Normal view

Dogana Shqiptare dhe AKEP, bashkëpunim për dërgesa postare më të shpejta dhe kontrolle më efikase

By: Ornela
7 August 2026 at 18:19

Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave në një takim me përfaqësues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), në vijim të kërkesës së këtij institucioni diskutuan për adresimin e çështjeve të ngritura nga operatorët e ofrimit të shërbimit postar.

Gjatë takimit u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional, me synim formalizimin e mëtejshëm të tregut dhe rritjen e efektivitetit në luftën kundër informalitetit në fushën e dërgesave postare.

Një tjetër çështje e rëndësishme ishte zhvillimi i sistemeve të teknologjisë së informacionit nga operatorët e postave të shpejta dhe Posta Shqiptare, me qëllim mundësimin e Njoftimit Para Mbërritjes për dërgesat postare, brenda vitit 2026. Ky mekanizëm synon të krijojë mundësi për një përpunim më të shpejtë dhe efikas të dërgesave, duke forcuar njëkohësisht analizën e riskut dhe kontrollet doganore.

Bashkëpunimi ndërinstitucional në këtë drejtim synon të krijojë një ekuilibër më të mirë mes lehtësimit dhe përshpejtimit të procedurave doganore dhe forcimit të kontrolleve, duke garantuar një menaxhim më efikas të dërgesave postare dhe duke kontribuar në luftën kundër kontrabandës, evazionit dhe informalitetit në fushën e tregtisë elektronike.

The post Dogana Shqiptare dhe AKEP, bashkëpunim për dërgesa postare më të shpejta dhe kontrolle më efikase appeared first on Revista Monitor.

SHBA humbi 23 mijë vende pune në korrik, zbehen pritshmëritë për rritje të interesave nga Fed

7 August 2026 at 16:55

Ekonomia amerikane humbi papritur 23 mijë vende pune në korrik, duke dhënë një sinjal të ri për dobësimin e tregut të punës dhe duke bërë që investitorët të ulin ndjeshëm pritshmëritë për një rritje të normave të interesit nga Rezerva Federale në shtator.

Të dhënat e publikuara të premten nga Byroja e Statistikave të Punës treguan se punësimi jashtë sektorit bujqësor ra me 23 mijë vende pune gjatë korrikut. Rezultati ishte shumë më i dobët se pritshmëritë e ekonomistëve të anketuar nga Reuters, të cilët parashikonin 80 mijë vende të reja pune.

Edhe të dhënat për qershorin u korrigjuan ndjeshëm në rënie. Ekonomia amerikane rezulton se kishte krijuar vetëm 20 mijë vende pune në qershor, nga 57 mijë që ishte raportuar fillimisht. Kjo e forcon perceptimin se ritmi i punësimit është ngadalësuar më shumë nga sa sugjeronin të dhënat paraprake.

Megjithatë, norma e papunësisë ra në 4.1% në korrik, nga 4.2% në qershor. Reuters vëren se kjo rënie u shoqërua me një tkurrje të mëtejshme të pjesëmarrjes së popullsisë në fuqinë punëtore, çka do të thotë se ulja e papunësisë nuk erdhi domosdoshmërisht nga një përmirësim i kërkesës për punë.

Raporti i dobët ndryshoi menjëherë pritshmëritë e tregjeve për politikën monetare të Rezervës Federale.

Përpara publikimit të të dhënave, tregjet po llogarisnin një mundësi relativisht të lartë që Fed të rriste normat në mbledhjen e shtatorit. Pas raportit të punësimit, kontratat futures mbi normën e Fed e ulën probabilitetin e një rritjeje në shtator në rreth 40%, nga 55% përpara publikimit të shifrave.

Rezerva Federale e mbajti javën e kaluar normën bazë të interesit të pandryshuar në intervalin 3.50%-3.75%, megjithëse tre anëtarë të komitetit të politikës monetare votuan në favor të një rritjeje prej 0.25 pikë përqindjeje.

Të dhënat e korrikut e ndërlikojnë tashmë këtë debat. Nga njëra anë, Fed vazhdon të përballet me presione inflacioniste, ndërsa nga ana tjetër, një dobësim më i fortë i punësimit do ta bënte më të vështirë një tjetër shtrëngim monetar.

Reuters raporton se tregjet reaguan menjëherë ndaj shifrave. Yield-i i obligacionit dyvjeçar të Thesarit amerikan, i cili është veçanërisht i ndjeshëm ndaj pritshmërive për politikën e Fed, ra me 8 pikë bazë, në 4.16%, ndërsa yield-i 10-vjeçar ra me 6 pikë bazë, në 4.61%.

Në tregjet valutore, indeksi i dollarit ra rreth 0.5%, ndërsa monedha amerikane humbi terren ndaj jenit dhe euros. Në bursë, efekti ishte i kundërt: kontratat futures për Nasdaq sinjalizonin një rritje prej rreth 1.1%, ndërsa ato për S&P 500 rreth 0.5%, pasi investitorët e interpretuan dobësimin e punësimit si një argument kundër rritjes së interesave.

Ekonomistët paralajmërojnë megjithatë se një muaj i vetëm nuk është i mjaftueshëm për të konfirmuar një përkeqësim të qëndrueshëm të tregut të punës.

Anthony Saglimbene, kryestrateg i tregjeve në Ameriprise Financial, tha për Reuters se edhe pas rezultatit negativ tregu amerikan i punës mbetet relativisht i shëndetshëm, por të dhënat i japin Fed-it më shumë hapësirë për të mos rritur normat në shtator.

Raporti i inflacionit që publikohet javën e ardhshme pritet të jetë vendimtar për kahun e politikës monetare. Nëse presionet mbi çmimet mbeten të forta, Fed do të duhet të peshojë rrezikun e inflacionit kundrejt shenjave gjithnjë e më të dukshme të ngadalësimit të tregut të punës.

Burimi: Reuters

The post SHBA humbi 23 mijë vende pune në korrik, zbehen pritshmëritë për rritje të interesave nga Fed appeared first on Revista Monitor.

Byrotë e Kreditit do të jenë private, do të ndërtojnë “notën” financiare të individëve dhe bizneseve

By: Ornela
7 August 2026 at 16:34

Byrotë e Kreditit që pritet të ngrihen në Shqipëri do të jenë subjekte private, të organizuara si shoqëri aksionare, dhe do të kenë të drejtë të mbledhin, përpunojnë dhe analizojnë informacion financiar për individët dhe bizneset, përfshirë të dhëna që shkojnë përtej kredive bankare.

Byroja e Kredisë do jetë private, informacioni do mblidhet me pagesë; Projektligji drejt finalizimit

Projektligji “Për Byrotë e Kreditit” i hedhur pwr konsultim, përcakton për herë të parë kuadrin e posaçëm për licencimin dhe funksionimin e këtyre subjekteve private, të cilat do të ofrojnë raporte kreditore dhe sisteme të renditjes kreditore, të njohura si “credit scoring”.

Modeli ndryshon nga Regjistri aktual i Kredive, i cili administrohet nga Banka e Shqipërisë. Relacioni argumenton se regjistrat publikë, të administruar nga bankat qendrore, kanë kryesisht funksione që lidhen me stabilitetin financiar dhe mbikëqyrjen, ndërsa nuk janë konceptuar për të ofruar shërbime tregtare të raportimit kreditor, analiza të sjelljes paguese apo modele të avancuara të pikëzimit kreditor.

Këto funksione, sipas projektligjit, do t’u kalojnë byrove private të kreditit, të cilat do të operojnë paralelisht me Regjistrin e Kredive të Bankës së Shqipërisë.

Sipas relacionit, në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, regjistrat publikë të kredive, të administruar nga bankat qendrore, kanë si funksion kryesor mbështetjen e stabilitetit financiar, monitorimin e ekspozimeve kreditore dhe vlerësimin e riskut sistemik në sektorin financiar. Aksesi i subjekteve raportuese në këta regjistra përbën një funksion dytësor, i cili u shërben atyre si një mekanizëm ndihmës për vlerësimin e riskut kreditor dhe mbështetjen e vendimmarrjes në procesin e kreditimit.

Megjithatë, regjistrat publikë të kredive nuk janë konceptuar për të ofruar shërbime tregtare të raportimit kreditor, përpunim të avancuar të informacionit kreditor, analiza të sjelljes paguese apo zhvillimin e modeleve të vlerësimit kreditor (credit scoring). Këto funksione ushtrohen nga byrotë private të kreditit, të cilat, në shumë juridiksione, operojnë paralelisht me regjistrat publikë të kredive dhe luajnë një rol plotësues në treg. Nëpërmjet grumbullimit, përpunimit dhe analizimit të informacionit kreditor nga burime të ndryshme, ato ofrojnë produkte dhe shërbime të specializuara që mbështesin institucionet financiare dhe përdoruesit e tjerë të autorizuar në vlerësimin e aftësisë paguese, administrimin e riskut kreditor dhe procesin e vendimmarrjes për dhënien e financimit.

Në këtë kontekst, paraqitet e nevojshme miratimi i një kuadri ligjor gjithëpërfshirës për krijimin dhe funksionimin e byrove private të kreditit, i harmonizuar me praktikat dhe modelet më të mira të zhvilluara në vendet e Bashkimit Evropian, me qëllim krijimin e një sistemi modern, të besueshëm dhe efikas të raportimit dhe vlerësimit kreditor.

 

 

Kompani private, por me akses te një gamë e gjerë të dhënash

Një nga elementet më të rëndësishme të projektligjit është gama e institucioneve dhe subjekteve që mund të furnizojnë me informacion Byrotë e Kreditit.

Përveç bankave dhe institucioneve financiare jobanka, ofrues të të dhënave mund të jenë institucionet e pagesave, institucionet e parasë elektronike, shoqëritë e kursim-kreditit, kompanitë e sigurimit dhe Banka e Shqipërisë.

Por informacion mund të vijë edhe nga organet tatimore, njësitë e qeverisjes vendore dhe persona të tjerë juridikë që furnizojnë mallra ose shërbime nga të cilat lindin detyrime për pagesë.

Në këtë mënyrë, një subjekt privat mund të krijojë një panoramë shumë më të gjerë të sjelljes financiare të një individi ose biznesi, krahasuar me informacionin që aktualisht përmban Regjistri i Kredive.

Në historikun e një individi mund të përfshihen të dhëna për kërkesat dhe marrëveshjet e kredisë, detyrimet e prapambetura, përfundimin e marrëveshjeve, renditjen kreditore dhe vendime gjyqësore që lidhen me aftësinë kredimarrëse. Për bizneset mund të shtohen edhe të dhëna për performancën financiare dhe procedurat e falimentimit.

 

Banka e Shqipërisë mund t’u japë bazën fillestare

Projektligji parashikon një mekanizëm të posaçëm edhe për krijimin e bazës fillestare të informacionit të Byrosë.

Me kërkesë të Byrosë së Kreditit dhe mbi bazën e një marrëveshjeje, Banka e Shqipërisë mund t’i vërë në dispozicion subjektit privat informacionin kreditor që administron në Regjistrin e Kredive deri në datën e licencimit të Byrosë.

Transferimi do të bëhet sipas kushteve, kritereve dhe procedurave të përcaktuara në ligj dhe në legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Ky parashikim i jep Byrosë mundësinë që të mos e nisë aktivitetin nga zero, por të ndërtojë bazën fillestare mbi informacionin kreditor ekzistues.

 

Privati do të llogarisë edhe “credit score”

Një tjetër funksion që projektligji i jep Byrove private është llogaritja e renditjes kreditore ose “credit scoring”.

