Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Balluku e pezulluar, Rama të hënën me presidentin e Këshillit Europian

Ndërsa në Tiranë Gjykata Kushtetuese ka pezulluar nga detyra zëvendësen e tij, të hënën Kryeministri Rama do të jetë në takim me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa, në Burksel. Mendohet që në qendër të takimit do të jetë ecuria e procesit për anëtarësimin, ndërkohë që vendi ende nuk ka mundur të marrë Raportin e Vlerësimit të Standardeve për Reformimin e Gjyqësorit për kapitujt 23 e 24,  që në fakt janë hapur të parët. Kujtojmë se pa miratimin e këtij raporti nuk mund të nisë procesi i mbylljes së grupkapitujve, ndërkohë që me metodologjinë e re të negociatave mundet që një shtet anëtar i BE-së në këto rrethana të kërkojë rikthimin e tyre në pikën fillestare.

 

Kushtetuesja/ Berisha: Rama detyroi kancelaritë e Europës t’i nxjerrin karton të kuq

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka dalë këtë të shtunë në një një komunikim online me qytetarët, ku ka folur lidhur me ngjarjet më të fundit të aktualitetit dhe u është përgjigjur pzetjeve të tyre.

Vetëm një ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen Balluku, kreu i PD është ndalur pikërisht mbi këtë argument, ndërsa tha se kryeministri Rama i ka përdorur disa anëtarë të kësaj gjykate për ta mbajtur në detzrë Zvendës Kryeministren.

“Rama u vërtetoi shqiptarëve se është i aftë të shkelmojë edhe procesin më themelor të viteve të pluralizmit politike, integrimin në BE, për interesat e veta.
Rama detyroi kancelaritë e Europës t’i nxjerrin kartonin e kuq e të shkojnë drejt vendimit që nuk është marrë, tërë ekzistencën e BE, vendimi i zhbërjes së plotë të procesit të integrimit.
Protestat tuaja kanë qenë të një rëndësie përcaktuese si shpresa e vetme për ndryshimin e situatës, sepse ky vendim është i gatshëm të shpallet.
Rama në mënyrën më të papërgjegjshme më anti Kushtetuese dhe anti ligjore vendosi të përdorë Gjyktën Kushtetuese si mburojë të vjedhjeve të tij dhe vijimin në detyrë të Lubi Ballukut.
Qendrimet e tij hasën në kundërshtimin më të fuqishëm të partnerëve dhe Komisionit Europian.

Shkelmon interesat e qytetarëve për të mbrojtur lëkurën e tij. Vlerësoj qëndrimin e gjykatësve të cilët me guxim rrëzuan një kërkesë që ishte baraz me grusht shteti. Me ndarjen 4:4 të paktën kërkesa e Ramës nuk u miratua dhe përfundoi në koshin e plehrave bashkë me Ramën”, tha Berisha.

 

 

Gjendet pas 29 ditësh kërkime trupi i të riut në lumin Mat

Është gjetur pas 29 ditësh kërkime, trupi i pajetë i 30 vjeçarit Jurgen Karaj, nga fshati Fullqet i Klosit. I riu ishte aksidentuar më 10 Janar, ndërsa udhëtonte me shokun tij Andi Losha dhe makina përfundoi në përroin e fshatit Darsë. Trupi u gjet  lokalizua rreth 30 kilometra larg vendit të aksidentit.

Që nga dita e aksidentit, kërkimet në lumë janë zhvilluar pa ndërprerje. Në terren kanë qenë dhjetëra forca të Batalionit të Tretë të Repartit të Këmbësorisë Burrel, familjarë dhe struktura të tjera. Në operacion kanë marrë pjesë edhe ekipe nga Kosova me mjete dhe pajisje speciale.

 

Tentoi të grabiste postën nën kërcënimin e thikës, pranga 24-vjeçarit në Shkodër

Tentoi të merrte me dhunë, nën kërcënimin e thikës, shuma parash në filialin e Postës Shqiptare dhe në një subjekt tregtar, Policia identifikon brenda pak orësh dhe vë në pranga autorin e dyshuar.

Sekuestrohen 2 biçikleta të vjedhura dhe disa nga rrobat që ka përdorur gjatë kryerjes së kësaj vepre penale.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe ndjekjes pa ndërprerje, të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Sektorin për Krimet e Rënda, me mbështetjen e forcës së posaçme “Shqiponja” dhe nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër, në kuadër të operacionit policor të koduar “Reagimi”, u identifikua dhe u arrestua shtetasi:
M. M., 24 vjeç, banues në fshatin Guci e Re, i cili ishte fshehur në tavanin e banesës së tij për t’ju shmangur Policisë.

