Reading view

Qeveria e Jemenit pretendon se ka kryer gati 200 sulme ndaj rebelëve Huthi –


Forcat e armatosura të qeverisë së Jemenit njoftuan të dielën se kanë kryer gati 200 sulme ndaj rebelëve Huthi të mbështetur nga Irani në 24 orët e fundit.

“Ushtria e Jemenit nisi 181 operacione ushtarake në 24 orët e fundit, duke përdorur dronë, artileri dhe raketahedhës”, sipas zëdhënësit Kolonel Majid Abdullah Al-Nuzaili.

Al-Nuzaili pretendoi se dhjetëra militantë Houthi ishin vrarë ose plagosur. Si qeveria ashtu edhe rebelët Huthi kanë raportuar përleshje dhe sulme me dronë përgjatë shumë pjesëve të vijave të frontit, të cilat shtrihen disa qindra milje nga bregu i Detit të Kuq deri në kufirin e Jemenit me Omanin.

Analistët thonë se Huthi-t duket se po mobilizohen për një ofensivë që do të synonte të merrte më shumë pjesë të vijës bregdetare të Detit të Kuq.


Home
Kryefaqja

Shiko në:

YouTube

  •  

Shkrirja e Bashkisë Selenicë!

Nga Silvana Begaj 

Reforma territoriale duhet të bëhet për t’i afruar shërbimet me qytetarin dhe për t’i bërë bashkitë më funksionale, jo thjesht për të zvogëluar numrin e tyre.

Selenica është një territor i gjerë, rural dhe me shumë fshatra të shpërndarë. Nëse Bashkia Selenicë shkrihet me Vlorën, për shumë banorë administrata do të largohet edhe më shumë. Banorët e Kotës, Sevasterit, Vllahinës dhe zonave të tjera nuk duhet të detyrohen të shkojnë deri në Vlorë për çështje që sot mund t’i zgjidhin shumë më pranë vendbanimit të tyre.

Jam kundër sepse:

– Selenica ka nevoja dhe prioritete të ndryshme nga qyteti i Vlorës.
– Ekonomia rurale, bujqësia, blegtoria, infrastruktura e fshatrave dhe tradita minerare kërkojnë vëmendje të posaçme.
– Brenda një Bashkie Vlorë shumë më të madhe ekziston rreziku që Selenica dhe fshatrat e saj të humbasin peshë në vendimmarrje.
– Investimet mund të orientohen natyrshëm drejt qytetit dhe bregdetit, ku është përqendruar popullsia dhe aktiviteti ekonomik.
– Selenica rrezikon të humbasë jo vetëm një institucion, por edhe zërin dhe përfaqësimin e saj lokal.
– Kursimi i disa kostove administrative nuk mund të jetë më i rëndësishëm se shërbimi që merr qytetari.

Dhe dua të shtoj diçka edhe nga përvoja ime personale.

Ndryshe nga problematikat që mund të hasen në shumë institucione të tjera vendore, unë kam konstatuar se Bashkia Selenicë ka staf profesional, korrekt, të sjellshëm dhe bashkëpunues. Kur një administratë lokale funksionon dhe qytetari gjen njerëz që e dëgjojnë dhe përpiqen t’i japin zgjidhje, kjo është një vlerë që duhet ruajtur dhe përmirësuar, jo zhdukur.

Sigurisht që Selenica mund dhe duhet të bëhet më e fortë. Mund të reformohet administrata, të rriten investimet, të fuqizohen njësitë administrative dhe disa shërbime të specializuara mund të realizohen në bashkëpunim me Vlorën. Por bashkëpunimi nuk kërkon shkrirjen e Bashkisë.

Një bashki nuk duhet të gjykohet vetëm nga numri i banorëve. Duhet të shohim territorin, distancat, fshatrat që administron, ekonominë, identitetin e zonës dhe, mbi të gjitha, sa pranë qytetarit është pushteti vendor.

Selenica nuk ka nevojë të zhduket si bashki. Ka nevojë të fuqizohet.

Unë jam KUNDËR shkrirjes së Bashkisë Selenicë dhe besoj se zëri i banorëve të saj duhet të dëgjohet përpara se të merret një vendim që do të ndikojë për shumë vite në të ardhmen e gjithë zonës.

@highlight Bashkia Selenice

  •  

Braktisi Kosta Rikën për Shqipërinë, 27-vjeçari rrëfen dy vitet e jetës në vendin tonë

Nga plazhet e Kosta Rikës drejt Shqipërisë. Kjo është historia e Sebastianit, një 27-vjeçari,  i cili ka zgjedhur që të jetoj në Tiranë. Një histori që nisi fillimisht si një vizitë e zakonshme turistike, por që shumë shpejt u shndërrua në një kapitull të ri të jetës së tij.

 “Në fillim erdha në Shqipëri si turist. Ishte një udhëtim që nuk e kisha planifikuar shumë mirë, thjesht doja të eksploroja Shqipërinë. Gjeta një fluturim të lirë dhe, pasi erdha këtu, kuptova se doja të qëndroja. Kështu, nga një udhëtim 2-ditor, qëndrimi u bë 5 ditë, më pas 2 javë dhe tani po bëj 2 vite që jetoj këtu”, tha Sebastian Mingo, menaxhues fushatash politike

Ai tregon edhe arsyet që e bindën për të vendosur të jetojë në Shqipëri, duke e krahasuar vendin tonë me Kosta Rikën.

