Evropa në kaos: Stuhi, viktima dhe dëmtime të rënda nga moti i ligë
Pjesë të ndryshme të Europës përballen me një mot të keq, që e largoi shumë shpejt harenë e festave.
Në ditën e ujit të bekuar, furia e natyrës u përplas fort mbi pellgun e Ballkanit dhe reshje të dendura shiu e bore, ndërprerjeje të energjisë elektrike dhe një viktimë në Bosnje, një grua që humbi jetën mes stuhisë. Pasi pothuajse 40 centimetra borë ranë në kryeqytetin Sarajevë, gruaja në fjalë dha shpirt në spital pasi u godit nga një pemë që u rrëzua nën peshën e borës. Reshjet e dendura të dëborës paralizuan një pjesë të lëvizjes në Holandë.
Aeroporti i Schipholit në Amsterdam raportoi anullimin e rreth 600 fluturimeve, ndërsa ekipet kanë punuar pa reshtur për të pastruar pistat dhe për të shkrirë akullin nga avionët që prisnin të niseshin. Më shumë borë parashikohej për pjesën tjetër të javës. Bilancin më të rëndë të viktimave e shënon sakaq Franca, me pesë të vdekur. Me të ftohtin që i bëri rrugët tepër të rrezikshme, tre persona humbën jetën në aksidente të lidhura me akullin e zi në jugperëndim të vendit, ndërsa një shofer taksie vdiq në spital pasi automjeti i tij doli nga rruga dhe ra në lumë, në rajonin e Parisit.
Në Romë, javë të tëra reshjesh shiu kanë rritur nivelin e lumit Tiber që ka dalë sërish nga shtrati, duke zbehur kremtimet e Papa Leonit XIV. Sheshi i Shën Pjetrit ishte vetëm pjesërisht i mbushur me njerëz të martën, të mbledhur aty me cadra për të dëgjuar Atinj e Shenjtë teksa jepte bekimin e Epifanisë. Roma është përballur me reshje të vazhdueshme shiu që para Krishtlindjeve cka nxiti kryetarin e bashkisë, Roberto Gualtieri, të nxirrte një urdhër për kufizimin e aksesit publik në parqe dhe zona të tjera në rrezik nga rënia e pemëve dhe përmbytjet. Temperaturat kanë rënë ndjeshëm edhe në Mbretërinë e Bashkuar; në zonat veriore të saj termometri ka shënuar minus 12.5 gradë Celsius, ndërsa bora ndërpreu udhëtimet hekurudhore, rrugore dhe ajrore dhe mbylli qindra shkolla, shkruan TopChannel.
Shiu dhe bora kanë vazhduar po ashtu të mbjellin kaos në Ballkan; në Serbi, disa komuna perëndimore vendosën masa të jashtëzakonshme për shkak të motit të keq, ndërsa erërat e forta dhe deti i trazuar goditën vijën bregdetare të Adriatikut në Kroaci dhe Mal të Zi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Evropa në kaos: Stuhi, viktima dhe dëmtime të rënda nga moti i ligë appeared first on Sinjali.

