Normal view

Tatimet: Kemi kompensuar 111 mln lekë shoqëritë e transportit, Tiranēn e ka Bashkia

By: Ornela
13 August 2026 at 20:46

Drejtoria e Tatimeve njoftoi se ka përfunduar në 1 gusht 2026 procesi i aplikimit për kompensimin e transportit publik.

Administrata Tatimore po kryen kompensimin e 95 subjekte që kanë aplikuar për të përfituar nga skema e kompensimit për rritjen e çmimit të karburantit. Vlera totale e kompensimit për shoqëritë e transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës arrin në 110.7 milionë lekë.

Tatimet sqarojnë se shifrat nuk përfshijnë kompensimin për shoqëritë e linjave qytetëse të Tiranës, i cili mbulohet nga Bashkia Tiranë.

Numri i subjekteve që kanë aplikuar për t’u kompensuar nga Bashkia e Tiranës pranë Administratës Tatimore është 20 për një vlerë prej 66.1 milion lekë.

Njê ditë më parë shoqëritë e transportit kryeqytetas u ankuan se nuk kishin marrë kompensimin e premtuar dhe paralajmêruan reduktim të linjave

Shoqatat e Transportit kërkojnë zgjatje të kompensimit, paralajmërojnë rishikim të numrit të mjeteve

 

 

The post Tatimet: Kemi kompensuar 111 mln lekë shoqëritë e transportit, Tiranēn e ka Bashkia appeared first on Revista Monitor.

Shqipëria mban ende të forta lidhjet familjare, 24,6 % e popullsisë takohet përditë me familjen

13 August 2026 at 15:00

Shoqëria shqiptare vazhdon të jetë ndër më të lidhurat në Europë me familjen, duke ruajtur një strukturë tradicionale ku kontaktet e përditshme me familjarët dhe miqtë shërbejnë si shtylla kryesore e stabilitetit emocional dhe mbështetjes së ndërsjellë.

Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga zyra eUropiane e statistikave, Eurostat, rreth 24.6% e qytetarëve në Shqipëri takohen me rrethin e tyre shoqëror apo familjar çdo ditë, një tregues ky që e pozicionon vendin tonë dukshëm mbi mesataren e shumë ekonomive të zhvilluara të Europës Perëndimore dhe Veriore.
Megjithatë, kur bëhet fjalë për përqindjen e popullsisë që realizon kontakte të përditshme, disa vende në Europë renditen më mirë se Shqipëria, në krye të të cilave spikat Qiproja me 48.1%, e ndjekur nga Sllovakia me 29.1% dhe Kroacia me 26.9%.
Ky intensitet i lartë i bashkëveprimit social, në një kohë që vendet perëndimore karakterizohen gjithnjë e më shumë nga rritja e individualizmit dhe struktura të izoluara banimi, ku në Francë treguesi i takimeve të përditshme regjistrohet në vetëm 10%, në Austri në 6.8%, në Holandë në 5.1% dhe në Suedi në 3.6%, dëshmon për një formë të veçantë të “kapitalit social” që ruan rolin e një amortizuesi të rëndësishëm në mbështetjen e mirëqenies së përditshme.
Përveç këtyre takimeve të përditshme që përbëjnë një peshë të konsiderueshme, statistikat e Eurostat tregojnë se 20.5% e popullsisë shqiptare zhvillon takime javore, ndërsa 15.7% e qytetarëve takohen me miqtë apo të afërmit e tyre një herë në muaj dhe rreth 19.3% raportojnë kontakte periodike disa herë në muaj.
shoqëria shqiptare vazhdon të ruajë me forcë një model të bazuar te lidhjet e ngushta, ku kontaktet e shpeshta fizike dhe mbështetja e ndërsjellë mbeten baza e përditshmërisë.
Në një analizë më të gjerë socio-ekonomike, ky “kapital social” i trashëguar shërben shpeshherë si një rrjetë e rëndësishme sigurie përballë sfidave të vazhdueshme të standardit të jetesës dhe të ardhurave të kufizuara. Ekspertët e çështjeve sociale vënë në dukje se ndihma e ndërsjellë brenda rrethit familjar zbut deri diku goditjet financiare, megjithatë sfidat mbeten të mëdha për shkak të lëvizjeve demografike dhe emigracionit që rrezikojnë të tkurrin këto bërthama tradicionale./B.Hoxha

The post Shqipëria mban ende të forta lidhjet familjare, 24,6 % e popullsisë takohet përditë me familjen appeared first on Revista Monitor.

Punimet në mbikalimin e Kasharit, kufizohet qarkullimi në autostradën Tiranë-Durrës

13 August 2026 at 14:46

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar kufizime të përkohshme të qarkullimit në autostradën Tiranë-Durrës, për shkak të punimeve për ndërtimin e mbikalimit të ri në Kashar.

Punimet do të kryhen më 14 dhe 15 gusht, nga ora 23:00 deri në 05:00, interval gjatë të cilit parashikohet montimi i strukturës metalike të mbikalimit. Për arsye sigurie, dy korsitë e aksit kryesor në drejtimin Tiranë-Durrës do të mbyllen përkohësisht.

Gjatë këtyre orareve, automjetet që lëvizin drejt Durrësit do të devijohen në dy korsitë e anës së majtë të autostradës, të cilat do të përdoren përkohësisht për qarkullim në të dyja drejtimet.

ARRSH bën të ditur se automjetet me destinacion Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës do të mund të vijojnë lëvizjen pa pengesa.

Autoriteti u ka kërkuar drejtuesve të mjeteve, bizneseve dhe banorëve të zonës të tregojnë kujdes dhe mirëkuptim gjatë zbatimit të masave të përkohshme për menaxhimin e trafikut.

The post Punimet në mbikalimin e Kasharit, kufizohet qarkullimi në autostradën Tiranë-Durrës appeared first on Revista Monitor.

Bizneset e Rajonit përdorin AI, por teknologjitë e avancuara mbeten të rralla

13 August 2026 at 14:00

Pothuajse gjysma e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor përdorin inteligjencën artificiale, por përdorimi përqendrohet kryesisht te aplikacionet e përgjithshme si ChatGPT. Sistemet e personalizuara, teknologjitë e integruara, tregtia elektronike dhe matja e ndikimit mjedisor mbeten ende pak të zhvilluara. Gjetjet bëhen të ditura në raportin “Western Balkans Enterprise Survey 2026” të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), i cili analizon nivelin e transformimit digjital dhe të gjelbër të NVM-ve në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi.

Përdorimi i teknologjisë është përhapur gjerësisht në NVM-të e rajonit, por mbetet i përqendruar te instrumentet bazë. Faturimi elektronik përdoret nga 58% e ndërmarrjeve, rrjetet sociale nga 47% dhe faqet e internetit nga 41%.

Shqipëria dhe Serbia paraqesin përdorimin më të lartë të faturimit elektronik, përkatësisht 77% dhe 78%, të ndikuar edhe nga detyrimet rregullatore. Në Kosovë, faturimi elektronik përdoret nga 31% e ndërmarrjeve të anketuara, ndërsa në Maqedoninë e Veriut nga 12%.

Rreth 48% e NVM-ve deklaruan se përdorin inteligjencën artificiale. Megjithatë, 30% përdorin kryesisht aplikacione gjeneruese si ChatGPT, ndërsa vetëm 9% përdorin sisteme të personalizuara dhe 9% sisteme të integruara në proceset e biznesit.

Tregtia elektronike shërben kryesisht si kanal plotësues. Rreth 56% e ndërmarrjeve që shesin online sigurojnë më pak se 10% të ardhurave nga ky kanal. Vetëm 9% raportojnë se tregtia elektronike gjeneron më shumë se gjysmën e shitjeve.

Faqet e vetë kompanive përdoren nga 42% e NVM-ve për shitje, ndërsa 38% përdorin rrjetet sociale. Vetëm 7% shesin në platforma ndërkombëtare të palëve të treta, si Amazon ose eBay.

Edhe përdorimi i pagesave digjitale mbetet i kufizuar, pasi transfertat bankare pranohen nga 54% e bizneseve, ndërsa rreth një e katërta nuk pranon asnjë formë pagese digjitale.

Pothuajse gjysma e ndërmarrjeve, ose 48%, mbështeten te kontraktorë të jashtëm kur u nevojitet ekspertizë digjitale. Vetëm 22% i plotësojnë këto nevoja me specialistët e tyre të teknologjisë.

Vetëm 17% e NVM-ve të anketuara deklaruan se njihnin një program qeveritar për mbështetjen e digjitalizimit. Bosnjë-Hercegovina kishte nivelin më të lartë të informimit, me 41%, ndërsa Serbia më të ulëtin, me 8%.

Dhomat e tregtisë dhe shoqatat e NVM-ve ishin burimi kryesor i informacionit për 31% të bizneseve, të ndjekura nga reklamat qeveritare me 28%. Portalet qeveritare informuan vetëm 13% të ndërmarrjeve.

Rreth 72% e NVM-ve raportuan se kanë politika për mbrojtjen e të dhënave. Përqindjen më të lartë e kishte Mali i Zi, me 81%, i ndjekur nga Serbia me 77% dhe Shqipëria me 74%. Në Kosovë, niveli ishte 64%, ndërsa në Bosnjë-Hercegovinë 59%.

Megjithatë, 22% e ndërmarrjeve nuk kishin marrë asnjë masë konkrete për sigurinë kibernetike. Rreth 18% raportuan se kishin përjetuar një sulm kibernetik dhe 29% nuk ishin të sigurta nëse ishin sulmuar.