Ky shtetas dyshohet se mbrëmjen e djeshme, në lagjen “Vasil Shanto”, duke kërcënuar me një mjet prerës (thikë), ka tentuar të vjedhë me dhunë në filialin e Postës Shqiptare.

Gjatë largimit, ka thyer xhamin e sportelit dhe është larguar me një biçikletë të vjedhur.

Gjithashtu, pak minuta më pas, dyshohet se ka tentuar sërish, po me kërcënimin e mjetit prerës (thikë), të vjedhë me dhunë një subjekt market në lagjen “Fahri Ramadani”.

Gjatë largimit, në lagjen “Skënderbeg”, dyshohet se ka vjedhur një biçikletë tjetër.

Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, rrobat që ka përdorur gjatë kryerjes së veprës penale, si dhe biçikletat e vjedhura.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprat penale, “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, e mbetur në tentativë, “Vjedhja me dhunë”, “Vjedhja” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

SHBA: Trump preferon diplomacinë me Iranin, por nuk përjashton opsionet ushtarake

Shtëpia e Bardhë ka deklaruar të enjten se diplomacia është zgjedhja e parë e presidentit amerikan Donald Trump për përballjen me Iranin. Megjithatë, Trumpi paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara kanë edhe opsionin ushtarak, nëse nuk arrihet një marrëveshje.

Bisedimet pritet të zhvillohen pavarësisht mosmarrëveshjeve mes dy palëve lidhur me agjendën, gjë që ka rritur dyshimet për arritjen e një marrëveshjeje. Trump ka kërcënuar më herët se SHBA-ja mund të ndërmarrë sulme ndaj Iranit nëse nuk arrihet një marrëveshje.

Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se duan që bisedimet të përfshijnë edhe programin raketor të Iranit dhe çështje të tjera, ndërsa Teherani këmbëngul që fokusi të jetë vetëm te programi bërthamor. Ende nuk është e qartë nëse kjo mosmarrëveshje është zgjidhur.

“Diplomacia është gjithmonë opsioni i parë i presidentit, qoftë ndaj aleatëve apo kundërshtarëve”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, duke folur për negociatat e ardhshme.

Ajo përsëriti qëndrimin e Trumpit se “zero kapacitete bërthamore” për Iranin është një kërkesë e panegociueshme.

“Presidenti dëshiron të shohë nëse mund të arrihet një marrëveshje”, tha Leavitt. “Por ndërkohë, i kujtojmë regjimit iranian se presidenti ka edhe shumë opsione të tjera, përveç diplomacisë, si komandant i forcës ushtarake më të fuqishme në historinë e botës”.

Parashikimi i motit, 7 shkurt 2026

Ditën e shtunë vendi ynë do të ndikohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike.

Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura,  kryesisht në pjesën e parë të ditës, ndërsa nuk do të mungojnë intervale me kthjellime.

Reshjet parashikohen të herëpashershme me intensitet të ulët e lokalisht mesatar në formë shtrëngatash afatshkurtra në pjesën më të madhe të vendit nga orët e para të 24-orëshit deri në orët e mëngjesit.

Gjatë ditës reshjet e shiut pritet të vijojnë me intensitet të ulët, të herëpashershme në të gjithë vendit por me ndërprerje.

Në zonën e Alpeve dhe relievet e larta malore verilindje- juglindje të vendit reshje dëbore me intensitet kryesisht të ulët.

Era do të fryjë me drejtim kryesor verilindje-veriperëndim  me shpejtësi mesatare 4m/s, ndërsa në zonat luginore dhe përgjatë vijës bregdetare era pritet të fitojë shpejtësi 9m/s, me valëzimin në det të forcës 1-2ballë.

Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

Dashi

Në dashuri do të keni mundësi që të zgjidhni problemet në çift, në sajë të kalimit tranzit të Venusit. Në punë do të keni dëshirë për ndryshim. Këshillohet që të mos krijoni polemika të kota.

Demi

Do të nisë gradualisht një fazë rikuperimi. Në dashuri gjërat ecin mirë, por sërish ju do të jeni nervoz. Në punë dhe me çështjet financiare, do të keni shumë gjëra për të menduar dhe sistemuar. Kjo për shkak se fitimet nuk janë ashtu siç i kishit menduar.

Binjakët

Dashuria do të jetë nën ritmin e duhur, pasi mund të ketë momente krize me njeriun e zemrës, të cilat duhen kaluar. Është momenti për të menduar për të ardhmen si dhe për të vlerësuar ofertat e punës.

Gaforrja

Ky është një moment rikuperimi sa i takon punës, ku gjërat do të nisin që të ecin më mirë. Dashuria do të jetë e mbushur me pasiguri, pasi mund të keni pengje nga e kaluara.

