Përmbytjet vijojnë për të katërtën ditë radhazi/ Mbi 13 mijë ha tokë dhe 1 587 banesa të përmbytura
Në ditën e katërt të motit të keq, bilanci i përmbytjeve në vend mbetet i rëndë. Sipas të dhënave zyrtare, janë përmbytur 1 587 banesa dhe 13 211 hektarë tokë bujqësore. Bilanci u bë publik gjatë mbledhjes së Këshillit të Emergjencave Civile, ku u njoftua gjithashtu se për përballimin e situatës janë vënë në dispozicion 50 milionë euro. Kreu i ekzekutivit garantoi se banorët e prekur do të dëmshpërblehen.
Ndërkohë, gjatë orëve të fundit është shënuar një përmirësim i lehtë i situatës në disa zona, ku ka nisur tërheqja graduale e ujit.
Megjithatë, në qarkun e Durrësit situata vijon të mbetet problematike, pavarësisht shenjave të para të përmirësimit në disa lagje.
Në zonën e Durrësit të Ri (ish-Kënetë), strukturat e emergjencave dhe grupet e shërbimit vijojnë të jenë në terren, duke punuar për normalizimin e plotë të situatës. Paralelisht po kryhen verifikime dhe vlerësime të banesave të përmbytura. Deri më tani janë konstatuar 2 380 banesa të prekura nga uji. Në qytetin e Durrësit, situata mbetet e ndjeshme, me 356 persona të evakuuar. Prej tyre, 123 janë akomoduar në hotele, ndërsa 304 persona janë strehuar në dy konvaleshencat e ministrive të Brendshme dhe të Mbrojtjes.
Në Sukth, situata paraqitet disi më e lehtësuar. Në zonën e Vadardhës, uji ka nisur të tërhiqet, megjithatë autoritetet mbeten në gatishmëri për shkak të pasojave të shumta të përmbytjeve. Në këtë zonë janë evakuuar 322 persona, nga të cilët 76 janë strehuar në hotele, ndërsa 246 pranë familjarëve.
Sa i përket qarkut të Fierit, prurjet e lumit Vjosa kanë shënuar rënie gjatë natës. Niveli i ujit në Urën e Mifolit ka zbritur në 8.4 metra, duke bërë që uji të tërhiqet gradualisht nga zonat e përmbytura. Megjithatë, situata mbetet problematike në zonën e Bishanit, ku nënkalimi vazhdon të jetë i mbuluar nga rreth dy metra ujë, duke pamundësuar qarkullimin e automjeteve. Në përgjithësi, situata hidrometeorologjike në qarkun e Fierit paraqitet më e qëndrueshme, me ulje të niveleve të lumenjve dhe funksionim normal të infrastrukturës kryesore.
Në qarkun e Korçës, situata vijon të jetë problematike në disa zona si pasojë e reshjeve të shiut dhe borës, si dhe temperaturave të ulëta. Probleme janë evidentuar edhe në disa zona të bashkisë Gramsh, ku moti i keq ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike dhe bllokim të disa fshatrave për shkak të dëborës.
The post Përmbytjet vijojnë për të katërtën ditë radhazi/ Mbi 13 mijë ha tokë dhe 1 587 banesa të përmbytura appeared first on iconstyle.al.