Rreth tre të katërtat e NVM-ve të Ballkanit Perëndimor kishin ndërmarrë të paktën një masë për uljen e ndikimit në mjedis. Veprimi më i zakonshëm ishte reduktimi i konsumit të energjisë dhe burimeve, i zbatuar nga 44% e ndërmarrjeve.

Nga ana tjetër, 23% nuk kishin marrë asnjë masë mjedisore, ndërsa vetëm 15% kishin investuar në energji të rinovueshme. Vetëm rreth një e katërta e bizneseve kishte një strategji formale për mjedisin.

Rreth 42% e NVM-ve deklaruan se ofrojnë produkte ose shërbime të gjelbra. Përqindja arrinte në 48% te ndërmarrjet prodhuese dhe në 81% te bizneset që siguronin 50–80% të shitjeve nga eksportet.

Për shumicën e ndërmarrjeve, produktet e gjelbra mbeten aktivitet plotësues. Rreth 54% e bizneseve sigurojnë më pak se 30% të ardhurave nga këto produkte ose shërbime. Vetëm 23% e ndërmarrjeve që ofrojnë produkte të gjelbra gjenerojnëprej tyre më shumë se gjysmën e të ardhurave./ B.Hoxha

The post Bizneset e Rajonit përdorin AI, por teknologjitë e avancuara mbeten të rralla appeared first on Revista Monitor.

BSH “vë bast” kundër inflacionit: Rritja nga nafta dhe qiratë, goditja do të jetë kalimtare

13 August 2026 at 12:55

Banka e Shqipërisë konfirmon besimin se vala inflacioniste do të jetë kalimtare. Në raportin e Politikës Monetare për tremujorin e tretë të vitit, thuhet se inflacioni u rrit gjatë tremujorit të dytë, kryesisht si pasojë e rritjes së çmimeve të naftës në tregjet botërore dhe e rritjes së çmimeve në disa kategori shërbimesh në vend.

Inflacioni i çmimeve të konsumit u rrit në një nivel mesatar prej 3% në tremujorin e dytë, nga 2.5% në tremujorin e parë, duke pasqyruar forcimin e presioneve të huaja dhe të brendshme inflacioniste. Në terma të përbërësve të shportës, rritja e tij u ndikua kryesisht nga shtrenjtimi i karburanteve, si pasojë e rritjes së çmimit të naftës në tregun global pas përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, si dhe nga rritja e inflacionit të shërbimeve.

Në terma makroekonomikë, rritja e çmimeve në tregjet e huaja u përcoll edhe në ekonominë shqiptare, ndonëse, sipas Bankës sëShqipërisë, mbiçmimi i Lekut vijoi të amortizojë transmetimin e tyre në çmimet vendase.

Nga ana tjetër, presionet e brendshme u nxitën nga rritja e çmimeve të disa shërbimeve të lidhura me transportin dhe turizmin dhe nga kontributi ende i lartë i qirave. Por, duke përjashtuar inflacionin e qirave, Banka Qendrore vlerëson se inflacioni i brendshëm mbetet në përputhje me objektivin e stabilitetit të çmimeve.

Banka e Shqipërisë ende vlerëson se pritjet për inflacionin në të ardhmen mbeten të qëndrueshme, duke reduktuar përcjelljen e goditjes së ofertës në efekte të mëtejshme raundit të dytë.

Pas një rritjeje të përkohshme në afatin e shkurtër, inflacioni pritet të bjerë gradualisht drejt objektivit prej 3%, i mbështetur nga rritja e ekonomisë pranë potencialit dhe pritjet e ankoruara për inflacionin.

Por, sidoqoftë, në raport theksohet edhe njëherë se pasiguritë për të ardhmen mbeten relativisht të larta. Këto pasiguri diktohen nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të energjisë, tensionet gjeopolitike dhe ndikimet e tyre mbi inflacionin dhe aktivitetin ekonomik të partnerëve tregtarë të vendit.

Sipas raportit, balanca e rreziqeve mbetet e zhvendosur në kahun rritës për inflacionin dhe në kahun rënës për aktivitetin ekonomik. Një përshkallëzim i mëtejshëm i tensioneve gjeopolitike, veçanërisht nëse shoqërohet me ndërprerje nëfurnizimin me energji ose rritje të mëtejshme të çmimeve të mallrave bazë, mund të ushtrojë presione shtesë mbi inflacionin dhe të dobësojë perspektivën ekonomike.

Banka e Shqipërisë vlerëson se aktiviteti ekonomik vijoi të zgjerohej me ritme të qëndrueshme gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026. Rritja ekonomike rezultoi 3.7% në tremujorin e parë, ndërsa treguesit e disponuar, sipas Bankës Qendrore,sugjerojnë vazhdimin e trendit rritës edhe në tremujorin e dytë.

Kjo ecuri ka pasqyruar rritjen e konsumit, të investimeve dhe të eksporteve të shërbimeve, të cilat u mbështetën nga rritja e të ardhurave, pritjet për të ardhmen, rritja e të ardhurave nga turizmi, si dhe kushtet e favorshme të financimit.

Në veçanti, punësimi dhe pagat në sektorin privat jobujqësor u rritën në tremujorin e parë, ndërsa shkalla e papunësisë mbeti në nivele të ulëta, prej 8.4%. Rritja me 11.5% e pagave në sektorin privat pasqyroi kërkesën e qëndrueshme për fuqi punëtore, mungesat në tregun e punës, si dhe rritjen me 25% të pagës minimale në muajin janar.

Deri tani, sipas Bankës së Shqipërisë, ndikimi në inflacion i rritjes së kostove të punës është zbutur nga përmirësimi i produktivitetit dhe ngushtimi i marzheve të fitimit të bizneseve. Në të njëjtën kohë, kushtet e financimit vijuan të mbështesin zgjerimin e aktivitetit ekonomik.

Sipas Bankës së Shqipërisë, perspektiva afatmesme e ekonomisë mbetet pozitive. Aktiviteti ekonomik parashikohet të rritet pranë potencialit, ndërsa inflacioni të luhatet pranë objektivit 3% në afatin e mesëm. Zbehja graduale e goditjeve nga jashtë, së bashku me rritjen ekonomike pranë potencialit dhe pritjet e ankoruara për inflacionin, pritet të mbështesin kthimin gradual të inflacionit pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë.

Ekonomia pritet të vijojë të rritet me ritme të qëndrueshme, i mbështetur kryesisht nga kërkesa e brendshme, kushtet e favorshme në tregun e punës, zgjerimi i kreditimit dhe pritjet e konsumatorëve dhe bizneseve.

The post BSH “vë bast” kundër inflacionit: Rritja nga nafta dhe qiratë, goditja do të jetë kalimtare appeared first on Revista Monitor.

Nga dixhitalizimi i rrjetit te matësit inteligjente, plani i investimeve i OSSH

13 August 2026 at 12:00

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes po përfshin në programin e tij të investimeve për vitet 2026-2027 sisteme të reja monitorimi, software për analizën e rrjetit dhe matës inteligjentë, si pjesë e modernizimit të infrastrukturës së shpërndarjes së energjisë elektrike. Programi përfshin përmirësimin e sistemeve të monitorimit dhe menaxhimit të rrjetit dhe një “upgrade” të platformës PowerFactory, e cila përdoret për analizimin dhe modelimin teknik të sistemit elektrik.

Sipas dokumentit të OSSH-së, përditësimi i PowerFactory përfshin ndër të tjera funksione për analizimin e rrjetit dhe planifikimin e zhvillimeve të ardhshme.

Kompania parashikon gjithashtu konfigurimin dhe integrimin e sistemeve lokale SCADA në 14 nënstacione. SCADA përdoret për monitorimin dhe kontrollin në distancë të pajisjeve dhe parametrave të rrjetit.

Një tjetër pjesë e programit lidhet me investimet në sistemet e matjes. OSSH parashikon instalimin e matësve inteligjentë për konsumatorët fundorë të furnizuar nga kabina të reja dhe integrimin e tyre në platformën MDM, ose Meter Data Management.

“Instalimi i matësve inteligjentë do të realizohet për konsumatorët fundorë që furnizohen nga kabinat në të cilat janë instaluar sisteme inteligjente të matjes së bilancit,” thotë operatori në dokument.

Sipas OSSH-së, investimi synon të rrisë saktësinë e matjes dhe të përmirësojë monitorimin e konsumit dhe kontrollin e humbjeve teknike dhe joteknike.

Teknologjitë e monitorimit dhe matjes renditen si një nga kategoritë kryesore të planit të rishikuar të investimeve, së bashku me nënstacionet, linjat e tensionit të lartë dhe të mesëm dhe rrjetet TM/TU.

OSSH thotë se këto ndërhyrje nuk ndryshojnë standardet teknike të rrjetit, por synojnë të përmirësojnë kontrollin operacional dhe menaxhimin e tij.

Në përgjigjen drejtuar ERE-s, operatori thekson se parametrat teknikë të investimeve janë ruajtur, ndërsa është rishikuar kryesisht shpërndarja në kohë e projekteve dhe kostot e tyre.

“Këto saktësime nuk përbëjnë ulje të standardit teknik të investimeve,” thuhet në dokument. “Përkundrazi, ato synojnë që parametrat e investimeve të jenë më të lidhur me nevojat reale të rrjetit dhe me standardet e zbatimit.”/ N.Maho

The post Nga dixhitalizimi i rrjetit te matësit inteligjente, plani i investimeve i OSSH appeared first on Revista Monitor.