Në bazë të të dhënave të mbledhura, Byroja mund të hartojë një vlerësim të besueshmërisë financiare të individit apo biznesit, i cili mund të përfshihet në raportin kreditor që kërkon banka apo një përdorues tjetër i autorizuar.

Projektligji kërkon që modelet statistikore, matematikore ose algoritmike që do të përdoren për pikëzimin të mbështeten në kritere objektive, proporcionale, të verifikueshme dhe jodiskriminuese.

Parashikohen gjithashtu kërkesa për transparencë mbi metodologjinë dhe faktorët kryesorë që ndikojnë në vlerësimin kreditor.

Në praktikë, ky vlerësim mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në kushtet e financimit.

Relacioni vlerëson se individët dhe bizneset me histori të mirë financiare mund të kenë mundësi më të mëdha të negociojnë norma interesi më të favorshme dhe të marrin kredi më shpejt.

 

Të dhënat negative deri në pesë vjet

Fakti që informacioni do të administrohet nga subjekte private shoqërohet edhe me rregulla për kohën e ruajtjes së tij.

Të dhënat pozitive mund të ruhen deri në tre vjet nga përfundimi i marrëdhënies së kredisë ose kontratës përkatëse.

Të dhënat negative mund të ruhen deri në pesë vjet nga përmbushja ose shuarja e detyrimit.

Kjo nënkupton se edhe pasi një detyrim problematik është shlyer, informacioni negativ mund të vazhdojë të jetë pjesë e historikut të personit apo biznesit për disa vite.

 

Kush do t’i kontrollojë Byrotë private

Byrotë e Kreditit do të duhet të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit si shoqëri aksionare dhe të pajisen me licencë.

Licenca do të jepet për afat të pacaktuar. Projektligji vendos gjithashtu kufizime për pjesëmarrjen dhe kontrollin e këtyre shoqërive nga bankat dhe institucionet financiare jobanka.

Për pjesën që lidhet me përpunimin e të dhënave personale, mbikëqyrja do të kryhet nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Projektligji parashikon gjithashtu se informacioni kreditor është konfidencial dhe se Byroja, ofruesit dhe përdoruesit e informacionit nuk mund ta përdorin ose zbulojnë atë jashtë rasteve të lejuara nga ligji.

 

Qytetari do të ketë të drejtë të kontrollojë dosjen

Personat për të cilët mbahet informacion do të kenë të drejtë të marrin raportin e tyre kreditor dhe të njihen me burimet prej nga kanë ardhur të dhënat.

Ata do të mund të shohin gjithashtu identitetin e përdoruesve që kanë kërkuar raport kreditor për ta. Informacioni duhet të vihet në dispozicion brenda pesë ditëve.

Në rast se të dhënat janë të pasakta ose të paplota, subjekti mund t’i kundërshtojë ato dhe të kërkojë verifikimin, korrigjimin ose, sipas rastit, fshirjen e tyre.

Në këtë mënyrë, projektligji krijon një model ku mbledhja dhe përpunimi tregtar i historikut kreditor dhe llogaritja e “notës” financiare do të kryhen nga kompani private, ndërsa shteti përcakton rregullat e licencimit, burimet e të dhënave dhe kufijtë për përdorimin e informacionit.

The post Byrotë e Kreditit do të jenë private, do të ndërtojnë “notën” financiare të individëve dhe bizneseve appeared first on Revista Monitor.

Transparenca në industrinë nxjerrëse, BB: Projekti nën objektiva, të ardhurat nga renta pa rakordim

7 August 2026 at 15:00

Raportimi dhe transparenca në industritë nxjerrëse bëri përparim, por nuk arriti të institucionalizojë disa nga reformat kryesore të synuara nga një projekt prej 700 mijë dollarësh i financuar nga Banka Botërore.

Në raportin përfundimtar të zbatimit, Banka Botërore e vlerësoi rezultatin e projektit si “mesatarisht të kënaqshëm”, ndërsa cilësinë e monitorimit dhe vlerësimit si “modeste”. Nga shuma fillestare e grantit, rreth 697 mijë dollarë u disbursuan.

Projekti synonte të ndihmonte institucionet dhe grupet e interesit në Shqipëri të hartonin politika për një administrim më transparent të sektorit nxjerrës. Mbështetja përfshinte raportimin sipas standardeve të Nismës për Transparencën në Industrinë Nxjerrëse, ose EITI, analiza mbi pronarët përfitues, të ardhurat vendore, energjinë e rinovueshme, gazin dhe ndikimet sociale të industrisë.

 

Konkretisht vetëm një nga tre treguesit kryesorë iu afrua objektivit. Shqipëria përfundoi 50% të masave korrigjuese të kërkuara nga vlerësimi i EITI, kundrejt objektivit prej 70%. Rakordimi i të ardhurave nga renta minerare që u kalohen njësive vendore nuk u realizua, ndërsa raportimi EITI nuk u integrua plotësisht në ciklin vjetor ligjor të raportimit dhe auditimit.

Raporti nënvizon se Shqipëria vazhdon t’i publikojë të ardhurat në nivel të përgjithshëm kompanie dhe jo sipas projekteve individuale, një mangësi që Banka Botërore e cilëson thelbësore për transparencën fiskale. Ligji i posaçëm për EITI, i cili do ta bënte të detyrueshëm publikimin e të dhënave nga institucionet publike dhe kompanitë private, nuk ishte miratuar deri në përfundimin e projektit.

Projekti ndihmoi në publikimin e raporteve EITI për vitet 2019-2021 në tetor 2024 dhe të raportit për vitin 2022 në mars 2025. Vonesa mes vitit të raportimit dhe publikimit u ul nga tre në dy vjet, por mbeti mbi objektivin prej një viti. Numri i fushave të reja të raportimit arriti në tre, nga pesë të planifikuara.

Zbatimi i grantit u vonua rreth 12 muaj, pasi miratimi i qeverisë u sigurua vetëm në janar 2024, ndonëse projekti ishte aprovuar nga Banka Botërore në dhjetor 2022. Pavarësisht periudhës së shkurtuar deri në mbylljen e tij në korrik 2025, aktivitetet e planifikuara u përfunduan dhe fondet u disbursuan pothuajse plotësisht.

Mungesa e financimit nga qeveria bëri që Shqipëria të mos publikonte në kohë raportet për vitet 2019-2021, duke çuar në pezullimin e vendit nga Bordi i EITI në tetor 2023. Pezullimi zgjati një vit dhe u hoq pasi raportet e prapambetura u publikuan në tetor 2024.

Banka Botërore tha se mungesa për një periudhë të gjatë e një drejtuesi të nivelit të lartë për procesin EITI ndikoi negativisht në zbatim. Mbledhjet e grupit shumëpalësh vijuan pa praninë e kryetarit, ndërsa mungesa e vazhdimësisë në drejtim mund të ketë kufizuar ndikimin e procesit në politikat publike.

Raporti rekomandon që funksionet kryesore të EITI të financohen në mënyrë të qëndrueshme nga buxheti i shtetit, përmes një linje të posaçme buxhetore. Ai kërkon gjithashtu emërimin e një zyrtari të lartë si drejtues të procesit dhe kalimin nga raportet e përgatitura nga konsulentët te publikimi sistematik i të dhënave përmes platformave qeveritare.  Sipas Bankës Botërore, raportimi për vitin 2023, i publikuar në dhjetor 2025, ishte raporti i parë i përgatitur nga vetë Sekretariati Kombëtar EITI dhe grupi shumëpalësh, pa u mbështetur te konsulentë të financuar nga jashtë./ N.Maho

 

 

The post Transparenca në industrinë nxjerrëse, BB: Projekti nën objektiva, të ardhurat nga renta pa rakordim appeared first on Revista Monitor.

Drafti, punëdhënësit mund të detyrohen të publikojnë pagat, kuota për kompanitë 125 punonjës

7 August 2026 at 13:43

Punëdhënësit në Shqipëri do të duhet të publikojnë intervalin e pagës për çdo vend të lirë pune dhe kompanitë me të paktën 125 punonjës do të përballen me kuota për punësimin e personave nga grupe të veçanta, sipas një projektligji të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit të nxjerrë për konsultim publik.

Projektligji, që ndryshon ligjin nr. 15/2019 “Për nxitjen e punësimit”, zgjeron detyrimet e kompanive për deklarimin e vendeve të lira dhe të marrëdhënieve të punës, ndërsa parashikon gjithashtu një sistem të ri digjital për historikun profesional të punonjësve dhe përgatitjen e Shqipërisë për pjesëmarrjen në rrjetin europian të punësimit EURES.

Një nga ndryshimet kryesore për punëdhënësit është detyrimi për transparencë mbi pagën që në fazën e rekrutimit. Projektligji përcakton se çdo punëdhënës duhet të deklarojë vendet e lira të paguara pranë strukturave të punësimit.

“Në çdo shpallje të vendit të lirë të punës, punëdhënësi duhet të bëjë publike intervalin e pagës për pozicionin e shpallur,” thuhet në projektligj.

Relacioni i Ministrisë thotë se kjo kërkesë parashikohet për herë të parë dhe synon rritjen e transparencës gjatë rekrutimit dhe dhënien e më shumë informacioni punëkërkuesve përpara aplikimit.

Projektligji zgjeron edhe informacionin që kompanitë duhet t’u raportojnë institucioneve. Çdo punëdhënës do të ketë detyrimin të deklarojë dhe përditësojë të dhënat që lidhen me marrëdhënien e punës të punonjësve. Në rast largimi nga puna, punëdhënësi do të duhet të deklarojë largimin, ndërsa informacioni, përfshirë arsyen dhe kontaktin e punonjësit, do t’i përcillet automatikisht institucionit përgjegjës për punësimin.

Sipas relacionit, qëllimi është që institucionet e punësimit të mund të ndërhyjnë më herët me këshillim, orientim profesional, ndërmjetësim ose programe aktive të tregut të punës për personat që humbasin vendin e punës.

Kuota për kompanitë me të paktën 125 punonjës

Një tjetër ndryshim me ndikim të drejtpërdrejtë për bizneset është regjimi tranzitor për punësimin e personave nga grupet e veçanta.

Deri në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, projektligji parashikon që një punëdhënës të punësojë një person nga kategoritë e përcaktuara në ligj për 125 punonjësit e parë, dhe një person shtesë për çdo 125 punonjës të tjerë.

Nëse kuota nuk plotësohet, punëdhënësi do të paguajë një kontribut në Fondin Social të Punësimit.

Projektligji përcakton se punëdhënësi që nuk plotëson numrin e kërkuar “derdh një kontribut për llogari të Fondit Social të Punësimit në masën 50% të pagës minimale”, për çdo muaj dhe për çdo person që duhej të kishte punësuar sipas kuotës.

Relacioni e përshkruan këtë si një regjim tranzitor, ndërsa pas anëtarësimit të Shqipërisë në BE do të zbatohen kuotat e parashikuara nga dispozitat e tjera të ligjit.

Shkeljet e detyrimeve të parashikuara për punëdhënësit do të trajtohen si kundërvajtje administrative. Projektligji përcakton administratën tatimore si autoritetin që konstaton dhe sanksionon shkeljet, në përputhje me legjislacionin për procedurat tatimore.

Ndryshimet prekin edhe shërbimet e punësimit që ofrohen nga shteti. Shërbimet bazë për punëkërkuesit dhe punëdhënësit do të vijojnë të ofrohen pa pagesë, por institucioni përgjegjës do të mund të vendosë tarifa për shërbime të specializuara që u ofrohen kompanive.

“Për shërbime të specializuara që u ofrohen punëdhënësve, institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë vendos tarifa shërbimi,” thuhet në projektligj. Llojet e shërbimeve, kriteret, procedurat dhe tarifat do të përcaktohen më pas me vendim të Këshillit të Ministrave.

