Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Inteligjenca Artificiale po merr në kontroll të gjitha mediat!

Jo vetëm që inteligjenca artificiale po përmbys tashmë industrinë e filmit, por Hollivudi është vetëm një shembull se si kjo teknologji do të shkaktojë dhimbje të mëdha shoqërore dhe ekonomike, nëse nuk menaxhohet me humanizëm dhe kujdes. Shkrimi artistik, fotografia komerciale, radioja, muzika dhe më e kërcënueshme se të gjitha – gazetaria dhe mediat tradicionale.

Inteligjenca artificiale po vjen për “përmbajtjen”, që do të thotë gjithçka, nga reklamat dhe romanet te filmat dhe gazetaria. Rezultati, që do të nisë shumë shpejt, ka gjasa të jetë njëkohësisht i tmerrshëm, i mrekullueshëm, dëshpërues dhe emocionues. Nuk do të ketë vetëm shkatërrim krijues, por edhe shumë shkatërrim të thjeshtë dhe të pastër.

Duke qenë se pjesën më të madhe të jetës sime të rritur e kam kaluar duke prodhuar kërkime, gazetari dhe dokumentarë, si edhe duke konsumuar romane dhe filma argëtues, kam shumë empati për krijuesit. Por tre vitet e fundit kam qenë investitor dhe sipërmarrës në fushën e inteligjencës artificiale, dhe kjo përvojë ka formësuar mesazhin që do t’u jepja të gjithëve në gazetari, botim, muzikë, reklamë dhe Hollivud: nëse e injoroni potencialin e kësaj teknologjie, e bëni këtë në rrezikun tuaj.

Së pari, shikoni perspektivën e Hollivudit. Industria e filmit dhe televizionit është tkurrur prej vitesh, për shkak të formave të reja të shpërndarjes së medias, si platformat e transmetimit online, të mundësuara nga interneti, laptopët, tabletët dhe telefonat celularë. Rënia e televizionit kabllor dhe e DVD-ve reflekton një sërë faktorësh, përfshirë transmetimin online, rritjen e përmbajtjes së krijuar nga përdoruesit, demokratizimin e krijimit përmes kamerave dhe programeve të lira, si dhe konkurrencën për vëmendjen e publikut nga YouTube, Facebook dhe TikTok.

Gjatë gjithë kësaj dekade tkurrjeje të dhimbshme, teknikat bazë të prodhimit video nuk ndryshuan shumë. Ende përdoreshin kamera reale për të filmuar njerëz dhe objekte reale. Së shpejti, megjithatë, të gjitha këto inpute të botës reale do të vjetërohen dhe do të zëvendësohen nga inteligjenca artificiale.

Pionierët e këtij realiteti të ri do të jenë, pa përjashtim, startup-et, disa prej tyre më pak se një vit të vjetra. Asnjë studio tradicionale, producent apo distributor nuk është në ballë të kinemasë apo shpërndarjes së bazuar në inteligjencë artificiale. Startup-i i parë i tillë, Runway, u themelua tetë vite më parë dhe më pas iu bashkuan Arcana, Flick, Koyal, Zingroll dhe të tjerë.

Kam folur muajt e fundit me themelues dhe drejtues të lartë të secilës prej këtyre kompanive dhe u kam bërë të gjithëve të njëjtën pyetje: sa kohë do të duhet që një person pa njohuri teknike të mund të krijojë një film artistik të plotë me inteligjencë artificiale, me personazhe dhe vlera prodhimi po aq të mira sa një film tipik hollivudian? Përgjigjet e tyre bien në një interval të ngushtë: nga një deri në tre vjet, me një mesatare rreth dy vjet. Për filma të shkurtër dhe reklama, tashmë kemi arritur aty.

HOLYWATER, një startup ukrainas i themeluar në vitin 2020, u mundëson kujtdo të krijojë filma të shkurtër “vertikalë”, të dizajnuar për telefonat, duke përdorur inteligjencën artificiale për të gjeneruar një numër të madh tregimesh me tekst, popullariteti i të cilave udhëheq më pas prodhimin filmik. Të ardhurat e HOLYWATER tashmë tejkalojnë 100 milionë dollarë dhe po dyfishohen çdo vit. Po ashtu, Ëide Ëorlds, i themeluar në vitin 2024, u lejon fansave të krijojnë filma të shkurtër duke u bazuar në universet e tyre të preferuara të fan-fiction.

Industria globale e reklamave digjitale, me vlerë 600 miliardë dollarë, është e radhës. Startup-i kryesor në reklamat me inteligjencë artificiale, Higgsfield, u themelua vetëm në vitin 2023, por biznesi i tij ka shpërthyer, me të ardhura që dyfishohen çdo muaj dhe me projeksion për të kaluar 1 miliard dollarë këtë vit.

Për seri dhe filma më të gjatë e më kompleksë, teknologjia ende nuk është plotësisht gati, por po përparon me shpejtësi. Brenda një dekade, aktorët njerëzorë do të bëhen artefakte historike, po ashtu edhe operatorët e kamerave, kaskaderët, drejtorët artistikë, dizajnerët e kostumeve, producentët e linjës dhe skautët e lokacioneve. Ndërkohë që disa studio po përdorin në heshtje shumë inteligjencë artificiale, shumica e Hollivudit po përgatitet për këtë cunam duke bërë… pothuajse asgjë.

Nga ana tjetër, sindikatat që përfaqësojnë aktorët, skenaristët dhe profesionet e tjera janë të tmerruara dhe kanë reaguar duke kundërshtuar verbërisht çdo përdorim të inteligjencës artificiale, gjë që në rastin më të mirë është e kotë. Megjithatë, frika e tyre është e justifikuar. Teknologjia po avancon aq shpejt, sa kalimi nga prodhimi fizik në atë të bazuar në inteligjencë artificiale ka gjasa të jetë brutal dhe i shkurtër, duke shkatërruar mijëra karriera dhe kompani pothuajse brenda natës.

Hollivudi është vetëm një shembull i mënyrës se si revolucioni i inteligjencës artificiale do të shkaktojë dhimbje të mëdha shoqërore, nëse nuk menaxhohet me kujdes dhe humanizëm. Të njëjtat gjëra mund të thuhen për letërsinë artistike, fotografinë komerciale, radion dhe, mbi të gjitha, muzikën, ku shumë startup-e të reja po u mundësojnë njerëzve pa njohuri muzikore të krijojnë këngë.

Megjithëse disa prej këtyre kompanive janë paditur për shkelje të pronësisë intelektuale dhe kanë arritur marrëveshje me shtëpitë e mëdha diskografike, asnjë kompani tradicionale e muzikës nuk është në ballë të inteligjencës artificiale, përveçse nëpërmjet padive gjyqësore.

Dita pas së nesërmes

Pra, revolucioni i inteligjencës artificiale po vjen në art, dhe shkatërrimi i industrive tradicionale do të jetë i tmerrshëm. Ajo që do të vijë më pas, megjithatë, është një pyetje shumë më e ndërlikuar.

Personalisht, si një ish dhe i ardhshëm kineast, jam i emocionuar nga kinemaja me inteligjencë artificiale. Do të doja të shkruaja trajtime dhe skenarë, t’ia jepja ato “studios” sime me inteligjencë artificiale, të merrja një version fillestar të mirë dhe pastaj ta përpunoja vazhdimisht me ndihmën e inteligjencës artificiale derisa të arrija saktësisht filmin që dua të realizoj, me çdo personazh, ambient, lëvizje, rresht dialogu dhe kënd kamere perfekt. Nuk do të kishte nevojë të lypja financime, të punësoja të dashurën e producentit, të duroja një yll filmi me ego të shfrenuar apo të shqetësohesha nëse dikush në sheshxhirim kishte futur municione të vërteta.

Megjithatë, ekziston një nevojë urgjente për ligje, sisteme dhe institucione të reja për të mbrojtur pronën intelektuale dhe krijuesit e saj. Çështja më e diskutuar është nevoja shumë reale për të kompensuar krijuesit tradicionalë, puna e mëparshme e të cilëve përdoret për të trajnuar modelet e inteligjencës artificiale. Por ekziston gjithashtu nevoja për të mbrojtur krijuesit dhe krijimet e bazuara në inteligjencë artificiale.

Ideja se arti i krijuar nga inteligjenca artificiale nuk mund ose nuk duhet të mbrohet është e gabuar. Kur artistët njerëzorë përdorin inteligjencën artificiale për të krijuar vepra të reja, ata meritojnë mbrojtje po aq sa artistët që përdorin mjete tradicionale.

Në fakt, pres që inteligjenca artificiale të krijojë kushtet për zhanre të reja madhore dhe artistë gjenialë. Për një shembull të asaj që dua të them, shikoni Festivalin e Filmit me Inteligjencë Artificiale Runway, veçanërisht fituesin e çmimit të madh, Total Pixel Space. Punë të tilla tregojnë pse e mirëpres epokën e inteligjencës artificiale në krijimin artistik, edhe pse e pranoj se ky revolucion do të ketë pasoja të rënda.

Shumë njerëz të mirë, qindra mijëra, ndoshta miliona, do të mbeten pa punë pa paralajmërim. Do të ketë gjithashtu oqeane përmbajtjeje të dobët të krijuar nga inteligjenca artificiale – fjalë për fjalë miliona romane, këngë dhe filma të rinj çdo vit – duke e bërë të vështirë që artistët e rinj të talentuar të bien në sy. Dhe, sigurisht, do të ketë më shumë të dashura artificiale dhe pornografi artificiale, si dhe krijime të tmerrshme që variojnë nga ringjallja e nazistëve deri te përshkrime të abuzimit me fëmijë.

Jeta e një iluzioni

Më frikësuese për mua, megjithatë, është ajo që po ndodh me botën e jofiksionit, lajmet, burimet e informacionit dhe shërbimet referuese. Këtu tashmë po shohim fshirjen e kufijve, deri në pikën e padallueshmërisë, midis faktit dhe trillimit. Ndërsa epoka e inteligjencës artificiale në art më emocionon më shumë sesa më shqetëson, balanca është e ndryshme në fushën e së vërtetës dhe realitetit. Sa ka për të festuar, po aq jam i tmerruar nga ajo që inteligjenca artificiale mund të sjellë.

Gazetaria, ashtu si Hollivudi, tashmë është tkurrur. Interneti i detyroi gazetat e përditshme, revistat javore, radion dhe televizionin informativ të futeshin të gjitha në të njëjtin treg; shkatërroi të ardhurat nga reklamat e vogla, nga të cilat gazetat vareshin; dhe nxiti mijëra hyrje të reja me cilësi të ulët. Burimet e lajmit mbi të cilat shumica e njerëzve mbështeteshin më parë, revista si Time dhe Newsweek, si dhe lajmet televizive të rrjeteve, u shkatërruan, ndërsa mediat sociale, YouTube dhe agregatorët morën kontrollin, duke ofruar përmbledhje që ishin pak më pak se shkelje e të drejtës së autorit,  kur ishin të vërteta. Mashtrimi dhe gënjeshtra u përhapën dhe cilësia e informacionit të konsumuar nga publiku i gjerë ra ndjeshëm.

Pas disa përvojave pranë vdekjes, një numër i vogël organizatash të lajmit me cilësi të lartë në gjuhën angleze dolën edhe më të forta dhe me audienca globale më të mëdha se më parë: New York Times, Financial Times, Guardian, Bloomberg News, Economist, Politico, si dhe agjencitë Reuters dhe AP. Por këto media arrijnë vetëm një pakicë të vogël të popullsisë. Ato janë gjithashtu të shtrenjta për t’u prodhuar dhe financat e tyre janë të brishta. Inteligjenca artificiale kërcënon jo vetëm institucionet e mbetura të gazetarisë cilësore, por më thellë akoma, vetë aftësinë e kujtdo për të ofruar informacion të vërtetë dhe për të mbajtur një publik të informuar të aftë për gjykim racional.

Çështja më e dukshme dhe më e diskutuar është ajo e deepfake-ve. Këto janë vërtet një problem i madh, duke pasur parasysh se YouTube, Facebook, Snap, X dhe TikTok kanë pak ose aspak detyrime në lidhje me të vërtetën ose saktësinë. Për gjithë dëmin që teoricienë konspiracioni si Alex Jones kanë shkaktuar, të paktën e dinim se po dëgjonim Alex Jones-in e vërtetë. Së shpejti, do të jetë e mundur të sintetizohen versione pothuajse të padallueshme të kujtdo dhe të pothuajse çdo ngjarjeje.

Edhe modelet më të trajnuara me kujdes të inteligjencës artificiale mund të keqpërdoren, dhe disa modele open-source nuk kanë asnjë kontroll. Të disponueshme për këdo, ato mund të “trajtohen” për të prodhuar pothuajse çdo lloj teksti apo videoje, nga cilësi e lartë dhe e verifikuar deri te shtrembërime të çmendura.

Në të njëjtën kohë, inteligjenca artificiale ka përmirësuar ndjeshëm cilësinë e lajmeve dhe informacionit të disponueshëm për publikun, të paktën për këdo që është mjaftueshëm i interesuar për t’i kërkuar. Modelet kryesore janë tashmë jashtëzakonisht të mira. Halucinacionet mbeten një problem, por shumë më pak se edhe një vit më parë.

Modelet kanë lidhur gjithashtu marrëveshje, kryesisht sekrete, por disa publike,  me disa nga ofruesit seriozë të lajmeve. Financial Times ka një marrëveshje me OpenAI, Neë York Times ka një me Amazon, dhe AP ka marrëveshje me OpenAI dhe Google.

Tashmë, modelet e inteligjencës artificiale ofrojnë një portal të mrekullueshëm drejt dijes për më shumë se një miliard përdorues. Unë përdor Perplexity të paktën dhjetë herë në ditë dhe e kam përdorur vazhdimisht edhe për të shkruar këtë ese.

Por ekziston një anë e errët. Modelet e inteligjencës artificiale nuk krijojnë dije. Ato e mbledhin dhe e shpërndajnë dijen në mënyrë të shkëlqyer, por janë plotësisht të varura nga informacioni i krijuar nga të tjerët. Ne ende kemi nevojë për gazetari reale.

Dhe ndërsa varen prej saj, inteligjenca artificiale rrezikon ta shkatërrojë atë. Kjo është arsyeja pse ekziston rreziku real që, nëse gazetaria nuk mbrohet dhe nuk kompensohet, industria e inteligjencës artificiale do të vrasë burimin nga i cili ushqehet.

Mund të shpresojmë se kjo nuk do të ndodhë. Por ka gjithashtu arsye të forta për t’u shqetësuar se mund të ndodhë.

Shkruar nga Charles Ferguson, investitor dhe producent, për Project Syndicate

The post Inteligjenca Artificiale po merr në kontroll të gjitha mediat! appeared first on Gazeta Si.

SHBA-Zgjedhje që demokratët mund t’i humbasin vetë

Në zgjedhjet e mesmandatit, partia që nuk mban Shtëpinë e Bardhë pothuajse gjithmonë fiton terren. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur vlerësimi i presidentit është nën 50%, çka do të thotë se republikanët duhet të jenë të shqetësuar. Miratimi i Donald Trump është 42.7% sipas mesatares së RealClearPolitics. Besimi i konsumatorëve po bie. Dhe gabimet e rënda në Minneapolis e kanë dëmtuar atë dhe partinë e tij.

Megjithatë, të gjitha këto nuk garantojnë një fitore të madhe për demokratët në nëntor. Ka ende kohë — më shumë se nëntë muaj — që fati i republikanëve të përmirësohet. Më e rëndësishmja, demokratët kanë problemet e tyre.

Shumë prej tyre mendojnë se mjafton të sulmojnë Trump-in për çdo veprim dhe fjalë. Nuk mjafton. Sulmet duhet të lidhen me një axhendë demokrate që adreson çështjet që amerikanët mendojnë se ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre. Sulmimi i verbër i Trump-it çdo ditë i lejon presidentit të zgjedhë fushën e betejës. Demokratët duhet të kenë një plan që u lejon ta sulmojnë atë në terren më të favorshëm për ta.

Nuk ndihmon as fakti që shumë demokratë po bërtasin për shkarkimin (impeachment) e Trump-it. Republikanët e tepruan kur shkarkuan Bill Clinton-in në 1998, dhe demokratët nuk përfituan asgjë kur e shkarkuan Trump-in dy herë në mandatin e tij të parë. Votuesit e lëkundur e dinë se dy të tretat e Senatit nuk do të votojnë për shkarkim sot. Prandaj, thirrjet për largimin e Trump-it duken thjesht si politikë partiake.

Koha e harxhuar për impeachment është kohë e humbur për të diskutuar çfarë lëviz votuesit e pavendosur. Të pavarurit duan të dinë si do ta përmirësonin demokratët ekonominë dhe pse pagat e tyre nuk kanë ndjekur rritjen e çmimeve. Ata janë të shqetësuar për inteligjencën artificiale, tarifat dhe konfliktet tregtare. E shohin botën si të rrezikshme dhe të paqëndrueshme. Dhe janë skeptikë, sepse ia atribuojnë një pjesë të madhe të problemeve ekonomike Joe Biden-it. Pa një axhendë demokrate, shumë prej tyre nuk do të binden se demokratët do të qeverisnin më mirë.

