Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Takimi i APEC-ut pritet t’i japë një mundësi të re për bashkëpunim rajonal

Zëvendësministri i Jashtëm i Kinës Ma Zhaoxu tha në një intervistë se organizimi i Takimit të 33-të të Liderëve Ekonomikë të APEC nga Kina, do t’i japë një vrull të fortë bashkëpunimit rajonal në Azi-Paqësor dhe do të ofrojë siguri, stabilitet dhe energji pozitive më të madhe për rritjen ekonomike globale dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Ky vit shënon “Vitin e Kinës” të APEC-ut me temën “Ndërtimi i një Komuniteti Azi-Paqësor për Lulëzimet e Përbashkëta”. Kina do të organizojë Takimin e 33-të të Liderëve Ekonomikë të APEC-ut në nëntor.
“Kjo temë ka fituar mbështetje unanime dhe të gjerë nga ekonomitë e APEC-ut”, tha Ma.

Bashkëpunimi Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) është mekanizmi i bashkëpunimit ekonomik i nivelit më të lartë që gëzon fushëveprimin më të gjerë dhe ndikimin më të rëndësishëm në rajonin e Azi-Paqësorit, tha Ma për Xinhua

“Balluku”, avokati: Një vendim pa vendim është absurditet, Kushtetuesja duhej t’i drejtohej “Venecias”

Belinda Balluku do të qëndrojë në detyrë, pavarësisht se pezullimi i saj u rikthye nga vendimi kontrovers i Gjykatës Kushtetuese. Kryeministri Rama iu tha deputetëve të shumicës se do të ndryshojnë Kodin Penal, që të pamundësojë pezullimin e atyre që mandatohet në detyrë nga Presidenti i Republikës.

Deri në ndryshimin e Kodit Penal, kërkesa tjetër e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres do të duhet të presë.

Avokati i njohur Edmond Petraj, i ftuar në “Tirana Live”, u shpreh se është emergjente bërja e disa ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale.

Ai theksoi se përfaqësuesit e zgjedhur me votën e popullit nuk mund të pezullohen nga pushteti gjyqësor, ndërsa ndryshimet ligjore janë të domosdoshme për të rregulluar raportin mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor.

Avokati kritikoi gjithashtu qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese, duke deklaruar se ajo nuk mori një vendim të qartë, por duhej ta kishte dërguar çështjen për opinion në Komisionin e Venecias. Sipas tij, mosmarrja e një vendimi përbën një absurditet dhe cenon autoritetin e Gjykatës Kushtetuese.

“Kodi i Procedurës penale duhet ndryshuar. Duhet ndryshim konkrete real, që mos të fusin duart për herë të dytë.Të gjithë të zgjedhurit duhet të kenë imunitet dhe s’mund të jenë pjesë e pezullimit apo arrestimit.

Të zgjedhurit me votën e popullit nuk mund të pezullohen nga gjykata. Ndryshimet janë të nevojshme për të rregulluar raportin ekzekutiv-gjyqësor. Gjykata Kushtetuese nuk mori vendim, por ajo duhet t’ia dërgonte për opinion Komisionit Venecias. Kjo do të ishte krejt normale.

Një vendim pa vendim, mua më duket absurditet. Gjykata Kushtetuese mblidhet për këto gjëra, për të vendosur kemi tejkalim kompetencash apo jo. Gjykata Kushtetuese kishte autoritetin dhe dinjitetin për të mos u bërë palë e një përqeshjeje masive. Duhet të jepte vendim për këtë gjë. U detyrua mazhoranca të vinte vijën e demarkacionit, sepse Gjykata Kushtetuese nuk e vendosi dot”, tha ai.

Çështja “Balluku” / Pas paralajmërimit të Ramës, zbulohet neni që mund të ndryshojë PS-ja

“Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to.

Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral”.

Ky është neni 242 i Kodit të Procedurës Penale ku mund të bëhen ndryshimet që paralajmëroi kryeministri Edi Rama. Sipas këtij neni, përveç të zgjedhurve nga qytetarët (pra deputetët dhe kryebashkiaket), të shtohen edhe anëtarët e qeverisë, presidenti etj.

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi  këtë të hënë ndryshime ligjore pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që la në fuqi pezullimin e zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS-së, Rama ka bërë të ditur se do të kërkohen ndërhyrje ligjore, por nuk ka përmendur ende një nen konkret të Kodit të Procedurës Penale.

Nëse bëhet ky ndryshim ashtu si dhe deputetët edhe një anëtar i qeverisë nuk do të mund të pezullohet apo kontrollohet nga SPAK-u pa autorizim të Parlamentit.

Kryeministri theksoi gjithashtu se ndërhyrja synon të garantojë funksionimin normal të institucioneve, pa paralizime të detyrave kushtetuese dhe duke ruajtur pavarësinë e hetimeve dhe institucionet e drejtësisë.

 

180 vite burg për ish-krerët e UÇK? Spiropali: Të shqetësuar nga zhvillimet, drejtësia duhet të jetë e paanshme

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, deklaroi në rrjetet sociale se Shqipëria po ndjek “me shqetësim të thellë” zhvillimet në Dhomat e Specializuara të Hagës, ku sot prokuroria paraqiti kërkesën për dënimin e ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ministrja thekson se ajo që ushqen më shumë perceptimin e një ashpërsie të njëanshme kah ish-krerëve të UÇK-së është fakti se në të njëjtën mënyrë nuk janë trajtuar as përgjegjësit e aparatit shtypës të regjimit serb.

