Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Dashnor Sula Kryeinspektor, Berisha: Patericë e Ramës

Në një komunikim me qytetarët online, kreu I PD Sali Berisha është pyetur edhe për emërimin e ish-deputetit demokrat Dashnor Sula, si Kryeinspektor.

Berisha e cilësoi atë patericë të Ramës në ditën e tij më të zezë! “Nuk humbasim ne nga këta, përkundrazi u them ju se ne do ndahemi me këta”, tha Berisha ndër të tjera.

Pjesë nga komunikimi:

Aured Aured: Doktor, përshëndetje, pa e hequr vëmendjen nga çështja Ballukut, si e shikoni emërimin e ish-deputetit të PD, Dashnor Sula në postin e kryeinspektorit të përgjithshëm?

 

Sali Berisha: Unë njëherë në radhë të parë shpreh mirëkuptimin tuaj të plotë për indinjatën tuaj.

Dhe do të them një gjë këtu, e kam menduar shpeshherë këto kohë.

Në qoftë se tradhtia ndaj atdheut, quhet tradhti e lartë, edhe tradhtia ndaj idealeve më të shenjta të demokracisë, nuk ka pse të mos quhet tradhti e lartë. Është absolutisht e njëjta gjë në doktrinë.

Të tradhtosh ti ata, të cilët burra dhe gra fisnikë, kanë 12 vite që nuk të kthejnë shpinën, por të mbështesin me të gjithë gabimet që mund të kesh bërë, me të gjithë të tjerat, por të mbështesin si dritë, si shpresë për ta, dhe të dalësh në kohën më të zezë të Edi Ramës, dhe të kapësh flamurin e Edi Ramës, ke kryer aktin më të lartë të tradhtisë.

Po, por nga ana tjetër, ju garantoj se PD, me largimin… dhe unë në rast se e keni vënë re në diskutimet e mia, në mënyrë të përsëritur kam ngritur që ne duhet të ndahemi nga këta njerëz. Kam arritur në një përfundim.

Kam konstatuar se një nga drejtimet më themelore të Edi Ramës ka qenë korruptimi i eksponentëve të opozitës. Një veprimtari e ulët.

Një veprimtari e turpshme, kriminale, kur një qeveri përdor mjetet e saj për të blerë, për të korruptuar përfaqësuesit e opozitës vetëm në funksion të pushtetit të vet.

Ndaj dhe ne, çfarë e shtyu atë në një moment kaq kritik t’i gjendet Edi Ramës në krah?

E kuptoni vetë se ç’mollë e kalbur ka qenë ai.

Çfarë e shtyn, e thashë edhe para disa ditësh, doktorin 32 vjet mjek, thotë jam anëtar PD-je, të dalë në krah të Salianjit të krimit, të bandave, dhe të përcjellë mesazhet e Subashit, i cili në pallatin e tij ka vendosur KESH-in.

Nuk humbasim ne nga këta, përkundrazi u them ju se ne do ndahemi me këta.

Ne nuk duam më kurrë në gjirin tonë shërbëtorë të Edi Ramës.

Po një gjë, këta dallojnë nga ata që e kanë ndjekë nga partia e vet. Këta gëlltisin tradhtinë, jo ndaj meje, nuk ka lidhje me mua fare, ndaj teje si qytetar në radhë të parë që i ke besuar dhe i ke ndjekur.

Dhe del tani në ditën më të zezë, kur po i dridhen këmbët, shkon dhe i bëhesh patericë.

Kjo është histori turpi

Balluku e pezulluar, Rama të hënën me presidentin e Këshillit Europian

Ndërsa në Tiranë Gjykata Kushtetuese ka pezulluar nga detyra zëvendësen e tij, të hënën Kryeministri Rama do të jetë në takim me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa, në Burksel. Mendohet që në qendër të takimit do të jetë ecuria e procesit për anëtarësimin, ndërkohë që vendi ende nuk ka mundur të marrë Raportin e Vlerësimit të Standardeve për Reformimin e Gjyqësorit për kapitujt 23 e 24,  që në fakt janë hapur të parët. Kujtojmë se pa miratimin e këtij raporti nuk mund të nisë procesi i mbylljes së grupkapitujve, ndërkohë që me metodologjinë e re të negociatave mundet që një shtet anëtar i BE-së në këto rrethana të kërkojë rikthimin e tyre në pikën fillestare.

 

Kushtetuesja/ Berisha: Rama detyroi kancelaritë e Europës t’i nxjerrin karton të kuq

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka dalë këtë të shtunë në një një komunikim online me qytetarët, ku ka folur lidhur me ngjarjet më të fundit të aktualitetit dhe u është përgjigjur pzetjeve të tyre.

