Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Norvegjia e Suedia kundër Bordit amerikan të Paqes

Norvegjia dhe Suedia kanë refuzuar t’i bashkohen Komitetit për Paqe të presidentit amerikan Donald Trump, ndërsa sipas raportimeve të mediave, as Italia nuk do të marrë pjesë në të, njoftojnë agjencitë e lajmeve.

Zyra e kryeministrit norvegjez njoftoi sot se Norvegjia nuk do t’i bashkohet Komitetit për Paqe të propozuar nga presidenti amerikan.

“Propozimi amerikan ngre disa çështje që kërkojnë dialog më të thelluar me Shtetet e Bashkuara. Prandaj, Norvegjia nuk do t’u bashkohet dispozitave të propozuara për Komitetin e Paqes dhe nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit në Davos”, tha sekretari i shtetit Kristoffer Thoner për AFP.

Edhe Suedia e ka refuzuar iniciativën e Trumpit.

“Suedia nuk do të marrë pjesë në iniciativën e presidentit Donald Trump për Komitetin e Paqes në formën në të cilën teksti është paraqitur deri tani”, u tha kryeministri Ulf Kristersson gazetarëve në Davos.

As Italia nuk do të marrë pjesë, njoftoi gazeta italiane Corriere della Sera.

Sipas shkrimit të gazetës sot, Italia nuk do të marrë pjesë në iniciativën e Trumpit nga frika se anëtarësimi në një grup të tillë të udhëhequr nga lideri i vetëm i një vendi do të shkelte kushtetutën italiane.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e cila përndryshe ka marrëdhënie të mira me Trumpin, me gjasë nuk do të shkojë në Davos. Qeveria italiane nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

Komiteti i propozuar do të drejtohej përjetë nga Trump, dhe do të fillonte me zgjidhjen e konfliktit në Rripin e Gazës, e më pas edhe luftërat e tjera. Anëtarët do të duhej të paguanin një miliard dollarë amerikanë për anëtarësim të përhershëm.

Sipas kushtetutës italiane, Italia mund t’u bashkohet organizatave ndërkombëtare që sigurojnë “paqe dhe drejtësi mes kombeve” vetëm “mbi baza të barabarta me shtetet e tjera”, gjë që nuk përputhet me primatin amerikan në komitetin e ri, shpjegon gazeta, pa përmendur burimin e raportimit.

Ftesa për t’iu bashkuar iniciativës u janë dërguar rreth 60 shteteve, duke përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë.

 

Çfarë do të thotë për Ukrainën mosmarrëveshja për Groenlandën

Planet e SHBA-së për të aneksuar Groenlandën dominojnë Forumin Ekonomik Botëror. Bisedimet midis SHBA-së dhe Ukrainës për të përfunduar luftën po zhvendosen në plan të dytë. A është e mundur të arrihet përparim?

Një banore e Kievit pothuajse ngriti supet kur ia përshkroi situatën e saj energjetike një gazetari ukrainas të martën. “Kjo ishte goditja e tetë ajrore në kohët e fundit. Kur afrohen dronët, ne tashmë i njohim nga zhurma.” Këtë herë, shpërthimi ishte shumë i zhurmshëm, tha ajo. “Me siguri ishin raketa. Epo, tani nuk kemi as rrymë as ngrohje.”

Natën e mëparshme, Rusia sërish sulmoi me intensitet Ukrainën me sulme ajrore. Në kryeqytet, furnizimet me rrymë, ngrohje dhe ujë u ndërprenë sërish në të gjithë qytetin, ndërsa temperaturat mbetën dy shifra nën zero.

Sulmet e detyruan presidentin Volodymyr Zelenski të bënte thirrje për presion më të madh ekonomik ndaj Rusisë. Për më tepër, sipas ekspertëve, mbrojtja ajrore e Ukrainës po tregon gjithnjë e më shumë boshllëqe. Zelenski iu referua edhe kësaj. Megjithatë, fjalët e tij duket se kanë pak jehonë edhe mes partnerëve të Ukrainës, siç pranoi hapur Zelenski para gazetarëve.

Bisedimet mbeten në plan të dytë

Ndërsa situata në Groenlandë përkeqësohet, bisedimet midis Kievit dhe Uashingtonit për një përfundim të mundshëm të luftës, të cilat kohët e fundit konsideroheshin se kishin përparuar mirë, po mbeten në plan të dytë.

