Normal view

Vera turistike në Golem po humbet shkëlqimin

18 July 2026 at 22:12

Në Golem dhe Durrës, sezoni duket dinamik: autobusë me grupe të organizuar që vijnë nga aeroporti, hotele me kontrata dhe tregje të reja që po zbulojnë bregdetin. Por poshtë kësaj gjallërie, kërkesa po shfaqet më e dobët. Rezervimet e minutës së fundit janë zbehur, gjermanët po vijnë më pak nga kontratat e garancisë dhe ofertat e korrikut po shfaqen masivisht në të gjithë strukturat në një periudhë kur zakonisht çmimet vetëm rriten. Polakët, çekët dhe sllovakët po mbajnë ritmin, ndërsa francezët, britanikët dhe armenët po testojnë destinacionin. Zhvlerësimi i pandalshëm i Euros vetëm sa po e shton presionin mbi hotelet, duke tkurrur më tej marzhet e tyre të fitimit. Kjo verë mund t’i mbushë në pjesën më të madhe dhomat e Golemit, por jo domosdoshmërisht pritshmëritë e bizneseve.

 

Nertila Maho

Në pamje të parë, sezoni veror në Durrës dhe Golem, rajoni më i rëndësishëm i turizmit masiv në vend, nuk duket i dobët. Hotelet vijojnë të presin grupe të organizuara, avionët charter sjellin turistë nga tregje të reja dhe kontratat e garancisë me agjencitë e huaja po mbajnë të zënë një pjesë të madhe të kapaciteteve.

Por pas kësaj tabloje fshihet një sezon veror më i ndërlikuar dhe më pak i parashikueshëm nga sa tregojnë shifrat në sipërfaqe. Rezervimet e minutës së fundit, për të cilat hotelet zakonisht lënë të disponueshme rreth 20% të kapacitetit, u zbehën papritur në fund të qershorit dhe fillimit të korrikut.

Në të njëjtën kohë, edhe tregu gjerman, ndonëse mbështetet te kontratat e garancisë, është tërhequr, duke sjellë më pak turistë të organizuar nga sa kishin parashikuar operatorët. Polakët, çekët dhe sllovakët po mbajnë peshën kryesore të turizmit të organizuar në këtë rajon, siç ka ndodhur edhe në vitet e fundit, dhe ecuria e tyre mbetet pozitive.

Po aq inkurajues është edhe tregu francez, i cili po e teston për herë të parë këtë pjesë të bregdetit përmes turizmit të organizuar dhe të kontratave të garancisë. Strukturat akomoduese konfirmojnë gjithashtu një rritje të pranisë së britanikëve, kryesisht si turistë individualë, si dhe hyrjen e armenëve, të cilët po vijnë për herë të parë në vend në formë të organizuar. Me diasporën që po rezervon më pak dhe me shqiptarët e Kosovës që janë më pak të pranishëm, turizmi i organizuar mbetet segmenti i vetëm që po e mban rritjen.

Të gjitha këto zhvillime tregojnë se Durrësi dhe Golemi janë përballë një sezoni, bilanci i të cilit ende nuk mund të lexohet qartë. Operatorët vlerësojnë se kjo verë mund të rezultojë më e dobët se ato të viteve të mëparshme, por presin që shtatori dhe tetori të kompensojnë një pjesë të zbehjes së korrikut. Rezervimet paraprake për këta muaj janë në rritje, duke ushqyer shpresën se sezoni mund të zgjasë më shumë dhe të rikuperojë një pjesë të terrenit të humbur në kulmin e verës.

 

Dy sezone brenda së njëjtës verë, kontratat me garanci mirë, rezervimet individuale, dobët

Sezoni veror në Golem dhe Durrës po ecën me dy ritme të ndryshme. Në njërën anë janë kontratat e garancisë me agjencitë e huaja për grupet e organizuara, të cilat kanë siguruar paraprakisht një pjesë të madhe të kapaciteteve hoteliere dhe po shfaqin ecuri të mirë. Në anën tjetër janë rezervimet individuale dhe ato të minutës së fundit, ku operatorët po raportojnë ngadalësim të fortë të kërkesës.

“Ka një tkurrje nga klientët që rezervojnë nga Booking apo recepsioni”, thotë Fatos Çerenishti, administrator i “Fafa Group”. Sipas tij, biznesi punon kryesisht me kontrata garancie, por lë një pjesë të kapaciteteve për rezervimet individuale. Pikërisht kjo pjesë ka rezultuar më e dobët se një vit më parë.

Blerim Norja, Drejtor i Përgjithshëm i hoteleve “Royal G”, jep një ndarje më konkrete të modelit të shitjeve. Sipas tij, strukturat e mëdha rezervojnë zakonisht rreth 80% të kapaciteteve për turizmin e organizuar dhe lënë 20% për klientët e minutës së fundit.

“Ky 20% ka shfaqur deficit të theksuar”, thotë z. Norja. Ai shton se rënia është e dukshme jo vetëm në regjistrat e rezervimeve, por edhe në aktivitetin e përditshëm të zonës, përfshirë gjallërinë më të ulët në shëtitore gjatë mbrëmjeve.

Për hotelet, kjo nuk është thjesht një çështje e numrit të dhomave të zëna. Rezervimet individuale shpesh ofrojnë më shumë fleksibilitet në çmime dhe mundësi më të mira për të shitur me tarifat e pikut. Kontratat me agjencitë, ndonëse garantojnë volum, zakonisht negociohen më herët dhe me çmime të përcaktuara paraprakisht.

Kjo do të thotë se një hotel mund të ketë nivel të kënaqshëm rezervimesh, por të gjenerojë më pak të ardhura nga sa kishte parashikuar. Kapaciteti i mbushur nga agjencitë garanton një shkallë qëndrueshmërie, por nuk e zëvendëson plotësisht humbjen e klientëve që rezervojnë drejtpërdrejt dhe në momentin e fundit.

Z. Çerenishti e përshkruan kontrastin përmes interesit të drejtpërdrejtë të klientëve. “Vjet në të njëjtën periudhë kishim 100 telefonata në ditë që pyesnin dhe interesoheshin, sot bëhen ose nuk bëhen katër të tilla”, thotë ai.

Operatorët bien dakord se prilli, maji dhe pjesërisht qershori kishin krijuar pritshmëri më pozitive. Z. Norja thotë se në prill dhe maj hotelet e tij kishin regjistruar rritje prej 15-20% krahasuar me një vit më parë.

Dobësimi u ndie në fund të qershorit dhe në fillim të korrikut, pikërisht kur sezoni duhet të hynte në fazën më të fortë. Ndryshimi ishte i menjëhershëm dhe, për operatorët, e bën më të vështirë identifikimin e një shkaku të vetëm për zbehjen. Për momentin, turizmi i organizuar po mban në këmbë pjesën më të madhe të sezonit.

 

Gjermanët tërhiqen, grupet e tjera ruajnë rritjen

Tregu gjerman është i vetmi ndër segmentet e turizmit të organizuar që ka shfaqur tërheqje të dukshme nga rezervimet paraprake. Shitjet e agjencive kanë qenë më të dobëta se pritshmëritë, ndërsa pjesa tjetër e grupeve që vijnë përmes kontratave të garancisë ka ruajtur ecuri pozitive.

“Do të veçoja vetëm tregun gjerman, ku shitjet nuk kanë qenë aq mirë në raport me kontratën që kemi”, thotë z. Çerenishti, ndërsa polakët, çekët dhe sllovakët kanë ecur sipas parashikimeve dhe kanë ruajtur një performancë të mirë.

Z. Norja jep një vlerësim edhe më të fortë. “Gjermanët janë 50% më pak nga sa ishte parashikuar”, thotë ai, duke iu referuar kontratave dhe volumit të pritshëm nga ky treg.

Operatorët e lidhin pjesërisht dobësimin me perceptimin e pasigurisë. Ai thotë se gjermanët kanë qenë grupi më i ndjeshëm ndaj raportimeve për protestat dhe zhvillimet e brendshme në Shqipëri.

“Më të ndjeshëm dhe që na e kanë shprehur hezitimin në mënyrë të drejtpërdrejtë janë gjermanët”, thotë ai. Sipas z. Norja, polakët, çekët dhe britanikët nuk kanë shfaqur të njëjtin shqetësim.

Z. Çerenishti është më i rezervuar në përcaktimin e shkakut. Ai nuk e lidh drejtpërdrejt rënien me një faktor të vetëm, por thekson se turizmi mbështetet te “besimi, imazhi dhe siguria” dhe se turistët mund të ndryshojnë lehtësisht destinacion.

Polonia mbetet tregu më i konsoliduar i turizmit të organizuar në vend. Z. Norja i përshkruan polakët si turistë “besnikë të Shqipërisë”, të cilët rikthehen edhe për herë të tretë ose të katërt.

Një tjetër treg që operatorët e vlerësojnë si interesant këtë vit është ai francez, i cili ka hyrë përmes kontratave të garancisë. Për strukturat hoteliere, ky është një zhvillim i rëndësishëm, pasi bëhet fjalë për një treg të ri që po teston për herë të parë bregdetin e Durrësit dhe Golemit në formën e turizmit të organizuar.

Operatorët thonë se agjencitë franceze kanë dhënë vlerësime të mira nga turistët francezë për hotelet, ushqimin dhe plazhin, duke shtuar se për një pjesë të këtij tregu janë mbyllur marrëveshje edhe për vitin 2027.

Britania e Madhe dhe Armenia janë dy burime të tjera të reja të kërkesës. Britanikët po vijnë më shumë në mënyrë individuale, ndërsa Armenia ka hyrë përmes paketave të organizuara dhe fluturimeve charter.

 

 

Oferta në kulmin e sezonit, hotelet ulin çmimet për të tërhequr kërkesën

Korriku dhe gushti janë muajt kur hotelet në bregdet zakonisht përfitojnë nga kërkesa më e lartë për të shitur me çmime më të mira. Këtë vit, operatorët hotelierë konfirmojnë se një pjesë e madhe e strukturave në Golem dhe Durrës po bëjnë të kundërtën dhe po publikojnë oferta.

Në një situatë të tillë, uljet në kulmin e verës tregojnë qartë se hotelet kanë dhoma bosh dhe po përpiqen të tërheqin kërkesën që nuk është në ritmin e pritshëm.

“Po ta vësh re, në të gjitha faqet e hoteleve në zonën e Golemit dhe Durrësit ka aktualisht oferta që sinjalizojnë ulje çmimi”, thotë z. Çerenishti, duke nënvizuar se shkaku është një kërkesë më e dobët dhe përpjekja e hoteleve për të tërhequr rezervime të momentit të fundit.

Z. Norja arrin në një përfundim të ngjashëm. Ai thotë se shumë hotele i kanë çmimet më të ulëta se një vit më parë dhe se të tjera kanë nisur të publikojnë oferta për të reaguar ndaj situatës.

Për të, kjo tregon se rënia nuk është e lidhur me çmime tepër të larta. “Duke qenë se çmimet janë më të ulëta se vjet, nuk është kjo arsyeja”, thotë ai.

Operatorët konfirmojnë se kjo strategji ka kosto. Ofertat mund të ndihmojnë në rritjen e numrit të rezervimeve, por njëkohësisht ulin të ardhurën për çdo dhomë. Ato mund të shtyjnë gjithashtu klientët të presin deri në momentin e fundit, me shpresën se tarifat do të bien edhe më tej. Nëse uljet zgjasin, ato mund të ndikojnë edhe në mënyrën se si tregu e percepton vlerën e destinacionit.

Z. Çerenishti thotë se, nëse situata mbetet e njëjtë, biznesi do të detyrohet të bëjë oferta të tjera. Por ai thekson se kjo “nuk na favorizon si biznes, sepse kemi shumë kosto”.

Nga ana tjetër, z. Norja vëren se pothuajse të gjitha hotelet kanë dhoma bosh, kush më shumë dhe kush më pak.

 

Goditja e dyfishtë mbi fitimet, Euro më e dobët dhe çmime nën presion

Hotelet në bregdet po përballen me dy presione njëkohësisht: zhvlerësimin e Euros ndaj Lekut dhe nevojën për të ulur çmimet për të tërhequr rezervime të momentit të fundit për dhomat që kanë mbetur bosh.

Modeli i operimit i shumë strukturave turistike që punojnë me kontrata garancie apo allotment (paguaj sa sjell) është i ekspozuar drejtpërdrejt ndaj kursit të këmbimit. Kontratat me agjencitë, rezervimet nga jashtë dhe paketat turistike faturohen kryesisht në Euro. Pagat, ushqimet, energjia dhe pjesa më e madhe e shpenzimeve paguhen në Lek.

“Euro na ka rrënuar totalisht”, thotë z. Çerenishti. Sipas tij, rreth 90% e pagesave për ushqime, punonjës dhe shpenzime të tjera bëhen në Lek, ndërsa të ardhurat sigurohen në Euro.

Ai vlerëson se biznesi është “30% minus” nga zhvlerësimi i vazhdueshëm.

Kursi i këmbimit është vetëm njëra anë e problemit. Ana tjetër është presioni mbi çmimet, pasi hotelet po bëjnë oferta në korrik për të shitur kapacitetet e lira. Të ardhurat e pritshme janë sërish në rënie, ndërkohë që kostot e pagave dhe furnizimeve mbeten të pandryshuara ose janë në rritje.

Goditja është veçanërisht e fortë për hotelet me kontrata afatgjata. Çmimet mund të jenë negociuar muaj më parë ose gjatë vitit të kaluar, ndërsa kursi i këmbimit ka vijuar rënien gjatë gjithë kësaj periudhe.

Në këtë mënyrë, strukturat hoteliere përballen njëkohësisht me më pak të ardhura nga konvertimi i Euros dhe me presion për të ulur çmimet në një treg ku rezervimet individuale janë dobësuar. Kjo e bën më të vështirë ruajtjen e fitimit, sidomos në muajt që zakonisht duhet të gjenerojnë pjesën më të madhe të të ardhurave.

 

LEXONI EDHE:

“Korriku ka nisur më i dobët se një vit më parë, zhvlerësimi i Euros po godet sektorin”

“Rezervimet e minutës së fundit në rënie, kontratat me agjencitë – mirë, por tërhiqen gjermanët”

The post Vera turistike në Golem po humbet shkëlqimin appeared first on Revista Monitor.

“Korriku ka nisur më i dobët se një vit më parë, zhvlerësimi i Euros po godet sektorin”

18 July 2026 at 22:10

Intervistë me Fatos Çerenishti, administrator i “Fafa Group”

 

Sezoni veror në Golem po jep sinjalet e para të një ngadalësimi, me kërkesën për rezervime individuale që ka nisur nën nivelet e një viti më parë. Hotelet po aplikojnë oferta edhe në kulmin e sezonit, një tregues i presionit mbi shitjet e minutës së fundit.

Ndërkohë, kontratat e garancisë me agjencitë vijojnë të mbajnë volume të kënaqshme nga Europa Qendrore dhe Lindore.

Sektori përballet paralelisht me një goditje të fortë nga zhvlerësimi i Euros, ndërsa pjesa më e madhe e kostove paguhet në Lek. Operatorët po amortizojnë humbjet përmes tkurrjes së marzheve, për të mos cenuar cilësinë e shërbimit.

Fatos Çerenishti, administrator i “Fafa Group”, në këtë intervistë për “Monitor”, thotë se sezoni mund të rezultojë më i dobët se vitet e fundit.

 

Si paraqitet aktualisht ecuria e turizmit në zonën e Golemit, tashmë që kemi hyrë në muajt kryesorë të sezonit veror?

Po vërejmë tkurrje të kërkesës nga klientët që rezervojnë drejtpërdrejt përmes platformave si Booking apo përmes recepsionit. Ne zakonisht punojmë me kontrata garancie, por një përqindje të kapaciteteve e lëmë të disponueshme për këtë kategori klientësh.

Korriku nuk ka nisur në nivelin që prisnim. Situata na kujton periudhën e para dhjetë viteve, kur sezoni fillonte rreth datës 10 korrik dhe përfundonte më 30 gusht. Aktualisht, ecuria është më e dobët krahasuar me korrikun e vitit të kaluar.

Kjo mund të kuptohet edhe nga ofertat që po publikohen aktualisht në faqet e hoteleve në zonën e Golemit dhe të Durrësit.

Kur hotelet aplikojnë ulje çmimesh gjatë korrikut dhe gushtit, që konsiderohen muajt e pikut të sezonit, kjo tregon se kërkesa nuk është në nivelin e pritshëm. Ofertat po përdoren si një mënyrë për të tërhequr vizitorët që rezervojnë në momentin e fundit.

 

Cilat mund të jenë arsyet që kanë sjellë këtë tkurrje të rezervimeve të momentit të fundit?

Nuk mund të përcaktoj me siguri një arsye të vetme. Duket sikur ekziston një lloj pasigurie, frike apo mungese besimi te konsumatori.

Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar merrnim rreth 100 telefonata në ditë nga persona që kërkonin informacion apo interesoheshin për rezervime. Sot, numri i këtyre telefonatave mund të mos arrijë as në katër në ditë.

Kjo kategori klientësh përbëhet kryesisht nga diaspora shqiptare, shqiptarët e Kosovës, turistët nga rajoni, por edhe nga pushuesit vendas. Këtë vit po vërejmë mungesë të kërkesës pothuajse nga të gjitha këto grupe.

 

Si ka qenë ecuria e tregut të Kosovës këtë vit, veçanërisht gjatë sezonit veror?

Edhe tregu i Kosovës nuk ka pasur ecurinë që prisnim. Krahasimin e bëjmë me vitin e kaluar dhe, deri tani, kjo periudhë ka qenë nën nivelet e pritshme.

 

Disa përfaqësues të sektorit kanë ngritur shqetësimin se protestat dhe zhvillimet e brendshme mund të kenë ndikuar në rezervimet e momentit të fundit. Mendoni se ky faktor ka pasur ndikim?

Nuk mund të them me siguri nëse protestat kanë ndikuar drejtpërdrejt, por është e qartë se ekziston një faktor që ka sjellë këtë ndryshim dhe ai duhet të studiohet me kujdes.

Turizmi është një sektor që mbështetet te besimi, imazhi dhe siguria. Nëse një destinacion nuk perceptohet si i sigurt apo nëse imazhi i tij dëmtohet, efektet mbi kërkesën janë të menjëhershme. Turistët e kanë shumë të lehtë t’i devijojnë planet e tyre drejt një destinacioni tjetër.

Për këtë arsye, duhet të analizojmë seriozisht se nga po vjen kjo situatë dhe cilët faktorë kanë ndikuar në të.

 

Ndryshe nga rezervimet individuale, si ka qenë ecuria e turistëve që vijnë përmes kontratave të garancisë?

Situata me turistët që vijnë përmes kontratave të garancisë është krejtësisht e ndryshme. Këto kapacitete janë parablerë nga agjencitë turistike dhe ecuria deri tani ka qenë shumë e mirë.

Sipas kontratave, agjencitë kanë të drejtën që të mos realizojnë deri në 10% të volumit të parashikuar, por në përgjithësi nuk kemi pasur probleme.

Do të veçoja vetëm tregun gjerman, ku shitjet nuk kanë qenë në nivelin e pritshëm në raport me kontratën që kemi. Ndërkohë, tregjet e tjera kanë pasur ecuri pozitive. Polakët, çekët dhe sllovakët kanë performuar mirë.

Edhe tregu francez ka rezultuar shumë pozitiv. Turistët francezë janë një kategori shumë e mirë vizitorësh dhe nga agjencitë kemi marrë përshtypje mjaft pozitive. Ata kanë shprehur vlerësime të mira për destinacionin, duke nisur nga hotelet dhe cilësia e ushqimit, deri te plazhi dhe shërbimet.

 

Turistët francezë kanë hyrë për herë të parë këtë vit përmes kontratave të garancisë. A keni nisur negociata për kontrata të reja për vitin e ardhshëm?

Ende jo. Besoj se diskutimet dhe negociatat për kontratat e vitit të ardhshëm do të nisin në muajin shtator, pasi të ketë përfunduar fluksi kryesor i sezonit veror.

Në atë periudhë do të kemi edhe një panoramë më të plotë të rezultateve dhe të vlerësimeve të agjencive dhe turistëve.

 

Duke marrë parasysh ecurinë e deritanishme, cilat janë pritshmëritë tuaja për pjesën tjetër të korrikut dhe për muajin gusht?

Po e ndjekim situatën me shumë kujdes dhe presim të shohim se si do të nisë pjesa e dytë e korrikut, për të kuptuar më qartë tendencën e sezonit.

Nëse situata vazhdon në të njëjtat nivele, do të detyrohemi të aplikojmë oferta të tjera. Kjo nuk na favorizon si biznes, pasi kostot tona janë të larta dhe ulja e çmimeve ndikon drejtpërdrejt në marzhet e fitimit.

Në tërësi, mendoj se ky sezon veror nuk do të jetë i njëjtë me sezonet e viteve të fundit. Ka një lloj ndalimi apo ngadalësimi të menjëhershëm të kërkesës dhe ky është një problem mbi të cilin duhet të reflektojnë të gjithë aktorët e sektorit.

Duhet të vlerësohet me kujdes burimi i kësaj situate, pasi ndryshimi ishte i papritur. Qershori pati ecuri shumë të mirë dhe edhe ditët e para të korrikut nisën pozitivisht, por më pas kërkesa u ndal.

Shpresojmë që muaji shtator të rikuperojë një pjesë të diferencës që po vihet re aktualisht. Në vitet e fundit, shtatori ka pasur ecuri shumë të mirë dhe shpresojmë që e njëjta tendencë të vazhdojë edhe këtë vit.

 

Një nga problematikat që sektori i turizmit ka ngritur vazhdimisht është zhvlerësimi i Euros. Duke qenë se një pjesë të të ardhurave i siguroni në Euro, ndërsa shpenzimet i kryeni në Lek, si ka ndikuar forcimi i monedhës vendase në aktivitetin tuaj?

Zhvlerësimi i Euros na ka goditur jashtëzakonisht shumë. Rreth 90% të pagesave për ushqimet, pagat e punonjësve dhe shpenzimet e tjera i kryejmë në Lek, ndërsa pjesën më të madhe të të ardhurave e arkëtojmë në Euro.

Si rezultat i zhvlerësimit të vazhdueshëm të Euros, i cili po thellohet nga viti në vit, ne llogarisim se jemi rreth 30% në minus. Kjo situatë nuk duket se po ndalet dhe po ushtron presion të vazhdueshëm mbi financat e bizneseve turistike.

Deri tani, efektin e kemi amortizuar duke ulur marzhin tonë të fitimit, në mënyrë që të mos cenojmë cilësinë e shërbimit. Qëllimi ynë është të rrisim vlerën e destinacionit dhe të kontribuojmë që turizmi të jetë i qëndrueshëm në afat të gjatë.

Parapëlqejmë të fitojmë më pak, por ta mbajmë cilësinë e shërbimit në nivele të larta.

 

Si paraqitet situata me punonjësit dhe cilësinë e shërbimit gjatë këtij sezoni?

Ne jemi përpjekur të ruajmë gjithmonë një bërthamë të qëndrueshme punonjësish gjatë gjithë vitit. Gjatë sezonit veror, kur rritet ndjeshëm volumi i aktivitetit, bëjmë edhe zgjerimin e stafit.

Jemi munduar që rreth 90% e punonjësve të jenë shqiptarë, ndërsa afërsisht 10% e stafit përbëhet nga punonjës të huaj.

Vështirësia kryesore që hasim është gjetja e punonjësve të kualifikuar. Për të plotësuar nevojat, jemi përpjekur të tërheqim nxënës nga shkollat profesionale, si dhe punonjës nga zonat përreth.

Kemi rekrutuar staf edhe nga qytete si Lushnja, në mënyrë që të sigurojmë numrin e nevojshëm të punonjësve dhe të ruajmë nivelin e shërbimit në muajt me fluksin më të lartë.

 

Lexoni edhe:

Vera turistike në Golem po humbet shkëlqimin

The post “Korriku ka nisur më i dobët se një vit më parë, zhvlerësimi i Euros po godet sektorin” appeared first on Revista Monitor.

“Rezervimet e minutës së fundit në rënie, kontratat me agjencitë – mirë, por tërhiqen gjermanët”

18 July 2026 at 22:08

Intervistë me Blerim Norja, Drejtor i Përgjithshëm i hoteleve “Royal G”

 

Hotelet e mëdha në Durrës dhe Golem po sigurojnë një numër të kënaqshëm turistësh përmes kontratave me garanci me agjencitë e huaja, por po përballen me dobësimin e fortë të kërkesës individuale.

Segmenti i minutës së fundit, që zakonisht mbulon deri në 20% të kapaciteteve, ka shënuar rënie të ndjeshme në fillim të korrikut.

Kësaj i shtohet edhe fakti që tregu gjerman është i vetmi nga të organizuarit që ka një rënie me rreth 50% nën parashikimet e operatorëve. Polakët, çekët dhe sllovakët vijojnë të mbështesin sezonin, ndërsa Franca, Britania dhe Armenia po zgjerojnë hartën e tregjeve hyrëse.

