Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

20:55 Reali i bashkohet Barcelonës dhe Bajernit, garë për yllin e Gjermanisë

Real Madrid është i interesuar për shërbimet e Niko Shlotebek. 26-vjeçari i mbrojtjes së Dortmundit duhet të marrë një vendim, pasi klubi gjerman po ashti i ofron rinovimin e kontratës që përfundon në vitin 2027.

Në garë për shërbimet e Shlotebek janë edhe klube si Barcelona dhe Bajern Mynih. Fakt është se deri tani mungojnë ofertat zyrtare për lojtarin e përfaqësueses gjermane.

Dortmundi e transferoi në vitin 2022 nga Freiburg, ndërsa në total pagoi 20 milionë euro. Për këtë nuk do të heqë dorë nga shërbimet e gjermanit, nëse nuk paraqitet oferta e duhur.

Interesante do të jetë nëse do të lëvizë jashtë Gjermanisë. Deri tani ka preferuar të luajë në vendin e tij./mxh

20:48 Italia merr vendimin të vazhdojë ndihmën ushtarake për Ukrainën në vitin 2026

Italia ka vendosur të vazhdojë të ofrojë ndihmë ushtarake për Ukrainën gjatë vitit të ardhshëm, me një dekret të nënshkruar të hënën nga kryeministrja Giorgia Meloni.

Dekreti miraton dërgimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake për Kievin, duke përforcuar pozicionin e Italisë si një nga partnerët më të besueshëm të Ukrainës brenda NATO-s.

Vendimi për të vazhduar ndihmën ushtarake për 2026-n, i planifikuar fillimisht për fillim-dhjetorin, u shty për shkak të kundërshtimeve nga një prej partnerëve të koalicionit qeverisës.

Partia e djathtë populiste Lega, e udhëhequr nga zëvendëskryeministri Mateo Salvini, kërkoi ndryshime në tekst për të theksuar më shumë ndihmën jo-ushtarake dhe për të sqaruar se dërgimi i armëve shërben vetëm për nevoja mbrojtëse.

Pas diskutimeve, koalicioni tre-partiak ra dakord për disa ndryshime të vogla në formulim, të cilat nuk prekin thelbin e dekretit. Dokumenti gjithashtu parashikon mundësinë e zgjatjes së qëndrimit në Itali për disa qytetarë ukrainas.

Salvini ka qenë kritik ndaj ndihmës ushtarake për Ukrainën, duke theksuar në nëntor se dërgimi i armëve nuk do të zgjidhë konfliktin./mxh

20:36 Alba Pollozhani tregon dhunën fizike të përjetuar: Nuk i tregoja as prindërve!

Banorja e Big Brother VIP Kosova 4, Alba Pollozhani, ka prekur publikun me një rrëfim të rrallë dhe tejet personal, duke zbuluar se në të kaluarën ka qenë viktimë e dhunës fizike nga një burrë. Ajo ka bërë të ditur se këtë përvojë të dhimbshme e ka mbajtur tërësisht për vete, pa ia rrëfyer askujt, as familjes së saj më të afërt.

Gjatë një Prime të fundit, Alba vendosi të flasë shkurt për këtë kapitull të errët të jetës së saj, duke theksuar se është një temë për të cilën nuk ka ndier kurrë rehati të flasë hapur. Sipas saj, kjo ngjarje nuk është ndarë as me prindërit, ndërsa ajo shtoi se dhuna fizike është diçka që nuk e sheh të denjë për t’u trajtuar si temë diskutimi apo ekspozimi publik.

Ky rrëfim erdhi në një moment tensioni të shtuar në shtëpinë e Big Brother, pas një përplasjeje mes vajzave, ku një incident mes Dolces dhe Albes ndezi debate të forta. Situata u përshkallëzua më tej dhe përfundoi me eliminimin e Shkurte Haxhiut, si pasojë e televotimit të “zarfit të zi”, duke e bërë klimën në shtëpi edhe më të ngarkuar emocionalisht.

Deklarata e Albes ka ngjallur reagime të forta te publiku, duke hedhur dritë mbi një anë të panjohur të jetës së saj jashtë kamerave. Rrëfimi i saj ka shtuar një dimension të ri në perceptimin e saj si banore, duke treguar se pas imazhit televiziv fshihen përvoja personale të rënda, që shpesh mbeten larg syrit të publikut./mxh

20:36 Brigitte Bardot dhe djali i saj, të cilin nuk e deshi kurrë!

