Normal view

Hyn në fuqi rregullorja e re, licencat e shoqërive në ndërtim do të vlejnë deri në 5 vjet

21 July 2026 at 15:33

Licencat e shoqërive të ndërtimit do të kenë afat vlefshmërie deri në 5 vite, ndërsa për licencat individuale vlefshmëria e tyre do të jetë pa afat.

Rregullorja e re për licencimin profesional në fushën e ndërtimit përcakton afatet e vlefshmërisë së licencave për shoqëritë dhe individët që ushtrojnë veprimtari në studim, projektim, mbikëqyrje dhe kolaudim të punimeve të ndërtimit.

Sipas rregullores të re të botuar në Fletoren Zyrtare “Për miratimin e rregullores “Për kriteret dhe procedurat e dhënies së licencave profesionale për individë dhe persona juridikë në fushën e studimit e të projektimit në ndërtim dhe të mbikëqyrjes e kolaudimit të punimeve të zbatimit në ndërtim”, licencat profesionale për shoqëritë që kryejnë studim dhe projektim në ndërtim do të jenë të vlefshme për një periudhë sa afati i kontratës me drejtuesin ose drejtuesit teknikë, por në çdo rast jo më shumë se 5 vjet.

Për subjektet e huaja, vlefshmëria e licencës do të përcaktohet sipas afatit të kontratës, kur ajo është me afat, por jo më shumë se 5 vjet. Në rastet kur kontrata nuk ka afat të përcaktuar, licenca do të jetë e vlefshme për 5 vjet.

Të njëjtat rregulla do të zbatohen edhe për licencat profesionale të shoqërive që ushtrojnë veprimtari në mbikëqyrjen dhe kolaudimin e punimeve të zbatimit në ndërtim.

Ndryshe nga shoqëritë, licencat profesionale individuale do të jepen me afat të përhershëm.

Rregullorja përcakton gjithashtu se kërkesa për shtimin e kategorive në një licencë profesionale mund të paraqitet pasi të ketë kaluar një periudhë minimale prej 1 viti nga pajisja me licencë. Ky kufizim nuk zbatohet kur shtimi i kategorive vjen si pasojë e ndryshimit ose shtimit të drejtuesve teknikë të shoqërisë, të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara në rregullore.

Rregullorja përcakton se aplikimi për rinovimin e licencës do të kryhet nëpërmjet e-Albania.

Edhe për pajisje me shtesa në licencën individuale ekzistuese, pasi të plotësohen kufizimet dhe kushtet paraprake të specifikuara në këtë rregullore, aplikimi do të kryhet në portalin “e-Albania” dhe, shoqërohet me: a) aplikimin në portalin unik qeveritar “eAlbania”, ku të përcaktohen kategoritë, të cilat individi kërkon të shtohen në licencën, që disponon nga një aplikim i mëparshëm; b) CV-në e aplikantit, ku të pasqyrohet veprimtaria e tij e kryer nga aplikimi paraardhës; c) dokumentacionin teknik justifikues, për çka është përshkruar si veprimtari e kryer në CV, vërtetime nga subjekte, institucione apo organizma; projekte (ose pjesë të tyre), ku ka qenë bashkautor personi; certifikata kursi apo specializimi, që kanë lidhje me fushën, ku kërkon të licencohet.

The post Hyn në fuqi rregullorja e re, licencat e shoqërive në ndërtim do të vlejnë deri në 5 vjet appeared first on Revista Monitor.

OBP tender 1.2 milionë euro për furnizimin me karburant të institucioneve shtetërore

21 July 2026 at 14:00

Operatori i Blerjeve të Përqendruara hapi së fundmi një tender me fond limit rreth 1.19 milionë euro pa TVSH për furnizimin me karburant të disa institucioneve publike, sipas dokumenteve të procedurës. Vlera e përgjithshme e kontratës është 111.7 milionë lekë dhe tenderi është ndarë në dy lote.

Loti i parë, për furnizimin me gazoil 10 ppm, ka fond limit 91.7 milionë lekë, ose rreth 979,700 euro pa TVSH. Në të përfshihen kërkesat e tetë institucioneve, mes tyre Garda e Republikës, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia e Ekzekutimit të Vendimeve Penale dhe Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Tiranë.

Furnizimi do të realizohet kryesisht përmes kartave elektronike në pikat e karburantit të operatorit fitues. Për Degën e Doganës Pogradec, dokumentet parashikojnë edhe furnizim me autobot në magazinën e Doganës së Qafë Thanës.

Loti i dytë ka fond limit rreth 20 milionë lekë, ose afërsisht 213,800 euro pa TVSH. Përfitues janë Garda e Republikës, Drejtoria e Rajonit Jugor Gjirokastër, Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore Vlorë, Agjencia e Ekzekutimit të Vendimeve Penale dhe Drejtoria e Përgjithshme e Përmbarimit. Edhe në këtë lot, karburanti do të merret përmes kartave elektronike në rrjetin e stacioneve të kompanisë fituese.

Kontrata do të zbatohet sipas nevojave të institucioneve përfituese dhe kushteve të përcaktuara në dokumentet e tenderit.

Operatori i Blerjeve të Përqendruara po funksionon tashmë prej marsit 2024 si një ent që zhvillon procedurat për llogari të institucioneve të ndryshme që kanë  vlerë mbi 1 milionë lekë pa TVSH. Për këto procedura dhe konsulencë OBP merr një sasi të ardhurash si pjesë e shërbimit që jep. Kryesisht tenderët që kalojnë nga OBP janë blerje automjetesh, blerje karburanti, blerje materialesh kancelarie, orendi e pajisje mobilimi, materialet e pastrimit, uniformat dhe elementë e tyre, blejë këpucësh, pjesët e këmbimi por pa kufizim për të tjera.

The post OBP tender 1.2 milionë euro për furnizimin me karburant të institucioneve shtetërore appeared first on Revista Monitor.

“Shtrëngohet” kontrolli mbi pronarët përfitues, raportim brenda 28 ditëve dhe verifikim i pronësisë

21 July 2026 at 12:59

Kompanitë do të kenë më pak kohë për të deklaruar ndryshimet dhe më shumë detyrime për të provuar se kush i zotëron ose i kontrollon realisht, sipas projektligjit të ri “Për regjistrin e pronarëve përfitues”. Drafti shkurton nga 90 në 28 ditë kalendarike afatin për regjistrimin e ndryshimeve të të dhënave mbi pronarët përfitues. Ligji aktual u jep subjekteve deri në 90 ditë nga data e ndryshimit faktik.

Sipas projektligjit, ndryshimet duhet të raportohen “pa vonesa të paarsyeshme” dhe, në çdo rast, brenda afatit të ri 28-ditor. Pragu për identifikimin e pronësisë direkte ose indirekte mbetet 25%, por zgjerohet mënyra se si përcaktohet personi që ushtron kontrollin përfundimtar.

Pronari përfitues përkufizohet si individi që “ka në pronësi ose kontrollon i fundit një person juridik”, përmes kuotave, aksioneve, të drejtave të votës ose kontrollit të ushtruar me mjete të tjera.

Afati ulet në 28 ditë, zgjerohet verifikimi i kontrollit real

Për pronësinë indirekte, drafti kërkon që të merren parasysh kuotat, aksionet dhe të drejtat e votës në çdo nivel të strukturës së pronësisë. Pjesëmarrjet e zotëruara nga subjektet ndërmjetëse do të shumëzohen përgjatë zinxhirit dhe rezultatet e zinxhirëve të ndryshëm do të mblidhen për të përcaktuar interesin përfundimtar.  Kjo do të thotë se identifikimi nuk do të kufizohet vetëm te aksionari i regjistruar formalisht, por do të përfshijë edhe individin që kontrollon vendimmarrjen ose përfiton përfundimisht nga subjekti.

Projektligji përkufizon edhe “marrëveshjen formale të emërimit”, ku një person udhëzon një tjetër që të veprojë në emër të tij si drejtor, aksionar ose themelues. Kompanitë duhet të mbajnë të dhëna dhe dokumente të sakta e të përditësuara, mbi bazën e të cilave është identifikuar pronari përfitues dhe mënyra e ushtrimit të kontrollit. Kur pronari real nuk mund të përcaktohet menjëherë, subjekti duhet të dokumentojë hapat e ndërmarrë, kërkesat për informacion dhe arsyet pse identifikimi nuk ka qenë i mundur.

Për verifikimin mund të përdoren aktet e themelimit, statutet, marrëveshjet mes ortakëve, vendimet e organeve drejtuese, prokurat dhe kontrata të tjera që tregojnë marrëdhëniet e kontrollit. Drafti zgjeron gjithashtu informacionin bazë që duhet të mbahet për personat juridikë, përfshirë selinë, vendin kryesor të aktivitetit, përfaqësuesit ligjorë dhe strukturën e aksionarëve.

Në rastin e fondacioneve, informacioni bazë përfshin edhe pasuritë e zotëruara për realizimin e qëllimeve të tyre.  Për organizatat jofitimprurëse, pronar përfitues mund të jetë themeluesi, përfaqësuesi ligjor ose individi që ushtron kontroll të fundit efektiv mbi administrimin dhe vendimmarrjen.

Kontrolli efektiv lidhet me aftësinë për të përcaktuar vendimet ose për të ndikuar në zgjedhjen, emërimin dhe largimin e shumicës së organeve drejtuese.

Projektligji vendos rregulla më të hollësishme edhe për trustet dhe organizimet ligjore me funksione të ngjashme. Në regjistër do të identifikohen krijuesi i trustit, kujdestari, mbrojtësi, përfituesit dhe çdo individ tjetër që ushtron kontrollin përfundimtar.

Drafti përkufizon veçmas edhe përfituesit e mundshëm dhe ata të paracaktuar në një trust diskrecional. Kujdestarët duhet të mbajnë informacion mbi strukturën, pasuritë dhe personat që përfitojnë ose kontrollojnë organizimin ligjor.

QKB zgjeron kontrollet, mospërputhjet mund të sjellin pezullim shërbimesh

Qendra Kombëtare e Biznesit mbetet administratore e Regjistrit të Pronarëve Përfitues, por projektligji forcon përgjegjësitë e saj për kontrollin dhe përpunimin e informacionit. Regjistri përcaktohet si një bazë elektronike shtetërore që mbledh në kohë reale të dhëna nga regjistrat përkatës dhe shërben si “arkiv elektronik zyrtar”.

QKB-ja do të mund të krahasojë informacionin e deklaruar nga subjektet me të dhënat që zotërojnë institucionet e tjera shtetërore. Në listën e autoriteteve kompetente përfshihen Agjencia e Inteligjencës Financiare, Banka e Shqipërisë, administrata tatimore, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Policia e Shtetit, Prokuroria dhe SPAK-u.

Kur një subjekt i detyruar konstaton mospërputhje, ai duhet të njoftojë subjektin raportues dhe QKB-në. Subjekti raportues duhet të korrigjojë të dhënat, nëse konstatimi është i saktë, ose të konfirmojë informacionin e mëparshëm, nëse vlerëson se nuk ka pasaktësi.