Blerim Norja, Drejtor i Përgjithshëm i hoteleve “Royal G”, në një intervistë për “Monitor”, tha se pret përmirësim pas 20 korrikut dhe ecuri më të fortë në shtator e tetor që mund të kompensojë këtë zbehje të verës.

 

Si ka nisur sezoni veror për strukturat hoteliere në zonën e Golemit dhe të Durrësit, bazuar në atë që konstatoni çdo ditë në aktivitetin tuaj?

Për fat të keq, kjo verë nuk ka nisur shumë mirë. Më saktësisht, muaji korrik nuk ka filluar në nivelin që pritej.

Çdo hotel, të paktën strukturat e mëdha që bashkëpunojnë me agjencitë turistike, bën një ndarje të kapaciteteve. Zakonisht, rreth 80% e dhomave rezervohen për turizmin e organizuar, ndërsa 20% lihen për rezervimet individuale dhe ato të minutës së fundit.

Pikërisht në këtë pjesë prej 20% po vërehet një deficit i theksuar. Rënia nuk është e vështirë të konstatohet, pasi edhe në mbrëmje shihet qartë se shëtitorja nuk ka gjallërinë e zakonshme.

Në muajt korrik dhe gusht, hotelet në Golem normalisht janë të mbushura, por këtë vit situata është ndryshe. Çmimet nuk mund të konsiderohen arsyeja kryesore, sepse shumë hotele i kanë tarifat më të ulëta se vitin e kaluar, ndërsa një pjesë tjetër kanë nisur të aplikojnë oferta.

Kjo tregon se operatorët po reagojnë ndaj dobësimit të kërkesës dhe se nuk bëhet fjalë për një problem të izoluar. Situata është shfaqur që në fillim të korrikut dhe pothuajse të gjitha hotelet, kush më shumë dhe kush më pak, kanë dhoma të lira.

 

A është kjo zbehje një zhvillim që ka nisur vetëm në korrik, apo ishte vërejtur edhe gjatë muajve të mëparshëm, duke qenë se turizmi i organizuar fillon më herët?

Fillimi i korrikut këtë vit është më i dobët se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në fakt, turistët e parë të organizuar kanë nisur të vijnë që në muajin prill. Prilli dhe maji patën ecuri shumë të mirë dhe krijuan pritshmërinë se kjo tendencë do të vazhdonte edhe gjatë pjesës tjetër të sezonit.

Në këta dy muaj regjistruam rritje prej rreth 15-20% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe qershori nisi mirë, por zbehja e rezervimeve të minutës së fundit filloi të ndihej në fund të qershorit dhe në ditët e para të korrikut.

Edhe fundjavat gjatë kësaj periudhe kanë qenë më të dobëta se një vit më parë. Ky është një tjetër tregues se panorama e këtij sezoni është ndryshe nga ajo që kishim parashikuar.

 

Cilat mendoni se janë arsyet që kanë sjellë rënien e rezervimeve të minutës së fundit?

Duke qenë se çmimet janë më të ulëta se vitin e kaluar, nuk mendoj se ky është shkaku i rënies së kërkesës.

Mendoj se një ndikim mund të ketë ardhur nga imazhi i paqëndrueshmërisë së krijuar pas zhvillimeve të fundit në vend. E kam fjalën për protestat.

Pavarësisht mënyrës se si ato janë zhvilluar në realitet, rëndësi të madhe ka mënyra se si janë perceptuar dhe transmetuar jashtë Shqipërisë, veçanërisht nga mediat e huaja.

Tregu që është treguar më i ndjeshëm dhe që na e ka shprehur drejtpërdrejt hezitimin është ai gjerman. Ndërkohë, tregjet e tjera, si polakët, çekët apo anglezët, nuk kanë shfaqur ndonjë shqetësim të veçantë lidhur me këtë çështje.

 

Si paraqitet këtë vit tregu i Kosovës në krahasim me sezonin e kaluar?

Tregu i Kosovës është në rënie krahasuar me vitin e kaluar.

Një pjesë e kësaj tendence mund të lidhet me faktin se lëvizja e lirë u ka dhënë qytetarëve të Kosovës më shumë mundësi për të zgjedhur destinacione të tjera. Gjithsesi, nuk mendoj se ky faktor e shpjegon tërësisht rënien.

Pushuesit nga Kosova e kanë më të lehtë të vijnë në Shqipëri dhe e shprehin vazhdimisht lidhjen dhe dashurinë që kanë për vendin. Fillimi i korrikut ka qenë shumë i vakët edhe për këtë grup.

Pas datës 17 korrik, situata duket më pozitive, pasi ka kërkesa dhe rezervime më të shumta.

 

Ndryshe nga rezervimet individuale, si po ecin kontratat e garancisë me agjencitë turistike?

Kontratat e garancisë po ecin shumë mirë, me përjashtim të tregut gjerman.

Numri i turistëve gjermanë është rreth 50% më i ulët nga sa ishte parashikuar. Për tregjet e tjera, situata është pozitive.

Aktualisht, numrin më të madh të turistëve e përbëjnë polakët. Ata janë një treg shumë besnik ndaj Shqipërisë dhe shumë prej tyre rikthehen për herë të tretë apo të katërt. Pas tyre renditen çekët dhe sllovakët.

Këtë vit janë shtuar edhe tregje të reja. Francezët kanë ardhur përmes kontratave të garancisë dhe për një pjesë të kapaciteteve janë mbyllur tashmë marrëveshje edhe për vitin 2027.

Një tjetër treg që po shfaq rritje është ai britanik. Turistët anglezë po vijnë kryesisht në mënyrë individuale, por në numër më të madh sesa ka qenë e zakonshme për zonën e Golemit.

Armenia është një treg plotësisht i ri për këtë vit. Turistët armenë po vijnë me paketa të rezervuara në minutën e fundit. Fluturimet charter për këtë treg nisën në muajin qershor.

Edhe pse ende nuk kemi arritur të kuptojmë plotësisht tipologjinë e tyre si klientë, zhvillimi pozitiv është se harta e tregjeve nga të cilat vijnë turistët po zgjerohet vazhdimisht.

 

Po turistët italianë, a kanë prani të konsiderueshme në Durrës dhe Golem?

Italianët vijnë në mënyrë sporadike dhe kryesisht individualisht, por nuk përbëjnë ende një grup të madh turistësh.

Ajo që bie më shumë në sy është rritja e numrit të italianëve që po vendosen si rezidentë dhe po zgjedhin të jetojnë në Durrës.

Shumë prej tyre kërkojnë të punësohen në hotele, në pozicione si kamerierë, banakierë apo muzikantë. Durrësi po shihet gjithnjë e më shumë prej tyre si një qytet i përshtatshëm për të jetuar.

Kjo tendencë mund të vërehet lehtësisht edhe në shëtitore, ku tashmë dëgjohet shumë shpesh gjuha italiane.

 

Sa u takon paketave që ofrojnë hotelet, cilat alternativa mbizotërojnë në turizmin e organizuar?

Pothuajse 90% e strukturave që punojnë me kontrata garancie operojnë me paketën “të gjitha të përfshira”.

Kjo paketë përputhet shumë mirë me profilin e turistit që viziton zonën e Durrësit dhe të Golemit, pasi pjesa më e madhe e këtyre klientëve kërkon pikërisht këtë lloj shërbimi.

Vetëm një pjesë e vogël zgjedh paketën “fjetje dhe mëngjes” dhe priret të konsumojë apo të shpenzojë jashtë hotelit.

Nga data 1 qershor deri më 30 shtator, shumica e hoteleve ofrojnë paketa “të gjitha të përfshira”, pasi ky është produkti më i kërkuar nga turizmi i organizuar dhe nga grupet që vijnë përmes agjencive.

 

Si paraqitet këtë vit menaxhimi i plazheve në zonën e Durrësit dhe të Golemit?

Situata me plazhet është shumë e mirë. Vetë tipologjia e vijës bregdetare e mundëson që të ketë hapësira të bollshme, si publike, ashtu edhe private. Edhe çmimet e shërbimeve në plazh janë relativisht ekonomike.

Në tërësi, ky rajon ofron një produkt tipik familjar, me kosto të përballueshme dhe të përshtatshëm për turizmin masiv.

Kjo është edhe një nga arsyet kryesore pse Durrësi dhe Golemi vazhdojnë të mbeten tërheqës për familjet dhe për grupet e organizuara.

 

Si ndikon zhvlerësimi i vazhdueshëm i Euros në aktivitetin e sektorit hotelier?

Zhvlerësimi i Euros është një nga faktorët më negativë me të cilët po përballet sektori.

Pjesën më të madhe të shpenzimeve e kemi në Lek, ndërsa të ardhurat i sigurojmë kryesisht në Euro. Ky raport krijon një presion të drejtpërdrejtë mbi financat e hoteleve.

Forcimi i Lekut na ka detyruar të operojmë me marzhe fitimi më të ulëta, të cilat vazhdojnë të tkurren nga viti në vit.

Në një situatë të tillë, bizneset duhet të përballojnë rritjen e kostove dhe njëkohësisht të ruajnë çmime konkurruese, çka e bën gjithnjë e më të vështirë ruajtjen e rentabilitetit.

 

Cilat janë pritshmëritë tuaja për pjesën tjetër të sezonit veror, duke pasur parasysh situatën e deritanishme?

Besoj se pas datës 20 korrik, situata do të ndryshojë dhe kërkesa do të fillojë të përmirësohet.

Pritshmëritë janë pozitive edhe për muajt shtator dhe tetor. Që tani kemi një numër të konsiderueshëm rezervimesh nga grupet e organizuara për këtë periudhë.

Bëhet fjalë kryesisht për turistë të moshës së tretë, të cilët parapëlqejnë muajt e vjeshtës së hershme për shkak të qetësisë, temperaturave më të favorshme dhe ofertave më të mira.

Për këtë arsye, edhe nëse korriku mbetet më i dobët nga sa ishte parashikuar, presim që zgjatja e sezonit në shtator dhe tetor të kompensojë një pjesë të diferencës.

 

Lexoni edhe:

Vera turistike në Golem po humbet shkëlqimin

 

The post “Rezervimet e minutës së fundit në rënie, kontratat me agjencitë – mirë, por tërhiqen gjermanët” appeared first on Revista Monitor.

Ndërtimi i një brezi digjital, a po i dembelos apo po i nxit të rinjtë shqiptarë

18 July 2026 at 22:06

Në epokën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, ku çdo aspekt i jetës është i ndërlidhur me mjetet digjitale, “digital literacy” (aftësia digjitale) ka marrë rëndësi të veçantë në zhvillimin personal dhe shoqëror. Shqipëria, ashtu si shumë vende të tjera në rajon, po përballet me sfida dhe mundësi të reja për të përmirësuar nivelin e aftësive digjitale te popullsia e saj, veçanërisht mes të rinjve dhe punonjësve.

 

Nga Deada Hyka

Në ekonomitë moderne, kapitali njerëzor nuk matet më vetëm me vitet e shkollimit, por me cilësinë e aftësive që e bëjnë punën të transferueshme në një treg gjithnjë e më të ndërmjetësuar nga teknologjia. Brenda këtij transformimi, aftësitë digjitale po zhvendosen nga një kompetencë shtesë në një aftësi bazë të produktivitetit.

Për vende si Shqipëria, që kërkojnë të ngushtojnë hendekun me Bashkimin Europian dhe të lëvizin drejt sektorëve me vlerë më të lartë, kjo është një çështje që prek arsimin, tregun e punës dhe vetë modelin e rritjes.

Paradoksi shqiptar është se depërtimi i internetit dhe përdorimi i teknologjisë janë relativisht të larta, ndërsa përkthimi i tyre në kompetenca mbetet i dobët. OECD vëren se përdorimi i internetit në Shqipëri dhe në rajon është afruar ndjeshëm me mesataren europiane, por aftësia reale e popullsisë në përdorimin funksional të teknologjisë mbetet e kufizuar.

Në rastin e Shqipërisë, vetëm 23.8% e të rriturve zotërojnë aftësi bazë digjitale, kundrejt 53.9% në Bashkimin Europian. Ky hendek është më shumë sesa statistikë arsimore; ai përkthehet në produktivitet më të ulët, akses më të dobët në shërbimet publike dhe aftësi më të kufizuara për të përfituar nga transformimi i tregut të punës.

Në këtë kuadër, ekspozimi i lartë i të rinjve ndaj teknologjisë krijon shpesh një perceptim të rremë të kompetencës. Përdorimi intensiv i smartphone, i rrjeteve sociale dhe platformave video krijon familjaritet me pajisjen, por jo domosdoshmërisht me aftësitë që kërkon ekonomia digjitale: kërkimi kritik i informacionit, siguria kibernetike, përdorimi i të dhënave, automatizimi i proceseve, logjika algoritmike apo bashkëpunimi në mjedise cloud.

Literatura e fundit e Bankës Botërore mbi zhvillimin e aftësive digjitale e trajton qartë këtë dallim, duke ndarë kompetencat bazë të përdorimit nga aftësitë transversale dhe ato të specializuara, të cilat lidhen drejtpërdrejt me punësimin dhe inovacionin.

“Për dekada me radhë kemi matur kapitalin njerëzor kryesisht me vitet e shkollimit. Sot kjo nuk mjafton. Vlera e një ekonomie varet gjithnjë e më shumë nga cilësia e aftësive që zotërojnë njerëzit dhe nga aftësia për t’iu përshtatur ndryshimeve teknologjike”, vlerëson pedagogu dhe eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa.

Sipas tij, transformimi digjital nuk është më një çështje teknologjie, por një faktor që përcakton produktivitetin, konkurrueshmërinë dhe ritmin e zhvillimit ekonomik. Vendet që arrijnë të ndërtojnë kapital njerëzor me aftësi të avancuara digjitale do të jenë edhe ekonomitë që do të tërheqin investime, do të krijojnë profesione të reja dhe do të prodhojnë më shumë vlerë të shtuar.

Por, siç thekson Blerina Guga, Drejtore Ekzekutive e Junior Achievement Albania, ekziston ende një keqkuptim i madh mbi vetë kuptimin e aftësive digjitale. “Shpesh mendojmë se ato lidhen vetëm me përdorimin e telefonit apo kompjuterit.

Në fakt, të jesh një qytetar me aftësi digjitale do të thotë të dish të komunikosh, të mësosh, të analizosh informacionin, të mendosh në mënyrë kritike dhe të përdorësh teknologjinë për të krijuar vlerë.”

Nga puna me mijëra nxënës në të gjithë vendin, ajo vëren se të rinjtë shqiptarë nuk janë pas bashkëmoshatarëve të tyre europianë në përdorimin e teknologjisë. “Nuk shohim diferenca të mëdha me të rinjtë në Europë. Sfida nuk është përdorimi i teknologjisë, por aftësia për të përzgjedhur informacionin e duhur dhe për ta përdorur atë në mënyrë produktive.”

Për znj. Guga, koha e kaluar online nuk përkthehet automatikisht në kompetencë digjitale. “Ekziston një ndryshim i madh mes konsumimit të teknologjisë dhe përdorimit të saj për të krijuar, për të mësuar apo për të zhvilluar ide të reja.”

Ky dallim po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për ekonominë shqiptare. Në ekonomitë moderne, kapitali njerëzor nuk matet më vetëm me vitet e shkollimit, por me cilësinë e aftësive që e bëjnë punën të transferueshme në një treg gjithnjë e më të ndërmjetësuar nga teknologjia. Brenda këtij transformimi, aftësitë digjitale po zhvendosen nga një kompetencë shtesë në një aftësi bazë të produktivitetit.

Për vende si Shqipëria, që synojnë të ngushtojnë hendekun me Bashkimin Europian dhe të lëvizin drejt sektorëve me vlerë më të lartë, kjo është një çështje që prek arsimin, tregun e punës dhe vetë modelin e rritjes ekonomike.

Paradoksi shqiptar është se depërtimi i internetit dhe përdorimi i teknologjisë janë relativisht të larta, ndërsa përkthimi i tyre në kompetenca mbetet i dobët. OECD vëren se përdorimi i internetit në Shqipëri dhe në rajon është afruar ndjeshëm me mesataren europiane, por aftësia reale e popullsisë në përdorimin funksional të teknologjisë mbetet e kufizuar.

Vetëm 23.8% e të rriturve në Shqipëri zotërojnë aftësi bazë digjitale, kundrejt 53.9% në Bashkimin Europian. Ky hendek nuk është thjesht një statistikë arsimore; ai përkthehet në produktivitet më të ulët, akses më të kufizuar në shërbimet publike dhe më pak mundësi për të përfituar nga transformimi i tregut të punës.

Dobësia bëhet edhe më e dukshme kur shihet nga këndvështrimi i arsimit. Raporti më i fundit i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor vëren se përdorimi i tepërt i smartphone te 15-vjeçarët lidhet me humbje të matshme në rezultatet e matematikës dhe të leximit, ekuivalente me afro një vit mësimor.

Shqipëria përmendet mes vendeve me nivele veçanërisht të larta të mbipërdorimit. Kjo e zhvendos debatin nga “sa herët duhet të kenë fëmijët akses në teknologji” te “çfarë lloj marrëdhënieje njohëse ndërtojnë me të”. Për një vend me ambicie për ekonomi shërbimesh dhe industri të bazuara në dije, dallimi është thelbësor.

Nga pikëpamja e politikës publike, kjo do të thotë se investimi në laboratorë, SmartLabs apo pajisje duhet të shoqërohet me arkitekturë pedagogjike. Vetë Banka Botërore raporton se deri në vitin 2025, në Shqipëri janë ngritur 216 SmartLabs dhe është vendosur objektivi që deri në 2029, rreth 35 mijë nxënës të përmirësojnë aftësitë digjitale dhe numerike, ndërsa 4 mijë të rinj të trajnohen për tregun e ekonomisë digjitale.

Shifra të tilla janë domethënëse vetëm nëse programet maten jo me numrin e laboratorëve, por me kompetencat konkrete që krijojnë: zgjidhje problemesh, analizë informacioni, përdorim etik të AI dhe aftësi për të prodhuar përmbajtje e jo vetëm për ta konsumuar.

Ekonomia e kësaj çështjeje është po aq e rëndësishme sa dimensioni arsimor. OECD e lidh drejtpërdrejt zhvillimin e aftësive me konvergjencën ekonomike, produktivitetin dhe aftësinë për të tërhequr investime.

Nëse Shqipëria mbetet me një brez të ri shumë të lidhur me ekranin, por jo mjaftueshëm të aftë për ta përdorur teknologjinë si mjet pune, vendi rrezikon të mbetet përdorues periferik i platformave globale dhe jo furnizues i shërbimeve me vlerë të shtuar. Kjo është diferenca mes një ekonomie që konsumon softuer dhe një ekonomie që krijon procese, produkte dhe profesione të reja mbi të.

 

 

Ana sociale

Në një klasë 9-vjeçare në Tiranë, nxënësit lëvizin me natyrshmëri mes ekranit, prezantimit dhe një ushtrimi kodimi bazik. Jashtë shkolle, po i njëjti brez kalon orë të tëra në TikTok, me video të shkurtra dhe aplikacione komunikimi.

Në pamje të parë, Shqipëria duket se po rrit një brez instinktivisht digjital. Të dhënat tregojnë se familjariteti me pajisjen nuk është i njëjtë me aftësinë për ta përdorur teknologjinë si instrument produktiv, kritik dhe ekonomik.

Studimet ndërkombëtare e lidhin gjithnjë e më shumë këtë lloj aftësie me rritjen afatgjatë. Banka Botërore argumenton se ekonomitë që ndërtojnë aftësi digjitale të hershme kanë probabilitet më të lartë për të kaluar nga përdorimi pasiv i teknologjisë në inovacion vendas, me efekte në produktivitet dhe në të ardhurat gjatë gjithë jetës së punës.

Për Shqipërinë, kjo është veçanërisht e rëndësishme, sepse një pjesë e madhe e konvergjencës me Europën nuk do të vijë më nga puna me kosto të ulët, por nga cilësia e aftësive.

Në terma socialë, çështja është po aq delikate. Aftësitë digjitale po bëhen një filtër i ri i pabarazisë. Siç paralajmëron sociologia Marsida Simo, “pabarazia e re sociale po lind aty ku disa fëmijë mësojnë të krijojnë me teknologjinë, ndërsa të tjerët vetëm konsumojnë përmbajtje.

Ky hendek do të lexohet nesër në paga, profesione dhe mundësi”.

Fëmijët që mësojnë herët të përdorin teknologjinë për të kërkuar, për të analizuar dhe për të krijuar kanë një avantazh që më vonë përkthehet në performancë akademike dhe akses në profesione me paga më të larta. Të tjerët rrezikojnë të mbeten në një ekonomi të vëmendjes së fragmentuar, ku raporti me teknologjinë është intensiv, por me kthim të ulët në dije dhe të ardhura.

Ajo shton se nëse nuk ndërhyjmë herët, rrezikojmë të krijojmë një brez hiperaktiv në përdorim, por pasiv në mendim. Dhe kjo është forma më e re e përjashtimit social në ekonominë digjitale.

 

Përdorimi i aftësive digjitale nga shqiptarët në shifra

Rezultatet e anketës për vitin 2025 të INSTAT konfirmojnë një nivel shumë të lartë të

penetrimit të internetit në popullsi dhe një intensitet të lartë përdorimi. Rreth 87,2% e individëve të moshës 16–74 vjeç përdorin internetin, në rritje krahasuar me vitin 2024, ndërsa pothuajse të gjithë përdoruesit (97,3%) e përdorin atë disa herë gjatë ditës. Ky nivel i lartë përdorimi dëshmon për rolin tashmë thelbësor të internetit në jetën e përditshme dhe për një kërkesë të qëndrueshme për akses cilësor dhe të përballueshëm broadband, theksohet në raportin vjetor të AKEP.

Në nivel familjar, 97,7% e njësive ekonomike familjare kanë akses në internet, duke reflektuar një mbulim pothuajse universal. Brenda këtij treguesi, 92,1% e familjeve kanë akses në rrjet fiks broadband, ndërsa 99,3% kanë akses përmes rrjeteve mobile broadband, çka tregon një komplementaritet të fortë midis infrastrukturave fikse dhe atyre mobile në sigurimin e aksesit universal.

Përdorimi i pajisjeve për akses në internet mbetet i dominuar nga telefonat inteligjentë (99,9%), por njëkohësisht evidentohet përdorim i konsiderueshëm i pajisjeve të tjera si laptop, pajisjet smart dhe kompjuterët desktop, duke reflektuar diversifikimin e mënyrave të aksesit dhe përdorimit të shërbimeve digjitale.

Të dhënat tregojnë gjithashtu një thellim të përdorimit të shërbimeve digjitale. Pothuajse e gjithë popullsia (99,1%) përdor internetin për komunikim (thirrje dhe video-thirrje), ndërsa vihet re rritje e ndjeshme në aktivitete si kërkimi i informacionit për mallra dhe shërbime, përdorimi i shërbimeve bankare online dhe pjesëmarrja në rrjetet sociale.

Në të njëjtën kohë, 99,5% e individëve kanë një llogari në platformën e- albania, duke dëshmuar për një nivel shumë të lartë të ndërveprimit me shërbimet publike digjitale dhe për rëndësinë kritike të aksesit në internet për përfitimin e tyre.

Treguesit mbi tregtinë elektronike konfirmojnë më tej këtë trend, ku 45,4% e popullsisë kanë kryer blerje online gjatë 12 muajve të fundit, në rritje krahasuar me vitin paraardhës, duke reflektuar zgjerimin e ekonomisë digjitale dhe nevojën për infrastrukturë të besueshme dhe me kapacitet të lartë.

 

LEXONI EDHE:

“Të rinjtë duhet të mësojnë të krijojnë, jo vetëm të konsumojnë teknologji”

The post Ndërtimi i një brezi digjital, a po i dembelos apo po i nxit të rinjtë shqiptarë appeared first on Revista Monitor.

“Të rinjtë duhet të mësojnë të krijojnë, jo vetëm të konsumojnë teknologji”

18 July 2026 at 22:04

Intervista / Flet Blerina Guga, Junior Achievement Albamia

 

Brezi i ri shqiptar është rritur me internetin, telefonat inteligjentë dhe rrjetet sociale. Por a mjafton kjo për t’u konsideruar një brez me aftësi të zhvilluara digjitale?

Sipas Blerina Gugës, Drejtore Ekzekutive e Junior Achievement Albania, përgjigjja është jo. Aftësitë digjitale nuk maten me orët e kaluara online, por me aftësinë për të menduar në mënyrë kritike, për të krijuar vlerë përmes teknologjisë dhe për t’u përshtatur me një treg pune që po ndryshon me ritme të shpejta.

Në këtë intervistë për “Monitor”, ajo flet për nivelin e aftësive digjitale të të rinjve shqiptarë, sfidat e sistemit arsimor përballë Inteligjencës Artificiale, hendekun mes arsimit dhe kërkesave të biznesit, si dhe kompetencat që do të përcaktojnë suksesin e brezit të ardhshëm.

