Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka bërë të qartë se të huajt që emigrojnë në SHBA duhet ta mbajnë veten me punë, dhe jo të bëhen barrë e shtetit.
Prandaj, të mërkurën e 14 janarit vendosi ta pezullojë përkohësisht lëshimin e vizave të emigrimit nga 75 vende të botës, përfshirë Kosovën.
Tani, Departamenti amerikan i Shtetit po e bën rishikimin e plotë të të gjitha politikave, rregulloreve dhe udhëzimeve, për t’u siguruar që emigrantët nga këto shtete – që autoritetet amerikane i cilësojnë si vende me rrezik të lartë – të mos i shfrytëzojnë ndihmat sociale të shtetit amerikan dhe të mos bëhen barrë e parasë publike, shkruan Evropa e Lirë.
Vendimi, i cili prek edhe kosovarët që duan të aplikojnë për vizë emigrantësh, e njohur më shumë si “Green Card”, do të hyjë në fuqi më 21 janar 2026.
Më poshtë mund të lexoni krejt çfarë duhet të dini për këtë çështje.
Çfarë është viza e emigrimit?
Viza e emigrimit është vizë që ia mundëson një shtetasi të huaj të hyjë në Shtetet e Bashkuara, me qëllim që të jetojë atje përjetë. Pra, në thelb, kjo vizë është bileta që ia mundëson përfituesit të bëhet ligjërisht banor i përhershëm në SHBA, si mbajtës i “Green Card”.
Kjo vizë u lëshohet atyre që duan të zhvendosen përherë në SHBA, në vend se ta vizitojnë përkohësisht për turizëm, studime ose punë.
Pasi i pranohet viza, personi zakonisht fiton të drejtën për të jetuar përherë në SHBA, për të punuar pa kufizime, dhe përfundimisht për të aplikuar për shtetësi amerikane.
A lejohet aplikimi për vizën e emigrimit gjatë periudhës së pezullimit?
Po. Shtetasit nga vendet e prekura nga vendimi i Trumpit mund të bëjnë kërkesë për vizë dhe mund të marrin pjesë në intervistë.
Departamenti i Shtetit njoftoi se do të vazhdojë të caktojë terminë për intervista, pavarësisht se gjatë kohës së pezullimit nuk do të lëshojë viza të emigrimit për shtetasit e 75 vendeve të prekura.
Kush nuk preket nga ky pezullim?
Shtetasit me dy shtetësi që aplikojnë me pasaportë të vlefshme të një vendi që nuk është i futur në listën e 75 vendeve të prekura nuk preken nga ky vendim.
Për shembull, nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Serbia nuk preket nga ky vendim.
Si ndikon pezullimi tek ata që kanë vizë të vlefshme?
Vendimi i Trumpit nuk ndikon tek ata që tashmë kanë vizë të vlefshme të emigrimit. Pra, vendimi nuk kërkon heqjen e vizave të lëshuara paraprakisht.
A vlen vendimi për vizat turistike?
Jo. Ky vendim vlen vetëm për aplikantët për vizë të emigrimit. Vizat turistike nuk janë viza emigrimi, prandaj edhe nuk preken.
Pse e mori Trump këtë vendim?
Presidenti amerikan tha se një përqindje tejet e lartë e të huajve që janë zhvendosur në Shtetet e Bashkuara, përmes vizës së emigrimit, nuk punojnë – por varen nga ndihmat sociale amerikane.
Ai nuk dëshiron që të huajt që synojnë të emigrojnë në Shtetet e Bashkuara të bëhen barrë e parasë publike dhe ndihmave të shtetit.
Për shembull, 46 për qind e shtetasve të Kosovës që kanë shkuar në SHBA përmes vizës së emigrimit marrin ndihma sociale nga Qeveria amerikane, sipas listës së publikuar nga Trump në rrjetet sociale më 4 janar.
SHBA-ja i kishte lëshuar 6.674 viza emigrimi për kosovarët në 10 vjetët e fundit, apo mesatarisht rreth 670 viza në vit, sipas të dhënave të Departamentit të Shtetit.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Qeverinë në detyrë të Kosovës për të marrë një koment prej saj për këtë çështje, por deri në momentin e publikimit të këtij teksti nuk ka pranuar një përgjigje.