Mosplotësimi i detyrimit mund të sjellë ndërprerjen e shërbimeve nga QKB-ja deri në përditësimin ose konfirmimin e të dhënave dhe pagesën e gjobës përkatëse. Relacioni përcakton si objektiv vendosjen e mekanizmave të “verifikimit, kontrollit dhe validimit të të dhënave”, për të rritur integritetin dhe besueshmërinë e regjistrit.  Subjektet duhet ta kontrollojnë periodikisht informacionin mbi pronësinë përfituese dhe ta mbajnë atë të plotë, të saktë dhe të përditësuar. Regjimi i aksesit diferencohet ndërmjet autoriteteve kompetente, subjekteve të detyruara dhe personave që provojnë një interes legjitim.

Gazetarët dhe personat që veprojnë për qëllime raportimi përfshihen ndër kategoritë që mund të kërkojnë akses mbi bazën e interesit legjitim. Projektligji forcon edhe përgjegjësinë administrative për mosmbajtjen e dokumentacionit dhe për të dhënat e pasakta ose të papërditësuara. Krahas gjobave, parashikohet pezullimi i shërbimeve, ndërsa lejohen procedurat e nevojshme për korrigjimin e informacionit dhe përmbushjen e detyrimeve. Në rast të pengesave të veçanta dhe jashtë vullnetit të subjektit, mund të kërkohet rivendosja në afat brenda 30 ditëve nga zhdukja e shkakut që e pengoi të vepronte. Relacioni e përshkruan reformën si kalim “nga një qasje më formale dhe e fragmentuar” drejt një modeli të integruar, të verifikueshëm dhe të mbështetur në të dhëna të sakta e të përditësuara.

 

The post “Shtrëngohet” kontrolli mbi pronarët përfitues, raportim brenda 28 ditëve dhe verifikim i pronësisë appeared first on Revista Monitor.

Turizmi shqiptar rrit ekonominë europiane; Kontributi i Shqipërisë në BE dyfishohet në 3.1 mld euro

21 July 2026 at 12:00

Bumi i turizmit dhe dobësia e prodhimit vendas në Shqipëri kanë shtuar importet dhe vlerën e krijuar në vendet e BE-së. Sipas të dhënave të Eurostat, konsumi dhe investimet në Shqipëri po krijojnë një ndikim gjithnjë e më të madh në ekonominë e Bashkimit Europian.

Në vitin 2024, kërkesa përfundimtare nga Shqipëria gjeneroi rreth 3.13 miliardë euro vlerë të shtuar dhe mbështeti afro 48.8 mijë vende pune në vendet e BE-së, sipas të dhënave të reja të Eurostat.

Nëse krahasohet me një Prodhim të Brendshëm Bruto të Shqipërisë prej rreth 26 miliardë eurosh, vlera e shtuar që kërkesa shqiptare gjeneron në BE është e barabartë me afërsisht 12% të madhësisë së ekonomisë shqiptare.

Treguesi nuk mat kontributin e shtetasve shqiptarë që punojnë në Europë. Ai tregon vlerën ekonomike dhe punësimin që krijohen brenda BE-së nga prodhimi i mallrave dhe shërbimeve që në fund blihen në Shqipëri, për konsum ose investime.

Këtu përfshihet i gjithë zinxhiri i prodhimit. Për shembull, kur në Shqipëri blihet një makinë, pajisje, produkt ushqimor ose shërbim i prodhuar në BE, llogaritet vlera e shtuar dhe punësimi i krijuar nga të gjithë furnitorët europianë të përfshirë në prodhimin, transportin dhe shpërndarjen e tij.

Nga kërkesa e Shqipërisë mbështeteshin rreth 48,771 të punësuar, ose 0.154% e punësimit të lidhur me kërkesën e të gjitha vendeve jashtë BE-së.

 

Vlera e krijuar në BE nga kërkesa shqiptare u dyfishua që nga viti 2010

Kërkesa përfundimtare nga Shqipëria ka marrë një peshë gjithnjë e më të madhe për ekonominë europiane. Vlera e shtuar e gjeneruar në BE u rrit nga rreth 1.56 miliardë euro në vitin 2010 në 3.13 miliardë euro në vitin 2024, duke u dyfishuar gjatë periudhës.

Rritja u përshpejtua sidomos pas pandemisë. Pas rënies së regjistruar në vitin 2020, treguesi u rikuperua me shpejtësi dhe arriti nivelin më të lartë të serisë në vitin 2024, kur u zgjerua me rreth 19.5% krahasuar me një vit më parë.

Rritja e fortë e vlerës së shtuar që kërkesa shqiptare gjeneron në BE përkon me bumin e turizmit dhe shtimin e importeve. Zgjerimi i numrit të vizitorëve ka rritur kërkesën për ushqime, pije, pajisje dhe shërbime, ndërsa kapacitetet e kufizuara të prodhimit vendas, veçanërisht në bujqësi dhe përpunimin ushqimor, kanë bërë që një pjesë e kësaj kërkese të plotësohet nga importet. Megjithatë, treguesi ndikohet edhe nga konsumi, investimet dhe rritja e çmimeve, ndaj lidhja me turizmin nuk mund të ndahet saktësisht pa të dhëna sipas sektorëve.

 

Shqipëria mbështet më shumë vende pune europiane se Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut

Në krahasim me vendet e rajonit, kërkesa nga Shqipëria kishte në vitin 2024 një ndikim më të madh mbi vlerën e shtuar dhe punësimin në BE sesa kërkesa nga Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Kërkesa përfundimtare nga Mali i Zi gjeneroi rreth 1.51 miliardë euro vlerë të shtuar dhe mbështeti rreth 22.1 mijë vende pune në BE.

Për Maqedoninë e Veriut, vlera e shtuar arriti në 2.77 miliardë euro, ndërsa numri i të punësuarve të mbështetur në BE ishte rreth 44.3 mijë.

Shqipëria renditej mbi të dyja vendet, me 3.13 miliardë euro dhe rreth 48.8 mijë vende pune.

Serbia kishte një ndikim dukshëm më të madh, me 12.14 miliardë euro vlerë të shtuar dhe rreth 181.5 mijë vende pune të mbështetura në BE.

Turqia gjeneroi rreth 77.15 miliardë euro vlerë të shtuar dhe mbështeti afro 974.8 mijë vende pune në ekonominë europiane.

SHBA-ja mbështet 6 milionë vende pune në BE

Sipas Eurostat, në vitin 2024, 31.6 milionë persona punonin në Bashkimin Europian falë kërkesës përfundimtare për mallra dhe shërbime nga ekonomitë jashtë BE-së, duke përfaqësuar 14.4% të punësimit total në Union. Kjo shënon një rritje të ndjeshme krahasuar me vitin 2010, kur për këtë kërkesë punonin 22.6 milionë persona, ose 11.5% e punësimit total.

Edhe vlera e shtuar bruto e krijuar në BE nga përdorimi përfundimtar i produkteve jashtë Unionit u rrit gjatë periudhës 2010–2024. Vlera e shtuar e brendshme e lidhur me kërkesën e huaj ishte 1.3 trilionë euro në vitin 2010, ndërsa arriti në 2.8 trilionë euro në vitin 2024.

Si pjesë e vlerës së shtuar bruto totale të BE-së, pesha e këtij treguesi u rrit nga 13.3% në vitin 2010 në 17.2% në vitin 2024.Në nivel global, Shtetet e Bashkuara ishin tregu i jashtëm me ndikimin më të madh në ekonominë e BE-së. Kërkesa amerikane gjeneroi 585.8 miliardë euro vlerë të shtuar dhe mbështeti rreth 6 milionë vende pune, përkatësisht 21% dhe 19.1% të totalit të lidhur me kërkesën jashtë Unionit.

Kina renditej e dyta për vlerën e shtuar, me 289.8 miliardë euro, dhe e treta për punësimin, me rreth 3.1 milionë vende pune.

Mbretëria e Bashkuar mbështeti rreth 3.4 milionë vende pune dhe gjeneroi 276 miliardë euro vlerë të shtuar në ekonominë e BE-së.

Në total, vlera e shtuar e krijuar në BE nga kërkesa jashtë Unionit u rrit nga 1.3 trilionë euro në vitin 2010 në 2.8 trilionë euro në vitin 2024. Në të njëjtën periudhë, numri i vendeve të punës të mbështetura nga kjo kërkesë u rrit nga 22.6 milionë në 31.6 milionë.

 

The post Turizmi shqiptar rrit ekonominë europiane; Kontributi i Shqipërisë në BE dyfishohet në 3.1 mld euro appeared first on Revista Monitor.

Numri i makinave në Shqipëri arrin në 1.05 milionë, një në tre shqiptarë me veturë

21 July 2026 at 11:22

Në fund të vitit 2025, numri i mjeteve rrugore të regjistruara (me status aktiv ose të çregjistruara përkohësisht) arriti në 1.048.092 mjete, duke shënuar një rritje prej 9,3 %, krahasuar me vitin 2024.

Autoveturat përbëjnë 80,8 % të totalit të mjeteve rrugore.

Numri i autoveturave për 1.000 banorë u rrit në 361, nga 326 në vitin 2024. Një shqiptar ka më shumë se 1 veturë.

Sipas qarqeve, Tirana ka numrin më të madh të mjeteve rrugore, duke përbërë 34,7 % të totalit, i ndjekur nga Durrësi (13,6 %) dhe Fieri (9,1 %).

Qarku i Durrësit ka nivelin më të lartë të motorizimit në vend, me 535 autovetura për 1.000 banorë.

Makinat e vjetra

Pjesa më e madhe e mjeteve që qarkullojnë në rrugë janë të vjetra. Autoveturat me moshë 11–20 vjet përbëjnë 45,7 % të autoveturave gjithsej.

Mjetet me kambio manuale përbëjnë 55,9 % të totalit të mjeteve rrugore.
Mjetet e prodhuara gjatë periudhës 2000–2010 përbëjnë 55,3 % të totalit të mjeteve rrugore.

Markat më të përhapura, mbizotëron Volkswagen

Marka Volkswagen është më e përhapura ndër autoveturat në vend, me 19,7 % të totalit, e ndjekur nga Mercedes-Benz me 18,1 %.

Lënda djegëse, dominon nafta, por pothuajse dyfishohen makinat elektrike

Nafta mbetet lënda djegëse dominuese për autoveturat në vitin 2025, duke përbërë 72,1 % të totalit. Por vitet e fundit ka rritje të mjeteve elektrike. Numri i autoveturave elektrike u rrit me 91,2 %, krahasuar me vitin 2024.

Shqiptarët nuk heqin dorë nga vetura me naftë, zunë rreth 60% të blerjeve të reja në janar-mars

The post Numri i makinave në Shqipëri arrin në 1.05 milionë, një në tre shqiptarë me veturë appeared first on Revista Monitor.

Shqipëria, me temperatura mbi normalen, qershori 2026 ndër më të nxehtët në Europë, rreziqet

21 July 2026 at 11:00

Shqipëria u përfshi në fund të qershorit nga temperatura dukshëm më të larta se mesatarja klimatike, në një muaj që solli rekorde të reja të të nxehtit në Europë dhe në nivel global.

Harta e publikuar nga Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike Copernicus dhe e hedhur në faqen e Komisionit Europian tregon se, gjatë periudhës 18–30 qershor 2026, temperaturat mesatare të ajrit në sipërfaqe në Shqipëri ishin përgjithësisht rreth 2 deri në 4°C mbi mesataren e periudhës 1991–2020. Anomalia ishte më e theksuar në pjesën veriore dhe qendrore të rajonit të Ballkanit, ndërsa Greqia dhe zonat më jugore shfaqën devijime më të kufizuara.

