugjeron një prirje të çuditshme hidhërimi te burrat milenialë, te grupi që tani është në të 30-at dhe 40-at, tek ata që janë në vitet e lodhshme të përkujdesjes për fëmijë të vegjël. Ata janë grupmosha më e prirë të thotë se gratë e kanë më të lehtë në shoqëri sesa burrat, ose se përfitimet e grave në dekadat e fundit kanë ardhur në kurriz të burrave. Megjithëse këto mbeten pikëpamje të pakicës, të përqafuara nga më pak se një e katërta e milenialëve, YouGov gjen një besim të përhapur te të gjithë brezat se jeta ka qenë më e mirë për burrat 25 vjet më parë.

Ndoshta këta janë thjesht zërat e atyre që kanë mbetur pas në dashuri, të lënduar nga vite të tëra refuzimesh në aplikacionet e takimeve. (Milenialët ishin gjithashtu grupmosha më e prirë të thotë se gratë janë të interesuara vetëm për burra me status të lartë.) Por, a mund të jenë të paktën disa prej tyre burra të kapur në mes të partnereve të zemëruara, sepse nuk po japin kontributin e tyre - gjë që, për të qenë të drejtë, disa ende nuk e bëjnë, gjykuar nga statistikat që tregojnë se burrat ende kalojnë vetëm dy të tretat e kohës që gratë kalojnë në kujdes të papaguar për fëmijët - dhe frikës nga dështimi profesional?

Anketa e Working Families me siguri sugjeron se shumë baballarë të rinj ndihen të dërrmuar, ndoshta më shumë sesa etërit e tyre. Ata shqetësohen se po humbin momente të rëndësishme në jetën e fëmijëve të tyre, por edhe se mund të jenë barrë për kolegët nëse marrin pushim. Një e treta nuk kishin marrë pushim atësie sa do të kishin dashur, dhe pothuajse dy të tretat ndiheshin rregullisht të gjykuar në punë për vendosjen e angazhimeve familjare në radhë të parë. Gati tetë në dhjetë mendonin se tensionet që rezultonin po krijonin stres tek ata, partnerja apo mirëqenia e fëmijës së tyre.

Dhe, po, natyrisht që nuk është asgjë që nënat punëtore nuk e kanë përjetuar këtë prej dekadash: në këtë kuptim, mirë se vini në klub. Por, është pikërisht kështu sepse e dimë se si ishte - sa të zemëruara, të lodhura, fajtore dhe të pakënaqura ndiheshim ndonjëherë - që gratë të jenë të afta të ndiejnë solidaritet. Kjo është ajo gjëja me të pasurit fëmijë: pas kësaj, me të vërtetë jeni në të njëjtin front së bashku. /Telegrafi/

❌