Megjithatë, ka pasur kontakte midis dy palëve. Para disa ditësh, një delegacion ukrainas u takua në Shtetet e Bashkuara me Steve Witkoff, njeri i besuar i Trumpit. Zelenski dhe presidenti amerikan ishin gjithashtu të planifikuar të takoheshin në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. Deri tani, kjo nuk është konfirmuar.

Ka pasur madje edhe fjalë për një marrëveshje të mundshme dypalëshe me vlerë 800 miliardë dollarë për rindërtimin e Ukrainës, për të cilën Zelenski aludoi: “Si plani i rindërtimit, ashtu edhe garancitë e sigurisë janë dokumente jashtëzakonisht të rëndësishme.”

Zelenski tha se u ishte mirënjohës ekipeve amerikane dhe ukrainase për punën në këtë drejtim. “Ne jemi në fazat përmbyllëse të përgatitjes së dokumenteve. Kur të jenë gati, do të ketë një takim dhe një udhëtim.”

A do të shkojë Zelenski në Davos?

Nuk dukej se Zelenski do të udhëtonte në Zvicër në çdo rast. Për më tepër, ai kishte dhënë zyrtarisht përparësi situatës energjetike të vendit të tij. Megjithatë, disa vëzhgues në Ukrainë shohin shenja se Zelenski nuk dëshiron të përfshihet në një përballje publike.

Gazetari Vitaliy Portnikov e shprehu kështu në kanalin e tij në YouTube: “Një takim midis Trumpit dhe Zelenskit do të zhvillohej në kontekstin e një përballjeje midis aleatëve tanë, Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Në Zvicër, ka të ngjarë që këtë herë Evropa të mos kufizohet vetëm në zgjedhjen e fjalëve lavdëruese për Trumpin, thjesht për ta mbajtur atë të balancuar.”

Kujdes për tension me SHBA

Zelenski ka folur me kujdes për kërkesën e Trump-it për aneksimin e ishullit autonom, i cili i përket Danimarkës. Ai thotë se respekton parimin e integritetit territorial dhe dëshiron që Trump-i të dëgjojë Evropën.

Një shqetësim që komentatori Portnikov e shprehu më konkretisht: “Trumpi mund t’i transmetojë ministrit të Jashtëm Rubio, pse vazhdon të merret me çështjet e sigurisë evropiane, ndërsa Europa nuk pajtohet me kërkesën e Trump-it për Groenlandën. Dhe Ukraina mund të përballet së shpejti me zgjedhjen se në cilën anë të qëndrojë për çështjen e Groenlandës.”/ DW

Groenlanda, Trump: Nëse na thoni po do jemi mirënjohës, nëse thoni jo do ta kujtojmë

Gjatë fjalës së tij nga Davosi, presidenti i SHBA rriti presionin për marrjen e Groenlandën.

“Nëse na thoni ‘po’ do jemi mirënjohës, nëse thoni ‘jo’ do ta kujtojmë”, u shpreh Trump për marrjen e Groenlandës nga SHBA.

Këshilla ime ka qenë ndaj prodhuesve tanë që të prodhojnë më shpejt. Paratë do të investohen në ndërtimin e fabrikave të reja, në raketa amerikane, Tomahawk. Po punojmë për raketa të padetektueshme, ndaj kërkojmë një copëz akulli për mbrojtjen e botës; s’kemi kërkuar gjë tjetër.

Mund ta kishim mbajtur atë copë, mund të kishit thënë “po” dhe ne do të ishim mirënjohës. Mund të thoni “jo” dhe ne do ta kujtojmë. Po punojmë që ushtria jonë të jetë sa më e fortë, edhe pse aleatët tanë mund të kenë inflacion.

Çmimet e energjisë dhe të ushqimeve janë ulur ndjeshëm, edhe pse trashëguam një katastrofë ekonomike, por kemi bërë një punë të madhe. Çmimet e ilaçeve po ulen deri në 90%. Shumë presidentë e kanë dashur, por nuk e kanë arritur; unë e bëra. Çmimet e barnave ishin më të larta në Amerikë se në vendet e tjera.

Macron e pashë dje me një palë syze të mrekullueshme. Çfarë dreqin ndodhi?“, tha më tutje ai.