Edhe pse Shqipëria nuk ishte ndër zonat më ekstreme të kontinentit, harta tregon se vendi ishte pjesë e një brezi të gjerë të nxehti që shtrihej nga Gadishulli Iberik dhe Franca, përmes Europës Qendrore, deri në Europën Lindore.

Sipas Copernicus, qershori 2026 ishte qershori më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në Europën Perëndimore dhe i dyti më i nxehtë në nivel global. Temperatura mesatare globale arriti në 16.54°C, ose 0.56°C mbi mesataren e viteve 1991–2020 dhe 1.39°C mbi nivelin e vlerësuar të periudhës paraindustriale 1850–1900.

Europa Perëndimore, deri në 9°C mbi normalen

Situata më e rëndë u regjistrua në Europën Perëndimore. Gjatë gjysmës së dytë të qershorit, pjesë të Francës dhe Gjermanisë përjetuan temperatura mesatare deri në 9°C mbi normalen klimatike.

Harta e Copernicus e paraqet Francën, Beneluksin, Gjermaninë, Zvicrën dhe pjesë të Europës Qendrore me ngjyrat më të errëta, që sinjalizojnë devijime prej 7–9°C mbi mesataren e periudhës 1991–2020.

Temperatura mesatare në Europën Perëndimore arriti në 20.74°C gjatë qershorit, 3.05°C mbi normalen mujore, duke tejkaluar edhe rekordin e vendosur vetëm një vit më parë, në qershor 2025.

Vetëm Qiproja dhe Malta regjistruan temperatura afër niveleve normale, sipas Komisionit Europian.
Në Spanjë dhe Portugali, temperaturat ishin kryesisht 3–6°C mbi mesataren, ndërsa në Britaninë e Madhe devijimi arriti në disa zona 5–7°C.

Italia, vendet e Adriatikut dhe pjesa më e madhe e Ballkanit u përfshinë gjithashtu nga temperatura mbi normalen, por me intensitet më të ulët se Europa Perëndimore. Në pjesën më të madhe të Italisë, Kroacisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi, harta tregon devijime përgjithësisht nga 2°C në 4°C.

Në Europën Qendrore dhe Lindore, brezi i temperaturave të larta u shtri në Poloni, vendet baltike, Ukrainë dhe në pjesën perëndimore të Rusisë, ku në disa zona anomalitë arritën 5–7°C.

Copernicus raportoi se temperatura mesatare mbi tokën europiane gjatë qershorit ishte e dyta më e lartë e regjistruar për këtë muaj. Nxehtësia u shoqërua edhe me temperaturat më të larta të sipërfaqes së detit të regjistruara ndonjëherë globalisht për një muaj qershor.

Thatësira dhe rreziku nga zjarret

Temperaturat e larta u shoqëruan me kushte më të thata në pjesë të Europës, duke shtuar rrezikun e zjarreve në pyje dhe kullota. Copernicus vlerëson se thatësira kontribuoi në përhapjen e zjarreve në Europë, Amerikën e Veriut dhe Rusi gjatë muajit.

Për Shqipërinë, temperaturat mbi normalen në fund të qershorit përkojnë me fillimin e sezonit të zjarreve, kur mungesa e reshjeve, bimësia e tharë dhe erërat mund ta përshpejtojnë përhapjen e flakëve.

Të dhënat e reja konfirmojnë se valët e të nxehtit po shfaqen më herët, po zgjasin më shumë dhe po përfshijnë zona gjithnjë e më të gjera të kontinentit. Copernicus paralajmëron se akumulimi i vazhdueshëm i nxehtësisë në sistemin klimatik po rrit intensitetin e valëve të të nxehtit dhe rreziqet për shëndetin, ekosistemet dhe infrastrukturën.

 

The post Shqipëria, me temperatura mbi normalen, qershori 2026 ndër më të nxehtët në Europë, rreziqet appeared first on Revista Monitor.

Malaj konfirmon vrullin e ri të ndërtimit në Tiranë dhe bregdet: 11 miliardë lekë të ardhura

21 July 2026 at 11:00

Të ardhurat e bashkive u rritën me 90% në pesë muajt e parë të vitit, të nxitura kryesisht nga taksat e lidhura me ndërtimet e reja në Tiranë dhe në zonat bregdetare.

Këtë e konfirmoi ministri i Financave, Petrit Malaj, në Komisionin e Ligjeve, gjatë fjalës së tij në mbrojtje të Aktit Normativ “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 87/2025 ‘Për Buxhetin e vitit 2026’”.

Njësitë e vetëqeverisjes vendore mblodhën 28.5 miliardë lekë të ardhura të veta tatimore në periudhën janar-maj 2026, ose 13.5 miliardë lekë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Rritja më e lartë i dedikohet taksave lokale”, tha Malaj gjatë prezantimit të aktit normativ për ndryshimin e buxhetit të vitit 2026 në Komisionin e Ligjeve.

Sipas tij, vetëm të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë u rritën me 10.8 miliardë lekë. Rritja është regjistruar “kryesisht në Bashkinë Tiranë dhe bashkitë bregdetare, si ajo Himarë, ku ka ndërtime të reja në zhvillim”, tha ministri.

Aktiviteti ndërtues në vend ka hyrë në një cikël të ri, me një seri projektesh që po zhvillohen në kryeqytet dhe përgjatë bregdetit, ku janë dhënë leje nga KKTU për ndërtesa shumëkatëshe, komplekse rezidenciale, hotele dhe fshatra turistikë.

Projektet shtrihen në zona që përfshijnë Golemin, Qerretin, Vlorën, Himarën, Lukovën, Borshin dhe Sarandën, ndërsa vrullit të ndërtimeve i janë bashkuar edhe zona në veri të vendit, si Shëngjini dhe Velipoja.

Të ardhurat nga taksa e pasurisë gjithashtu tejkaluan nivelin e një viti më parë.

“Mbledhja e saj ka avancuar përtej pritshmërive”, tha Malaj. Për pesë muajt e parë të vitit, bashkitë arkëtuan 784 milionë lekë më shumë nga kjo taksë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Qeveria propozoi rritjen me 14 miliardë lekë të parashikimit për të ardhurat vendore në buxhetin e rishikuar, bazuar në performancën e arkëtimeve gjatë pjesës së parë të vitit. Edhe shpenzimet vendore parashikohet të rriten me 14.2 miliardë lekë.

Në nivel kombëtar, të ardhurat e përgjithshme buxhetore arritën në 341 miliardë lekë gjatë pesë muajve të parë, ose 105.3% të planit të periudhës.

“Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ardhurat e përgjithshme u rritën me 34.8 miliardë lekë ose 11.4% më shumë”, tha Malaj.

Ministria e Financave propozoi që parashikimi vjetor i të ardhurave të përgjithshme të rritet në 843.1 miliardë lekë, ose 20.1 miliardë lekë mbi buxhetin fillestar.

Të ardhurat nga tatimet, doganat dhe kontributet arritën në 298.4 miliardë lekë në periudhën janar-maj, 2.2% mbi planin.

“Në total, janë mbledhur 6.3 miliardë lekë më shumë në krahasim me planin fillestar të pesëmujorit 2026”, tha ministri.

Suficiti buxhetor për periudhën arriti në rreth 53.7 miliardë lekë. Sipas Malajt, ndryshimet e propozuara në buxhet financohen nga të ardhurat shtesë dhe nuk ndryshojnë nivelin e deficitit.

“Të gjitha ndryshimet e propozuara në aktin normativ financohen brenda hapësirës fiskale të krijuar nga rritja e të ardhurave buxhetore”, tha ai. “Ato nuk ndryshojnë nivelin e deficitit buxhetor, ruajnë trajektoren rënëse të borxhit publik dhe garantojnë vijimin e konsolidimit fiskal.”

https://monitor.al/5-mujori-te-ardhurat-rekord-nga-taksa-e-infrastruktures-paralajmerojne-nje-bum-te-ri-ndertimi/

The post Malaj konfirmon vrullin e ri të ndërtimit në Tiranë dhe bregdet: 11 miliardë lekë të ardhura appeared first on Revista Monitor.

Depozitimi i energjisë, ERE u kërkon operatorëve të impianteve të regjistrohen brenda 60 ditëve

21 July 2026 at 10:00

Enti Rregullator i Energjisë u ka kërkuar operatorëve të impianteve të depozitimit të energjisë që të njoftojnë dhe të regjistrohen pranë institucionit brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit nr. 59/2026 “Për sektorin e energjisë elektrike”.

Detyrimi përfshin operatorët që, në datën e hyrjes në fuqi të ligjit, kanë impiante të depozitimit të energjisë në zhvillim ose në operim, por nuk disponojnë një licencë të veçantë për operimin e tyre, sipas njoftimit të publikuar nga ERE.

Kërkesa e rregullatorit mbështetet në nenin 51, pikat 3 dhe 5, të ligjit të ri për sektorin elektrik. Neni përcakton kushtet për licencimin dhe regjistrimin e operatorëve të impianteve të depozitimit të energjisë. Sipas pikës 1 të nenit 51, aktiviteti i depozitimit të energjisë mund të kryhet vetëm nga persona fizikë ose juridikë të pajisur me licencë për operimin e impiantit përkatës, përveç rasteve kur ligji parashikon ndryshe.

Pika 3 parashikon se impiantet e depozitimit që, në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit, janë në zhvillim ose në operim pa një licencë të posaçme, njihen dhe lejohen të vazhdojnë operimin sipas licencës ekzistuese.

Operatorët e këtyre impianteve duhet të aplikojnë për licencën e operimit brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, sipas pikës 4 të nenit. ERE mund të miratojë procedura të thjeshtuara licencimi për aplikimet që lidhen me operimin e impianteve të depozitimit të energjisë. Ndërkohë, pika 5 vendos afatin 60-ditor për njoftimin dhe regjistrimin e operatorit pranë ERE-s.

Pas marrjes së njoftimit, ERE mund t’u kërkojë operatorëve informacion ose dokumentacion shtesë, kur kjo vlerësohet e nevojshme për regjistrimin dhe administrimin e Regjistrit të Impianteve të Depozitimit të Energjisë.

Neni 51 përcakton gjithashtu se operatorët duhet të përmbushin standardet ligjore, teknike, të sigurisë dhe operacionale që zbatohen për subjektet e licencuara për operimin e impianteve të depozitimit.

Në rastin kur operatori është një kompani e kontrolluar plotësisht ose pjesërisht nga shteti, ligji parashikon që Këshilli i Ministrave të caktojë autoritetin publik që përfaqëson shtetin si pronar të aksioneve. Sipas nenit 51, ky autoritet duhet të jetë i pavarur nga pronari i sistemit të transmetimit.

ERE u ka bërë thirrje subjekteve që plotësojnë kushtet e përcaktuara të respektojnë afatin ligjor për regjistrim.

 

The post Depozitimi i energjisë, ERE u kërkon operatorëve të impianteve të regjistrohen brenda 60 ditëve appeared first on Revista Monitor.

