Reading view

Akuzohet për kanosje, shpallet në kërkim ish-zyrtari i Policisë Uljan Shpataraku

Policia e Himarës ka shpallur në kërkim policor ish-policin Uljan Shpataraku.

Ish-zyrtari policor një nga njerëzit më të afërt të ish kryepolicit Ilir Proda është kallëzuar nga punonjësit e një hoteli në zonën e Dhërmiut të cilët pretendojnë se janë kanosur e kërcënuar nga Shpatarku.

Pas një debati verbal, punonjësit pretendojnë se i ka kërcënuar me jetë.

Shpataraku aktualisht është i përjashtuar nga organizata e policisë, madje disa ditë më parë kërkoi në gjykatë rikthimin.

  •  

Në vend të rindërtimit ngrihet bazë ushtarake në Gaza, Bordi i Paqes jep kontratën e parë

Bordi i Paqes, i krijuar nga presidenti amerikan Donald Trump për të mbikëqyrur rindërtimin e Gazës, ka dhënë kontratën e parë të ndërtimit në këtë territor palestinez. Projekti parashikon ndërtimin e një baze të përkohshme ushtarake për 150 pjesëtarë, ku do të vendosen ushtarë marokenë.

Sipas gazetës britanike The Guardian, kontrata ende nuk është konfirmuar përfundimisht, por i është dhënë kompanisë amerikane Arkel International, e cila më parë ka realizuar projekte për qeverinë amerikane në vende si Iraku.

Bordi i Paqes drejtohet nga Trump, ndërsa në udhëheqjen e tij janë edhe Jared Kushner dhe Steve Witkoff. Një zyrtar i komitetit tha se disa kontrata janë në fazën përfundimtare të përgatitjes, por asnjëra nuk është finalizuar ende.

Baza ushtarake do të ndërtohet në një zonë nën kontrollin e ushtrisë izraelite, e cila aktualisht kontrollon një pjesë të madhe të territorit të Gazës. Objekti do të jetë rreth 1.6 kilometra larg kufirit me Izraelin dhe do të ketë një rrugë të shpejtë evakuimi në rast sulmesh.

Plani lidhet me krijimin e Forcave Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) për Gazën, ku Maroku ka paralajmëruar dërgimin e një kontingjenti të vogël ushtarak. Megjithatë, kuadri ligjor për vendosjen e këtyre forcave ende nuk është miratuar.

Ndërkohë, planet fillestare për rindërtimin e Gazës janë reduktuar nga një projekt i gjerë në një projekt pilot.

Sipas vlerësimeve, rreth 80 për qind e ndërtesave në Gaza janë dëmtuar ose shkatërruar gjatë luftës, ndërsa rreth dy milionë banorë vazhdojnë të përballen me kushte të vështira jetese në kampe të improvizuara.

  •  

25 vatra zjarri në 12 orët e fundit në të gjithë vendin, 10 mbeten aktive

Gjatë 12 orëve të fundit janë raportuar 25 vatra zjarri, nga të cilat 10 mbeten aktive, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.

“Përmes koordinimit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, prefekturave, njësive të qeverisjes vendore dhe Forcave të Armatosura – në operacionet për izolimin dhe shuarjen e tyre janë angazhuar 47 automjete zjarrfikëse dhe 454 forca operacionale. Në mbështetje janë angazhuar gjithashtu 110 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë, avioni “Air Tractor” dhe 3 automjete zjarrfikëse të FA-së me personelin përkatës”, thuhet në njoftim.

Në zonën e Dajtit vijon operacioni nga toka dhe ajri. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në fshatin Priskë, bashkia Tiranë, vijon puna për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe pyjore. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në fshatrat Riban dhe Ngraçan, bashkia Mallakastër, zjarri po shkon drejt izolimit falë ndërhyrjes së forcave nga toka dhe ajri.