Butani i prin listës, pasi 81.4 për qind shtetasve të tij që janë zhvendosur në SHBA përmes vizës së emigrimit, jetojnë me ndihma sociale.
Të dhënat zyrtare tregojnë se Shtetet e Bashkuara kishin lëshuar mbi 612.000 viza emigrimi në gjithë botën në vitin 2024, që është më shumë së në vitin paraprak (562.976).
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti një ditë më parë takoi përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Kurti në një postim në X shkruan se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj normalizimit të plotë dhe dialogut konstruktiv në Bruksel, ndërsa kërkoi tërheqjen e letrës së paraqitur nga ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq në EEAS dhe dorëzimin e Milan Radoiçiqit.
“Dje, mirëprita Përfaqësuesin Special të BE-së Peter Sørensen në takimin tonë të parë pas zgjedhjeve të dhjetorit në Kosovë.
Kosova mbetet e përkushtuar ndaj normalizimit të plotë dhe dialogut konstruktiv në Bruksel. Përparimi domethënës kërkon besim të mirë, duke përfshirë tërheqjen e letrës së paraqitur nga ish-kryeministrja serbe Brnabiq në EEAS dhe dorëzimin e Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij për t'u përballur me drejtësinë në Kosovë për sulmin paraushtarak dhe terrorist në Banjskë, si dhe nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit/Ohrit si garanci ligjore për rrugën përpara”, shkruan Kurti.
Ai tutje theksoi se Kosova ka një mandat demokratik të rifreskuar që siguron përfaqësim të besueshëm në dialog. /Telegrafi/
Yesterday, I welcomed EU Special Representative Peter Sørensen for our first meeting following Kosova’s December elections.
Kosova remains committed to full normalization and constructive dialogue in Brussels. Meaningful progress requires good faith, including the withdrawal of… pic.twitter.com/KlHFDTlcbB — Albin Kurti (@albinkurti) January 15, 2026
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar zyrtarisht pas vendimit të Departamentit të Shtetit për pezullimin e lëshimit të vizave emigruese për një listë vendesh, përfshirë Shqipërinë.
Ambasada në një njoftim sqaron se vendim prek vetëm vizat e reja emigruese dhe nuk ndikon në vizat turistike ose ato që janë lëshuar më parë.
Përditësime mbi Përpunimin e Vizave Emigruese për Shtetasit nga Vendet me Rrezik të Lartë të Përdorimit të Përfitimeve Publike
Presidenti Trump ka bërë të qartë se emigrantët duhet të jenë financiarisht të vetë-mjaftueshëm dhe të mos përbëjnë barrë financiare për amerikanët. Departamenti i Shtetit po kryen një rishikim të plotë të të gjitha politikave, rregulloreve dhe udhëzimeve për të siguruar që emigrantët nga këto vende me rrezik të lartë të mos përdorin ndihma sociale në Shtetet e Bashkuara dhe të mos konsiderohen barrë publike.
Duke filluar nga 21 janari 2026, Departamenti i Shtetit do të pezullojë lëshimin e të gjitha vizave emigruese për aplikantët që janë shtetas të vendeve të mëposhtme:
Afganistan, Shqipëri, Algjeri, Antigua dhe Barbuda, Armeni, Azerbajxhan, Bahamas, Bangladesh, Barbados, Bjellorusi, Belize, Butan, Bosnje dhe Hercegovinë, Brazil, Birmani, Kamboxhia, Kamerun, Kepi i Gjelbër, Kolumbi, Bregu i Fildishtë, Kubë, Republika Demokratike e Kongos, Dominikë, Egjipt, Eritre, Etiopi, Fixhi, Gambia, Gjeorgji, Ganë, Grenadë, Guatemalë, Guine, Haiti, Iran, Irak, Xhamajkë, Jordani, Kazakistan, Kosovë, Kuvajt, Republika e Kirgistanit, Laos, Liban, Liberi, Libi, Moldavi, Mongoli, Mali i Zi, Marok, Nepal, Nikaragua, Nigeri, Maqedoni e Veriut, Pakistan, Republika e Kongos, Rusi, Ruandë, Shën Kits dhe Nevis, Shën Luçia, Shën Vincent dhe Grenadinat, Senegal, Sierra Leone, Somali, Sudani i Jugut, Sudan, Siri, Tanzani, Tajlandë, Togo, Tunizi, Ugandë, Uruguai, Uzbekistan dhe Jemen.