Rekord punësimi i të huajve, arrin 22,7 mijë shtetas; 50% e tyre nga Filipinet, India dhe Egjipti

21 July 2026 at 06:03

Shqipëria ka arritur rekord për punësimin e shtetasve të huaj që arrijnë mbi 22 mijë shtetas deri në qershor 2026 nga 18 mijë që ishte numri i tyre deri në dhjetor 2025.

Konkretisht, sipas të dhënave të Regjistrit Elektronik për të Huajt (FER) dhënë për Monitor nga Policia e Shtetit numri i të huajve të punësuar në vend arriti në 22,693 shtetas deri në 30 qershor 2026.

Nga totali i tyre të pajisur me leje Unike nga punëmarrësit janë 20,332 shtetas të huaj dhe 2,361 shtetas të huaj janë të regjistruar me leje unike si të vetëpunësuar.

Numrin e të huajve të pajisur me leje unike nga punëmarrësit e kryesojnë shtetasit nga Filipinet, India dhe Egjipti. Këto vende kanë së bashku 10,258 leje unike për punëmarrës, duke përbërë rreth 50% të totalit të punësuarve në vend.

Konkretisht numri i të huajve nga Filipinet deri në Qershor 2026 arriti në 3,552 shtetas të pajisur me leje pune, duke përbërë rreth 16% të totalit të të huajve të punësuar në vend.

Pas tyre janë shtetasit nga India me 3,423 të punësuar apo 15% të totalit. Shtetasit nga Egjipti arritën në 3,283 të punësuar.

Pas tyre renditet Turqia me 1,503 leje unike për punëmarrës dhe Italia me 1,306 leje.
Më tej, ndër shtetet e tjera me numër më të lartë të punëmarrësve të huaj të pajisur me leje unike janë SHBA-të me 619 leje, Indonezia me 229 shtetas, Kina me 212 shtetas të pajisur me leje unike nga punëmarrësit etj.

Vitet e fundit shumë sipërmarrës, veçanërisht të sektorit të shërbimit në bare dhe restorante kanë pohuar për Monitor se kanë rritur ndjeshëm punësimin e shtetasve të huaj nga Filipinet dhe India.

Shumë të huaj nga këto shtete, janë të punësuar në bare dhe restorante në pozicione pune, si kamarier, pastrues apo kuzhinierë. Të tjera punësime janë bëra edhe në fabrikat e prodhimit, të cilët po punësojnë inxhinierë të rinj nga India.

Ndërsa shtetasit nga Egjipti më tepër po punësohen nga sektori i transportit, blegtorisë dhe në agroturizëm.

Po ashtu, së tepërmi punësimi i të huajve është zgjeruar edhe në familje. Shtetase nga Filipinet po punësohen si personel për kujdesin ndaj fëmijëve (dado), të moshuarve ose për mirëmbajtjen e shtëpisë.
Italianët dhe shtetasit e Kosovës vijojnë të kryesojnë vetëpunësimin

Ndryshe nga lejet unike për punëmarrës, të cilat dominohen nga shtetasit e Filipineve, Indisë dhe Egjiptit, lejet unike për të vetëpunësuar kryesohen nga shtetasit italianë.

Nga gjithsej 2,361 leje unike për të vetëpunësuar, 868 u përkasin shtetasve italianë ose rreth 37% e totalit.
Pas Italisë renditet Kosova me 283 leje, e ndjekur nga Turqia me 199, SHBA me 198, Ukraina me 92, Siria me 68, Gjermania me 67 dhe Polonia me 65 leje unike për të vetëpunësuar etj. / D.Azo

The post Rekord punësimi i të huajve, arrin 22,7 mijë shtetas; 50% e tyre nga Filipinet, India dhe Egjipti appeared first on Revista Monitor.

Tatimet po shqyrtojnë nëse duhet rikthyer penaliteti 10% për mospagimin e kësteve të tatimfitimit

21 July 2026 at 06:01

Nga 1 janari 2023, bizneset nuk paguajnë penalitet 10% për mospagimin në afat të kësteve tremujore të tatim fitimit, një masë që u mos kjo si një lehtësi për bizneset.

Në bazë të një ndryshimi për ligjin e procedurave tatimore  “Mospagimi në afat i kësteve paraprake të tatimit mbi fitimin korporativ dhe tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi dhe vetëpunësimi, sipas legjislacionit në fuqi për tatimin mbi të ardhurat, dënohet me gjobë në masën 0,06 për qind të shumës së detyrimit të papaguar për çdo ditë gjatë së cilës pagesa nuk është kryer, por jo më shumë se 365 ditë kalendarike.

Burime nga Drejtoria e Tatimeve bënë të ditur për Monitor se administrata po shqyrton nëse duhet të rikthejë sërish penalitetin prej 10%. Ky rishikim lidhet me faktin se është konstatuar një rënie e të ardhurave nga tatim fitimi, që nuk vlerësohet se është në lidhje me situatën reale të bizneseve, duke gjykuar nga ecuria e shitjeve dhe të ardhurave nga tatimi mbi vlerën e shtuar.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, për 6 mujorin e parë të këtij viti, të ardhurat nga tatim fitim ishin 31 miliardë lekë, me një rënie prej 6.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ose 2.2 miliardë lekë më pak. Për të njëjtën periudhë, të ardhurat neto nga TVSH u rritën me 10.6%, duke arritur në 120.7 miliardë lekë (+11.6 miliardë lekë), që tregon për ecuri të mirë të shitjeve dhe përmirësim të konsumit.

Edhe të ardhurat nga sigurimet, u rritën me 13.3%, duke arritur në 99.6 miliardë lekë (+11.7 miliardë lekë), i nxitur nga rritja e pagës minimale e maksimale, por dhe të pagës mesatare në vend, e ndikuar dhe nga aksionet për formalizimin e tregut të punës. Tatimet pohojnë se reagimi i bizneseve ndaj kërkesës për formalizim, deri tani ka qenë pozitiv.

Gjithsesi, heqja e penalitetit prej 10% për tatim fitimin duket se ka nxitur subjektet që të mos nxitojnë të paguajnë këstet e këtij detyrimi dhe të ruajnë likuiditetet.

Si rrjedhojë, tatimet po bëjnë një analizë të situatës dhe deri në shtator do të vendosin se çfarë mase do të marrin. Ndonëse synimi nuk është penaliteti, aktualisht tatimet nuk kanë mjet tjetër për ti nxitur subjektet të paguajnë, përveçse ti marrin në telefon.

Ndonëse biznesi do të detyrohet të paguajë tatim fitimin në fund të vitit, shuma e lartë vjetore mund ta vërë atë nën presion që të tentojë të gjejë forma për të paguar sa më pak.

 

Të ardhurat u rritën me 12% për 6 mujorin

Sipas statistikave fiskale të Ministrisë së Financave, të ardhurat buxhetore për periudhën janar-maj arritën në 410.6 miliardë lekë, me një rritje prej 44.6 miliardë lekë me bazë vjetore. Nga kjo shtesë, rreth 17.8 miliardë lekë ka ardhur nga tatimet e doganat (TVSH tatimi mbi të ardhurat personale), 11.7 miliardë lekë nga fondet speciale (sigurimet shoqërore e shëndetësore.

Gjatë këtij viti, ndikim të fortë në të ardhurat buxhetore po japin taksa lokale, të ndikuara nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, që jepet për lejet e ndërtimit. Ky zë u dyfishua për 6 mujorin, duke sjellë në buxhet 28.9 miliardë lekë, ose 14.5 miliardë lekë më shumë (duke kontribuar në gati një të tretën e shtesës së të ardhurave totale në buxhet), një tregues për sipërfaqen e lartë të lejeve që po jepen për ndërtim.

Të ardhurat jo tatimore kishin kontribut negativ me -1.4 miliardë lekë (shiko tabelën).

 

The post Tatimet po shqyrtojnë nëse duhet rikthyer penaliteti 10% për mospagimin e kësteve të tatimfitimit appeared first on Revista Monitor.

Pagat në BSH do të indeksohen çdo vit dhe do të rishikohen në mënyrë periodike

21 July 2026 at 06:00

Projektligji i ri “Për Bankën e Shqipërisë” parashikon që pagat bazë të personelit të institucionit do të indeksohen çdo vit me normën e inflacionit.

Sipas propozimeve të projektligjit, gjithashtu Këshilli Mbikëqyrës do të rishikojë periodikisht nivelet e pagave, shtesave dhe përfitimeve të tjera financiare të personelit.

Rishikimi do të marrë në konsideratë, por pa u kufizuar, zhvillimet e indeksit të çmimeve të konsumit, tregut të banesave dhe zhvillimet e pagave në sektorin financiar.

Gjithashtu, projektligji përcakton se pagat, shtesat dhe përfitimet e tjera financiare të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës dhe personelit nuk mund të ulen.

Projektligji parashikon se politika për pagat dhe shpërblimin e personelit përcaktohet me propozimin e Guvernatorit dhe në mënyrë të pavarur nga legjislacioni që rregullon skemat e pagave në administratën publike, në përputhje me parimin e pavarësisë së Bankës së Shqipërisë.

Politikat e shpërblimit për anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës dhe personelin e Bankës së Shqipërisë duhet të garantojnë pavarësinë në ushtrimin e detyrave dhe funksioneve të tyre, duke marrë në konsideratë natyrën dhe kompleksitetin e këtyre funksioneve, nivelin e përgjegjësisë, nevojën për të ruajtur konkurrueshmërinë në tregun e punës, bazuar në analiza të tregut të kryera nga këshilltarë të pavarur me reputacion të lartë, si dhe objektivin për të punësuar profesionistë me kualifikim të lartë.

Politikat e mësipërme do të përfshijnë përcaktimin e strukturës së pagave, shtesave dhe përfitimeve financiare që lidhen me shëndetin, ngritjen e kompetencës profesionale, mbështetjen me kredi për strehim, si dhe krijimin dhe administrimin e fondit të pensionit.

Ligji përcakton se politikat e pagave nuk do të jenë të lidhura me fitimin e Bankës së Shqipërisë.

Edhe me legjislacionin aktual, niveli i pagave në Bankën e Shqipërisë përcaktohet në mënyrë të pavarur.

Megjithëse është institucion publik, Banka Qendrore nuk e publikon nivelin e pagave të personelit dhe anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, sipas pozicioneve dhe kritereve të tjera.

Por, sipas punonjësve të institucionit, pagat në Bankën e Shqipërisë janë të pandryshuara prej shumë vitesh, qysh në kohën kur ai drejtohej nga ish-Guvernatori Ardian Fullani.

Në atë periudhë, Banka e Shqipërisë kishte paga ndjeshëm më të larta krahasuar me administratën publike dhe shumicën e institucioneve të tjera shtetërore.

Ndërkohë që pagat në administratën publike dhe në sektorin privat janë rritur me ritme të shpejta, sidomos pas vitit 2022, mosrritja e pagave në Bankën Qendrore ka shkaktuar një hendek me tregun, pakënaqësi mes stafit dhe vështirësi në ruajtjen dhe rekrutimin e burimeve njerëzore cilësore.

Miratimi i ligjit të ri pritet t’i japë zgjidhje kësaj situate, pavarësisht se as ligji aktual nuk e pengon Guvernatorin dhe Këshillin Mbikëqyrës të rishikojnë nivelin e pagave të institucionit./ E.Shehu

The post Pagat në BSH do të indeksohen çdo vit dhe do të rishikohen në mënyrë periodike appeared first on Revista Monitor.