Luani

Duhet të mundoheni që të shmangni problemet dhe debatet, ndonëse do e keni mjaft të vështirë. Në dashuri, takimet janë mjaft të favorizuara. Në punë, duhet të rrini të përqendruar dhe të vëmendshëm.

Virgjëresha

Mundohuni që të jeni sa më pozitiv, pasi nervozizmi dhe stresi do të jenë në nivele shumë të larta. Në dashuri nëse ka pasur probleme, është momenti për ti zgjidhur. Hëna në shenjën tuaj, do ju ndihmojë që të bëni projekte me rëndësi.

Peshorja

Dita do të jetë mjaft pozitive për të lindurit e kësaj shenje. Në dashuri problemet mund të zgjidhen, madje janë mjaft të favorizuara ndryshimet pozitive. Në punë, do të keni mundësi që të merrni një rol të rëndësishëm.

Akrepi

Duhet të përqendroheni dhe të shmangni debatet. Në dashuri shqetësimet kryesore do të vijnë nga situata ekonomike që po jetoni, shkruan noa.al. Puna do të përmirësohet gradualisht, por momentalisht bëni durim.

Shigjetari

E shtuna do të jetë nën ritmin e duhur, pasi Hëna dhe Venusi do të kenë ndikim të kundërt. Në dashuri, mund të ketë probleme, debate, por edhe dyshime. Në punë, gjërat nuk do të ecin siç dëshironi.

Bricjapi

Ky është momenti për të zgjidhur disa probleme dhe për të jetuar më mirë dashurinë. Mund të lindë një histori dashurie me dikë që nuk e prisni. Po ashtu mund të ndjeni bezdi nga njerëzit që iu rrethojnë.

Ujori

Duhet të mundoheni që të relaksoheni. Në dashuri gjërat do të ecin mirë dhe nëse keni përjetuar një ndarje, kjo periudhë premton takime interesante. Gjithashtu mund të përballeni me probleme në punë, të cilat kërkojnë zgjidhje. Kujdes duhet treguar me paratë.

Peshqit

Ju pret një ditë e mbushur me tension, ndaj bëni mirë që të mos krijoni polemika të kota. Në dashuri, situata do të jetë e komplikuar. Historitë e lindura prej pak kohësh, mund të mos rezultojnë të frytshme. Në punë, duhet të tregoni kujdes maksimal.

“Kushtetuesja” nuk mori dot vendim për Ballukun, ja si votuan 8 gjyqtarët

Pas një seancë maratonë për më shumë se 10 orë, 8 gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk kanë arritur të marrin një vendimin për ankimimin e Edi Ramës për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra.

Votat janë ndarë katër pro dhe katër kundër, duke mos bërë të mundur marrjen e një vendimi 5 me 3, dhe si rrjedhojë mbetet në fuqi vendimi i GJKKO për pezullimin nga detyra të Ballukut.

Kundër ankimimit të Ramës votuan:

Asim Vokshi

Marsida Xhaferllari

Ilir Toska

Sander Beci

Ndërsa pro ankimimit të Ramës votuan:

Fjona Papajorgji

Marjana Semini

Gent Ibrahimi

Sonila Bejtja

Vendimi/ Gjykata Kushtetuese lë në fuqi pezullimin e Belinda Ballukut

Gjykata Kushtetuese ka shpallur vendimin për çështjen e zv.kryeministres Belinda Balluku.

Gjykata Kushtetuese nuk mundi të plotësonte numrin e votave të nevojshme për të vendosur mbi ankimin e kryeministrit. Kësisoj, ndarja e votave 4 me 4 do të thotë rrëzim i ankimit për shkak se nuk arrihet shumica vendimmarrese dhe Belinda Balluku pezullohet nga detyra.

GJKKO, me kërkesë të SPAK, pezulloi nga detyra zv/kryeministren Balluku, por Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë si një shkelje të kompetencave të tij. Rama e çoi në Gjykatën Kushtetuese çështjen Balluku, me argumentin se GJKKO ka shkelur kufirin e një tjetër pushteti, atij ekzekutiv duke marrë kompetencat e tij si kryeministër për pezullimin ose shkarkimin e një anëtari qeverie.

Pas kërkesës së kryeministrit Rama, gjykata riktheu përkohësisht në detyrë Ballukun deri sa çështja e saj të shqyrtohej në themel nga “Kushtetuesja”.

Njoftim i Gjykatës Kushtetuese

NJOFTIM VENDIMMARRIEJE/ Gjykata Kushtetuese e mbledhur sot në datën 06.02.2026 mori në shqyrtim çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë me objekt: zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër; shfuqizimi i vendimeve gjyqësore të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për pjesën që ka disponuar vendosjen dhe vazhdimin e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe interpretimin e pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës.

