Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 17 January 2026Main stream

20:41 Trump fton Ramën në ‘kabinetin’ e tij për Gazën, tronditet Berisha

By: EL
17 January 2026 at 20:41

Jakin Marena

Në radhët e Partisë Demokratike e të opozitës shqiptare, por dhe këtyre të ‘informuarve’ të mëdhenj të paneleve tona televizive për të gjitha ngjarjet që ndodhin në tokën shqiptare dhe në çdo cep të globit e që cilët paralajmërojnë gjithçka, ka rënë një heshtje aspak e mirë!

Teksa Berisha, krerët e partive të vogla opozitare, që të gjitha bashkë arrijnë të kenë vetëm 54 deputetë në Parlamentin prej 140 vendesh, si dhe mediat dhe panelistët afër tyre ishin me sytë nga qielli dhe me ‘lugë në brez’ për të parë zbarkimin e madh të helikopterëve me komandot amerikane në majë të Surrelit për të ‘rrëmbyer’ kryeministrin Edi Rama e për ta dërguar për gjykim përtej Atlantikut, nga kryeqendra e botës demokratike, Uashington ka ardhur një lajm aspak i pritur që ka zhgënjyer të gjithë këtë kontigjent ‘ndërrimtarësh’ të ‘zbarkimit aleat në Shqipëri’!

Vetë presidenti amerikan, Donald Trump ka dërguar ftesë personale për kryeministrin shqiptar Edi Rama, për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një strukturë e cila do të qeverisë Rripin e Gazës pas përfundimit të luftës. Pra, Rama jo vetëm që nuk është përmbysur ‘si Manduro’, siç ishin bërë gati këtu në Tiranë kjo pakicë pa vota dhe mbështetje, por gradohet ‘ministër’ në kabinetin “Trump’, i përzgjedhur personalisht nga presidenti amerikan!

Këtë lajm e ka shpërndarë vetë kreu i qeverisë shqiptare,  i cili ka nënvizuar se Shqipëria do të ketë statusin e anëtarit themelues të kësaj organizate të kryesuar nga vetë presidenti i SHBA, ndërsa shpreh nderimin e madh që po i bëhet atij dhe vendit me këtë propozim të Trump.

“Shumë i nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump, për ta përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes, një organizatë e re ndërkombëtare e ideuar prej tij, ku Shqipëria ftohet si anëtar themelues, duke ngjitur kështu ndërkombëtarisht një tjetër majë krejt të paimagjinueshme vetëm deri pak vite më parë.

Nuk mund të jem dot më krenar për Shqipërinë, për gjithçka kemi bërë në këto vite duke e kthyer në një Shqipëri tjetër, të denjitetshme e të respektuar botërisht si asnjëherë, e padiskutim edhe për nivelin ku e kemi ngritur marrëdhënien e partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u ftuar me një respekt e vlerësim krejt të posaçëm nga Presidenti Donald J. Trump, për t’u bërë pjesë e një bordi ndërkombëtar të krijuar e kryesuar prej atij vetë dhe për të punuar së bashku me të”, shkruan Rama në rrjetin social, duke e ndarë këtë lajm shqiptarë, teksa ka evidentuar vlerësimin që i është bërë Shqipërisë

Praktikisht Shqipëria ka një përfaqësues në qeverinë kalimtare ‘Trump’ në Gaza. Me parametrat e një qeverie kalimtare apo siç kemi dëshirë ne shqiptarët t’i quajmë qeverisje të tilla, qeveri ‘teknike’, me vetë presidentin amerikan Trump në krye, Bordi Ekzekutiv themelues do të mbikëqyrë punën e një komiteti teknokratësh të ngarkuar me qeverisjen e përkohshme të Gazës dhe rindërtimin e saj. Ku çdo anëtar i bordit ekzekutiv pritet të ketë përgjegjësinë e një portofoli që do të jetë “thelbësor për stabilizimin e Gazës”, megjithëse ende nuk është e qartë se kush do të mbulojë dhe cilat prioritete do të mbulojë. Por me sa duket vetë përzgjedhja e anëtarëve të bordit ekzekutiv të kryesuar nga Trump, pjesë e të cilit është dhe kryeministri shqiptar Edi Rama, është bërë sipas prioriteteve të caktuara për t’u mbuluar nga secili anëtar, i cili praktikisht është si një ministër i qeverisë kalimtare “Trump’ për Gazën!

Dhe përgjegjësia është akoma më e madhe, pasi Bordi i Paqes është konceptuar jo vetëm si një mjet rindërtimi dhe mirëadministrimi, por edhe si pjesë e një procesi paqeje më të gjerë për Rripin e Gazës që përfshin armëpushim, çarmatimin e milicive dhe një tranzicion drejt një qeverie teknokratike paqësore.

E themi këtë pasi anëtarë të Bordit Ekzekutiv themelues janë figura potenciale nga bota demokratike, duke filluar me ish-kryeministri britanik Sir Tony Blair, i cili ishte përmendur prej kohësh si një kandidat i mundshëm për “Bordin e Paqes” të Trumpit, vetë presidenti amerikan e kishte konfirmuar që në shtator se Blair kishte shprehur interes për t’u bashkuar me këtë organ.

Ndërkohë që spikat si pjesë e bordit ekzekutiv për Gazën të kryesuar nga Trump, sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, një figurë qendrore në qasjen e administratës Trump ndaj politikës së jashtme. Është në bord, i dërguari special i SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, por dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, i cili ka luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm në negociatat e politikës së jashtme të administratës Trump.

Nën drejtimin e Trump, bordi do të ketë anëtar dhe miliarderin Marc Rowan, drejtues ekzekutiv i ‘Apollo Global Management’, një firmë e madhe investimesh private me seli në Nju Jork, Ajay Banga, president i Bankës Botërore, Robert Gabriel, këshilltar amerikan për sigurinë kombëtare, Nickolay Mladenov, politikan bullgar dhe ish-i dërguar i OKB-së për Lindjen e Mesme, që do të jetë përfaqësuesi i bordit në terren në Gaza.

Madje Mladenov do të mbikëqyrë një komitet të veçantë teknokratësh palestinezë me 15 anëtarë, Komitetin Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG), i ngarkuar me menaxhimin e qeverisjes së përditshme të Gazës pas luftës, i cili do të drejtohet nga Ali Shaath, ish-zv.ministër në Autoritetin Palestinez, i cili qeveris pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar që nuk janë nën kontrollin izraelit.

Duke parë në bord të tillë të përbërë nga figura tepër të rëndësishme botërore, mes të cilëve dhe kreu i diplomacisë amerikane Rubio dhe mbi të gjitha të kryesuar nga vetë presidenti amerikan, thirrja e kryeministrit Edi Rama personalisht nga ana e presidentit Donald Trump për të qënë pjesë e kësaj ‘qeverie kalimtare’ për Gazën të kryesuar prej tij, është një vlerësim jo vetëm për vetë Ramën, por mbi të gjitha për Shqipërinë, si një partner serioz në rajonin e Ballkanit e më gjërë dhe si një pikë kontakti dhe qendër e të gjithë rajonit tonë!

Me këtë thirrje në kabinetin “Trump’ për Gazën të Edi Ramës, besojmë se do të marrin fund dhe ‘telenovelat’ shqiptare me ‘zbarkim aleatësh’ në Surrel për të marrë kryeministrin shqiptar dhe dërguar për gjykim në SHBA, apo teoritë e tjera konspirative të këtyre ‘baba Vangave’ shqiptare, që sa herë dalin nëpër panelet televizive bëjnë ndonjë ‘zbulim’ të madh, duke u shprehur të sigurtë për të, dhe duke paralajmëruar për gjithçka, madje duke thënë se është çështje ditësh!

Presidenti amerikan Donald Trump nuk thërret në bordin  ekzekutiv të kryesuar prej vetë atij,  për të qeverisur Gazën, për momentin ‘basti’ më i madh i tij në rrugën drejt çmimit “Nobel për Paqen”, kryeministrin e një narkoshteti sikurse cilëson Berisha dhe kundërshtarët politikë në Shqipëri, shtuar dhe këta çerrat e vegjël që duan të shiten sikur bëjnë politikë, Edi Ramën! Ka kaluar nëpër shumë ‘filtra’ përzgjedhja e tij, deri në momentin e ftesës personale për të qënë pjesë e bordit për qeverisjen e Gazës. Pra në ‘kabinetin ‘Trump’ për qeverisjen e Gazës! Pikërisht nëpë ato ‘filtra’ që kaluan dhe Berishën, me të vetmin ndryshim që Berishën e shpallën dhe akoma po e lënë ‘non grata’! Ka ‘mëkatë’ të mëdha Berisha, sidomos në raport me amerikanët!

Dhe më i ‘zhgënjyeri’ nga Trump ka mbetur vetë Berisha me sa duket. I cili ndonëse pagoi 6 milionë dollarë për të hequr ‘non gratën’, deri më tani ka rezultuar para e shkuar dëm! Madje nuk mori asnjë vizë punë në shtetin e Nju Jorkut apo ndonjë vizë turistike! Pa përjashtuar 1.7 milionë dollarët e dhëna po nga Berisha për LaCivitën, vetëm për të bërë dy tre deklarata të vobekta dhe dy tre dale të tjera televizive duke shtrënguar duart me Berishën apo duke iu përgjigjur batutave të Ramës gjatë fushatës, batuta me “Latifë’ këto!

Jo vetëm që janë para të shkuara dëm por i janë kthyer dhe në bumerang Berishës këto para të derdhura për lobim në SHBA. Këto miliona dollarë të paguara për lobime në Amerikë kanë nisur të hetohen! Si nga SPAK në Shqipëri ashtu dhe nga FBI në SHBA! Pasi elektricisti tropojan, jo vetëm që nuk paguan dot 6 milionë dollarë, as në ëndërr nuk i ka parë kaq para, por nuk ka as bord e anëtarë bordi! Këtë e thotë dhe fatura e bërë publike, që tregon se 750 mijë dollarët e këstit të radhës të lobimit 6 milionë dollarësh janë paguar nga vetë PD. Me faturë, me firmë dhe vulë! Ndonëse nuk janë deklaruar as në KQZ si shpenzime, por kjo është histori më vete! Besojmë se SPAK do të hetojë dhe këto fatura apo të presë letërporosinë nga SHBA!

18:45 ‘Kryengritja e zgjatur paqësore’ e Berishës, që zgjat më pak se 2 orë…

By: EL
17 January 2026 at 18:45

Eduard Zaloshnja

Kreu i PD, Sali Berisha, foli sot për protestën e rradhës së opozitës më 24 Janar. Gjatë bashkëbisedimit me ndjekësit në rrjetet sociale, Berisha tha se opozita nuk synon të marrë pushtet me dhunë. Ai shtoi se beson tek një kryengritje paqësore dhe të zgjatur, prej së cilës mund të ndryshohet pushteti, sipas tij.

Por proesta të ngjashme të PD-së deri më sot kanë treguar se protestuesit vijnë me furgona në Tiranë nga qytete të ndryshme dhe në më pak se 2 orë shpërndahen andej nga kanë ardhur, pasi kanë dëgjuar fjalimet e zakonshme të Berishës & co.

Po çfarë na tregon historia botërore për protestat paqësore të suksesshme?

Në vitin 1986, miliona filipinas dolën në rrugët e Manilës, duke protestuar në mënyrë paqësore (në atë që u quajt “Lëvizja e Pushtetit të Popullit”). Dhe në ditën e katërt të protestave paqësore të vazhdueshme, regjimi i Markosit u rrëzua…

Në vitin 2003, qindra mijra gjeorgjianë rrëzuan Shevardnadzen me revolucionin e tyre “të trëndafilave”, gjatë të cilit protestuesit pushtuan parlamentin me lule në duar.

Para disa vitesh, presidentët e Sudanit dhe Algjerisë deklaruan dorëheqjen e tyre, falë protestave të përditshme paqësore qindra-mijëshe.

Në secilin rast, fushatat e përditshme të qindra mijrave qytetarëve arritën të rrëzojnë elitat politike, dhe të sjellin ndryshime të rëndësishme.

Ka shumë arsye etike e morale për të zgjedhur strategjinë paqësore për ndryshim. Dhe rezultat e një studimi shkencor të Profesores Erica Chenoweth, të Universitetit të Harvardit, tregojnë se protestat jo të dhunëshme s’janë vetëm një zgjedhje e mirë morale, por edhe shumë më efikase për ndryshimin e gjendjes politike.

Duke analizuar qindra lëvizje (si të dhunshme, edhe paqësore), qysh nga viti 1900 e deri në ditët tona, Profesorja Chenoweth arriti në përfundimin se lëvizjet paqësore kanë gjasa dyfish më të mëdha të jenë të suksesshme, krahasuar me ato të dhunshme. E megjithëse dinamikat e çdo lëvizje varen nga shumë faktorë, ajo ka gjetur se pjesëmarrja aktive në lëvizjen paqësore e të paktën 3.5% të popullsisë garanton suksesin e saj.

Kur filloi studimin e saj mbi këtë temë, Profesorja Chenoweth nuk besonte se lëvizjet paqësore mund të ishin më të fuqishme se ato të dhunshme. Gjatë punës për mbrojtjen e doktoraturës në Universitetin e Kolorados, ajo kishte studiuar për vite faktorët që kontribuonin në lindjen e terrorizmit dhe të lëvizjeve të dhunshme. Por në një konferencë shkencore në Uashington, ajo u ngacmua nga disa kumtesa mbi lëvizjet paqësore.

