Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Pas dekretimit nga Begaj, publikohen në Fletoren Zyrtare 7 ligjet e Paketës fiskale

Janë publikuar sot në Fletoren Zyrtare 7 ligjet e Paketës Fiskale. Brenda këtij viti administrata tatimore dhe ajo doganore duhet të fshijnë nga bilancet e tyre, çdo borxh që kanë bizneset, të cilat janë krijuar përpara 31 dhjetorit të vitit 2014. Nga kjo nismë e qeverisë që u miratua më 12 dhjetor të vitit që lamë pas preken gati 2.1 miliardë euro detyrime të papaguara në dekada, dhe përfitojnë më shumë se 200 mijë biznese debitorë. 

Janë gati 1 miliardë euro detyrime të krijuara nga vitet 90’ deri në fund të 2014-ës që do të fshihen brenda 31 dhjetorit 2026. Këtu përfshihet dhe falja e gjobave dhe kamatëvonesave për detyrimet e papaguara të sigurimeve deri në 2014-ën. 

Ndërsa borxhet tatimore dhe doganore 2015-2024 do të lehtësohen vetëm nëse paguhen detyrimet. Nëse 50 përqind e borxhit të krijuar nga janari 2015 deri më 31 dhjetor të vitit 2020, paguhet menjëherë deri në qershor 2026, gjysma tjetër falet, bashkë me gjobat e kamatat. Nëse pagesa bëhet me këste, deri në fund të dhjetorit 2026, do të falet vetëm 25 përqind e detyrimit. 

Kategoria tjetër me borxhe nga 1 janari 2020 e deri në fund të dhjetorit 2024, do të përfitojnë falje të gjobave dhe kamatave nëse i paguajnë të gjitha detyrimet tatimore brenda vitit 2026. 

Kurse për detyrimet për sigurimet shoqërore, do të falen gjobat e kamatat e 10-vjeçarit të fundit (2015-2024)  nëse bizneset do të paguajnë 100% të kontributit brenda datës 31 dhjetorit 2026. 

Ky ligj i cili parashikohet ta ketë jetëgjatësinë vetëm për 2026-ën, parashikon gjithashtu se pasi të pastrohen bilancet dhe bizneset të çlirohen nga këto detyrime, të bëjë publike përfituesit më të mëdhenj të tij. 

Brenda datës 31 janar 2027 organet tatimore dhe doganore do të publikojnë në faqen zyrtare të institucionit, listën e plotë të 3000 tatimpaguesve që kanë përfituar nga ky ligj. Në nenin 3 pika ç thuhet se në listë do të përfshihen të gjithë subjektet, të cilave u është fshirë detyrimi jo më i vogël se 5 milionë lekë. 

Vendimet e miratuara nga Këshilli i Ministrave/ Ja kush do e drejtojë Agjencinë Kombëtare të Mjedisit (EMRI)

Në mbledhjen e zhvilluar këtë të enjte, më 15 janar, Këshilli i Ministrave ka marrë disa vendime të rëndësishme, përfshirë emërimin e drejtoreshës së rë të Përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Marjeta Përlala. 

Qeveria vendosi sot: 

  • Miratimin e kuadrit makroekonomik e fiskal për periudhën 2027-2029, “Treguesit kryesorë makroekonomikë” dhe “Treguesit fiskalë sipas buxhetit të konsoliduar”.
  • Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kabinetit të Ministrave të Ukrainës, për transportin ndërkombëtar rrugor.
  • Kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të disa pronave të paluajtshme shtetërore, sipas formularëve.
  • Përcaktimin e numrit të punonjësve me kontratë të përkohshme, për vitin 2026, për njësitë e qeverisjes qendrore.
  • Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërhyrje në zona sportive dhe lodra për fëmijë “Dua të luaj””, Bashkia Fier.
  • Përcaktimin e kritereve të veçanta dhe të procedurave për përzgjedhjen, emërimin, vlerësimin e rezultateve në punë, disiplinën, lirimin dhe shkarkimin nga detyra tëinspektoriatittë përgjithshëm. 
  • Znj.MarjetaPërlala emërohet drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. 

 

Kryeministri Rama mbledh të Shtunën kryetarët e bashkive në Golem

Kryeministri Edi Rama këtë të shtunë, më 17 janar do të zhvillojë një mbledhje në Golem. Mësohet se në këtë takim, Rama mbledh kryetarët e bashkive.

Kjo mbledhje vjen pak ditë pas situatës së përmbytjeve. Gjithashtu bëhet me dije se në fokus të kësaj mbledhjeje do të jetë miradministrimi i territorit.

Rama do t’i mbledhë kryebashkiakët në një nga komplekset e njohura të Golemit.

Arratisja e Altin Ndocit/ Në krye të burgut të Durrësi komandohet Edmond Llabani

Edmond Llabani është emëruar këtë të enjte, 15 janar, drejtor i komanduar i burgut të Durrësit.

Më herët, Llabani ka mbajtur detyrën e drejtorit në burgun e Peqinit. 

Emërimi i tij vjen një ditë pas shkarkimit të Indrit Cërloj, me urdhër të Ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari. Lëvizjet erdhën pas arratisjes së të burgosurit Altin Ndoci nga spitali i Durrësit, ngjarje e ndodhur të martën më 13 janar. 

Ngjarja çoi në arrestimin e 8 zyrtarëve të burgut të Durrësit. 

Në një njoftim zyrtar, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve deklaroi se drejtuesit e burgut të Durrësit nuk kanë informuar komisariatin e policisë për transferimin e Altin Ndocit. 

Ilir Beqaj kërkon leximin e fashikujve hetimorë, Drejtoria e Burgjeve: Nuk kemi infrastrukturën e nevojshme

Drejtoria e Burgjeve këtë të mërkurë ka kthyer përgjigje lidhur me kërkesën e ish-ministrit, Ilir Beqaj për të lexuar fashikujt hetimor përmes një kompjuteri/pajisjeje të pa lidhur me internetin.