Pyetje të Shpeshta
Çfarë ndodh me takimin tim për intervistën e vizës emigruese?
Aplikantët për vizë emigruese që janë shtetas të vendeve të prekura mund të dorëzojnë aplikimet për vizë dhe të marrin pjesë në intervista, dhe Departamenti do të vazhdojë të caktojë takime për aplikantët, por asnjë vizë emigruese nuk do të lëshohet për këta shtetas gjatë kësaj periudhe pezullimi.
A ka ndonjë përjashtim?
Shtetasit me dyshtetësi që aplikojnë me një pasaportë të vlefshme të një vendi që nuk është i listuar më sipër janë të përjashtuar nga ky pezullim.
A ndikon kjo në vizën time aktuale të vlefshme?
Asnjë vizë emigrimi nuk është hequr si pjesë e këtij udhëzimi. Për pyetje që lidhen me hyrjen në Shtetet e Bashkuara, ju referojmë te Departamenti i Sigurisë Kombëtare i Shteteve të Bashkuara.
A zbatohet kjo për vizat turistike?
Jo, ky pezullim zbatohet vetëm për aplikantët e vizave emigruese. Vizat turistike janë viza jo-emigruese.
Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e sotëm në Korçë, pasi një banesë ka marrë flakë.
Për pasojë ka ndërruar jetë brenda banesës shtetasja Fluturie Potka, 70 vjeç, si pasojë e tymit.
Top Channel njofton se shërbimet zjarrfikëse dhe Policia ndodhen në vendngjarje.
Një banore e zonës u shpreh “Ajo jetonte vetëm. Ka një djalë këtu, por nuk donte të shkonte të jetonte me të edhe pse ai i thoshte që të jetonin bashkë. Ishte e paralizuar nuk dilte. E ndihmonin gratë e lagjes për t’i bërë pazaret, i nxirrte nga ballkoni me një qese me litar”.
Ndërsa një fqinje tjetër u shpreh “Ka qenë një grua që kujdesej për të e cila ka hapur derën e jashtme dhe ka parë tymin ndërsa ka kërkuar ndihmën e fqinjëve të tjerë të pallatit për të lajmëruar zjarrfikësen. Fqinjët jashtë kamerave thonë se shkak i zjarrit mund të jetë bërë një cigare e ndezur nga e moshuara pasi ajo ishte duhanpirëse”.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku sot ishte i pranishëm në Reçak, në nderim të viktimave të masakrës së Reçakut, që ndodhi 27 vjet më parë.
Abdixhiku në një deklaratë për media tha se Reçaku nuk harrohet dhe se drejtësia për Reçakun gjithmonë do të kërkohet.
“Sot shënojnë dhe njëkohësisht nderojmë viktimat e masakrës së Reçakut, një nga ngjarjet më tragjike të kontinentit të Evropës, së historisë moderne të Evropës. Në mëngjesin e hershëm, të 15 janarit 45 civilë burra, gra, të rinj e të reja, fëmijë e të moshuar u masakruan nga forcat paramilitare serbe, duke dhënë kështu një tronditje jo veç në Kosovë, por edhe një tronditje ndërkombëtare e cila u dokumentua si krim njerëzor nga institucionet ndërkombëtare dhe në atë kohë nga ambasadori Walker”, tha ai.
Tutje, kryetari i LDK-së tha në këtë ditë kujtohen viktimat dhe nderohet sakrifica e popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe për çlirim, për të drejtën për të jetuar të liri me dinjitet.
“Lavdi të rënëve për këtë liri, lavdi viktimave të Reçakut. Reçaku nuk harrohet, drejtësia për Reçakun gjithmonë do të kërkohet”, u shpreh Abdixhiku. /Telegrafi/
Ministrja e Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali ka shpjeguar lidhur me vendimin e DASH për bllokimin e vizave për 75 vende, përfshirë Shqipërinë.
