Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Rrëshqitja e dheut u ka bllokuar rrugën,4 familje të izoluar prej 11 ditësh në Kukës

Katër familje në fshatin Cernalevë të Kukësit prej 11 ditësh janë të izoluara, pas një rrëshqitjeje të madhe të tokës. Banorëve u është bllokuar jo vetëm rruga që të çon në banesat e tyre, por edhe aksi kryesor që lidh fshatrat Borje, Oreshkë dhe Cernalevë me qytetin e Kukësit.

Sipas banorëve, situata lidhet me tubacionin e një hidrocentrali, ku grumbullimi i ujit në faqen e malit ka sjellë rrëshqitjen e baltës dhe ujit. Si pasojë e shembjes, janë dëmtuar stalla bagëtish dhe dy banesa, ndërsa rrëshqitja vijon të jetë aktive, duke mbajtur zonën në pasiguri

Reshjet e dendura të shiut dhe borës gjatë muajit janar kanë shkaktuar dëmtime të shumta në rrugë dhe ura në zonat e thella të Kukësit, duke lënë për ditë të tëra banorë të izoluar.

Makina bie nga mbikalimi tek ura e Dajlanit, ndërron jetë 18-vjeçarja

Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme tek ura e Dajlanit në Durrës. Policia njofton se një automjet ka rënë nga mbikalimi dhe për pasojë ka ndërruar jetë pasagjerja 18-vjeçare.

Gjithashtu janë dëmtuar edhe drejtuesi i automjetit dhe dy këmbësorë të cilët ndodhen në spital. Mësohet se mjeti ka rënë nga të paktën 30 m lartësi.

“Rreth orës 22:15, të datës 15.01.2026,  te ura e Dajlanit, në lagjen nr. 4, automjeti me drejtues shtetasin A. Xh., 26 vjeç, banues në Fier, ka rënë nga mbikalimi.

Si pasojë e aksidentit, ka ndërruar jetë pasagjerja, shtetasja V. G., 18 vjeçe, ndërsa janë dëmtuar drejtuesi i automjetit, shtetasi A. Xh., si dhe dy këmbësorë, shtetasit T. T., 33 vjeç, dhe A. M., 35 vjeç, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve”, njofton policia.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.

Parashikimi i motit, 16 janar 2026

Ditën e premte vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të qëndrueshme. Moti parashikohet alternime vranësirash mesatare dhe hera-herës deri të dendura në pjesën më të madhe të territorit, pas orëve të mesditës mot me kthjellime dhe vranësira kalimtare.

Në veriperëndim – perëndim, pjesërisht në qendër dhe në ekstremin jugor në orët e mëngjesit deri në orët e mesditës reshje shiu tëherëpashershme me intensitet të ulët të karakterit lokal. Mjegull /mjegullinë përgjatë zonave luginore në orët e mëngjesit e të mbrëmjes.

Era do të fryjë me drejtim verilindje– juglindje, me shpejtësi mesatare 5 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi deri në 9 m/s.. Deti – Valëzimi forcës 1-2 ballë.

Horoskopi,16 janar 2026

Dashi-Keqkuptimet do t’ju prishin ditën sot dhe tensionet nuk do të mungojnë, njëlloj si ditët e kaluara. Do të ndjeni nevojën që të përqendroheni më shumë në rikuperimin e gjendjes psikologjike dhe fizike gjatë kësaj dite. Situata financiare po i kthehet gradualisht normalitetit.

Demi-Planet mund të ndryshojnë për shkak të zhvillimeve të papritura. Ndikimi i favorshëm i Hënës, Mërkurit dhe Saturnit në shenjën tuaj, do të thotë më shumë vëmendje lidhur me çështjet profesionale dhe paratë. Ndoshta një ndryshim i nisur, do të mund të përfundojë.

Binjakët-Jeni zgjuar shumë të lumtur sot dhe kjo do e bëjë të kënaqshme ditën tuaj. Në familje paraqiten disa situata të sikletshme që me ndikimin e kundërt të Venusit, rrezikoni që të humbni kohë, si dhe do t’ju duhet që të rishihni disa marrëveshje. Ndiqni rrjedhën dhe mos ecni kundër rrymës, pa qenë të bindur për veprimet tuaja.

Gaforrja-Do të jeni të detyruar të punoni vazhdimisht. Nuk duhet të mërziteni, nëse ndonjë nga këto ditë bëni më shumë për veten se për të tjerët. Ka ardhur momenti që të vlerësoni veten tuaj. Është mirë që të gjeni një marrëveshje lidhur me ndjenjat tuaja.

Luani-Sot do të përshkoheni nga dëshira e madhe për të dalë nga një sërë vështirësish. Mund të ndodhin vonesa apo keni mungesë vendosmërie, por asgjë më shumë. Kjo ditë favorizon fushën e ndjenjave, ku do të rigjeni emocionet e humbura ditët e fundit.

Virgjëresha-Rrezikoheni të përfshiheni në konflikte familjare për shkak të mendimeve ndryshe. Të lindurit e kësaj shenje janë të ndarë në dy grupe, ata që kanë një dashuri dhe nuk arrijnë që ta jetojnë siç duhet dhe ata që nuk kanë një ndjenjë të konsoliduar. Ballafaqimi me problemet sot mund të jetë me rrezik.

