Reading view

Shkon shteti tek problemi, jo problemi tek shteti

Nga Skënder Minxhozi/

 

Edi Rama tregoi më në fund se çfarë mendon të bëjë për të reflektuar ndaj një stine protestash që ka nisur prej tre muajsh në Shqipëri. Më së pari ai propozon një sistem leximi dhe zgjidhjeje të reklamimeve, halleve e problematikave të qytetarëve mbi bazën e një komunikimi të drejtpërdrejtë e të shpejtë të tyre me platformat dixhitale që po krijohen për këtë qëllim. Një dialog i përshpejtuar mes shtetit dhe qytetarit i cili shihet si rruga më e shkurtër për të shkuar tek problemet që kanë sot shqiptarët e thjeshtë.

Në një analizë të parë ky është një reflektim i nevojshëm, madje i vonuar. Në mandatin e katërt sfida kryesore e PS nuk po provohet të jenë mungesa e mbështëtetjes numerike në parlament dhe as ndonjë rrezik iminent që vjen nga opozita zyrtare apo edhe sheshi i protestës. Sfida vjen nga hendeku që është krijuar në 13 vjet qeverisje mes shtetit dhe qytetarit. Një humnerë në fakt që ka ardhur duke u zgjeruar dhe që ka çuar në lexime krejt të ndryshme të situatave nga institucionet dhe të mandatuarit nga njëra anë dhe shqiptarët e thjeshtë në anën tjetër me gjithë thesin e rëndë të halleve që mbajnë përditë mbi shpinë.

Duke shpallur nevojën e një kanali direkt komunikimi me qytetarët Rama ka pranuar indirekt, përtej problemit të hendekut mes shtetit e qytetarit, edhe performancën e dobët të administratës që ai drejton. Të marrësh shqetësimin e një qytetari përmes rrugës së shkurtër të platformave, linjave telefonike apo rrjetit social, është një mënyrë për të anashkaluar përpunimin burokratik e administrativ të problemeve që shqetësojnë sot shoqërinë shqiptare. Rama po na thotë “më shkruani mua që të mbarojmë punë shpejt”. Thënë ndryshe po kërkon që problemi të vijë tek shteti, pa pritur që shteti të shkojë tek problemi!

Në thelb nuk është ky vektori klasik dhe i vetëm i lëvizjes në një kontratë mes shtetit dhe qytetarëve të vet. Qeverisja merr votat që të identifikojë, kuptojë, zbërthejë dhe të vendosë në rrugën e zgjidhjes problemet, nevojat, urgjencat e të gjitha përmasave që votuesit kanë. Shteti ka institucione që paguhen për të ndjekur, matur dhe zgjidhur listën e gjatë të punëve të vendit. Kemi inspektoriate, agjenci e pushtet qëndror e lokal që paguhet për ta bërë këtë gjë. Rama po pranon në heshtje se ky mekanizëm nuk ka funksionuar siç duhet e kjo është një sëmundje endemike e shumë qeverive dhe qeverisjeve në 35 vitet e fundit.

Në anën tjetër përmes daljeve në rrjetet sociale, të cilat kanë shoqëruar takimet e Pogradecit, kryeministri ka hedhur disa ide se cilat mund të jenë disa aspekte të cilat do të kërkojnë vëmendje dhe trajtim pas shtatorit. Më e para e tyre është kriza e çmimeve, siç e përmendi konkretish vetë Rama.

Prej vitesh, që nga koha e tërmeteve, pandemisë, dhe luftës në Ukrainë, kurba e çmimeve shqiptare të shërbimeve, mallrave të konsumit, energjisë dhe strehimit ka pësuar një rritje e cila shkon deri në kufinjtë e absurdit. Emigrantët nga Evropa nuk habiten më nga çmimet e lira në dyqanet shqiptare dhe as nga tarifat në plazhet e Jugut apo malet e Veriut. Habiten për të kundërtën, për çmime agresive që shpesh tejkalojnë çdo logjikë dhe justifikim.

Të blesh sot në Tiranë nuk dallon thuajse në asgjë nga blerja e të njëjtave mallra konsumi në Romë apo Athinë. Megjithëse paga mesatare, paga minimale dhe pensionet s’kanë asnjë lidhje me shtetet në fjalë. Qeveria ndodhet nën presion për të reduktuar tvsh e ushqimeve dhe për të rikrijuar një shportë mallrash bazike për shtresat më të varfëra. Pa harruar pagat minimale dhe pensionet. Mbetet të shihet si do të reagojë në shtator.

Konsumojmë karburantin më të keq në kontinent dhe njëherësh ndër më të shtrenjtin në Evropë, për shkak të malit të taksave që mban brenda një litër naftë por edhe të prishjes së rregullave të tregut. Plot 113 vende të botës kanë reduktuar taksat mbi karburantin pas luftës në Iran ndërsa Shqipëria vijon të paguajë më shumë se dy euro për litër nafte!

Udhëtojmë në rrugë plot gropa e që mbingarkohen rregullisht me kilometra automjetesh në fundjava dhe në sezonin turistik, aq sa po të jesh banor i Tiranës e ke thuajse të pamundur të shkosh në Pogradec e Korçë, në Shëngjin, Shkodër apo në Alpe, ose të çash drejt Jugut përmes një autostrade tashmë të shpartalluar që ndan (në vend që të lidhë) Tiranën me Durrësin. Të gjitha nyjet kryesore të infrastrukturave të vendit janë ose të mbingarkuara, ose të dëmtuara e pa standarte, duke nisur nga zemra ekonomike e shtetit, segmenti Tiranë-Durrës. Pa përmendur hekurudhën mes dy qyteteve dhe Rinasin në mes, që është kthyer në një pëlhurë Penelope.

Kemi një sezon turistik gjithnjë e më të gjerë në numër dhe në gjeografi e kjo është shumë pozitive. Por kemi edhe një bujqësi që nuk e mban dot me produkte ushqimore këtë masë të madhe vitizorësh megjithëse jemi një vend me traditë historike në bujqësi e blegtori. Ushqejmë norvegjezë dhe polakë me mish brazilian, domate turke dhe qepë maqedone ndërkohë që vrasim kohën me akademi imagjinare blegtorësh. Një absurd ky i importeve ushqimore në këto përmasa që duhet nisur të trajtohet urgjentish nëse s’duam që eurot që fusim në xhep nga turizmi t’i nisim mbrapsht nga na erdhën për të blerë mallra importi.

Qeveria ka nëvojë të prekë dhe zgjidhë listën e prioriteteve dhe vizionit që ka në shtyllat e mëdha të shtetit, më shumë sesa të ofrojë si ilaç komunikimin e shpejtë me qytetarin për një tub që rrjedh apo një certifikatë të bllokuar pronësie. Duhet korrigjuar vizioni dhe ritmi i punëve që mbajnë pezull vendin, më parë sesa të zgjidhim hallin e këtij apo atij qytetari.

Fjala vjen, a mund të hyhet në Evropë duke mos pasur ujë të pijshëm 24 orë të paktën në qytetet kryesore? Mburremi me lumenjtë, përrenjtë e burimet ujore që i kemi me bollëk dhe ujë s’kemi në shtëpi. Qyshse egziston si qendër e banuar, Sarandës i kalon në periferi një lumë i vërtetë me ujë të pijshëm i cili derdhet në det, ndërkohë që qyteti dhe i gjithë bregu i Jonit, ashtu si pjesa tjetër e vendit, ka etje për ujë.

Qeveria fillon një sezon vjeshtor në të cilin këtë vit më shumë se kurrë kanë rëndësi idetë dhe hapat konkretë, sesa emrat që po mbushin listat e gosipit politik. Rama e di këtë prandaj edhe takimet i fokusoi tek problematikat e jo tek emrat.

Maxhoranca nuk ka problem personash, sepse ajo ka luksin të emërojë cilindo të njohur a të panjohur ministër. E ka provuar me promovimet e çuditshme që ka bërë në vite. Maxhorancës i duhen ide dhe vullnet për të rivënë në lëvizje makinerinë e mandatit të katërt qeverisës. Jo për inat të flamengove, e as për shkak të tyre. Por sepse është koha që punët në këtë vend të marrin një drejtim e të mos hallakatemi më nëpër kallamishtet e improvizmit dhe limontisë së tranzicionit teksa po mbyllim kapitujt e aderimit në Bashkimin Evropian.

 

 

  •  

E kemi thënë ne, nuk diskutohet më!

Nga Skënder Minxhozi/

 

Protesta ka futur prej thuajse tre muajsh në debatin civil e politik një element të ri që më parë nuk egzistonte: një zë të tretë në tryezën e punëve të shtetit. Prej tre dekadash e gjysëm ishim mësuar me dy palë që bënin kohën e mirë dhe të keqe në Shqipëri, pozitën dhe opozitën. Nuk kishte (dhe ende nuk ka) sindikata, nuk kishte (dhe ende nuk ka) një rrjet të fuqishëm dhe relevant të shoqërisë civile, paçka se rroga e projekte harxhohen boll në këtë drejtim. Nuk kishte dhe ka ende një vendimmarrje direkte të popullit përmes referendumeve, sepse kemi një ligj i cili de facto i pengon refrendumet. Së fundi nuk kishte dhe ende nuk ka një kulturë të klasës drejtuese për të dëgjuar konkretisht dhe në kohë reale opinionin publik për çeshtje që e prekin atë drejtpërdrejt. Kemi vendimmarrje të mëdha që diskutohen e vulosen larg syve të publikut, duke i përplasur këtij të fundit votën e dhënë në zgjedhje. Na votuat, tani mbyllni gojën!

Thënë të gjitha këto, me daljen e fenomenit flamengo është krijuar përshtypja se situata u përmbys sa hap e mbyll sytë, se revolucioni i dha papritur e brenda harkut të pak ditëve frytet e tij. U krijua një përshtypje naive dhe iluzive se gjithçka ka ndryshuar për mirë në këtë pjesë të diellit. Nuk ka diçka më të rrejshme dhe të pavërtetë në lidhje me ndryshimin dhe progresin, sesa iluzioni i ndryshimit dhe i progresit.

Pasi protesta na provoi të gjithëve se ka mësuar të nxjerrë njerëz në shesh dhe t’i bëjë të dalin ata nga shtëpia për shumë ditë (pjesëmarrja pastaj është diçka që ha më shumë sesa një debat), vetë protesta po përpiqet me javë e muaj të na mësojë edhe për më të rëndësishmen: se tashmë është ajo që përcakton radhën e ngjarjeve në Shqipëri, dinamikën e ndryshimeve dhe të përmbysjes, ligjet dhe reformat, largimin e madje edhe futjen në burg të krerëve kryesorë të elitës politike. Qeveri, opozitë dhe institucione janë nën mëshirën e protestuesve, ata duhet të bëjnë vetëm çfarë ju thonë protestuesit (madje pjesa e tyre që flet e bërtet) dhe se çdo gjë funksionon mbi bazën e frymës ultimative dhe jo mbi ndonjë proces bisedimesh dhe dakordësie. Ne ju flasim nga rruga, ju mbani shënim nëpër zyra!

Një shesh ku çdo ditë mblidhen nga pak qindra deri në pak mijëra persona i thotë jo vetëm ngrehinës së shtetit e instititucioneve se duhet të bëhet gati për prangat e SPAK, por edhe masës së madhe të popullit që i ka votuar, se nuk vlen më asgjë. As zgjedhje, as mandate, as institucione. Ka mbaruar, ka kapitulluar i gjithë sistemi dhe klasa e politikanëve është aty kot sa për formë. Protesta po na thotë çdo natë me megafon se Rama dhe Berisha kanë kryer punë. Sa për të tjerët, as që ja vlen të harxhosh frymë dhe kohë. I ka varrosur të gjallë revolucioni.

Ky refren i cili përsëritet çdo natë rrugëve të Tiranës plot turistë e qytetarë të lodhur nga vapa, është zyrtarizuar tashmë si autogoli i parë dhe më i madh i protestës 80 ditore të Zvërnecit, e që me Zvërnecin s’ka më asnjë lidhje. Ky qëndrim që thotë me të madhe se qeveria ka rënë dhe se protestuesit janë zotët e vendit, përplaset rregullisht më realitetin cinik të Tiranës, ku protesta është kthyer në një dekor thuajse ekzotik për turistët dhe ku jeta e përditshme rrjedh sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Ndërkohë që qeveria dhe opozita janë në plazh. Sharmi i dikurshëm i mijëra njerëzve në bulevard ja ka lënë vendin apatisë dhe protesta ka rënë në një shifër pjesëmarrje që më shumë ngjan me një rekrutim militantësh sesa me një lëvizje vullnetare e spontane.

Lista e kërkesave që protesta ka shpallur dy muaj më parë vijon të mbetet jo vetëm maksimaliste, por edhe ultimative. Përtej asaj që kërkohet, e rëndësishme është se vetë lista nuk përbën subjekt negociatash me qeverinë dhe institucionet e tjera. Sipas megafonit të protestës ajo thjesht duhet përmbushur dhe qeveria duhet të shkojë në shtëpi, parlamenti të shpërndahet dhe të krijohet një qeveri tranzitore drejt zgjedhjeve të ardhshme. Edhe ligjet e Hamurabit të gdhendura në gur nuk kanë qenë kaq taksative dhe të panegociueshme. Të ecësh me devizën “e kemi thënë ne, nuk diskutohet më” do të thotë të luash një bllof spektakolar në sytë e opinionit publik, i cili sheh sesi një grusht njerëzish i kërkojnë çdo natë klasës politike të dalë zyrat.

Disa fenomene janë të lidhura fort me realitetin. T’i ikësh realitetit do të thotë të sajosh një univers paralel i cili nuk të çon askund. Ramën dhe Berishën mund ta shkarkoni brenda natës, me kusht që të keni numrat dhe fuqinë për ta bërë këtë. Edhe listat me kërkesa ultimative mund t’i impononi brenda 24 orëve me kusht që të keni fuqinë dhe numrat për ta bërë këtë. Fakti që po shpallet fundi i klasës politike prej qershorit dhe Shqipëria konsumon sezonin veror si të mos kishte ndodhur asgjë, është një provë e përditshme pafuqie dhe shkëputjeje nga realiteti i protestës antiqeveritare.