 

Kur flasim për “digital literacy”, shumë njerëz e lidhin vetëm me përdorimin e telefonit apo kompjuterit. Çfarë do të thotë realisht të jesh një qytetar me aftësi digjitale sot?

Është një pyetje shumë e rëndësishme, sepse shpesh aftësitë digjitale reduktohen vetëm te përdorimi i një telefoni, kompjuteri apo aplikacioneve. Në fakt, ato janë shumë më tepër se kaq. Të jesh një qytetar me aftësi digjitale do të thotë të jesh në gjendje të komunikosh, të mësosh, të analizosh informacionin, të mendosh në mënyrë kritike dhe të përdorësh teknologjinë për të krijuar vlerë.

Nëse dikur burimi kryesor i dijes ishte libri fizik, sot kemi në dispozicion një botë të tërë mjetesh digjitale. Megjithatë, aftësia nuk qëndron vetëm te përdorimi i tyre, por te mënyra se si i shfrytëzojmë për të mësuar, për të bashkëpunuar dhe për të zgjidhur probleme.

Teknologjia është thjesht një mjet. Ajo bëhet e vlefshme vetëm kur përdoret nga njerëz që dinë të mendojnë, të filtrojnë informacionin dhe ta kthejnë atë në njohuri apo zgjidhje konkrete. Prandaj, aftësitë digjitale nuk janë vetëm teknike; ato kërkojnë edhe zhvillimin e mendimit kritik, kreativitetit dhe aftësisë për të marrë vendime.

 

Nga përvoja e Junior Achievement Albania me mijëra të rinj, si do ta vlerësonit nivelin e aftësive digjitale në Shqipëri? Ku jemi më të fortë dhe ku kemi boshllëqet më të mëdha?

Ajo që shohim çdo ditë në programet tona është ndoshta ndryshe nga perceptimi që ekziston në publik. Shpesh krijohet ideja se të rinjtë kalojnë shumë kohë në telefon dhe kjo shihet si diçka negative. Por, kur analizon mënyrën se si ata ndërveprojnë me teknologjinë, kupton se niveli i aftësive digjitale është më i lartë nga sa mendohet.

Të rinjtë shqiptarë kanë aftësi shumë të mira për të përdorur mjetet digjitale dhe nuk shohim dallime të mëdha me bashkëmoshatarët e tyre në Europë. Ata mësojnë shpejt, përshtaten lehtësisht me teknologjitë e reja dhe tregojnë interes të madh për platformat digjitale kur ato u ofrohen në mënyrën e duhur.

Sfida më e madhe nuk lidhet me përdorimin e teknologjisë, por me përzgjedhjen e informacionit dhe përdorimin e mjeteve që u sjellin më shumë vlerë. Pikërisht për këtë arsye kemi zhvilluar një platformë të mësimit online, e cila është në dispozicion të nxënësve dhe të mësuesve.

Platforma nuk synon të zëvendësojë librin apo mësuesin. Përkundrazi, ajo është një mjet plotësues që i ndihmon nxënësit të mësojnë në mënyrë interaktive, të praktikojnë njohuritë dhe të zhvillojnë aftësi përmes sfidave, ushtrimeve dhe përmbajtjeve dinamike. Rezultatet kanë qenë shumë inkurajuese, pasi kemi parë angazhim të lartë të nxënësve dhe përdorim aktiv të platformës.

Kjo tregon se potenciali ekziston. Detyra jonë si të rritur është t’u ofrojmë të rinjve mjetet e duhura dhe t’i orientojmë drejt përdorimit produktiv të teknologjisë.

 

Të rinjtë shqiptarë kalojnë shumë orë online, por a do të thotë kjo se janë automatikisht të aftë në aspektin digjital? Cili është ndryshimi mes konsumimit të teknologjisë dhe përdorimit të saj për të krijuar vlerë?

Jo domosdoshmërisht. Të kalosh shumë kohë online nuk do të thotë automatikisht se ke aftësi digjitale të zhvilluara. Ekziston një ndryshim i madh mes konsumimit pasiv të përmbajtjes dhe përdorimit të teknologjisë për të krijuar, për të mësuar apo për të zhvilluar ide të reja.

Nga përvoja jonë në Junior Achievement, shohim se të rinjtë që angazhohen në komunitete, projekte dhe nisma praktike e përdorin teknologjinë në mënyrë shumë më efektive. Ata krijojnë produkte, zhvillojnë ide biznesi, punojnë në ekipe dhe mësojnë duke eksperimentuar.

Besoj se çelësi është krijimi i komuniteteve të bazuara mbi interesat e të rinjve. Kur ata bëhen pjesë e një grupi që i motivon të ndërtojnë diçka, teknologjia shndërrohet nga një mjet argëtimi në një instrument zhvillimi.

Në të njëjtën kohë, duhet të pranojmë se mënyra si mësojnë të rinjtë ka ndryshuar rrënjësisht. Metodat tradicionale të mësimdhënies nuk janë më të mjaftueshme. Ata kanë nevojë për përvoja praktike, bashkëpunim, projekte reale dhe sfida që i motivojnë të zbulojnë vetë zgjidhjet.

 

 

Inteligjenca Artificiale po ndryshon mënyrën se si mësojmë dhe punojmë. A po arrin sistemi ynë arsimor t’i përgatisë të rinjtë për këtë transformim dhe cilat aftësi duhet të zhvillojnë sot për të qenë konkurrues nesër?

Ky transformim kërkon investime të vazhdueshme dhe bashkëpunim shumë më të madh mes sistemit arsimor, institucioneve dhe biznesit. Përgatitja e brezave të rinj fillon nga infrastruktura, nga garantimi i mundësive të barabarta për çdo nxënës dhe nga mbështetja e mësuesve për të përdorur teknologjitë e reja.

Mësuesit mbeten mentorët kryesorë në këtë proces. Megjithëse vitet e fundit janë bërë investime të rëndësishme në trajnime dhe programe për zhvillimin e aftësive digjitale, ritmi i zhvillimit të teknologjisë është shumë më i shpejtë se ai i sistemit arsimor. Për këtë arsye, hendeku mes asaj që kërkon tregu i punës dhe asaj që ofron arsimi vazhdon të ekzistojë.

Bizneset kanë mundësi të investojnë vazhdimisht në teknologji për të rritur produktivitetin, ndërsa sistemi arsimor publik përballet me kufizime më të mëdha financiare. Kjo e bën edhe më të rëndësishëm bashkëpunimin mes institucioneve publike, sektorit privat dhe organizatave që kontribuojnë në edukim.

Në fund të fundit, nuk mjafton të pajisim shkollat me teknologji. Duhet të investojmë te njerëzit: te mësuesit, te mentorët dhe tek aftësia e tyre për t’i udhëhequr të rinjtë në një botë ku ndryshimi është i vazhdueshëm. Vetëm kështu mund të ndërtojmë një brez që jo vetëm përdor teknologjinë, por është në gjendje ta shfrytëzojë atë për të krijuar vlerë dhe për të qenë konkurrues në tregun global të punës.

 

Bizneset po kërkojnë gjithnjë e më shumë punonjës me aftësi digjitale. Cilat janë kompetencat që kërkohen më shumë në tregun e punës dhe a po i zhvillon sistemi ynë arsimor?

Për fat të mirë, bizneset janë gjithnjë e më të gatshme të investojnë në teknologji, zgjidhje digjitale dhe automatizim, sepse e kuptojnë që këto rrisin produktivitetin, eficiencën dhe konkurrueshmërinë. Megjithatë, sistemi arsimor nuk ka gjithmonë të njëjtën mundësi për të ecur me të njëjtin ritëm.

Kjo krijon hendek mes aftësive që kërkon tregu i punës dhe atyre që të rinjtë zhvillojnë gjatë arsimit formal. Pikërisht për këtë arsye vazhdojmë të shohim mospërputhje midis kërkesës së biznesit dhe profilit të të diplomuarve.

Sot, kompanitë nuk kërkojnë vetëm njohuri teknike. Ato kërkojnë njerëz që dinë të punojnë në grup, të zgjidhin probleme, të komunikojnë, të analizojnë informacionin dhe të mësojnë vazhdimisht. Aftësitë digjitale janë bërë bazë, por ato duhet të shoqërohen me fleksibilitet, kreativitet dhe mendim kritik.

Në Junior Achievement punojmë pikërisht për ta ngushtuar këtë hendek. Si pjesë e një rrjeti që operon në mbi 120 vende të botës, programet tona synojnë të plotësojnë atë që shpesh mungon në arsimin tradicional: përvojën praktike. Të rinjtë krijojnë kompani, zhvillojnë projekte, përdorin teknologjinë për të zgjidhur probleme reale dhe përballen me situata që i afrojnë me tregun e punës.

Në fund të fundit, sfida nuk është vetëm të mësojmë përdorimin e teknologjisë, por të përgatisim të rinjtë për profesionet që po krijohen sot dhe për ato që ende nuk ekzistojnë.

 

Përveç aftësive teknike, sa të rëndësishme janë mendimi kritik, edukimi mediatik, siguria kibernetike dhe përdorimi i përgjegjshëm i Inteligjencës Artificiale në ndërtimin e një brezi digjital?

Janë thelbësore. Në fakt, do të thosha se këto janë aftësitë që do të bëjnë diferencën në vitet e ardhshme.

Në Junior Achievement zhvillojmë edhe programe si Debating Economics, të cilat synojnë të kultivojnë mendimin kritik, kërkimin dhe debatin e argumentuar mbi sfidat ekonomike dhe shoqërore. Një nga temat kryesore të edicionit të kaluar ishte pikërisht përdorimi etik dhe i përgjegjshëm i Inteligjencës Artificiale.

Sot nuk mjafton të dish të përdorësh një platformë të AI-së. Është shumë më e rëndësishme të dish ta verifikosh informacionin, të kuptosh kufizimet e saj dhe të marrësh vendime të bazuara në analizë njerëzore.

Madje, në nivel global po shfaqen profesione të reja që lidhen me etikën e Inteligjencës Artificiale, si specialistët që trajnojnë modelet gjuhësore dhe sigurojnë që ato të respektojnë parimet etike dhe interesin publik.

Kjo tregon se, pavarësisht zhvillimit të teknologjisë, mendimi njerëzor mbetet elementi më i rëndësishëm. Inteligjenca Artificiale duhet të jetë një mjet në shërbim të njeriut dhe jo zëvendësim i gjykimit të tij.

Prandaj, edukimi mediatik, siguria kibernetike, mendimi kritik dhe përdorimi i përgjegjshëm i AI-së nuk janë aftësi shtesë, por pjesë e pandashme e edukimit digjital.

 

Nëse do t’ju duhej të jepnit tre rekomandime konkrete për të ndërtuar një brez më të aftë digjitalisht në Shqipëri gjatë viteve të ardhshme, cilat do të ishin ato?

Rekomandimi i parë do të ishte t’u japim fëmijëve më shumë hapësirë për të eksploruar dhe për të eksperimentuar. Loja është mënyra më natyrale për të mësuar dhe për të zhvilluar aftësi të reja. Ashtu siç askush nuk mëson të përdorë një mjet të ri vetëm duke e parë, edhe teknologjia kërkon provë, gabim dhe kuriozitet.

Së dyti, duhet të investojmë më shumë te marrëdhënia njerëzore. Shpesh fokusohemi te pajisjet, aplikacionet apo platformat, por në fakt mësimi ndodh përmes ndërveprimit me mësuesit, mentorët, prindërit dhe bashkëmoshatarët. Teknologjia duhet të mbetet një mjet që e forcon këtë marrëdhënie, jo ta zëvendësojë atë.

Së treti, duhet të kemi guximin të transformojmë sistemin arsimor. Shkolla vazhdon të funksionojë mbi modele të krijuara dekada më parë, ndërkohë që ekonomia dhe tregu i punës kanë ndryshuar rrënjësisht. Sot jetojmë në një epokë ku njohuria nuk kufizohet më nga gjeografia dhe ku një nxënës në një fshat të Shqipërisë mund të ketë akses në të njëjtat burime si bashkëmoshatari i tij në çdo vend të Europës.

Për këtë arsye, duhet të nxisim të menduarit kritik, kreativitetin, vetëmësimin dhe bashkëpunimin. Për herë të parë kemi mundësinë që teknologjia të krijojë më shumë barazi në aksesin ndaj dijes.

Sfida jonë është ta shfrytëzojmë këtë mundësi në mënyrën më të mirë, që të rinjtë shqiptarë të jenë të përgatitur për të konkurruar në një treg pune global.

 

LEXONI EDHE:

Ndërtimi i një brezi digjital, a po i dembelos apo po i nxit të rinjtë shqiptarë

The post “Të rinjtë duhet të mësojnë të krijojnë, jo vetëm të konsumojnë teknologji” appeared first on Revista Monitor.

Bumi i Inteligjencës Artificiale dhe gjeopolitika po riformësojnë oqeanet e Azisë

18 July 2026 at 22:02

Kabllot e reja mes qendrave të të dhënave po shmangin Kinën dhe pikat e ngushta strategjike, shkruan The Economist

 

“Shtrati i detit është një fushëbetejë”, tha ministri i Mbrojtjes i Australisë në një sallë të mbushur me admiralë dhe gjeneralë në Singapor, në fund të majit.

Richard Marles, duke përmendur disa kabllo nënujore që janë këputur në Detin Baltik dhe rreth Tajvanit vitet e fundit, iu bashkua 16 homologëve të tij në shpalljen e planeve për të mbrojtur fijet nënujore të botës digjitale: gati 700 kabllo komunikimi, të cilat kryesisht qëndrojnë të ekspozuara në fundin e oqeaneve të botës.

Qeveritë dhe Forcat e Armatosura në Azi vetëm së fundmi janë ndërgjegjësuar për rëndësinë e kabllove nënujore.

Disa nga frikërat e tyre për ndërhyrje të fshehta mund të jenë të ekzagjeruara; deri më sot, nuk është paraqitur asnjë provë përfundimtare që të tregojë se dëmtimet e përmendura nga z. Marles kanë qenë sabotim. Por ato kanë të drejtë për cenueshmërinë e këtyre arterieve të tregtisë.

Dhe kompanitë private që ndërtojnë dhe operojnë pothuajse të gjitha kabllot nënujore të botës nuk po presin që qeveritë t’i mbrojnë më mirë. Ato po ndërmarrin gjithnjë e më shumë hapa vetë për të shmangur ujërat më të kontestuara të Azisë.

Azia dhe Australia janë të lidhura sot me Europën përmes kabllove me fibra optike, të cilat zakonisht ndjekin vijat bregdetare të kontinentit aziatik përpara se të ngjiten drejt Detit të Kuq.

Por kombinimi i bumit të Inteligjencës Artificiale dhe gjeopolitikës po e ridrejton trafikun e kabllove përmes Oqeanit Indian dhe Paqësor.

Kjo gjeografi e re shmang pikat e ngushta strategjike si Ngushtica e Malakës dhe ujërat e kontestuara si Deti i Kinës Jugore. Një pjesë e madhe e saj e shmang krejtësisht Azinë Juglindore, duke kaluar nga Lindja e Mesme dhe India drejt Australisë dhe më pas përmes ishujve të Paqësorit drejt Amerikës.

Kablloja e parë që ndoqi këtë itinerar të ri u vendos në vitin 2022, duke lidhur Omanin me Australinë, me degëzime drejt bazës ushtarake anglo-amerikane në Diego Garcia dhe Ishujve Cocos, një territor i vogël australian në Oqeanin Indian.

Më pas, vitin e kaluar, Google njoftoi se Christmas Island, një tjetër territor australian në Oqeanin Indian, do të shndërrohej në një qendër të një rrjeti të ri kabllor që do të lidhë Australinë me Lindjen e Mesme.

Fibra optike do të shtrihet nga Omani, përmes Maldiveve, deri në Christmas Island, dhe më pas do të vazhdojë drejt Australisë. Edhe Project Waterworth i Meta-s, një rrjet global kabllor me vlerë 10 miliardë dollarë, që është ende në zhvillim, pritet të ndjekë një itinerar të ngjashëm në Oqeanin Indian.

 

Ndryshimet

Ndryshimi i parë që po rikonfiguron rrugët e kabllove lidhet me atë se kush i financon ato. Kabllot nënujore janë të kushtueshme. Për të ndarë kostot, gjatë pjesës më të madhe të dekadave të fundit, kompanitë e mëdha kombëtare të telekomunikacionit krijonin konsorciume për ndërtimin e tyre.

Në vitin 1999, një nga kabllot e para të mëdha me fibra optike mes Europës dhe Azisë, i njohur si SEA-ME-WE 3, kushtoi 1.3 miliardë dollarë dhe kishte 92 partnerë në konsorcium.

Financimi dhe planifikimi i një kablloje nga kaq shumë kompani prirej të rriste kostot dhe të vononte shtrimin e saj. Pasi sigurohej financimi, numri i madh i partnerëve e afronte itinerarin pranë kontinentit aziatik, ku ndodhej pjesa më e madhe e klientëve.

Por bumi i Inteligjencës Artificiale po ndryshon ekonominë e biznesit të kabllove nënujore dhe gjeografinë e tij. Gjatë dhjetë viteve të fundit, gjigantët e internetit kanë nisur të financojnë dhe ndërtojnë kabllo të vetëm.

Kjo ka thjeshtuar procesin e mbledhjes së fondeve dhe planifikimit, si edhe ka shkurtuar kohën e nevojshme për projektet e reja kabllore. Google investoi në kabllon e saj të parë në vitin 2008.

Që atëherë ka financuar të paktën 34 të tjera, 18 prej të cilave i zotëron pa partnerë. Gjithnjë e më shumë, kompani si Meta, Google dhe Microsoft po ndërtojnë kabllo jo për të lidhur qendrat e popullsisë, por për të lidhur qendrat e tyre të të dhënave.

Dhe ato po i ndërtojnë me ritëm të shpejtë. Sipas një vlerësimi, në katër vitet e ardhshme, investimet e reja në kabllo do të arrijnë mesatarisht 4 miliardë dollarë në vit, ku pjesa më e madhe do të vijë nga të ashtuquajturit hyperscalers, që kërkojnë të fitojnë garën e Inteligjencës Artificiale.

Edhe pse shërbimi i internetit satelitor nga kompani si Starlink po bëhet më i lirë, përcjellja e çdo gigabajti të dhënash në hapësirë mbetet shumë herë më e shtrenjtë sesa transmetimi i dritës përmes një kablloje dhe ka gjasa të mbetet kështu edhe për shumë vite. Për këtë arsye, kabllot nënujore ende transportojnë 99% të trafikut ndërkontinental të internetit në botë.

Ndërsa tregu i kabllove nënujore po integrohet gjithnjë e më shumë vertikalisht, ai po zgjerohet edhe gjeografikisht.

Të çliruara nga nevoja për të kaluar pranë qendrave të populluara, anijet po vendosin kabllo nënujore përmes oqeaneve të hapura më shumë se kurrë më parë.

Itineraret e reja janë projektuar për të shmangur shtratin e detit që kontrollohet nga Kina ose nga qeveri që mund të kërkojnë pagesa për vendosjen ose riparimin e kabllove në pika strategjike të ngushta, si ngushticat indoneziane.

Rreziku gjeopolitik është bërë veçanërisht i madh në Detin e Kinës Jugore, ku Kina ende nuk ka vendosur kontroll të plotë mbi sipërfaqen detare, por ushtron de facto sovranitet mbi shtratin e detit.

Sipas së drejtës ndërkombëtare, shtetet nuk duhet të ndërhyjnë në riparimin e kabllove jashtë ujërave të tyre territoriale. Megjithatë, riparimi i çdo kablloje brenda të ashtuquajturës “vija me nëntë viza” (nine-dash line) të Kinës – e cila shtrihet më shumë se një mijë kilometra nga brigjet kineze dhe që Pekini e pretendon si kufirin e ujërave të tij – kërkon miratimin e autoriteteve kineze.

Edhe kabllot që kalojnë nëpër pika strategjike si Ngushtica e Malakës përballen me rreziqe të ngjashme, thotë Samuel Bashfield, studiues i kabllove nënujore në Universitetin La Trobe në Australi.

Rregullat që ndryshojnë vazhdimisht nga vendet bregdetare, si Malajzia dhe Indonezia, synojnë të përfitojnë ekonomikisht nga operacionet e kabllove, për shembull duke kërkuar përdorimin e anijeve vendase.

Këto mund të jenë pengesa të kushtueshme. Por deklaratat e fundit të presidentit dhe ministrit të Financave të Indonezisë, të përballur me mungesë fondesh, mbi mënyrat se si vendi mund të përfitojë nga pozicioni i tij përgjatë disa prej rrugëve detare më të rëndësishme në botë, sugjerojnë se mund të pasojnë masa edhe më agresive.

Për t’i shmangur këto rreziqe, gjithnjë e më shumë trafik interneti po devijohet nga këto zona. Rrjetet e reja të Google dhe Meta kalojnë nga Lindja e Mesme, përmes Australisë, dhe më pas drejt Japonisë, Koresë së Jugut ose Shteteve të Bashkuara.

Në Oqeanin Paqësor, kabllot po përdorin gjithnjë e më shumë Guamin si një qendër lidhëse për aleatët e SHBA-së në Azi.

Këto itinerare të reja janë pjesë e një infrastrukture gjithnjë e më të ndarë të internetit nën oqean: që nga koha kur Barack Obama ishte president, nuk është miratuar asnjë kabllo e re që lidh drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara me Kinën.

 

 

The post Bumi i Inteligjencës Artificiale dhe gjeopolitika po riformësojnë oqeanet e Azisë appeared first on Revista Monitor.

Gjiganti kinez i energjisë diellore, në telashe

18 July 2026 at 22:00

As lufta në Gjirin Persik nuk do ta shpëtojë, shkruan The Economist

 

Teksa lufta e Amerikës kundër Iranit po trazon tregjet e energjisë, pritshmëria ishte që kompanitë kineze të energjisë së pastër të përfitonin. Vendi prodhon mbi 80% të paneleve diellore në botë, duke i nxjerrë ato në treg në sasi gjigante. Falë përpjekjeve të tilla, burimet e rinovueshme prodhuan vitin e kaluar më shumë energji elektrike se qymyri në mbarë botën.

Megjithatë, industria diellore e Kinës, ndonëse më e forta në botë, është në telashe. Dhe nxitja që ka ardhur nga lufta nuk ka mjaftuar për ta stabilizuar.

Eksportet kineze të paneleve diellore janë rritur që kur nisën bombardimet. Por ky nuk është ndonjë ngushëllim i madh për kompanitë e sektorit, që përballen me tri probleme të mëdha. Kërkesa e brendshme për produktet e tyre po bie për herë të parë në dekada, sepse rrjetet energjetike të vendit, deri tani tregu më i madh për panelet diellore, janë mbingarkuar prej tyre.

Ndërkohë, oferta për panele diellore është e tepërt, si pasojë e viteve me investime të mëdha në fabrika. Dhe, edhe pse lufta po ndihmon shitjet e paneleve diellore në Azinë Juglindore dhe Afrikë, proteksionizmi është rritur në tregjet më të mëdha perëndimore.

Këto probleme po bashkohen në një moment të vështirë. Shumica e kompanive kanë punuar me humbje që nga viti 2024, për shkak të luftës së ashpër të çmimeve, ndërsa falimentimet po shtohen. Pas një rritjeje të madhe, fabrika botërore e paneleve diellore tani po përballet me momentin e së vërtetës.

Në nivel global, industria diellore nuk ka qenë gjithmonë bujare me investitorët. Një panel diellor është shumë i ngjashëm me një tjetër dhe, kur një prodhues bën përmirësime, ato kopjohen shpejt nga konkurrentët. Prandaj kompanitë zakonisht përpiqen të rrisin prodhimin sa më shpejt, për të kapur pjesë më të madhe të tregut.

Kjo do të thotë se prodhimi mund të ecë shumë më shpejt se kërkesa, duke shkaktuar rënie të marzheve. Kjo prirje çoi, për shembull, në një rënie të fortë të të ardhurave në vitin 2018, e ndjekur nga një rimëkëmbje pasi kërkesa arriti ta kapte ofertën.

 

Humbjet në energjinë diellore

Rënia aktuale është e një tjetër shkalle. Tregu kryesor për panelet diellore ka qenë gjithmonë brenda Kinës dhe instalimi i tyre ka qenë aq i shpejtë vitet e fundit, sa po tejkalon aftësinë e rrjeteve energjetike për t’i përthithur. Në të gjithë vendin, çatitë, kodrat dhe shkretëtirat janë mbuluar me silikon gri të errët.