Për të maksimizuar fitoret, axhenda e demokratëve duhet të afrohet më shumë me qendrën dhe të largohet nga ekstremi i majtë. Fitorja e Zohran Mamdanit si kryetar bashkie i Nju Jorkut ka tërhequr vëmendjen e aktivistëve të partisë. Ajo do të inkurajojë kandidatë të ngjashëm në primare. Ai dhe eksperimentet e tij socialiste do të tërheqin vëmendje kombëtare këtë vit. Kjo nuk do të ndihmojë në nëntor. Vizioni i tij është jopopullor jashtë disa zonave thellësisht blu.

Të thuash të drejtën, nuk është shumë popullor as në vetë Nju Jorkun. Atje, 65% e votuesve janë demokratë të regjistruar dhe 11% republikanë. Mamdani fitoi vetëm 50.8% të votave.

Sa më shumë kandidatë të majtë të fitojnë në primare, aq më shumë demokratët kudo do të duhet të shpjegojnë ku qëndrojnë ndaj ideve më kontroverse të së majtës. Beteja brenda Partisë Demokrate është vendimtare. Të luash vetëm në mbrojtje nuk fiton zgjedhje.

As thirrjet për shfuqizimin e ICE (Agjencisë së Emigracionit dhe Doganave) nuk ndihmojnë. Kjo thirrje mund të jetë po aq e dëmshme për demokratët sa “defund the police”. Ajo forcon idenë se demokratët mbështesin kufij të hapur dhe mbrojtjen e emigrantëve të paligjshëm të dhunshëm. Më mirë të dënohen veprime të veçanta të ICE dhe të kërkohen reforma të thella, sesa të duken sërish të butë ndaj krimit dhe emigracionit të paligjshëm.

Demokratët kanë bërë gjithashtu një gabim të madh duke mbrojtur pjesëmarrjen e burrave në sportet e grave dhe përdorimin e tualeteve të grave. Shumë votues të pavendosur shqetësohen kur demokratët nuk mund të përkufizojnë fjalën “grua” ose të pranojnë se burrat nuk mund të lindin. Këta demokratë duken të çuditshëm.

Një tjetër shenjë shqetësuese për demokratët: votuesit u besojnë më shumë republikanëve në Kongres për çështje kyçe. Një sondazh i Wall Street Journal këtë muaj tregoi se votuesit mendojnë se republikanët janë “më të aftë” për ekonominë me 38% kundrejt 32% për demokratët. Për inflacionin, po të njëjtat shifra. Për emigracionin, 44% republikanë kundrejt 33% demokratë. Për politikën e jashtme, 38% republikanë dhe 33% demokratë.

Së fundi, demokratët përballen me një problem strukturor. Ata kanë më pak objektiva të lehtë këtë vit. Zakonisht, presidentët sjellin me vete kandidatë të partisë së tyre në zona të lëkundura. Jo Trump-i. Republikanët humbën dy vende në Dhomën e Përfaqësuesve në 2024.

Demokratët duhet të bëjnë atë që nuk e kanë bërë kurrë gjatë epokës Trump: të theksojnë një axhendë qeverisëse në vend të denoncimeve të ashpra ndaj presidentit. Të flasin më pak për të dhe më shumë për nevojat e amerikanëve të zakonshëm. Të qëndrojnë larg ekstremit të majtë. Të tregojnë sens të përbashkët. Nuk duhet të jetë e vështirë, por është. Prandaj demokratët janë ende në vështirësi. Wash

*Karl Rove, ish-këshilltar i lartë i Presidentit George W. Bush/Burimi: Wahsington Post

The post SHBA-Zgjedhje që demokratët mund t’i humbasin vetë appeared first on Gazeta Si.

Pse përgjigjja e Iranit ndaj një sulmi amerikan mund të jetë e ndryshme këtë herë

Nga Gazeta ‘Si’- Mbërritja e grupit goditës të aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln në zonën e përgjegjësisë së Komandës Qendrore të SHBA-së, pranë ujërave iraniane, ka rritur ndjesinë se një përballje më e gjerë mund të jetë duke marrë formë.

Ky dislokim nënvizon sa afër mund të jenë tashmë Uashingtoni dhe Teherani një përballjeje të drejtpërdrejtë, më afër se në çdo moment të viteve të fundit.

Udhëheqësit iranianë gjenden të shtrënguar mes një lëvizjeje proteste që po kërkon gjithnjë e më hapur rrëzimin e vetë regjimit dhe një presidenti amerikan që i ka mbajtur qëllimet e tij qëllimisht të paqarta, duke ushqyer ankth jo vetëm në Teheran, por në gjithë një rajon tashmë të paqëndrueshëm.

Përgjigjja e Iranit ndaj një goditjeje të mundshme ushtarake amerikane mund të mos ndjekë modelin e njohur dhe të llogaritur me kujdes që është parë në përballjet e mëparshme me Uashingtonin.

Një grup sulmues detar i udhëhequr nga USS Abraham Lincoln ka mbërritur në Lindjen e Mesme, thonë raportet.

Kërcënimet e fundit të Presidentit Donald Trump, të bëra në kontekstin e shtypjes së dhunshme të trazirave të brendshme në Iran, vijnë në një moment tensioni të jashtëzakonshëm të brendshëm për Republikën Islamike. Si rezultat, çdo sulm amerikan tani mbart një rrezik dukshëm më të lartë për përshkallëzim të shpejtë, si në rajon ashtu edhe brenda Iranit.

Në vitet e fundit, Teherani ka treguar prirje për hakmarrje të vonuar dhe të kufizuar.

Pas sulmeve amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane më 21–22 qershor 2025, Irani u përgjigj të nesërmen me një sulm me raketa ndaj bazës ajrore Al Udeid në Katar, e operuar nga SHBA-të.

Sipas Presidentit Trump, Irani kishte dhënë paralajmërim paraprak për sulmin, duke u mundësuar mbrojtjeve ajrore të kapnin shumicën e raketave. Nuk pati viktima. Shkëmbimi u interpretua gjerësisht si një përpjekje e qëllimshme e Iranit për të treguar vendosmëri duke shmangur një luftë më të gjerë.

Një model i ngjashëm u pa edhe në janar 2020, gjatë presidencës së parë të Trump. Pas vrasjes nga SHBA e komandantit të Forcës Quds, Qassem Soleimani, pranë aeroportit të Bagdadit më 3 janar, Irani u kundërpërgjigj pesë ditë më vonë duke lëshuar raketa ndaj bazës amerikane Ain al-Asad në Irak.

Edhe atëherë u dha paralajmërim paraprak. Megjithëse nuk pati të vrarë nga personeli amerikan, dhjetëra raportuan më vonë dëmtime traumatike të trurit. Episodi përforcoi perceptimin se Teherani kërkonte ta menaxhonte përshkallëzimin dhe jo ta provokonte atë.

Megjithatë, momenti aktual është dukshëm ndryshe.

Irani po del nga një nga valët më serioze të trazirave të brendshme që nga themelimi i Republikës Islamike në vitin 1979.

Protestat që shpërthyen në fund të dhjetorit dhe fillim të janarit u përballën me një shtypje të ashpër dhe të dhunshme. Organizatat e të drejtave të njeriut dhe punonjës mjekësorë brenda vendit raportojnë se disa mijëra persona janë vrarë, ndërsa shumë të tjerë janë plagosur ose ndaluar.

Numrat e saktë nuk mund të verifikohen për shkak të mungesës së aksesit dhe një ndërprerjeje të internetit që ka vazhduar për më shumë se dy javë.

Autoritetet iraniane nuk kanë pranuar përgjegjësi për vdekjet, duke fajësuar ato që i quajnë “grupe terroriste” dhe duke akuzuar Izraelin për nxitjen e trazirave.

Ky narrativ është përsëritur edhe në nivelet më të larta të shtetit. Sekretari i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit tha së fundmi se protestat duhen parë si vazhdim i luftës 12-ditore të verës së kaluar me Izraelin — një kornizë që jep ide mbi qasjen e autoriteteve të fokusuar te siguria dhe që mund të jetë përdorur si justifikim për shkallën dhe intensitetin e goditjes.

Edhe pse përmasat e protestave në rrugë janë zvogëluar, ato nuk kanë përfunduar. Pakënaqësitë mbeten të pazgjidhura dhe ndarja mes pjesëve të mëdha të shoqërisë dhe sistemit qeverisës rrallëherë është dukur kaq e thellë.

Më 8 dhe 9 janar, forcat e sigurisë thuhet se humbën kontrollin e disa pjesëve të qyteteve dhe lagjeve në qytete të mëdha, përpara se ta rimerrnin autoritetin përmes force dërrmuese.

Kjo humbje e shkurtër kontrolli duket se i ka tronditur thellë autoritetet. Qetësia që pasoi u imponua, jo u negociua, duke e lënë situatën shumë të ndezur.

Retorikë e papajtueshme

Në këtë sfond, natyra e çdo goditjeje amerikane bëhet vendimtare.

Një sulm i kufizuar mund t’i lejojë Uashingtonit të pretendojë sukses ushtarak duke shmangur një luftë të menjëhershme rajonale, por mund t’u japë gjithashtu autoriteteve iraniane një pretekst për një valë tjetër represioni të brendshëm.

Një skenar i tillë rrezikon goditje të reja, arrestime masive dhe një valë të re dënimesh të ashpra, përfshirë dënime me vdekje, ndaj protestuesve tashmë të ndaluar.

Në anën tjetër, një fushatë më e gjerë amerikane që do ta dobësonte ndjeshëm ose paralizonte shtetin iranian mund ta shtynte vendin drejt kaosit.

SHBA-të sulmuan centralet bërthamore iraniane gjatë luftës së Iranit me Izraelin në qershor 2025.

Shembja e papritur e autoritetit qendror në një vend me mbi 90 milionë banorë vështirë se do të sillte një tranzicion të pastër apo të shpejtë. Përkundrazi, mund të shkaktonte paqëndrueshmëri të zgjatur, dhunë fraksionesh dhe pasoja zinxhir në rajon, me efekte që mund të duan vite për t’u përmbajtur.

Këto rreziqe ndihmojnë në shpjegimin e retorikës gjithnjë e më të ashpër nga Teherani.

Komandantë të lartë si në Gardën Revolucionare Islamike ashtu edhe në forcat e rregullta të armatosura, së bashku me zyrtarë të lartë politikë, kanë paralajmëruar se çdo sulm amerikan — pavarësisht shkallës — do të trajtohej si akt lufte.

Deklarata të tilla kanë shqetësuar fqinjët e Iranit, veçanërisht shtetet e Gjirit që strehojnë forca amerikane. Një reagim i shpejtë iranian do t’i vinte ato vende dhe Izraelin në rrezik të menjëhershëm, pavarësisht përfshirjes së tyre direkte, duke rritur mundësinë e përhapjes së konfliktit përtej Iranit dhe SHBA-ve.

Edhe Uashingtoni përballet me kufizime. Trump ka paralajmëruar vazhdimisht autoritetet iraniane kundër përdorimit të dhunës ndaj protestuesve dhe, në kulmin e trazirave, u tha iranianëve se “ndihma po vjen”. Këto komente u përhapën gjerësisht brenda Iranit dhe ngritën pritshmëri te protestuesit.

Të dyja palët janë të vetëdijshme për panoramën më të gjerë strategjike.

Trump e di se Irani është ushtarakisht më i dobët se përpara luftës 12-ditore të verës së kaluar, ndërsa Teherani është i vetëdijshëm se ai ka pak oreks për një konflikt të plotë dhe të zgjatur.

Kjo vetëdije e ndërsjellë mund të ofrojë njëfarë sigurie, por mund të krijojë edhe keqkuptime të rrezikshme, me secilën palë që mund të mbivlerësojë avantazhin e vet ose të keqinterpretojë qëllimet e kundërshtarit.

Për Trump, gjetja e ekuilibrit është thelbësore. Ai ka nevojë për një rezultat që mund ta paraqesë si fitore, pa e shtyrë Iranin as drejt një cikli të ri represioni dhe as drejt kaosit.

Për udhëheqësit iranianë, rreziku qëndron te koha dhe perceptimi. Modeli i mëparshëm i hakmarrjes së vonuar dhe simbolike mund të mos mjaftojë më nëse besojnë se shpejtësia është thelbësore për të rivendosur frenimin jashtë dhe kontrollin brenda vendit të tronditur nga trazirat e fundit.

Megjithatë, një reagim i shpejtë do të rriste ndjeshëm rrezikun e gabimeve në llogaritje, duke tërhequr aktorë rajonalë në një konflikt që pak kush mund ta përballojë.

Me të dyja palët nën presion të madh dhe me pak hapësirë manovrimi, loja e gjatë e balancimit në prag përplasjeje mund të jetë duke iu afruar momentit të saj më të rrezikshëm — një moment ku kostoja e gabimit nuk do të paguhej vetëm nga qeveritë, por nga miliona iranianë të zakonshëm dhe nga i gjithë rajoni përreth.

Burimi: BBC/Përshtati Gazeta Si

The post Pse përgjigjja e Iranit ndaj një sulmi amerikan mund të jetë e ndryshme këtë herë appeared first on Gazeta Si.

Kancelari i Gjermanisë: Hyrja e Ukrainës në BE vitin e ardhshëm është e pamundur

Kancelari i Gjermanisë,  Friedrich Mertz tha se nuk e sheh mundësinë e një anëtarësimi të shpejtë të Ukrainës në Bashkimin Evropian.

“Anëtarësimi më 1 janar 2027 është jashtë diskutimit. Është e pamundur”, tha Mertz, i cili është gjithashtu kreu i Bashkimit Kristian Demokrat (CDU), pas konsultimit me zyrtarët e lartë të koalicionit Partia Social Demokratike (SPD) në Berlin, raporton Tag24.

Mertz tha se çdo vend që dëshiron të anëtarësohet në BE duhet së pari të përmbushë të ashtuquajturat kritere të Kopenhagenit, një proces që zakonisht zgjat disa vjet./abcnews.al

A jemi afër një sulmi amerikan në Iran? Cilët janë skenarët e mundshëm

Gazeta Si – “Armada e mrekullueshme amerikane” – siç e quan Donald Trump – është rreshtuar, duke pritur urdhrin për të sulmuar.

Teherani përgjigjet me një “jemi gati”. Këto deklarata të forta fshehin shumë pasiguri. Është relativisht e lehtë të nisësh një operacion, por e vështirë ta mbyllësh atë nëse nuk ke një zgjidhje konkrete. Atëherë, nis shqyrtimi i skenarëve të mundshëm.

Skenari i Venezuelës – SHBA-të po nisin një manovër të ngadaltë, me presion diplomatik dhe ndoshta veprime kundër cisternave të naftës.

Vetëm në një fazë të dytë mund të lëshohet një goditje më serioze. Kishte gjithashtu një Armadë në Karaibe, por kaluan muaj para se Nicolas Maduro të kapej.

Megjithatë, është e qartë se dy krizat nuk janë të krahasueshme. Ndërkohë, Pentagoni ka dërguar aeroplanmbajtësen “Lincoln” dhe anije të pajisura me raketa lundrimi, ka zhvendosur avionë lufttarakë F-15 nga Europa në Jordani, ka rritur numrin e baterive të sa antiraketë (me pritshmëri të mëtejshme), ka transportuar pajisje të reja nga ajri dhe ka avionë në zonë, në gjendje për të bllokuar elektronikisht rrjetet e armikut dhe furnizimet me karburant të nevojshme për të mbështetur bombarduesit e famshëm, B-52 ose B-2. Mbi 40,000 personel ushtarak ndërkohë janë në dispozicion.

Sulme të kufizuara – Pentagoni synon të godasë pikat komanduese të Pasdaran-ëve ose Basij, vendet e raketave dhe qendrat e komandës: një mënyrë për të ndëshkuar kundër-reagimin e regjimit.

Sulme të kufizuara. Por iranianët e bënë të qartë menjëherë: “Për ne, ky është një akt përshkallëzimi; do të përgjigjemi masivisht dhe për një kohë të gjatë”.

Ofensivë e gjerë – Nis një “fushatë” e vërtetë dhe e zgjatur, me përdorimin e raketave lundruese dhe bombarduesve strategjikë.

Një rrugë komplekse dhe e kushtueshme që i fut Shtetet e Bashkuara në një krizë të mbushur me pasiguri.

Por ka disa pasiguri: 1) Aleatët arabë kundërshtojnë çdo iniciativë ushtarake dhe kanë deklaruar se nuk do të lejojnë përdorimin e bazave të tyre, qendra kyçe për përpjekjet logjistike të SHBA-së.

2) Një segment i elektoratit të MAGA-s, nuk mbështet sipërmarrje të reja larg kufijve kombëtarë. Për mbështetësit e presidentit, fronti i vërtetë është në Mineapolis.

Ndryshimi i regjimit – Shtëpia e Bardhë do të donte ndryshimin e regjimit. Edhe këtu, janë formuluar variablat e shkaktuara nga një shtytje ushtarake.

Një kalim në demokraci të plotë, edhe pse nuk ka opozitë të organizuar dhe protestat janë shtypur me dhunë.

Një transformim i vetë regjimit, me figura “të moderuara” – një koncept i paqartë – që zëvendësojnë linjat e ashpra.