 “Në përgjithësi, ka dy vende që më ngjajnë shumë. Janë shtete të vogla, me male dhe plazhe të bukura, vende të orientuara drejt turizmit. Në disa aspekte të bëjnë të ndihesh sikur je në shtëpi, edhe ushqimi është i ngjashëm. Por ndryshimi kryesor qëndron te mundësia për ta përballuar jetën financiarisht me të ardhurat që unë fitoj, siguria, e cila është një nga arsyet kryesore pse Shqipëria ka avantazh, si dhe kultura e forte”, tha Mingo.

Prej gati dy vitesh, ai punon online nga Shqipëria për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku është i angazhuar në menaxhimin e fushatave politike.

 “Unë jam këshilltar strategjik politik. Menaxhoj fushata politike dhe punoj online nga Shqipëria me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku merrem kryesisht me organizimin e fushatave që zhvillohen në nivel bashkiak për partitë politike”, shtoi Mingo.

Sipas të dhënave, deri në vitin e kaluar rreth 27 mijë të huaj ishin pajisur me leje qëndrimi në Shqipëri, duke e lidhur jetën e tyre me vendin tonë.

  •  

Tensionet për Nilin, Egjipti kundërshton planet e reja të Etiopisë për diga

Egjipti “nuk do të pranojë dhe nuk do të lejojë” që asnjë palë të kontrollojë rrjedhën e ujërave të Nilit drejt vendeve në rrjedhën e poshtme të lumit, tha të dielën një burim egjiptian, në përgjigje të deklaratave të fundit të ministrit etiopian të Ujërave dhe Energjisë, Habtamu Itefa, mbi ndërtimin e digave të tjera në lumë.

Një burim egjiptian, identiteti i të cilit nuk u bë publik, tha përmes deklaratave të transmetuara nga agjencia shtetërore e lajmeve MENA se qëndrimet e ministrit etiopian për ndërtimin e digave dhe menaxhimin e rrjedhës së ujit drejt Egjiptit e Sudanit tregojnë, sipas Kajros, vazhdimësinë e politikës së njëanshme të Etiopisë dhe përbëjnë shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Sipas burimit, deklaratat e Addis Ababës pasqyrojnë bindjen se Etiopia mund të ushtrojë kontroll mbi një lumë ndërkombëtar, ujërat e të cilit janë të përbashkëta për disa shtete, duke e vendosur rrjedhën e tij nën vendimmarrjen e një shteti të vetëm.

Burimi paralajmëroi gjithashtu se Egjipti disponon një sërë mjetesh për të mbrojtur interesat e tij dhe të popullit egjiptian në lidhje me lumin Nil, pa dhënë detaje mbi natyrën e këtyre masave.

Në përfundim, burimi përsëriti qëndrimin e Kajros se Egjipti nuk do të lejojë që ndonjë palë të kontrollojë rrjedhën e ujërave të Nilit drejt vendeve në rrjedhën e poshtme.

  •  

Dhunuan Shefin e Krimeve në Sarandë, arrestohen 6 persona, 1 shpallet në kërkim. Pezullohen dy efektivë policie

Gjashtë persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim pas një konflikti të ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit në një lokal në Sarandë, ku është goditur edhe Shefi i Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Sarandë, Mateo Bakalli.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:20 të 16 gushtit, në rrugën “Butrinti”, në ambientet e jashtme të një lokali. Sipas Policisë, rojet e sigurisë së lokalit ishin përfshirë në një konflikt me disa persona të tjerë dhe nuk kishin njoftuar shërbimet e Policisë.

Në atë moment, Shefi i Hetimit të Krimit në Komisariatin e Sarandës, nënkomisar Mateo Bakalli, po kalonte me automjetin e tij në rrugë. Pasi ka konstatuar konfliktin, ai ka ndaluar, është prezantuar si punonjës policie dhe ka ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.

Sipas Policisë, rojet e sigurisë nuk e kanë ndalur konfliktin, por kanë nisur ta godasin me grushte edhe efektivin. Ky i fundit ka kaluar në vetëmbrojtje dhe ka arritur të njoftojë shërbimet e Policisë për të kërkuar ndihmë.

Rreth një minutë më vonë, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë, të cilat kanë neutralizuar situatën dhe kanë shoqëruar personat e përfshirë.

Kontrollet kanë vijuar edhe në një banesë në fshatin Gjashtë, ku u lokalizuan dhe u shoqëruan persona të tjerë që dyshohet se ishin pjesë e konfliktit.

Në përfundim të veprimeve hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Sarandës, janë arrestuar Marjo Katiraj , 35 vjeç, administrator i lokalit, Elgent Ndoj 38 vjeç, Faik Hoxha 35 vjeç,⁠ Indrit Cullhaj 34 vjeç, Ardit Kasemi 31 vjeç, ushtarak në Zall-Herr dhe roje sigurie në lokal, si dhe Besnik Sullollari, 29 vjeç, me profesion taksist.

Ndërkohë, Pjetër Doçi, 28 vjeç, roje sigurie në lokalin ku ndodhi konflikti, është shpallur në kërkim.

Por ngjarja ka sjellë edhe masa ndaj dy punonjësve të Policisë së Shtetit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të Inspektor A. Sh., efektiv i Repartit “RESI”, dhe nënkomisar A. B., efektiv i RENEA-s.

Sipas Policisë, dy efektivët punonin pa leje në lokalin ku ndodhi konflikti dhe nuk kanë njoftuar shërbimet e Policisë për situatën.