Relacioni thotë se këto shërbime mund t’u përgjigjen nevojave të punëdhënësve për forma më të avancuara të rekrutimit dhe identifikimit të fuqisë punëtore. Ligji do të lejojë gjithashtu kontraktimin e subjekteve të tjera të tregut të punës për ofrimin e shërbimeve ndaj grupeve të veçanta ose në territore të caktuara.

Pasaportë digjitale për punësimin dhe aftësitë

Projektligji krijon edhe bazën ligjore për të ashtuquajturën Pasaportë Digjitale të Punësimit dhe Aftësive, një dokument elektronik ku do të regjistrohen të dhëna mbi historikun profesional të individit.

Sipas tekstit, pasaporta do të përmbajë të dhëna për “marrëdhëniet e punës, periudhat e punësimit, profesionin, kualifikimet dhe përvojën e punës së individit”. Ajo do të administrohet përmes një platforme të integruar me bazat shtetërore të të dhënave.

Të dhënat do të përdoren për ofrimin, administrimin dhe verifikimin e shërbimeve dhe programeve të punësimit, ndërsa rregullat e aksesimit, përditësimit dhe ndërveprimit me bazat e tjera të të dhënave do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Relacioni thotë se sistemi synon të krijojë një burim të vetëm informacioni mbi profilin profesional dhe të shmangë kërkesat e përsëritura për dokumente fizike, duke mundësuar verifikimin elektronik të informacionit.

Në të njëjtën kohë, projektligji parashikon krijimin e Observatorit të Informacionit të Tregut të Punës dhe Aftësive. Subjektet që disponojnë të dhëna për tregun e punës do të kenë detyrimin t’i shkëmbejnë ato në mënyrë elektronike përmes një baze të integruar.

Shqipëria përgatit lidhjen me EURES

Paketa krijon gjithashtu strukturën ligjore për integrimin gradual të Shqipërisë në Rrjetin Europian të Shërbimeve të Punësimit, EURES, i cili lidh shërbimet e punësimit dhe informacionin mbi vendet e lira të punës në tregun europian.

Institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë do të veprojë si Zyra Kombëtare Koordinuese e EURES-it. Ndër kompetencat e saj do të jetë transmetimi i vendeve të lira të paguara të punës dhe, me pëlqimin e punëkërkuesit, i aplikimeve dhe profileve të kandidatëve.

Pjesa e sistemit që lidhet me ngritjen e strukturës kombëtare do të mund të fillojë pas hyrjes në fuqi të ligjit, ndërsa pjesëmarrja e plotë dhe shkëmbimi i informacionit me rrjetin europian parashikohet nga anëtarësimi i Shqipërisë në BE, ose më herët nëse vendi autorizohet të marrë pjesë në EURES.

Relacioni e lidh projektligjin me negociatat e anëtarësimit në BE, konkretisht me Kapitullin 2 për lëvizjen e lirë të punëtorëve dhe Kapitullin 19 për politikat sociale dhe punësimin. Ai është përafruar pjesërisht me Rregulloren e BE-së 2016/589 për EURES.

Projektligji zgjeron njëkohësisht programet e tregut të punës edhe te personat që janë ende të punësuar, por rrezikojnë humbjen e vendit të punës. Në këtë kategori përfshihen raste që lidhen me ndryshime ekonomike ose teknologjike dhe ristrukturime të ndërmarrjeve, sipas relacionit.

Financimi i masave të parashikuara do të bëhet nga Buxheti i Shtetit për Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, përmes programit buxhetor “Tregu i Punës”. Relacioni nuk jep një vlerë të veçantë financiare për zbatimin e projektligjit.

 

The post Drafti, punëdhënësit mund të detyrohen të publikojnë pagat, kuota për kompanitë 125 punonjës appeared first on Revista Monitor.

Mbi 70 mijë vizitorë në Kosovë për një muaj, nga Shqipëria e Turqia vjen rritja më e madhe

7 August 2026 at 13:31

Kosova ka shënuar rritje të numrit të vizitorëve gjatë qershorit 2026, me një shtim të dukshëm të turistëve të huaj. Prishtina vazhdon të jetë destinacioni më i vizituar, ndërsa pas kryeqytetit renditen Prizreni e Peja. Nga jashtë, numri më i madh i vizitorëve vjen nga Shqipëria, Gjermania, Turqia dhe Zvicra.

 

Gjatë qershorit të këtij viti, Kosovën e kanë vizituar gjithsej 70 mijë e 234 persona, prej të cilëve 28 mijë e 638 ishin vizitorë vendorë, ndërsa 41 mijë e 596 vizitorë të huaj.

Në krahasim me qershorin e vitit 2025, kur ishin regjistruar 63 mijë e 502 vizitorë, numri i përgjithshëm është rritur për 10.6 për qind.

Rritja është veçanërisht e dukshme te vizitorët vendorë, numri i të cilëve është rritur për rreth 19.6 për qind krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, edhe vizitorët e huaj kanë shënuar rritje, me 5.2 për qind.

Nga të dhënat e statistikave të turizmit, Prishtina vazhdon të jetë rajoni me numrin më të madh të vizitorëve, duke u ndjekur nga Prizreni dhe Peja.

Kryeqyteti mbetet pika kryesore ku përqendrohen vizitorët e huaj, por interesimi për Kosovën nuk kufizohet vetëm në Prishtinë. Prizreni dhe Peja vazhdojnë të jenë ndër destinacionet më të frekuentuara, duke reflektuar interesimin për qytetet historike, trashëgiminë kulturore dhe zonat turistike malore.

Kjo tendencë është parë edhe në statistikat e muajve të mëparshëm, ku Prishtina ka dominuar për nga numri i vizitorëve, ndërsa Prizreni e Peja kanë qenë ndër destinacionet kryesore pas saj.

Sa u përket turistëve të huaj, Shqipëria prin me numrin e vizitorëve në Kosovë.

Në qershor 2026, nga Shqipëria kanë ardhur 7 mijë e 628 vizitorë, apo 13 për qind më shumë se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Sa u përket vizitorëve të huaj ne muaj Qershor 2026, krahasuar me periudhën paraprake (Qershor 2025) pati një rritje të vizitorëve për  5.2%. 

Në total,  41 596 vizitorë të huaj, nga të cilët numri më i madh ishte nga: Shqipëria, Gjermania, Turqia, Zvicra etj, thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave.

Pas Shqipërisë renditet Gjermania, me 4 mijë e 300 vizitorë. Ky treg ka shënuar një rënie të lehtë prej 1.5%.

Në vendin e tretë vjen Turqia, e cila ka shënuar një rritje të madhe. Në qershor Kosovën e kanë vizituar 3 mijë e 979 persona nga Turqia, që paraqet 36.4% më shumë se një vit më parë.

Nga Zvicra kanë ardhur 3 mijë e 121 vizitorë, me një rritje prej 2%.

Ndërkaq, nga shtetet e tjera janë regjistruar 22 mijë e 568 vizitorë, me një rritje të lehtë prej 0.5%.

Rritja e turizmit shihet edhe përmes numrit të net-qëndrimeve.

Në qershor 2026 janë regjistruar gjithsej 163 mijë e 739 net-qëndrime, prej të cilave 85 mijë e 783 janë realizuar nga vizitorët e huaj dhe 77 mijë e 956 nga vizitorët vendorë.

Vetëm te vizitorët e huaj, net-qëndrimet janë rritur për 13% krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.

Veçanërisht e madhe është rritja e net-qëndrimeve të vizitorëve nga Turqia, të cilët kanë realizuar 7 mijë e 989 net-qëndrime, apo 72.1% më shumë se në qershorin e vitit 2025.

Edhe vizitorët nga Shqipëria kanë qëndruar më gjatë. Ata kanë realizuar 16 mijë e 644 net-qëndrime, me një rritje prej 41.9%.

Nga Gjermania janë regjistruar 8 mijë e 206 net-qëndrime, ndërsa nga Zvicra 5 mijë e 143, me rritje përkatësisht 5.5 dhe 7.3%.

 

The post Mbi 70 mijë vizitorë në Kosovë për një muaj, nga Shqipëria e Turqia vjen rritja më e madhe appeared first on Revista Monitor.

Elbasani dhe Bitola zgjidhen si projekte pilot për përshpejtimin e energjisë së rinovueshme

7 August 2026 at 13:00

Elbasani në Shqipëri dhe Bitola në Maqedoninë e Veriut do të jenë dy bashkitë e para në Komunitetin e Energjisë që do të marrin mbështetje për zhvillimin e zonave të posaçme për përshpejtimin e projekteve të energjisë së rinovueshme, në kuadër të përpjekjeve për të transformuar zona me një histori të fortë industriale dhe varësi nga karboni.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka nënshkruar dy memorandume mirëkuptimi me bashkitë e Elbasanit dhe Bitolës për t’i mbështetur në procesin e dekarbonizimit dhe në zhvillimin më të shpejtë të kapaciteteve të energjisë së rinovueshme, sipas një njoftimi të publikuar më 7 gusht.

Të dy qytetet janë përzgjedhur si projekte pilot pas një thirrjeje për shprehje interesi të zhvilluar më herët gjatë vitit.

Elbasani, i përshkruar nga Sekretariati si “zemra historike industriale e Shqipërisë dhe qendra e prodhimit të çelikut me bazë karboni në Shqipëri”, synon të kalojë drejt një modeli të mbështetur më shumë te energjia dhe industria e pastër.

Bitola, ndërkohë, ndodhet në qendër të rajonit më të rëndësishëm të minierave të qymyrit në Maqedoninë e Veriut dhe përballet me një proces të ngjashëm tranzicioni nga një ekonomi lokale e lidhur historikisht me lëndët djegëse fosile.

Sipas Sekretariatit, të dyja bashkitë “po punojnë për t’u transformuar në qendra të orientuara drejt së ardhmes, të dekarbonizuara, të energjisë dhe industrisë së pastër”.

Mbështetja do të ofrohet përmes Centre for Renewables Acceleration, një strukturë e Sekretariatit që u jep vendeve të Ballkanit Perëndimor asistencë teknike për reformimin e procedurave të lejeve dhe planifikimin e projekteve të energjisë së rinovueshme. Në rajon, qendra mbështetet nga Open Society Foundations – Western Balkans.

Një nga elementet kryesore të bashkëpunimit me Elbasanin dhe Bitolën do të jetë zhvillimi i të ashtuquajturave Renewable Acceleration Areas, ose zona të përshpejtimit të energjisë së rinovueshme.

Këto zona parashikohen në versionin më të fundit të Direktivës së Bashkimit Europian për Energjinë e Rinovueshme, RED III, dhe përcaktojnë territore ku projektet e energjisë së rinovueshme mund të zhvillohen dhe të marrin leje më shpejt, duke synuar njëkohësisht shmangien e dëmeve të mundshme ndaj biodiversitetit.

Këshilli Ministror i Komunitetit të Energjisë u ka rekomanduar palëve kontraktuese që të fillojnë përcaktimin dhe zbatimin e këtyre zonave përpara përfshirjes së plotë të RED III në kuadrin ligjor të Komunitetit të Energjisë.

Për Shqipërinë, përzgjedhja e Elbasanit e vendos një nga qendrat tradicionale industriale të vendit në grupin e parë të bashkive të rajonit ku do të testohet ky model.

Por projekti është konceptuar si një nismë e përbashkët rajonale dhe Sekretariati thekson se përvoja e Elbasanit dhe Bitolës synon të përdoret edhe nga zona të tjera të varura nga aktivitetet me bazë karboni.