Paraprakisht Gjykata vlerësoi njëzëri se imuniteti i ministrit rregullohet nga neni 103, pika 3 i Kushtetutës në lidhje me nenet 73, pikat 1 dhe 2. Në regjimin kushtetues të imunitetit të ministrit, ashtu sikurse të deputetit, nuk përfshihet garancia e parashikuar në nenin 242, paragrafi 2 i Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit masa e pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral. Gjykata thekson se sipas Kushtetutës sistemi qeverisës bazohet në parimin e shtetit të së drejtës sipas të cilit edhe ministrat i nënshrohen ligjit dhe mund të mbahen ligjërisht përgjegjës nëse e shkelin atë. Ndër parimet e tjera themelore janë edhe ato të epërsisë së Kushtetutës si ligji më i lartë dhe zbatimi i drejtpërdrejtë i dispozitave të saj, detyrimi i shtetit për të vepruar brenda bazës dhe kufijve të së drejtës dhe ndarja dhe balancimi ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor.

Në lidhje me objektin e kërkesës, në përfundim të diskutimeve, vlerësimet e gjyqtarëve u ndanë në dy qëndrime dhe Gjykata nuk arriti numrin e kërkuar të votave për vendimmarrje, sipas parashikimeve të nenit 133, pika 2, të Kushtetutës dhe nenit 72, pika 2, të Ligjit Organik të saj.

Sipas njërit qëndrim, Gjykata në jurisprudencën e saj në lidhje me nenin 73, pika 3 të Kushtetutës është shprehur se imuniteti i deputetëve nuk është privilegji personal i tyre por qëllimi kryesor i tij është mbrojtja e vetë Kuvendit dhe në veçanti funksionimi i duhur i tij. Në këtë kuptim, marrja e autorizimit nga Kuvendi për zbatimin e masave që kufizojnë paraprakisht lirinë e deputetit synon të mbrojtë veprimtarinë e vetë Kuvendit (shih vendimin nr. 81, datë 21.11.2024 të Gjykatës Kushtetuese). Kjo do të thotë se edhe neni 103, pika 3 i Kushtetutës, duke parashikuar se anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit synon mbrojtjen dhe funksionimin e organit ekzekutiv, pjesë e të cilit është edhe ministri. Duke iu referuar masës së pezullimit të ushtrimit të detyrës për nga shkalla dhe intensiteti i saj ajo prek funksionin kushtetues politik të ministrit. Prandaj në balancimin e parimit kushtetues të efektivitetit të ndjekjes penale dhe atij të funksionimit të pushteti ekzekutiv në kuptim të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushtetëve sipas nenit 7 të Kushtetutës edhe për këtë masë kërkohet dhënia e autorizimit paraprak nga Kuvendi.

Sipas qëndrimit tjetër, ngjashëm me standardin e interpretimit të pranuar nga Gjykata në rastin e regjimit të imunitetëve, i cili duhet të jetë i ngushtë/i kufizuar, bazuar në vullnetin e kushtetutëbërësit në reformën e vitit 2012 për zvogëlimin e imunitetit, Kushtetuta në formën e saj aktuale ka parashikuar autorizimin paraprak të Kuvendit për masat procedurale penale të parashikuara shprehimisht në nenin 73, pika 2 të saj. Në këtë dispozitë nuk parashikohet masa ndaluese e pezullimit të ushtrimit nga detyra sipas nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndonëse zbatimi i kësaj mase pamundëson ushtrimin e funksioneve të ministrit dhe për pasojë ndërhyq edhe në veprimtarinë e Këshillit të Ministrave. Në këndvështrim të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushtetave, çështja e shtimit ose ndryshimit të mekanizmave balancues, ku përfshihen edhe garanci të tilla, i përket vlerësimit të ligjvënësit kushtetues.

Për sa më lart, Gjykata Kushtetuese vendosi:

Rëzimin e kërkesës.

Heqjen e masës së pezullimit të caktuar me vendimin e Mbledhjes së Gjyqtarëve të datës 12.12.2025.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi me botimin e vendimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese nuk vendos për rastin “Balluku”, rrëzohet ankimimi i Ramës

Gjykata Kushtetuese ka shpallur vendimin për çështjen e zv.kryeministres Belinda Balluku.

Gjykata Kushtetuese nuk mundi të plotësonte numrin e votave të nevojshme për të vendosur mbi ankimin e kryeministrit. Kësisoj, ndarja e votave 4 me 4 do të thotë rrëzim i ankimit për shkak se nuk arrihet shumica vendimmarrese dhe Belinda Balluku pezullohet nga detyra.

