Normal view

Bilanci i hidhur i investimeve strategjike

24 July 2026 at 22:12

Pas dhjetë vitesh nga zbatimi i ligjit për investimet strategjike, bilanci tregon se shteti ka angazhuar më shumë pasuri dhe fonde sesa përfitimet e matshme që kanë marrë ekonomia dhe qytetarët. Rreth 55 subjekte kanë marrë status strategjik, me vlerë të deklaruar investimesh prej 8,83 miliardë eurosh dhe 46.566 vende pune të premtuara. Turizmi përfaqëson rreth 70% të projekteve dhe 6,31 miliardë euro investime të deklaruara, por pjesa më e madhe e tyre janë zhvillime rezidenciale me vila dhe apartamente, teksa shumë projekte kanë dështuar, kanë vonesa në zbatim ose kanë devijuar nga projektet fillestare. Vetëm në Vlorë, shteti ka vënë në dispozicion rreth 1.000 hektarë tokë publike, me vlerë tregu të llogaritur rreth 3 miliardë euro, si dhe rreth 1,1 miliardë euro investime infrastrukturore. Përballë një kostoje publike që tejkalon 4 miliardë euro, investimet e premtuara në këtë qark nga strategjikët arrijnë në rreth 2,4 miliardë euro dhe 7.194 vende pune. Në vitin 2025, Vlora rezultoi qarku me treguesit më të dobët të punësimit në rang kombëtar. Investimet strategjike, në skaner

 

Blerina Hoxha

Dhjetë vjet pas fillimit të zbatimit të ligjit për investimet strategjike, (që nisi në vitin 2016), të dhënat zyrtare tregojnë se vlera e aseteve publike (tokës) dhe e shpenzimeve buxhetore për infrastrukturën që mbështet drejtpërdrejt apo tërthorazi këto investime, është shumë më e lartë se përfitimet që ekonomia në tërësi dhe rajonet po marrin prej tyre, pa përfshirë dëmin në mjedis dhe koston e mundësive të humbura në tokat më të çmuara të vendit.

Nga viti 2016 deri në vitin 2026, Komiteti i Investimeve Strategjike u dha rreth 55 subjekteve statusin e investitorit strategjik, nga të cilat 27 ushtrojnë aktivitet në fushën e turizmit, shumica në Qarkun e Vlorës.

Ky qark është shembulli më tipik se si qindra hektarë tokë shtetërore dhe miliarda euro nga buxheti u vunë në dispozicion të investitorëve strategjikë në turizëm. Shumë prej këtyre investimeve, në vend të shërbimeve të mirëfillta turistike, rezultuan në vila luksi, të cilat shpesh janë cilësuar si objekte për pastrimin e parave, etj.

Sipas të dhënave të përpunuara nga vendimet e Komitetit të Investimeve Strategjike, për zonën nga Vlora në Ksamil, KIS-i ka miratuar që nga viti 2016 të paktën 20 vendime për projekte turistike me status strategjik, me vlerë të premtuar investimesh që u afrohet 2.4 miliardë eurove dhe 7200 vende pune të pritshme.

Për të mbështetur zhvillimin e këtyre investimeve, qeveria ka kanalizuar një pjesë të madhe të investimeve publike në Qarkun e Vlorës. Të dhënat zyrtare nga Thesari i Ministrisë së Financave mbi investimet publike tregojnë se, gjatë periudhës 2016–2026, Vlora ishte ndër qarqet më të financuara.

Rreth 143 miliardë lekë investime publike të matshme në dhjetë vjet përfshijnë Tunelin e Llogorasë, bypass-in e Vlorës, rrugën Palasë–Dhërmi, shëtitoret, linjat e energjisë dhe ujësjellës-kanalizimet e zonave turistike.

Pothuajse çdo vit që nga viti 2016, Vlora mori financime rreth dy herë më të larta se mesatarja kombëtare, por, siç tregojnë të dhënat zyrtare, qarku mbetet me treguesit më të përkeqësuar të punësimit, teksa pesha e Vlorës në totalin e ndërmarrjeve në shkallë vendi pësoi rënie në 2025, në raport me 2015.

Neritan Sejamini, analist i çështjeve ekonomike, tha se i gjithë modeli i investimeve strategjike, si në kuadrin ligjor, ashtu edhe gjatë zbatimit, ishte një instrument klientelist për tjetërsimin e pasurive dhe fondeve publike në favor të klientëve të zakonshëm të qeverisë, duke shmangur ligjet e prokurimit publik, të ankandit, të koncesioneve dhe një sërë ligjesh të tjera që rregullojnë vendimmarrjen publike.

“Tani kemi plot prova për qëllimin e vërtetë të investimeve strategjike dhe nuk ka se si ekonomia të ketë përfitime, por ndërkohë kostot janë të pamatshme, pasi transferohen në breza”, tha ai.

 

“New Born”, investimi i parë strategjik

Në korrik të vitit 2016, një sipërfaqe prej 187 mijë metrash katrorë në Hamallaj u bë projekti i parë që mori statusin e investimit strategjik në Shqipëri. “New Born”, i njohur sot si “Vala Mar Residences”, u miratua si një kompleks turistik që parashikonte 250 vende pune gjatë ndërtimit dhe 80 të punësuar në fazën e operimit.

Projekti rezultoi në një lagje private me vila, ndërsa pronat u shitën tek individët.

Statusi strategjik iu dha projektit në vitin 2016, për një periudhë katërvjeçare. Përveç procedurave të përshpejtuara administrative, projekti përfitoi asistencë për furnizimin me ujë dhe energji elektrike, si dhe të drejtën e përdorimit të rreth 70 mijë metrave katrorë të bregut të detit. Përdorimi i vijës bregdetare u miratua për një afat 20-vjeçar.

Zhvillimi i investimit të parë strategjik u përqendrua vetëm te njësitë rezidenciale të destinuara për shitje. Sipas të dhënave të publikuara për kompleksin, sipërfaqja e ndërtimit arrin në rreth 66,500 metra katrorë dhe përbëhet kryesisht nga vila dhe apartamente me tipologji të ndryshme.

Ky model u bë më i dukshëm me projektin pasues “Vala Mar II”. Komiteti i Investimeve Strategjike e refuzoi propozimin, duke argumentuar se projekti nuk përmbante struktura akomoduese në përputhje me kërkesat e legjislacionit për turizmin. Refuzimi nxori në pah boshllëkun që kishte shoqëruar projektet e para, marrjen e statusit të investimit turistik pa një detyrim të qartë për ndërtimin e hotelit.

Kuadri ligjor u shtrëngua më pas. Ndryshimet e miratuara në vitin 2017 përcaktuan statusin e posaçëm për strukturat akomoduese me katër ose pesë yje dhe rritën kriteret për vlerën e investimit.

Sot, për të përfituar këtë status, investimi duhet të jetë 50 milionë euro për statusin e veçantë. Struktura duhet gjithashtu të menaxhohet nga një operator ose markë hoteliere e njohur ndërkombëtarisht.

Por, edhe pas këtyre ndryshimeve, tregu ka zhvilluar një model tjetër. Projektet ndahen në disa faza. Në fillim ndërtohen vilat dhe apartamentet, të cilat mund të shiten që në fazën e ndërtimit. Paratë e blerësve sigurojnë likuiditet të menjëhershëm dhe financojnë vijimin e kompleksit, duke reduktuar kapitalin që duhet të vendosë vetë zhvilluesi.

Hoteli kërkon një investim të madh fillestar, personel, menaxhim profesional dhe disa vite për të rikuperuar kapitalin. Për këtë arsye, ai vendoset zakonisht në fund të masterplanit, duke i shkaktuar humbje në kohë zinxhirit që lidhet me turizmin.

Sot, vija bregdetare po mbushet me komplekse vilash dhe apartamentesh që funksionojnë kryesisht si prona të dyta, ndërsa strukturat hoteliere janë të rralla dhe të pakta dhe realizohen shumë vonë.

 

Investimet strategjike, në skaner

Qëllimi kryesor i ligjit për investimet strategjike, i cili u miratua në maj të vitit 2015, afati i të cilit u shty edhe 6 herë të tjera, ishte nxitja e zhvillimit ekonomik përmes tërheqjes së investimeve të mëdha, duke u ofruar atyre procedura të përshpejtuara dhe lehtësi administrative. Në këmbim, ky mekanizëm synonte rritjen e punësimit, përmirësimin e infrastrukturës dhe ndikimin pozitiv në rritjen e qëndrueshme të vendit.

Ligji për Investimet Strategjike kërkon që investitori të realizojë një vlerë prej 5 milionë eurosh (procedurë e asistuar) ose 30 milionë eurosh (procedurë e veçantë) për të përfituar lehtësi shtetërore. Paralelisht, investitori duhet të krijojë minimalisht 80 ose 220 vende të reja pune, në varësi të kategorisë së procedurës së ndjekur.

Bazuar në ligj, shteti garanton aksesin në infrastrukturë dhe mbështetje administrative, ndërsa investitori detyrohet të respektojë afatet dhe standardet mjedisore, si dhe të përmbushë treguesit e punësimit.

Lista e investimeve që kanë përfituar statusin e investitorit strategjik tregon orientim të fortë të politikës së mbështetjes shtetërore drejt turizmit, zhvillimit të pronave dhe projekteve të mëdha bregdetare.

Industria, bujqësia dhe energjia zënë një pjesë më të kufizuar në numrin e projekteve, megjithëse disa prej tyre kanë ndikim më të madh në punësim ose kërkojnë kapital shumë më të lartë.

Që nga viti 2016, të paktën 55 subjekte morën statusin e investitorit strategjik; për arsye të ndryshme, disa prej tyre dështuan ta zhvillonin projektin. Të gjitha vendimet që shpallën investitorët strategjikë kanë deklaruar një vlerë të përgjithshme investimi rreth 8.83 miliardë euro dhe 46,566 vende pune.

 

Turizmi dominon në portofolin e investimeve strategjike

Turizmi, hoteleria, resortet, marinat dhe zhvillimi i pronave turistike përbëjnë pjesën dërrmuese të projekteve. Në këtë kategori përfshihen 39 nga 55 projektet strategjike, ose rreth 70% e portofolit.

Shuma nominale e investimeve turistike dhe të pasurive të paluajtshme arrin në rreth 6.31 miliardë, afërsisht 71% e vlerës totale të investimeve strategjike. Këto projekte parashikojnë rreth 24,257 vende pune, ose 52% të punësimit të përgjithshëm të deklaruar.

Pesha e turizmit lidhet kryesisht me projektet e mëdha bregdetare, si “Durrës Yachts & Marina”, resorti turistik në ishullin e Sazanit, “Marina Hills”, “Lëkurësi”, “Green Coast”, “Marina di Valona”, “Delta Falaise”, “San Pietro” dhe “Kep Merli Eco Resort”.

Statusi strategjik është përdorur në masë të madhe për projekte që ndërthurin hotelerinë me ndërtimin e rezidencave, vilave, marinave dhe zonave të mëdha të zhvillimit. Në të shumtën e rasteve nuk bëhet fjalë vetëm për investime në kapacitete akomoduese, por për projekte komplekse të zhvillimit të pronës.

Megjithëse turizmi është sektori me numrin më të madh të vendeve të punës, raporti mes kapitalit dhe punësimit është dukshëm më i lartë se në industri, tregti apo bujqësi.

Për projektet turistike, mesatarisht investohen 257 mijë euro për çdo vend pune të planifikuar. Ky raport ndikohet ndjeshëm nga projektet me vlera të mëdha investimi dhe numër relativisht të kufizuar punonjësish, si “Lëkurësi”, projekti në Sazan, “Marina Hills” dhe “Omnix Albania”.

 

Zonat ekonomike dhe industria krijojnë më shumë punësim

Industria, prodhimi dhe zonat e zhvillimit ekonomik përfaqësohen nga gjashtë projekte në portofolin e investimeve strategjike, por ndikimi i tyre i deklaruar në punësim është më i madh, edhe pse pjesa më e madhe e këtyre projekteve dështuan të realizohen.

Kjo kategori përfshin zonën TEDA të Vlorës, TEDA Tiranë, TEDA Prrenjas, “Vertigo Free Zone – Durrës Industrial Park”, fabrikën e sistemeve elektrike për automjete “Jura” dhe “Albpanel”.

Së bashku, këto projekte parashikojnë rreth 16,916 vende pune, ose më shumë se 36% të punësimit të përgjithshëm të listuar. Vlera e investimeve të raportuara arrin në rreth 342 milionë euro, pa përfshirë TEDA Tiranë.

Kjo kategori ka raportin më të ulët ndërmjet investimit dhe vendeve të punës. Investimi mesatar është rreth 28,700 euro për çdo vend pune.

Fabrika e pjesëve automotive “Jura” paraqitet si projekt me intensitet të lartë punësimi, me 516 vende pune dhe një investim prej 6.46 milionë eurosh, ose rreth 12,500 euro për vend pune.

“Vertigo Free Zone” parashikon 500 vende pune kundrejt një investimi prej 15.66 milionë eurosh, ose rreth 31,300 euro për çdo vend pune.

Të dhënat tregojnë se zonat ekonomike dhe investimet prodhuese kanë potencial më të madh punësimi në raport me kapitalin e angazhuar. Megjithatë, një pjesë e madhe e vendeve të punës mbetet e lidhur me objektiva të deklaruara dhe jo domosdoshmërisht me punësimin e realizuar.

 

Energjia, shumë kapital dhe pak punësim i drejtpërdrejtë

Në energji identifikohen katër projekte në listën e investimeve strategjike, me vlerë investimi prej rreth 1.92 miliardë eurosh. Kjo e bën energjinë sektorin e dytë për nga vlera e kapitalit, pas turizmit.

Projektet kryesore që morën statusin strategjik janë parku diellor 190 MW dhe parku me erë 636 MW në Tropojë, me një investim të deklaruar prej 1.2 miliardë eurosh, “Gas Power Plant Korça” me 349.7 milionë euro, “Biopower Green Energy” me 244 milionë euro dhe “Kirac Green Energy”, rreth 130 milionë euro.

Për projektin e Tropojës nuk është deklaruar numri i vendeve të punës. Tre projektet e tjera parashikojnë së bashku vetëm 597 vende pune.

Për tre projektet energjetike, që kanë të dhëna të plota, rezulton mesatarisht rreth 1.21 milionë euro investim për çdo vend pune. Ky është raporti më i lartë ndërmjet sektorëve dhe pasqyron natyrën intensive në kapital të prodhimit të energjisë.

“Gas Power Plant Korça” raportoi një investim prej 349.7 milionë euro dhe vetëm 123 vende pune, ose rreth 2.8 milionë euro për një vend pune. “Kirac Green Energy” arrin në rreth 1.05 milionë euro për vend pune, ndërsa “Biopower Green Energy” në rreth 697 mijë euro për një të punësuar.

Këto projekte mund të kishin rëndësi strategjike për kapacitetet energjetike, sigurinë e furnizimit ose diversifikimin e burimeve, por ndikimi i tyre i drejtpërdrejtë në punësim është i kufizuar.

 

Bujqësia dhe agroturizmi, me efikasitet më të lartë punësimi

Bujqësia dhe agroturizmi përfaqësohen nga pesë projekte në listën e investimeve strategjike me investime të deklaruara prej rreth 42.9 milionë eurosh dhe 796 vende pune.

Në këtë grup përfshihen ndërtimi i vreshtit, kantinës dhe agroturizmit, projekti “Zagroturizëm”, kompleksi i turizmit rural në Lajthizë, plantacioni me shegë, goji berry dhe avokado, si dhe “Agrocon Albania”.

Mesatarisht, këto projekte kërkojnë rreth 53,900 euro investim për çdo vend pune. Raporti është dukshëm më i ulët se në turizmin bregdetar dhe në energji.

Projekti i “plantacionit me shegë, goji berry dhe avokado” paraqet një nga raportet më të favorshme, me 6.63 milionë investim dhe 365 vende pune, ose rreth 18,200 euro për vend pune.

Megjithatë, pesha e bujqësisë në portofolin e përgjithshëm të investimeve strategjike mbetet shumë e ulët. Ajo përfaqëson më pak se 1% të vlerës nominale të investimeve dhe vetëm rreth 1.7% të vendeve të punës.

 

Vlora kryeson sipas numrit të projekteve

Sipas vendndodhjeve që mund të identifikohen nga emërtimet dhe të dhënat e tabelës, Qarku i Vlorës ka përqendrimin më të madh të investimeve strategjike.

Në Qarkun e Vlorës identifikohen të paktën 24 projekte, ose rreth 40% e projekteve totale, prej të cilave 20 janë në turizëm.

Në këtë qark përfshihen investimi në ishullin e Sazanit, TEDA Vlorë, “Lëkurësi”, “Marina di Valona”, “Green Coast”, “Pashaliman Laguna Eco Resort”, “Kep Merli”, “Manastir Resort”, “Dreamades Luxury Suites” dhe disa projekte të tjera turistike.

Vlora nuk kryeson vetëm për nga numri i projekteve, por paraqet edhe një kombinim mes investimeve turistike dhe projekteve që premtojnë punësim masiv. Megjithatë, pjesa më e madhe e projekteve mbetet e lidhur me bregdetin dhe zhvillimin e pronës.

Projekti TEDA Vlorë, një park industrial, parashikon ndikim të madh në punësimin e qarkut, me 10 mijë vende pune të deklaruara. Pa këtë projekt, ndikimi i investimeve turistike në punësim do të ishte shumë më i kufizuar.