E ndihmuar nga studiuesja Maria Stephan, ajo mblodhi të dhëna dhe studime për qindra lëvizje që kishin synuar ndryshime politike në vende nga më të ndryshme të botës (Në analizën e saj të gjerë, ajo përjashtoi rastet kur ndryshimet politike kishin ardhur si rezultat i ndërhyrjeve direkte ushtarake të huaja). Profesorja Chenoweth i klasifikoi të dhunshme lëvizjet, kur ishin përdorur bomba, kur kishin ndodhur dëmtime të infrastrukturës etj., ose thjesht, kur ishin shkaktuar dëme materiale ose lëndime njerzore.

Në përfundim, ajo gjeti se probabiliteti i suksesit të një lëvizje paqësore ishte 93%. Ndërsa probabiliteti i suksesit të një lëvizje të dhunshme ishte sa gjysma – vetëm 46%.

Kufiri 3.5%, kyçi i suksesit

Siç duket qartë nga probabilitetet e mësipërme, jo të gjitha lëvizjet paqësore janë të suksesshme. Sipas Profesores Chenoweth, numri i pjesëmërrsve në lëvizjen paqësore është një faktor kritik për suksesin. Në qoftë se të paktën 3.5% e popullsisë, konkludoi ajo, merr pjesë aktive në lëvizjen paqësore, suksesi është i pashmangshëm.

Studimi i Profesores Chenoweth tregon se asnjë lëvizje paqësore nuk ka dështuar, kur e ka arritur këtë kufi.

SHËNIM I RËNDËSISHËM: 3.5% E POPULLSISË NË SHQIPËRI ËSHTË RRETH 82 MIJË BANORË./et

07:15 Për Gjergjin, që vdiq në shtratin e tij pa e prerë shpata e armikut

By: Leonard
17 January 2026 at 07:15

558 vjetori i vdekjes së Heroit

Nga Leonard Veizi

A ka një paralelizëm të heroit tonë kombëtar me gjeneralë të tjerë të mëdhenj në kohë si Aleksandri i Madh apo Cezari?

Aleksandri dhe Cezari ishin pushtues. Dhe lavdia e tyre u ngrit mbi skllavërimin e popujve të tjerë. Gjergj Kastrioti e braktisi detyrën e ushtarakut që zaptonte toka për interes të sulltanit osman dhe u kthye në një oficer mbrojtës të vendit të tij.

Në 25 vite të luftës e qëndresës, në krye të arbërorëve ai i bëri ballë ushtrisë më të madhe të kohës, si në rrethimin e kalasë ashtu dhe tek betejat në fushë të hapur.

Asnjë humbje.

Bilanci i Gjergj Kastriotit, të paktën moralisht e bën luftën e tij shumë më të lavdishme se fushatat pushtuese të Cezarit dhe Pompeit. Sepse ata ishin në krye të ushtrisë më të madhe të kohës, asaj të Romës. Gjergj Kastrioti, – apo Skënderbeu, – 1500 vite më pas, kishte një ushtri gati-gati modeste. Dhe ushtria më e madhe e kohës ishte matanë, përtej Bosforit, që terrorizonte Evropën e lodhur e të përçarë.

Por Gjergji ishte aq strateg, sa dhe sulltan Mehmeti, i biri i Muratit, i cili në 54 ditë luftime mori Kostandinopojën si kryeqendër të Bizantit, kalasë së Krujës, dhe vetë beut Skënder, – siç e kishte titulluar babai i tij, – i mori veç opingat.

Por Gjergj Kastrioti nuk ishte vetëm një strateg ushtarak, ai ishte po aq i madh dhe në politikën e diplomacinë e tij. I mbiquajtur Iskënder sipas osmanëve, për nder të Aleksandrit të Madh, me një diplomaci fine, – dhe pse në dorë mbante një shpatë të rëndë, – u tregoi shqiptarëve se porta që na lidhte me botën e madhe nuk kalonte aspak nga Dardanelet, por pikërisht mespërmes Adriatikut.

Ai njihet si Skënderi, por në fakt ishte veç Gjergji. Edhe pse emri i Aleksandrit i jepte kurorën e më të mirit ndër gjeneralët botërorë.

Sot e gjithë ditën ne mburrmi se dje ka qenë “Epoka e Skënderbeut”. Me portretin dhe stemat e tij kemi zbukuruar pasaportat dhe disa kartëmonedha me vlerë të madhe lekësh. Ndërsa çdo 28 nëntor, gjithkush që e quan veten shqiptar, ngre në dritaren e shtëpisë së tij gjithashtu një flamur të kuq me një shqiponjë të zezë, që ishte flamuri i principatës së Kastriotëve.

Ne i kemi përvetësuar gjithçka Gjergjit, shpatën dhe përkrenaren, madje dhe sentencën e famshme: Lirinë nuk ua solla unë, atë e gjeta mes jush.

Në 25 vitet e tij në krye të arbërorëve, Gjergj Kastrioti dhe ushtria e tij zhvilloi 24 beteja, ndër të cilat tre kishin të bënin me rrethimin e kalasë së Krujës ndërsa një ekspeditë u zhvillua kundër francezëve në Itali, për shkak të aleancave. Në të gjitha rastet numri i ushtarëve të Gjergj Kastriotit ka qenë më i vogël se i armiqve të tij. Në të gjitha rastet ai ka arritur t’ia dalë me sukses. Kjo padyshim e rrit lavdinë e fitores dhe vetë prestigjin e tij si strateg.

Ai e fitoi edhe betejën për marrjen e Beratit, pavarësisht se ushtria shqiptare më pas u thye nga trupat osmane, por jo në drejtimin e tij të drejtpërdrejtë.

Në bilancin e tij Gjergj Kastrioti njeh vetëm fitore.

Kjo bëri që Evropa skeptike, që merresh me thashetheme e kulisa t’futmesh nëpër korridoret e pallateve mbretërore, se s’kish më bythë të ngrinte shpatën, e po e shihte si shpresë shpëtimi princin arban, nisi t’i hapte dyert dhe të mblidhte për të ndonjë qindarkë ndihme.

Padyshim është një gjeneral i rrallë. Dhe jo më kot disa anketa e rendisin atë të katërtin për nga rëndësia botërore, pas Aleksandrit të Madh, Jul Cezarit e Napolon Bonapartit.

Dhe këtu nuk flasim për Atilën që luftonte “kaçakshe” me një lukuni hunësh që kërkonin veç të grabisnin e të përdhunonin. Këtu flitet për një strateg. Skënderbeu, me një trupë të vogël kalorësish shpartalloi ushtrinë e dinastisë Anzhuine që ishin armiqtë e Ferdinandit të Napolit, i cili ishte një nga mbështetësit e tij kryesor.

Askush nuk e dinte se si do të shkonte fati i Kryqëzatës ku ai ishte emëruar kryekomandant nga Papa Piu II. Por me siguri, në kulmin e lavdisë së tij, me një ushtri të armatosur nga e gjithë Evropa, Gjergj Kastrioti do t’i kishte çuar selxhukët andej nga kishin ardhur, në kufi me mongolët e Xhingis Khanit dhe sot nuk do kishim Stambollin, por Kostandinopojën.

Në përpjekjen e tij madhore për t’u bërë Udhëheqësi i Kryqëzatës kundër otomanëve, ai u përpoq ta anashkalonte pavarësinë e princërve të tjerë shqiptarë dhe ta kthente vendin të qeverisur nga një mbret. Në të njëjtën kohë duhej të përballonte furinë më të madhe të kohës, atë të jeniçerëve dhe azapëve aziatikë. Dhe kjo në fakt ishte sfida e tij.

Personaliteti i Skënderbeut si burrë shteti, strateg e mjeshtër i artit ushtarak dallonte me krerët evropianë të kohës, sepse ndryshe nga veprimtaria ushtarake e tyre që bazohej mbi trupat mercenare, ai u mbështet mbi një ushtri të formuar kryesisht nga vullnetarë që mbi të gjitha kishin një shpirt vetëmohimi.

Bëmat e Skënderbeut janë të përshkruara në mbi 1000 vepra historike dhe letrare në 21 gjuhë të ndryshme. Ai u kthye për shumë artistë në një hero vizual. Portreti i tij është kthyer në gjithfarë pikturash e gravurash. Një kompozitor si Vivaldi kompozoi një opera nën titullin “Skënderbeu”. Dhjetëra shkrimtarë ngritën letërsinë e tyre me fabulën e heroit arbëror që mundi sulltanin. E kështu me radhë.

Emri “Skënderbeg” sot gjendet nëpër sheshe e rrugë të Evropës si dhe në Amerikë. Fama e tij shkon përtej Evropës, për të cilën ai nxori gjoksin që ta mbronte. Jo më kot sllavët duan ta nxjerrin me origjinë serbe e grekët me origjinë helene. Ndërsa ai vetë thoshte se ishte pasardhës i Piros së Epirit dhe në kokë mbante simbolin e dhisë së mbretit epiriot.

Eh ç’na ka gjetur me këta fqinjët që kërkojnë të na e përvetësojnë çdo gjë të mirë që kemi nxjerrë dhe të na faturojnë vetëm të këqijat.

Sepse ata nuk e prodhuan dot kurrë një hero kundër hordhive osmane. Ndërsa shqiptarët nxorën një duzinë të tillë që nis me Gjergj Arianitin për të arritur të Pashai i Tepelenës, e ndoshta për ta mbyllur në fund me një luftëtar si Çerçiz Topulli. Dhe ishim mjaftueshëm për të bërë historinë aq sa u dhamë dhe grekëve një tufë burrash që të bënin shtetin e tyre.

Gjergj Kastrioti nuk ka qenë vetëm një hero i shqiptarëve, por një princ i niveleve evropiane, burrë shteti, luftëtar, diplomat, e largpamës. Rrënjët e pavarësisë së Shqipërisë, e cila u shpall vetëm 500 vite më pas, si akt juridik ndërkombëtar qëndrojnë tek trashëgimia e Gjergj Kastriotit.

Skënderbeu, vdiq në shtatin e tij. Nuk i hyri në trup asnjë shigjetë armike dhe as nuk e preu dot shpata e tyre edhe pse udhëhoqi i pari në çdo betejë. Ai ndoshta s’donte të krenohej dot me një fakt të tillë, por ne kemi të drejtë të krenohemi për të.

Tanimë pasi 558 vitesh ne përkujtojmë 17 janarin e vitit 1468, ditë kur një prej gjeneralëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, do të mbyllte sytë.

Before yesterdayMain stream

16:44 Paaftësia si pushtet dhe kancer që vret shoqërinë

By: EL
16 January 2026 at 16:44

Last Updated on 16/01/2026 by EL

Nga Fejzo Subashi

Ekziston një shtresë , e cila për fat të keq nuk është e vogël, në shoqërinë tonë që nuk prodhon vlerë, nuk krijon dije, nuk ndërton institucione, por ka një “aftësi” të jashtëzakonshme: aftësinë për të shkatërruar të aftin.
Kjo shtresë është kanceri i shoqërisë sonë, i cili jo pak nga pak por me shpejtësinë e dritës po shkatërron Vendin.
I paafti nuk ngjitet sepse është i zoti. Ai ngjitet sepse di të kapë postin, të neutralizojë profesionistin, të zhdukë akademikun dhe të zëvendësojë cilësinë me mediokritet. Ai nuk konkurron, ai eliminon. Ai nuk përballet, ai intrigon. Ai nuk ndërton, ai uzurpon.
Kjo shtresë ka një instinkt të frikshëm: kap çdo karrige, çdo zyrë, çdo institucion, dhe aty ku hyn, gjëja e parë që bën është, jo vetëm që të respektoj dhe të pyes, por të largojë të aftin. Sepse i afti është rrezik. Dija është kërcënim. Profesionalizmi është armik.
Kështu, i paafti jo vetëm që i zë vendin profesionistit, por ia shkatërron edhe dinjitetin. E ul, e përbalt, e diskrediton, derisa ta detyrojë të largohet vetë. Dhe kjo është vrasja më e pastër morale që mund t’i bëhet një shoqërie.
Sot kjo shtresë nuk është më në hije. Është në kryesisht në krye të institucioneve shtetërore, pse jo dhe private. I paafti drejton sektorë që nuk i kupton, merr vendime për fusha ku nuk ka as formim, as përvojë, as përgjegjësi. I paafti sot i jep mend akademikut, i shpjegon ligjin juristit dhe ekonominë ekonomistit.
Dikur nuk e kuptoja paralajmërimin e profesorëve të mi:
“Mos ki frikë nga ai që di më shumë se ti; ki frikë nga ai që nuk di asgjë, por ka pushtet mbi ty.”
Sot kjo nuk është më këshillë, por është një realitet brutal.
Paaftësia sot nuk është thjesht e toleruar. Ajo është shpërblyer, promovuar dhe mbrojtur. Dhe më tragjikja: po i besohet pushtet edhe nga ata që duhet të jenë mbrojtës të ligjit, të interesit publik dhe të demokracisë. Kur ligjvënia dhe përfaqësimi bien në duart e mediokritetit, atëherë shteti shndërrohet në karikaturë.
Sot janë zhvlerësuar dija, formimi, përkushtimi dhe puna. Sot të vjen turp të kesh titull akademik, sikur të kesh mësuar të ishte faj. Ndërsa injoranca shitet si “zgjuarsi”, servilizmi si “aftësi” dhe paaftësia si “menaxhim”.
Unë nuk ndihem keq pse nuk jam i pasur. Nuk ndihem keq pse nuk kam poste apo privilegje. Ndihem keq sepse kam sakrifikuar për të mësuar, për t’u formuar, për të qenë profesionist dhe sot kjo duket si gabim në një shoqëri që e ndëshkon dijen dhe e shpërblen mosdijen.
Por problemi nuk jam unë. As mijëra të tjerë si unë.
Problemi është vendi.
Një vend që prej më shumë se tridhjetë vitesh jo vetëm që nuk ecën përpara, por po shkon pas. Një vend ku cilësia në drejtim, art, administrim dhe mendim publik ka rënë në nivele alarmante. Një vend ku sot është e vështirë të krahasosh drejtuesit aktualë jo me idealen, por thjesht me ata të djeshëm.
Kur paaftësia sundon, shoqëria nuk stagnon ajo kalbet.
Dhe kur kanceri bëhet sistem, shpresa bëhet viktima e radhës.
Tiranë më 16.01.2026.