Vetëm një ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen Balluku, kreu i PD është ndalur pikërisht mbi këtë argument, ndërsa tha se kryeministri Rama i ka përdorur disa anëtarë të kësaj gjykate për ta mbajtur në detzrë Zvendës Kryeministren.

“Rama u vërtetoi shqiptarëve se është i aftë të shkelmojë edhe procesin më themelor të viteve të pluralizmit politike, integrimin në BE, për interesat e veta.
Rama detyroi kancelaritë e Europës t’i nxjerrin kartonin e kuq e të shkojnë drejt vendimit që nuk është marrë, tërë ekzistencën e BE, vendimi i zhbërjes së plotë të procesit të integrimit.
Protestat tuaja kanë qenë të një rëndësie përcaktuese si shpresa e vetme për ndryshimin e situatës, sepse ky vendim është i gatshëm të shpallet.
Rama në mënyrën më të papërgjegjshme më anti Kushtetuese dhe anti ligjore vendosi të përdorë Gjyktën Kushtetuese si mburojë të vjedhjeve të tij dhe vijimin në detyrë të Lubi Ballukut.
Qendrimet e tij hasën në kundërshtimin më të fuqishëm të partnerëve dhe Komisionit Europian.

Shkelmon interesat e qytetarëve për të mbrojtur lëkurën e tij. Vlerësoj qëndrimin e gjykatësve të cilët me guxim rrëzuan një kërkesë që ishte baraz me grusht shteti. Me ndarjen 4:4 të paktën kërkesa e Ramës nuk u miratua dhe përfundoi në koshin e plehrave bashkë me Ramën”, tha Berisha.

 

 

Gjendet pas 29 ditësh kërkime trupi i të riut në lumin Mat

Është gjetur pas 29 ditësh kërkime, trupi i pajetë i 30 vjeçarit Jurgen Karaj, nga fshati Fullqet i Klosit. I riu ishte aksidentuar më 10 Janar, ndërsa udhëtonte me shokun tij Andi Losha dhe makina përfundoi në përroin e fshatit Darsë. Trupi u gjet  lokalizua rreth 30 kilometra larg vendit të aksidentit.

Që nga dita e aksidentit, kërkimet në lumë janë zhvilluar pa ndërprerje. Në terren kanë qenë dhjetëra forca të Batalionit të Tretë të Repartit të Këmbësorisë Burrel, familjarë dhe struktura të tjera. Në operacion kanë marrë pjesë edhe ekipe nga Kosova me mjete dhe pajisje speciale.

 

Përmendet në dosjet e Epstein, Djukanovic mohon njohjen me të

Ish- presidenti dhe ish-Kryeministri i Malit të Zi Milo Djuknovic ka mohuar të ketë patur njohje apo komunikim me Jeffrey Epsteinin, edhe pse emri i tij përmendet në dosjet e publikuara nga autoritetet amerikane. Ai ka deklaruar se nuk ka pasur asnjëherë kontakt të drejtpërdrejtë apo të tërthortë me të.

“Në përgjigje të interesimit të shpeshtë të përfaqësuesve të medias lidhur me publikimin e komunikimeve të të ndjerit Jeffrey Epstein, dua të sqaroj se nuk e kam njohur kurrë Epsteinin dhe nuk kam komunikuar asnjëherë me të, drejtpërdrejt apo tërthorazi. Për rrjedhojë, nuk mund të dëshmoj për vërtetësinë e bisedave të publikuara apo për vizitat e tij të mundshme në Mal të Zi,” u shpreh Djukanovic .

Sipas dokumenteve, emri i Djukanovic shfaqet në një sërë mesazhesh që Epstein dyshohet se ka shkëmbyer me politikanin sllovak Miroslav Lajçak. Në një prej këtyre komunikimeve, Lajçak shkruan se presidenti i Malit të Zi “mezi pret vizitën tonë”.

Në vijim të bisedës, Epstein i përgjigjet: “Ndoshta duhet t’i japë Donaldit një strehë të sigurt”, ndërsa Lajçak thekson se “pika e dobët e Donaldit është Mali i Zi”.

Gjatë këtyre shkëmbimeve, Epstein i ka dërguar Lajçakut edhe një link nga Neë York Times, shoqëruar me një fotografi të Kotorrit, të cilës Lajçak i është përgjigjur: “Të thashë që Mali i Zi ishte i shkëlqyer”. Po ashtu, Epstein e ka pyetur Lajçakun nëse Djukanovic mbante postin e presidentit apo të kryeministrit në atë kohë, ndërsa ky i fundit i është përgjigjur se ai ishte president.

Gjatë ditës së sotme, Lajçak pikërisht për shkak të publikimit të këtyre dosjeve, ka deklaruar dorëheqjen.