Rruga e vetme drejt përmbysjes në një demokraci është ajo e përfshirjes në procesin politik. Në këtë aspekt protesta ka muaj që shfaq paradoksin ku sheshi është më i avancuar se podiumi i tij. Protestës i duhet një kokë, ndërkohë që vërtitet rrugëve të Tiranës si një dehur që nuk sheh dhe dëgjon. Protestës i duhet të pranojë përballjen për të mbrojtur të vërtetat e saj, e jo t’i fshihet debatit me qeverinë dhe klasën politike. Një protestë që refuzon të ketë fytyrë dhe adresë, pra që i rri larg procesit politik dhe garës me palët e tjera, është e destinuar të mbetet kjo që është. Një procesion i përnatshëm parullash, banderolash dhe fjalimesh shpesh banale, naive dhe patetike. I këndshëm për turistët e kureshtarët, i bezdisshëm për të tjerët.

  •  

Flakët në Malin e Krujës dalin jashtë kontrollit, zjarri zbret drejt zonave të banuara

Zjarri në Malin e Krujës ka nisur që prej mesditës së sotme dhe, pas ndërhyrjes nga ajri, situata është përkeqësuar pas largimit të helikopterëve të emergjencave civile.

Flakët kanë dalë sërish jashtë kontrollit dhe po zbresin në drejtim të zonave më poshtë, duke rritur shqetësimin për objektet e banuara dhe lokalet që ndodhen në afërsi.

Ndërhyrja nga ajri ka qenë e nevojshme për shkak të terrenit të vështirë, ndërsa pas largimit të helikopterëve flakët kanë vijuar përhapjen.

Banorët dhe personat që ndodhen në zonë kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga ajri për të frenuar zjarrin dhe për të shmangur afrimin e flakëve drejt zonave të banuara.

Në vendngjarje ndodhen Forcat Operacionale dhe Forcat e Armatosura.

  •  

Me kap prajmin!

Nga Skënder Minxhozi/

 

Si fillim nuk është e vështirë të bihet dakord se ajo që bëri Agron Shehaj në Kuvend me marrëveshjen ushtarake me SHBA s’ka asnjë lidhje me shërbime të huaja, qëllime spiunazhi apo diçka tjetër të kësaj natyre. Ai turravrap koridoreve të parlamentit teksa nëpunësja që administronte marrëveshjen e ndiqte pas duke rënë nga shkallët, nuk ishte ikja e një agjenti, por e një influenceri politik. Do të ishte për të qeshur nëse zbërthehet si agjenturor ai gjest grotesk dhe banal i një deputeti që merr ca letra dhe del me vrap nga zyra si fëmijët që vjedhin tinëz hurmat e komshiut.

Gjesti i Agron Shehajt është një gjetje e radhës e një politikani që ka hyrë me celular ndezur në dorë në jetën politike. Thënë ndryshe, ai vrap koridoresh është një akt i radhës i mirëmenduar për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik. Tamam si ata lojtarët e reality show që kur afrohet spektakli i fundjavës dalin nga plogështia dhe mendojnë lloj-lloj marifetesh që të bien në sy natën e shfaqjes. Kështu edhe kjo arratia me letrat e Amerikës në dorë e Agron Shehajt. Një episod qesharak, sikur të mos ishte rrëzimi nga shkallët i asaj zonjës që e ndiqte nga pas. Një episod i stisur vetëm me një qëllim: Me kap prajmin!

Shehaj nuk është i ri në këtë qasje. I vajti kryeministrit me celular duke e filmuar në fytyrë teksa e shante e sulmonte vetëm që rriste audiencën në profilet sociale që e ndiqnin live sherrin me të parin e qeverisë. Muaj më parë u ngul në foltoren e Kuvendit duke i zënë radhën folësve demokratë derisa Noka e të tjerët e larguan fizikisht prej aty. Sërish për të kapur edicionet e lajmeve kryesore.

Ka shkaktuar sa e sa sherre verbale me ministra e kundërshtarë politikë majtas e djathtas duke transmetuar sërish në rrjetet e veta sociale atë që po bënte. E di kodin e të bërit viral, e di dhe magjinë e TikTokut e Facebookut dhe i shfrytëzon këto platforma sa herë që i paraqitet rasti. Edhe kur rastin i duhet ta sajojë nga hiçi, si kjo puna e vrapit parlamentar. Është një zgjedhje e tij mediatike, e jo politike ajo që e shtyn të jetë rregullisht në qendër konfliktesh të sajuara me qëllim që të marrë vëmendje dhe të shfaqet si e vetmja opozitë në sallën e parlamentit. Ai është dënuar plot pesë herë gjatë këtij sesioni parlamentar për sjelljet abrazive që ka treguar në Kuvend. I mungonte edhe një vrap me një tekst të klasifikuar në dorë korridoreve të parlamentit, që ta plotësonte panoramën e “përplasjes me regjimin”.

Protesta 60 ditore ka futur nën presion të gjithë klasën aktuale politike. Ku bën pjesë me patjetër edhe treshja e partive të reja që u votuan në zgjedhjet e shkuara të 11 majit. Presioni i ardhur nga sheshi prek dhe influencon secilin nga aktorët politikë sipas një dinamike të personalizuar.

Kështu fjala vjen, protesta i ka marrë gjithë fushën e lojës Berishës. Ka futur në mendime jo të pakta Edi Ramën dhe shumicën e tij. Por njëherësh ka dubluar, duke i shkelur këmbët, edhe tre parti të reja, ndër të cilat ajo e zotit Shehaj, të cilat e shohin veten rregullisht në periferi të qendrës së zërit të protestës, duke u munduar të kapin diçka nga inercia e turmës. Një turmë e cila deri më sot i ka sulmuar disa herë publikisht tre krerët e partive në fjalë. E kjo të shtyn të gjesh të tjera rrugë “të forta” për t’u faktorizuar. Si fjala vjen, të rrëmbesh ca letra ‘amerikane’!

Agron Shehaj duket se po bindet se ndodhet pranë një emërimi në postin e kryeministrit ose së paku që do të jetë pjesë e rëndësishme e së nesërmes politike të këtij vendi. Se cila do të jetë ajo alkimi numrash, rrethanash apo negociatash që do ta katapultojë aty kjo nuk është shumë e qartë por Shehajt i mjafton që ta ushqejë këtë mundësi qoftë edhe boshe. Dhe si duhet pritur kjo orë fatlume në mënyrë “krijuese”?! Duhet pritur ndër të tjera edhe duke marrë dokumenta të klasifikuara e duke ikur me vrap nëpër korridoret e shtetit. Me kusht që gjithçka të jetë duke u filmuar për t’u përdorur më pas si provë e heroizmit të deputetit që nuk ngurron të zbulojë letrat e qeverisë së korruptuar edhe kur në mes është Amerika. ‘Nice try’ thonë me ironi në këto raste matanë Atlantikut!

  •  

Problemi nuk është komunikimi, por qeverisja

Nga Skënder Minxhozi/

Ashtu siç pritej, Edi Rama nuk e ndryshoi qeverinë në prag të pushimeve dhe në mes të protestave. Logjika më e thjeshtë të thotë se nuk duhet të ndërhysh në skemën e pushtetit teksa pushteti kontestohet, duke ja dhënë kësisoj dafinat e fitores kundërshtarit. Rama ka vite që e mat me kujdes sesi dhe se kur i duhet të prekë në këtë buton delikat të qeverisjes, prandaj edhe nuk pritej që t’ja jepte simbolikisht kokat e ministrave flamengove dhe protestës. Të paktën jo në momentin aktual kur vetë protesta duket se e ka humbur “dhëmbin e helmatisur” me të cilën mund të kafshonte qeverinë socialiste. Ngjarjet shtyjnë më shumë për nga plazhi sesa nga largimi nga pushteti!

E megjithatë ai kishte vendosur të hidhte diçka në meidanin e protestës. Nuk donte të mungonte në debatin për protestën deri në shtator. Dhe hodhi publikisht ndaj tyre diçka në trajtën mes një premtimi, sfide apo ftese. Metoda Besa, gjetja e fundit e Ramës, kërkon të ndërtojë një hap të parë për një proces komunikimi e dialogu për punët e qeverisjes, projektet e saj zhvillimore, politikat në sektorë të ndryshëm. Jo më një deklarim i thatë e telegrafik ministrash në shkallët e kryeministrisë pas mbledhjes së radhës, por një konsultim “prej vërteti” me grupe interesi, banorë të thjeshtë, biznese e aktorë të tjerë që marrin pjesë apo preken nga këto vendimmarrje.  Duke nisur me Zvërnecin. Qeveria do të flasë me shqiptarët para se të hedhë firmën, këtë premtoi Edi Rama.

Në zulmën e fitores së 11 majit, e cila praktikisht fshiu nga salla e Kuvendit opozitën dhe i dha Ramës një pushtet të madh, të rëndë dhe të panegociueshëm, risku kryesor vinte nga vetë pesha e fitores sesa nga vënia e saj në diskutim nga të tretët. Socialistët erdhën në mandatin e katërt me pushtetin më të madh, në momentin e konsumit më të madh nga vitet e qeverisjes. Këto dy drejtëza diametralisht të kundërta duket se janë në zanafillën e stinës së flamengove. Gota e pushtetit të plotfuqishëm ishte mbushur, prandaj edhe nisi të derdhet.

Rama e kupton fare qartë momentin. Sesi e lexon publikisht atë është jo domosdoshmërisht e njëjta gjë. S’mund të konsiderohet veçse si i tillë reagimi i tij i fundit pasionant dhe duartrokitës edhe për ata që e duan “në burg”. Nga njëra anë kryeministri lëvdoi hapur faktin që flamengot po e fusnin Shqipërinë në epokën e qeverisjes në bazë të pritshmërive, e jo të ndryshimeve graduale. Nga ana tjetër ai nxorri nga xhepi Besën, një dokument i cili fokusin e ka tek komunikimi me qytetarin, më shumë sesa tek politikat që qeverisja duhet të ndryshojë në drejtim të arritjes së pritshmërive e standarteve. “Ejani flasim” qe ftesa, më shumë sesa “do bëj këtë dhe atë”!

Ky është një afrim gradual i maxhorancës me syrin e ciklonit dhe me atë që duket se është sot lista e krizave që mbajnë peng të tashmen dhe të ardhmen e shqiptarëve. E në të cilën hyjnë me prepotencë jo vetëm komunikimi e empatia që përmendi Rama, por hyn situata ekonomike e qytetarit të thjeshtë, mungesa e perspektivës për një vend pune, për një shtëpi të re kur mbaron studimet, për një mjedis stabël e miqësor ndaj njeriut të thjeshtë dhe për një shtet që përkujdeset për qytetarin e jo që dorovit pak dhjetra prej tyre, apo për institucione që funksionojnë e jo që bëjnë sikur funksionojnë.

Më shumë sesa për komunikim, sot vendi ka nevojë për vendimmarrje të qartë, transparente dhe konform ligjit. Nuk mjafton thjesht menaxhimi i pakënaqesisë publike, duhet zgjidhje e problemeve që formësojnë pakënaqësinë publike.

Dhe në krye të problemeve qëndron, siç e ka përcaktuar dikur një strateg fushate i Bill Klinton, ekonomia. “It’s the economy, stupid”, shprehej dikur ai në fushatë elektorale. Pa ekonominë kthesa e premtuar e Ramës në raport me shqiptarët mbetet të bjerë në demagogji dhe të jetë gjysmake. Në këto kohë kur Amerika debaton çmimin e karburantit dhe të vezëve, nuk është asfare e tepërt dhe banale të flitet për krizën e çmimeve të mallrave kryesore të konsumit dhe ato të shërbimeve apo të tregut imobiliar. Jeta është bërë e papërballueshme për të rinjtë dhe të moshuarit, për pensionistë dhe invalidë, për banorë të fshatit dhe shtresa të varfëra të qytetit. Është një jetesë që për një pjesë të mirë të shqiptarëve ka formën e një lufte për mbijetesë.

Kjo është epiqendra e krizës që mbush sheshin dhe që bën të rrudhen shumë buzë teksa dëgjojnë termin “elitë politike”. Këtu është burimi madhor që ushqen pakënaqësinë popullore në vend, për pasojë edhe protestën si shprehje publike e saj.

Kemi provuar këto 35 vite se është më kollaj të ndërrojmë politikanët sesa politikat. Në këtë aspekt ndërrimet në qeveri, kurdo që të ndodhin, nuk janë zgjidhje automatike e krizës në Shqipëri. Sepse kurrë më shumë se tani duhet justifikim i besimit popullor me hapa konkrete e jo devijim i vëmendjes së tij.

Ka një kohë per retorikën ka dhe një kohë për premtimin. Ka një kohë për fushatë ka dhe një kohë për aksion dhe rezultate te dukshme. Donald Trump po e konsumon prej një dekade presidencën e tij duke i përzier të dyja. Është një mënyrë për të përballur me retorikë pasojat e luftës në Iran, dosjet Epshtein dhe hendekun e premtimeve te pambajtura. Megjithëse Trump është një modë globale sot, Rama do të bënte gabim fatal të ndiqte symbyllur stilin e tij qeverisës. Nëse kjo qe e mundur kur në skenë nuk ishin shfaqur flamengot, s’është më e mundur të luhet me durimin popullor tani që ky fenomen ka zbritur në shesh dhe po reziston plazhin, botërorin dhe trysninë e kohës.

Rama preku një problem të qenësishëm të maxhorancës, i cili ka të bëjë me komunikimin. Duhet të vijojë me pjesën më të vështirë, atë të masave konkrete për të korrigjuar qeverisjen dhe për të ofruar një më tepër oksigjen dhe shpresë në këtë vapë të nxehtë dhe depresive kur vera papritur është kthyer nga kohë pushimesh në kohë protestash. Ndoshta do ta bëjë këtë në shtator. Të shohim.

  •  

Tabaku harron “Berisha në burg” dhe mbron protestën: Qeveria të ndalë dhunën!

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, reagoi sot nga foltorja e Kuvendit për protestën e qytetarëve jashtë godinës së Parlamentit, duke i kërkuar Policisë së Shtetit të ndalojë menjëherë, sipas saj, dhunën ndaj protestuesve.

Tabaku deklaroi se qytetarët nuk po protestojnë kundër opozitës, por kundër mazhorancës socialiste, arrogancës së pushtetit dhe një Parlamenti që, sipas saj, nuk i përfaqëson më.