 

Durrësi mbështetet te një megaprojekt

Në Qarkun e Durrësit identifikohen katër projekte me rreth 2.25 miliardë euro investime strategjike dhe 13,300 vende pune.

Pesha e Durrësit lidhet pothuajse tërësisht me projektin “Durrës Yachts & Marina”, për të cilin deklarohet një investim prej rreth 2.08 miliardë euro dhe 12 mijë vende pune.

Në Durrës përfshihen gjithashtu “San Pietro” dhe “Vertigo Free Zone – Durrës Industrial Park”.

Ndryshe nga Vlora, ku investimet janë të shpërndara mes një numri më të madh projektesh, portofoli i Durrësit është shumë i përqendruar. Vetëm projekti i marinës përbën rreth 93% të vlerës së investimeve të identifikuara në qark dhe 90% të vendeve të punës.

 

Tirana, më pak kapital i raportuar, por punësim i lartë

Në Tiranë identifikohen tre projekte TEDA Tiranë, “Tirana City Center”, i cili konsiderohet i dështuar dhe “Dajti Express Resort”.

Këto projekte parashikojnë së bashku 6,584 vende pune. Vetëm TEDA Tiranë parashikon 5 mijë vende pune, ndërsa “Tirana City Center”, 1,500. Kjo e bën Tiranën qarkun e tretë për nga punësimi i deklaruar, pas Vlorës dhe Durrësit, pavarësisht numrit të kufizuar të projekteve. “Tirana City Center” ka dështuar të zhvillohet.

 

Korça dhe Kukësi dominohen nga energjia

Në Korçë identifikohen leje për projekte me investime prej rreth 367.8 milionë euro dhe vetëm 217 vende pune. Pjesa kryesore i përket “Gas Power Plant Korça”, ndërsa projekti tjetër është “Green House Korça Resort”.

Në Kukës, investimi kryesor është parku diellor dhe me erë në Tropojë, me vlerë 1.2 miliardë euro. Për këtë projekt nuk është deklaruar punësimi, ndaj ndikimi i tij në tregun lokal nuk është i përcaktuar.

Në Elbasan identifikohet TEDA Prrenjas, me një investim prej 205 milionë dollarësh dhe 600 vende pune. Në Shkodër identifikohen dy projekte, me 25.1 milionë euro investime dhe 290 vende pune, ndërsa në Gjirokastër, projekti “Gerhoti Village” ka një investim prej 60 milionë eurosh.

 

Tre megaprojekte mbajnë mbi gjysmën e investimeve

Lejet për investimet strategjike karakterizohen nga një përqendrim shumë i lartë financiar.

Vetëm tre projekte kanë një vlerë më të madhe se 500 milionë euro, “Durrës Yachts & Marina”, resorti në ishullin e Sazanit dhe parku diellor e me erë në Tropojë. Së bashku, ato kanë një vlerë nominale prej rreth 4.68 miliardë eurosh, ose 53% të shumës së përgjithshme të investimeve strategjike.

Në anën tjetër, 10 projekte kanë vlerë më të ulët se 10 milionë euro. Ato përfaqësojnë vetëm rreth 58.7 milionë euro investime, por parashikojnë 1,658 vende pune.

Pesëmbëdhjetë projekte kanë investime nga 10 deri në 50 milionë euro, me 4,065 vende pune. Trembëdhjetë projekte janë në intervalin 50-100 milionë euro dhe parashikojnë 4,044 vende pune.

 

 

 

LEXONI EDHE:

Rasti i Vlorës, investimet strategjike përfituan më shumë sesa dhanë

Nga tjetërsimi i tokës te fundosja e godinave, hijet mbi investimet strategjike

Investimet strategjike, modeli ku fiton investitori, jo ekonomia

7 projektet strategjike që kanë dështuar ose janë bllokuar

E ardhmja e investimeve, përtej modelit të ndërtimit dhe shërbimeve me produktivitet të ulët

The post Bilanci i hidhur i investimeve strategjike appeared first on Revista Monitor.

Rasti i Vlorës, investimet strategjike përfituan më shumë sesa dhanë

24 July 2026 at 22:10

Në vitet e fundit, Vlora është shndërruar në një nga qarqet me përqendrimin më të madh të investimeve publike në vend.

Rrugët e reja, tunelet, shëtitoret, ujësjellësit, kanalizimet, rrjetet elektrike dhe infrastruktura mbështetëse për turizmin janë pjesë e mbështetjes për 20 projektet strategjike që u miratuan në këtë qark në fushën e turizmit.

Të dhënat zyrtare të përpunuara nga Komiteti i Investimeve Strategjike tregojnë se 20 investitorët strategjikë në sektorin e turizmit në Qarkun e Vlorës morën rreth 1000 hektarë tokë shtetërore me koncesion ose me çmimin simbolik 1 euro, në zonat më të bukura të Rivierës së Jugut.

Të dhënat nga agjencitë e pasurive të paluajtshme tregojnë se tokat që prekin bregun e detit kanë një çmim mesatar prej 300 eurosh për metër katror. Vlera e tokës shtetërore të vënë në dispozicion të resorteve i kalon 3 miliardë eurot, ndërkohë që qindra milionë euro u investuan nga buxheti i shtetit dhe taksapaguesit.

Gjatë periudhës 2016–2025, qeveria financoi nga buxheti i shtetit 1,1 miliardë euro për infrastrukturën mbështetëse të investimeve strategjike, si ujësjellës, kanalizime, linja energjie, rrugë dhe projekte të Rilindjes Urbane, nga rreth 1.5 miliardë euro investime totale për qarkun në këtë periudhë.

Shpenzimet e drejtpërdrejta publike, në formën e tokës dhe të investimeve nga buxheti në Qarkun e Vlorës që u shërbejnë investimeve strategjike, tejkalojnë 4 miliardë euro. Ndërsa vlera e investimeve të premtuara nga investitorët strategjikë, duke përfshirë edhe projektin e Sazanit në Vlorë, është 2,4 miliardë euro, teksa premtohet hapja e 7194 vendeve të punës. Bazuar vetëm në dokumentet pa analizuar ecurinë në realitet të këtyre projekteve, investitorët strategjike në këtë qark kanë përfituar më shumë asete publike se sa vlera e investimeve që ato kanë deklaruar në planet e tyre të biznesit.

Dhjetë vjet pasi investimi i parë strategjik në zonën e Palasës mori lejen, shihet se ajo që shteti ka vënë në dispozicion ka qenë më e lartë se përfitimet që pati ekonomia kombëtare dhe, sidomos, ajo lokale.

 

Burimi: INSTAT

 

 

Investimi dhe përfitimi

Shpenzimet e drejtpërdrejta publike, në formën e tokës dhe të investimeve nga buxheti në Qarkun e Vlorës që u shërbejnë investimeve strategjike, tejkalojnë 4 miliardë euro. Ndërsa vlera e investimeve të premtuara nga investitorët strategjikë, duke përfshirë edhe projektin e Sazanit në Vlorë, është 2,4 miliardë euro, teksa premtohet hapja e 7194 vendeve të punës. Bazuar vetëm në dokumentet pa analizuar ecurinë në realitet të këtyre projekteve, investitorët strategjike në këtë qark kanë përfituar më shumë asete publike se sa vlera e investimeve që ato kanë deklaruar në planet e tyre të biznesit.

 

Burimi: INSTAT

 

Punësimi përkeqësohet në Vlorë

Disa prej investimeve strategjike, si “Vlora Marina”, “Green Coast”, “Kep Merli” etj., tashmë kanë përfunduar dhe kanë nisur aktivitetin, por treguesit e punësimit në qytetin bregdetar nuk janë përmirësuar; përkundrazi, shënuan përkeqësim vitin e kaluar.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT-it, në vitin 2025, Vlora kishte një shkallë pjesëmarrjeje në forcat e punës prej vetëm 59,2%, niveli i dytë më i ulët ndër 12 qarqet e vendit. Në të njëjtën kohë, shkalla e inaktivitetit në Vlorë arrinte në 40,8%, duke qenë e dyta më e lartë në vend.

Pavarësisht volumit të madh të investimeve, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë mbetet jashtë tregut të punës. Edhe papunësia mbeti relativisht e lartë. Në vitin 2025, shkalla e papunësisë në Vlorë ishte 10,4%, më e lartë se në Tiranë, Durrës, Shkodër, Berat, Fier dhe Gjirokastër.

Vlora renditet e gjashta ndër qarqet e vendit për papunësinë më të lartë.

Përkundrazi, Vlora shënoi përkeqësim të punësimit edhe në raport me vetveten. Në vitin 2019, pjesëmarrja në forcat e punës ishte 66%, ndërsa në vitin 2025 ky tregues ra në 60%.

Irida Vela, eksperte në burimet njerëzore, e cila prej vitesh punëson të huaj në Shqipëri, kryesisht për resortet turistike, tha se strukturat e reja hoteliere të vëna në funksion gjatë dy viteve të fundit në Qarkun e Vlorës, e kanë 75% të stafit të huaj. Ajo tha se stafi i huaj është i pranishëm që nga punët elementare deri te menaxhimi.

Resortet parapëlqejnë të punojnë me staf të huaj, me kontrata të sigurta, për të ofruar shërbime të standardizuara, tha ajo.

Megjithëse qeveria i përqendroi investimet publike dhe ato private në Vlorë gjatë 10-vjeçarit të fundit, popullsia e qarkut shënoi rënie me 17%, edhe pse ky rajon kishte kaluar valë të forta të emigracionit të hershëm në vitet 1991 dhe 1997.

Disa nga shembujt më të mirë në turizëm për shërbimin gjatë gjithë sezonit, me oferta me gjithçka të përfshirë dhe kontrata afatgjata, janë resorte që nuk e kanë statusin e investitorit strategjik.

Përveç punësimit, Vlora nuk ka parë as rritje të ndjeshme të numrit të bizneseve aktive, në raport me qarqet e tjera, duke bërë që efekti multiplikativ i investimeve publike dhe private të mos ketë ndikuar masivisht në zinxhirët e tjerë të ekonomisë.

Të dhënat zyrtare të INSTAT-it tregojnë se, në vitin 2025, Qarku i Vlorës kishte 8.2% të bizneseve aktive në rang vendi, ndërsa në vitin 2015 kishte 8.6% të totalit të bizneseve aktive.

 

 

Investimet publike për Vlorën, shumë për infrastrukturën, pak për arsimin

Struktura e investimeve publike tregon se pjesa dërrmuese e fondeve në Qarkun e Vlorës është përqendruar në infrastrukturën fizike dhe në projektet që mbështesin zhvillimin e bregdetit të Vlorës. Në 10 vitet e fundit, deri në vitin 2026, infrastruktura rrugore përfitoi rreth 59 miliardë lekë, ose 42,7% të së gjithë shumës.

Projekti më i madh është ndërtimi i Tunelit të Llogorasë, me vlerë prej 20 miliardë lekësh. Vetëm ky projekt përfaqëson rreth 14,5% të të gjitha investimeve të evidentuara në qark.

Investime të tjera të mëdha janë rikonstruksioni i Rrugës së Lumit të Vlorës, me 10,49 miliardë lekë, bypass-i i Vlorës, me 6,92 miliardë lekë, dhe aksi Orikum–Dukat, i realizuar përmes një kontrate koncesionare, me rreth 6,73 miliardë lekë.

Gjithashtu rruga Palasë–Dhërmi, aksi Vlorë–Orikum, lidhja e Selenicës me autostradën dhe infrastruktura rrugore që do të lidhë Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës me rrjetin kryesor rrugor. Pas rrugëve, zëri i dytë më i madh është infrastruktura e ujësjellës-kanalizimeve, me 22,6 miliardë lekë, ose 16,4% të totalit të investimeve në këtë qark.

Projektet kryesore lidhen me rrjetin e Vlorës, impiantin e trajtimit të ujërave të zeza, furnizimin me ujë të zonave Radhimë–Orikum–Himarë dhe rrjetet e Sarandës e Ksamilit. Rreth 17,2 miliardë lekë, ose 12,5% e totalit, janë orientuar drejt projekteve të “Rilindjes Urbane”.

Në këtë kategori përfshihen Lungomare 1 dhe 2, rikualifikimi i shëtitores së Sarandës dhe Ksamilit, restaurimi i qendrës historike të Vlorës dhe ndërhyrjet në Himarë e Dhërmi.

Në total, rrugët, ujësjellës-kanalizimet, ndërhyrjet urbane, energjia, infrastruktura lokale dhe mbështetja për transportin detar e ajror kanë marrë rreth 124,8 miliardë lekë. Kjo shumë përfaqëson mbi 90% të të gjithë portofolit të investimeve gjatë 10 viteve në Vlorë. Përqendrimi tregon se përparësi ka qenë krijimi i infrastrukturës që lehtëson zhvillimin turistik, ndërtimin dhe rritjen e vlerës së pronave në zonat bregdetare.

Ndryshe nga infrastruktura fizike, sektorët që ndikojnë drejtpërdrejt në kapitalin njerëzor dhe në cilësinë afatgjatë të punësimit kanë marrë një pjesë shumë më të vogël të fondeve. Për arsimin dhe kulturën u dhanë 4,4 miliardë lekë, ndërsa për shëndetësinë vetëm 1,2 miliardë lekë.

Të dy sektorët së bashku përfaqësojnë rreth 4,1% të vlerës totale të investimeve. Për bujqësinë dhe mjedisin janë orientuar 7,6 miliardë lekë, kryesisht për infrastrukturën ujitëse dhe kulluese, mbrojtjen e Vjosës dhe Shushicës, si dhe landfillin rajonal të Sherishtës.

Kjo strukturë e shpenzimeve publike në Vlorë evidenton një çekuilibër ndërmjet investimeve që rrisin vlerën fizike dhe turistike të territorit dhe atyre që mund të forcojnë aftësitë e fuqisë punëtore, shërbimet publike dhe sektorët prodhues vendas.

Kombinimi i një fature investimesh publike dhe private prej rreth 4 miliardë eurosh me pjesëmarrjen e ulët në forcat e punës dhe inaktivitetin e lartë tregon se ndikimi i investimeve në mirëqenien dhe punësimin lokal mbetet më i kufizuar nga sa sugjeron transformimi fizik i territorit.

Sfida për Vlorën nuk është më vetëm të tërheqë investime të tjera, por t’i lidhë ato më fort me bizneset vendase, arsimin profesional, bujqësinë, përpunimin, shërbimet me vlerë të shtuar dhe punësimin gjatë gjithë vitit.

 

 

 

LEXONI EDHE

Bilanci i hidhur i investimeve strategjike

Nga tjetërsimi i tokës te fundosja e godinave, hijet mbi investimet strategjike

Investimet strategjike, modeli ku fiton investitori, jo ekonomia

7 projektet strategjike që kanë dështuar ose janë bllokuar

E ardhmja e investimeve, përtej modelit të ndërtimit dhe shërbimeve me produktivitet të ulët

 

The post Rasti i Vlorës, investimet strategjike përfituan më shumë sesa dhanë appeared first on Revista Monitor.

Nga tjetërsimi i tokës te fundosja e godinave, hijet mbi investimet strategjike

24 July 2026 at 22:08

Portofoli i investimeve strategjike në Shqipëri është prezantuar ndër vite si një instrument për të tërhequr kapital, për të zhvilluar turizmin dhe për të krijuar vende të reja pune.

Por, krahas projekteve që kanë mbetur në letër dhe premtimeve për investime miliardëshe, disa prej tyre janë përfshirë në hetime penale, konflikte pronësie, polemika mjedisore apo probleme serioze teknike dhe moszbatim të kontratave, për sa u përket investimit, vendeve të punës dhe afateve.

Në disa projekte ka vendime gjykate dhe konfiskim të pasurive, ndërsa në të tjera bëhet fjalë për hetime ende të papërfunduara, sekuestrime të pronave të individëve, ankesa të pronarëve apo konstatime teknike që kërkojnë ndërhyrje.

Rasti më i rëndë, ku paligjshmëria është konfirmuar nga drejtësia, lidhet me projektin turistik strategjik “Dreamades Luxury Suites” në Dhërmi. Hetimet zbuluan se një sipërfaqe toke shtetërore ishte regjistruar dhe kaluar në pronësi private përmes dokumenteve të falsifikuara, përpara se t’i shitej shoqërisë së lidhur me zhvillimin e projektit.

Çështja përfundoi me dënimin e ish-kryetarit të Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, dhe konfiskimin e rreth 10 mijë metrave katrorë tokë, të cilat iu kthyen shtetit. Drejtësia shpalli të paligjshme skemën e tjetërsimit të tokës, por jo të gjithë projektin turistik.

Probleme teknike janë konstatuar edhe në “Durrës Yachts & Marina”. Inspektimet shtetërore kanë konstatuar ulje të konsiderueshme të themeleve në dy prej godinave të kompleksit.

Në njërën prej tyre, ulja raportohej deri në 28 centimetra, ndërsa në tjetrën deri në 18 centimetra. Për ndërtesa shumëkatëshe që ndodheshin pranë përfundimit, përmasa e deformimit kërkoi ndërhyrje të specializuar, përforcim të themeleve dhe hartimin e një projekti teknik për stabilizimin e strukturave.

Rasti ngre pikëpyetje jo vetëm për mënyrën e zbatimit të punimeve, por edhe për cilësinë e studimeve gjeologjike, projektimit dhe mbikëqyrjes teknike në një investim me vlerë mbi 2 miliardë.