“Pavarësisht se ndodheshin jashtë detyre, ata duhej të ndërhynin për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit. Drejtoria e Standardeve Profesionale ka dërguar një grup pune në Sarandë dhe ka nisur hetimin disiplinor ndaj dy punonjësve”, thuhet në njoftimin e policisë.

Hetimet vijojnë nga Prokuroria e Sarandës për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave të përfshirë.

  •  

Digjet plotësisht një automjet në Ersekë, flakët përfshijnë edhe kullotat

Një automjet është djegur plotësisht në rrugën e re Qafë-Qarri–Ersekë. Për fat të mirë, drejtuesi i mjetit ka arritur të dalë në kohë, pa pësuar dëmtime.

Gjatë përfshirjes së automjetit nga flakët, zjarri ka kaluar në anën tjetër të rrugës, duke përfshirë më shumë se 4 hektarë bimësi të ulët dhe kullota.

Dy mjete të shërbimit zjarrfikës të Bashkisë Kolonjë kanë ndërhyrë në vendngjarje, duke bërë të mundur izolimin e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit, në një zonë ku kalon edhe linja e tensionit të lartë.

  •  

Prona bëhet më e lirë për t’u deklaruar, shqiptarët kursejnë 120.5 milionë euro nga rivlerësimi

Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme po rezulton një lehtësi fiskale me vlerë për pronarët shqiptarë, ku vetëm gjatë periudhës janar–korrik 2026, qytetarët dhe subjektet kanë kursyer 120.5 milionë euro në kosto fiskale përmes këtij procesi.

Shifra lidhet me skemën e rivlerësimit të vitit 2026, e cila u mundëson pronarëve të përditësojnë vlerën e deklaruar të pasurisë duke paguar një tatim prej 5%.

Në një situatë normale, tatimi mbi fitimin nga kalimi i pronës është 15%, duke e bërë skemën aktuale financiarisht më të favorshme. Por përtej kursimit të drejtpërdrejtë, objektivi mbetet formalizimi i tregut të pasurive.

Vlera e deklaruar e shumë pronave historikisht ka qenë larg çmimeve reale të tregut, duke krijuar hapësirë për nëndeklarime dhe probleme në transaksionet e shitblerjes.

Ministria e Financave e konsideron rivlerësimin një mekanizëm që mund të zgjerojë bazën tatimore dhe të përmirësojë transparencën e tregut.

Deri në prill ishin regjistruar rreth 9,500 aplikime, çka tregon interes të konsiderueshëm për skemën, ndërkohë që procesi mbetet i hapur deri më 31 dhjetor 2026.

  •  

Policia “zbarkon” në rrugët e Tiranës, bllokohen 34 automjete dhe hiqen disa leje qarkullimi

Policisë e Tiranës ka intensifikuar kontrollet në terren gjatë 48 orëve të fundit, me fokus rritjen e sigurisë publike dhe rrugore si dhe goditjen e paligjshmërive.

Këto kontrolle janë zhvilluar në mënyrë të befasishme në akset kryesore dhe zona të ndryshme të kryeqytetit.

Ky aksion, siç thotë Policia e Tiranës, ka pasur për synim evidentimin e rasteve të armëmbajtjeve pa leje, posedimit të lëndëve narkotike, kapjen e personave në kërkim, si dhe verifikimin e automjeteve luksoze e të blinduara, mjeteve me xhama të errësuar tej normave të lejuara dhe automjeteve me modifikime që shkaktojnë ndodtje akustike.

Sipas Policisë, gjatë operacionit janë kontrolluar dhe verifikuar 131 automjete dhe 213 qytetarë. Pesë persona dhe automjete janë shoqëruar në drejtorinë e Policisë Tiranë për verifikime të mëtejshme.

Ndërkohë, 7 persona janë arrestuar ose proceduar, kryesisht për drejtim mjeti në gjendje të dehur, drejtim pa leje drejtimi apo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Gjithashtu janë caktuar 3012 masa administrative për shkelje të ndryshme, përfshirë drejtimin nën efektin e alkoolit, tejkalimin e shpejtësisë, përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit, mosvendosjen e rripit të sigurimit, përdorimin e xhamave të zinj të riveshur, mosdhënien e përparësisë këmbësorëve, parakalimet e gabuara dhe shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Policia ka bërë me dije se 34 mjete janë bllokuar, ndërsa janë tërhequr edhe 9 leje qarkullimi.

Kontrolle të tilla thotë Policia do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë në Tiranë, me synim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, rritjen e sigurisë në rrugë dhe garantimin e një mjedisi më të sigurt për qytetarët.

  •  

Zjarri në Vlorë, Kurti i tronditur për kosovarët e lënduar: Po monitorojmë nga afër gjendjen e tyre

Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, ka reaguar për ngjarjen e rëndë në Vlorë, ku si pasojë e zjarrit që përfshiu një hotel në Lungomare, mbetën të lënduar edhe 5 shtetas të Kosovës. Në një postim në rrjetet sociale, Kurti shprehet i tronditur për ngjarjen dhe tha se është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet në Shqipëri, teksa u uron shërim të shpejtë të lënduarve.

“Sot, në orët e hershme të mëngjesit, një zjarr përfshiu një hotel në Vlorë, ku si pasojë u lënduan katër shtetas të Republikës së Kosovës, tre prej të cilëve po marrin trajtim spitalor në Tiranë dhe një në Vlorë.