Duke iu përgjigjur përpjekjeve të shumicës për t’ia faturuar opozitës tensionin e protestës, Tabaku theksoi se frika e mazhorancës nuk mund të transferohet tek opozita. Ajo kujtoi se ka qenë vazhdimisht e pranishme mes protestuesve dhe se askush nuk e ka sulmuar.

“Unë shkoj gjithmonë në atë protestë dhe nuk më prek njeri me dorë. Të provojë njëri prej jush të shkojë atje; të provojë një përfaqësues i mazhorancës socialiste”, u shpreh Tabaku, duke sfiduar përfaqësuesit e shumicës që të dalin mes qytetarëve dhe të dëgjojnë drejtpërdrejt pakënaqësitë e tyre.

Sipas deputetes demokrate, protesta lidhet edhe me mënyrën e njëanshme se si mazhoranca po përpiqet të zhvillojë reformën territoriale. Ajo akuzoi shumicën se po përsërit gabimin e vitit 2014, duke e orientuar ndarjen territoriale drejt interesave politike dhe elektorale, në vend që në qendër të saj të jenë qytetarët, decentralizimi dhe financat e pushtetit vendor.

“Vetëm reformë në interes të zgjedhjeve, ndërkohë që ne kërkojmë një reformë në interes të qytetarëve”, deklaroi Tabaku.

Ajo iu referua qëndrimeve të Parlamentit Europian, Komisionit Europian dhe Kongresit të Autoriteteve Lokale, duke nënvizuar se reformat e njëanshme dështojnë dhe nuk duhet të imponohen me forcën e kartonëve.

Tabaku i bëri thirrje qeverisë që të hartojë një plan pune për katër nismat ligjore të depozituara nga opozita dhe t’i përfshijë ato menjëherë në rendin e ditës së Kuvendit. Njëkohësisht, ajo kërkoi ndërprerjen e procesit të njëanshëm për reformën territoriale dhe nisjen e një dialogu politik që të prodhojë një reformë në interes të qytetarëve.

“Nëse vazhdoni përsëri me këtë iniciativë, ata që sot në shesh mund të jenë me qindra apo me dhjetëra, do të bëhen me mijëra, sepse pikërisht kundër kësaj arrogance po protestojnë: arrogancës së kartonëve, arrogancës së pushtetit dhe arrogancës së 14 viteve që i ka detyruar të dalin në rrugë”, përfundoi Tabaku.

  •  

Protesta është ulur tek “Taivani”

Nga Skënder Minxhozi/

Në një nga prononcimet e shumta gjatë 40 ditëve të protestave kryeministri Rama ka hedhur një frazë që dukej si një mesazh i mirëmenduar në drejtim të asaj pjese të protestuesve që sipas tij nuk bën pjesë as te “sorrat” as te “korbat”. “Një ekip i tërë po dëgjon me shumë vëmendje gjithçka që duhet dëgjuar nga protesta e bulevardit”, u shpreh ai, duke sinjalizuar se protesta e ka arritur të parin rezultat në drejtim të objektivave të saj: atë të të dëgjuarit “me ekip” nga qeveria për kërkesat që shtron.

Në qoftë kështu ky është një veprim i përgjegjshëm i maxhorancës ndaj një fenomeni që prej më shumë se një muaji ka shuar praktikisht të gjitha sherret dhe debatet në panairin partiak në vend. Është zhdukur Foltorja, kanë rënë spaletat e opozitës historike, ka dalë madje “prapa liste” dhe Spaku me lajmet e tij zhurmëmëdha dhe në plan të parë ka dalë përballja e qeverisë me sheshin.

Pas 40 ditësh protesta ka treguar shenja serioze “plakjeje”. Lodhja nga premtimi për të rrëzuar qeverinë pas çdo daljeje në bulevard (punë orësh bie Edi Rama!), mungesa kronike e një lidershipi dhe improvizimet e njerëzve të rastësishëm që kanë në dorë megafonët apo foninë e protestës, shto këtu edhe deklarata të çmendura si ato të burgosjes së atyre që shkuan në koncertin e Kanye West – janë të gjitha shkaqe të prekshme e të qenësishme për bjerrjen graduale të vrullit të protestës.

Në anën tjetër të kësaj tërheqjeje litari 40 ditore qëndron Edi Rama me mesazhet e tij të përditshme dhe me ministra e deputetë që papritur u kujtuan se nganjëherë edhe duhet të flasësh e madje të shkosh në luftë për të mbrojtur pozitat e tua politike. Qeveria ka qëndruar stoike në pozitën e saj të pritjes që protesta të shfaqë simptomat e një mode kalimtare, megjithëse sipas logjikës së rastit ky është një aspekt që duhet verifikuar me kalimin e javëve.

Sepse së pari nuk është asfare e thënë që këta që e mësuan sesi bëhet një procesion 40 ditor (madje ‘mbarëshqiptar’ falë Albin Kurtit e të tjerëve), nuk mund ta bëjnë këtë gjë sërish në vjeshtë, dimër apo pranverën e ardhshme. Planet e punës, metoda dhe mënyrat sesi nxirren në shesh disa mijëra njerëz tashmë janë të gjitha aty dhe nuk është e thënë të mos përsëriten me fushata.

Së dyti, e kjo është edhe më e rëndësishme, me ose pa flamengot, ekstremistët e majtë a të djathtë, protestuesit e importuar nga jashtë kufinjve dhe futjen e duarve të dreqin e di se cilave shërbime e ngatërrëstarëve të tjerë shqiptarë ose jo – pra edhe pa këtë mishmash aktorësh dhe faktorësh që ushqyen protestën, në brendësi të saj qëndrojnë njëherësh edhe arsye reale dhe të prekshme për t’u ndjerë keq në Shqipërinë e sotme.

“Flamengot” duket se po tërhiqen ngadalë nga bulevardi po kjo s’do të thotë që edhe problemet e mëdha e sfiduese që ata shfaqën me forcë gjetën zgjidhje pas pesë javësh protesta.

Shqipëria është një vend ende kaotik dhe pa rregulla loje në shumë prej sektorëve të jetës ekonomike, sociale, zbatimit të ligjit dhe funksionimit të institucioneve. Njëherësh është një vend ku pabarazia, papunësia, korrupsioni i elitave dhe një rritje çmimesh që ka mpakur rroga e pensione, po e bën të padurueshme jetën për një porcion jo të vogël të shoqërisë tonë.

Qeveria është investuar shumë këto vite që ta përshkruajë ikjen e shqiptarëve si një gjetje propogandistike të opozitës dhe medias së saj, por është fakt se në kemi sot sipas Eurostat dyfishin e popullsisë që ndodhet në prag të varfërisë (40.5%), krahasuar me 21% që është mesatarja evropiane. Më tej, është gjithashtu një shifër e thatë dhe kokëfortë ajo që na thotë se e kemi standartin e fuqisë blerëse, pra mundësinë për të blerë një sasi të caktuar mallrash e shërbimesh, sa 43% e mesatares evropiane të fuqisë blerëse.

Më e rënda është se katet e poshtme të shoqërisë janë ato që vuajnë më shumë. Ne kemi paga mesatare katër herë më të ulëta se mesatarja e Bashkimit Evropian, por edhe 30-50% më të ulëta se vendet fqinje. Pensionet tona janë një burim pasigurie dhe varfërie që disa herë shkon në kufinjtë e egzistencës. Mjafton të thuhet se gjysëm milioni pensionistë kanë 200 euro e poshtë pension mujor. Nuk duhet mund për të llogaritur sesa e vështirë është për ta të dalin deri në fund të muajit!

Shumëkush ka supozuar gjithfarë teorish në lidhje me burimin e vërtetë të pjesëmarrjes dhe rezistencës që po shfaq kjo protestë. Kur para disa javësh u protestua për rritjen e çmimit të karburantit para Kryeministrisë dolën vetëm katër protestues. Dhe si papritur më pas aty u shfaqën flamengot dhe gjithfarë zogjsh të tjerë me flatra e pupla partish, OJQ-sh apo edhe të importuar nga Kosova e Maqedonia e veriut.

Ajo që habit sot është rregullsia e veprimeve, një lloj ore e brendshme dhe protokolli veprimesh që duket se protesta ka. Pak dhjetra veta në sheshin Skëndërbej nga ora 7-8 që vijnë e fryhen më pas para kryeministrisë derisa procesioni i daulleve e parullave shetit rrugëve të Tiranës deri afër mesnatës. Kjo kronologji përsëritëse, këto turma që dalin si nga hiçi, gjithçka mund të jenë përveçse reagim vullnetar dhe anarkist dhe i rastësishëm siç duan ta paraqesin. Pa u shtyrë në hipoteza mund të thuhet me siguri se kjo protestë 45 ditë pas fillimit ka shumëçka të kalkuluar e të përgatitur dhe shumë pak improvizim dhe aktivizëm brenda. Dhe padyshim ka shumë më pak pjesëmarrës!
Megjithatë protesta duket se ka zbuluar kodin sekret të pjesëmarrjes dhe kohëzgjatjes, tipare ku dështuan ndër dekada të gjithë krerët e elitës politike, përfshirë edhe vetë Ramën e Berishën. Nisur nga këto premisa mund të thuhet se protesta është një modë e destinuar të fashitet ngadalë, por duke u larguar me manualin e saj të detajuar në xhep. Pra të tërhiqet, por jo të zhduket.
Figurativisht ajo po ulet te kafet e Parkut Rinia në pritje të dallgës së re të pasionit antiqeveritar që s’dihet se kur mund të vijë sërish. Në pritje gjithashtu edhe që kryeministri të nisë reflektimin që ka premtuar në bazë të shënimeve që ekipi i tij po mban. Dhe nga ajo që Rama do të bëjë konkretisht në këtë drejtim do të varet edhe sesa do të rrijë “në kafe” vetë protesta.
E tillë siç është sot kjo protestë është një prezencë që s’ka fuqi për t’i “prerë kokën” klasës politike dhe as shumicës socialiste, por me gjasë ka për të qenë aty si një prezencë bezdisëse që pret rastin të sjellë kaos dhe presion mbi qeverinë.
Rama dhe Berisha, por edhe tre satelitët e rinj politikë, këta të fundit figurat më qesharake që i bëjnë lajka nga jashtë protestës, duhet të mendojnë këtej e tutje se ka një palë gri të ulur diku në një cep që mund të marrë një impuls e të dalë sërish nga hiçi, mu në mes të Tiranës.
Njerëz që ndjehen keq padyshim, por bashkë me ta dhe të kamufluar nën rrobat e tyre, edhe pazarxhinj partish, matrapazë të mllefit popullor, spekulantë rrjeti dhe mercenarë të paguar nga dreqi e di se kush – e gjithë kjo larushi opozitarësh të orës së fundit mund të presin një krizë çfarëdo, një fushatë elektorale apo nje tensionim politik për t’u rishfaqur.

Vite më parë Greqia u dogj sepse policia vrau një djalë të ri, Serbia u shkrumbua sepse ra streha e një stacioni hekurudhor. Çdo rast vlen për aktivizmin antiqeveritar dhe Shqipëria duket se e ka një të tillë pas dekadash qetësie absolute. Kësisoj nuk përbëjmë ndonjë rast të veçantë. Thjeshtë po përjetojmë një fenomen me të cilin nuk ishim mësuar të merremi. Kaq e thjeshtë është.

 

 

  •  

S’ka “Shqipëri të re” me arkivol në krah

Nga Skënder Minxhozi/

 

Në Botërorin e Afrikës së Jugut vite më parë, gjatë ndeshjeve u shfaq në një zhurmë sfondi si zukatje bletësh, që shoqëronte gjithë lojën. Ishin vuvuzelat e famshme afrikane, disa instrumente të thjeshta si pipëza që krijonin një tingull monoton të pandërprerë. Për shumëkënd që ndiqte ndeshjet në televizor kjo ishte një bezdi akustike por në fakt ai qe një tipar që i dha ngjyrë e folklor gjithë atij turneu.

Një tingull të ngjashëm monoton dhe përsëritës ka krijuar në këto ditë Botërori edhe protesta 35 ditore e Tiranës, me parullat e saj të njëjta, thirrjet për burg, ndjekjen nga pas me miell e vezë të deputetëve, por aty-këtu edhe me shkatërrim makinash policie, sulm komisariatesh dhe një zukatje mllefi në rrjet që apelon për rrëzim me dhunë të qeverisë, për gjak dhe konfrontim. Flamengot janë zëvendësuar tërësisht nga vuvuzelat e bulevardit.

Ky sektor agresiv dhe emotiv e protestës po prek seriozisht atë pjesë të protestuesve të zemëruar që kërkojnë dalje nga kriza ekonomike e sociale, një shtet më të drejtë për qytetarin, luftë ndaj korrupsionit dhe rregulla të reja loje në një sistem politik që duket i kalçifikuar nga jetëgjatësia e lidershipit që e udhëheq.

Akoma më i rëndë për fatet e kësaj lëvizjeje të ngjizur nga shumë duar njëherësh është fakti që më shumë se një muaj pas fillimit, protesta nuk ka ende një figurë apo panel përfaqësues. Ajo funksionon vetëm në dhënie, jo në marrje, pasi nëse qeveria apo partitë e mëdha politike do të donin të komunikonin me të, kjo do të ishte e pamundur për sa kohë që ende nuk dihet cila është fytyra e protestës, cilët janë drejtuesit e saj që i japin formë dhe trajtë zemërimit të sheshit. Edhe kur u mblodhën 80 përfaqësues të protestës për të folur rreth kësaj, lajmi kryesor që doli nga mbledhja ishin sherret e konfliktet për të drejtën e përfaqësimit.

Megjithatë për t’i ikur këtij sikleti nga qendra e zërit e protestës duket se është formësuar një qëndrim që thotë se protestuesit nuk duan dialog me Ramën por vetëm dorëheqjen e tij. Shtojnë në vijim se duan që të ikë dhe Berisha. Pra një lëvizje njëmujore pa kokë dhe pa gojë kërkon të rrafshojë gjithë sistemin politik shqiptar pa artikuluar asnjë ide apo tezë politike përveç fjalës “dorëhiquni”!