Trump tallet me Macron: Bën të fortin me ato syze dielli

Presidenti amerikan, Donald Trump po mban fjalën e tij në Forumin Ekonomik të Davosit.

Gjatë fjalës së tij, Trump, u tall me Emmanuel Macron-in, i cili në fjalimin e tij në Davos dje, shumë kritik ndaj tij, “bëri të fortin me ato syze të bukura dielli” që presidenti francez mbante për shkak të një problemi me sytë.

“Nuk do ta besoni, por më pëlqen Emmanuel-i”, tha Trump në fjalimin e tij në Forumin e Davosit.

Davos, Trump: Venezuela do të fitojë më shumë para nën drejtimin e SHBA

“Venezuela do të fitojë më shumë para në gjashtë muajt e ardhshëm sesa ka fituar në 20 vitet e fundit”. Kështu deklaroi nga Davos presidenti amerikan Donald Trump.

Duke folur për kostot e naftës nën presidencën e paraardhësit të tij, ish-presidentit Joe Biden, ai kritikoi atë që pretendon se ishin çmime të fryra për shkak të politikave të gjelbra.

Sipas Trump nën presidencën e tij, prodhimi i naftës dhe gazit është rritur. Ai flet për 50 milionë fuçi naftë që pretendon se u sekuestruan nga Venezuela dhe u sollën në SHBA.

SHBA-ja arrestoi Presidentin Venezuelan Nicolás Maduro nga një kompleks në Karakas në fillim të këtij muaji. Që atëherë, Trump ka lavdëruar zëvendësuesen e Maduros, presidenten në detyrë Delcy Rodríguez.

Trump flet në Davos: Europa nuk po shkon në drejtimin e duhur

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar në Forumin Ekonomik Botëror në Davos se Europa “nuk po shkon në drejtimin e duhur”, duke shprehur shqetësim për zhvillimet politike, ekonomike dhe sociale në kontinent. Në fjalën e tij, Trump tha se “nuk e njeh më Europën”, megjithëse theksoi se ka një lidhje të fortë emocionale me të.

“E dua Europën dhe dua ta shoh të ecë mirë, por nuk po shkon në drejtimin e duhur”, u shpreh ai, duke shtuar se nuk dëshiron të fyejë askënd. Sipas Trump, miq të tij që kthehen nga vendet europiane i thonë se nuk i njohin më ato, për shkak të migracionit masiv të pakontrolluar, si dhe deficitit rekord buxhetor dhe tregtar.

Presidenti amerikan foli edhe për sfida globale, duke deklaruar se “pjesë të botës po shkatërrohen para syve tanë, ndërsa liderët nuk po bëjnë asgjë”. Ai nuk dha detaje konkrete, por mbrojti politikat e tij ekonomike, duke thënë se parashikimet për recesion dhe inflacion të lartë janë hedhur poshtë nga rezultatet reale.

Trump e hapi fjalimin në Davos me tone ironike, duke përshëndetur “miq dhe pak armiq”, ndërsa kërcënimet e tij për Grenlandën mbeten një nga temat kryesore të forumit.

Do të votojë PD aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes?Berisha pa vendim:Nuk kam…

Gjatë konferencës për shtyp, kreu i PD Sali Berisha u pyet nëse Partia Demokratike do të votojë aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes.

Berisha tha se nuk ka informacion, ndërsa sipas tij, kjo ftesë e Trump, nuk forcon pozicionin ndërkombëtar të Edi Ramës.

BerishaMe aq sa di unë, ftesa për Bordin e Paqes, i është shpërndarë shumë vendeve. Presidenti Trump ka ftuar vendet, në Shqipëri shefi i ekzekutivit nuk është presidenti, kështu që ftesa i takon kryetarit të qeverisë. Ky është komenti im. Ju mendoni se kjo forcon pozicionin ndërkombëtar të Edi Ramës? Jo, Edi Rama mbetet një narkodiaktor, fatkeqësisht është njëri që përfaqëson Shqipërinë.

Do të votoni pro?

Berisha: Nuk kam informacion që kjo shtrohet në parlament.

Vrasja e Santiago Malkos, GJKKO dënon me 30 vite burg Leonard Dukën

Gjykata e Posaçme ka shpallur vendimin për të pandehurit dhe të akuzuarit në lidhje me vrasjen e ish policit Santiago Malko, ngjarje e ndodhur në vitin 2019.