“Dy projektet pilot të mbuluara nga memorandumet synohen të jenë të replikueshme, duke ofruar një model që vendet, rajonet dhe bashkitë e tjera të varura nga karboni në Ballkanin Perëndimor mund ta përshtatin dhe zbatojnë,” thuhet në deklaratë.

Sekretariati e lidh krijimin e këtyre zonave edhe me përmbushjen e objektivave energjetike dhe klimatike të harmonizuara me BE-në në kuadër të Traktatit të Komunitetit të Energjisë, të cilat konsiderohen parakushte për integrimin e ardhshëm të vendeve të rajonit në tregun e brendshëm energjetik të Bashkimit Europian.

Sipas njoftimit, krijimi i zonave të përshpejtimit të energjisë së rinovueshme në Elbasan dhe Bitola mund të ketë gjithashtu ndikim ekonomik dhe social.

Duke krijuar një kuadër më të parashikueshëm për investitorët dhe duke përshpejtuar zhvillimin e projekteve, këto zona “mund të tërheqin investime në energjinë e rinovueshme dhe industri të lidhura me energjinë e pastër”.

Sekretariati përmend si shembuj shërbimet e infrastrukturës së qëndrueshme, sistemet e dixhitalizuara të menaxhimit të energjisë dhe prodhimin e gjelbër në të ardhmen.

The post Elbasani dhe Bitola zgjidhen si projekte pilot për përshpejtimin e energjisë së rinovueshme appeared first on Revista Monitor.

Kërkimi, vetëm 1.5 euro për frymë për teknologjinë dhe shëndetësinë, sa 3.7% e mesatares së BE-së

7 August 2026 at 12:19

Shqipëria rezulton të ketë rritur fondet që jep nga buxheti për kërkim-zhvillim gjatë vitit 2025-s, por pjesa më e madhe e tyre duket se po shkon për universitetet dhe OJF-të dhe vetëm një pjesë shumë e vogël po përdoret për dy elemente shumë të rëndësishme: prodhimin industrial dhe teknologjinë, si dhe për shëndetësinë.

Të dhënat janë publikuar nga Eurostat. Sipas këtyre të dhënave, në vitin 2025 u dhanë nga buxheti 81.4 milionë euro për kërkim-zhvillim, ose 0.3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Mesatarja e Bashkimit Europian për këtë tregues është 0.69% e PBB-së.

Treguesi i Shqipërisë në raport me PBB-në është 0.3% e PBB-së, nga 0.69% e mesatares europiane. Në këtë nivel, Shqipëria renditet e shtata më e ulët për vendet e raportuara, ndërsa e fundit në Europë është mali i Zi (0.02%).

Mungojnë të dhënat për Kosovë, Bosnjën dhe Maqedoninë e Veriut. Në rajon kryeson Serbia (0.41%).

Ndonëse Shqipëria ka bërë përmirësime në raport me një dekadë më parë, të analizuara sipas treguesit tjetër, atij të shpenzimeve për kërkim zhvillim sipas banorë, të dhënat tregojnë se financimi mbetet shumë i ulët, sidomos për industrinë dhe arsimin.

Në këtë tregues Shqipëria, që del më mirë në raport me PBB-në, për shkak të madhësisë së vogël të ekonomisë, renditet e katërta nga fundi, me 34.4 euro për frymë, nga 289 euro që është mesatarja e Bashkimit Europian, ose 12% e mesatares së BE-së.

Nga këto fonde, vetëm 1.5 euro për frymë shkojnë për industrinë dhe shëndetësinë, nga 40 euro, që është mesatarja e Bashkimit Europian, ose vetëm 3.7% e mesatares së BE-së. Konkretisht, fondet për prodhimin industrial janë vetëm 0.6 euro për frymë, nga 27.5 euro në BE dhe 8 euro në Serbi.

Fondet për shëndetësinë ishin 0.9 euro për frymë, nga 19.3 euro në BE dhe 3.3 euro në Serbi.

Sipas të dhënave të Eurostat, në Shqipëri, pjesa më e madhe e buxhetit është klasifikuar në kategorinë e avancimit të përgjithshëm të dijes, ku përfshihen edhe fondet e përgjithshme universitare.

The post Kërkimi, vetëm 1.5 euro për frymë për teknologjinë dhe shëndetësinë, sa 3.7% e mesatares së BE-së appeared first on Revista Monitor.

Përjashtimi i KAYO-s nga TVSH-ja , Tabaku: Një tjetër skemë privilegjesh me adresë

7 August 2026 at 11:30

Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit për Çështjet Europiane, Jorida Tabaku, ka kundërshtuar vendimin e qeverisë për përjashtimin nga TVSH-ja të importeve të pajisjeve dhe makinerive që përdoren në prodhimin e armëve.
Sipas Tabakut, vendimi nuk përfaqëson një politikë të mirëfilltë për zhvillimin e industrisë shqiptare të mbrojtjes, por krijon një regjim privilegjesh fiskale për një numër të kufizuar përfituesish, ku përfituesi kryesor duket se është kompania KAYO.
“Për 13 vite, qeveria e la mbrojtjen kombëtare jashtë prioriteteve të saj. Investimet në mbrojtje mbetën nën angazhimet e Aleancës dhe Shqipëria ende nuk ka një strategji të qartë për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes”, shkruan Tabaku në reagimin e saj.
Deputetja demokrate thekson se qeveria nuk po ndërton një politikë kombëtare për sigurinë, por po përdor politikën fiskale për të përcaktuar fitues të paracaktuar.
“Në Shqipërinë e Edi Ramës, politika fiskale nuk përdoret për të nxitur ekonominë. Përdoret për të zgjedhur fituesit”, shprehet ajo.

Tabaku e krahason këtë skemë me modelin e ndjekur më parë për investitorët strategjikë, të cilët kanë përfituar prona publike, lehtësi fiskale dhe ligje të posaçme. Sipas saj, ndryshon vetëm sektori, ndërsa mënyra e qeverisjes dhe shpërndarjes së privilegjeve mbetet e njëjtë.
Ajo nënvizon se Shqipëria ka nevojë për një industri moderne të mbrojtjes, të mbështetur në investime, teknologji dhe partneritet me NATO-n dhe vendet aleate. Por, sipas Tabakut, një politikë serioze duhet të nisë me përmbushjen e angazhimeve financiare ndaj Aleancës.

“Nuk mund të flasësh për industri strategjike, ndërkohë që nuk financon siç duhet vetë mbrojtjen kombëtare. Buxheti i vitit 2026 nuk përmbush angazhimin bazë ndaj NATO-s për financimin e mbrojtjes”, thekson deputetja.

Tabaku sjell në vëmendje edhe qëndrimin e qeverisë ndaj propozimeve të opozitës për uljen e TVSH-së për produktet bazë ushqimore. Ajo kujton se, megjithëse një masë e tillë lejohet nga Direktiva e Bashkimit Europian dhe zbatohet nga vende të rajonit, qeveria ka deklaruar vazhdimisht se nuk ka hapësirë fiskale.“Kur bëhet fjalë për përjashtime fiskale të projektuara për një numër shumë të kufizuar përfituesish, hapësira fiskale gjendet menjëherë”, shkruan Tabaku.
Sipas saj, ndërsa favorizohen kompani të caktuara, sektorë të rëndësishëm të ekonomisë po përballen me vështirësi të mëdha. Fasoneria po falimenton, bujqësia mbetet pa mbështetje, industria përpunuese humbet konkurrueshmërinë dhe biznesi i vogël përballet me rritjen e vazhdueshme të kostove.
“Për ta nuk ka paketa të posaçme, nuk ka lehtësi fiskale dhe nuk ka VKM të shkruara me urgjencë”, deklaron ajo.

Tabaku kërkon që qeveria të paraqesë një strategji të plotë për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, të shoqëruar me analizë të ndikimit ekonomik dhe fiskal, rregulla të qarta, transparencë dhe kontroll parlamentar.
“Industria e mbrojtjes është një interes kombëtar. Pikërisht për këtë arsye, ajo nuk mund të ndërtohet mbi të njëjtin model klientelist që prodhoi investitorët strategjikë, PPP-të dhe ligjet me adresë”, përfundon Tabaku.
Sipas deputetes demokrate, Shqipëria ka nevojë për një industri mbrojtjeje që i shërben sigurisë dhe interesave të vendit, jo interesave të një grupi të kufizuar njerëzish pranë pushtetit.

The post Përjashtimi i KAYO-s nga TVSH-ja , Tabaku: Një tjetër skemë privilegjesh me adresë appeared first on Revista Monitor.

Raporti mes kredive dhe depozitave kaloi nivelin e 50% në 2025

7 August 2026 at 11:00

Raporti mes kredive dhe depozitave të sektorit bankar përsëri vitin e kaluar. Sipas Bankës së Shqipërisë, ky tregues arriti në nivelin 51.54%, nga 49.55% që kishte qenë një vit më parë.

Rritja e këtij raporti është nxitur nga zgjerimi i shpejtë i kreditimit të ekonomisë vitin e kaluar, përkundrejt një rritjeje më të ngadaltë të depozitave të publikut.

Sipas Bankës së Shqipërisë, raporti aktual reflekton një strukturë bilanci që krijon lehtësi në administrimin e likuiditetit si dhe stimuj potencialë në kredidhënie.

Gjatë vitit 2025, treguesi është zgjeruar, për shkak të ritmeve të ndryshme të ecurisë së portofolit të kredisë dhe totalit të depozitave ku portofoli i kredisë ka njohur rritje më të lartë, kundrejt rritjes së depozitave).

Raporti kredi/depozita është më i lartë në monedhën vendase, në nivelin 59.1%, ndërkohë që në valutë ky tregues qëndron në nivelin prej 44.3%. Megjithatë, si në valutë ashtu edhe në monedhën vendase, ky tregues është rritur krahasuar me një vit më parë.

Raporti më i lartë për Lekun ilustron rritjen e shpejtë të kreditimit në monedhën vendase gjatë viteve të fundit, ndërkohë që rritja e depozitave ka ardhur kryesisht në monedhën Euro.

Portofoli i kredisë për ekonominë në fund të vitit 2025 arriti vlerën e 888 miliardë lekëve, me një rritje prej 13.9% krahasuar me një vit më parë. Rritja e portofolit u përmirësua më tej krahasuar me rritjen prej 12.4% të një viti më parë. Kjo ishte njëkohësisht rritja më e lartë e portofolit të kredisë në 16 vitet e fundit.

Rritja vjetore e portofolit total për bizneset ishte 10% (nga 11.4% një vit më parë), ndërsa për individët rritja ishte 19.9% (nga 13.9% një vit më parë).

Sipas monedhës, rritja e kredisë edhe vitin e kaluar u mbështetet sidomos nga financimet në monedhën vendase. Portofoli i kredisë në Lekë arriti në 55.8% të portofolit të kredisë për ekonominë, nga 54.7% që zinte një vit më parë.

Në fund të 2025, vlera totale e depozitave të sistemit bankar arriti në 1.84 trilionë lekë, me një rritje vjetore prej 9.1% krahasuar me një vit më parë. Pesha e monedhës vendase në totalin e depozitave është rritur në 48.6%, nga 47.6% një vit më parë. Kjo tregon se depozitat në Lekë u rritën me ritme më të larta vitin e kaluar, megjithëse ecuria e depozitave në valutë të huaj përsëri u ndikua lehtë negativisht nga forcimi i Lekut në kursin e këmbimit valutor.

Shpërndarja e depozitave përgjatë vitit 2025 reflekton një rritje më të lartë në llogaritë rrjedhëse pasuar nga depozita me afat, ndërkohë që depozitat pa afat kanë njohur një rritje të lehtë./ E.Shehu

 

The post Raporti mes kredive dhe depozitave kaloi nivelin e 50% në 2025 appeared first on Revista Monitor.