Jemi të tronditur nga lajmi dhe po e monitorojmë nga afër gjendjen e qytetarëve tanë, duke qenë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet përkatëse në Shqipëri. Të lënduarve u dëshiroj shërim të shpejtë dhe të plotë”.

  •  

Muaji korrik sjell rekord në kontributet, arkëtohen 17.9 miliardë lekë

Pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore vijojnë të shënojnë rritje edhe gjatë muajit korrik. Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, gjatë këtij muaji u arkëtuan 17.9 miliardë lekë, ose 2.1 miliardë lekë më shumë krahasuar me korrikun e vitit të kaluar.

Ecuria pozitive vjen edhe si pasojë e forcimit të masave kundër informalitetit dhe rritjes së efektivitetit të kontrolleve. Vetëm mbledhja e kontributeve të sigurimeve shoqërore u rrit me 13.13% në bazë vjetore.

Një tjetër faktor që ka ndikuar në rritjen e nivelit të të ardhurave është edhe ndryshimi i parametrave të pagave. Nga janari 2026, paga minimale për efekt të llogaritjes së kontributeve është rritur në 50 mijë lekë, duke rritur bazën minimale mbi të cilën llogariten detyrimet për sigurimet.

Megjithatë, rritja e arkëtimeve duhet parë edhe në sfondin e një ekonomie ku informaliteti mbetet i lartë. Sipas OECD-së, rreth 29.4% e punësimit në Shqipëri ishte i paregjistruar në vitin 2024, ndërsa sektorët më të ekspozuar janë bujqësia, tregtia dhe ndërtimi.

Kjo do të thotë se rritja e kontributeve përbën një tregues pozitiv për financat publike dhe skemat sociale, por njëkohësisht tregon se formalizimi i tregut të punës mbetet një burim i rëndësishëm për rritjen e të ardhurave në të ardhmen.

  •  

KLP i mohoi të drejtën për tu bërë prokuror, Strasburgu i jep të drejtë Shiqiri Manjanit

Kur gjyqtari Bezart Kackini foli në Top Albania Radio për një drejtësi e cila nuk duhet të jetë përndjekëse, ai tha se kishte parasysh fatin e Shiqiri Manjanit. Ndonëse doli me rezultate të shkëlqyera dhe fitoi magjistraturën për prokuror, Manjani u ndëshkua për shkak të fëmijërisë.

Në moshë të mitur, Manjani ishte konstatuar nga policia në një ngjarje banale dhe emri i tij ishte shkruar në kartelat e policisë. Për shkak të kësaj të kaluare, në vitin 2020 KLP nuk e lejoi të ndiqte shkollën në profilin prokuror.

Por siç raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, pas një beteje disa vjeçare në gjykatat vendase, të cilat vendosën se kushdo që hyn në drejtësi duhet të jetë i virtytshëm, ai fitoi në Strasburg.

Megjithëse Gjykata Europiane urdhëroi Shqipërinë që të rihapë procesin, pasi autoritetet kishin shpërfillur moshën e kërkuesit, e cila duhet të ishte respektuar sipas parimeve të riintegrimit, vendimi nuk është bërë ende i zbatueshëm.

Shiqiri Manjani i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën që të detyrojë KLP-në të zbatojë vendimin e Strasburgut dhe ta lejojë të përgatitet për prokuror në vitin akademik 2026-2027.

Për herë të parë, çështja e Shiqiri Manjanit u tregua në Exclusive me temë “Fëmijët tanë”. Ndërsa, siç raportoi në atë kohë TCH, Strasburgu konstatoi se aplikanti po rivuante nga institucionet një ngjarje ku ishte përfshirë fëmijë, ndërkohë që ai ishte rehabilituar.

Shiqiri Manjani, sot oficer, i frymëzuar, përmendet si shembull frymëzues për fëmijët në Institutin e të Miturve në Kavajë.

Kazusi Manjani është një histori e investiguar dhe e raportuar vazhdimisht nga TCH, patjetër është një histori për mundësitë e dyta, për të rinjtë që kërkojnë modele dhe që luftojnë t’ia dalin.

  •  

Ligji i ri për filmin / Si i kemi bërë filmat më parë? Po tani me çfarë parash?

Një ligj i ri mund të krijojë bazën, por rezultatet vijnë nga mënyra se si ai zbatohet. Ky është një shqetësim real për ata që janë pjesë e industrisë së filmit, që aktualisht diskutojnë për ndryshimet ligjore. Sot të bësh një film nuk është si më parë, kur shteti financonte dhjetëra dokumentarë dhe të paktë 10filma të gjatë në vit. Kinostudio Shqipëria e re nuk ekziston më. Dhe një ligj i ri duhet.

Si i kemi gjetur më tani partë, dhe si pritet t’i gjejmë me ligjin e ri?

“Ligji i ri tregon vetëfinancim. Fitojmë nga ekipet e huaja që zgjedhin Shqipërinë për të xhiruar. Filmi do t’i kthejë industrisë 5-8 përqind të fitimeve. Tatimet po ashtu do sjellin më shumë para për të realizuar filma”, thotë producentja Sabina Kodra.

“Lekë për kinemanë ka, por duhet politikë e mirë se si shpërndahen paratë”, thotë kineasti Edmond Topi.

Kinematë po aq nuk janë në panoramën më të mirë të mundshme. Ose janë bosh, ose të shkatërruara, ose pa program. E megjithëkëtë vullneti për një kuadër të ri ligjor ka vënë në punë të gjithë ata që bëjnë sot kinmeatografinë në Shqipëri.