Peshorja-Mos e humbni durimin, pasi në fund do të dalë e vërteta. Nëse keni pësuar një zhgënjim në dashuri, ky është momenti për të reflektuar dhe për të lënë pas gjithçka. Kjo ditë do të jetë mjaft e rëndësishme, për të kuptuar drejtimin se nga ju çon zemra.

Akrepi-Do të ishte mirë që të mos gjykoni, pasi do të jeni të përhumbur dhe rrezikoni që të gaboni rëndë. Nuk do të jeni në formë perfekte, madje do të shfaqni nervozizëm. Personat që ju rrethojnë, mund të mendojnë se nuk jeni mirë. Jeni në një fazë rebelimi, ndaj bëni kujdes.

Shigjetari-Kjo është dita e duhur për të nisur një fazë të re në jetën tuaj, sidomos lidhur me anën profesionale. Hëna do t’i shqetësojë jo pak të lindurit e kësaj shenje, për shkak të ndikimit të kundërt të saj. Megjithatë duhet të rrini të qetë, pasi është situatë kalimtare. Ky muaj parashikon mundësi të mëdha sa u takon ndjenjave.

Bricjapi-Keni humbur humorin e zakonshëm dhe kërkoni të mbështeteni diku. Prisni rikuperim të shpejtë sa u takon çështjeve personale dhe atyre profesionale. Mos e shfryni mërzinë tuaj tek njerëzit më të dashur. Për emocionet, parashikohen mundësi të mëdha për të ardhmen.

Ujori-Kjo ditë është nën ritmet e duhura për të lindurit e kësaj shenje. Mundohuni që ta merrni çdo situatë me qetësi! E keni më të vështirë që të menaxhoni anën emocionale tuajën, ndaj mundohuni të mbani situatën nën kontroll.

Peshqit-Ka ardhur momenti të merrni në dorë jetën tuaj dhe të ndryshoni gjërat që nuk shkojnë. Dashuria për të lindurit e kësaj shenje pritet të jepet pa limit! Por kur ekzagjerohet, mund të kthehet kundër. Kjo ditë parashikon jo pak shqetësime sa i takon dashurisë dhe ndjenjave.

Artan Hoxha tregon pse krimi shqiptar është problem për SHBA

Gazetari Artan Hoxha ka folur në emisionin “Opinion” për raportet e SHBA me SPAK në vendin tonë.

Hoxha u shpreh se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka ndryshuar dhe ata kanë një interes të shtuar për organizatat kriminale në Shqipëri, pasi ata dinë një gjë që shqiptarët nuk e dinë. SHBA-të njohin potencialin e tyre ekonomik.

Gazetari mori si shembull rastin se si dy organizata kriminale shqiptare kishin financuar fushatën e presidentit të Ekuadorit Guillermo Lasso.

“Qëndrimi është i ndryshuar në ambasadën Amerikane pas ardhjes së presidentit Trump. Ka ndryshuar brenda një kohe rekord, shumë shpejt. Amerikanët e kanë patur këtë informacion përpara, thjesht e kanë nxjerrë nga sirtari dhe e kanë vënë në zbatim. Amerikanët dinë një gjë më shumë se ne. Dinë potencialin e vërtetë të organizatave kriminale shqiptare të narkotrafikut. E dinë me saktësi.  Pse e dinë? Në momentin që ne themi që ka organizata që e kanë kaluar 1 miliard dollarëshin. Ai e di që për një vend si Shqipëria, nëse ekziston një organizatë kriminale, që po lëviz kokainë në këto përmasa, ai e di infiltrimin e kësaj paraje në administratën e vendit, e dinë se çfarë mund të bëhet me këto para gjatë fushatës elektorale. Gjë që ne i kemi të provuara, realisht. Ato ndikojnë në jetën ekonomike, politike dhe shoqërore të vendit. SHBA-të e kanë të provuar tashmë këtë.”, tha Hoxha.

Pse janë organizatat tona problematike për SHBA-të?

 “Pse janë organizatat tona problematike për SHBA-të? Së pari, për herë të parë kemi një grup shqiptar, familja Hysaj nga Departamenti i Thesarit, të ekspozuar dhe të shpallur si organizatë terroriste që pastron para për kartelin Sinaloa. Që ka përdorur biznese amerikane, territorin amerikan, ka përdorur perandorinë e kazinove që kishte në territon e Meksikës, dhe ka ndikuar në SHBA. Ky është vendimi i 13 nëntorit të vitit të kaluar. Pra, për herë të parë, s’kemi pasur kurrë, kemi saktësisht të evidentuar nga agjencitë amerikane të luftës kundër drogës, nga operacione konkrete të bëra në territorin shqiptar. SPAK nuk ka operuar në Shqipëri me hetimet e veta, SPAK-ut ia kanë sjellë. I kanë thënë: ‘Ja ku i ke, vepro’.  Kush i ka sjellë këto? DEA.