Për të mbajtur dritat ndezur, Kina është mbështetur në të kaluarën tek energjia nga qymyri, e cila mund të ndizet dhe të fiket sipas nevojës. Panelet diellore prodhojnë energji vetëm gjatë ditës, çka mund të sjellë mungesa energjie gjatë natës dhe teprica gjatë ditës. Si rezultat, në janar dhe shkurt, rreth 9% e prodhimit diellor të Kinës u shpërdorua, nga 6% në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kjo e bën të vështirë të justifikohet shtimi i kapaciteteve të reja në shkallë të madhe. Sipas një grupi të industrisë, instalimet këtë vit mund të bien me 24% deri në 43% krahasuar me vitin 2025. Kjo do të mjaftonte që kërkesa globale për panele diellore të binte në vitin 2026 për herë të parë në dy dekada, sipas BloombergNEF, një kompani konsulence.

Që rrjetet energjetike të Kinës ta përballojnë këtë, vendi duhet të jetë në gjendje të ruajë energjinë e tepërt diellore ose ta transportojë atë në distanca të gjata drejt zonave ku mund të nevojitet. Kjo kërkon investime të mëdha në bateri dhe linja transmetimi, si dhe krijimin e mekanizmave fleksibël të tregut për të koordinuar gjithçka.

Në disa rajone, kontratat afatgjata për energjinë nga qymyri i lënë jashtë burimet e rinovueshme, edhe pse ato janë më të lira.

E gjithë kjo po ndodh, e ndihmuar edhe nga fakti se bateritë, ashtu si panelet diellore, po bëhen shumë më të lira ndërsa prodhimi i tyre rritet. Por kjo kërkon kohë. Kjo do të thotë se edhe nëse instalimet diellore nisin të rriten sërish vitin e ardhshëm, rritja ndoshta do të jetë shumë më e ngadaltë se më parë.

Ndërkohë, kompanitë kineze të paneleve diellore po përballen me tepricë të ofertës. Investimet e vrullshme i kanë lënë ato me kapacitet për të prodhuar mbi 1,000 gigavat panele diellore në vit.

Kjo është shumë më tepër se 600 gigavatët, gjithsesi të jashtëzakonshëm, që u instaluan në mbarë botën në vitin 2025 dhe ndoshta më shumë sesa tregu global do të jetë ndonjëherë në gjendje të përthithë, vlerëson Jenny Chase nga BloombergNEF. Ajo thotë: “Në këtë pikë, po na mbarojnë vendet e mëdha që nuk kanë tashmë shumë energji diellore.”

 

Çmime dysheme dhe mangësi

Prodhuesit e paneleve diellore kanë bërë thirrje për “vetëdisiplinë” për të lehtësuar problemin e mbikapaciteteve. Vitin e kaluar, disa prej tyre u përpoqën të bashkërendonin kuotat e prodhimit dhe të vendosnin çmime dysheme për panelet.

Megjithatë, bashkëpunimi mes tyre ka rezultuar i vështirë. Vetëm pak javë pasi marrëveshja hyri në fuqi, një kompani u kritikua publikisht për shkeljen e saj. Më pas, në janar, zyrtarët thanë se ishin të shqetësuar se grupi mund të shndërrohej në kartel.

Megjithatë, zyrtarët janë gjithashtu të interesuar të ulin fryrjen e sektorit, një problem që shihet edhe në industri të tjera të energjisë së pastër në Kinë. Dikur, qeveria i mbështeste prodhuesit e paneleve diellore në çdo mënyrë, nga aksesi në tokë të lirë deri te kreditë pa interes. Tani ajo është tërhequr në masë të madhe.

Që nga qershori i vitit të kaluar, projektet e reja diellore duhet ta shesin energjinë me çmime tregu, në vend që të përfitojnë tarifa të garantuara. Një arsye kryesore për rritjen e eksporteve në mars ishte se kompanitë po nxitonin të dërgonin sa më shumë mallra para 1 prillit, kur do të pushonin së përfituari rimbursim tatimor për eksportet.

Në muajt e fundit, disa qeveri vendore kineze madje kanë nisur t’u kërkojnë kompanive diellore të kthejnë miliona juanë subvencione, duke parapëlqyer t’i lënë të falimentojnë sesa të vazhdojnë të mbajnë në këmbë kompani të dështuara.

Gjeopolitika mund të sjellë re të tjera në horizont. Panelet e lira diellore kineze janë bërë viktimë e suksesit të tyre, duke nxitur reagime proteksioniste si në vendet perëndimore, ashtu edhe te fqinjët e Kinës, përfshirë Indinë.

Që nga viti 2022, Amerika ka vendosur kufizime të rrepta mbi importet, si dhe tarifa të larta për ngarkesat që lejon të hyjnë. Disa vende shqetësohen gjithashtu se pajisjet kineze në infrastrukturën e tyre energjetike mund të përbëjnë rrezik sigurie.

Në maj, Bashkimi Europian tha se do të heqë gradualisht furnitorët kinezë të inverterëve, një pajisje jetike për energjinë diellore, nga projektet e financuara nga BE-ja. Disa kompani kineze po përpiqen ta zhvendosin prodhimin jashtë vendit për të shmangur këto probleme politike.

E gjithë kjo krijon një perspektivë të zymtë. Që nga viti 2024, më shumë se 40 kompani kineze të energjisë diellore kanë falimentuar, janë blerë nga të tjera ose janë hequr nga bursat. Një e treta e fuqisë punëtore në pesë kompanitë më të mëdha të industrisë diellore në vend është pushuar nga puna, sipas Reuters.

Por vala më e madhe e konsolidimit ende nuk ka nisur plotësisht, thotë Jessica Jin nga S&P Global, një kompani kërkimore. Çmimet e paneleve diellore janë rritur lehtë muajt e fundit, por ato ende shiten nën koston mesatare të prodhimit.

Aksionet e LONGi Green Energy Technology, Tongwei, Jinko Solar dhe Trina Solar, prodhuesit më të mëdhenj, vijojnë të kuotohen shumë më poshtë se gjysma e niveleve rekord të arritura disa vite më parë.

A mund të ndriçojë sërish dielli për industrinë? Pa dyshim, do të ndihmonte nëse vendet do të hiqnin barrierat tregtare ndaj mallrave kineze. Një tjetër rrugëdalje për industrinë kineze mund të jetë komercializimi i teknologjive që rrisin ndjeshëm eficiencën e paneleve diellore. Sot, shumica e tyre shndërrojnë në energji elektrike 22-24% të dritës që bie mbi to.

Lloje më të avancuara qelizash diellore, të quajtura perovskite, mund ta çojnë këtë nivel mbi 30% dhe, teorikisht, të jenë edhe më të lira për t’u prodhuar. Pyetja është vetëm sa prej kompanive kineze të energjisë diellore do të mbijetojnë për t’i parë këto përparime.

 

 

The post Gjiganti kinez i energjisë diellore, në telashe appeared first on Revista Monitor.

Tatimet: realizohet 100% paraplotësimi i deklaratave të TVSH-së dhe DIVA-s

By: Ornela
18 July 2026 at 12:13

 

Tatimpaguesit kanë një proces më të thjeshtë për plotësimin e deklaratave të TVSH-së dhe Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA), pasi Administrata Tatimore ka automatizuar paraplotësimin e tyre në sistemin elektronik.

Sipas Administratës Tatimore, paraplotësimi është realizuar për 100% të deklaratave përkatëse, duke përmbushur një nga objektivat e Axhendës së Reformave një vit përpara afatit të përcaktuar, që ishte dhjetori i vitit 2026.

Nga këndvështrimi i tatimpaguesve, ndryshimi synon të ulë kohën që nevojitet për përgatitjen e deklaratave, të reduktojë gabimet njerëzore dhe të kufizojë nevojën për hedhjen manuale të të dhënave që administrata i disponon tashmë.

Në sistem janë paraplotësuar 166,495 deklarata DIVA për vitin 2026, rreth 30.2% më shumë se numri i deklaratave të krahasueshme në prill të vitit 2025. Për TVSH-në, janë paraplotësuar 39,586 deklarata, me një rritje prej 5.6% krahasuar me prillin e një viti më parë.

Paraplotësimi nuk nënkupton se deklarata dorëzohet automatikisht pa ndërhyrjen e tatimpaguesit. Individët dhe bizneset duhet të kontrollojnë të dhënat e vendosura në sistem, të plotësojnë informacionet që mungojnë dhe të korrigjojnë pasaktësitë e mundshme përpara konfirmimit përfundimtar.

Për bizneset, veçanërisht ato me volum të lartë faturash, automatizimi pritet të ulë kostot administrative dhe ngarkesën e punës së financës dhe kontabilitetit. Megjithatë, përfitimi real do të varet nga saktësia e të dhënave që tërhiqen nga sistemet tatimore dhe nga funksionimi pa probleme i platformës elektronike gjatë afateve të deklarimit.

Administrata Tatimore pohon se kjo është pjesë e reformës së modernizimit të shërbimeve elektronike, me synim që deklarimi të kryhet në më pak kohë dhe me më shumë transparencë. Për tatimpaguesit, sfida kryesore mbetet verifikimi i kujdesshëm i informacionit, pasi përgjegjësia ligjore për saktësinë e deklaratës vazhdon t’i takojë personit ose biznesit që e dorëzon atë.

The post Tatimet: realizohet 100% paraplotësimi i deklaratave të TVSH-së dhe DIVA-s appeared first on Revista Monitor.

Anketa e “Monitor”, nga kapja e shtetit te korrupsioni, arsyet pse po protestohet

17 July 2026 at 22:12

Rezultatet e anketës që “Monitor” ka organizuar për lexuesit e saj lidhur me argumentet pse prej javësh qytetarët po protestojnë. Nga kapja e shtetit te korrupsioni, janë të shumta arsyet që çojnë në një mbështetje masive prej 90% të protestave. Pritshmëritë e të anketuarve shkojnë deri te ndryshimi i Kodit Zgjedhor, shfuqizimi i ligjit për zonat e mbrojtura dhe krijimi i një force të re politike që mund të lindë nga vetë protesta. Edhe pse anketa nuk është në asnjë rast përfaqësuese për të gjithë popullsinë, ajo përcjell një zë të një audience të arsimuar, profesionale dhe të angazhuar me zhvillimet e vendit.

 

Ornela Liperi

Tirana nuk ka qenë e qetë që nga 1 qershori. Një incident në Zvërnec, ku po planifikohet të ndërtohet një resort i madh, ku është i përfshirë dhe dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, nxiti një protestë, që për herë të parë pas shumë kohësh, tërhoqi sidomos të rinjtë e më pas gjeti mbështetje masive.

Koha do të tregonte se incidenti ishte vetëm shkëndija që ndezi fitilin e zemërimit, që duket se po akumulohej prej kohësh për mënyrën se si po qeveriset vendi.

Për të kuptuar arsyet që shtynë shumëkënd për të protestuar, “Monitor” organizoi një anketim në faqen e saj, përmes platformës ERC (“Engaged Citizens Reporting – Raportimi nga qytetarët e angazhuar” është një platformë digjitale e sigurt, e zhvilluar për të ngushtuar hendekun mes medias dhe publikut).

Anketa qëndroi e hapur për 5 ditë dhe u plotësua nga 1114 qytetarë, duke arritur nivelin më të lartë të angazhimit në këtë platformë, që kur “Monitor” filloi ta përdorë. Më herët, anketa me më shumë interes kishte qenë ajo për emigracionin me 1044 plotësime, duke treguar që tema të tilla janë të ndjeshme për audiencën e “Monitor”.

Theksojmë se ky nuk është një kampion përfaqësues i popullsisë shqiptare. Pjesëmarrësit nuk janë përzgjedhur në mënyrë rastësore dhe përgjigjet janë dhënë vullnetarisht, çka do të thotë se në anketë kanë më shumë gjasa të marrin pjesë personat që kanë interes ose qëndrim më të fortë ndaj temës. Për më tepër, audienca e “Monitor” përbëhet kryesisht nga ekonomistë, profesionistë të lirë, sipërmarrës, punonjës të sektorit bankar, teknologjisë së informacionit dhe profile të tjera urbane e të arsimuara, ndaj rezultatet nuk mund të përgjithësohen për të gjithë popullsinë.

Megjithatë, anketa ka vlerë si një matje e perceptimeve të një segmenti aktiv dhe të angazhuar të publikut, ku dominojnë ata me arsim universitar dhe pasuniversitar “që kërkon të jetë i përfaqësuar”.

Ajo ndihmon për të identifikuar arsyet që motivojnë mbështetjen ose kundërshtimin ndaj protestave, shqetësimet që përsëriten më shpesh dhe intensitetin me të cilin këto çështje përjetohen nga audienca e “Monitor”.

Rezultatet nuk duhen lexuar si një projeksion elektoral, apo si pasqyrë statistikore e së gjithë shoqërisë, por si një sinjal i qartë i klimës së opinionit brenda një grupi me interes të lartë për zhvillimet ekonomike, sociale dhe politike.

 

Metodologjia

Theksojmë se ky nuk është një kampion përfaqësues i popullsisë shqiptare. Pjesëmarrësit nuk janë përzgjedhur në mënyrë rastësore dhe përgjigjet janë dhënë vullnetarisht, çka do të thotë se në anketë kanë më shumë gjasa të marrin pjesë personat që kanë interes ose qëndrim më të fortë ndaj temës. Për më tepër, audienca e “Monitor” përbëhet kryesisht nga ekonomistë, profesionistë të lirë, sipërmarrës, punonjës të sektorit bankar, teknologjisë së informacionit dhe profile të tjera urbane e të arsimuara, ndaj rezultatet nuk mund të përgjithësohen për të gjithë popullsinë.

 

Audienca

Anketa u plotësua nga 1114 persona. Dominojnë në përgjigje meshkujt, me 63.5% të totalit. 70% e të anketuarve ishin në Tiranë dhe 6.3% e përgjigjeve erdhën nga diaspora, duke treguar dhe për interesin e audiencës jashtë Shqipërisë.

Pjesa më e madhe e të anketuarve ishin të grupmoshës 30-39 vjeç, me 34% të totalit, të ndjekur nga grupmosha 40-49 vjeç, me 32.5%. Më pas renditen të rinjtë, 20-29 vjeç, me 15%. Grupmosha 50-59 vjeç realizoi 12.3% të plotësimeve. Të rinjtë, deri në 20 vjeç, përbënin vetëm 1.3% të plotësimeve.

 

Burimi: Sondazhi i Monitor

 

Në nivelin arsimor dominojnë të anketuarit me arsim universitar dhe pasuniversitar, me përkatësisht 44.3% dhe 46.9% të totalit.

85% ishin të punësuar apo me aktivitet privat, 11.5% nuk ishin në marrëdhënie pune dhe 3.5% ishin studentë.

Sipas aktivitetit ekonomik, dominuan përgjigjet e atyre që janë profesionistë të lirë (25% të totalit) dhe në aktivitetet financiare bankare e të sigurimeve (16%), të ndjekur nga informacioni dhe komunikacioni (11.4%). 10% e të anketuarve thanë se kanë biznesin e tyre privat. 5.5% e atyre që u përgjigjën ishin të angazhuar në sektorin e arsimit, 4.9% në administratën publike.

 

Burimi: Sondazhi i Monitor

 

91% e të anketuarve i mbështesin protestat, argumenti kryesor është korrupsioni

Në protestë gjen thuajse çdo profil të shoqërisë: të rinj që dalin për herë të parë në shesh, familje me fëmijë të vegjël, të moshuar, profesionistë, qytetarë të zakonshëm dhe madje edhe pjesëtarë të diasporës që kanë ardhur enkas në Tiranë për t’iu bashkuar tubimeve.

Kjo larmi pjesëmarrjeje pasqyrohet edhe në rezultatet e sondazhit të “Monitor”, i cili evidentoi një mbështetje masive për protestat.

Rreth 90.7% e të anketuarve deklaruan se i mbështesin protestat, 6.1% thanë se i mbështesin pjesërisht, ndërsa vetëm 2.8% u shprehën kundër tyre.

Rezultati tregon se, të paktën brenda audiencës së anketuar, protestat kanë arritur të bashkojnë shtresa dhe grupmosha të ndryshme rreth një pakënaqësie të përbashkët.

Mbështetja e larë që i jep protestës shtresë me arsim universitar dhe pas universitar dhe grupmosha 30-59 vjeç, tregon që i pakënaqur është pikërisht grupi i popullsisë në moshe pune dhe që kontribuon në financat e shtetit.

 

Perceptimi i shtresës së mesme

Anketa ka vlerë si një matje e perceptimeve të një segmenti aktiv dhe të angazhuar të publikut, ku dominojnë ata me arsim universitar dhe pasuniversitar. Ajo ndihmon për të identifikuar arsyet që motivojnë mbështetjen ose kundërshtimin ndaj protestave, shqetësimet që përsëriten më shpesh dhe intensitetin me të cilin këto çështje përjetohen nga audienca e “Monitor”. Mbështetja e larë që i jep protestës kjo shtresë dhe grupmosha 30-59 vjeç, tregon që i pakënaqur është pikërisht grupi i popullsisë në moshe pune dhe që kontribuon në financat e shtetit.

 

Burimi: Sondazhi i Monitor

 

Nga të dhënat e anketimit rezulton se arsyet e mbështetjes së protestës shkojnë përtej atyre ekonomike dhe lidhen me shqetësimin për mënyrën se si po qeveriset vendi.

Korrupsioni është zgjedhur nga të anketuarit si arsyeja kryesore që ka bërë që të anketuarit të votojnë “Po”, në mbështetje të protestave, i zgjedhur nga 722 persona (të anketuarit mund të zgjidhnin deri në 3 alternativa). Arsyeja e dytë lidhet me keqqeverisjen dhe mungesën e llogaridhënies, me 530 përgjigje, e ndjekur nga mungesa e drejtësisë dhe mosndëshkimi i abuzuesve, me 342 përgjigje.

Arsyeja e katërt më e zgjedhur është mbrojtja e interesit publik (arsimi, shëndetësia, mjedisi, hapësirat publike). Mungesa e perspektivës për të ardhmen është argumenti i pestë. Varfëria dhe rritja e çmimeve janë argumenti i gjashtë, që i shtyn të anketuarit të mbështesin protestat.

“Protestojmë për mijëra halle që ka ky vend. Për varfërinë që është ulur këmbëkryq. Për spitalet që nuk kanë shërbim. Për mungesë drejtësie. Për shkatërrimin e arsimit.

Për pasuritë natyrore që po shkatërrohen. Për lumenjtë që thahen. Për punë në administratë që duhet vetëm të paguash edhe nëse je i aftë, përndryshe s’të llogarit askush.”, thotë A.A, komentuese.

“Nuk ka meritokraci. Nuk ka kontroll mbi përdorimin e fondeve. Nuk ka një pyetësor mbi shërbimet, qeveria nuk merr parasysh mendimin e njerëzve”, thotë E.T.

 

Burimi: Sondazhi i Monitor

 

79.2% e të anketuarve thanë se kanë marrë pjesë të paktën një ditë në protestë. 11.1% thanë se megjithëse nuk kanë marrë pjesë, sërish ata i mbështesnin ato. 3.1% deklaruan se mendonin të merrnin pjesë dhe 6.9% u përgjigjën “Jo”.

 

Burimi: Sondazhi i Monitor

 

Edhe ata që u përgjigjën se nuk i mbështesin protestat (gati 3% e të anketuarve) nuk rezultojnë të jenë kundër tyre, më shumë sesa nuk e shohin këtë rrugë si zgjidhje. Si argument kryesor ata japin mungesën e besimit tek organizatorët e tyre.

Një tjetër element që i bën ata mosbesues lidhet me faktin që protestat shpesh politizohen dhe përdoren për interesa partiake. Argumenti i tretë që ata japin është se problemet duhen zgjidhur përmes institucioneve dhe zgjedhjeve.

 

Burimi: Sondazhi i Monitor

 

Revolta ndaj kapjes së shtetit, arsyeja kryesore pse protestohet

“Monitor” i kufizoi deri në 3 alternativa zgjedhjen e të anketuarve për arsyet pse protestohet. Kishte nga ata lexues që na shkruan se pse u kishim lënë kaq pak alternativa, sepse ata donin t’i zgjidhnin të gjitha!

“Revolta ndaj kapjes së shtetit dhe mosfunksionimit të një shteti demokratik” është argumenti më i zgjedhur nga të anketuarit (me 606 vota) që i shtyn ata të protestojnë.

Argumenti i dytë është “Protestë kundër korrupsionit galopant që evidentohet nga hetimet e BKH/SPAK” (568 përgjigje), i ndjekur nga “Protestë kundër shkatërrimit të ambientit nga projekte zhvillimi masive dhe betonizimit të bregut të detit” (374).

“Arsyet pse protestojmë lidhen me arrogancën e kësaj qeverie, emigrimin e të rinjve, mungesën e besimit në institucione, mungesën e drejtësisë, paga të ulëta dhe kosto të lartë jetese”, thotë një i anketuar nga Tirana, 30-39 vjeç, me arsim pasuniversitar, i angazhuar në aktivitetet e informacionit dhe komunikacionit.

“Protestojmë kundër cilësisë së ulët në shëndetësi, arsim, infrastrukturë, arrogancës dhe paaftësisë së deputetëve dhe çdo drejtuesi në institucione”, thotë një e anketuar 40-49 vjeç, me arsim pasuniversitar, e cila menaxhon biznesin e saj privat.

“Protestoj kundër lejimit të ndërtimit në zonat e mbrojtura, zhbërjes së ligjit 21/2024, paketës së maleve, investitorëve strategjikë etj., si ligje në dëm të Kombit, qeverisje në interes vetëm të një grushti njerëzish dhe Jo për qytetarët!”, komenton një i anketuar nga Fieri, 40-49 vjeç, me arsim pasuniversitar, i cili është i punësuar në aktivitetin e industrisë nxjerrëse dhe përpunuese.

Protesta filloi nga mënyra se si u menaxhua situata në projektin e parashikuar në Zvërnec, por pyetjet e lidhura me këtë çështje janë renditur ndër të fundit në listën e argumenteve, me “Protestë ndaj arrogancës që Qeveria tregon në rastin e Zvërnecit”, që mori 230 përgjigje dhe “Protestë kundër faktit që Qeveria u bë bashkëdhunuese e qytetarit në Zvërnec duke u bërë palë me privatin që ka uzurpuar bregun e detit”, me 184 përgjigje.

Ndonëse mediat e huaja i trajtuan protestat që po zhvilloheshin në Shqipëri si një revoltë kundër përfshirjes së Kushner/Trump në projektin e Zvërnecit, të anketuarit nuk mendojnë kështu. Alternativa “Protestë kundër përfshirjes së Kushner/Trump në projektin e Zvërnecit?” mori 37 përgjigje, më pak nga të gjitha.

Vetëm 18 të anketuar janë shprehur se protestat u duken të paarsyeshme, alternativa më pak e zgjedhur.

 

Burimi: Sondazhi i Monitor

 

 

Arsyet kryesore pse protestohet

“Revolta ndaj kapjes së shtetit dhe mosfunksionimit të një shteti demokratik ” është argumenti më i zgjedhur nga të anketuarit (me 606 vota) që i shtyn ata të protestojnë.

Argumenti i dytë është “Protestë kundër korrupsionit galopant që evidentohet nga hetimet e BKH/SPAK” (568 përgjigje), i ndjekur nga “Protestë kundër shkatërrimit të ambientit nga projekte zhvillimi masive dhe betonizimit të bregut të detit” (374).

 

 Skepticizëm për rezultatin e protestave

Është hera e parë në Shqipëri, që protesta të tilla, me një përfaqësim relativisht të madh dhe pa një përkatësi të qartë politike janë kaq këmbëngulëse dhe kanë zgjatur për të paktën 5 javë. Por, publiku sërish është skeptik për rezultatin e tyre.

Në krahasim me mbështetjen prej mbi 90% ndaj protestës, vetëm 58.8% e të anketuarve mendojnë që ajo ka dhënë rezultat. 18.7% mendojnë se është ende herët. 16% thonë që protesta ka dhënë shumë pak rezultat dhe 6.6% përgjigjen se nuk ka dhënë asnjë rezultat.

 

Burimi: Sondazhi i Monitor

 

16.9% e të anketuarve pohojnë se protestat duhet të vazhdojnë, por me kërkesa të qarta dhe 79% u përgjigjën që protestat duhet të vazhdojnë. Duke i mbledhur këto dy kategori, shumica dërrmuese e të anketuarve janë të bindur se protestat duhet të vijojnë, me 95.9% të tyre, që shprehen pro.

Vetëm 3.7% thonë se protestat nuk duhet të vazhdojnë.

 

Burimi: Sondazhi i Monitor

 

Çfarë duhet të kërkojnë protestuesit, anulim i ligjit për zonat e mbrojtura, ndryshim të Kodit Zgjedhor

Dorëheqja politike është kërkesa kryesore e të anketuarve, e ndjekur nga hetimet për korrupsion. Kërkesa e tretë më e shpeshtë është ajo për zgjedhje të parakohshme dhe reformë në drejtësi.

Krahas alternativave me zgjedhje, të anketuarit kishin dhe mundësinë që të shtonin propozimet e tyre në një pyetje të hapur.

Një argument i shtuar nga të anketuarit se çfarë duhet të kërkojnë protestuesit lidhet me Ligjin nr. 21/2024, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 81/2017 ‘Për zonat e mbrojtura’”. Ai u miratua në vitin 2024 dhe ndryshoi rregullat për mënyrën se si mund të menaxhohen dhe zhvillohen zonat e mbrojtura në Shqipëri.