Sipas burimeve, një pjesë e këtyre mesazheve janë shkëmbyer në gusht 2018, ndërsa të tjera më 21 shtator të po atij viti.

Dosja e publikuar nga autoritetet amerikane përfshin rreth 3 deri në 3.5 milionë faqe materiale, mbi 2 mijë video dhe rreth 180 mijë imazhe që lidhen me aktivitetet e Epstein. Departamenti i Drejtësisë bën me dije se një pjesë e përmbajtjes është redaktuar ose nuk është bërë publike, për shkak të mbrojtjes së privatësisë së viktimave, duke fshirë pjesërisht ose plotësisht emra dhe të dhëna personale.

 

 

 

 

 

 

Rrëshqitje në rrugë, prej orësh i bllokuar aksi Librazhd- Përrenjas

Prej të paktën 4 orësh aksi rrugor Librazhd- Përrenjas është i bllokuar si pasojë e rrëshqitjeve masive të dheut dhe gurëve që kanë bllokuar të dyja drejtimet e e qarkullimit në vendin e quajtur Dragostunjë.

Policia Rrugore e Elbasanit ndodhet në vendngjarje sipas njoftimit zyrtar dhe po bashkëpunon me firmën kontraktore për mirëmbajtjen e rrugëve, me qëllim  pastrimin e sa më shpejtë të akseve dhe rifillimin e qarkullimit.

Nga ana tjetër, u bëhet thirrje drejtuesve të mjeteve të shmangin këtë aks rrugor deri në përmirësimin e kushteve.

 

Rama flet për kadastrën e Vlorës: Të tjera drejtori do të zhvendosen

Në podcastin e tij “Flasim”, Kryeministri Rama ka folur edhe në lidhje me zhvendosjen e zyrës së Kadastrës së Vlorës në Tiranë.
Rama u shpreh se situata është ngatërruar qëllimisht ose idiotësisht dhe që sipas tij me heqjen e sporteleve, kadastrat ofrojnë shërbime pa zyra fizike.
Kjtojmë megjithatë, se Vlora prej vitesh nuk po gjen qetësi në zyrat e kadastrës, pasi drejtuesit e saj dorëhiqen pas vetëm pak muajsh punë.
“Dy fjalë për zhvendosjen e zyrës së Kadastrës së Vlorës në Tiranë. U ngatërrua, qëllimisht ose idiotësisht, adresa fizike e zyrës me shërbimin për qytetarët. Agjencia e Kadastrës ka kaluar prej kohësh nga një model shërbimi primitiv, me sportele, radhë dhe zvarritje, në një model online, ende i pa mbyllur plotësisht në ciklin e vet, por gjithsesi përmes platformës e-Albania ky model mundëson që shumica e procedurave të mos kenë nevojë për paraqitje fizike në një sportel. Të gjitha ndiqen online. Tani, gjithë kjo zhurmë dhe ky tension që u ndje për atë lëvizje lidhet jo vetëm me një perceptim të gabuar apo me një informim të mangët, por edhe me një mendësi e cila duhet përmbysur. Duhet përmbysur duke pasur parasysh se e nesërmja e afërt e Kadastrës është një shërbim pa sportele dhe pa godina fizike të shpërndara në territor, por me akses në çdo shërbim si një e drejtë themelore, një e drejtë që merret përmes celularit ose kompjuterit më të afërt dhe që nuk ka asnjë lidhje me vendndodhjen e zyrës. Ky nuk është i pari veprim për zhvendosjen e një drejtorie vendore në qendër dhe nuk është as i fundit. Të tjera drejtori do të zhvendosen dhe ajo që po punojmë çdo ditë është të sigurojmë mbylljen e ciklit: pra, jo më aplikim online dhe më pas marrje e shërbimit me postë, por i gjithë cikli online.”-tha Rama.

Video/ Gjendet një arsenal me armë zjarri në Selitë, 4 persona në pranga

Një arsenal armësh zjarri dhe municionesh janë sekuestruar në Tiranë në zonën e Selitës, pas një operacioni policor të koduar “LOCKDOWN”. Sikurse bëhet me dije ky operacon vjen pas një një hetimi 2-mujor nga Komisariati i Policisë Nr. 3 në bashkëpunim me Prokurorinë, ndërkohë që në pranga kanë rënë 4 persona, të cilët shisnin në Tiranë armë  të trafikuara nga Kosova. Sipas policisë në ambjentin ku monoheshin dhe magazinoheshin armët e zjarrit janë gjetur:

5 pistoleta dhe 3 automatikë, pjesë të ndryshme armësh, një armë gjahu, krehra dhe municion luftarak, 3 radio si ato të policisë, një jelek multifunksional dhe 9 celularë.