Në qarkun Elbasan vijon puna në vatrat e Shqiponjës, malit të Dardhës, Mjekësit dhe zonës së mbrojtur në malin e Valamarës. Vatrat në Shqiponjë dhe Mjekës janë nën kontroll, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Kostren 2, bashkia Berat, është riaktivizuar vatra e zjarrit dhe forcat zjarrfikëse po punojnë për shuarjen e saj. Ndërkohë, zjarret në Floq, bashkia Korçë, dhe në Shpërdhet–Drojë, bashkia Kurbin, janë shuar.

“AKMC dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e situatës dhe koordinimin e ndërhyrjeve në të gjithë territorin”, njoftoi Ministria.

  •  

U kap me katër pistoleta “Glock” rrugës për Sarandë, zbardhet dëshmia e 31-vjeçarit: Mendova se ishin lodra

Është zbardhur dëshmia e 31-vjeçarit Kejdi Banaj, i arrestuar dy javë më parë pasi u kap me 4 pistoleta të tipit “Glock” në automjetin e tij, teksa udhëtonte në drejtim të Sarandës.

Banaj, gjatë seancës për caktimin e masës së sigurimit, ka dhënë versionin e tij për ngjarjen, duke pretenduar se nuk kishte dijeni për përmbajtjen e qeses së zezë që u gjet në makinën e tij.

Ai ka deklaruar se personi që i kishte futur sendet në automjet ishte 26-vjeçari me iniciale E.S., të cilin thotë se e njihte prej shumë vitesh.

“Unë jam përdoues i lëndëve narkotike prej vitesh dhe nuk e di fare se si ka ndodhur ngjarja. Mua më morën te shtëpia më çuan aty dhe s’kam ditur fare. Nuk kam qenë i vetëdijshëm në rastin konkret se si ndodhi ngjarja, vazhdoj që mos të jem i kthjellët. Unë kam deklaruar të gjithë të vërtetën.

Më mori E.S. Kam 20 vjet që e njoh. Më ka ardhur dhe më ka thënë do ikim në Sarandë të gjejmë një shtëpi të bënim ca ditë plazh. Ai ishte me nusen dhe fëmijën. Kishim kohë pa u takuar. Nusen e tij e lamë në Elbasan, shkuam në Tiranë, ai mori një porosi dhe e futi në makinën time, ndërsa vetë mori një makinë tjetër.

Rrugës ndodhi çfarë ndodhi, mua më kapën, ai iku se ishte para me makinë. Kur më kanë kapur atëherë kam kuptuar çfarë kam pasur në makinë. Qesen e zezë që la tek makina ime e mori ai me kunatin e tij në Tiranë dhe unë nuk e dija çfarë kishte aty. Erdhi më takoi papritur, kisha 4 vjet pa e parë. Në fillim më kërkoi tek babai, atij ia mori numrin e telefonit, pastaj më takoi mua”, ka deklaruar Banaj para gjykatës.

Më herët, gjatë marrjes në pyetje nga policia, Banaj kishte dhënë një tjetër rrëfim, ku kishte treguar edhe mënyrën se si kishte përfunduar qesja me armë në automjetin e tij.

Banaj është treguar bashkëpunues me policinë, duke treguar edhe kodin e celularit, si dhe duke treguar njëherazi edhe bashkëpunëtorët.

“Ai ka deklaruar se banon në Tiranë, ku ka një zyrë imobiliare në Astir. Në datë 14.07.2026, rreth orës 13:00, te biznesi i tij ka shkuar një shtetas i quajtur E., mbiemrin nuk ia mban mend, djali i “M…”, që qëndron në “Rrugën e Kavajës”, për të kërkuar atë. Ai nuk ishte, ka takuar babanë e tij dhe i ka marrë numrin e telefonit, e ka marrë në telefon dhe i ka shkuar poshtë shtëpisë me bashkëshorten dhe vajzën e tij. Për këtë mund të verifikohen telefonatat në telefonin e tij personal me kod 2580. I ka kërkuar që t’i gjente një apartament dhe makinë me qira në Sarandë.