“Kohëzgjatja e paraburgimit, që tashmë ka kaluar pesë vjet pa një vendim përfundimtar, dhe natyra e akuzave të ngritura ngrenë pikëpyetje serioze mbi proporcionalitetin, standardet e procesit të rregullt ligjor dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut. Kjo situatë ushqen gjithnjë e më shumë perceptimin e një ashpërsie të njëanshme në trajtimin e kësaj çështjeje, sidomos kur krahasohet me mënyrën se si janë trajtuar përgjegjësit e aparatit shtypës të regjimit serb. Edhe sot, shumë nga krimet e kryera nga forcat serbe ndaj popullsisë civile të Kosovës mbeten të patrajtuara dhe pa përgjegjësi të plotë penale. Kjo pabarazi në ndjekjen e drejtësisë rrezikon të krijojë ndjesinë e standardeve të dyfishta dhe të cenojë besimin e publikut në drejtësinë ndërkombëtare”, deklaroi Spiropali.

Më tej ajo thekson se drejtësia ndërkombëtare duhet të jetë e paanshme, e balancuar dhe e mbështetur në prova të pakontestueshme.

“Pa krijuar perceptimin e trajtimeve selektive ndaj palëve të përfshira në konflikt. Drejtësia që perceptohet si e njëanshme rrezikon të dëmtojë besimin publik dhe të lërë plagë të reja në një rajon që ka nevojë për pajtim të qëndrueshëm”, shton Spiropali.

Ministrja nënvizon se UÇK-ja ishte një lëvizje çlirimtare që gëzoi mbështetjen e gjerë edhe të bashkësisë ndërkombëtare në përballe me një regjim që ushtroi dhunë sistematike, spastrim etnik dhe krime të dokumentuara kundër popullsisë civile. Sipas saj, proceset gjyqësore që trajtojnë individë të asaj lufte duhet të ruajnë me kujdes dallimin thelbësor mes përgjegjësisë individuale penale dhe karakterit historik të luftës për liri.

“Gjykata ka sot një përgjegjësi të veçantë për të garantuar që procesi të mos lejojë që gjuha dhe qasja e Prokurorisë të prekin padrejtësisht luftën çlirimtare, historinë e pavarësisë dhe dinjitetin e atyre që luftuan për liri. Vetëm një vendim i drejtë, i bazuar në prova dhe në standardet më të larta të drejtësisë, mund të largojë hijen e rëndë që këto qëndrime kanë hedhur mbi kujtesën historike të një lufte të drejtë”, deklaroi Spiropali.

Më tej ministrja riafirmon qëndrimin e Shqipërisë se drejtësia duhet të shërbejë për të vërtetën dhe pajtimin dhe jo për të krijuar narrativa që rishkruajnë historinë ose relativizojnë përgjegjësitë e njohura ndërkombëtarisht për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Ne theksojmë rëndësinë që procedurat të përmbyllen brenda një afati të arsyeshëm dhe me respekt të plotë për standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë. E ardhmja e Kosovës dhe stabiliteti i rajonit ndërtohen mbi drejtësi të besueshme, që forcon paqen dhe jo perceptime padrejtësie. Republika e Shqipërisë do të vijojë ta ndjekë me vëmendje këtë proces dhe mbetet e përkushtuar ndaj vlerave të shtetit të së drejtës, drejtësisë ndërkombëtare dhe dinjitetit të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës”, tha Spiropali.

Kujtojmë se Prokuroria Speciale në Hagë kërkoi nga 45 vite burg për ish-komandantët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri VBeseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Takimi i Ramës me Costan, burime nga KiE: Darkë pune në kontekstin e negociatave…

Kryeministri Edi Rama mbrëmjen e kësaj të hëne do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Bruksel, ku do të ketë një takim me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa.

Klan News ka mësuar se në fokus të këtij takimi do të jetë procesi i negociatave të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.

“Takimi i Presidentit të Këshillit Evropian Antonio Costa me kryeministrin shqiptar Edi Rama do të zhvillohet në mbrëmje. Kjo është një darkë pune, në kontekstin e dialogut politik që po zhvillohet me Shqipërinë dhe shtetet e tjera kandidate për anëtarësimin në BE.”, bën me dije Zyra e shtypit e Presidentit të Këshillit Evropian për Klan News, përmes një komunikimi me email.

Takimi i sotëm i Ramës me Costa-n pritet të jetë një mundësi për të diskutuar sfidat e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE dhe për të përcaktuar hapat e ardhshëm në rrugën drejt anëtarësimit.

Sjellim ndërmend se një nga çështjet kryesore të mbetura pezull është Raporti i Vlerësimit të Standardeve për Reformimin e Gjyqësorit, i njohur si IBAR, i cili lidhet me kapitujt 23 dhe 24 të procesit të negociatave.

Deri më tani, Shqipëria nuk ka mundur ta marrë këtë raport të plotë dhe të miratuar nga shtetet anëtare të BE-së. Pa aprovimin e këtij dokumenti, procesi i mbylljes së kapitujve nuk mund të ecë përpara.

Në diskutimet e mëparshme në nivel ambasadorësh, është kërkuar që Shqipëria të ofrojë prova konkrete mbi ndëshkimin e zyrtarëve të lartë të akuzuar, përfshirë vendime përfundimtare të gjykatave dhe sekuestrime të pasurive. Ky është një nga kushtet që konsiderohen jetike për të treguar progresin në reformën në drejtësi.