14:34 Arratisjet që testuan sistemet penitenciare të Europës

By: EL
16 January 2026 at 14:34

Last Updated on 16/01/2026 by EL

Siguria e institucioneve penitenciare dhe korrektuese mbetet një nga sfidat më të mëdha për shtetet europiane. Pavarësisht mureve të larta, kamerave dhe stafit të trajnuar, viti 2023 tregoi se sistemet e burgjeve nuk janë të paprekshme. Një numër i konsiderueshëm të burgosurish arriti të largoheshin, shpesh gjatë transferimeve, lejeve apo edhe nga burgjet me siguri të lartë, duke nxitur pyetje mbi funksionimin, organizimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve penitenciare.

Në Francë, shifrat ishin më të larta se kudo tjetër: 1,201 të burgosur u arratisën gjatë vitit. Shumë raste ndodhën gjatë lejeve dhe transferimeve, duke treguar se edhe procedurat që supozohet të jenë të sigurta mund të kenë dobësi.

Në veri të kontinentit, Zvicra regjistroi 371 raste arratisjesh, Suedia 156 dhe Austria 150. Edhe këto shifra, ndonëse më të ulëta se në Francë, tregojnë se as sistemet më të disiplinuara nuk janë imunë ndaj sfidave. Në vendet nordike dhe në Zvicër, ku teknologjia dhe standardet e mbikëqyrjes janë më të avancuara, mungesa e stafit dhe presioni mbi burimet njerëzore shpesh krijojnë vrima në sistem.

Në Europën Jugore, Italia dhe Spanja u përballën me probleme të ngjashme. Italia regjistroi 102 arratisje, ndërsa Spanja 68, shumica nga administrata shtetërore. Burgjet në këto vende përballen me mbipopullim, staf të rraskapitur dhe mungesë investimesh në infrastrukturë, duke e bërë më të lehtë për disa të burgosur të gjejnë rrugë daljeje.

Edhe vendet më të vogla të Europës nuk mbetën jashtë fenomenit. Luksemburgu raportoi 29 arratisje, Danimarka 28, Belgjika 22 dhe Norvegjia 19. Këto shifra tregojnë se sfida e sigurimit të burgjeve nuk lidhet vetëm me madhësinë ose fuqinë ekonomike të një vendi, por edhe me organizimin e brendshëm dhe kulturën e menaxhimit të burgjeve.

Në Ballkan, arratisjet ishin më të pakta në numër, por jo më pak të ndjeshme. Maqedonia e Veriut regjistroi 33 raste, Bosnje dhe Hercegovina 11, dhe Serbia, Greqia dhe Kroacia nga 3 secila.

Vendet si Portugalia (9 raste), Irlanda dhe Rumania (nga 6 secila), Sllovenia (5), si dhe Letonia, Armenia dhe Moldavia (nga një ose dy raste) tregojnë se fenomeni është i përhapur në të gjithë kontinentin. Praktikisht askush nuk ishte i përjashtuar.

Rreziku për shoqërinë
Një aspekt që shqetëson autoritetet dhe qytetarët është se shumë nga të burgosurit që arratisen kanë precedentë penal. Shumë janë dënuar për vepra të rënda, përfshirë vjedhje të dhunshme, sulme, trafik droge apo krime të tjera që lidhen me sigurinë publike. Kjo e bën fenomenin më shqetësues: të arratisurit nuk janë vetëm të lirë, por edhe potencialisht të rrezikshëm. Ekspertët e sigurisë theksojnë se monitorimi i tyre pas arratisjes është i vështirë, dhe mungesa e koordinimit ndërkombëtar mund të lejojë që individët me precedentë të lëvizin shpejt mes shteteve, duke rritur rrezikun për komunitetin.

Arratisjet e vitit 2023 nuk janë thjesht statistika. Ato nxjerrin në pah dobësitë strukturore të sistemeve penitenciare dhe nevojën për reforma të qëndrueshme. Fenomeni reflekton presionin mbi stafin, mbipopullimin, procedurat e ndjekura gjatë transferimeve dhe lejeve, si dhe nevojën për koordinim më të madh ndërkombëtar.

Ekspertët e sigurisë dhe analistët e sistemit penal shohin në këto raste një mundësi për të rishikuar standardet dhe praktikat e mbikëqyrjes, duke përmirësuar infrastrukturën, rritur trajnimin e stafit dhe integruar teknologji që mund të parandalojnë arratisjet. Shqipëria për fatin e saj të mirë nuk pati asnjë arratisje përgjatë 2023, por fillim i këtij vitit shijoi arratisjen më të bujshme, atë të Altin Ndocajt./Fjala.al

10:00 Jan Palah, pishtari i lirisë së Pragës

By: Leonard
16 January 2026 at 10:00

Në 16 janar të vitit 1969, studenti Jan Palah, u vetdoq si porm proteste ndaj pushtimit të Çekosllovakisë nga trupat e Traktatit të Varshavës

Nga Leonard Veizi

Në janar të vitit 1969, qytetarët e traumatizuar të Pragës nën çizmen e ushtarit sovjetik, nuk ndoqën indiferentë “spektaklin” ku një njeri digjej në mes të qytetit. Ata u solidarizuan njëherazi me një ndërgjegje që refuzoi të heshtë. Akti i Jan Palahut, student çek i historisë dhe ekonomisë politike në Universitetin “Karl”, nuk ishte vetëm një vetëflijim tragjik; ishte një akt akuzë i drejtpërdrejtë ndaj frikës kolektive, kompromisit moral dhe nënshtrimit që ndjek pushtimin. Në sheshin “Vaclav”, në zemër të qytetit, ai zgjodhi ta kthente trupin e tij në pishtar, për t’i kujtuar shoqërisë se liria nuk humbet vetëm kur shtypet me tanke, por edhe nëse braktiset në heshtje.

Pushtimi

Në vitin 1968, Çekosllovakia u përpoq të merrte frymë ndryshe. Pranvera e Pragës nuk ishte një rebelim kundër socializmit, por një përpjekje për ta shpëtuar atë nga dogma, për t’i kthyer njeriut dinjitetin e munguar. Aleksandër Dubçek artikuloi idenë e një “socializmi me fytyrë njerëzore”, ku fjala e lirë, mendimi kritik dhe reforma nuk do të konsideroheshin tradhti.

Por për Bashkimin Sovjetik dhe udhëheqjen e Traktatit të Varshavës, ky ishte një precedent i rrezikshëm. Liria, edhe kur kërkohet me kujdes, është ngjitëse. Prandaj, në gusht të vitit 1968, të paktën 6,300 tanke dhe rreth 500,000 trupa të Paktit të Varshavës nga Bashkimi Sovjetik, Polonia, Hungaria, Bullgaria dhe Gjermania Lindore, hynë në Pragë për të shuar jo vetëm reformat, por vetë idenë se një vend i kampit lindor mund të zgjidhte rrugën e tij. Pushtimi riktheu censurën, frikën dhe bindjen e detyruar. Por mbi të gjitha, riktheu një heshtje të rëndë morale.

Vetëflijimi

Pas pushtimit, shoqëria çeke nuk u mposht menjëherë. Popullsia reagoi me protesta paqësore, ndaluan tanket me barikada trupore dhe valëvitën flamujt Çekosllovakë si shenjë sfide. Por ajo u lodh. Rezistenca u zbeh, kompromisi u normalizua dhe frika u racionalizua. Pikërisht këtu fillon drama e vërtetë morale që prodhoi aktin e Jan Palahut. Më 16 janar 1969, ai shkoi në sheshin “Vaclav”, u lag me benzinë dhe i vuri flakën vetes. Ishte ora 14:25 kur ai nisi të vraponte nëpër shesh derisa u përplas me një tramvaj. Nuk ishte një impuls i çastit, por një vendim i menduar. Në letrat që la pas, ai e quante veten “Pishta i Parë” dhe paralajmëronte se flijimi do të vazhdonte nëse shoqëria nuk zgjohej. Kërkesat e tij ishin të qarta: fund censurës, fund propagandës së pushtuesit.

Ky ishte thelbi i aktit të tij: të tregonte se kur shoqëria hesht, individi mund të bëhet zëri i saj – edhe me çmimin e jetës. Jan Palah nuk donte të vdiste; ai donte të trondiste. Dhe ia doli.

Vdekja e tij, disa ditë më vonë, e ktheu funeralin në një protestë masive të heshtur. Një qytet i tërë ecte pas arkivolit të një studenti, sepse kishte kuptuar se ai kishte bërë atë që shumë të tjerë nuk kishin guxuar as ta mendonin.

Vazhdimësia

Vetëm një muaj më vonë, më 25 shkurt 1969, një tjetër student çek, Jan Zajic, zgjodhi të njëjtin vend dhe të njëjtën formë vetëflijimi, duke e kthyer aktin e Palahut në një thirrje që nuk mund të injorohej më. Në prill të po atij viti, ky zinxhir tragjik vazhdoi me Evzhen Ploçekun në qytetin Jihlava, ndërsa raste të tjera pasuan në heshtje, larg syrit të medias së kontrolluar.

Shembulli i Palahut kapërceu kufijtë e Çekosllovakisë. Në vende të tjera të Traktatit të Varshavës, individë të izoluar, por të vendosur, imituan këtë akt ekstrem si formë proteste morale. Në Hungari, Shandor Bauer u vetëdogj më 20 janar 1969, ndërsa Marton Mojshesh e ndoqi këtë rrugë tragjike më 13 shkurt 1970.

Këta emra, të shpërndarë në hapësirë dhe kohë, dëshmojnë se flaka e një individi mund të përhapet si ide, si refuzim i bindjes së verbër dhe si akt i fundit i lirisë njerëzore.

Në Shqipëri

Në Shqipërinë e asaj kohe, nën diktaturën e Enver Hoxhës, pushtimi i Çekosllovakisë u përdor politikisht për të denoncuar “revizionizmin sovjetik”. Gjithësesi, Shqipëria ishte e vetmja anëtare e Traktatit të Varshavës që e dënoi hapur ndërhyrjen, duke e quajtur një akt agresioni imperialist dhe tradhti ndaj parimeve të socializmit.  Si pasojë, më 5 shtator 1968, Tirana shpalli daljen zyrtare nga Pakti i Varshavës, duke argumentuar se ai ishte shndërruar nga një aleancë mbrojtëse në një instrument shtypjeje.

Epilogu

Tanket e Traktatit të Varshavës qëndruan në Çekosllovaki deri në fund të viteve ’80. Por Jan Palah qëndroi më gjatë se ato – në kujtesën morale të Evropës. Në vitin 1989, gjatë Revolucionit të Kadifenjtë, emri i tij u rikthye si një akuzë e heshtur ndaj çdo pushteti që beson se mund ta shtypë lirinë pa pasoja.

Tanimë historia e Palahut nuk është vetëm një kujtim tragjik. Është një pyetje që mbetet pezull mbi çdo shoqëri të frikësuar: çfarë ndodh kur askush nuk flet dhe kush është gati ta thotë fjalën e fundit, duke sakrifikuar jetën e tij?