“Në qendër të jetë njeriu, individi. Publiku është i hallakatur. Financohen 100 gjëra, asnjë për të qenë. Kultura s’mund të jetë populiste, ska qenë as në kohë të komunizmit. Duhet të jetë elitare, por t’i qaset publikut me histori njerëzore”, shprehet kineasti Agron Domi.

Deri më tani ligji për filmin ka qenë një model francez, për të cilin thuajse të gjithë mendojnë se ka qenë funksional. Por, që gjithsesi ka nevojë për ndryshime, pasi Shqipëria nuk ka një industri filmi si Franca, ndaj kineastët propozojnë të shkrihen disa gjëra duke parë realitetin, që është disi më I ngjashëm me modelin kroat. (A2 Televizion)

  •  

Atentati i dështuar në Elbasan, reagon Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar

Pas tentativës për vrasje të ndodhur dje në mesditë në qytetin e Elbasanit, ka reaguar edhe Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar, e cila ka shprehur shqetësimin për ngjarjen dhe ka vlerësuar faktin që incidenti nuk përfundoi me humbjen e një jete njerëzore.

Në një deklaratë publike, Qendra dënon çdo formë dhune dhe përdorimin e armëve, duke theksuar se akte të tilla nuk cenojnë vetëm sigurinë e personave të përfshirë në konflikt, por krijojnë pasiguri dhe shqetësim për të gjithë komunitetin.

“Çdo akt dhune, kërcënimi apo përdorimi i armëve është i papranueshëm dhe cenon jo vetëm jetën e individit, por edhe qetësinë dhe sigurinë e gjithë komunitetit”, thuhet në deklaratën e Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar.

Qendra vlerëson ndërhyrjen e institucioneve dhe nënvizon rëndësinë e zbardhjes së plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe të zbatimit të ligjit ndaj çdo personi që rezulton përgjegjës.

Në reagimin e saj, Qendra u bën thirrje qytetarëve që të refuzojnë dhunën si mënyrë për zgjidhjen e konflikteve dhe të ndërgjegjësohen për pasojat që mund të sjellë përdorimi i armëve.

Sipas saj, dialogu, vetëpërmbajtja dhe respekti duhet të jenë rruga për zgjidhjen e konflikteve, ndërsa ligji duhet të jetë mekanizmi që garanton drejtësinë dhe sigurinë.

Qendra thekson se parandalimi i dhunës nuk është vetëm detyrë e institucioneve ligjzbatuese, por një përgjegjësi që kërkon angazhimin e të gjithë shoqërisë.

Në deklaratë i kushtohet vëmendje edhe traditës së Elbasanit për bashkëjetesë, tolerancë dhe respekt ndërmjet komuniteteve të ndryshme.

Qendra nënvizon se ruajtja e kësaj fryme është një përgjegjësi e përbashkët e institucioneve, familjeve, shkollave, komuniteteve fetare dhe çdo qytetari.

Në një kohë kur konfliktet mund të përshkallëzohen në ngjarje me pasoja të rënda, mesazhi i Qendrës është për forcimin e komunikimit dhe respektit në komunitet, duke shmangur çdo formë të hakmarrjes apo dhunës.

“Jeta njerëzore është e shenjtë. Konfliktet zgjidhen me dialog dhe ligj, jo me armë. Paqja dhe siguria fillojnë nga secili prej nesh”, përfundon deklarata e Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar.

Reagimi vjen pas ngjarjes së rëndë të regjistruar në Elbasan, ku ndërhyrja e Policisë bëri të mundur arrestimin e autorit të dyshuar dhe shmangien e një pasoje edhe më të rëndë. Ngjarja ka rikthyer në vëmendje shqetësimin për përdorimin e armëve në konfliktet mes individëve dhe nevojën për forcimin e mesazheve kundër dhunës në komunitet.

  •  

Pjesë e trafikut të drogës, ekstradohet Xhuljano Hoxha. Një tjetër arrestohet në Rinas

Interpol Tirana ka kryer ekstradimin nga Londra të Xhuljano Hoxha, 31 vjeç, lindur në Berat. Çështja lidhet me një operacion të zhvilluar më 10 nëntor 2022, në fshatin Drenovicë të qarkut Berat, ku nga hetimet e SPAK rezulton se Xhuljano Hoxha, në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se ishte i përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike.

Hoxha u shpall në kërkim gjatë megaoperacionit të koduar “Stuhia”, ku Policia sekuestroi në fshatin Drenovicë rreth 870 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa.

Pas arrestimit në Mbretërinë e Bashkuar, në kuadër të bashkëpunimit mes Interpol Manchester dhe Interpol Tirana, u bë i mundur ekstradimi i 31-vjeçarit drejt Shqipërisë.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në prill të vitit 2024, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”.

Po ashtu në Rinas, është arrestuar me qëllim ekstradimin, 43-vjeçari Bujar Buja, lindur në Gjakovë, Kosovë dhe banues në Amsterdam, Holandë.

Buja ishte shpallur në kërkim nga autoritetet spanjolle, për veprat penale “Trafikim të lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”, me qëllim tregtimin e lëndëve narkotike, të parashikuara nga Kodi Penal Spanjoll.

Nga hetimet e zhvilluara nga Policia Gjyqësore Spanjolle është bërë i mundur identifikimi i një organizate kriminale të qëndrueshme, e cila dyshohet se merrej me trafikimin e kokainës. Organizata kishte bazën kryesisht në Costa del Sol, ndërsa aktivitetin e shtrinte edhe në zona të ndryshme të territorit spanjoll.