Bankat lehtësuan standardet e kreditimit të individëve në tremujorin e dytë

20 July 2026 at 16:40

Standardet e kreditimit për individët u lehtësuan në tremujorin e dytë të vitit 2026. Sipas vrojtimit të aktivitetit kreditues të Bankës së Shqipërisë, kjo ecuri ishte në linjë me pritjet

e shprehura nga bankat një tremujor më parë. Lehtësimi i standardeve u raportua si në kreditë për blerjen e banesave, ashtu edhe në ato për financimin e konsumit.

Lehtësimi i standardeve të kreditimit u arrit nga konkurrenca në sistem bankar dhe toleranca më e lartë e bankave kundrejt marrjes përsipër të rrezikut.

Edhe shkalla e miratimit të kredive për individët u raportua në rritje në tremujorin e dytë. Sipas bankave, rritja e këtij treguesi u shkaktua nga historiku i marrëdhënieve me bankën. Nga ana tjetër, historiku nga të dhënat e Regjistrit të Kredive dhe të ardhurat e disponueshme u raportuan si faktorë me ndikim rënës në shkallën e miratimeve për kredi. Faktorët e tjerë patën ndryshime minimale.

Paralelisht, edhe kërkesa e individëve për kredi u raportua në rritje në tremujorin e dytë, në linjë me pritjet e bankave për këtë periudhë. Kërkesë e lartë u raportua si në kreditë për blerjen e banesave, ashtu edhe në ato konsumatore.

Bankat raportuan se kërkesa më e lartë për kredi u nxit nga nevojat e shtuara për financimin e blerjes së banesave dhe financimit të konsumit; perceptimi i bankave mbi situatën aktuale e atë të pritur në tregun e banesave; besimi konsumator; dhe niveli i përgjithshëm i normave të interesit. Ligji në fuqi për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme u cilësua po ashtu si faktor nxitës në kërkesën për kredi. Faktorët e tjerë patën ndikime minimale.

Standardet e kreditimit për individët në tremujorin e tretë priten të lehtësohen, si në kreditë për blerjen e banesave, ashtu edhe për ato konsumatorë.

Të dhënat e vrojtimit të aktivitetit kreditues përputhen me një ecuri më të përmirësuar të kreditimit të individëve gjatë tremujorit të dytë të vitit. Pas një tremujori të parë në rënie, kredia për individë i është kthyer rritjes në periudhën prill-maj.

Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë vendosi disa masa shtrënguese, me qëllim ngadalësimin e rritjes së kreditimit në segmentin e huasë për blerje banesash.

Deri në fund të vitit të kaluar, efekti i masave të Bankës së Shqipërisë duket se ishte i dobët. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se kredia e re për blerje banesash arriti rekordin e ri historik prej 64.4 miliardë lekësh ose rreth 658 milionë eurosh, të llogaritura me kursin mesatar të vitit të kaluar. Kredia e re për shtëpi u rrit me 17.3% krahasuar me vitin 2024. Rritja e kredisë së re ishte edhe më e lartë në raport me rritjen prej 13% të vitit të mëparshëm.

Por, pjesa e parë e këtij viti ka treguar një ngadalësim të ndjeshëm. Për 5-mujorin janar-maj 2026, kredia e re për banesa zbriti në 27.6 miliardë lekë, në rënie me 4.2% krahasuar me një vit më parë. Në fakt, tendenca e kredisë është në përmirësim pas tremujorit të dytë dhe ngelet për t’u parë më tej gjatë vitit nëse përfundimisht këtë vit do të kemi një frenim të kredisë për shtëpi.

The post Bankat lehtësuan standardet e kreditimit të individëve në tremujorin e dytë appeared first on Revista Monitor.

A e ka siguruar Kosova bukën?

20 July 2026 at 14:00

Zyrtarët shtetërorë kanë vlerësuar se rendimentet e këtij viti do të jenë më të larta se kërkesat për konsum. Sipas tyre vetëmjaftueshmëria pritet të arrijë në 125 për qind. Këtë vit në Kosovë, janë mbjellë mbi 75 mijë hektarë me drithëra të bardha, prej të cilave rreth 72 mijë hektarë me grurë.

 

Në kulmin e sezonit të korrje-shirjeve, Qeveria e Kosovës në detyrë po përcjell një mesazh optimist për bujqësinë.

Kryeministri Albin Kurti, dhe ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, deklarojnë se këtë vit Kosova pritet të arrijë prodhimin më të madh të grurit që nga paslufta, duke vlerësuar se vendi jo vetëm do t’i plotësojë nevojat për konsum, por do të arrijë edhe vetëmjaftueshmëri prej rreth 125 për qind.

Megjithatë, panorama në terren nuk është aq optimiste sa deklaratat politike. Në shumë komuna, fermerët po përballen me mungesë të tregut, mungesë të hapësirave për deponim dhe çmime që, sipas tyre, nuk mbulojnë as shpenzimet e prodhimit.

Fushata e korrje-shirjeve nisi në fermën e Malësor Sejdiut në Podujevë, ku institucionet prezantuan pritjet për një sezon të suksesshëm.

Sejdiu, i cili kultivon 140 hektarë me grurë, tha se rendimenti në parcelat e tij ka arritur rreth gjashtë tonë për hektar, më shumë se një vit më parë.

“Rendimentet këtu po i shihni, kemi korrur para shiut, kanë qenë 6 ton. Dikund mund të jenë edhe më shumë, por rendimentet janë më të kënaqshme se në vitin e kaluar”, deklaroi Sejdiu.

Edhe kryeministri Kurti tha se kushtet klimatike dhe gjendja në terren japin sinjale për rendimente mesatare prej katër deri në pesë tonë për hektar, ndërsa në disa zona ato janë dukshëm më të larta.

“Bazuar në gjendjen në terren dhe kushtet klimatike, presim rendimente mesatare prej 4 deri në 5 ton për hektar. Rezultatet e vitit të kaluar na japin besim… janë prodhuar afër 380 mijë ton grurë. Këto rezultate dëshmojnë potencialin e madh të bujqësisë sonë”.

Ai njoftoi se këtë vit janë mbjellë mbi 75 mijë hektarë me drithëra të bardha, prej të cilave rreth 72 mijë hektarë me grurë, duke theksuar gjithashtu rritjen e subvencioneve për fermerët.

Më optimist u shfaq ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, i cili tha se Kosova këtë vit pritet të prodhojë rreth 400 mijë tonë grurë, rreth 50 mijë tonë më shumë se në vitin 2021.

“Kosova po shkon drejt plotësimit të të gjitha nevojave të saj. Vetëmjaftueshmëria sivjet do të duhej të arrijë diku rreth 125 për qind. Kosova sigurisht e ka siguruar bukën e vet”, deklaroi Muja.

Sipas tij, numri i fermerëve që përfitojnë nga skema e grurit është rritur nga rreth 6 mijë në vitin 2021 në rreth 23 mijë këtë vit, ndërsa mbështetja financiare ka kaluar nga rreth 4 milionë euro në afro 30 milionë euro.

Megjithatë, pretendimi për vetëmjaftueshmëri është kundërshtuar nga opozita. Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, i cilësoi deklaratat e qeverisë si propagandë politike.

“Me këto deklarata alla sistem socialist, na larg e kemi Evropën… ‘Kosova sigurisht e ka siguru bukën e vet’. Edhe sa vjet duhet me dëgju këto propaganda politike të viteve ’80”.

Në terren, fermerët përshkruajnë një realitet krejt tjetër nga ai i prezantuar në konferencat zyrtare.

Behgjet Kongjeli nga Janjeva thotë se shumë prodhues nuk kanë ku ta dërgojnë grurin.

“Nuk kemi ku ta plasojmë. Këto janë ato që po na rëndojnë”, tha ai.

Edhe kombajneri Fitim Gashi tregon se puna është ndërprerë për shkak të mungesës së hapësirave për deponim.

“Ne nuk kemi ku ta deponojmë grurin dhe u detyruam ta ndërpresim punën. Disa e marrin me 16, disa me 17 e disa me 18 centë, por problemi nuk është vetëm çmimi, por të kemi ku ta lëmë grurin”.

Ndërkohë, problemi më i madh nuk lidhet me prodhimin, por me shitjen e tij.

Aleanca Kosovare e Bizneseve ka reaguar duke thënë se fermerët po përballen me mungesë tregu, mungesë depozitash dhe çmime prej vetëm 16 deri në 18 centë për kilogram, çmim që sipas tyre nuk mbulon kostot e prodhimit. Organizata vlerëson se kjo situatë rrezikon jo vetëm bujqësinë, por edhe sigurinë ushqimore të vendit.

AKB kërkon që rezervat shtetërore të furnizohen nga prodhuesit vendorë dhe jo nga importi, duke kujtuar se vite më parë gruri për rezervat strategjike ishte blerë jashtë vendit me çmime dukshëm më të larta.

“Kosova nuk duhet të importojë atë që fermeri ynë e prodhon me mund dhe sakrificë. Nëse shteti ka nevojë për grurë për rezervat strategjike, zgjidhja më e drejtë ekonomike është ta blejë atë nga fermerët tanë”.

Përveç debatit politik, dilema shtohet edhe nga vetë shifrat. Autoritetet flasin për mbi 75 mijë hektarë të mbjellë me drithëra, ndërsa Anketa e Ekonomive Bujqësore 2025 e Agjencisë së Statistikave të Kosovës evidenton rreth 82 mijë hektarë me grurë dhe një prodhim prej afërsisht 380 mijë tonësh. Edhe vitin e kaluar pati deklarata kontradiktore për sipërfaqet e mbjella, ndërsa të dhënat zyrtare tregonin rënie të hektarëve krahasuar me vitin paraprak.

Deklarata kontradiktore për sipërfaqet e mbjella ishin bërë edhe vitin e shkuar nga ish-ministri, Faton Peci. Në korrik 2025 se Peci ka deklaruar se ai vit ishte rekord me sipërfaqe të mbjella e të njëjtën gjë e pati thënë edhe më 2024, kur ishte shprehur se është “siguruar buka e motmotit”. Por sipas të dhënave publike, më 2024 pati pasur rënie të hektarëve të mbjellë me grurë krahasuar me vitin 2023.

 

 

The post A e ka siguruar Kosova bukën? appeared first on Revista Monitor.

Pajisjet diagnostikuese in vitro, gati drafti që unifikon rregullat e tregut

20 July 2026 at 13:20

Qeveria po përgatit një kuadër të ri rregullator për pajisjet mjekësore diagnostikuese in vitro, përmes një projektligji të hedhur për konsultim nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.  Sipas tekstit të bërë publik qëllimi i ligjit është të sigurojë një nivel të lartë të mbrojtjes së shëndetit dhe sigurisë së pacientëve, përdoruesve dhe personave të tjerë, duke përfshirë edhe mbrojtjen e shëndetit publik.

Projektligji përcakton rregullat për vendosjen në treg, bërjen të disponueshme në treg dhe vënien në shërbim të pajisjeve mjekësore diagnostikuese in vitro për përdorim njerëzor dhe të aksesorëve të tyre.

Rregullat do të zbatohen gjithashtu për studimet e performancës që lidhen me këto pajisje dhe aksesorët e tyre, kur ato kryhen në Republikën e Shqipërisë.