14:57 SHBA nuk na ndëshkon, na tregon kush jemi

By: EL
15 January 2026 at 14:57

Last Updated on 15/01/2026 by EL

Nga Fejzo Subashi.
Ne jemi një shoqëri e edukuar pa kulturë, një komb që ëndërron më shumë sesa punon, që kërkon të marrë më shumë sesa jep, që i mëshon pa limit të drejtës së tij, duke harruar për të drejtat e liritë e tjetërit dhe shoqërisë. Pra, ne nuk jemi të varfër në edukatë. Jemi të varfër në kulturë qytetare. Dhe kjo varfëri nuk shërohet me ëndrra, por me përgjegjësi, e cila duhet të jetë si qytetare dhe si shoqëri. Nuk ndërtohet jeta duke kthyer sytë nga qielli. Nuk ndërtohet as kombi, as dinjiteti, as e ardhmja, duke pritur vetëm nga shteti, vetëm se je shtetas. Nuk bëhesh amerikan apo europian as me asistencë, as me hile, as me punë të pista e të paligjshme. Me këtë mendësi nuk je thjesht barrë për vendin ku ke status emigranti; je problem edhe për kombin tënd, për bashkatdhetarët e tu dhe për brezat që vijnë pas teje.
Ndoshta nuk do t’u vijë mirë shumëkujt, por vendimi i SHBA-së për pezullimin e vizave është i drejtë, i vonuar dhe i domosdoshëm. Dhe po, ky vendim do të ndiqet edhe nga vende të tjera europiane, sepse problemi nuk është Amerika apo Europa , se problemi jemi ne.
Ne jemi një shoqëri që krenohet me “edukatën”, por ka mungesë serioze të kulturës së përgjithshme. Dhe këtu është nyja. Edukata është vetëm një element i kulturës, jo vetë kultura. Mund të flasësh bukur, të përshëndesësh me mirësjellje, të ulesh drejt në karrige dhe prapë të mos kesh kulturë qytetare, ligjore, pune, përgjegjësie dhe bashkëjetese.
Ne jemi ëndërrimtarë të mëdhenj. Ëndrrat tona shpesh i kalojnë hapësirat, mundësitë dhe kapacitetet reale që kemi. Nuk ka asgjë të keqe të ëndërrosh, por e keqe është të mos pranosh kufijtë e realitetit dhe të refuzosh rrugën e gjatë të punës, disiplinës dhe sakrificës. Ne duam rezultatin, jo procesin. Duam suksesin, jo mundimin. Duam statusin, jo përgjegjësinë.
Më shpesh kopjojmë sesa ndërtojmë. Kopjojmë modele që nuk i kuptojmë, stile jete që nuk i përballojmë dhe role që nuk i kemi fituar. Në vend që të zgjedhim mundësinë reale për të arritur të tjerët, zgjedhim shkurtoren, mashtrimin, justifikimin. Dhe kur dështojmë, sepse kjo ndodh shpesh, përgjegjësinë nuk e kërkojmë te vetja, por gjithmonë diku tjetër: te shteti, te qeveria, te Amerika, te Europa, te fati, te “të këqinjtë”. Po, po, qeveritë dhe klasa politike kanë faj dhe përgjegjësi të madhe. Por është hipokrizi e pastër të flasim vetëm për ta, ndërkohë që si individë sillemi njësoj: kërkojmë përfitim pa meritë, rregulla pa respektuar rregullat dhe të drejta pa pranuar detyrime. Ne e mbajmë veten për patriotë, por patriotizmin e kemi reduktuar në postime në Facebook, flamuj virtualë dhe fjalë të mëdha boshe. Në praktikë, shumë prej nesh e dëmtojnë imazhin e Shqipërisë çdo ditë. Vendimi i pezullimit të vizave nga SHBA, nuk është ndëshkim ndaj shqiptarëve, apo Shqipërisë, por është një pasqyr ku duhet të shikohet secili nga ne. Dhe ajo pasqyrë nuk na pëlqen, se na tregon ashtu si jemi, si dukemi në realitet dhe nuk na tregon ashtu si duam. Derisa të mësojmë se nuk ka integrim pa disiplinë, nuk ka liri pa përgjegjësi dhe nuk ka dinjitet pa punë, çdo derë e mbyllur do ta quajmë padrejtësi. Në të vërtetë, ajo është pasqyra jonë. Dhe pasqyrat nuk kanë faj, ato vetëm tregojnë. Jemi gati ta thyejmë pasqyrën si fajtore që nuk na pëlqen shëmbëlltyra, e megjithëse ai është realiteti.
Çfarë integrimi është ai kur edhe pas dhjetëra vitesh jetese jashtë, e quan veten ende “emigrant”, jo qytetar? Çfarë integrimi është ai kur vjen në Shqipëri dhe sillesh si zot i vendit, apo ti je zeusi, ndërsa kur ikën mbush thasët me mish të thatë, gjizë, djathë, vaj, qepë e domate, sikur po largohesh nga një zonë lufte? A nuk ndjen turp kur këto thasë hapen nëpër doganat e Europës?
A është i padrejtë vendimi i SHBA-së, kur ende pa mbërritur atje, madje pa u nisur, bëhen premtime groteske, betime boshe dhe mburrje qesharake se “do marr gjithë fisin, me kuç e me maç”, sikur Amerika është pronë jote private? Dhe kur mbërrin atje, synimi nuk është integrimi, puna e ndershme dhe respekti për ligjin, por dollari i shpejtë dhe asistenca.
Më keq akoma, disa duan të bëhen brenda ditës “padronë”, “të fortë”, “të parët e qytetit”, duke u zhytur në punët më të pista të mundshme. Kjo sjellje ka minimizuar imazhin e Shqipërisë dhe ka zbehur punën, sakrificën dhe dinjitetin e atyre shqiptarëve që me meritë kanë bërë emër dhe na kanë bërë krenarë në botë.
Prandaj, pezullimi i vizave nuk është problem. Problemi është kultura jonë e përgjegjësisë. Derisa të mësojmë se nuk bëhesh qytetar i botës pa qenë më parë qytetar i vetes dhe i vendit tënd, çdo derë që mbyllet do të na duket padrejtësi. Në fakt, është thjesht pasojë. Dhe pasojat, herët a vonë, gjithmonë vijnë, don apo nuk dëshiron ti.
Tiranë më 15.01.2026.

11:07 Përmbytja me llumin e gënjeshtrave dhe e vërteta jetime

By: Klara
15 January 2026 at 11:07

Last Updated on 15/01/2026 by Klara

Nga Ilir Yzeiri

Në të gjitha tekstet e komunikimit pranohet se media, e cila qëndron në mes të publikut që e ndjek, pra e lexon ose e sheh, dhe ngjarjeve, në asnjë rast nuk tregon me saktësi atë që ndodh, sepse për të rrëfyer, fjala vjen, se çfarë ndodhi me përmbytjen në Shqipëri do të duhej të përshkruhej me detaje çdo episod në çdo cep të Shqipërisë ku ishte vënë re kjo dukuri. Pra, do të duheshin mijëra faqe, dhjetëra orë transmetim, e kështu me radhë. Ndaj, raportimet serioze, për të dhënë një panoramë sa më pranë së vërtetës mbështeten te të dhënat dhe te shifrat, pra tregojnë edhe atë që nuk duket ose atë që publiku nuk mund ta shohë. Alarmizmi, spektakolarizimi i së keqes janë më afër natyrës perverse të njeriut i cili, përgjithësisht, tërhiqet më shumë nga shfaqja e së keqes sesa nga neutraliteti i rutinës. Gjatë përmbytjeve që ndodhën kohët e fundit, raportimet dhe foltoret e habereve të darkës zienin nga turbullira që shkaktonte vlimi i urrejtjes kundër atyre që kishin vjedhur hidrovoret, që kishin mbyllur kanalet, shkurt, të krijohej përshtypja se vendi ishte pranë një apokalipsi.

Në fakt, dekore dhe skena të tilla, gati hollivudiane, me përmbytje e me shtëpi nën ujë, një bari me një dele në krah që e shpëton nga uji janë sugjestionuese dhe e çojnë efektin konotativ të imazhit në shkallën më të lartë. Dhe, ashtu, në delir, publikut i përcillet ideja se në përmbytjen e radhës askush nuk do të shpëtojë gjallë. Ndërkaq, inxhinierë të zotë, profesionistë që kanë punuar një jetë të tërë në projektime e në zbatime veprash të mëdha, ndodhen diku në një cep të autostradës së madhe të informacionit dhe ata, herë pas herë, reagojnë duke treguar me fakte një realitet tjetër. Për çudi, postimet e tyre nuk kapen nga algoritmi dhe nuk shumëfishohen sepse në ato informacione është e vëreta neutrale, ajo që nuk prodhon efekte negative që të ndezin turmën. Një ndër ta është edhe inxhinieri Bardhyl Bejo. Ja si shkruan ai për këtë rast :

« Nuk e di, por shpesh të kap pezmatim nga mënyra se si media e ndjek situatën e përmbytjes të këtyre ditëve. Një disfatizëm i pajustifikuar e tepër “djallëzor” sipas mendjes sime. Për më tepër, kur edhe të ashtuquajtur profesionistë e shumëfishojnë këtë gjendje. Dje dëgjova apo lexova një që e mbante veten për inxhinier, për çudi … gjeodet (nga ata që rilevojnë terrenin) që merte përsipër të “sqaronte” situatën teknike të … tunelit të “famshëm” të Llogarasë. Diku ka rrjedhur një curril uji dhe ai pretendonte të jepte një panoramë inxhinierike përfundimtare. Uji ka mbuluar sipërfaqen e jashtme të tunelit thotë ky “inxhinier”, shpëlan apo gërryen betonin dhe e DOBËSON atë, ku përveçse dëmtohet hekuri, krijohen hapësira prej nga futet uji brenda. Çfarë batakçi “profesionist”! Për dijeni, në raste shiu, jo vetëm tuneli por gjithëçka nën sipërfaqe “noton” në ujë. Pa dyshim edhe tuneli. Por, së pari, uji nuk e dëmton betonin. Përkundrazi e ndihmon jo vetëm të ruajë markën e projektuar, por edhe (me kohë) ta rrisë atë.

Së dyti, tuneli nuk është një strukturë që punon si një urë, ku dëmtimi i një seksioni influencon në krejt urën. Çdo metër tuneli, nga pikëpamja konstruktive, kryesisht, thuajse punon në mënyrë të pavarur. Pse ta zgjas?! Ta fiksojmë mirë. Tunelet, pas realizimit të tyre, aq më tepër kur si në rastin e Llogarasë ka filluar ndërtimi para 4 vitesh dhe është venë në funksionim një vit më parë sipas projektit, është një konstruksion ndërtimor i padëmtueshëm (kërkon detyrimisht mirëmbajtje e vëzhgim të kujdesshëm) dhe i sigurt, përveç në raste tërmeti me 10 e më tepër shkallë Rihter, katastrofë që mund të rrafshojë gjithçka, së pari reliefin malor ku ai është ndërtuar. Edhe një fjalë për përmbytjen e fushave. Tashmë është e qartë pse ndodhin përmbytjet e fushave, aq më tepër ato të zonës bregdetare. Le të shpresojmë se dëmtimet e këtij viti, si dhe të atyre që kanë ndodhur më parë, e kanë nxjerrë fare qartë mungesën “kriminale” të mirëmbajtjes të elementëve e veprave mbrojtëse. Por, nuk duhet që të na hutojë paniku. Dëmi i këtij viti nuk është i pallogaritshëm, katastrofik.

Përkundrazi në krahasim me ndërtimet dhe mirëmbajtjen “mizerabël” që kemi realizuar, dëmi është minimal, i përballueshëm. Nga 750 mijë ha tokë bujqësore, nga të cilat afro 250 mijë në zonën fushore e bregdetare, janë përmbytur rreth 13 apo14 mijë ha, dmth rreth 5 përqind e zonës fushore dhe 2 përqind e totalit. Le të shpresojmë se dëmi është i këtij rendi dhe moti do të përmirësohet.”, përfundon inxhinier Bardhyl Bejo. Çfarë të shtosh më shumë? Është e vërtetë se media nuk i raporton publikut, por e krijon atë, pra, me mënyrën si e zgjedh lajmin, si e tregon dhe çfarë kërkon të arrijë, ajo ndërton një publik që mendon ashtu si autori i lajmit. Kjo krijon atë pasqyrimin binar, pra dypalësh të realitetit, kur mediat janë nën trysninë politike. Në mes gjithnjë gjendet një informacion neutral. Por ai, në kushtet e rrjeteve sociale dhe në kohën kur agjenti digjital përcakton edhe dendësinë e përhapjes dhe pëlqimet për atë lajm, deformimi, e keqja si virtyt i viktimave imagjinare dhe përhapje e fake news-it janë më tërheqëse dhe qarkullojnë më me lehtësi. Ndaj edhe postimet e inxhinier Bardhyl Bejos nuk e tërheqin agjentin digjital dhe gazetarët që raportojnë për ditët e kiametit./K.M

19:42 Pse Berisha shpalli se s’do të lërë fëmijët pasardhës të PD?

By: EL
14 January 2026 at 19:42

Last Updated on 14/01/2026 by EL

Nga Ylli Pata

Debati apo diskutimi më shumë i teorisë së trashëgimisë familjare të drejtimit të PD nga Sali Berisha qarkullon prej kohësh.

Qarkullim, i cili nuk ka ardhur nga fantazi të tepruar apo të ekzagjeruar. Argita apo Shkëlzeni nuk kanë pasur ndonjëherë role drejtuese në PD, por influence e tyre ka qenë determinante. Qoftë në pushtet, qoftë në opozitë. Mohimi i këtij realiteti edhe nëse bëhet nuk besohet po merret si një etiketë hipokrite.

Pasi fakt është se influence e fëmijëve të Sali Berishësn ë pushtetin politik nuk ka qenë thjeshte lobim. Ka qenë një kapje reale e vendimarrjes apo kondicionim i saj, qoftë kur Berisha ishte Kryeministër qoftë më pas.

Dje, në një takim me simpatizantë të tij, Sali Berisha tha se nuk do ta trashëgojë drejtimin e Partisë Demokratike tek fëmijët e tij. Doktori e nxori këtë frazë nga goja, a thua se ishte një verdikt “sacro santo”. Një frazë natyrisht e përgatitur si spin për të marrë një feedback të rëndësishëm, a thua se kemi të bëjmë me zhvillim politik.

Ndërkohë që thjeshte përmendja e këtij fakti nga Berisha përbën një skandal politik të nivelit të lartë. Pasi, edhe pse është njeriu me pushtetin absolut në PD, doktori nuk ka asnjë të drejtë tradhëgimie të postit të tij, edhe pse në fuqinë absolute që ka, edhe mund të ja lejojë vetes.

Por ky ekzagjerim nuk do të bëjë gjë tjetë veçse të rrudhë besimin dhe simpatinë në radhët e elektoratit të “së djathtës” edhe kështu mjaft i vogël. i gjendur në një stanjacion statistikor ku shifra 70% e JO-së nuk luan prej disa vitesh tshmë, Sali Berisha bëri një lëvizje për të bërë “lajm”. Me shpresën që të ngjallë apo të ndezë një shkarpë në mjedisin kënetor të opozitës.