Brigitte Bardot ishte nënë, gjyshe dhe stërgjyshe. Por fëmija i saj i vetëm mbeti gjithmonë në hije, larg vëmendjes. I lindur në vitin 1959 nga martesa e nënës së tij, në kulmin e famës së saj, me Jacques Charrier, një aktor dhe producent, Nicolas-Jacques Charrier është tani 65 vjeç, i rritur me të atin larg syve të publikut gjatë gjithë jetës së tij.

Për BB, amësia nuk ishte kurrë një zgjedhje. “Kam pasur një fëmijë, por nuk mund të thuash që kjo foshnjë e varfër erdhi në kohën e duhur dhe më dha atë që më mungonte”, rrëfeu Brigitte per Le Parisien në vitin 2021. Në autobiografinë e saj,” They Call Me B.B”., ajo shkoi edhe më tej: “Do të kisha preferuar të lindja një këlysh”, madje duke e krahasuar shtatzëninë e saj me “një tumor, i cili ishte ushqyer me mua, të cilin e kisha mbajtur në barkun tim të fryrë, duke pritur vetëm momentin e bekuar kur më në fund do të çlirohesha prej tij”. Të ndarë në vitin 1962, Bardot dhe Charrier luftuan për kujdestarinë e djalit të tyre. Gjykata vendosi në favor të babait.

Nicolas-Jacques u rrit larg shkëlqimit dhe syve te publikut, në anonimitet, nën tutelën e Charrier. Më 27 shtator 1984, ai u martua me modelen norvegjeze Anne-Line Bjerkan në Béhoust, Yvelines. Familja u vendos në Norvegji, ku Nicolas Charrier jeton ende edhe sot. Nga martesa lindën dy vajza: Anna dhe Théa, të cilat e bënë Brigitte Bardot gjyshe dhe më pas stërgjyshe.

Në fakt, ajo kishte tre stërnipër e stërmbesa që flisnin vetëm norvegjisht, duke e bërë të vështirë për të komunikimin me të. Megjithatë, me kalimin e kohës, marrëdhënia e Nicolas me nënën e tij u zbut. “Ne flasim rregullisht. Duke jetuar në Norvegji, ai vjen të më vizitojë një herë në vit në La Madrague, vetëm ose me familjen e tij, gruan e tij, mbesat e mia”, tha Brigitte Bardot në rrëfim në vitin 2018. Por kjo lidhje mbeti e brishtë. “I premtova Nicolas se nuk do të flisja kurrë për të në intervistat e mia”, tha ajo për Paris Match në qershor 2024, duke respektuar kështu privatësinë e djalit të saj./mxh

20:26 Alkooli gjatë festave/ Apeli i Ministrisë: Tregoni kujdes, rrezik për helmim akut

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale ka ndarë një apel mbi konsumin e alkoolit gjatë ditëve të festave.

Përmes një njoftimi, Shefi i Shërbimit të Toksikologjisë, doktor Andrin Tahiri ka bërë thirrje për kujdes të shtuar, për shkak të rrezikut të helmimit akut që mund të sjellë tepria me alkoolin.

“Festat po afrojnë, bilancet bëhen mbasi kalojnë festat edhe shikojmë cili ka qenë trendi dhe cila ka qenë asistenca mjekësore që kemi ofruar, por eksperienca e viteve të kahershme normalisht që na lënë në vigjilje.
Stafi është gati, i përgatitur, në bashkëpunim me stafin e urgjencës polivalente. Ju japim asistencë mjekësore të gjithëve që kanë nevojë.
Mbas protokolleve tona, këtë periudhë ne ndeshim me helmime akute. Pra me konsumimin e alkoolit me tepri, deri në atë moment që mund të bëjë dëme për shëndetin. Kanë nevojë për asistencë mjekësore nga bluzat e bardha.
Zgjedhjet e gabuara mund të lënë pasoja për një kohë shumë të gjatë. Alkooli dhe droga nuk ju bëjnë kurrë më interesant. Vendimet e qarta po. Festoni fort, gëzoni fort, pa i bërë dëm vetes. Kush di të dojë veten, di të bëjë zgjedhjen e duhur”,-u shpreh Tahiri./mxh

20:16 “Opozita, më e fuqishme se kurrë”/ Berisha paralajmëron: Vitin 2026 e nisim me protesta

Kreu i Partisë Demorkatike, Sali Berisha ka deklaruar sot se viti i ri do të nisë me protesta të tjera nga opozita.