GJKKO, me kërkesë të SPAK, pezulloi nga detyra zv/kryeministren Balluku, por Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë si një shkelje të kompetencave të tij. Rama e çoi në Gjykatën Kushtetuese çështjen Balluku, me argumentin se GJKKO ka shkelur kufirin e një tjetër pushteti, atij ekzekutiv duke marrë kompetencat e tij si kryeministër për pezullimin ose shkarkimin e një anëtari qeverie.

Pas kërkesës së kryeministrit Rama, gjykata riktheu përkohësisht në detyrë Ballukun deri sa çështja e saj të shqyrtohej në themel nga “Kushtetuesja”.

Çështja “Balluku” në “Kushtetuese”, Berisha: Vendimi do të jetë me 5 vota pro

Kreu i PD-së, Sali Berisha deklaroi sot nga Foltorja me demokratët e degëve 8 dhe 10, se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Belinda Ballukun po diktohet politikisht nga kryeministri Edi Rama.

Sipas tij, Rama ka urdhëruar që vendimi sonte të merret me 5 vota pro, me qëllim mbrojtjen e Ballukut dhe, sipas Berishës, mbrojtjen e “karriges së pushtetit” të vetë kryeministrit.

BerishaNë një kohë, në të cilën sot, në këtë moment që jemi të mbledhur, organizata kriminale e Edi Ramës ka urdhëruar gjykatësit të votojnë në mbrojtje të Lubi Ballukut.

Sot, në momentin që mblidhemi këtu, organizata kriminale voton kundër interesave më jetike të çdo qytetari shqiptar.
Voton që një grup hajdutësh, të cilin nuk e ka pasur kurrë në histori Shqipëria, i cili ka vjedhur miliarda e miliarda, të vazhdojë të vjedhë miliarda të tjerë.

Voton, të dashur miq, në një moment kur realisht ky vendim mund të këpusë çdo urë lidhje. Mund të bëjë zero të gjithë përpjekjet tona 35-vjeçare për t’u integruar në BE. Votojnë për të kuptuar shkallën e tyre.

Votojnë pasi kanë marrë mesazhin se kjo çështje është një çështje themelore për ne, për ata, për Brukselin dhe kjo mund të na detyrojë të zhbëjmë nga e para procesin e integrimit të Shqipërisë.

Një paralajmërim që nuk është dëgjuar kurrë më parë. Asnjëherë nuk kisha dëgjuar, as ata që e komentojnë këtë paralajmërim.

Me gjithë këtë, ne që jemi këtu, dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë, Edi Rama për të mbrojtur krimet e tij urdhëron, dhe me pesë vota vendos që të mbrojë me çdo kusht karrigen e tij, të mbrojë veten nga vjedhjet sepse Lubia është vetëm emri fiktiv, aferat janë të Ramës mbi të gjitha dhe të asaj pastaj.

Messi rikthehet në Barcelonë për të ardhmen e klubit

Barcelona do të hyjë në fushatën zgjedhore brenda pak ditësh, përpara zgjedhjeve që do të mbahen më 15 mars.  Joan Laporta do të japë dorëheqjen javën tjetër për të kandiduar për rizgjedhje, në të cilat ai është padyshim favoriti.

Leo Messi mund të ketë një ndikim të madh në të gjithë këtë process, shkruan Marca. Deri më tani, janë tre kandidatë paraprak që kanë shprehur qëllimin e tyre për të kandiduar, Victor Font (rivali kryesor i Laportës, i cili përfundoi i dyti në zgjedhjet e mëparshme), Xavi Vilajoana dhe Marc Ciria.

Disa ditë më parë, ish-lojtari i Barcelonës bëri një paraqitje të papritur në Spotify Camp Nou për të parë rimodelimin e stadiumit. Fotot që ai vetë postoi në rrjetet sociale patën një ndikim të madh dhe ngritën debatin rreth rolit që do të luajë argjentinasi në këto zgjedhje.

Messi synon të kthehet në klub në të ardhmen , siç e ka thënë në disa intervista. Ky është plani i tij i ardhshëm, megjithëse për momentin nuk është shumë e qartë se në çfarë cilësie do të kthehet. Ai është plotësisht i përkushtuar për t’u rikthyer, por kjo nuk do të ndodhë gjatë këtyre zgjedhjeve.

Franca bëhet vendi i parë i BE-së që hap konsullatë në Grenlandë

Franca ka hapur një konsullatë në kryeqytetin e Grenlandës, Nuuk, duke forcuar praninë e saj diplomatike në Arktik dhe duke mbajtur premtimin e bërë nga presidenti Emmanuel Macron gjatë vizitës së tij në ishull qershorin e kaluar.

