Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

20:44 Witkoff: Nuk jemi në bisedime me Iranin

Last Updated on 21/01/2026 by Monika

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff – duke folur në emër të administratës Trump – tha se SHBA-ja nuk është në bisedime me Iranin tani për tani, megjithëse “kemi pasur kontakt me ta”.

Duke folur në një intervistë për CNBC, në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, Witkoff tha se “Irani është një marrëveshje që duhet të ndodhë”.

I pyetur për hollësi, ai e shmangu përgjigjen, por e përsëriti se ka mundësi për një marrëveshje.

Protestat në Iran nisën më 28 dhjetor 2025, në tregjet e kryeqytetit Teheran, nga tregtarë të zemëruar për kushtet e këqija ekonomike, përfshirë inflacionin e madh dhe rënien e lirë të monedhës.

Trazirat u përshkallëzuan me shpejtësi, duke u shndërruar në demonstrata të gjera kundër autoriteteve për shkak të përkeqësimit të standardeve të jetesës dhe shtypjes të lirive themelore.

Tensionet e kahershme mes Uashingtonit dhe Teheranit po thuajse kanë arritur pikën kulmore gjatë kësaj krize.

Presidenti amerikan, Donald Trump, fillimisht paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara ishin “të gatshme dhe të armatosura” dhe të përgatitura për të vepruar nëse forcat iraniane të sigurisë do të vrisnin protestues.

Më vonë, ai u zotua për “veprime shumë të fuqishme”, nëse Irani do të vazhdonte me ekzekutimin e protestuesve.

Trump më pas tha se kishte zgjedhur personalisht të mos urdhëronte sulme ushtarake kundër Iranit, duke ia atribuuar këtë vendim anulimit të raportuar nga Teherani të qindra ekzekutimeve të planifikuara.

Në një tjetër intervistë në Davos, Witkoff i tha Arab News se Irani duhet të vijë dhe të ulet në tryezën diplomatike.

“Kjo duhet të ndodhë [që Irani të negociojë]”, tha ai. “Është e rëndësishme. Nëse shkon Irani, shkon edhe rajoni, ndaj duhet ta sqarojmë këtë”.

Witkoff këmbënguli se Lindja e Mesme po lëviz në drejtimin e duhur.

“Mendoj se është e jashtëzakonshme ajo që po ndodh. Të gjithë, mendoj, po punojnë së bashku drejt paqes”, tha ai. “Të gjithë janë angazhuar me idetë e presidentit Trump për paqen kufitare dhe jam kam shumë shpresa”./mxh

20:42 Tani janë heronj kombëtarë, qeveria e Senegalit i jep superpremio dhe tokë në bregdet yjeve që fituan Kupën e Afrikës

Last Updated on 21/01/2026 by Monika

Fitorja për herë të dytë e Kupës së Afrikës ka kthyer lojtarët e përfaqësueses së Senegalit në heronj të mirëfilltë kombëtarë. Sadio Mane dhe shokët e tij shkëlqyen duke marrë një fitore historike në finale ndaj Marokut, mes kaosit dhe sjelljes jashtëzakonisht të turpshme të vendasve.

Pas kthimit me trofeun në atdhe, parada e tyre me autobus u ndoq nga qindra mijëra njerëz që festuan si të çmendur me ekipin. Dhe festa pastaj është kurorëzuar me vendimet e shtetit të Senegalit, që ka nderuar protagonistët e këtij suksesi.

Presidenti i Senegalit, Basiru-Diomaje Faje, u ka akorduar një premio prej rreth 115 mijë eurosh për secilin futbollist. Por jo vetëm kaq, ai u ka caktuar edhe nga një terren prej 1500 metrash katrorë në zonën popullore bregdetare të Petite-Côte, në jug të Dakarit.

Premio ekonomike dhe terrene me të vogla janë dhënë edhe për trajnerin Pape Ccau dhe anëtarët e stafit të tij si dhe delegacionit të Federatës së Senegalit. Ndërkohë, trajneri dhe i gjithë ekipi janë nderuar edhe me gradat e “Komandantit të Urdhrit Kombëtar të Luanit”, që është nderimi më i lartë në vend./mxh

20:33 Bien interesat e kredive konsumatore/ Shqiptarët marrin më shumë hua për shlyerje të borxheve, blerje pajisjesh dhe pushime

Last Updated on 21/01/2026 by Monika

Për të gjithë qytetarët të cilët i drejtohen institucioneve të mikrofinancës për kredi konsumatore, një lehtësim vjen nga banka e Shqipërisë.

Normat maksimale të interesit do të ulet duke prekur më së shumti vlerat deri në 200 mijë lekë të huave.