Në këtë pikë protesta e ka ngritur në mënyrë eksponenciale stekën e objektivit të saj final. Kërkon rrëzim të klasës drejtuese e jo dialog me të. Ky është një objektiv mëse i respektueshëm për një lëvizje politike e qytetare, por si i tillë është edhe shumë sfidues për vetë organizatorët e lëvizjes.

Dialogu me qeverinë do të jepte kohë për protestën që të organizonte idetë dhe të identifikonte drejtuesit dhe prioritetet. Fiksimi pas idesë së ikjes së Ramës në formë ultimative të çon drejtëpërdrejt tek kalkulimi i forcave në bulevard e jo në tryeza kompromisesh. Dhe këtu protesta është përplasur tashmë me të njëjtën grykë shisheje tek e cila ngeli për 13 vite rresht opozita kryesore përballë Edi Ramës. Dilema e protesuesve sot është dilema e Lulzim Bashës dje dhe e Sali Berishës pas vitit 2021: si ta rrëzosh konkretish maxhorancën socialiste?! Si të arrish që të detyrosh me dorëheqje socialistët që vetëm një vit më parë morën mbi 80 mandate parlamentare?!

Protesta pretendon se e ka gjetur rrugën për t’ja arritur kësaj dhe kjo rrugë është presioni i shtuar popullor që do të detyrojë Ramën të largohet nga posti. Protesta e të shtunës ishte më e vogël në numër se ajo e dy javëve më parë, ndërkohë që protestat ditore të dy javëve të fundit kanë qenë një xhiro nëpër qytet darkave me një numër protestuesish që nuk fusin në vështirësi as edhe këshillin bashkiak të Tiranës e jo më qeverinë qëndrore. Arkivoli metaforik i Edi Ramës përveçse një shijeje të keqe për të paanshmit dhe një ekzaltimi për ekstremistët, vështirë se i futi frikën kryeministrit në ditën e lindjes. Qe një gjetje figurativisht makabër që më shumë prish sesa ndreq punë për protestën. Shqipëria e re me arkivol në krah është një imazh disi i vështirë të të bëjë të hidhesh përpjetë nga gëzimi.

Nëse presioni i sheshit është rruga e vetme që protesta ofron për të shkulur nga rrënjët sistemin politik tradicional, 35 ditë janë të mjaftueshme për të kuptuar se kanë gabuar taktikë dhe se po përsërisin vetveten duke mërzitur njerëzit dhe duke djegur në vakuum energjinë popullore që akumuluan. Një protestë që dëshëron të jetë diçka që le gjurmë e jo një shfryrje dufi stinore duhet të ndërtojë një projekt politik e jo t’i bjerë vuvuzelave rrugëve të Tiranës. Nuk rrëzohet qeveria duke dëgjuar fjalime nga personi i radhës që i bie rruga tek podiumi dhe që ka mik të zotin e fonisë. Sepse me këtë sjellje edhe ata që në ditët e para prisnin fundin e shpejtë të qeverisë për shkak të protestës, tani po fillojnë të pyesin veten nëse ja vlen të dilet nga shtëpia për të dëgjuar edhe një herë të njëjtat gjëra që kishin dëgjuar edhe një ditë më parë në bulevard.

 

 

 

 

  •  

Një protestë e dhunshme, dhurata më e bukur verore për Edi Ramën

Nga Skënder Minxhozi/

Pasi i lanë disa ditë nëpër shkallët e Kryeministrisë nën një diell përvëlues, policët u afruan dhe hoqën me kujdes si të ishin hajmali të shenjta disa këpucë të vjetra që protestuesit kishin lënë aty. Ishin një mesazh për qeveritarët, në shenjë proteste ndaj shqiptarëve të larguar nga vendi në emigracion. Ai gjest i policisë qe aq i kujdesshëm e në majë të gishtave, sa të vinte të mendoje se këpucët kishin shpirt e do të nisnin të protestonin nga çasti në çast pse po i hiqnin “zvarrë”.

E gjitha kjo skenë vetëm sa konfirmoi edhe një herë më tepër psikodramën që po luhet prej një muaji mes qeverisë dhe protestuesve. Një tërheqje litari ku secila palë kërkon ta dominojë palën tjetër duke luajtur kartat që ka në dispozicion. Por me një emërues të përbashkët: kush përdor dhunë i pari nënshkruan aktin e humbjes dhe kapitullimit!

Qysh në krye të herës protesta, kjo foshnje njëmuajshe me trup por ende pa kokë, ka predikuar një vijë të kuqe që është përpjekur ta respektojë: mospërdorimin e dhunës. Ka dashur të distancojë veten qartë nga protestat historikisht të dhunshme politike e partiake, ku janë vrarë njerëz, janë thyer xhama e dritare, janë pushtuar institucione e është kërcënuar me antitank vetë godina e qeverisë.

Protesta ka dashur t’i ikë me insistim këtij arketipi që ka rrudhur e tkurrur lëvizjet e protestave në Shqipëri, ku s’ka pasur vend as për familjet, as për gratë me fëmijë të vegjël dhe as për çiftet e reja që postojnë në instragram çdo gjë që ju ndodh gjatë ditës.

E megjithatë, pas një muaji kur protesta ka mundur të afirmojë rezistencë, por ka zbuluar gjithashtu edhe anët e saj të dobëta, duket se tundimi është i fortë për të provuar “diçka tjetër”. Në 30 ditë kemi parë të njëjtat fytyra që drejtojnë turmën, kemi dëgjuar të njëjtat fjalime shpesh banale e disa herë edhe vulgare, kemi kuptuar se niveli i panelit që drejton protestën nuk ngrihet dot në lartësinë e sfidave që ata vetë kanë hedhur në letër në formë kërkesash ultimative. Kemi parë se protesta ka klonuar vetveten duke u bërë përsëritëse, e mërzitshme dhe për pasojë edhe pafuqishme përballë qëndrimit në dukje shpërfillës e komod të kryeministrit dhe partisë së tij me shumë vota dhe mandate.

Aktet e dhunës ndaj Universitetit Politeknik dhe më në fund të përleshjeve me policinë tek Kuvendi, ose edhe zbritjet në arteriet kryesore të trafikut në orët e pikut për të penguar sa më shumë qytetarë në mjetet e tyre, tregojnë të gjitha se protesta më së pari nuk ka kohë. Ose më saktë nuk ka po aq kohë sa duket se ka qeveria nga brenda zyrave komode ku ndodhet.

Ashpërsimi i gjuhës, acarimi ndaj personave që nuk i bashkohen protestës por vijojnë jetën e tyre të përditshme, thirrjet për t’u ngritur nga kafet apo për të dalë nga shtëpitë janë një sinjal se protesta po fillon të flirtojë me vijën e kuqe që ka vizatuar po vetë në rërë që në ditën e parë që ka zbritur në shesh. Dhe që është moskalimi në akte dhune dhe rebelimi ndaj shtetit dhe ligjit.

E gjitha kjo vetëpërmbajtje e deritanishme e ka një motiv të qartë taktik dhe më gjerë akoma edhe strategjik. Një protestë agresive duhet t’i bëjë llogaritë me mpakjen e turmave, me zbrazjen e shesheve e rrugëve. Ikin gratë me fëmijë, ikin njerëzit e thjeshtë që kanë dalë aty për një hall ose pakënaqësi, ikin çiftet e të rinjve që besojnë tek normalja e jo te dhuna e goditja e shtetit me gurë e hunj. Një protestë e dhunshme është një autogol  fatal për imazhin e saj në botë dhe për mesazhin që përçon për të ardhmen ambicioze që thotë se ka.

Më në fund një protestë e tillë e dhunshme dhe me gojë të vrazhdtë, është një dhuratë nga qielli për Edi Ramën në këto kohë delikate dhe plot të panjohura. Është prova se në Shqipëri nuk u shfaq një alternativë pushteti, por një modë e dhunshme rruge. Një lloj korenti parapolitik që nuk është i prezantueshëm as në kancelaritë perëndimore, por as në kutitë e votimit nëse një ditë do të vijë momenti i hyrjes në garën e madhe të politikës.

I njëjti parim, por nga një pozitë e ndryshme vlen edhe për vetë shtetin. Ajo vetëpërmbajtja e policëve që mbledhin këpucë të vjetra në shkallët e Kryeministrisë është prova se dhuna nuk është zgjidhje as për qeverinë në përballjen me protestën. Prandaj këto ditë në bulevard nuk shihet asnjë polic dhe gjithçka është lënë në dorë të protestuesve. Madje duke toleruar edhe zënien abuzive të bulevardit gjatë ditës, apo duke duruar kilometrat e trafikut që krijohen darkave në Tiranë për shkak të xhiros nokturne të protestës që prej një muaji kërkon të përmbysë 36 vjet politikë, pa mundur të thotë asgjë me zë dhe me figurë. Duke u tunduar të kalojë tek ajo “diçkaja tjetër”. Që do të ishte edhe fundi i saj faktik.

  •  

A është rrëzimi i Edi Ramës një çeshtje e Preshevës, Prishtinës apo Shkupit?

Nga Skënder Minxhozi/

 

Protesta ditore që kërkon rrëzimin e qeverisë Rama në bulevardin kryesor të Tiranës ka sjellë bashkë me zhurmën dhe tendosjen politike në kryeqytetin shqiptar, edhe një temë delikate debati që lidhet me një pjesë të pjesëmarrësve të saj. Ardhja nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe lugina e Preshevës e një numri shqiptarësh për t’ju bashkangjitur protestës, ka ndezur një debat të vjetër në skenën shqiptare: atë të të drejtës që mund ose duhet të kenë shqiptarët kudo që ndodhen, për të influencuar në garën e pushtetit apo në ngjarjet politike në shtetin amë.

Pesë vjet më parë ishte Vetëvendosja dhe kreu i saj Albin Kurti që hapën siparin e këtij precedenti të rrezikshëm dhe thellësisht propogandistik, të veshur me një pekt hileqar patriotik. Vetë Kurti erdhi në Tiranë dhe votoi kundër Edi Ramës, pasi kishte ngritur edhe degën e Vetëvendosjes në Shqipëri, megjithëse qeveria Rama kishte fiksuar në kalendarin e punëve mbledhjen e radhës mes dy qeverive. Me një fjalë ta jap dorën kur të shihemi, por po të votoj kundër meqë mundem.

Precedenti i Vetëvendosjes dështoi zhurmshëm atë vit, por inercia e hapit që ajo hodhi vijon të jetë ende aktive dhe e ndjeshme. Në vijim të kësaj incercie është krijuar sot një narracion fals propogandistik gjoja patriotik, sipas të cilit shqiptarët duhet të kenë të gjithë të drejtë të thonë aktivisht fjalën e tyre për shtetin amë në çdo moment dhe për cilëndo çeshtje. Megjithëse Shqipëria nuk është as në luftë, as në pandemi dhe as në ndonjë fatkeqësi natyrore madhore.

Klasa politike shqiptare nuk është angazhuar ndonjëherë në krizat politike të Kosovës e aq më pak të Maqedonisë në këtë nivel influence dhe presioni. As që mbahet mend të kemi eksportuar mitingashë në garat elektorale apo krizat politike të dy shteteve fqinje. Ka pasur përgjithësisht kujdesin dhe respektin për t’i lënë të konsumohen këto procedura demokratike brenda subjekteve territoriale të këtyre vendeve. Edi Rama e ka mik Ali Ahmetin por vështirë se në fushatën elektorale maqedone do të gjeje ndonjë socialist nga Fieri, Tirana apo Lezha të brohoriste nëpër mitingje pro tij. Rama e ka mik edhe Hashim Thaçin por sërish nuk është investuar të eksportojë mbështetës për PDK kur ka pasur zgjedhje ose kriza politike. Po ashtu edhe Berisha ka pasur aleancat e miqësitë e veta, por nuk ka dërguar njerëz që të mbushin sheshet në krizat e brendshme të atjeshme.

Në një sistem demokratik një politikan mund të zgjidhet ose të shkarkohet nga ata shtetas me të drejtë vote që e kanë votuar pro ose kundër. Pra nga shtetasit në vendin ku ky politikan ushtron mandatin e tij në qeveri apo opozitë. Të shkarkosh qeveritë me protestues të importuar matanë kufirit shtetëror, të cilët objektivisht nuk dinë shumicën e arsyeve dhe rrethanave për të cilat protestohet e nuk kanë të drejta vote, do të thotë ta kthesh garën politike në një vend në një lloj votimi global online ku kanë të drejtë fjale dhe vendimmarrjeje edhe ata që votojnë nga një kompjuter në Zelandën e Re. Do të thotë me fjalë të tjera të falsifikosh vullnetin e zgjedhësve legjitimë të vendit duke deformuar lojën demokratike në themelin e saj.

Elita politike e një vendi mbahet në pushtet ose shkarkohet nga shtetasit e vendit të cilët janë subjekt i kësaj elite politike. Rrëzohet ose qëndron në qeverisje përmes atyre që kanë të drejtë vote në raport me mandatimin e të zgjedhurve në institucione. Votohet dhe shkarkohet nga ata që banojnë dhe paguajnë taksa në territorin ku veprojnë politikat dhe zgjedhjet që bën kjo elitë politike. Një banor i Kosovës apo i Luginës ose Gostivarit nuk ka asnjë mundësi të ushtrojë ndikim me votë fjala vjen mbi kërkesat aktuale e protestës, të cilat kalojnë të gjitha përmes vullnetit të votuesve shqiptarë që banojnë në Shqipëri. Po ashtu një banor i Durrësit për shembull nuk ka asnjë të drejtë apo mundësi ligjore të influencojë mbi ligjet apo politikat e elitës politike të Kosovës ose Maqedonisë së Veriut. Abuzimi me nocionin patriotik “jemi shqiptarë, kemi të drejtë të bëjmë ç’të duam” është vetëm një spekullim emotiv që fsheh pas perdes qëllime e interesa që s’kanë asnjë lidhje me patriotizmin dhe kombin.

Të drejtat politike të shtetasve shqiptarë janë sovrane dhe të patjetërsueshme në raport me elitën drejtuese të vendit. Siç janë të drejtat mbi elitën politike kosovare një e drejtë e patjetërsueshme e banorëve të Kosovës, e jo të banorëve të një krahine të Shqipërisë apo Maqedonisë së Veriut apo ndonjë shteti tjetër.

