Pasuritë e krimit kthehen në shërbim të komunitetit/ Hapet thirrja për financimin e projekteve të OJF-ve
Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu përsëriti një mesazh të qartë e të pakthyeshëm: pasuritë e përfituara nga veprimtaria kriminale nuk do të gëzohen dhe nuk do të trashëgohen, por do të kthehen në shërbim të interesit publik. Para e prona, që burojnë nga droga, mashtrimi apo forma të tjera të kriminalitetit nuk janë më simbol fuqie apo privilegji, por do të rikthehen aty ku u përkasin, tek fëmijët, familjet, komunitetet në nevojë dhe viktimat e dhunës.
Si një provë konkrete e këtij angazhimi, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka hapur Thirrjen për Financim Projektesh, një mundësi e dedikuar për organizatat jofitimprurëse që synojnë të shndërrojnë pasurinë e konfiskuar të krimit në projekte me impakt real shoqëror.
Fondi total në dispozicion është 150,000 euro (rreth 15 milionë lekë), i krijuar jo nga buxheti i qytetarëve, por nga pasuritë e konfiskuara të krimit, që rikthehen në dobi të shoqërisë. Qëllimi i mbështetjes financiare është parandalimi i kriminalitetit dhe rehabilitimi social, kulturor dhe shëndetësor i shtresave në nevojë, veçanërisht i personave dhe grupeve të prekura ose të rrezikuara nga krimi i organizuar, trafikimi dhe forma të tjera të kriminalitetit.
Â
Â
Ministrja Koçiu, përmes një postimi në rrjetet sociale fton të gjitha organizatat e shoqërisë civile, të aplikojnë e të bëhen pjesë e një përpjekjeje të përbashkët, ku pasuritë e krimit shndërrohen në shpresë, mbështetje dhe zhvillim për komunitetin.
Fushat prioritare të ndërhyrjes përfshijnë, ndër të tjera:
-rehabilitimin social, kulturor dhe shëndetësor të shtresave në nevojë;
-parandalimin e kriminalitetit dhe riintegrimin e personave të prekur nga krimi;
-asistencën dhe rehabilitimin e viktimave të krimit të organizuar dhe trafikimit;
-rehabilitimin dhe trajtimin e përdoruesve të substancave narkotike;
-mbrojtjen e të drejtave të familjarëve të punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës;
-asistencën dhe rehabilitimin e viktimave të trafikut të qenieve njerëzore.
Aplikimi është i hapur për organizata jofitimprurëse të regjistruara në Republikën e Shqipërisë, të cilat kanë në objektin e veprimtarisë së tyre një ose më shumë nga këto fusha. Afati për dorëzimin e aplikimeve është data 9 mars 2026. Informacione të detajuara mbi kriteret, dokumentacionin dhe procedurën e aplikimit gjenden në faqen zyrtare të AAPSK-së dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.