Fitimi i institucioneve financiare të pagesave pësoi rënie vitin e kaluar

13 August 2026 at 11:00

Fitimi i institucioneve financiare të pagesave dhe transfertave pësoi rënie vitin e kaluar. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se rezultati financiar i këtyre operatorëve u tkurr, pas dy viteve radhazi në rritje. Fitimi neto kishte vlerën e 1.05 miliardë lekëve (rreth 10.9 milionë euro), në rënie me 36.6% krahasuar me një vit më parë.

Banka e Shqipërisë vlerëson se rezultati neto i institucioneve të pagesave dhe të parasë elektronike ka shfaqur rrite, si rezultat i njëkohshëm i rënies së të ardhurave nga komisionet dhe rritjes së shpenzimeve të përgjithshme të veprimtarisë.

Ky rezultat përfshin fitimet e realizuara nga institucionet financiare të parasë elektronike dhe ato të pagesave dhe të transfertave të parave. Sipas Bankës së Shqipërisë në fund të vitit 2025 në Shqipëri ishin të licencuar gjithsej 15 operatorë pagesash, nga të cilët 10 me licencë si institucione të parasë elektronike dhe pesë të tjerë për shërbime të pagesave dhe të transferimit të parave.

Megjithëse rezultati i sektorit në tërësi është në rritje, vlerësohet se kontributin kryesor në fitimin e tregut e japin kryesisht institucionet më të konsoliduara të pagesave dhe transfertave.

Gjithnjë sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar operatorët e këtij sektori raportonin gjithsej aktive totale në vlerën e 16 miliardë lekëve, në rritje me 5.3%

(0.81 miliardë lekë) krahasuar me një vit më parë. Banka e Shqipërisë raporton se në përgjithësi, aktiviteti i subjekteve të tregut ka ardhur në rritje, por efektin kryesor e ka dhënë zgjerimi i subjekteve Union Financiar Tiranë dhe IutePay.

Në total, volumi i pagesave me para elektronike për 2025 arriti në 95.3 miliardë lekë, në rritje me 9.6% krahasuar me një vit më parë.

Në vitin 2020, Shqipëria miratoi ligjin e ri për Shërbimet e Pagesave. Ai është përshtatur në frymën e Direktivës II të Pagesave të Bashkimi Europian, për të krijuar hapësirat e një konkurrencë më të madhe në tregun e shërbimeve të pagesave dhe për një zhvillim më të madh të institucioneve financiare që ofrojnë pagesa elektronike.

Kjo solli një rritje të ndjeshme të numrit të institucioneve të licencuara të parasë elektronike, me synimin për të ndërtuar edhe në Shqipëri modelin e operatorëve të pagesave fintech. Megjithatë, ky model në Shqipëri është ende në një stad fillestar zhvillimi dhe të ardhurat e operatorëve të tregut vijnë ende kryesisht nga komisionet e shërbimeve që ofrohen fizikisht në sportelet e agjentëve.

Deri tani, institucionet e pagesave, të paktën në shërbimet e mirëfillta fintech, po e gjejnë të vështirë të sigurojnë avantazhe konkurruese të tilla që të bëjnë diferencën ndaj produkteve dhe shërbimeve të pagesave të sektorit bankar.

Deri tani, fokusi kryesor i institucioneve të reja të pagesave fintech ka qenë kryesisht krijimi i portofolave elektronike nëpërmjet të cilave klientët mund të kryejnë një spektër të gjerë pagesash, të qendërzuara në aplikacionet e tyre. Shërbimet e pagesave përfshijnë pagesën e faturave dhe utiliteteve, transfertat e parave, blerjet online ose në pikat e shitjes, etj.

Disa prej institucioneve të parasë elektronike po e gërshetojnë konceptin e fintech edhe me instrumentet më klasike të pagesave, si kartat, për të krijuar një urë me infrastrukturën e sektorit bankar dhe operatorëve globalë të sistemeve të pagesave, si Visa apo Mastercard.

Burimi: Banka e Shqipërisë

 

The post Fitimi i institucioneve financiare të pagesave pësoi rënie vitin e kaluar appeared first on Revista Monitor.

Vera përvëluese në Europë mund t’u kushtojë ekonomive të BE-së 180 miliardë euro

13 August 2026 at 10:30

Nxehtësia ekstreme mund t’u kushtojë ekonomive të Bashkimit Europian rreth 180 miliardë euro këtë vit, një shumë e barabartë me afërsisht 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të bllokut dhe pothuajse sa e gjithë rritja ekonomike që BE priste të realizonte në vitin 2026. Ndër ekonomitë e mëdha, Franca pritet të pësojë goditjen më të fortë.

Vala e zgjatur e të nxehtit që ka përfshirë Europën këtë verë rrezikon të fshijë praktikisht një vit të tërë rritjeje ekonomike, sipas një analize të publikuar nga Triodos Bank.

Vlerësimi parashikon se dëmet nga temperaturat ekstreme dhe zjarret do të arrijnë në total 180 miliardë euro gjatë vitit 2026, ose rreth 1% të PBB-së së BE-së. Duke qenë se rritja ekonomike e bllokut pritej të ishte rreth 1.1% këtë vit, një goditje e tillë do ta çonte ekonominë europiane pranë stagnimit.

Sipas bankës, dëmi ekonomik vjen kryesisht përmes katër kanaleve, tre prej të cilëve janë përllogaritur si mesatare për BE-në.

Rënia e rendimenteve bujqësore dhe e prodhimit të qumështit, së bashku me rritjen pasuese të çmimeve të ushqimeve, pritet t’i kushtojë ekonomisë rreth 0.15% të PBB-së.

Kufizimet në prodhimin e energjisë bërthamore, hidrike dhe termike, ulja e eficiencës së paneleve diellore dhe rritja e çmimeve të energjisë në tregun me shumicë shtojnë një tjetër goditje prej 0.12–0.15% të PBB-së.

Ndërprerjet dhe kufizimet në transportin hekurudhor, rrugor dhe në rrugët ujore pritet të kushtojnë edhe rreth 0.15% të PBB-së.

Por efekti më i madh, dhe njëkohësisht më i vështiri për t’u matur, lidhet me rënien e produktivitetit të punës.

Produktiviteti për punonjës fillon të ulet kur temperaturat kalojnë afërsisht 25–30 gradë Celsius, me humbjet më të mëdha në punët në ambiente të hapura dhe në profesionet që kërkojnë aktivitet fizik. Por edhe puna në zyra ndikohet, ndër të tjera për shkak se temperaturat e larta përkeqësojnë gjumin dhe aftësitë njohëse.

Një analizë ndërkombëtare e Allianz, e cituar në studim, vlerëson se për çdo gradë mbi 30°C, kur temperaturat e larta zgjasin për disa ditë, prodhimi për orë pune bie me rreth 3%.

Franca, më e goditura

Rezultatet nuk përbëjnë thjesht një renditje të vendeve më të nxehta.

Triodos vlerëson secilën ekonomi sipas peshës që kanë sektorët më të ekspozuar ndaj nxehtësisë, kohës që punonjësit kalojnë duke udhëtuar drejt punës, përhapjes së kondicionerëve, nivelit të përshtatjes së popullsisë me temperaturat e larta dhe numrit të ditëve jashtëzakonisht të nxehta të regjistruara këtë vit.

Nga kjo analizë, Franca rezulton vendi më i goditur, me një humbje të vlerësuar prej 1.4 pikë përqindjeje të rritjes ekonomike. Kjo do të mjaftonte për ta çuar ekonominë franceze në një tkurrje prej rreth 0.6%, nisur edhe nga një bazë tashmë e dobët.

Holanda pritet të humbasë rreth 0.8 pikë përqindjeje, duke mbetur pothuajse pa rritje.

Spanja dhe Italia kanë fuqinë punëtore më të ekspozuar dhe kanë regjistruar numrin më të madh të ditëve të nxehta, por dekada të tëra përshtatjeje ndaj temperaturave të larta e zbusin disi ndikimin e secilës valë të nxehti.

Polonia, nga ana tjetër, ka përdorim të ulët të kondicionerëve dhe nivel të kufizuar përshtatjeje ndaj vapës, çka e bën potencialisht shumë të ndjeshme. Megjithatë, vera më e freskët e këtij viti pritet t’i lejojë ekonomisë polake të rritet me rreth 2.9%.

Kosto që nuk shfaqen në PBB

Kostoja njerëzore e vapës mbetet kryesisht jashtë këtyre përllogaritjeve ekonomike.

Vetëm gjatë valës së të nxehtit të qershorit, në Francë, Gjermani, Spanjë dhe Itali vlerësohet se kanë ndodhur rreth 20,400 vdekje të lidhura me temperaturat e larta.

Nëse llogariten afërsisht 25 mijë vdekjet e lidhura me vapën gjatë gjithë verës në bazë të viteve të jetës së humbur, kostoja ekonomike vlerësohet mes 1.5 dhe 7 miliardë eurove.

Edhe zjarret kanë shkaktuar dëme të mëdha. Deri javën e kaluar, sipas Sistemit Europian të Informacionit për Zjarret në Pyje, në BE ishin djegur mbi 490 mijë hektarë, krahasuar me një mesatare 20-vjeçare prej 197 mijë hektarësh. Franca ka shënuar nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë.

Humbja e shërbimeve të ekosistemit nga sipërfaqet e djegura mund të shtojë një kosto tjetër prej 100 milionë deri në 4.6 miliardë euro.

Sipas analizës, masat e përshtatjes ndaj klimës mund të ulin humbjet e produktivitetit me rreth 40%, por nuk mund t’i eliminojnë ato.

Autorët theksojnë gjithashtu se përllogaritjet janë bërë mbi supozime relativisht konservatore.