Në fjalën e tij në “Foltoren 2”, Berisha theksoi se se opozita është më e fuqishme dhe më e vendosur se kurrë për të vijuar me protesta, deri në largimin nga pushteti të qeverisë socialiste.

“Miq, ne mbyllim sot protestën tonë për të filluar vitin po me protesta. Kudo që shkoj gjej një vendosmëri absolute për t’u ndarë me këtë të keqe sa më shpejt. Shqiptarët presin me padurim largimin e kësaj bande nga pushteti. Iu garantoj ju se opozita është sot më e fuqishme se kurrë. Është sot më e vendosur se kurrë të përmbushë misionin e saj. Askush nuk duhet të harrojë se forca e idealeve është më e madhe se e të gjitha armëve. Se ata që qëndrojnë për ideale janë të pamposhtur dhe fitojnë. Se këtij regjimi, çdo ditë dhe çdo orë që kalon, ky regjim është në shkërmoqje, është në kalbëzim dhe në rënie”,-u shpreh Berisha./mxh

20:07 Zbulohen motivet/ Ja pse u refuzua kërkesa e demokratëve për mbledhjen e Këshillit të Mandateve për Ballukun

Kuvendi i Shqipërisë ka ndarë sot motivet e refuzimit të kërkesën e demokratëve për zhvillimin e mbledhjes së Këshillit të Mandateve për rastin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke arsyetuar përse kanë marrë këtë vendim.

Përmes një njoftimi të rastit, Kuvendi thekson se mbledhja është shtyrë për arsye proceduriale dhe shqyrtimi i çështjes vijon të jetë i hapur, teksa nuk ekziston bazë proceduriale për thirrjen e një mbledhjeje tjetër me rend dite të paracaktuar, sipas kërkesës së paraqitur nga përfaqësuesit e opozitës.

“Në përgjigje të kërkesës suaj për thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ju bëj me dije sa vijon: Mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/zëvendëskryeministrit është thirrur dhe është zhvilluar në datën 19 dhjetor 2025, në përputhje me nenin 13 të Rregullores së Kuvendit.
Me thirrjen dhe zhvillimin e kësaj mbledhjeje, kompetenca proceduriale për thirrjen e Këshillit lidhur me këtë çështje është ezauruar, pasi çështja është vendosur në rend dite dhe është hapur për shqyrtim që nga data 19.12.2025. Sipas nenit 13, pika 6, të Rregullores së Kuvendit, caktimi i rendit të ditës, së mbledhjes, përbën kompetencë të Kryetarit të Kuvendit dhe ushtrohet në funksion të ecurisë proceduriale të çështjes së hapur.
Për sa kohë mbledhja e datës 19 dhjetor 2025 është shtyrë për arsye proceduriale dhe shqyrtimi i çështjes vijon të jetë i hapur, nuk ekziston bazë proceduriale për thirrjen e një mbledhjeje tjetër me rend dite të paracaktuar, sipas kërkesës së paraqitur. Në mbledhjen e Këshillit të datës 19 dhjetor 2025, gjatë shqyrtimit të çështjes në fjalë, u konstatua mungesa e një dakordësie ndërmjet anëtarëve të Këshillit lidhur me afatin kohor që duhej t’i lihej palës mbrojtëse për ushtrimin efektiv të së drejtës për njohje me aktet dhe provat e paraqitura nga Prokuroria e Posaçme.
Përfaqësuesi ligjor i znj. Belinda Balluku, duke iu referuar ligjit, kërkoi 3 javë kohë për t’u përgatitur për mbrojtjen ligjore në kuadrin e garantimit të një procesi të rregullt ligjor, diskutimet u përqendruan në përcaktimin e një date për zhvillimin e mbledhjes pasuese të Këshillit, me qëllim dëgjimin e palëve.
Deputetët e opozitës kërkuan një afat prej 3 ditësh, ndërsa deputetët e mazhorancës e lidhën kërkesën e tyre me
– shqyrtimin e çështjes nga Gjykata Kushtetuese dhe
– të drejtën e deputetes znj. Belinda Balluku për të marrë kohën e kërkuar nëpërmjet përfaqësuesit ligjor z. Ardian Kalia.
Në këto kushte, dhe në respekt të nenit 42 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe të parimit të procesit të rregullt ligjor, Kryetari i Kuvendit njoftoi shtyrjen e mbledhjes, pa përcaktuar një datë të menjëhershme tjetër.
Po ashtu, sipas nenit 118 të Rregullores së Kuvendit, shqyrtimi i kërkesave të Prokurorisë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin ose heqjen e lirisë së një deputeti zhvillohet mbi bazën e një procedure që garanton të drejtën e mbrojtjes dhe një shqyrtim të plotë të dokumentacionit përkatës. Për sa kohë ky proces nuk është përmbyllur dhe palët nuk janë pajisur realisht me kohën e nevojshme për ushtrimin e kësaj të drejte, nuk plotësohen kushtet procedurale për caktimin e një date të re mbledhjeje.
Gjithashtu Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, si përfaqësues i sovranitetit të popullit, ka detyrimin kushtetues të garantojë zbatimin e Kushtetutës dhe të ligjit, veçanërisht në rastet kur Gjykatës Kushtetuese i është kërkuar shprehimisht të japë një vendim mbi një çështje që lidhet drejtpërdrejt me shqyrtimin parlamentar, si në rastin konkret.
Në këto rrethana, kërkesa për thirrjen e mbledhjes së Këshillit, nuk pranohet. Mbledhja e radhës e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të thirret në momentin kur të jenë përmbushur plotësisht kushtet procedurale të parashikuara në Rregulloren e Kuvendit”,-thuhet në njoftim./mxh