Edhe projekti i resortit turistik në ishullin e Sazanit përballet me një problem të veçantë teknik, sigurie dhe mjedisor. Për shkak të përdorimit të gjatë ushtarak të ishullit, në territor dhe në zonën detare përreth dyshohet se ka ende municione të pashpërthyera.

Pikëpyetje mjedisore dhe rregullatore janë ngritur edhe për “Manastir Resort”, pranë zonës së Butrintit. Një pjesë e territorit të projektit është brenda kufijve të Parkut Kombëtar të Butrintit, ku ndërtimi ishte i kufizuar nga legjislacioni për zonat e mbrojtura.

Autoritetet përgjegjëse për mbrojtjen e natyrës kishin kërkuar që në parcelat përkatëse të mos zhvilloheshin ndërtime për sa kohë ato ishin pjesë e parkut. Situata ndryshoi pas rishikimit të kufijve të zonës së mbrojtur, kur parcelat në fjalë mbetën jashtë parkut.

Ligjërisht, ndryshimi i kufijve i hapi rrugë zhvillimit të projektit. Por mënyra dhe koha e ndryshimit krijuan polemika mbi faktin nëse mbrojtja e territorit ishte dobësuar për t’i shërbyer një investimi strategjik.

Një ndërthurje edhe më e ndërlikuar e problemeve pronësore, mjedisore dhe të sigurisë është te “Pashaliman Laguna Eco Resort”.

Territori i propozuar për zhvillimin e resortit ndodhet pranë qytetit antik të Orikumit, zonës së mbrojtur të Kepit të Shëngjergjit dhe bazës ushtarake të Pashalimanit. Kjo ka ngritur shqetësime për mbivendosjen me trashëgiminë arkeologjike, kufijtë e zonave të mbrojtura dhe përdorimin e pronave me rëndësi për mbrojtjen kombëtare.

Në diskutim është përfshirë edhe heqja e disa territoreve nga plani i përhapjes së Forcave të Armatosura, si dhe dyshime publike për konflikt interesi në trajtimin administrativ të projektit.

Deri tani nuk ka një vendim përfundimtar gjyqësor që e shpall të paligjshëm resortin. Por grumbullimi i çështjeve që lidhen me pronën ushtarake, trashëgiminë kulturore dhe mbrojtjen e natyrës e bën atë një nga projektet më të debatueshme të listës së investimeve strategjike.

Konfliktet pronësore kanë shoqëruar edhe projektin “Soleil & Sea”. Një pjesë e territorit mbi të cilin është zhvilluar investimi është bërë objekt i një beteje të gjatë gjyqësore mes personave që pretendojnë pronësinë.

Një nga pretenduesit ka fituar të drejtat mbi pronën në një proces civil dhe më pas ka depozituar kallëzim penal, duke ngritur pretendime për falsifikim dokumentesh dhe ndërhyrje në regjistrimin e pasurisë.

Statusi është dhënë shpesh mbi bazën e shumës së premtuar të investimit dhe numrit të deklaruar të vendeve të punës, ndërsa verifikimi i pronësisë, ndikimit mjedisor, fizibilitetit teknik dhe realizimit faktik nuk ka funksionuar.

Statusi strategjik mbeti më shumë një privilegj administrativ sesa një garanci se projekti është ligjërisht, teknikisht dhe ekonomikisht i qëndrueshëm dhe me ndikim në ekonomi.

 

Durrës Yachts & Marina, përfitimi privat në kurriz të faturës publike

Projekti “Durrës Yachts & Marina” është rasti më i veçantë i investimeve strategjike, jo vetëm për vlerën e investimit dhe emrin e investitorit, por edhe sepse po zhvillohet në territorin aktual të Portit të Durrësit, një nga asetet më strategjike të vendit, teksa qeveria ka dështuar për disa vite rresht të tenderojë një investitor për ndërtimin e Portit të Ri në Porto Romano.

Në vitin 2022, Komiteti i Investimeve Strategjike i dha statusin e investitorit strategjik projektit “Durrës Yachts & Marina”, i cili zhvillohet nga kompania “Durrës Marina” sh.a., një ndërmarrje e krijuar si Partneritet Publik-Privat, ku shteti shqiptar zotëron 33% të aksioneve. Investitori kryesor privat pas këtij projekti është Mohamed Alabbar, biznesmeni nga Emiratet e Bashkuara Arabe, i cili operon përmes kompanisë Eagle Hills Real Estate Development, në partneritet me shtetin shqiptar.

Sipas planit të biznesit, projekti “Durrës Yachts & Marina pritet të gjenerojë rreth 3.2 miliardë euro të ardhura nga shitjet dhe një fitim neto prej afro 854 milionë eurosh. Shoqëria “Durrës Marina” është krijuar si Partneritet Publik-Privat, ku investitori privat zotëron 67% të aksioneve dhe shteti shqiptar 33%.

Në këtë raport, pala shqiptare mund të përfitojë rreth 281 milionë euro, ndërsa investitorit privat i takojnë rreth 572 milionë euro.

Pjesa dërrmuese e të ardhurave pritet të vijë nga shitja e rreth 13 mijë apartamenteve. Projekti është kryesisht rezidencial. Rreth 93% e sipërfaqes së planifikuar parashikohet për banim dhe afërsisht 70% e të ardhurave nga shitja e apartamenteve. Hotelet me katër dhe pesë yje, njësitë tregtare dhe marina zënë një peshë më të vogël në modelin financiar.

Megjithëse paraqitet si një investim me vlerë mbi 2 miliardë euro, “Eagle Hills” ka marrë përsipër të investojë drejtpërdrejt nga kapitali i saj vetëm 80 milionë euro.

Një shumë e ngjashme pritet të sigurohet përmes kredive bankare, ndërsa pjesa kryesore e financimit, mbi 2 miliardë euro, do të vijë gradualisht nga parashitja e apartamenteve dhe njësive tregtare.

Bilancet e viteve 2023–2024 tregojnë se ky model ka nisur të funksionojë. Shoqëria kishte arkëtuar rreth 4.17 miliardë lekë, ose afërsisht 42 milionë euro, në formën e parapagimeve nga blerësit.

Në të njëjtën kohë, kapitali i investitorit privat ishte rreth 7 milionë euro, ndërsa kostot për tri godinat e para arritën rreth 35 milionë euro.

Vetë raportet financiare i cilësojnë parapagimet e klientëve si komponent të rëndësishëm të financimit.

Me një investim fillestar prej 80 milionë eurosh dhe një fitim të synuar prej rreth 572 milionë eurosh, norma e kthimit për investitorin privat llogaritet mbi 600%. Ky raport shpjegohet nga fakti se shteti vë në dispozicion tokën dhe lehtësitë fiskale, ndërsa një pjesë e madhe e ndërtimit financohet nga klientët përmes pagesave në avancë.

Shteti shqiptar nuk kontribuoi me para të gatshme në shoqëri, por me pronat publike në territorin e Portit të Durrësit, të drejtat mbi zonën, lehtësi administrative dhe përjashtime fiskale.

Projekti është përjashtuar nga taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe nga kontributi për strehimin social.

Sipas relacionit për kontestimin e projektit të paraqitur në Gjykatën Kushtetuese, vlera e aseteve, lehtësive dhe kontributeve publike të lidhura me projektin arrin rreth 940.2 milionë euro.

Në këtë shumë përfshihen rreth 124 milionë euro vlerë e tokës publike, 400 milionë euro vlerë trualli, 84 milionë euro nga përjashtimi i taksës së ndikimit në infrastrukturë, 25 milionë euro për pastrimin e territorit, 8.2 milionë euro kosto kredie dhe 299 milionë euro kontribut në ndërtim.

Këto nuk janë pagesa buxhetore të menjëhershme, por pasuri dhe të ardhura të munguara dhe angazhime ekonomike të shtetit.

Por kostoja më e madhe publike ndodhet jashtë bilancit të shoqërisë së marinës. Shndërrimi i portit ekzistues në kompleks rezidencial dhe turistik kërkon zhvendosjen e aktivitetit tregtar në Porto Romano.

Faza e parë është tenderuar me fond limit 39.32 miliardë lekë pa TVSH, afërsisht 400 milionë euro, ndërsa kostoja totale e portit të ri parashikohet të kalojë 1.6 miliardë euro.

Ky investim do të financohet nga buxheti i shtetit. Ndërtimi i Porto Romanos është kushti që i hap rrugën lirimit të territorit aktual të Portit të Durrësit për projektin privat. Përfitimi i investitorit lidhet me zhvillimin e një prej zonave më të vlefshme të vendit, ndërsa fatura e infrastrukturës zëvendësuese mbetet publike.

Ndërtimi dhe shitja e njësive të marinës kanë avancuar, ndërsa procedurat për Porto Romanon janë anuluar më shumë se një herë.

Gara e rishpallur me pesë ofertues u mbyll pa kontratë, pasi operatori i vetëm i mbetur në fazën përfundimtare nuk paraqiti ofertë financiare. Porti i ri nuk ka hyrë ende në ndërtim sipas kalendarit fillestar.

Nëse aktiviteti portual vazhdon në Durrës, lirimi i hapësirave për fazat e ardhshme të marinës do të shtyhet dhe mund të lindin pretendime kontraktore.

Nëse qeveria e përshpejton projektin e ri me kosto më të lartë, diferenca do të rëndojë sërish mbi financat publike.

Kuota prej 33% i jep shtetit të drejtën të marrë pjesë në fitimet e ardhshme, por ky përfitim nuk është i garantuar.

Dividendi varet nga realizimi i fitimit, ritmi i shitjeve, kostot e deklaruara nga shoqëria dhe vendimet për shpërndarjen e tij, por ndërkohë toka, lehtësitë fiskale dhe infrastruktura zëvendësuese janë kontribute të menjëhershme të shtetit në investim.

“Durrës Yachts & Marina” po merr formën e një zhvillimi kryesisht rezidencial, të financuar në pjesën më të madhe nga parashitjet.

Përballë një fitimi të supozuar prej 281 milionë eurosh për palën shqiptare, vetëm vlera e aseteve dhe lehtësive publike të identifikuara në dokumentet e projektit arrin rreth 940 milionë euro, pa përfshirë koston e plotë të Porto Romanos.

Projekti po përballet me vështirësi në zbatim. Dy ndërtesa u fundosën rreth 15 centimetra vitin e fundit duke i dhënë projektit një imazh negativ në hapat e parë të zbatimit.

 

LEXONI EDHE

Bilanci i hidhur i investimeve strategjike

Rasti i Vlorës, investimet strategjike përfituan më shumë sesa dhanë

Investimet strategjike, modeli ku fiton investitori, jo ekonomia

7 projektet strategjike që kanë dështuar ose janë bllokuar

E ardhmja e investimeve, përtej modelit të ndërtimit dhe shërbimeve me produktivitet të ulët

 

The post Nga tjetërsimi i tokës te fundosja e godinave, hijet mbi investimet strategjike appeared first on Revista Monitor.

Investimet strategjike, modeli ku fiton investitori, jo ekonomia

24 July 2026 at 22:06

Në resortet e mëdha të integruara në bregdet, shitja e vilave dhe apartamenteve nis zakonisht gjatë ndërtimit, ndonjëherë përpara përfundimit të godinave. Pagesat bëhen me këste dhe paratë e arkëtuara nga blerësit përdoren për të mbështetur ecurinë e projektit.

Investimet strategjike në turizëm po zhvillohen gradualisht me fondet e klientëve që blejnë apartamente ende të papërfunduara. “Vlora Marina”, “San Pietro”, “Kep Merli”, “Durrës Yachts Marina” dhe komplekse të tjera bregdetare, njësitë rezidenciale janë nxjerrë në shitje gjatë fazave të zhvillimit, madje edhe për projekte për të cilat ende nuk është hapur gropa.

Tregu i vilave dhe apartamenteve u kthye në një nga burimet kryesore të të ardhurave të zhvilluesve, veçanërisht me rritjen e kërkesës nga blerësit e huaj dhe shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.

Për zhvilluesin, modeli rezidencial është shumë tërheqës. Vilat dhe apartamentet shiten që në fazat e para të punimeve, duke kufizuar varësinë nga kreditë bankare dhe duke transferuar një pjesë të riskut te blerësit.

Pas shitjes së pronës, zhvilluesi realizon fitimin dhe nuk mban më të njëjtin risk afatgjatë që do të kishte nëse do ta administronte atë si hotel.

Në disa raste, ai mund të vazhdojë të përfitojë edhe nga tarifat e mirëmbajtjes, administrimit, qiradhënies dhe shërbimeve të resortit.

Hoteli ndjek një logjikë tjetër, pasi kërkon që investitori të angazhojë kapital të konsiderueshëm përpara hapjes dhe ta rikuperojë atë gradualisht përmes netëve të akomodimit, restoranteve dhe shërbimeve.

Kthimi është më i ngadaltë dhe varet nga sezonaliteti, menaxhimi, kostot e personelit dhe numri i turistëve. Kjo shpjegon pse zhvilluesit kanë pasur interes më të madh për të ndërtuar dhe për të shitur vila e apartamente, ndërsa strukturat hoteliere shpesh janë zhvilluar më vonë ose kanë zënë një pjesë më të vogël të projektit.

 

Ekonomia përfiton më shumë nga hoteli, jo nga vilat

Ajo që është më fitimprurëse për investitorin nuk është domosdoshmërisht edhe më produktivja për ekonominë. Vilat dhe apartamentet krijojnë punësim gjatë ndërtimit, kërkesë për materiale dhe të ardhura nga shitja. Por pas përfundimit, ndikimi i tyre mund të bjerë ndjeshëm, veçanërisht kur përdoren si banesa të dyta vetëm për disa javë në vit, tha Neritan Sejamini.

Një vilë e mbyllur gjatë pjesës më të madhe të vitit krijon pak vende pune të përhershme dhe pak konsum lokal. Ndërkohë, infrastruktura publike, përfshirë rrugët, energjinë, furnizimin me ujë, kanalizimet dhe pastrimin, duhet të ndërtohet dhe të mirëmbahet edhe për pronat që përdoren vetëm në sezon.

Në anën tjetër, hoteli krijon qarkullim të vazhdueshëm. Ai punëson recepsionistë, kuzhinierë, kamerierë, pastrues, teknikë dhe menaxherë. Blerjet e tij mbështesin bujqësinë, tregtinë, industrinë ushqimore, transportin dhe bizneset e vogla. Përfitimi shpërndahet në më shumë hallka të ekonomisë dhe përsëritet çdo vit.

Problemi i modelit aktual është se një projekt mund të marrë status strategjik dhe lehtësi si investim strategjik, ndërkohë që pjesa kryesore e tij funksionon ekonomikisht si zhvillim i pasurive të paluajtshme, siç ka ndodhur deri më tani.

Për një model më të balancuar, statusi i investimit turistik duhet të lidhet me tregues të matshëm, numrin e dhomave hoteliere, vendet e përhershme të punës, muajt e operimit gjatë vitit, tha z. Sejamini. Investimet strategjike, sipas tij, janë projekte ndërtimi dhe shitjeje pronash, ku kapitali qarkullon shpejt në favor të zhvilluesit, ndërsa përfitimi për ekonominë materializohet më shumë si kosto.

 

Vilat versus hotele, efektet në ekonomi

Shitja e një vile gjeneron të ardhura në momentin e transaksionit dhe aktivitet ekonomik gjatë ndërtimit. Por, pas shitjes, fluksi fiskal dobësohet.

Një hotel prodhon të ardhura fiskale çdo vit nga akomodimi, ushqimi, pijet, pagat, fitimi dhe shërbimet e tjera. Sa herë që një dhomë shitet, krijohet qarkullim i ri ekonomik.

Ky është rasti i “Meliá”-s në “San Pietro”, në Gjirin e Lalëzit, ku të ardhurat vjetore kaluan 18 milionë euro në vitin 2024 dhe hoteli i markës së njohur spanjolle të turizmit elitar ka rreth 470 dhoma.

Kostoja e mundësisë së humbur është diferenca mes një të ardhure të madhe, por të njëhershme nga shitja e pronës, dhe një rrjedhe më të vogël, por të përsëritur çdo vit nga aktiviteti hotelier.

Në një horizont 20 apo 30-vjeçar, një hotel mund të prodhojë qindra mijë net qëndrimi, miliona euro konsum dhe një fluks të vazhdueshëm tatimor. Vila, pasi shitet, mund të mos sjellë pothuajse asnjë të ardhur tjetër për ekonominë, nëse nuk përfshihet në një skemë qiradhënieje turistike.

 

Furnitorët vendas humbasin një treg të përhershëm

Hoteli nuk është një aktivitet i izoluar, pasi ai blen ushqime, pije, produkte higjiene, tekstile, mobilie, shërbime transporti, energji, mirëmbajtje dhe produkte bujqësore.

Një resort me peshë të madhe hoteliere mund të krijojë një treg të qëndrueshëm për fermerët, distributorët, lavanderitë, kompanitë e transportit, agjencitë turistike dhe bizneset e tjera lokale.

Një kompleks vilash nuk ka të njëjtën kërkesë të organizuar. Pronarët mund të blejnë në mënyrë individuale dhe sezonale, por konsumi është më i fragmentuar dhe më i ulët, thotë z. Sejamini. Kështu, zgjedhja e vilave në vend të hotelit nuk kufizon vetëm punësimin e drejtpërdrejtë, por edhe kërkesën për mallra dhe shërbime vendase.

Në këtë kuptim, kostoja e humbur nuk është vetëm hoteli që nuk u ndërtua, por edhe prodhimi bujqësor që nuk u shit, transporti që nuk u përdor, shërbimet që nuk u kontraktuan dhe bizneset lokale që nuk u zgjeruan.