Një në dhjetë drejtorë marketingu bëhet CEO. E habitshme është që nuk janë më shumë

7 August 2026 at 10:01

Rritja është objektivi kryesor i shumicës së organizatave – dhe kjo varet nga aftësia për të mbledhur informacionin e duhur, për ta interpretuar atë dhe për të ndërtuar një strategji efektive. Pikërisht këtë bëjnë drejtuesit e marketingut çdo ditë.

 

Nga Mike Fantis*

 

Marketingu, tradicionalisht, rrallëherë konsiderohej si rruga drejt postit të drejtorit të përgjithshëm. Por diçka ka ndryshuar.

Sipas një studimi të fundit të kompanisë amerikane të konsulencës Spencer Stuart, një në dhjetë drejtorë marketingu (Chief Marketing Officer – CMO) bëhet CEO. Arsyeja e këtij ndryshimi është se bordet drejtuese po e kuptojnë gjithnjë e më shumë se marketingu nuk mund të shihet më thjesht si një qendër kostosh.

Ata që e konsiderojnë këtë një fenomen kalimtar duhet të kujtojnë se kompani të mëdha si Unilever, Starbucks dhe Kraft Heinz kanë regjistruar rritje të konsiderueshme nën drejtimin e ish-drejtorëve të marketingut.

Drejtuesit më të mirë të marketingut mendojnë si drejtues të gjithë biznesit. Ata interpretojnë sinjalet e tregut, harmonizojnë funksionet e ndryshme të kompanisë, balancojnë vendimet afatshkurtra me ato afatgjata dhe i kthejnë të dhënat në veprim. Për më tepër, ata janë zakonisht të vetmit që kuptojnë të gjithë rrugëtimin e klientit.

 

Aftësi që shkojnë përtej marketingut

Drejtimi i një organizate komplekse është, natyrisht, një detyrë shumë më e madhe sesa menaxhimi i një fushate marketingu. Megjithatë, aftësitë që kërkohen nuk janë aq të ndryshme.

Në ekonominë e sotme dixhitale, të kuptosh klientin do të thotë të kuptosh të dhënat. Në një ekonomi globale gjithnjë e më të paqëndrueshme, ndërtimi i strategjive të rritjes mbi analiza të mëdha të të dhënave është bërë më i rëndësishëm se kurrë.

Drejtuesit e marketingut duhet të jenë njëkohësisht të aftë të shfrytëzojnë shpejt mundësitë e reja dhe të ndërtojnë strategji afatgjata. Ata janë mësuar të analizojnë shtresa të ndryshme të dhënash për të zbuluar sjellje të reja të konsumatorëve dhe kjo mënyrë të menduari i ndihmon gjithashtu të interpretojnë zhvillimet ekonomike, sociale dhe gjeopolitike.

 

Një nga rolet më të vështira në kompani

Të mbijetosh dhe të kesh sukses si CMO nuk është e lehtë.

Marketingu nuk është një disiplinë “e butë”, siç është konsideruar shpesh në të kaluarën. Përkundrazi, gjatë viteve të fundit, ndoshta asnjë rol tjetër në nivelet më të larta drejtuese nuk është përballur me ndryshime kaq të mëdha dhe kaq të shpejta.

Disa drejtues marketingu kanë kaluar nga epoka analoge në atë dixhitale. Më pas u është dashur të përshtaten me ndryshimet e algoritmeve të Google, me ekosistemin e Meta-s dhe, tani, me epokën e inteligjencës artificiale dhe të kërkimeve pa klikime (“zero-click”).

Në të njëjtën kohë, buxhetet e marketingut janë zakonisht të parat që shkurtohen kur kompanitë përballen me vështirësi financiare, edhe pse prej tyre pritet të vazhdojnë të gjenerojnë rritje.

Studimi më i fundit i Gartner tregon se buxheti mesatar i marketingut në vitin 2025 mbeti 7.7% e të ardhurave totale të kompanive, për të dytin vit radhazi, dhe nuk pritet të ndryshojë ndjeshëm as gjatë vitit 2026.

Kjo ka bërë që pritshmëria për të arritur më shumë rezultate me më pak burime të konsiderohet tashmë normale.

 

Më shumë sesa specialistë marketingu

Në këtë kontekst, drejtuesit e marketingut janë bërë gjithnjë e më të aftë edhe të promovojnë punën e tyre. Qoftë vetëpromovim apo vetëmbrojtje, kjo është një qasje e arsyeshme kur buxhetet janë vazhdimisht nën presion.

CMO-t më të mirë janë profesionistë shumëdisiplinorë: të fortë në menaxhim, realistë, të orientuar nga të dhënat, të përqendruar te njerëzit dhe të fokusuar te rezultatet.

Nuk ka asnjë arsye pse dikush që i përdor me sukses këto aftësi dhe mban përgjegjësi financiare në një rol kaq kompleks, të mos jetë në gjendje t’i shtrijë ato edhe në drejtimin e gjithë kompanisë.

Një drejtues efektiv marketingu zakonisht ndërton marrëdhënie të forta me departamentet e tjera për të siguruar informacionin që i nevojitet. Pikërisht kjo e bën të aftë të bashkojë ekipin drejtues rreth objektivave të përbashkëta dhe të udhëheqë ndryshimet strategjike në organizatë.

 

Ata kanë në dorë edhe të dhënat më të vlefshme

Drejtuesit e marketingut jo vetëm që kanë prirje natyrore për lidership, por administrojnë edhe disa nga burimet më të pasura të informacionit në kompani.

Të dhënat që gjenden në platformat CRM, sistemet e marketingut dhe regjistrat e komunikimit me klientët ofrojnë një pamje shumë më të gjerë të shëndetit të organizatës dhe duhet të përdoren më shumë në hartimin e strategjisë së biznesit.

Në marketing përdoret shpesh shprehja “problemi pas kërkesës”. Përpara se të shpenzohen para për një fushatë, të dhënat analizohen për të kuptuar se cili është problemi i vërtetë që strategjia duhet të zgjidhë.

Shpesh ai nuk lidhet vetëm me njohjen e markës. Mund të vijë nga problemet në zinxhirin e furnizimit, aktiviteti i konkurrentëve ose cilësia e shërbimit ndaj klientit.

Në fund të fundit, suksesi afatgjatë i çdo organizate varet nga rritja. Dhe rritja kërkon informacionin e duhur për tregun dhe klientët, interpretimin e tij dhe ndërtimin e strategjisë së duhur – pikërisht atë që drejtuesit e marketingut bëjnë çdo ditë.

Për shkak se kuptojnë se bashkëpunimi mes departamenteve përmirëson përvojën e klientit, prirja e tyre natyrore është të thyejnë barrierat organizative dhe të nxisin bashkëpunimin.

Cilësia më e rëndësishme që ata sjellin në tryezën e vendimmarrjes është se e kuptojnë se rritja kërkon ndryshim, ndërsa ndryshimi kërkon ekipe të fuqizuara dhe të integruara.

Derisa më shumë CEO t’u japin drejtuesve të marketingut hapësirën dhe burimet për të vepruar sipas këtij vizioni, alternativa më pragmatike për ta mbetet të synojnë vetë postin e CEO-së.

Nuk është aspak çudi që një në dhjetë prej tyre arrin ta bëjë këtë. Më e habitshme është që ky numër nuk është edhe më i madh./ Management Today

 

*Mike Fantis është partner menaxhues i zyrës së Londrës të agjencisë së medias DAC.

The post Një në dhjetë drejtorë marketingu bëhet CEO. E habitshme është që nuk janë më shumë appeared first on Revista Monitor.

Vala e të nxehtit po ndryshon mënyrën si bëjnë ulje dyqanet

7 August 2026 at 10:00

Valët e të nxehtit nuk po ndikojnë vetëm shëndetin apo turizmin. Tashmë ato po ndryshojnë edhe mënyrën se si funksionon tregtia me pakicë.

Franca ka vendosur të zgjasë me një javë sezonin zyrtar të uljeve verore, pasi temperaturat rekord i mbajtën konsumatorët larg dyqaneve.

Sipas qeverisë franceze, uljet nisën më 24 qershor, pikërisht në kulmin e një vale të jashtëzakonshme të të nxehtit, me temperatura që në disa zona kaluan 40°C. Në vend që të dilnin për pazar, shumë konsumatorë zgjodhën të qëndronin në ambiente me ajër të kondicionuar ose në shtëpi, duke ulur ndjeshëm fluksin në qendrat tregtare.

Ky është një shembull i qartë se si klima po ndryshon ekonominë e konsumit. Për dekada, shitjet sezonale janë planifikuar sipas kalendarit, por tani bizneset po detyrohen të marrin në konsideratë edhe motin. Kur temperaturat bëhen ekstreme, njerëzit blejnë më pak, shtyjnë blerjet ose zhvendosen drejt kanaleve online.

Fenomeni nuk kufizohet vetëm në Francë. Gjiganti suedez i modës së shpejtë H&M ka bërë të ditur se po rishikon strategjinë e koleksioneve për shkak të verave gjithnjë e më të gjata dhe më të nxehta. Kompania po prodhon veshje të vjeshtës me materiale më të lehta, pasi konsumatorët vazhdojnë të kërkojnë rroba verore edhe në fund të shtatorit. Sipas drejtuesve të saj, sezonaliteti tradicional i modës po ndryshon.

Edhe përbërja e kërkesës po transformohet. Gjatë ditëve me vapë ekstreme rritet menjëherë interesi për pantallona të shkurtra, bluza pa mëngë, lino, rroba banje, ventilatorë dhe pajisje portative ftohëse, ndërsa shitjet e xhaketave apo veshjeve të trasha shtyhen për më vonë.

Për ekonomistët, kjo tregon se ndryshimet klimatike nuk po prekin vetëm bujqësinë, energjinë apo sigurimet. Ato po ndryshojnë edhe mënyrën se si bizneset planifikojnë inventarin, fushatat promocionale dhe kalendarin e shitjeve. Nëse deri dje zbritjet vendoseshin sipas datës në kalendar, sot ato po varen gjithnjë e më shumë nga termometri./ REUTERS

The post Vala e të nxehtit po ndryshon mënyrën si bëjnë ulje dyqanet appeared first on Revista Monitor.

Gjashtë nga tetë kompani të sigurimeve i rritën fitimet për vitin 2025

7 August 2026 at 10:00

Kompanitë e sigurimeve në tregun e Jo-Jetës e mbyllën të gjitha me fitim vitin 2025, ndërsa shumica e tyre e përmirësuan rezultatin financiar krahasuar me një vit më parë.

Sipas informacionit nga pasqyrat e audituara financiare të kompanive, Sigal Insurance Group raportoi një fitim neto prej gati dy miliardë lekësh, me diferencë të ndjeshme nga kompanitë e tjera.

Fitimi i Sigal (i konsoliduar me filialet e tjera të grupit brenda dhe jashtë vendit, përfshi ato në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut) u rrit me 267% krahasuar me një vit më parë.

Rritja e fortë e fitimit të Sigal u përcaktua pjesërisht nga rritja e të ardhurave neto nga veprimtaria e sigurimit (me 6% krahasuar me 2024), por sidomos nga rritja e zërit të të ardhurave të tjera.

Në veçanti, Sigal raportoi një rritje të fortë në zërin e të ardhurave nga rimbursimi i dëmeve, që arritën në 814 milionë lekë, 331% më shumë krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, edhe shpenzimet neto për dëme u ulën me 7% krahasuar me një vit më parë.