Nga arrestimi te gjykimi: Dosja “Veliaj” një vit më pas dhe prova e madhe e drejtësisë

Një vit pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, çështja duket se ka hyrë zyrtarisht në fazën e gjykimit.

Vendimi i GJKKO-s ditën e sotme për ta kaluar dosjen në gjykim shënon një moment të rëndësishëm jo vetëm për fatin personal të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, por edhe për raportin delikat mes drejtësisë penale, pushtetit vendor dhe standardeve demokratike që Shqipëria pretendon në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Më poshtë, gazeta TemA sjell një kronologji të një viti që e mbajti dosjen Veliaj në qendër të debatit politik, juridik dhe ndërkombëtar.

Më 10 shkurt 2025, SPAK urdhëroi arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, duke e shoqëruar me masën më të rëndë të sigurimit, “arrest me burg”. Vendimi u dha nga GJKKO, me argumentin e rrezikut të prishjes së provave dhe ndikimit në hetim.

Që në momentin e parë opinion publik u nda në dy qëndrime: nga njëra anë u përshëndet si provë e “barazisë para ligjit”, ndërsa, nga ana tjetër, u ngritën pikëpyetje serioze për proporcionalitetin e masës ndaj një të zgjedhuri vendor në detyrë, i cili nuk ishte kapur në flagrancë dhe nuk kishte precedent penal, rrjedhimisht asnjë lloj rreziku shoqëror që mund t’i ikte përballjes me drejtësinë.

Me kalimin e muajve, çështja u zhvendos nga akuza konkrete te kohëzgjatja e paraburgimit.

Veliaj qëndroi në izolim të plotë, ndërsa kërkesat për zëvendësimin e masës me alternativa më të lehta u rrëzuan njëra pas tjetrës. E fundit e tyre me argumentin se Veliaj kishte lobuar në SHBA, duke marrë avokatë të huaj.

Pyetja që është shtruar më shumë gjatë kësaj periudhe ka qenë ajo në u përdor paraburgimi i Veliajt si masë sigurimi apo si dënim i parakohshëm, ndëkrohë që një pjesë e konsiderueshme e juristëve kanë vënë në dukje se standardet evropiane kërkojnë që paraburgimi të jetë përjashtim, jo rregull, sidomos për persona me adresë të njohur, funksion publik dhe pa rrezik real arratisjeje.

Pas disa muajsh hetim, SPAK zyrtarizoi akuzat ndaj kryebashkiakut, të lidhura kryesisht me korrupsion pasiv dhe pastrim parash dhe kjo gjë u konsiderua si e rëndësishme, sepse, pavarësisht arrestimit që në shkurt, dosja u duk sikur po merrte formë përtej masës së sigurimit.

Pavarësisht kësaj, edhe ky hap nuk e shoi debatin, sepse kritikat u përqendruan te fakti se akuzat u formalizuan pasi Veliaj kishte kaluar një kohë të gjatë në paraburgim, çka u interpretua nga mbrojtja si tregues i një hetimi të zvarritur.

Çështja Veliaj nuk ka kaluar pa reagime në media dhe forume ndërkombëtare, në të cilat është artikuluar shqetësimi se mbajtja e zgjatur në paraburgim e një kryebashkiaku të zgjedhur mund të cenojë parimin e përfaqësimit demokratik.

Në këtë kontekst u pasqyruan edhe reagime solidariteti nga figura të njohura të politikës vendore evropiane, përfshirë kryebashkiakë dhe drejtues bashkish, të cilët theksuan se lufta kundër korrupsionit nuk duhet të shndërrohet në zëvendësim të vullnetit të votuesve pa një proces të shpejtë dhe të drejtë gjyqësor.

Një vit pas arrestimit, GJKKO vendosi kalimin e dosjes Veliaj për gjykim dhe ky vendim shënon fundin e fazës së hetimit dhe hapjen e betejës së vërtetë juridike, aty ku akuzat duhet të provohen dhe mbrojtja të ballafaqohet me to në seanca publike.

Gazeta TemA gjykon se rasti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, është një test I trefishtë: së pari, është test për drejtësinë nëse ajo është në gjendje të gjykojë shpejt, në mënyrë të paanshme dhe me standarde evropiane; së dyti, është test për politikën, për të mos instrumentalizuar procesin penal në funksion të betejave ditore dhe, së treti, është test për integrimin, sepse mënyra se si trajtohen raste të tilla shihet me lupë nga partnerët ndërkombëtarë.

Kalimi i dosjes për gjykim nuk jep përgjigje përfundimtare, por e zhvendos thelbin aty ku duhet të kishte qenë më herët: te prova, argumenti juridik dhe vendimi i arsyetuar.

TemA

Krisje e madhe Rusi-SHBA, Lavrov i ashpër: Trump tradhtoi fjalën e dhënë Putinit

Krisje e madhe mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Ministri i jashtëm i Moskës, Sergej Lavrov, akuzon Uashingtonin se nuk i është përmbajtur angazhimeve të pranuara në samitin e Alaskës vitin e kaluar, për të nisur një bashkëpunim. Kryediplomati pretendon se presidenti Donald Trump është i fokusuar në dominimin ekonomik.