 

“Në kuadër të operacionit bazuar në informacionet e siguruara nga hetimi për disa shtetas që dyshohej se trafikonin armë zjarri, kryesisht nga Kosova në Tiranë, me qëllim shitjen, janë vënë në pranga shtetasit:

-G. N., 39 vjeç, R. R., 48 vjeç, K. C., 49 vjeç dhe A. C., 45 vjeç, banues në Tiranë”, njofton policia.

 

Nën drejtimin e Prokurorisë punohet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

 

Tensionet në protestë, Berisha: Jeta e qytetarëve në rrezik

Tensione kanë shoqëruar protestën e Partisë Demokratike e zhvendosur përpara parlamentit.

Forcat  e rendit kanë ndërhyrë me hedhjen e ujit dhe gazit lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, ndërkohë që të paktën 25 persona janë shoqëruar nga policia.

Kreu i PD Sali Berisha në një dalje publike, tha se jeta e qytetarëve është në rrezik dhe kërkoi lirimin e personave të shoqëruar.

Berisha: Të bashkohemi për të përmbysur këtë qeveri e për të krijuar qeveri teknike

Kreu i PD Sali Berisha, në foltorja e protestës kombëtare ka bërë thirrje bashkimi për përmbysjen e qeverisë, ndërsa është shprehur sërish për qeveri teknike.

Pjesë nga fjala

Miqtë e mi, koha ka ndryshuar.

Stina është e jona.

Ne sot nuk jemi më një parti.

Nuk jemi këtu as për një individ.

Nuk jemi këtu pra për asgjë tjetër, por jemi këtu për ndërgjegjen tonë, jemi këtu për idealet tona.

Ne jemi këtu për ndërgjegjen tonë kombëtare si shqiptarë sepse nuk duam dhe nuk pranojmë kurrë që Shqipëria të vidhiset në honet e historisë, të shpopullohet dhe të ecë e sigurt drejt shkretimit nga banorët e saj.

Ne jemi këtu si ndërgjegje dhe dinjitet njerëzor, se nuk mund të pranojmë kurrë që për karrigen e krimit të Edi Ramës, zgjedhjet tona të shndërrohen në opozitë.

Ne jemi këtu si ndërgjegje dhe dinjitet njerëzor se nuk mund të pranojmë kurrë që pasuritë publike, taksat e shqiptarëve, të plaçkiten nga një grup qeveritarësh, kurse shqiptarët të zhyten çdo ditë e me thellë në varfëri dhe mjerim.

Ne jemi këtu si ndërgjegje qytetarë, si ndërgjegje njerëzore, se nuk mund të pranojmë kurrë këtë agresion të tmerrshëm kundër familjes.

Ne jemi këtu si qytetarë të këtij vendi, që nuk mund të pranojmë kurrë këtë emër të zi që Edi Rama i ka dhënë Shqipërisë si narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë.

Prandaj të dashur qytetarë dhe qytetare, sonte është thirrja e madhe, është ora jonë, të bashkohemi, të bashkohemi, të bashkohemi për të përmbysur këtë qeveri, për të krijuar një qeveri teknike, për zgjedhje të reja dhe të ndershme, për një vizion të ri për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Për dinjitetin e tyre, për interesin kombëtar, për familjen shqiptare, për ëndrrën e të rinjve shqiptarë në Shqipëri, për ligjin dhe Kushtetutën dhe barazinë para tyre.

Për luftën me zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit.

Për Shqipërinë që ecën e sigurt drejt integrimit në Europë.

Edhe njëherë u ftoj të bashkohemi, të vazhdojmë këtë betejë, të vazhdojmë këtë rrugën në kilometrin e fundit, kilometrin e fitores.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

Pas fjalës së Berishës, policia shpërndan protestuesit me ujë dhe gaz lotsjellës

Sheshi përpara godinës së Kryeministrisë tashmë është zbrazur.

Në përfundim të fjalës së kryetarit të PD-së Sali  Berisha, protestuesit përdsorën molotovë ndaj godinës së kryeministrisë. Por ndërhyrja me ujë dhe gaz lotjsellës kanë bërë që protestuesit të shpërndahën.

Punonjësit e policisë janë në gatishmër, ndërkohë që ëstë parë tension mes kreut të forumit rinor të PD, Besart Xhaferri që me sa duket është shoqëruar nga policia. (Ne foto)

Ervin Salianji në protestën e PD me grupin e demokratëve të Korçës

Në protestën e Partisë Demokratike para Kryeministrisë është parë edhe ish-deputeti Ervin Salianji,  i cili është pranë aktivistëve të qytetit të Korçës.

Pranë tij shihet gjithashtu edhe Ilir Vrenozi, një aktivist i njohur I PD në këtë qytet.

Kujtojmë se prej pak kohësh Salianji është duke zhvilluar takime per riorganizimin e partisë.