Edhe në nivel të pasqyrave financiare individuale (përjashtuar rezultatin e filialeve), Sigal raportoi një rritje të fortë të fitimit në 1.24 miliardë lekë, tre herë më shumë krahasuar me një vit më parë.

Eurosig për vitin 2025 raportoi një fitim neto në vlerën e 726 milionë lekëve, në rritje me pothuajse 7% krahasuar me një vit më parë. Eurosig raportoi rritje të primit të fituar neto me gati 10%, por kjo rritje u balancua nga rënia e të ardhurave financiare nga investimet dhe nga rritja e shpenzimeve, duke përfshirë ato për dëme.

Përcaktuese në rezultatin financiar me fitim dhe me një rritje të lehtë ishte një e ardhur shtesë në zërin të “fitime të tjera”, e paspecifikuar më tej në pasqyrat financiare të kompanisë.

Albsig për vitin 2025 raportoi një fitim neto në vlerën e 376 milionë lekëve, në rritje me 22.5% krahasuar me një vit më parë. Përcaktues në rritjen e fitimit të Albsig ishte rritja e të ardhurave neto, kryesisht të të ardhurave neto nga primet e sigurimit, si edhe rritja në zërin e të ardhurave nga shitja e aktiveve afatgjata materiale neto.

Kompania Sigma Vienna Insurance Group e mbylli vitin 2025 me një fitim neto në vlerën e 251 milionë lekëve, në rënie me 22% krahasuar me një vit më parë.

Rënia e fitimit erdhi kryesisht për shkak të rritjes më të lartë të shpenzimeve për dëme dhe shpenzimeve të tjera të aktivitetit në raport me rritjen e të ardhurave neto nga veprimtaria e sigurimit dhe të ardhurave të tjera.

Insig gjithashtu rriti ndjeshëm fitimin për vitin 2025, me një fitim në vlerën e 243 milionë lekëve, në rritje me 440% krahasuar me një vit më parë. Rritja e fitimit të Insig u përcaktua kryesisht nga rritja e primit të fituar neto.

Intersig e mbylli vitin me fitim në vlerën e 184 milionë lekëve, në rritje me 14.2% krahasuar me një vit më parë. Faktori me peshën kryesore në rritjen e fitimi ishte përmirësimi i primit të fituar neto.

Edhe Atlantik e mbylli vitin 2025 me fitim neto në vlerën e 148 milionë lekëve, por me një rënie të lehtë prej 2% krahasuar me vitin 2024. Rënia e fitimit ka ardhur kryesisht si rezultat i zgjerimit të vlerës së dëmeve neto të paguara.

Edhe kompania Ansig vitin e kaluar ka arritur një fitim në vlerën e 0.4 milionë lekëve, në përmirësim nga rezultati me humbje afërsisht 24 milionë lekësh i një viti më parë.

Sipas shifrave zyrtare nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), fitimi total në nivel tregu sigurimesh për 2025 arriti në 3.54 miliardë lekë ose 36.6 milionë euro. Fitimi i tregut u rrit me 55.8% krahasuar me një vit më parë. / E.Shehu

Burimi: Pasqyrat e audituara financiare

The post Gjashtë nga tetë kompani të sigurimeve i rritën fitimet për vitin 2025 appeared first on Revista Monitor.

Pagat neto reale në Rumani mbeten të ulëta që prej mesit të vitit 2025

7 August 2026 at 09:45

Paga mesatare mujore neto në Rumani u rrit me 3.2% me bazë vjetore, në 5,684 RON (€1,086) në maj, por përshpejtimi i inflacionit i uli pagat reale me 6.9% në terma vjetorë, rënia më e fortë vjetore e fuqisë blerëse në dekadën e fundit, sipas të dhënave të publikuara nga Instituti Kombëtar i Statistikave (INS).

Inflacioni i çmimeve të konsumit arriti në 10.85% me bazë vjetore në maj, duke e tejkaluar ndjeshëm rritjen nominale të pagave.

Pavarësisht rënies së fortë vjetore, pagat reale mbeten dukshëm mbi nivelet e para pandemisë. Në terma absolutë, paga mesatare neto është ende rreth 10% mbi mesataren e vitit 2019, ndonëse fuqia blerëse është përkeqësuar ndjeshëm që prej mesit të vitit 2025, kur inflacioni u përshpejtua pas masave fiskale dhe liberalizimit të çmimeve të energjisë elektrike.

Gjatë tre tremujorëve të fundit, pagat neto reale janë stabilizuar përgjithësisht në rreth 110% të nivelit të tyre të vitit 2019, duke përjashtuar muajt kur paguhen shpërblimet vjetore. Kjo krahasohet me rreth 105% ose më pak gjatë viteve 2021-2022, duke treguar se familjet kanë ruajtur një pjesë të përfitimeve të brishta të grumbulluara gjatë rimëkëmbjes pas pandemisë, pavarësisht goditjes së fundit inflacioniste. Megjithatë, krahasuar me rritjen e fortë të pagave reale gjatë periudhës 2015-2020, kur ato u rritën mesatarisht me 10% në vit, kjo ecuri është zhgënjyese.

Tkurrja e fuqisë blerëse vijon megjithatë të rëndojë mbi besimin e konsumatorëve. Shitjet me pakicë kanë rënë me rreth 5% që prej mesit të vitit 2025, duke sugjeruar se familjet po reagojnë jo vetëm ndaj rritjes më të ulët të të ardhurave reale, por edhe ndaj pasigurisë së shtuar mbi të ardhurat e ardhshme.

Perspektiva për pagat mbetet e përzier. Në sektorin publik, pagat kanë qenë përgjithësisht të ngrira që prej nëntorit 2024 dhe, sipas kuadrit aktual, duhet të rriten nga janari 2027. Megjithatë, mungesa e konsensusit politik për Ligjin e ri të Pagave në sektorin publik dhe për reformën më të gjerë të administratës publike ka krijuar pasiguri nëse këto rritje do të realizohen dhe në çfarë forme.

The post Pagat neto reale në Rumani mbeten të ulëta që prej mesit të vitit 2025 appeared first on Revista Monitor.

Bursa të plota për diploma masteri në universitete britanike, hapen aplikimet

7 August 2026 at 09:38

Aplikimet për bursat Chevening për të studiuar në Mbretërinë e Bashkuar janë të hapura nga 4 gushti deri më 6 tetor 2026, njoftoi Ambasada Britanike në Tiranë.

Programi ofron diploma masteri plotësisht të financuara në universitete britanike për individë të gatshëm t’i bashkohen një rrjeti global të liderëve të së ardhmes, të pajisur me njohuri të nivelit botëror, lidhje me Mbretërinë e Bashkuar dhe vlera të përbashkëta për të adresuar sfidat globale dhe për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm në komunitetet e tyre dhe më gjerë.

“Për më shumë se 40 vjet, Chevening ka tërhequr qindra mijë aplikime në mbarë botën. Aplikantët e suksesshëm janë individë që ndajnë vizionin tonë për ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurtë, begatë dhe qëndrueshme, dhe që mund të pasqyrojnë qartë aftësi të jashtëzakonshme udhëheqjeje, ndikimi dhe krijimi rrjetesh përmes shembujve bindës të mbështetur në fakte”, thuhet në njoftim.

Emma Hennessey, Drejtoreshë e Departamentit të Bursave në Ministrinë e Jashtme të Commonwealth-it dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar (FCDO), tha: “Chevening është në kërkim të individëve të jashtëzakonshëm që janë të gatshëm të bashkëpunojnë me Mbretërinë e Bashkuar për të ndihmuar në ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurtë, më të begatë dhe më të qëndrueshme.

Ne jemi të përkushtuar për të ndërtuar një grup të larmishëm dhe gjithëpërfshirës liderësh globalë të së ardhmes, ndaj jemi veçanërisht të interesuar të pranojmë aplikime nga grupe të nënpërfaqësuara.

Bursistët dhe pjesëmarrësit tanë përzgjidhen jo vetëm për arritjet e tyre, por edhe për potencialin e tyre udhëheqës, aftësinë për të krijuar lidhje domethënëse dhe angazhimin për të sjellë ndikim të qëndrueshëm në komunitetet e tyre dhe në nivel global.

Përmes qasjes në arsimin britanik, rrjetet dhe përvojat që ofron Mbretëria e Bashkuar, Chevening i pajis liderët e së ardhmes me mjetet dhe lidhjet e nevojshme për të adresuar së bashku sfidat e përbashkëta ndërkombëtare.

Inkurajoj këdo që po konsideron të aplikojë të reflektojë me kujdes mbi vizionin dhe qëllimin e Chevening, si dhe mbi mënyrën se si përvojat dhe ambiciet e tyre përputhen me ndikimin që komuniteti ynë global po punon të arrijë.”

Ambasada sqaron se kandidatët e interesuar mund të dorëzojnë aplikimet e tyre në:http://chevening.org/apply

Që nga fillimi i programit në Shqipëri në vitin 1992, rreth 300 profesionistë të rinj kanë avancuar karrierën e tyre përmes Chevening, duke dëshmuar angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për zhvillimin e liderëve të së nesërmes, përfundon njoftimi.

The post Bursa të plota për diploma masteri në universitete britanike, hapen aplikimet appeared first on Revista Monitor.

Zhvilluesit e aplikacioneve Android ndajnë, pa e ditur, vendndodhjen e përdoruesve me reklamuesit

7 August 2026 at 09:30

Për shumë aplikacione, leja për të përdorur vendndodhjen e saktë të telefonit është e nevojshme. Një aplikacion moti duhet të dijë ku ndodheni për t’ju treguar parashikimin, ndërsa një aplikacion fitnesi mund ta përdorë atë për të regjistruar itinerarin tuaj.

Megjithatë, disa aplikacione po ua transmetojnë pa dashje këto të dhëna palëve të treta, përfshirë reklamuesit dhe ndërmjetësit e të dhënave. Sipas gjetjeve të reja të Electronic Frontier Foundation (EFF), kjo ndodh sepse zhvilluesit mund të mos e dinë se mbledhja e të dhënave është aktivizuar automatikisht.

Problemi lidhet me pjesë kodi të palëve të treta, të njohura si SDK, të cilat zhvilluesit i integrojnë në aplikacionet e tyre. Nëse përdoruesi i jep aplikacionit leje për vendndodhjen, edhe SDK-ja mund ta përfitojë atë leje dhe të mbledhë koordinatat e sakta, përveçse kur zhvilluesi e çaktivizon vetë këtë funksion.

EFF paralajmëron se shumë zhvillues mund të mos jenë të vetëdijshëm se po ndajnë të dhënat e përdoruesve dhe u kërkon kompanive të çaktivizojnë çdo mbledhje informacioni që nuk është e domosdoshme.

SDK-të reklamuese u ofrohen zhvilluesve si mënyrë për të siguruar të ardhura nga aplikacionet. Por historiku i vendndodhjes së përdoruesve mund të përfundojë te ndërmjetësit e të dhënave, të cilët e tregtojnë atë. Ky informacion është shitur më pas te ushtritë, qeveritë dhe agjencitë e inteligjencës, përfshirë FBI-në. Ai përbën gjithashtu rrezik për privatësinë dhe sigurinë nëse vidhet ose ekspozohet gjatë sulmeve kibernetike.

Mes aplikacioneve Android që EFF zbuloi se ndanin në heshtje të dhënat e vendndodhjes ishin dy aplikacione me gjithsej 60 milionë shkarkime. Organizata e zbuloi këtë duke analizuar trafikun e tyre në internet dhe shërbimet që merrnin informacionin.