19:56 Ministri i Jashtëm ukrainas: Rusia po kërkon “justifikime të rreme” për të sulmuar përsëri

Moska po kërkon “justifikime të rreme” për të kryer sulme të mëtejshme në Ukrainë, deklaroi sot ministri i Jashtëm ukrainas, duke u bërë thirrje liderëve botërorë të dënojnë atë që e cilësoi si manipulim të hapur nga Rusia.

Duke iu referuar akuzave të Moskës për një sulm të pretenduar ukrainas ndaj rezidencës së presidentit rus Vladimir Putin, ministri i Jashtëm Andriy Sibikha tha se kjo është “një taktikë standarde ruse: të akuzosh palën tjetër për diçka që po e bën ose po planifikon ta bësh vetë”. Deklarata u bë përmes një postimi në platformën X.

Më herët, edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i hodhi poshtë akuzat ruse, duke i cilësuar ato si “të rreme”. Ai bëri të ditur se e ka diskutuar çështjen edhe me kancelarin gjerman Friedrich Merz.

“Këto janë gënjeshtra”, tha Zelensky, duke shtuar se Rusia synon të minojë përparimin e arritur mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara në bisedimet për paqe.

Në të njëjtën kohë, presidenti ukrainas paralajmëroi se Rusia mund të jetë duke përgatitur sulme ndaj ndërtesave qeveritare në Kiev dhe i bëri thirrje SHBA-së të reagojë në përputhje me kërcënimet që vijnë nga Moska./mxh

19:45 Protestat para Kryeministrisë/ Berisha: Nuk largohemi nga sheshi pa shporrur Ramën

Krydemokrati Sali Berisha deklaroi sot në protestën e opozitës së demokratët nuk do të largohen nga sheshi para Kryeministrisë derisa të largojnë nga detyra kryeministrin Edi Rama.

Në fjalën e tij, Berisha akuzoi Ramën si politikanin që ka vjedhur dhe përçmuar më shumë shqiptarët të gjithë historinë kombëtare.

“Qëndroni dhe do qëndrojmë në këtë shesh, Sheshin e Lirisë, gjersa nga ajo ndërtesë të shporrim atë që ka vjedhur dhe ka përçmuar më shumë shqiptarët në tërë historinë tonë kombëtare, Edi Ramën.
Të dashur miq, një vajzë para meje, para jush, ftoi këtu që Edi Ramën të mos e quajmë më kryeministër.
Unë u ftoj ju dhe shqiptarët që sot e tutje, Edi Ramën ta thërrasim me gjuhën, fjalorin, zhargonin e koordinatorit të tij, Gys Agasi, Kapoja. Në të gjithë gjuhën, edhe kur rrihte me grushta Ulsi Manjën në zyrat e tij, i thoshte se më ka urdhëruar Kapoja.
Pra, nuk janë më zyrtarë, por këta janë një bandë që nuk e ka parë ndonjëherë kjo tokë dhe e pashembullt jo vetëm në Shqipëri, por u garantoj dhe as në Europë dhe botë ndoshta”,-deklaroi Berisha./Mxh

19:37 Gaz Bardhi sulmon Gjykatën Kushtetuese

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka ndarë një qëndrim që më tepër i ngjason një sulmi ndaj Gjykatës Kushtetuese.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi ka reaguar pas një sqarimi të Kushteueses që përgënjeshtron deklaratat e bëra ndaj çështjes së Belinda Ballukut.