Kur kam qenë në Ekuador dhe takova drejtorin e antidrogës atje, kur hapi të dhënat, i kishte me projektor si ti, e di ku i kishte marrë të dhënat? Nga DEA, që dy organizata shqiptare kishin financuar me 5 milionë dollarë fushatën e presidentit Guillermo Lasso. 5 milionë dollarë! Ne kishim financuar me 5 miliardë dollarë fushatën e presidentit Guillermo Lasso. sepse njëri nga shqiptarët ishte mik me dhëndrin e presidentit. Në Ekuador. Ai presidenti ishte CEO banke, kishte punuar me shqiptar dhe prandaj u përfshinë. Sepse shqiptarëve nuk u bëhet vonë kush bëhet president. Po flas për realitetin. Dritan Gjika ka financuar fushatën e presidentit Guillermo Lasso, unë kam vajtur në Ekuador, tek vila ngjitur me vilën e presidentit. Kanë lëvizur me makinën private të presidentit të Ekuadorit. Nga e kishin marrë? Duke patur këtë informacion autoritetet amerikane, duke parë që kjo organizata që po ndikon direkt në Ekuador, duke parë që lëviz me një ngarkesë të vetme 16.5 ton. Ajo ngarkesa që u kap në Hamburg. Ata e dinë ku të çon kjo sasi.  Këto grupe që e bëjnë këtë punë janë shqiptare, ato kanë në Shqipëri bizneset e tyre, lidhjet e tyre. Vetëm organizata Çopja ka 14 milionë euro longota ari, 15 milionë euro bitcoin. Kaq ke kapur.”, shtoi ai.

Sipas Hoxhës, SHBA-të nuk kishin asnjë interes më parë për krimin në Shqipëri. Por interesi I tyre u shtua pikërisht pasi panë se si grupet kriminale shqiptare mund të ndikonin përtej vendit të tyre, deri në Amerikën Latine.

“Amerikanët për sa kohë grupet tona bllokonin urën e Mifolit dhe të Memaliajt nuk ishin problem për të, kpor kur i panë në Amerikë, kur i panë në Amerikën Latine, kur i panë në Europë, kur panë fuqinë dhe potencialin e tyre dhe mund të ndikojnë edhe larg vendeve të tyre, ata thanë janë problem prej fuqisë ekonomike. Nuk rrezikojnë NATO, por fuqia ekonomike e tyre, kur shkojnë tek miliardi i dollarit, në një vend si Shqipëria ata bëjnë një dëm të jashtëzakonshëm. Kur them me 5 milionë dollarë investuan për Lason, imagjinon ti në Shqipëri kur të dalin kandidatët e panjohur me 26 mijë vota. Ja si u bë lidhja. SHBA e di shumë mirë si ky zinxhir është bashkuar dhe kanë ardhur e ia kanë dhënë dosjet SPAK-ut në dorë. Dhe ne do shohim në vijim se çfarë do të kërkojnë ata dhe me çfarë intensiteti. Kur duan të veprojnë, ata veprojnë.”, u shpreh gazetari, duke shtuar se DEA e ka shumë të qartë deri në ç’masë janë infiltruar organizatat kriminale në vendin tonë, në ç’nivel politik dhe administrativ të zbatimit të ligjit, dhe sa influencë kanë arritur të blejnë me “narko-dollarët”, duke influencuar madje “deri në legjislativ”. Sipas Hoxhës, mbetet vetëm për t’u parë se sa do të veprojnë.

Lufta kundër korrupsionit, Rexhaj: SHBA-të po i bëjnë presion SPAK për…

Në emisionin “Opinion”, eksperti i sigurisë Albatros Rexhaj ka folur në lidhje me ndikimin e politikës amerikane në vendin tonë dhe në veçanti në sistemin e drejtësisë.

Rexhaj tha se SHBA-të nuk kanë agjendë politike dhe kundër qeverisë shqiptare, duke theksuar se amerikanët duan luftë kundër narkokartelëve dhe korrupsionit në vendin tonë.

“SHBA-të kanë rritur presionin ndaj SPAK”,-tha Rexhaj,  prandaj dhe është shtuar numri i prokurorëve dhe personave të tjerë në terren.

“SHBA-të nuk kanë një agjendë politikë dhe kundër qeverisë dhe duhet pasur shumë kujdes kur njerëzit vijnë në konstatime të tilla, sepse ekziston diçka e tillë atëherë ajo është skandal, është ndërhyrje në punët e brendshme të një shteti dhe në këtë rast është fjala për një shtet aleat. Këtu nuk ka regjim, për vetë faktin që kryeministri me ty bën telenovelë në  rrjetet sociale, tregon që nuk ka regjim. Regjimi nënkupton një sistem i cili në mënyrë represive udhëheq.

Ajo se çfarë SHBA-të kanë interes është lufta kundër narkokarteleve, por edhe aty janë disa elemente. Kohëve të fundit është rritur presioni ndaj SPAK, prandaj dhe kjo është arsyeja se përse ata kanë rritur numri e prokurorëve, e kanë rritur numrin e personave që janë në terren. Pra është rritur presioni ndaj SPAK prej amerikanëve.

Te Shqipëria janë tre elemente: elementi i parë është që mafia shqiptare është lojtar global dhe që depërton deri te konsumatori në Amerikë, elementi i dytë është bashkëpunimi që kartelet e drogës kanë me organizata terroriste, ky është një fenomen shumë shqetësues. Mafia shqiptare dhe mafia serbe bashkëpunojnë, pavarësisht se ne themi që me serbët jemi në konflikt. Në Ballkan është mafia shqiptare, malazeze dhe serbe, e cila për një gradë është më lart në hierarki . E treta është infiltrimi në institucione, kapja e shtetit me anë të korruptimit të zyrtarëve”, analizoi Rexhaj.