U nisën të tre bashkë dhe me kunatin e tij, emrin nuk e di, për në Sarandë me një makinë. Në datë 15.07.2026, rreth orës 08:00, i ka thënë që të shkonin për të marrë diçka në Tiranë dhe do ta paguante 150 euro për të bërë shoferin. Makinën ia la dikujt dhe mori makinën “Citroen”, me targa AB 302 SF, se ku nuk e di.

U nisën dhe, kur shkuan në Tiranë, ndaluan ngjitur te “Hotel I…”, në autostradë te “Qafa e Kasharit”, ku doli nga makina me kunatin e tij, morën një qese të zezë te ferrat dhe erdhi te makina, e futi mbrapa sediljes te këmbët dhe i tha të shkonte për në Sarandë. Ai mori një automjet “Skoda”, ngjyrë gri, që ia kishin lënë aty, dhe se ai e dinte që kishte sende të kundërligjshme, armë në makinë, por i mendonte lodër”, thuhet në dosjen hetimore.

Kapja në tunelin e Skërficës

Operacioni policor u zhvillua në aksin Kardhiq-Delvinë, në tunelin e Skërficës, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se një automjet i marrë me qira nga Kejdi Banaj do të përdorej për transportin e armëve të zjarrit drejt Sarandës.

Sipas dosjes hetimore, policia dyshonte gjithashtu se Banaj do të merrte në Lushnje rreth 500 gramë kokainë, të cilën do ta sillte në Sarandë për ta shitur në doza të vogla.

Pas ndjekjes së automjetit, në orën 16:15 është bërë ndalimi i tij në “Tunelin e Skërficës”. Në drejtim të mjetit ishte Kejdi Banaj dhe gjatë kontrollit, në pjesën e pasme të automjetit, nën tapicerinë e pasagjerit të krahut të djathtë, është gjetur një thes plastik me ngjyrë të zezë. Brenda tij u gjetën katër armë zjarri të llojit pistoletë tip “Glock”.

Gjatë hetimeve, Banaj ka kompromentuar 26-vjeçarin E.S. nga Tirana, i cili rezulton i shpallur në kërkim që prej marsit të këtij viti për një akuzë të ngjashme.

Gjykata ka caktuar ndaj Kejdi Banajt masën e sigurisë “Arrest në burg”, ndërsa vijojnë hetimet për personat e tjerë të dyshuar si të përfshirë në ngjarje.

  •  

Rama mbledh Qeverinë në Pogradec. Më 7 shtator mbahet Asambleja që mund të ndryshojë kabinetin

Nuk do të ketë pushime vere deri në fund të gushtit për ministrat e Qeverisë Rama 4.

Kryeministri Edi Rama do ta vijojë traditën e takimeve informale të Qeverisë njohur si ‘retreat’, përpara sesionit të ri parlamentar.

Burime nga qeveria i konfirmuan gazetarit të Top Channel Muhamed Veliu se me 24 dhe 25 gusht pritet që të gjithë ministrat të raportojnë për prioritetet e secilës ministri për muajt në vazhdim.

Të njëjtat burime pohuan se ky retreat, parashikohet të mbahet në qytetin e Pogradecit.

Ndërkohë, nga brenda Partisë Socialiste, nuk përjashtohet mundësia edhe e mbledhjes së Asamblesë Kombëtare Socialiste në fillim të shtatorit përpara rinisjes nga puna të Parlamentit, ky seanca e radhës është me 7 shtator.

Nëse kjo ndodh atëherë ky mund të jetë momenti nga ku kryesocialisti Edi Rama mund të bëjë ndryshime në kabinetin qeverisës.

Brenda qeverisë prej disa javësh qarkullojnë zëra për një rifreskim drejtimi të mundshëm në të paktën 6 ministri.