Importimi i protestuesve dhe synimi për të influencuar mbi situatat e brendshme të Shqipërisë përmes abuzimit me konceptin patriotik dhe kombëtar, është një aventurë që vetëm sa hedh benzinë të panevojshme mbi marrëdhëniet ndërshqiptare në Ballkan. Shkojmë e vijmë mes nesh lirshëm prej shumë vitesh dhe është e drejtë që kjo të vazhdojë edhe më me intensitet në të ardhmen. Por e ka një arsye dhe një kuptim se përse kur jemi në shtëpitë tona zgjedhim deputetët tanë, krerët tanë lokalë, parlamentet dhe qeveritë tona. E ka një arsye përse kemi kushtetutat dhe ligjet tona kombëtare.

Përndryshe, me logjikën e përçartur të mësipërme, lushnjarë, dibranë e pukjanë duhet të kishin ngritur tashmë çadrat në sheshin para Kuvendit të Kosovës për të protestuar, meqë klasa politike aty s’po zgjedh dot as Presidentin e s’po formon dot as edhe qeverinë prej muajsh. Falë Zotit nuk funksionon kështu, sepse do të ishte përveçse skandaloze, edhe qesharake.

  •  

Protesta që e di cilët do të heqë nga puna, por jo cilët dëshëron të marrë në punë

Nga Skënder Minxhozi/

 

Nëse i pyet ato mijëra të rinj, familjarë, aktivistë, opozitarë fshehur ose të deklaruar ose të ardhur nga emigrimi me makina të shtrenjta, se cilin duan të rrëzojnë me protestën e tyre, përgjigja është ajo më e thjeshta: Edi Ramën. Shtojnë edhe Berishën për të qenë “politikisht korrektë”. Nëse nga ana tjetër i pyet se cilët protestuesit i sotëm do të vendosë në këto dy poltrona të larta dhe në të tjera akoma që revolucioni do të boshatisë gjatë rrugës, përgjigja mjegullohet, shikimet bëhen të pasigurta dhe fjalët fillojnë e rrëshqasin: po ja, ne protesta do të marrim pushtetin, ne do të pastrojmë Shqipërinë. Seç të kujtohet partizani Meke i shtrirë në krevatin e perëndorit që thotë në ajër plot vetësiguri “tani jam vetë Perandor”!

I pari reagim i protesuesve është një përgjigje e qartë, i pëlqen ose jo shumicës së shqiptarëve. Duan të rrëzojnë ata që janë në pushtet. Por e dyta nuk mund të quhet përgjigje. Ajo është në fakt një faull e rëndë që do e dëmtojë protestën shumë përtej ngulfatjes së sheshit të tre javëve të para, kur romantika fiton mbi arsyen  e ftohtë dhe idealizmi mbi llogaritë e pushtetit.

Çeshtja e identitetit të lidershipit që qëndron pas protestës ka qenë në krye të diskutimeve në Tiranën politike e mediatike qysh në ditët e para të shfaqjes të këtij fenomeni që më pas u kthye në ritual të përditshëm. Pas tre javësh protestën aktuale e kemi sërish pa kokë. Ka foni, ka aktivistë që i rrijnë pranë, ka banderola dhe parulla të qëlluara, shumë hare dhe njëherësh edhe shumë dinamizëm rinor e mllef kundër qeverisë, por s’ka asnjë emër që të konsiderohet si kreu apo krerët e protestës.

Një protestë pa kokë është de facto një turmë amorfe që shfryn dufin e saj për problemet që kalon vendi. Dhe kjo vlen vetëm për atë pjesë të saj që realisht ka dalë aty në emër të halleve që ndjen mbi lëkurë. Sepse këto orë po duket e qepur si me pe të bardhë mbi telajon e protestës një mozaik laraman partiakësh të vegjël me kalkulatriçe në dorë, të tjerë partiakë që për 13 vjet s’panë veçse humbje e tani kujtojnë se tani më në fund ja dolën me Ramën, mërgimtarësh që s’kanë ardhur në atdhe ndoshta as kur ju kanë vdekur të afërmit por shfaqen tani si me magji, albinistë që vijnë me kamion nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ashtu si edhe një lukuni magjistarësh të rrjetit social, personazhe qesharakë studiosh e portalesh që kanë vite që thonë të njëjtat gjëra dhe që shpresojnë se erdhi koha për të kapur një copë në “qeverinë teknike”.  Duhet të ketë nja 50 portofole kjo qeveri mesa kemi lexuar në rrjetin e çmendur social shqiptar, që t’i ngopë të gjithë këta karrieristë të minutës së fundit.

Pjesa e parë e familjarëve, të rinjve, të papunëve dhe grave e vajzave të revoltuara me mungesën e perspektivës, jetën e pasigurt, çmimet e larta, korrupsionin ose arrogancën e elitës politike, nuk ka asnjë lidhje me taboret e skuthëve që i vijnë rrotull sheshit për të kapur ndonjë copë tani që kalit i ranë patkonjtë sipas horoskopit të tyre. Ajo pjesë e parë idealistësh e njerëzish realisht të dëshpëruar bëhet pis nga bashkëjetesa me këtë të dytën.

Në një protestë që kërkon të jetë masive, qytetare dhe të shërbejë si një pikë kthese në historinë e një vendi, podiumi s’mund të rrijë bosh. Kalimtarët që marrin fjalën sipas logjikës “kështu do i zoti i fonisë” nuk mund të jenë as panel liderësh të nesërm dhe as sfidues seriozë për elitën tonë politike 35 vjeçare. Janë thjesht një karaoke mllefesh të paorganizuara dhe për pasojë të destinuara të mos lenë gjurmë.

Zgjedhjet janë ende larg por nëse një tekë fati do t’i sillte ato afër, kjo që sot duket si prezenca më sfiduese ndaj klasës së vjetër politike do të ishte faktikisht struktura më e hallakatur dhe pa strategji në një garë të mundshme elektorale. Sepse kjo masë e madhe njerëzish që zbret çdo ditë në bulevrad e di cilët dëshëron të heqë nga puna, por ende s’ka asnjë ide se cilët do të marrë në punë në rrugën drejt pushtetit të nesërm.

  •  

PD duartroket ata që po i sharrojnë degën ku është ulur

Nga Skënder Minxhozi/

Këto ditë ka një situatë surreale në Partinë Demokratike. Futja e beftë në skenë e protestave ditore kundër Sazan-Zvërnecit (kupto qeverisë), ka krijuar në PD gjendje shumëplanëshe, një lojë pasqyrash ku është e vështirë të shohësh dhe kuptosh një linjë zyrtare, një qëndrim të qartë dhe pa ekuivoke ndaj asaj që po ndodh këto orë në Tiranë.

Në harkun e dy javëve lidershipi demokrat e ka parë veten të shajë e përçmojë fillimisht protestuesit, të distancohet nga protesta si shkelje syri ndaj çiftit Kushner-Trump, e më pas ta përkrahë protestën në parim por të vijojë të përkrahë edhe projektin Sazan-Zvërnec “me kusht që të respektohen standartet mjedisore”. Më pas është parë sesi Berisha ka anuar thuajse i gjithi në favor të sheshit që kërkon kokën e Ramës dhe e ka harruar tashmë projektin bashkë me flamengot.

Të enjten në Kuvend opozita hipi e gjitha në karron e protestës. Identifikoi axhendën e vet me atë të protestuesve dhe tentoi të kushtëzojë punën e parlamentit duke diskutuar vetëm kërkesat e tyre. Me fjalë të tjera opozita dha mesazhin se jo axhenda e saj politike, natyrisht jo ajo e qeverisë, por axhenda e një proteste që kërkon kokën e kreut të opozitës nga mëngjesi në darkë vonë, duhet të jetë e vetmja lëndë me të cilën duhet të merren 140 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë.

Kjo hare naive dhe kjo lehtësi befasuese me të cilën opozita zyrtare e vendit e hoqi mënjanë veten nga përfaqësimi i gjysëm milion shqiptarëve që e kanë votuar nuk është diçka e re dhe as befasuese. Prej ditësh, qëkurse në bulevard është derdhur turma e “flamengove”, me një gëzim e dëshirë që tejkalon ku e ku seancat e foltoreve apo edhe protestat kombëtare, deputetët e PD i sheh të postojnë foto, komente e qëndrime nga një protestë që nuk është e tyre.

Pjesa më e madhe e zyrtarëve demokratë i bashkohen çdo ditë nëpër cepa protestës krejt të shpërfillur se pas shpinës së tyre turma bërtet papushim “Berisha në burg” dhe ata vetë rrethohen kudo nga parulla që tallen me shefin e partisë që ju ka dhënë mandatin dhe rrogën.

Opozita e sotme i është dhënë e tëra tundimit dhe eksitimit kolektiv të protestës. Pa qenë vetë në gjendje që të prodhojë një tillë në një dekadë e gjysëm, PD mendon se çdo kauzë është e mirë për të luftuar Edi Ramën. Armiku i armikut tim është miku thotë proverbi.

Por ka një problem në rastin konkret: protesta është kundër Ramës, po aq sa refuzon dhe kërkon të rrëzojë edhe  Berishën. Protesta nuk ka lidhje me ndonjë palë, të paktën së jashtmi dhe me aq sa deklamohet në podiumin e saj të improvizuar. Ajo predikon rënien e sistemit politik, ku PD është njëra nga dy shtyllat 35 vjeçare të themelit. Të brohorasësh pro kërkesave të protestuesve do të thotë të sharrosh degën ku je ulur. Asgjë më tepër se kaq.

Nëse kjo protestë kërkon t’i japë fund sundimit të PS-PD në jetën politike shqiptare, ajo e ka arritur tashmë njërin nga këto objektiva. Atë që lidhet me fushën e lojës së PD, të cilën de facto e ka pushtuar të tërën. S’ka më Foltore, s’ka më protesta kombëtare, as konferenca shtypi ditore të Berishës. Nuk ka më kundërvënie pozitë-opozitë siç jemi mësuar ta shohim historikisht. Zëri i partisë zyrtare të opozitës është mbytur nga oshëtima e protestës. Mikrofoni historik i opozitës është spostuar dhunshëm në bulevard tek protesta e përditshme, e cila megjithëse s’ka ende një fytyrë dhe një emër, që tani ka lënë pa punë një lidership të tërë partiak. Përfshirë partiçkat e vogla të cilat përpiqen të marrin paksa nga zulma që ka nxitur protesta duke pretenduar të jenë aksionere të saj periferike.

Opozita shqiptare është viktima e parë e protestës. Tashmë lufta politike nuk bëhet më në raport me qëndrimet, interesat dhe kërkesat e Sali Berishës, Ilir Metës, Fatmir Mediut dhe as ato të Agron Shehajt (i cili deklaronte sot se zgjedhjet do bëhen me Ramën në krye të qeverisë), Adriatik Lapajt dhe Arlind Qorit. Ajo bëhet edhe në raport me qëndrimet kaotike dhe rrëmujën e protestës që nuk ka as kokë, as lidership dhe as program.

Kërkesa e demokratëve në parlament për t’u identifikuar me axhendën e protestës dëshmon së praktikisht partia më e madhe e opozitës jo vetëm e ushqen me pjesëmarrje, reklamë dhe tifozë protestën, por ka kapitulluar përballë kalendarit të saj politik. Zelli me të cilin opozita zyrtare po e përkrah protestën, e cila kërkon fundin edhe të kësaj opozite, është një akt vetëvrasjeje kolektive që do të ketë pasoja të rënda në të ardhmen për vetë PD dhe kryetarin e saj. Është prova materiale e dobësisë ekstreme dhe e agonisë terminale ku gjendet kjo parti në këtë moment delikat politik. Një parti që kur s’ka më ide dhe motive për të ecur përpara shkon e rekrutohet kolektivisht në një lëvizje revolte të cilën e ka realisht kundërshtare, është një parti që në fakt ka pushuar së funksionuari si e tillë.

  •  

Në pritje të partisë së atyre që s’duan as Ramën, as Berishën

Nga Skënder Minxhozi/

Tashmë flamengot kanë mbetur një kujtim egzotik në protestën ditore të Tiranës.  140 kilometra më tutje në qytetin e Vlorës, “atdheun” real të flamengove, nuk ka ende sot pas dy javësh nga nisja e protestave, asnjë shenjë serioze rebelimi kundër qeverisë. Është shenja e sigurt se vetë protesta e ka braktisur shtratin mbi të cilin lindi e mori hov dhe po shkon drejt hapjes së diapazonit të objektivave të saj. Kërkon kokën e Edi Ramës, jo mbrojtjen e pelikanëve.

Ndërkohë ata që protestojnë janë në kërkim të një lidershipi për barrën e rëndë të kauzave e sfidave që kanë deklaruar. Më e para fare, ajo e largimit të Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Menjëherë pas saj ndëshkimi “me burg” i dy liderëve politikë më jetëgjatë, dyshes Rama-Berisha. Pra me fjalë të tjera rrëzimi i sistemit politik siç ne e njohim qysh nga dita e parë e pluralizmit politik në vitin e largët 1990.

Në Shqipëri ndodhemi këto ditë përballë një fenomeni i cili natyrshëm ka brenda një pakënaqësi të akumuluar për elitën politike shqiptare, e konkretisht për maxhorancën 13 vjeçare të Partisë Socialiste. Është prova më e dukshme e më agresive e konsumit të një qëndrimi të gjatë në pushtet.

Më gjerësisht akoma, kjo lëvizje ekspozon mërinë që është akumuluar në një pjesë të shoqërisë shqiptare ndaj elitave politike të tre dekadave të fundit. Është një fenomen edhe ky shumë i njohur jashtë Shqipërisë, kryesisht në demokracitë perëndimore, ku qëndrimi i gjatë në karrierë i figurave politike shihet si një defekt themelor i lidhur me cilësinë e funksionit të tyre si drejtues apo menaxherë publikë ose partiakë.

Në rastin e protestave shqiptare gjejmë në fakt një ndërthurje elementesh të cilat kanë sjellë ujë deri tani tek ai shesh ku protestuesit mblidhen çdo ditë, të shumtë dhe të zhurmshëm. Përtej aspektit fillestar ambjentalist kjo protestë është në planin e brendshëm një reagim i fortë antiqeveritar, ashtu siç është në planin e jashtëm një vëmendje dhe pasqyrim që ka në bazë antipatinë e medias dhe politikanëve të huaj anti-Trump.

