Aktorja Anila Bisha padit AKSHI-n për përdorimin e imazhit, kërkon pezullimin e “Diellës”
Aktorja e njohur Anila Bisha i është drejtuar Gjykatës Administrative me një padi kundër Këshillit të Ministrave, kompanisë Apel dhe AKSHI-t, duke kundërshtuar përdorimin e imazhit të saj në figurën e asistentit virtual të quajtur “Diella”.
Sipas pretendimeve të aktores, imazhi i “Diellës” përbën një rikrijim në formë avatar të pamjes së saj, çka ka sjellë konflikt ligjor mbi të drejtat e përdorimit të figurës. Në padinë e depozituar, Bisha kërkon vendosjen e një mase sigurimi që të ndalohet menjëherë përdorimi i këtij imazhi deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
Raportohet se aktorja argumenton se marrëveshja kontraktuale me kompaninë Aleat kishte vlefshmëri deri më 31 dhjetor 2025 dhe lejonte përdorimin e imazhit të saj vetëm për funksionin e asistentes virtuale në platformën e-Albania, dhe jo për një figurë apo rol tjetër publik të identifikuar si “ministrja Diella”.
Çështja pritet të shqyrtohet nga Gjykata Administrative, e cila do të vendosë mbi kërkesën për pezullim të përdorimit të imazhit, ndërsa rasti ka hapur debat mbi kufijtë ligjorë të përdorimit të figurës dhe të drejtave të autorit në hapësirën digjitale.
Ministrja Diella u prezantua nga kryeministri Edi Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste, më 11 shtator si pjesë e kabinetit të ri. Më pas, Rama tha se Diella do të zhvillonte edhe “fëmijët” e saj virtualë, për të zëvendësuar 83 deputetët e partise Socialiste.
The post Aktorja Anila Bisha padit AKSHI-n për përdorimin e imazhit, kërkon pezullimin e “Diellës” appeared first on iconstyle.al.