“Ata bënë një propozim në lidhje me Ukrainën dhe ne ishim të gatshëm ta pranonim, por tani ata nuk duan, nuk shohim ndonjë të ardhme të ndritur as në sferën ekonomike. Amerikanët duan të marrin kontrollin e të gjitha rrugëve për të furnizuar vendet kryesore të botës dhe të gjitha kontinentet me burime energjie”, u shpreh ai.

Sa për sferën ekonomikë, Lavrov theksoi se do të vazhdojë projektet e saj në BRICS me Indinë, Kinën, Brazilin dhe vende të tjera, teksa akuzoi Amerikën për pengesa në këtë rrugë. Ministri rus nuk ngurroi që të sulmonte ashpër NATO-n, Bashkimin Europian dhe OSBE-në, duke pretenduar se janë vjetëruar shumë. Madje deklaroi se për Moskën nuk ka rëndësi opinioni i tyre, por vetëm i Shteteve të Bashkuara.

“Na thuhet se problemi i Ukrainës duhet të zgjidhet. Në Alaskë, ne e pranuam propozimin e SHBA-së. Nëse i qasemi si burrë kësaj, që do të thotë se ata e propozuan dhe ne ramë dakord, kështu që problemi duhet të zgjidhet. Presidenti Putin ka thënë në shumë raste se nuk është e rëndësishme për Rusinë se çfarë do të thonë Ukraina dhe Europa; ne mund ta shohim qartë rusofobinë primitive të shumicës së regjimeve në Bashkimin Europian, me përjashtime të rralla. Qëndrimi i SHBA-së ishte i rëndësishëm për ne”, shtoi Lavrov.

Ndërkohë, Rusia nuk ka marrë ende një përgjigje nga Shtëpia e Bardhë mbi propozimin për të kontribuuar me fonde nga asetet e ngrira në Bordin e Paqes për Gazën. Këtë e konfirmoi Dmitry Peskov, zëdhënës i Kremlinit.

Majko reagon ashpër për Hagën: Turp! Po amnistoni Millosheviçin dhe po deformoni luftën e Kosovës

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, ka reaguar ashpër lidhur me ecurinë e procesit gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke e cilësuar atë si një deformim të rëndë të realitetit historik.

Përmes një reagimi publik, Majko, i cili drejtonte qeverinë shqiptare gjatë periudhës së luftës në Kosovë (1999), theksoi se ky proces po cenohet rëndë nga barazimi i viktimës me agresorin.

Sipas Majkos, drejtësia që po kërkohet në Hagë po shkon përtej individëve, duke goditur vetë bazën e ndërhyrjes perëndimore.

“Procesi fyen aksionin ndërkombëtar të Perëndimit në krah të shqiptarëve, përballë veprimeve shtetërore të Serbisë, të cilat janë trajtuar nga e drejta ndërkombëtare si krime lufte,” shkruan ai.

Akuzën më të rëndë ish-kryeministri e rezervon për efektin që ky gjyq po jep te pala serbe. Ai paralajmëron se historia po rishkruhet mbrapsht.

“Ky proces i deformuar në Hagë po justifikon dhe amniston protagonistin dhe drejtuesin shtetëror serb, Sllobodan Millosheviç, të akuzuar për krime lufte në Kosovë!”, shprehet Majko.

Reagimi mbyllet me një notë të fortë për atë që mund të pasojë.

“Mbas këtij procesi, mbetet që gjykata të vlerësojë edhe dëmin që Kosova duhet t’i paguajë Serbisë!… Turp!”, përfundon reagimi i tij.

“Funksionet kushtetuese nuk pezullohen”, Gogu: GJK e la të pazgjidhur konfliktin, ndërhyrje për të qartësuar ligjin

Partia Socialiste paralajmëroi më herët ndërhyrje në legjislacion me qëllim qartësimin e ndarjes së kompetencave dhe garantimin që funksionet kushtetuese nuk mund të pezullohen me vendim gjykate, pas situatës së krijuar nga vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, e cili nuk arriti të krijonte një shumicë lidhur me një interpretim detyrues.

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, gjatë një interviste në emisionin “Tema e Ditës” në RTSH, deklaroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese la të pazgjidhur konfliktin kushtetues dhe atë të kompetencave dhe në mungesë të një interpretimi përfundimtar, shtoi ministri, Kuvendi ka detyrimin të ndërhyjë si ligjvënës, për të sqaruar se funksionet kushtetuese nuk mund të pezullohen dhe se kjo nuk lidhet me emra konkretë.

“Ne e lexojmë atë vendim ashtu siç ka shkruar Gjykata Kushtetuese, duke mos arritur një shumicë që kërkon një interpretim detyrues, i cili duhet të jepet, dhe në këtë rast nuk e kemi një të tillë. Të dyja palët e njohin problemin, pra që kemi një konflikt kushtetues dhe konflikt kompetencash, por për shkak se nuk arrihet sot shumica që nevojitet, nuk i jepet zgjidhje këtij konflikti dhe na kthejnë në pikën e fillimit, duke kthyer në fuqi masën e pezullimit të GJKKO-së. Ne si mazhorancë e lexojmë se funksionet nuk mund të pezullohen dhe kjo nuk ka të bëjë me emrin e personit. Do të marrim hapa konkretë që i takojnë shumicës dhe Kuvendit, i cili duhet të bëjë ligjet, dhe këtë do ta bëjmë pasi të lexojmë vendimin e arsyetuar të Gjykatës Kushtetuese. Duhet bërë qartësi se si ndahen funksionet dhe se funksionet kushtetuese nuk mund të pezullohen. Pra, nuk ka të bëjë me emra të përveçëm, por duhen marrë masat e duhura që ligji të jetë i qartë,” u shpreh Gogu.