Ndryshimet hapën mundësi më të gjera për zhvillime turistike dhe infrastrukturore brenda ose pranë zonave të mbrojtura, përfshirë struktura akomoduese të kategorive të larta, agroturizëm dhe infrastrukturë mbështetëse.

Pikërisht kjo është arsyeja pse ligji është kundërshtuar nga organizatat mjedisore dhe protestuesit, të cilët kërkojnë shfuqizimin e tij dhe rikthimin e kufizimeve më të forta të ligjit të mëparshëm.

Një tjetër kërkesë e shtuar nga të anketuarit lidhet me Kodin e ri Zgjedhor, që të garantojë që çdo votë të jetë e barabartë. Ata kërkojnë ndryshimin e Kodit Zgjedhor, me synim hapjen reale të listave të kandidatëve, dobësimin e kontrollit të kryetarëve të partive mbi përzgjedhjen e deputetëve dhe forcimin e përfaqësimit të drejtpërdrejtë të qytetarëve në Parlament.

Në korrik 2024, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike miratuan ndryshimet në Kodin Zgjedhor, duke vendosur një sistem të kombinuar për listat e kandidatëve: rreth një e treta e tyre renditen në një listë të mbyllur, të përcaktuar nga drejtuesit e partive, ndërsa pjesa tjetër garon në listë të hapur me votë.

Ndryshimet mundësuan gjithashtu votimin me postë të emigrantëve, por ruajtja e listës së mbyllur u kritikua sepse garanton zgjedhjen e një pjese të deputetëve sipas renditjes së vendosur nga partitë dhe kufizon ndikimin e drejtpërdrejtë të votuesve mbi kandidatët. Pikërisht për këtë arsye, protestuesit kërkojnë rishikimin e Kodit dhe hapjen reale të listave.

 

Burimi: Sondazhi i Monitor

 

Të anketuarit janë optimistë se protestat mund të sjellin ndryshim, me 68.1% të tyre që janë përgjigjur “shumë” dhe 22.2% që kanë zgjedhur alternativën “disi”.

Të anketuar pesimistë, janë në pakicë, me vetëm 2.9% që thonë aspak dhe 6.8% që thonë disi.

 

Burimi: Sondazhi i Monitor

 

LEXONI EDHE:

Pse protestojnë bankierët

Shpresa te një parti e re

Zhvillimi nuk është vetëm pagë, por dhe përmirësim i cilësisë së jetës së përditshme

The post Anketa e “Monitor”, nga kapja e shtetit te korrupsioni, arsyet pse po protestohet appeared first on Revista Monitor.

Pse protestojnë bankierët

17 July 2026 at 22:10

Protesta nuk është vetëm për arsye ekonomike. Pas më shumë se 30 vitesh tranzicion është krijuar një shtresë e arsimuar, profesionale dhe ekonomikisht aktive, që nuk kërkon vetëm paga më të larta, por cilësi jetese, institucione funksionale, drejtësi, konkurrencë dhe respekt për interesin publik.

Bankierët që u përgjigjën në anketimin e realizuar nga “Monitor” janë absolutisht pro protestës. Nga 150 të anketuar, 88.7% ishin pro protestës, 9.3% e mbështesnin atë pjesërisht dhe vetëm 2% ishin kundër.

Mbi 90% pohojnë se protestat duhet të vazhdojnë.

 

Burimi: Sondazhi i Monitor

 

Në linjë me përgjigjen e të gjithë anketuesve, korrupsioni është arsyeja kryesore që i bën ata të mbështesin protestën, i ndjekur nga keqqeverisja dhe mungesa e llogaridhënies; Mungesa e drejtësisë / mosndëshkimi i abuzimeve; Mungesa e perspektivës për të ardhmen.

 

Burimi: Sondazhi i Monitor

 

74% e të anketuarve, të punësuar në aktivitetet bankare dhe të sigurimit, pohuan se kanë dalë të paktën një ditë në protestë. 13.3% thanë se nuk kanë qenë në protestë por e mbështesin atë. 6% thanë se mendojnë të marrin pjesë. Vetëm 6.7% u përgjigjën se nuk i mbështesin protestat.

 

Burimi: Sondazhi i Monitor

 

Një bankier rekomandon që të kufizohet mandati i zgjedhjes së kryeministrit në dy. “Është e qartë në këto 36 vite tranzicion, se secila qeveri e ka trajtuar vendin si pronë private gjatë mandatit të dytë!

Mendo se çfarë po ndodh në një mandat të tretë. Kufizimi i zgjedhjes së një qeverie apo KM deri në maksimumi dy legjislatura”, thotë një komentuese 50-59 vjeç, nga Tirana, i punësuar në “Aktivitetet financiare (banka) dhe të sigurimit”.

Bankierët shohin alternativë dhe përfshirjen në qeverisje të individëve që vijnë nga diaspora. “Duhet një qeveri teknike e përbërë nga teknicienë të zotë, nga vendi dhe diaspora me një proces të qartë llogaridhënie për zhvillimin e vendit”, propozon një L.S nga Tirana, i grupmoshës 50-59 vjeç.

“Protestuesit duhet të kërkojnë anulim të ligjit për zonat e mbrojtura, për investimet strategjike dhe paketën e maleve. Duhet ndryshim i Kodit Zgjedhor dhe zgjedhje të parakohshme”, komenton një bankier 30-39 vjeç, me arsim pasuniversitar.

Arsyeja kryesore se pse protestojnë të punësuarit të aktivitetin “Aktivitetet financiare (banka) dhe të sigurimit” është e njëjtë me atë të të gjithë të anketuarve: “Revoltë ndaj kapjes së shtetit dhe mosfunksionimit të një shteti demokratik”.

Arsyeja e dytë lidhet me korrupsionin “Protestë kundër korrupsionit galopant që evidentohet nga hetimet e BKH/SPAK”, e ndjekur nga “Protestë kundër shkatërrimit të ambientit nga projekte zhvillimi masive dhe betonizimit të bregut të detit”.

 

Burimi: Sondazhi i Monitor

 

Ka dhe nga ata që janë skeptikë. “Nuk besoj se protestat sjellin ndryshim. Protestat shpesh politizohen dhe përdoren për interesa partiake. Problemet duhen zgjidhur përmes institucioneve dhe zgjedhjeve”, thotë një bankiere, mbi 60 vjeçe, me arsim pas universitar.

 

LEXONI EDHE:

Anketa e “Monitor”, nga kapja e shtetit te korrupsioni, arsyet pse po protestohet

 

The post Pse protestojnë bankierët appeared first on Revista Monitor.

Shpresa te një parti e re

17 July 2026 at 22:08

Të lodhur nga dominimi i dy partive gjatë periudhës së gjatë të tranzicionit, ku secila e ka treguar veten, që e mira e kombit dhe qytetarëve të vendit nuk ka qenë përparësia tyre gjatë qeverisjes, dhe mungesa e besimit për partitë e vogla ekzistuese, shpresa duket se është te një parti e re.

“Monitor” organizoi një anketim në faqen e saj, përmes platformës ERC (“Engaged Citizens Reporting – Raportimi nga qytetarët e angazhuar” është një platformë digjitale e sigurt, e zhvilluar për të ngushtuar hendekun mes medias dhe publikut).

Anketa qëndroi e hapur për 5 ditë dhe u plotësua nga 1114 qytetarë.

(Theksojmë se ky nuk është një kampion përfaqësues i popullsisë shqiptare. Pjesëmarrësit nuk janë përzgjedhur në mënyrë rastësore dhe përgjigjet janë dhënë vullnetarisht, çka do të thotë se në anketë kanë më shumë gjasa të marrin pjesë personat që kanë interes ose qëndrim më të fortë ndaj temës).

Një nga pyetjet ishte: “Nëse vendi shkon në zgjedhje, për kë do të votonit”, 39.7% e të anketuarve i janë përgjigjur me “Parti e re, që mund të dalë nga protesta”.

“Ndihem e papërfaqësuar, duhet një lëvizje e re, që të sjellë frymë të re për vendin”, thotë një komentuese e grupmoshës 30-39 vjeç, me arsim pasuniversitar, e punësuar në aktivitetin e “Informacioni dhe komunikacioni”.

Ajo i ka mbështetur protestat për shkak të mungesës së perspektivës për të ardhmen, keqqeverisjes dhe mungesës së llogaridhënie, si dhe emigrimit të të rinjve dhe shpopullimit. Edhe një komentues po i së njëjtës grupmoshë thotë se partitë ekzistuese “nuk janë alternativa pasi janë pjesë e së njëjtës çorbë 35-vjeçare”.

“Duhet një parti e re politike, e ngritur mbi vlerat e shoqërisë shqiptare”, thotë një i ri që punon në aktivitete dhe shërbime mbështetëse. Një profesionist i lirë sugjeron që “një parti e re duhet të dalë si rezultat i protestës, e themeluar nga profesionistët dhe akademikët brenda vendit dhe diaspora”.

“Ka ardhur koha për një ndryshim të vërtetë. Duhet t’u hapet rruga të rinjve, ideve të reja dhe njerëzve me integritet, të cilët mund t’i shërbejnë vendit me përgjegjësi dhe vizion. Shpresa për një Shqipëri më të drejtë, më të zhvilluar dhe me më shumë mundësi për qytetaret e saj fillon kur ata kërkojnë llogari dhe zgjedhin ndryshe”, thotë Y.M.

Ka dhe nga ata që janë skeptikë. “Nëse nuk ka ndryshim strukturor, ndryshimi partiak është i limituar”, thotë një profesionist i lirë, i grupmoshës 30-39 vjeç. Një tjetër profesionist i lirë, i grupmoshës 40-49 vjeç, thotë se ai do të votojë “po të ndryshohet Kodi Zgjedhor”.

“Për partitë e vjetra nuk do të votoj, pasi ato janë arsyeja pse jemi sot në këtë gjendje, të shohim si do konkludojë protesta”, thotë një sipërmarrëse vlonjate, me doktoraturë, e grupmoshës 40-49 vjeç.

Një pjesë e të anketuarve pohojnë se do ta zgjedhin partinë në bazë të programeve që do të kenë.

“Do të votoj për subjektin politik që paraqet ofertë politike në përputhje me kërkesat e qytetarëve dhe dëshmon kapacitete intelektuale dhe burime njerëzore të besueshme se mund t’i realizojë”, thotë një arsimtare nga Tirana e grupmoshës 40-49 vjeç.

“Përfaqësimi (kandidatët) dhe programi janë dy nga pikat që do të përcaktojnë përzgjedhjen e partisë”, thotë një e anketuar që punon në media.

Dy partitë tradicionale, Partia Socialiste dhe ajo Demokratike kanë marrë shumë pak vota, por natyrisht ky nuk është një tregues i preferencës reale të popullsisë, e cila ka një demografi tjetër që përfshin që nga votues pensionistë, punonjës të thjeshtë apo në bujqësi, administratë publike, apo shtresa të tjera krejt të ndryshme nga audienca që ka zgjedhur të shprehet në këtë sondazh.

 

Burimi: Sondazhi i Monitor

 

LEXONI EDHE:

Anketa e “Monitor”, nga kapja e shtetit te korrupsioni, arsyet pse po protestohet

 

The post Shpresa te një parti e re appeared first on Revista Monitor.

Zhvillimi nuk është vetëm pagë, por dhe përmirësim i cilësisë së jetës së përditshme

17 July 2026 at 22:06

Shqipërisë i duhen paga më të larta, por edhe më shumë se kaq. I duhet një model zhvillimi ku përmirësimi i të ardhurave shoqërohet me përmirësimin e jetës së përditshme. Nëse qytetarët me arsim universitar e pasuniversitar, të ardhura të mira dhe perspektivë profesionale ndihen njësoj të pakënaqur sa ata me të ardhura të ulëta, problemi nuk është më vetëm ekonomik, por institucional. Pikërisht aty matet cilësia reale e zhvillimit të një vendi.

 

EDITORIAL / Shqipëria vijon të ketë ndër pagat më të ulëta në rajon. Në vitin 2025, paga mesatare mujore bruto arriti në rreth 860 euro, ndërsa në Serbi, Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut ishte 30-50% më e lartë.

Vetëm ky hendek do të ishte një arsye e mjaftueshme për pakënaqësi dhe protestë, sidomos në një vend ku çmimet janë afruar me nivelet europiane, ndërsa fuqia blerëse mbetet dukshëm më e dobët.

Por protesta që po zhvillohet prej javësh në Tiranë po tregon se, pas më shumë se 30 vitesh tranzicion, paga nuk është më argumenti i vetëm, madje për shumë nuk është as arsyeja kryesore.

Në shesh nuk janë vetëm qytetarët me të ardhura të ulëta apo familjet që përballen me vështirësi ekonomike.

Protestën po e mbështet dukshëm edhe një shtresë e mesme urbane, e arsimuar dhe profesionalisht aktive, e cila mund të ketë paga mbi mesataren, madje ndjeshëm më të larta.

Një anketë e “Monitor”, e plotësuar nga 1,114 qytetarë, – që duhet theksuar nuk është përfaqësuese për të gjithë popullsinë, pasi pjesëmarrësit nuk janë përzgjedhur në mënyrë rastësore dhe përgjigjet janë dhënë vullnetarisht, – gjeti se 90% e tyre e mbështesin protestën. Arsyet kryesore lidhen me faktorë si korrupsioni, kapja e shtetit, mungesa e perspektivës për të ardhmen, keqqeverisja, mungesa e llogaridhënies, mungesa e drejtësisë e mosndëshkimi i abuzimeve.

Mbrojtja e interesit publik, e mjedisit, arsimit, shëndetësisë dhe hapësirave publike u rendit gjithashtu ndër shqetësimet kryesore. Varfëria dhe rritja e çmimeve ishin të rëndësishme, por jo arsyeja dominuese.

Audienca përbëhet kryesisht nga ekonomistë, profesionistë të lirë, sipërmarrës, punonjës të sektorit bankar, teknologjisë së informacionit dhe profile të tjera urbane e të arsimuara dhe për të cilat ka treg pune relativisht dinamik.

Pikërisht kjo strukturë anketuesish dhe përgjigjesh, që sigurisht nuk mund të përgjithësohen me shkallë të lartë saktësie, ka vendosur të shprehet në favor të zërit të protestës.

Kjo do të thotë që reagimi qytetar në vend po merr tipare të reja dhe po sjell zërin e një shtrese që duhet dëgjuar, sepse është aktive në ekonomi, paguan taksa, krijon vende pune dhe, në shumë raste, ka zgjedhur ende të ndërtojë jetën në Shqipëri.

Rezultatet sugjerojnë se, të paktën për segmentin urban dhe profesional që ndjek “Monitor”, shoqëria shqiptare ka hyrë në një fazë të re. Pas tri dekadash, një pjesë e qytetarëve nuk e mat më zhvillimin vetëm me shumën që merr në fund të muajit.

Paga mbetet thelbësore, por krahas saj kërkohet një shtet që funksionon, drejtësi që vepron njësoj për të gjithë, administratë që shpërblen meritën dhe vendimmarrje që nuk zhvillohet larg interesit publik.

Pikërisht kjo shpjegon praninë e bankierëve, profesionistëve të lirë, sipërmarrësve dhe punonjësve të teknologjisë në protestë. Shumë prej tyre kanë të ardhura të qëndrueshme, por përballen çdo ditë me pasigurinë institucionale, mungesën e meritokracisë, korrupsionin, degradimin e mjedisit dhe ndjesinë se zhvillimi i vendit nuk po përkthehet në një standard më të mirë jetese.

Edhe përgjigjet e punonjësve të sektorit bankar janë domethënëse. Nga 150 të anketuar në aktivitetet financiare dhe të sigurimeve, 89% janë shprehur pro protestës. Për këtë grup, pakënaqësia nuk lidhet vetëm me portofolin.

Ajo lidhet me cilësinë e shtetit, me mënyrën se si merren vendimet dhe me frikën se, pavarësisht suksesit personal, vendi po humbet mundësinë për t’u bërë më i drejtë, më i jetueshëm dhe më konkurrues.

Një profesionist mund të ketë një pagë të mirë, por kjo nuk e mbron nga ajri i ndotur, trafiku, betonizimi, shërbimi i dobët shëndetësor, arsimi që nuk prodhon aftësitë e nevojshme apo një administratë që funksionon sipas lidhjeve dhe jo rregullave. Mund të ketë një apartament, por jo një qytet të jetueshëm.

Mund të ketë një punë të mirë, por jo sigurinë se fëmijët e tij do ta shohin të ardhmen këtu.

Për këtë arsye, rritja ekonomike nuk matet vetëm me Prodhimin e Brendshëm Bruto, numrin e turistëve, lejet e ndërtimit apo pagën mesatare. Jo më kot ka një mori statistikash dhe indeksesh të tjera të shpikura nga statisticienët dhe të matura nga institutet statistikore që përpiqen të përafrohen në realitetin e zhvillimit të një vendi.

Në indeksin e lumturisë së OKB-së, Shqipëria historikisht është renditur e fundit apo e parafundit në Europë, duke lënë pas vetëm Turqinë dhe shumë më poshtë se Kosova, që ka të ardhura për frymë e paga më të ulëta sesa ne.

Zhvillimi është edhe cilësi institucionesh, konkurrencë e ndershme, mjedis i mbrojtur, hapësira publike, drejtësi, siguri dhe besim se rregullat vlejnë njësoj për të gjithë.

Në fakt, këto elemente nuk janë në kundërshtim me rritjen e pagave. Përkundrazi, ulja e korrupsionit dhe forcimi i shtetit ligjor do ta bënin vendin më tërheqës për investime cilësore dhe afatgjata.

Një ekonomi më konkurruese, më produktive dhe më pak e varur nga ndërtimi e konsumi do të krijonte vende pune më të mira dhe paga më të larta. Një zhvillim i qëndrueshëm i territorit dhe mjedisit do të rriste vlerën reale të jetesës dhe jo vetëm çmimin e pronës.

Shqipërisë i duhen paga më të larta, por edhe më shumë se kaq. I duhet një model zhvillimi ku përmirësimi i të ardhurave shoqërohet me përmirësimin e jetës së përditshme.

Nëse qytetarët me arsim universitar e pasuniversitar, të ardhura të mira dhe perspektivë profesionale ndihen njësoj të pakënaqur sa ata me të ardhura të ulëta, problemi nuk është më vetëm ekonomik, por institucional. Pikërisht aty matet cilësia reale e zhvillimit të një vendi.

 

LEXONI EDHE:

Anketa e “Monitor”, nga kapja e shtetit te korrupsioni, arsyet pse po protestohet

 

 

The post Zhvillimi nuk është vetëm pagë, por dhe përmirësim i cilësisë së jetës së përditshme appeared first on Revista Monitor.

Epidemia e heshtur: Një në dy shqiptarë ndërron jetë nga zemra.

17 July 2026 at 22:04

Në mënyrë sistematike në 15 vitet e fundit, çrregullimet e aparatit të qarkullimit të gjakut janë përgjegjëse për më shumë se 53% të vdekjeve në vend, një shifër kjo gati 76% më e lartë se mesatarja europiane. Infarktet, ishemitë po zbresin gjithnjë e më shumë te moshat e reja. Mjekët dhe ekspertët e shëndetësisë thonë se sëmundjet e qarkullimit të gjakut po kthehen në epidemi të heshtur. Ata rendisin si përgjegjës stilin e jetesës pa aktivitet fizik dhe dietën e pasur me kripë dhe yndyra, si dhe mungesën e një kulture parandalimi. Mungesa e infrastrukturës me mjekë dhe pajisje ka rritur gjithashtu mortalitetin në bashkitë e vogla, sidomos në Veri. Si e uli Europa vdekshmërinë nga zemra dhe çfarë duhet të bëjë Shqipëria.

 

Blerina Hoxha

Problemet me zemrën janë shndërruar në një pengesë më e madhe për shëndetin në Shqipëri, por edhe një kosto gjithnjë e në rritje për shoqërinë dhe ekonominë. Mbi gjysma e vdekjeve në vendin tonë vijnë nga sëmundjet kardiovaskulare.

Në vitin 2024, nga 21,102 vdekje që u regjistruan gjithsej, 11,694 ishin për shkak të sistemit të qarkullimit të gjakut, duke përbërë 53% të vdekjeve totale.

Krahasuar me Europën, diferenca është e lartë, pasi grupi i sëmundjeve që lidhet me zemrën dhe qarkullimin e gjakut shkakton rreth 30% të vdekjeve.

Teksa vendet e zhvilluara të Perëndimit, si Franca apo Danimarka, kanë arritur ta ulin këtë raport në rreth 21% përmes politikave rigoroze parandaluese, Shqipëria vazhdon të regjistrojë rritje në këtë fenomen, ku një në dy persona ndërron jetë nga një patologji kardiake dhe goditjet në tru. Hendeku i madh prej gati 20 pikësh përqindjeje me mesataren europiane tregon se vendi ynë ndodhet ende në një tranzicion të thellë shëndetësor, ku sëmundjet kronike jongjitëse po fitojnë terren me ritme të larta.

Shkaku kryesor i dominimit të vdekjeve kardiake lidhet drejtpërdrejt me stilin e jetesës dhe mungesën e një kulture të qëndrueshme parandalimi, ku kontrollet periodike mjekësore ende nuk konsiderohen si domosdoshmëri rutinë për qytetarin e thjeshtë, thotë kardiologia Erviola Lleshi.

Studimet e fundit të ekspertëve të Shëndetit Publik (Amarilda Hysenshahaj, Bajram Dedja, Alban Ylli, Alba Merdani, Dorina Toçi) tregojnë se vdekjet e larta nga problemet kardiovaskulare ndodhin nga mosmarrja në kohë e diagnozës.

Problemet e zemrës zbulohen në faza shumë të avancuara ose vetëm kur pacienti pëson një goditje akute, duke e bërë trajtimin më të vështirë dhe shpeshherë të pamundur.

Ekspertët Hysenshahaj, Dedja, Ylli, Merdani dhe Toçi vërejnë se, përveç mungesës së check-up-eve sistematike, faktorët e rrezikut si duhanpirja masive, nivelet e larta të stresit socio-ekonomik dhe një dietë tradicionale që anon drejt yndyrave dhe kripës së tepërt, po shkatërrojnë gradualisht shëndetin vaskular të popullatës.

Ata evidentuan se situata rëndohet edhe më shumë nga plakja e popullsisë, e cila natyrshëm rrit numrin e personave të rrezikuar nga komplikacionet kardiake, por ajo që mbetet shqetësuese është ulja e moshës mesatare të personave që pësojnë infarkte.

Nga pikëpamja ekonomike, raporti i lartë i vdekshmërisë ka kosto shumë të mëdha, pasi godet shpesh grupmoshat që janë ende në kulmin e produktivitetit, duke krijuar një barrë të rëndë për familjet dhe skemat e sigurimeve shoqërore. Në vitin 2024, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore çoi rreth 4,5 miliardë lekë (rreth 47 milionë euro) për rimbursimin e medikamenteve që trajtojnë sëmundjet e qarkullimit të gjakut dhe financimin e paketave të ndërhyrjeve kirurgjikale.

 

Burimi: INSTAT

 

Veriu më i prekur

Edhe brenda Shqipërisë ka diferenca të mëdha në përhapjen e sëmundjeve cerebrovaskulare. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, qarqet e Veriut rezultojnë më të prekura.

Nga 12 qarqet e vendit kryeson Kukësi, ku 62.48% e vdekjeve totale në vitin 2024 ishin nga aparati i qarkullimit të gjakut, e ndjekur nga Shkodra me 60.73%, Lezha 58.2%, Dibra me 58%, të cilat kanë nivele shumë më të larta të vdekshmërisë cerebrovaskulare krahasuar me Jugun, veçanërisht Gjirokastrën (31.34%).

Qarku i Beratit dhe i Tiranës ka vdekshmëri më të lartë se mesatarja kombëtare me 57.6% secili. Edhe Qarku i Fierit mbetet mbi mesataren, duke regjistruar një normë prej 55.35% të vdekjeve cerebrovaskulare në raportin me totalin e vdekjeve.

Në anën tjetër, qarqet që paraqesin një situatë më të moderuar fillojnë me Vlorën, e cila zbret në 49%. Kjo tendencë rënëse vazhdon me Korçën në 46.4%, Elbasanin në 46.1% dhe me Durrësin në 44.70%. Diferencën më të madhe e bën Qarku i Gjirokastrës, i cili rezulton me vdekshmërinë më të ulët cerebrovaskulare në vend, me vetëm 31.3%, shifër kjo pothuajse sa gjysma e normës që vërehet në Kukës apo Shkodër.

Të dhënat tregojnë se teksa Tirana ka volumin më të madh të rasteve për shkak të popullsisë, pesha specifike e këtyre sëmundjeve është dukshëm më alarmante në qarqet e Veriut të vendit.