Sipas hetimeve, Bujar Buja dyshohet se ishte i përfshirë në transportin e lëndës narkotike.

Pas mbërritjes në Rinas, ai është arrestuar provizorisht nga autoritetet shqiptare, në pritje të procedurave të mëtejshme për ekstradimin e tij drejt Spanjës, ku kërkohet për t’u përballur me drejtësinë.

  •  

Zjarret në vend/ 11 vatra aktive, vijojnë operacionet në disa qarqe. Disa prej tyre zhvillohen në terrene të vështira

Tiranë, Dibër, Mirditë e qarqe të tjera vijojnë të përballen me vatra zjarri. Ministria e Mbrojtjes njofton se deri në orën 14:00 janë regjistruar 21 vatra, nga të cilat 11 mbeten aktive dhe 3 janë në monitorim.

Vatrat kryesore vijojnë të jenë aktive në Dajt, Shëngjergj, Krujë, Dibër, Mat, Mirditë, Pukë dhe Shkodër, ndërsa në disa prej tyre operacionet zhvillohen në terrene të vështira dhe të paarritshme.

Në Malin e Dajtit vijon puna për shuarjen e zjarrit, me mbështetjen e 50 efektivëve të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterëve të Forcës Ajrore. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatra Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër është nën kontroll dhe monitorim.

Në Gurë-Lurë të Dibrës, operacioni vijon në një perimetër të gjerë, me mbi 200 forca të angazhuara, ndërsa në mbështetje janë përdorur dy avionë Air Tractor. Korridoret e hapura kanë penguar përparimin e flakëve drejt banesave dhe aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Qafë Helmes, Dibër/Bulqizë, zjarri është shuar nga krahu i Bulqizës, ndërsa mbetet aktiv në drejtim të Selishtës. Edhe këtu nuk ka rrezik për banesat.

Në Lufaj të Mirditës, vatra mbetet aktive, por me intensitet më të ulët. Në terren po punohet për hapjen e korridoreve ndarëse, ndërsa në operacion është angazhuar edhe një helikopter i Forcave të Armatosura.

Në Bruç të Matit, zjarri ka përhapje të gjerë në një zonë shkëmbore me akses të vështirë. Në operacion janë angazhuar një automjet zjarrfikës dhe pesë efektivë. Nuk raportohet rrezik për banesa, stane apo blegtori.

Në Abaze të Krujës, zjarri vijon aktiv me intensitet të ulët, ndërsa në terren po punojnë forca zjarrfikëse, vullnetarë dhe efektivë të ADZM-së.

Ndërkohë, në Tharri të Mirditës vatra është vënë nën kontroll dhe vijon puna për shuarjen e plotë. Në Fushë-Lajë të Pukës, zjarri nuk paraqet intensitet të lartë, por ka përhapje në sipërfaqe.

Në Rrjoll të Shkodrës, vatra ndodhet në terren të paarritshëm dhe situata po monitorohet nga afër, edhe me përdorimin e dronëve.

Në Trevllazër të Vlorës, zjarri është nën kontroll dhe vijon puna për shuarjen e plotë, ndërsa një vatër e re është evidentuar në Leminot të Maliqit, ku forcat zjarrfikëse ndodhen në terren.

Në total, në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 387 forca operacionale dhe 23 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të tyre janë vendosur 100 efektivë të Forcave të Armatosura, dy automjete zjarrfikëse, tre helikopterë dhe dy avionë Air Tractor të Forcës Ajrore.

  •  

Zjarr në Trevllazër të Vlorës, flakët përfshijnë ullishtet, favorizohen nga era

Një zjarr ka rënë mesditën e sotme në fshatin Trevllazër, në Novoselë të Vlorës. Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe me ullinj, ndërsa vatra vijon të jetë aktive.

Forcat zjarrfikëse ndodhen në terren dhe po punojnë fillimisht për izolimin e flakëve, me qëllim parandalimin e përhapjes së tyre, dhe më pas për shuarjen e plotë të zjarrit.

Situata është vështirësuar nga era e fortë, e cila favorizon përhapjen e flakëve në sipërfaqet me pemë dhe veçanërisht në ullishte.

Nga pamjet në vendngjarje duken disa ullinj të përfshirë nga zjarri, ndërsa flakët vijojnë të përhapen në zonën e prekur.

Forcat zjarrfikëse vijojnë ndërhyrjen në terren, ndërsa era e fortë mbetet një prej faktorëve kryesorë që po vështirëson neutralizimin e plotë të zjarrit.

  •  

Organizoi vrasjen e Devi Kasmit përmes ish-komandos grek, kush është i dënuari përjetë që u ekstradua nga Rumania

Aurel Hoxhallari, një prej personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, është ekstraduar sot në Shqipëri nga Rumania, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar “The Wanted”.

Hoxhallari, 49 vjeç, ishte shpallur në kërkim pasi ndaj tij rëndon një dënim me burgim të përjetshëm për vrasjen e Devi Kasmit, si dhe dënime të tjera për armëmbajtje pa leje, trafikim e kultivim narkotikësh dhe grup të strukturuar kriminal.

Sipas Policisë së Shtetit, autoritetet rumune e arrestuan Hoxhallarin me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e kishte dënuar me masën “burgim të përjetshëm” për një sërë veprash penale.