Vendimi i SHBA/ Ekspertja sqaron cilat viza pezullohen për shqiptarët dhe cilat jo

Avokatja dhe ekspertja e emigracionit Olsa Alikaj Cano, ka folur në emisionin “Opinion” në lidhje me vendimin e Departamentit të Shtetit, sipas të cilit duke filluar nga 21 janari, do të pezullohet lëshimi i të gjitha vizave emigruese për aplikantët që janë shtetas të 75 vendeve, përfshirë edhe Shqipërinë, si dhe 4 vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Avokatja, në një lidhje direkte nga SHBA, sqaroi se cilat janë vizat që bllokohen për shkak të këtij vendimi dhe vizat që nuk preken.

Olsa Alikaj Cano deklaroi se vendimi për pezullim prek vetëm aplikimet për viza emigruese, pra për qëndrim të përhershëm në SHBA dhe jo ato për qëndrim të përkohshëm, siç janë vizat turistike.

Pjesë nga biseda në studio:

Blendi FevziuNuk prek asnjë nga vizat e vizitorëve apo jo?

Olsa Alikaj Cano: Keni shumë të drejtë. Deklarata e Departamentit të Shtetit Amerikan bëhet fjalë vetëm për vizat e emigrantëve. Vizat e jo emigrantëve, nuk janë vetëm të turistëve, ka viza fetare, viza të artistëve, të diplomatëve, të vizitorëve, është një listë e madhe, janë shumë viza jo emigrante. Ata kanë të drejtë të aplikojnë për viza, këto intervista do vazhdojnë.

Blendi Fevziu: Më fal, përfshirë edhe vizat e studentëve?

Olsa Alikaj Cano: Vizat e studentëve janë viza jo emigrante, pra janë të vlefshme. Çdo vizë që është për një periudhë jo të gjatë, pra është e përkohshme, vetëm për të ardhur, të mbarosh punë dhe të kthehesh. Janë ca viza pune, sigurisht, është një periudhë e vogël që të vish, të punosh pak dhe të kthehesh.

Blendi FevziuCilat aplikime pezullohen?

Olsa Alikaj Cano: Aplikimet që pezullohen janë aplikimet me qëllim emigranti, i njohin gjithë shqiptarët. Janë vizat për bashkimet familjare. Këto janë vizat që po bllokohen. Aplikimet e nënshtetasve amerikanë për familjarët e tyre, për bashkëshortët, vëllezërit, motrat, prindërit, fëmijët. Këto janë kryesoret. Pjesa e Lotarisë amerikane, pra qëllimi për të marrë Green Card, për të jetuar tërë kohën në SHBA, përjetësisht. Janë disa viza të punëtorëve, të sponsorizuara nga punëdhënësit, për personat apo individët me shkollë të lartë. Ka disa viza fetare që janë të veçanta, viza speciale. Këto janë vizat që janë pezulluar për momentin.

Blendi FevziuDihet se sa do zgjasë pezullimi?

Olsa Alikaj Cano: Ne nuk kemi asnjë informacion për këtë pezullimin. Kjo qeveri është shumë eficente, besoj se do i marrin vendimet shpejt dhe do i verifikojnë të dhënat shpejt.

Blendi Fevziu: A ka një kriter se përsë Shqipëria dhe Kosova janë në këtë listë dhe Serbia e vende të tjera nuk janë? Pra cili ka qenë kriteri që është përdorur për të përfshirë këto 75 vende në listë?

Olsa Alikaj Cano: Sipas të dhënave që kemi, lista e 75 vendeve është lista e shteteve me rrezik të lartë, që nënshtetasit e këtyre vendeve vijnë në SHBA, abuzojnë le të themi dhe që janë barrë financiare publike e SHBA-ve. Besoj se ka një lidhje me postimin e presidentit Donald Trump të katër janarit, një listë e 120 shteteve, shtetasit e të cilëve marrin ndihmë financiare/sociale në SHBA. Shqiptarët ishin mbi 45%. Ndoshta shtetet që kanë marrë ndihmë sociale/publike, janë risk financiar i atyre që paguajnë taksa në SHBA. Ndoshta kjo është.

Blendi FevziuKa shumë shqiptarë që vijnë me viza të zakonshme dhe kërkojnë më pas të marrin Green Card përmes procedurave ligjore.

Olsa Alikaj CanoPlot, kisha një klient sot që ishte shumë e interesuar për familjen. Kemi shumë viza që po presin të bëhet intervista. Të gjithë janë të alarmuar. Shqiptarët këtu vijnë me vizë shumica ndaj më habiti lista e presidentit tonë. Nuk e di ku e kanë marrë këtë listën, sepse nuk është e verifikuar lista e personave që marrin ndihmë sociale.

“Në fshat pashë një trup pa kokë”,dëshmia e kameramanit që filmoi masakrën e Reçakut

Këtë 15 janar bëhen 27 vjet nga dita kur trupat paramilitare serbe së bashku me forcat speciale serbe kryen një prej masakrave më të frikshme në fshatin Reçak të Kosovës. 45 persona humbën jetën, më i vogli 12 vjeç dhe më i madhi 90 vjeç. Të gjithë burra. Të gjithë u vranë, disave prej tyre iu hoqën kokat dhe ishin në luginë pa kokë.

27 vjet më pas Sylejman Kllokoqi rrëfen në emisionin “Opinion” ditën e errët të 15 janarit në Reçak, kur arriti për herë të parë dëshmojë trupat e personave që humbën jetën. Ai rrëfen se si e mori lajmin dhe si ishin kontaktet e para me banorët e Reçakut.