Ndryshimet e fundit prekin një sër vlerash. Për kreditë konsumatore deri në 200 mijë lekë, interesi maksimal do të jetë afro 54.8%, nga 62.2% që ishte. Për 200 deri në 600 mijë lekë është 35.4% nga 35.2% që ishte deri në fund të janarit. Në rënie janë edhe interesat për shumat nga mbi 600 mijë lekë deri në 2 milionë lekë interesat do të jenë 14.7%.

Por për çfarë marrin më shumë kredi konsumatore qytetarët shqiptarë?

Nga shpenzimet personale tek ato familjare si shlyerja e borxheve, shpenzime shëndetësore arsimore, blerje pajisjesh shtëpiake dhe celulare e deri tek pushime me kredi janë faktorët që i nxisin qytetarët të marrin më shumë hua.

Por kujdes sipas ekspertëve duhet bërë në rritjen e numrit të kredive me probleme.

Ndonëse nga njëra anë raportohet për një rënie të interesave për kredi konsumatore, nga ana tjetër bankat po tregohen më të rrepta në dhënien e kredive për banesa. Shtrëngimi i kushteve dhe termave të kreditimit erdhi si pasojë e kërkesave më të larta për kolateral nga ana e këtyre institucioneve në raport më kredinë e marrë për banesa./mxh

20:07 Asllanit i del emri në Turqi, projektohet transferimi në Stamboll

Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani, është në qendër të zërave për një transferim të mundshëm drejt kampionatit turk te Besiktas.

Sipas raportimeve të fundit, klubi nga Stambolli ka shfaqur interes për huazimin e lojtarit nga Interi, pasi aventura e tij aktuale te Torino nuk ka sjellë rezultatet e pritura.

Bëhet me dije se oferta e Besiktas përfshin një pagë prej 1.2 milionë eurosh për lojtarin deri në fund të sezonit, ndërsa Interi do të përfitonte 1 milion euro nga kjo marrëveshje.

Negociatat aktualisht janë fokusuar te vlera e opsionit të blerjes, ku pala turke synon një shifër mes 10 dhe 12 milionë eurove. Përveç interesit nga Turqia, Asllani mbetet në monitorimin e klubit francez Paris FC, i cili po konsideron një blerje direkte në ditët e fundit të merkatos.

Situata e futbollistit te Torino mbetet e vështirë, pasi ai nuk është përfshirë në formacion në ndeshjet e fundit, duke nxitur bisedimet për një ndryshim mjedisi. Ditët e ardhshme pritet të jenë përcaktuese për të ardhmen e mesfushorit 23-vjeçar./mxh

19:54 ZYRTARE/ Dy afrime, klubi i Superiores “zgjohet” në merkato

Klubi i Flamurtarit ka zyrtarizuar afrimin e dy futbollistëve të rinj për pjesën e mbetur të sezonit.

Mbrojtësi malazez Momcilo Raso dhe mesfushori brazilian Leo Melo janë vendosur tashmë në dispozicion të trajnerit Françesko Moriero.

Raso vjen nga kampionati i Uzbekistanit, ku së fundmi ishte pjesë e Lokomotiv Tashkent, dhe luan në pozicionin e qendërmbrojtësit.

Nga ana tjetër, Leo Melo transferohet në Vlorë pas eksperiencës së tij me ekipin e Egnatias në Superiore. Braziliani luan si mesfushor ofensiv dhe pritet të rrisë forcën sulmuese të vlonjatëve./mxh

18:58 Akuzohet se fshehu dënimin në Greqi/ Mbërrin në KLGJ shkresa e Prokurorisë së Përgjithshme për Irena Gjokën

Ka mbërritur në Këshillin e Lartë Gjyqësor shkresa e Prokurorisë së Përgjithshme për hetimet dhe verifikimet e kryera ndaj gjyqtares së GJKKO-së, Irena Gjoka, për fshehjen e një dënimi të marrë në Greqi për veprën e falsifikimit shumë vite më parë.

Prokuroria e Përgjithshme në raportin e saj thekson se vendimi i Gjykatës së Greqisë është autentik dhe Gjoka nuk e kishte deklaruar në Formularin e Dekriminalizimit kur kaloi procesin e Vettingut dhe përzgjedhjes në GJKKO.

Në këto rrethana ajo është referuar në KLGJ për procedim disiplinor, teksa SPAK mbetet në pritje të letër-porosive zyrtare nga Greqia për të kryer hetimet edhe në aspektin penal ndaj magjistrates.

KLGJ kishte deklaruar dje se dokumenti nuk kishte mbërritur në institucion, kurse sot mësohet se ky raport i PP gjendet aty për shqyrtim dhe procedim.

Materialet i kanë kaluar Komisionit të Karrierës për shqyrtim./mxh

18:42 Te Vllaznia bëjnë gati afrimin e bujshëm

Klubi i Vllaznisë po shqyrton mundësinë e rikthimit të sulmuesit Kevin Dodaj në formë huazimi nga ekipi i CSKA Sofia.