Duke vepruar kështu, Franca bëhet vendi i parë i BE-së që hap një konsullatë të përgjithshme në Grenlandë, përpara partnerëve të saj në bllokun me 27 anëtarë.

Megjithatë, Brukseli është tashmë i përfaqësuar në ishull, pas hapjes së një zyre të Komisionit Evropian në vitin 2024.

Jean-Noël Poirier, ish-ambasadori francez në Vietnam, e mori detyrën me mbërritjen në Nuuk, ku do të përfaqësojë Francën në këtë territor gjysmë-autonom danez me rreth 56,000 banorë.

Deri më tani, shtetasit francezë që jetonin në Grenlandë mbështeteshin në një marrëveshje të kufizuar konsullore.

Një konsulle nderi, Kristine Winberg, merrej me procedurat themelore administrative dhe asistencën konsullore në emër të ambasadës franceze në Danimarkë.

Roli i saj përfshinte lëshimin e dokumenteve të identitetit, ofrimin e mbështetjes në rastet e çështjeve ligjore ose vdekjeve, dhe veprimin si një lidhje me komunitetin e vogël francez, sipas transmetuesit francez BFM TV.

Një burim diplomatik tha se vetëm “tetë qytetarë francezë janë të regjistruar në Nuuk, por ndoshta rreth 30 jetojnë në Grenlandë”.

Megjithatë, pavarësisht madhësisë së vogël të popullsisë franceze në ishull, konsullata e re do të ketë përgjegjësi të zgjeruara.

Përveç ofrimit të mbështetjes administrative për shtetasit francezë, do të punohet “për të thelluar projektet ekzistuese të bashkëpunimit me Grenlandën në fushat kulturore, shkencore dhe ekonomike, duke forcuar njëkohësisht lidhjet politike me autoritetet lokale”, sipas një deklarate të publikuar nga ministria e jashtme.

Parisi thotë se qëllimi është të forcohen lidhjet midis Grenlandës, Francës dhe BE-së në një rajon që është bërë burim mosmarrëveshjesh të konsiderueshme midis Evropës dhe SHBA-së, mes kërkesave të përsëritura të presidentit të SHBA-së Donald Trump që Uashingtoni të marrë kontrollin e territorit që është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës.

Norvegjia do të hetojë zbulimet e dosjes Epstein

Norvegjia duket se do të nisë një hetim ndaj ministrisë së saj të jashtme për lidhjet me ish-sulmuesin seksual amerikan Jeffrey Epstein, një nga disa vendet evropiane që ndjeu presionin nga një skandal që ende nuk ka shkaktuar pasoja të mëdha politike në SHBA.

Publikimi i një sasie të madhe dosjesh të reja javën e kaluar ka zbuluar një mori lidhjesh të reja të Epstein me politikanë, anëtarë të familjes mbretërore dhe ultra të pasur.

E ardhmja e kryeministrit britanik Keir Starmer po duket gjithnjë e më e pasigurt për shkak të vendimit të tij të vitit të kaluar për të emëruar Peter Mandelson, i cili kishte një miqësi të ngushtë me Epstein, si ambasador në Uashington.

Vëllai i mbretit, Andreë Mountbatten-Ëindsor, ishte detyruar të hiqte dorë nga titulli i tij mbretëror dhe rezidenca luksoze, dhe tani po rritet presioni mbi të për të dëshmuar në SHBA.

Në Sllovaki, këshilltari i sigurisë kombëtare i kryeministrit Robert Fico ka dhënë dorëheqjen pasi u zbuluan email-e në të cilat ai diskutonte për gra të reja me Epstein. Dhe ish-ministri francez i kulturës, Jack Lang, po i kërkohet të japë dorëheqjen si president i Institutit të Botës Arabe.

Figura publike, përfshirë Princeshën e Kurorës Mette-Marit dhe ish-kryeministrin dhe ministrin e jashtëm Thorbjoern Jagland, janë të gjitha nën shqyrtim të ri. Kështu janë edhe ish-ministri i Jashtëm Boerge Brende tani udhëheqës i Forumit Ekonomik Botëror Mona Juul, ambasadore në Jordani dhe Irak; dhe bashkëshorti i saj Terje Roed-Larsen.

Të premten, Mette-Marit kërkoi përsëri falje në një deklaratë të lëshuar nga pallati, veçanërisht drejtuar mbretit dhe mbretëreshës, për lidhjet e saj me Epstein. Dosjet e fundit amerikane treguan korrespondencë të gjerë me email me të edhe pasi ai u shpall fajtor për krime seksuale me fëmijë në vitin 2008.