Një skenar tjetër, do të ishte një grusht shteti, me rrëzimin e ajatollahëve. Pika kthese të favorizuara nga dobësia aktuale e Republikës Islamike, nga një revoltë e re dhe nga vullneti për të mbijetuar i një pjese të sistemit.

Shumë analistë kundërshtojnë me një sërë argumentesh, të gjitha të vlefshme. Nuk ka trillime. Është e vështirë të imagjinohet që njerëzit të dalin në rrugë, ndërsa bombat bien si shi dhe autoritetet do të shfrytëzojnë momentin për të përdorur metoda edhe më brutale.

Deri më tani, nuk janë vërejtur përçarje brenda aparatit; mullahët dhe zyrtarët po ndërtojnë një mur kundër armikut të jashtëm.

Vetë Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio i tha Kongresit dje se askush nuk e di se çfarë do të ndodhë më pas.

Ndërsa ekziston një dëshirë për të ndihmuar opozitën, ekziston gjithashtu një frikë e qartë nga kaosi në një vend me tendenca shpërbërëse.

Nuk është rastësi që Turqia, e përfshirë shumë në ndërmjetësim, po shqyrton krijimin e një zone tampon përgjatë kufirit.

Reprezalje – Iranianët kanë mjetet për të nisur një reprezalje. Lëvizje të mundshme janë marrë në konsideratë në javët e fundit.

Sulme me raketa ndaj instalimeve amerikane në rajon, bllokada e Ngushticës së Hormuzit (duke përdorur mina), terrorizmi, ndërhyrja nga milicitë aleate (Libani, Iraku), një rifillim i pritave nga Huthët e Jemenit ndaj anijeve të Detit të Kuq dhe përfshirja izraelite.

Një hakmarrje, ku ndikimi i vërtetë ka rëndësi vetëm deri në një masë të caktuar, por do të ishin veprime të mjaftueshme për të rritur paqëndrueshmërinë dhe për të shkaktuar dëme ekonomike.

Dialogu – Të dyja palët nuk e kanë përjashtuar mundësinë e negociatave, por kjo është ngushtuar nga kufizimet e tyre përkatëse.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur tre kushte: kufizime në arsenalin e tyre të raketave (rrezja e veprimit, numri); ndalimin e pasurimit të uraniumit dhe transferimin e materialeve të grumbulluara; dhe fundin e ndihmës për lëvizjet miqësore.

“Ne nuk negociojmë nën kërcënim”, ishte reagimi i Teheranit. Duket e pamundur që Republika Islamike të heqë dorë nga mburoja e saj: ndoshta mund të lëshojë diçka në marrëdhëniet e saj me militantët.

Ditët e fundit, ka pasur kontakte përmes ndërmjetësve arabë, përpjekje diskrete dhe të vazhdueshme, por pa përparim të dukshëm.

Sipas “New York Times, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi ka mundësi të kufizuara veprimi, sepse regjimi ka vendosur kufij dhe vija është ajo e rezistencës.

Burimi: “Corriere della Sera”; Përshtati: Gazeta “Si”

The post A jemi afër një sulmi amerikan në Iran? Cilët janë skenarët e mundshëm appeared first on Gazeta Si.

Sondazhi/ Votuesit e Trump pro ndërhyrjeve ushtarake në shumë vende, spikat Irani

Nga Gazeta ‘Si’- Baza MAGA e presidentit Donald Trump, e njohur për kundërshtimin tradicional ndaj përfshirjes së SHBA-së në luftëra të huaja, duket se po mbështet gjithnjë e më shumë përdorimin agresiv të forcës ushtarake jashtë vendit nga administrata dhe do të ishte në masë të madhe pro edhe për veprime të tjera të ngjashme.

Një sondazh i ri i POLITICO tregon se 65 për qind e votuesve të Trump mbështesin që Shtetet e Bashkuara të ndërmarrin veprime ushtarake kundër të paktën njërit prej disa vendeve të përmendura si objektiva të mundshëm, mes tyre Irani, Groenlanda, Kuba, Kolumbia, Kina dhe Meksika.

Mes këtyre vendeve spikat Irani.

Rreth 50 për qind e votuesve të Trump mbështesin ndërhyrjen ushtarake në këtë shtet, përqindja më e lartë krahasuar me çdo objektiv tjetër të huaj. Kjo shifër rritet në 61 për qind tek të anketuarit që e përshkruajnë veten si republikanë “MAGA”.

Të dhënat e sondazhit ofrojnë një panoramë të qartë të një lëvizjeje politike që po përshtat parimin “America First” me përdorimin e zgjeruar të fuqisë ushtarake amerikane nga Trump, duke përfshirë operacione të tilla si kapja e liderit të Venezuelës apo bombardimet ndaj objekteve bërthamore iraniane.

Përqindja e votuesve të Trump 2024 që thonë se “SHBA duhet të ndërmarrë veprim ushtarak në…”

Kërcënimet e fundit të Trump ndaj Teheranit e theksojnë edhe më shumë këtë zhvendosje brenda Partisë Republikane. Presidenti deklaroi në rrjetin e tij Truth Social se një “armatadë masive” ishte nisur drejt Iranit për të “përmbushur misionin me shpejtësi dhe forcë”, nëse Teherani nuk pranon negociata bërthamore. Një sulm i ri, paralajmëroi ai, do të ishte “shumë më i ashpër” se goditjet e verës ndaj objekteve bërthamore.

Edhe pse Trump kishte bërë fushatë kundër “luftërave të pafundme” dhe ishte zotuar të fokusohej te çështjet e brendshme, zhvendosja e tij drejt ndërhyrjes ushtarake nuk duket se i ka zemëruar mbështetësit — përkundrazi, ai vijon të gëzojë mbështetje të fortë nga baza MAGA.

“Nëse beson teorinë e Trump se qëllimi ynë është të bëjmë gjithçka për të mbrojtur amerikanët, dhe kjo përfshin neutralizimin e njerëzve të rrezikshëm në vende të caktuara, atëherë kjo është ‘America First’,” tha Amy Walter, kryeredaktore e raportit jopartiak Cook Political Report.

Megjithatë, ajo thekson se mbështetësit e Trump duket se bëjnë dallim mes sulmeve ushtarake të kufizuara dhe përfshirjes afatgjatë në ndërtimin e shteteve, siç ndodhi në Irak apo Afganistan. Sipas saj, një vendim për të dërguar trupa tokësore në Lindjen e Mesme apo në Venezuelë mund ta përçante koalicionin republikan.

Demokratët rezultojnë dukshëm më skeptikë ndaj planeve ushtarake jashtë vendit. Vetëm 18 për qind e votuesve që mbështetën ish-nënpresidenten Kamala Harris në zgjedhjet e fundit presidenciale mbështesin veprim ushtarak amerikan kundër Iranit, sipas sondazhit të realizuar nga kompania Public First.

Artikulli është pjesë e një projekti të përbashkët të vazhdueshëm mes POLITICO dhe Public First, një kompani e pavarur sondazhesh me seli në Londër, që synon matjen e opinionit publik në fusha të ndryshme të politikave.

Megjithatë, jo të gjitha objektivat e mundshëm të Trump janë po aq tërheqës për votuesit republikanë. Mbështetja për përdorimin e forcës kundër Groenlandës është shumë më e ulët. Vetëm 21 për qind e votuesve të Trump në vitin 2024 dhe 26 për qind e atyre që identifikohen si “republikanë MAGA” e mbështesin këtë ide.

Një akullnajë në Groenlandë

Sërish, kjo do të thotë se më shumë se një në katër nga mbështetësit më të zjarrtë të Trump do ta inkurajonin atë të sulmonte potencialisht edhe një aleat të NATO-s për të arritur objektiva strategjikë amerikanë. Pas deklaratave të forta publike, Trump u tërhoq pjesërisht nga këto kërcënime javën e kaluar.

Pothuajse një e treta e republikanëve mbështesin ndërhyrje ushtarake edhe më afër kufijve të SHBA-së. Rreth 32 për qind e votuesve të Trump mbështesin veprim ushtarak në Meksikë, 30 për qind në Kolumbi dhe 28 për qind në Kubë. Tek votuesit që identifikohen si “MAGA republikanë”, këto përqindje janë edhe më të larta.

Ndërkohë, përqindjet e votuesve të Harris që mbështesin veprim ushtarak në këto vende janë shumë më të ulëta: 11 për qind për Kolumbinë dhe Kubën, dhe 10 për qind për Meksikën.

Trump ka kërcënuar vazhdimisht me ndërhyrje ushtarake në të tria këto vende, sidomos në kuadër të luftës kundër trafikut të drogës në kufirin jugor, duke përmendur edhe mundësinë e bombardimit të karteleve në Meksikë apo ndryshime regjimesh në Kolumbi dhe Kubë.

Sondazhi sugjeron se përtej bazës së tij më besnike, amerikanët mbeten të ndarë për fokusin e Trump në politikën e jashtme gjatë vitit të parë të rikthimit të tij në detyrë. Rreth 44 për qind e amerikanëve mendojnë se ai ka shpenzuar shumë kohë në çështje ndërkombëtare në vend që të merret me problemet e brendshme.

Megjithatë, mes votuesve që e mbështetën në zgjedhjet e vitit 2024, 59 për qind besojnë se ai i ka kushtuar kohën e duhur çështjeve ndërkombëtare, ndërsa vetëm 26 për qind shqetësohen për këtë fokus.

Në krahun tjetër, 66 për qind e votuesve të Harris shprehin shqetësim për prioritetin e dhënë politikës së jashtme.

Kjo ndarje e thellë partiake mbi strategjinë e politikës së jashtme të Trump mund të vështirësojë përpjekjet e demokratëve për ta kthyer këtë çështje në temë qendrore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, pasi mbështetja e fortë republikane e bën të vështirë ndryshimin e balancave elektorale përmes kritikave ndaj politikave ndërhyrëse.// Politico

The post Sondazhi/ Votuesit e Trump pro ndërhyrjeve ushtarake në shumë vende, spikat Irani appeared first on Gazeta Si.

Përplasjet në Minneapolis/ Gjermania paralajmëron qytetarët e saj që udhëtojnë në SHBA

GJERMANI- Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka lëshuar një paralajmërim udhëtimi për qytetarët e saj që vizitojnë Shtetet e Bashkuara, duke përmendur mundësinë e “përplasjeve të dhunshme” me autoritetet.

Paralajmërimi përmend konkretisht Minneapolis dhe “qytete të tjera”, raporton CNN.

“Në Minneapolis dhe qytete të tjera, demonstratat ndonjëherë mund të shndërrohen në përleshje të dhunshme me autoritetet e imigracionit dhe të sigurisë. Kini kujdes dhe qëndroni larg turmave ku mund të ndodhë dhunë”, thuhet në paralajmërim./abcnews.al

Trump po fillon të bëhet problem për Melonin

Gazeta Si – Në harkun kohor prej 18 ditësh, midis 6 dhe 24 janarit, Giorgia Meloni e gjeti veten të detyruar të distancohej nga Donald Trump më shpesh sesa në 14 muajt e mëparshëm.

Kryeministrja italiane e kritikoi Trumpin pak a shumë në mënyrë të qartë për kërcënimet e tij për hakmarrje tregtare kundër vendeve evropiane që kërkonin të mbronin Groenlandën, për Bordin e Paqes në Gaza dhe për vlerësimin e tij të sjelljes ushtarake të NATO-s gjatë luftës në Afganistan. Të paktën në këtë rast, ajo mbajti një qëndrim të vendosur.

Qëndrimi i Melonit është gjithmonë i paqartë: nga njëra anë, ajo pretendon një marrëdhënie gjoja të privilegjuar me Trumpin; nga ana tjetër, ajo pranon se ky pozicion deri më tani i ka dhënë pak, nëse ka, përfitime Italisë.

Kërkimi për ekuilibër ndërlikohet më tej nga paqëndrueshmëria dhe paparashikueshmëria e Trumpit, dhe e gjithë kjo po e bën gjithnjë e më të vështirë për qeverinë italiane të ndërveprojë me të.

Gjatë një interviste me Fox News më 22 janar, Trump përdori përsëri një ton përçmues ndaj NATO-s, duke thënë se kontingjentet jo-amerikane të Aleancës Atlantike kishin “qenë pak prapa, pak larg vijave të frontit” gjatë luftës në Afganistan.

We will never forget the sacrifices of those who served in Afghanistan. pic.twitter.com/kueDIF1KOu

— Keir Starmer (@Keir_Starmer) January 23, 2026

Më i vendosuri në reagimin ndaj këtyre deklaratave të nesërmen ishte kryeministri britanik Keir Starmer, i cili, në një video i quajti fjalët e Trump “fyese dhe sinqerisht të tmerrshme”.

Trump më pas u detyrua të shkruante një kërkim-falje, në mënyrën e tij, për të “Truth Social”. Por kjo nuk mjaftoi për të ndaluar udhëheqësit e tjerë evropianë të shprehnin zemërimin e tyre.

Kryeministri polak, Donald Tusk e bëri këtë disa minuta pas Starmer, në “X”. Të shtunën, presidenti francez, Emmanuel Macron, në deklarata anonime nga bashkëpunëtorët e tij, i quajti gjithashtu fjalët e Trump “të papranueshme”, deri në atë pikë sa “nuk meritojnë asnjë koment”. Dhe në të njëjtat orë, edhe Meloni dha mendimin e saj.

Ajo e bëri këtë në fund të dy ditëve gjatë të cilave qeveria e saj ishte ndjerë disi në siklet. Sepse, pikërisht kur Starmer po i përgjigjej ashpër fjalëve të Trump, Meloni i kishte bërë një gjest bujar mbështetjeje presidentit amerikan.

Gjatë konferencës për shtyp pas takimit të saj me kancelarin gjerman, Friedrich Merz në Romë, ajo shprehu shpresën se më në fund mund ta nominonte Trumpin për Çmimin Nobel për Paqen, nëse ai mund të nxiste paqen midis Rusisë dhe Ukrainës.

Opozita, e udhëhequr nga Matteo Renzi, kishte filluar të bënte presion mbi Melonin. Ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto dhe Ministri i Jashtëm, Antonio Tajani ndërhynë më pas, secili duke shprehur qëndrimin e tyre.

Por në fund, pak pas orës 7 të mbrëmjes të së shtunës, Meloni lëshoi ​​gjithashtu një deklaratë mjaft të ashpër, duke thënë, ndër të tjera, se “deklaratat që minimizojnë kontributin e vendeve të NATO-s në Afganistan, janë të papranueshme”.

Në realitet, viti 2026 kishte filluar me qëndrimin domethënës të Melonit në favor të Trump, pas sulmit amerikan ndaj Venezuelës.

Ndërsa asnjë udhëheqës i vendeve themeluese të Bashkimit Evropian nuk kishte guxuar ta dënonte pa mëdyshje operacionin amerikan, askush nuk e kishte justifikuar atë aq qartë sa Meloni, e cila kishte thënë se qeveria e konsideron “një ndërhyrje mbrojtëse kundër sulmeve hibride ndaj sigurisë së saj, siç është në rastin e subjekteve shtetërore që nxisin dhe lehtësojnë trafikimin e drogës, të jetë legjitime” (një tezë që vetë Trump më pas e reduktoi në javët pas sulmit).

Tre ditë më vonë, Meloni kishte hequr dorë nga pikëpamjet e ndryshme mbi Groenlandën. Ajo kishte vendosur të nënshkruante një deklaratë të përbashkët me Macron, Merz, Starmer, Tusk, Pedro Sánchez të Spanjës dhe Mette Frederiksen të Danimarkës për ta bindur Trumpin të mos merrte përsipër çdo iniciativë armiqësore në Groenlandë.

Më pas, Meloni përsëriti bindjen e saj se Trump nuk kishte ndërmend të pushtonte ushtarakisht Groenlandën dhe madje kishte argumentuar se Trump ishte më i interesuar t’u dërgonte një mesazh vendosmërie Rusisë dhe Kinës, rivalëve të Shteteve të Bashkuara në Arktik.

Qeveria italiane, ndryshe nga të tjerët, vendosi menjëherë kundër dërgimit të trupave në Groenlandë, duke e konsideruar iniciativën të kotë.

Por në fund të fundit, kur Trump njoftoi tarifa të reja tregtare kundër vendeve evropiane që kishin dërguar trupa në ishull, Meloni e gjykoi gjithashtu kërcënimin e presidentit amerikan si të gabuar.

Përsëri, ajo shmangu përdorimin e një toni veçanërisht armiqësor dhe në vend të kësaj u shfaq pajtuese: ajo foli për një “gabim komunikimi”, shkurt, një keqkuptim, sipas të cilit Trump e kishte parë stërvitjen ushtarake evropiane në Groenlandë si një veprim armiqësor kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo gjithashtu, në mënyrë më të paqartë, kritikoi ashpërsinë e tepërt të miratuar nga Starmer dhe Macron.

Megjithatë, disa ditë më vonë, ndërsa mbante këtë qëndrim ndaj dialogut me Trump, asaj iu desh përsëri të distancohej, duke vendosur të mos i bashkohej Bordit të Paqes, organit të ri ndërkombëtar që do të mbikëqyrte rindërtimin e Gazës.