Drejtuesit e klubit shkodran janë në pritje të zhbllokimit të merkatos për të nisur lëvizjet konkrete për përforcimin e skuadrës për pjesën e mbetur të sezonit.

Gjatë pushimeve dimërore, 20-vjeçari u stërvit për disa ditë me ekipin e Vllaznisë në Shkodër për të mbajtur formën fizike. Megjithëse sulmuesi është rikthyer aktualisht në Bullgari te skuadra e tij, kontaktet mes palëve mbeten aktive.

Stafi teknik i kuqebluve e vlerëson lojtarin si një profil të përshtatshëm për repartin ofensiv. Negociatat pritet të intensifikohen deri në mbylljen e afatit kalimtar të janarit./mxh

18:35 Shqipëria anëtare e Bordit të Paqes, PS kërkesë Kuvendit: Të enjten, seancë plenare për kalimin e projektligjit me procedurë të përshpejtuar

Partia Socialiste kërkon mbledhjen e Kuvendit ditën e enjte për miratimin e projektvendimit për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”.

Në shkresën drejtuar Kuvendit, grupi parlamentar i PS thotë se bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në Rregulloren e Kuvendit, duke

vlerësuar rëndësinë e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”, në funksion të angazhimit të vazhdueshëm të Republikës së Shqipërisë për promovimin e paqes, stabilitetit

dhe bashkëpunimit ndërkombëtar si dhe duke marrë në konsideratë rëndësinë strategjike të Thirrjen e Kuvendit të Shqipërisë në Seancë Plenare, më datë 22 Janar 2026, ora 10:00.

Rendi i ditës i seancës plenare të jetë si vijon;

Miratimi i projektvendimit për miratimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të

Shqyrtimi dhe miratimi i projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”.

Komisioni përgjegjës për shqyrtimin e projektligjit të jetë Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme, mbledhja e të cilit të zhvillohet më datë 22 janar 2026, ora 11:00./mxh

18:29 Lamtumirë tatuazhe: Përse gjithmonë e më shumë VIP-a (dhe jo vetëm) po zgjedhin t`i heqin! (Lifestyle)

Heqja e tatuazheve po shndërrohet në një fenomen të vërtetë shoqëror: nga Ema Stockholma te Stefano De Martino në Itali, pse po zgjidhet gjithnjë e më shpesh “lëkura e pastër”.
Nuk është më vetëm një çështje estetike. Për vite me radhë, tatuazhi ka qenë simbol i lirisë, rebelimit dhe individualitetit. Sot, megjithatë, duket se prirja po përmbyset. Gjithnjë e më shumë njerëz, përfshirë edhe VIP-a, vendosin të fshijnë vizatime dhe shkrime nga lëkura, duke iu nënshtruar seancave të gjata dhe shpesh të dhimbshme me lazer. Një zgjedhje që nuk lidhet vetëm me pamjen e jashtme, por edhe me evolucionin personal dhe raportin me imazhin e vet. Mes figurave të njohura që kanë vendosur ta tregojnë hapur këtë rrugëtim është Ema Stockholma: “Shijet ndryshojnë, dua ta shoh veten të pastër”.

Dëshmia në rrjetet sociale
Prezantuesja radiofonike, e cila për vite me radhë i kishte tatuazhet si një tipar dallues, ndau në rrjetet sociale një video nga seanca e saj me lazer, duke paralajmëruar ndjekësit me ironi: “Video me përmbajtje të lartë sharjesh”. Pamjet tregojnë dhimbjen e trajtimit, por edhe vendosmërinë e dikujt që ka zgjedhur të ndryshojë. Ema shpjegoi me shumë sinqeritet arsyet e vendimit të saj. Tatuazhet sot nuk e përfaqësojnë më dhe ajo e krahasoi këtë zgjedhje me ato që lidhen me marrëdhëniet apo stilin e veshjes. Në moshën 42-vjeçare, dëshira është të rishohë veten “të pastër”, më në përputhje me personin që ndjen se është sot. Jo një mohim i së kaluarës, por një hap i natyrshëm i rritjes personale.

Dhimbja dhe kufijtë e heqjes së tatuazheve
Prezantuesja nuk i fsheh vështirësitë e këtij procesi: lazeri, tregon ajo, dhemb shumë më tepër se bërja e tatuazhit, edhe pse dhimbja është e përkohshme. Jo të gjitha ngjyrat hiqen me të njëjtën lehtësi dhe është thelbësore t’u drejtohesh profesionistëve me përvojë për të shmangur shenjat apo plagët. Është një proces i gjatë, i kushtueshëm dhe jo gjithmonë plotësisht përfundimtar, që kërkon bindje të fortë.