Triodos argumenton se vetëm përshtatja nuk mjafton dhe se Europa ka nevojë për masa më të forta për reduktimin e emetimeve. Banka e konsideron lëvizjen e Komisionit Europian të 17 korrikut për të zbutur trajektoren e skemës kryesore të çmimit të karbonit si një hap në drejtim të kundërt./ Euronews

The post Vera përvëluese në Europë mund t’u kushtojë ekonomive të BE-së 180 miliardë euro appeared first on Revista Monitor.

Moti ekstrem, konfliktet dhe turizmi i përgjegjshëm; Si po ndryshojnë udhëtimet në vitin 2026

13 August 2026 at 10:01

Turizmi global vazhdon të rritet, por mënyra se si njerëzit udhëtojnë po ndryshon ndjeshëm.

Sipas raportit më të fundit të OECD-së, vendet anëtare pritën një rekord prej 847 milionë turistësh ndërkombëtarë në vitin 2025, 3.4% më shumë se një vit më parë. Megjithatë, vala e të nxehtit, konfliktet gjeopolitike dhe presioni mbi destinacionet më të njohura po e detyrojnë industrinë e turizmit të përshtatet me një realitet të ri, ku fleksibiliteti, qëndrueshmëria dhe siguria po bëhen po aq të rëndësishme sa vetë atraksionet turistike.

Ekspertët vlerësojnë se ndryshimet klimatike po transformojnë hartën e turizmit. Temperaturat rekord, zjarret pyjore dhe fenomenet e tjera ekstreme të motit po bëjnë që gjithnjë e më shumë turistë të shmangin muajt më të nxehtë të verës ose të zgjedhin destinacione me klimë më të freskët, veçanërisht në Europën Veriore.

Kjo pritet të ndikojë jo vetëm në periudhat kur udhëtohet, por edhe në mënyrën se si vendet investojnë në infrastrukturë, menaxhimin e emergjencave dhe mbrojtjen e vizitorëve.

Njëkohësisht, edhe konfliktet dhe tensionet gjeopolitike po ndikojnë gjithnjë e më shumë në zgjedhjet e turistëve. Njerëzit vazhdojnë të udhëtojnë, por janë bërë më të kujdesshëm, informohen më shumë për situatën e sigurisë në destinacion dhe kërkojnë mundësi rezervimi më fleksibël në rast ndryshimesh të papritura.

Kjo ka bërë që destinacionet që konsiderohen më të sigurta të përfitojnë nga një rritje e interesit.

Raporti thekson se modeli i turizmit masiv po vihet gjithnjë e më shumë në diskutim. Qeveritë dhe operatorët turistikë po orientohen drejt një turizmi më të përgjegjshëm, duke nxitur vizitat gjatë gjithë vitit, promovimin e destinacioneve më pak të mbipopulluara dhe mbështetjen e ekonomive lokale.

Objektivi nuk është vetëm të rritet numri i turistëve, por të menaxhohen më mirë flukset, në mënyrë që të mbrohen komunitetet pritëse dhe mjedisi.

Një rol gjithnjë e më të rëndësishëm po merr edhe teknologjia. Destinacionet turistike po investojnë në analiza të të dhënave, inteligjencë artificiale dhe sisteme paralajmëruese për të parashikuar flukset e vizitorëve, për të shmangur mbipopullimin dhe për të reaguar më shpejt ndaj krizave të mundshme.

Kjo u mundëson autoriteteve të marrin vendime jo vetëm mbi bazën e statistikave të viteve të kaluara, por edhe duke analizuar parashikimet për motin, kërkesën e tregut dhe zhvillimet gjeopolitike.

Sipas OECD-së, turizmi i së ardhmes nuk do të matet vetëm me numrin e vizitorëve, por edhe me aftësinë e destinacioneve për të qenë të qëndrueshme, të sigurta dhe të përshtatshme ndaj sfidave të reja.

Në një kohë kur moti ekstrem, konfliktet dhe ndryshimet klimatike po ndikojnë gjithnjë e më shumë në industrinë globale të udhëtimeve, fleksibiliteti dhe planifikimi afatgjatë po kthehen në elementët kryesorë për zhvillimin e turizmit./EURONEWS

The post Moti ekstrem, konfliktet dhe turizmi i përgjegjshëm; Si po ndryshojnë udhëtimet në vitin 2026 appeared first on Revista Monitor.

Autonomia fiskale, vetëm 8 bashki sigurojnë mbi 50% të të ardhurave vetë

13 August 2026 at 10:00

Autonomia fiskale mbetet e ulët për pjesën dërrmuese të bashkive të vendit, duke dëshmuar varësinë e fortë të pushtetit vendor nga transfertat e buxhetit të shtetit. Sipas Ministrisë për Çështjet vendore në vitin 2025, vetëm tetë nga 61 bashkitë rezultojnë mbi mesataren kombëtare prej 43.1% të autonomisë fiskale, ndërsa diferencat mes njësive vendore janë të thella.

Himara kryeson renditjen, me një nivel të autonomisë fiskale prej rreth 90%. Pas saj renditen Kavaja, Tirana dhe Kamza, me tregues që luhaten afërsisht nga 65% në 70%. Mbi mesataren kombëtare qëndrojnë gjithashtu Saranda, Vlora, Durrësi dhe Vora.

Tirana paraqitet si rast i veçantë, pasi madhësia e ekonomisë, përqendrimi i bizneseve, tregu i pasurive të paluajtshme dhënia e sipërfaqeve të mëdha për leje ndërtimi dhe numri i lartë i banorëve i sigurojnë bashkisë një bazë shumë më të gjerë të ardhurash se njësive të tjera vendore. Megjithatë, ajo nuk kryeson renditjen, pasi Himara ka një raport më të lartë ndërmjet të ardhurave të veta dhe burimeve të përgjithshme financiare.

Menjëherë poshtë mesatares kombëtare renditet Lezha, me një nivel pranë 43%, e ndjekur nga Shijaku, Korça, Shkodra dhe Roskoveci. Për këto bashki, të ardhurat e krijuara në nivel vendor mbulojnë vetëm rreth një të tretën e burimeve financiare.

Në pjesën më të madhe të bashkive, autonomia fiskale zbret nën 30%. Fieri, Berati, Gjirokastra, Elbasani, Lushnja dhe Pogradeci pozicionohen në intervalin rreth 20–30%, duke mbetur dukshëm poshtë mesatares së vendit. Edhe bashki relativisht të mëdha ekonomikisht, si Elbasani dhe Fieri, nuk arrijnë të sigurojnë një nivel të lartë të të ardhurave të veta.

Situata është më problematike në bashkitë e vogla dhe me bazë të kufizuar ekonomike. Në fund të renditjes gjenden Hasi dhe Memaliaj, ku autonomia fiskale është vetëm rreth 3%. Nivele shumë të ulëta paraqesin gjithashtu Këlcyra, Kurbini, Pusteci, Klosi dhe Tropoja.

Në total, 17 bashki kanë autonomi fiskale nën 10%. Në këtë grup përfshihen edhe Delvina, Malësia e Madhe, Prrenjasi, Kukësi, Peqini, Mirdita, Libohova, Gramshi, Bulqiza dhe Dibra. Në praktikë, këto njësi vendore kanë mundësi shumë të kufizuara për të financuar shërbimet dhe investimet me të ardhurat që mbledhin vetë.

Autonomia fiskale kombëtare në vitin 2025 është 43,1%, por kjo mesatare ndikohet fort nga pesha e Tiranës. Pa kryeqytetin, autonomia agregate zbret në 34,9%, ndërsa mediana e 61 bashkive është vetëm 16,9%. Një numër i kufizuar bashkish të mëdha ose turistike krijon pjesën kryesore të burimeve të veta vendore, ndërsa bashkia tipike shqiptare financon me burime të veta më pak se një të gjashtën e buxhetit të saj.

Mesatarja e autonomisë sipas qarqeve lëviz nga rreth 6,1% në Kukës dhe 8,2% në Dibër, në intervalin 38– 56% në qarqet Durrës, Vlorë dhe Tiranë. Bashkitë me autonomi të lartë ndjekin dy profile të dallueshme: ekonomi urbane me dendësi të lartë dhe bazë të gjerë taksapaguesish (Tirana, Durrësi, Kamza) ose ekonomi bregdetare me rentë turistike dhe imobiliare (Himara, Saranda, Vlora, Kavaja). Asnjë bashki e brendshme malore nuk i afrohet mesatares kombëtare. Varësia nga transfertat qendrore Ana e kundërt e autonomisë fiskale është varësia nga fondet e qeverisë qendrore, e matur si raport i transfertës së pakushtëzuar ndaj të ardhurave të veta. Bashkitë e mëdha, me bazë më të gjerë tatimore, varen shumë më pak nga fondet qendrore: varësia është 22% në Tiranë, 25% në Vlorë dhe Sarandë, dhe 39% në Durrës. Në të kundërt, bashkitë e vogla dhe periferike varen pothuajse tërësisht nga transfertat.  Këlcyra, Pusteci, Hasi dhe në Memaliajit bashki morën nga qeveria qendrore 8 deri në 13 herë më shumë fonde sesa arrijnë të sigurojnë vetë./ B.Hoxha

 

 

The post Autonomia fiskale, vetëm 8 bashki sigurojnë mbi 50% të të ardhurave vetë appeared first on Revista Monitor.

Shtatë në dhjetë riorganizime në kompani nuk japin rezultatet e pritshme

13 August 2026 at 09:55

Rreth 70% e proceseve të riorganizimit në kompani nuk arrijnë të prodhojnë rezultatet e synuara, ndërsa një prej shkaqeve kryesore lidhet me mënyrën se si menaxhohet ndikimi i ndryshimit te punonjësit.