Burgjet në përgjigjen e tyre kanë deklaruar se nuk kanë infrastrukturën e nevojshme. Nga ana tjetër Beqaj gjatë gjyqit ka ngritur pyetjen: A ka cituar ndonjë ligj apo rregullore drejtoria e burgjeve?

“Ftoj SPAK-un të shikojë ligjin e ri për koncesionet botuar në fletoren zyrtare. SPAK nuk denjoi të bënte ekspertize që ja kërkova që në hetimet paraprake, provat nuk u morën kurrë, sepse SPAK se përballoi dot presionin politik, SPAK ka instaluar metodën e persekutimit publik”, shtoi ai.

“Gjyqi im si në 1946, çoi prokuroria një person ne gjyq, i tha gjykata ku janë provat? Provat i tha prokurori-gjyqtares? Hape pak prenxheren, hapi penxheren gjyqtarja pa turma njerëzish aty thirrnin kriminel kriminel, kështu dhe SPAK”, tha Beqaj.

Nga Lulzim Berisha tek Astrit Avdyli, kush janë të burgosurit VIP që u transferuan në Peqin dhe Fier

Plot 33 persona të mbajtur në paraburgimin e Durrësit janë transferuar në institucione të tjera të vuajtjes së dënimit, pas arratisjes dy ditë më parë të Altin Ndocit. Ata janë lëvizur një natë më parë me mbështetjen e Forcave Shqiponja, Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ato të Drejtorisë së Burgjeve.

Burgu i Durrësit nuk është institucion i sigurisë së lartë, ndaj është vlerësuar e arsyeshme që të dënuarit me rrezikshmëri të shtuar të mos qëndrojnë më në këtë burg.

Altin Ndoci

Burime zyrtare sqarojnë se bëhet fjalë vetëm për transferimin e personave me rrezikshmëri të lartë, dhe jo për zyrtarë apo persona të arrestuar për çështje korrupsioni apo abuzimi me detyrën.

Mes të transferuarave është edhe Lul Berisha, i cili është dërguar në Burgun e Peqinit.

Të transferuarit nga paraburgimi i Durrësit:

1- Agim Gjini – Nga IEVP Durrës ne IEVP Fier

2- Lulëzim Selimi – Nga IEVP Durrës ne IEVP Fier

3- Algert Rrapi – Nga IEVP Durrës ne IEVP Peqin

4- Enea Kume (vëllai i deputetit te PS Loer Kume ) – Nga IEVP Durrës ne IEVP Peqin

5-  Elvis Ndreca – Nga IEVP Durrës ne IEVP Peqin

6- Dhimiter Nina – Nga IEVP Durrës ne IEVP Fier

7- Endri Seiti – Nga IEVP Durrës ne IEVP Peqin

8- Aldi Zonja – Nga IEVP Durrës ne IEVP Fier

9- Erind Lasku – Nga IEVP Durrës ne IEVP Peqin

10- Artur Hoxhosmani – Nga IEVP Durrës ne IEVP Fier

11- Artion Çaushllari alias Gjika – Nga IEVP Durrës ne IEVP Peqin

12- Armando Ndreca – Nga IEVP Durrës ne IEVP Fier

13- Armand Marvataj – Nga IEVP Durrës ne IEVP Peqin

14- Astrit Avdyli alisa Balliu- Nga IEVP Durrës ne IEVP Fier

15- Samuel Alfonso Moreno Serrano ( shtetas nga Venezuela ) – Nga IEVP Durrës ne IEVP Peqin

16- Braniol Liço alias Ago – Nga IEVP Durrës në IEVP Fier

17- Orges Molla – Nga IEVP Durrës ne IEVP Peqin

18- Dorian Beu – Nga IEVP Durrës ne IEVP Fier

19- Lulzim Berisha – Nga IEVP Durrës ne IEVP Peqin

20- Emirjan Beu – Nga IEVP Durrës ne IEVP Fier

21 – Juxhin Koka – Nga IEVP Durrës ne IEVP Peqin

22- Enkeli Kërtalli – Nga IEVP Durrës ne IEVP Fier

23 – Jose Ramos Zacarias Rodrigues Vasques ( shtetas nga Venezuela ) Nga IEVP Durrës ne IEVP Peqin

24- Skënder Sufaj – Nga IEVP Durrës ne IEVP Fier

25- Gëzim Thartori –  Nga IEVP Durres ne IEVP Peqin

26- Ismail Zeneli – Nga IEVP Durrës ne IEVP Fier

27- Geis Sejfullai – Nga IEVP Durrës ne IEVP Peqin

28- Klajdi Merkaj – Nga IEVP Durrës ne IEVP Fier

29- Ervin Zeqiri – Nga IEVP Durrës ne IEVP Peqin

30- Klevis Hoxhosmani – Nga IEVP Durrës ne IEVP Fier

31- Morel Kërtalli – Nga IEVP Durrës ne IEVP Fier

32- Maksim Ndoci – Nga IEVP Durrës ne IEVP Fier

33- Saimir Bilaçaj-  Nga IEVP Durrës ne IEVP Fier

Të mërkurën, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve zbardhi të gjitha shkeljet që dyshohet të kenë kryer punonjësit e paraburgimit të Durrësit, me pasojë arratisjen e Altin Ndocit, teksa po vizitohej në spitalin e qytetit. Në lidhje me këto shkelje, paraditen e së mërkurës u arrestuan 7 punonjës të Policisë së Burgjeve, si edhe kryeinfermieri i IEVP Durrës.

Në një reagim zyrtar, DPB tha se nga verifikimet paraprake ka rezultuar se për shoqërimin e planifikuar të të paraburgosurit Ndoci në spitalin e qytetit, IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Komisariatin e Policisë Durrës. Po ashtu, zyrtarët e burgut ku Altin Ndoci mbahej i izoluar nuk kanë raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi.