 

 

Live/Luçiano Boçi çel fjalimet në protestë: Na ka thirrrur rezistenca

Nënkryetari i PD, Luçiano Boçi, çeli fjalimet në protestën e opozitës që ka nisur tashmë në sheshin para Kryeministrisë.

Ndër të tjera Boçi e cilësoi godinën e qeverisë si kuplara, ndërsa tha se protestën e sotme e kishte thirrur rezistenca.

“Sot nuk jemi mbledhur për spektakël politik as për tu numëruar nga dronët vampirë të medias së Edi Ramës. Nuk jemi mbledhur sot as për tu parë me urrejtje nga perdet e dritaret e frikës së pushtetit dhe as për të shpërndarë urrejtje për krimbat.

Ne jemi këtu sepse vlerësojmë jetën, na ka thirrur dashuria për familjen, dinjiteti ynë, rezistenca. Jemi thirrur këtu nga ndërgjegjia, sepse Shqipëria jonë nuk e duron më faktin që të drejtohet nga një njeri që e ka kthyer shtetin në pronë private dhe qeverinë në klub të mbyllur qejfi dhe ahengu. Kjo ndërtesë nuk është kryeministria por kuplaraja e shtetit. Dhe ne duhet ta shembim këtë pushtet dhe aty nuk është vendi i qeverisë por vendi i hajnisë. Është detyrë e historisë, para të gjithë qytetarëve. Këtu vjedhja ka emër dhe shifra, fillon me inceneratorët, më pas me tunelet, aeroportet. Pak për indiferencën tonë politike, pak nga verbëria e ndërkombëtarëve, më së shumti nga krimi i organizuar, e ktheu Republikën e Shqipërisë, në Republikën e korrupsionit”, tha Boçi.

 

Protesta/Kordoni policor vendoset përpara Kryeminitrisë, Berisha në seli

Kreu i PD Sali Berisha ka mbërritur në selinë e Partisë Demokratike, ndërsa pritet të nisë protesta kombëtare përpara Kryeministrisë.

Momentalisht kordoni policer është organizuar vetëm me një rrest policor, ndërkohë që për protestën e sotme janë të mobilizuar rreth 1350 efektivë.

Opozita proteston dhe këkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe zëvendës kryeministres Belinda Balluku, pas akuzave ngritur ndaj saj nga SPAK.

 

 

 

Vrau bashkëshorten në prani të fëmijës, mbetet në burg përjetë Liridon Berisha

Gjykata e Krimeve të Rënda e Meurthe-et-Moselle në Francë la në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për 27-vjeçarin Liridon Berisha, i cili qëlloi për vdekje partneren e tij Stephanie Di Vincenzo në maj të vitit 2021.

Dënimi përfshin një periudhë pa të drejtë lirimi me kusht prej 18 vitesh, pas vendimit në shkallë të parë që kishte parashikuar 22 vjet pa lirimin me kusht.

E reja 22-vjeçare, u godit me thikë në mes të rrugës,  ndërsa përpiqej të shpëtonte duke kërkuar ndihmë dhe ku komisariati i Hayange ndodhej vetëm disa metra larg banesës së saj.

Skena e rëndë ndodhi në prezencën e fëmijës 4-vjeçar të çiftit, ndërsa ngjarjen nuk mundën ta ndalnin as kalimtarët e pranishëm në rrugë. Më herët 27-vjeçari kishte qenë I dënuar me një vit burg për disa shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Ai kishte përfituar nga një dënim i reduktuar dhe ishte vendosur në arrest shtëpiak, ku iu vendos një byrzylyk elektronik disa ditë para ngjarjes së rëndë.

Në Bordin e Paqes me 1 miliardë dollarë, Rama: Gënjeshtër

Kryeministri Edi Rama përmes një reagimi në në X ka mohuar lajmet apo fjalët që qarkullojnë rreth pjesëmarrjes së tij në Bordin e Paqes, me ftesë të Presidentit Amerikan Trump.
Sipas Ramës në Bordin e Paqes nuk janë të ftuara të gjitha shtetet e pjesë e OKB-së, nuk është paguar shumë 1 miliardë euro për pjesëmarrjen e Shqipërisë dhe nuk do të sillen palestinezë në vend.
“Sa për mua personalisht, rëndësi ka vetëm besimi i shumicës së shqiptarëve, që më kanë ngjitur e mbajtur katër herë në majën e shtetit shqiptar dhe respekti i atyre që janë në majat e botës a të Europës, i cili më duhet mbi të gjitha për të nderuar e lartësuar Shqipërinë”, është shprehur Rama.