Nga Belén te Stefano De Martino
Ema Stockholma nuk është një rast i izoluar. Edhe Belén Rodríguez ka hequr ose zbehur gradualisht disa tatuazhe, duke zgjedhur një imazh më thelbësor dhe më pak të shënuar. Po ashtu, Stefano De Martino, ndër vite, ka fshirë disa simbole të lidhura me të kaluarën, përfshirë tatuazhe që tregonin etapa tashmë të kapërcyera të jetës së tij private.

Pse gjithnjë e më shumë njerëz po i heqin
Pas këtij fenomeni fshihet një ndryshim kulturor. Tatuazhet nuk janë më aq transgresive sa dikur dhe, për shumëkënd, ato bëhen shenja të një identiteti që nuk përputhet më me të tashmen. Në një epokë ku imazhi është vazhdimisht i ekspozuar dhe i gjykuar, po rritet dëshira për thjeshtësi, neutralitet dhe kontroll mbi mënyrën se si përfaqësohemi. Siç ka theksuar edhe Ema Stockholma, gjykimi i jashtëm është i pashmangshëm: më parë e kritikonin për tatuazhet, sot për faktin që po i heq. Por mesazhi që del është i qartë: nuk mund t’u pëlqesh të gjithëve. Qoftë të zgjedhësh të bësh tatuazhe apo t’i fshish ato, prirja e vërtetë duket se është vetëm një: të dëgjosh veten dhe të pranosh ndryshimin./mxh

18:16 Syri i kuq i Macron-it, mjekët: Sindromë që shkaktohet nga një shuplakë në fytyrë!

Një kirurg i njohur ka dhënë mendimin e tij pasi Emmanuel Macron u shfaq në skenë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos me një sy të enjtur dhe jashtëzakonisht të skuqur. Kryeministri francez, i cili është parë gjithashtu duke mbajtur syze dielli me xhama pasqyrë të stilit aviator gjatë takimeve me liderë të tjerë botërorë, ka pranuar më parë se vuan nga një problem me syrin që sipas tij, është “plotësisht i padëmshëm”.

Duke folur në një fjalim së fundi, Macron tha: “Ju lutem, më falni pamjen e pakëndshme të syrit tim. Natyrisht, është diçka krejtësisht e padëmshme.” Zyrtarët francezë konfirmuan se 48-vjeçarit i kishte plasur një enë gjaku në sy. Duke folur për Daily Mail, Mfazo Hove, okulist konsulent dhe themelues i Blue Fin Vision në Harley Street, konfirmoi se, nga fotot, duket se Macron ka atë që njihet si hemorragji subkonjuktivale. Ai shpjegoi se kjo gjendje ndodh kur një enë shumë e vogël gjaku çahet në sipërfaqen e syrit. Gjaku përhapet nën membranën e tejdukshme (konjuktivën), e cila ndodhet mbi pjesën e bardhë të syrit. Kjo mund të shkaktohet nga një dëmtim, si p.sh. një shuplakë ose goditje në fytyrë, ose mund të ndodhë thjesht spontanisht. Hove shtoi: “Duket dramatike sepse është gjak i kuq i ndezur mbi një sfond të bardhë shumë të theksuar, por nga ana mjekësore zakonisht është shumë e lehtë.”

Në maj të vitit të kaluar, zyrtarët francezë konfirmuan se bashkëshortja e Macron, Brigitte, e kishte goditur atë gjatë një grindjeje, pasi u publikuan pamje që tregonin Zonjën e Parë dukej se ia shtynte fytyrën ndërsa avioni i tyre po ulej në Vietnam./mxh

16:59 13 të lënduar dhe një shtëpi e dëmtuar pas sulmit me dron në jug të Rusisë

Të paktën 13 persona u lënduan dhe një shtëpi banimi u dëmtua gjatë një sulmi me dron që ndodhi gjatë natës në Republikën Adygea, në jug të Rusisë, njoftoi të mërkurën, më 21 janar, kreu i rajonit, Murat Kumpilov.

Ai tha se banorët e ndërtesës u evakuuan dhe u vendosën strehime të përkohshme për të siguruar sigurinë e tyre.

Pamjet video të filmuara pranë shtëpisë së dëmtuar treguan flakë që dilnin nga ndërtesa dhe disa automjete të parkuara pranë saj. Reuters konfirmoi vendndodhjen e videos përmes rrjetit të rrugëve, llambave dhe ndërtesave që përputheshin me pamjet arkivore dhe vizuale të tjera.

Megjithatë, agjencia nuk ishte në gjendje të verifikonte datën e saktë të filmimit, por Kumpilov raportoi për sulmin për herë të parë të martën vonë në kanalin e tij në Telegram.