Kush i ka ndjekur protestat nga dita e parë, kupton se një masë jo e vogël shqiptarësh protestojnë kundër arrogancës dhe mungëses së transparencës së shtetit, por edhe ndaj krizës ekonomike, rritjes së çmimeve e korrupsionit. Kush merr në dorë ndërkohë celularin e nis të shohë mediat e mëdha perëndimore që raportojnë për protestën kupton nga ana tjetër se vëmendja fokusohet tek dhëndrri i Donald Trump dhe e shoqja, pa neglizhuar edhe elementin e ekspansionit të supozuar izraelit që ka marrë përmasë muajt e fundit në lajmet/thashethemet që vijnë për vende si Qipro, Greqia dhe Shqipëria.

Deri tani protesta ka përfituar nga të gjitha këto prurje të ndryshme mes tyre, duke marrë përmasë dhe dimensione megjithë kundërshtitë, rivalitetet e zënkat e njohura mes personave që e drejtojnë pas perdeve. Një larushi të rinjsh të demoralizuar, familjesh në vështirësi ekonomike, aktivistësh, shoqatash të lidhura me lloj-lloj financimesh të huaja, operativë politikë të Albin Kurtit dhe opozitarë demokratë të kamufluar po i japin jetë një proteste që kujtohej e pamundur në Shqipërinë e fjetur të dy partive të mëdha. Algoritmi i rrjetit social dhe organizimi e financat që ofrojnë shumë duar mesa duket bëjnë çudira, aq sa momentalisht emigrantë nga diaspora janë gati të marrin avionin më të parë “për të shpëtuar Shqipërinë” që po shitet, megjithëse s’kanë vënë kurrë këmbën në Sazan dhe nuk e dinë se ku bie Narta apo Zvërneci. Aq më pak dinë se çfarë po ndodh me saktësi, por “kështu kanë dëgjuar e lexuar në rrjetet sociale”.

Të dielën në darkë protesta pati çarjen e parë pasi turma mori rrugën drejt Rinasit. Orët që pasuan treguan sesa kollaj është që protestuesit të sherrosen e të tregojnë me gisht njëri-tjetrin si tradhëtarë e spiunë të qeverisë.

Protesta e ka përmbushur misionin e saj emancipues, pasi ka nxjerrë në sheshe edhe një kategori qytetarësh që rëndom ishin te distancuar nga procesi politik dhe shiheshin si abstenues në zgjedhje.

Tani protestuesve iu takon të përballen me misionin më të vështirë. Të kthejnë në realitet konkret programor dhe konkurues tapetin e ëndrrave që kanë shtrirë në bulevardin qëndror të Tiranës.

Duhet pranuar se në 35 vite pluralizëm fabula politike dhe partiake parashihte vetëm dy parti kryesore. Duhet të ishe ose votues i njërës ose i tjetrës (pa llogaritur abstenuesit).

Sot ndodhemi në një realitet krejt të ri dhe këtë po e dëshmon qartë kjo protestë. Ka një sektor të konsiderueshëm të votuesit shqiptar i cili nuk do as njërën dhe as tjetrën forcë politike historike. Janë kryesisht të rinjtë që nuk e njohin fare historinë e 30 viteve të fundit (imagjinoni atë më të hershmen) dhe që i shohin Ramën dhe Berishën si dy prezenca të vjetra e të bezdisshme në krye të punëve, të cilat kanë vokacionin por jo përgatitjen që t’i drejtojnë vetë një ditë. Kjo turmë e di që nuk ndjehet mirë, por nuk e ka shumë të qartë se çfarë i dhemb dhe mbi të gjitha sesi shërohet bezdia dhe sikleti që ndjen. Të vërtetat e merr nga rrjeti e jo nga librat, për pasojë edhe kauzat që mbron i ka shpesh të mbushura me teori konpsirative dhe rrena banale të internetit.

Megjithatë një demokraci që funksionon mbi bazën e delegimit të pushtetit nuk korigjohet thjesht nga protestat. Ato e ndihmojnë shoqërinë të fokusohet dhe të drejtojë shikimin, por janë zgjedhjet mekanizmi që prodhon pushtet dhe zbatim programesh qeverisëse. Tashmë protesta duhet të prodhojë jo vetëm sherrin banal se nga duhet të shëtisin në errësirë pas orës 9, por të shpalosë veten se çfarë planesh ka dhe cilët persona do të delegojë për të zbatuar këto plane. Ka ardhur koha të shohim partinë realisht të re që pretendon të ndërpresë trashëgiminë 35 vjeçare të dypartitizmit PS-PD.

Një sfidë e rëndë ku kanë dështuar shumë burra të zotë në këto dekada. A do të jenë këta protestues të parët që do t’ja arrijnë? A do të mjaftojë sharmi i pretenduar që ka krijuar kjo protestë me qytetarinë dhe karrocat me fëmijë, për t’i dhënë këtij formë këtij projekti historik? Emrat që janë parë aty-këtu (megjithëse s’ka asgjë të sigurt deri tani) janë më shumë një listë e improvizuar personash që ju njihet emri dhe profesioni, sesa një brez alternativ pushteti që do të shkundin Ramën dhe Berishën nga poltronat 35 vjeçare. Precedenti që të vjen ndërmend është dhjetori i vitit ’90, por me shumë skonto.

Nëse është tallur e ironizuar fjala vjen PS për rekrutime deputetësh të rastësishëm si këta që këto orë po japin dorëheqje, e njëjta gjë vlen edhe për listat e përfolura të drejtuesve të nesërm të forcës politike që thuhet se do të prodhojë protesta. Nëse realisht ky hap pasardhës do të kishte këtë brumë, protestuesit më mirë të rrinë kështu siç janë, dinamikë, kaotikë dhe të hareshëm, që nuk dinë nga cila rrugë e Tiranës do i çojnë këmbët pas orës tetë të darkës. Kjo po që ka romantikë dhe idealizëm brenda.

  •  

Është e madhe dhe e hareshme sepse nuk ka (ende) gjë për të ndarë

Nga Skënder Minxhozi/

 

Si nga hiçi në rrugët e Tiranës është derdhur një masë e madhe njerëzish që protestojnë kundër sistemit politik në fuqi, duke kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës dhe Sali Berishës. Madje i duan që të dy në burg, paçka se njëri prej tyre ka dhe gëzim të madh këto orë. I kanë hequr non gratën, siç deklaron vetë.

Protesta e përditshme qytetare kundër projektit Sazan-Zvërnec ka krijuar një dinamikë të papritur politike në Tiranën e lodhur nga hija e rëndë e dy siglave PS e PD. Shumëkush ka përshëndetur energjinë që ka prodhuar kjo lëvizje qytetare deri tani, jo pak të tjerë qëndrojnë në pritje për të kuptuar sesi një masë e tillë të rinjsh, familjesh me fëmijë e të tjerë që deri dje llogariteshin tek populli gri, tani kanë mbushur rrugët përditë me pjesëmarrje dhe stoicizëm deri në orët e vona.

Mendjet mosbesuese pyesin fjala vjen se ku ishin këta të rinj deri dje kur shembej Teatri, kur Tirana mbushej me ndërtime, kur bregdeti kthehej në një shesh gjigand ndërtimi apo kur zyrtarë të të gjitha niveleve përfundonin në qeli me akuza të bujshme korrupsioni. Nga roli i shërbimeve të huaja e deri tek teoria e pikës së ujit që derdh gotën, të gjitha këto supozime janë subjekt diskutimesh e debatesh në të gjitha poret e shoqërisë së sotme shqiptare.

Rreth faktorëve që kanë prodhuar këtë vërshim ditor protestuesish që s’e kanë për zakon as pjesëmarrjen në procesin politik dhe as vetë protestën, do të debatohet shumë edhe në vijim. Kjo është tashmë kryengjarja politike e Shqipërisë që ka pasionuar mediat ndërkombëtare dhe një numër personalitetesh nga e gjithë bota.

Protesta tashmë ka depozituar fitoret e para publike. Akti i parë, ai i koagulimit të një mase të konsiderueshme qytetarësh, në antitezë me mitingjet politike me xhepat plot molotov, është arritur. Edhe hapi i dytë, po aq i vështirë, ai i rezistencës shumëditore, është gjithashtu një sfidë që mund të quhet e fituar deri më sot. Po bëhen dy javë që në bulevard pas orës 6 të mbrëmjes nuk ka më lëvizje makinash apo kombësorësh, por protestë me pankarta, oratorë dhe thirrje për rrëzimin e qeverisë.

Tani pyetja një milion dollarëshe është se çfarë do të bëjë protesta “kur të rritet”? Eshtë pyetja klasike që bëhet në çdo vend i cili çeshtjen e pushtetit e zgjidh përmes zgjedhjeve e jo përmes revolucionit, siç brohorasin çdo natë protestuesit. Që të bësh realitet atë që kërkon duhet të marrësh pjesë në një garë elektorale. Por mesa duket vetë protesta e ka të paqartë si fillim çfarë kërkon, e më pas se cilët do të jenë ata që do të marrin përsipër të avancojnë në sistemin politik atë që protesta kërkon.

Flamengot, pelikanët kaçurrelë e kafshë të tjera egzotike janë një kauzë fisnike për një lëvizje ambjentaliste. Nuk mjaftojnë ndërkaq për të ndërtuar një projekt të mirëfilltë politik. Pasi një i tillë është ajo çfarë i shkon kësaj lëvizjeje dyjavore masive që kërkon të burgosë dy politikanët më të rëndësishëm të vendit. Kalibrimi i një liste kërkesash, dalja me një skaletë programi politik dhe me piketa konkrete për daljen e Shqipërisë nga ky moment delikat, janë hapi më logjik që duhet të pasojë dy javë demonstrime ku s’kanë munguar fjalime banale, sharje dhe deklarime rastësore që i ngjajnë një përroi logjik më shumë sesa një grumbullimi njerëzish me ide të qarta konkrete. Protesta ka folur me perceptime dhe me veprim më shumë sesa me fjalë dhe me gojë.

Distilimi i pasionit dhe energjisë që ka prodhuar, në një dokument programor është një sfidë që çdo lëvizje që shfaq ambicje të mëdha duhet ta përballë. Ndryshe fiton kaosi, improvizimi dhe emocionet e çastit.

Në anën tjetër protestës i takon tashmë të ketë panelin e saj të fytyrave, nëse kërkon të jetë sfiduese dhe eventualisht e suksesshme në vitrinën e punëve të mëdha të vendit. Në muajt e parë të vitit Adriatik Lapaj ndenji me javë në sheshin para zyrës së Edi Ramës me një grusht njerëz, aq sa u detyrua të largohet në heshtje duke arkivuar një humbje djegëse për ambicjen e tij për t’u përballur me qeverinë. Sot problemi i pjesëmarrjes është i zgjidhur por protesta nuk ka ende një fytyrë. As edhe një emër që të simbolizojë atë që është dhe që dëshëron të jetë së afërmi.

Nuk është e vështirë të kuptohet se kjo gjendje pezullie po maskon problemin delikat dhe konfliktual të lidershipit që do të marrë në dorë frenat e lojës brenda kësaj lëvizjeje. Është gjithashtu e kuptueshme se kjo pikë e dobët dhe ende e papërcaktuar është në fakt edhe një aspekt force i protestës. Sepse në bulevard po dalin aktualisht të gjithë, Berisha, Lapaj, Shehaj, Qori dhe ndoshta edhe Albin Kurti me të vetët. Dalin të gjithë për sa kohë që asnjeri nuk është lideri i protestës. Ndjehen mirë në këtë masë të madhe që s’ka komandantë e gjeneralë. Kësisoj kemi një protestë të madhe sepse kemi një protestë ku s’ka ndodhur ndarja e punëve, e përgjegjësive dhe e posteve që do të provokonte sherre, ndasi dhe rivalitete.

A do të jetë kështu edhe kur të përpiqen të gjejnë një formulë përfaqësimi mes tyre? Dyshimet janë të forta duke parë per shembull raportet e PD e Berishës me partitë e reja si dhe rivalitetet e inatet mes vetë forcave të reja politike, pa folur për të panjohurit që janë afruar këto orë me podiumin e protestës dhe që nuk dihet se çfarë roli kanë dhe çfarë idesh e qëndrimesh mbrojnë.

Për këto arsye shumëkush pyet pa marrë përgjigje shterruese këto ditë se cilët janë organizatorët e protestës dhe çfarë kërkojnë ata. Sidomos tani që Zvërneci u harrua dhe protestuesit e spostuan pikën e gravitetit të lëvizjes së tyre në fushën politike. Një fushë e cila siç e dimë luan sipas rregullash të qarta: me konkurim programesh, idesh dhe liderësh. Për flamengot gjendet lehtë ilaçi, për Shqipërinë duhet një ndërhyrje pak më masive dhe kapilare. Protesta mund të vijojë të shijojë masivitetin dhe simpatinë që ka ngjallur në një pjesë të opinionit të brendshëm e të jashtëm, pasi ka arritur të kanalizojë në një korsi të vetme si dashurinë për natyrën dhe ligatinat, edhe inatin e urrejtjen globale për familjen Trump. Çeshtja është se kjo fazë erdhi dhe po kalon me shpejtësi. Të parakalosh çdo natë rrugëve të Tiranës është njëra anë. Të fitosh përballë qeverisë është një gjë krejt tjetër. E ka provuar prej 13 vjetësh opozita me çadra e molotovë dhe s’ka arritur gjë. Rreziku që edhe kjo protestë “no face, no name, no number” të bëjë të njëjtin gabim është përditë e më i madh. Nëse nuk do të hyjë në ujë e të notojë, protesta nuk ka për të arritur asgjë me varavingo bulevardi.

  •  

FOTO/ Sara Mila e kthen teken me fund: Ta pijmë për protestuesit, dikur të vrisnin në protestë!

Deputetja e PS-së, Sara Mila, ka kthyer një teke raki me fund ‘për Shqipërinë Europiane’, në eventin për 35-vjetorin e themelimit të kësaj force politike në Elbasan.

Teksa komentoi protestat për ‘Zvërnecin’, Mila tha se ishte e lumtur që njerëzit sot protestojnë të lirë. Ajo tha se në qeverisjen e Sali Berishës, nëse do të protestoje, mund të dhunoheshe apo vriteshe.