Sipas Spiropalit, SHBA nuk ka bllokuar lëvizjet dhe udhëtimin e shqiptarëve, por ka ndryshuar politika e imigracionit për lejet e qëndrimit.
Ajo akuzoi opozitën se po mundohet të nxijë Shqipërinë, ndërkohë që vendi ynë siç tha “sot respektohet e çmohet kudo dhe është më aktiv se kurrë”, raporton euronews.al.
“Ndërkohë që Shqipëria sot respektohet e çmohet kudo dhe është më aktive se kurrë, disa të udhëhumbur në Tiranë kanë vënë kujën se SHBA-të, sipas tyre, kanë ngrirë dhe bllokuar vizat për shqiptarët.
Fabula e tyre e çartur shkon aq larg, sa deklarojnë se partnerët tanë historikë dhe strategjikë, e kanë futur Shqipërinë në listën e zezë. E paimagjinueshme!
Në fakt, të dyja këto, janë fund e krye trillime politike. E vërteta është se vendimi i fundit i SHBA-ve nuk ka bllokuar lëvizjen dhe udhëtimin e qytetarëve shqiptarë drejt SHBA-ve. Kurrsesi! Nuk janë bllokuar as vizat për qëllime turistike, studentët, biznesi, vizita te familjarët apo evente të lidhura me punën.
Askush nuk ndalohet të udhëtojë dhe të vizitojë si turist, student, qytetar apo edhe zyrtar, por rregullat e Qëndrimit në SHBA do të ndryshojnë në linjë me politikën e tyre të imigracionit.
Pra, nuk bëhet fjalë për një vendim që targeton Shqipërinë, por për një rishqyrtim lidhur me procesimin e vizave për qëllime imigrimi në SHBA për 75 vende, përfshirë 5 vende të Ballkanit Perëndimor.
Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se do të pezullohet përpunimi i vizave të imigracionit deri në rishikim zyrtar, dhe ky vendim vjen si pjesë e masave të administratës amerikane për të kufizuar abuzimet me avantazhet që ofron sistemi amerikan i migracionit.
Pra, shkurt dhe thjesht, vendimi nuk ka të bëjë asgjëkundi me fabrikime nga më të çuditshmet për nongrata imagjinare mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.
Përtej gjithë kësaj tymnaje, një e vërtetë e madhe është e qartë si drita e diellit: Shqipëria ka qenë dhe mbetet aleati dhe partneri strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vend mik me të cilin na bashkon një rrugë e gjatë dhe e pandashme vlerash dhe qëllimesh”.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në një njoftim për media thekson se para disa ditësh ka njoftuar opinionin se përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), ka pranuar një njoftim lidhur me praninë e nivelit të lartë të akrilamidës në produktin kafe e bluar, me origjinë nga Kosova, të eksportuar në Republikën e Kroacisë.
AUV thekson se në përputhje me Planin Vjetor të Inspektimit dhe parimin e vlerësimit të riskut ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore, përfshirë kontrolle dhe analiza laboratorike për të gjitha brendet e kafesë që përpunohen për konsum brenda vendit dhe për eksport nga Republika e Kosovës në vendet tjera.
"Sipas standardeve të sigurisë ushqimore, rezultatet e analizave në kafe kanë konfirmuar se nivelet e akrilamidës në të gjitha produktet e testuara janë nën kufirin maksimal të lejuar", thuhet në njoftim.
“Bazuar në këto rezultate, operatorët e bizneseve ushqimore mund të vazhdojnë tregtimin e kafesë. AUV do të vazhdojë monitorimin e vazhdueshëm me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Sot në gjitha shkollat e Republikës së Kosovës ora e parë mësimore do t’i kushtohet 15 janarit të vitit 1999, masakrës së Reçakut.
Po ashtu, do të ketë homazhe nga niveli komunal dhe shtetëror në varrezat e dëshmorëve dhe në kompleksin memorial në Reçak.