Në një logjikë normale, vetëm përmendja e një mundësie trahëgimie duhet të jetë blasfemi. Dhe jo më kot Sali Berisha nuk i ka dhënë rëndësi këtre zileve që bien prej kohësh.

Pasi, si një politikan me përvojë dhe inteligjent e di se kjo është një çështje “kurth”. Ku nëse bie, i krijon vetes problem jo të vogël që mund të mbetet si një gjyle e lidhur në këmbë për kohë të gjatë.

Por këtë herë Berisha e lëshoi këtë tollumbace, ngaqë gjylja në realitet i është lidhur në këmbë prej kohësh. Ekzaktësisht prej 21 majit 2021, kur qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e shpalli atë Non grata, së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij.

Në këtë situatë të rëndë, ku më rëndë se kaq nuk ka në realitet, batareja e mufkave nuk bën ërshtypje fare. Jo vetëm në auditoret abstrakte të teatrove foltorike, pore dhe në mjedisin publik mediatic shqiptar. Ku zërat më të kuotuara janë ata që parashikojnë kataklizmat e darkës, së bashku me paroditë e tokës së sheshtë dhe frustrimet gjeopolitike.

Nuk do të mungojë ka shumë gjasa, seritë e “analizave” që Berisha me mohimin e tragjëgimisë i ka çuar sinjal Amerikës, apo po bën gati pasardhësin e tij politik për inat të Saljanit. Por kjo është enigma e 2026 e ka shumë gjasa që të shtyhen panelet deri në pushimet e verës. Pastaj shohim e bëjmë./et

15:01 Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia ?

By: EL
14 January 2026 at 15:01

Last Updated on 14/01/2026 by EL

Nga ARTUR  AJAZI

Arrestiset sërish një autor vrasjesh. Arratiset sërish nga “pakujdesia e policisë” një killer, një njeri i akuzuar për një seri veprash penale. Dhe ku ? Nën hundën e policisë, brenda një spitali, dhe i paprangosur. I ardhur nga qelia pa pranga, duke ecur serbes krahas uniformave blu, sikur të ishte njeri i zakonshëm. Ndodhia vlen të hetohet thellësisht mbi rolin bazë të një zinxhiri njerëzish, duke e nisur nga polici më i thjeshtë, deri tek shefat e tij. Vitet e fundit, “ikje të tilla” (që nuk ndodhin kurrë nga pakujdesia por janë të qëllimshme) kanë ndodhur shpesh. Arrestiset X nga burgu, arrestiset Y nga spitali, arratiset një tjeter nga salla e gjyqit. Po mirë, po policia nuk gjendet pranë tij, nuk e kishte prangosur, nuk kishte marrë masa parapergatitore kur e shoqeron drejt gjykates, spitalit apo  dhe diku tjeter ? Natyrisht lidhja e segmenteve të caktuara të policisë me krimin, mbetet evidente sot në rradhët e Policisë Shtetit. Madje duke e nisur nga polici i thjeshtë e duke vazjtur deri tek shefa dhe drejtues policie. Ka ardhur koha të forcohet ligji, rregullorja, ka ardhur koha të ashpërsohet Kodi Penal, nenet ku flasin për dënimin e policëve dhe shefave të tyre të lidhur me krimin dhe trafikun e drogës. Ka ardhur koha kur, Kodi Penal, të ketë dënime deri 15 vjet për policin dhe shefin e tij, që janë molepsur në planin për arratisjen e një krimineli nga burgu, apo të lidhur me rrjetin e trafikut të drogës. Asnjë mëdyshje dhe asnjë lehtësim nuk duhet të ketë. Eshtë e tmerrshme të mendosh se, nga duart e policisë, arrin të largohet një person me rrezikshmëri të lartë shoqerore, një autor vrasjesh, një person që po hetohet dhe gjykohet, dhe papritur ai “arratiset”. U bë “modë” arratisja e të paraburgosurve, dhe atyre që e kanë marrë dënimin nga gjykata. Ashtu siç është bërë e zakonshme, zbulimi i lidhjeve të policëve dhe drejtuesve të policisë, me emra të spikatur të botës së krimit. Nuk mund të kenë vend në Policinë e Shtetit, police, shefa komisariatesh apo dhe drejtues policie në qarqe, që rezultojnë të lidhur me botën e krimit. Ministria e Drejtësisë, dhe e Brendshme, duhet të ndalen urgjentisht dhe të koordinojnë planin e masave rradikale mbi fenomene të tilla, që cënojnë rendin, qetesinë, dhe sigurinë e qytetareve dhe atë kombetare. Në një vend, ku arratiset i burgosuri, dhe zbulohen lidhjet e tij me police dhe drejtues policie, siguria e qytetareve mbetet e rrezikuar. I arratisuri nga spitali i Durresit, sot gjendet i lirë, dhe nga momenti në moment, ai mund të kryejë një atentat të ri, një grabitje dhe krim të ri. Dhe pse ? Sepse një polic dhe drejtues policie në burgje, është korruptuar dhe ka pranuar ta dergojë atë pa pranga në duar, dhe ti lerë rrugën e hapur drejt lirisë. Absurde do ta quaja edhe “arratisjen” e çdo të burgosuri nga qelia, medemek “duke prerë hekurat e dritares me mjete rrethanore, dhe askush nuk e paskësh pikasur”. Çdo tentative dhe arratisje nga burgjet tona dhe ato të vdeneve të tjera në botë, nuk ndoh kurrë, pa bashkëpunimin dhe korruptimin e efektivave policore, dhe shefit të tyre. Ndaj, është momenti të ndalet seriozisht Ministria e Brendshme dhe ajo e Drejtesisë, ashtu siç është urgjente që në Kodin e Ri Penal, të futen nene, ku të ashpërsohet dënimi i efektivave dhe drejtuesve të tyre, që rezultojnë të lidhur me botën e krimit.

14:59 Lea e Kuqe

By: EL
14 January 2026 at 14:59

Edison Ypi

Qent e zonjave. Qent e luksit. Qent e salloneve. Qent e banaqeve. Qent e gjahut. Qent e stanit. Qent e kufirit. Qent e kolibeve. Qent e kazanave. Qent e tredhur. Qent rrugaçë. Qent e braktisur.

Të gjithë këta qen u ikin zonjave, braktisin stanet, sallonet, banaqet, lënë kolibet, harrojnë sofrat ku po hanin e pinin e gogësinin, përmbysin tasat që sapo i zbrazën, këpusin zinxhirët ose litarët ku ishin lidhur, dhe nisin e lehin si të çmendur.

Për një arësye të vetme.

Sepse në Tiranë erdhi Lea Ypi.

S’kishim parë, as dëgjuar, kaq shumë lehje, si këto kur në Tiranë ja behu Lea e Kuqe.

Lea udhëton nëpër botë. Për punët e saja. Në universitetet më të shquara. Ku mban leksione, ligjërata, kumtesa. Në gjuhët kryesore të botës. Që i flet e i shkruan aq saktë, aq qartë, aq këndshëm, aq bukur, aq fuqishëm, me aq logjikë, zjarr dhe stil, sa mahnit vendalinjtë ku ka vajtur mysafir. Qofshin amerikanë, francezë, italianë, gjermanë, të bardhë, të verdhë, të Kuq, të zinj.

Lean e Kuqe e ftojnë në takime autoritete nga më të lartët dhe më të shquarit e botës; akademikë, deputetë, ministra, presidentë të vendeve pakrahasimisht më të mëdha dhe më seriozë se Shqipëria. S’kam dijeni nëse Lean e Kuqe e ka thirrur për konsultime ndonjë Mbret, Sulltan, Car, Krajl apo Kalif. Por s’është çudi të ketë ndodhur.

Vijnë e ikin në Tiranë dosa e derri nga an’ e anës së botës. Dhe s’ndodh asgjë. S’kujtohet asnjë. S’i intereson askujt. S’leh askush.

Me të ardhur në Tiranë Lea e Kuqe, tundet dheu, erret dielli, nisin e lehin qen e zagarë me turi nga qielli.

Nëpër botë Leas së Kuqe i kushtojnë mikpritje, i rezervojnë mirsjellje. Në vendin e vet veçse lehje, veçse shpifje.

Në fakt, edhe me Ismail Qemalin, Shën Terezën, Ismail Kadarenë, kështu bënin dhe bëjnë lehëtarët e kudondodhur. Por për Lean e Kuqe kjo duhet marrë me rezervë. Se, ku i dihet, ndoshta lehjet janë një mënyrë shqiptareske për ta shpallur Lea e Kuqe Shenjtore për së gjalli.

I thonë Leas së Kuqe je  Marksiste. Se aq dinë. Aq mendojnë. Aq deduktojnë. Aq fantazojnë. Ashtu u është dukur koha kur Shqipëria ishte mbushur me burgje dhe pushkatime.

Me e qujtë hajdutët Lean e Kuqe marksiste apo komuniste. A ka nder më të madh ?

Lea e Kuqe flet e shkruan normalisht. Lehësit e zinj vetëm në gjuhë drunjtë, vetëm në Newspeak-un e Orwellit.

Lea e Kuqe ka individualitetin e vet, karakrerin e vet, është e ndryshme, është e dallueshme. Lehësat e zinj ngjajnë me njëritjetrin krejt si në filmin 1984, ku është e pamundur ta shquash Hasanin nga Hyseni apo Jorgon nga Jani, është krejt e pamundur.

Pamje apokaliptike. Kaos i përsosur. Çthurje totale. Botë distopike. Kohë për tu çmendur.

Megjithatë, ardhja e Leas në Tiranë, është një rast i mirë që Bashkia të bëjë punën e vet. Të ndajë njerëzit nga kafshët. Të klasifikojë lehësat. Tu lidhë qenve në qafë Medalionin e Qenit, titull që e jep një komision me në krye, jo një çapaçul që rrehet për pes lek, por një Bej që nuk korruptohet botën t’ja falësh. Medaljonin e Qenit t’ja japi qenit që e meriton, t’ja marri zagarit që me lehje e tepron. Mbi atë medaljon Bashkia do gdhendi në metal për çdo qen, emrin e qenit, emrin e pronarit të qenit, mosha e qenit, gjinia e qenit, prejardhja farefisnore qënërore, sëmundjet e trashëguara, është qen rrace apo qen ordiner, qen normal apo qen i çmendur, a ka bërë kontroll mjekësor për sy e veshë, a ka bërë analiza gjaku, si i rreh zemra, thjesht qen apo llapaqen, si i ka punët me diabetin, në ç’gjendje e ka prostatën, a e ka kontrolluar kokën me rezonancë magnetike, a ka çrregullime psiqike, e ka bërë apo jo vaksinën e çmendurisë, a ka marrë leje nga drejtori i çmendinës për tu arratisur, a i rrjedhin qurrat, a e nget kolla, a i ngrihet vegla, i ngjan iriqit apo kërrmillit, a i rrjedhin jargët etj.

Ardhja e Lea së Kuqe në Tiranë është gjithashtu një rast i mirë për studiuesit e Historisë së propullit tonë trim, puntor, rakipirës dhe paçengrënës, lidhur me çorapat që historikisht ka thurur, fitoret që ka korrur, shpinën që ka kërrusur, rrenat me të cilat ka rehatuar veten në shekuj.

Derisa të mbërrijnë rezultatet e atyre studimeve, le të shkyhemi së qeshuri duke kqyrur dhe duartrokitur gratis spektaklin më të çuditshëm të botës. Atë me popull zevzek dhe lehësa të çmendur gjatë Korridës me dema të zinj përballë Leas së Kuqe.

11:03 Ç’punë ka SPAK me mbledhjen e Rithemelimit të PD?

By: Kesjana
14 January 2026 at 11:03

Nga Ylli Manjani

Nuk e di se çfarë kërkon që gjejë SPAK tek mbledhja e Rithemelimit të PD, një punë krejt e brendshme e një partie politike!?

Se ç’punë ka SPAK me mbledhjet e një partie, nuk e di?! Por është krejt pa sens, kjo krahasuar me punën reale që ka SPAK.

Meqë e kanë merak PD dhe financimet e saj, do kishte më shumë interes në emër të ligjit dhe interesit publik të sqaroheshin 2 gjëra:

1. Financimi në shumën prej 500 000 dollarë i një kontrate Lobbimi në Amerikë, që PD e Lulzim Bashës lidhi dhe, hetimet ndaj të cilës i mbylli prokuroria e Tiranës asohohe. Pritej një përgjigje e letër-porosisë nga ShBA asokohe…

2. Burimet e financimit të 3 kontratave, 2 lobbimi dhe 1 shërbimi, po në Amerikë dhe me vlerë deri në 10 milionë dollarë, që PD e Berishës i lidhi, me nënshkrimin e Mulit, pa i bërë syri (jo tv) tërrt. Janë kontratat më të shtrenjta të mundshme që një parti politike në rruzull i paguan për lobbim.

Kontrata prej 1.3 milionë dollarësh për një vjershë me buf që ofroi Lacivita, është padyshim më e shtrenjta në llojin e vet. Kurse ato dy të tjerat që do hiqnin nongratat, janë marramendëse… Shumë para për një parti e harruar në opozitë…

Këto janë kontrata për hetime, jo shpenzimet për një mbledhje partie, mbledhje e cila rrëzoi partinë e Lulit e të Gaz kallëzuesit.