Shkelje janë vërejtur edhe në respektimin e procedurave standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve. Verifikimi paraprak i shkeljeve çoi Prokurorinë e Durrësit në lëshimin e urdhër-ndalimeve për 8 persona: 7 efektivë të Policisë së Burgjeve dhe kryeinfermierin e IEVP Durrës.

Më herët, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pezulloi nga detyra 12 zyrtarë, përfshirë zinxhirin komandues, drejtorin e IEVP Durrës, shefin e policisë, shefin e Policisë së IEVP Durrës dhe shefen e Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor. Pasditen e së mërkurës, drejtori i paraburgimit të Durrësit, Indrit Cerloj, u shkarkua nga detyra me urdhër të Ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari.

Në lidhje me dinamikën e arratisjes, Burgjet sqaruan se Ndoci është paraqitur në pavionin infektiv për marrjen e trajtimit mjekësor. Pas vizitës mjekësore nga mjeku kardiolog në Spitalin Rajonal Durrës, është rekomanduar mjekim dhe rikontroll pas 2 (dy) orësh. Gjatë kohës që ka qenë duke marrë trajtim mjekësor, shtetasi Altin Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet. Ai është shoqëruar nga punonjësit e Policisë së Burgjeve, por gjatë këtij momenti ka kundërshtuar dhe goditur punonjësit, duke arritur të arratiset.

Lufta kundër drogës në Ballkan, Bolton: SHBA duhet të krijojë aleancë me qeveritë, jo t’i bashkojë me trafikantët

Të mërkurën, Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të pezullojnë shqyrtimin e aplikimeve për viza emigracioni në vend për 75 shtete, mes të cilave ishin edhe Shqipëria dhe Kosova. Ky vendim vjen në një kohë kur ka një lloj alerti të shtuar të Shteteve të Bashkuara sa i takon goditjes së narkotrafikut në rajonin tonë, ku mesazhe të drejtpërdrejta janë përcjellë edhe në Shqipëri.

Sipas John Bolton, ish-këshilltar për sigurinë kombëtare i Donald Trump në mandatin e tij të parë si president, trafiku i narkotikëve nëpërmjet Ballkanit është më shumë problem për Europën se sa për SHBA. “Ne kemi vështirësitë tona në hemisferën perëndimore, por sipas përvojës sime, në mënyrë uniforme, është përballuar ky lloj trafiku. Dhe zgjidhja më e mirë për SHBA është që të punojë me qeveritë e vendeve që prodhojnë narkotikët ose i tranzitojnë lëndët dhe të kenë aleancë me qeveritë”, tha ai në “Off the Record”.

Kjo sipas tij, i ndan qeveritë nga trafikantët. “Në të kundërt, ky lloj bashkimi mes qeverive dhe trafikantëve nuk ndihmon as qeveritë dhe as Shtetet e Bashkuara. Besoj se avantazhi më i madh që mund të përballemi përkundër drogave të paligjshme është bashkëpunimi me qeveritë e vendeve të tjera që preken”.

E PLOTË / Kufizime për SPAK-un: Kushtetuesja ndalon përdorimin pa kriter të të dhënave personale!

Gjykata Kushtetuese ka dhënë një vendim me peshë në raportin mes hetimit penal dhe mbrojtjes së të drejtave themelore, duke vendosur kufij të qartë për sekuestrimin dhe përpunimin e të dhënave të nxjerra nga telefonat celularë në procedimet penale të drejtuara nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në vendimin nr. 44, datë 29 korrik 2025, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë ka pranuar pjesërisht ankimin kushtetues të Onejda Ymerajt dhe ka konstatuar cenimin e fshehtësisë së korrespondencës dhe të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale, për aq sa të dhënat e sekuestruara nga telefoni i saj celular nuk lidhen me objektin e hetimit penal.

Thelbi i konfliktit
Çështja lidhet me sekuestrimin e një telefoni celular nga oficerët e policisë gjyqësore, me iniciativë, në kuadër të një hetimi penal për korrupsion dhe pastrim parash. SPAK ka pretenduar se veprimi ishte i domosdoshëm dhe urgjent, për të shmangur rrezikun e humbjes ose fshirjes së të dhënave elektronike, duke e konsideruar telefonin si mjet prove.

Nga ana tjetër, kërkuesja ka argumentuar se ajo nuk ishte person nën hetim, se sekuestrimi u krye pa vendim gjykate dhe se ekspertimi teknik-elektronik i telefonit ka sjellë aksesim masiv e të pakufizuar në të dhëna personale dhe komunikime private, përfshirë edhe informacione sensitive që nuk kishin asnjë lidhje me hetimin.

Çfarë vendosi Gjykata Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se, në realitetin teknologjik të sotëm, telefoni celular nuk është thjesht një objekt fizik, por një “arkiv” i jetës personale dhe profesionale të individit, që përmban korrespondencë, të dhëna personale dhe informacione të palëve të treta. Për rrjedhojë, sekuestrimi i tij përbën njëkohësisht ndërhyrje serioze në privatësi.

Në këtë kuadër, Gjykata ka mbajtur një qëndrim të balancuar, sepse ka njohur legjitimitetin e interesit publik për hetimin e veprave të rënda penale, por ka theksuar se ndërhyrja duhet të jetë e ligjshme, e domosdoshme dhe proporcionale.

Gjykata ka konstatuar shkelje kushtetuese për pjesën e të dhënave dhe korrespondencës që nuk lidhen me objektin e hetimit penal dhe ka urdhëruar asgjësimin e kopjeve të tyre. Ndërkohë, ka lejuar vijimin e mbajtjes në sekuestro vetëm të atyre të dhënave që lidhen drejtpërdrejt me hetimin, duke i nënshtruar ato kontrollit gjyqësor dhe garancive procedurale.