Sipas një analize të publikuar nga Forumi Ekonomik Botëror, drejtuesit priren të përqendrohen te strukturat, kostot dhe afatet, duke nënvlerësuar pasigurinë që ndryshimet krijojnë brenda stafit.

Riorganizimet mund të shoqërohen me ankth, lodhje profesionale, rënie të motivimit dhe humbje të besimit te drejtuesit.

Problemi lidhet edhe me ritmin e ndryshëm me të cilin përjetohet procesi. Kur një vendim u komunikohet punonjësve, drejtuesit mund të kenë muaj që e diskutojnë dhe ta konsiderojnë tashmë të qartë.

Për stafin, ndërkohë, pikërisht ai moment shënon fillimin e pasigurisë.

Ekspertët rekomandojnë që kompanitë të komunikojnë herët arsyet e riorganizimit, të sqarojnë se çfarë do të ndryshojë për secilin rol dhe të krijojnë mundësi reale për pyetje dhe reagime.

Mbështetja e menaxherëve të mesëm konsiderohet veçanërisht e rëndësishme, pasi ata duhet të zbatojnë vendimet e drejtuesve dhe njëkohësisht të menaxhojnë shqetësimet e ekipeve.

Në një periudhë kur teknologjia, presionet ekonomike dhe zhvillimet gjeopolitike po i detyrojnë bizneset të ndryshojnë vazhdimisht, menaxhimi i anës njerëzore të transformimit po kthehet në një çështje strategjike./WEF

The post Shtatë në dhjetë riorganizime në kompani nuk japin rezultatet e pritshme appeared first on Revista Monitor.

Kroaci, bashkitë kërkojnë më shumë kompetenca kundër qirave të paligjshme turistike

13 August 2026 at 09:43

Bashkitë në Kroaci po kërkojnë kompetenca të plota për të luftuar qiratë e paligjshme të akomodimit turistik dhe për të mbrojtur pronarët që respektojnë ligjin, veçanërisht në zonat bregdetare.

Autoritetet lokale kroate po i bëjnë thirrje qeverisë t’u japë atyre më shumë kompetenca për të luftuar qiratë e paligjshme të pushimeve, me argumentin se bashkitë janë në pozicionin më të mirë për të identifikuar ofruesit e paregjistruar të akomodimit që operojnë në komunitetet e tyre.

Sipas Poslovni, kjo kërkesë vjen në një kohë kur Kroacia po përgatit një Ligj të ri për Veprimtarinë Hoteliere, i cili ka ngjallur debate dhe synon të forcojë mbikëqyrjen e sektorit të qirave afatshkurtra, si dhe të frenojë ekonominë informale në turizëm.

Sipas projektligjit aktual, platformat online të rezervimeve do të lejohen të reklamojnë vetëm akomodime të regjistruara ligjërisht. Çdo pronë do të pajiset me një numër unik identifikimi, i cili do të mund të monitorohet nga Administrata Tatimore.

Pushteti vendor argumenton se dhënia e kompetencave inspektuese mbikëqyrësve komunalë dhe autoriteteve lokale do të mundësonte ndërhyrje më të shpejta ndaj operatorëve të paligjshëm, duke mbrojtur njëkohësisht mijëra pronarë që respektojnë ligjin, paguajnë taksat dhe përmbushin kërkesat e regjistrimit.

Sipas zyrtarëve lokalë, qiratë e paligjshme krijojnë konkurrencë të pandershme, pasi ofrojnë çmime më të ulëta se operatorët e ligjshëm, të cilët investojnë në pronat e tyre, paguajnë taksa dhe respektojnë standardet ligjore.

Po ashtu, ato u heqin bashkive të ardhura nga turizmi dhe e bëjnë më të vështirë menaxhimin e tregut të banesave, si dhe zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit.

The post Kroaci, bashkitë kërkojnë më shumë kompetenca kundër qirave të paligjshme turistike appeared first on Revista Monitor.

Anthropic aktivizon automatikisht “Auto mode” në Claude Code

13 August 2026 at 09:20

Programimi me Claude Code së shpejti do të kërkojë më pak mbikëqyrje njerëzore. Duke nisur nga 14 gushti, Anthropic do ta aktivizojë automatikisht funksionin “Auto mode” për përdoruesit e paketave Pro, Max dhe Team.

Në këtë modalitet, Claude Code nuk kërkon miratimin e përdoruesit në çdo hap. Sistemi vazhdon të kryejë veprimet në mënyrë autonome, përveç rasteve kur një veprim identifikohet si i pakthyeshëm, shkatërrues ose i drejtuar jashtë mjedisit të punës së përdoruesit.

Anthropic e prezantoi versionin eksperimental të funksionit në mars, si një mënyrë për të ruajtur ekuilibrin ndërmjet shpejtësisë dhe kontrollit.

Sipas një studimi të kompanisë me 1,053 përdorues me pagesë, “Auto mode” identifikoi 89% të veprimeve të dëmshme, ndërsa kontrolli manual nga përdoruesit evidentoi vetëm 13.6% të tyre. Anthropic argumenton se shqyrtimi manual mund të kthehet në rutinë, pasi përdoruesit miratojnë rreth 97% të kërkesave për leje që paraqet Claude Code.

Kompania ka shtuar edhe masa të reja sigurie, duke përfshirë kontrollin kundër injektimit të udhëzimeve keqdashëse dhe rregulla të personalizueshme për bllokimin kategorik të veprimeve të caktuara, si nxjerrja e paautorizuar e të dhënave./ TECH CRUNCH

The post Anthropic aktivizon automatikisht “Auto mode” në Claude Code appeared first on Revista Monitor.

Ku do shkojë Tirana?! Në janar-qershor jepen 5-fish leje për ndërtime rekord, me vlerë 1.6 mld euro

13 August 2026 at 06:02

Nëse mendoni që Tirana dhe bregdeti janë mbingarkuar me ndërtime, nuk keni parë gjë akoma. Të dhënat zyrtare të publikuara nga Ministria e Financave tregojnë se të ardhurat që mblidhen nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja kanë shënuar një rritje rekord në 6 muajt e parë të vitit, duke ia kaluar ndjeshëm edhe 2024-s, që deri tani ishte viti me më shumë leje.

Në total, për 6 mujorin e parë 2026 janë arkëtuar nga ‘taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja’ në të gjithë vendin 18.3 miliardë lekë, ose tre herë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë (+200%).

Edhe në krahasim me vitin 2024, që deri tani mbante rekordin e dekadës së fundit për të ardhurat nga kjo taksë lejet e sipërfaqes më të lartë të lejeve të dhëna, të ardhurat mëse janë dyfishuar (+120%).

Të ardhurat e mbledhura për 6 mujorin janë të barabarta me shumën që u arkëtua në gjithë vitin 2024 (18.6 miliardë lekë) dhe 15% më shumë se arkëtimet e gjithë vitit 2025.

Për krahasim, në gjithë vitin 2024, u dhanë sipas të dhënave zyrtare të INSTAT lejë për rreth 2 milionë metra katro sipërfaqe ndërtimi.

Tirana mban rekord, 68% e të ardhurave

Kryeqyteti shqiptar ka qenë kryeqendra e valës së ndërtimeve të dekadës së fundit. Ndërsa duket se nuk ka mbetur më vend pa u ndërtuar, ritmet pritet të përshpejtohen në vitet në vijim.

Të dhënat zyrtare tregojnë se rreth 68% e të ardhurave në 6 mujorin e parë 2026 kanë ardhur nga Bashkia Tiranë, ose 12.5 miliardë lekë, që është gati sa shuma e arkëtuar për gjithë vitin 2025 dhe 362% më shumë se e njëjta periudhë e 2025-s, ose gati 5 herë më shumë (në 6 muajt e parë të 2025-s u arkëtuan 2.7 miliardë lekë).

Duke llogaritur që taksa e infrastrukturës në Tiranë është sa 8% e çmimit të shitjes për metër katror, mbi çmimet referuese të tregut, sipërfaqja e dhënë për ndërtim i korrespondon një vlere ndërtimesh prej 156 miliardë lekë, ose 1.6 miliardë euro.

Ndryshimi i fundit i çmimeve referuese për apartamentet në Bashkinë Tiranë është bërë në korrik 2023, me VKM nr. 457, datë 26.07.2023. Çmimet e reja hynë në fuqi në fund të korrikut 2023 dhe zbatohen për 32 zonat kadastrale të Tiranës, çka nënkupton që rritja e të ardhura është tërësisht si rrjedhojë e shtimit të sipërfaqes së dhënë për leje ndërtimi.

Për krahasim, në vitin 2025, sipas të dhënave nga formimi bruto i kapitalit fiks, investimet në banesa në të gjithë vendin ishin 222 miliardë lekë dhe në ndërtesa dhe struktura të tjera 260 miliardë lekë. Vetëm në 6 mujorin e parë, lejet në Tiranë ishin sa 70% e gjithë investimeve për banesa në vend në 2025-n.

 

Himara dhe Saranda do të përballen me valë të re ndërtimesh

Jo vetëm Tirana, edhe bregdeti do të ketë një valë tjetër ndërtimesh, sidomos jugu. Rekordin e mban Himara. Të ardhurat e arkëtuara nga kjo bashki ishin 1.2 miliardë lekë, ose 301% më shumë se 6 mujori i parë 2025.

E treta nga vlera është Durrësi, me 841 milionë elëk, me rritje 58%.

Saranda ka arkëtuar 478 milionë lekë, ose gati 7 herë më shumë se e njëjta periudhë e 2025-s.

