Zjarri në clubin në Zvicër nga fishekzjarret e shampanjës: Rastet e ngjashme dhe pse duhet zhdukur kjo “traditë”?
Në natën e Vitit të Ri, një tragjedi e rëndë tronditi Zvicrën. Në barin “Le Constellation” në Crans-Montana, një zjarr shkatërrues shpërtheu gjatë festimeve, pasi dyshohet se fishekzjarre ose qirinj të ndezur, të vendosur brenda shisheve të shampanjës, u afruan rrezikshëm pranë tavanit të lokalit. Flakët kapën me shpejtësi materialet e ndezshme të izolimit dhe dekorit, ndërsa tymi i dendur dhe toksik pushtoi ambientin brenda pak minutash, duke e kthyer klubin në një kurth vdekjeje.
Bilanci i deritanishëm: 47 persona humbën jetën, ndërsa 115 të tjerë mbetën të plagosur, shumë prej tyre me djegie të rënda dhe probleme serioze nga asfiksia. Autoritetet zvicerane vijojnë hetimet për të përcaktuar përgjegjësitë, por dëshmitë e para janë të qarta: një praktikë festive e rrezikshme, e toleruar prej vitesh, u shndërrua në shkak fatal.
Të mbijetuarit tregojnë se gjithçka ndodhi brenda sekondash. Një flakë e vogël mjaftoi për të ndezur materialet e lehta të tavanit. Më pas erdhi tymi i zi dhe i trashë, i cili bllokoi frymëmarrjen dhe shikimin, duke penguar daljen nga ambienti. Disa prej viktimave nuk u dogjën nga flakët, por u mbytën nga gazrat toksikë të prodhuar nga materialet izoluese.
Historia e klubeve të natës është e mbushur me ngjarje të ngjashme, ku përdorimi i fishekzjarreve dhe flakëve në ambiente të mbyllura ka shkaktuar masakra njerëzore.
Në vitin 2003, zjarri në klubin “The Station” në Shtetet e Bashkuara vrau 100 persona dhe plagosi mbi 230 të tjerë, pasi një fishekzjarr i ndezur në skenë kapi shkumën izoluese të tavanit.
Në vitin 2004, në Argjentinë, klubi “Cromañón Republic” u shndërrua në varr masiv për 194 persona, ndërsa mbi 1,400 u plagosën, sërish pas përdorimit të mjeteve piroteknike gjatë një koncerti.
Në vitin 2013, Brazili u trondit nga zjarri në klubin “Kiss”, ku 242 persona humbën jetën dhe rreth 630 u plagosën, në një nga tragjeditë më të rënda të këtij lloji në botë.
Edhe më afër nesh, në Maqedoninë e Veriut, një tragjedi e rëndë u regjistrua në mars të vitit 2025. Në orët e para të mëngjesit të 16 marsit, rreth orës 03:00, një zjarr përfshiu një klub nate në qytetin e Koçanit, ku po zhvillohej një mbrëmje festive me performancë live nga një grup muzikor vendas.
Në diskotekë ndodheshin rreth 1,500 të rinj. Si pasojë e flakëve, 59 të rinj humbën jetën, ndërsa mbi 155 të tjerë mbetën të plagosur. Sipas drejtoreshës së spitalit në Koçan, viktimat ishin kryesisht të moshave 14 deri në 25 vjeç. Mediat në Maqedoninë e Veriut raportuan se shkak i mundshëm i zjarrit dyshohet të kenë qenë fishekzjarret e përdorura brenda ambienteve të lokalit, një praktikë që u përsërit edhe aty, me pasoja shkatërrimtare.
Rreziku i fishekzjarreve dhe flakëve në ambiente të mbyllura është i njohur dhe i dokumentuar. Këto mjete janë projektuar për përdorim në hapësira të jashtme. Në ambiente të brendshme, një shkëndijë e vetme mjafton për të ndezur izolimin akustik, drurin, tekstilet apo shkumën sintetike të tavaneve. Kur këto materiale marrin flakë, zjarri përhapet me shpejtësi ekstreme dhe prodhon tym jashtëzakonisht toksik, që paralizon njerëzit përpara se ata të arrijnë të reagojnë.
Në shumicën e rasteve, vdekjet ndodhin jo nga flakët direkte, por nga asfiksia dhe helmimi nga tymi. Daljet e emergjencës bllokohen, dritat fiken, paniku përhapet dhe sekondat bëhen fatale.
Ky është një zakon vdekjeprurës. Nga Zvicra në Brazil, nga Argjentina në SHBA, e deri në Maqedoninë e Veriut, e njëjta skemë përsëritet, me të njëjtin fund tragjik.
Ka ardhur momenti që përdorimi i fishekzjarreve, qirinjve dhe flakëve të hapura në ambiente të mbyllura të ndalohet dhe të zhduket përfundimisht. Asnjë festë nuk vlen jetën e një njeriu, aq më pak të dhjetëra të rinjve që dalin për të festuar dhe nuk kthehen më në shtëpi.
Këto janë pasoja të drejtpërdrejta të neglizhencës dhe të një zakoni që ka provuar, ndër vite, se prodhon vetëm viktima.
The post Zjarri në clubin në Zvicër nga fishekzjarret e shampanjës: Rastet e ngjashme dhe pse duhet zhdukur kjo “traditë”? appeared first on iconstyle.al.