Në tekstin e projektligjit, pajisjet mjekësore diagnostikuese in vitro dhe aksesorët e tyre referohen së bashku si “pajisje”.

Projektligji nuk zbatohet për produktet për përdorim të përgjithshëm laboratorik ose produktet vetëm për përdorim kërkimor, përveç rasteve kur ato janë destinuar në mënyrë specifike nga prodhuesi për ekzaminim diagnostikues in vitro.

Nga fusha e zbatimit përjashtohen gjithashtu produktet për marrjen e mostrave në mënyrë invazive ose produktet që aplikohen drejtpërdrejt në trupin e njeriut për marrjen e një kampioni.

Ligji nuk do të zbatohet as për materialet referuese të certifikuara ndërkombëtarisht dhe për materialet e përdorura në skemat e vlerësimit të jashtëm të cilësisë.

Kur një pajisje përfshin si pjesë integrale një pajisje mjekësore sipas legjislacionit të posaçëm, ajo do të rregullohet nga ai legjislacion, ndërsa kërkesat e projektligjit do të zbatohen për pjesën diagnostikuese in vitro.

Pajisjet që konsiderohen gjithashtu makineri duhet të përmbushin kërkesat thelbësore të shëndetit dhe sigurisë të përcaktuara në legjislacionin për makineritë, kur këto kërkesa janë më specifike. Projektligji parashikon se struktura përgjegjëse për inspektimin e pajisjeve ruan të drejtën të kufizojë përdorimin e llojeve të caktuara të pajisjeve për aspekte që nuk mbulohen nga ligji.

Teksti përcakton gjithashtu se ligji nuk cenon legjislacionin kombëtar për organizimin, ofrimin dhe financimin e shërbimeve shëndetësore dhe kujdesit shëndetësor. Kjo përfshin kërkesat që pajisje të caktuara të furnizohen vetëm me recetë mjekësore, të përdoren vetëm nga profesionistë ose institucione të caktuara shëndetësore, apo që përdorimi i tyre të shoqërohet me këshillim profesional.

Projektligji nuk kufizon lirinë e shtypit ose lirinë e shprehjes në media, të garantuara nga legjislacioni shqiptar dhe Karta e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian. Sipas shënimit shoqërues, ligji është pjesërisht i harmonizuar me Rregulloren e Bashkimit Evropian 2017/746 për pajisjet mjekësore diagnostikuese in vitro.

 

The post Pajisjet diagnostikuese in vitro, gati drafti që unifikon rregullat e tregut appeared first on Revista Monitor.

Banka e Shqipërisë bleu gati 140 milionë euro në tremujorin e parë

20 July 2026 at 12:55

Banka e Shqipërisë bleu 139.6 milionë euro në tregun e brendshëm valutor për tremujorin e parë të këtij viti.

Të dhënat e Bankës Qendrore tregojnë se blerjet e valutës u rritën me 320% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Blerjet e Euros në tregun e brendshëm valutor ndahen në dy grupe, ato të planifikuara në kalendarin vjetor të ankandeve, me qëllim rritjen e rezervës valutore dhe blerjet direkte në treg, me qëllim frenimin e mbiçmimit të kursit të Lekut ndaj monedhës europiane.

Blerjet e planifikuara në ankandet e zhvilluara nga Banka e Shqipërisë për tremujorin e parë arritën vlerën e 44.1 milionë eurove, në rritje me 33% krahasuar me një vit më parë.

Por, diferencën më të madhe e bënë blerjet direkte, me qëllimin për të ngadalësuar rënien e kursit të Euros. Në tre muajt e parë të vitit (saktësisht në shkurt dhe mars), Banka e Shqipërisë bleu 95.5 milionë euro në kuadrin e këtyre ndërhyrjeve.

Në tremujorin e parë të vitit të kaluar nuk kishte pasur blerje të tilla, sepse përgjithësisht në këtë periudhë të vitit presionet për zhvlerësimin e Euros kanë qenë të dobëta.

Por, për herë të parë këtë vit, Euro ka shfaqur një tendencë të ndjeshme rënëse dhe kjo e ka detyruar Bankën e Shqipërisë të nisë ndërhyrjet që në tremujorin e parë të vitit.

Blerjet e tremujorit të parë 2026 ndjekin trajektoren e blerjeve të mëdha të valutës nga Banka e Shqipërisë duke filluar nga viti 2024. Në periudhën 2024-2025, blerjet arritën vlerën e më shumë se dy miliardë eurove. Vetëm vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë bleu 1 miliard e 27 milionë euro në tregun e brendshëm.

Në rast se tendenca e tremujorit të parë do të shtrihet edhe në pjesën e mbetur të këtij viti, gjasat janë që blerjet valutore të shënojnë një rekord të ri këtë vit.

Këtë vit, Banka e Shqipërisë parashikon të rrisë më tej blerjet e planifikuara të valutës, të paktën në pjesën e tyre të planifikuar. Ajo synon të blejë përmes ankandeve 330 – 450 milionë euro, me objektiv rritjen e rezervës valutore. Objektivi i blerjeve është rritur ndjeshëm krahasuar me nivelin faktik prej afërsisht 300 milionë eurosh të vitit 2025.

Kursi i këmbimit Euro-Lek këtë vit po shfaq tendenca të mëtejshme në rënie. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, aktualisht Euro këmbehet me 93.67 lekë. Që nga fillimi i vitit, Euro është zhvlerësuar me më shumë se 3%, ndërsa me bazë vjetore rënia ka arritur në më shumë se 4%.

Banka e Shqipërisë vlerëson se arsyeja kryesore e rënies së Euros është përmirësimi i bilancit të pagesave, falë flukseve hyrëse të lidhura kryesisht me turizmin dhe investimet në pasuri të paluajtshme, ndërsa një pjesë e publikut percepton rol të konsiderueshëm edhe të flukseve valutore nga aktivitetet e jashtëligjshme.

Një efekt shtesë ka dhënë edhe politika fiskale shtrënguese, e karakterizuar nga suficite buxhetore në pjesën më të madhe të vitit dhe ulje graduale e borxhit publik.

 

The post Banka e Shqipërisë bleu gati 140 milionë euro në tremujorin e parë appeared first on Revista Monitor.

Fshihen 28.8 mln euro gjoba të papaguara deri në 2024, përfitojnë rreth 17 mijë biznese

20 July 2026 at 12:36

Përveç fshirjes së plotë të detyrimeve të papaguara deri në 2014, faljes së tyre me kusht nëse paguhet deri 75% e principalit, ligji i faljes parashikon edhe fshirjen e gjobave dhe kamatëvonesave për detyrimet e papaguar për vitet 2020 deri dhjetor 2024.

Administrata tatimore njoftoi se deri tani kanë përfituar 15,715 tatimpagues, me 28.8 milionë euro detyrime të fshira/shuara.

Procesi përfshin fshirjen e gjobave për mosdeklarim në afat, të llogaritura deri më 31 dhjetor 2024 dhe të gjobave për dorëzimin me vonesë të vendimit për destinimin e rezultatit dhe pasqyrave financiare, për detyrimet e llogaritura deri më 31 dhjetor 2024.

Konkretisht ligji parashikon që detyrimet tatimore për periudhën 1 janar 2020 – 31 dhjetor 2024, fshihen gjobat dhe kamatëvonesat me kusht që tatimi për periudhën përkatëse të paguhet i plotë (100% e principalit) nga data 10.06.2026 deri më 31.12.2026.

Po ashtu sipas ligjit detyrimet tatimore deri më 31 dhjetor 2014, fshihen plotësisht, përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat. Për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nuk falet detyrimi principal.

Detyrimet tatimore për periudhën 1 janar 2015 – 31 dhjetor 2019

Shuhet 50% e detyrimit principal, nëse 50% e mbetur paguhet njëherësh nga 10.06.2026 deri më 30.06.2026; Shuhet 25% e detyrimit principal, nëse 75% e mbetur paguhet nga 10.06.2026 deri më 31.12.2026. Në të dy rastet, gjobat dhe kamatëvonesat fshihen plotësisht. Në të dy rastet, gjobat dhe kamatëvonesat fshihen plotësisht.

Përfitime të tjera të parashikuara nga ligji

Sipas ligjit nr. 86/2025:
Fshihen detyrimet për subjektet e çregjistruara në QKB ose me vendim gjykate deri më 31.12.2024, përveç kontributeve te sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore;

Fshihen gjobat për mosdeklarim ose deklarim të vonuar të deklaratave që i përkasin periudhave deri në 31.12.2024, me kusht që deklaratat e padorëzuara të dorëzohen deri më 30.06.2026;

Fshihen gjobat për dorëzim të vonuar të pasqyrave financiare dhe vendimit për destinimin e rezultatit, të llogaritura deri më 31.12.2024;

Fshihen gjobat dhe interesat e krijuara nga ndryshimet e listëpagesave si pasojë e akteve ligjore/nënligjore me efekt prapaveprues ose vendimeve gjyqësore të formës së prerë.

Fshihen gjobat administrative për periudhat deri më 31.12.2024.

Tatimet: 20 mijë subjekte përfituan nga falja me kusht 60 mln euro detyrime të papaguara

The post Fshihen 28.8 mln euro gjoba të papaguara deri në 2024, përfitojnë rreth 17 mijë biznese appeared first on Revista Monitor.

Individët janë klientët më cilësorë të sektorit bankar, kreditë me probleme ranë në 2.6%

20 July 2026 at 12:00

Segmenti i individëve ruajti nivelin më të ulët të kredive edhe vitin e kaluar.

Sipas të dhënave të bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2025 raporti i kredive me probleme në portofolin e klientëve individë ishte në nivelin 2.6%, në rënie të mëtejshme nga niveli prej 2.9% i një viti më parë.

Klientët biznes vazhdojnë të kenë nivele më të larta të kredive me probleme, por gjatë vitit të kaluar përmirësimi në këtë segmenti ishte më i lartë. Raporti i kredive me probleme për bizneset zbriti në 4.7%, nga 5.2% që kishte qenë një vit më parë.

Segmenti i individëve ka pasur historikisht një raport të kredive me probleme më të ulët krahasuar me bizneset, sepse ekspozimet janë më të vogla dhe rreziku i kredisë është më i shpërndarë. Gjithashtu, duke qenë se pjesa më e madhe e portofolit konsiston në kredi për blerjen e banesave, angazhimi i huamarrësve ndaj shlyerjes së detyrimeve në përgjithësi është i madh.

Pavarësisht rritjes së shpejtë të kreditimit në segmentin për individë në vitet e fundit, cilësia e portofolit të kredisë vazhdon të përmirësohet. Megjithatë, Banka e Shqipërisë ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me rritjen e shpejtë të huadhënies, sidomos në segmentin e pasurive të paluajtshme.

Duke filluar nga mesi i vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë nisi të aplikojë kufizime për standardet e kredidhënies së re për blerjen e banesave, duke u përpjekur të frenojë rritjen e huasë në segmentin e individëve. Raporti tavan i kredisë ndaj vlerës në monedhën Lekë është vendosur 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë, ndërsa në valutë të huaj kufiri i lejuar është 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë.