27 vjet më parë në Reçak të Shtimes, forcat serbe vranë dhe masakruan 45 civilë të paarmatosur, në mesin e tyre kishte gra, pleq e fëmijë.
Masakra e Reçakut tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore për Kosovën.
Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ish-ambasadori William Walker, e pati cilësuar Masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit.
Ndryshe, në dhjetor të 2025, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave, me propozim për gjykim në mungesë, për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, lidhur me masakrën e kryer më 15 janar 1999 në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes.
Sipas aktakuzës, të pandehurit O.S., R.M., K.J., G.R., Ž.T., B.J., M.L., R.M., D.DJ., B.M., D.J., M.Š., D.A., S.V., B.M., Z.S., M.J., G.P., D.N., Č.A. dhe Z.J., akuzohen se gjatë një operacioni të forcave policore dhe ushtarake serbe kanë vrarë 42 civilë shqiptarë.
“Sipas aktakuzës, në periudhën 1998 – 1999, të pandehurit, në bashkëkryerje, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës ‘’243 të Mekanizuar ’’, Armatës së III- të, e njohur si ‘’Korpusi i Prishtinës’’, si dhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP), kanë kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Sipas hetimeve të prokurorisë forcat serbe fillimisht e rrethuan fshatin Reçak nga zonat e njohura si “Pishat”, “Gështenjat” dhe “Çesta”, për ta granatuar më pas nga distanca me mjete ushtarake. Ata kanë hyrë shtëpi më shtëpi, kanë ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët, duke i detyruar këta të fundit të largohen nga fshati, ndërsa burrat e ndaluar janë ekzekutuar.
Prokuroria tutje thotë se hetimet kanë vërtetuar gjithashtu se civilët janë rrahur brutalisht me kondakë armësh, shqelma, dru, zinxhirë dhe mjete të tjera të forta.
Si pasojë e këtyre operacioneve, rreth 20 mijë civilë nga fshatrat Reçak, Topillë, Petrovë, Kraisht, Mullapolc dhe Dremjak janë dëbuar nga shtëpitë e tyre.
Prokuroria Speciale ka propozuar që gjykimi të mbahet në mungesë, pasi të pandehurit ndodhen jashtë Kosovës dhe janë të paarritshëm për organet e drejtësisë. /Telegrafi/
Banka Botërore parashikon se ekonomia e Shqipërisë do të rritet me 3.5 për qind këtë vit. E njëjta ecuri pritet edhe për 2027-n. Parashikimi ka mbetur si njëjtë si në raportin e mëhershëm, atë të vjeshtës.
“Një shifër pre 3.5 për qind, në kushtet aktuale të zhvillimit kombëtar, rajonal dhe më gjerë, në rrafsh ndërkombëtar mbetet një shifër relativisht e mirë për t’u vlerësuar nga ana e zhvillimit, pavarësisht se mbetet larg asaj që do të sillte zhvillim të mirëfilltë ekonomik.”
Institucioni më i lartë monetar në botë vlerëson se në Rajon do të jetë Kosova vendi që pritet të udhëheqë rritjen ekonomike me 3.8 për qind. Me Shqipërinë e pozicionuar e dyta, lista vazhdon me Serbinë që parashikohet të ketë një rritje ekonomike në nivelin 3 për qind. Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi janë dy shtet që pritet të kenë rritjen më të ulët ekonomike.
“Në nivel global shihet qartë një lloj ngërçi, një stopim i ritmit të rritjes ekonomike. Pas goditjeve të njëpasnjëshme të viteve të fundit, ekonomia botërore po rritet, por me ritme të ulëta dhe pa energjinë e nevojshme për të gjeneruar zhvillim të gjerë.”
Banka Botërore pret se rritja ekonomike botërore këtë vit do të jetë në nivelin 2.7për qind. Nëse parashikimet do të rezultojnë të sakta norma mesatare e rritjes ekonomike të kësaj së kësaj dekade do të jetë më e ulëta që nga vitet 1960. Zgjerimi i prodhimit të Brendshëm Bruto në këtë masë është i pamjaftueshëm për të ulur varfërinë ekstreme dhe për të krijuar vende pune aty ku nevojiten më shumë – vlerëson Banka Botërore.