 

Sezoni i shkurtër bëhet pjesë e modelit

Një tjetër kosto e mundësisë së humbur është zgjatja e sezonit turistik. Vilat e përdorura si banesa të dyta kanë tendencë të mbushen kryesisht gjatë verës. Në pjesën tjetër të vitit, kompleksi mund të ketë një numër shumë të vogël banorësh dhe konsumatorësh.

Hoteli ka më shumë interes të tërheqë klientë edhe jashtë sezonit, sepse duhet të mbulojë kostot e personelit, mirëmbajtjes dhe operimit. Ai investon në konferenca, evente, paketa mirëqenieje, gastronomi dhe aktivitete që mund të sjellin turistë edhe në pranverë, vjeshtë dhe dimër. Resortet që dominohen nga banesa të dyta krijojnë një territor me vlerë të lartë, por me aktivitet të ulët për pjesën më të madhe të vitit.

 

Infrastruktura publike përdoret nën kapacitet

Vilat dhe apartamentet kërkojnë rrugë, energji, ujësjellës, kanalizime, pastrim, ndriçim, mbrojtje nga zjarri dhe shërbime sigurie. Këto investime duhet të projektohen për periudhën e pikut, kur të gjithë pronarët dhe turistët mund të jenë të pranishëm njëkohësisht.

Por gjatë pjesës tjetër të vitit, infrastruktura përdoret vetëm pjesërisht.

Kjo krijon një raport joefikas mes kostos dhe përdorimit. Shteti dhe pushteti vendor duhet të sigurojnë kapacitete të mëdha për një territor që mund të jetë pothuajse bosh në pjesën më të madhe të vitit.

Një hotel gjithashtu kërkon infrastrukturë, por ka mundësi ta përdorë atë në mënyrë më të vazhdueshme, veçanërisht kur operon jashtë sezonit. Kostoja e mundësisë së humbur është pikërisht përdorimi jooptimal i investimeve publike. Kapitali publik mund të ishte orientuar drejt një aktiviteti që gjeneron më shumë konsum, punësim dhe taksa gjatë gjithë vitit.

 

Toka bregdetare humbet një përdorim alternativ

Toka bregdetare është një burim i kufizuar. Në vendin tonë, një territor i madh nga Velipoja në Ksamil po ndërtohet me vila dhe apartamente dhe përdorimi i tij është pothuajse i pakthyeshëm. Nuk bëhet fjalë vetëm për vlerën e tokës sot, por për potencialin ekonomik që ajo mund të prodhonte për dekada, thotë z. Sejamini.

Hoteli mund të ndryshojë operator, markë dhe koncept, por mbetet kapacitet prodhues për turizmin, ndërsa vila e shitur kalon në përdorim privat dhe nuk ka asnjë garanci se do të jetë pjesë e aktivitetit turistik. Për këtë arsye, një nga kostot më të mëdha të mundësisë së humbur është privatizimi ekonomik i territorit.

Toka që mund të prodhonte shërbime, punësim dhe eksporte turistike për shumë vite shndërrohet në pronë private me përdorim të kufizuar, duke humbur përfundimisht mundësitë e zhvillimeve alternativave më fitimprurëse për komunitetet.

Kostoja e mundësisë së humbur bëhet edhe më e rëndësishme kur projektet kanë përfituar status strategjik, procedura të përshpejtuara, tokë shtetërore, lehtësi fiskale apo mbështetje infrastrukturore.

Në rastin e investimeve tona strategjike, shteti ka përdorur burime dhe instrumente publike për të mbështetur projektet. Shembujt tregojnë se përfitimi i realizuar është më i vogël sesa ai që mund të ishte arritur nga i njëjti territor dhe investim.

Për këtë arsye, çdo sipërfaqe e përdorur për vila në vend të hotelerisë përfaqëson edhe një numër vendesh pune të përhershme që ekonomia nuk i merr. Projektet strategjike, ku 76–80% e njësive janë rezidenciale, krijojnë më pak punësim të vazhdueshëm sesa një projekt ku pesha kryesore do t’i takonte hotelerisë.

 

Shembujt pozitivë për turizmin

“Fafa”, “Rafaelo” dhe “Meliá”, modelet ku hoteli mbetet motori i investimit

Debati mbi investimet strategjike në turizëm është përqendruar kryesisht te vlera e projekteve, sipërfaqet e tokës dhe numri i vilave e apartamenteve që parashikohen të ndërtohen. Përfitimi për ekonominë varet nga ajo që ndodh pasi përfundon ndërtimi, sa dhoma funksionojnë, sa turistë akomodohen, sa punonjës mbahen gjatë vitit dhe sa të ardhura krijohen në mënyrë të përsëritur.

Në këtë këndvështrim, “Fafa Resort”, “Rafaelo Resort” dhe “Meliá Durrës” përfaqësojnë tre shembuj pozitivë të zhvillimit të turizmit hotelier. Dy të parët janë rritur pa u mbështetur te paketa e privilegjeve të statusit strategjik, ndërsa “Meliá” është pjesë e projektit strategjik “San Pietro” me status strategjik.

 

“Fafa”, rritje graduale pa status strategjik

Rasti i “Fafa Group” është domethënës për debatin mbi nevojën e statusit strategjik. Një projekt i paraqitur nga “Fafa Resort”, me vlerë të deklaruar prej 63.1 milionë eurosh, 550 vende pune dhe 519 dhoma, është renditur nga AIDA në kategorinë e projekteve të investimeve strategjike që nuk u pranuan.

Megjithatë, “Fafa” është zhvilluar gradualisht në një nga operatorët më të mëdhenj hotelierë në vend. Në vitin 2024, grupi operonte shtatë hotele në zonën e Golemit dhe të Kavajës, me rreth 900 dhoma, mbi 1,900 shtretër dhe 480 të punësuar.

Të ardhurat e dy shoqërive kryesore, “Grand Blue Fafa” dhe “Fafa Resort”, arritën së bashku në 1.75 miliardë lekë, me rritje 20% krahasuar me vitin e mëparshëm. “Fafa” ka krijuar një kapacitet të madh të orientuar drejt turizmit masiv dhe paketave të organizuara.

Zona e Durrësit, Golemit dhe Qerretit ishte ndër të parat që zhvilloi modelin e hoteleve me ushqim të përfshirë, të mbështetur te marrëveshjet me agjencitë e mëdha turistike.

“Fafa” nuk është një projekt pa komponent ndërtimi dhe nuk përjashton zhvillimet rezidenciale. Grupi ka marrë leje për një strukturë të re hoteliere dhe rezidenciale në Kryemëdhenj. Megjithatë, baza e biznesit të krijuar deri tani mbetet një portofol hotelesh funksionale dhe jo vetëm shitja e pronave.

Rasti tregon se një operator vendas mund të arrijë madhësi, punësim dhe të ardhura të konsiderueshme edhe pa marrë tokë shtetërore apo status strategjik. Zhvillimi mund të jetë më gradual, por krijon një marrëdhënie më të drejtpërdrejtë ndërmjet investimit dhe performancës në treg.

 

“Rafaelo”, hoteli që krijoi destinacion në Shëngjin pa status strategjik

 “Rafaelo Resort” përfaqëson një tjetër model të zhvillimit gradual të hotelerisë. I vendosur në Shëngjin prej gati dy dekadash, resorti është zgjeruar vit pas viti, duke u mbështetur fillimisht te kërkesa nga Kosova dhe më pas te tregjet e organizuara ndërkombëtare.

Në vitin 2024, “Rafaelo” raportoi rreth 1.2 miliardë lekë të ardhura, me rritje 7.5% në krahasim me vitin e mëparshëm. Resorti kishte 657 dhoma dhe apartamente akomoduese, me kapacitet prej 2,000–2,100 shtretër, duke u renditur si struktura më e madhe në vend sipas numrit të shtretërve.

“Rafaelo” ishte gjithashtu ndër operatorët e parë që zbatoi gjerësisht konceptin “all inclusive” në Shqipëri, i nxitur nga flukset e turistëve nga Kosova. Hotelet në këtë resort kanë përdorur edhe turizmin e konferencave dhe seminareve, duke siguruar rezervime jashtë modelit tradicional të pushimeve familjare.

Ky model ndikoi edhe në pozicionimin e Shëngjinit si destinacion me kapacitete të mëdha. Resorti u bë pikë referimi për agjencitë turistike dhe fluturimet e organizuara, duke nxitur kërkesën edhe për bizneset e tjera të zonës.

 

Meliá, rasti kur statusi strategjik prodhon hoteleri reale

“Meliá Durrës” është shembulli pozitiv brenda skemës së investimeve strategjike. Hoteli është pjesë e kompleksit “San Pietro”, projekt që mori statusin “Investim/Investitor Strategjik, Procedurë e Veçantë” në vitin 2017.

Projekti “San Pietro” u deklarua me vlerë 88 milionë euro, 430 vende pune dhe një kompleks që përfshinte hoteleri me pesë yje, me 470 dhoma, fshat turistik dhe ambiente shërbimi.

Statusi i projektit është shtyrë disa herë. Krahas procedurave të përshpejtuara, investitori ka përfituar të drejtën e përdorimit të zonës së plazhit për 30 vjet dhe ka kërkuar vënien në dispozicion të rreth një hektari pronë shtetërore për funksione rekreative dhe argëtimi.

Në këtë rast, mbështetja shtetërore është shoqëruar me krijimin e një strukture hoteliere të përmasave të mëdha. “Meliá Durrës” ka 470 dhoma dhe, në vitin e dytë të plotë të aktivitetit realizoi rreth 1.7 miliardë lekë të ardhura në vitin 2024, me rritje 41.5% krahasuar me vitin 2023.

Në vitin e parë të plotë të aktivitetit, hoteli kishte raportuar rreth 1.2 miliardë lekë të ardhura dhe 224 milionë lekë fitim, me normë fitimi 18.7%.

“Meliá” është edhe shembulli i përfitimit nga një markë ndërkombëtare. Hyrja e një operatori të njohur krijoi akses në kanalet globale të rezervimeve, standarde menaxhimi, sisteme trajnimi dhe një bazë klientësh që një hotel i pavarur do ta kishte më të vështirë ta ndërtonte.

Në vitin 2024, vetëm këto tri grupe realizuan së bashku rreth 4.65 miliardë lekë të ardhura, 1.75 miliardë lekë “Fafa”, 1.2 miliardë “Rafaelo” dhe rreth 1.7 miliardë Melia, duke arkëtuar edhe miliona euro fitime.

“Fafa” dhe “Rafaelo” tregojnë se statusi strategjik nuk është kusht i domosdoshëm për të krijuar operatorë të mëdhenj turistikë.

 

“Green Coast”, 250 të punësuar

Zhvillimi i resorteve turistike me vila në pjesën më të bukur të Rivierës shqiptare ka efekt multiplikativ të mundësive të humbura. Rreth katër të pestat e njësive janë prona të destinuara kryesisht për shitje, ndërsa vetëm një e pesta është pjesë e aktivitetit hotelier.

Burimet pohuan se në “Green Coast” janë të punësuar 350 punonjës gjithsej, nga të cilët 200 janë në hotel.

Besohet se efekti në punësim te nënkontraktorët përfshin edhe 600 persona të tjerë, ku pjesa dërrmuese janë të huaj. Struktura e punësimit tregon se kontributin më të madh në punësim e jep hoteli.

Sa më i madh hoteli dhe sa më i gjatë sezoni, aq më shumë vende pune të përhershme krijohen.

 

LEXONI EDHE

Bilanci i hidhur i investimeve strategjike

Rasti i Vlorës, investimet strategjike përfituan më shumë sesa dhanë

Nga tjetërsimi i tokës te fundosja e godinave, hijet mbi investimet strategjike

7 projektet strategjike që kanë dështuar ose janë bllokuar

E ardhmja e investimeve, përtej modelit të ndërtimit dhe shërbimeve me produktivitet të ulët

 

The post Investimet strategjike, modeli ku fiton investitori, jo ekonomia appeared first on Revista Monitor.

7 projektet strategjike që kanë dështuar ose janë bllokuar

24 July 2026 at 22:04

Nga verifikimi i listës së investimeve strategjike, disa kanë dështuar, disa janë anuluar ose kanë humbur statusin, disa nuk kanë nisur pas disa vitesh, ndërsa të tjera janë riformuluar dhe vazhdojnë me një subjekt apo projekt tjetër.

Në kuptimin më të ngushtë, tre projekte mund të konsiderohen të dështuara.

 

Si dështoi “Tirana City Center”

Projekti “Tirana City Center”, me një investim të deklaruar prej 106.85 milionë eurosh dhe 1,500 vende pune, është një nga rastet e një investimi strategjik të dështuar.

Statusi iu dha grupit saudit Al Shiddi për ndërtimin e një kompleksi me hotel, apartamente, vila, qendër tregtare dhe zyra në zonën e ish-stacionit të trenit në Tiranë. Megjithatë, projekti u përfshi në një konflikt gjyqësor për pronësinë dhe marrëveshja përfundimtare mes investitorit dhe shtetit nuk u nënshkrua.

Në gusht 2023, Komiteti i Investimeve Strategjike anuloi dy vendimet që i kishin dhënë statusin projektit, duke argumentuar se ato nuk kishin prodhuar pasoja juridike, pasi palët nuk arritën të nënshkruanin kontratën e investimit.

Territori iu vu më pas në dispozicion projektit tjetër, “The Cliffs of Tirana”, me investim të deklaruar prej 196.7 milionë dollarësh, i cili serish ka dështuar si rrjedhojë e problemeve me pronësinë e tokës.

 

Aquatiq, dy tentativa dhe asnjë fermë strategjike

Projekti “Aquatiq” për fermën e akuaponisë është një tjetër rast dështimi. Në vitin 2018, kompania mori statusin strategjik për një investim pilot prej 5.1 milionë eurosh, në një sipërfaqe prej 1.3 hektarësh.

Vetë AIDA pranon se vendimi nuk u vu në zbatim nga investitori, me argumentin se sipërfaqja ishte e pamjaftueshme për zgjerimin e aktivitetit.

Kompania aplikoi përsëri për një projekt shumë më të madh, me vlerë 26 milionë euro, me sipërfaqe 146 hektarë dhe 1,500 vende pune, por projekti ende nuk ka nisur. Afati trevjeçar i statusit përfundoi, ndërsa në korrik 2024 KIS-i refuzoi kërkesën e kompanisë për zgjatjen e tij.

Pas dy aplikimeve, një projekti të pazbatuar dhe refuzimit të kërkesës për shtyrje, ferma mund të konsiderohet e dështuar.

 

“Biopower Green Energy”, projekti mbeti i parealizuar

“Biopower Green Energy” parashikonte ndërtimin e dy parqeve me erë në Lezhë, me fuqi të përgjithshme 234 MW, investim prej 244 milionë eurosh dhe 350 vende pune.

Në vitin 2022, Enti Rregullator i Energjisë konstatoi zyrtarisht se projekti vazhdonte të ishte i parealizuar dhe se licenca e prodhimit nuk ishte përdorur. ERE vendosi shfuqizimin e licencës së “Biopower Green Energy” dhe kalimin e procedurave te një subjekt tjetër, “Marseglia Green Energy”.

Pra, projekti i paraqitur në listë me emrin “Biopower Green Energy” dështoi në formën e tij fillestare. Mundësia që investimi energjetik të vazhdojë nën emrin e një kompanie tjetër nuk e ndryshon faktin se subjekti fillestar nuk e realizoi atë.

 

“Gas Power Plant Korça”

“Gas Power Plant Korça” ishte një nga projektet më të mëdha energjetike të listës, me investim të deklaruar prej 349.7 milionë eurosh dhe 123 vende pune.

Projekti mori statusin strategjik në vitin 2018 dhe parashikohej të realizohej brenda tre viteve nga nisja e investimit. Por Ministria e Turizmit dhe Mjedisit refuzoi deklaratën mjedisore, duke i hequr projektit një nga kushtet kryesore për të vijuar me ndërtimin.

Parashikimet e mëvonshme flisnin për fillimin e ndërtimit në vitin 2022 dhe vënien në punë në vitin 2024, afate që nuk u realizuan. Nuk ka një vendim të KIS-it që ta anulojë formalisht statusin, por ekonomikisht, ai mund të konsiderohet i dështuar në formën e miratuar fillimisht.

 

“Albpanel”, status që nuk u kthye në fabrikë

 Projekti “Albpanel” parashikonte një investim prej 15 milionë eurosh, 300 vende pune dhe ngritjen e një fabrike për prodhimin e paneleve nga kallami.

Statusi strategjik ishte dhënë që në vitin 2016. Në vitin 2020 u miratua ndryshimi i zonës ku do të zhvillohej investimi, por investimi nuk ka filluar. Megjithatë, kaq vite pas dhënies së lejes, ai është një nga projektet që mund të klasifikohet si investim strategjik i mbetur vetëm projekt.

 

“Mediterranean Wave”, projekt i pezulluar

Projekti “Mediterranean Wave”, me investim prej rreth 50.4 milionë eurosh, parashikonte ndërtimin e një kompleksi turistik në Plazhin e Gjeneralit.

Në vitin 2023, KIS pezulloi statusin strategjik, pasi projekti i paraqitur nuk përputhej me treguesit urbanistikë të Planit të Përgjithshëm Vendor të Kavajës. Kompanisë iu kërkua ta rishikonte projektin dhe gjurmën e zhvillimit. Ky projekt nuk mund të shpallet ende përfundimisht i dështuar, sepse pezullimi mund të hiqet pas rishikimit.