GJKKO ka dënuar me 30 vite burg Leonard Dukën. Ai u arrestua në shkurt 2024 në Belgjikë, ndërsa u ekstradua në Tiranë në gusht të po atij viti, për t’u përballur me drejtësinë.

Ndërkaq, me nga 25 vite burg u dënuan Fatmir Hyseni, Aleksandër Maxhaku dhe Oltian Loga. Elis Duka, vëllai i Leonard Dukës, është shpallur i pafajshëm, pasi nuk u provua që ka kryer vepren penale.

Më herët, për vrasjen e Malkos, i njohur si krahu i djathtë i Erivs Martinajt, janë dënuar në një proces të ndarë edhe Blendi Teta, me 25 vite burg dhe Ilir Selmani, me 26 vite burg.

Si ndodhi ngjarja?

Santiago Malko, ish-punonjës policie, u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019 me breshëri plumbash në Tiranë. Malko u largua nga detyra si polic pasi u arrestua pas një sherri për lojërat e fatit. Ishte një emër jo pak i njohur për autoritetet, i dyshuar si i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale.

Emri i tij doli në skenë në Tetor të 2018, ku i plagosur mbeti miku i tij Ervis Martinaj, por u lirua për mungesë provash.

Italia do e refuzojë Bordit të Paqes për Gazën, pengesë edhe kushtetuta

Mburoja është neni 11 i Kushtetutës. Ai i lejon Italisë të jetë pjesë e organizmave ndërkombëtarë që merren me paqen, por vetëm «në kushte barazie me shtetet e tjera». E kundërta, pra, e Board of Peace të ideuar nga Donald Trump, primus inter pares në atë që ngjan me një lloj OKB-je private, me biletë hyrëse prej një miliard dollarësh (të cilës Netanyahu ka njoftuar se dëshiron t’i bashkohet). «Jo, kështu nuk mund të bëhet». Ky është dyshimi i parë që po e shtyn Giorgia Melonin të mos hyjë në Këshillin e Paqes, i cili do të pagëzohet nesër mes maleve të Davosit. Ndoshta kryeministrja në fund do të jetë e pranishme, për arsye të marrëdhënieve të mira me Shtëpinë e Bardhë, në këtë takim. Megjithatë, ajo është gjithnjë e më e vetëdijshme se nuk mund të firmosë në emër të Italisë hyrjen në bord, përtej kuotës së anëtarësimit të nevojshme për të qenë pjesë e klubit trumpian.

Pastaj është edhe një element tjetër, i cili u vlerësua dje në fund të paradites nga kryeministrja gjatë një takimi me zëvendëskryeministrat Matteo Salvini dhe Antonio Tajani, si dhe me ministrin Guido Crosetto. Ratifikimi i traktateve ndërkombëtare duhet të kalojë përmes një vote të Parlamentit me një ligj të zakonshëm, dhe tashmë nuk ka më kohë. Për më tepër, Quirinali, pikërisht në bazë të nenit 11, do ta bllokonte menjëherë masën. E cila, ndër të tjera, do të ishte në rrezik të madh përpara Gjykatës Kushtetuese. «Nuk është një rrugë e përshkueshme», duket se është bindja në Palazzo Chigi, edhe nën shtysën e Forza Italia-s. Partia e Antonio Tajanit shprehet kundër hyrjes së Romës në bordin e Trumpit, që do të ishte një gur varri mbi të drejtën ndërkombëtare. Edhe Liga rreshtohet, duke iu referuar «qëndrimit të qeverisë», megjithëse më shumë se një salvinian i hedh një sy idesë së Nobelit të munguar për Trumpin. Jo vetëm kaq: kush në këto orë ka folur me Crosetton ka mbledhur më shumë se një dyshim, për të përdorur një eufemizëm, për këtë organizëm të ri, i cili për shkak të shtrirjes së gjerë të ftesave — ku përfshihet edhe Putini — nuk do të shërbejë më vetëm për stabilitetin e Gazës.

Pothuajse e panevojshme të thuhet: «jo»-ja e Melonit ndaj mikut Donald do të tingëllonte si një «çarje». Dhe do të vinte pas kritikave të kryeministres, private dhe publike, gjithmonë ndaj Trumpit për shkak të njoftimit të tarifave doganore ndaj vendeve evropiane që mbështesin Groenlandën. Sigurisht, ato të shqiptuara nga Meloni në Japoni ishin fjalë; këto, përkundrazi, do të ishin veprime.