Mesazh për hetimet penale
Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese i vendos një standard të ri praktikës hetimore: sekuestrimi i celularëve dhe ekspertimi i tyre nuk mund të shndërrohen në një “peshkim të gjerë” të jetës private të individit. Organet e ndjekjes penale duhet të dallojnë qartë mes provës së nevojshme dhe ndërhyrjes së tepruar në të drejtat themelore.

Vendimi është përfundimtar, hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare dhe ngarkon SPAK-un që, brenda tre muajve, të zbatojë masat e urdhëruara duke respektuar garancitë kushtetuese të përcaktuara nga Gjykata./nl/TemA

 

Dokumenta bashkëngjitur

“Vendimi 44/25 i Kushtetueses rrëzon hetimet e ngritura mbi grabitjen e të dhënave nga celularët”

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar pas zbardhjes së vendimit nr. 44/25 të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar atë si një goditje themelore ndaj praktikës së sekuestrimeve gjenerike të celularëve dhe përvetësimit masiv të të dhënave private nga SPAK.

Sipas Manjanit, vendimi përcakton qartë se hetimi penal nuk mund të ndërtohet mbi shkeljen e privatësisë dhe të drejtave kushtetuese, por vetëm mbi një proces të rregullt ligjor.

“Jam shumë kurioz të shoh se si do justifikohet mbajtja në këmbë e çështjeve penale të hapura mbi bazën e të dhënave që janë marrë harbutërisht nga memoriet e celularëve!

Vendimi 44/25 i Gjykatës Kushtetuese, i cili më në fund u zbardh, tregon qartë se :

1. Sekuestro e celularëve nuk është sekuestro e një sendi të thjeshtë por njëkohësisht përbën edhe sekuestro të korrespondencës private.

2. Të dhënat elektronike që gjenden në memoriet e celularëve apo kompjuterave janë të mbrojtura nga nenet 35, 36 të Kushtetutës si dhe nga neni 8 i Konventës. Pra janë pjesë e të drejtës për jetë private dhe të garantimit të fshehtësisë së korrespondencës.

3. Kur hetimit i duhet me patjetër një e dhënë elektornike private, gjykata/prokurori vetëm në rrethana të justifikuara mirë lejohet të kërkojnë nga mbajtësi i mjetit/arkivës elektronike private fiks atë të dhënë që duan. Jo të tjerat. Personi që i jep ato më vullnetin e tij, duhet të bëhet me dije paraprakisht se po jep një të drejtë të mbrojtur me Kushtetutë. Pra “nuk mjafton vullneti por edhe vetëdija reale e mbajtësit të të dhënës”- thotë gjykata.

Ndalohet marrja e të gjithë memories së aparateve elektronike!

4. Edhe sekuestro apo marrja e dhunshme e informacionit elektronik bëhet vetëm pasi të jetë shterruar më parë dakordësia e vetëdijshme e mbajtësit të memories private. Në çdo rast duhet një vendim gjykate që të autorizojë specifikisht të marrjen e të dhënës së kërkuar dhe, jo çdo gjë që gjen aty.

5. Nuk ka më vendime gjenerike sekuestro celularësh apo kompjuterash pa treguar paraprakisht në gjykatë se çfarë informacioni konkret kërkohet të merret.

Ka plot përcaktime të tjera ai vendim, i cili ka vendosur kufinjtë në përdorimin e të dhënave private elektronike për qëllime hetimi.

Tani shihini se si kanë filluar një pjesë e mirë e çështjeve penale nga SPAK. Me vendime gjenerike sekuestrosh; me vjedhje të të dhënave private nga memoriet e celularëve apo kompjuterave si të personave në hetim dhe, më keq akoma, të personave të tjerë.

Vendimi 44/25 i Gjykatës Kushtetuese u jep dërrmën këtyre çështjeve që kanë nisur në mënyrë harbute me të dhëna të vjedhura harbutshe.

***

Jam shumë i vetëdijshëm që njerëzia e etur për gjak e dhunë, ose e ngelur shtatzënë mendërisht duke pritur video me seks që mund të ketë vjedhur SPAK. Por kjo që ka ndodhur nuk ka lidhje me proçes të rregullt ligjor. Një ditë, diku, dikush do duhet ti hedhë në kosh këto proçese. Sa më shpejt të ndodhë kjo aq më me pak kosto për ne.

E përsëris:

Proçesi është garancia jonë, jo emrat konkretë, aq më pak bëmat e tyre.” – shkruan Manjani.

Hapet gara për numrin 2 të ‘FBI-së shqiptare’, kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët

Pas emërimit të Joni Ketës në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), pozita e Zëvendësdrejtorit ka mbetur vakant, duke krijuar një mundësi të mire pune për hetuesit e kualifikuar të brendshëm të institucioneve të sigurisë.

Ky post është vend kyç në strukturën e BKH-së, duke mbikëqyrur menaxhimin e burimeve njerëzore, koordinimin e aktiviteteve operative dhe administrimin e proceseve ndërinstitucionale. Kandidatët e interesuar duhet të demonstrojnë aftësi të forta në menaxhimin e stafit, në komunikim, në punën në grup dhe në ndërveprimet me institucionet e tjera shtetërore.

Për të marrë pjesë në këtë garë, kandidatët duhet të dorëzojnë një dosje të plotë dokumentesh që përfshin:

Kërkesën për aplikim – dokument formal që shpreh interesin dhe motivimin për të marrë këtë pozicion;

Platformën profesionale – një përshkrim të qartë të vizionit për rolin e Zëvendësdrejtorit, duke përfshirë menaxhimin e burimeve njerëzore, koordinimin institucional dhe strategjitë për përmirësimin e performancës së BKH-së;

Jetëshkrimin – një përmbledhje të përvojës profesionale dhe arritjeve në fushën e hetimit dhe menaxhimit;

Vlerësimin e fundit nga eprori direkt – për të pasqyruar performancën dhe kontributin në detyrat aktuale;

Çdo dokumentacion shtesë – certifikata, trajnim profesional, kualifikime akademike apo të tjera që mbështesin përgatitjen dhe aftësitë e kandidatit;

Certifikatën e njohjes së gjuhës angleze – për të dëshmuar aftësitë gjuhësore të nevojshme për bashkëpunim ndërkombëtar.