Ai theksoi se ndërhyrja ligjore konsiderohet e domosdoshme dhe se do të bëhet pasi të analizohet vendimi i arsyetuar i Gjykatës Kushtetuese dhe pasi ekspertët ligjorë në Komisionin e Ligjeve të propozojnë zgjidhjet përkatëse.

“Pasi të lexojmë vendimin e arsyetuar dhe ekspertët ligjorë në Komisionin e Ligjeve të dalin me zgjidhjet e duhura, do të veprojmë. Kjo do të thotë se jemi ende herët, por në pamundësi të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, do të duhet të ndërhyjmë në ligj për të bërë qartësimin e nevojshëm. PS do të vazhdojë që reforma në drejtësi të jetë e paprekshme në arkitekturën e saj”, tha Gogu.

Gogu sqaroi se PS nuk synon përplasje me sistemin e drejtësisë, por ka si qëllim forcimin e qartësisë ligjore dhe ruajtjen e arkitekturës së reformës në drejtësi.

“Ky ishte thelbi edhe i mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së. Nuk kemi plan për t’u përplasur. PS mbetet autorja dhe garantuesja e reformës në drejtësi dhe e sundimit të ligjit në vend. Prokurori ka qenë gjithmonë i lirë për të vijuar hetimin dhe, siç ka kërkuar masën e tij që është pezullimi. Ndërsa për konfliktin e kompetencave, Kuvendi si ligjvënës duhet të ndërhyjë për të qartësuar se funksionet kushtetuese nuk mund të pezullohen”, deklaroi Ministri.

Lidhur me mbledhjen e Këshillit të Mandateve, ministri Toni Gogu sqaroi se kjo nuk është më e nevojshme për aq kohë sa në fuqi mbeti masa e parë e prokurorisë ajo e pezullimit të funksioneve.

“Për Këshillin e Mandateve nuk ka arsye, pasi Gjykata Kushtetuese vendosi të kthejë në fuqi pezullimin dhe kërkesa për arrestim erdhi pasi u hoq pezullimi. Në fillim ndodhi pezullimi, qeveria tha se kjo nuk mund të bëhej sepse është kompetencë e saj, dhe Gjykata Kushtetuese pezulloi vendimin e GJKKO-së deri në shqyrtimin e saj. Mosmarrja e një vendimi nga Kushtetuesja do të thotë se tashmë pezullimi është në fuqi dhe masa që kërkoi prokurori është në fuqi, dhe për këto arsye Kuvendi nuk ka çfarë të shqyrtojë në Këshillin e Mandateve”, tha ai.

Prokuroria kërkoi dënimin e ish-krerëve të UÇK, reagon VV: Po kriminalizohet rezistenca!

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë Speciale për dënime prej 45 vjetësh për ish-krerët e UÇK-së, duke theksuar se ky nuk është një akt për kërkim drejtësie por një politikë që synon ta përmbysë rendin e së vërtetës. Sipas VV-së po tentohet të gjykohet vetë akti i çlirimit duke e trajtuar rezistencën si projekt kriminal të organizuar.

Kërkesa e Prokurorisë Speciale për dënime prej 45 vjetësh për secilin nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është një kërkesë neutrale drejtësie, por një ndërhyrje politike në regjistrin e kujtesës dhe të historisë. Këtu nuk po gjykohen individë të shkëputur nga konteksti, por po tentohet të gjykohet vetë akti i çlirimit. Ky është një proces që e zhvendos vëmendjen nga agresori te viktima dhe e paraqet rezistencën ndaj okupimit si krim, ndërsa okupimin si sfond të heshtur.

Pretendimi se “shënjestrimi” paskësh qenë produkt i një fushëveprimi të gjerë të komanduar nga drejtues të UÇK-së është një operacion diskursiv që synon ta zëvendësojë kontekstin politik të luftës me një skemë penale abstrakte: hierarki, urdhër, përgjegjësi. Kjo logjikë e shkëput dhunën nga okupimi dhe e trajton rezistencën si projekt kriminal të organizuar, duke e zhvendosur konfliktin nga raporti real agresor–i shtypur në një narrativë teknike të fajit individual. Duke pretenduar se dënon “persona konkretë”, Prokuroria në fakt synon ta dënojë kuptimin kolektiv të çlirimit, ta depolitizojë luftën dhe ta shndërrojë emancipimin liridashës në krim të përhershëm që “nuk vjetrohet kurrë”. Kjo është përpjekje për ta ngrirë historinë në një aktakuzë, ku krimet e një shteti gjenocidal pushtues relativizohen, ndërsa rezistenca e të përjashtuarve e të shtypurve kriminalizohet si kërcënim ndaj regjimit e rendit që kanë prodhuar dhunën”, thuhet në deklaratën e publikuar në rrjetet sociale.

Në deklaratë vihet në dukje se gjykata nuk erdhi nga një nevojë e brendshme për drejtësi, por nga një projekt ndërkombëtar i ndërtuar mbi raporte politike, presione diplomatike dhe interesa gjeopolitike, ku Rusia, Serbia dhe aleatët e saj kanë pasur rol aktiv.