Dr. Erviola Lleshi, kardiologë në shërbimin parësor Tiranë, beson se një nga elementet kryesore mbetet tradita ushqimore. Rajonet e Veriut priren drejt një regjimi ushqimor me bazë më të lartë proteinash shtazore, yndyrave të ngopura dhe kripës, të cilat janë faktorë rreziku të drejtpërdrejtë për hipertensionin dhe goditjet në tru. Në kontrast, Jugu i Shqipërisë, i ndikuar nga klima mesdhetare, ka një qasje më të madhe ndaj vajit të ullirit, agrumeve dhe perimeve, që njihen si mbrojtës të sistemit kardiovaskular.

Zonat e thella të Veriut përballen edhe me vështirësi në qasjen e shpejtë në qendrat e specializuara të traumës apo njësitë e goditjeve në tru. Për sëmundjet cerebrovaskulare, koha është faktor kryesor për të shpëtuar jetën.

Gjithashtu, kultura e kontrolleve periodike tenton të jetë më e ulët në zonat me vështirësi ekonomike, duke bërë që tensioni i lartë apo problemet e tjera të diagnostikohen vetëm kur është tepër vonë, thotë znj. Llleshi.

 

Burimi: INSTAT

 

Fatalitetet nga zemra dhe truri, gjysma në moshën mbi 80 vjeç

Të dhënat mbi vdekshmërinë nga sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut kanë ardhur në rritje nga 10,984 në vitin 2014 në 11,694 raste në vitin 2024. Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik, që grumbullon të dhëna për shëndetin, kanë gjetur një trend rritës në skajet e piramidës moshore, ku peshën kryesore të mortalitetit e mban popullsia mbi 80 vjeç.

Kjo kategori ka pësuar rritjen më të madhe ndërmjet viteve 2014 dhe 2024, duke u zgjeruar me mbi 600 raste ose 13.2% dhe duke u konfirmuar si grupi më i rrezikuar, i cili përbën pothuajse gjysmën e totalit të vdekjeve të regjistruara si cerebrovaskulare.

Grupmosha nën 19 vjeç ka shënuar rënie pozitive të vdekshmërisë, duke u reduktuar nga 90 në vitin 2014 në 56 raste në 2024, kryesisht nga sukseset e ndërhyrjeve në zemër në moshat fëminore. Ndërkohë, te moshat e mesme dhe ato aktive, tendenca mbetet në rritje.

Konkretisht, grupmosha 20-44 kishte 194 fatalitete në vitin 2024 nga 187 në vitin 2014. Teksa edhe grupmosha 45-64 vjeç ka shënuar rritje të vdekshmërisë me 5.8% ndërmjet viteve 2014 dhe 2024.

Kategoria 65-79 vjeç është e vetmja që ka treguar  qëndrueshmëri gati të plotë, me ulje të papërfillshme prej vetëm 12 rastesh. Të dhënat sugjerojnë se sfidat kryesore të shëndetit publik mbeten të lidhura ngushtë me moshimin e popullsisë dhe trajtimin e patologjive te moshat e thyera.

Përqendrimi i lartë i vdekjeve nga sëmundjet cerebrovaskulare në moshat mbi 80 vjeç tregon gjithashtu  rritje të jetëgjatësisë krahasuar me dekadat e kaluara, duke e zhvendosur barrën kryesore të sistemit shëndetësor drejt kujdesit paliativ dhe gjeriatrik.

 

 

Sëmundja zbret në moshat e reja

Sëmundjet cerebrovaskulare po shfaqen gjithnjë e më herët, fakt që vërtetohet se vdekjet në grupmoshën 45-64 vjeç janë rritur me 5.8% ndërmjet viteve 2014 dhe 2024. Kardiologia Llleshi pohoi se tensioni i lartë i gjakut i patrajtuar, duhanpirja dhe stresi kronik janë faktorë që shkaktojnë dëmtime të enëve të gjakut.

Te kjo grupmoshë, një goditje në tru ka pasoja fatale më të larta nëse kombinohet me mungesën e ekzaminimeve parandaluese, tha ajo.

Mjekët shpjegojnë se sëmundjet cerebrovaskulare rrallë vijnë të izoluara. Rritja e rasteve te moshat 20-64 vjeç është si pasojë e prevalencës më të lartë të faktorëve të rrezikut si hipertensioni arterial, diabeti dhe obeziteti, të cilat shpesh mbeten të padiagnostikuara ose të patrajtuara siç duhet te personat nën 65 vjeç.

Te moshat e mesme (45-64 vjeç), stili i jetesës luan rol përcaktues. Dieta e pasur me kripë dhe yndyra të procesuara, mungesa e aktivitetit fizik dhe konsumi i lartë i duhanit e alkoolit po dëmtojnë shëndetin vaskular në mënyrë të parakohshme, tha zonja Llleshi.

Një faktor tjetër kritik është stresi kronik, veçanërisht ai i lidhur me punën dhe pasigurinë ekonomike, i cili ndikon drejtpërdrejt në rritjen e presionit të gjakut dhe rrezikun për hemorragji cerebrale apo ishemi. Po ashtu, ndryshimet mjedisore, si ndotja e lartë e ajrit në zonat urbane, janë identifikuar vitet e fundit si shkaktarë të rëndësishëm të inflamacioneve që dëmtojnë enët e gjakut, tha mjekja.

Shumë individë të moshave 20-44 vjeç priren t’i shpërfillin shenjat e para, duke menduar se janë shumë të rinj për t’u prekur nga goditjet në tru, çka çon në humbjen e asaj që mjekësia e quan momenti i artë për ndërhyrje shpëtuese.

Ekspertët këshillojnë që kjo rritje e vdekshmërisë reflekton gjithashtu nevojën për një sistem parësor më të fortë, i cili duhet të fokusohet te parandalimi dhe depistimi i hershëm përpara se sëmundja të arrijë në fazë kritike.

 

Burimi: INSTAT

 

Mësimet që vijnë nga Europa

Vendet e zhvilluara të Europës kanë arritur të ulin ndjeshëm shkallën e vdekshmërisë nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut përmes politikave të shëndetit publik, avancimeve teknologjike dhe ndryshimeve rrënjësore në stilin e jetesës së popullatës.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, një ndër shtyllat kryesore ka qenë kontrolli i faktorëve të rrezikut, ku legjislacioni i rreptë kundër duhanpirjes në ambiente publike dhe rritja e taksave mbi produktet e duhanit kanë dhënë rezultate të menjëhershme në uljen e rasteve të infarkteve akute.

Shtetet e BE-së kanë zbatuar programe kombëtare për monitorimin e tensionit arterial dhe kolesterolit, duke e zhvendosur fokusin nga trajtimi i krizave te parandalimi i hershëm përmes mjekësisë familjare dhe përdorimit të gjerë të statinave dhe medikamenteve për tensionin e lartë.

Një nga shembujt më të mirë të transformimit shëndetësor në Bashkimin Europian është Finlanda, e cila shërben si model se si politikat shtetërore mund të ndryshojnë fatin e një popullsie. Në vitet ’70, Finlanda kishte shkallën më të lartë të vdekshmërisë nga aksidentet cerebrovaskulare në botë, por përmes një nisme të njohur si “Projekti i Karelias Veriore”, ata arritën ta ulin këtë shifër me mbi 80%.

Ky sukses u bazua në zbatimin e disa masave, që nisën përmes ndërhyrjeve në industrinë ushqimore. Shteti finlandez zëvendësoi subvencionet për gjalpin dhe qumështin me yndyrë të lartë me subvencione për vajin e rrepës dhe frutat e pyllit, duke detyruar pothuajse çdo prodhues buke dhe mishi të ulte nivelin e kripës në produktet e tyre.

Përveç shembullit finlandez, Bashkimi Europian si tërësi ka zbatuar masa strukturore që lidhen me momentet kritike të trajtimit të goditjeve në tru. Një nga masat më konkrete është standardizimi i Njësive të Specializuara të Goditjeve.

Në vende si Gjermania dhe Austria, është bërë e detyrueshme që pacienti të mos dërgohet në një reanimacion të përgjithshëm, por në një repart ku mjekët dhe infermierët janë të trajnuar vetëm për ishemitë cerebrale.

Këto njësi përdorin teknologjinë e tele-mjekësisë (Telestroke), ku përmes videove “live”, neurologët më të mirë udhëzojnë mjekët në spitale të vogla rajonale për të kryer trombolizën me medikamente brenda kohës së “artë” prej 4.5 orësh.

Së fundmi, vende si Franca dhe Belgjika kanë implementuar sisteme vizuale si Nutri-Score, i cili i klasifikon ushqimet me ngjyra nga e gjelbra tek e kuqja drejtpërdrejt në paketim. Kjo masë ka pasur një efekt të jashtëzakonshëm në ndërgjegjësimin e konsumatorëve për yndyrat dhe kripën e fLlleshir, të cilat janë shkaktarët kryesorë të hipertensionit.

Po ashtu, BE-ja po financon programe masive për zëvendësimin e duhanit përmes aplikacioneve falas të stërvitjes dhe mbulimit total të kostove për produktet zëvendësuese të nikotinës, duke e trajtuar duhanpirjen si një sëmundje që kërkon ndihmë financiare dhe jo thjesht si një ves vullnetar.

 

Çfarë i mungon Shqipërisë

Ndonëse ka pasur përmirësime në infrastrukturën spitalore, vendi ende vuan nga mungesa e një rrjeti të gjerë të kardiologjisë invazive që mbulon në mënyrë të barabartë të gjithë territorin, duke bërë që koha e artë prej 4.5 orësh për trajtimin e infarkteve të humbet shpesh për shkak të distancave dhe logjistikës së transportit urgjent, pohojnë ekspertët e shëndetësisë.

Kjo shoqërohet edhe me një fragmentim të mjekësisë familjare, ku check-up-et dhe monitorimi i vazhdueshëm i tensionit apo kolesterolit nuk arrijnë ende të jenë në masën që do të frenonin rastet fatale përpara se ato të bëhen urgjenca.

Megjithëse ligjet ekzistojnë, kontrolli mbi cilësinë e ushqimeve të përpunuara, kripën dhe yndyrat dhe zbatimi i ligjit kundër duhanpirjes në ambiente të mbyllura mbeten sfiduese në krahasim me vendet e BE-së, pohoi zonja Llleshi.

Gjithashtu, Shqipëria ka nevojë për regjistra kombëtarë të të dhënave shëndetësore më të sofistikuar dhe të digjitalizuar, të cilët do të lejonin një analizë të saktë të incidencës sipas grupmoshave dhe rajoneve, duke bërë që burimet financiare të shpërndahen aty ku nevoja është më urgjente dhe ku ndikimi në uljen e vdekshmërisë do të ishte më i lartë.

Mungesa e personelit mjekësor të specializuar është një nga pikat më kritike që pengon arritjen e standardeve europiane në trajtimin e këtyre sëmundjeve në Shqipëri. Shpërndarja e tyre është jashtëzakonisht e pabarabartë, me një përqendrim të lartë në Tiranë dhe mungesë të theksuar në rrethe.

Kjo krijon një situatë ku shumë pacientë në zonat rurale apo qytetet e vogla nuk kanë akses të menjëhershëm te kardiologu, duke rritur rrezikun që simptomat fillestare të neglizhohen ose të trajtohen me vonesë.

Përveç shpërndarjes gjeografike, sistemi përballet me rrjedhjen e trurit, ku mjekë të kualifikuar dhe infermierë të specializuar emigrojnë drejt vendeve të zhvilluara, si Gjermania apo Italia. Kjo mungesë nuk ndihet vetëm te numri i kardiologëve, por edhe te personeli mbështetës që duhet të menaxhojë teknologjinë e lartë dhe kujdesin post-operator.

Pa një numër të mjaftueshëm specialistësh, që mund të operojnë në rrjetin e kardiologjisë invazive 24 orë në 7 ditë, në të gjithë vendin, investimet në aparatura mbeten pjesërisht të pashfrytëzuara, duke e lënë peshën e përballjes me sëmundjet e qarkullimit të gjakut kryesisht mbi mjekësinë terciare në kryeqytet.

 

Burimi: Eurostat, INSTAT

 

Çfarë duhet të ndryshojë

Për të ndryshuar trendin në rritje të sëmundjeve të qarkullimit të gjakut, nuk mjafton vetëm përmirësimi i pajisjeve spitalore apo numri i operacioneve kirurgjikale, por nevojitet riorientimi rrënjësor i strategjive shtetërore drejt edukimit shëndetësor.

Është e domosdoshme që të nxitet ndërgjegjësimi masiv mbi rëndësinë e aktivitetit fizik dhe menaxhimin e hipertensionit, i cili shpesh quhet vrasësi i heshtur në Shqipëri për shkak se mbetet i patrajtuar për vite me radhë, thotë studimi i ekspertëve të Institutit të Shëndetit Publik (Hysenshahaj, Dedja, Ylli, Merdani dhe Toçi).

Sipas tyre, edukimi duhet nisur që nga bankat e shkollës e deri te politikat e rrepta të sigurisë ushqimore. Vetëm duke ndërtuar një sistem ku parandalimi vjen përpara kurimit, Shqipëria do të mund të nisë procesin e gjatë dhe të vështirë të uljes së këtij raporti vdekshmërie, tha kardiologia Llleshi.

Zakonisht në Shqipëri, problemet me zemrën zbulohen vetëm kur gjendja bëhet shumë e rëndë ose pas një krize të papritur; kjo i vështirëson shumë mundësinë për t’u shëruar, tha doktoresha.

Sipas të dhënave nga Urdhri i Mjekut, në Shqipëri ka gjithsej 267 mjekë kardiologë. Përveçse ata janë të pakët në raport me nevojat, janë të përqendruar në Tiranë dhe në qendrën e vendit, teksa bashki të vogla si Tropoja dhe të tjera nuk kanë mjekë të tillë. Në bashki me terrene të thyera ku mungon mjeku kardiolog, mundësia për të përballuar urgjencat është e pamundur.

Nëse marrim shifrën prej 267 kardiologësh për rreth 2.4 milionë banorë, Shqipëria llogarit afërsisht 111 kardiologë për 1 milion banorë. Kjo shifër e rendit Shqipërinë në një nivel të ngjashëm me mesataren e vendeve me të ardhura të mesme, e cila sipas Atlasit të Shoqatës Europiane të Kardiologjisë (ESC) për vitin 2024-2025 është rreth 93.4 kardiologë për 1 milion banorë, por e lë shumë pas vendeve me të ardhura të larta.

Greqia mban rekordin europian me rreth 316 kardiologë për 1 milion banorë, e ndjekur nga Italia me 266 dhe Bullgaria, me rreth 215.

Madje edhe vende si Hungaria, me 138 kardiologë për 1 milion banorë, qëndrojnë dukshëm më lart se Shqipëria. Në rajon, Serbia llogarit rreth 98 kardiologë, ndërsa Mali i Zi rreth 84, çka tregon se Shqipëria, ndonëse ka një numër total që mund të duket i krahasueshëm me disa vende, përballet me një sfidë shumë më të madhe për shkak të shkallës së lartë të vdekshmërisë nga sëmundjet e zemrës, që është ndër më të lartat në Evropë.

Por gjithsesi, mjekët thonë se ndërgjegjësimi i popullatës për ndryshimin e stilit të jetës dhe moskonsumimit të kripës është një mjet shumë i fuqishëm për të parandaluar.

 

Burimi: INSTAT

The post Epidemia e heshtur: Një në dy shqiptarë ndërron jetë nga zemra. appeared first on Revista Monitor.

Ishulli i parë artificial në Detin e Veriut

17 July 2026 at 22:02

(Imazh i gjeneruar me Inteligjencë Artificiale për qëllime ilustruese).

 

Në zemër të Detit të Veriut, rreth 80 kilometra larg brigjeve të Gadishullit Jutland në Danimarkë, po merr jetë një nga projektet infrastrukturore më ambicioze të Europës. Bëhet fjalë për North Sea Energy Island, një ishull artificial i teknologjisë së lartë që synon të shndërrohet në qendrën më të madhe europiane për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë së pastër.

 

MSc Roland Tashi, ekspert i çështjeve të sigurisë

Një ishull artificial në mes të Detit të Veriut pritet të ndryshojë mënyrën se si Europa prodhon dhe shpërndan energjinë e pastër.

Me një investim rreth 30 miliardë euro, ishulli do të jetë funksional brenda vitit 2036 dhe deri në vitin 2040 pritet të arrijë kapacitetin prodhues prej 10 gigavatësh (GW), i mjaftueshëm për të furnizuar me energji elektrike mbi 10 milionë familje europiane.

 

Një qendër energjetike” në mes të detit

Projekti parashikon ndërtimin e një ishulli artificial me sipërfaqe minimale prej 120 mijë metra katrorë, afërsisht sa 18 fusha futbolli, i cili do të rrethohet nga qindra turbina me erë të vendosura në det të hapur dhe do të shërbejë për mbledhjen, përpunimin dhe shpërndarjen e energjisë së prodhuar.

Energjia do të transmetohet përmes kabllove nënujore të tensionit të lartë drejt konsumatorëve në Danimarkë, Gjermani, Holandë, Norvegji, Belgjikë dhe Mbretërinë e Bashkuar, duke forcuar ndërlidhjen energjetike mes vendeve europiane.

Faza e parë e projektit synonte përfundimin në vitin 2033 me kapacitet prej 3 GW, por afatet janë shtyrë të paktën deri në vitin 2036 për shkak të sfidave teknike dhe rritjes së kostove.

Përveç prodhimit të energjisë elektrike, ishulli do të shërbejë edhe për prodhimin e hidrogjenit të gjelbër përmes “Power-to-X”, një teknologji komplekse që transformon energjinë elektrike nga burime të rinovueshme si era dhe dielli, në forma të tjera energjie ose produkte kimike.

Hapi bazë është përdorimi i energjisë elektrike për të kryer elektrolizën e ujit, duke prodhuar oksigjen dhe hidrogjen, i cili mund të përdoret drejtpërdrejt si karburant për transportin detar dhe sektorin e aviacionit ose të kombinohet me dioksid karboni ose azot për të krijuar produkte të tjera.

 

Investimi më i madh në historinë e Danimarkës

Kostoja totale e projektit vlerësohet në mbi 210 miliardë korona daneze, ose rreth 28–30 miliardë euro, duke e bërë atë investimin më të madh ndërtimor në historinë e Danimarkës.

Rreth 10 miliardë euro do të shpenzohen vetëm për ndërtimin e ishullit dhe infrastrukturës së tij portuale, ndërsa pjesa tjetër do të mbulojë ndërtimin e parqeve me erë dhe rrjetit të interkoneksioneve energjetike.

Megjithatë, projekti është përballur me pengesa të shumta, kostot janë rritur me rreth 50 miliardë korona daneze, ndërsa bashkëpunimi me Belgjikën duket se është pezulluar për shkak të vonesave dhe ndryshimeve në planifikim.

 

Mijëra vende pune dhe më shumë pavarësi energjetike

Ndërtimi i ishullit pritet të krijojë mijëra vende pune gjatë fazës së realizimit dhe qindra vende pune të specializuara për mirëmbajtjen dhe funksionimin afatgjatë të infrastrukturës.

Ekspertët e konsiderojnë projektin një shtyllë të rëndësishme të strategjisë së Europës për pavarësi energjetike, pasi ai do të ndihmojë në uljen e varësisë nga importet e karburanteve fosile dhe në rritjen e prodhimit të energjisë së rinovueshme.

 

Vendndodhja e saktë ku pritet të ndërtohet projekti

Vendndodhja e saktë ku pritet të ndërtohet projekti

 

20 milionë tonë CO₂ më pak në atmosferë

Objektivi kryesor i projektit është reduktimi i emetimeve të gazeve serrë. Sipas vlerësimeve, çdo 1 GW energji eolike mund të shmangë emetimin e rreth 1,9 milionë tonëve dioksid karboni në vit.

Nëse ishulli arrin kapacitetin e planifikuar prej 10 GW, ai mund të reduktojë emetimet me afro 20 milionë tonë CO₂ çdo vit, duke kontribuar ndjeshëm në objektivin e Bashkimit Europian për arritjen e neutralitetit klimatik deri në vitin 2050.

Megjithatë duhet kuptuar se ndërtimi i një infrastrukture kaq të madhe nuk është pa pasoja mjedisore, punimet dhe vendosja e kabllove nënujore do të ndikojnë në shtratin e detit dhe ekosistemet detare.

Për të kufizuar këto efekte, projekti parashikon monitorim të vazhdueshëm mjedisor nënujor dhe studime për shndërrimin e barrierave mbrojtëse të ishullit në struktura që mund të funksionojnë si shkëmbinj koralorë artificialë, duke nxitur biodiversitetin lokal.

Gjithashtu, prodhimi i hidrogjenit të gjelbër direkt në det pritet të reduktojë nevojën për infrastruktura komplekse në tokë, duke mbrojtur më tej zonat bregdetare dhe habitatet natyrore.

 

Përfundime

  • North Sea Energy Islandmbetet një nga projektet më ambicioze të tranzicionit energjetik në Europë, pavarësisht se ai përballet me sfida të mëdha teknike, financiare dhe mjedisore.
  • Ishulli, nëse realizohet sipas planit, do të rrisë ndjeshëm jo vetëm prodhimin e energjisë së rinovueshme por do të forcojë edhe sigurinë energjetike të kontinentit, duke ulur varësinë nga lëndët djegëse fosile.
  • Suksesi i këtij projekti mund të shërbejë si model për investime të ngjashme në të ardhmen, duke dëshmuar se infrastruktura inovative mund të luajë rol kyç në përballimin e sfidave të ndryshimeve klimatike dhe në ndërtimin e një sistemi energjetik më të qëndrueshëm.

 

The post Ishulli i parë artificial në Detin e Veriut appeared first on Revista Monitor.

Suksesi i jashtëzakonshëm tregtar i Anthropic e ka kthyer atë në shënjestër

17 July 2026 at 22:00

Kompania me kulturë pothuajse misionare po përplaset me qeverinë për kontrollin e Inteligjencës Artificiale super të avancuar, shkruan The Economist.

 

Paradoksi i autoritetit fetar është se, për besimtarët, nuk ka asgjë më të rëndësishme, por udhëheqësit shpirtërorë zakonisht kanë pak pushtet praktik.

Në fakt, shpesh është refuzimi i tyre për t’u përfshirë në dilemat dhe kompromiset e jetës së përditshme që u jep autoritet moral figurave fetare.

Kjo, nga ana tjetër, ua bën të lehtë udhëheqësve politikë t’i nënshtrojnë në afat të shkurtër (sepse nuk kanë armë), por të vështirë në afat të gjatë (sepse përndjekja vetëm sa ua rrit autoritetin moral).

Kjo dinamikë, e njohur për prelatët (klerikë të rangut të lartë në Kishën Katolike) dhe princat e Mesjetës, mund të mos jetë aq e kuptueshme për Dario Amodei, drejtuesin e Anthropic, një prej kompanive kryesore amerikane të Inteligjencës Artificiale, dhe për Donald Trump, presidentin autoritar të Shteteve të Bashkuara.

Së fundmi, për herë të dytë brenda katër muajsh, zyrtarë të administratës Trump ndërhynë drejtpërdrejt në mënyrën se si operon Anthropic. Ata urdhëruan kompaninë të kufizojë çdo person joamerikan, përfshirë edhe punonjës të vetë kompanisë, të ketë akses në modelet e saj më të fundit, Fable 5 dhe Mythos 5, me argumentin e sigurisë kombëtare.

Ndërsa administrata Trump e sheh Inteligjencën Artificiale si një mjet të fuqishëm për të forcuar pozitat e Amerikës në botë, Anthropic e konsideron atë një forcë tepër të fuqishme për t’iu besuar pa kufizime edhe masa mbrojtëse publikut të gjerë apo vendimmarrësve impulsivë.

Rezultati është një përplasje titanike mes “kishës” dhe shtetit, e cila jo vetëm rrezikon të ndikojë në ofertën publike fillestare (IPO) shumë të pritur të Anthropic, por mund të përcaktojë edhe se kush do të ketë kontrollin përfundimtar mbi teknologjinë më të fuqishme në botë.

Selia e Anthropic në San Francisko ka një atmosferë pothuajse manastiri. Punonjësit e saj e shohin veten si pjesë të një misioni për të krijuar Inteligjencë Artificiale aq të avancuar, sa që disa brenda kompanisë e krahasojnë këtë përpjekje me misterin e vetë krijimit. Diskutimet e tyre përqendrohen shpesh tek etika dhe vlerat.

Kur Papa Leo XIV publikoi muajin e kaluar enciklikën e tij mbi Inteligjencën Artificiale (“Magnifica Humanitas”), një nga bashkëthemeluesit e Anthropic ishte pranë tij. Ndërkohë, edhe Dario Amodei publikon rregullisht “enciklikat” e veta mbi mënyrën se si duhet ndërtuar Inteligjenca Artificiale në mënyrë të sigurt dhe të përgjegjshme.