Autoritetet lokale po hetojnë rrethanat e sulmit dhe po përpiqen të vlerësojnë dëmet e tjera të mundshme./mxh

16:51 BE ngrin marrëveshjen tregtare me SHBA-në pas kërcënimeve të Trump

Last Updated on 21/01/2026 by Monika

Ligjvënësit europianë kanë vendosur të ngrijnë marrëveshjen tregtare BE–SHBA të arritur verën e kaluar, duke shtuar tensionet në marrëdhëniet transatlantike. Burime për Euronews bëjnë me dije se vendimi u mor të mërkurën, pas kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump për tarifa të reja ndaj disa vendeve europiane, nëse ato nuk pranojnë kërkesën e tij që Shtetet e Bashkuara të marrin kontrollin e Groenlandës.

Marrëveshja tregtare ishte arritur pas javësh tensionesh të shkaktuara nga politikat agresive tarifore të Trump pas rikthimit të tij në pushtet. Megjithëse u arrit një marrëveshje politike gjatë verës, ajo ende nuk ishte zbatuar zyrtarisht, pasi kërkonte miratimin përfundimtar nga Parlamenti Europian.

Deputetët kryesorë të Parlamentit Europian që merren me këtë dosje u takuan të mërkurën pasdite dhe vendosën të pezullojnë procesin, duke shtyrë zyrtarisht votimin që ishte planifikuar për javën e ardhshme në Komisionin për Tregtinë Ndërkombëtare.

Situata u përkeqësua pasi presidenti Trump deklaroi në rrjetet sociale se do të vendosë një tarifë 10% duke nisur nga shkurti ndaj Danimarkës, Suedisë, Norvegjisë, Francës, Gjermanisë, Holandës, Finlandës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Sipas tij, tarifat do të mbeten në fuqi deri në arritjen e një marrëveshjeje për “blerjen e plotë dhe totale të Groenlandës”, ndërsa paralajmëroi se ato mund të rriten në 25% deri në qershor, nëse nuk ka marrëveshje.

Vendimi i Parlamentit Europian shihet si një sinjal i fortë politik dhe një përshkallëzim i mëtejshëm i përplasjes tregtare mes Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara./mxh

16:49 “Lumenjtë në rrethim”/ Shqipëria humbi 28% të rrjedhave natyrale në një dekadë

Last Updated on 21/01/2026 by Monika

Një vlerësim i ri mbi gjendjen e lumenjve në Ballkan gjeti se e ashtuquajtura “zemra blu” e Europës po tkurret me ritme të shpejta. Raporti më i fundit dokumenton se që nga viti 2012, rajoni, i cili ka përqindjen më të lartë të lumenjve të egër në Europë, ka humbur rreth 2,450 kilometra lumenj të virgjër, ndërkohë që e gjithë zona është nën presion.

Raporti “Statusi Hidromorfologjik i Lumenjve të Ballkanit 2025”, i hartuar nga Dr. Ulrich Schwarz (Fluvius, Vjenë) dhe i porositur nga organizatat EuroNatur dhe Riverwatch, ka analizuar 83,824 kilometra rrjedhë lumore në 11 shtete.

Rezultatet, sipas një njoftimi për media të dy organizatave që porositën studimin, janë një kambanë alarmi: përqindja e lumenjve pothuajse natyrorë ka rënë nga 30% në vitin 2012 në vetëm 23% në vitin 2025.

Studimi veçon Shqipërinë si një rast kontrovers të dekadës së fundit. Ndërsa ka humbjen më të madhe në sipërfaqe të lumenjve thuajse natyralë, vendi nga ana tjetër vendosi nën mbrojtje Vjosën.

Sipas studimit, zhvillimi masiv i hidrocentraleve, rregullimi i pakontrolluar i shtratit të lumenjve dhe ndërhyrjet në zonat e përmbytjeve e kanë tjetërsuar peizazhin lumor shqiptar me një shpejtësi të paprecedentë.

“Segmentet lumore pothuajse natyrore pësuan një rënie drastike nga 68% në vitin 2012 në vetëm 40% në vitin 2025 – një reduktim masiv prej 28%. Në shifra absolute, gjatësia e lumenjve pothuajse natyrorë ra nga 3,812 km në 2,668 km në vetëm shtatë vite (2018–2025)”, thuhet në studim për Shqipërinë.

Nga ana tjetër, Shqipëria ka ende një pjesë të mirë të lumenjve të pacenuar dhe përmendet si një rast suksesi sa i përket mbrojtjes së Vjosës.

“Ndërsa Shqipëria mbrojti me sukses Vjosën dhe disa degë të saj, më shumë pjesë të lumenjve u degraduan gjatë dekadës së kaluar se në çdo vend tjetër të Ballkanit. Këto gjetje duhet të shërbejnë si një thirrje zgjimi për qeverinë shqiptare që të mbrojë lumenjtë në shkallë kombëtare”, thotë Ulrich Eichelmann, CEO i Riverwatch.