Sipas Bill Budington nga EFF, SDK-të e analizuara përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël të ekosistemit të reklamave, por kompanitë që i ofrojnë ato pretendojnë se arrijnë miliarda përdorues përmes dhjetëra mijëra aplikacioneve. Kjo tregon përmasat e mundshme të mbledhjes së këtyre të dhënave.

EFF thekson se Android nuk ka leje të veçanta për vendndodhjen vetëm për SDK-të. Pra, kur përdoruesi lejon një aplikacion të përdorë vendndodhjen, informacioni mund t’u kalojë automatikisht edhe reklamuesve.

Sipas organizatës, leja e dhënë në nivel aplikacioni nuk mund të konsiderohet miratim i mirëfilltë për mbledhjen dhe shpërndarjen e të dhënave nga kompanitë e reklamave. Ndarja e informacionit personal—sidomos e vendndodhjes—nuk duhet të jetë zgjedhja automatike./TECH CRUNCH

The post Zhvilluesit e aplikacioneve Android ndajnë, pa e ditur, vendndodhjen e përdoruesve me reklamuesit appeared first on Revista Monitor.

Gara e ekranit në 2025-n, tregu arrin 70 mln euro; “TV Klan” dhe “Top Channel” marrin 63%

7 August 2026 at 06:02

Të ardhurat e 10 televizioneve kryesore në vend arritën në rreth 6.8 miliardë lekë në vitin 2025, apo në rreth 70 milionë euro.

Në krahasim me një vit më parë, të ardhurat shënuan rritje të lehtë me 3%, pas rënies me 0.5% në 2024-n, por larg ritmeve dyshifrore të zgjerimit prej 14% në vitin 2023.

Të dhënat u përpunuan nga “Monitor”, bazuar në bilancet e kompanive, të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Të ardhurat e operatorëve vijnë në pjesën më të madhe nga reklamat, apo dhe nga sinjalet e transmetimit.

Dy televizionet më të mëdha “TV Klan” dhe “Top Channel” vijojnë të dominojnë dukshëm skenën e ekranit, duke marrë të dyja së bashku 63% të tregut në 2025-n.

Nga 9 televizionet që i kanë raportuar bilancet e 2025-s, vetëm dy prej tyre kanë shënuar rënie të të ardhurave, ndërsa të tjerat kanë arritur të rriten lehtë me ritme një shifrore.

Ndonëse mund të kenë ndikim përmes audiencës, televizionet, sidomos ato të lajmeve, nuk rezultojnë një biznes fitimprurës, me përjashtim të dy të mëdhenjve. Në vitin 2025, rezultati financiar i 9 televizioneve ishte vetëm 550 milionë lekë (më pak se 6 milionë euro), teksa katër prej tyre ishin me humbje.

Duke hequr televizionet me humbje, fitimet ishin 836 milionë lekë, me 87% të të cilave i përkasin “Klan” dhe “Top Channel”. Në krahasim me 2024-n, shumica e televizioneve i përmirësuan fitimet, që gjithsesi mbeten shumë të ulëta në raport me kapitalin që vihet në punë dhe të ardhurat.

Prej vitesh tregu ka hyrë në ngërç, pasi kriza ekonomike dhe mos hyrja e kompanive të reja në vend po ndikon buxhetet e reklamave dhe rrjedhimisht dhe të ardhurat e televizioneve.

Një tjetër ndikim ka ardhur nga zhvillimi i platformave digjitale, ku reklamuesit po kalojnë më shumë buxhet për të arritur audienca më të targetuara. Biznesi i televizioneve duket se po konkurrohet ndjeshëm nga zhvendosja e reklamave në rrjetet sociale dhe në marketingun direkt që bëhet përmes influencuesve.

Më herët, tatimet njoftuan se nisën hetimin ndaj 100 individëve/subjekteve për të ardhurat e përfituara nga platformat sociale. Bëhet fjalë për platformat Facebook; TikTok; YouTube; Instagram; Google; PayPal. Tatimet bënë të ditur se nga verifikimet paraprake dyshohet se janë rreth 33 milionë euro të padeklaruara.

Kjo shumë është 47% e të ardhurave që 10 televizionet gjeneruan në 2024-n, me burimin kryesor që janë reklamat e bizneseve.

Problem është dhe mungesa e matjes së audiencës. “Megjithëse aktualisht mungojnë të dhënat zyrtare të publikuara mbi investimin total të publicitetit në mediat e ndryshme, përsëri është lehtësisht e dallueshme se tregu i mediave televizive përthith pjesën më të madhe të këtij investimi.

Ky fakt, e bën tregun e mediave televizive tërheqës nga pikëpamja e investitorëve, por në të njëjtën kohë ekzistojnë barriera si të karakterit rregullator ashtu edhe të karakterit financiar”, thuhet në raportin vjetor të “Top Channel”.

“Mungesa e një tregu të formuar, nxit parashikime teorike, ndërsa mungesa e matësve të audiencës rrit koston e segmentimit”, theksohet në raportin vjetor të Vizion Plus.

Tregu i televizioneve kërkon dhe investime të vazhdueshme, që nuk mundësohen nga të ardhurat dhe rentabiliteti i tij.

“Teknologjia e transmetimeve televizive përjeton një zhvillim shumë të shpejtë, i cili kërkon në mënyrë të vazhdueshme investime teknologjike, jo gjithmonë të përballueshme duke pasur parasysh karakteristikat e tregut shqiptar (popullsi e vogël, dhe të ardhura për frymë të ulëta në krahasim me vendet e Komunitetit Europian”, thuhet në raportin vjetor të “Top Channel”.

 

GARA E TELEVIZIONEVE

“TV Klan” kryeson renditjen si televizioni më i madh në vend prej disa vitesh. Në 2025-n, të ardhurat ishin 2.3 miliardë lekë, me një rritje prej 3.2% me bazë vjetore.

Sipas raportit vjetor,  burimi kryesor i të ardhurave mbetet transmetimi i spoteve publicitare në televizion (1,3 miliardë lekë), i ndjekur nga të ardhurat nga sinjali (309.0 milionë lekë), të ardhura të tjera televizive, blerja e kohës televizive, reklama në web dhe në platformën OTT, si dhe abonimet OTT.

Televizioni raporti fitime prej 484 milionë lekësh, me rritje 56%, që sipas raportit erdhi kryesisht si rezultat i uljes së kostove për blerjen e të drejtave televizive dhe të shpenzimeve administrative.

“Top Channel” është i dyti më i madh në vend. Të ardhurat e televizionit ishin 1.95 miliardë lekë në 2025, me zgjerim prej 3.3% me bazë vjetore. Fitimet para taksave ishin 242 milionë lekë, me rritje prej 54%.

“Media Vizion” (Vizion Plus)  raportoi të ardhura prej 655 milionë lekë, pothuajse në të njëjtin nivel me vitin e mëparshëm, pas rritjes dy shifrore të dy viteve të mëparshme. Fitimet mbetën minimale në 25 milionë lekë, nga 22 milionë lekë në 2024-n.

“TV A2” , i katërti më i madh në vend, nuk ka deklaruar ende bilanc për 2025-n. Në 2024-n, të ardhurat ishin 446 milionë lekë, ndërsa fitimet 4.2 milionë lekë.

“ABC News” raportoi rritje të ardhurash me 29%, në 376 milionë lekë, pas rënies në 2024-n. Televizioni deklaroi për herë të parë një fitim prej 85 milionë lekësh.

“Report TV” (MTSC) deklaroi të ardhura prej 309 milionë lekë, me rritje 6%. Televizioni raportoi humbje prej 18 milionë lekësh.

“News 24” ka raportuar rritje të të ardhurave me 6%, në 274 milionë lekë. Televizioni i lajmeve ka deklaruar humbje prej 114 milionë lekësh.

“EuroNews” ka deklaruar rënie të të ardhurave për të dytin vit radhazi, me 4.6%, në 185 milionë lekë. Kompania vijon të dalë me humbje që nga fillimi i aktivitetit, që në 2025-n ra në 109 milionë lekë, nga 139 milionë lekë në 2024-m.

Televizioni “Scan”, me fokus në lajmet ekonomike, shënoi rritje të fortë të të ardhurave, me 46%, në 174 milionë lekë, ndërsa kaloi nga humbjet në fitim minimal.

“MCN TV” (Johaniteri) kishte një vit me rënie të të ardhurave, pas rritjes së fortë në 2024-n. në 2025-n, qarkullimi vjetor ishte 72 milionë lekë, me tkurrje prej rreth 33%, ndërsa vijon të deklarojë humbje, që arritën në 49 milionë lekë.

“Syri TV” nuk deklaron bilanc që nga viti 2023, kur të ardhurat ishin 13 milionë lekë. Tre televizione të tjera janë praktikisht ta falimentuara, ndonëse vazhdojnë të transmetojnë sinjal: FAX NEWS (Fax Media Neës); TV ORA (“Ora” sh.a); ORA NEWS/ O.Liperi

 

 

Burimi: Bilancet, përpunime të Monitor

The post Gara e ekranit në 2025-n, tregu arrin 70 mln euro; “TV Klan” dhe “Top Channel” marrin 63% appeared first on Revista Monitor.

Shqipëria, në fund të Europës për trajtimin e ujërave të ndotura, mbulohet vetëm 12.6% e popullsisë

7 August 2026 at 06:01

Shqipëria ka një nga nivelet më të ulëta në Europë për lidhjen e popullsisë me sistemet e trajtimit të ujërave të ndotura.

Në vitin 2024, vetëm 12.6% e popullsisë rezultonte e lidhur me impiante që ofrojnë të paktën trajtim dytësor të ujërave të ndotura, sipas të dhënave të Eurostat. Treguesi mat pjesën e popullsisë së lidhur me sisteme ku ujërat e ndotura i nënshtrohen të paktën trajtimit biologjik, përpara se të shkarkohen në mjedis.

Të dhënat tregojnë gjithashtu një përkeqësim të fortë të treguesit në vitet e fundit. Përqindja për Shqipërinë ishte 33.6% në vitin 2018, ra në 30.9% në vitin 2020 dhe më pas zbriti në 12.6 % në vitin 2024.

Krahasuar me vitin 2018, pjesa e popullsisë së mbuluar nga trajtimi i ujërave të ndotura është reduktuar me 21 pikë përqindjeje, ose me rreth 63%.

Edhe në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria renditet në nivelet më të ulëta. Në vitin 2024, Serbia e kishte treguesin në rreth 15.5%, rreth 3 pikë përqindjeje më të lartë se Shqipëria.

Bosnjë-Hercegovina raportonte një mbulim prej 36.5%, ndërsa në Turqi rreth 61.1% e popullsisë ishte e lidhur me sisteme trajtimi të paktën dytësor.

Diferenca është edhe më e madhe me vendet e Bashkimit Europian. Mesatarja e BE-së arriti në 80.7% në vitin 2023, ose rreth gjashtë herë më shumë se niveli i Shqipërisë në të njëjtin vit.

Në Greqi, treguesi ishte mbi 95%, ndërsa në Gjermani, Holandë, Austri dhe Danimarkë pothuajse e gjithë popullsia është e lidhur me sisteme që kryejnë të paktën trajtim dytësor.

Të dhënat nxjerrin në pah mangësitë e mëdha të Shqipërisë në infrastrukturën e kanalizimeve dhe të përpunimit të ujërave të ndotura. Kapacitetet ekzistuese të impianteve vlerësohen të pamjaftueshme për të mbuluar popullsinë urbane, ndërsa një pjesë e tyre kanë funksionuar nën kapacitet ose kanë qenë jashtë pune.

Kjo rrit rrezikun që një pjesë e madhe e ujërave të përdorura të shkarkohet pa trajtimin e nevojshëm, duke shtuar presionin mbi lumenjtë, liqenet dhe zonat bregdetare.