Në dosjen e vrasjes së Devi Kasmit, Hoxhallari është konsideruar nga SPAK si organizatori dhe porositësi i ekzekutimit. Kasmi u vra me armë zjarri më 29 janar 2018, në rrugën “Kongresi i Manastirit” në Tiranë. Për këtë ngjarje është dënuar me burgim të përjetshëm edhe shtetasi grek Ethimios Efthimiou, i akuzuar si ekzekutori me pagesë.

Burgim të përjetshëm për vrasjen e Kasmit

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e shpalli fajtor Aurel, alias Altin, Hoxhallarin për “vrasje me paramendim për interes”, kryer në bashkëpunim dhe në formën e grupit të strukturuar kriminal, duke e dënuar me burgim të përjetshëm.

Përveç vrasjes, gjykata e shpalli fajtor edhe për mbajtje dhe prodhim të paligjshëm të armëve, përfshirë sasi të mëdha armësh e municionesh, si dhe për prodhim e shitje narkotikësh, kultivim narkotikësh dhe grup të strukturuar kriminal. Dënimet për këto vepra varionin nga 5 deri në 15 vite burg, por pas bashkimit të tyre, dënimi përfundimtar ishte burgim i përjetshëm.

Hetimet e SPAK zbuluan se Hoxhallari dyshohej se kishte rol organizues në ekzekutimin e Kasmit. Në çështje u përfshi edhe ish-komandoja grek Ethimios Efthimiou, i cili u arrestua nga autoritetet shqiptare dhe u dënua gjithashtu me burgim të përjetshëm.

Emër i njohur për policinë

Aurel Hoxhallari nuk ishte një emër i panjohur për autoritetet shqiptare. Në janar të vitit 2015, ai dhe kushëriri i tij, Elton Hoxhallari, ishin arrestuar si të dyshuar për porositjen e vrasjes së Pajtim Sejranit në “Rrugën e Kavajës” në Tiranë. Ata u liruan më pas nga Gjykata e Krimeve të Rënda për mungesë provash.

Hoxhallari është lidhur gjithashtu në hetime me aktivitetin e narkotikëve dhe veprimtarinë e një grupi kriminal me aktivitet edhe jashtë Shqipërisë.

I janë sekuestruar edhe pasuri

Në një tjetër procedim, GJKKO, me kërkesë të SPAK, ka vendosur sekuestrimin e disa pasurive të lidhura me Aurel Hoxhallarin dhe persona të lidhur me të. Mes tyre janë objekte në Yzberisht, në Unazën e Re dhe në zonën e Kodër-Mëzezit, përfshirë banesa dhe magazina. Dokumente të administrimit të pasurive konfirmojnë se disa prej këtyre pasurive kanë kaluar në proces konfiskimi.

Ekstradimi i Hoxhallarit në Shqipëri është pjesë e tre fazave të reja të operacionit “The Ëanted”. Në të njëjtin operacion, Policia njoftoi edhe arrestimin në Rinas të Bujar Bujës, 43 vjeç, të kërkuar nga autoritetet spanjolle për trafikim narkotikësh dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, ndërsa nga Londra u ekstradua drejt Shqipërisë Xhuljano Hoxha, 31 vjeç, i kërkuar për trafik droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët rumunë, vijon procedurat për përfundimin e dokumentacionit të ekstradimit të Hoxhallarit dhe dorëzimin e tij te autoritetet shqiptare.

  •  

Kina ka përpunuar një numër rekord udhëtimesh pasagjerësh me tren në janar-korrik

Kina ka përpunuar një rekord prej 2.8 miliardë udhëtime pasagjerësh me tren në shtatë muajt e parë të vitit 2026. Shifra përfaqëson një rritje prej 4.1 për qind nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar, sipas Grupit Shtetëror të Hekurudhave të Kinës, shkruan “Xinhua”.

Gjatë periudhës janar-korrik, rrjeti hekurudhor i Kinës operoi mesatarisht 11,462 trena pasagjerësh çdo ditë, 5.2 për qind më shumë se viti i kaluar.

Nxitur nga politika e tranzitit pa viza, udhëtimet hekurudhore ndërkufitare u rritën gjatë kësaj periudhe.

Hekurudha kineze shtoi se autoritetet hekurudhore kanë punuar ngushtë me departamentet e kulturës dhe turizmit në të gjithë vendin për të lidhur më mirë shërbimet e trenave me vendet piktoreske dhe akomodimin.

  •  

Arrestohet në Rumani i dënuari për vrasje, ekstradohet një tjetër shqiptar nga Mbretëria e Bashkuar për trafik droge

Një 49-vjeçar shqiptar është arrestuar në Rumani për llogari të Shqipërisë dhe një tjetër është ekstraduar nga Mbretëria e Bashkuar në vendin tonë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për një sërë veprash penale.

Gjykata e Posaçme Antikorrupsion (GJKKO) ka caktuar për A. H., 49 vjeç masën e sigurisë ‘arrest me burg’ i dyshuar për vrasjen e Devi Kasmit në rrugën “Kongresi i Manastirit” më 29 janar 2018 në bashkëpunim me një shtetas grek. Pas kontrolleve të ushtruara në banesën e tij, janë gjetur 9 armë zjarri, 130 kg lëndë narkotike (kanabis), si dhe një numër të madh bimësh kanabisi.

Ndaj tij rëndojnë veprat penale penale “Vrasje me paramendim”, “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.