“Lajmin e kam marrë një ditë më parë që ka luftime në Reçak nga shtypi këtu dhe disa njerëz të OSBE-së. Të nesërmen në mëngjes unë hyra në Reçak sepse dëgjova që ishte larguar policia serbe dhe takimi i parë ishte me një njeri pa kokë në oborr të një familjeje, i cili ishte i mbuluar dhe familja duke qarë po i kërkonte kokën. Ia kishin prerë kokën.

Aty fillova pyeta fshatarët nëse kishte të tjerë të vdekur diku tjetër, sepse nuk kishte informata që ka në fshat dhe më thanë ‘po vazhdo kësaj rruge, në anën e majtë ka ende trupa’. Në anën e majtë në dalje nga fshati unë pashë edhe pesë trupa të tjerë, me një vend dy, ata kanë qenë duke ikur nga fshati dhe janë vrarë. Ishin dy trupa në anën e majtë, dy në anën e djathtë dhe më andej një tjetër.

Derisa vazhdova më lart, ku shkova dhe i pashë trupa të pa jetë luginën atje, i filmova të gjitha shpejt. Emocionet i kisha të mëdha, por mendoja më shumë fotografinë, për ta dëshmuar”, tha Sylejman Kllokoqi.

NYT: Netanyahu i kërkoi Trumpit të shtyjë planet për të sulmuar Iranin

Benjamin Netanyahu i ka kërkuar Donald Trump të shtyjë çdo plan për një sulm ushtarak amerikan ndaj Iranit, raporton New York Times, duke cituar një zyrtar të lartë amerikan.

Kryeministri izraelit foli me Trump dje, të njëjtën ditë kur presidenti amerikan tha se kishte marrë informacion nga “burime shumë të larta nga pala tjetër” se Irani kishte ndaluar së vrarë protestues dhe nuk po vazhdonte me ekzekutimet.

Kjo dukej se tregonte se Trump po braktiste një sulm të mundshëm të SHBA-së ndaj Iranit, të cilin e kishte konsideruar prej ditësh.

Zyrtarët izraelitë dhe arabë, sipas New York Times, kanë frikë se Irani mund të hakmerret duke synuar vendet e tyre në rast të një sulmi të SHBA-së.

Trump paralajmëroi masa, Irani mohon se kishte planifikuar ekzekutimin e 26-vjeçarit

Gjyqësori iranian ka mohuar se ka planifikuar ekzekutimin e një 26-vjeçari të arrestuar në lidhje me protestat e fundit që kanë përfshirë vendin, pas raportimeve që ngritën shqetësime serioze ndërkombëtare.

Organizata kurde për të drejtat e njeriut Hengaw, me seli në Norvegji, deklaroi më herët këtë javë se familjes së Erfan Soltanit, 26 vjeç, i ishte thënë se ai do të ekzekutohej të mërkurën, vetëm disa ditë pas arrestimit të tij. Më vonë, Hengaw njoftoi se ekzekutimi ishte “shtyrë”, por paralajmëroi se ekzistojnë ende “shqetësime serioze dhe të vazhdueshme” për jetën e të riut.

Nga ana tjetër, gjyqësori iranian deklaroi se Soltani përballet me akuza për “bashkëpunim kundër sigurisë kombëtare”, vepra që sipas autoriteteve nuk parashikojnë dënim me vdekje.

Edhe ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se nuk ka “asnjë plan” për varjen e protestuesve. Këto deklarata erdhën pasi Trump kërcënoi me “masa shumë të forta” nëse Irani do të kryente ekzekutime, në një klimë tensionesh të shtuara dhe spekulimesh për veprime të mundshme ushtarake amerikane.

Megjithatë, Hengaw i tha BBC-së se Soltanit i është mohuar qasja në një avokat dhe se familja e tij nuk është informuar zyrtarisht për akuzat ndaj tij. Sipas organizatës dhe familjarëve, ai u arrestua në shtëpinë e tij të enjten e kaluar, në lidhje me protestat në qytetin Fardis, në perëndim të Teheranit. Gjyqësori iranian, ndërkohë, pretendon se arrestimi ka ndodhur gjatë “trazirave” të së shtunës dhe se ai po mbahet në një burg në Karaj.

Kryetari i gjykatës së Iranit, Gholam-Hossein Mohseni-Ejei, ka mbështetur gjykime dhe ndëshkime të shpejta për të arrestuarit që i cilëson si “rebelë”.

“Ata që kanë kryer akte të rënda dhune duhet të gjykohen dhe ndëshkohen sa më shpejt,” tha ai në një deklaratë video, duke theksuar se vonesat do të ulnin efektin e ndëshkimit.

Kushtetuesja: Arresti i shtëpisë për Berishën, i tejzgjatur

11 muaj në arrest shtëpie kanë qenë të tejzgjatur. Kështu i ka cilësuar Gjykata Kushtetuese vendimet e tre gjykatave të shkallëve më të ulëta, lidhur me kërkesën e kreut të PD Sali Berisha për masën e arrestit shtëpiak ndaj tij.

Vendimi është dhënë në përfundim të seancës, ku palët nuk kanë qenë të pranishme, ndërkohë që gjatë seancave të raportimit dymujor avokatët e Berishës kundërshtonin vazhdimisht kërkesën e SPAK, i cili insistonte në vijimin e masës së arrestit shtëpiak.