Ajo e kishte bërë këtë pasi fillimisht shprehu entuziazëm për pjesëmarrjen dhe pas një konflikti me ministrin Tajani.

Në fund të fundit, qeveria gjeti një arsye për të justifikuar rishqyrtimin e saj, duke e konsideruar anëtarësimin në bord të papajtueshëm me Kushtetutën.

Megjithatë, e etur për të riafirmuar mbështetjen e saj për Trump, Meloni e siguroi menjëherë atë në telefon, duke i thënë se Italia mbetet e përkushtuar për të zgjidhur – megjithëse nuk është e qartë se si, duke pasur parasysh pengesën kushtetuese – çështjet që e pengojnë atë të marrë pjesë në iniciativë.

Deklarata e publikuar mbi Afganistanin është gjithashtu domethënëse në këtë kuptim: ndërsa Meloni gjithmonë kishte mbajtur një ton pajtues, edhe kur distancohej, këtë herë ajo ka përvetësuar një ton mjaft të ashpër.

Kjo sigurisht nuk sinjalizon një ndryshim përfundimtar të drejtimit, por sinjalizon se qeveria italiane po kalon një kohë gjithnjë e më të vështirë në menaxhimin e marrëdhënieve me presidentin e SHBA-ve. Dhe kjo po ndodh për disa arsye.

Giorgia Meloni dhe Donald Trump në Sharm el-Sheikh, gjatë samitit për t’i dhënë fund luftës në Gaza, 13 tetor 2025

Ka arsye diplomatike: armiqësia e Trump ndaj Evropës po arrin nivele të tilla saqë, edhe nëse do të donte, bëhet e vështirë për një qeveri italiane, e cila pikërisht falë rolit të saj në Bashkimin Evropian mund të ruajë shumicën e interesave të saj, të injorojë këto kërcënime ose të akomodojë zgjedhjet e paparashikueshme të presidentit amerikan. Por ka edhe arsye politike të brendshme.

Viti 2025 filloi me udhëtimin e Melonit në Mar-a-Lago, e cila ndihmoi në lehtësimin e lirimit të gazetares Cecilia Sala.

Për shumë mbështetës të qëndrimit të Melonit, kjo ishte një shenjë se afërsia e kryeministres me presidentin e ri të Shtëpisë së Bardhë do t’i sillte dobi Italisë.

Megjithatë, një vit më vonë, ky argument është gjithnjë e më pak bindës. Meloni nuk ka marrë asnjë trajtim preferencial për tarifat, siç dukej e bindur se mund ta bënte.

Edhe për shpenzimet ushtarake, imponimi i Trump ndaj aleatëve evropianë e ka detyruar qeverinë italiane të kërkojë zgjidhje mjaft të ndërlikuara për të rritur pjesën e PBB-së të ndarë për mbrojtje pa kompromentuar një plan të virtytshëm për rimëkëmbjen e financave publike.

Në këtë kontekst, shumë nga iniciativat armiqësore të Trump ndaj Evropës prekin çështje ndaj të cilave votuesit e krahut të djathtë janë veçanërisht të ndjeshëm.

Kërkesa arrogante për kontrollin e Groenlandës shkel konceptin e integritetit territorial; pushtimi i një vendi dhe kapja e një diktatori, madje edhe të krahut të majtë, është e kundërta e lartësimit të sovranitetit kombëtar; fyerja e angazhimit dhe vdekjeve të ushtarëve në Afganistan, është një ofendim për kulturën patriotike.

Në të vërtetë, sondazhet po tregojnë gjithnjë e më shumë, mjaft qartë, se mendimi i italianëve për Trump është në thelb negativ.

Shfaqja në përputhje me zgjedhjet e tij rrezikon të jetë kundërproduktive për Melonin, e cila nuk mund të përballojë të vuajë pengesa në mbështetjen e saj personale, veçanërisht në mes të një fushate delikate përpara referendumit vendimtar për reformën në drejtësi.

Përshtati: Gazeta “Si”

The post Trump po fillon të bëhet problem për Melonin appeared first on Gazeta Si.

Lajkat e Ruttes ndaj Trumpit po shqetësojnë NATO-n

Nga Gazeta ‘Si’- Mark Rutte ka një mision kryesor si sekretar i përgjithshëm i NATO-s: ta ndalë Donald Trumpin që të mos e shkatërrojë aleancën.

Ky fokus po e vendos tashmë ish-kryeministrin holandez në kurs përplasjeje me vetë kryeqytetet evropiane me të cilat dikur ka punuar ngushtë dhe e ka lënë NATO-n të lënduar, edhe pse ai arriti ta bindë Trumpin të tërhiqej nga kërcënimet për aneksimin e Groenlandës.

Tensioni u shfaq hapur të hënën në Parlamentin Europian, ku Rutte mbrojti pa doreza primatin e superfuqisë brenda aleancës.

“Nëse dikush këtu mendon se Bashkimi Europian apo Europa në tërësi mund të mbrohet pa SHBA-në, vazhdoni të ëndërroni,” u tha ai ligjvënësve. “Nuk mundeni.”

Reagimi ishte i menjëhershëm — dhe i ashpër.

“Jo, i dashur Mark Rutte,” reagoi në X ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noël Barrot. “Europianët munden dhe duhet të marrin në dorë sigurinë e tyre. Kjo është shtylla europiane e NATO-s.”

“Ishte një moment i turpshëm,” tha Nathalie Loiseau, ish-ministre franceze për Europën dhe sot eurodeputete. “Nuk na duhet një fanatik i Trumpit. NATO-s i duhet një ribalancim mes përpjekjeve amerikane dhe europiane.”

Edhe më i drejtpërdrejtë ishte spanjolli Nacho Sánchez Amor.

“A jeni ambasadori i [SHBA-së] në [NATO],” e pyeti eurodeputeti socialist Rutte-n në një shkëmbim të nxehtë, “apo sekretari i përgjithshëm që përfaqëson aleancën dhe anëtarët e saj?”

Ky përplasje po nxjerr në pah edhe një vijë të thellë ndarëse brenda NATO-s: bindjen e Ruttes se mbajtja e Trumpit pranë është e vetmja mënyrë për ta ruajtur aleancën — përballë alarmit gjithnjë në rritje në Europë se kjo strategji po e zbraz atë nga brenda.

Ndërsa sekretari i përgjithshëm përpiqet të mbajë amerikanët sa më afër, këto përpjekje po hapin një hendek me homologët e tij në BE, të cilët po bëjnë gjithnjë e më shumë thirrje për struktura europiane sigurie dhe një ushtri kontinentale përtej NATO-s.

POLITICO foli me më shumë se një duzinë figurash brenda NATO-s, diplomatë dhe bashkëpunëtorë aktualë e të mëparshëm të Ruttes, shumica e të cilëve kërkuan anonimitet për të folur hapur. Ata e përshkruan atë si një drejtues të admiruar për aftësitë në menaxhimin e krizave, që së fundmi arriti një fitore për çështjen e Groenlandës — por me çmimin e rritjes së shqetësimit evropian për të ardhmen afatgjatë të NATO-s.

Megjithatë, mbrojtësit e Ruttes thonë se ai ka arritur ta mbajë aleancën të bashkuar, një detyrë aq e vështirë sa nuk mund të kënaqë gjithmonë të 32 vendet anëtare. Zyrtarë që njohin mënyrën si ai punon këmbëngulin gjithashtu se në biseda private ai flet shumë më hapur me Trumpin.

Sërish, përplasja për Groenlandën “bëri shumë dëm,” tha një diplomat i NATO-s. Qasja e Ruttes është një “fasho e përkohshme” që ka “larguar aleatët”, shtoi ai. “Ne jemi një aleancë me 32 anëtarë, jo një klub SHBA-plus-31.”

Më të barabartë se të tjerët

Edhe pse Rutte këmbëngul se përfaqëson të gjithë aleatët e NATO-s, është e qartë se prioriteti i tij kryesor është të mos lejojë që Shtetet e Bashkuara, nën drejtimin e Trumpit, të largohen nga Europa. Kjo po i hap atij kritika se ky fokus po errëson pjesën tjetër të detyrës së tij.

Edhe përpjekja e suksesshme për ta bindur Trumpin të tërhiqej nga kërcënimet ndaj Groenlandës gjatë samitit të Davosit më 19-23 janar në Zvicër, po ngre pikëpyetje nëse kjo është vetëm një lehtësim i përkohshëm dhe nëse SHBA-të mund të tentojnë sërish të marrin kontroll mbi pjesë të ishullit arktik.

“Çfarë marrëveshjeje keni bërë ju me presidentin Trump?” e pyeti të hënën eurodeputeti i të Gjelbërve dhe ish-ministri i Jashtëm i Danimarkës, Villy Søvndal. “A kishit mandat si sekretar i përgjithshëm për të negociuar në emër të Groenlandës dhe Danimarkës?”

Rutte mohoi se kishte vepruar jashtë kompetencave.

“Sigurisht që nuk kam mandat të negocioj në emër të Danimarkës, ndaj nuk e kam bërë dhe nuk do ta bëj,” tha ai në Parlament.

Idealizimi i Trumpit rrezikon gjithashtu të krijojë një problem besueshmërie për aleancën.

NATO është e njohur për angazhimin e saj për mbrojtje kolektive — Nenin 5 — por aleanca lidhet edhe nga Nenët 2 dhe 3, që u kërkojnë vendeve të promovojnë bashkëpunimin ekonomik dhe riarmatosjen e ndërsjellë. Me kërcënimet për vendosjen e tarifave ndaj Europës dhe për marrjen e Groenlandës, Trump i ka shkelur të dyja, tha i njëjti diplomat i NATO-s.

Kësaj pasigurie i shtohet fakti se Trump ka hedhur më parë dyshime mbi mbështetjen e tij për Nenin 5 dhe ka nënvlerësuar angazhimet ushtarake të aleatëve të tjerë, duke pretenduar gabimisht javën e kaluar se evropianët kishin qëndruar “paksa larg vijës së frontit” në luftën e drejtuar nga SHBA-të në Afganistan.

Në përgjigje të kritikave, një zyrtar i NATO-s tha:

“Ashtu si sekretarët e përgjithshëm para tij, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Rutte, është i bindur se siguria jonë kolektive shërbehet më së miri kur Europa dhe Amerika e Veriut punojnë së bashku përmes NATO-s.”

Karta Trump gati

Pavarësisht kësaj, Rutte ka qëndruar fort pas strategjisë së tij për ta ledhatuar publikisht Trumpin, duke këmbëngulur se ai është pozitiv për aleancën.

Vitin e kaluar, NATO ra dakord të rrisë ndjeshëm shpenzimet ushtarake në 5 për qind të PBB-së deri në vitin 2035, një rezultat që shumë brenda aleancës e shohin si ndihmë që Europa të qëndrojë më fort mbi këmbët e saj. Sekretari i përgjithshëm tha të hënën se “nuk ka asnjë mundësi” që kjo të kishte ndodhur pa presionin e presidentit amerikan.

Shtëpia e Bardhë pajtohet plotësisht me këtë vlerësim.

“Presidenti Trump ka bërë më shumë për NATO-n se kushdo tjetër,” i tha POLITICO-s zëvendës-sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly.

“Kontributet e Amerikës në NATO janë shumë më të mëdha se të vendeve të tjera, dhe suksesi i tij në sigurimin e zotimit për 5 për qind po e ndihmon Europën të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e saj.”

Kelly tha se Trump ka “një marrëdhënie shumë të mirë” me Rutte-n dhe shtoi:
“Shtetet e Bashkuara janë partneri i vetëm i NATO-s që mund ta mbrojë Groenlandën, dhe presidenti po avancon interesat e NATO-s duke e bërë këtë.”

Qasja e tij e ashpër është formësuar nga 14 vjet drejtim koalicionesh shpesh të përçara, si kryeministri më jetëgjatë i Holandës.

“Ai nuk është aspak idealist,” tha një ish-kolege. “Është pragmatist.”

Duke krijuar menjëherë një raport të mirë me Trumpin gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, Rutte e kuptoi se lajkat publike ishin çelësi për ta mbajtur presidentin amerikan në krah.

“Ai mund ta bëjë veten shumë të vogël dhe të përulur për të arritur qëllimin e tij,” tha Petra de Koning, autore e një biografie për Rutte-n në vitin 2020. Kjo shpesh shkon në ekstreme: holandezi e quajti Trumpin “babi” gjatë samitit të NATO-s vitin e kaluar në Hagë dhe i derdhi lavde në mesazhe që u publikuan nga vetë presidenti amerikan.

Por në prapaskenë, ai është më i drejtpërdrejtë me Trumpin, sipas një personi që njeh mënyrën e të menduarit të Ruttes.

“Marrëdhënia është e bazuar në besim,” tha ai, “por nëse shtyhet, ai do të flasë hapur.” Ndërkohë, mbajtja e të 32 anëtarëve të NATO-s të njëzëshëm për çdo vendim është “pothuajse e pamundur,” këmbënguli ai.

Edhe pse marrëveshja për ta bindur Trumpin të tërhiqej nga kërcënimet për Groenlandën mund të ketë lënë shije të hidhur në Europë, NATO nuk u shkatërrua.

“Realiteti është se Rutte po jep rezultate,” tha një diplomat i lartë i NATO-s. “Ndryshe nga disa liderë të tjerë, ai kurrë nuk dyshoi te aleanca — unë ia atribuoj këtë përvojës,” shtoi një tjetër diplomat i lartë.

Por mbajtja e Trumpit të kënaqur rrezikon ta inkurajojë presidentin amerikan të jetë edhe më i guximshëm në të ardhmen.

“Politikanët në mbarë botën dhe në këtë vend e injorojnë egon e Trumpit me rrezikun e tyre,” tha Stephen Farnsworth, politolog në Universitetin e Mary Washington në Virxhinia.

Kjo mund të krijojë probleme për aleancën në vijim.

“Në emër të aleancës, ai po i bëhet servil Trumpit,” tha diplomati i parë i NATO-s. “Por pyetja është: ku mbaron kjo?”

Burimi: Politico/Përshtati Gazeta Si

The post Lajkat e Ruttes ndaj Trumpit po shqetësojnë NATO-n appeared first on Gazeta Si.

Mineapolis, 48 orët që e bindën Trumpin të tërhiqej

Gazeta Si – Kur videot e vrasjes së Alex Pretti-t u shfaqën në të gjitha rrjetet televizive më 24 janar, Donald Trump, i mbyllur në Zyrën Ovale ndërsa jashtë kishte stuhi bore, ndezi televizorin dhe nuk i pëlqyen ato që pa.

Për javë me radhë ai përsëriste se mediat duhet të përqendroheshin tek kriminelët e arrestuar, jo tek vrasjet e qytetarëve amerikanë nga agjentët federalë të anti-emigracionit.

Pak orë më vonë, ministrja e Sigurisë së Brendshme, Kristi Noem, deklaroi në televizion se Pretti ishte terrorist.

Shefi i policisë kufitare, Greg Bovino, tha se ai mbante armë, ndërsa zëvendës shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Stephen Miller shkroi në rrjet se Pretti ishte “një vrasës që u përpoq të vriste agjentët federalë”.

Trump ishte i frustruar, sepse ishte e qartë që ky rrëfim nuk qëndronte përballë imazheve. Madje, edhe aleatët e tij e thoshin në televizion…

“Sigurisht që nuk duhet ta quajmë terrorist që synon të ekzekutojë policët, nuk ka prova për këtë”, tha ish-deputeti i Karolinës së Jugut, Trey Gowdy, i cili herë pas here luan golf me Trump.

“Nuk jam dakord me reagimin e nxituar të Noem: të thuash diçka para se të dihen faktet vetëm ul besimin”, shkroi në rrjet senatori i Utah, John Curtis.

“Jam e tronditur nga dhuna në Mineapolis”, deklaroi senatorja Susan Collins. Të gjithë këta të fundit republikanë.

Disa prej tyre e telefonuan të dielën, 25 janar. Senatori Lindsey Graham i Karolinës së Jugut, i tha se një mesazh i tillë në televizion mund të lërë në hije operacionet e suksesshme në luftën kundër emigrantëve të paligjshëm.

Trump frikësohej se po dukej kaotik dhe jo i fortë. Në këtë situatë u shtua edhe protesta e NRA-së, lobit të armëve. Edhe Susie Wiles, drejtuesja e stafit të Shtëpisë së Bardhë, mori shumë thirrje nga politikanë dhe udhëheqës biznesi. Kështu që linja duhej ndryshuar.

Më pas, Trump deklaroi për “Wall Street Journal” se po mendonte të reduktonte numrin e agjentëve federalë në Mineapolis dhe më vonë propozoi se nëse autoritetet lokale bashkëpunonin me ICE, do të tërhiqte disa agjentë të Policisë Kufitare nga shteti.

Të hënën në mëngjes, 26 janar, presidenti foli në telefon me Tom Homan, i njohur ndryshe si “Cari i kufirit”, për t’i propozuar të merrte drejtimin e operacioneve në Mineapolis.

Kjo tërheqje e Trump brenda 48 orëve nga vrasja e Alex Pretti-t është e jashtëzakonshme, sepse është një pranim i gabimit në menaxhimin e një prej premtimeve kryesore elektorale, ai për emigracionin.