Jagland është gjithashtu ish-kryetar i Komitetit Norvegjez të Nobelit. Juul dhe Roed-Larsen ndihmuan në krijimin e kanalit sekret për kontaktet midis Organizatës për Çlirimin e Palestinës dhe qeverisë izraelite që çoi në Marrëveshjet e Oslos të viteve 1993-1995.

Të gjithë dihej se kishin lidhje me Epsteinin, por dosjet e reja kanë ofruar shumë më tepër detaje. Mediat norvegjeze raportuan se shumica e partive në parlamentin e Norvegjisë duket se janë të gatshme të mbështesin një hetim të pavarur për Ministrinë e Jashtme. Megjithatë, e përditshmja VG tha se Kryeministri Jonas Gahr Stoere do të preferonte që parlamenti të kryente hetimin.

Njësia e policisë së krimit ekonomik të Norvegjisë tha të enjten se po hetonte Jaglandin nën dyshimin për korrupsion të rënduar. Avokati i Jaglandit tha se klienti i tij ishte i bindur se do të demonstronte pafajësinë e tij dhe do të bashkëpunonte.

Ministria e jashtme tha se do të kërkojë të heqë imunitetin diplomatik që gëzon Jagland, si kreu i Këshillit të Evropës nga viti 2009 deri në vitin 2019, për t’i lejuar policisë të hetojë.

Këshilli i Evropës tha se kishte kryer një hetim të brendshëm në dhjetor dhe janar, i nxitur nga dosjet e Epstein të publikuara në nëntor, dhe se “veprimet e mëtejshme do të vendosen sipas nevojës”.

Juul nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment të dërguara ministrisë, e cila e ka pezulluar atë ndërsa ajo po merret me një hetim të brendshëm.

Avokati i Roed-Larsen tha se klienti i tij nuk dyshohej për ndonjë vepër penale dhe ishte i gatshëm të bashkëpunonte plotësisht me autoritetet. Ai tha se Roed-Larsen, 78 vjeç, ishte në rehabilitim pas një goditjeje në tru dhe kishte vështirësi në të folur dhe shkruar.

Brende ka thënë se nuk ishte në dijeni të së kaluarës dhe aktiviteteve kriminale të Epsteinit përpara se ta takonte për herë të parë në vitin 2018 dhe se i vjen keq që nuk e ka hetuar më me hollësi.

Mette-Marit, 52 vjeç, vuan nga një sëmundje kronike e mushkërive dhe pallati tha se ajo aktualisht nuk ishte në gjendje të shprehej aq gjatë sa do të dëshironte.

Familja mbretërore e Norvegjisë po përballet tashmë me disa sfida. Marius, djali i Mette-Marit nga një marrëdhënie para martesës së saj me Princin e Kurorës Haakon, është aktualisht në gjyq për përdhunim dhe dhunë në familje./Reuters

Sula kryeinspektor, Noka: Nga “o gjel deti pusho”, në “o gjel deti këndo”

Pas emërimit të Dashnor Sulës si kryeinspektor i Përgjithshëm, vjen reagimi i parë nga PD.

Përmes një postimi në Facebook, sekretari i Përgjithshëm i PD Flamur Noka e ka sulmuar Sulën duke thënë se është shpërblyer nga Edi Rama pasi ka bërë opozitën e opozitës.

“Nga “o gjel deti pusho” në “o gjel deti këndo”. Shembulli sesi Edi Rama i shpërblen ata që i bëjnë opozitë-opozitës”, shkruan Noka krahas një video të marrë nga një seancë kuvendi kur Sula ishte deputet, teksa Edi Rama i drejtohet duke i thënë “pusho o gjel deti”.

Këshilli mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, Qeveria propozon ish-ministrin

Këshilli i Ministrave i ka propozuar Kuvendit dy anëtarët për këshillin mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Dy emrat janë ish-ministri i financave Ervin Mete dhe Jonida Prifti.

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 44, të ligjit nr.8269, datë 23.12.1997, “Për Bankën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të dy anëtarëve për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, si më poshtë vijon:

– Znj. Jonida Prifti;

– Z. Ervin Mete.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare””, thuhet në njoftimin zyrtar.

3 ditë në kërkim të bariut, dyshohet se e ka marrë rrjedha e lumit Vjosë

Që prej datës 3 shkurt , fati i bariut Ylli Dine, 65 vjeç, mbetet i panjohur. Sipas dyshimeve paraprake, ai mendohet se është rrëmbyer nga rrjedha e lumit Vjosa pasi është rrëzuar në zonën e njohur si “Fusha e fshatit Peshtan”, në bashkinë Tepelenë.

Ngjarja ka tronditur familjarët dhe banorët e zonës, të cilët prej ditësh jetojnë mes ankthit dhe shpresës. Prej ditës së parë të raportimit të zhdukjes, kërkimet po zhvillohen me intensitet të lartë.