Në janar të vitit 2025, masa e arrestit shtëpiak ndaj ish-kryeministrit u ndryshua në “detyrim paraqitjeje”, vendim i mbështetur tashmë edhe nga Gjykata Kushtetuese.

 

Rregulli i ri për taksat e makinave

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) informon qytetarët se pagesa e taksës së mjeteve realizohet tashmë 100% online përmes platformës e-Albania, duke garantuar akses të plotë në pagesë me çdo kartë bankare, në mënyrë të thjeshtë dhe pa praninë fizike.

Ky shërbim digjital përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të shërbimeve publike dhe lehtësimit të proceseve për qytetarët, duke ofruar një procedurë të shpejtë, të sigurt dhe të aksesueshme nga telefoni apo kompjuteri.

Përfitime konkrete për qytetarët

Falë këtij shërbimi, rreth 770,000 zotërues mjetesh përfitojnë lehtësira të matshme, të përkthyera në:

282,975,000 lekë të kursyera, si rezultat i eliminimit të paraqitjes fizike në sportelet e DRSHTRR;

56,146 ditë pune të fituara, duke shmangur kohën e pritjes dhe udhëtimit për kryerjen e shërbimit;

23,100,100 km rrugë të shmangura, nga evitimi i udhëtimeve mesatare vajtje–ardhje për shërbim;

1,617,000 litra karburant të kursyera, me ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik dhe mjedisor.

Ky shërbim është rezultat i bashkëpunimit mes DPSHTRR, Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe sektorit bankar, me qëllim zgjerimin e shërbimeve digjitale dhe përmirësimin e përvojës së qytetarëve.

Synimi i DPSHTRR mbetet ofrimi i shërbimeve publike më të thjeshta, më të aksesueshme dhe më pranë qytetarëve, duke reduktuar kostot, kohën dhe burokracinë.

Për më shumë informacion mbi shërbimin, qytetarët mund të vizitojnë platformën e-Albania.

Rama zhvillon të shtunën mbledhje me kryebashkiakët në Durrës

Të shtunën kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një mbledhje me kryebashkiakët në Durrës.

Mësohet se takimi është parashikuar të zhvillohet rreth orës 12:00.

Ende nuk dihet se cila do të jetë tema e diskutimeve në këtë takim. Kujtojmë se pushteti vendor gjatë ditëve të fundit është përballur me një situatë të vështirë, për shkak të përmbytjeve që ‘mbërthyen’ vendin pas motit të keq.

Pas përmbytjeve, në shumë zona të vendit ka nisur përllogaritja e dëmeve, pas premtimeve të qeverisë për kompensim.

Kujtojmë se në verën e vitit të kaluar u bënë një sërë lëvizjesh në drejtoritë vendore të bashkive të ndryshme të vendit, me kërkesë të kryeministrit Edi Rama, i cili pretendonte se drejtorët asokohe nuk kishin performuar siç duhej.

Kërkesat për azil nga shqiptarët në BE rriten sërish në tetor

Kërkesat e shtetasve shqiptarë për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian kanë shënuar tendencë rritëse në fundin e vitit të kaluar, pasi kishin qene në rënie gjatë periudhës së verës.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në tetor 2025 u regjistruan gjithsej 505 kërkesa për azil, që është niveli më i lartë që nga muaji janar. Në gusht numri i kërkesave ishte rënë në 315.

Pavarësisht rritjes së tetorit, për 10 mujorin 2025, aplikimet për mbrojtje ndërkombëtare kanë qenë në rënie. Për periudhën janar-tetor ishin gjithsej 4345 persona që kërkuan azil, me një rënie prej 29.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në raport me vitin 2022, kur u shënua një kulm i ri emigracioni, pas pandemisë, me 11 mijë aplikime për 10 mujorin, tashmë ato mëse janë përgjysmuar. Franca vijon të mbetet vendi më i preferuar për të kërkuar azil për shkak të politika sociale, e ndjekur nga Gjermania.

Ndërsa kërkesat për azil për 10 mujorin janë në rënie, të dhënat e tjera të Eurostat bënë të ditur se forma më e preferuar për të ikur janë lejet e punës. Eurostat raportoi se vetëm në 2022-2024 janë dhënë mesatarisht 20 mijë leje pune në vit, kryesisht në Itali, Greqi e Gjermani, nga rreth 3-4 mijë që jepeshin një dekadë më parë.

Që nga viti 2021, Bashkimi Europian ka dhënë rreth 72 mijë leje qëndrimi për herë të parë për arsye punësimi për shtetasit shqiptarë.

Numri i atyre që po ikin me leje pune është tashmë gati dy herë më i lartë se ata që kërkojnë të largohen përmes azilit. Të dhënat e tjera të Eurostat bëjnë të ditur se në vitin 2022 kishte 15 mijë kërkesa për azil nga shtetasit shqiptarë në vendet e BE-së, në 2023 numri i tyre zbriti në 11 mijë dhe në 2024-n ishte 9.3 mijë.

Europa

Në tetor 2025, 62 010 aplikantë për herë të parë për azil (shtetas jo të BE-së) aplikuan për mbrojtje ndërkombëtare në vendet e Bashkimit Europian, duke shënuar një rënie prej 28% krahasuar me tetorin 2024 (86 470) dhe një rritje prej 6% krahasuar me shtatorin 2025 (58 495).