“Që rritja ekonomike të përkthehet realisht në më shumë mirëqenie për qytetarët, ajo duhet të jetë të paktën në nivelin 5.5 deri në 6 për qind. Vetëm në këto kushte mund të flasim për ulje të varfërisë, rritje të të ardhurave dhe krijim të qëndrueshëm të vendeve të punës.”
“Ndërsa pothuajse të gjitha ekonomitë e avancuara do të jenë më të pasura sesa para pandemisë, një në katër vende në zhvillim dhe më shumë se një e treta e ekonomive me të ardhura të ulëta do të jenë më të varfra sesa ishin pesë vite më parë.” – vlerëson Banka Botërore.
Rruga e Thethit është aktualisht e hapur për qarkullimin e mjeteve, pas një mbylljeje të përkohshme për shkak të rrezikut nga ortekët.
Autoriteti Rrugor Shqiptar, bën me dije se ky aks është tashmë i kalueshëm për automjetet.
ARRSH njoftoi sot se pas reshjeve të dendura të borës, në një segment me gjatësi rreth 550 metra, ishte prezent rreziku i ortekëve nga lartësitë e shpateve. Ky rrezik shtohet gjatë orëve të mesditës me diell, kur fillon procesi i shkrirjes së borës.
Për këtë arsye, gjatë ditëve me mot të kthjellët dhe për arsye sigurie, ARRSH thekson se do të ketë mbyllje provizore të qarkullimit deri në orët kur temperaturat ulen dhe bora ngrin sërish.
Sipas ARRSH-së, qarkullimi gjatë intervaleve me rrezik do të realizohet me asistencën e punonjësve të kompanisë së mirëmbajtjes, e cila është e pranishme në terren në çdo moment.
Strukturat përgjegjëse, vijojnë monitorimin e vazhdueshëm të situatës dhe do të informojnë qytetarët për çdo zhvillim të mëtejshëm.
Kryetari aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se ka ofruar dorëheqjen e tij, duke thënë se ky është “hapi më moral që një kryetar mund ta marrë”. Ai bëri të ditur se pas një diskutimi prej 5 orë e gjysmë me anëtarë dhe struktura të partisë, është arritur një qëndrim i përbashkët, që sipas tij pasqyron vullnetin e “shumicës dërmuese”, raporton KosovaPress.
Abdixhiku tha se nuk i shmanget përgjegjësisë dhe reflektimit, duke theksuar se vendimi tashmë nuk është më i tij, por i LDK-së.
“Kam marrë hapin më moral që një kryetar mund ta marrë: kam ofruar dorëheqjen time. Kam hapur rrugën për secilin që ka pretendime. Jeni të lirë të garoni; në Kuvend e keni mundësinë. Tani vendimi nuk është më i imi, është i LDK-së”, shkruan Abdixhiku.
Ai njoftoi se është thirrur Kuvendi i LDK-së, ku pritet të zhvillohet debat dhe të merren vendime “hapur”, duke shtuar se do ta respektojë çdo vendim që del nga Kuvendi.
“Dua ta them qartë; nuk jam i lidhur pas pozitës. Jam i lidhur pas shtëpisë. Dhe shtëpia ruhet me rregull, me dinjitet dhe me besim në anëtarësinë e saj dhe në secilën kërkesë të tyre. Më shumë se dorëheqja nuk ka çfarë të ofrojë një politikan. Eliminimet politike mund të jenë legjitime si aspiratë, por edhe për to vendos anëtarësia si tërësi, jo ne individualisht”, deklaroi Abdixhiku.
Pak më parë, Hykmete Bajrami deklaron se ka ofruar dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së LDK-së, mbi parimin se kush merr rezultate të rënda zgjedhore për LDK-në duhet marrë përgjegjësi dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të brendshme, raporton KosovaPress.
Ajo po ashtu ka bërë të ditur se dje në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së ka kërkuar dhe dorëheqje të parevokushme dhe për Lumir Abdixhikun nga pozita e kryetarit të LDK-së, siç shprehet ajo “si standard i vendosur vetë nga LDK-ja”.