Po ashtu theksohet se çlirimi nuk është krim, rezistenca nuk është ndërmarrje kriminale dhe historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet nga aktakuza që i shërbejnë narrativës së agresorit.

Ibrahimaj prezanton Sulën si Inspektor të Përgjithshëm: Moment kyç për reformën

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka prezantuar zyrtarisht të hënën drejtuesin e ri të Inspektoratit Qendror. Në krye të këtij institucioni të rëndësishëm është emëruar Dashnor Sula.

Ky ndryshim në drejtim vjen në një periudhë që konsiderohet vendimtare për reformimin e sistemit të inspektimeve në vend. Gjatë ceremonisë së prezantimit, Ministrja Ibrahimaj vuri theksin te rëndësia e përvojës dhe integritetit në këtë detyrë.

“Me përvojën e tij administrative dhe angazhimin për integritet e drejtësi, Sula merr drejtimin e Inspektoratit Qendror në një moment kyç për përmbylljen e reformës,” deklaroi Ibrahimaj.

Ajo gjithashtu nënvizoi prioritetet e reja të institucionit nën drejtimin e Sulës, duke kërkuar një qasje të re ndaj sipërmarrjes.

“Më shumë profesionalizëm, transparencë dhe partneritet me biznesin,” ishte mesazhi i ministres, duke sinjalizuar një frymë bashkëpunimi dhe jo vetëm ndëshkimi në marrëdhënie me subjektet private.

RENEA konfirmon vendin në elitën botërore, Shqipëria garon me dy ekipe në “SWAT Challenge Dubai 2026”

Njësia elitë e Policisë së Shtetit, RENEA, po përfaqëson Shqipërinë në një nga skenat më të rëndësishme ndërkombëtare të sigurisë, “SWAT Challenge Dubai 2026”. Nga data 7 deri më 11 shkurt, forcat speciale shqiptare po matin aftësitë e tyre me njësitë më të mira taktike nga e gjithë bota.

Kjo është hera e pestë radhazi që Policia e Shtetit merr pjesë në këtë kompeticion prestigjioz, por risia e këtij viti është zgjerimi i përfaqësimit.

RENEA ka zbritur në arenën e Dubait me dy formacione të veçanta, RENEA “A” dhe RENEA “B”, duke synuar rritjen e konkurrencës dhe afirmimin e ngjyrave kuqezi.

Gara e sivjetshme cilësohet si tejet e fortë, me pjesëmarrjen e rreth 109 ekipeve nga 50 shtete të ndryshme. Në ditën e tretë të aktiviteteve, Policia e Shtetit konfirmoi se të dyja ekipet shqiptare kanë demonstruar nivel të lartë profesionalizmi dhe përgatitje fizike intensive, duke u përballur denjësisht me sfidat komplekse taktike.

“UAE SWAT Challenge” shërben jo vetëm si garë, por edhe si platformë për shkëmbimin e teknikave të avancuara dhe procedurave operacionale mes njësive speciale, me qëllim rritjen e efikasitetit në luftën kundër krimit dhe terrorizmit.

Do përdoreshin në ngjarje kriminale, policia zbulon dy makina të fshehura dhe benzinë në Vlorë

Dy makina që dyshohet se do përdoreshin për një ngjarje të rëndë kriminale janë zbuluar në Vlorë. Policia njoftoi se ato ishin fshehur në një sipërfaqe ullishteje në fshatin Babicë e Madhe.

Po ashtu, u gjetën edhe 3 bidona me benzinë, që mendohet se do përdoreshin më pas për të djegur një prej mjeteve.

Policia tha se kishte siguruar informacionet në rrugë operative, dhe për këtë arsye janë kryer kontrolle të imtësishme ne aksin rrugor dhe territorin e fshatit Babicë e Madhe.

“Automjetet dhe provat e tjera të sekuestruara po i nënshtrohen ekzaminimeve shkencore. Grupi i posaçëm hetimor i DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave si dhe për identifikimin dhe dokumentimin e autorësisë”, njoftoi policia.

Krijoi skemë mashtrimi fiskale duke përfituar 150 mln lekë, i dyshuari bie në pranga

Një shtetas me inicialet Gj.F. është arrestuar me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, pasi kishte krijuar një skemë mashtruese fiskale, duke përfituar 150 milionë lekë shitje fiktive. I arrestuari i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 62 milionë lekësh.

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë u rrestua shtetasi Gj.F., i dyshuar për veprat penale ‘Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH)’ dhe ‘Fshehje e të ardhurave’ parashikuar nga nenet 144/a dhe 180 të Kodit Penal.

Nga hetimet mbi procedimin penl nr.5787 të vitit 2024, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorin e Hetimit Tatimor, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT) dhe Seksionin e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit, rezultoi se subjekti tregtar ‘Dorina Fela’, ka kryer shitje të dyshuara fiktive në vlerën totale 149,875,867 lekë, duke shkaktuar një dëm të përllogaritur ndaj buxhetit të shtetit në vlerën 62,670,861 lekë”, thuhet në njoftimin e organit të akuzës.

Veprimet janë realizuar përmes deklarimeve të pavërteta dhe përdorimit të faturave fiktive, me qëllim krijimin e një skemë mashtruese fiskale, që synonte përfitimin e padrejtë të kreditimit të TVSH-së dhe uljen e bazës së tatueshme për Tatimin mbi Fitimin, duke dëmtuar interesat financiare të shtetit.