Ndërkohë, u regjistruan edhe 14 495 aplikantë të përsëritur, që përfaqësojnë një rritje prej 80% krahasuar me tetorin 2024 (8 075) dhe një ulje prej 10% krahasuar me shtatorin 2025 (16 185).

Grupi më i madh i azilkërkuesve nga Venezuela

Në tetor 2025, venezuelianët ishin grupi më i madh i personave që kërkuan azil (8 140 aplikantë për herë të parë), të ndjekur nga afganët (5 920), bangladeshasit (3 400) dhe sirianët (2 915).

Spanja, Italia, Franca dhe Gjermania morën 74% të aplikantëve për herë të parë

Spanja (12 885), Italia (12 650), Franca (11 245) dhe Gjermania (8 815) regjistruan numrin më të lartë të aplikantëve për azil për herë të parë, duke përfaqësuar 74% të të gjithë aplikantëve për herë të parë në BE.

Në tetor 2025, kishte 13,8 aplikantë për herë të parë për azil për çdo 100 mijë banorë në BE. Krahasuar me popullsinë e secilit vend të BE-së (më 1 janar 2025), normat më të larta të aplikantëve për herë të parë u regjistruan në Greqi (58,1), e ndjekur nga Qiproja (33,9) dhe Spanja (26,3).

1 710 të mitur të pashoqëruar aplikuan për azil

Në tetor 2025, gjithsej 1 710 të mitur të pashoqëruar aplikuan për herë të parë për azil në BE. Numri më i lartë i të miturve të pashoqëruar vinte nga Somalia (245), Egjipti (215), Eritrea (200), Afganistani (190) dhe Venezuela (180).

Vendet e Bashkimit Europian që morën numrin më të lartë të aplikimeve për azil nga të mitur të pashoqëruar ishin Holanda (350), Greqia (325), Gjermania (245) dhe Spanja (215).

Vendet e Bashkimit Europian që morën numrin më të lartë të aplikimeve për azil nga të mitur të pashoqëruar ishin Holanda (350), Greqia (325), Gjermania (245) dhe Spanja (215)./Monitor 

Eliminimi i Real Madridit nga Kupa e Mbretit, Carvajal: Kemi prekur fundin

Real Madridi u mposht 3-2 nga Albacete dhe u eliminua nga Kupa e Mbretit që në fazën e 1/8-ave. Humbja e dytë radhazi për madrilenët që u mposhtën edhe nga Barcelona në finalen e Superkupës së Spanjës.

Tanimë humbja nga ekipi i La Liga 2 ka nxjerrë në pah problemet e “Galaktikëve” të cilët më shumë se në fushë problemin e kanë në dhomat e zhveshjes.

Pas eliminimit, kapiteni Dani Carvajal nuk është fshehur, por ka qenë kritik me të tijët.

“Kemi prekur fundin, duhet të shfaqemi edhe kur humbasin dhe kjo është ajo që na takon tani. Ne lojtarët jemi përgjegjësit kryesorë. Nuk mund të them dot gjë tjetër. Çfarë na mungoi? Po ta dinim nuk do të humbisnim. Nuk duhet të jesh shumë inteligjent për ta ditur këtë. Kemi prekur fundin, na eliminoi një skuadrë e ligës së dytë. Urime atyre. Na takon të bëjmë autokritikë menjëherë. Jemi në lojë edhe për 2 kompeticione të tjera dhe do të luftojmë deri në fund për to”, tha ai.

Më pas kapiteni ka edhe një ndjesë dhe një premtim për tifozët.

“Të luftojmë për gjithçka, i kërkojmë ndjesë tifozerisë. Nuk jemi, unë në radhë të parë, në lartësinë e pritshmërive të këtij klubi dhe do të ‘japim jetën’ në muajt e ardhshëm që kjo situatë të ndryshojë rrënjësisht”, tha kapiteni i ‘Los Blancos’.

Ndeshja e radhës për ‘Galaktikët’ është të shtunën në orën 14:00 në shtëpi kundër Levantes, duel që vlen për raundin e 20-të në La Liga.

Ambasadori holandez takim me kreun e SPAK: Rikonfirmojmë mbështetjen

Ambasadori i Holandës në Shqipëri, Reinout Vos, ka zhvilluar takimin e parë zyrtar me drejtuesin e ri të SPAK, Klodjan Braho.

Ambasadori Vos mbërriti gjatë paradites në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku u zhvillua takimi me kreun e SPAK.

Në një reagim zyrtar, Ambasada e Holandës në Tiranë bëri të ditur se vizita ishte një takim mirësjelljeje për të përgëzuar Klodjan Brahon për emërimin e tij dhe për arritjet e deritanishme të institucionit.

“Përmes projekteve tona MATRA dhe bashkëpunimit të fortë dypalësh, riafirmojmë mbështetjen tonë për SPAK-un dhe për forcimin e sundimit të ligjit në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

SHBA-të kanë filluar zyrtarisht shitjen e naftës së Venezuelës

Shtetet e Bashkuara kanë përfunduar shitjen e parë të naftës venezuelase, me vlerë 500 milionë dollarë, sipas një zyrtari të administratës.

Shitje të tjera të naftës priten në ditët dhe javët në vijim, shtoi zyrtari.