Pas arratisjes së Altin Ndocit mesditën e djeshme, shumë persona që konsiderohen me rrezikshmëri të lartë po transferohen nga Drejtoria e Burgjeve drejt burgut të Fierit.
Mësohet se burgu i Durrësit nuk është burg me siguri të lartë, ndaj është parë e arsyshme që personat me rrezikshmëri të lartë të mos qëndrojnë më aty.
Bëhet fjalë vetëm për transferimin e personave me rrezikshmëri të lartë dhe jo atyre zyrtarëve të arrestuar.
Altin Ndoci u arratis ditën e djeshme nga spitali i burgut, ku kishte shkuar të mjekohej pas ankesave për dhimbje në veshka.
Ndërkohë kur po kalojnë 24 orë nga arratisja dhe Ndoci ende nuk është kapur, pavarësisht kontrolleve të shumta dhe postoblloqeve të ngritura.
Tetë persona u vunë në pranga në lidhje me arrestimin e Ndocit, kontetisht:
Ministri i Punëve të Brendshme, Drejtësisë dhe Paqes, Diosdado Cabello, njoftoi këtë të martë sekuestrimin e një ngarkese masive prej 6.850 kilogramësh drogë.
“Me këtë rezultat, shteti venezuelas arrin shifrën e 7.148 kilogramëve të sekuestruar, vetëm gjatë 13 ditëve të para të muajit janar”, u shpreh ai.
Mediat e huaja shkruajnë se gjatë fjalës së tij, Cabello sqaroi se ngarkesa kryesore përbëhej nga 238 thasë, të cilët përmbanin gjithsej 14.280 pako. Cabello theksoi se operacioni përfundoi me sekuestrimin e 6.850 kilogramëve substanca të paligjshme. Sipas ndarjes së ngarkesës, ajo përbëhej nga 14.199 pako marijuanë (6.758 kg) dhe 81 pako kokainë (91 kg).
“Është një goditje shumë e fortë ndaj narrativës që thotë se Venezuela lehtëson trafikun. Nga këtu nuk do të kalojë as kokainë, as marijuanë, asnjë lloj droge që shteti mund ta ndalojë në rrugën e saj”, deklaroi Cabello, duke nënvizuar se çdo sekuestrim përfaqëson heqjen e një këmbë nga tryezae strukturës logjistike kriminale.
Operacionet në Zulia
Cabello bëri të ditur se edhe në shtetin Zulia janë zhvilluar operacione, shumica e të cilave të lidhura me sekuestrime droge. Procedura e parë që përmendi ishte arrestimi i tre personave që posedonin 75 pako marijuanë, me peshë totale 39 kilogramë të së njëjtës substancë.
Operacioni i dytë përfshiu arrestimin e tre personave të tjerë që kishin 50 pako dhe 50 kilogramë marijuanë në shtetin Zulia. Ai sqaroi se të përfshirët në të dy rastet janë të lidhur me mafien shqiptare që operon nga Ekuadori dhe se ai, si ministër, po zhvillon një luftë reale kundër narkotrafikut. Cabello shpjegoi se, duke bllokuar rrugët detare dhe ajrore, mafiet detyrohen të përdorin rrugë tokësore, ku janë më të ekspozuara ndaj mbikëqyrjes shtetërore.
Rezultatet e dobëta në zgjedhjet në Kosovë, Bajrami ofron dorëheqje dhe kërkon largimin e Abdixhikut nga kreu i LDK-së
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, konfirmoi se ka ofruar dorëheqje të parevokueshme nga ky post gjatë mbledhjes partiake të mbajtur një ditë më parë, si dhe ka kërkuar po të njëjtën nga kreu i partisë, Lumir Abdixhiku, për shkak të rezultatit zgjedhor.
Bajrami tha se kush merr “rezultate të rënda zgjedhore për LDK-në”, duhet të marrë përgjegjësi dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të rbenddshme partiake.
“Pas rezultateve të 28 dhjetorit, lidershipi dhe organet e partisë kanë humbur legjitimitetin prandaj duhet zgjedhje të brendshme. Zgjedhjet e brendshme në LDK janë të domosdoshme dhe nga situata ku gjendemi nuk na shpëton asnjë proces tjetër”, shkroi Bajrami.