Presidentja e Këshillit kalon ditën duke ndërtuar pozicionin italian në një vorbull kontaktesh me liderët e tjerë evropianë, dhe jo vetëm. Ndoshta nuk është rastësi që në mbrëmje del zëri i Financial Times: kryeministri britanik Keir Starmer është gati të vendosë të refuzojë ftesën e presidentit amerikan Donald Trump për t’iu bashkuar Board of Peace. Dhe pak më pas ja ku del Gjermania e Merzit, anëtarësimi i së cilës konsiderohet «i pamundur», të paktën «në formën e tanishme». Të mëdhenjtë evropianë janë gati të hedhin hapin pas. Në lojë mbeten Hungaria dhe Shqipëria. Është një situatë jo e thjeshtë për Melonin: Palazzo Chigi deri në orët e vona të mbrëmjes nuk jep informacione, shenjë e një shqetësimi politik dhe diplomatik. Mundësia që kryeministrja nesër të jetë në Davos si «vëzhguese», pa firmosur marrëveshje, mbetet në sfond.

Edhe sepse në Romë qarkullon zëri se një pjesë e eskortës së saj ka nisur prej të paktën një dite për në Zvicër për inspektimet rutinë, paraprake për ardhjen e presidentes së Këshillit (e pritur sot në Porta a Porta për një intervistë të regjistruar rreth orës 20, me rastin e 30-vjetorit të emisionit të Bruno Vespa-s). Të shkosh në Davos dhe të mos firmosësh. Ose të mos shkosh fare: ky është dilema. Axhenda e presidentes së Këshillit nesër ka një tjetër takim, këtë herë në Bruksel në orën 19: Këshilli Evropian i jashtëzakonshëm, i thirrur me ngut pas tensioneve të lidhura me Groenlandën të shkaktuara nga Trumpi dhe përgjigjes pasuese ndaj tarifave të reja të kërcënuara nga SHBA-ja.

Meloni dhe Tajani janë «të ftohtë» ndaj bazukës tregtare që Macron dëshiron të përdorë dhe vazhdojnë të thonë se për Ishullin e Akullit nevojitet një përgjigje e «gjithë NATO-s» ndaj ndërhyrjeve ruse dhe kineze. PD-ja dhe pjesa tjetër e opozitës kërkojnë që kryeministrja të raportojë në Kuvend. Sekretarja e PD-së, Elly Schlein, i ka shkruar gjithashtu kryeministres daneze Mette Frederiksen për t’i shprehur solidaritet përballë «shkeljes së standardeve të diplomacisë dhe të respektimit të shtetit të së drejtës». Ndërkohë mbetet nyja: çfarë të bëhet me Trumpin në Davos?/Corriere Della Sera

Blerina Gjylameti, në krye të AKU

Blerina Gjylameti është emëruar në krye të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU). Ish-deputetja e Partisë Socialiste zëvendëson në këtë post Manush Kullollin.

Gjylameti ka qenë deputete e Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë për 12 vite.

Në zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit 2025, Gjylameti nuk arriti të siguronte mandatin për të hyrë në Kuvend, por theksoi se do vijonte të kontribuojë për Partinë Socialiste.

“21 janari”, Mark Nika del nga SPAK: Prokurori më tha se…

Xhaxhai i Aleks Nikës, i cili u vra me 21 janar të 2011, Mark Nika ishte sot në SPAK ku u takua me prokurorin e çështjes Alfred Shehun për t’u njohur me ecurinë e hetimeve.

Ai foli me gazetarët, ndërsa tha se prokurori i ka konfirmuar se hetimet po ecin dhe kanë përparuar.

Mark Nika theksoi se pret që drejtësinë për nipin e tij ta japë SPAK sa më shpejt të jetë e mundur.

“Erdha për të mësuar ecurinë e hetimeve, sepse jemi palë në proces. Takova prokurorin e çështjes Alfred Shehun. Ai më shpjegoi se hetimet po ecin, kanë përparim. Së kur do të përfundojnë, kjo është një çështje e tyre.

Nuk u futa në hollësi. Ne kërkojmë me insistim që çështja të avancojë. Drejtësinë e kemi kërkuar nga drejtësia, jo nga e vjetra, por tani nga SPAK. Drejtësinë e duam vetëm nga SPAK.”, tha ai.