Ndërsa duket sikur në Golem nuk ka më vend për të ndërtuar, të ardhurat nga taksa e infrastrukturës u rritën me 37%.

 

Heshtje statistikore për lejet e ndërtimit

Që prej fillimit të vitit 2025, botimi i statistikave mbi lejet e ndërtimit mbështetet aktualisht vetëm në të dhënat e siguruara nga bashkitë, të cilat janë autoritetet kryesore për dhënien dhe raportimin e këtyre lejeve. Megjithatë, VKM nr. 408, datë 13.5.2015 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, i ndryshuar*, përcakton se në procesin e miratimit të lejeve të ndërtimit përfshihen edhe institucione të tjera përgjegjëse, përveç bashkive.

Duke qenë se ende nuk ka një raportim të standardizuar dhe të plotë nga të gjitha këto ente pranë INSTAT, të dhënat e publikuara bazohen vetëm në burimet bashkiake.

Në mungesë të përditësimit të të dhënave nga INSTAT për sipërfaqen e lejeve të ndërtimit, që raporton prej gati një viti vetëm pushtetin vendor dhe jo lejet e Këshillit Kombëtare të Territorit dhe Ujit (KKTU), të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë janë treguesi më i saktë për përmasat që pritet të marrë ndërtimi në vend.

Muajt e fundit Këshillit Kombëtar i Territorit dhe Ujit kanë marrë në shqyrtim disa qindra kërkesa për leje ndërtimi e zhvillimi ku përfshihen projekte turizmi, rezidencialë, infrastrukturë publike, ndërhyrje në energji dhe transport. Këto leje nuk raportohen në statistikat zyrtare, duke krijuar mungesë transparence për atë se çfarë pritet të ndodhë realisht me një nga sektorët më dinamikë të ekonomisë, që vitet e fundit ka shërbyer si kanalizues i parasë informale, siç rezultoi qartë nga hetimet e SPAK. Mungesa e transparencës nuk lejon analizën e sektorit, që vitet e fundit është përballur me një paradoks ku çmimet rriteshin ndjeshëm bashkë me ofertën dhe kërkesa zyrtare nuk e justifikonte këtë tendencë. Për më tepër, dhe ekspozimi i sektorin bankar është rritur ndjeshëm, me stokun e kredisë për pasuri të paluajtshme që përbën rreth 52% të totalit./ O.Liperi

 

https://monitor.al/kullat-i-qepen-bregdetit-projekte-shumekateshe-ne-kktu-nga-velipoja-qerreti-golemi-e-saranda/

https://monitor.al/gati-4-7-miliarde-euro-huaja-e-dhene-ne-vend-per-pasuri-te-paluajtshme-52-e-totalit-te-kredise/

The post Ku do shkojë Tirana?! Në janar-qershor jepen 5-fish leje për ndërtime rekord, me vlerë 1.6 mld euro appeared first on Revista Monitor.

Ushtria lë pas rrugët dhe ujësjellësit në financimet e buxhetit, 70 mln euro në 6-mujor

13 August 2026 at 06:01

 

Investimet në mbrojtje zënë vendin kryesor në listën e projekteve me financimin më të lartë nga buxheti. Vetëm katër projektet më të mëdha të Forcave të Armatosura përfituan rreth 6,8 miliardë lekë, duke lënë pas investimet individuale në rrugë, ujësjellës, zhvillim urban dhe teknologji.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, projekti me financimin më të lartë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 është ai për “Armatim të lehtë, municion dhe pajisje”, i administruar nga Reparti Ushtarak nr. 1001 në Tiranë. Për këtë projekt u akorduan, gjatë periudhës janar-qershor 2026, rreth 2,11 miliardë lekë, ndërsa plani vjetor arrin në 3,43 miliardë lekë.

Ndër projektet më të financuara renditet edhe ngritja e Shkollës së Aviacionit në Vlorë, me rreth 1,59 miliardë lekë në gjashtëmujorin e parë, ndërsa vlera e përgjithshme e pasqyruar për këtë projekt arrin në 1,64 miliardë lekë.

Dy projekte të tjera në ushtri, që morën financime të mëdha, lidhen drejtpërdrejt me forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes ajrore. Rreth 1,54 miliardë lekë u dhanë për planifikimin e sistemit të integruar të vëzhgimit të hapësirës, ndërsa 1,52 miliardë lekë shkuan për ndërtimin e sistemit kundër dronëve C-UAS.

Këto tri investime administrohen nga Reparti Ushtarak nr. 3001 në Tiranë dhe, së bashku me blerjen e armatimit të lehtë, përfaqësojnë pjesën dërrmuese të financimeve të mëdha në fushën e mbrojtjes.

Në listë përfshihet edhe një projekt tjetër ushtarak, me rreth 147 milionë lekë, për ndërtimin e objekteve dhe kryerjen e punimeve të rikonstruksionit. Duke përfshirë edhe këtë zë, pesë projektet më të mëdha ushtarake të evidentuara morën rreth 6,9 miliardë lekë, ose më shumë se 70 milionë euro, në gjashtëmujorin e parë, nga 8,4 miliardë lekë të programuara për to gjatë këtij viti.

Pas mbrojtjes, financimi më i madh për një projekt individual shkoi për Projektin e Zhvillimit të Integruar Urban, të administruar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, për të cilin u dhanë 1,97 miliardë lekë në gjashtëmujorin e parë.

Një tjetër zë i rëndësishëm është kontrata koncesionare/PPP për financimin e Rrugës së Arbrit, me 1,39 miliardë lekë.

Ndër projektet rrugore, financimet më të larta përfshijnë aksin Elbasan–Papër, me 651,5 milionë lekë, dhe segmentet e rrugës Qukës–Qafë Plloçë, me financime sipas loteve të veçanta prej 550 milionë, 534,7 milionë dhe 280 milionë lekësh.

Për zgjerimin e rrugës Elbasan–Qafë Thanë, projekti më i madh mori 526,1 milionë lekë. Për aksin Papër–Ura e Grykshit, financimet për disa lote arritën përkatësisht në 442 milionë, 381,5 milionë dhe 187,6 milionë lekë.

Zgjerimi i superstradës Tiranë–Durrës mori dy financime, përkatësisht prej 434,9 milionë dhe 164,6 milionë lekësh, ndërsa për rrugën Berat–Ballaban, Loti 2, u dhanë 389,2 milionë lekë.

Financime të konsiderueshme mori edhe sektori i ujësjellës-kanalizimeve. Projekti “Infrastruktura Bashkiake V”, i administruar nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve, përfitoi rreth 632,3 milionë lekë. Furnizimi me ujë i zonave bregdetare mori rreth 274,7 milionë lekë, ndërsa projekti i kanalizimeve të Tiranës së Madhe u financua me 236 milionë lekë.

Në bujqësi u dhanë rreth 587,7 milionë lekë për përfituesit e Programit IPARD II, ndërsa Programi IPARD III vijon të jetë i bllokuar.

Në fushën e sigurisë publike, financimet më të mëdha shkuan për sistemin e kamerave të Policisë së Shtetit, me rreth 462 milionë lekë, dhe për pajisjet e Policisë së Rendit, me 431,1 milionë lekë.

Teknologjia përfshihet gjithashtu ndër prioritetet. Zbatimi i projektit “e-Albania 2.0” dhe zhvillimi i faqeve përkatëse u financuan me rreth 302,2 milionë lekë. Sistemi i centralizuar “e-Gjoba” mori 236,8 milionë lekë, ndërsa për programet kompjuterike të gjykatave u dhanë rreth 157,5 milionë lekë.

Shpërndarja e fondeve tregon se projektet më të mëdha janë përqendruar te modernizimi i ushtrisë, veçanërisht tek armatimi, aviacioni dhe mbrojtja kundër dronëve. Vetëm katër investimet kryesore ushtarake morën së bashku rreth 6,8 miliardë lekë, më shumë se çdo projekt tjetër individual i renditur në listë./ B.Hoxha

 

 

 

The post Ushtria lë pas rrugët dhe ujësjellësit në financimet e buxhetit, 70 mln euro në 6-mujor appeared first on Revista Monitor.

Kreditë me skema garancie sovrane nuk po funksionojnë, në rënie për të pestin vit radhazi

13 August 2026 at 06:00

Vlera e borxhit të brendshëm të kompanive publike dhe private, të garantuara nga shteti shqiptar, është në rënie për të pestin vit radhazi.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, borxhi i brendshëm i garantuar në mesin e 2026 zbriti në 7.59 miliardë lekë, në rënie me 11.5% që nga fillimi i vitit dhe me 44% krahasuar me një vit më parë.

Borxhi i brendshëm i garantuar nga qeveria shqiptare përbëhet në pjesën më të madhe nga huatë e garantuara për kompanitë publike të sektorit energjetik në vend. Vlera e këtyre kredive në mesin e këtij viti zbriti në 6.12 miliardë lekë, në rënie me 44% krahasuar me një vit më parë.

Arsyeja kryesore lidhet me rifinancimin e disa prej kredive të kompanive publike të sektorit energjetik te Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Rrjedhimisht, edhe garancia për këto kredi është transferuar në favor të BERZH.

Kreditë në fjalë ishin marrë nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë/Furnizuesi i Shërbimit Universal tek tre banka tregtare vendase. Bëhet fjalë për një kredi prej 20 milionë eurosh të marrë nga Tirana Bank, një kredi prej 10 milionë eurosh të marrë nga Banka Amerikane e Investimeve dhe pjesën dërrmuese të një kredie prej 16.4 milionë eurosh, të marrë në Raiffeisen Bank. Kreditë në fjalë janë rifinancuar me kushte më të favorshme nga BERZH dhe prej muajit korrik 2025 është bërë efektive garancia sovrane prej afërsisht 46 milionë eurosh në favor të saj. Në teori, rifinancimi i këtyre kredive jashtë vendit çliron më shumë fonde të lira për financimin e sektorit privat të ekonomisë.