Ai ndryshoi personel dhe strategji. Homan është agresiv në idenë e dëbimeve masive, por jo aq sa zëvendës shefi i stafit, Stephen Miller. Qasja e tij është më e ngadaltë dhe metodike, nuk i pëlqejnë aksionet masive.

Prej muajsh kishte debate brenda Shtëpisë së Bardhë midis dy fraksioneve: ata që duan masa më agresive si Miller, Kristi Noem dhe këshilltari i saj, Corey Lewandowski dhe ata që preferojnë qasjen e Homan dhe drejtorit të përkohshëm të ICE, Todd Lyons. Tani për tani, Trump duket se ka zgjedhur këtë të fundit.

Zëdhënësja Karoline Leavitt ripërsëriti besimin te Kristi Noem, edhe pse qarkullojnë zëra se e ardhmja e saj mund të jetë e pasigurt: një nga arsyet që presidenti e mbajti në post, pavarësisht kritikave të brendshme, ishte se shfaqej e mirë në televizion, por papritmas ndaloi së qeni e tillë. Sa i përket Stephen Miller, është e pamundur të ketë pasoja për të.

Marrë nga: “Corriere della Sera”

The post Mineapolis, 48 orët që e bindën Trumpin të tërhiqej appeared first on Gazeta Si.

Padia e kryeministrit në Kushtetuese/ Çupi: Drejtësia ka rënë në pozitat që nuk po kërkon drejtësi, por pushtet

TIRANË- Gjykata Kushtetuese nuk e ka ende një vendim lidhur me padinë e kryeministrit Edi Rama.

Sot trupa e gjyqtarëve u mblodh, por nuk arriti në përfundim duke kërkuar më shumë kohë për t’u shprehur.

Analisti i njohur Frrok Çupi, u shpreh në “Tirana Live” se si Gjykata Kushtetuese, edhe organet e tjera nuk po japin drejtësi.

Ai shtoi se i gjithë sistemi i drejtësisë po kërkon forcë dhe pushtet, dhe në këtë mënyrë ka braktisur misionin e tij që është dhënia e drejtësisë.

“E shikoj si Gjykatën Kushtetuese, edhe drejtësinë tjetër, që po thotë prisni se do të marrë hov. Drejtësia ka rënë në pozitat që nuk po kërkon drejtësi, por po kërkon pushtet. Sistemi i drejtësisë nuk kërkon drejtësi, por po kërkon forcë”, tha ai.

Në seancën e 22 janarit, qeveria kërkoi shfuqizimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me argumentet se pushteti gjyqësor kishte ndërhyrë në ekzekutiv, dhe pezullimi në këtë rast ishte de fakto shkarkim, duke penguar edhe veprimtarinë e Këshillit të Ministrave. Si palë të interesuara në këtë seancë morën pjesë Kuvendi dhe Presidenca./abcnews.al

Foreign Policy: Përgjigja për Ukrainën mund të jetë Kosova

Nga Gazeta ‘Si’- Pas gati një viti përpjekjesh kaotike, me ndërprerje dhe rifillime të herëpashershme për të ndërmjetësuar një armëpushim në Ukrainë, administrata Trump mbetet thellësisht e përfshirë në bisedimet për ndalimin e luftës.

Siç pritej, çështja më problematike vazhdon të jetë ajo e koncesioneve territoriale – në gjuhën e Trumpit, “shkëmbime territoresh”. Dhe deri më tani, diplomatët nuk kanë arritur të gjejnë një zgjidhje që ka gjasa ta zgjidhë këtë nyje.

Dallimi mes planit fillestar pro-rus me 28 pika, i cili doli në dritë në nëntor 2025, dhe versionit të ripunuar ukrainaso-amerikano-europian, flet shumë për hendekun e madh që ende ndan Ukrainën dhe Rusinë. Plani me 28 pika parashikon njohjen ndërkombëtare të të gjithë territorit aktualisht të kontrolluar nga Rusia, si dhe shpalljen e gjithë rajoneve të Luhanskut dhe Donetskut si territor rus.

Ky plan përbën në thelb një ultimatum kapitullimi për forcat ukrainase dhe e vendos Rusinë në një pozicion ideal për të rifilluar fushatën e saj ushtarake në kushte edhe më të favorshme.

Kundërpropozimi me 20 pika kërkon ndalimin e luftimeve përgjatë vijave aktuale të frontit, të cilat do të shndërroheshin në vija kontakti. Ai refuzon të njohë si të ligjshme çdo përfitim territorial rus në Ukrainën lindore apo në Krime.

Ukraina thotë se mund të pranojë zonat e demilitarizuara të propozuara nga Uashingtoni dhe krijimin e një zone të tregtisë së lirë në pjesën e rajonit të Donetskut që ajo kontrollon, por kërkon që në marrëveshje të përfshihen edhe territore nën kontroll rus me sipërfaqe të barabartë.

Hendeku mes këtyre dy propozimeve është pikërisht hapësira ku ka ndërhyrë analisti amerikan i çështjeve ndërkombëtare dhe ish-negociatori në Ballkan, Edward P. Joseph.

Në një artikull të fundit akademik, Joseph propozon përdorimin e modelit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e miratuar në qershor 1999, e cila afirmonte sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës Federale të Jugosllavisë (Serbi dhe Mali i Zi), por kërkonte “autonomi të konsiderueshme dhe vetëadministrim domethënës për Kosovën”.

Pas një votimi unanim në Këshillin e Sigurimit, Kosova u çmilitarizua nga forcat serbe dhe ato shqiptare dhe u vendos nën një administrim të përkohshëm të OKB-së, me një forcë ndërkombëtare sigurie.

Gati 27 vjet më vonë, Kosova mbetet një protektorat i OKB-së – ndonëse një i tillë ku autoritetet e zgjedhura vendore qeverisin gjerësisht dhe ushtrojnë vetë policimin. Joseph argumenton se logjika e Rezolutës 1244, e cila shtyu në kohë çështjen ligjore të sovranitetit – pra, kush e zotëron Kosovën – është çelësi i paqes relative që ka mbizotëruar atje që prej vitit 1999. Shqiptarët e Kosovës vetëqeverisen në një sistem që ata e kanë shpallur shtet të pavarur, por që nuk njihet nga Serbia, Rusia (si dhe pesë vende të BE-së dhe disa shtete të tjera).

Serbia vazhdon ta konsiderojë Kosovën pjesë të federatës së saj, ashtu siç parashikon Rezoluta 1244. E rëndësishme është se Rusia, si anëtare e Këshillit të Sigurimit, qëndron pas kësaj rezolute dhe këmbëngul që ajo të respektohet deri në detaje.

E aplikuar për Ukrainën, marrëveshja mund të përfshijë një forcë paqeruajtëse ndërkombëtare, të udhëhequr nga OKB-ja ose Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), e cila do të zëvendësonte Forcat e Armatosura të Ukrainës në ato pjesë të Donbasit perëndimor që i përkasin rajonit të Donetskut, por që nuk janë nën pushtim rus.

Trupat ruse do të mbeteshin aty ku ndodhen aktualisht. Çështjet e sovranitetit do të liheshin pezull deri në zhvillimin e referendumeve në të gjithë Ukrainën lindore dhe në Krime, të cilat do të përcaktonin përfundimisht sovranitetin.

Sigurisht, kjo do të ishte një pilulë e hidhur për Ukrainën. Kievi do të humbiste edhe sovranitetin simbolik mbi Donbasin dhe zonat përreth. Por ky kthesë do t’i mundësonte presidentit ukrainas të ndalte luftën që ka pasur pasoja kaq mizore dhe shkatërrimtare për popullin e tij – dhe që mund të përkeqësohet edhe më shumë, veçanërisht nëse Shtetet e Bashkuara tërhiqen.

Pavarësisht kushteve që aktualisht janë të papranueshme për shumicën e ukrainasve, presidenti Volodymyr Zelensky mund të arrijë ta shesë këtë marrëveshje politikisht, pasi i gjithë Donbasi – madje e gjithë Ukraina brenda kufijve të vitit 1991 – nuk do të bëhej menjëherë territor rus. Në fund, popullsia e të pesë rajoneve lindore të Ukrainës që Rusia ka tentuar t’i aneksojë do të vendoste vetë se cilit shtet do t’i përkiste. Kështu, referendume farsë ruse të viteve 2014 dhe 2022 do të shpalleshin të pavlefshme.

Në favor të Ukrainës, prania e paqeruajtësve ndërkombëtarë përgjatë vijave të kontaktit do të përbënte një pjesë të garancive të sigurisë që Zelensky ka kërkuar prej kohësh dhe do të hapte rrugën për më shumë të tilla. Ukraina do të kishte një zonë tampon mes saj dhe Rusisë, të përbërë nga forca ndërkombëtare.

Një marrëveshje e tillë do t’u lejonte gjithashtu ukrainasve që aktualisht jetojnë në Donbasin perëndimor – rreth 200 mijë persona, përfshirë banorë të qyteteve Kostiantynivka, Slovyansk dhe Kramatorsk – të qëndronin aty, si dhe atyre që janë larguar të ktheheshin në një mjedis të sigurt. Mund të ketë edhe trupa të tjera garantuese sigurie në pjesë të tjera të vendit, por jo të NATO-s. Kjo nuk është shumë larg idesë së zonave të lira tregtare të demilitarizuara që Zelensky ka thënë se Ukraina është e gatshme t’i shqyrtojë.

Pala më e vështirë për t’u bindur do të ishte Rusia, megjithëse edhe ajo do të përfitonte në disa drejtime. Së pari, do të ndalej një luftë që po i konsumon burimet njerëzore dhe financiare. Për më tepër, trupat ukrainase dhe simbolet shtetërore do të zhdukeshin nga rajonet që Rusia lakmon.

Kjo është shumë më pak nga sa dëshiron Rusia – që në fakt synon të gjithë Ukrainën – por është një mënyrë për t’i shpëtuar fytyrën presidentit Vladimir Putin dhe për t’i bindur rusët se sakrificat e mëdha kanë pasur vlerë. Nëse paketa do të përfshinte edhe lehtësim sanksionesh, Rusia mund të pranonte. Joseph argumenton se angazhimi i Rusisë me Rezolutën 1244 për Kosovën rrit gjasat që ajo të angazhohet në mënyrë të ngjashme edhe në Ukrainë, pasi tashmë e njeh funksionimin e këtij procesi politik.

Megjithatë, shumë ukrainas reagojnë si shkrimtarja Oksana Zabuzhko, e cila i tha Foreign Policy: “Nuk mendoj se ky ‘plan paqeje’ – si edhe çdo plan tjetër që synon të ruajë shtetin rus në gjendjen aktuale, në vend që ta fragmentojë atë në interes të sigurisë globale – meriton një diskutim serioz.”

Në përgjithësi, ukrainasit e refuzojnë menjëherë krahasimin me Ballkanin.

“Precedenti i Kosovës,” shkroi Volodymyr Horbach, drejtor i Institutit për Transformimin e Euroazisë Veriore, një institut studimor ukrainas, “nuk mund ta zgjidhë problemin e agresionit dhe pushtimit rus të Ukrainës. Në Kosovë pati një konflikt etnik, jo një pushtim të jashtëm dhe përpjekje për aneksim.”

Sipas Horbach, edhe përpjekjet e ashtuquajtura paqebërëse të Trumpit nuk mund të zbatohen, pasi bazohen në një vlerësim të gabuar të objektivave ruse në këtë luftë. “Këto përpjekje të gabuara kanë krijuar bindjen se pengesa kryesore për përfundimin e luftës është çështja territoriale,” thekson ai.

Horbach ka të drejtë kur thotë se synimi i Putinit nuk është thjesht marrja e disa pjesëve të Ukrainës lindore, por nënshtrimi i plotë i vendit dhe zhdukja e shtetësisë së tij. Megjithatë, ka argumente për angazhim në këtë moment, në negociatat që janë duke u zhvilluar dhe ku Ukraina po merr pjesë aktive.

Ndoshta Shtetet e Bashkuara dhe Europa, duke vepruar së bashku, mund të arrijnë një armëpushim që t’i japë popullit ukrainas një periudhë qetësie – shpresojmë sa më të gjatë – nga kjo luftë e tmerrshme. Zelensky e dëshiron qartazi këtë. Dhe ndoshta edhe Putini po fillon ta kuptojë se Rusia nuk do ta nënshtronte dot të gjithë Ukrainën dhe as nuk do të arrijë të marrë një territor shumë më të madh sesa ai që kontrollon aktualisht.

Ulf Brunnbauer, drejtor i Institutit Leibniz për Studime të Europës Lindore dhe Juglindore në Regensburg të Gjermanisë, i tha Foreign Policy se mendimi kreativ është i mirëpritur dhe se ka kuptim të gjenden rrugëdalje për të dyja palët.

“Një kompromis që lë disa paqartësi për momentin është më i mirë se një luftë pa fund. Edhe pse problemet ekonomike të Rusisë po shtohen, ajo nuk duket se po mbetet pa predha, raketa dhe njerëz – të paktën jo aq shpejt sa Ukraina. Kompromisi i propozuar nga Joseph të paktën do ta pengonte Rusinë të merrte territore që Ukraina mund të detyrohej t’i braktiste gjithsesi. Ndoshta kështu mund t’u shitej ukrainasve.”

Megjithatë, Brunnbauer vëren se Serbia u detyrua ta pranonte Rezolutën 1244, pasi nuk kishte kapacitet ushtarak për të luftuar humbjen faktike të kontrollit mbi Kosovën. Ndryshe nga ajo, Rusia nuk ndodhet nën një presion të tillë. “UNMIK-u u pranua nga kosovarët,” thotë ai, “sepse ata mendonin se në fund do të ishin vetë ata që do ta drejtonin procesin.”

Rusia, thekson ai – ashtu siç do ta thoshte çdo ukrainas – deri më tani nuk ka negociuar kurrë me mirëbesim, duke shkelur një marrëveshje pas tjetrës. “Zbatueshmëria e këtij propozimi do të varej nga prania e një force ushtarake të besueshme që do ta frenonte Rusinë. Unë nuk e shoh një forcë të tillë,” përfundon Brunnbauer.

Ashtu si shumë mbështetës të çështjes ukrainase, edhe Brunnbauer propozon rritjen e presionit ndaj Rusisë dhe dërgimin e më shumë armëve për Ukrainën, me synimin për të ngrirë vijën e frontit aty ku ndodhet dhe për të mos hequr dorë nga Donbasi perëndimor apo territore të tjera.

Referendumet e propozuara, argumenton Peter Harris, profesor i shkencave politike në Universitetin Shtetëror të Kolorados, janë pika ku gjithçka ndalet. Asnjëra palë nuk dëshiron që çështja territoriale të zgjidhet përmes një plebishiti. “Për Ukrainën, kjo do të ishte një koncesion që këto janë territore të diskutueshme dhe se Rusia ka një pretendim legjitim mbi to,” shpjegon ai. Në thelb, Ukraina do të pranonte një proces ligjor për legalizimin e pushtimeve të paligjshme. Nga këndvështrimi ukrainas, sovraniteti nuk është çështje për debat: “Një çështje e shtyrë është ende një çështje – dhe Ukraina nuk dëshiron të pranojë se ekziston një pyetje.”

Për më tepër, kushtet në terren e bëjnë çdo referendum të pavlefshëm. “Ukraina nuk do t’i besonte një procesi të tillë, sepse kaq shumë qytetarë janë larguar ose janë dëbuar. Si do të votonin ata?” pyet Harris. Rusia ka sjellë kolonë pro-Moskës, duke minuar edhe më tej legjitimitetin e çdo votimi popullor. Gjithashtu, fakti që Rusia është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit i jep asaj avantazh në çdo proces nën ombrellën e OKB-së.

Edhe John Feffer, nga Instituti për Studime Politike në SHBA, i tha Foreign Policy se një plan i tillë paqeje mund të duket më tërheqës për Ukrainën, pasi ajo ndodhet në pozita të vështira. “Zelensky ka folur për riintegrimin e Donbasit me mjete jo ushtarake. Por nuk e shoh modelin e Kosovës si tërheqës për Putinin në këtë moment,” shkruan ai. “Rusia tashmë i ka inkorporuar katër rajone në përbërjen e saj – Donbasin, si dhe Khersonin dhe Zaporizhzhian. Pra, sipas saj, çështja e sovranitetit tashmë është zgjidhur.”

Çdo vëzhgues realist do të pranojë se një marrëveshje e tillë do t’i jepte Rusisë një legjitimitet që minon të drejtën ndërkombëtare dhe parimet bazë të drejtësisë. Por pas rezistencës së guximshme ndaj Rusisë së Putinit, Ukraina ka një shans për të mbijetuar vetëm nëse Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në krah të saj, duke ofruar inteligjencë, armë dhe duke zbatuar sanksione.

Ndoshta alternativa më e mirë për Ukrainën është të ndjekë pikërisht një marrëveshje të tillë – dhe pastaj ta lërë atë të dështojë për faj të Rusisë. Kjo të paktën do t’i tregonte administratës Trump atë që shumica e vëzhguesve tashmë e dinë: Rusia është në këtë luftë për të pushtuar të gjithë Ukrainën, sepse nuk mund të tolerojë pranë kufijve të saj një sistem politik më tërheqës se i saji. Arritja e kësaj qartësie mund të jetë një opsion që Ukraina nuk mund ta përjashtojë.