Goditet grupi kriminal që shiste armë zjarri te Fresku dhe në Tufinë, 3 të arrestuar

Policia e Tiranës ka arrestuar 3 persona, Artur Brahimaj, Ilir Zyberi dhe Artur Rushiti, pjesë e një grupi kriminal që shiste armë zjarri. Të tre të arrestuarit janë me precedentë penalë. 2 prej tyre u kapën në flagrancë, nga shërbimet e Policisë, në Tufinë, në tentativë për të shitur 2 armë zjarri kallashnikov. Identifikohet dhe shpallet në kërkim 1 shtetas, i dyshuar si pjesëtar i këtij grupi. Sekuestrohen 5 armë zjarri dhe municion luftarak, që dyshohet se do të shiteshin në Tufinë dhe në Fresk.  

“Si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, gjatë 3 muajve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, është organizuar në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë dhe është finalizuar operacioni i koduar “Anëtarët”. 

Në kuadër të këtij operacioni u vunë në pranga shtetasit: -I. Z., 55 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vrasje;  -A. B., 63 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe   për mashtrim; A. R., 46 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për plagosje të rëndë me dashje. Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi E. S., 28 vjeç.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë, në Tufinë, shtetasit A. B dhe I. Z., në tentativë për të shitur 2 armë zjarri kallashnikov”, tha policia.  

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas ishin pjesëtarë të një grupi që shiste armë zjarri në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në Tufinë dhe në Fresk. Vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në grup.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Bordi i Paqes/ Trump fton edhe Osmanin, Rama e uron

Kryeministri Edi Rama uroi Presidentin e Kosovës, Vjosa Osmani, për ftesën e marrë nga Donald Trump, për të qenë pjesë e Bordit të Paqes.

“Urime zonja Presidente, e dashur Vjosa, për marrjen e ftesës për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një gjest tejet domethënës i Presidentit Trump ndaj Kosovës, që forcon më tej marrëdhënien e Amerikës mike me popullin shqiptar, por që edhe jep një sinjal domethënës për sigurinë e përkatësinë e Kosovës në hapësirën e interesit të gjerë amerikan në botë”, tha Rama në një mesazh në X,.

“Edhe njëherë urime dhe dua të besoj se faktorët politikë të Kosovës, do ta çmojnë këtë dorë të shtrirë nga Presidenti i SHBA, si një gjest që nuk është aspak pa lidhje edhe me respektin për ty personalisht e  për rolin tënd ndërkombëtarisht”.

Kupa e Botës 2026, cilat do të jenë rregullat e reja që do testohen në Botëror

Përpjekje të reja për të përshpejtuar ritmin e futbollit dhe për të reduktuar humbjen e kohës janë planifikuar për Kupën e Botës, me përfshirjen e kontrollit VAR për kartonët e dytë të verdhë dhe këndet, si dhe ora e numërimit të rënies për të rifilluar lojën.

Këto masa janë pjesë e një përpjekje më të madhe për të optimizuar ritmin e lojës dhe për të ofruar një përvojë më të mirë për tifozët.

Një tjetër ndryshim i mundshëm është prova për sistemin “daylight” të offside-it të propozuar nga Arsene Wenger, ish-trajneri i Arsenalit, që do të sillte një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën si gjykohet pozita e offside-it. Megjithëse Wenger e pranon se ky mund të jetë një ndryshim “radikal”, ai beson se është e nevojshme të provohen këto ndryshime për të parë nëse ato do të përmirësojnë lojën.

Çfarë do të ndryshojë për Kupën e Botës?

Disa nga masat që do të testohen përfshijnë:

VAR për kartonët e dytë të verdhë: Nëse një karton i dytë i verdhë është dhënë gabimisht, mund të rishikohet nga VAR-i.

VAR për këndet: Kjo mund të përfshijë përdorimin e çipit në top për të kontrolluar vendimet për këndet, veçanërisht kur ato janë të pasakta.

Numërimi i kohës për të rifilluar lojën: Do të vendoset një numërim kohor për rifillimin e lojës pas çdo situate të humbjes së kohës, siç janë këndet dhe goditjet nga porta. Gjithashtu, portierët do të kenë vetëm 8 sekonda për të hedhur topin në lojë.