Bardhi i konsideron argumentet e dhëna nga kjo gjykatë si idiotësi kushtetuese dhe hedh akuza për standarde të dyfishta.

“I vetmi shpjegim me vlerë për publikun që duhet të japë Gjykata Kushtetuese është ky: cilat qenë arsyet dhe motivet që e çuan t’i nënshtrohej presionit të Kryeministrit në çështjen Balluku, duke treguar papërgjegjshmëri dhe mungesë të theksuar integriteti. Sqarimi i kësaj rrethane do ta çlironte Gjykatën Kushtetuese nga pengmarrja politike dhe do t’i zvogëlonte hendekun e mosbesimit tek kjo gjykatë.
Po ashtu, do të bënin mirë që të shkruanin po kaq gjatë sa sqarimi për publikun, edhe argumentet kushtetuese për pezullimin e një vendimi gjyqësor penal, me efekt individual, me kërkesë të një institucioni kushtetues, siç është Kryeministri!
Deri më sot, s’kanë dhënë asnjë argument kushtetues, përveç idiotësisë kushtetuese se lufta e sistemit të drejtësisë ndaj korrupsionit cënon interesat shtetërore më shumë se vetë korrupsioni qeveritar në një aferë 1.1 miliard euro.
Njësoj e domosdoshme për besueshmërinë e Gjykatës Kushtetuese mbetet sqarimi për dy standardet e ndjekura: se pse 1/5 e deputetëve nuk legjitimohen për të kërkuar interpretim për masat ndaj një deputeti, ndërsa Kryeministri legjitimohet për të kërkuar interpretim për masat ndaj një ministri.
Kur t’i kenë sqaruar këto, mund të bëjnë edhe një deklaratë përgënjeshtruese ndaj vetes dhe presionit të jashtëzakonshëm që Kryeministri po ushtron për këtë çështje!
Dhe, pasi t’i kenë bërë të gjitha këto, ne të tjerët, s’do të kemi nevojë të dalim dhe t’u themi shqiptarëve një të vërtetë të madhe: që, përmes pengmarrjes së disa anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Edi Rama po tenton të pengojë drejtësinë dhe të marrë në mbrojtje korrupsionin qeveritar”,-shprehet Bardhi./mxh

22:57 LVV kryeson numërimin/ Abdixhiku: Nuk përjashtoj dorëheqjen si kreu i LDK-së

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka ndarë një qëndrim lidhur me rezultatet e deritanishme nga numërimi i votave nga zgjedhjet e së dielën në Kosovë.

Teksa nga të dhënat më të fundit, nga numërimi kryeson Lëvizja Vetëvendosje, Abdixhiku ka deklaruar se nuk përjashton dorëheqjen ng drejtimi i LDK-së, si shenjë reflektimi.

Ndërkohë, Abdixhiku ka ndarë një mësazh urimi për kreun e LVV, Albin Kurti.

“Të gjitha janë në diskutim në Kuvendin e Përgjithshëm, natyrisht edhe dorëheqja, pa diskutim. E uroj fituesin, sepse Kosova ka nevojë për demokraci funksionale”,-tha Abdixhiku./mxh

22:51 LVV kryesoi në zgjedhje/ Kurti: Fitoi populli i Kosovës, na presin shumë punë

Last Updated on 28/12/2025 by Monika

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pak minuta më parë, pas publikimit të rezultateve paraprake të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Në fjalën e tij në një deklaratë për shtyp, Kurti theksoi se kjo shënon fitore për popullin e Kosovës.

Kurti ftoi partitë opozitare që të bashkëpunojnë në interes të qytetarëve.