Burimi: Foreign Policy/Përshtati Gazeta Si

The post Foreign Policy: Përgjigja për Ukrainën mund të jetë Kosova appeared first on Gazeta Si.

Si po përgatitet NATO për luftë në Arktik

Ministri i Mbrojtjes në Norvegji, po shikon hartën e tij të preferuar dhe po tregon botën, nga pikëpamja e Arktikut.

Tore Sandvik vë gishtin tek gadishulli Kola i Rusisë, shtëpi e arsenalit më të madh bërthamor në botë, që gjendet brenda qarkut të Arktikut, fiks në kufi të Norvegjisë.

Udhëtimi më i shkurtër nga Kola drejt SHBA-së, kalon patjetër mbi Arktik, tregon ai.

“Një raketë balistike mund të udhëtojë me një shpejtësi prej 7 km në sekond dhe i duhen vetëm 18 minuta të arrijë në SHBA”, tha ai. “Kjo është mbrojtje e atdheut- për Londrën, për Uashingtonin, për Parisin, Berlinin, të gjithë aleancën”.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka vendosur gjatë vitit të kaluar një fokus agresiv dhe herë-herë të sikletshëm mbi Groenlandën, përmes përpjekjeve të tij të forta për të marrë nën kontroll ishullin Arktik danez.

Por duke u dakordësuar javën e kaluar mbi një “kornizë” marrëveshjeje për ishullin më të madh në botë me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Trump ka zhvendosur fokusin brenda aleancës drejt sigurisë Arktike, një çështje që vendet nordike kanë kërkuar prej dekadash.

“NATO duhet të rrisë angazhimin e saj në Arktik,” tha Mette Frederiksen, kryeministrja e Danimarkës. “Mbrojtja dhe siguria në Arktik janë çështje që prekin të gjithë aleancën.”

Për pesë vendet nordike, të gjitha shtete arktike, kjo përfaqëson një mundësi për të rikthyer diskutimin gjeopolitik aty ku ata duan: te kërcënimi që vjen nga Rusia.

Pothuajse të gjitha shtetet Arktike, përfshirë Rusinë, kanë reduktuar praninë ushtarake pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, duke mbyllur baza. SHBA-ja ka mbyllur disa baza në Groenlandë dhe Islandë. Por Rusia ka nisur ripërtëritjen ushtarake dhe ekonomike të Arktikut shumë më herët se fuqitë perëndimore, nën udhëheqjen e Presidentit Vladimir Putin që në vitet 2000.

Rusia kontrollon rreth gjysmën e territorit dhe ujërave të Arktikut, duke pasur kështu gjurmën më të madhe ndër tetë vendet me prezencë në rajon, që përfshijnë SHBA-në, Kanadanë dhe pesë vendet nordike. Sot, Moska ka mbi 40 objekte ushtarake përgjatë bregut Arktik, përfshirë baza ushtarake, aeroporte, stacione radar dhe porte.

Arktiku ka një rol kritik në doktrinën bërthamore të Moskës. Aty ndodhet Flota e Veriut e Rusisë, e bazuar në Severomorsk në Gadishullin Kola, e cila operon gjashtë nga 12 nëndetëset bërthamore të vendit, sipas Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike.

“Flota e Veriut, dhe veçanërisht nëndetëset e saj, është një shtyllë e mbrojtjes strategjike të Rusisë. Për shkak të rëndësisë së saj, flota po modernizohet ende,” tha Ondrej Ditrych, analist i lartë për Rusinë pranë Institutit të Bashkimit Europian për Studime të Sigurisë.

Rusia gjithashtu mban një nivel të lartë gatishmërie në vendin e saj të testimit bërthamor në Novaya Zemlya, një arkipelag Arktik ku në tetor të kaluar testoi raketën e saj me energji bërthamore Burevestnik. Po ashtu, ajo po promovon përdorimin e Rrugës Veriore Detare, që kalon mbi veri të Rusisë dhe ofron mundësi për kohë transporti më të shkurtra mes Kinës dhe Europës, megjithëse trafiku aktual është nën pritshmëri.

Një ushtar patrullon bazën ushtarake veriore ruse në Ishullin Kotelny, brenda Rrethit Arktik © Maxime Popov/AFP/Getty Images

Vendet nordike fqinjë me Rusinë kanë ndjekur me shqetësim rritjen e aktiviteteve ushtarake, duke bërë thirrje që NATO të angazhohet më shumë, me sukses relativisht të kufizuar, pjesërisht për shkak të kundërshtive nga vende si SHBA-ja.

“Ne e dimë që rusët po kryejnë më shumë aktivitete në veri. Situata e sigurisë është gjithashtu e tillë që kur akulli polar po shkrihet, Kina po ngrihet si një hegjemon rajonal me interesa globale. Ata e kanë vetëshpallur veten si një vend gati-Arktik,” tha Sandvik.

Një zyrtar i lartë nga një vend tjetër nordik shtoi: “Përqendrimi i burimeve ushtarake në lagjen tonë është mjaft i madh.”

Oficeri më i lartë ushtarak i NATO-s, Admirali Giuseppe Cavo Dragone, i tha Financial Times në tetor se Arktiku është “me interes të madh” për aleancën ushtarake, e cila është e përkushtuar ta mbajë të hapur për navigim të lirë dhe mundësi të reja biznesi, si minierat dhe eksplorimi i naftës dhe gazit.

Disa vende anëtare të NATO-s kanë intensifikuar stërvitjet në kushte Arktike në Norvegji, Finlandë dhe Grenlandë, përfshirë SHBA-në, MB-në dhe Francën. Në mars, rreth 25,000 ushtarë nga e gjithë aleanca – përfshirë 4,000 nga SHBA-ja – do të marrin pjesë në stërvitjen “Cold Response” në veri të Norvegjisë, me qëllim të praktikimit të luftës ajrore, detare dhe tokësore në kushte të rënda dimërore.

Përveç përpjekjes për të rikthyer vëmendjen e SHBA-së tek kërcënimi nga Rusia, vendet nordike shpresojnë që vëmendja e rinovuar mbi sigurinë Arktike t’u lejojë të tregojnë vlerën e tyre për Uashingtonin.

Ka dy segmente detare thelbësore ku NATO dhe Rusia do të garojnë për kontroll në rast konflikti në Arktik: hapësira më e njohur GIUK midis Groenlandës, Islandës dhe Mbretërisë së Bashkuar; dhe e ashtuquajtura Bear Gap midis arkipelagut norvegjez Svalbard dhe tokës kryesore të Norvegjisë, duke përfunduar pranë Gadishullit Kola.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, viziton Shtabin e Operacioneve Detare Atomflot, i cili është përgjegjës për sigurimin e navigimit të sigurt në Rrugën Veriore Detare në Murmansk, në mars 2025 © Gaveiil Grigorov/Pool/AFP/Getty Images

Sandvik tha se Norvegjia përdor avionë të njohjes P8, satelitë, dronë me distancë të gjatë, nëndetëse dhe fregata për të monitoruar Bear Gap dhe zonat e tjera. “Kjo është mënyra si NATO mendon për mbrojtjen e kësaj zone në kohë krize të nxehtë. Por, mbi të gjitha, e bëjmë për të shmangur përshkallëzimin dhe për të frenuar Rusinë,” shtoi ai.

Një zyrtar i lartë nordik shtoi se SHBA-ja varet nga këto informacione: “Sigurisht që është një rrugë me dy drejtime. Ne kemi njohuri të mirë për situatën se çfarë po bën Rusia në anën e saj. SHBA-ja gjithashtu mund të përdorë hapësirën tonë ajrore për të monitoruar Rusinë.”

Shumica e interesit në Arktik lidhet me monitorimin e asaj që mund të vijë nga ajri ose nën ujë, dhe jo për veprime në tokë. “Është e pamundur të ‘pushtosh’ Groenlandën. Mund të zgjidhje Nuuk-un, por 95 për qind e saj është borë dhe akull, dhe nuk mund ta marrësh atë,” tha një zyrtar danez.

Trump duket se synon veçanërisht Groenlandën për sistemin e tij të propozuar të mbrojtjes nga raketat Golden Dome, që do të përdorte sensorë, satelitë dhe interceptues për të ndaluar projekte të ndryshme që mund të arrijnë SHBA-në.

SHBA-ja menaxhon objektin kryesor ushtarak në ishullin Arktik, bazën hapësinore Pituffik në verilindje të largët, e përdorur për sistemet radar për paralajmërim të hershëm.

Megjithatë, shumë vende nordike shqetësohen se ka një logjikë të pashmangshme në militarizimin e Arktikut, që deri tani ishte një nga pak rajonet me tension të ulët në botë. Ata theksojnë se rajoni është shtëpia e miliona njerëzve, shumë prej të cilëve janë popullsi indigjene, si në Grenlandë.

“Unë shqetësohem që siguria po dominohet në agjendën Arktike, dhe harrojmë se ka çështje të tjera po aq të rëndësishme si ndryshimi i klimës, infrastruktura, të drejtat e popullsisë indigjene,” tha një tjetër zyrtar i lartë nordik. “Nuk ka shumë përfitime nga militarizimi i Arktikut sepse është një zonë shumë e vështirë për aktivitet.”

Aktualisht, po pranohet gjithashtu se lufta e Rusisë në Ukrainë ka ngadalësuar përforcimin e saj ushtarak në Arktik. “Prania aktuale e forcave në bazat ushtarake Arktike ka rënë pasi disa brigada arktike u dërguan në Ukrainë dhe pësuan humbje të rënda,” tha Ditrych.

Por ekziston gjithashtu njohja se Rusia dhe Kina janë të gatshme të luajnë një lojë afatgjatë në një rajon ku shkrirja e akullit mund të ndryshojë kalkulimet ushtarake dhe ekonomike për dekada. “Është një garë në konkurrencë strategjike në Arktik,” tha Sandvik.

The post Si po përgatitet NATO për luftë në Arktik appeared first on Gazeta Si.

A janë gati liderët për një tjetër ‘roller coaster’ nga Trump?

Nga Gazeta ‘Si’- Ish-kryeministri britanik i njohur për zgjuarsinë e tij, Harold Wilson, ka thënë dikur se “një javë është një kohë e gjatë në politikë”.

Vetëm gjatë javës së fundit, deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump për zotërimin e Groenlandës, dobësinë e Europës dhe përçmimin e tij ndaj kontributeve të vendeve anëtare të NATO-s në Afganistan kanë nxjerrë hapur në pah një realitet të ashpër: rendi i vjetër ka vdekur — dhe nuk do të ringjallet.

Nëse kësaj i shtohet edhe krijimi i një Bordi të Paqes për Gazën, ku përfshihet presidenti i Bjellorusisë dhe një ftesë e dërguar presidentit rus Vladimir Putin, atëherë ka qenë një javë vërtet e çuditshme.

Askush nuk e përshkroi më mirë këtë gjendje sesa kryeministri kanadez Mark Carney, fjalimi i të cilit në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, të mërkurën, e zemëroi Trumpin.

“Ne jemi në mes të një çarje, jo të një tranzicioni,” tha Carney duke bërë thirrje për mobilizim të asaj që ai i quajti “fuqitë e mesme”.

“Nëse nuk je në tryezë, je në menu,” shtoi ai.

Tashmë ka shenja se në Perëndim po kuptohet se rezistenca e hapur është një qasje më e mirë sesa përshtatja e heshtur. Përveç indinjatës ndaj deklaratave të Trumpit për Afganistanin, europianët u tronditën po aq dhe e shprehën hapur këtë nga kërcënimi i Trumpit se tetë vende europiane do të ndëshkoheshin me tarifa për mbështetjen e statusit aktual të Groenlandës si pjesë e Danimarkës.

Europa kërcënoi me tarifa hakmarrëse. Parlamenti Europian reagoi duke ngrirë marrëveshjen tregtare BE-SHBA.

Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia i refuzuan të gjitha ftesat për t’iu bashkuar Bordit të Paqes të Trumpit, duke mos dashur të ishin të nënshtruara ndaj tij si kryetar i këtij organi.

“Natyrisht që kam shqetësime për përfshirjen e Putinit në një Bord të Paqes,” tha kryeministri britanik Keir Starmer, pasi Trump deklaroi se lideri rus kishte pranuar të bashkohej. Moska nuk e ka konfirmuar këtë.

“Po kapërcehen shumë vija të kuqe”

Deri të mërkurën, Trump u tërhoq nga kërcënimi për tarifa dhe zbuti retorikën e tij për një marrje ushtarake të Groenlandës.

“Ne patëm sukses duke rezistuar, duke mos u përshkallëzuar, por edhe duke qëndruar të vendosur,” tha Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Europian.

Pastaj erdhi pjesa më e vështirë.

“E dimë se duhet të punojmë gjithnjë e më shumë për një Europë të pavarur,” shtoi ajo.

Kryeministri belg Bart De Wever ishte edhe më i drejtpërdrejtë.

“Ne ishim të varur nga Shtetet e Bashkuara, ndaj zgjodhëm të ishim tolerantë, por tani po kapërcehen kaq shumë vija të kuqe sa që duhet të zgjedhësh mes dinjitetit tënd,” tha ai.

“Nëse tërhiqesh tani, humbet dinjitetin, dhe ndoshta gjëja më e çmuar që mund të kesh në një demokraci është pikërisht dinjiteti.”

Nëse Europa ka mësuar diçka, është fakti se ndoshta janë vetëm javë ose edhe më pak larg episodit të radhës të melodramës transatlantike, qoftë për Groenlandën sërish, Ukrainën, tarifat apo një tjetër çështje që bëhet fokus i Trumpit.

“Kërcënimi i menjëhershëm u pezullua dhe opsioni ushtarak tani është jashtë tryezës. Derisa të rikthehet,” tha Grégoire Roos, drejtor i programeve për Europën dhe Rusinë në Chatham House.

Sipas Roos, kërcënimi real për Europën është dominimi ekonomik i SHBA-së, i ilustruar nga varësia europiane ndaj importeve të gazit natyror amerikan.

“BE-ja mbetet strukturalisht e ekspozuar ndaj presionit nga aleati i saj më i afërt — dhe ky presion amerikan mund të ushtrohet në shumë mënyra pa kaluar pragun e përdorimit të forcës,” shkroi ai javën e kaluar.

Nëse europianët do të tregojnë unitet dhe urgjencë përballë kësaj situate të paqëndrueshme, mbetet për t’u parë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, gjithashtu i pranishëm në Zvicër javën e kaluar, tha se deri tani kjo nuk ka ndodhur.

Duke iu referuar filmit “Groundhog Day”, Zelensky tha: “Vetëm vitin e kaluar, këtu në Davos, e mbylla fjalimin tim me fjalët: ‘Europa duhet të dijë si të mbrojë veten’. Ka kaluar një vit — dhe asgjë nuk ka ndryshuar.”

Jo plotësisht e vërtetë. Siç shkroi analisti ushtarak Mick Ryan, gjithashtu bashkëpunëtor në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, në blogun e tij: “Europa ka ndryshuar ndjeshëm gjatë luftës dhe ka rritur mbështetjen e saj ushtarake, ekonomike dhe të inteligjencës për Ukrainën.”

Bashkimi Europian ka ndërtuar një fond të fuqishëm për Ukrainën për blerjen e armëve, ka ofruar miliarda në kredi dhe ka rritur prodhimin e vet ushtarak, megjithëse nga një bazë shumë e ulët.

Megjithatë, vendimmarrja e BE-së është e ngadaltë: për çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë, të bindësh 27 qeveri është si të ndjekësh një ketër nëpër kopsht.

Europa “ende kujdeset për vlerat që rendi i vjetër synonte të mishëronte, të paktën në emër,” shkroi komentatori Martin Sandbu në Financial Times këtë fundjavë.

“Ajo e mishëron këtë rend në mënyrën se si anëtarët e saj ndajnë sovranitetin. Por nuk do të shërbejë kurrë si një shtyllë globale derisa ta marrë seriozisht përpjekjen që kjo kërkon,” argumentoi Sandbu.

Një plan 400-faqësh tashmë ekziston. Dy vite më parë, Mario Draghi, ish-kryeministër i Italisë dhe, si Carney, ish-drejtues i bankës qendrore, hartoi një raport që përshkruante sfidën e Europës: investime masive në kapacitete të përbashkëta ushtarake, vendimmarrje më të shpejtë dhe shfrytëzim më të mirë të inovacionit.

Duke theksuar se fuqia punëtore e Europës pritet të bjerë me 2 milionë persona në vit deri në vitin 2040, Draghi paralajmëroi se “stabiliteti gjeopolitik po zbehet dhe varësitë tona janë shndërruar në dobësi”.

Carney e çoi analizën e Draghit një hap më tej, duke paralajmëruar se rendi i vjetër i bazuar në rregulla po shembet përballë “intensifikimit të rivalitetit mes fuqive të mëdha, ku më të fortët ndjekin interesat e tyre duke përdorur integrimin ekonomik si mjet shtrëngimi”.

“Nostalgjia nuk është strategji, por ne besojmë se nga kjo çarje mund të ndërtojmë diçka më të madhe, më të mirë, më të fortë dhe më të drejtë,” tha kryeministri kanadez në fund të fjalimit të tij në Davos, i cili u prit me duartrokitje në këmbë.