Megjithatë kjo mbetet në dorë të Edi Ramës, i cili elementin surprizë e ka sportin e tij të preferuar.

Gjithsesi fillim shtatori si për Qeverinë ashtu edhe për PS pritet të jetë me plot zhvillime, pasi vetë Rama i ka vënë të tijët nën një kërkesë llogarie të shtuar, kulmuar me dokumentin Besa, një qasje që ai e ka prezantuar si metodën e re të punës për mandatin e katërt qeverisës.

Sakaq, nëse Rama do të vendosë mbajtjen e mbledhjes së asamblesë të PS, do të duhet të vendoset në rendin e ditës edhe mocioni për hapjen e dialogut kombëtar mbi marrëveshje e re për Shqipërinë, depozituar në PS prej deputetes Elisa Spiropali.

  •  

Alarm për bombë në stacionin e autobusëve në Prishtinë

Një alarm për mjet të dyshuar shpërthyes është raportuar pasditen e së enjtes në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, duke vënë në lëvizje forcat e Policisë së Kosovës.

Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, autoritetet kanë marrë njoftimin rreth orës 16:30 dhe kanë reaguar menjëherë duke zbatuar masat e nevojshme të sigurisë.

Pllana bëri të ditur se në vendngjarje janë angazhuar njësitë përkatëse, të cilat po trajtojnë informacionin dhe po kryejnë verifikimet përkatëse.

Policia ka siguruar perimetrin e zonës, ndërsa pritet të japë detaje të tjera pas përfundimit të kontrolleve dhe vlerësimit të situatës.

  •  

Vijon përhapja e zjarrit në Mallakastër, flakët drejt Vloshit, rikthehet ndërhyrja nga ajri

Zjarri që prej tre ditësh ka përfshirë zonën e Mallakastrës vijon të jetë aktiv, ndërsa flakët po avancon në terrenin mes Lofkëndit dhe Drenies.

Raportohet se era e fortë po favorizon përhapjen e zjarrit, duke bërë që vatra të lëvizë në drejtim të Vloshit dhe të përfshijë sipërfaqe të tjera me bimësi dhe masive pyjore.

Përballë situatës së vështirë, është rikthyer edhe ndërhyrja nga ajri. Helikopterët kanë rifilluar hedhjen e ujit mbi vatrat aktive, në mbështetje të forcave zjarrfikëse dhe strukturave të emergjencave që po punojnë në terren.

Përpjekjet vijojnë për të frenuar avancimin e flakëve dhe izoluar vatrat e zjarrit. Situata mbetet dinamike, ndërsa ekipet në terren po monitorojnë drejtimin e përhapjes dhe zonat e rrezikuara.

  •  

Ngërçi në formimin e institucioneve, SHBA thirrje liderëve politikë në Kosovë: Ka ardhur koha për progres dhe stabilitet

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë u bëri thirrje liderëve politikë në Kosovë të bashkëpunojnë për formimin e institucioneve të reja në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Reagimi vjen pasi dështoi edhe përpjekja e radhës për konstituimin e Kuvendit.

Në reagimin e saj, Ambasada amerikane tha se qytetarët presin që udhëheqësit të veprojnë në interesin më të mirë të vendit, duke paralajmëruar se ngërçi politik po i kushton Kosovës mundësi të humbura.

“Udhëheqja politike e Kosovës duhet të bashkëpunojë për të formuar institucionet në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Populli i Kosovës pret nga udhëheqësit e tij që të përmbushin zotimin për të punuar në interesin më të mirë të vendit”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

Mesazhi erdhi pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kërkoi shtyrjen e konstituimit të Kuvendit për të vijuar bisedimet për zgjedhjen e presidentit. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, afati për konstituimin e Kuvendit përfundon më 7 gusht.