Dorëzimi i dokumenteve bëhet drejtpërdrejt në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore të BKH-së, dhe afati i fundit për aplikim është 22 janar 2026.

Autoritetet e BKH-së vlerësojnë rëndësinë e këtij konkursi për sigurimin e një drejtimi të kualifikuar dhe profesional të institucionit.

Mosmarrëveshje SHBA-Danimarkë për Groenlandën, Trump: Është jetike për sigurinë tonë, NATO të na udhëheqë ta arrijmë

Danimarka ka paralajmëruar për një “mosmarrëveshje themelore” me Shtetet e Bashkuara pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë mbi Groenlandën. Ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, tha se takimi me zëvendëspresidentin JD Vance dhe sekretarin e shtetit Marco Rubio ishte konstruktiv, por theksoi se këmbëngulja e presidentit Donald Trump për marrjen ose “pushtimin” e Groenlandës është e papranueshme.

“Presidenti i SHBA-së Trump po këmbëngulte në pushtimin e Grenlandës, gjë që ishte krejtësisht e papranueshme. E bëmë shumë, shumë të qartë se kjo nuk është në interes të Danimarkës,” tha ai.

Trump përsëriti interesin e tij për të blerë ishullin e pasur me burime, një pozicion që ka tronditur aleatët në të gjithë Evropën dhe ka nxitur tensione me NATO-n.

Sipas presidentit amerikan Groenlanda është jetike për sigurinë kombëtare të SHBA-së, ndërsa nuk ka përjashtuar as përdorimin e forcës ushtarake. Trump ka argumentuar se kontrolli i territorit është kritik për sistemin e tij të planifikuar të mbrojtjes nga raketat, Golden Dome.

“Është jetike për Kupolën e Artë që po ndërtojmë”, tha Trump në një postim në rrjetet sociale herët të mërkurën. “NATO duhet të jetë udhëheqëse që ne ta arrijmë atë.”

Takimi njëorësh midis SHBA-së, Danimarkës dhe Groenlandës nuk arriti të sjellë një përparim të madh, megjithëse të gjitha palët ranë dakord të ngrinin një grup pune të nivelit të lartë për të diskutuar të ardhmen e territorit autonom danez.

Danimarka dhe Groenlanda janë të hapura për bashkëpunim më të madh me SHBA-në, përfshirë praninë ushtarake, por kundërshtojnë çdo ide për marrjen e territorit.

Ndërkohë, disa vende evropiane, përfshirë Suedinë, Gjermaninë, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar, shprehën mbështetje për Groenlandën dhe Danimarkën mes rritjes së tensioneve gjeopolitike në Arktik.

Sondazhet tregojnë se shumica e banorëve të Groenlandës dhe amerikanëve kundërshtojnë kalimin e ishullit nën kontrollin e SHBA-së.

“Do dal me platformë konkrete”, Salianji: Në PD nuk ka ndryshuar asgjë që nga viti 2013

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, deklaroi se brenda PD-së nuk ka pasur asnjë ndryshim thelbësor që nga viti 2013, as në mënyrën e funksionimit, as në përzgjedhjen e lidershipit dhe as në gjuhën politike. I ftuar në A2CNN, Salianji tha se, në vitin 2026, shumica e figurave që garojnë dhe drejtojnë PD-në janë të njëjtët emra që kanë qenë aktivë edhe në vitin 2013.

Sipas tij, mungesa e rinovimit real dhe gabimet strategjike, veçanërisht pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2021, kanë prodhuar një krizë të thellë besimi te elektorati opozitar. Salianji pranoi se edhe ai vetë mban përgjegjësi për faktin që nuk u kërkua largimi i Lulzim Bashës menjëherë pas humbjes, duke e cilësuar këtë si “katastrofë politike” që i hapi rrugë mandatit të tretë dhe më pas të katërt të Edi Ramës.

Ai theksoi se Partia Demokratike sot vuan nga paqartësia strategjike, mungesa e shpresës dhe një opozitë formale, pa protesta reale dhe pa mobilizim qytetar. Sipas Salianjit, PD po sillet sikur humbjet elektorale nuk kanë ndodhur, ndërsa retorika për “zgjedhje të vjedhura” është konsumuar pa asnjë veprim konkret.

Ish-deputeti bëri të ditur se ka nisur turin e takimeve në qarqe për të dëgjuar demokratët dhe për të identifikuar problematikat reale të partisë. Ai paralajmëroi se në përfundim të këtij procesi do të dalë publikisht me një platformë konkrete reformimi, që synon ta kthejë PD-në në një forcë fituese, me rregulla të qarta për karrierën politike, gjuhë të re dhe lidhje reale me shoqërinë.

DETAJE / Mbledhja e Ramës me Grupin Parlamentar të PS, të pranishëm do jenë edhe ministrat

Është zbardhur agjenda e mbledhjes së kryeministrit Rama me grupin parlamentar socialist.

Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu bën me dije se në takim do të jenë të pranishëm të gjithë ministrat.

Takimi do të zhvillohet këtë të premte më datë 16 në orën 10:00. Fjalën hapëse do e ketë Kryeministri Rama që do pasohet nga fjala e Kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi e më pas të Kryetarit të Grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.

Agjenda e plotë:

10:00 Hapja e Mbledhjes

Fjala e Kryeministrit, Kryetarit të PSSH, Edi Rama.

Fjala e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.

Fjala e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PSSH, Taulant Balla.