De Wever, kryeministri belg, tha se ky tranzicion mund të jetë i rrezikshëm, duke kujtuar fjalët e filozofit italian Antonio Gramsci: “Kur e vjetra po vdes dhe e reja ende nuk ka lindur, atëherë jeton në një kohë përbindëshash.”

“Është në dorën e Trumpit të vendosë nëse do të jetë një përbindësh apo jo,” përfundoi De Wever.

Burimi: CNN/Përshtati Gazeta Si

The post A janë gati liderët për një tjetër ‘roller coaster’ nga Trump? appeared first on Gazeta Si.

Sondazhi/ Europianët pesimistë për të ardhmen dhe frikë nga ‘efekti Trump’

Nga Gazeta ‘Si’– Europianët janë pesimistë për gjendjen e botës, për vendet e tyre, për rrethanat personale dhe për rreziqet që, sipas tyre, paraqet presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Pothuajse dy të tretat e të anketuarve thanë se “vitet më të mira janë pas nesh” (63 për qind), ndërsa 77 për qind besojnë se jeta në vendin e tyre “do të jetë më e vështirë për brezin e ardhshëm”, sipas një sondazhi të firmës së komunikimit strategjik FGS Global, i ndarë ekskluzivisht me POLITICO.

Sondazhi përfshiu më shumë se 11 mijë persona në 23 vende të Bashkimit Europian dhe u zhvillua në muajin nëntor.

Kjo ndjenjë e zymtë është veçanërisht e përhapur në Europën Perëndimore dhe Qendrore. Një shumicë e europianëve (76 për qind) thanë se demokracia në vendin e tyre është në rënie.

Sondazhi nxjerr në pah shqetësimin e gjerë për gjendjen e demokracive europiane dhe për aftësinë e qeverive për t’u përballur me sfidat, të cilat përfshijnë luftën në krahun lindor të kontinentit, pasigurinë ekonomike dhe gjeopolitike, si edhe përplasjet në rritje me Uashingtonin.

Edhe para se presidenti amerikan të deklaronte se dëshironte të merrte kontrollin e Groenlandës, një shumicë dërrmuese e europianëve e shihnin atë si një forcë negative për paqen, për vendet e tyre dhe për ekonominë globale.

“Është e qartë se ekziston një nivel shumë, shumë i lartë pesimizmi,” tha Craig Oliver, bashkë-drejtues global i strategjisë në FGS Global, i cili më parë ka shërbyer si këshilltar komunikimi për ish-kryeministrin britanik David Cameron.

Megjithatë, sipas tij, qeveritë jo vetëm që duhet të jenë të vëmendshme ndaj kësaj gjendjeje shpirtërore, por edhe mund të përpiqen ta shfrytëzojnë atë: “Historikisht, pikërisht në momente pesimizmi kanë ardhur ndryshimi dhe përmirësimi.”

Mesazh nga europianët për qeveritë: Mund të bëni më mirë

Në pothuajse çdo vend të anketuar, shumica besojnë se vendi i tyre po ecën në drejtimin e gabuar. Përjashtim bëjnë Polonia, Lituania dhe Danimarka — edhe pse këto vende janë ndër më të ekspozuarat ndaj Rusisë ose, në rastin e Danimarkës, ndaj presionit amerikan për Groenlandën.

Oliver ia atribuoi këtë diferencë mënyrës së qeverisjes. “Ka vende ku njerëzit ndiejnë se ka udhëheqje, ndryshim dhe se problemet po adresohen,” tha ai. “Njerëzit e ndiejnë shumë fort se duan të udhëhiqen; duan qartësi nga qeveritë.”

Në përgjithësi, 65 për qind e qytetarëve të BE-së të anketuar mendojnë se vendi i tyre po shkon në drejtimin e gabuar.

Sondazhi është lajm i keq për shumicën e qeverive, pasi tregon besim të dobët të publikut në sistemet politike dhe skepticizëm për aftësinë e tyre për të funksionuar në mënyrë efektive.

Kur u pyetën të zgjidhnin mes dy deklaratave të kundërta, të paktën gjysma e të anketuarve thanë se sistemi politik i vendit të tyre “po i dështon qytetarët dhe ka nevojë për reforma themelore”, dhe jo se “funksionon mjaft mirë dhe nuk ka nevojë për reforma të mëdha”.

Vendet nordike, në përgjithësi më pak pesimiste, shënuan rezultatet më pozitive. Mendimet negative ishin më të larta në Rumani (91 për qind), Greqi (88 për qind) dhe Bullgari (86 për qind).

Në të gjitha vendet, më shumë se 70 për qind e të anketuarve thanë se “kanë të drejtë të presin më shumë nga qeveria”, dhe jo se po presin tepër.

Kërkohet: Mbrojtje e fortë

Në kushtet e sfidave të shumta me të cilat përballet kontinenti, europianët duan që udhëheqësit e tyre të marrin më shumë përgjegjësi — dhe të përgatiten më mirë.

Kur u pyetën nëse pajtoheshin që vendet e tyre “duhet të jenë më këmbëngulëse në mbrojtjen e interesave kombëtare, edhe nëse kjo krijon përplasje me vende të tjera”, një shumicë e madhe u shpreh pro (71 për qind).

Të anketuarit mbështetën gjithashtu rritjen e investimeve në sigurinë europiane, me 57 për qind që favorizojnë më shumë “shpenzime për mbrojtjen dhe sigurinë”.

Efekti Trump

Edhe pse sondazhi u zhvillua përpara valës më të fundit të përplasjeve me Trumpin, presidenti amerikan tashmë shihej si një faktor negativ.

Vetëm 26 për qind e qytetarëve të BE-së të anketuar ndajnë një këndvështrim optimist për ndikimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në paqen dhe sigurinë në botë.

Sondazhe të tjera kanë treguar se Trump është i papëlqyer në kontinent, madje edhe mes mbështetësve të partive populiste të djathta, të cilat ai i sheh si aleate.

Rreth dy të tretat e të anketuarve në sondazhin e FGS Global thanë se janë pesimistë për ndikimin e Trumpit gjatë vitit të ardhshëm në ekonominë globale (69 për qind), në paqen dhe sigurinë (64 për qind) dhe në vendin e tyre (64 për qind).

Kur u pyetën nëse Trump e meriton Çmimin Nobel për Paqe, 77 për qind u përgjigjën se jo.

Burimi: Politico/Përshtati Gazeta Si

The post Sondazhi/ Europianët pesimistë për të ardhmen dhe frikë nga ‘efekti Trump’ appeared first on Gazeta Si.

Një udhëzues vizual për naftën e Venezuelës dhe arsyet pse Trump e do atë

Nga Gazeta ‘Si’- Që kur u bë vendi me rezervat më të mëdha të naftës në botë në vitin 2010, prodhimi i Venezuelës ka rënë në nivele historike.

Në vitet 1980, rezervat më të mëdha të naftës bruto ishin kryesisht në Lindjen e Mesme, sidomos në Arabinë Saudite. Në atë kohë, ishte vënë re se Venezuela kishte depozita të konsiderueshme — të cilat dikur ishin thelbësore për ekonominë e vendit — por ato përfaqësonin vetëm 3 % të totalit botëror.

Rreth tre dekada më vonë, midis viteve 2008 dhe 2010, Venezuela u bë vendi i parë që kaloi Arabinë Saudite për rezervat e njohura të naftës. Sipas qeverisë lokale dhe të dhënave të certifikuara nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), nën tokë ekziston një prej depozitave më të mëdha të naftës bruto të rikuperueshme teknikisht në botë.

Sipas të dhënave të fundit të disponueshme (2020), Venezuela përbënte 17 % të gjithë rezervave të naftës bruto në botë. Rritja e papritur e rezervave, që katërfishuan në vetëm pesë vjet, duke arritur në 40 miliardë ton, është një rast unik. Shpjegimi qëndron në Shiritin e Orinocos, një zonë e gjerë në verilindje të vendit.

Por kjo naftë është e pazakontë: është e rëndë dhe jashtëzakonisht e rëndë, dhe për shkak të përbërjes së saj kërkon shumë teknologji dhe investim për t’u përpunuar, ekskluzivitet që shumë kompani ndërkombëtare e zotërojnë.

Në Venezuelë, kompania shtetërore e naftës PDVSA, në pronësi të shtetit që nga viti 1976, ka parë burimet e saj të zbehen, ndërsa investimet dhe mirëmbajtja kanë dështuar, sidomos pas ardhjes në pushtet të Hugo Chávez në vitin 1999.

Pjesëmarrja e kapitalit të huaj dhe e teknologjisë është më tej kufizuar nga sanksionet ndërkombëtare ndaj sektorit të naftës që nga viti 2019. Së bashku me rastet e përsëritura të korrupsionit gjatë dekadës së fundit dhe emigrimin e specialistëve të kualifikuar, këto faktorë i kanë çuar prodhimin e naftës në Venezuelë në gjendjen e tij të tanishme të dobtë.

Sot, Venezuela nxjerr rreth 1% të prodhimit global të naftës, më pak se gjysma e kontributit të saj në mes të viteve 1990, pavarësisht rezervave që janë katër herë më të mëdha.

Nga eksportues i madh te “anija spiun”

Për dekada, Venezuela ishte një eksportues kryesor i naftës, kryesisht drejt Shteteve të Bashkuara, deri sa marrëdhëniet u përkeqësuan gjatë kohës së Hugo Chávez. Sot, ajo eksporton rreth gjysmën e asaj që bënte dhjetë vjet më parë. Ndërkohë, Amerika ka bërë një rritje të jashtëzakonshme të eksporteve të naftës së saj, duke u bërë eksportuesi i tretë më i madh në botë, pas Arabisë Saudite dhe Rusisë.

Një peshkatar shikon strukturën e naftës në dekompozim në liqenin Marcaibo, në Cabimas, Venezuelë, në maj 2019.

Marina e “anijeve spiun” është bërë një fenomen i zakonshëm: tankerë që fiksojnë sistemin automatik të identifikimit (AIS) për të shmangur zbulimin ndërkombëtar kur ngarkojnë ose shkarkojnë naftë, sidomos për të kapërcyer sanksionet ndaj Venezuelës. Një pjesë e tyre janë rikthyer kohët e fundit nën flamur rus.

Pse Trump është i interesuar për naftën venezuelase

Pas kapjes së ish‑presidentit Nicolás Maduro dhe gruas së tij më 3 janar të këtij viti, presidenti amerikan Donald Trump foli menjëherë për planet që “kompanitë më të mëdha amerikane të naftës” të hyjnë në Venezuelë, të investojnë miliarda dollarë dhe të rregullojnë infrastrukturën e përkeqësuar të naftës, duke e kthyer atë në fitim për vendin.

Madje ai e ka shprehur idenë se SHBA mund të ndihmojë në rindërtimin e infrastrukturës dhe të përdorë kapacitetet ekzistuese të kompanive amerikane për të nxjerrë fitime nga rezervat e mëdha të naftës, që janë potencuar shumë vite më parë nga vendet e tjera.

Nafta bruto mbetet burimi kryesor i energjisë për Shtetet e Bashkuara, e ndjekur nga gazi natyror.

Në Kinë, megjithëse qymyri përbën më shumë se një të tretën e konsumit parësor të energjisë në vend, nafta renditet e dyta. Një situatë e ngjashme është në Indi, një tjetër importuese e madhe e naftës bruto të Venezuelës./ El Pais

The post Një udhëzues vizual për naftën e Venezuelës dhe arsyet pse Trump e do atë appeared first on Gazeta Si.

Fazat e zisë së Europës për aleancën transatlantike

Nga Gazeta ‘Si’- Nga vitet 1940 deri në vitin 2024, sfida kryesore e sigurisë për Europën ishte si të mbrohej së bashku me Amerikën, aleatin e saj më të afërt.

Në vitin 2025, me Donald Trump të rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, pyetja u bë nëse Europa mund të mbrohej pa Amerikën – një perspektivë e frikshme, duke pasur parasysh ambiciet e Rusisë ndaj kontinentit.

Por tani, në vitin 2026, europianët po përballen me një pyetje që dikur do të konsiderohej herezi: çfarë mund t’u duhet të bëjnë një ditë për t’u mbrojtur nga vetë Amerika?

Për të keqinterpretuar Mark Tëain-in, raportet për vdekjen e paktit transatlantik janë ekzagjeruar shpesh në të kaluarën.

Por një “aleancë” që përfshin kërcënime dhe bullizëm nuk e meriton këtë emër; në këtë pikë, ajo duket ose e vdekur, ose duke dhënë frymën e fundit. Pika e shpërthimit është Groenlanda, e lakmuar nga Trump dhe e pamundur për t’u dorëzuar nga Europa pa humbur dinjitetin.

Më 21 janar, Trump përjashtoi – për momentin – përdorimin e forcës për të marrë territorin autonom danez, ndërsa përshëndeti një “marrëveshje” ende të paqartë me NATO-n.

Edhe pse kriza e menjëhershme mund të jetë shuar, problemi i thellë mbetet: një doktrinë e re amerikane që e sheh pushtetin si virtyt dhe aleatët si të zëvendësueshëm.

Narcizmi dhe mendjemadhësia që burojnë nga Uashingtoni e bëjnë të pamundur çdo aleancë të qëndrueshme, edhe kaq historike sa NATO. Kryeministri kanadez, Mark Carney, foli në emër të pritësve europianë në Davos kur tha: “rendi i vjetër nuk do të kthehet… nuk duhet ta vajtojmë”.

Megjithatë, europianët po e vajtojnë. Aleanca transatlantike ekziston ende në letër, por premtimi në zemër të NATO-s – se Amerika do ta mbronte Europën në rast sulmi dhe anasjelltas – nuk është më një besim i patundur.

A do të varej kjo garanci, për shembull, nga “dorëzimi” i Groenlandës nga Danimarka, sikur një gjë e tillë të ishte edhe e mundur? Për europianët, ndjenja e humbjes është e thellë.

Si të reagosh ndryshe ndaj shpërbërjes së marrëveshjes së sigurisë që mbështeti periudhën më të gjatë (kryesisht) paqësore të këtij kontinenti përherë konfliktual?

Partneriteti i Atlantikut të Veriut nuk ka qenë gjithmonë i lumtur, por ka rezultuar elastik. Tronditja e largimit të tij ka lënë pas të mbijetuar të shtangur.

Psikiatrja zvicerane Elisabeth Kübler-Ross formuloi teorinë se njerëzit që përballen me humbjen e një të dashuri kalojnë pesë faza zie: mohimin, zemërimin, pazarin, depresionin dhe më pas pranimin. Europa, mesa duket, po i kalon të gjitha.

Gjithçka nisi me mohimin – bindjen e palëkundur në qarqet europiane se Trump nuk do të rikthehej kurrë në pushtet. Që amerikanët e zgjodhën një herë në 2016 ishte tashmë e pakuptueshme; por ta bënin sërish, pasi panë se çfarë ishte i aftë të bënte, përfshirë edhe një kryengritje? Para zgjedhjeve të vitit 2024 u bënë përpjekje të mjegullta për ta “Trump-proof”-uar Europën, pa një ide të qartë se çfarë nënkuptonte realisht kjo.

Më pas erdhi zemërimi.

Brenda pak javësh nga inaugurimi i dytë i Trump, një vit më parë këtë javë, europianët u provokuan nga trumpistët në shpërthime indinjate. Në shkurt, zëvendëspresidenti J.D. Vance udhëtoi në Mynih për t’u shpjeguar europianëve se kërcënimi i vërtetë nuk vinte nga Rusia, por nga “armiku i brendshëm”.

Zgjidhja e vetme për rënien e pandalshme të kontinentit ishte zgjedhja e ksenofobëve – dhe ndoshta shpërbërja e Bashkimit Europian. Më vonë atë muaj, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u poshtërua në Zyrën Ovale dhe trupat e tij u privuan përkohësisht nga inteligjenca jetike amerikane.

Në prill, Trumpi i fiksuar pas tarifave po shkatërronte sistemin e tregtisë së lirë që Amerika dhe Europa kishin ndërtuar bashkë për dekada.

Europa u përpoq më pas të bëjë pazar; Trump dihet që i pëlqen një marrëveshje. Për të mbajtur mbështetjen amerikane për Ukrainën, europianët pranuan të bënin atë që kërkonte Uashingtoni. Disa kërkesa ishin të arsyeshme, si rritja e shpenzimeve për mbrojtjen (në qershor u ra dakord për objektivin 3.5% të PBB-së). Por një pjesë e pashprehur e marrëveshjes ishte nënshtrimi ndaj Amerikës, si kur sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e quajti në mënyrë servile Trumpin “babai” i aleancës.

Në korrik, BE-ja nënshkroi një marrëveshje tregtare të pabalancuar, duke pranuar tarifa amerikane pa vendosur të vetat. Për shumë europianë, kjo nuk dukej si pazar, por si kapitullim.

Mjerisht, përulja rezultoi e kotë. Kështu erdhi depresioni, kur Europa kuptoi se kishte shitur veten, pa marrë asgjë në këmbim. Në muajt e fundit, Trump ka vazhduar të ushtrojë më shumë presion mbi Ukrainën sesa mbi agresorin rus. Ai kërcënoi me tarifa të reja ndaj vendeve të BE-së për shkak të Groenlandës – për t’i tërhequr më pas.