Ndërsa raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave për kreditë në Lekë është në nivelin 40% për shtëpinë e parë dhe 35% për shtëpinë e dytë. Në valutë të huaj, niveli tavan është 35% për shtëpinë e parë dhe 30% për shtëpinë e dytë.

Deri në fund të vitit të kaluar efektet e këtyre masave ishin të dobëta, por në pjesën e parë të këtij viti kredia për blerje banesash nga individët është ngadalësuar.

Për sa i përket ndarjes së kredive me probleme sipas monedhës, raporte më të ulëta vazhdojnë të regjistrohen te kredia në valutë të huaj.

Treguesi i kredive me probleme në valutë vitin e kaluar pësoi një rënie me 0.6 pikë përqindje, duke arritur në nivelin 2.8%. Gjithashtu, edhe treguesi i kredive në Lek pësoi një rënie, por më të lehtë, me 0.2 pikë përqindje, duke arritur në nivelin 4.6% në fund të vitit 2025.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar raporti i përgjithshëm i kredive me probleme zbriti në 3.8%, nga 4.17% që kishte qenë një vit më parë. Kjo ishte hera e parë në afërsisht 18 vjet që raporti i kredive me probleme bie poshtë nivelit të 4%. Raporti i kredive ka arritur nivelin më të ulët që prej janarit të vitit 2008./ E.Shehu

Burimi: Banka e Shqipërisë

The post Individët janë klientët më cilësorë të sektorit bankar, kreditë me probleme ranë në 2.6% appeared first on Revista Monitor.

Dy ligje që nuk zgjidhin problemet reale të bujqësisë shqiptare

20 July 2026 at 11:00

Nga Eduart Sharka, ekspert i bujqësisë

 

Në të njëjtën seancë, Kuvendi miratoi dy projektligje që, sipas qeverisë, synojnë të modernizojnë bujqësinë shqiptare.

I pari krijon “Dëftesat Tregtare mbi Produktet Bujqësore”, duke u dhënë fermerëve mundësinë të përdorin prodhimin e ardhshëm ose produktin e magazinuar si kolateral për financim.

I dyti lejon që deri në 40% e tokës bujqësore të përdoret për instalime fotovoltaike, eolike dhe sisteme të magazinimit të energjisë. Në pamje të parë, të dy ligjet duken moderne. Në thelb, të dy shmangin problemet reale të sektorit.

Problemi i bujqësisë shqiptare nuk është mungesa e instrumenteve juridike.

Problemi është se bujqësia shqiptare nuk prodhon fitim të qëndrueshëm. Një biznes që humbet para nuk shpëtohet duke i krijuar një formë të re kolaterali. Një tokë që duhet të prodhojë ushqim nuk bëhet domosdoshmërisht më e vlefshme duke prodhuar energji.

 

1.Dëftesat tregtare, zgjidhje për një problem që nuk ekziston

Logjika e këtij ligji është e njohur. Në SHBA ekzistojnë “Warehouse Receipts”. Në Brazil përdoret “Cédula de Produto Rural” (CPR), ndërsa në disa vende afrikane funksionojnë “Warehouse Receipt Systems”.

Por të gjitha këto modele kanë lindur në ekonomi krejtësisht të ndryshme nga Shqipëria. Ato mbështeten në disa kushte të përbashkëta: prodhim të madh drithërash; magazina të certifikuara; tregje të kontratave të së  ardhmes (futures); sigurim të prodhimit; standardizim cilësor; kontrata të qëndrueshme shitjeje.

Fermeri ruan grurin për gjashtë muaj dhe merr kredi duke përdorur produktin e magazinuar si garanci. Kjo funksionon, por vetëm sepse ekziston produkti, magazinimi, standardizimi dhe tregu.

Shqipëria nuk e ka këtë strukturë.

Sektori ynë bujqësor është krejt tjetër. Produktet kryesore konkurruese janë domatet, kastravecat, specat, luleshtrydhet dhe zarzavatet. Ato janë produkte shumë të prishshme, që nuk magazinohen për muaj, por duhet të shiten brenda pak ditësh.

Për këtë arsye, instrumenti kryesor i ligjit praktikisht nuk gjen objekt të gjerë zbatimi. Drithërat, që janë produktet tipike për skemat e dëftesave të magazinimit, zënë një pjesë relativisht të vogël të ekonomisë bujqësore shqiptare.

Pra, ligji merr një instrument të krijuar për Kansasin, Mato Grosson apo Ukrainën dhe përpiqet ta zbatojë në Divjakë, Lushnjë apo Berat. Kjo nuk funksionon jo sepse instrumenti është i keq, por sepse ekonomia është tjetër.

 

Problemi nuk është kolaterali

Qeveria pretendon se fermeri nuk merr kredi sepse nuk ka garanci. Por faktet tregojnë se problemi nuk qëndron vetëm te mungesa e kolateralit. Sot, bujqësia shqiptare përfaqëson vetëm një pjesë të vogël të portofolit të kredive bankare. Gjatë viteve të fundit kanë ekzistuar fondi sovran i garancisë, kreditë e buta, skema të garantuara nga BERZH-i dhe programe të Bashkimit Europian.

Megjithatë, përdorimi i tyre ka mbetur modest. Pse? Sepse problemi nuk është vetëm banka. Problemi është përfitueshmëria e aktivitetit.

Asnjë bankë nuk financon me dëshirë një biznes që ka probabilitet të lartë humbjeje. Bujqësia shqiptare nuk konsiderohet investim i sigurt sepse fermeri nuk kontrollon pothuajse asnjë nga faktorët që përcaktojnë fitimin.

Ai përballet me kriza ciklike të tregut, mungesë kontratash të garantuara, luhatje të forta të çmimeve, kosto të larta inputesh, energji të kushtueshme, probleme me ujitjen, konkurrencë nga importet e subvencionuara, mbështetje financiare më të ulët se në vendet fqinje dhe mungesë orientimi të prodhimit sipas kërkesës së tregut. Në këto kushte, kolaterali nuk ndryshon thelbin e problemit.

Është si t’i japësh një jelek shpëtimi dikujt, ndërkohë që anija vazhdon të fundoset.

 

2.Fotovoltaikët në tokë bujqësore, një gabim strategjik

Edhe më shqetësues është projektligji tjetër. Shqipëria është ndër vendet me më pak tokë bujqësore për frymë në Europë. Kjo nuk është thjesht çështje statistikash. Është çështje sigurie kombëtare.

Pandemia e COVID-19 tregoi se shtetet mund të vendosin kufizime eksporti. Lufta në Ukrainë dëshmoi se zinxhirët e furnizimit mund të ndërpriten brenda pak javësh. Krizat gjeopolitike po bëhen gjithnjë e më të shpeshta.

Në këto kushte, çdo vend serioz duhet të pyesë fillimisht: “Sa ushqim prodhoj vetë?”. Vetëm më pas duhet të pyesë: “Sa energji prodhoj?”.

 

Sovraniteti ushqimor është pjesë e sigurisë kombëtare

FAO, Komisioni Europian dhe shumë strategji kombëtare të hartuara pas pandemisë e trajtojnë sigurinë ushqimore si element të qëndrueshmërisë dhe rezistencës kombëtare.

Një vend që nuk prodhon ushqimet bazë është shumë më i ekspozuar ndaj krizave. Shqipëria sot importon një pjesë të madhe të produkteve ushqimore.

Në vend që toka bujqësore të ruhet dhe të vihet në funksion të prodhimit, ligji lejon përdorimin industrial të saj. Kjo është një zgjedhje strategjike me pasoja afatgjata.

 

Agrivoltaika nuk është ajo që po kuptojmë

Qeveria mund të argumentojë se në Europë ekzistojnë sistemet agrivoltaike. Kjo është e vërtetë. Por agrivoltaika nuk do të thotë mbulim i tokës me panele. Në Francë, Gjermani apo Itali, panelet vendosen në lartësi dhe projektohen në mënyrë që prodhimi bujqësor të vazhdojë pothuajse normalisht.

Studimet tregojnë se, për disa kultura, këto sisteme mund të ulin avullimin dhe të përmirësojnë rendimentin. Por këto modele janë shumë të kushtueshme, kontrollohen në mënyrë rigoroze dhe lejohen vetëm kur provohet se prodhimi bujqësor nuk dëmtohet.

Në Shqipëri nuk është bërë publik asnjë studim që të tregojë se si do të garantohet ky standard. Rreziku është që koncepti “agrivoltaik” të përdoret si justifikim për shndërrimin gradual të tokës bujqësore në park energjetik.

Energjia mund të prodhohet pa konsumuar tokë bujqësore.

Shqipëria ka alternativa shumë më të përshtatshme, si çatitë e ndërtesave publike; çatitë e serave; zonat industriale; tokat e degraduara; ish-zonat minerare; sipërfaqet kodrinore dhe malore pa potencial bujqësor. Atëhere, pse duhet të fillohet pikërisht nga toka më e çmuar?

 

Përfundim

Dy ligjet e miratuara kanë një element të përbashkët: asnjëri nuk trajton shkakun e problemeve.

Njëri nis nga ideja se problemi i fermerit është mungesa e kolateralit. Tjetri e trajton tokën bujqësore si një aset që mund të krijojë vlerë edhe kur nuk prodhon ushqim.

Në fakt, problemi është krejt tjetër.

Fermeri shqiptar nuk ka nevojë fillimisht për më shumë letra. Ka nevojë për fitim, treg, mbrojtje nga konkurrenca e padrejtë dhe politika që e bëjnë bujqësinë një biznes ku ia vlen të investosh.

Mbi të gjitha, Shqipëria duhet të kuptojë se toka bujqësore nuk është thjesht një aset ekonomik. Ajo është një pasuri strategjike kombëtare.

Në një botë ku krizat ushqimore dhe gjeopolitike po bëhen më të shpeshta, ruajtja e kapaciteteve prodhuese nuk është vetëm politikë bujqësore. Është politikë e sigurisë kombëtare.

 

 

The post Dy ligje që nuk zgjidhin problemet reale të bujqësisë shqiptare appeared first on Revista Monitor.

ARRSH tender 5 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbrit

20 July 2026 at 10:37

Autoriteti Rrugor Shqiptar synon të lidhë Unazën Verilindore me Rrugën e Arbrit përmes një rruge për të cilën çeli këtë të hënë tenderin me fond limit 491 milionë lekë, ose rreth 5 milionë euro.

Projekti parashikon realizimin e një lidhjeje rrugore në pjesën verilindore të Tiranës, në zonën ku ndodhet edhe rruga “Myslym Keta”. Kjo rrugë shtrihet në Njësinë Administrative 4, kufizohet nga rruga “Aleksandër Moisiu” dhe lidhet me Rrugën e Arbrit.

Sipas raportit teknik, segmenti i marrë në studim ka një gjatësi prej rreth 3,000 metrash dhe një gjerësi ekzistuese që varion nga 7 deri në 10 metra. Aksi është i asfaltuar, por në disa pjesë paraqet çarje, gropa dhe dëmtime të sipërfaqes.

Trotuaret përgjatë rrugës janë të dëmtuara dhe në disa zona nuk ofrojnë kushte të përshtatshme për lëvizjen e këmbësorëve. Ndriçimi publik është i pranishëm vetëm në segmente të caktuara, ndërsa pjesë të tjera të aksit mbeten të pandriçuara.