Raporti i Veprimtarisë së Komisioneve Parlamentare
Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat Milva Ekonomi ( Koha 10`)

Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike Ulsi Manja ( Koha 10`)

Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes Bledar Çuçi ( Koha 10`)

Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural Blendi Klosi (Koha 10`)

Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën Anila Denaj ( Koha 10`)
dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm

Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet Evis Kushi ( Koha 10`)

Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale Eduard Shalsi ( Koha 10`)

Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik Iris Luarasi ( Koha 10`)

Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën Erion Malaj ( Koha 10`)

Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani ( Koha 10`)

Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin Fatmir Xhafaj ( Koha 10`)
dhe Mbikëqyrjen Institucionale

Komisioni Posaçëm për Realizimin e Reformës Zgjedhore Damian Gjiknuri (Koha 10`)

Komisioni Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale Arbjan Mazniku ( Koha 10`)

Raporti nga Sekretari i Grupit mbi pjesëmarrjen e deputetëve në Seancat Plenare, Komisionet dhe Mbledhjet e Grupit.

13:30 Konkluzione

Fjala e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PSSH, Taulant Balla.
Fjala e Kryeministrit, Kryetarit të PSSH, Edi Rama.

Akuza për inceneratorin, Rama replikon me gazetaren: Shpifje dhe injorancë! Jeni shtuar si prurjet e plastikës

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone të forta ndaj gazetares Klodiana Lala, pas një komenti publik lidhur me çështjen e ndotjes nga plastika dhe rolin e inceneratorit të Tiranës.

Në reagimin e tij, Rama thekson se ka vendosur t’i heqë emrin gazetares nga komenti jo për të shmangur polemikat personale, por për t’u fokusuar te ajo që ai e cilëson si “fakt skandaloz”: mënyra se si, sipas tij, një zë i opinionit publik dizinformon qytetarët. Kryeministri shprehet se është e papranueshme që qytetarëve t’u thuhet se inceneratori i Tiranës është përgjegjës për shishet dhe qeset plastike që hidhen rrugëve të Shqipërisë dhe që, më pas, përfundojnë në lumenj, kanale kulluese dhe në det, duke bllokuar grykërrjedhjet dhe ndotur plazhet.

“Komentatori-torja është gazetar-tare të cili-cilës ia hoqa emrin se nuk më intereson asfare polemika personale, po fakti skandaloz që një zëdhënës-nëse e opinionit publik, me një injorancë të ububushme (nuk flas për etikën apo për shqipshkrimin se pastaj i bie të rritet shumë kërkesa) u thotë qytetarëve se inceneratori i Tiranës e ka fajin për shishet e qeset plastike që hidhen rrugëve të Shqipërisë, e që me erën e pastaj me ujrat e lumenjve bëhen kapica të jashtëzakonshme e zbresin e bllokojnë rregullisht grykërrjedhjet e kanaleve kullues apo ndotin plazhet e detet…

Normalisht një gazetar nuk urren, nuk shpif, nuk dizinformon, po lexon, informohet dhe informon, por fatkeqësisht lloji i parë shtohet e shtohet (tamam si prurjet e plastikës) në kanalet e informimit, ndërsa lloji i dytë pakësohet dhe publiku përmbytet përditë nga prurjet e urrejtjes, shpifjes e dizinformimit!

Kollaj, të urresh, shpifësh, dizinformosh është kollaj, sepse nuk ka nevojë të lexosh, të mësosh, të kuptosh të vërtetën e të jesh i drejtë dhe i mirëartikuluar, ndërsa e kundërta, uh, e kundërta ka punë e mund të madh”, shkruan Rama.

Ndërkohë në postimin e saj gazetarja Lala shkruante:

“O mbret (qe je lakuriq) po te funksiononte inceneratori i Tiranes kete malin me plehra do e kishte djegur…
(Milionat jane vjedhur e ti ben propagande me ne)”, shprehej ajo.

Arratisja e Ndocit, reagon Policia e Durrësit: Ndodhi pa mbështetje sigurie shtesë…

Zbardhen detaje të reja në lidhje me arratisjen e Altin Ndocit nga Spitali i Durrësit.

Në lidhje me ngjarjen, Policia e Durrësit pretendon se nuk është për mbështetjen me forca sic ndodh zakonisht gjatë çdo shoqërimi të të paraburgosurve ose të dënuarve kur dalin jashtë ambienteve të burgut për arsye nga më të ndryshmet, ndërsa për arratisjen janë njoftuar në kohë.

Ndërkohë bëhet e ditur se janë kryer kontrolle në kërkim të Ndocit në disa zona të ndryshme të Tiranë, në Astir, Don Bosko, Selitë, etj. Gjithashtu është kontrolluar edhe banesa e tij në Yzberisht, por familjarët kanë deklaruar se nuk kanë dijeni për vendndodhjen. Si rrugë lidhëse me Durrësin, kontrolle u kryen edhe në rrugën e Ndroqit.

Pasi ka dalë nga Spitali i Durrësit, Ndoci është larguar me një automjet tip “Audi A7”, duke kaluar fillimisht në zonën e Spitallës, më pas është shfaqur në Shënavlash, ka vijuar në autostradë dhe dyshohet se ka hyrë në Tiranë.

VIDEO / U nderua me urdhrin “Zayed” në Abu Dhabi, Rama ndan pamjet nga ceremonia

Kryeministri Edi Rama është nderuar në Abu Dhabi me Urdhrin e Zayed, dekorata më e lartë civile e Emirateve të Bashkuara Arabe, e akorduar nga Presidenti Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan. Ceremonia solemne u zhvillua në Pallatin Presidencial të Abu Dhabit, në një atmosferë që Rama e cilësoi si veçanërisht domethënëse.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri ndau pamje nga momenti i dekorimit, duke e përshkruar atë si një përjetim të veçantë. “Mirëmëngjes dhe me videokartolinën e një momenti të paharrueshëm në Pallatin Presidencial të Abu Dhabit, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Sipas tij, ky vlerësim nuk është thjesht personal, por një dëshmi e marrëdhënieve në rritje mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. “Ky është një nder që i përket miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve tona, si dhe punës së përbashkët për projekte që synojnë zhvillimin dhe të ardhmen”, shprehet Rama.