Kreditë për kompanitë e sektorit energjetik kanë dominuar historikisht strukturën e garancive të brendshme të qeverisë shqiptare. Me gjithë zhvendosjen e një pjese të tyre drejt BERZH, ende huatë e mbetura të kompanive të sektorit energjetik përbëjnë 80% të totalit të garancive të brendshme të qeverisë shqiptare. Aktualisht, janë gjashtë kredi aktive të kompanive publike të sektorit energjetik, të marra nga tre banka tregtare vendase.

Në rënie të mëtejshme janë edhe borxhet e garantuara të ndërmarrjeve private. Sipas Ministrisë së Financave, garancitë sovrane në favor të bizneseve private në gjysmën e parë të këtij viti ranë më tej në 1.39 miliardë lekë, në tkurrje me 36% që nga fillimi i vitit dhe me 45.6% krahasuar me mesin e vitit të kaluar.

Ky borxh u takon pesë skemave të garancisë sovrane për biznesin të miratuara nga qeveria shqiptare, përkatësisht garancia shtetërore për pagat, e miratuar në vitin 2020, garancia shtetërore për financimin e rimëkëmbjes së aktivitetit tregtar nga pandemia, po e vitit 2020, garancia shtetërore për financimin e subjekteve që tregtojnë me shumicë produkte ushqimore bazë, miratuar në vitin 2022, garancia shtetërore për garantimin e huamarrjes së subjekteve të industrisë përpunuese, miratuar në prill 2024 dhe garancia shtetërore për garantimin e huamarrjes së subjekteve të sektorit të bujqësisë, miratuar në korrik 2025.

Në pjesën më të madhe, ende borxhi i garantuar i takon skemës së dytë, asaj të garancisë shtetërore për financimin e rimëkëmbjes së aktivitetit tregtar nga pandemia, e vitit 2020. Borxhi i garantuar nga kjo skemë përbënte rreth 55% të garancive sovrane aktive për ndërmarrjet private.

Skemat e tjera të garancisë sovrane duket se kanë gjetur një përdorim të vogël nga bizneset, duke përfshirë edhe më të renë, për garantimin e kredive bankare të fermerëve.

Në mesin e këtij viti, shuma e shfrytëzuar nga skema në fjalë e garancisë sovrane ishte vetëm 579 milionë lekë. Kjo shumë përbënte vetëm 19% të vlerës totale të vendosur në dispozicion për këtë qëllim./ E.Shehu

Burimi: Ministria e Financave

The post Kreditë me skema garancie sovrane nuk po funksionojnë, në rënie për të pestin vit radhazi appeared first on Revista Monitor.

MABCO kundërshton prishjen e koncesionit të Aeroportit të Vlorës, kërkon negociata me MIE

By: Ornela
12 August 2026 at 17:51

MABCO Constructions ka kundërshtuar zyrtarisht vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për zgjidhjen e parakohshme të kontratës së koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës dhe i ka kërkuar qeverisë nisjen e negociatave në mirëbesim për zgjidhjen e mosmarrëveshjes.

Në shkresën e depozituar më 10 gusht 2026 pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të bërë publike nga vetë kompania, kompania zvicerane e konsideron zgjidhjen e kontratës “të pabazuar” dhe argumenton se një pjesë thelbësore e rrethanave që kanë penguar përfundimin dhe vënien në operim të aeroportit nuk mund t’i atribuohen investitorit.

Ministria kishte njoftuar më 3 gusht zgjidhjen e parakohshme të kontratës, duke e lidhur vendimin, ndër të tjera, me mosrealizimin e datës së operimit brenda afatit kontraktor, mos përfundimin e punimeve, mosmbajtjen në fuqi të sigurimit të kontratës dhe mospagimin e penaliteteve. MIE ka konsideruar gjithashtu si pjesë të problematikave konfliktet mes ortakëve të shoqërisë koncesionare dhe marrëveshjen e huadhënies me Delphos Securities.

MABCO, që zotëron 98% të kuotave të shoqërisë koncesionare Vlora International Airport, kundërshton këtë interpretim dhe pretendon se vonesat janë shkaktuar ose janë rënduar nga veprimet dhe mosveprimet e institucioneve shqiptare.

Sipas kompanisë, Ministria ka qenë prej muajsh në dijeni të situatës dhe është informuar përmes më shumë se 90 shkresave, ku MABCO ka kërkuar ndërhyrjen e Autoritetit Kontraktues për rivendosjen e ligjshmërisë, zhbllokimin e administrimit të shoqërisë dhe krijimin e kushteve për vijimin normal të projektit.

Në argumentimin e saj, kompania i referohet edhe vendimit nr. 338 të Gjykatës së Lartë, të datës 26 maj 2026. Sipas MABCO-s, ky vendim ka konfirmuar se konflikti mes ortakëve të shoqërisë koncesionare nuk mund të shihet vetëm si një mosmarrëveshje tregtare private, por duhet të trajtohet edhe në raport me kontratën e koncesionit dhe interesin publik. Në këtë kuadër, MABCO pretendon se MIE kishte detyrimin pozitiv për të ndërhyrë kur konflikti mes ortakëve po pengonte realizimin e projektit.

 

MABCO: U pengua aksesi në kantier

Një pjesë e rëndësishme e kundërshtimit lidhet me aksesin në kantierin e Aeroportit të Vlorës.

 

MABCO pretendon se përfaqësuesit, punonjësit, inxhinierët dhe specialistët e saj janë penguar të hyjnë në kantier dhe se autoritetet nuk kanë marrë masa të mjaftueshme për rivendosjen e aksesit.

Në dokument thuhet se më 18 dhe 19 maj 2026, rreth 200 punonjës, inxhinierë dhe specialistë të MABCO-s nuk u lejuan të hynin në kantier, ndonëse efektivë të Policisë së Shtetit ndodheshin fizikisht në zonë. Kompania pretendon se mosndërhyrja e policisë kontribuoi drejtpërdrejt në bllokimin e punimeve dhe në thellimin e vonesave.

MABCO argumenton gjithashtu se problemet me administrimin e shoqërisë koncesionare kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në ecurinë e projektit.

Kompania kundërshton administrimin e Vlora International Airport nga një administrator i emëruar me votën e ortakut që zotëron 2% të kuotave dhe pretendon se kjo situatë e ka përjashtuar aksionerin mazhoritar nga vendimmarrja dhe administrimi efektiv i projektit.

Sipas MABCO-s, kjo ka krijuar pengesa jo vetëm në qeverisjen e shoqërisë, por edhe në procese konkrete, si certifikimi i aeroportit, përditësimi i lejes së ndërtimit, pagesat, importi dhe instalimi i pajisjeve dhe koordinimi me operatorët dhe specialistët ndërkombëtarë.

 

Kompania thotë se ka vijuar financimin e projektit

 

MABCO kundërshton gjithashtu pretendimin se nuk ka marrë masa për përfundimin e aeroportit.

Në dokument thuhet se kompania kishte kontraktuar Munich Airport International për shërbime teknike dhe ekspertizë aeroportuale, duke financuar produkte teknike me vlerë mbi 1.5 milionë euro.

Pas ndërprerjes së këtij angazhimi në kushtet e konfliktit, më 22 janar 2026 MABCO angazhoi daa International, Dublin Airport Authority, për shërbime teknike, certifikim, ORAT dhe përgatitjen operative të aeroportit.

Sipas kompanisë, kjo marrëveshje vijon të financohet dhe operatori mbetet i gatshëm të kryejë funksionet e dakordësuara sapo të sigurohen kushtet ligjore, korporative dhe fizike për vijimin e punës.

 

MABCO pretendon gjithashtu se ka vijuar të kontraktojë dhe paguajë pajisje të domosdoshme për certifikimin dhe operimin e aeroportit, përfshirë sisteme sigurie aeroportuale, pajisje X-Ray, EDS dhe pajisje të tjera teknike.

Në shkresë argumentohet se edhe projekti fillestar i terminalit kishte ndryshuar gjatë zbatimit. Sipas dokumentacionit të cituar nga kompania, terminali ishte zgjeruar në rreth 22 mijë metra katrorë, duke përfshirë edhe një mezzanine prej rreth 5 mijë metrash katrorë dhe dy ura lidhëse për pasagjerët.

MABCO pretendon se kishte përgatitur edhe procedurat për modifikimin dhe zgjerimin e lejes së ndërtimit, por se procesi u bllokua nga konfliktet gjyqësore dhe administrative.

 

Sigurimi i kontratës dhe penalitetet

Një tjetër pikë e kundërshtimit lidhet me sigurimin e kontratës.

MIE ka përdorur ndër argumentet e saj faktin se sigurimi i kontratës nuk ishte mbajtur në fuqi. MABCO pretendon se ky fakt, në vetvete, nuk përbën shkak automatik për zgjidhjen e kontratës.

Kompania argumenton se, edhe nëse mosmbajtja në fuqi e sigurimit do të konsiderohej shkelje materiale, kontrata parashikon një afat prej 60 ditësh për korrigjimin e shkeljes. Sipas dokumentit, MIE e kishte njoftuar këtë pretendim vetëm më 16 korrik 2026, çka sipas MABCO-s do të thotë se afati për korrigjim nuk kishte përfunduar kur Ministria njoftoi zgjidhjen e kontratës.