Rregulla të reja për zëvendësimet: Lojtarët që do të zëvendësohen do të duhet të dalin nga fusha brenda 10 sekondash. Nëse ata vonohen, ata nuk do të mund të zëvendësohen deri në pushimin tjetër të lojës.

Rregullat për lojtarët e dëmtuar: Lojtarët që janë “dëmtuar” dhe kanë nevojë për trajtim do të duhet të qëndrojnë jashtë për 2 minuta, përveç rasteve kur ata janë ndëshkuar me karton të verdhë ose të kuq për një faull.

Reagimet dhe Pritshmëritë

Drejtoresha e IFAB-it, Noel Mooney, ka deklaruar se tema kryesore është përmirësimi i ritmit të lojës dhe reduktimi i humbjes së kohës. Masat e propozuara do të testohen gjatë Kupës së Botës dhe, nëse provohen me sukses, mund të vendosen për të gjitha ndeshjet ndërkombëtare.

Ky ndryshim është një hap tjetër në drejtim të modernizimit të futbollit dhe është një mundësi për të parë si mund të evoluojnë rregullat dhe teknologjia për të përmirësuar përvojën e lojës dhe të tifozëve.

15 vite nga 21 Janari, Rama për Berishën: Deshi të tregonte se të vret me të vërtetë

Kryeministri Edi Rama kujtoi në një ceremoni të posaçme 21 janarin e vitit 2011, ku katër persona mbetën të vrarë në Bulevard gjatë një proteste para Kryeministrisë.

“Për asnjë çast protestuesit nuk tentuan të kapërcejnë gardhin e godinës së Kryeministrisë. Përveç një veture te një derë që u hap nga brenda, si një ftesë në një kurth , askush nga protestuesit nuk bëri asnjë përçapje për të shkelur perimetrin e ashtuquajtur të sigurisë dhe për t’u futur në godinë. Askush nuk provoi praninë e asnjë arme të vetme te protestuesit. Kur protestuesit po largoheshin, tytat e pushkëve u ulën mbi turmën, duke marrë 4 jetë, pasojë fatale e mendjes kriminale, e cila me gjasë nuk deshi ta humbte rastin për t’u treguar kundërshtarëve politikë dhe krejt shqiptarëve se të vret me të vërtetë. Dreqi e di çfarë u tha mendja atyre që e urdhëruan dhe atyre që e ekzekutuan atë krim shtetëror”, tha Rama,.

“Vetëm zoti e di se me çfarë guri në zemër vij për në këtë godinë kur del drita e ditës së 21 janarit.  15 vjet pa drejtësi për 21 Janarin janë 15 vitet e një padrejtësie të madhe jo thjesht për disa, por mbi Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Nuk ka mjaftuar as vendimi rrëqethës i Gjykatës së Strasburgut, që prokurorët specialë të kësaj republike t’ia kishin kërkuar Gjykatës Speciale përgjegjësit për 21 Janarin. Ndërkohë që ne prej plot 6 vitesh u paguajmë rroga ku e ku më të larta se sa vetes dhe Presidentit të Republikës, pa llogaritur heshtjen për gabimet e tyre ndonjëherë shqetësuese”.

Përkeqësohet moti, zonat më problematike për qarkullimin e mjeteve

Policia e Shtetit u ka bërë apel shoferëve që të bëjnë kujdes në të gjitha akset rrugore në vend, për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike këtë të mërkurë.

“Për shkak të reshjeve të borës, qarkullimi është vështirësuar në disa akse rrugore, kryesisht në zonat malore të qarqeve Shkodër, Kukës, Dibër, Korçë dhe në Sarandë. Shërbimet e Policisë Rrugore dhe të Patrullave të Përgjithshme janë në terren me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe për të ndihmuar përdoruesit e rrugës në rast nevoje”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Policia bashkëpunon me entet pronare të rrugëve dhe firmat kontraktore, me qëllim pastrimin e rrugëve nga bora dhe shpërndarjen e kripës. Puna për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve vijon në mënyrë intensive.

Në Qafë Thanë, nuk do lejohet kalimi i kamionëve (rreth 2-3 orë) derisa rruga të pastrohet nga borëpastruesja në tokën maqedonase.

Policia Rrugore apelon që drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes gjatë lëvizjes, respektojnë sinjalistikën rrugore, pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore dhe të ndjekin udhëzimet e shërbimeve të Policisë Rrugore.