 

“Omnix Albania” transformohet

“Omnix Albania” dështoi në fazën e parë, kur investitori i huaj u tërhoq nga projekti fillestar. Megjithatë, projekti u ristrukturua dhe në vitin 2025 mori leje zhvillimi si “Lalzi Bay Resort”.

Ky projekt është i treti me status strategjik në Gjirin e Lalëzit, pas “Vala Mar 1” dhe “San Pietro”.

 

LEXONI EDHE

Bilanci i hidhur i investimeve strategjike

Rasti i Vlorës, investimet strategjike përfituan më shumë sesa dhanë

Nga tjetërsimi i tokës te fundosja e godinave, hijet mbi investimet strategjike

Investimet strategjike, modeli ku fiton investitori, jo ekonomia

E ardhmja e investimeve, përtej modelit të ndërtimit dhe shërbimeve me produktivitet të ulët

 

 

The post 7 projektet strategjike që kanë dështuar ose janë bllokuar appeared first on Revista Monitor.

E ardhmja e investimeve, përtej modelit të ndërtimit dhe shërbimeve me produktivitet të ulët

24 July 2026 at 22:02

Editorial / Dhjetë vjet më parë, një nga shqetësimet kryesore për ekonominë shqiptare ishte se me çfarë do të zëvendësoheshin investimet e mëdha në energji.

Gazsjellësi TAP dhe hidrocentralet e Devollit po shkonin drejt përfundimit, ndërkohë që në kulmin e tyre, në vitin 2016, këto projekte përfaqësonin gati 60% të flukseve të Investimeve të Huaja Direkte, sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë.

Frika ishte se mbyllja e ciklit të tyre do të linte boshllëk të madh, të cilin një ekonomi e vogël dhe pak e industrializuar si Shqipëria do ta kishte të vështirë ta mbushte.

Koha tregoi se shqetësimi për sasinë nuk u materializua. Investimet e huaja jo vetëm që nuk ranë, por vijuan të rriteshin. Në vitin 2025, ato arritën rekordin prej rreth 1.6 miliardë eurosh, pothuajse dy herë më shumë se një dekadë më parë.

Por pas shifrës rekord fshihet një pyetje më e rëndësishme: çfarë lloj investimesh po tërheq Shqipëria dhe sa e ndihmojnë ato ekonominë të bëhet më produktive? Në vitin 2025, rreth 34% e Investimeve të Huaja Direkte erdhën nga blerjet e pasurive të paluajtshme.

Ky aktivitet sjell valutë në vend, mbështet ndërtimin dhe gjeneron të ardhura në momentin e transaksionit. Por ndikimi i tij afatgjatë në ekonomi është më i kufizuar.

Blerja e një apartamenti ose vile nuk sjell domosdoshmërisht vende të reja pune, transferim teknologjie, njohuri menaxheriale apo integrim të kompanive shqiptare në zinxhirët ndërkombëtarë të prodhimit.

Shqipëria nuk ka vuajtur gjithmonë për shifra. Ka vuajtur për cilësinë që fshihet pas tyre. Edhe bilanci i investimeve strategjike e dëshmon këtë.

Dhjetë vjet pas nisjes së zbatimit të ligjit, të dhënat tregojnë se shteti ka angazhuar më shumë pasuri dhe fonde publike sesa përfitimet e matshme që kanë marrë ekonomia dhe qytetarët.

Rreth 70% e projekteve strategjike janë përqendruar në turizëm, por një pjesë e madhe e tyre janë zhvillime rezidenciale me vila dhe apartamente, ndërsa projektet prodhuese dhe industriale kanë mbetur në pakicë. Efektet në ekonomi kanë qenë minimale.

Rasti i Vlorës, që ka tërhequr pjesën më të madhe të këtyre investimeve, është ilustrimi më i qartë i këtij modeli. Në vitin 2025, Vlora rezultoi ndër qarqet me treguesit më të dobët të tregut të punës.

Pjesëmarrja në forcat e punës ishte vetëm 59,2%, ndërsa inaktiviteti arriti në 40,8%. Edhe papunësia ishte më e lartë se në disa prej qarqeve kryesore të vendit.

Ky kontrast tregon kufizimin e investimeve të mbështetura kryesisht te zhvillimi i pronës. Vilat dhe apartamentet krijojnë punësim gjatë ndërtimit dhe sjellin të ardhura në momentin e shitjes.

Por, pasi përfundojnë dhe kalojnë në pronësi private, ndikimi i tyre ekonomik mund të zbehet ndjeshëm, sidomos kur përdoren si banesa të dyta vetëm për disa javë në vit.

Një hotel apo resort me aktivitet të mirëfilltë turistik funksionon ndryshe.

Ai punëson staf gjatë gjithë vitit, blen ushqime, pije, tekstile, produkte higjiene dhe shërbime nga bizneset vendase. Mbështet bujqësinë, transportin, tregtinë dhe industrinë ushqimore. Çdo natë qëndrimi krijon qarkullim të ri, taksa dhe kërkesë në ekonomi.

Tashmë që Shqipëria ka hyrë në një rrugë të pakthyeshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duhet të ndryshojë edhe mënyra se si vendi mendon për ekonominë dhe investimet. Tregu i përbashkët europian nuk do të jetë vetëm një burim fondesh dhe mundësish.

Ai do të sjellë konkurrencë shumë më të fortë, standarde më të larta, kontroll më rigoroz të cilësisë, rregulla mjedisore, kërkesa teknologjike dhe presion mbi kostot.

Sipas një paralajmërimi të publikuar më herët nga “Monitor”, pa masa për rritjen e konkurrueshmërisë, deri në 85% e bizneseve shqiptare mund të mos jenë të përgatitura për të përballuar konkurrencën e tregut europian.

Kjo do të thotë se modeli i mbështetur te ndërtimi, pronat dhe shërbimet me produktivitet të ulët nuk mund të jetë modeli i së ardhmes. Shqipëria ka nevojë për investime që sjellin teknologji, rrisin aftësitë e punonjësve, zgjerojnë eksportet dhe lidhin ndërmarrjet vendase me zinxhirët europianë të vlerës.

Nisur edhe nga përvoja e vendeve të tjera, afrimi me BE-në nuk duhet parë vetëm si proces politik dhe ligjor.

Ai duhet përdorur si një pikë kthese dhe transformimi për ekonominë. Investitorët duhet të vlerësohen jo vetëm nga shuma që premtojnë, por nga vendet e qëndrueshme të punës që krijojnë, pagat që ofrojnë, teknologjia që sjellin, eksportet që gjenerojnë dhe lidhjet që ndërtojnë me furnitorët vendas. Edhe mbështetja publike duhet të kushtëzohet me rezultate të matshme, jo me metra katrorë ndërtimi, apo me vlera të deklaruara në plane biznesi.

Në këtë moment vendimtar, Shqipëria nuk duhet të fshihet pas shifrave rekord dhe të vetëkënaqet me to. Duhet të shohë përtej tyre.

Sepse e ardhmja e investimeve nuk matet vetëm me sa euro hyjnë sot në vend, por me vlerën e shtuar dhe vendet e punës që krijojnë, të cilat do të shërbejnë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, ku të rinjtë do të gjejnë veten, pa marrë rrugën e largimit.

 

LEXONI EDHE:

Bilanci i hidhur i investimeve strategjike

Rasti i Vlorës, investimet strategjike përfituan më shumë sesa dhanë

Nga tjetërsimi i tokës te fundosja e godinave, hijet mbi investimet strategjike

7 projektet strategjike që kanë dështuar ose janë bllokuar

 

 

The post E ardhmja e investimeve, përtej modelit të ndërtimit dhe shërbimeve me produktivitet të ulët appeared first on Revista Monitor.

Tri mënyra se si tregu i gazit mund të tronditet para dimrit

24 July 2026 at 22:00

Lufta, moti dhe ndërprerjet e furnizimit mund t’i çojnë sërish çmimet e gazit në rritje të fortë, shkruan The Economist

 

Më 28 qershor, Hlaitan, një cisternë e ngarkuar me gaz natyror të lëngshëm, u nis nga Freeport, në Teksas, drejt Francës. Pothuajse menjëherë, ajo ndryshoi kurs. TotalEnergies, kompania që e kishte marrë me qira, kishte marrë një ofertë më të mirë nga Azia.

Sipas Kpler, një kompani të dhënash, Hlaitan pritet të mbërrijë në destinacionin e ri më 1 gusht.

Raste të tilla janë bërë të zakonshme. Blerësit në Azi, ku një verë përvëluese po rrit ndjeshëm kërkesën, po i tejkalojnë vazhdimisht ofertat europiane për ngarkesat amerikane. Cisternat e GNL-së po devijohen në numër rekord (shih grafikun 1).

Ndërkohë, Europa po mbetet mënjanë dhe rezervat e saj të gazit, të zbrazura nga dimri i ftohtë, janë vetëm 47% të mbushura, niveli më i ulët në 15 vjet për këtë periudhë të verës (shih grafikun 2).

 

 

Pas kësaj qëndron mungesa e furnizimeve nga Katari, zakonisht furnizuesi kryesor i Azisë. Që kur Shtetet e Bashkuara dhe Irani ranë dakord në mes të qershorit për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, vetëm 11 cisterna me GNL kanë kaluar përmes saj — më mirë se asnjë, por sa trafiku normal i vetëm tri ditëve.

Më 7 korrik, Shtetet e Bashkuara nisën sulmet ndaj Iranit, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve iraniane mbi cisternat, përfshirë një anije nga Katari me GNL një ditë më parë.

Presidenti Donald Trump gjithashtu hoqi një përjashtim që i lejonte Iranit të shiste naftë dhe deklaroi se armëpushimi me Republikën Islamike kishte “marrë fund”.

 

 

Ndryshe nga çmimet e naftës, të cilat megjithëse janë rritur pas përshkallëzimit të fundit të luftimeve mbeten shumë poshtë kulmit të arritur gjatë luftës, çmimet e gazit vazhdojnë të jenë 55% më të larta në Europë dhe 73% më të larta në Azi krahasuar me muajin shkurt (shih grafikun 3).

 

 

Analistët presin që furnizimet nga Katari të rikthehen në nivele normale deri në shtator, pikërisht në kohë që Europa të rimbushë rezervat përpara dimrit. Megjithatë, një skenar shumë më negativ mbetet ende një mundësi reale.

Lufta me Iranin i ka hequr tregut global një të pestën e furnizimeve me gaz natyror të lëngshëm (GNL). Ajo ka nxjerrë gjithashtu jashtë funksionit 17% të kapacitetit eksportues të Katarit, dëme që do të duhen vite për t’u riparuar.

Edhe rikthimi në punë i impianteve që kanë mbetur të paprekura kërkon kohë.

Pavarësisht furnizimeve shtesë nga Afrika dhe Australia, të nxitura nga rritja e çmimeve, si dhe uljes së kërkesës falë masave të kursimit të energjisë në vendet aziatike, shtyrjes së blerjeve nga industria dhe rikthimit në përdorim të termocentraleve me qymyr, bota pritet të përballet këtë vit me një mungesë të akumuluar prej 40 milionë tonësh GNL nga Katari. Kjo përfaqëson pothuajse një të dhjetën e furnizimit global të vitit të kaluar.

Dhe kjo para se importuesit aziatikë dhe europianë të nisin rimbushjen e rezervave për dimër. Shumica po presin sa më gjatë të jetë e mundur. Një arsye është se çmimet mbeten të larta; një tjetër është se çmimet për furnizimet e dimrit nuk janë më të larta se ato të sotmet.

Nëse furnizimet nga Katari rikthehen deri në shtator, kërkesa aziatike për ngarkesat amerikane duhet të zbutet, çmimet në tregun spot të bien dhe blerësit europianë të rimbushin rezervat. Deri në nëntor, magazinat e BE-së do të ishin rreth tre të katërtat plot — një nivel i ulët, por i mjaftueshëm për një dimër normal. Çmimet duhet të mbeten nën kontroll.

Por tregu është aq i tendosur, sa një varg goditjesh të vogla mund të shkaktojë një krizë furnizimi. Tre rreziqe dallohen. Së pari, furnizimet nga Gjiri mund të mos rikthehen në kohë. Disa orë pasi cisterna nga Katari me gaz u godit pranë hyrjes së ngushticës më 6 korrik, një tjetër anije që po drejtohej për në Hormuz u kthye pas.

Rreth një duzinë cisternash bosh po presin pranë Ras Laffan për t’u ngarkuar. Por përplasjet e përsëritura, e aq më tepër një kolaps i armëpushimit, mund të trembin blerësit dhe ta shtyjnë Azinë të ofrojë edhe më shumë për ngarkesat amerikane.

Rreziku i dytë është moti ekstrem. Në qershor, Europa përjetoi temperatura rekord, të cilat rritën kërkesën për ftohje dhe, si rrjedhojë, për energji elektrike (shih grafikun 4).

 

 

Në Azi, El Niño — fenomen klimatik që sjell mot të nxehtë dhe të thatë në rajon — po i çon gjithashtu temperaturat në nivele jashtëzakonisht të larta, duke detyruar vende si Bangladeshi dhe Pakistani të rikthehen në tregun spot. Më shumë valë të nxehti në cilindo kontinent do të nënkuptojnë më shumë blerje.

Blerjet e paparashikueshme të Kinës shtojnë pasigurinë. Importuesi më i madh i GNL-së në botë i siguron shumicën e furnizimeve përmes kontratave afatgjata.

Ai nuk krijon rezerva gazi siç bën me naftën. Sasinë që nuk i nevojitet, e rishit, siç bëri në mars dhe prill.

Por kur valët e të nxehtit goditën në maj dhe qershor, Kina rifilloi importet e mëdha; kur reshjet e mirëpritura mbërritën në fund të qershorit, ajo u tërhoq sërish. Temperatura përvëluese mund ta detyrojnë përsëri të blejë me nxitim.

Rreziku i tretë është dështimi i infrastrukturës. Periudhat e gjata të thatësirës zbrazin rezervuarët e hidrocentraleve. Çmimet e energjisë elektrike në Zvicër janë rritur tashmë, ndërsa vendi importon energji nga fqinjët që përdorin lëndë djegëse fosile, vëren Gillian Boccara nga Kpler.

Nëse lumenjtë ngrohen në mënyrë të pazakontë, reaktorët bërthamorë, të cilët kanë nevojë për ujë të ftohtë, mund të detyrohen të ulin prodhimin.

Më pas janë edhe rreziqet e paparashikueshme. Një terminal i madh GNL-je mund të dalë jashtë funksionit, siç ndodhi në vitin 2022, kur fabrika e Freeport-it, e cila në atë kohë përbënte 4% të furnizimit global, u përfshi nga zjarri.

Grevat, si ato në Australi në vitin 2023, mund t’i nxjerrin impiantet jashtë funksionit për javë të tëra. Rusia, e cila këtë pranverë furnizoi Europën me vëllime rekord, mund të ndërpresë furnizimet.

Nëse disa prej këtyre goditjeve ndodhin njëkohësisht, një situatë e menaxhueshme mund të kthehet në makth. “Kur lajmet e këqija grumbullohen – thotë Anne-Sophie Corbeau nga Columbia University, – ndikimi mbi çmimet mund të bëhet eksponencial”.

Hapësira për kalimin te lëndë të tjera djegëse është tashmë shumë e kufizuar. Vendet e Azisë Jugore me siguri do të duhet të ulin konsumin. Kina, Japonia dhe Koreja e Jugut janë mjaftueshëm të pasura për të vazhduar të ofrojnë çmime të larta. Europa nuk do të ngrijë këtë dimër.

Por mund të përballet me një faturë jashtëzakonisht të lartë për ngrohjen.

 

 

The post Tri mënyra se si tregu i gazit mund të tronditet para dimrit appeared first on Revista Monitor.

TikTok akuzohet për shkelje të rregullave teknologjike të BE-së për sigurinë online të fëmijëve

24 July 2026 at 15:21

Platforma sociale TikTok, në pronësi të ByteDance, është akuzuar se ka shkelur rregullat e BE-së për përmbajtjen online, për shkak të karakteristikave të dizajnit që mund t’i ekspozojë fëmijët përballë njerëzve keqdashës apo bullizmit kibernetik – thanë të premten autoritetet rregullatore të BE-së, duke e vënë kompaninë në rrezik për një gjobë të rëndë.

Akuzat, të përkufizuara “gjetje paraprake” sipas Aktit të Shërbimeve Digjitale (Digital Services Act – DSA), i cili u kërkon kompanive të mëdha teknologjike të angazhohen më shumë për të luftuar përmbajtjet e paligjshme dhe të dëmshme – përfaqësojnë denoncimin e katërt kundër TikTok-ut në dy vjet.

Komisioni Europian, i cili përfaqëson autoritetin rregullator në fushën e teknologjisë në BE, tha se llogaritë e TikTok-ut nuk i përmbushin standardet e sigurisë të parashikuara nga DSA.

Ai theksoi se platforma e rrjetit social i lejon fëmijët ta bëjnë publike llogarinë e tyre, duke u mundësuar të tjerëve të shohin përmbajtjen dhe duke i ekspozuar ata ndaj ngacmimeve të mundshme kibernetike ose kontakteve nga keqbërësit.

Në raport thuhet se as llogaritë private nuk janë të sigurta për fëmijët pasi mund të gjenden lehtësisht përmes listës së ‘following’ dhe ‘followers’ të përdoruesve të tjerë, madje edhe nga njerëz që nuk kanë një llogari TikTok.