Abdixhiku, menjëherë pas publikimit të rezultateve preliminare më 28 dhjetor, tha se merr përgjegjësinë për rezultatin zgjedhor, duke paralajmëruar edhe dorëheqjen nga drejtimi i partisë.
LDK-ja ka shënuar rezultat të dobët në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, dhe krahasuar me zgjedhjet e rregullta të mbajtura më 9 shkurt të vitit të kaluar.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, LDK-ja kishte marrë 171.357 vota, ndërsa në zgjedhjet e dhjetorit, sipas rezultateve preliminare, ajo ka fituar 126.102 vota, duke u renditur si fuqia e tretë politike në Kosovë.
Bajrami në zgjedhjet e fundit ishte e dyta në listën e LDK-së, pas kryetarit Abdixhiku, i cili e udhëheq këtë parti që nga viti 2021. Po ashtu, ajo është gruaja më e votuar për deputete në LDK.
Zgjedhjet e 28 dhjetorit i ka fituar Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit me mbi 51 për qind të votave, ndërkaq subjekti i dytë ka dalë Partia Demokratike e Kosovës./ REL
Mbretëria e Bashkuar po tërheq personelin ushtarak nga një bazë amerikane në Katar, sipas Sky News.
Kjo vjen pasi Donald Trump u tha protestuesve në Iran se “ndihma është duke ardhur” dhe premtoi “veprime shumë të forta” nëse qeveria në Teheran vazhdon me ekzekutimet e planifikuara.
Irani ka thënë vazhdimisht se do të hakmerret kundër vendeve ushtarake amerikane në rajon nëse Amerika sulmon – shih postimin tonë në orën 8.44.
SHBA-të kanë filluar gjithashtu tërheqjen e një pjese të stafit nga Baza Ajrore Al Udeid e drejtuar nga SHBA-të në Katar, baza më e madhe amerikane në rajon.
Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes tha: “Ne nuk komentojmë mbi detajet e vendosjes së bazave dhe vendosjeve për shkak të sigurisë operacionale.”
“Mbretëria e Bashkuar gjithmonë vendos masa paraprake për të siguruar sigurinë dhe mbrojtjen e personelit tonë, duke përfshirë, kur është e nevojshme, tërheqjen e personelit.”
Nuk ishte menjëherë e qartë nëse i gjithë personeli britanik po tërhiqej nga baza në Katar.
Shtetet e Bashkuara pezulluan shqyrtimin e vizave për emigrantët nga 75 shtete, përfshirë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina.
“Departamenti i Shtetit do të pauzojë shqyrtimin e vizave për emigrantë nga 75 shtete, migrantët nga të cilët marrin ndihma sociale nga populli amerikan në nivele të papranueshme. Kjo ndalesë do të jetë në fuqi deri kur SHBA-ja të sigurohet që migrantët e rinj nuk do të përfitojnë nga populli amerikan”, shkroi Departamenti amerikan i Shtetit në X.
Disa dite me pare Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka publikuar në rrjetin e tij social, Truth Social, një tabelë ku tregon renditjen e familjeve që mbahen me ndihmë sociale në SHBA.
Në listë spikasin dhe shqiptarët, ku 41.3% e familjeve shqiptare në SHBA marrin ndihmë sociale.
Ndërkohë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Tommy Pigott deklaroi:
“Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump po i jep fund abuzimit të sistemit të migrimit të Amerikës nga ata që synojnë të pasurohen nga populli amerikan”.
Administrata e Trumpit ka ndërmarrë veprime për të luftuar migrimin e paligjshëm dhe Departamenti për Punë të Brendshme tha muajin e kaluar se administrata amerikane ka dëbuar më shumë se 605.000 persona dhe 2.5 milionë të tjerë janë larguar vullnetarisht.
Vendimi i fundit nuk prek vizat turistike, biznesore apo vizat tjera, përfshirë edhe për tifozët e futbollit që duan të qëndrojnë në SHBA për të parë nga afër Kupën e Botës që zhvillohet këtë vit, edhe pse administrata Trump ka thënë se do të verifikojë të gjithë aplikuesit e vizave.