 

MABCO kundërshton edhe penalitetet kontraktore të vendosura për vonesat.

 

Sipas kompanisë, kontrata përjashton pagesën e penalitetit në rast se data e operimit është penguar ose shtyrë si rezultat i një “Veprimi Material të Pafavorshëm Qeveritar”. MABCO pretendon se pikërisht kjo ka ndodhur në rastin e Aeroportit të Vlorës.

Kompania e konsideron zgjidhjen e njëanshme të kontratës nga MIE jo vetëm të pabazuar, por edhe një “Veprim Material të Pafavorshëm Qeveritar”, pasi sipas saj i heq koncesionarit të drejtat ekskluzive për të projektuar, ndërtuar, operuar dhe mirëmbajtur aeroportin dhe pritshmëritë ekonomike të lidhura me pjesën e mbetur të koncesionit.

 

Kërkon negociata, arbitrazhi mbetet vetëm si mundësi e hapur

 

Në përfundim të shkresës së 10 gushtit, MABCO nuk njofton drejtpërdrejt nisjen e një procedure arbitrazhi.

Kompania kërkon që mosmarrëveshja të trajtohet fillimisht nëpërmjet negociatave në mirëbesim, sipas mekanizmit të parashikuar në kontratën e koncesionit.

MABCO propozon që negociatat të zhvillohen brenda 15 ditëve pune nga marrja dijeni e shkresës dhe, në çdo rast, jo më vonë se 31 gusht 2026.

Kjo e dallon dokumentin e fundit nga një njoftim formal për arbitrazh. Kompania nuk thotë në shkresë se po nis një procedurë të tillë dhe as nuk përcakton një forum arbitrazhi.

Megjithatë, MABCO rezervon shprehimisht të gjitha të drejtat dhe mjetet juridike që i burojnë nga kontrata e koncesionit, legjislacioni shqiptar, e drejta ndërkombëtare dhe Marrëveshja Bilaterale ndërmjet Shqipërisë dhe Zvicrës për nxitjen dhe mbrojtjen reciproke të investimeve.

Ky formulim e mban të hapur mundësinë që, nëse negociatat dështojnë, konflikti të kalojë në një fazë tjetër juridike, përfshirë potencialisht arbitrazhin ndërkombëtar. Por në këtë moment, shkresa e 10 gushtit nuk përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë apo një njoftim formal për arbitrazh.

Pak ditë më parë, “Monitor” kishte raportuar se referimi i MABCO-s te marrëveshja Shqipëri–Zvicër dhe përshkallëzimi i mosmarrëveshjes po e orientonin çështjen drejt një skenari të mundshëm arbitrazhi. Dokumenti i fundit e bën më të qartë se kompania, të paktën në këtë fazë, po kërkon fillimisht një zgjidhje përmes negociatave me qeverinë.

MABCO “zyrtarizon” kursin drejt arbitrazhit për Aeroportin e Vlorës pas lëvizjes së MIE

The post MABCO kundërshton prishjen e koncesionit të Aeroportit të Vlorës, kërkon negociata me MIE appeared first on Revista Monitor.

Dogana mbledh 5.1 miliardë lekë më shumë në 7 muaj, karburantet dhe cigaret nxisin rritjen

12 August 2026 at 14:26

Të ardhurat doganore arritën në 142 miliardë lekë për periudhën janar–korrik 2026, duke u rritur me rreth 5.1 miliardë lekë, ose 3.7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

Rritja është mbështetur kryesisht nga të ardhurat më të larta nga TVSH-ja, akciza dhe taksat doganore.

Të ardhurat nga TVSH-ja u rritën me rreth 3.3 miliardë lekë. Kontributin më të madh e dha karburanti i importit, me 1.8 miliardë lekë më shumë, i ndjekur nga veshjet me 562 milionë lekë dhe cigaret me 447 milionë lekë.

Ndërkohë, të ardhurat nga akciza u rritën me rreth 1.5 miliardë lekë. Pjesa më e madhe e kësaj rritjeje lidhet me importet e cigareve, të cilat sollën rreth 1.2 miliardë lekë më shumë të ardhura.

Sasia e cigareve të importuara është rritur gjithashtu me rreth 100 tonë krahasuar me një vit më parë.

Kontribut pozitiv në akcizë kanë dhënë edhe duhani i prodhuar në vend, duhani i importuar, vera dhe kafeja.

Nga ana tjetër, taksat doganore sollën rreth 482 milionë lekë më shumë, ku ndikuan ndër të tjera importet e veshjeve dhe të metaleve bazë.

Të dhënat tregojnë se pjesa më e madhe e shtesës së të ardhurave doganore gjatë këtij 7-mujori ka ardhur nga TVSH-ja, ndërsa rritja e importeve të karburanteve dhe cigareve ka pasur një peshë të konsiderueshme në ecurinë e arkëtimeve.

The post Dogana mbledh 5.1 miliardë lekë më shumë në 7 muaj, karburantet dhe cigaret nxisin rritjen appeared first on Revista Monitor.

Fitimi i tregut të sigurimeve e frenoi rritjen në tremujorin e parë

12 August 2026 at 14:00

Fitimi i tregut të sigurimeve pësoi rënie në tremujorin e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), kompanitë e sigurimeve raportuan një fitim neto prej 1.07 miliardë lekësh, në rënie me 12.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Treguesit e rentabilitetit gjithashtu pësuan rënie krahasuar me tremujorin e parë 2025.

Sipas AMF-së, raporti i normës së fitimit të kapitalit ra në 4.6%, nga 5.08% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa raporti i normës së fitimit të aseteve ra në 1.68%, nga 2.02% që kishte qenë për tremujorin I 2025.  

Rënia e fitimeve erdhi nga segmenti më i madh i tregut, ai i Jo-Jetës, ndërsa kompanitë e sigurimit të jetës regjistruan rritje të mëtejshme të fitimeve krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.

Kompanitë e sigurimit të Jo-Jetës për tremujorin e parë arritën një fitim neto në vlerën e 903 milionë lekëve, në rënie me 17.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Megjithatë, rënia e fitimeve nuk lidhet me ecurinë e aktivitetit sigurues, që solli fitime më të larta. Rezultati teknik për tremujorin arriti në 975 milionë lekë ose 50% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rritja e rezultatit teknik kishte si faktor përcaktues rriten e primit të fituar neto, që arriti në më shumë se 5 miliardë lekë, në rritje vjetore me 12.2%.

Sistemi i llogaritjes së primeve të sigurimit të detyrueshëm TPL mbi bazën e disa faktorëve të riskut dha një efekt pozitiv mbi bazën e të ardhurave dhe fitimeve të tregut të sigurimeve, duke filluar nga viti 2025.

Në përgjithësi, kjo ka ndikuar në përmirësimin e rezultatit teknik.

Megjithatë, rënia e fitimit total neto për tremujorin e parë të këtij viti erdhi nga ulja e të ardhurave nga investimet dhe sidomos nga një rënie e fortë në zërin e të ardhurave, të tjera, të paspecifikuara në raportimet statistikore.

Ndërkohë, fitimet shënuan rritje të mëtejshme në tregun e sigurimit të Jetës. Sipas AMF-së, për tremujorin e parë të vitit fitimi neto i kompanive të sigurimit të Jetës arriti në 164 milionë lekë, në rritje me 23.8% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.

Rritja e fitimeve erdhi kryesisht nga zgjerimi i rezultatit teknik. Ky rezultat preku vlerën e 201 milionë lekëve rreth 17% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Tregu i sigurimeve vazhdon të shfaqë pak zhvillime të rëndësishme cilësore dhe ngelet gjerësisht i varur produktet e detyrueshme, kryesisht ato motorike.

Për gjysmën e parë të këtij viti, statistikat e AMF-së tregojmë se rritja e primeve të shkruara bruto ishte modeste, në masën 3.2%./ E.Shehu

Burimi: AMF

Burimi: AMF

 

The post Fitimi i tregut të sigurimeve e frenoi rritjen në tremujorin e parë appeared first on Revista Monitor.

Europa shtyn sërish ETIAS, lejen e re të udhëtimit, pa një afat të përcaktuar

12 August 2026 at 13:55

Bashkimi Europian ka shtyrë përsëri hyrjen në fuqi të ETIAS (European Travel Information and Authorisation System), sistemit të ri të autorizimit të udhëtimit për shtetasit e vendeve që mund të hyjnë pa vizë në zonën Schengen.

Sistemi pritej të niste në vitin 2027, por tashmë BE nuk jep një datë konkrete për zbatimin e tij.

ETIAS do t’u kërkojë udhëtarëve nga vende që aktualisht nuk kanë nevojë për vizë për qëndrime të shkurtra në Europë. si Mbretëria e Bashkuar, SHBA, Kanadaja dhe Australia, të marrin një autorizim elektronik përpara udhëtimit.

Shkak për vonesën janë problemet teknike dhe vonesat që lidhen me sistemin e ri europian të menaxhimit të kufijve.

BE ka bërë të qartë se ETIAS nuk është aktualisht funksional dhe nuk po pranohen aplikime. Data përfundimtare e nisjes do të njoftohet disa muaj përpara se sistemi të hyjë në fuqi.

Kjo do të thotë se, për momentin, udhëtarët që përfitojnë nga regjimi pa viza nuk duhet të aplikojnë apo të paguajnë për ETIAS. Autoritetet paralajmërojnë gjithashtu të mos përdoren faqe që pretendojnë se mund të bëjnë aplikime ETIAS që tani./Euronews

The post Europa shtyn sërish ETIAS, lejen e re të udhëtimit, pa një afat të përcaktuar appeared first on Revista Monitor.

❌