Studimi vëren se hidrocentralet mbeten shkaktari kryesor i degradimit. Që nga viti 2012, gjatësia e lumenjve të bllokuar nga digat është rritur me 18%. Ndryshimet më të mëdha negative janë regjistruar në pellgjet e lumenjve Devoll dhe Drin në Shqipëri, si dhe në lumenjtë Drina, Neretva dhe Vardar në rajon.

Dr. Ulrich Schwarz, autori i studimit, thekson se ky trend bie ndesh me standardet europiane.

“Tendencat afatgjata tregojnë një rënie të qartë të pjesëve lumore thuajse natyrore… Kjo tregon një divergjencë në rritje midis praktikave aktuale të zhvillimit dhe standardeve mjedisore që kërkohen sipas kornizave të anëtarësimit në BE”, tha ai.

Pavarësisht panoramës së zymtë, raporti vlerëson se përpjekjet për ruajtjen e natyrës kanë shpëtuar rreth 900 km lumenj, kryesisht duke ndalur projekte hidrocentralesh. Në njoftim, organizatat thonë se shpallja e Parkut Kombëtar të Lumit Vjosa mbetet arritja më e madhe e rajonit, por kjo nuk mjafton për të balancuar shkatërrimin në zonat e tjera.

Autorët e raportit bëjnë thirrje për veprime urgjente dhe ndalimin e hidrocentraleve në Shqipëri dhe Bosnje-Hercegovinë.

Annette Spangenberg nga EuroNatur paralajmëroi se mbetet pak kohë për të reaguar.

“Ballkani ende mban disa nga lumenjtë e fundit të egër të Europës, por mbrojtja e tyre tani kërkon guxim politik. Të dhënat tregojnë qartë se çfarë po humbet dhe çfarë do të humbet nëse nuk veprojmë”, përfundoi ajo./mxh

16:48 Parlamenti Evropian bllokon marrëveshjen e madhe tregtare me Mercosur

Ligjvënësit e Parlamentit Evropian votuan për të sfiduar marrëveshjen e kontestuar të tregtisë së lirë midis Bashkimit Evropian dhe vendeve të Amerikës së Jugut në Gjykatën më të lartë të BE-së, një hap që mund të vonojë marrëveshjen deri në dy vjet dhe madje ta bllokojë atë.

BE-ja nënshkroi të shtunën marrëveshjen më të madhe tregtare në historinë e saj me anëtarët e Mercosur – Argjentinën, Brazilin, Paraguajin dhe Uruguajin. Megjithatë, marrëveshja kërkon miratimin përfundimtar përpara se të hyjë në fuqi.

Kritikët, të udhëhequr nga Franca – prodhuesi më i madh bujqësor i BE-së – thonë se marrëveshja do të rrisë ndjeshëm importet e mishit të lirë, sheqerit dhe shpendëve, duke dëmtuar fermerët vendas, të cilët kanë organizuar protesta të përsëritura.

Një grup prej 144 ligjvënësish dorëzoi një mocion parlamentar për të kërkuar nga Gjykata e Drejtësisë e BE-së të vendosë nëse marrëveshja mund të aplikohet para ratifikimit të plotë nga të gjitha shtetet anëtare dhe nëse dispozitat e saj kufizojnë aftësinë e BE-së për të vendosur politika mjedisore dhe të shëndetit të konsumatorit. Zakonisht gjykata kërkon rreth dy vjet për të dhënë një opinion të tillë.

Mocioni u miratua nga Parlamenti Evropian me 334 vota pro, 324 kundër dhe 11 abstenime.

Nëse çështja i referohet gjykatës, BE-ja mund ta zbatojë marrëveshjen në mënyrë provizore deri në vendimin përfundimtar dhe miratimin parlamentar. Megjithatë, kjo mund të jetë sfidë politike, për shkak të reagimeve të mundshme, dhe Parlamenti Evropian do të ruajë fuqinë për ta anuluar më vonë marrëveshjen.

Mbështetësit e marrëveshjes, përfshirë Gjermaninë dhe Spanjën, argumentojnë se marrëveshja është e nevojshme për të kompensuar humbjet nga tarifat amerikane të vendosura nga Presidenti Donald Trump dhe për të ulur varësinë nga Kina, duke siguruar qasje në minerale kritike. Ata gjithashtu paralajmërojnë se qeveritë e Mercosur po humbasin durimin pas viteve të negociatave me BE-në./mxh

16:42 Eksperti i integrimit: Shqipëria të ketë qëndrim të unifikuar me BE-në për zhvillimet me SHBA-në

Last Updated on 21/01/2026 by Monika

Eksperti i integrimit, Gledis Gjepali analizoi sot situatën me linjëzimet gjeopolitike të lidhura me BE-në, pas hapave të njoftuar së fundmi nga SHBA-të për disa çështje.