TikTok duhet të rregullojë funksionet e paracaktuara të llogarive publike të të miturve në mënyrë që përmbajtjet të jenë, si parazgjedhje, të dukshme vetëm për përdoruesit e TikTok-ut që pranohen nga fëmijët, tha Komisioni.

TikTok deklaroi se do të shqyrtojë përfundimet e BE-së dhe do të bashkëpunojë në mënyrë konstruktive me autoritetet rregullatore.

“Llogaritë e adoleshentëve në TikTok kanë më shumë se 50 funksione të paracaktuara të privatësisë dhe të sigurisë, të zhvilluara me ndihmën e ekspertëve, që nga momenti i krijimit të llogarive” – tha kompania TikTok.

“Llogaritë e përdoruesve nën 18 vjeç janë private si parazgjedhje dhe ne jemi një nga të paktat platforma ku adoleshentët më të rinj nuk mund të përdorin mesazhe direkte ose të shohin përmbajtjet e tyre të shfaqen në For You feed”, tha TikTok.

Platforma sociale TikTok tani mund të shqyrtojë dokumentet e Komisionit dhe të përgjigjet para se autoriteti mbikëqyrës të marrë një vendim që mund të përfshijë një gjobë deri në 6% të xhiros së tij vjetore globale.

“Akti për Shërbimet Digjitale u kërkon platformave që të marrin masa mbrojtëse për të miturit kur projektojnë shërbimet e tyre, dhe i bën ato përgjegjëse kur dështojnë ta bëjnë këtë” – tha Henna Virkkunen, kreu i teknologjisë së BE-së, në një deklaratë.

“Një nivel i lartë mbrojtjeje nuk duhet të jetë i një funksion me zgjedhje; ai duhet të jetë parazgjedhje.”

/ Reuters

The post TikTok akuzohet për shkelje të rregullave teknologjike të BE-së për sigurinë online të fëmijëve appeared first on Revista Monitor.

Fitimi i tregut të sigurimeve arriti në gati 37 milionë euro vitin e kaluar

24 July 2026 at 14:30

Fitimi i tregut të sigurimeve iu kthye rritjes për vitin 2025 dhe shënoi nivelin më të lartë historik.

Sipas informacionit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), fitimi arriti në 3.54 miliardë lekë ose 36.6 milionë euro. Fitimi i tregut u rrit me 55.8% krahasuar me një vit më parë.

Kontributin kryesor në fitimin e vitit 2025 e dha segmenti më i madh, i sigurimeve të Jo-Jetës. Fitimi total i kompanive të këtij tregu arriti në 3.14 miliardë lekë, në rritje me 56.3% krahasuar me vitin 2024.

Në segmentin më të vogël të tregut, atë të sigurimeve të Jetës, fitimi për 2025 arriti në 402 milionë lekë, 51.7% më shumë krahasuar me vitin 2024.

Rritja e fitimit u reflektua edhe në rritjen e ndjeshme të treguesve të rentabilitetit të tregut.

Kthimi nga kapitali u rrit në 16.02%, nga 11.2% që kishte qenë një vit më parë. Ndërsa kthimi nga aktivet u rrit në 5.62%, nga 3.98% që kishte qenë një vit më parë.

Sipas analizave të AMF-së, rritja e fitimit të tregut është ndikuar kryesisht nga rritja e primeve të shkruara bruto, me 10.6% më shumë krahasuar me një vit më parë. Primi i fituar neto, ndërkohë, arriti në 21.25 miliardë lekë, në rritje vjetore me 7%.

Tregu i sigurimeve vazhdon të dominohet nga produktet e tregut të Jo-Jetës dhe kryesisht sigurimet e detyrueshme motorike.

Primet e shkruara bruto në sigurimin e jo-jetës arritën në pothuajse 24.7 miliardë lekë, në rritje me 9.9% krahasuar me një vit më parë. Ky segment vazhdon të jetë dominues, me 91% të primeve totale të tregut.

Tregu i sigurimit të Jo-Jetës edhe për vitin 2025 u dominua nga sigurimet e detyrueshme motorike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta. Primet e shkruara bruto në këtë segment arritën në 16.9 miliardë lekë ose sa 68.6% e totalit të tregut.

Sigurimi i brendshëm motorik TPL ngelet produkti më i madh i tregut, me 58% të primeve të shkruara bruto në sigurimin e Jo-Jetës. Vitin e kaluar hyri në fuqi sistemi i ri i llogaritjes së primeve mbi bazë rreziku, që ka ndikuar pjesërisht në rritjen e primeve të shkruara bruto nga ky produkt. Primet e sigurimit të brendshëm TPL u rritën me 13.3% krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë, produktet e sigurimit vullnetar në përgjithësi shfaqën një rritje më të ngadaltë edhe vitin e kaluar.

Tregu i sigurimit të Jetës edhe për 2025 shfaqi ritme rritjeje më të larta. Primet e shkruara bruto arritën në 2.44 miliardë lekë, në rritje me 17.6% krahasuar me një vit më parë.

Tregu i sigurimit të Jetës ngelet i dominuar nga produkti i sigurimit të jetës së debitorit, i lidhur kryesisht me sigurimin e jetës për huatë e marra në institucionet financiare. Ky produkt u rrit me 15.4% vitin e kaluar dhe përbënte 77.5% të primeve të shkruara bruto të tregut.

Dëmet e paguara bruto në gjithë tregun e sigurimeve për 2025 pësuan rënie, me 0.75% më pak krahasuar me vitin 2024.

Gjithashtu, shpenzimet operative të kompanive shënuan një rritje më të vogël krahasuar me rritjen e primeve, me 5% më shumë krahasuar me 2024.

Në fund të vitit 2025, tregu i sigurimeve raportonte aktive totale në vlerën e 63 miliardë lekëve ose 650 milionë eurove. Totali i aktiveve të tregut u rrit me 10.3% krahasuar me një vit më parë.

Rritja më e lartë ishte në tregun e Jetës, ku aktivet u zgjeruan me 11.4%, ndërsa në tregun e sigurimit të Jo-Jetës rritja e totalit të aktiveve ishte 10.3%.

Burimi: AMF

The post Fitimi i tregut të sigurimeve arriti në gati 37 milionë euro vitin e kaluar appeared first on Revista Monitor.

Mashtrimi në punë nuk lidhet vetëm me karakterin, por edhe me rrethanat

24 July 2026 at 14:16

Kur kohët bëhen të vështira ekonomikisht, edhe njerëzit e ndershëm mund të tundohen të thyejnë rregullat.

Për bizneset që operojnë në një mjedis me presione të larta ekonomike, parandalimi i mashtrimeve nuk fillon duke identifikuar punonjësit problematikë, por duke kuptuar arsyet që i shtyjnë njerëzit drejt sjelljeve të pandershme.

Një studim i fundit, i bazuar në të dhëna të mbledhura në Kenia para dhe gjatë pandemisë së COVID-19, ofron një pasqyrë interesante mbi lidhjen mes vështirësive financiare dhe ndershmërisë.

Përfundimi kryesor është i habitshëm: kur presioni ekonomik rritet, mashtrimi bëhet dukshëm më i përhapur.

Kur të ardhurat bien, rritet tundimi për të mashtruar

Përpara pandemisë, shumica e 5,500 kenianëve të përfshirë në studim refuzonin të gënjenin edhe kur mund të fitonin para lehtësisht. Kjo mbështet gjetjet e mëparshme sipas të cilave shumica e njerëzve kanë një prirje natyrore për të vepruar me ndershmëri.

Por situata ndryshoi kur pandemia përgjysmoi të ardhurat mujore të shumë familjeve dhe vështirësitë ekonomike vazhduan për një periudhë të gjatë.

Në këto kushte, niveli i mashtrimit për përfitim personal u rrit nga rreth 40% në mbi 90%.

Sipas Livia Alfonsi, profesore në Harvard Business School dhe bashkautore e studimit, ky nuk është një tregim për disa individë të pandershëm.

“Kompanitë shpesh fokusohen te identifikimi i ‘mollëve të kalbura’, por gjetjet tona tregojnë se shumë njerëz që zakonisht sillen me ndershmëri mund ta ndryshojnë sjelljen e tyre kur përballen me presion të fortë ekonomik, veçanërisht kur përfitimi nga mashtrimi është i konsiderueshëm dhe rreziku i zbulimit është i ulët”, thotë ajo.

“Ky nuk është një tregim për disa individë të pandershëm, por për mënyrën se si kushtet ekonomike mund të ndryshojnë sistematikisht sjelljen njerëzore.”

Një eksperiment për të matur mashtrimin

Studimi u bazua në të dhënat e 5,664 pjesëmarrësve të përfshirë në një projekt afatgjatë kërkimor në Kenia, i cili ndjek prej 25 vitesh historikun e punësimit, të ardhurat, kursimet, investimet dhe kushtet sociale të më shumë se 15,000 personave.

Për të identifikuar sjelljet mashtruese, studiuesit përdorën një eksperiment të njohur si “mind game”.

Pjesëmarrësve iu kërkua të parashikonin në mendje rezultatin e pesë hedhjeve të monedhës dhe ta deklaronin parashikimin vetëm pasi rezultati të ishte zbuluar. Sa më shumë rezultate fituese të deklaronin, aq më i lartë ishte shpërblimi.

Duke qenë se studiuesit e dinin shpërndarjen statistikore të rezultateve të pritshme, ata mund të vlerësonin me saktësi nivelin e mashtrimit në grup.

Çfarë i shtyn njerëzit të mashtrojnë?

Analiza nxori në pah disa faktorë kryesorë.

Sa më i madh përfitimi, aq më i madh mashtrimi

Kur shpërblimi për një përgjigje fituese u rrit nga 40 në 200 shilinga keniane, niveli i mashtrimit u rrit nga 42% në 71%.

Vështirësitë ekonomike luajnë rol vendimtar

Pandemia solli pasiguri financiare afatgjatë, mungesa ushqimore dhe rënie të të ardhurave, veçanërisht në zonat urbane.

Personat me të ardhura më të ulëta rezultuan më të prirur për të thyer rregullat sesa ata me të ardhura më të larta.

Krahasuar me periudhën para pandemisë, niveli i mashtrimit u rrit me 67%, duke kaluar nga 43% në 72%.

Mashtrimi përhapet gradualisht

Një nga gjetjet më interesante është se sjelljet e pandershme nuk u rritën menjëherë me fillimin e krizës.

Ato u përhapën gradualisht gjatë më shumë se një viti.

Sipas Alfonsit, kur njerëzit jetojnë për një kohë të gjatë nën presion financiar, sjelljet që më parë konsideroheshin të papranueshme fillojnë të normalizohen.

“Mashtrimi nuk u rrit menjëherë në fillim të krizës dhe më pas të zbehej. Ai u shtua gradualisht gjatë më shumë se një viti, duke treguar se rreziku më i madh nuk është në fillim të një krize ekonomike, por më vonë, kur presioni i vazhdueshëm fillon të gërryejë normat sociale,” thotë ajo.

Çfarë mund të bëjnë kompanitë?

Sipas studiuesve, rezultatet kanë implikime të drejtpërdrejta për bizneset.

Kur punonjësit raportojnë vetë orët e punës, menaxhojnë para në dorë, përpunojnë shpenzime apo trajtojnë kërkesa financiare, kushtet mund të jenë të ngjashme me ato të eksperimentit: informacion privat, mundësi përfitimi dhe mbikëqyrje e kufizuar.

Për të reduktuar rrezikun e sjelljeve të pandershme, kompanitë mund të ndërmarrin disa hapa.

Kufizoni tundimin

Sistemet duhet të projektohen në mënyrë që përfitimet nga manipulimet e vogla të mos jenë disproporcionale.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme në fusha si inventari, prokurimet dhe transaksionet me klientët.

Verifikoni informacionin e vetëraportuar

Kontrollet e rastësishme dhe verifikimet e pavarura mund të ulin mundësitë për raportim të rremë dhe të rrisin gjasat e zbulimit.

Ulni presionin ekonomik

Shkurtimet e stafit, uljet e pagave, reduktimi i orëve të punës apo krizat ekonomike mund të ndryshojnë mënyrën se si punonjësit peshojnë kostot dhe përfitimet e mashtrimit.

Kur njerëzit ndihen më të sigurt financiarisht, presioni për të thyer rregullat zvogëlohet.

Mbështesni prirjen natyrore për ndershmëri

Një nga mesazhet më optimiste të studimit është se shumica e njerëzve nuk mashtrojnë në kushte normale, edhe kur kjo mund t’u sillte përfitime financiare.

Prandaj kompanitë nuk duhet ta trajtojnë mashtrimin si diçka të pashmangshme.

Përkundrazi, ato duhet të krijojnë mjedise pune që mbështesin sjelljen e ndershme dhe u japin punonjësve mundësinë të kërkojnë ndihmë kur përballen me vështirësi financiare apo personale.

Kanale të hapura komunikimi dhe mbështetja e hershme mund të jenë po aq të rëndësishme sa mekanizmat formalë të kontrollit.

Në fund, studimi sugjeron se sjellja e pandershme nuk është gjithmonë çështje karakteri. Shpesh, ajo është pasojë e kushteve ekonomike dhe e presioneve me të cilat përballen njerëzit.

Për bizneset, kjo do të thotë se lufta kundër mashtrimit nuk fitohet vetëm me më shumë kontroll, por edhe duke krijuar kushte më të mira për punonjësit./Harvard Business School 

 

The post Mashtrimi në punë nuk lidhet vetëm me karakterin, por edhe me rrethanat appeared first on Revista Monitor.

Rumani/ G.A.C. Group blen kompaninë rumune CRIUS Consulting

24 July 2026 at 13:55

Grupi francez G.A.C. Group ka blerë CRIUS Consulting, një kompani rumune e specializuar në shërbime këshillimi për inovacionin, si dhe në sigurimin e financimeve nga fondet europiane dhe ndihma shtetërore.

Me tre zyra në Rumani dhe një në Moldavi, CRIUS Consulting është një nga kompanitë kryesore rumune të konsulencës, e fokusuar tek inovacioni dhe zinxhiri i vlerës së kërkimit dhe zhvillimit (R&D). Kompania ka gati 20 vjet përvojë në zhvillimin, financimin dhe zbatimin e projekteve të investimeve të mbështetura nga fondet europiane dhe ndihma shtetërore për kompani dhe organizata në sektorët e energjisë, industrisë, teknologjisë dhe inovacionit.

Duke komentuar marrëveshjen, drejtori ekzekutiv i CRIUS Consulting, Ciprian Ciuciu, tha:

“Pas gati 20 vitesh, kemi ndërmarrë një hap të rëndësishëm dhe të natyrshëm në zhvillimin tonë. Ky vendim pasqyron pjekurinë e kompanisë sonë dhe mundësitë që synojmë të krijojmë në vitet e ardhshme”.

“Bashkimi me G.A.C. Group hap mundësi të reja dhe krijon bazat për sinergji domethënëse: shërbime më të integruara, zgjidhje më efektive dhe ndikim edhe më të madh për organizatat që mbështesim.”

Me seli pranë Parisit, G.A.C. Group është i specializuar në një gamë të gjerë shërbimesh profesionale të përqendruara tek inovacioni, kapitali njerëzor, tatimet dhe mjedisi.

CRIUS Consulting do të integrohet në njësinë e biznesit Innovation të kompanisë, e cila tashmë ka një prani të konsoliduar në Rumani. Kjo njësi ofron shërbime në fusha si menaxhimi i inovacionit dhe zhvillimi i projekteve, financimi, grantet dhe subvencionet, si dhe vlerësimi i pronësisë intelektuale.

Kryetari i G.A.C. Group, Christophe Boytchev, tha se zgjerimi në Rumani bazohet në strategjinë ndërkombëtare të rritjes së kompanisë dhe mbështet ambicien e saj për t’u bërë një aktor kryesor në Europën Qendrore dhe Lindore.

“Jemi të kënaqur të mirëpresim CRIUS Consulting, kompani me reputacion të mirë në Rumani. Së bashku do të kombinojmë ekspertizën lokale me burimet ndërkombëtare të grupit për të krijuar edhe më shumë vlerë për klientët tanë.”

Nga ana e tij, Florin Luca, drejtor ekzekutiv për Gjermaninë dhe Europën Lindore në njësinë Innovation të G.A.C. Group, shtoi:

“Jemi të lumtur të mirëpresim ekipin e CRIUS Consulting dhe të forcojmë më tej ambicien tonë për t’u bërë partner i rëndësishëm për sipërmarrësit rumunë, kompanitë ndërkombëtare dhe institucionet publike që kërkojnë financim për projekte inovative me ndikim të rëndësishëm në ekonominë rumune”.

 

The post Rumani/ G.A.C. Group blen kompaninë rumune CRIUS Consulting appeared first on Revista Monitor.

9 në 10 europianë do ta konsideronin mundësinë e shpërnguljes jashtë vendit

24 July 2026 at 13:26

Pas anketimit të 2,000 të rriturve në Francë, Gjermani, Itali dhe Mbretërinë e Bashkuar, Spanja rezultoi zgjedhja kryesore për personat që po mendojnë të shpërngulen dhe të nisin një jetë të re në një vend tjetër.

Pothuajse gjysma e njerëzve që jetojnë në Francë, Gjermani, Itali dhe Mbretërinë e Bashkuar presin që, në një moment të së ardhmes, të jetojnë në një vend tjetër, zbuloi një sondazh i ri.