Postimi i plotë

Tenxheret politike mediatike po bubullojnë e gërrgërrojnë aq fort sa thua se në Bordin e Paqes së Presidentit Trump nuk është ftuar Shqipëria, po një vend armik i Shqipërisë!
🌪Në Bordin e Paqes janë ftuar të gjitha shtetet e OKB
❌GËNJESHTËR
🌪Shqipëria do të paguajë 1 miliardë EURO
❌GËNJESHTËR
🌪Palestinezët do të vijnë në Shqipëri
❌GËNJESHTËR

E vërteta është shumë e thjeshtë se sa ç’pjell, sidomos në çdo rast kur nderohet Shqipëria, mllefi i injorancës dhe inati i ligësisë:
Tenxheret politike e mediatike të mexhelisit tonë janë teneqera të zhurshmshme Shqipërisë së vjetër, ndërsa kjo që po vazhdojmë të ndërtojmë me shumë mund e këmbëngulje të madhe është një Shqipëri Tjetër, e dinjitetshme ndërkombëtarisht dhe e respektuar botërisht.
Sa për mua personalisht, rëndësi ka vetëm besimi i shumicës së shqiptarëve, që më kanë ngjitur e mbajtur katër herë në majën e shtetit shqiptar dhe respekti i atyre që janë në majat e botës a të Europës, i cili më duhet mbi të gjitha për të nderuar e lartësuar Shqipërinë.
Ky është një moment i jashtëzakonshëm i Shqipërisë, ku tërbimi i tenxhereve thjesht na siguron se sa më shumë lehin qentë, aq më përpara është duke shkuar karvani”.

Kompjutera, kamera dhe Ferrari, SPAK jep detaje për operacionin e Call Center-ave

Prokuroria e Posacme ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me aksionin e zhvilluar gjatë ditëve të fundit, sa I takon një veprimtarie të paligjshme në fushën e Call Center-ave që kishte në focus mashtrimin e shtetasve italianë përmes kriptovalutave.

Sipas njoftimit aksioni është iniciuar nga në investigim i emisionit “Le iene”, ndërkohë që gjatë kontrolleve të ushtruara në 28 ambiente; banesa, automjete, zyra, garazhde, etj, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, qindra pajisje kompjuterike të cilat janë në proces verifikimi, sisteme monitorimi të kamerave, sisteme të rrjetit kompjuterik, pajisje memorizuese, server, dokumente të Qendrës së Thirrjeve, subjektit “Infinite” shpk dhe subjekteve të tjerë në proces verifikimi.Gjithashtu janë sekuestruar edhe automjete të përdorur nga autorët e dyshuar, motomjete si dhe një automjet luksoz i markës Ferrari, që dyshohet se i përket organizatorëve të këtij aktiviteti.

Sipas SPAK, tetë persona kanë rënë në prangat e policisë gjatë këtij operacioni.

 

Njoftimi i plotë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rregjistroi procedimin penal nr.03/2026, për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit Kompjuterik”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal,“Pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/b, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Procedimi u regjistrua në datën 9.1.2026 në Byronë Kombëtare të Hetimit pas paraqitjes së gazetarëve italianë të emisionit investigativ “Le Iene”, që trasnmetohet në Mediaset. Ata kanë dorëzuar materiale të punës së tyre.

Gjatë këtij hulumtumi është identifikuar një Qendër Thirrjesh (Call Center) që ndodhet në Tiranë, në ndërtesën “Atti Toëer”, në rrugën “Ibrahim Rugova”, përballë Katedrales Ortodokse, nga ku, autorët e mirëorganizuar dyshohet se kanë mashtruar shtetas italianë dhe europianë për investime në kriptomonedhave të ndryshme.  Investigimi mori shkas nga ankesat e disa shtetasve italianë të mashtruar nga Qendra e Thirrjeve. Gazetarët italianë mundën të infiltrojnë një shtetas italianë, i cili nisi të punojë aty dhe realizoi regjistrimin e të dhënave në ambientet e Qendrës së Thirrjeve. Nga të dhënat rezulton se në këtë veprimtari dyshohet të jenë përfshirë shtetas italianë, rezidentë në Itali dhe të tjerë që jetojnë në Shqipëri, ndërsa transaksionet kryheshin në kriptovaluta, në portofolet e monedhave virtuale të menaxhuara nga drejtuesit e këtij aktiviteti të kundraligjshëm, duke përdorur platforma mashtruese.

Duke iu referuar materialeve video bëhet fjalë për një Qendër Thirrjesh, që ndodhej në katin e 9-të dhe të 13-të të “Atti Toëer”. Nga pamja e përgjithshme, dinamika e komunikimit dhe veprimet e personit që kryen regjistrimin apo edhe personave të tjerë, shihet se është një qendër e mirëorganizuar e thirrjeve telefonike, me poste pune të ndara, role të përcaktuara dhe staf që operonte në gjuhën italiane, franceze, spanjolle dhe gjermane.