Në kuadër të këtij procedimi penal, u ndalua shtetasi Gj.F., i dyshuar për përfshirje në kryerjen e veprimeve të paligjshme. Nga veprimet e deritanishme, rezultoi se ky shtetas ka pasur rol organizues dhe drejtues në këtë veprimtari, duke përdorur subjektin në emër të bashkëshortes së tij për realizimin e skemës mashtruese”, vijon njoftimi.

Hetimet vijojnë në drejtim të identifikimit të personave të tjerë të përfshirë, si dhe për dokumentimin e plotë të skemës mashtruese dhe pasojave financiare të saj.

Dosja “Partizani” ndez sallën e gjyqit: Malltezi ‘sulmon’ prokurorët, ndërhyn gjykata

Në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është mbajtur sot, 9 shkurt, seanca gjyqësore për dosjen “Partizani”.

Mbrojtja ka nisur parashtrimin e fakteve për të kundërshtuar akuzën e Prokurorisë së Posaçme, gjë që e konfirmoi edhe Jamarbër Malltezi në prononcim për gazetarët.

“Kemi edhe 25 faqe materiale për seancën tjetër…”, tha ai.

Malltezi e cilësoi procesin si një “përndjekje politike” dhe jo si ndjekje penale, duke pretenduar shkelje të konventave ndërkombëtare.

Ai ngriti akuza ndaj prokurores Enkeleda Millonai, duke theksuar se ajo është emëruar nga Taulant Balla, i cili ka kallëzuar çështjen në emër të Partisë Socialiste. Ai përmendi gjithashtu prokurorin Arben Kraja, duke deklaruar se ka qenë hetues i Sigurimit të Shtetit, dhe sipas tij, për këtë arsye nuk mund të jetë objektiv në këtë proces. Malltezi shtoi se vetë ka qenë ndër studentët që kanë kundërshtuar sistemin komunist, duke e akuzuar atë për grabitje pronash, çështje që lidhet drejtpërdrejt me objektin e këtij gjykimi.

Siç raporton gazetarja e Klan News, Glidona Daci, gjykata ia ka ndaluar Malltezit të përdorë terma që nuk lidhen me objektin e gjykimit. Më herët, GJKKO e kishte ndaluar atë t’u drejtohej prokurorëve të SPAK si “prokurorë politikë”.

Macron distancon Francën nga dosja Epstein: Është një çështje që i përket SHBA

Presidenti francez, Emanuel Macron distancoi vendin e tij nga skandali i dosjeve të Jeffrey Epstein, duke argumentuar se kjo ishte një çështje që i përkiste më së shumti SHBA-së. Deklaratën, Macron e dha pasi ish-ministri i Kulturës, Jack Lang, u dorëhoq nga posti që kishte në Institutin e Botës Arabe pasi prokurorët francez vendosën të nisnin një hetim paraprak për mashtrim me taksat për të dhe të bijën Karolinën, pasi të dy u përmendën në dosjet Epstein.

“Kjo është një çështje së më së shumti i takon SHBA-së. Nuk dua të marr pjesë në debatin për çështjen Esptein. Sistemi i drejtësisë atje duhet të bëjë punën e tij, kjo është e gjitha”, theksoi presidenti francez, duke bërë gjithashtu thirrje për një gazetari të vërtetë, pasi sipas tij, dosjet Esptein i kanë dhënë shtysë teorive të konspiracionit.

Lang është figura më e lartë publike në Francë që rezultoi në mesazhet private të ish-financierit amerikan Xhefri Epstein, i cili vrau veten në 2019-ën ndërsa ndodhej në burg në pritje të gjyqit për  trafikim të vajzave minorene me qëllim shfrytëzimin seksual të tyre. Lang, që pranoi në 2020-ën se kishte patur lidhje me natyrë financiare me Epstein, të cilin sipas tij ia kishte prezantuar regjisori amerikan Woody Allen, mohoi të ketë bërë ndonjë gjë të gabuar dhe është shprehur se ishte tronditur kur kishte parë emrin në dokumentet e një komapnie offshore të themeluar nga Epstein.

Bëhet fjalë për një kompani offshore që, sipas mediave franceze, selinë e ka në Ishujt Virgin dhe që ishte në pronësi të Epstein dhe së bijës së Lang, Karolinës, së cilës Epstein i kishte lënë edhe 5 milionë euro në testatemtin që e pati nënshkruar para se të vriste veten. Karoline Lang ndërkohë pretendon se kishte ndërprerë lidhjet me kompaninë që kishte krijuar me Epstein për financimin e artistëve të rinj, kur mësoi për veprat kriminale të ish-financierit dhe se nuk kishte dijeni se përse Epstein i kishte lënë 5 milionë dollarë me testament.  E bija e ish-ministrit francez të Kulturës ndërkohë është dorëhequr nga drejtimi i Bashkimit të Producentëve të Pavarur, që përfaqëson producentët e pavarur të filmave në Francë. Në dokumentet që Departamenti Amerikan i Drejtësisë publikoi në datën 30 janar në lidhje me hetimin e Epstein, ndodhet edhe një fotografi ku ish-ministri francez i Kulturës, Jack Lang është me Epstein jashtë muzeut të Luvrit.

Rinas/ Goditen dy raste të mosdeklarimit të parave, sekuestrohen mbi 26 mijë euro dhe paund

Policia kufitare e Rinasit ka goditur dy raste të mosdeklarimit të vlerave monetare në kufi.