“Sot ne festojmë 35-vjetorin e PS, por përtej nesh, është duke ndodhur një ngjarje që nuk ka pse të kalojë pa koment. Në Tiranë me mijëra njerëz, ndër ta të rinj, gjenerata Z, kanë dalë duke shpalosur kreativitetin e vet me pankarta, me emocione dhe gjithçka ka ky brez i ri. Unë kur i shoh jam shumë krenare. Por më shumë sesa krenare, jam shumë e lehtësuar, sepse jam bërë pjesë e PS, pjesë e gjeneratës së tyre për një arsye të vetme. Sepse demokracia funksionon vetëm atëherë kur nuk matet me duartrokitje, por me nivelin e kundërshtisë që mund të të bëjnë. Prandaj jam shumë e lumtur që t’i shoh, kushdo qoftë kauza e tyre. Qoftë edhe që një meme të shkojë virale, jam e lumtur t’i shoh atje të lirë. Ju e dini shumë mirë që kjo nuk ka qenë norma. Ka burra e gra në këtë sallë, që e kanë kthyer standardin e të protestuarit lirë në normë. Dikur kur protestohej, keni përjetuar edhe dhunë. Ka pasur protesta kur ju kanë vrarë, si në 21 janar. Ngjyra e të zezës së frikës është eleminuar tërësisht nga Shqipëria. Në zonat e fshatrave në Elbasan kam vetëm 2 porosi. E para ‘ndreqja mirë qejfin atij plakut Mere’. E dini ju për kë e kam, për Saliun. E dytë është ‘moj vajzë të ecësh për zonën tonë në gjurmët e Bukurosh Stafës’. Siç e do tradita kam vendosur që bashkë me Bukuroshin ta kthejmë një teke raki për nder të kësaj dekorate. Me fund për Shqipërinë Europiane”, tha mes të tjerash Mila.

  •  

Në kërkim të një bashkëjetese të vështirë për Zvërnecin

Nga Skënder Minxhozi

 

Imagjinoni për një çast sikur në projektin e Zvërnecit të mos kishte asnjë një sherr apo pretendim pronësie mbi tokën turistike. Imagjinoni që investitorët me katër miliard euro në duar të vinin e të blinin rregullisht një masë toke e cila ka të gjithë dokumentacionin e saktë, me letra reale gjykatash e kadastrash, e jo me falsifikime dhe grabitje siç po heton edhe drejtësia.

Më tej imagjinoni që territori ku do të zbatohet projekti të mos ishte i rrethuar si një kamp përqëndrimi i kohës së komunizmit dhe sikur rojet e sigurisë të atij territori të mos silleshin me protestuesit sikur të ishin hajdutë të kapur në një shtëpi private duke vjedhur një televizor apo lavatriçe. Imagjinoni sikur të mos kishte as klimë tensioni në Zvërnec dhe as reklamime palësh, por një pritshmëri pozitive plot shpresë për një investim gjigand që do t’i ndryshojë fatin Vlorës dhe të gjithë turizmit shqiptar.

Imagjinoni më në fund, por jo më e parëndësishmja, që edhe qeveria të ishte më transparente dhe komunikuese me publikun. Më së pari me publikun vlonjat e më pas me të gjithë ne të tjerët sepse nuk ndodh shpesh që të ofrohen kaq shumë para për këtë Shqipërinë tonë të varfër. Kemi dëgjuar lloj-lloj dokrrash me miliarda në 35 vite, kemi ëndërruar se do të binte shi jeshil pas vitit ’90 e do të futeshim në Evropë për pesë vjet e shumta! Kemi ëndërruar teksa dëgjonim turlifarë onxhobonxhosh nga bota që na ofronin qiellin e më pas zhdukeshin pa lënë gjurmë pasi kishin nxjerrë ca  para nga ky vend i varfër.

Nuk është ky rasti mesa duket në Zvërnec. Nuk është mashtrimi me premtimet për investime, por e kundërta, është vetë përmasa e investimit që tremb më shumë sesa mashtruesit e vegjël të së shkuarës. Dhe kur në një territor kaq të vogël sa Vlora ofrohet për t’u injektuar një masë kaq e madhe parash afërmendsh duhet matur dora dhe duhet frenuar firma pa kryer disa procedura që e gjithë bota demokratike i zbaton në të tilla raste. Përfshirë një fushatë ekstensive shpjegimi, konsultimesh e informimi krahas marrje së garancive se projekti do të përkojë me standartet që i kërkohen. Kështu bëhen punet që të mos ketë pakënaqësi e protesta, por mbi të gjitha, që të ketë pjesëmarrje proaktive të publikut në politika që i japin formë jetës së tyre në territor për dekada, jo vite.

Zvërneci po merr formë si një projekt i madh turistik që potencialisht do të ndryshojë imazhin e vendit, por edhe si një laborator në qiell të hapur në lidhje me debatin kombetar mbi temat e mëdha sociale, ambjentaliste dhe politike të Shqipërisë. Nuk është vetëm një projekt turistik me impakt potencialisht të fuqishëm në jetën e shqiptarëve. Është dhe një lakmues i temperaturës së vendit, shqisave të tij reaguese dhe aftësisë për t’u orientuar për problemet reale edhe kur mbi tryezë ka një premtim disamiliardësh.

Ironia me flamengot, zogjtë shtegëtarë e kafshë të tjera të ligatinave nuk duhet të jetë më një sport cinik shpotish e batutash vulgare e provinciale në diskurin publik shqiptar. Një vend evropian që po nënshkruan një kontratë me Bashkimin Evropian (ku ambjentalizmi është një fe më vete) nuk mund të tregojë këtë shkallë naiviteti ndaj një teme kaq delikate për asete në zhdukje për të cilat bota e qytetëruar tregon maksimumin e seriozitetit dhe kujdesit. Do ta provojmë këtë kur me Brukselin të diskutojmë mbylljen e kapitujve që prekin mjedisin!

Së dyti, në tryezën ku do të derdhen miliarda nuk duhet shkuar me hijen e letrave të trukuara. Pronësia mbi tokën private na ka ndjekur si makth në 35 vjet sa herë kemi dashur ta zhvillojmë këtë vend. Ka qenë një shkak madhor i prapambetjes ekonomike ku ndodhemi. Janë vrarë e prerë breza shqiptarësh, kanë dështuar dhjetra projekte biznesi në çdo cep të Shqipërisë, është ngritur një makineri manipulimi e trukimesh që nis tek kadastrat e zyrat e tjera e përfundon në sirtarë prokurorësh e gjyqtarësh të pistë që kanë marrë miliona për  të marrë tokën nga ai që e ka e për t’ja dhënë atij që paguan për ta pasur. Është gjëja më elementare dhe normale që edhe për Zvërnecin të kryhet një verifikim i thellë i pronësisë mbi tokën. Nuk hedh njeri miliarda pa e ditur se ka blerë tokë me letra.

Së treti, e më e rëndësishmja në këtë histori, protestat për Zvërnecin nuk kanë parasysh vetëm Zvërnecin. E kundërta është e vërtetë. Dalja e protestuesve me teza politike, kërkesa për dorëheqjen e Ramës tregon se kjo pjesë e shoqërisë nuk e ka inatin vetëm me ligatinat e rrezikuara të Nartës por shumë më tepër se kaq. Në listë është e gjithë politika e kësaj dekade ndaj zhvillimit turistik të vendit, e shtrirë në të gjithë vijën bregdetare, në parqet e zonat e mbrojtura nga Alpet e deri në Butrint. Nën akuzën e protestuesve është sistemi-Shqipëri , me mënyrën sesi është ndërtuar e po ecën këto dekada.

Shqipëria ka nevojë të zhvillohet e të rrisë kapacitetet e saj turistike, por nuk ka pse ta bëjë këtë duke futur nën trysni të skajshme territorin e saj më të vlefshëm, atë që shtrihet në zonat më të brishta dhe më ekskluzive. Gjetja e një balance mes zhvillimit dhe konservimit është një sport i vështirë dhe një pjesë e shoqërisë shqiptare po na thotë se mendon se menaxhimi ka anuar dukshëm nga zhvillimi pa filtra dhe kufinj.

Me gjerë se kaq, kjo që po ndodh është një përballje mes shumë prurjesh të cilat takohen dhunshëm në bulevardin qëndror të Tiranës. Anarkistë të majtë, të vetëquajtur minoritarë, sovranistë të orës së fundit, persona të manipuluar nga rrjeti, opozitarë të sistemit dhe natyrisht edhe qytetarë të zakonshëm të pakënaqur me qeverisjen dhe përgjithësisht me elitat politike deh me mënyrën sesi po shkojn ë punët e këtij vendi – tashmë ky konglomerat ka një pamje konkrete tek protesta e përditshme, duke mos qenë më vetëm “zhurmë sfondi” që belbëzon në internet apo mjetet e mass medias. Politika duhet të dijë të përballet me këtë realitet të ri ky ka hyrë shoqëria shqiptare.

Fundja politika shqiptare dhe kjo maxhorancë qeverisëse duhet të pranojë sfidën që vjen nga pakënaqësia e shprehur në protesta, qoftë edhe kur shoqërohet apo provokohet edhe nga faktorë të tretë si ndërhyrjet e huaja, manipulimi apo interesat e papastra. Racionalja e protestës është shumë e rëndësishme se pjesa e saj e manipuluar dhe hipokrite.

Sazan-Zvërneci si projekt turistik duhet pranuar dhe ndërtuar paralelisht me ndërtimin e një vetëdijeje të ftohtë e të bazuar mbi arsye, se politika dhe qeverisja nuk mund të veprojnë përjetësisht në vakuum dhe pa oponencë publike. Ato janë përditë nën shqyrtimin dhe nën skepticizmin e opinionit publik. Është një “provim” i vazhdueshëm që nuk mbaron ditën e zgjedhjeve. Fillon atë ditë!

Kjo është një ndër shtyllat mbi të cilat ndërtohen dhe funksionojnë demokracitë liberale sot në Evropë dhe jashtë saj. Aty ku projekte turistike, infrastrukturore apo industriale gjejnë shpesh oponencën e shesheve, shoqërisë civile apo aktorëve të tjerë të rëndësishëm të shoqërisë. Nuk ka ndodhur asnjë tragjedi në thelb. Duhet bashkëjetuar me idenë se çdo gjë në një demokraci është relative, e përkohshme dhe nën diskutim. Ky është ndër kushtet primare të progresit në kontinentin ku jetojmë dhe duam të integrohemi.

 

 

  •  

Finalja e Eurovizionit/ Alis shkëlqen në finalen e Eurovizionit me baladën “Nân”

Përfaqësuesi i Shqipërisë, Alis Kallaçi, ka dhuruar një performancë të jashtëzakonshme dhe plot dritë në skenën e madhe të “Wiener Stadthalle” në Vjenë të Austrisë, ku po zhvillohet Finalja e Madhe e edicionit të 70-të të Eurovizionit. I renditur i pesti në radhën e të konkurrimit, Alis u ngjit në skenë me këngën e tij “Nân”, një baladë prekëse që ka arritur të rrëmbejë duartrokitjet e gjata të publikut europian dhe të lërë gjurmë të thella emocionale.

Kënga, e cila trajton lidhjen e thellë dhe të pazëvendësueshme midis nënës dhe fëmijës, ka rezonuar fort me audiencën, duke prekur një temë universale që lidhet ngushtë me eksperiencën shqiptare të emigracionit, ndarjes dhe mallit për vendlindjen.

Një dimension i ri artistik me Rajmonda Bulkun

Surpriza e madhe e kësaj nate finale ishte prania në skenë e aktores së madhe të kinematografisë dhe teatrit shqiptar, Rajmonda Bulku. Shoqërimi i saj i dha performancës një dimension tjetër artistik, duke ndërthurur muzikën me artin dramatik.

“Nân”, një krijim me tekst dhe kompozim nga vetë Alis Kallaçi në bashkëpunim me Desara Gjini dhe me produksion të Erjet Barbullushit, u interpretua me vokale tejet të pastra, intensive dhe me një prezencë skenike të mprehtë. Elementet dramatike të përfshira në skenografi theksuan edhe më shumë ndjenjat e nostalgjisë, pritjes dhe forcës së pashtershme të lidhjeve familjare.

Vargjet që u kthyen në himn virale

Se sa e fuqishme është bërë kjo këngë për publikun, këtë e vërteton edhe reagimi i menjëhershëm në rrjetet sociale. Vargjet kryesore të baladës:

“Ta dish se nana po ju pret / E nana ju po ju përcjell…”

janë bërë menjëherë virale që prej mbrëmjes së gjysmëfinales së dytë të së enjtes. Ky impakt është pasqyruar edhe në shifra, duke e rreshtuar “Nân” si një ndër këngët më të klikuara dhe më të ndjekura në kanalin zyrtar të Eurovizionit në YouTube.

Mes kritikëve dhe fansave të shumtë të festivalit evropian, përfaqësimi i Alis Kallaçit po konsiderohet si një nga performancat më autentike dhe më emocionale të këtij edicioni jubilar. Shqipëria solli sonte në Vjenë një histori njerëzore të pastër, e cila kalon çdo kufi kulturor dhe që ka nevojë tani për mbështetjen maksimale të votave të diasporës (Kodi 05) për t’u vlerësuar ashtu siç meriton.

Si të votoni për Alis (Kodi 05)

Rregullat e votimit janë të thjeshta dhe lejojnë deri në 10 vota për person. Dritarja e votimit hapet pak para se të interpretohet kënga e parë dhe do të mbetet e hapur gjatë gjithë performancave LIVE, duke u mbyllur rreth 40 minuta pas këngës së fundit. Të gjitha shtetet pjesëmarrëse në Eurovizion 2026 kanë të drejtë vote, përfshirë ato që nuk u kualifikuan në finale.

Për shqiptarët në diasporë (Votim me SMS):

Nëse jetoni në shtetet e mëposhtme, klikoni mbi lidhjen përkatëse për të gjeneruar automatikisht SMS-në e votimit për Alisin (Kodi 05):

  •  

Shqipëria kalon në finalen e Eurovision, Alis arrin suksesin e parë me “Nân”

Nata e dytë e gjysmëfinales së Eurovision Song Contest 2026 ka ulur siparin me një lajm të jashtëzakonshëm për publikun shqiptar: Alis ka prekur me sukses Finalen e Madhe! Me një interpretim vokal të fuqishëm dhe thellësisht emocional, artisti ynë elektrizoi arenën e “Wiener Stadthalle”, duke i siguruar Shqipërisë biletën për në natën e shumëpritur të së shtunës.