Në operacion janë angazhuar palombarët e RENEA-s, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, Forca e Posaçme “Shqiponja”, shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, përfaqësues të Forcave të Armatosura, si dhe familjarë e vullnetarë.

Krehja e shtratit të lumit po kryhet nga të dyja anët, në një terren të vështirë dhe me rrjedhë të fortë uji.

Kërkoi përjashtimin e gjyqtares paraprake Etleva Deda, rrëzohet kërkesa e Veliajt

Rrëzohet kërkesa e Erion Veliaj për përjashtimin e gjyqtares paraprake Etleva Deda.

Seanca e fundit paraprake për kryebashkiakun Veliaj u shoqërua me debate të forta, teksa ky i fundit u largua në mënyrë demonstrative nga seanca, pasi pretendoi se gjykata nuk po e dëgjonte.

Për këtë arsye, Veliaj kërkoi përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda, pasi sipas tij ajo i mohoi të drejtën për t’u mbrojtur efektivisht.

Qeveria rrit pagat e administratës, kategoritë që përfitojnë

Qeveria ka miratuar indeksimin e pagave të administratës me 2.5%. Vendimet përfshijnë rritjen e pagës së Presidentit të Republikës dhe të pagës referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, si edhe përditësimin e strukturave të pagave për Gardën e Republikës, Policinë e Burgjeve, koordinatorët kundër korrupsionit, punonjësit mbështetës dhe specialitetet e ndryshme në administratë, si dhe personelin e sistemit shëndetësor.

Nga vendimi për indeksimin e pagave përfitojnë edhe gjyqtarët dhe prokurorët.

V E N D I M PËR INDEKSIMIN E PAGËS  SË PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Paga e Presidentit të Republikës indeksohet në masën 2,5%. Pas indeksimit, vlera e pagës së Presidentit bëhet 435 625 (katërqind e tridhjetë e pesë mijë e gjashtëqind e njëzet e pesë) lekë në muaj.
  2. Efektet financiare të këtij vendimi përballohen brenda buxhetit të miratuar për vitin 2026 për institucionin e Presidentit të Republikës.
  3. Ngarkohet institucioni i Presidentit të Republikës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2026.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

V E N D I M PËR INDEKSIMIN E PAGËS REFERUESE BAZË PËR FUNKSIONET GJYQËSORE DHE TË PROKURORISË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “b”, të pikës 2, të                 nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “a”, të pikës 5, të nenit 12, të ligjit nr.96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, e cila është e njëjtë me shumëzimin e koeficientit 0.36 (zero pikë tridhjetë e gjashtë) me pagën e Presidentit të Republikës, indeksohet në masën 2,5%. Pas indeksimit, vlera e pagës referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë bëhet 156 825 (njëqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e tetëqind e njëzet e pesë) lekë/muaj.
  2. Efektet financiare të këtij vendimi përballohen brenda buxhetit të miratuar për vitin 2026 për institucionet përkatëse.
  3. Ngarkohen institucionet, pjesë e fushës së veprimit të këtij vendimi, për zbatimin e tij.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2026.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

SHBA akuzon Kinën: Zhvilloi fshehurazi një test bërthamor, duhet traktat i ri

Shtetet e Bashkuara akuzuan Pekinin të premten se ka kryer fshehurazi një test bërthamor në vitin 2020, ndërsa bënë thirrje për një traktat të ri dhe më të gjerë për kontrollin e armëve, i cili do të përfshinte Kinën si dhe Rusinë.

Akuzat, të bëra gjatë një konference globale për çarmatimin, nxorën në pah tensione serioze mes Uashingtonit dhe Pekinit në një moment kyç për kontrollin e armëve bërthamore, vetëm një ditë pasi skadoi traktati që kufizonte numrin e raketave dhe kokave-bërthamore amerikane dhe ruse.

“Mund të zbuloj se qeveria e SHBA-së është në dijeni që Kina ka kryer teste bërthamore shpërthyese, përfshirë përgatitje për teste me fuqi të përcaktuara në qindra tonë,” tha zv.sekretari amerikan i Shtetit për Kontrollin e Armëve dhe Sigurinë Ndërkombëtare, Thomas Di Nanno, në Konferencën për Çarmatimin në Gjenevë.

Ai tha se ushtria kineze “është përpjekur t’i fshehë testet pasi e di se ato shkelin angazhimet për ndalimin e testeve.”

Sipas tij, Kina ka përdorur metodën e quajtur “decoupling”, një teknikë për të ulur efektivitetin e monitorimit sizmik, me qëllim fshehjen e aktiviteteve nga komuniteti ndërkombëtar.

❌