Urdhri i Zayed i është dhënë kryeministrit shqiptar në vlerësim të kontributit të tij në forcimin e bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në fusha me ndikim social dhe zhvillimor. Çmimet dhe vlerësimet e lidhura me këtë nismë janë akorduar për projekte dhe organizata që punojnë për përmirësimin e arsimit dhe shkollimit, sigurimin e ujit të pijshëm, mbështetjen ushqimore për komunitetet në nevojë, si dhe për iniciativa që adresojnë ndryshimet klimatike dhe mbrojtjen e mjedisit.

Rama theksoi se bashkëpunimi me Emiratet e Bashkuara Arabe mbetet një prioritet strategjik për Shqipërinë, duke nënvizuar se investimet dhe projektet e përbashkëta synojnë të sjellin përfitime konkrete për qytetarët dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Rregullat e shkelura që favorizuan arratisjen e Altin Ndocit/ Protokollet që çuan në dështimin e Drejtorisë së Burgjeve

Altin Ndoci nuk u arratis për shkak të një rrethane të favorshme të momentit, por ai qartazi, e kishte thurur më parë planin e tij. Pikëpyetjet e shumta lidhur me ngjarjen e rëndë lidhen me gjithë procedurën e çuditshme të ndjekur nga autoritetet e paraburgimit të Durrësit, dhe shkeljet flagrante nga ana e tyre.

Rregullorja e Përgjithshme e burgjeve parashikon në nenin 109 të saj, pika 2 se “numri i punonjësve të sigurisë që bëjnë shoqërimin e të burgosurit të sëmurë në shërbimet e kujdesit shëndetësor jashtë institucionit caktohet në varësi të situatës, rrezikshmërisë, ambienteve, por në asnjë rast jo më pak se 3 (tre) punonjës sigurie për një të burgosur”.

Që këtu, nis shkelja e parë. Në furgonin e policisë së burgjeve, për të shkuar në repartin infektiv të spitalit të Durrësit, nuk ishte vetëm Altin Ndoci, por dhe një tjetër i paraburgosur, i dyshuar për vepra jo të rënda. Sipas rregullores, do të duhej që minimalisht për shoqërimin e tij të ishin 6 punonjës sigurie. Në të vërtetë, ishin vetëm 5. I gjashti ishte thjesht shoferi i furgonit.

Altin Ndoci, nuk ishte një i paraburgosur i rëndomtë. Nuk ishte as e nevojshme të lexoje gjithë dosjen e tij për të vlerësuar se bëhej fjalë për një person fort të rrezikshëm. Në këtë rast edhe protokollet, nuk janë ato të një rasti normal. Përkundrazi. Në situata të tilla përfshihen forcat operacionale, me një numër më të lartë efektivësh, e madje kërkohet dhe mbështetje nga policia. Dhe minimalisht dy furgonë. Por as kjo nuk ndodhi. Për Report Tv policia e Shtetit tha se në këtë shoqërim, nuk u kërkua ndihma e bluve.

Reparti infektiv në spitalin e Durrësit, ka një dhomë qeli, për të vizituar të dënuar apo të paraburgosur. Në çdo rast, sipas burimeve nga spitali, personeli mjekësor njoftohet paraprakisht. Nuk rezulton të ketë ndodhur.

Për habi, gjatë paradites, në portën hyrës të godinës tre katëshe të Infektivit, sot nuk kishte as roje private.

Nuk mbaron me kaq. Sipas dinamikës së ngjarjes, Ndoci është shoqëruar lart, vetëm nga dy punonjës sigurie. Tre të tjerët shoqëronin të paraburgosurin tjetër, larg së qeni, i një rrezikshmërie të lartë. Madje pasi ky i fundit ka përfunduar vizitën, të tre i kanë hipur furgonit për ta rikthyer në qeli, duke e lënë Ndocin, tërësisht në duart e vetëm dy kolegëve të tyre.

Por njollat e errëta që mbulojnë këtë ngjarje, shtrihen përtej këtij episodi. Për cilat arsye, mund të lihej në një burg si ai i Durrësit, botërisht i njohur, si një mjedis konvaleshence për të dënuarit një person me rrezikshmëri të lartë, i arrestuar me urdhër të SPAK, si pjesë e grupeve kriminale?

Pakujdesi apo komplicitet, këtë mbetet ta vërtetojnë hetimet. Por një gjë është e qartë, arratisja e Ndocit është një dështim spektakolar! /Shqiptarja.com/

“Kushte të larta sigurie në Rinas”/ Kreu i Aviacionit Civil: Linjat e reja të fluturimeve që do shtohen

Kreu i Aviacionit Civil, Maksim Ethemaj, i ftuar në studion e lajmeve në Klan News këtë të martë, 13 janar, foli mbi linjat e reja që do të operojnë në Shqipëri, sigurinë e aeroportit dhe mënyrën e funksionimit të aviacionit civil.

I pyetur për anulimet e fluturimeve në rastet e kushteve të këqija të motit, Ethemaj u shpreh se Aviacioni Civil ka si parim bazë që, nëse një udhëtim nuk është i sigurt, fluturimet nuk nisin.

“Në një mot të vështirë, është më mirë të mos kryhet fluturimi”, tha kreu i Aviacionit Civil, ndërsa shtoi se në raste të tilla, kur ka anulime, udhëtarët nuk kompensohen, “pasi kemi të bëjmë me raste force madhore, moti konsiderohet i tillë”.

Sa i përket risive, vitin e ardhshëm, sipas Ethemaj, në aeroport do të ketë 6 porta të reja dhe 17 kabina check-in, të cilat do ta lehtësojnë ndjeshëm lëvizjen e udhëtarëve.

Më tej, ai foli për linjat e reja që do të hapen nga Aeroporti i Tiranës drejt vendeve të tjera të Europës, por edhe përtej Atlantikut.