Sondazhi, i kryer në emër të kompanisë së sigurimeve digjitale Feather, tregoi se kriza e kostos së jetesës është arsyeja kryesore që i shtyn njerëzit të mendojnë për një jetë jashtë vendit. Kjo arsye u përmend nga 53 për qind e britanikëve, 48 për qind e francezëve, 43 për qind e gjermanëve dhe 32 për qind e italianëve.

Vetëm një në dhjetë europianë në secilin prej tregjeve të përfshira në sondazh — ku u pyetën nga 500 të rritur në çdo vend — deklaroi se nuk do të shpërngulej kurrsesi jashtë vendit.

Edhe pse destinacioni më i preferuar ndryshon nga njëri vend në tjetrin, Spanja del qartësisht fituese.

Si britanikët, ashtu edhe italianët e renditën Spanjën si zgjedhjen e tyre të preferuar, përkatësisht me 24 për qind dhe 20 për qind. Ndërkohë, vendi u rendit i dyti në Francë dhe Gjermani, ku 16 për qind dhe 12 për qind e të anketuarve e përmendën si zgjedhjen kryesore.

Për francezët, Kanadaja ishte zgjedhja numër një, me 17 për qind që thanë se do të dëshironin të jetonin atje në të ardhmen. Pas saj renditej Italia, e përzgjedhur nga 14 për qind e të anketuarve.

Gjermanët nuk duket se duan të largohen shumë nga vendi i tyre. Rreth 17 për qind zgjodhën Austrinë, ndërsa Spanja dhe Zvicra u renditën më pas, me nga 12 për qind secila.

Britanikët, nga ana tjetër, janë plotësisht të gatshëm të shpërngulen në destinacione të largëta: 19 për qind zgjodhën Australinë, 15 për qind Kanadanë dhe 10 për qind Zelandën e Re.

Megjithëse Dubai përmendet shpesh si një destinacion i preferuar për emigrantët, vetëm 3 për qind e britanikëve thanë se po e konsideronin atë. Megjithatë, sondazhi u zhvillua në fund të qershorit, ndaj përgjigjet pa dyshim janë ndikuar nga sulmet iraniane ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe gjatë muajve të fundit.

Rritja e “semi-pat*”-it

Gjatë shqyrtimit të së ardhmes së emigrantëve, Feather bisedoi gjithashtu me eksperten e udhëtimeve Holly Rubenstein.

Prezantuesja e podkastit The Travel Diaries vëren se modeli tradicional i jetës së emigrantit, ku zgjidhet një vend i vetëm dhe ndërtohet një jetë atje, po humbet popullaritetin.

“Modeli i ri është shumë më fleksibël: kalon gjashtë muaj diku, punon në distancë, provon një mënyrë jetese dhe krijon lidhje në disa vende,” thotë ajo.

“Gjenerata Alfa do të rritet duke e konsideruar komunikimin në distancë si diçka normale. Për ta, karriera, miqësitë dhe identiteti nuk do të jenë të lidhura vetëm me një vend.”/ Euronews

*emigrant i përkohshëm. “Semi-pat” është një term i ri, joformal, i krijuar nga bashkimi i semi dhe expat. Do të thotë një person që nuk shpërngulet përgjithmonë në një vend tjetër, por jeton atje për disa muaj, punon në distancë dhe më pas lëviz sërish.

The post 9 në 10 europianë do ta konsideronin mundësinë e shpërnguljes jashtë vendit appeared first on Revista Monitor.

Londër, Paris apo Romë: Cili qytet është më i miri për një fundjavë?

24 July 2026 at 13:01

Londra, Parisi dhe Roma kanë magjepsur vizitorët prej shekujsh, por secili qytet ofron diçka të ndryshme. Nga ikonat kulturore dhe kulmet e gastronomisë te lidhjet e transportit dhe çmimet e hoteleve, ja si krahasohen këto tri fuqi të turizmit evropian për një udhëtim të shkurtër në qytet.

Qoftë nëse kërkoni muze të klasit botëror, ushqim të jashtëzakonshëm apo thjesht një fundjavë duke shëtitur nëpër rrugë të bukura, pak vende mund të konkurrojnë me kryeqytetet e mëdha të Evropës.

Londra, Parisi dhe Roma kanë kryesuar listat e dëshirave të udhëtarëve për dekada – dhe me të drejtë. Secili ofron një ndërthurje unike të historisë, kulturës dhe pamjeve të paharrueshme, por secili spikat në mënyra të ndryshme.

Qoftë nëse po planifikoni udhëtimin tuaj të parë të shkurtër në një qytet evropian apo të pestin, lehtësia e lëvizjes, numri i gjërave për të bërë dhe, sigurisht, raporti cilësi-çmim janë gjithmonë konsiderata të rëndësishme.

Ja si renditen tri kryeqytetet – që mund të konsiderohen ndër destinacionet më të fuqishme të Evropës për sa i përket turizmit.

Londër, Angli

Londra vazhdon të vendosë standardin për udhëtimet e shkurtra në qytetet evropiane, duke ndërthurur monumentet me famë botërore me një skenë gastronomike, kulturore dhe mikpritjeje që evoluon vazhdimisht. Ndërsa miliona vizitorë vërshojnë çdo vit drejt kryeqytetit britanik për historinë dhe atraksionet e tij, duket se ka gjithmonë diçka të re për të zbuluar.

Qyteti mbetet një nga destinacionet më të vizituara në botë, i ndihmuar nga lidhjet e shkëlqyera të transportit dhe dy nga aeroportet më të ngarkuara të Evropës, Heathrow dhe Gatwick, ndërsa trenat e shpeshtë Eurostar e lidhin Londrën me pjesën tjetër të kontinentit.

Sektori i hoteleve në Londër vazhdon të përmirësohet gjithnjë e më shumë. Hapjet e fundit përfshijnë hotelin butik Newman Hotel në Fitzrovia dhe Chancery Rosewood në Mayfair, ku ky i fundit përmendet shpesh si një nga hapjet e reja më të mira të këtij viti.

Ndër hotelet që pritet të hapen është Waldorf Astoria London – Admiralty Arch. I planifikuar të mirëpresë vizitorët në vjeshtë, ky është një nga hotelet e reja më të pritura të Londrës në vitin 2026.

Edhe lëvizja nëpër qytet po bëhet më e lehtë. Përmirësimet në metronë e Londrës po vazhdojnë në të gjithë rrjetin dhe qyteti po investon gjithashtu në hapësira publike më të gjelbra dhe në transport më të qëndrueshëm.

Ndër vendet që duhen vizituar patjetër janë muzetë e preferuar, përfshirë National Gallery dhe British Museum, dhe ia vlen shumë të ndiqni një shfaqje në West End-in e klasit botëror.

Përveçse krenohet me një histori të pasur, Londra është gjithashtu shtëpia e zonave alternative Camden dhe Shoreditch, si dhe ka një numër të madh restorantesh me yje Michelin, ideale për t’u vizituar pasi të keni provuar një gotë birrë në një nga pub-et e shumta historike të qytetit.

Londra zë vendin e parë në renditjen e Tripadvisor për destinacionet më të mira në Evropë, çka do të thotë se është një nga të preferuarat e vizitorëve. E përshkruar si “Kryeqyteti i Kryeqyteteve”, ajo u rendit gjithashtu në vendin e parë në listën e Qyteteve më të Mira të Evropës për vitin 2026, të publikuar nga Resonance Consultancy.

Megjithatë, një nga disavantazhet është se Londra njihet për çmimet shumë të larta.

Sipas Hotel Monitor, çmimi mesatar për një natë në një hotel me tre yje gjatë sezonit të pikut në Londër është 268 paundë (314 euro).

Të dhënat nga platforma e kostos së jetesës Numbeo tregojnë se një vakt me tri pjata për dy persona në një restorant të kategorisë së mesme kushton mesatarisht 80 paundë (94 euro), ndërsa një biletë njëdrejtimëshe me transportin lokal kushton 3 paundë (3,50 euro).

Paris, Francë

Parisi ka qenë prej kohësh një nga destinacionet më ikonike të Evropës për udhëtime të shkurtra në qytet, por kryeqyteti francez vazhdon të rishpikë veten.

Pas organizimit të Lojërave Olimpike dhe Paralimpike të vitit 2024, qyteti është bërë më i gjelbër, më i lehtë për t’u përshkuar dhe i mbushur me atraksione të reja kulturore, duke ruajtur njëkohësisht hijeshinë e përjetshme që i bën vizitorët të kthehen.

Një rrjet në zgjerim me më shumë se 1.000 kilometra korsi biçikletash e ka transformuar qytetin për çiklistët, ndërsa zgjerime të tjera të metrosë janë tashmë në plan.

Skena kulturore e Parisit po evoluon po aq shpejt. Louvre po përgatitet për transformimin më të madh në dekada, duke përfshirë një hapësirë të re të posaçme për Mona Lisa-n, ndërsa Musée d’Orsay ka prezantuar një galeri të re të rëndësishme dhe Fondacioni Cartier për Artin Bashkëkohor, i hapur së fundmi, ka shtuar një tjetër atraksion që duhet vizituar patjetër.

Skena gastronomike mbetet një nga më të mirat në Evropë, me më shumë se 120 restorante me yje Michelin, që variojnë nga institucionet klasike franceze te emrat e rinj novatorë. Edhe hotelet luksoze po rrisin standardin, me Four Seasons Hotel George V që përfundoi së fundmi një rinovim të gjerë të të gjitha dhomave dhe suitave.

Asnjë udhëtim në Paris nuk është i plotë pa parë Kullën Eiffel, veçanërisht kur ndriçon çdo orë të plotë pas errësimit. Admironi Notre Dame-in e rihapur së fundmi dhe merrni një pain au chocolat, që shijohet më së miri gjatë një shëtitjeje përgjatë Senës vezulluese.

Qyteti i Dritës zuri vendin e dytë në renditjen e Tripadvisor – dhe është paksa më i përballueshëm se Londra.

Sipas Hotel Monitor, një hotel me tre yje kushton mesatarisht 280 euro për natë në sezonin e pikut, ndërsa një vakt për dy persona në një restorant të kategorisë së mesme kushton 70 euro dhe një biletë njëdrejtimëshe me transportin lokal kushton 2,50 euro.

Romë, Itali

Roma ka qenë gjithmonë një nga destinacionet e mëdha të Evropës për udhëtime të shkurtra në qytet, por nuk ka pasur kurrë një kohë më emocionuese për ta vizituar. Jubileu i vitit 2025 e ka vendosur kryeqytetin italian fuqishëm në qendër të vëmendjes – nëse ai është larguar ndonjëherë prej saj.

Si pjesë e festimeve, shumë nga monumentet më të njohura të Romës u restauruan dhe hapësirat publike u rigjallëruan. Largo di Torre Argentina, ku u vra Jul Cezari, është rihapur si park arkeologjik publik, ndërsa ekspozita të mëdha kushtuar veprës së Caravaggio-s po zhvillohen në të gjithë qytetin.

Edhe sektori i hoteleve në qytet ka pësuar një transformim të rëndësishëm. Hapjet e fundit, si Palazzo Talìa, Bvlgari Roma, Six Senses Rome dhe Romeo Roma, kanë shtuar edhe më shumë luks.

Hotele të njohura prej kohësh, si Rome Cavalieri, vazhdojnë gjithashtu të tërheqin vizitorë, pjesërisht falë restorantit La Pergola – i vetmi restorant në qytet me tre yje Michelin.

Edhe lëvizja nëpër qytet po bëhet më e lehtë. Zgjerimi i linjës C të metrosë po përmirëson lidhjet në të gjithë qendrën historike, ndërsa planifikohet gjithashtu zgjerimi i zonave për këmbësorë rreth Koloseut dhe Piazza Venezia-s, duke e bërë Romën – në thelb një muze të gjallë, me shekuj histori kudo që kthehesh – edhe më të këndshme për t’u eksploruar në këmbë.

Shihni Panteonin, hidhni një monedhë në Shatërvanin Trevi – diçka që, me sa duket, sjell fat – dhe sigurohuni të provoni lloje të ndryshme akulloresh.

Kryeqyteti italian renditet në vendin e tretë në klasifikimin e Tripadvisor.

Të dhënat e Numbeo tregojnë se një vakt me tri pjata për dy persona në një restorant të kategorisë së mesme kushton mesatarisht 60 euro, ndërsa një biletë njëdrejtimëshe me transportin lokal kushton 1,50 euro.

Sipas Hotel Monitor, çmimi mesatar i një dhome në një hotel me tre yje gjatë sezonit të lartë është 254 euro, duke e bërë Romën qytetin më të përballueshëm nga të tre.

The post Londër, Paris apo Romë: Cili qytet është më i miri për një fundjavë? appeared first on Revista Monitor.

Turizmi fryn faturën e mbetjeve, Saranda dhe Himara përballen me kostot më të larta

24 July 2026 at 13:00

Teksa vendi ka hyrë në një fazë të re të menaxhimit të mbetjeve pas miratimit të dy ligjeve të reja që përafrojnë kuadrin kombëtar me standardet e Bashkimit Europian, zbatimi i tyre po përballet me presion financiar në zonat me fluks të lartë turistik.

Sipas Raportit të Gjendjes në Mjedis 2025 të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), bashkitë bregdetare po përballen me kosto më të larta të shërbimit për frymë për shkak të rritjes së ndjeshme të gjenerimit të mbetjeve gjatë sezonit veror.

Raporti evidenton se gjatë vitit 2025 u miratuan Ligji Nr. 57/2025 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” dhe Ligji Nr. 74/2025 “Për përgjegjësitë e zgjeruara të prodhuesit”, të cilat, sipas AKM-së, “transpozojnë kuadrin rregullator të BE-së dhe integrojnë parimet e ekonomisë qarkulluese në nivel kombëtar”.

Por zbatimi në nivel lokal tregon diferenca të mëdha mes bashkive. Monitorimi i kryer në 15 bashki pilote tregon se zonat turistike po përballen me një barrë më të lartë operative.

“Bashkitë me karakter intensiv turistik, si Saranda dhe Himara, regjistrojnë kostot më të larta të shërbimit për frymë, për shkak të gjenerimit të lartë të mbetjeve gjatë pikut të sezonit veror”, thuhet në raportin e AKM-së.

Në krahun tjetër, disa bashki kanë shënuar përmirësim në ndarjen e mbetjeve në burim. Sipas raportit, Belshi ka rritur nivelin e ndarjes së mbetjeve nga 8% në 34.4%, duke shënuar një nga rezultatet më të dukshme në monitorimin e bashkive pilote.

Ndërkohë, treguesit e tregtisë së mbetjeve kanë shënuar një ndryshim të fortë gjatë vitit 2025. Sasia totale e mbetjeve të eksportuara ra në 21,275 ton, nga 60,521 ton në vitin 2024, sipas të dhënave të raportuara nga AKM.

Raporti vë në dukje se reforma e re synon të zhvendosë menaxhimin e mbetjeve nga modeli tradicional i grumbullimit dhe depozitimit drejt një sistemi të bazuar në riciklim, përgjegjësi të zgjeruar të prodhuesit dhe ekonomi qarkulluese.

Por në nivel vendor, të dhënat tregojnë se bashkitë turistike mbeten përballë sfidës së financimit të shërbimit, pasi rritja sezonale e popullsisë së përkohshme sjell një volum më të lartë mbetjesh dhe kosto shtesë operimi.

The post Turizmi fryn faturën e mbetjeve, Saranda dhe Himara përballen me kostot më të larta appeared first on Revista Monitor.

Tirana dhe Elbasani “nën pushtetin” e pluhurit, raporti nxjerr ndotësit kryesorë të ajrit

24 July 2026 at 12:00

Tirana dhe Elbasani vijojnë të kenë nivele të larta të grimcave PM10 (pluhur i imët që qëndron pezull në ajër dhe mund të depërtojë në rrugët e frymëmarrjes) duke tejkaluar kufijtë vjetorë të lejuar.

Elbasani rezulton gjithashtu qyteti i vetëm ku është tejkaluar norma për dioksidin e azotit (NO₂). Të paktën kështu rezulton në Raportin e Gjendjes në Mjedis 2025 të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM).

Raporti bazohet në monitorimin e cilësisë së ajrit në nëntë stacione në Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Korçë dhe Fier. Matjet përfshijnë ndotësit kryesorë të ajrit, si grimcat e pluhurit PM10 dhe PM2.5, dioksidin e azotit (NO₂), dioksidin e squfurit (SO₂), ozonin (O₃), monoksidin e karbonit (CO) dhe benzenin, për të vlerësuar nëse ajri përmbush standardet kombëtare dhe ato të Bashkimit Evropian.

Sipas AKM-së, PM10 janë grimca pluhuri me diametër deri në 10 mikrometra, të cilat krijohen kryesisht nga trafiku rrugor, aktivitetet industriale, ngrohja me lëndë djegëse dhe burime të tjera. Raporti thekson se këto grimca mund të shkaktojnë ose të përkeqësojnë sëmundjet e zemrës dhe mushkërive, ndërsa ekspozimi afatgjatë lidhet edhe me rreziqe më të larta për shëndetin.

Gjatë periudhës korrik-dhjetor 2025, norma vjetore për PM10 u tejkalua në dy stacione monitorimi. Në stacionin “Tirana Higjena” u regjistrua një mesatare prej 57.66 mikrogramë për metër kub, ose 44% mbi kufirin e lejuar, ndërsa në Elbasan vlera arriti në 59.72 mikrogramë për metër kub, 49% mbi normë.