Raporti evidenton gjithashtu se sistemet ekzistuese të kanalizimeve për ujërat e bardha dhe të zeza janë të vjetruara. Në disa zona, kapaciteti i tyre rezulton i pamjaftueshëm gjatë reshjeve intensive.

Zgjidhja teknike e propozuar parashikon një gjerësi kaluese prej 12 metrash, të ndarë në dy pjesë nga 6 metra secila. Në profilin e rrugës është përfshirë një ndarëse qendrore me gjerësi 1 metër.

Në të dyja anët e aksit janë parashikuar kuneta me gjerësi 0.5 metra dhe trotuare me gjerësi 2 metra. Projekti përfshin rehabilitimin e plotë të shtresave rrugore dhe rikonstruksionin ose ndërtimin e trotuareve përgjatë segmentit.

Ndërhyrja parashikon instalimin e ndriçimit të ri rrugor me teknologji LED përgjatë gjithë aksit. Pjesë e punimeve do të jenë edhe rehabilitimi dhe zgjerimi i sistemeve të kanalizimeve për ujërat e bardha dhe të zeza.

Në projekt janë përfshirë gjithashtu sinjalistika horizontale dhe vertikale, elemente për aksesin e personave me aftësi të kufizuara, si dhe ndërhyrje për gjelbërimin dhe mobilimin urban.

Preventivi paraprak për ndërhyrjen e plotë në rrugën “Myslym Keta” është përllogaritur në rreth 672 milionë lekë me TVSH. Fondi limit i tenderit të hapur nga ARRSH është 491 milionë lekë.

Dokumentacioni teknik parashikon edhe organizimin e punimeve dhe menaxhimin e trafikut gjatë fazës së ndërtimit.

The post ARRSH tender 5 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbrit appeared first on Revista Monitor.

Manifaktura po fiket, Shqipëria po humbet motorin e eksporteve; Alarmi i industrisë së veshje-këpucë

20 July 2026 at 10:00

Nga Florian Zekja, përfaqësues i Manifakturës

 

Nëse nuk veprohet me shpejtësi, Shqipëria rrezikon të humbasë një nga avantazhet e saj më të rëndësishme konkurruese. Por nëse ndërmerren politikat e duhura, kriza aktuale mund të shndërrohet në një mundësi për të transformuar industrinë prodhuese në një sektor më modern, më produktiv dhe më konkurrues, duke garantuar më shumë eksporte, më shumë vende pune dhe një zhvillim ekonomik më të qëndrueshëm për vendin…

 

Të dhënat më të fundit të INSTAT konfirmojnë se industria e veshjeve dhe këpucëve vazhdon të ndjekë një trajektore shqetësuese.

Në muajin qershor, eksportet e sektorit shënuan një rënie prej 3.8%, pas tkurrjes rekord prej 14.2% të regjistruar në muajin maj.

Për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, rënia kumulative ka arritur në 6.7%, ose rreth 3.7 miliardë lekë, duke e bërë këtë sektor të vetmin grup të madh eksportues që vijon të paraqesë një tendencë të fortë negative.

Shkaqet janë të shumta dhe janë analizuar vazhdimisht, por faktori kryesor mbetet rënia e euros kundrejt lekut. Mbiçmimi i monedhës vendase ka rritur artificialisht kostot për eksportuesit shqiptarë, duke i bërë ata çdo ditë e më pak konkurrues në tregjet ndërkombëtare.

Po flasim për sektorin që ende përfaqëson rreth 30% të eksporteve shqiptare dhe që, për më shumë se tre dekada, ka qenë një nga shtyllat kryesore të industrializimit të vendit.

Pasojat tashmë janë të dukshme. Kompani të rëndësishme po zhvendosin aktivitetin drejt vendeve që ofrojnë kushte më konkurruese. Paralelisht, po zbehet besimi i investitorëve të huaj dhe i sipërmarrësve vendas për të zgjeruar apo edhe për të vijuar aktivitetin në Shqipëri.

Por ndikimi nuk kufizohet vetëm te eksportet.

Çdo fabrikë që redukton prodhimin ose mbyll aktivitetin nuk prek vetëm punonjësit e saj. Ajo godet dhjetëra biznese të tjera që lidhen me të: transportin, logjistikën, paketimin, mirëmbajtjen, furnizuesit e materialeve ndihmëse, shërbimet financiare, sigurimet, bizneset e vogla pranë zonave industriale dhe, në fund, vetë konsumin e familjeve shqiptare.

Manifaktura ka qenë historikisht një nga sektorët me ndikimin më të madh në punësim, veçanërisht për gratë dhe vajzat. Për mijëra familje shqiptare, paga e siguruar nga ky sektor ka qenë burimi kryesor i të ardhurave dhe një faktor i rëndësishëm për uljen e varfërisë, emigracionit dhe për ruajtjen e stabilitetit social.

Humbja e vendeve të punës në këtë industri nuk zëvendësohet lehtësisht. Shumë punonjës largohen nga tregu i punës, emigrojnë ose kalojnë në sektorë me produktivitet më të ulët, duke ulur potencialin afatgjatë të ekonomisë shqiptare.

Në të njëjtën kohë, vendi humbet një nga shkollat më të rëndësishme të formimit profesional. Industria e veshjeve dhe këpucëve nuk ka prodhuar vetëm eksporte; ajo ka krijuar menaxherë, teknikë, specialistë të cilësisë, inxhinierë, stilistë dhe një kulturë pune sipas standardeve europiane. Humbja e këtij kapitali njerëzor është shumë më e kushtueshme sesa rënia e eksporteve në një vit të vetëm.

Paradoksi bëhet edhe më i madh kur shohim zhvillimet ndërkombëtare.

Evropa dhe ekonomitë më të zhvilluara po investojnë miliarda euro për të afruar prodhimin pranë kufijve të tyre, duke reduktuar varësinë nga tregjet e largëta. Krizat e viteve të fundit kanë treguar se një ekonomi nuk mund të mbështetet vetëm te shërbimet apo konsumi; ajo ka nevojë për një bazë të fortë prodhuese.

Në këtë kontekst, Shqipëria ka një avantazh real. Pozicioni gjeografik, përvoja shumëvjeçare, marrëdhëniet me markat ndërkombëtare dhe fuqia punëtore e kualifikuar e bëjnë industrinë shqiptare të veshjeve dhe këpucëve një partner strategjik për Bashkimin Europian.

Pikërisht për këtë arsye, ky sektor nuk duhet parë thjesht si një industri fason apo si një sektor që punon me material porositësi. Ai është një instrument i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, për rritjen e eksporteve, për transferimin e teknologjisë, për përgatitjen e kapitalit njerëzor dhe për integrimin ekonomik të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Së bashku me agropërpunimin, përpunimin e peshkut, industrinë automotive dhe turizmin, manifaktura përbën një nga shtyllat mbi të cilat duhet të ndërtohet ekonomia shqiptare e dekadës së ardhshme. Këta sektorë nuk gjenerojnë vetëm të ardhura, por krijojnë vende pune, nxisin investimet, mbështesin zhvillimin rajonal dhe forcojnë rezistencën e ekonomisë ndaj krizave.

Nëse Shqipëria humbet gradualisht bazën e saj prodhuese, rrezikon të mbetet një ekonomi e mbështetur kryesisht te importet, ndërtimi, konsumi dhe shërbimet, duke u bërë gjithnjë e më e varur nga zhvillimet e jashtme. Një ekonomi pa një sektor prodhues të fortë është më pak konkurruese, më pak inovative dhe më e brishtë përballë çdo krize.

Prandaj, mbështetja e industrisë prodhuese nuk është një kërkesë e një sektori të vetëm. Është një investim në punësimin, eksportet, stabilitetin social dhe të ardhmen ekonomike të Shqipërisë.

Kjo situatë kërkon një ndryshim të qartë të politikave ekonomike. Nuk mjafton të konstatojmë rënien e eksporteve apo mbylljen e fabrikave; nevojitet një strategji kombëtare për mbrojtjen dhe zhvillimin e sektorëve prodhues.

Qeveria duhet ta konsiderojë industrinë prodhuese si një sektor me rëndësi strategjike, njësoj siç po veprojnë sot shumë vende të Bashkimit Europian dhe Shtetet e Bashkuara. Në një botë ku zinxhirët globalë të furnizimit po rikonfigurohen dhe konkurrenca për investime po bëhet gjithnjë e më e fortë, Shqipëria nuk mund të mbështetet vetëm te avantazhi i kostos së ulët të punës. Ajo duhet të ndërtojë një model të ri konkurrueshmërie.

Së pari, duhet të merren masa për të zbutur ndikimin që kursi i këmbimit po ka mbi eksportuesit. Ndërsa kursi i këmbimit përcaktohet nga tregu, qeveria ka në dorë instrumente fiskalë dhe financiarë për të kompensuar një pjesë të kostove që po rëndojnë mbi bizneset eksportuese.

Së dyti, është i domosdoshëm një program kombëtar investimesh nëpërmjet granteve për automatizimin, dixhitalizimin dhe modernizimin teknologjik të industrisë . Rritja e produktivitetit është mënyra më e qëndrueshme për të përballuar konkurrencën ndërkombëtare dhe mungesën e fuqisë punëtore.

Një tjetër prioritet duhet të jetë lehtësimi i aksesit në financim. Garancitë sovrane për investimet prodhuese, kreditë me norma preferenciale interesi dhe skemat e mbështetjes për ndërmarrjet eksportuese do t’u jepnin kompanive mundësinë të investojnë në teknologji, në produkte me vlerë më të lartë të shtuar dhe në zgjerimin e kapaciteteve prodhuese.

Po aq e rëndësishme është edhe politika fiskale. Lehtësimi i barrës tatimore mbi investimet, stimulimi i fitimit të riinvestuar, përshpejtimi i amortizimit të makinerive dhe pajisjeve, si edhe politikat që ulin kostot e formalizimit, do të rrisnin konkurrueshmërinë e industrisë shqiptare.

Një vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet kapitalit njerëzor. Shqipëria nuk mund të ketë industri moderne pa punonjës të kualifikuar. Bashkëpunimi mes bizneseve, universiteteve dhe arsimit profesional duhet të shndërrohet në një politikë të mirëfilltë shtetërore, me programe të dedikuara për formimin e teknikëve, inxhinierëve dhe specialistëve të industrisë.

Po kështu, vendi duhet të ndërtojë politika që nxisin kalimin gradual nga modeli tradicional fason drejt krijimit të markave shqiptare, dizajnit, kërkimit dhe zhvillimit, si edhe integrimit më të thellë në zinxhirët europianë të vlerës. Vetëm kështu vlera e shtuar do të mbetet në ekonominë shqiptare.

Nëse nuk veprohet me shpejtësi, Shqipëria rrezikon të humbasë një nga avantazhet e saj më të rëndësishme konkurruese. Por nëse ndërmerren politikat e duhura, kriza aktuale mund të shndërrohet në një mundësi për të transformuar industrinë prodhuese në një sektor më modern, më produktiv dhe më konkurrues, duke garantuar më shumë eksporte, më shumë vende pune dhe një zhvillim ekonomik më të qëndrueshëm për vendin.

Burimi: Instat

The post Manifaktura po fiket, Shqipëria po humbet motorin e eksporteve; Alarmi i industrisë së veshje-këpucë appeared first on Revista Monitor.

❌