Për vite me radhë, investimet publike në nivel qendror dhe vendor janë orientuar kryesisht drejt projekteve me efekte të menjëhershme vizuale, si sheshe, fasada, apo rrugë urbane, ndërsa investimet nën tokë, tek rrjetet e kanalizimeve dhe impiantet e pastrimit janë konsideruar nga pushteti qendror dhe vendor si projekte që nuk duken dhe nuk sjellin përfitime të shpejta elektorale.

 

Në të shumtën e rasteve janë investuar miliona euro për asfaltimin e rrugëve apo hapjen e blloqeve të reja banimi, pa u shoqëruar njëkohësisht me shtrimin e rrjeteve të ujësjellës-kanalizimeve. Kjo ka sjellë situatën absurde ku rrugët e reja ribëhen copë-copë pak vite më vonë vetëm për të kaluar tubacionet e ujërave të zeza./ B.Hoxha

The post Shqipëria, në fund të Europës për trajtimin e ujërave të ndotura, mbulohet vetëm 12.6% e popullsisë appeared first on Revista Monitor.

ERRU nis rishikimin e metodologjisë së tarifave të ujit, afati i aplikimeve shtyhet në nëntor

7 August 2026 at 06:00

Enti Rregullator i Ujit ka nisur procedurën për rishikimin e metodologjisë dhe procedurës së miratimit të tarifave të shërbimeve ujësjellës-kanalizime, duke synuar ndryshimin e afateve të aplikimit, rregullimin e periudhave tranzitore dhe krijimin e bazës për mekanizma të rinj tariforë.

Vendimi nr. 22, i miratuar më 20 korrik 2026 nga Komisioni Kombëtar Rregullator, përcakton se procesi i rishikimit duhet të përfundojë deri më 15 shtator 2026.

Për aplikimet e vitit 2026, afati për plotësimin e dokumentacionit për nivele të reja tarifore është shtyrë deri më 30 nëntor.

Sipas metodologjisë aktuale, shoqëritë ujësjellës-kanalizime duhet të paraqisnin dokumentacionin e plotë deri më 30 qershor. Enti konstatoi se aplikimet e depozituara gjatë vitit 2026 kishin mangësi në dokumentacion, ndërsa shoqëritë rajonale kishin kërkuar zgjatjen e afatit.

Ndryshimet e propozuara përfshijnë vendosjen e datës 30 nëntor si afat përfundimtar për aplikimet tarifore dhe parashikimin e një periudhe tranzitore për operatorët, periudha rregullatore e të cilëve përfundon përpara hyrjes në fuqi të vendimit të ri.

Gjatë kësaj periudhe, tarifat dhe kushtet ekzistuese do të mbeten në fuqi, për një afat jo më të gjatë se një vit.

Metodologjia e rishikuar pritet të trajtojë gjithashtu rastet kur një shoqëri nuk kërkon ndryshim tarife pas përfundimit të periudhës rregullatore. Në këto raste, operatori duhet të paraqesë pranë Entit një analizë tekniko-ekonomike të miratuar nga organet drejtuese të shoqërisë.

Shoqëritë që mbulojnë kostot e operimit dhe mirëmbajtjes deri në 100% mund të vijojnë me të njëjtin plan tarifor për një periudhë maksimale prej dy vitesh, ndërsa për operatorët me mbulim të kostove mbi 100% parashikohet vijimi me të njëjtin nivel tarifor për një vit.

Vendimmarrja për afatin do t’i mbetet Komisionit Kombëtar Rregullator.

Një tjetër element i rishikimit është krijimi i bazës rregullatore për tarifa me fasha ose blloqe konsumi, në rastet kur ato justifikohen nga kushte të veçanta operative dhe synojnë garantimin e furnizimit të qëndrueshëm dhe ruajtjen e burimeve ujore.

Propozimi për këtë mekanizëm erdhi pas një kërkese të Agjencisë Kombëtare Ujësjellës Kanalizime për aplikimin e tarifimit sezonal me fasha konsumi në Durrës, Vlorë dhe Sarandë, zona që përballen me ngarkesë të lartë turistike gjatë sezonit.

Sipas vendimit, ndryshimet synojnë të përmirësojnë procesin e aplikimit, cilësinë e dokumentacionit dhe zbatueshmërinë e procedurave tarifore. Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë dhe Drejtoria Tekniko-Ekonomike është ngarkuar me zbatimin e tij./ N.Maho

 

 

The post ERRU nis rishikimin e metodologjisë së tarifave të ujit, afati i aplikimeve shtyhet në nëntor appeared first on Revista Monitor.

Posti i presidenti mban pezull konstituimin e Kuvendit të Kosovës

6 August 2026 at 15:28

Konstituimi i Kuvendit, si hap i parë në procesin e formimit të institucioneve të reja të Kosovës, nuk u përmbyll siç pritej.  Seanca konstituive e së enjtes u shty nga kryesuesi i saj, pas betimit të deputetëve të rinj.

Deputetët e zgjedhur të legjislaturës së 11-të janë mbledhur në seancën konstituive të Kuvendit.

U formua Komisioni i përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe u bë betimi i deputetëve.

Por, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se vazhdimi i procesit të konstituimit të Kuvendit pa një marrëveshje për çështjen e presidentit mund ta vështirësojë arritjen e një dakordimi me njërën partitë parlamentare dhe praktikisht të çojë në zgjedhje të reja.

Në një konferencë për media pas ndërprerjes së seancës konstituive, Kurti ka kërkuar kohë shtesë për vazhdimin e diskutimeve politike, duke thënë se një marrëveshje për presidentin do të mundësonte konstituimin e plotë të institucioneve.

“Çfarëdo konstituimi i Kuvendit pa marrëveshje për çështjen e presidentit praktikisht do të ishte parapërgatitje për shpërndarjen e Kuvendit”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se dhënia e mundësisë për dialog politik është, sipas tij, mënyra e vetme për të arritur një zgjidhje dhe për të shmangur zgjedhjet e reja.

Kurti ka theksuar se që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, kanë dashur t’u japin hapësirë diskutimeve, ashtu siç kishin kërkuar partitë opozitare pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

“LDK-ja i pezulloi bisedimet pas problemeve të brendshme dhe diskutimi i radhës pardje me kryetarin e LDK-së tregoi që nuk ishte kohë e mjaftueshme për të arritur dakordim. Përballë kësaj situate është e nevojshme t’i jepet shans vazhdimit të diskutimeve para se të lëvizim për konstituimin e Kuvendit, që mund ta vështirësonte marrëveshjen potenciale dhe evitimin e zgjedhjeve të radhës”.

Sipas Kurtit, sapo të arrihet marrëveshja për presidentin, do të vazhdohet me procesin e konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të institucioneve.

“Kur ta kemi një marrëveshje, ta ftojmë vazhdimin e seancës konstituive. Kur të jemi të siguruar që kemi bërë gjithçka për të evituar shkuarjen edhe në një palë zgjedhje të panevojshme”, ka deklaruar Kurti.

Ai u ka bërë thirrje për bisedime edhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza e të Aleancës, Ardian Gjini. Ka shtuar se bisedimet me LDK-në do të vazhdojnë.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e ka quajtur të papërgjegjshme kërkesën e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për kohë shtesë për bisedime për presidentin duke e shtyrë seancën konstituive.

Hamza ka thënë se LVV-ja po tregon mungesë serioziteti.

“Siç e vërejtët kjo është një shenjë e mungesës së seriozitetit përgjegjësisë nga partia që ka fituar numrin më të madh të ulëseve. Po shihet se vazhdojnë sjelljet e papërgjegjshme në raport me institucionet. Thirret seanca thuajse në ditën e fundit në përputhje me Kushtetutën që të kemi konstituimin, dhe në fund dalin mbajnë fjalime politike, abuzojnë me pozitën e kryesuesit dhe në vend se të propozojnë emër e shtyjnë propozimin e emrit të kryetarit dhe nuk konstituohet Kuvendi. Kosova vazhdon me vakum institucional”, ka thënë Hamza.  

I pyetur për një takim me Kurtin, Hamza ka theksuar se “s’kemi nevojë të takohemi” duke shtuar se ka pasur mungesë të “një oferte të përgjegjshme”.

Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, mos konstituimin e Kuvendit të Kosovës e ka quajtur taktikë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të fituar kohë që të marrë të tri institucionet kyçe të vendit.

Tahiri ka thënë se s’ka kuptim të kërkohet kohë kur 30 ditë i ka pasur Kurti për diskutime me partitë politike për ndonjë marrëveshje të mundshme për çështjen e presidentit. Tahiri ka ngritur edhe dyshimet nëse Kurti dëshiron të krijojë ndonjë rast për Gjykatën Kushtetuese në mënyrë që të shtyhet edhe më tej konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

“Jeni dëshmitarë të një tendence të skajshme, jashtëzakonisht të dëmshme për Kosovën, të moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës. Ka kaluar afati kushtetues sepse sot janë bërë 30 ditë dhe sot kur është dashur që Kuvendi të jetë funksional, sot del kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe iu thotë qytetarëve na duhet kohë. Po a patët morë burrë kohë 30 ditë për diskutim me partitë politike për një marrëveshje politike. Nëse ka qenë qëllimi që të dalë nga ky rreth vicioz dy-vjeçar pse nuk ka folur me partitë politike për presidentin e Kosovës sepse nyja është te presidenti por e ka neglizhuar deri në këtë ditë. A po dëshiron Kurti që ta krijojë edhe një rast në Gjykatën Kushtetuese që ende të shtyhet konstitutimi. Kjo është taktikë që të marrë ndonjë pazar politik, të fitojë kohë e t’i marrë të gjitha institucionet që në fakt nuk i takojnë një subjekti politik”, ka thënë Tahiri.

Eugen Cakollli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka theksuar se as sot e as nesër, nuk është dita e fundit kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit. Ai ka thënë se afati 60-ditor për këtë proces aktivizohet vetëm ditën pas konstituimittë Kuvendit.

Sipas tij, i vetmi afat që po shkon deri në fund është ai për konstituimin e Kuvendit, i cili siç ka thënë Cakolli, përfundon nesër, në orën 23:59.

“Edhe pse kërkesa për kohë shtesë dhe ndërprerja e seancës nuk përbën shkelje procedurale, të njëjtat nuk e pezullojnë dhe as nuk e zgjasin afatin kushtetues brenda të cilit Kuvendi duhet të konstituohet”, ka shkruar Cakolli në një postim në Facebook.

Ai ka deklaruar se pa u përmbyllur konstituimi, procedura për zgjedhjen e Presidentit nuk fillon fare.

“Pas konstituimit, partitë do t’i kenë të plota 60 ditë për diskutime, marrëveshje dhe zgjedhjen e Presidentit. Prandaj, e pakuptimtë të kërkohet “kohë shtesë për Presidentin” duke e shtyrë pikërisht procesin që e aktivizon atë kohë”.

Seanca konstituive u ndërpre pas betimit të deputetëve. Ka mbetur zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve.

Teksa afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit – që do të hapte rrugën për formimin e qeverisë dhe për zgjedhjen e presidentit të shtetit – skadon të premten në mesnatë, dy partitë ende nuk duken afër një ujdie.

Për më tepër, procesin negociues mund ta ndërlikojë kërkesa e shprehur publikisht e LDK-së që ta ketë postin e presidentit.

Për LVV-në e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, presidenti i ri i vendit duhet të jetë një figurë jopartiake dhe konsensuale, ndërkaq për LDK-në kushdo që i ka 80 vota.

The post Posti i presidenti mban pezull konstituimin e Kuvendit të Kosovës appeared first on Revista Monitor.

❌