Në ditët që kur Shtetet e Bashkuara sulmuan Venezuelën dhe kapën presidentin e saj, Nicolás Maduro, në fillim të këtij muaji, presidenti amerikan Donald Trump e ka bërë të qartë se planifikon të shfrytëzojë rezervat e mëdha të naftës së vendit.

Trump tha të premten se industria e naftës do të investojë të paktën 100 miliardë dollarë për të rindërtuar sektorin e energjisë të dëmtuar të Venezuelës – megjithëse nuk është e qartë se nga erdhi ky numër.

Planet e administratës për të përfituar nga nafta e Venezuelës, u pritën me skepticizëm nga drejtuesit e energjisë amerikane në Shtëpinë e Bardhë të premten.

“Është e painvesueshme,” u tha zyrtarëve CEO i ExxonMobil, Darren Woods, kur diskutuan pengesat për të bërë biznes në Venezuelë.

“Ekzistojnë një numër kornizash ligjore dhe tregtare që do të duhej të krijoheshin për të kuptuar edhe se çfarë lloj kthimesh do të merrnim nga investimi”, shtoi ai.

Disa drejtues të tjerë shprehën gjithashtu ngurrim për të bërë biznes në vendin e Amerikës Latine të sforcuar. Pas një takimi të gjatë në Shtëpinë e Bardhë të premten, Trump dhe ndihmësit e tij kryesorë kishin dalë pa ndonjë angazhim të madh nga kompanitë për të investuar miliarda dollarë në vend.

Detajet rreth shitjes së parë të naftës ishin të paqarta të mërkurën, por në një deklaratë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Taylor Rogers, tha se “ekipi i presidentit Trump po lehtëson diskutime pozitive dhe të vazhdueshme me kompanitë e naftës që janë të gatshme dhe të vullnetshme të bëjnë investime të papara për të rivendosur infrastrukturën e naftës së Venezuelës”. Të mërkurën, Reuters raportoi se nafta bruto e Venezuelës po ofrohej me një zbritje për tregtarët krahasuar me naftën konkurruese nga vende të tjera, të tilla si Kanadaja.

Rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës, SPAK kërkon burg përjetë për Altin Hajrin

SPAK ka shpallur pretencën për Altin Hajrin, i akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës në 2020.

Mwsohet se Prokuroria e Posaçme ka kërkuar burg përjetë për Hajrin. Biznesmeni Altin Hajri, pronar i kompleksit “Golden” në Shijak, ku dyshohet se është dërguar pas marrjes peng në Kamëz 49-vjeçari Jan Prenga, ndodhet aktualisht në arrati.

Besohet se shkak për eliminimin e Prengës janë bërë konfliktet për drogën që vëllai i Jan Prengës kishte në Angli me grupin kriminal që kishin lidhje edhe Hajrajt.

“Bllokada” e SHBA, çfarë janë vizat e emigrimit

Vendimi i administratës Trump për të pezulluar përkohësisht vizat e emigrimit nga 75 vende të botës, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, u kthye në kryefjalën e mediave në të dyja vendet.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka bërë të qartë se të huajt që emigrojnë në SHBA duhet ta mbajnë veten me punë, dhe jo të bëhen barrë e shtetit, dhe tani Departamenti i Shtetit po e bën rishikimin e plotë të të gjitha politikave, rregulloreve dhe udhëzimeve, për t’u siguruar që emigrantët nga këto shtete – që autoritetet amerikane i cilësojnë si vende me rrezik të lartë – të mos i shfrytëzojnë ndihmat sociale të shtetit amerikan dhe të mos bëhen barrë e parave publike.

Vendimi do të hyjë në fuqi më 21 janar. Por cfarë është saktësisht viza e emigrimit? Kjo vizë i mundëson një shtetasi të huaj hyrjen në Shtetet e Bashkuara, me qëllim që të jetojë atje përjetë. Pra, në thelb, ajo shihet si bileta që i krijon përfituesit mundësinë të bëhet ligjërisht banor i përhershëm në SHBA, si mbajtës i “Green Card”.

Viza në fjalë u lëshohet atyre që duan të zhvendosen përherë në SHBA, ndërkohë që nga rregullat e reja përjashtohen ata që vizitojnë përkohësisht Shtetet e Bashkuara për turizëm, studime ose punë. Pasi i pranohet viza e emigrimit, personi zakonisht fiton të drejtën për të jetuar përherë në SHBA, për të punuar pa kufizime, dhe përfundimisht për të aplikuar për nështetësinë amerikane.

Nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, prej vendimit të Trumpit rezulton se nuk preket vetëm Serbia.

Shkarkimi i drejtorit të burgut të Durrësit, emërohet kreu i ri

Pas shkarkimit nga detyra të drejtorit të burgut të Durrësit Indrit Cërloj, dhe gjithë zinxhirit komandues, është emëruar drejtori i ri komanduar i këtij institucioni.

Edmond Llabani është emëruar drejtor i komanduar i burgut të Durrësit.

Po ashtu nga detyra janë shkarkuar edhe i gjithë zinxhiri komandues i IEVP Durrës, konkretisht:

  • z. Afrim Zeqiraj – Shef i Policisë;
    • z. Dezdemon Pazaj – Shef i Policisë IEVP Durrës (i komanduar);
    • znj. Ylfete Sema – Shefe e Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor;
    • z. Aulon Quku – Kryeinfermier;
    • z. Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
    • z. Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
    • z. Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
    • z. Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
    • z. Idajet Calamaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
    • z. Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
    • znj. Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve.
❌