“Nân” elektrizon skenën
Alis dhuroi një performancë të shkëlqyer që tërhoqi menjëherë vëmendjen e sallës dhe miliona shikuesve në mbarë Evropën. Me një interpretim plot siguri dhe energji, ai arriti të krijojë një nga momentet më të bukura të mbrëmjes.

Kënga u shoqërua me një performancë skenike moderne dhe efekte vizuale mbresëlënëse. Duartrokitjet e gjata dhe brohoritjet në fund të interpretimit treguan qartë entuziazmin e publikut. Ky triumf vjen pas një jave ku kënga “Nân” dhe vokali i Alis u vlerësuan gjerësisht nga mediat ndërkombëtare si një nga interpretimet më të forta dhe vokalisht më të përsosura të këtij edicioni.

Krenaria e Flamurit
Mes dritave verbuese dhe atmosferës elektrizuese të Vjenës, një simbol mori vëmendje të veçantë: Flamuri Kuqezi. Gjatë gjysmëfinales së dytë, ngjyrat e Shqipërisë u valëvitën me krenari të ligjshme.

Në zemër të “Dhomës së Gjelbër” (Green Room), aty ku rrahjet e zemrës shtoheshin për çdo delegacion në pritje të rezultateve, si dhe në arenën e spektatorëve, prania e flamurit shqiptar krijoi një emocion të papërshkrueshëm. Valëvitja e tij shërbeu si një mesazh i qartë i pranisë së fortë të kulturës dhe pasionit shqiptar në këtë jubile të 70-të të festivalit evropian, duke dëshmuar sërish se mbetet një element i pandashëm i identitetit tonë në skenat ndërkombëtare.

10 shtetet e kualifikuara
Në përfundim të televotimit dhe vlerësimit të jurive, Shqipëria u shpall mes 10 shteteve që kalojnë në Finalen e Madhe. Ata do t’u bashkohen 10 shteteve të kualifikuara nga nata e parë dhe vendeve të “Big 5” (+ shteti mikpritës).

Më poshtë është lista e plotë e 10 shteteve që u kualifikuan nga gjysmëfinalja e dytë:

Shqipëria – Alis – Nân

Australia – Delta Goodrem – Eclipse

Bullgaria – Dara – Bangaranga

Çekia – Daniel Zizka – CROSSROADS

Danimarka – Søren Torpegaard Lund – Før vi går hjem

Malta – AIDAN – Bella

Norvegjia – JONAS LOVV – YA YA YA

Qipro – Antigoni – Jalla

Rumania – Alexandra Căpitănescu – Choke me

Ukraina – LELÉKA – Ridnym

Tashmë sytë dhe zemrat janë drejtuar te e shtuna, ku Alis do të ngjitet sërish në skenë me shpresën, pse jo, për të sjellë trofeun e madh në Tiranë./Balkanweb/

  •  

Nuk e kanë me Robertin, nuk e kanë as me Ndrenikën

Nga Skënder Minxhozi/

 

Nuk e kanë fare me Robert Ndrenikën sepse atij nuk ke çfarë t’i thuash as sikur ta vrasësh mendjen një vit të tërë për t’i gjetur ndonjë skelet në dollap. Është një ndër patriarkët e kinematografisë e teatrit shqiptar që ka bërë të qeshin, qajnë apo të mendohen thellë shumë breza në 60 vjetët e fundit. Ndrenika është një mal i lartë të cilit mizat vetëm mund t’i zukasin duke i ardhur rrotull. Tjetër gjë s’i bëjnë dot sepse mizat nuk e rrëzojnë dot malin.

Aq më tepër kur goditjet e organizuara në formë detashmenti digjital mundohen të fshehin thelbin e kësaj historie të shëmtuar. Nëse Ndrenika nuk do të kishte shkuar në seancën e Erion Veliajt, ai mund të bënte çdo sakrilegj tjetër publik, e të mos merrte këtë histeri kolektive sharësish mbi shpinë. Është sharë e mallkuar më pak kur mori pozicion të hapur për shembjen e Teatrit. Dhe kjo e ka një shpjegim i cili nuk është as i ri, as i panjohur. Është acarimi që kaplon një porcion të njohur të rrjetit social, medias dhe politikës kur është fjala për të sulmuar kreun e bashkisë Erion Veliaj.

Lali i ka të vjetër dhe të shumtë armiqtë. Një pjesë i ka tërhequr vetë mbi shpinë me stilin polemik dhe sulmet publike ndaj atyre që i konsideron kundërshtarë. Shumicën, të tjerët që përbëjnë edhe korin anti-Ndrenika, i ka krijuar për shkak të karrierës politike dhe peshës që ka marrë në të majtën shqiptare.

Është ky kontigjent pushkatarësh më shumë pa emër e fytyrë, sesa me identitet dhe adresë, i cili mallkon cilindo që aprovon publikisht diçka që bën Veliaj, e kjo është pjesë e një karriere politike të shpejtë dhe të suksesshme. Është e skajshme në rastin e kryebashkiakut por është gjithsesi pjesë e trajtimit rutinë me të cilin politikanët në këtë vend përballen prej vitesh.

Ai që nuk e meritonte të bëhej pjesë e këtij procesioni të dhunshëm e abuzues ishte Robert Ndrenika. Një ndër aktorët legjendarë të skenës dhe ekranit tonë, Ndrenika ka falur mjaftueshëm admirim dhe kënaqësi tek shikuesit në dekada, që të mos fyhej asisoj në një veprim personal e privat që është e drejtë e tij dhe e askujt tjetër. E shpjegoi arsyen pse e kishte puthur në ballë Veliajn dhe pse i kishte thënë ato fjalë. As e dëgjuan fare, por i kujtuan Teatrin. Tamam si në ato faqet e errëta të komunizmit ku i pandehuri nga drejtësia e proletariatit shihej si lebroz nga lagja e opinioni, që s’duhej prekur e madje nuk i duhej hedhur as vështrimi.

Kjo kryqëzatë e vogël budallaqe ndaj një aktori që ka provuar se nuk preket aspak nga këto goditje anonimësh, nuk ka ta bëjë as me qytetarin Robert dhe as me aktorin Ndrenika. Ajo është një deformacion kolektiv i një shoqërie që ka dalë vetëm me një këmbë nga e shkuara dhe që të dënon pa rënë ende çekiçi i gjyqtarit. Është dhe një hipokrizi e skajshme që tenton të hedhë poshtë një karrierë ndër më të mëdhatë në artin shqiptar të 50 viteve të fundit, për një puthje në ballë ndaj një njeriu që siç na e kujton edhe ligji, është i prezumuar i pafajshëm deri në një vendim gjykate.

Përbaltja në tentativë e Ndrenikës tregon se jemi në epokën e dhunës verbale që e ka zanafillën në dekadën e egër të parë të tranzicionit. Ajo subkulturë xhungle e asaj kohe formësoi më pas praktikën e eliminimit, përgojimit, poshtërimit, sharjes, fyerjes deri në palcë të atij që mendon e vepron ndryshe. Ajo sjellje e shfrenuar që u krijua nga kaosi, armët dhe autoritarizmi politik, krijoi më pas degëzimet e veta në të gjithë jetën sociale të cilat ndjehen fuqishëm edhe sot. Nuk do ta heqim lehtë vitin e mbrapshtë ’97 nga subkoshienca jonë.

Nga ajo kohë i kemi edhe sharjet e urrejtjen në skenën politike, vrasjet politike e shtetërore, dhunën e gazetave dhe më në fund edhe çmendurinë e rrjetit social. Një figurë e lartë si ajo e Robert Ndrenikës nuk meriton të jetë objekt i këtij llumi dixhital, politik dhe personal që sot shitet i paketuar si protestë qytetarësh, mllef politikanësh apo puritanizëm me pudër nga drejtësia e re. Çfarëdo të kishte bërë…

  •  

Habia është pse habiteni!

Nga Skënder Minxhozi/

 

Ka një habi të madhe që endet këto muaj në ajrin politik të Tiranës. Është habia që lidhet me procesin përjashtues të të gjitha kandidaturave që guxuan të aplikojnë për të garuar në zgjedhjet e 23 majit për kreun e Partisë Demokratike. Është një habi e cila po zbërthehet në lloj-lloj analizash, komentesh e qëndrimesh në studiot televizive, mediat e tjera dhe rrjetin social përjetësisht të zhurmshëm e folklorik.

Habiten ata që gjithë ditën thonë e stërthonë po vetë se Doktori e ka privatizuar partinë. Habiten ata që kanë jetuar këtu 35 vitet e fundit dhe i kanë parë të gjitha peripecitë që ka kaluar PD e bashkë me të e gjithë Shqipëria, edhe për shkak se kryetari i saj nuk ka pranuar kurrë t’i lëshojë qoshen dikujt tjetër. Habiten edhe ata që panë sesi Berisha deklaroi me lot në sy largimin nga posti i kryetarit në vitin 2013 dhe përjetuan një surprizë të hidhur kur ai u kthye pas tetë vitesh në zyrën e Lulzim Bashës. Habiten më në fund ata që nga mëngjesi në darkë flasin e shkruajnë për nevojën e rotacionit të elitave dhe për domosdoshmërinë e hapjes së procesit politik ndaj të rinjve, e që bëjnë sikur nuk shohin sesi politikani më i vjetër i tranzicionit vazhdon të mbajë fort në duar frenat e partisë së dytë më të madhe të vendit. Një habi kombëtare për një ngjarje të vjetër sa vetë mosha e pluralizmit politik shqiptar.

Të vetmit që nuk habiten janë ata që i qëndrojnë pas Doktorit dhe që kanë vendosur të ndajnë fatin politik final me të. Këta janë më të qartët dhe paradoksalisht më realistët rreth asaj që (s)ndodh në Partinë Demokratike. Një forcë politike ku mund të hapen, madje të shkalafiten të gjitha zyrat, seksionet, grupseksionet, grupi parlamentar, këshilli kombëtar dhe institucionet e tjera më të larta, kati i parë, i dytë dhe i tretë e deri te kolibja e rojes së parkingut në selinë qëndrore, përveç një zyre që është e dhënë me tapi qysh në ditën 1 të egzistencës së PD 35 vjet më parë: zyra e kryetarit Berisha!

Gjithçka mund të rinovohet, gjithçka mund të ndryshojë e transformohet përveç kësaj zyre. Cilido mund të vijë e të shkojë në atë parti, por jo kryetari i cili e ka marrë zyrën me tapi, siç thonë  edhe të habiturit. Ajo zyrë dhe ai post do t’i rezistojë çdo gare të humbur zgjedhore, edhe duke shkelur nenin e famshëm Basha i cili thotë se në ditën e humbjes kryetarit i mbaron mandati, pa pikë dhe pa presje. Ajo zyrë me pronësi nominale duhet t’i rezistojë çdo tërmeti politik, negociate, thirrjeje për ndryshim, fraksioni të madh apo të vogël. Është një zyrë e blinduar politikisht në nivelin personal dhe nuk ka kurrfarë stuhie e furtune që mund ta luajë nga vendi. Aty koha nuk ecën, ajri qëndron pezull dhe i palëvizshëm, aty nocionet e evolucionit dhe ndryshimit shbëhen, logjika e thjeshtë e rinovimit dhe e ligjësive të mëdha të jetës humbet fuqi, aty edhe ligjet e fizikës dhe të gravitetit duken sikur stepen.

Berisha e provoi se dëshëron të jetë një kryetar i pakohë. Le të habiten ata që habinë e paskan me tepri dhe që e përdorin vend e pa vend. Le të habiten e të mos kuptojnë se kryetari historik i PD është i tillë, pra historik, sepse përjetësisht ka qenë kandidat pa rival në partinë e tij. Ka qenë një lloj atleti i garave të thellësisë që ka garuar rregullisht i vetëm, pa konkurentë dhe pa bërryla që ta shqetësonin. Kushdo ka guxuar e ka parë veten në rrugë ose dhe më keq. Historia i njeh mirë rastet dhe emrat.

Prandaj kjo pozitë përjetësisht dominuese brenda partisë i ka krijuar Sali Berishës luksin që kur edhe humbet zgjedhjet, të mos i quajë të tilla, pra zgjedhje, por “farsë”. Paçka se askund në statutin e ndryshuar të PD pas ikjes së Lulzim Bashës, nuk thuhet që nëse partia i konsideron zgjedhjet të vjedhura nga kundërshtarët, kryetari nuk ikën nga posti.

Sot rreziku Doktorit nuk po i vjen nga ndonjë pusi senatorësh apo thikë pas shpine në katet e larta të partisë. Aq më pak po i vjen nga neni Basha me të cilin tallet nga mëngjesi në darkë. Në atë ambjent që quhet PD s’ka më rrezik për Berishën pasi e ka spastruar me kohë fushën e lojës. Risku po i vjen nga s’e priste: nga një grua e panjohur e quajtur Mereme Sela që pati guximin e çmendur të garojë për kryetare partie. Dhe që pasi u skualifikua, siç pritej, vendosi ta çojë në gjykatë nenin e famshëm Basha.

Duket si një shenjë e fatit, por ja që goditja mund të vinte vetëm nga persona të tillë jashtë rrethit të ngushtë politik, të palidhur me interesa, njohje apo histori të përbashkët me Berishën. Akti i padisë në gjykatë për nenin Basha ishte hapi që askush s’e ndërmori këto vite. As vetë Basha, as pasuesit e tij gjithnjë e më të paktë, as Edvin Salianji. Mereme Sela qe e vetmja. Duket si ndonjë barcaletë për ditë me shi por ja që një hap i tillë surprizë nga një grua e panjohur mund të kthehet potencialisht në ortek për Doktorin nëse gjykata do ta lexojë ftohtë dhe objektivisht statutin e ndryshuar të PD të miratuar nga një tjetër gjykatës me mbiemrin Zhukri. Nëse kjo padi-surprizë do të kthehej në realitet, mund të kishim një zhvillim që as Berisha e as të tjerët rreth tij s’do të dinin si ta menaxhonin. Atëhere do të kishte vërtetë vend për t’u habitur!

  •  
❌