Pas regjistrimit të këtij procedimi penal, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë nisur menjëherë puna për identifikimin e organizatorëve dhe dokumentimin e aktiviteti kriminal të mashtrimit.

Nga veprimet e para hetimore të BKH-së, rezultoi se organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale kishin ngritur një strukturë të sofistikuar sigurie, me disa perimetra mbrojtës, duke përdorur jo vetëm kamerat filmike statike, por edhe personel civil vëzhgimi, jashtë kësaj Qendre.

Ekzistojnë indicie të qarta se mbrëmjen e datës 15 Janar 2026, pas përfundimit të punës, pjesëtarë të këtij personeli vëzhgues, kanë njoftuar pronarët e Qendrës për një ndërhyrje të mundshme. Pas kësaj, në orët e para të mëngjesit të datës 16 Janar 2026, janë larguar pajisjet dhe është boshatisur edhe ambienti i Qendrës së Thirrjeve.

Pas ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Posaçme, nr.85, datë 15.1.2026, hetuesit e BKH-së konstatuan në datën 16 Janar 2026, boshatisjen e ambientit dhe largimin e pajisjeve dhe personelit. Falë veprimeve të shpejta dhe të pandërprera hetimore u bë i mundur identifikimi i personave dhe automjeteve të përdorura për largimin e pajisjeve kompjuterike dhe sistemeve nga Call Center-i. Pas gjurmimit të tyre, në një kohë të shkurtër, u realizua kapja në flagrancë e disa shtetasve, të cilët kishin transportuar gjatë natës materiale drejt një ambient tjetër të marrë me qira në “Doëntoën One”, në Bulevardin Bajram Curri.

Pas kapjes në flagrancë të këtyre shtetasve, hetuesit kanë bërë kontrollin me iniciativë të ambientit në katin e 5-të të godinës, ku është konstatuar një Qendër tjetër Thirrjesh, në ndërtim e sipër. Aty u gjetën pajisje kompjuterike, telefona, hard disqe, laptopë, karta të ndryshme SIM, dokumente, blloqe me shënime. Personat e kapur në flagrancës, po transportonin një kosh mbeturinash, i cili përmbante sende të dyshuara të marra nga Qendra e Thirrjeve në rrugën “Ibrahim Rugova”, të cilat ishin duke i asgjësuar. Në kushtet e kapjes në flagrancë është kërkuar mbështetja e punonjëve të Policisë të Drejtorisë Vendore Tiranë.

Shtetasit e arrestuar në flagrancë janë 6 persona me inicialet: R.Gj., D.Q., E.Gj., E.M.,R.P.,O.K..

Gjithashtu, paralelisht me identifikimin e Qendrës së dytë të thirrjeve, në sajë të veprimeve verifikuese, janë nxjerrë dhe ekzekutuar urdhrat e ndalimit për shtetasit me inicialet; K.K. dhe H.XH., si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në bashkëpunimin, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 143/b, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Në ecuri të veprimeve hetimore, në datë 17.1.2026, janë lëshuar dhe urdhrat e ndalimit për tre shtetas të tjerë, të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në bashkëpunimin, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga netet 143/b, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal, të cilët nuk janë gjetur deri në këto momente.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në 28 ambiente; banesa, automjete, zyra, garazhde, etj, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, qindra pajisje kompjuterike të cilat janë në proces verifikimi, sisteme monitorimi të kamerave, sisteme të rrjetit kompjuterik, pajisje memorizuese, server, dokumente të Qendrës së Thirrjeve, subjektit “Infinite” shpk dhe subjekteve të tjerë në proces verifikimi.Gjithashtu janë sekuestruar edhe automjete të përdorur nga autorët e dyshuar, motomjete si dhe një automjet luksoz i markës Ferrari, që dyshohet se i përket organizatorëve të këtij aktiviteti.

Prokuroria e Posaçme vijon kryerjen e veprimeve hetimore për inventarizimin e të gjitha pajisjeve kompjuterike, sekuestrimin, analizimin e tyre si dhe identifikimin e të gjithë viktimave të veprës penale, në bashkëpunim me autoritetet e huaja.

Falenderojmë Policinë e Shtetit për mbështetjen e dhënë në fazën e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Posaçme si edhe gjatë veprimeve të mëtejshme për identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar.

Prokuroria e Posaçme falenderon në mënyrë të veçantë edhe stafin e emisionit investigativ italian “Le Iene” të  “Mediaset”, falë punës të së cilëve, u bë e mundur inicimi dhe hetimi i këtij rasti të mashtrimit masiv në Qendrën e Thirrjeve në Shqipëri.