Se kështu del që SPAK po punon për historitë e Lulit e Gazit…/kb

10:00 Njeriu i tranzitit, Mehran Nasseri apo Viktor Navorski dhe miti modern i Terminalit

By: Leonard
14 January 2026 at 10:00

Nga Leonard Veizi

Aeroportet janë limane të amnezisë, hapësira sterile ku kujtesa refuzon të lëshojë rrënjë. Ato nuk janë as qytete me histori e as kufij me identitet, por thjesht korridore të pafundme kalimi, damarë të ftohtë ku njerëzimi rrjedh pa u ndalur kurrë. Në këtë mbretëri qelqi dhe çeliku, koha nuk ngulmon; ajo nuk ndërton të djeshme e as të nesërme, por thjesht avullon mbi pllakat e lëmuara. Pikërisht këtu, në zemrën e këtij tranziti të përhershëm ku njeriu supozohet të jetë vetëm një hije kalimtare, Mehran Karimi Nasseri skaliti tetëmbëdhjetë vite të jetës së tij. Terminali 1 i aeroportit ‘Charles de Gaulle’ u shndërrua në shtëpinë e tij të pamundur, një ishull vetmie në mes të një oqeani njerëzish, sepse bota përtej atyre mureve të padukshme kishte vendosur ta fshinte nga harta e saj…

…Në epokën moderne, ekzistenca nuk vërtetohet nga prania fizike, por nga dokumenti. Pa pasaportë, pa vulë, pa një emër të njohur nga sistemi, njeriu është i përjashtuar nga realiteti ligjor. Nasseri nuk ishte i burgosur; ai ishte i pezulluar. Një trup i pranishëm, por juridikisht i padukshëm. Një gabim i vogël administrativ, i zgjatur në një jetë të tërë.

Fillimisht, historia e tij u pa si skandal. Më pas si kuriozitet. Në fund, si normalitet. Shoqëria ka aftësinë e frikshme për t’u mësuar me absurditetin, për sa kohë që ai nuk e prek drejtpërdrejt. Nasseri u bë pjesë e peizazhit të terminalit, një figurë e heshtur mes tabelave elektronike dhe zërave metalikë të nisjeve.

Këtu, realiteti i tij preku mitin.

“The Terminal”

Në vitin 2004, Steven Spielberg realizoi filmin “The Terminal”, frymëzuar lirshëm nga historia e Nasseri-t. Protagonisti, Viktor Navorski, i luajtur nga Tom Hanks, mbetet i bllokuar në një aeroport amerikan pasi vendi i tij shpallet i paqëndrueshëm politikisht. Ai nuk mund të hyjë në Shtetet e Bashkuara, por as të kthehet. Një situatë absurde, por e treguar me butësi, humor dhe humanizëm.

Filmi e shndërron tragjedinë në përrallë moderne. Aty ku Nasseri përjetoi izolim, varfëri dhe ngurtësim psikologjik, Navorski ndërton miqësi, dashurohet dhe fiton simpatinë e sistemit që e ka bllokuar. Hollywood-i nuk duron dot boshllëkun ekzistencial; ai duhet ta mbushë me kuptim, me shpresë, me fund të hapur.

Por pikërisht këtu qëndron kontrasti filozofik.

Filmi tregon se njeriu mbijeton falë karakterit. Realiteti tregon se njeriu mbijeton duke u përshtatur me absurdin. Nasseri nuk fitoi sistemin; ai u shkrinë brenda tij. Ai nuk e sfidoi burokracinë; ai u formësua prej saj. Aeroporti u bë universi i tij i mbyllur, një rend minimal që i ofronte siguri nga kaosi i botës reale.

Kur autoritetet, vite më vonë, i ofruan dokumente për të dalë, ai refuzoi. Identiteti juridik që i propozohej nuk përputhej me identitetin që kishte ndërtuar gjatë viteve të tranzitit. Këtu, njeriu i bllokuar kthehet në njeri që zgjedh bllokimin. Liria, pas kaq shumë kohësh, nuk është më shpëtim, por kërcënim.

Në këtë pikë, Nasseri nuk është më thjesht personazh real; ai është figurë filozofike. Një dëshmi se njeriu, përballë mungesës së kuptimit, krijon struktura minimale për të mbijetuar. Edhe nëse këto struktura janë banka plastike, tualete publike dhe orare fluturimesh.

Filmi The Terminal na qetëson duke na thënë se absurdi mund të zbutet. Historia e Nasseri-t na paralajmëron se absurdi, nëse zgjat mjaftueshëm, bëhet normalitet. Dhe normaliteti është forma më e rrezikshme e humbjes.

Epilog

Mehran Nasseri vdiq në vitin 2022, në aeroportin ku kishte jetuar. Një fund i përsosur për një jetë të pezulluar. Ai nuk pati atdhe, por pati një terminal. Nuk pati adresë, por pati një koordinatë. Dhe ndoshta, në mënyrën më të errët të mundshme, ai e gjeti rendin e tij.

Në fund, Nasseri dhe Navorski janë dy anë të së njëjtës metaforë: njeriu modern, i bllokuar mes kufijve që vetë ka ndërtuar. Njëri u kthye në film. Tjetri mbeti real. Dhe realiteti, si gjithmonë, ishte më i ashpër se çdo skenar.

BE-ja në krah të popullit iranian për liri dhe dinjitet

By: Monika
12 January 2026 at 20:26

Last Updated on 12/01/2026 by Monika

Nga Monada Mehmetaj

Bashkimi Evropian ka riafirmuar qëndrimin e tij të palëkundur në lidhje me situatën politike dhe shoqërore në Iran, duke shprehur solidaritet të plotë me popullin iranian dhe aspiratat e tij legjitime për një jetë të lirë, dinjitoze dhe me më shumë të drejta. Në deklaratat zyrtare të përfaqësuesve të lartë të BE-së, theksohet se respektimi i të drejtave të njeriut dhe lirive themelore përbën një parim thelbësor të politikës së jashtme evropiane.

BE-ja ka shprehur shqetësim të thellë për raportimet e vazhdueshme mbi viktimat gjatë protestave dhe për përdorimin e tepruar të forcës nga autoritetet iraniane. Sipas Bashkimit Evropian, dhuna ndaj demonstruesve paqësorë, ndalimet arbitrare dhe praktikat e frikësimit nga forcat e sigurisë përbëjnë shkelje serioze të standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Në këtë kontekst, BE-ja ka dënuar ashpër çdo formë represioni dhe ka bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të këtyre praktikave.

Një element qendror i qëndrimit të BE-së është kërkesa për lirimin e menjëhershëm të të gjithë personave të ndaluar padrejtësisht për shkak të ushtrimit paqësor të të drejtave të tyre themelore. Bashkimi Evropian nënvizon se liria e shprehjes, e shoqërimit dhe e tubimit paqësor janë të drejta universale, të garantuara nga konventat ndërkombëtare, të cilat Irani është i detyruar t’i respektojë si shtet nënshkrues.

Po ashtu, BE-ja ka theksuar rëndësinë e aksesit të lirë dhe të pakufizuar në informacion. Kufizimet e vendosura ndaj internetit dhe rrjeteve të komunikimit shihen nga Bashkimi Evropian si një përpjekje për të heshtur zërin e qytetarëve dhe për të kufizuar transparencën. Për këtë arsye, autoritetet iraniane nxiten të rivendosin plotësisht aksesin në internet dhe të garantojnë lirinë e medias dhe të informimit.

Në një plan më të gjerë diplomatik, BE-ja ka theksuar se dialogu mbetet rruga më e mirë për të adresuar tensionet dhe për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Megjithatë, ky dialog duhet të bazohet në respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe të drejtave themelore të njeriut. Bashkimi Evropian ka lënë të hapur mundësinë e përdorimit të instrumenteve politike dhe diplomatike në rast se shkeljet vazhdojnë, duke përfshirë edhe masa kufizuese ndaj individëve përgjegjës për dhunën.

Në përfundim, qëndrimi i Bashkimit Evropian ndaj Iranit pasqyron angazhimin e tij të vazhdueshëm për promovimin e vlerave demokratike, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. Duke mbështetur popullin iranian dhe duke dënuar shkeljet nga autoritetet, BE-ja synon të kontribuojë në një zgjidhje paqësore dhe afatgjatë, që garanton stabilitet, siguri dhe respekt për dinjitetin njerëzor në Iran dhe më gjerë në rajon.

14:59 3 fëmijët e Blerinës , histeria në rrjetet sociale dhe faji që akoma mbetet jetim

By: EL
12 January 2026 at 14:59

Nga Blerina Moka

Në vitin 2026, Shqipëria vijon të prodhojë lajme nga më të pazakontat, duke na shkaktuar tronditje edhe këtë të dielë të javës së parë të vitit të ri, kur as dielli “me dhëmbë” pas ditëve mbytëse me shi, nuk mundi t’ja heqë shijen e keqe që na la.

Një video qarkulloi shpejt në rrjetet sociale, ku shihej një shtëpi e shndërruar sikur të kishte rënë bomba, dhe 3 fëmijë të pafajshëm që qëndronin para kamerës së telefonit të gjyshes së tyre, e mbushur me mllef ndaj ish-nuses.

Kaq mjaftoi dhe nisi lufta për “K”. Mediat publikuan cdo gjë, vetëm deklaratën e nënës jo.

Ajo dukej inekzistente para gjithë kësaj “stuhie” mediatike. Pak më vonë, në media u shfaq figura e saj, një grua e bukur që pozonte herë veshur dhe herë zhveshur, e kuruar deri në detaj.
Dhe këtu, shqipot “zbrazën karikatoren” e komenteve negative në drejtim të saj, duke e goditur direkt në zemër.

Çfarë nuk thanë dhe çfarë nuk shkruan, por askush nuk pyeti se si ishte jeta e këtyre fëmijëve para kësaj videoje, a ishin ndihmuar ndonjëherë nga shteti?
Për dijeni, nëse themi shteti në këtë rast, nënkuptoj shërbimin social në bashki, qendrat për mbrojtjen e fëmijëve, qendra sociale, shoqata etj që kanë si fokus këtë target grup, nëna që rrisin të vetme fëmijët e tyre.

Jo. Askund nuk thuhej asnjë rresht. Ishin vetëm lajmet që përcillte dikasteri i shëndetësisë që, në momentin kur u shfaq video, u bënë të gjallë “tja rrëmbenin” asaj “qëne nënë” (sic vdesin shqipot ta quajnë një nënë të keqe sipas tyre), pra, tja merrnin fëmijët dhe të kujdeseshin që të thonin se shumë shpejt do të mblidhej grupi teknik për tja hequr kujdestarinë.
Nëse lexon kodin e familjes, një nëneje i heqin kujdestarinë kur ajo paraqet rrezik për jetën e fëmijëve, përdor substanca narkotike, është e pamundur mendërisht, etj, por kurrsesi nëse ajo ka lënë për disa orë fëmijët në shtëpi, të moshës 12, 10 dhe 5 vjeç.

Por le të kthehemi tek video.

Gruaja deklaron se jeton me qira në një shtëpi në zonën e Plazhit, për të cilën paguan 300 mijë lek në muaj.

Për të përballuar detyrimet mujore, sërish duke iu referuar deklaratës së saj, ajo punon dy punë, një nga të cilat banakiere në një nga baret e qytetit dhe gjatë ditës ajo vjen dhe ikën në shtëpi.

Pa dashur të merrem fare me këtë zgjidhje të saj (të tjerë do të bënin ndryshe, si unë psh, që do e rrisja me prindërit e mi) ose dikush tjetër do i merrte për dore e do dilte të zgjaste dorën të lypte (edhe kjo ndodh në Shqipëri).

Por jo, gruaja ka zgjedhur të punojë. Ndërsa shërbimi social, që ka për detyrë të përgjigjet në rastet e tilla, kur një grua e vetme rrit me mundime 3 fëmijë, nuk duket askund.

Në Shqipëri, shërbimi social prej kohësh është shndërruar në një strukturë që bën vetëm listat emërore të pagesave të ndihmës ekonomike, invaliditetit.

Asnjë inspektor social nuk shihet në terren, “të krehë” zonën sic e ka të shkruar në përshkrimin e punës.
Ndryshe nuk do të shpjegoheshin raste tragjedie të vdekjes së të moshuarve në banesë në vetmi të plotë, apo raste si kjo e 3 fëmijëve të Blerinës.
Por çfarë ndodh në këto raste? Lukunia e “të moralshmëve” në rrjet i sulet një gruaje duke e denigruar. Media poston video të një gjysheje që vetëm këtë emër s’e meriton, pasi interesi i fëmijëve duhet të vihej mbi çdo gjë.

Dhe në fund? Lajmi për dërgimin e fëmijëve në spital dhe kujdesin për veshëmbathje dhe ushqime u postua menjëherë, ndërsa nëna thotë se ka paguar çdo gjë për 3 fëmijët e saj, jo shteti.
Kujdesem që të jem e drejtë me të dyja palët, por prirem të jem me fëmijët.

Dua vetëm të kujtoj se në Shqipëri, sipas të dhënave të INSTAT, 40.5% e popullsisë është në rrezik varfërie ose përjashtimi social.

Dhe këtu besoj bëjnë pjesë dhe fëmijët e Blerinës, që me pafuqishmërinë e tyre të jetojnë si të gjithë fëmijët e tjerë në familje normale, sot kërkojnë që nëse nuk keni se si t’i ndihmoni, të paktën mos i përdorni.