Dy persona janë proceduar, konkretisht 37-vjeçari D.Sh., pasi synonte te fuste në Shqipëri 15 mijë paun nga Britania, dhe 32-vjeçari A.Z., pasi synonte që të nxirrte nga vendi mbi 11 mijë euro, pa i deklaruar në kundërshtim me ligjin.

Policia bëri të mundur sekuestrimin e mbi 26 mijë euro dhe paundë, ndërsa vijojnë hetimet me qëllim parandalimin e veprimtarive të paligjshme në kufi.

“Goditen dy raste të mosdeklarimit të vlerave monetare në kufi.

Sekuestrohen mbi 26 mijë euro dhe paundë.

Procedohen penalisht dy shtetas.

Në kuadër të kontrolleve të dedikuara, të bazuara  dhe në analizën e riskut, me qëllim parandalimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie, shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit kanë evidentuar dhe goditur dy raste të mosdeklarimit të parave në pikën e kalimit kufitar.

Në vijim të veprimeve u procedua penalisht në gjendje të lirë  shtetasi shqiptar  D. Sh., 37 vjeç, rezident në Mbretërinë e Bashkuar, të cilit, gjatë kontrollit në vijën e dytë, iu gjetën 15 000 paundë, që synonte t’i fuste në territorin e Republikës së Shqipërisë pa i deklaruar, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Po ashtu, u procedua penalisht shtetasi A. Z., 32 vjeç, banues në Kamëz, të cilit, gjatë kontrollit në vijën e dytë, iu gjetën 11 370 euro, që synonte t’i nxirrte nga Republika e Shqipërisë pa i deklaruar, në kundërshtim me ligjin.

Kontrollet dhe verifikimet nga Policia Kufitare do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë, me qëllim parandalimin e veprimtarive të paligjshme në kufi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.

Nesër protesta e PD, Policia merr masa: Kufizim i qarkullimit në disa akse rrugore

Policia e Tiranës ka njoftuar se në funksion të garantimit të rendit dhe sigurisë publike, si edhe për mbarëvajtjen e protesës së Partisë Demokratike, ka marrë të gjitha masat e nevojshme në zbatim të ligjit “Për tubimet”.

“Në zbatim të këtyre masave, ditën e sotme dhe të nesërme, do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht: Nga ora 23:45 e ditës së sotme, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve deri në përfundim të tubimit, në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”; Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”. Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për ta devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative”, lexohet në njoftimin e policisë.

Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.

Zyrtari i PD: Ne qendruam 333 ditë te rrugica e Berishës, por ngujimi në shesh do ca kushte që s’i kemi!

Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Lisandër Hoxha, i ftuar në “Puls” nga Bruna Çifligu, në A2CNN, deklaroi se duhet “një vatër para Kryeministrisë”.

“Do të doja shumë që një vatër të qëndronte para Kryeministrisë, siç qëndruam 333 ditë tek rrugica e ish-kryeministrit Sali Berisha, kryetarit të PD-së, mund të krijohet një vatër për të qëndruar para Kryeministrisë në mënyrë të pandërprerë”, tha Hoxha.

“Së dyti, protestë në çdo rreth. Nuk ka hall vetëm Tirana. Ka hall Kavaja, Lushnja, Fieri, Vlora, Shkodra, Saranda, Tropoja, Kukësi e gjithë Shqipëria. Mendoj që protesta duhet të jetë pak më masive. Zoti Lapaj nuk ka arritur te masiviteti. Mendoj që janë pak njerëz aty. Do duhet të jenë më shumë. Ne kemi mbajtur 90 ditë çadër para Kryeministrisë. Ne kemi mbajtur 333 ditë rezistencë tek rrugica e banesës së Sali Berishës. Opozita i ka mjetet, mundësitë dhe njerëzit për t’i motivuar që aty të qëndrojnë në mënyrë konstante dhe të bëjnë rezistencë”, shtoi Hoxha.

Sipas tij, “qëndrimi konstant kërkon ca kushte dhe duhet parë mundësia për t’i krijuar këto kushte”.

Protesta e 10 shkurtit, Berisha: Nesër është dita e qytetarëve, t’i tregojmë botës se ne nuk mposhtemi

Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e paralajmëruar më 10 shkurt. Gjatë një konference për shtyp, Berisha tha se dita e protestës është “dita e qytetarëve”.

Ndaj dhe ftoj qytetarët nga mbarë Shqipëria, ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës në kryengritjen paqësore, t’i faktojmë kombit, Europës dhe botës se ne nuk mposhtemi kurrë nga një grusht hajdutësh që nuk kanë interesa të tjera përveç interesave të pasurimit të tyre”, u shpreh ai.

Ndalur te vizita që kryeministri Edi Rama pritet  të zhvillojë sot në Bruksel, Berisha e akuzoi kreun e qeverise se do të  “shkelmojë interesat e çdo shqiptari”. Ai theksoi se integrimi evropian është rruga e vetme për liri, ndërsa akuzoi qeverinë për regres.

Ne besojmë se kjo është rruga e interesit maksimal të shqiptarëve për t’u integruar. Procesi i integrimit evropian ka synimin t’i bëjë shqiptarët më të lirë, më të begatë, më të sigurt. Në këtë udhëtim, Rama do të shkelmojë në Bruksel interesat e çdo shqiptari, duke mbrojtur vjedhjet e veta dhe të bashkëpunëtorëve të tij”, tha Berisha.

❌