Në një dalje televizive, Gjepali u shpreh se momentalisht, prioritet për BE-në është reagimi lidhur me këto zhvillime dhe ndërmarrja e hapave të ardhshëm, teksa nënvzoi se ka një rrezik real nga qëndrimi europian, për shkak të reagimit të vendeve anëtare.

Sa i përket ngjarjeve që përkojnë me njëvjetorin e presidencës Trump, eksperti tha se kjo ka sjellë një lloj pasigurie në të gjitha vendet e globit, për shkak të qëndrimeve dhe pozicioneve të ndryshme që janë mbajtur nga Trump.

“Është një moment i vështirë, në fakt, për shkak të kërkesave që Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka bërë në lidhje me Groenlandën. Tashmë ka një diskutim brenda Bashkimit Europian se si do të jetë reagimi dhe cilët do të jenë hapat e ardhshëm. Ky është patjetër një prioritet më i rëndësishëm për Bashkimin Europian se çdo gjë tjetër. Gjithsesi, mendoj që procesi i zgjerimit nuk preket, të paktën në një periudhë afatshkurtër, sepse këto janë çështje që dalin herë pas here dhe patjetër duhet të ketë një reagim dhe një qëndrim të përbashkët të Bashkimit Europian për t’i adresuar ato. Ka një rrezik real, sepse kjo varet nga reagimi i vendeve anëtare.

Siç e dimë, ka një sërë vendesh anëtare të cilat kanë kundërshtuar një pjesë të iniciativave të Bashkimit Europian apo janë më të linjëzuara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për disa nga çështjet. Në këtë aspekt, është shumë e rëndësishme që të kemi një qëndrim të unifikuar nga të gjitha vendet anëtare. Nëse nuk do të kemi një qëndrim të tillë, atëherë rrezikon shumë vetë kjo strukturë europiane, sepse nuk do të arrijë t’u bëjë ballë sfidave, qoftë edhe vendosjes së tarifave, ku përgjigjja duhet të jetë nga të gjitha vendet. Është e pamundur që një vend të marrë masa në mënyrë bilaterale, sepse tashmë kemi një treg të përbashkët europian. Një vend e ka të pamundur të veprojë i vetëm, do të duhet dakordësia e të gjitha vendeve. Nëse nuk arrihet një dakordësi e tillë, atëherë humbet edhe nevoja e ekzistencës së Bashkimit Europian.

Në të vërtetë, kjo ka sjellë një lloj pasigurie në të gjitha vendet e globit, për shkak të qëndrimeve dhe pozicioneve të ndryshme që janë mbajtur gjatë vitit të parë të presidencës Trump. Gjithashtu, për shkak të situatave të veçanta në zonat me konflikte ku ka pasur ndërhyrje amerikane, apo në ato zona ku më parë Shtetet e Bashkuara garantonin stabilitetin, tani kjo nuk garantohet më. Pra, nuk dihet se çfarë qëndrimi mund të mbajnë Shtetet e Bashkuara apo Presidenti Trump, dhe kjo krijon një klimë pasigurie qoftë në krijimin e aleancave, qoftë në pozicionimin e vendeve kundrejt organizatave shumëpalëshe, siç është OKB-ja në radhë të parë, por edhe organizata të tjera që tashmë janë zbehur e kanë humbur rëndësinë e tyre”,-tha Gjepali./mxh

22:59 Konferenca në Shtëpinë e Bardhë/ Trump: Shpenzojmë shuma të jashtëzakonshme për NATO-n

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump në konferencën e tij në Shtëpinë e Bardhë ka folur dhe për NATO-n.

Trump tha se SHBA shpenzon shuma të jashtëzakonshme për NATO-n dhe do të vijojë t’i ndihmojë.

Presidenti amerikan u shpreh më tej se nuk e di nëse NATO do të ndihmojë apo jo SHBA-në.

“Mendoj se në shumicën e rasteve do t’jua thonë këtë. Mendoj se mund ta pyesni sekretarin e përgjithshëm të NATO-s për këtë. Ne shpenzojmë shuma të jashtëzakonshme parash për NATO-n dhe e di që do t’i ndihmojmë, por vë në dyshim nëse ata do të vijnë tek ne apo jo”, tha Trump./mxh

22:37 Prokuroria vërtetoi dënimin e Irena Gjokës/ KLGJ: Nuk na ka mbërritur asnjë dokument zyrtar

Last Updated on 20/01/2026 by Monika

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar në lidhje me dënimin e gjyqtares Irena Gjoka dhe letrën dërguar nga PD pasditen e sotme.

Në reagimin e bërë, KLGJ njofton se nuk ka mbërritur asnjë dokument zyrtar në adresë të institucionit.