Raporti evidenton gjithashtu se në stacionin “Tirana Higjena” u regjistruan 33 ditë me përqendrime të PM10 mbi kufirin ditor të lejuar, nga maksimumi prej 35 ditësh që lejon standardi brenda një viti.

Për grimcat edhe më të imëta PM2.5, të cilat depërtojnë më thellë në mushkëri, AKM raporton se nuk është konstatuar tejkalim i normës vjetore në asnjë prej stacioneve të monitoruara, megjithëse vlerat në Korçë rezultuan pranë kufirit të lejuar.

Sa i përket dioksidit të azotit (NO₂), një ndotës që lidhet kryesisht me gazrat e automjeteve dhe aktivitetin industrial, tejkalim i vlerës kufi vjetore është regjistruar vetëm në Elbasan, ku mesatarja arriti në 40.18 mikrogramë për metër kub.

Për ndotësit e tjerë, AKM konstaton se nuk janë regjistruar tejkalime të kufijve për dioksidin e squfurit (SO₂). Ndërkohë, tejkalime të normës tetëorëshe për ozonin janë evidentuar në Fier, Korçë, Shkodër dhe në dy stacionet e Tiranës, ndërsa për monoksidin e karbonit tejkalimi është regjistruar vetëm në Fier. Për benzenin nuk është konstatuar tejkalim i normës vjetore në asnjë stacion.

Në përfundimet e raportit, AKM vlerëson se “cilësia e ajrit në qytetet e monitoruara nuk është e një niveli shumë të mirë”. Sipas institucionit, ndotësi kryesor mbeten grimcat PM10, veçanërisht në stacionet “Tirana Higjena” dhe Elbasan, ku burimi kryesor i ndotjes identifikohet trafiku rrugor. Monitorimet shumëvjeçare tregojnë se burimet kryesore të ndotjes së ajrit në Shqipëri lidhen me trafikun, aktivitetet e ndërtimit dhe përdorimin e lëndëve djegëse fosile për ngrohje.

The post Tirana dhe Elbasani “nën pushtetin” e pluhurit, raporti nxjerr ndotësit kryesorë të ajrit appeared first on Revista Monitor.

Nafta në Kosovë arrin çmimin më të lartë që nga fillimi i majit

24 July 2026 at 11:56

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Industrisë ka publikuar çmimet e derivateve për ditën e premte. Vendimi i ministrisë tregon se nafta sërish është shtrenjtuar.

 

Çmimi i naftës ka arritur në nivelin më të lartë që nga fillimi i majit.

Të premten sipas njoftimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, një litër naftë kushton 1.69 euro, një litër benzinë kushton 1.50 euro, ndërsa një litër gas 0.60 euro.

Deri tash, që prej 5 majit, një litër nuk ka kushtuar më shtrenjtë. Atë kohë, një litër naftë kushtonte 1.67 euro. Një litër benzinë atë ditë kushtonte 1.52 euro, ndërsa gasi 81 centë.

Prej asaj kohe e deri javën e shkuar, ishte në fuqi një armëpushim që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e arritën me Iranin. Armëpushimi bëri që nafta në bursë të kishte çmim më të ulët.

Por ditë më parë u rikthyen sulmet dhe u rimbyll Ngushtica e Hormuzit, që shërben si rrugë për 20 për qind të naftës në nivel bote. Çmimi i naftës nisi të ngrihej menjëherë.

Çmimi i naftës në nivel global ka kaluar pragun e 100 dollarëve për fuçi për herë të parë që nga muaji maj, ndërsa përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme kërcënon të shtrëngojë më tej furnizimet globale.

Nafta bruto “Brent”, që shërben si referencë globale, është rritur me më shumë se 6% të enjten, duke prekur për pak kohë nivelin prej 100,14 dollarësh për fuçi, përpara se të pësonte një rënie të lehtë.

The post Nafta në Kosovë arrin çmimin më të lartë që nga fillimi i majit appeared first on Revista Monitor.

Falja e detyrimeve, fshihen automatikisht 30 mln euro gjoba për vitet 2015-2024

24 July 2026 at 11:43

Rreth 30 milionë euro gjoba të vendosura nga inspektorët tatimorë për periudhën 2015–2024 janë fshirë automatikisht në zbatim të ligjit për faljen e detyrimeve.

Administrata Tatimore njoftoi se janë shuar automatikisht detyrime në vlerën 29.9 milionë euro, nga të cilat kanë përfituar 16,877 tatimpagues.

Gjobat e vendosura nga inspektorët i përkasin periudhës 2015-2024.

Administrata tatimore njoftoi se për 29.9 milionë euro detyrime të fshira/shuara automatikisht kanë përfituar 16,877 tatimpagues.

Administrata Tatimore thekson se vijon zbatimin e procesit sipas përcaktimeve të ligjit, në mbështetje të formalizimit dhe lehtësimit të barrës për tatimpaguesit.

Gjithashtu më herët Tatimet njoftuan se deri tani janë fshirë ose shuar detyrime në vlerën 332 milionë euro për 122 mijë tatimpagues. 19 marrëveshje të Paqes Fiskale të lidhura për periudhën tatimore 2026. Administrata Tatimore mirëpret çdo tatimpagues që formalizon biznesin e tij vullnetarisht nëpërmjet Paqes Fiskale.

“Procesi i faljes hap një faqe të re me tatimpaguesit në prag të integrimit europian ne funksion të përmirësimit të klimës së biznesit”, theksuan më herët Tatimet.

Ndërsa procesi vijon për të gjithë përfituesit sipas ligjit.

Nga data 10 qershor deri më 30 qershor 2026 u zbatua edhe faza e pagesave për përfitimin nga falja me kusht e detyrimeve tatimore, gjobave dhe kamatëvonesave, sipas ligjit nr. 86/2025.

Për periudhën 2015–2019 përfitohet fshirje e 50% të detyrimit principal, si dhe fshirje e plotë e gjobave dhe kamatëvonesave, nëse 50% e mbetur paguhet njëherësh nga 10.06.2026 deri më 30.06.2026.

Tatimet: 20 mijë subjekte përfituan nga falja me kusht 60 mln euro detyrime të papaguara

 

Për periudhën 2015–2019 përfitohet fshirje e 25% të detyrimit principal, si dhe fshirje e plotë e gjobave dhe kamatëvonesave, nëse 75% e mbetur paguhet nga 10.06.2026 deri më 31.12.2026.

Për periudhën 2020–2024 përfitohet fshirje e plotë e gjobave dhe kamatëvonesave, nëse paguhet 100% e detyrimit principal nga 10.06.2026 deri më 31.12.2026.

The post Falja e detyrimeve, fshihen automatikisht 30 mln euro gjoba për vitet 2015-2024 appeared first on Revista Monitor.

Turizmi frenoi ritmin në qershor, hyrjet e të huajve u rritën vetëm 1.3%

24 July 2026 at 11:15

Ritmi i rritjes së hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri u ngadalësua ndjeshëm në qershor, duke zbritur në 1.3%, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT.

Në Shqipëri hynë 1,346,279 shtetas të huaj gjatë muajit qershor, nga 1,329,204 në të njëjtin muaj të vitit 2025. Rritja vjetore ishte 17,075 persona, ose 1.3%, dukshëm më e ulët se zgjerimi prej 15.9% i regjistruar në muajin maj.

Në total, gjatë qershorit hynë në territorin shqiptar 2,081,649 shtetas shqiptarë dhe të huaj, 0.9% më shumë se një vit më parë. Prej tyre, 735,370 ishin shtetas shqiptarë, me një rritje vjetore prej 0.2%, ndërsa hyrjet e shtetasve të huaj arritën në 1,346,279, me një rritje prej 1.3%.

Pavarësisht ngadalësimit të ritmit në qershor, bilanci i gjashtëmujorit të parë mbetet pozitiv. Në periudhën janar–qershor 2026, në Shqipëri hynë 5,059,069 shtetas të huaj, krahasuar me 4,761,651 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në terma vjetorë, hyrjet u rritën me rreth 297 mijë persona, ose 6.25%.

Bie rajoni kompensohet nga tregjet e tjera

Frenimi i qershorit u komentua më herët nga Ministri i Turizmit Kulturës dhe Sporteve Blendi Gonxhja duke nënvizuar se disa tregje kanë shënuar rënie.

Sipas të dhënave të ppibkuara në rrjetet sociale ministri tha se hyrjet nga Kosova ranë me 51,190 persona krahasuar me qershorin e vitit të kaluar. Rënie u regjistrua edhe nga Maqedonia e Veriut, me 15,223 vizitorë më pak, Gjermania me 13,165 më pak, Turqia me 11,062 më pak dhe Mali i Zi me 6,212 më pak.

Në total, këto pesë tregje sollën 96,852 vizitorë më pak se në qershor 2025, një tkurrje prej rreth 13%.Pavarësisht kësaj rënie të nënvizuar nga ministri rritja e tregjeve të tjera ka kompensuar disi mungesat duke mbajtur një bilanc pozitiv edhe pse modest.

Qeveria e ka lidhur këtë zbehje me perceptimin për vendin duke ia faturuar këtë protestave që kanë nisur në 30 maj dhe ende vazhdojnë. Gonxhja tha se perceptimi për sigurinë, normalitetin dhe stabilitetin është vendimtar për turizmin, ndërsa pretendoi se protestat, tensioni publik dhe imazhi negativ i transmetuar jashtë vendit kanë ndikuar në vendimmarrjen e turistëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Ai iu referua gjithashtu sinjalizimeve nga operatorë turistikë, hotelierë dhe agjenci udhëtimi për ngadalësim të rezervimeve, anulime dhe hezitim nga disa tregje të huaja.

Por pavarësisht këtyre pretendimeve nëse protesta do të ishte arsyeja kryesore e pasigurisë përceptimi i tregjeve dhe reagimi do të ishte më masiv sesa vetëm Gjermania që deri më tani për pjesën e organizuar me kontrata garancie e ka ngritur si shqetësim.

Ndërkohë në mediat socilale dhe forume të turizmit protesta nuk është trajtuar si një arsye për shqetësim apo rrezik.

Shifrat e INSTAT

“Gjatë muajit Qershor 2026, rezultojnë të kenë hyrë, në territorin e Republikës së Shqipërisë, 2.081.649

shtetas shqiptarë dhe të huaj. Ky tregues ka pësuar një rritje me 0,9 %, krahasuar me Qershor 2025.

Gjithashtu, 2.008.987 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke shënuar një rritje me 4,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Hyrjet në Shqipëri:

• Shtetas shqiptarë: 735.370 (rritje me 0,2 %)

• Shtetas të huaj: 1.346.279 (rritje me 1,3 %)

Daljet nga Shqipëria:

• Shtetas shqiptarë: 723.449 (rritje me 1,8 %)

• Shtetas të huaj: 1.285.538 (rritje me 6,5 %)

Rajonet e hyrjes së shtetasve të huaj:

• Evropa Jugore kontribuon me 66 %, ndërsa Evropa Qendrore dhe Lindore me 14 % të hyrjeve nga Evropa.

Qëllimi i hyrjes në territorin shqiptar i shtetasve të huaj, në 98 % të rasteve është për qëllime personale.

Në Qershor 2026, ky tregues ka shënuar një rritje me 1,6 %, krahasuar me Qershor 2025. Hyrjet e shtetasve të huaj, për qëllime biznesi dhe profesionale kanë rënë me 17,7 %”, thuhet në njoftimin e Instat.

Burimi: Instat

Burimi: Instat

Burimi: Instat

The post Turizmi frenoi ritmin në qershor, hyrjet e të huajve u rritën vetëm 1.3% appeared first on Revista Monitor.

Qyteti që po lufton varësinë nga telefoni

24 July 2026 at 11:00

Në një kohë kur shumica e adoleshentëve kalojnë disa orë në ditë me telefonin në dorë, një qytet në Britaninë e Madhe po ndjek një qasje krejt ndryshe. Në vend të ndalimeve apo kufizimeve të rrepta, komuniteti po përpiqet t’u krijojë të rinjve më shumë arsye për të lënë telefonin mënjanë dhe për t’u rikthyer te aktivitetet në jetën reale.

Sipas BBC-së, në qytetin e Solihull-it janë shtuar aktivitetet sportive, artistike dhe sociale për të rinjtë, me synimin që koha e lirë të mos dominohet nga rrjetet sociale dhe ekranet. Ideja është e thjeshtë: nëse të rinjtë kanë alternativa tërheqëse për t’u takuar, për të luajtur dhe për të kaluar kohë së bashku, varësia nga telefoni zvogëlohet natyrshëm.

Nisma mbështetet edhe nga lëvizja Smartphone Free Childhood, e cila po fiton mbështetje në Mbretërinë e Bashkuar dhe në vende të tjera. Lëvizja inkurajon prindërit të shtyjnë momentin kur u japin fëmijëve smartfonin e parë dhe të kufizojnë përdorimin e rrjeteve sociale në moshë të hershme. Sipas saj, problemi nuk është teknologjia në vetvete, por fakti që fëmijët kanë akses të pandërprerë në pajisje dhe platforma të krijuara për të mbajtur sa më gjatë vëmendjen e tyre.

Shqetësimet lidhen me një numër në rritje studimesh që e lidhin përdorimin e tepërt të telefonave inteligjentë me ankthin, problemet e gjumit, vështirësitë në përqendrim dhe uljen e ndërveprimit social tek fëmijët dhe adoleshentët. Për këtë arsye, gjithnjë e më shumë komunitete po eksperimentojnë me mënyra për të rikthyer aktivitetet jashtë ekranit.

Ndryshe nga ndalimet e plota të telefonave, që kanë ngjallur debate në disa vende, nisma në Solihull synon të ndryshojë zakonet përmes angazhimit të komunitetit. Organizohen aktivitete sportive, klube rinore, punëtori kreative dhe evente lokale, me qëllim që telefoni të mos mbetet forma kryesore e argëtimit dhe socializimit.

Ekspertët theksojnë se zgjidhja nuk është ta shpallësh telefonin armik, por të krijosh një ekuilibër më të shëndetshëm mes jetës digjitale dhe asaj reale. Në fund të fundit, sfida nuk është vetëm sa kohë kalojnë të rinjtë para ekranit, por sa pak kohë po kalojnë me njëri-tjetrin jashtë tij./BBC

The post Qyteti që po lufton varësinë nga telefoni appeared first on Revista Monitor.

Projektligji, qeveria s’mund të propozojë shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të BSH

24 July 2026 at 11:00

Ligji i ri “Për Bankën e Shqipërisë” pritet t’i heqë të drejtën qeverisë për të pezulluar anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës dhe për t’i kërkuar Kuvendit shkarkimin e tyre.

Ligji në fuqi parashikon se çdo anëtar i Këshillit Mbikëqyrës, duke përfshirë guvernatorin dhe zëvendësguvernatorët mund të pezullohet nga detyra nga Këshilli i Ministrave dhe të shkarkohet nga Kuvendi, në qoftë se përmbushen disa kushte kushte të caktuara, si në rastin kur është në pamundësi për të shërbyer në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë; është dënuar nga gjykata për një vepër penale, për të cilën ligji parashikon dënimin me burgim; është në pamundësi për të paguar detyrimet monetare ose është deklaruar i falimentuar dhe nuk është rehabilituar; është ndaluar ose pezulluar nga gjykata të ushtrojë detyrën si nëpunës shtetëror apo në shërbimin publik ose të ushtrojë veprimtarinë apo mjeshtërinë; apo gjatë ushtrimit të detyrës, në mënyrë aktive merr pjesë në veprimtari politike.

Kjo hapësirë ligjore u përdor nga qeveria në vitin 2019 për të pezulluar anëtarin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Arben Malaj, i cili u shkarkua më tej nga Kuvendi i Shqipërisë.

Ndërkohë, sipas projektligjit të ri, anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës do të mund të shkarkohen nga Kuvendi përpara përfundimit të mandatit të tyre vetëm me propozimin e vetë Këshillit, në rast se konstatohet ndonjë nga kushtet e papajtueshmërisë me funksionin, si në rastin kur është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për çdo vepër penale për të cilën ligji parashikon dënimin me burgim; kur është ndaluar ose pezulluar nga ushtrimi i një funksioni publik ose profesioni, ose ndaj tij janë marrë masa të rënda disiplinore që cenojnë besueshmërinë ose integritetin e tij profesional; kur provohet se ka marrë pjesë në veprimtari politike aktive ose në veprimtari të cilat ligji i përkufizon si në konflikt interesi me detyrën e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës.

Gjithashtu, Këshilli mund t’i rekomandojë Kuvendit, me votim unanim, një rekomandim për shkarkim të njërit prej anëtarëve, në rast se konstaton se anëtari nuk është në gjendje të ushtrojë funksionet e tij ligjore, bazuar në prova.

Në të dy rastet e parashikuara më sipër, Këshilli duhet të njoftojë anëtarin ndaj të cilit ka filluar procedura e shkarkimit, i cili ka të drejtë t’i paraqesë Gjykatës Kushtetuese një kërkesë për shqyrtimin e vlefshmërisë së propozimit ose rekomandimit brenda 15 ditëve nga data e njoftimit. Paraqitja e kërkesës do të pezullojë çdo procedurë shkarkimi në Kuvend, deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese brenda 60 ditëve.

Heqja e të drejtës së qeverisë për të propozuar largimin e një anëtari të Këshillit Mbikëqyrës duket të jetë një propozim që, të paktën në teori, tenton të forcojë pavarësinë e Bankës Qendrore nga pushteti ekzekutiv.

The post Projektligji, qeveria s’mund të propozojë shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të BSH appeared first on Revista Monitor.

❌