Sepse, pasojat e kësaj histerie sot, do t’i ndjejnë sapo të shkelin në shkollë, duke u bullizuar e denigruar, njësoj siç bëtë sot me nënën e tyre./e.t

13:03 Për inatçorët dhe fajtorët

By: Kesjana
12 January 2026 at 13:03

Last Updated on 12/01/2026 by Kesjana

Nga ARTUR AJAZI

E çfarë mund bëjë  tjetër mirë një kryetarbashkie, një ministër apo kryeminister raste tillafatkeqësish natyrore? E çfarë mund bënte tjetër njëminister nga opozita, raste tilla, veçse duhej jesh non-stop krye detyrës ? Sepse berishët, kanë10 ditë, dalin, dhe me inatin e opozitaristit, dalindhe japinleksione mbi zhdukjen e pasojave ngapërmbytja, mbi dëmshpërblimet”, apo dhe se siduhet sillet me banorët, deputeti, kryetari bashkisë apo ministri dhe kryeministri”. Kujtoj këtu se, Shkodërdhe Lezhë, ka akoma familje nuk kanë marrë edhesot e kësaj dite dëmshpërblimet e përmbytjeve  qyshnga viti 2010, 2011 dhe 2012. Atëhere, ç’na dilni dhejepnileksioneboshe media. Kush nga opozita u gjend pranë banorëve përmbytur Durrës, Lushnje, Lezhë, Shkoder, apo dhe Jug ? Askush. Asnjëdeputet i Partisë Demokratike, nuk u gjend pranë atyrefatzinjve, kujtojnë se “përbytjen e solli Edi Rama”. Jo, përmbytja e ka gjenezën e saj qysh nga 1992, kurSali Berisha dha kushtriminzbrisni nga fshatrat, malet, fushat, e pyjet, dhe ndertoni ku doni”. Para se bëniopozitë inatçore”, bëni një pendesë e autokritikë fortë para durrsakëve, shkodraneve, lezhjanëve, lushnjareve, fierakeve, vlonjateve, korçareve, etj, sepse e morët pushtetin 22 Mars 1992 me shumicën e votave tyre, dhe qeverisën mënyrën kriminale mundshme. Dhe ngriheni sot, dhe na jepni mënd, dhe mësoni Edi Ramën, “si marrë masa për mos përmbytur qytetaret dhe si tidëmshpërblejë ata”. Ju sot medemek jeniopozita” e këtij vendi, jeni autorët e vërtetë kësaj katastrofe, përmbytjeve e fatkeqësive përjetojnë shqiptaretduke nisur nga përmbytjet, apo dhe problemet e tjerasociale. Kur iku nga pushteti PD-ja, qoftë 1997 apo dhe 2013, la pas një qeveri shkateruar, mbytur me borxhe, la pas një vend mbushur me borxhe KESH, ujin e pijshëm, la pas një Shqiperi mbushurme 300 mijë ndertime pa leje, ndertuara mbi shinatreni, kanale kulluese, kolektorë, e gjithandej. Dhe dilnisot dhe kërkoni nga shqiptarët ngrihen protestakunder qeverisjes Rama”. Ju si opozitë, jeni shkaktarëte pare kësaj situate, jeni ju ata kultivuat tekshqiptaret antiligjin, u thatë atyremos paguanidritat, ujin, taksat, tatimet”, dhe e zhytët vendit krizësociale. Ndaj nuk ju besojnë shqiptarët, ndaj nukvijnë pas jush, ndaj nuk ju votojnë , ndaj nuk judëgjojnë , sepse janë zgjuar, dhe e dinë vërtetën. Ju i mashtruat me firmat piramidale, ju i zhvatëtkursimet e tyre përmes piramidave, ju i zhytët ata baltra e lluca, ju shuat shpresën e tyre, kurse sot i ftoniata tju besojnë ? Andre Ferchoti, politologu i famshëmitalian ka thënëkush mban, dhe bën politikë me inat, është i destinuar mos vijë kurrë pushtet”. Ashtupo ngjet edhe me ju, o opozitaristë përjetshëm. Politika është finesë, është talent, është pasion, ështënerv, është shtysë e lindur drejt bashkëpunimit, jo përçarjes  dhe akteve inatçore./kb

10:47 Nuk bëhet revolucioni duke marrë rrogën e shtetit në Parlament

By: Kesjana
12 January 2026 at 10:47

Nga Ylli Manjani

Tani, revolucion me rrogë shteti nuk ka.

Edhe në Parlament edhe në revolucion për të rrëzuar Parlamentin ku merr rrogën vetë nuk ka.

Duhet ta ndajnë mendjen, që të ndajë mendjen edhe mileti me ta, dmth ti ndjekë apo jo. O në revolucion, o në Parlament.

Për dreq e provuan njëherë të dilnin nga Parlamenti për të “lulëzuar” si revolucionarë… U përvëluan fare ata e ne bashkë me ta… Kam idenë se nuk e kanë më këtë opsion.

Por sidoqoftë duhet të ndajnë mendjen: o në Parlament , o në revolucion.

Ama sa kohë janë në Parlament duhet të bëjnë punën e parlamentarit, jo të revolucionarit. Dmth duhet të bëjnë ligje, jo të shkelin ligje.

Ky opsioni që paradite jemi në revolucion, pastaj parlamentarë është qesharak fare/kb

09:30 Absurd i ‘qeverisë teknike’ dhe domosdoshmëria e një marrëveshjeje ligjore besimi

By: Klara
12 January 2026 at 09:30

Nga Thoma Gëllçi

Në Shqipëri, sa herë opozita mbetet pa busull, nxirren nga sirtari i klisheve politike disa formula të gatshme që përdoren në çdo kohë. Njëra prej tyre është “qeveria teknike”. Kjo fjalë ka humbur kuptimin real dhe është kthyer në një formulë magjike për konsum elektoral, në një refren që përsëritet me zë të lartë për të fshehur boshllëkun e ideve, mungesën e alternativës dhe pamundësinë për të prodhuar besim. Opozita shqiptare, veçanërisht krahu berishist, vazhdon ta kërkojë sot qeverinë teknike sikur ajo të ishte çelësi i artë që hap derën e pushtetit. Por kjo kërkesë, në rrethanat konkrete të Shqipërisë, nuk është vetëm e parealizueshme; është absurde.

Në këtë kurth të retorikës boshe kanë rënë fatkeqësisht edhe disa nga partitë e reja, të cilat u shfaqën si shpresë për një frymë ndryshe, por shumë shpejt adoptuan gjuhën më të vjetër të politikës shqiptare. Në vend që të flisnin për rregulla loje, për garanci institucionale dhe për reforma konkrete, edhe ato filluan të përsërisin refrenin e “qeverisë teknike”, duke u rreshtuar në një debat artificial që nuk prodhon asnjë zgjidhje reale.

Absurdin e kanë çuar edhe më tej duke artikuluar publikisht emra të ndryshëm për postin e kryeministrit të një qeverie teknike që, në kushtet aktuale, nuk ka asnjë bazë ligjore për të ekzistuar. Ky është kulmi i keqkuptimit: të ndash poste në një qeveri imagjinare, sikur problemi i Shqipërisë të ishte mungesa e emrave dhe jo mungesa e besimit. Kjo lojë me kandidatura fantazmë jo vetëm që i bën qesharake kërkesat për qeveri teknike, por edhe zbulon se sa shpejt idealizmi i shpallur i këtyre forcave të reja tretet përballë tundimit për t’u futur në skemat e vjetra të pazareve politike.

Mazhoranca socialiste zotëron sot 83 mandate në Kuvend. Kjo nuk është një shumicë e thjeshtë, por një shumicë solide, afër shumicës absolute, e cila i jep Partisë Socialiste të gjitha mjetet kushtetuese për të qeverisur dhe, në rast se kryeministri aktual largohet, për të zgjedhur një tjetër pa pasur nevojë për asnjë ndërhyrje jashtë rregullave parlamentare. Në këtë kontekst, të flasësh për qeveri teknike është njësoj si t’i kërkosh një treni që ecën me shpejtësi të ndalojë në mes të rrugës vetëm sepse dikush po bërtet nga jashtë.

Kur lind realisht një qeveri teknike?

Qeveritë teknike nuk janë produkte të retorikës opozitare, por pasoja të drejtpërdrejta të krizave të thella politike që e bëjnë të pamundur vazhdimin normal të qeverisjes. Historia politike evropiane është plot me shembuj që e dëshmojnë këtë. Në Itali, për shembull, qeveria teknike e Mario Montit në vitin 2011 nuk erdhi sepse opozita e kërkoi me megafon, por sepse vendi ishte në prag të kolapsit financiar, tregjet kishin humbur besimin, shumica parlamentare e qeverisë Berlusconi ishte shpërbërë dhe presidenti i Republikës ndërhyri për të shmangur falimentimin. Në Greqi, qeveria teknike e Lucas Papademos në vitin 2012 ishte pasojë e një krize shkatërrimtare borxhi, protestave masive, djegies së Athinës dhe pamundësisë së partive tradicionale për të krijuar një shumicë funksionale. Në Rumani, në vitin 2015, pas tragjedisë së klubit “Colectiv” dhe protestave masive që çuan në dorëheqjen e qeverisë, u formua një kabinet teknokratësh për të menaxhuar situatën deri në zgjedhje. Në të gjitha këto raste, qeveritë teknike nuk ishin zgjedhje politike, por domosdoshmëri për mbijetesë institucionale.

Asgjë e tillë nuk po ndodh sot në Shqipëri. Mazhoranca nuk ka humbur shumicën parlamentare, asnjë votëbesim nuk e ka rrëzuar qeverinë dhe nuk ka asnjë presion popullor që të paralizojë jetën e vendit. Opozita nuk ka arritur të ndezë një valë të gjerë mobilizimi shoqëror; protestat e saj janë shndërruar në rituale të lodhura, të parashikueshme, që nuk tronditin më askënd dhe nuk ndryshojnë asnjë ekuilibër politik. Indiferenca e qytetarëve është e thellë dhe alarmante, por ajo nuk është shenjë e pajtimit me qeverinë. Është shenjë e një lodhjeje kolektive nga një opozitë që, pas vitesh humbjesh dhe përçarjesh, nuk arrin të artikulojë më as një alternativë bindëse, as një projekt serioz për ndryshimin e vendit.

Kriza ekziston, por nuk është qeverisëse

Shqipëria ndodhet sot në një krizë të thellë, por kjo nuk është krizë qeverisjeje në kuptimin klasik parlamentar. Është krizë e përgjegjësisë politike dhe e mënyrës se si ushtrohet pushteti. Qeveria aktuale funksionon si një strukturë e përqendruar pothuajse tërësisht rreth figurës së kryeministrit. Vendimet strategjike, nga projektet infrastrukturore e deri te reformat administrative, nuk kalojnë më nëpër filtrat kolegjialë të ekzekutivit, por burojnë nga një rreth shumë i ngushtë njerëzish. Këshilli i Ministrave është shndërruar në një mekanizëm ratifikimi, ndërsa ministrat, në vend që të jenë bartës të politikave publike dhe përgjegjës para Kuvendit, janë reduktuar në menaxherë sektorësh që japin llogari vetëm përpara një njeriu. Shembujt janë të shumtë: nga projektet e mëdha urbane të shpallura me konferenca shtypi të njëanshme, te paketat fiskale dhe nismat ligjore që miratohen me procedura të përshpejtuara, pa debat real dhe pa transparencë të mjaftueshme.

Edhe roli i Partisë Socialiste si organizëm politik është dobësuar ndjeshëm. Forumet e saj drejtuese, që dikur shërbenin si hapësira debati dhe përpunimi politikash, sot kanë ndikim minimal në orientimin e qeverisë. Vendimmarrja është zhvendosur nga struktura kolegjiale në një model të personalizuar, ku kryetari i partisë është njëkohësisht kryeministër dhe arbitri i vetëm i linjës politike. Në këtë kontekst, Kuvendi ka humbur gradualisht funksionin e tij kontrollues: interpelancat janë kthyer në formalitete, komisionet parlamentare në zyra procedurash, ndërsa mazhoranca voton pothuajse automatikisht çdo nismë që vjen nga qeveria. Opozita, nga ana e saj, është e përçarë dhe e paaftë të ushtrojë presion institucional, duke e lënë terrenin e llogaridhënies pothuajse bosh.

Ky deformim i jetës politike është i dukshëm në çdo aspekt të qeverisjes, por ai nuk përbën në vetvete kusht për qeveri teknike. Qeveria nuk është bllokuar, nuk ka humbur shumicën dhe nuk është rrëzuar nga Kuvendi. Ajo vazhdon të prodhojë vendime dhe ligje, edhe kur këto shoqërohen me pakënaqësi të thella publike, skandale korrupsioni apo kritika të vazhdueshme nga partnerët ndërkombëtarë. Kjo tregon se problemi i Shqipërisë nuk është pamundësia për të qeverisur, por mënyra se si qeveriset.

Mungesa e besimit është problemi real

Raportet e fundit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e majit të vitit të kaluar e përshkruajnë me tone edhe më të ashpra këtë realitet: në Shqipëri nuk kemi thjesht shkelje teknike, por një model të qëndrueshëm të keqpërdorimit të pushtetit për qëllime elektorale. Monitoruesit ndërkombëtarë nënvizuan përdorimin sistematik të burimeve shtetërore në fushatë, shpërndarjen e investimeve publike me ritme dhe intensitet të pazakontë në prag zgjedhjesh, si dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të strukturave qeveritare në mbështetje të kandidatëve të mazhorancës. Në raport përmendet se kufiri mes aktivitetit institucional dhe propagandës elektorale është bërë pothuajse i padukshëm, ndërsa ministrat dhe drejtuesit lokalë shfaqen në terren më shumë si drejtues fushate sesa si zyrtarë publikë.