“Fitoi populli i Kosovës dhe Republika. Urime fitorja më e madhe në historinë e vendit. Tani na presin shumë punë përpara. Rezultati i sotëm tregon se duhet të ecim para pa vonesa. Sa më parë të certifikohet rezultati aq më shpejt do të vijojmë me projektet. Ftoj nga tani partitë opozitare për bashkëpunim në Kuvend për marrëveshjet ndërkombëtare, për ligjet e mira dhe për interesin publik të qytetarëve të Republikës. Edhe një herë urime, secilit pa dallim, fitoren historike, që është në rrugë të mbarë të tejkalojë edhe 14 shkurtin 2021. Ishte një ditë e gjatë përveçse e bukur dhe e rëndësishme”,-tha Kurti./mxh

22:45 Protestat në Vlorë/ Berisha: Ua zunë galanë në fyt, hajdutët zhgërryhen në salltanete

Kryedemokrati Sali Berisha ka reaguar lidhur me protestën e zhvilluar në Vlorë, nga qytetarët që shprehin shqetësimin e mungesës disa-ditore të ujit të pijshëm.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha akuzon socialistët për vjedhje, ndërsa vetë marrin pjesë në festa të mëdha të fundvitit.

“Ju lumtë qytetarëve të Vlorës, që ua zunë galanë në fyt, hajdutëve që i kanë lënë banorët 3 ditë pa ujë dhe vetë zhgërryhen në festa e salltanete”,-shkruan Berisha./mxh

22:36 “Vlora, qytet që nuk dorëzohet”/ Vokshi për protestat: Uji mungon, përgjegjësit heshtin

Deputetja demokrate, Albana Vokshi ka reaguar mbi situatën në qytetin e Vlorës, ku shumë qytetarë protestuan për mungesën e ujit të pijshëm prej ditësh.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Vokshi shprehet se banorët mbetën pa ujë në mes të dimrit, teksa përgjegjësit heshtin ndaj mungesës së kësaj nevoje jetike.

“Vlorë, qytet që nuk dorëzohet.
Qytetarët e Vlorës kanë dalë në protestë sepse prej disa ditësh janë lënë pa ujë.
Në mes të dimrit, në një qytet bregdetar, uji mungon, ndërsa përgjegjësit heshtin.
Kjo nuk është politikë, kjo është nevojë jetike.
Kjo nuk është luks, është e drejtë.
Mesazhi është i qartë: “Ju gala, ne pa la!”
Vlorë, zëri yt është i drejtë dhe i fortë”,-shkruan Vokshi./mxh

22:25 Duka uron Dinamon për fitimin e Superkupës: Triumf i merituar

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka uruar Dinamon për fitimin e Superkupës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i FSHF-së ka përgëzuar ekipin kryeqytetas për suksesin e arritur. Duka ka vlerësuar faktin që Dinamo, brenda një viti kalendarik, ka arritur të fitojë dy trofe të rëndësishëm, pas suksesit edhe në Kupën e Shqipërisë.

“Urime Dinamo City-t për fitimin e Superkupës së Shqipërisë, një tjetër trofe që pason suksesin në Kupën e Shqipërisë 2024–2025 dhe dëshmon punën e bërë gjatë gjithë sezonit futbollistik. Urime stafit, futbollistëve dhe drejtuesve për këtë triumf të merituar. Urime edhe për Egnatian, fituesja e fundit e këtij trofeu, për një duel shumë korrekt dhe sportiv. Suksese të dyja ekipeve në vazhdimin e kampionatit”, shkruan Armand Duka./mxh

22:21 Numërimi i votave në Kosovë/ Rezultatet deri në orën 22:00, kryeson LVV

Last Updated on 28/12/2025 by Monika

KQZ Kosovë ka ndarë të dhënat më të fundit lidhur me numërimin e kutive të votimit nga zgjedhjet e kësaj së diele.
Sipas të dhënave, janë përpunuar 874,327 vota nga 1,999,204 në total ose 43,73%.

Deri më tani janë procesuar 2,458 vendvotime nga 2,557 gjithsej ose 96,13%.

Të dhënat në përqindje sipas partive:

Lëvizja VETËVENDOSJE! me 49,80% ose 422,002 vota

Partia Demokratike e Kosovës – PDK me 21,18% ose 179,489 vota

Lidhja Demokratike e Kosovës – LDK me 13,77% ose 116,712 vota

Aleanca Për Ardhmërinë e Kosovës- AAK me 5,74% ose 48,612 vota

Srpska Lista me 3,86% ose 32,719 vota./mxh

22:12 Zelensky mbërrin në Florida/ Nis takimin me presidentin Donald Trump

Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky mbërriti në Florida për takimin me Presidentin e SHBA-ve Donald Trump. Përmes këtij takimi priten përparime pas javësh bisedimesh të intensifikuara që synojnë t’i japin fund luftës gati katërvjeçare me Rusinë.