Ndoshta më dëshpëruese për shumë europianë ishte kuptimi se francezët kishin pasur të drejtë prej kohësh. Që nga Charles de Gaulle, presidentët francezë kanë paralajmëruar për varësinë nga Amerika.

Emmanuel Macron e shpalli NATO-n “me vdekje cerebrale” në vitin 2019. Shumë europianë qeshën më tepër sesa dëgjuan.

Lamtumira e gjatë, versioni Atlantik

Si mund të duket faza e fundit e zisë – pranimi? Në të gjithë Europën ndihet se një vijë është kaluar, se kufijtë janë tejkaluar.

Edhe liderë të vendeve dikur fort atlantiste flasin sot si gaullistë. “Të jesh një vasal i lumtur [i Amerikës] është një gjë, të jesh një skllav i mjerë është tjetër,” tha kryeministri belg Bart De Wever.

Por të pranosh se koha ka ndryshuar nuk do të thotë të biesh dakord për mënyrën e përshtatjes. Ndërtimi i “autonomisë strategjike” nga Amerika, siç e quan Macron, do të kërkojë vite – në mos dekada – investimesh, sidomos për të mbushur boshllëqet në kapacitetet ushtarake.

Një luftë tregtare me Amerikën duket gjithnjë e më e pashmangshme. Në një samit më 22 janar, teksa The Economist shkonte për shtyp, liderët e BE-së pritej të diskutonin “instrumentin anti-shtrëngues” të bllokut – një mekanizëm që lejon reagime të ashpra ndaj kërcënimeve me tarifa (edhe pse aktivizimi i menjëhershëm duket i pamundur pas tërheqjes së Trumpit).

BE-ja e kishte projektuar këtë “bazukë tregtare” për të frikësuar kundërshtarë si Kina. Në vend të kësaj, objektivi i parë mund të përfundojë të jetë njëvend që europianët dikur e quanin mik.

Burimi: The Economist/Përshtati Gazeta Si

The post Fazat e zisë së Europës për aleancën transatlantike appeared first on Gazeta Si.

Merz dhe Meloni- Dyshja e fuqishme e Europës

Nga Gazeta ‘Si’- Ndërsa motori tradicional franko-gjerman i Europës po dështon, kancelari gjerman Friedrich Merz po kërkon gjithnjë e më shumë të bashkohet me kryeministren italiane të së djathtës ekstreme Giorgia Meloni si bashkë-pilotin e tij në drejtimin e BE-së.

Të dy do të takohen në një samit në Villa Doria Pamphilj në Romë për të dyfishuar aleancën e tyre në zhvillim e sipër. Të dy janë atlantikë të krahut të djathtë që duan të ulin tensionet me Presidentin e SHBA-së Donald Trump. Dhe të dy kanë frustrimet e tyre me Presidentin francez Emmanuel Macron.

Siç tregon analiza e Politico, në vitet e kaluara, Gjermania tradicionalisht do t’i ishte drejtuar Francës në momente vendimtare për të hartuar plane për BE-në, kështu që është domethënëse që Merz tani po rreshtohet me Melonin në përpjekjen e tij për të çuar përpara prioritetet kryesore evropiane në tregti dhe industri.

Pjesërisht, tërheqja e Merzit drejt Melonit nxitet nga bezdia me Francën. Berlini është i irrituar që Parisi kërkoi të minonte marrëveshjen historike tregtare të Mercosur me Amerikën e Jugut, të cilën gjermanët e kanë dashur prej kohësh për të promovuar eksportet industriale. Gjermania po shqyrton gjithashtu tërheqjen nga një program i përbashkët prej 100 miliardë eurosh për avionë luftarakë për shkak të mosmarrëveshjeve me Francën.

Në këtë sfond, bashkëpunimi me Romën ka një logjikë bindëse.

Gjatë takimit të së premtes, Merz dhe Meloni pritet të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi në mbrojtje, sipas diplomatëve të përfshirë në përgatitje. Nuk është e qartë se çfarë përfshin kjo, por Rheinmetall i Gjermanisë dhe Leonardo i Italisë tashmë kanë një sipërmarrje të përbashkët për të ndërtuar tanke dhe automjete të tjera ushtarake.

Ndoshta në mënyrën më ambicioze është se Italia dhe Gjermania po bashkohen gjithashtu për të hartuar një plan të ri për të ringjallur industrinë e BE-së dhe për të zgjeruar eksportet në një dokument të përbashkët pozicioni për samitin e Këshillit Evropian më 12 shkurt. Berlini dhe Roma e paraqesin veten si “dy vendet kryesore industriale evropiane” dhe kanë dënuar vonesat në marrëveshjen e Mercosur.

Kjo gjuhë do të zemërojë Parisin.

Së bashku për një udhëtim të gjatë

Për Giangiacomo Calovini, një ligjvënës nga partia Vëllezërit e Italisë e Melonit, i cili kryeson grupin e miqësisë italo-gjermane të parlamentit, aleanca Merz-Meloni ka kuptim duke pasur parasysh largimin e afërt të Macron nga skena evropiane pas zgjedhjeve franceze të vitit të ardhshëm.

“Dy vendet tona kanë qeveri të qëndrueshme, veçanërisht nëse krahasohen me ato të Francës”, tha ai. “Është e qartë se Meloni dhe Merz ndoshta kanë ende një rrugë të gjatë përpara, gjatë së cilës ata mund të punojnë së bashku”, shtoi ai.

Ruajtja e marrëdhënies me Trump është thelbësore për të dy udhëheqësit, dhe si Merz ashtu edhe Meloni janë përpjekur të shmangin shpërthimet transatlantike. Ata janë mbështetur në shuarjen e zjarrit nga ministrat e tyre të jashtëm, Johann Wadephul dhe Antonio Tajani.

“Giorgia Meloni dhe Friedrich Merz kanë përfaqësuar krahun evropian më të hapur për dialog me Presidentin Trump”, tha Pietro Benassi, ish-ambasador italian në Berlin dhe BE. “Përshpejtimi disi surreal i ngjarjeve i nxitur nga presidenti amerikan po konfirmon një konvergjencë në qëndrimet e Italisë dhe Gjermanisë, në vend që të jetë midis Italisë dhe Francës, ose Francës dhe Gjermanisë.”

Në kontrast me qasjen e butë në Romë dhe Berlin, Calovini akuzoi Macron për sjellje të padobishme “kontradiktore” ndaj Trump.

“Ai vepron si ai që dëshiron të sfidojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por më pas dërgon mesazhe që Trump i ka publikuar në mënyrë të pahijshme në të cilat i lutet Trump të hajë darkë me të”, tha ai.

Zyrtarët në Berlin tani shprehen privatisht me gëzim për bashkëpunimin në rritje me Melonin, duke e përshkruar marrëdhënien me Romën si të besueshme.

“Italia është e besueshme”, tha një zyrtar i lartë i qeverisë gjermane, i cili mbeti anonim. Nuk është një mbiemër që autoritetet në Berlin e kanë përdorur shpesh për të përshkruar homologët e tyre francezë kohët e fundit.

“Franca është më verbale, por Italia është shumë më pragmatike”, tha Axel Schäfer, një ligjvënës i lartë në Partinë Social Demokratike të Gjermanisë, e cila është përqendruar prej kohësh në marrëdhëniet gjermano-italiane.

Një zyrtar italian vlerësoi gjithashtu “kiminë e mirë” midis Merz dhe Melonit personalisht. Kjo përbën një kontrast të theksuar me marrëdhëniet e tensionuara famëkeqe midis Melonit dhe Macronit, të cilët janë përplasur shpesh.

Në përpjekjen e tyre për t’u afruar, Merz dhe Meloni herë pas here kanë përdorur hiperbolën.

Gjatë vizitës së tij të parë në Romë si kancelar vitin e kaluar, Merz tha se kishte “praktikisht një marrëveshje të plotë midis dy vendeve tona për të gjitha çështjet e politikës evropiane”.

Meloni ia ktheu të njëjtën ndjenjë.

“Është thjesht e pamundur të hedhësh dyshime mbi marrëdhëniet midis Italisë dhe Gjermanisë”, tha ajo në atë kohë.

Kjo është e tepruar. Të dy udhëheqësit, në fakt, kanë dallime të konsiderueshme.

Meloni refuzoi të mbështeste një plan që në fund të fundit dështoi, të shtyrë nga Merz, për të përdorur asetet e ngrira ruse për të financuar ndihmën ushtarake për Ukrainën. Meloni gjithashtu përkohësisht mbajti mbështetjen për marrëveshjen tregtare të Mercosur në mënyrë që të fitonte lëshime për fermerët italianë përpara se ta mbështeste atë.

Në mënyrë kritike, Roma dhe Berlini ka të ngjarë të jenë aleatë shumë të vështirë kur bëhet fjalë për financat publike. Italia ka kohë që ka shtyrë për një politikë fiskale evropiane më të lirshme dhe ka qenë një aleat i natyrshëm i Francës në këtë pikë ndërsa Gjermania ka shërbyer si disiplinuesi i hekurt i kontinentit për shpenzimet.

Por edhe këtu ka pasur njëfarë konvergjence, me Melonin që ka ulur shpenzimet e Italisë dhe Merzin që kryeson një zgjerim historik në shpenzimet e nxitura nga borxhi për infrastrukturën dhe mbrojtjen.

Në thelb, pjesa më e madhe e aleancës në rritje midis Merzit dhe Melonit është një produkt i ndryshimeve të ndërmarra për mbijetesën e tyre politike të brendshme.

Meloni e ka tërhequr partinë e saj nacionaliste Vëllezërit e Italisë në qendër, veçanërisht në çështjet e politikës së jashtme. Në të njëjtën kohë, rritja e partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) në Gjermani e ka detyruar Merzin ta zhvendosë partinë e tij konservatore ndjeshëm djathtas në lidhje me migracionin. Ky bashkim ideologjik ka lejuar një ngrohje të marrëdhënieve. Ndërsa Merz ka kërkuar partnerë në nivel evropian për të ulur në mënyrë drastike fluksin e azilkërkuesve që vijnë në Evropë, për të zvogëluar rregulloret dhe për të nxitur më shumë tregti dhe për të siguruar një kundërbalancë ndaj Macron, Meloni është bërë një figurë gjithnjë e më e rëndësishme për kancelarin.

Megjithatë, Stefano Stefanini, një ish-diplomat i lartë italian dhe përfaqësues i NATO-s, tha se gjithmonë do të ketë kufizime në marrëdhënie.

“Është shumë taktike”, tha ai. “Nuk ka strategji të koordinuar. Ka një numër çështjesh për të cilat Meloni dhe Merz e gjejnë veten në të njëjtën anë”, shtoi ish diplomati.

Stefanini gjithashtu vuri në dukje se angazhimet për shpenzime veçanërisht në projektet ushtarake, do të ishin një fushë ku Roma do ta gjente përsëri veten në një aleancë më të natyrshme me Francën.

“Për shpenzimet e mbrojtjes, Italia dhe Franca janë më afër, sepse Gjermania ka kapacitetin fiskal për të shpenzuar vetë, ndërsa Italia dhe Franca duhet të marrin sa më shumë mbështetje financiare nga BE-ja,” tha ai.

Pavarësisht dallimeve të tilla, Meloni ka shfrytëzuar mundësinë e saj për t’u afruar me Merz.

“Meloni e ka kuptuar se, meqenëse ka njëfarë tensioni në marrëdhëniet Francë-Gjermani, ajo mund të infiltrohet dhe t’i afrohet Gjermanisë”, tha Marc Lazar, një ekspert i marrëdhënieve franko-italiane./POLITICO

The post Merz dhe Meloni- Dyshja e fuqishme e Europës appeared first on Gazeta Si.

Donjecku në këmbim të garancive dhe parave: oferta e Trumpit dhe dilema e Zelenskit

Gazeta Si – Marrëveshja e paqes ekziston, por paqja jo. Volodymyr Zelenski hezitoi para se të konfirmonte udhëtimin e tij në Davos, sepse historia e kësaj lufte, tani e paraqet atë para një konflikti dramatik të ndërgjegjes: të pranojë ofertën e Donald Trump, me rrezikun që premtimet e tij të rezultojnë të zbrazëta dhe të çojnë në katastrofë, apo të vazhdojë një luftë që po kushton ndoshta mbi njëqind mijë vdekje dhe kushte çnjerëzore për miliona njerëz të popullit të tij?

Që diçka po ndodh është tashmë e qartë nga diskutimet në vazhdim. Dje, në Forumin Ekonomik Botëror, Zelenski kaloi një orë duke folur me Trumpin.

Asnjë prej tyre nuk u largua me vështrim të vrenjtur. Nuk u nënshkruan dokumente, por nuk pati asnjë përçarje dhe Zelenski ishte i hapur: “Ekipi ynë punon me atë të Trumpit çdo ditë. Nuk është e lehtë, por dokumentet janë pothuajse gati për të arritur paqen. Jemi në fazën e fundit, e cila është gjithmonë shumë e vështirë, por sot ishte një ditë pozitive”.

Gjithashtu në Davos, të martën, Steve Witkoff dhe Jared Kushner u takuan me Kirill Dmitriev, negociatorin kryesor të Vladimir Putin.

Dje në mëngjes, dy emisarët e Trump ishin në malet zvicerane, duke mbërritur në Kremlin në mbrëmje për bisedime me Putinin dhe vetë Dmitrievin.

Witkoff tha se ata nuk do të qëndronin gjatë natës në Moskë, pasi duhej të mbërrinin në Abu Dhabi për negociatat e para të vitit 2022, të cilat do të bashkojnë rusët dhe ukrainasit në të njëjtën ndërtesë duke filluar nga sot: delegacioni i Kievit do të udhëheqet nga kreu i administratës presidenciale, Kyrylo Budanov; delegacioni rus, nga Dmitriev dhe kreu i shërbimit të inteligjencës ushtarake, Igor Kostyukov.

Në çantat e tyre, negociatorët mbajnë të paktën katër dokumente të ndryshme që, në teori, duhet të përbëjnë marrëveshjen e paqes.

I pari është një “tekst me mbishkrim për të gjithë paketën”, tha kryeministri kroat Andrej Plenkov për “Corriere della Sera”.

Pastaj vijnë tre pjesët kryesore. Më e rrezikshmja për Zelenskin në thelb përfshin lëshimin ndaj Rusisë të pjesës së Donbasit – pjesës ende të lirë të Donjeckut – që Putini e pretendon.

Kryeministri kroat, Plenkov shpjegon se, megjithatë, “është e rëndësishme që territori të mos cedohet de jure”, sepse “duhet të lëmë hapësirë ​​dhe kohë për të rishikuar atë që është e negociueshme” (domethënë, një dritare për dëmshpërblim kur Putini të mos jetë më aty).

Ky lëshim, për Zelenskin, mund të jetë fatal. Opinioni publik ukrainas është kundër. Dhe duke dorëzuar fortifikimet e Donjeckut, ai do ta ekspozonte veten ndaj përparimeve të reja ruse përgjatë një fushe të gjerë drejt Dnieprit dhe, prej andej, Odesës.

Ky do të ishte fundi i Ukrainës së pavarur, sepse vendi do të humbiste aksesin në Detin e Zi dhe do të kërkonte miratimin rus për eksportet. SHBA-të po ofrojnë dy lëshime për ta ndihmuar atë të përballet me këtë rrezik të madh.

Një dokument detajon një plan financimi publik dhe privat prej 800 miliardë dollarësh për të rindërtuar dhe rigjallëruar Ukrainën, të udhëhequr nga Larry Fink, kreu i fondit “Blackrock”.

Një dokument i dytë do t’i siguronte Kievit garanci amerikane për sigurinë, në mbështetje të evropianëve që dërgojnë trupa në terren. Zelenski do të duhej të lëshonte territor në këmbim të parave dhe mbrojtjes perëndimore.

Witkoff tha dje: “Jam optimist. Na ka mbetur vetëm një çështje e hapur (Donjecku), por kemi diskutuar shumë mundësi, që do të thotë se mund të zgjidhet. Zelenski është i disponueshëm”.

Megjithatë, marrëveshjet nuk janë finalizuar. Presidenti finlandez, Alex Stubb njoftoi se ekziston edhe një dokument mbi “renditjen”: Ukraina do të duhet të lëshojë Donjeckun; megjithatë, plani i rindërtimit prej 800 miliardë eurosh është aktualisht vetëm në letër; fondet nuk janë aty. As nuk është e qartë nëse Putini do të pranojë garanci sigurie që përfshijnë trupat e NATO-s në Ukrainë.

Dje, ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski iu drejtua Witkoff-it: “Jam i kënaqur që paqja duket afër, por Putini nuk është njeri i paqes. Na duhet një marrëveshje që nuk mbjell farat e një lufte tjetër”. Lufta e Zelenskit për ndërgjegje, mund të mos ketë mbaruar ende.

Burimi: “Corriere della Sera”; Përshtati: Gazeta “Si”

The post Donjecku në këmbim të garancive dhe parave: oferta e Trumpit dhe dilema e Zelenskit appeared first on Gazeta Si.

❌