Dëborë në Pukë e Fushë-Arrëz, Policia apel drejtuesve të mjeteve: Kujdes…

Gjatë natës, pjesa veriore e vendit ka qenë nën ndikimin e reshjeve të dëborës.

Reshjet e borës kanë përfshirë territorin e bashkisë Pukë dhe Fushë Arrëz. Reshjet vijojnë me intensitet mesatar. Aktualisht nuk raportohet për probleme. Përgjatë segmentit rrugor Bardhet – Kryzi – Iballë duhet kujdes pasi poshtë borës ka shtresa akulli që e bëjnë të rrezikshëm qarkullimin.

Policia e Qarkullimit Rrugor u bën apel drejtuesve të mjeteve që të bëjnë kujdes teksa qarkullojnë përgjatë akseve rrugore që përshkojnë veriun e vendit, teksa nuk do të zbatohet Kodi Rrugor ndaj drejtuesve të mjeteve të cilët nuk janë të pajisur me të gjithë kushtet teknike si gomat dimërore dhe zinxhirët.

Udhëtonte për në Davos, Air Force One i Trump pëson defekt

Aeroplani Air Force One ku udhëtonte presidenti i SHBA, Donald Trump drejt Zvicrës ndryshoi kurs mbi Atlantik dhe u kthye mbrapsht për shkak të një problemi teknik.

Sipas mediave amerikane Trump do të udhëtojë me një aeroplan tjetër për në Davos, ku sot do të mbajë fjalën në forumin Ekonomik Botëror.

Para udhëtimit Trump i ka dyfishuar kërcënimet për të marrë kontrollin e Groenlandës, duke thënë se nuk ka kthim pas.

“Ndoshta mund të gjejmë një zgjidhje me Evropën”, tha Donald Trump në një intervistë për NewsNation.

 “Ndoshta edhe në Davos në ditët në vijim”, shtoi ai.

Groenlanda, përsëriti presidenti, është “e rëndësishme për sigurinë tonë kombëtare, por edhe për sigurinë ndërkombëtare. Ne po ndërtojmë Kupolën e Artë dhe Groenlanda e bën atë shumë më efektive”.

“21 janari”, Rama: 4 protestues nuk prehen dot në paqe, drejtësia i ngjan…

Kryeministri Edi Rama ka përkujtuar 15-vjetorin e 4 vrasjeve të qytetarëve më 21 janar të vitit 2011, në kohën kur PS e drejtuar prej tij organizoi protesta kundër qeverisë “Berisha”.

Rama shkruan në “Facebook”,  se 4 të vrarët ende nuk po prehen dot në paqe, ndërsa gishtin e drejton nga drejtësia, që siç shkruan ai “i ngjan një breshke që lutet për harresë”.

“Mirëmëngjes dhe sot, në 15-vjetorin e një krimi shtetëror të pashembullt në historinë e demokracisë së re shqiptare, kur katër të vrarë ende nuk prehen dot në paqe dhe drejtësia i ngjan një breshke që lutet për harresë, me bindjen që sado të vonojë drejtësia për 21 janarin nuk do të harrojë, ju uroj të gjithëve një ditë të mbarë”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Ngjarja e “21 Janarit” vijon të mbetet një nga episodet më të rënda në historinë e tranzicionit shqiptar, ndërsa procesi i drejtësisë për këtë çështje ka qenë objekt debatesh të vazhdueshme politike dhe institucionale.

Në protestën e PS më 21 janar të vitit 2011 mbetën të vrarë, Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.

Ulen temperaturat, reshje të dendura dëbore në Dibër

I gjithë qarku i Dibrës është përfshirë nga reshje të dendura dëbore të shoqëruar me temperatura të ulëta deri më minus 3 gradë, të cilët kanë sjellë vështirësi në qarkullimin e mjeteve në rrugët nacionale dhe ato rurale.

Akset Bulqizë-Tiranë dhe Bulqizë-Peshkopi kalohen me vështirësi për shkak edhe të ngricave dhe erës së fortë kryesisht në segmentin Qafë e Buallit-Fushë Bulqizë.

Me vështirësi kalohet në aksin Qafë e Buallit-Krastë, probleme dhe me shumë rrugë ruale të njësive të Bashkisë Peshkopi, Bulqizë, Klos dhe Mat.

❌