Veçanërisht problematik u konsiderua procesi i votimit të diasporës, i cili u zhvillua pa garancitë e mjaftueshme ligjore dhe teknike, duke ngritur dyshime serioze për integritetin e tij. OSBE/ODIHR vuri në dukje mungesën e transparencës, paqartësitë procedurale dhe rrezikun e manipulimit të këtij segmenti të rëndësishëm të elektoratit. Po aq alarmante janë referencat ndaj përdorimit të grupeve kriminale dhe parave të pista në fushata lokale, si dhe raportimet për intimidimin e administratës publike dhe votuesve që varen prej saj. Në shumë zona, nëpunës, mësues dhe punonjës të shërbimeve publike janë përfshirë në aktivitete elektorale nën presion të drejtpërdrejtë, duke krijuar një klimë frike dhe nënshtrimi që minon çdo nocion të votës së lirë.

Në këtë kontekst, mosbesimi nuk është më perceptim subjektiv i opozitës, por diagnozë e dokumentuar nga vëzhgues ndërkombëtarë. Kur votimet e diasporës shihen si terren i pambrojtur, kur investimet publike përdoren si mjete blerjeje politike dhe kur bandat e krimit dhe paratë e pista shfaqen si faktorë ndikimi në zgjedhje, procesi elektoral humbet karakterin e tij demokratik dhe shndërrohet në një betejë force. Dhe kur zgjedhjet përjetohen si përplasje me mjete jo të barabarta, çdo rezultat, sado formal të jetë, lind i kontestuar, duke e thelluar edhe më shumë krizën e besimit që sot është problemi më i madh i demokracisë shqiptare.

Nga “qeveri teknike” te “marrëveshje ligjore besimi”

Këtu qëndron keqkuptimi themelor i opozitës shqiptare. Problemi nuk është se kush qeveris sot, por se si do të garohet nesër. Shqipëria nuk ka nevojë për një qeveri teknike që të marrë pushtetin nga mazhoranca; kjo është politikisht e pamundur. Shqipëria ka nevojë për një marrëveshje ligjore besimi që të garantojë zgjedhje të pranueshme nga të gjithë.

Një marrëveshje e tillë duhet të jetë e sanksionuar me ligj, jo një pazar politik në errësirë. Ajo duhet të krijojë një qeveri kujdestare vetëm për periudhën zgjedhore, me kompetenca të kufizuara dhe me mekanizma të fortë kontrolli për të parandaluar abuzimet.

Modeli i Maqedonisë së Veriut është ilustrues. Pas krizës së rëndë politike dhe skandalit të përgjimeve, palët politike u detyruan, nën presionin e ndërkombëtarëve, të nënshkruanin Marrëveshjen e Përzhinës. Kjo marrëveshje parashikoi krijimin e një qeverie kujdestare njëqind ditë para zgjedhjeve, ku opozita merrte kontrollin e disa ministrive kyçe, veçanërisht të atyre që kishin ndikim të drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor.

Kryeministri dhe ministrat e kësaj qeverie nuk kishin të drejtë të kandidonin, ndërsa përdorimi i fondeve publike për fushatë ndalohej rreptësisht. Ky model nuk e shëroi plotësisht demokracinë maqedonase, por krijoi minimumin e besimit të nevojshëm që zgjedhjet të mos ktheheshin në krizë politike.

Çfarë duhet të bëjë Shqipëria?

Shqipëria nuk ka nevojë për spektakël politik, por për një pakt të ri, të ndërtuar jo mbi dëshira momentale, por mbi themele ligjore dhe kushtetuese. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e ka të qartë logjikën e qeverisjes parlamentare: qeveria buron nga shumica në Kuvend dhe rrëzohet vetëm nëpërmjet mekanizmave kushtetues, jo nga presioni retorik apo ultimatume politike. Prandaj, në vend që të shpiken “qeveri teknike” jashtë realitetit juridik, zgjidhja e vetme serioze është të krijohen garanci ligjore për zgjedhje të ndershme dhe të barabarta, në përputhje me parimet kushtetuese të pluralizmit, barazisë para ligjit dhe konkurrencës së lirë politike. Pikërisht këtu hyn nevoja për një marrëveshje besimi të sanksionuar në Kodin Zgjedhor: jo si pazar politik, por si instrument normativ që materializon standardet kushtetuese të zgjedhjeve të lira dhe të rregullta.

Një marrëveshje e tillë duhet të ketë status të qartë juridik dhe të jetë e detyrueshme për palët, duke u shndërruar në dispozita konkrete ligjore. Në thelb, ajo duhet të parashikojë një qeveri kujdestare vetëm për periudhën zgjedhore, me kompetenca të kufizuara dhe me detyrime të qarta të mosndërhyrjes në garë.

Në këtë kuadër, ndalimi i kandidimit për anëtarët e qeverisë kujdestare është një garanci kushtetuese në funksion të barazisë së garës. Ai shmang konfliktin e interesit dhe i jep kuptim parimit që kush administron zgjedhjet nuk duhet të jetë njëkohësisht garues. Kjo është një ide që mbështetet në logjikën e përgjithshme të shtetit të së drejtës: ndarja e funksioneve, shmangia e konfliktit të interesit dhe neutraliteti institucional. Po kështu, kontrolli i dyanshëm mbi administratën zgjedhore dhe mbi hallkat kyçe të shtetit gjatë fushatës është jetik për të zbatuar parimin e barazisë së subjekteve politike dhe për të ndarë shtetin nga partia. Në praktikë, kjo do të thotë që vendimet me ndikim elektoral (punësime, shkarkime, tendera, shpërndarje fondesh, investime publike të përshpejtuara, përdorim i aseteve publike) të futen nën një regjim kufizimesh të posaçme dhe transparence të detyrueshme, me raportim publik dhe me mekanizma ankimi të shpejtë.

Vetëm në këtë mënyrë mund të rindërtohet besimi i humbur: duke e kthyer procesin zgjedhor nga një duel i pabarabartë në një garë ku rregullat janë të qarta dhe të zbatueshme. Dhe pa besim, asnjë qeveri, as teknike, as politike, nuk do ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza e saj e përhershme demokratike./K.M

18:41 Pse opozita shpreson kur protestohet në Nepal, Venezuelë, Bangladesh apo Iran?

By: EL
10 January 2026 at 18:41

Last Updated on 10/01/2026 by EL

Kreshnik Spahiu

Ishte mbrëmje dhjetori e vitit 2000. Në koridoret e godinës së Partisë Demokratike dëgjoheshin brohoritje. Unë me miqtë po pinim çaj në barin “Jurnal”, ku mblidheshin shumë gazetarë.

Të habitur pyetëm se çfarë kishte ndodhur dhe një vajzë, gazetare e TV Arbëria, na tha: “Kanë fituar zgjedhjet të djathtët në Bullgari.”

Papritmas çaji më ngeli në fyt dhe gati u mbyta. 20 deri në 30 fshatarë, të cilët fatkeqësisht binin në sy për mjerimin në të cilin jetonin, po festonin fitoren e së djathtës bullgare në oborrin e partisë.

U shtanga dhe po mendoja: si ka mundësi që njerëz kaq të varfër të lumturohen me lugë bosh?

M’u kujtua ky fragment kur dëgjova deklaratën e Berishës se protestat në Iran janë një shpresë për forcat opozitare në Shqipëri.

Pasi u lodh për një javë duke thënë se forcat “Delta” do ta arrestonin Ramën, njësoj si Maduro në Venezuelë, sot kaloi në Teheran.

Si në Makondon e Márquez-it, edhe ne si popull presim shpëtimin nga lajme që vijnë nga kontinente të tjera.

Që Berisha është një mashtrues i lindur në politikë, i veshur me kostume dhe kollare të shtrenjta apo me maska konservatore, kjo nuk është gjë e re. Ajo që ia vlen të analizojmë është: si ka mundësi që ky popull të mashtrohet për dekada?

Këtë e kanë bërë me shekuj.

Dikur prisnin për 500 vjet ndryshimet nga Perandoria Osmane dhe haberet nga Stambolli.

Më pas i kishin sytë nga Austria apo Italia.

Më vonë shpresonin se mund të triumfonte socializmi mbi imperializmin.

Për katër dekada shpresuan te revolucioni proletar në Kubë, Amerikën Latine, Vietnam dhe Kinë.

Të gjitha këto mund t’i mirëkuptojmë në një Shqipëri të izoluar, por të mashtrohesh në një botë digjitale dhe globale tregon prapambetjen tonë si komb.

Në botë ka miliarda njerëz të paditur, të pashkolluar, të painformuar apo të izoluar, por njerëz më injorantë dhe naivë, që të shpresojnë se jeta e tyre do të ndryshojë sepse shpërtheu lufta në Venezuelë, revolucioni në Nepal apo protestat në Bangladesh dhe Iran, i gjen vetëm në Shqipëri.

Turma që manipulohen kaq lehtë nga media dhe politika i gjen vetëm në këto 28.000 km². Tmerr i madh.

Realisht, është një keqardhje e madhe për nivelin provincial që ka një pakicë njerëzish në Shqipëri. Ushqehen me lugë partie dhe me lajme politike.

Qeveritë shqiptare në dekada duhet të ishin rrëzuar më shpejt nga vetë shqiptarët por jo duke parë me sy nga qielli duke ëndërruar helikopterë apo me vesh nga zhurma e prorestave në Nepal ku 90% e popullit nuk e di as në hartë ku ndodhet gjeografikisht.

George Orwell e kishte parashikuar dikur këtë psikozë kolektive: popuj që emocionohen nga luftëra të largëta, ndërsa jetën e tyre e sundon një realitet tjetër.

13:30 Përmbytje dhe spektakël, nga dilema e Arifit të Bamkë Qylollarit te drama e tmerrshme e Big-ut

By: Leonard
10 January 2026 at 13:30

Last Updated on 10/01/2026 by Leonard

Nga Leonard Veizi

-Për nder, o shoku mësues, nuk ka më të habitshme se jeta.
Kështu thoshte Arifi, nipi i Bamkë Qylollarit – personazh i Dritëro Agollit te romani “Komisari Memo”,  – që ishte  i gënjyer nga Balli, por që nga fundi i luftës mori rrugën e drejtë të Partisë.
-Unë kujtova Arif, kush e di ç’do thoshte, – ia pret mësuesi, që ishte njëkohësisht edhe i lapsit, edhe i kobures me mulli.
-Po, po… jeta është e habitshme, – këmbëngulte Arifi në filozofinë e tij, duke dredhur cigaren me mbetje duhani.

Kjo batutë e vjetër, – që i përket filmit “I teti në bronz”, me regji të Viktor Gjikës, – vjen në kohë po aq e re, sa herë që realiteti na e servir në formë groteske. Dhe më erdhi ndër mend teksa ndiqja lajmet e Top-it, ku flitej për përmbytje, njerëz të humbur, shtëpi nën ujë, familje që s’dinin ku të fusnin kokën. Një hall i madh, real, i rëndë, që s’ka nevojë për regji televizive. Ujë i pistë, baltë dhe frikë.

Por paralelisht, në të njëjtin kanal televiziv drama tjetër – për disa edhe më e madhe se kaq: – janë të nominuarit e Big-ut, të mbërthyer nga ankthi se kush do të dilte “fishek” jashtë, pa bërë gati as valixhet. Ky është hall, vëlla. Një tragjedi tjetër, sipas rregullave të spektaklit.

Ore meqë ra llafi, këta të përmbyturit ku e shohin spektaklin? Apo në sallën e kooperativës, – që ua ofron Bashkia, – si Luani që ndiqte lajmet e Tiranës te salla e kulturës, se kishte rënë në dashuri me spikeren e televizionit, aty tek filmi “Kur hapen dyert e jetës”.

Dhe më tej, tek emisioni që tashmë mund të cilësohet si versioni adekuat i “Burrat kërkojnë gra e gratë kërkojnë burra”, kemi të bëjmë me një lloj tjetër fatkeqësie kombëtare:

— Ah, sevda na përvëlove
— Na mbetën vajzat pa martuar
— Halli i djemve më i madh
— Mbetën vajzat në shtëpi
— Mua djemtë në Australi
— Le të vijnë, bëjmë krushqi

Epo, këto batuta janë shkëputur nga një tjetër film emblemë i Kinostudios, “Përrallë nga e kaluara”, me skenar dhe regji të Dhimitër Anagnostit.

-Jeta është e çuditshme, – thoshte Arifi i menduar, thua se po shpikte rrotën.

Pa dyshim, njerëzit kanë halle të ndryshme, kjo është e natyrshme. Por media i vë të gjitha në të njëjtën peshore morale: përmbytjen dhe përjashtimin nga shtëpia e Big-ut, hallin e bukës dhe hallin e famës, dramën e mbijetesës dhe dramën e audiencës.

Secili ka hallin e vet.
Por halli-hallit nuk i ngjan.

Dhe kur trajtohen njësoj, nuk krijojmë neutralitet, por një konfuzion moral. E kthejmë tragjedinë në sfond dhe spektaklin në qendër. E shesim absurditetin si normalitet.

Në fund, ndoshta Arifi kishte të drejtë kur thoshte: Jeta është e habitshme.
Por edhe më e habitshme bëhet kur ne zgjedhim ta shohim pa dalluar çfarë është dramë e vërtetë dhe çfarë është thjesht zhurmë.

❌
❌