Duke qëndruar pranë Zelensky-t në rezidencën e tij Mar-a-Lago Trump tha se beson që si udhëheqësi ukrainas ashtu edhe Presidenti rus Vladimir Putin duan të arrijnë paqen.

“Unë besoj se kemi të gjitha kushtet për një marrëveshje që është e mirë për Ukrainën, e mirë për të gjithë. Kjo është shumë e rëndësishme. Nuk ka asgjë më të rëndësishme në agjendën time”,-tha Trump.
Zelensky ka punuar me delegacione nga SHBA-ja dhe aleatët e tjerë perëndimorë mbi një propozim të rishikuar prej 20 pikash që udhëheqësi ukrainas tha të premten se është rreth 90 përqind gati.

Zelensky u tha gazetarëve se ai erdhi deri në Mar-a-Lago sepse është shumë e rëndësishme që ekipet të flasin për strategjinë./mxh

22:04 Protestat për ujin e pijshëm/ Zhupa: Socialistët e kanë shkatërruar Vlorën dhe Shqipërinë

Deputetja demokrate, Ina Zhupa ka reaguar sot lidhur me protestën e zhvilluar nga qytetarët e Vlorës, prej mungesës disa ditore të ujit të pijshëm.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zhupa shprehet se socialistët e kanë shkatërruar Vlorën dhe Shqipërinë, teksa shpreh edhe mbështetjen e plotë ndaj protestuesve.

“Brunilda Mersini, kryebashkiakja e Vlorës, mësohet të ketë thënë : Pse ankohet populli për ujë dhe nuk lahen me shampanjë?!

E kanë shkatërruar Vlorën dhe Shqipërinë dhe jetojnë në botën paralele me koncerte, ballo, verë e tendera!!

Ju lumtë protestuesve vlonjat, plot dinjitet dhe qytetari”,-shkruan Zhupa./mxh

21:59 Një pilot humbi jetën dhe një tjetër u lëndua rëndë pas përplasjes mes dy helikopterëve pranë një aeroporti në New Jersey

Të paktën një person raportohet se ka vdekur pasi dy helikopterë u përplasën në ajër dhe u rrëzuan pranë një aeroporti në New Jersey.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, përplasja e tmerrshme ndodhi në orën 11:25 të mëngjesit të dielën pranë Hammonton Municipal Airport.

Shefi i Policisë së Hammonton, Kevin Friel, tha se një person ka vdekur dhe një tjetër u dërgua me urgjencë në një spital aty pranë me lëndime kërcënuese për jetën.

FAA konfirmoi se përplasja ndodhi midis një helikopteri Enstrom F-28A dhe një Enstrom 280C dhe se vetëm pilotët ishin në bord.

Dhe pamjet e dëshmitarëve okularë të postuara në mediat sociale nga një parking aty pranë tregojnë tym të zi të trashë që ngrihet mbi vendin e përplasjes.

Një tjetër klip kapi një helikopter që dilte nga kontrolli përpara se të përplasej në tokë.

Departamenti i Zjarrfikësve të Hammonton konfirmoi se iu përgjigj një ‘incidenti të lidhur me aviacionin’ pranë Basin Road.

Zyrtarët u kanë kërkuar banorëve të shmangin zonën ndërkohë që shkaku i përplasjes mbetet i panjohur./mxh

 

21:48 Dinamo fiton Superkupën e Shqipërisë, “leksion” ndaj kampionëve të Egnatias

Dinamo fitoi Superkupën e Shqipërisë pas triumfit 3-1 ndaj Egnatias në finalen e zhvilluar në stadiumin “Air Albania”.

Egnatia kaloi e para në avantazh në minutën e 9-të me golin e Ruçit dhe e mbylli pjesën e parë në epërsi. Në pjesën e dytë, Dinamo reagoi dhe barazoi në minutën e 54-t me Bregun.

Katër minuta më vonë, Nani realizoi golin e përmbysjes për kryeqytetasit. Dinamo vijoi të kontrollojë lojën edhe në minutat pasuese.

Në kohën shtesë, arbitri akordoi penallti për Dinamon pas rishikimit me VAR. Klevi Qefalija e shndërroi në gol, duke vulosur rezultatin 3-1.

Me këtë sukses, Dinamo siguroi trofeun e Superkupës së Shqipërisë./mxh

❌