Ashtu si dokumentet papnore, edhe shkrimet e tij ndalen te rreziqet, por trajtojnë gjithashtu përfitimet e mundshme. Dokumenti i tij më i fundit, “Policy on the AI Exponential”, i publikuar më 10 qershor, i bëri thirrje qeverisë amerikane të veprojë shpejt për të vendosur “rregullim serioz dhe detyrues” të Inteligjencës Artificiale.

 

Predikime për sigurinë, fitime të larta

Ky përkushtim ndaj sigurisë nuk e ka penguar suksesin e biznesit të Anthropic. Përkundrazi.

Kompania u themelua vetëm në vitin 2021, pak pasi Dario Amodei, motra e tij Daniela dhe gjashtë kolegë të tjerë u larguan nga OpenAI, laboratori kryesor i Inteligjencës Artificiale në atë kohë, sepse besonin se ai nuk po i kushtonte rëndësinë e duhur sigurisë.

Për më shumë se dy vjet, Anthropic mbeti në hijen e OpenAI. Edhe pse lançoi chatbot-in e vet, Claude, pak kohë pas debutimit të ChatGPT, ishte produkti i OpenAI ai që tërhoqi pjesën më të madhe të vëmendjes.

Megjithatë, ky fillim më i ngadaltë e detyroi Anthropic të fokusohej. Në vend që të investonte më tej te chatbot-et për publikun e gjerë, të cilët kanë shumë përdorues që nuk paguajnë dhe kërkojnë abonime ose reklama për të gjeneruar fitime, kompania zgjodhi të përqendrohej te klientët korporativë.

Ndërsa OpenAI eksperimentonte me një gamë të gjerë produktesh për konsumatorët, Anthropic u fokusua në zhvillimin e mjeteve për bizneset, si asistentët për programim, të cilët gjenerojnë të ardhura më të qëndrueshme.

Këto mjete janë bërë tashmë aq të avancuara, sa mund të kryejnë një pjesë të konsiderueshme të punës për përmirësimin e vetvetes.

Strategjia rezultoi e suksesshme. Zhvilluesit e programeve janë orientuar masivisht drejt Claude Code, agjentit të programimit të Anthropic i lançuar një vit më parë, sepse ai është në gjendje të kryejë detyra që programuesve njerëzorë do t’u merrnin orë, madje edhe ditë të tëra, ndërsa rezultatet e tij mund të verifikohen lehtësisht.

Klientët e biznesit e vlerësojnë gjithashtu theksin që Anthropic vendos te mekanizmat e sigurisë, gjë që përputhet me shqetësimet e tyre për rreziqet që mund të sjellë një Inteligjencë Artificiale jashtë kontrollit.

Përqendrimi te programimi i dha kompanisë avantazh të hershëm ndaj konkurrentëve si OpenAI dhe Google në testet që matin aftësitë e inxhinierisë së softuerit. Aftësia e modeleve të saj për të arsyetuar hap pas hapi dhe për të përdorur mjete të ndryshme u jep atyre gjithashtu përparësi në zhvillimin e agjentëve të Inteligjencës Artificiale që punojnë përkrah njerëzve.

OpenAI është orientuar më fort drejt programimit gjatë këtij viti dhe modelet e saj më të fundit konsiderohen po aq të afta sa ato të Anthropic në disa detyra. Edhe ajo pritet të përfitojë nga rritja e kërkesës për agjentë Inteligjentë.

Megjithatë, rreth 80% e të ardhurave të Anthropic vijnë nga klientët e biznesit, ndërsa tek OpenAI, klientët korporativë gjenerojnë vetëm rreth 40% të të ardhurave. Kjo diferencë i jep Anthropic aftësi më të madhe për të gjeneruar fitime.

Këtë muaj, si Anthropic ashtu edhe OpenAI paraqitën dokumentet për ofertat e tyre publike fillestare (IPO). Secila prej tyre pritet të vlerësohet në rreth 1 trilion dollarë.

Në mënyrë të pashmangshme, performanca e tyre po krahasohet me vëmendje të madhe. Asnjëra kompani nuk i ka bërë ende publike dokumentet e plota të listimit në bursë, ndaj të dhënat financiare mbeten të kufizuara. Megjithatë, në shumicën e krahasimeve të deritanishme, Anthropic duket se ka epërsinë.

Meqenëse të dyja kompanitë janë të reja dhe po rriten me shpejtësi, ato e matin xhiron e tyre vjetore të supozuar duke shumëzuar me 12 të ardhurat e muajit më të fundit, një tregues i njohur si të ardhura të përsëritura vjetore (ARR).

Futurum, një kompani kërkimore në teknologji, vëren se Anthropic i llogarit ndryshe shitjet përmes partnerëve të shërbimeve cloud, gjë që mund t’i fryjë shifrat e saj. Megjithatë, prirja është e qartë. ARR-ja e Anthropic ka kaluar me shpejtësi atë të OpenAI (shih grafikun).

Edhe vlerësimi i Anthropic ka tejkaluar atë të OpenAI, duke arritur në 965 miliardë dollarë në maj, krahasuar me 852 miliardë dollarë për OpenAI në mars. Anthropic u ka thënë investitorëve se do të gjenerojë fitim operativ në tremujorin e dytë, çka sipas Futurum do ta bënte laboratorin e parë të Inteligjencës Artificiale që e arrin këtë.

 

 

Ka edhe shenja të tjera force. Pavarësisht debatit për një flluskë të Inteligjencës Artificiale, vlerësimi më i fundit i Anthropic, pak mbi 20 herë ARR-në, duhet parë në kontekstin e të ardhurave të përsëritura që janë pesëfishuar në pesë muajt e fundit.

“Nuk është domosdoshmërisht i lirë, por me këto ritme rritjeje nuk është i çmendur”, thotë Harrison Rolfes nga PitchBook, kompani që mbledh të dhëna. OpenAI vlerësohet më shtrenjtë. IPO-ja e fundit e SpaceX e vlerësoi kompaninë me më shumë se 90 herë të ardhurat.

Por epërsia e Anthropic nuk është e pakapërcyeshme. OpenAI thuhet se po shqyrton nisjen e një lufte çmimesh, duke ulur ndjeshëm tarifën që aplikon për token (njësitë e të dhënave që përpunon Inteligjenca Artificiale), si përgjigje ndaj shqetësimeve të bizneseve se po shpenzojnë shumë për Inteligjencën Artificiale.

Megjithëse çmimi i token-ëve tashmë është në rënie, modelet më të fundit të Anthropic përdorin më shumë token për çdo kërkesë.

Fuqia e Anthropic për të vendosur çmime do të thotë se kompania nuk kishte nevojë të ofronte një ulje të ngjashme, duke rritur çmimin për çdo kërkesë. Kjo mund të ketë ndihmuar në nxitjen e rritjes së të ardhurave të saj.

Në përgjithësi, modelet e Inteligjencës Artificiale përballen me rrezikun e kthimit në një mall të zakonshëm, sepse kompanitë rivale priren të arrijnë njëra-tjetrën shumë shpejt. Kjo i detyron krijuesit e modeleve të zgjerohen në fusha të tjera, veçanërisht përmes zhvillimit të agjentëve të Inteligjencës Artificiale.

Anthropic është bërë burimi kryesor i shqetësimeve në industrinë e softuerëve si shërbim (SaaS), për shkak të frikës se laboratorët e Inteligjencës Artificiale mund të zëvendësojnë kompanitë që ofrojnë programe për funksione si prokurimet, menaxhimi i personelit dhe administrimi i proceseve të biznesit.

Nëse kjo ndodh, Anthropic jo vetëm që do të forconte ndjeshëm marrëdhëniet me klientët e saj, por do të fitonte edhe akses në sasi më të mëdha të dhënash, të cilat mund të përdoren për të përmirësuar performancën e modeleve të saj.

OpenAI synon të njëjtin objektiv, ashtu si edhe Google, produktet e softuerit të së cilës janë tashmë të integruara thellësisht në shumë kompani. Por për momentin, fokusi i Anthropic te klientët e biznesit i jep asaj avantazh.

Dario Amodei vazhdon të predikojë për rreziqet e Inteligjencës Artificiale, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Çdo dy javë ai mban ligjërata rreth njëorëshe për 3,000 punonjësit e Anthropic. Operacionet e përditshme të kompanisë drejtohen nga Daniela Amodei, e cila ndan të njëjtat bindje me të vëllanë për rëndësinë e sigurisë së Inteligjencës Artificiale.

Më poshtë në hierarki, dëshira për t’u bërë kompania e parë që krijon Inteligjencën Artificiale të përgjithshme (AGI), ose një Inteligjencë mbinjerëzore, është e rrënjosur thellë.

Studiuesit e Inteligjencës Artificiale në kompani të tjera shpesh vënë në dukje se punonjësit e Anthropic janë jashtëzakonisht të bindur për ardhjen e AGI-së, edhe pse shumë prej tyre besojnë se një teknologji e tillë mund t’i bëjë të panevojshëm në vendet e tyre të punës.

Duket se pikërisht paralajmërimet e vazhdueshme të Anthropic për rreziqet e Inteligjencës Artificiale zemëruan fillimisht administratën Trump. Zyrtarët kanë fajësuar atë që e quajnë “kompleksi industrial i pesimizmit” në Anthropic për rregullimin e tepruar të teknologjisë gjatë administratës së Joe Biden-it, disa anëtarë të së cilës iu bashkuan më vonë kompanisë.

Gjatë pjesës më të madhe të mandatit të Trump, qeveria amerikane ka kundërshtuar përpjekjet për të ngadalësuar zhvillimin e Inteligjencës Artificiale, duke u fokusuar kryesisht te ruajtja e avantazhit ndaj Kinës.

Ndërsa disa rivalë të Anthropic, si OpenAI, e përqafuan hapur qasjen përshpejtuese të Trump ndaj teknologjisë, Amodei ishte ndër zërat më të fortë që kërkonte më shumë rregullim në nivel shtetëror dhe federal.

Kjo nuk u prit mirë. David Sacks, këshilltar i qeverisë për Inteligjencën Artificiale, akuzoi Anthropic se po zbatonte një “strategji të sofistikuar për kapjen e rregullatorëve përmes nxitjes së frikës”.

Zyrtarë të tjerë vunë në dukje ironinë e faktit që kompania paralajmëron për rreziqet e Inteligjencës Artificiale, ndërkohë që ndërton modele gjithnjë e më të fuqishme.

 

 

Prifti rebel

Sidoqoftë, duket se pikërisht prirja e Anthropic për të theksuar rreziqet e Inteligjencës Artificiale çoi në përplasjen e parë publike me administratën Trump, në fund të shkurtit.

Kompania dhe Departamenti i Mbrojtjes u përfshinë në një debat publik për përdorimin e Claude për mbikëqyrje masive brenda vendit ose për armë autonome. Anthropic argumentoi se ligjet ekzistuese nuk janë të mjaftueshme për të rregulluar përdorimin e Inteligjencës Artificiale në mbikëqyrjen masive dhe se teknologjia nuk është ende mjaftueshëm e besueshme për t’u përdorur në armë plotësisht autonome vrasëse.

Pentagoni la të kuptohej se Amodei po përpiqej të merrte kontroll mbi çështje që i përkasin sigurisë kombëtare. Në fund, Trump kërkoi që agjencitë federale të ndërprisnin lidhjet me Anthropic, ndërsa drejtuesit e kompanisë i quajti “të çmendur të majtë”.

Ngjarja duket se ka ushqyer frikën brenda administratës se Anthropic po bëhet aq e suksesshme, sa mund të përbëjë vetë një kërcënim. Kohët e fundit, David Sacks paralajmëroi se nëse rritja “eksponenciale” e Anthropic vazhdon, kompania mund të fitojë “kontroll të paprecedentë mbi teknologjinë më të rëndësishme të kohës sonë”.

Ai e krahasoi situatën me dominimin që John D. Rockefeller kishte mbi industrinë e naftës në shekullin XIX.

Veçanërisht, administrata ka filluar të kuptojë rreziqet që Inteligjenca Artificiale shumë e avancuar mund të paraqesë për sigurinë kombëtare. Kjo duket se ishte edhe origjina e konfliktit më të fundit mes Anthropic dhe autoriteteve.

Kompania kishte bashkëpunuar me qeverinë për publikimin e modelit të saj të parë Mythos, i cili, mes aftësive të tjera shqetësuese, rezulton jashtëzakonisht i aftë në sulmet kibernetike dhe kishte identifikuar dobësi të mundshme në shumë sisteme qeveritare.

Anthropic lejoi një numër të kufizuar klientësh, të miratuar nga qeveria, ta përdornin modelin. Më vonë krijoi një version të quajtur Fable, me kufizime shtesë për të parandaluar abuzimet, dhe e shpërndau më gjerësisht.

Disa raportime sugjerojnë se Anthropic nuk e njoftoi menjëherë qeverinë kur u dha klientëve të rinj akses në Mythos. Një burim pranë kompanisë e kundërshton këtë pretendim, duke thënë se ajo bashkëpunoi ngushtë me administratën dhe madje ndërpreu menjëherë marrëdhëniet me një kompani globale telekomunikacioni kur qeveria e kërkoi këtë.

Përplasja arriti kulmin pasi Amazon, investitor i madh në Anthropic, informoi autoritetet se kishte zbuluar dobësi sigurie në Fable, të cilat lejonin anashkalimin e kufizimeve të modelit. Në rrjetin X, David Sacks akuzoi Amodei se refuzonte të “rregullonte dobësinë e sigurisë”.

 

Konfuzion në Canossa

Një burim pranë Anthropic thotë se nuk ka pasur asnjë refuzim. Kompania këmbëngul se ua kishte dhënë modelet autoriteteve për testim javë të tëra përpara publikimit të Fable. Ajo gjithashtu kundërshton vlerësimet për seriozitetin e problemit, duke argumentuar se nuk ekziston një sistem sigurie plotësisht i paprekshëm për një model të Inteligjencës Artificiale.

Shumë vëzhgues besojnë se Anthropic u ndëshkua kryesisht për arsye personale dhe politike. Në fund të fundit, në shkurt administrata e akuzoi Amodei se kishte një “kompleks Zoti”, ndërsa vetë ai tha se kompania po përndiqej sepse nuk i ofronte Trump-it “lavdërime në stil diktatorial”.

Megjithatë, pas këtyre përplasjeve fshihet një dilemë reale rregullatore. Duke ndjekur një qasje relativisht liberale ndaj Inteligjencës Artificiale, administrata Trump nuk ka shumë mekanizma të drejtpërdrejtë dhe të balancuar për të imponuar vullnetin e saj mbi laboratorët e AI-së.

Adam Thierer nga Instituti kërkimor R Street thotë se modeli Mythos ndezi një debat brenda qeverisë për faktin nëse modelet e reja të Inteligjencës Artificiale janë bërë tashmë një kërcënim i mjaftueshëm për sigurinë kombëtare sa të kërkojnë miratim paraprak përpara publikimit.

Zyrtarët më të ashpër kërkuan që qeveria të ketë fjalën e fundit për publikimin e modeleve të reja. Disa madje propozuan krijimin e një agjencie të posaçme rregullatore.

Në vend të kësaj, më herët gjatë këtij muaji, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që krijon një kuadër vullnetar bashkëpunimi mes laboratorëve të Inteligjencës Artificiale dhe qeverisë përpara publikimit të modeleve të reja. Megjithatë, ky mekanizëm ende nuk ka hyrë në funksion.

Pa rregulla të qarta në fuqi, administratës i mbeten vetëm mjete të ashpra dhe të paprecizuara. Gjatë përplasjes së Anthropic me Pentagonin, zyrtarët përfunduan duke e shpallur kompaninë një “rrezik për zinxhirin e furnizimit”, duke penguar kështu agjencitë qeveritare të bënin biznes me të, një qëndrim që mund të rezultojë vetëshkatërrues ndaj një prej laboratorëve kryesorë amerikanë të Inteligjencës Artificiale.

Në përplasjen aktuale për modelet Mythos dhe Fable, administrata thuhet se i ka kërkuar Anthropic të marrë një licencë të posaçme eksporti për çdo shitje ndaj një subjekti të huaj.

Meqenëse Anthropic nuk mund të jetë e sigurt nëse, për shembull, të huajt që punojnë në kompani amerikane mund t’i përdorin këto modele, kompania përfundoi duke i bllokuar plotësisht ato, sërish një rezultat që ka gjasa t’i bëjë më shumë dëm sesa dobi Amerikës.

Pa rregulla të qarta, thotë Dean Ball, ish-zyrtar i administratës Trump në Foundation for American Innovation, rreziku është që Amerika të përfundojë me “dominim të qeverisë mbi Inteligjencën Artificiale”, në vend të “dominimit amerikan në Inteligjencën Artificiale”.

Tensionet janë të natyrshme. Është e kuptueshme që një kompani si Anthropic të dëshirojë ta shpërndajë sa më gjerë një model të fuqishëm. Kjo është e mirë për biznesin, sepse i përgjigjet një nevoje urgjente, në një kohë kur kriminelët po përdorin tashmë Inteligjencën Artificiale për t’i bërë sulmet kibernetike më efektive.

Po aq e kuptueshme është edhe dëshira e aparatit të sigurisë kombëtare për të marrë kontrollin mbi një teknologji kaq të fuqishme, si për qëllime mbrojtëse, ashtu edhe sulmuese. “Aparati i sigurisë kombëtare është në modalitet kontrolli”, thotë Ball.

Pyetja është se si do të ushtrohet ky kontroll mbi teknologjinë. Edhe pse Amodei ndonjëherë flet me tone alarmuese për rreziqet e Inteligjencës Artificiale, qasja që ai parapëlqen është një formë e ngushtë, teknokratike rregullimi.

Ai kërkon rregulla të modeluara sipas agjencive rregullatore si Administrata Federale e Aviacionit, ku modelet më të avancuara të AI-së do t’u nënshtroheshin testeve teknike të standardizuara dhe auditimeve.

Megjithatë, edhe vetë Amodei e pranon se, ndërsa modelet bëhen gjithnjë e më të afta, Inteligjenca Artificiale do të kthehet në “burimin dominues të fuqisë ushtarake dhe ekonomike”.

Kjo i jep administratës Trump dhe çdo administrate pas saj një interes të qartë dhe të fortë për të pasur mekanizmat e veta të kontrollit, përfshirë edhe ndaj Anthropic. Siç shprehet Ball, “asnjë kompani nuk mund të tronditë themelet e sovranitetit shtetëror duke qëndruar e shkëputur nga realiteti i ashpër i politikës”.

Të dyja palët shpresojnë që përplasja të kalojë. Ajo nuk i ka sjellë përfitim asnjërës. Në një përpjekje kapriçioze për të imponuar autoritetin e saj, qeveria ka zemëruar përdorues në mbarë botën të modeleve të Anthropic dhe ka treguar sa dritëshkurtër ishte refuzimi fillestar për të pranuar nevojën për rregulla dhe rregullim të Inteligjencës Artificiale.

Nga ana e saj, Anthropic, duke vepruar sikur e di më mirë se kushdo tjetër, në vend që të bënte çdo përpjekje për t’u përshtatur me një qeveri armiqësore, ka përfunduar e kufizuar, në dëm të klientëve të saj.

Pasojat do të rëndojnë mbi IPO-n e Anthropic. Pezullimi i një modeli komercial të përdorur nga qindra miliona njerëz pritet të ndikojë në rezultatet financiare të kompanisë. Për më tepër, si investitorët, ashtu edhe klientët, do të shqetësohen për rrezikun e ndërprerjeve të tjera të ngjashme, për shkak të marrëdhënies së tensionuar të Anthropic me autoritetet.

Në fund, kompanitë e Inteligjencës Artificiale, pavarësisht të mirave që mund të sjellin, po zhvillojnë aftësi të rrezikshme në një kohë kur ligjet për t’i qeverisur ato janë të pamjaftueshme. Amodei e di se rregullat evoluojnë shumë më ngadalë se modelet, ndaj e gjen veten në rolin e një arbitri të pazgjedhur të sigurisë.

Qeveria e zgjedhur e sheh Inteligjencën Artificiale si një teknologji tepër të fuqishme për t’u lënë jashtë kontrollit. Përplasja do të vazhdojë derisa Kongresi të miratojë rregulla të reja.

The post Suksesi i jashtëzakonshëm tregtar i Anthropic e ka kthyer atë në shënjestër appeared first on Revista Monitor.

Raporti i KE, Shqipëria ngadalëson rritjen, industria dhe bujqësia japin sinjale dobësie

17 July 2026 at 16:19

Ekonomia shqiptare vijoi të zgjerohej në fillim të vitit 2026, por ritmi i rritjes u ngadalësua dhe disa nga sektorët kryesorë prodhues mbetën në vështirësi.

Sipas raportit tremujor të Komisionit Europian për vendet kandidate dhe potencialisht kandidate, Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë u rrit me 3.7% në tremujorin e parë të vitit 2026, nga 4% në tremujorin paraardhës.

Rritja u mbështet kryesisht nga konsumi privat, administrata publike, arsimi, shëndetësia, pasuritë e paluajtshme dhe ndërtimi. Në të kundërt, industria dhe bujqësia vijuan të japin kontribut negativ në ekonomi.

Konsumi privat u rrit me 3.9%, por investimet u ngadalësuan ndjeshëm, në 3.9% nga 10% në fund të vitit të kaluar.

Eksportet e mallrave u rikuperuan me 28% në terma realë, të ndihmuara edhe nga një bazë e ulët krahasimi, ndërsa eksportet e shërbimeve u rritën me 5%. Megjithatë, rritja e importeve e zbehu efektin pozitiv dhe kontributi i eksporteve neto në ekonomi mbeti pothuajse neutral. Raporti evidenton sinjale të përziera edhe nga tregu i punës. Papunësia u rrit lehtë në 9.4%, ndërsa papunësia e të rinjve arriti në 16.9%.

Emigracioni neto prej afro 28,500 personash në vitin 2025 vijoi të ngushtojë ofertën e punës. Nga ana tjetër, paga mesatare bruto u rrit me 9.6%, në 90,119 lekë, dukshëm më shpejt se inflacioni. Inflacioni u përshpejtua në 3.2% në qershor, duke kaluar objektivin prej 3% të Bankës së Shqipërisë. Çmimet u ndikuan kryesisht nga ushqimet, strehimi, energjia dhe transporti.

Në të njëjtën kohë, leku vijoi të forcohej ndaj euros, duke arritur një mesatare prej 95.3 lekësh për euro në tremujorin e dytë. Financat publike paraqitën një ecuri më të mirë. Në pesë muajt e parë të vitit, të ardhurat buxhetore u rritën me 11.2%, ndërsa shpenzimet me 7.4%. Buxheti regjistroi suficit prej 1.9% të PBB-së së pritshme vjetore dhe borxhi publik zbriti në 48.8% të PBB-së.

Ballkani Perëndimor përshpejton rritjen, por mbetet i varur nga konsumi

Në tërësi, ekonomia e Ballkanit Perëndimor u përmirësua në tremujorin e parë. Rritja mesatare e ponderuar e rajonit u përshpejtua në 3.2%, nga 2.7% në fund të vitit 2025, duke shënuar ritmin më të lartë që prej tremujorit të katërt të vitit 2024.

Kosova regjistroi rritjen më të lartë, me 5.4%, e ndjekur nga Shqipëria me 3.7%, Serbia me 3.2%, Maqedonia e Veriut me 3.1%, Mali i Zi me 2.6% dhe Bosnjë-Hercegovina me 2.2%.

Megjithatë, rritja në pjesën më të madhe të rajonit u mbështet kryesisht nga konsumi i familjeve, i nxitur nga rritja e pagave. Investimet humbën ritëm pothuajse kudo, me përjashtim të Malit të Zi. Edhe tregtia e jashtme dha një tablo të përzier, ndërsa kontribut pozitiv të eksporteve neto në rritje patën vetëm Serbia dhe Kosova.

Një nga problematikat kryesore që evidenton raporti është ndalimi i përmirësimit në tregun e punës. Normat e papunësisë u stabilizuan në tremujorin e parë, pasi kishin arritur nivelet më të ulëta në vitin 2025, por punësimi me bazë vjetore ishte në rënie në shumicën e vendeve.

Papunësia varionte nga 8.9% në Serbi në 11.5% në Maqedoninë e Veriut dhe mbetej mbi mesataren e Bashkimit Europian.

Tkurrja e fuqisë punëtore, emigracioni dhe mungesa e punonjësve po shndërrohen gradualisht në kufizime strukturore për ekonomitë e rajonit. Rritja e shpejtë e pagave mbështet konsumin, por mund të shtojë kostot për bizneset, veçanërisht kur nuk shoqërohet me të njëjtin ritëm të rritjes së produktivitetit.

Presionet inflacioniste u shtuan gjatë tremujorit të dytë. Inflacioni ishte relativisht i ulët në fillim të vitit, por u përshpejtua në prill dhe maj, veçanërisht në Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë, ku kaloi mesatarisht nivelin 5%.

Rritja e çmimeve u nxit kryesisht nga ushqimet dhe energjia, duke treguar se situata globale vijon të transmetohet në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor përmes kostove të importit.