Gjithashtu, SPAK u tërheq vëmendjen qytetarëve dhe medias për fenomenin e mashtrimit online përmes Qendrave të Thirrjeve (Call Center) dhe kjo është një veprimtari që do vazhdojë të ndiqet me prioritet edhe në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë.

Nga ana tjetër, një apel u shkon edhe shtetasve që punojnë në këto qendra, për t’u ndërgjegjësuar dhe për t’u mos bërë pjesë e veprimtarive të paligjshme.

 

Kushtetuesja: Arresti i shtëpisë për Berishën, i tejzgjatur

11 muaj në arrest shtëpie kanë qenë të tejzgjatur. Kështu i ka cilësuar Gjykata Kushtetuese vendimet e tre gjykatave të shkallëve më të ulëta, lidhur me kërkesën e kreut të PD Sali Berisha për masën e arrestit shtëpiak ndaj tij.

Vendimi është dhënë në përfundim të seancës, ku palët nuk kanë qenë të pranishme, ndërkohë që gjatë seancave të raportimit dymujor avokatët e Berishës kundërshtonin vazhdimisht kërkesën e SPAK, i cili insistonte në vijimin e masës së arrestit shtëpiak.

Në janar të vitit 2025, masa e arrestit shtëpiak ndaj ish-kryeministrit u ndryshua në “detyrim paraqitjeje”, vendim i mbështetur tashmë edhe nga Gjykata Kushtetuese.

 

Qeveria iraniane shton presion ndaj protestuesve, reagon djali i shahut Reza Pahlavi

Reza Pahlavi, djali i shahut të fundit të Iranit, ka bërë thirrje për veprime më masive gjatë fundjavës pas gati dy javësh protestash në rrugë kundër qeverisë dhe situatës së rëndë ekonomike në Iran. Ndërsa protestat vazhdojnë autoritetet iraniane kanë shtuar represionin. Të paktën 65 persona kanë humbur jetën dhe spitalet janë të tejmbushura.

Një mjek në një spital të Teheranit tha se kishte “të shtëna direkte në kokat e të rinjve, si dhe në zemrat e tyre”, ndërsa një mjek tjetër tha se një spital i syve në kryeqytet kishte kaluar në gjendje krize.

Prokurori i përgjithshëm I Iranit ka bërë një deklaratë më herët duke thënë se të gjithë protestuesit do të përballen me dënim me vdekje.

“Të gjithë protestuesit do të akuzohen si “armiq të Zotit” (ose “moharebeh”)”, tha në një deklaratë Mohammad Movahedi Azad, prokurori i përgjithshëm i vendit, siç raportuan mediat shtetërore iraniane.  Vepra penale dënohet me dënim me vdekje, shtoi ai.

“Kjo do të vlente për “rebelët dhe terroristët” që dëmtuan pronën dhe minuan sigurinë, si dhe për ata që i ndihmuan ata njësoj, tha Movahedi Azad.

 

Tentoi të djegë makinën e ish-partnerit, arrestohet drejtoresha e Ministrisë

Zyrtarja e Ministrisë së Brendshme, Alma Bine ka thyer masën e arrestit shtëpiak dhe ka shkuar të djegë makinën e ish-partnerit, vetëm një javë pasi është denoncuar prej tij se i kishte hyrë në banesë dhe i kishte vënë flakën krevatit dhe orendive të tjera në banesë.

Për këtë arsye policia ka njoftuar arrestimin e 43-vjeçares e cila ka mbajtur detyrën e drejtoreshës së Emigracionit në Ministrinë e Brendshme.

Sipas burimeve zyrtare, arrestimi i saj u krye pas konstatimit se Bime kishte thyer masën e vendosur nga gjykata, ndërkohë që ndaj saj rëndojnë edhe akuza të reja për ngjarje të përsëritura dhune dhe kanosjeje ndaj ish-bashkëjetuesit, Mareglen Tomori.

Më herët, gjatë muajit dhjetor, Alma Bime ishte shoqëruar nga Policia nën dyshimet për kanosje të një shtetasi të huaj përmes mesazheve, si edhe për djegien e orendive shtëpiake në banesën e ish-bashkëjetuesit, e ndodhur në rrugën “Hysen Xhura”, në zonën e Kinostudios. Pas kësaj ngjarjeje, gjykata kishte caktuar ndaj saj masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, masë e cila rezulton të jetë shkelur.

Sipas të dhënave të hetimit, më 31 dhjetor, Bime dyshohet se ka tentuar sërish t’i vërë flakën banesës së ish-bashkëjetuesit, si dhe ka tentuar ta plagosë atë, çka ka çuar në përkeqësimin e pozitës së saj ligjore dhe arrestimin nga shërbimet e Policisë.

 

 

 

❌