Xh. H 31 vjeç është ekstraduar nga Mbretëria e Bashkuar pasi GJKKO në vitin 2024 i ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” i akuzuar për përfshirje në trafik të lëndëve narkotike në vitin 2022 në bashkëpunim me të tjerë persona, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Sakaq, në Rinas është arrestuar për llogari të shtetit spanjoll B. B., 43 vjeç nga Kosova dhe banues në Amsterdam. 43-vjeçari akuzohet si pjesë e një organizate kriminale që merrej me trafikun e kokainës me bazë në Costa del Sol dhe me aktivitet në zona të ndryshme të Spanjës.

“Policia e Shtetit/Vijon operacioni policor ndërkombëtar për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, finalizohen 3 faza të tjera të operacionit të koduar “The Ëanted”.

-Në Rinas, si rezultat i koordinimit të veprimeve mes Policisë Kufitare dhe Interpol Tiranës, u bë arrestimi provizor, me qëllim ekstradimi, i shtetasit B. B., 43 vjeç, lindur në Gjakovë, Kosovë dhe banues në Amsterdam, Holandë.

Gjykata Qendrore e Instruksionit (Hetimit) nr. 1, pranë Audiencës Nacionale të Madridit/Spanjë, në korrik 2026, ka vendosur ndaj këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Trafikim të lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”, me qëllim tregtimin e lëndëve narkotike, parashikuar nga Kodi Penal Spanjoll.

Nga hetimet e zhvilluara nga Policia Gjyqësore Spanjolle është bërë i mundur identifikimi i një organizate kriminale të qëndrueshme, e cila dyshohet se merrej me trafikimin e kokainës, e vendosur kryesisht në Costa del Sol dhe me aktivitet në zona të ndryshme të territorit kombëtar.

Shtetasi B. B. dyshohet se është implikuar në transportin e lëndës narkotike.

-Në Rumani, autoritetet rumune kanë bërë arrestimin, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë, të shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar A. H., 49 vjeç, lindur në Tiranë.

Shtetasi A. H. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në prill të vitit 2018, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Vrasje me paramendim”, “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.

Më datë 29.01.2018, në rrugën “Kongresi i Manastirit”, Tiranë, dyshohet se shtetasi A. H., në bashkëpunim me një shtetas grek dhe shtetas të tjerë, të organizuar në formën e një grupi të strukturuar kriminal, kanë vrarë me armë zjarri shtetasin shqiptar D. K.

Në banesat e tyre, Policia sekuestroi 9 armë zjarri, 130 kg lëndë narkotike (kanabis), si dhe një numër të madh bimësh kanabisi.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët spanjollë dhe rumunë, vijon veprimet për finalizimin e procedurave për ekstradimin e këtyre shtetasve.

Ndërkohë, nga Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Londra/Mbretëria e Bashkuar drejt vendit tonë i shtetasit Xh. H., 31 vjeç, lindur në Berat.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në prill të vitit 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”, për rastin e zbuluar dhe goditur më datë 10.11.2022, në fshatin Drenovicë, qarku Berat.

Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rezulton se Xh. H., në bashkëpunim me persona të tjerë, ishte i përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike.

Si rezultat i bashkëpunimit midis Interpol Mançester/Mbretëri e Bashkuar dhe Interpol Tiranës, u bë i mundur arrestimi dhe ekstradimi i tij në Shqipëri”, njofton policia.

  •  

Zjarri rekord në Belgjikë, flakët i drejtohen Gjermanisë

Një zjarr masiv ka përfshirë rreth 3 mijë hektarë tokë në Belgjikë, duke u konsideruar si më i madhi i regjistruar ndonjëherë në vend. Flakët kanë përfshirë zonën e High Fens, në lindje të Belgjikës, dhe po përparojnë në drejtim të kufirit me Gjermaninë.

Zjarri ka nisur të premten dhe ekipet e emergjencës kanë punuar gjatë gjithë natës për ta vënë nën kontroll. Në operacion janë angazhuar zjarrfikës nga Belgjika, Gjermania dhe Luksemburgu, si dhe ushtria dhe fermerë me mjete të posaçme.

Autoritetet janë përqendruar te pjesa e frontit që po lëviz drejt Gjermanisë, ndërsa shpresojnë se temperaturat më të ulëta dhe lagështia më e madhe do të ndihmojnë në frenimin e flakëve. Deri tani, asnjë banesë nuk është prekur, por tymi është i dendur dhe disa zona janë evakuuar. Banorëve që janë larguar nga shtëpitë u është kërkuar të mos kthehen ende.

Bashkimi Evropian ka dërguar tre helikopterë dhe dy avionë zjarrfikës për të ndihmuar autoritetet belge në përballimin e situatës. Zjarri është më shumë se dy herë më i madh se ai i vitit 2011, kur në të njëjtën zonë u dogjën rreth 1,400 hektarë.

Autoritetet gjermane në qytetin Monschau, pranë kufirit, thanë se flakët nuk pritet të kalojnë në territorin gjerman, por paralajmëruan për ndotje të konsiderueshme të ajrit nga tymi.

Ngjarja ka ndodhur në një periudhë kur Belgjika dhe vende të tjera evropiane po përballen me valën e pestë të të nxehtit këtë verë. Shkencëtarët theksojnë se ndryshimet klimatike po favorizojnë kushte më të nxehta dhe më të thata, të cilat bëjnë që zjarret të përhapen më shpejt dhe të zgjasin më shumë.

  •  
❌