Kjo prirje mund të dobësojë fuqinë blerëse të familjeve dhe të kufizojë konsumin, që aktualisht përbën motorin kryesor të rritjes në rajon. Presionet nga energjia dhe ushqimet rrisin gjithashtu kostot e prodhimit dhe transportit për bizneset.

Raporti evidenton edhe përkeqësim të pozicioneve buxhetore në shumicën e ekonomive. Të ardhurat u rritën me ritme të forta, por shpenzimet u zgjeruan edhe më shpejt, kryesisht për transferta sociale, subvencione dhe, në disa vende, investime kapitale.

Shqipëria ishte përjashtimi, duke regjistruar suficit buxhetor në pesë muajt e parë të vitit. Në vendet e tjera, bilancet buxhetore u përkeqësuan krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

The post Raporti i KE, Shqipëria ngadalëson rritjen, industria dhe bujqësia japin sinjale dobësie appeared first on Revista Monitor.

Spanjë – Argjentinë, shifrat pas finales së Botërorit FIFA 2026

17 July 2026 at 14:34

Spanja dhe Argjentina do të përballen në finalen e Kupës së Botës FIFA 2026 më 19 korrik.

Spanja, Kampione Europe, synon të fitojë titullin botëror për të dytën herë, ndërsa Argjentina do të përpiqet të arrijë fitoren e katërt dhe të mbrojtë titullin e fituar në Katar, katër vite më parë.

Kjo analizë krahason dy ekipet finaliste në një sërë treguesish, nga vlera e skuadrës dhe vlerësimet e lojtarëve te rritja në rrjetet sociale dhe ngarkesa e punës gjatë turneut.

Të dy finalistet arrijnë në finale pa pësuar humbje, në kontrast me herën e fundit kur secila prej tyre ngriti trofeun: Spanja humbi ndeshjen e saj të parë kundër Zvicrës në vitin 2010, ndërsa Argjentina e nisi turneun në 2022 me një humbje ndaj Arabisë Saudite.

 

 

Krahasimi i finalistëve

Spanja dhe Argjentina mbërritën në Amerikën e Veriut, përkatësisht në vendin e dytë dhe të parë në renditjen zyrtare botërore të FIFA, (FIFA World Ranking), në një finale në lartësinë e pritshmërive.

Sipas platformës së vlerësimit të lojtarëve të Football Benchmark, para turneut, ekipi i Spanjës vlente 1.47 miliardë euro, thuajse 80% më shumë se ekipi i Argjentinës – 818 milionë euro.

Skuadra europiane udhëhiqet nga Lamine Yamal, futbollisti më i çmuar në futbollin botëror, me vlerë 292,2 milionë euro. Mosha e lojtarëve të Spanjës është ndjeshëm më e re, me moshë mesatare 26.7 vjeç krahasuar me 29.1 vjeç të Argjentinës, futbollistës e së cilës janë ndër më të moshuarit në turne.

Në fushë, Argjentina ka qenë ekipi më produktiv në sulm, duke shënuar 19 gola në shtatë ndeshje (më shumë se çdo ekip tjetër në turne). Lionel Messi ka qenë protagonisti i kësaj paraqitjeje pozitive, me tetë gola dhe katër asiste. Tetë golat e tij e vendosin atë në barazim me Kylian Mbappé si golashënuesin më të mirë të turneut.

Rrugëtimi i Spanjës drejt finales mbështetet te zotërimi i topit dhe kontrolli e mbrojtjes, duke pësuar vetëm një gol (më pak se të gjithë në turne). Mikel Oyarzabal është golashënuesi i ekipit, me pesë gola, ndërsa Marc Cucurella dhe Dani Olmo ndajnë vendin e parë me nga dy asiste secili.

Ekipet finaliste dallojnë ndjeshëm edhe në rrjetet sociale. Lojtarët e ekipit të Argjentinës kanë në total 667 milionë ndjekës në Instagram, krahasuar me 140 milionë për Spanjën.

Ky ndryshim i madh vjen vetëm nga Messi, i cili numëron më shumë se 512 milionë ndjekës në Instagram.

 

 

Shtatë lojtarë spanjollë përbëjnë formacionin ideal me vlerë totale 1 miliard euro

Shtatë nga njëmbëdhjetë vendet në formacionin ideal më të çmuar janë të zëna nga lojtarë spanjollë – dëshmi e hendekut të ndjeshëm të vlerës mes dy skuadrave. Lamine Yamal është futbollisti me vlerën më të lartë në finale.

Pranë Yamal janë bashkëkombësit e tij Pedri (139 milionë euro) dhe Pau Cubarsí (110 milionë euro). Tek ekipi i Argjentinës, lojtarët me vlerën më të lartë janë Enzo Fernández (104 milionë euro) dhe Julián Álvarez (88 milionë euro).

Vlera e kombinuar e njëmbëdhjetëshes është mbi 1 miliard euro.

 

 

Argjentina regjistron rritjen më të madhe në mediat sociale

Kupa e Botës ka sjellë një rritje dukshëm më të madhe në Instagram për Argjentinën sesa për Spanjën, si në nivel skuadre, ashtu edhe në nivel lojtarësh.

 

 

Numri i ndjekësve në llogarinë (account) zyrtare të kombëtares së Argjentinës u rrit me 2.4 milionë midis 11 qershorit dhe 14 korrikut, duke regjistruar një rritje prej 16.2%, në 17.2 milionë. Spanja shtoi 500,000 ndjekës gjatë së njëjtës periudhë, duke shënuar rritje prej 6.7% në 8 milionë.

 

 

E njëjta tendencë vërehet edhe mes lojtarëve kryesorë. Pesë lojtarët argjentinas me rritjen më të madhe të follower shtuan së bashku 11.8 milionë ndjekës, më shumë se dyfishi krahasuar me 5.6 milionë ndjekës që fituan pesë lojtarët kryesorë të Spanjës.

Pjesa më e madhe e kësaj diference vjen nga Lionel Messi, i cili vetëm ai fitoi 6 milionë ndjekës, ndërsa Julián Álvarez, Emiliano Martínez, Leandro Paredes dhe Lisandro Martínez fituan secili më shumë se një milion ndjekës.

 

Lojtarët me ngarkesën më të madhe të punës deri në final

Nuk është surprizë që një portier udhëheq klasifikimin e minutave të luajtura në mesin e gjithë finalistëve. Emiliano Martínez ka qenë në fushë për të gjitha 795 minutat e rrugëtimit të skuadrës së tij drejt finales. Shoku i skuadrës, Alexis Mac Allister, renditet i dyti me 730 minuta.

Të dhënat nxjerrin në pah edhe stabilitetin e formacionit titullar të Spanjës. Pesë lojtarë spanjollë figurojnë ndër tetë lojtarët më të përdorur, – Marc Cucurella, Unai Simón dhe Pau Cubarsí të cilët regjistrojnë nga 717 minuta secili, ndërsa Aymeric Laporte dhe Rodri e kanë kaluar pragun e 700 minutave.

Spanja dhe Argjentina shkojnë në finale me profile shumë të ndryshme.

Më 19 korrik, megjithatë, të gjitha këto dallime do t’ia lënë vendin një objektivi të vetëm: të bëhen Kampionë Bote!

 

 

/ Football Benchmark

 

 

 

The post Spanjë – Argjentinë, shifrat pas finales së Botërorit FIFA 2026 appeared first on Revista Monitor.

Sunny Hill publikon çmimet: Biletat treditore nga 195-800 euro

17 July 2026 at 14:01

Për tri ditë festival, deri në 120 euro vetëm për parking

 

Parkingu i rregullt kushton 60 euro për tri ditët e festivalit, ndërsa VIP Parking kushton 120 euro për tri ditë. Edhe biletat e festivalit shiten vetëm si paketa treditore. Aktualisht, bileta e rregullt kushton 195 euro, ndërsa ekzistojnë edhe kategori VIP që arrijnë deri në 800 euro.

 

 Festivali Sunny Hill ka publikuar detajet për edicionin e sivjetmë, i cili do të mbahet më 31 korrik, 1 dhe 2 gusht në Sunny Hill Festival Park në Bërnicë të Poshtme të Prishtinës.

Organizatorët presin dhjetëra mijëra vizitorë, ndërsa në skenë do të performojnë emra të njohur ndërkombëtarë si Katy Perry, Lewis Capaldi, Martin Garrix, Adam Port & Rampa (Keinemusik), PAWSA dhe Seth Troxler, krahas artistëve të tjerë vendorë dhe të huaj.

Për dallim nga vitet e kaluara, vëmendje të madhe kanë tërhequr edhe çmimet për parkimin e automjeteve.

Sipas informacioneve të publikuara në faqen zyrtare të festivalit, vizitorët që dëshirojnë të shkojnë me veturë duhet të blejnë paraprakisht biletë për parking.

Parkingu i rregullt kushton 60 euro për tri ditët e festivalit, ndërsa VIP Parking kushton 120 euro për tri ditë dhe përfshin hyrje të veçantë pranë zonës së festivalit.

Vetë organizatorët rekomandojnë që vizitorët të përdorin autobusët e organizuar, duke paralajmëruar se numri i vendeve të parkimit është i kufizuar.

Edhe biletat e festivalit shiten vetëm si paketa treditore. Aktualisht, bileta e rregullt kushton 195 euro, ndërsa ekzistojnë edhe kategori VIP që arrijnë deri në 800 euro.

Nuk dihet ende sa është numri i biletave të shitura, pasi as organizatorët dhe askush nuk ka dhënë detaje. Në faqen zyrtare thuhet se paketa e rregullt, që kushton 195 euro për tre ditë po shitet me shpejtëse, ndërsa për të tjerat ka vende të lira.

Sunny Hill Festival edhe këtë vit do t’i kushtojë një vëmendje të veçantë skenës shqiptare, duke sjellë një listë të pasur me artistë të njohur dhe emra të rinj që do të performojnë para publikut në Prishtinë.

Në mesin e artistëve shqiptarë që do të ngjiten në skenë janë disa nga emrat më të mëdhenj të muzikës vendore përfshirë: Dhurata Dora, Ledri Vula, Lumi B, Lyrical Son, MC Kresha dhe Buta.

Pjesë e festivalit do të jenë edhe artistë të tjerë si Eko, Sahati dhe grupi legjendar “Asgjë Sikur Dielli”, të cilët përfaqësojnë stile të ndryshme muzikore dhe sjellin një tjetër dimension në programin e festivalit.

Sunny Hill do të jetë gjithashtu një mundësi për publikun që të zbulojë dhe të mbështesë emra të rinj të skenës shqiptare.

Në skenë do të performojnë Bana Zahiti, Erëza Çerkini, La Fazani, Rreze, Sytë, Anitë, Art Haliti, Jolle, Ilo, Caboo dhe Uran B, artistë që po sjellin energji të re në muzikën moderne shqiptare.

Një nga emrat që ka tërhequr vëmendje është edhe Gjin Lipa, vëllai i superyllit ndërkombëtar Dua Lipa, i cili do të jetë pjesë e ‘C4 Stage’.

Prania e tij në festival shton edhe më shumë interesin për skenën e artistëve dhe krijuesve të rinj shqiptarë.

Me këtë përzgjedhje artistësh, Sunny Hill Festival synon të pasqyrojë larminë e muzikës shqiptare, duke bashkuar emra të afirmuar me talente të reja.

Sunny Hill është një nga festivalet më të mëdha ndërkombëtare të muzikës në Evropën Juglindore, që organizohet çdo verë në Prishtinë dhe sjell emra të njohur të skenës botërore.

Edicioni i sivjetmë premton një program të pasur me emra të njohur të skenës botërore. Në natën e parë, skenën kryesore do ta udhëheqë superylli i muzikës pop Katy Perry, ndërsa në natën e dytë do të performojë kantautori skocez Lewis Capaldi.

Kulmi i festivalit do të jetë nata e tretë, kur publiku do të ketë mundësinë të shijojë performancën e DJ-it dhe producentit me famë botërore Martin Garrix, i cili rikthehet në Prishtinë si një nga emrat më të mëdhenj të muzikës elektronike.

Me kombinimin e artistëve ndërkombëtarë dhe emrave më të suksesshëm të skenës shqiptare, Sunny Hill Festival 2026 pritet të jetë një prej ngjarjeve më të rëndësishme muzikore të verës në Kosovë dhe rajon.

Festivali u tentua të behet edhe në Shqipëri dhe u organizua vetëm një vit, në gusht 2022, për shkak të një problemi me fushën në Kosovë, por nuk pati interesin e pritur edhe për shkak të mungesës së performancës nga artisja me famë globale, Dua Lipa. Pas këtij viti, ai vijoi të organizohej në Kosovë, ku ka rezultuar më i suksesshëm.

The post Sunny Hill publikon çmimet: Biletat treditore nga 195-800 euro appeared first on Revista Monitor.

“Dyfisho Sipërmarrjen”: 250 mln euro kredi për bizneset me interes 2-3% dhe afat deri 10 vite

17 July 2026 at 13:22

Është prezantuar sot nisja e programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, një skemë financimi që synon të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për zgjerimin e aktivitetit, rritjen e investimeve dhe forcimin e konkurrueshmërisë së tyre në tregjet evropiane.

Programi do të ketë në dispozicion një fond prej 250 milionë eurosh, me mundësi rritjeje në varësi të kërkesës nga bizneset. Financimi do të ofrohet me norma interesi nga 2% deri në 3%, ndërsa qeveria do të mbulojë deri në 70% të kolateralit për bizneset që plotësojnë kriteret.

Kredia do të ketë një afat maturimi deri në 10 vite, ndërsa vlera maksimale e financimit për një biznes do të arrijë deri në 2 milionë euro.

Kryeministri Edi Rama tha se programi synon t’u japë më shumë mundësi ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për t’u zgjeruar dhe për të rritur kapacitetet e tyre.

Sipas tij, në këtë proces është angazhuar edhe UNDP, përmes së cilës do të ofrohet asistencë nga ekspertë ndërkombëtarë për bizneset që kanë ide dhe plane të besueshme, por që nuk kanë kapacitetin për t’i kthyer ato në projekte bindëse për bankat.

“Me këtë program synojmë t’u japim krah ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që të dyfishohen.

Në këtë proces kemi angazhuar edhe UNDP-në, Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Tiranë, përmes së cilës do të angazhojmë ekspertë ndërkombëtarë për të asistuar bizneset që kanë ide interesante dhe plane të besueshme, por nuk kanë kapacitetin për t’i kthyer ato në projekte bindëse për bankat. Koordinimi mes ekspertëve dhe bizneseve do të realizohet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Gjithashtu, në dispozicion për elementët e programit është vënë edhe një faqe online nga ministria.

Është planifikuar gjithashtu një cikël takimesh me bizneset për t’i nxitur ato të përfshihen në këtë program. Në tërësi, është një skuadër që ka objektiva të përbashkëta. Për këtë arsye, rol kyç kanë edhe Ministria e Financave dhe Ministria e Bujqësisë.

Prioritet i qeverisë është nxitja e agro-përpunimit, pasi ky sektor ka shumë potencial dhe hapësira të pashfrytëzuara. Një element i ri i programit është edhe mbështetja e shoqërive të përbashkëta mes fermerëve dhe ndërmarrjeve të vogla e të mesme.

Në këtë program nuk do të kenë mundësi të aplikojnë ndërmarrjet e mëdha. Ai është konceptuar vetëm për financimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Një tjetër linjë financimi është industria përpunuese në tërësi, transporti, logjistika dhe ekonomia dixhitale.

Në jug të vendit, një emigrant i kthyer nga jashtë ka krijuar një shoqëri të çobanëve të rinj, në një zanat shumë të kërkuar në blegtori, një sektor që konsiderohet me risk. Ai ka krijuar një kompani me të rinj nën moshën 30 vjeç, të cilët punojnë si çobanë. Ata vijnë nga realitete të ndryshme, por kanë gjetur mundësinë për t’u punësuar dhe zhvilluar në këtë profesion. Objektivi i tij është ta çojë numrin e krerëve të bagëtive deri në 100 mijë. Ky është një shembull që tregon se nuk mungojnë idetë dhe vullneti për të ecur përpara.

Po ashtu, në Lushnjë vepron një ndërmarrje e vogël që prodhon produkte kozmetike të certifikuara. Këto janë shembuj të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që kanë hyrë në treg, por kanë nevojë për financim për të zgjeruar aktivitetin e tyre.

Programi parashikon financim deri në 2 milionë euro. Ne do t’i kushtojmë vëmendje të veçantë monitorimit të tij dhe do të ngremë një task-forcë për të analizuar periodikisht rezultatet dhe për të identifikuar fushat ku programi ka nevojë për ndërhyrje apo përmirësim.”

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, tha se programi është ndërtuar mbi bazën e nevojave të biznesit dhe se konsultimet me sipërmarrësit kanë evidentuar si problematika kryesore normat e larta të interesit, kërkesat për kolateral dhe madhësinë e biznesit.

“Sot lançojmë programin “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, me qëllim rritjen e investimeve për zgjerimin e bizneseve në tregjet evropiane.

Programi është ndërtuar bazuar në nevojat e biznesit. Nga viti në vit, ekonomia është rritur mesatarisht me 4%. Në gjashtëmujorin e parë kemi 12 mijë sipërmarrje të reja. Këto shifra tregojnë se ekonomia ka potencial për zgjerim dhe për krijimin e vendeve të reja të punës.

Vizioni ynë për mbështetjen e sipërmarrjes është afatgjatë. Ne kërkojmë të jemi partnerë të biznesit.

E nisëm duke pyetur sipërmarrësit se cilat ishin problematikat e financimit. Sipas tyre, pengesat kryesore ishin normat e larta të interesit, kolaterali dhe madhësia e biznesit. Me këtë program i japim mundësi çdo biznesi të rrisë aktivitetin e tij, të fuqizojë kapacitetet dhe të sigurojë një rritje të qëndrueshme ekonomike.

Ky nuk është instrumenti i vetëm për të mbështetur biznesin në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Ai synon veçanërisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat përbëjnë 97% të totalit të ndërmarrjeve aktive dhe sigurojnë rreth 80% të punësimit.

Nga sot të gjitha bizneset, që kanë pasur interesim të lartë për këtë produkt, të interesohen pranë sporteleve të bankave dhe të pyesin për programin “Dyfisho Sipërmarrjen”. Bizneset mund të interesohen pranë sporteleve të bankave për kushtet dhe afatet e aplikimit. Norma e interesit varion nga 2% deri në 3%, ndërsa deri në 70% të kolateralit mbulohet nga qeveria. Vlera e financimit është deri në 2 mln euro dhe afati i maturimit është deri në 10 vite”.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, bëri të ditur se fondi prej 250 milionë eurosh është vënë në dispozicion dhe mund të zgjerohet nëse do të ketë kërkesë më të lartë nga bizneset. Sipas tij, sistemi bankar ka likuiditet të mjaftueshëm për rritjen e kreditimit, ndërsa kushtet e programit janë përmirësuar duke zgjatur afatin maksimal të financimit deri në 10 vite dhe duke rritur kufirin e kredisë deri në 2 milionë euro.

“Vlera totale e programit është 250 mln euro e vënë në dispozicion dhe, nëse do të jetë e nevojshme, mund ta rrisim edhe më tej fondin e financimit.

Në fokus është mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Kemi likuiditet të bollshëm në sistemin bankar. Raporti i kredisë ndaj depozitave është rreth 50%, çka tregon se ka potencial për rritjen e kreditimit të biznesit të vogël dhe të mesëm.

Këtë vit kemi rishikuar kushtet e zbatimit të programit, duke e zgjatur afatin maksimal të financimit deri në 10 vjet dhe duke rritur kufirin e kreditimit deri në 2 milion euro për bizneset që plotësojnë kriteret”, u shpreh Guvernatori Sejko.

Edhe Shoqata Shqiptare e Bankave e ka vlerësuar programin si një produkt të favorshëm financimi. Kryetari i saj, Bledar Shella, tha se bankat kanë nisur përgatitjet për trajtimin e aplikimeve dhe se sistemi bankar ka kapacitetet e nevojshme për të mbështetur bizneset shqiptare.

“Ky është produkti më i favorshëm i financimit në këto terma dhe kushte.

Portofoli i kredisë ka arritur në 10 miliardë euro, me një rritje prej 15%. Ne kemi përfituar nga rritja e ekonomisë, e cila është shoqëruar me një zhvillim të shëndetshëm financiar prej rreth 4%, ndërsa niveli i kredive me probleme ka zbritur në një nga nivelet më të ulëta.

Siç e përmendi edhe guvernatori, sistemi bankar ka likuiditetin e nevojshëm për të rritur kreditimin. Ne synojmë të kontribuojmë në zhvillimin e ekonomisë, modernizimin dhe rritjen e biznesit shqiptar.

Produkti është mjaft i favorshëm. Të gjitha bankat kanë nisur përgatitjet për trajtimin e aplikimeve për kredi në kuadër të këtij programi”, pohoi ai.

 

The post “Dyfisho Sipërmarrjen”: 250 mln euro kredi për bizneset me interes 2-3% dhe afat deri 10 vite appeared first on Revista Monitor.

Shqipëria, ndër vendet me më pak gra gjyqtare në Europë

17 July 2026 at 12:25

Gratë përbëjnë shumicën e gjyqtarëve profesionistë në Shqipëri, por pesha e tyre është ndër më të ulëtat në Europë dhe më e ulëta në Ballkanin Perëndimor.

Në vitin 2024, gratë përbënin 55% të gjyqtarëve profesionistë në Shqipëri, ndërsa burrat 45%, sipas të dhënave të Eurostat. Me këtë nivel, Shqipëria renditet pranë fundit të klasifikimit europian, duke lënë pas vetëm disa vende si Polonia, Gjermania, Turqia, Lihtenshtajni, Irlanda dhe Islanda.

Në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria kishte përqindjen më të ulët të grave gjyqtare. Në Serbi, gratë përbënin 73% të gjyqtarëve profesionistë, në Bosnjë dhe Hercegovinë 64.8%, në Malin e Zi 63.8%, ndërsa në Maqedoninë e Veriut 61.4%.

Diferenca me Serbinë, që kryeson rajonin, arrin në 18 pikë përqindje. Shqipëria mbetet gjithashtu pas vendeve fqinje të Bashkimit Europian, si Greqia, ku gratë përbënin 75.5% të gjyqtarëve, dhe Kroacia, me 72.3%.

Të dhënat tregojnë se, ndonëse gratë janë shumicë në gjyqësorin shqiptar, ndarja mes gjinive është më e balancuar sesa në shumicën e vendeve të rajonit dhe të Europës, ku profesioni i gjyqtarit dominohet më dukshëm nga gratë.

 

Gratë shumicë në pothuajse të gjithë Europën

Sipas Eurostat, përqindja më e lartë e grave gjyqtare u regjistrua në Slloveni, ku ato përbënin 81.4% të totalit. Pas saj renditeshin Letonia me 79.7%, Greqia me 75.5%, Luksemburgu me 73.6%, Serbia me 73% dhe Kroacia me 72.3%.

Në Francë, gratë përbënin 70% të gjyqtarëve, ndërsa në Estoni dhe Hungari pesha ishte përkatësisht 68.7% dhe 68.6%. Nivele mbi 65% u regjistruan edhe në Lituani, Portugali, Finlandë dhe Rumani.

Në skajin tjetër të renditjes, gratë ishin pakicë në Islandë, me 43.1%, në Irlandë me 43.6%, në Lihtenshtajn me 45% dhe në Turqi me 49.6%. Gjermania kishte një ndarje pothuajse të barabartë, me gratë që përbënin 50.7% të gjyqtarëve profesionistë.

Eurostat thekson se Irlanda ishte i vetmi vend i Bashkimit Europian ku burrat përbënin shumicën e gjyqtarëve. Në Slloveni, Letoni dhe Greqi, përkundrazi, gratë përbënin mbi tre të katërtat ose afër këtij niveli të totalit.

 

BE-ja kishte më pak gjyqtarë se një dekadë më parë

Në vitin 2024, Bashkimi Europian kishte mesatarisht 15.7 gjyqtarë profesionistë për çdo 100 mijë banorë, nga 17.7 në vitin 2014.

Raporti më i lartë u regjistrua në Kroaci, me 43.3 gjyqtarë për 100 mijë banorë, e ndjekur nga Sllovenia me 40.2, Luksemburgu me 36, Bullgaria me 35.4 dhe Rumania me 35.3.

Në anën tjetër, Irlanda kishte vetëm 3.6 gjyqtarë për 100 mijë banorë, Austria 4.3, Spanja 6.2, Çekia 6.7 dhe Italia 7.9.

Në përkufizimin e Eurostat përfshihen gjyqtarët profesionistë me kohë të plotë dhe të pjesshme, të autorizuar për të shqyrtuar çështje civile, penale dhe çështje të tjera, përfshirë edhe gjykatat e apelit. Nuk përfshihen gjyqtarët joprofesionistë dhe anëtarët laikë të trupave gjyqësore.

 

The post Shqipëria, ndër vendet me më pak gra gjyqtare në Europë appeared first on Revista Monitor.

❌