“Vitin tjetër do të kemi fluturime direkte me Kanadanë. Fluturimi i parë nga Tirana jashtë Europës do të kryhet në qershor. Nga Kopenhageni do të ketë fluturime të përditshme dhe do të shtohen linjat drejt disa qyteteve të Suedisë. Po negociojmë marrëveshje me Marokun dhe Norvegjinë. Po ashtu, po vazhdojnë diskutimet me Katarin dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Ethemaj.

Gjatë vitit 2025, sipas të dhënave të Aviacionit Civil, 12 milionë turistë vizituan Shqipërinë.

Sa i përket kushteve të sigurisë në Aeroportin e Rinasit, Ethemaj theksoi se ekziston një nivel i lartë sigurie, falë sistemeve të kamerave dhe kontrollit të aksesit.

Detaje nga arratisja e Altin Ndocit, kush ishte polici që qëlloi në ajër për ta trembur (EMRI)

Të tjera detaje bëhen me dije nga arratisja e Altin Ndocit këtë të martë, nga spitali i Durrësit, ndërkohë që shoqërohej nga disa punonjës policie.

Gazetarja e Klan News Glidona Daci ka mësuar se një nga policët që e shoqëronte Ndocin nga paraburgimi i Durrësit në spital, ka qenë Fatjon Baci. Ai është personi që shfaqet në pamjet që kanë qarkulluar nga momenti i arratisjes së Ndocit dhe shihet me armë në dorë.

Në momentin kur Ndoci arriti t’u largohej punonjësve të Policisë, Baci ka qëlluar në ajër me armën e shërbimit për ta trembur, por kjo nuk mjaftoi për ta ndaluar të arratisurin.

Altin Ndoci, një personazh i njohur i botës së krimit, i akuzuar për një sërë veprash të rënda penale, u arratis nga paraburgimi këtë të martë, 13 janar. 39-vjeçari ishte dërguar në infektivin e spitalit pasi kishte shfaqur probleme shëndetësore.

Arratisja spektakolare nga paraburgimi i Durrësit

Altin Ndoci, një personazh i njohur i botës së krimit, i akuzuar për një sërë veprash të rënda penale, u arratis nga paraburgimi këtë të martë, 13 janar. 39-vjeçari ishte dërguar në infektivin e spitalit pasi kishte shfaqur probleme shëndetësore.

“Paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore. Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali. Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në një deklaratë paraprake të Drejtorisë së Burgjeve.

Tronditet presidenca qipriote e BE-së/ Akuza ndaj kreut të shtetit se ka marrë ryshfete nga…

Presidenca qipriote e BE-së është tronditur orët e fundit nga një skandal korrupsioni që ka përfshirë presidentin dhe nivele të larta qeveritare. Gjithçka ndodhi pasi në rrjetin social X qarkulloi një video ku shfaqeshin zyrtarë publikë që pranonin praktika korruptive për të siguruar akses te Presidenti Nikos Christodoulides.

E përfolur në këtë skandal është edhe Zonja e Parë e Qipros, Philippa Karsera, e cila dha dorëheqjen si kryetare e një organizate bamirësie të lidhur me shtetin që ndihmon fëmijët në nevojë.

Thuhet se donacionet për një organizatë bamirësie të kryesuar nga gruaja e Presidentit Christodoulides janë përdorur për të fituar akses politik te bashkëshorti i saj. Karsera i mohoi akuzat, por dha dorëheqjen pas sulmeve të vazhdueshme në internet ndaj saj dhe familjes së saj.

Po ashtu, u dorëhoq edhe shefi i kabinetit të presidentit qipriot Christodoulides, Charalambous. Ata që e kanë publikuar videon pretendojnë se ekzistonte një skemë ku kompani qipriote biznesi i jepnin para nën dorë presidentit në këmbim të favoreve në tenderime publike. Bisedat, të cilat thuhet se përfshinin investitorë të rremë që pretendonin se do të investonin mbi 100 milionë euro, përqendrohen kryesisht në financimin me miliona euro të fushatës elektorale të presidentit Christodoulides.

“Nuk kam asgjë për t’u frikësuar dhe nuk po fshihem”, u shpreh presidenti Christodoulides, i cili ka hedhur poshtë akuzat ndaj tij për financim të paligjshëm të fushatës elektorale.

“Do të doja t’u bëja thirrje publikisht kujtdo që ka prova për përfitime financiare të drejtpërdrejta ose të tërthorta gjatë fushatës zgjedhore ose gjatë kohës sime si President i Republikës, t’ua paraqesë ato menjëherë autoriteteve shtetërore kompetente. Nuk do t’i jap askujt, absolutisht askujt, të drejtën të më akuzojë për korrupsion”.

Christodoulides e ka përshkruar çështjen edhe si pjesë të një “lufte hibride”, që dyshohet se është orkestruar nga një aktor i huaj, ndoshta Rusia.
Zyrtarët në Nikozia e kanë konsideruar videon si një “aktivitet hibrid” keqdashës dhe të montuar, që synon të dëmtojë imazhin e qeverisë dhe të vendit.

Shërbimet e inteligjencës së Qipros po hetojnë burimin e videos, për të cilin kanë kërkuar ndihmë nga SHBA-të dhe Izraeli. Mediat lokale, duke cituar burime qeveritare, pretendojnë lidhje të mundshme me fushatën dezinformuese të Rusisë, e njohur për video anonime që paraqiten si gazetari investigative. Nga ana tjetër, ato kanë pretenduar se teksti shoqërues ishte shtypur në një tastierë me shkronja të alfabetit turk.

Asnjë zyrtar qipriot nuk e ka fajësuar publikisht Ankaranë deri më tani. Opozita qipriote ka kërkuar transparencë, duke hedhur poshtë pretendimet për ndërhyrje të huaja dhe duke thënë se problemi është korrupsioni.

Qiproja ka zgjedhje parlamentare në muajin maj, ndërkohë që zgjedhjet e ardhshme presidenciale janë planifikuar për vitin 2028.

❌