Më tej, KLGJ thotë se sapo të mbërrijë zyrtarisht shkresa e Prokurorisë së Përgjithshme që vërteton dënimin e gjyqtares së posaçme Irena Gjoka në shtetin grek do të ndërmerren të gjithë hapat e duhur ligjorë.

“Lidhur me njoftimin e sotëm të Prokurorisë së Përgjithshme lidhur me vendimin e miratimit të rezultateve të verifikimit të thelluar të deklarimeve të bëra në Formularin e Vetëdeklarimit datë 22.04.2016, për subjektin Irena Gjoka(Shpata, Maneku), gjyqtare në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ju bëj me dije se deri në orën 20:30 datë 20.01.2026 në adresë të KLGJ-se nuk ka mbërritur asnjë dokument zyrtar. Sapo shkresa e Prokurorisë së Përgjithshme të mbërrijë zyrtarisht, ajo do të administrohet nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës në KLGJ, dhe më pas do të ndiqet procedura përkatese ligjore. Ju faleminderit!”, thuhet në njoftim./mxh

22:35 Shkencëtarët: Acidifikimi i oqeanit mund të dobësojë dhëmbët e peshkaqenëve

Shkencëtarët e kanë lidhur djegien e lëndëve djegëse fosile me acidifikimin e vazhdueshëm të oqeanit.

Peshkaqenët janë grabitqarët më të frikshëm në det dhe mbijetesa e tyre varet nga dhëmbët e frikshëm që rigjenerohen gjatë gjithë jetës së tyre. Por ndryshimet në kiminë e oqeanit mund t’i vënë këto armë në rrezik.

Ky është përfundimi i një studimi të kryer nga një grup shkencëtarësh gjermanë që testuan efektet e një oqeani më acid në dhëmbët e peshkaqenëve. Shkencëtarët kanë lidhur aktivitetet njerëzore, duke përfshirë djegien e qymyrit, naftës dhe gazit, me acidifikimin e vazhdueshëm të oqeanit.

Ndërsa oqeanet bëhen gjithnjë e më acidikë, dhëmbët e peshkaqenëve mund të bëhen strukturisht më të dobët dhe më të prirur të thyhen, zbuluan shkencëtarët. Kjo mund të ndryshojë statusin e peshqve të mëdhenj në krye të zinxhirit ushqimor të oqeanit.

Oqeani nuk do të popullohet me peshkaqenë pa dhëmbë brenda natës, thotë autori kryesor i studimit, Maximilian Baum, një biolog detar në Universitetin Heinrich Heine në Düsseldorf. Por mundësia e dhëmbëve më të dobët është një rrezik i ri për peshkaqenët që tashmë përballen me ndotje, peshkim të tepërt, ndryshime klimatike dhe kërcënime të tjera./mxh

22:25 Protesta e 24 janarit/ Këlliçi: Demokratët janë në këmbë, do jetë bashkim historik

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka bërë një postim në rrjetet sociale për protestën e 24 janarit.

Këlliçi shkruan se demokratët janë në këmbë.

Demokrati ka ndarë pamje nga takimi me kryesinë e degës 9 në Tiranë, ku deklaron se janë ndarë udhëzimet për ditët e mbetura përpara protestës.

Statusi i Këlliçit

Tirana zien, kudo flitet për 24 janarin, për të shtunën, për protestën.

Demokratët janë në këmbë. Takime të pandalshme me strukturat dhe qytetarët. Me kryesinë e degës 9, ndamë sonte udhëzimet për orët dhe ditët që kanë mbetur deri sa bulevardi të oshëtijë si asnjëherë tjetër kundër korrupsionit dhe krimit.

Do jetë bashkim historik. Mos mungo!

Shihemi të shtunë, datë 24 janar, ora 17:00./mxh

22:12 City “tronditet” në Norvegji, Bodo/Glimt bën surprizën e madhe

Manchester City pësoi një humbje 3-1 në transfertë ndaj Bodo/Glimt në kuadër të raundit të shtatë të Ligës së Kampionëve.

Skuadra norvegjeze shënoi dy herë brenda pjesës së parë me anë të Hogh, i cili realizoi në minutat 22 dhe 24.

Epërsia e vendasve u thellua në minutën e 58-të me golin e Hauge, përpara se Cherki të shënonte golin e vetëm për miqtë në minutën e 60-të.

Situata për ekipin e Pep Guardiolës u rëndua dy minuta më vonë, kur Rodri u ndëshkua me karton të kuq. Pavarësisht humbjes, Manchester City mbetet në vendin e katërt të klasifikimit me 13 pikë, ndërsa Bodo/Glimt ngjitet në kuotën e 6 pikëve.

Në ndeshjet e tjera të këtij raundi, Club Brugge fitoi 1-4 ndaj Kairat Almaty në transfertë. Ky rezultat zyrtarizoi eliminimin e parë nga kompeticioni për këtë sezon, atë të skuadrës kazake./mxh

❌