  •  

Vijon beteja me flakët në fshatrat e Fierit, rinis operacioni nga ajri për shuarjen e zjarrit

Zjarri që ka shpërthyer në kufirin mes fshatrave Lofkënd dhe Drenije vazhdon të përhapet me shpejtësi, i ndihmuar nga era e fortë.

Sipas informacioneve nga terreni, vatra e flakëve po avancon në drejtim të Vloshit, duke rritur rrezikun për sipërfaqe të tjera me bimësi dhe pyje.

Pas një ndërprerjeje të përkohshme, helikopterët kanë rifilluar operacionet ajrore në mbështetje të forcave zjarrfikëse dhe strukturave të emergjencës, të cilat vazhdojnë punën për izolimin e flakëve.

Operacioni mbetet në zhvillim. Autoritetet po monitorojnë nga afër situatën dhe po bëjnë përpjekje për ta vënë zjarrin nën kontroll.

  •  

Ministria e Mbrojtjes: E vërteta e blerjes së tre avionëve për zjarret dhe kompanisë që e fitoi tenderin

Ministria e Mbrojtjes ka reaguar pas disa shkrimeve dhe akuzave nga Partia Demokratike, në lidhje me tenderin e blerjes së tre avionëve për shuarjen e zjarreve.

Sipas Ministrisë, tenderi është zhvilluar në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar në fuqi dhe se nuk ka asnjë të vërtetë, që kompania fituese ndodhet nën ndalim për të kontraktuar me administratat publike.

Reagimi i plotë

Në lidhje me deklaratën e bërë së fundmi nga Partia Demokratike si dhe qarkullimin në disa portale mbi procedurën e prokurimit për blerjen e tre avionëve për shuarjen e zjarreve, Ministria e Mbrojtjes sqaron opinionin publik se çdo procedurë prokurimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë zhvillohet në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar në fuqi, mbi bazën e parimeve të ligjshmërisë, transparencës, konkurrencës dhe trajtimit të barabartë të operatorëve ekonomikë.

Ministria e Mbrojtjes hedh poshtë pretendimet se bëhet fjalë për një “tender të mbyllur” apo për një procedurë të zhvilluar në kundërshtim me ligjin.

Procedura është zhvilluar si procedurë konkurruese për qëllime ushtarake, në përputhje me legjislacionin shqiptar për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Në garë morën pjesë dy operatorë ekonomikë. Operatori fitues paraqiti ofertën me çmimin më të ulët, ndërsa operatori tjetër u skualifikua pasi nuk plotësonte kriteret ligjore të kualifikimit, kapacitetit ekonomik dhe teknik.

Po aq i pavërtetë është edhe pretendimi se kompania fituese ndodhet nën ndalim për të kontraktuar me administratat publike.

AVIATION TRADE EUROPE, S.L. ka paraqitur certifikatën e regjistrit penal që vërteton mungesën e çdo rekordi penal dhe ruan të drejtën e plotë për të marrë pjesë në procedura publike prokurimi.

Pretendimet e referuara në media lidhen me një çështje tjetër gjyqësore në Spanjë, ku vendimi nuk ka marrë ende formë të prerë dhe është në shqyrtim nga Gjykata e Lartë. Për rrjedhojë, ai nuk prodhon efekte juridike dhe nuk përbën bazë ligjore për përjashtimin e asnjë operatori ekonomik nga procedurat e prokurimit.

Kompania ka vijuar të kontraktojë normalisht me administrata publike të vendeve anëtare të NATO-s dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë vitet e fundit Ministrinë e Mbrojtjes së Qipros dhe Ministrinë e Brendshme të Malit të Zi.

Investimi për sigurimin e kapaciteteve ajrore për shuarjen e zjarreve është një projekt me rëndësi strategjike për rritjen e sigurisë civile, mbrojtjen e jetës së qytetarëve, të pasurisë dhe të mjedisit. Për këtë arsye, Ministria e Mbrojtjes mbetet e angazhuar që çdo procedurë të zhvillohet me përgjegjësi të plotë, në respekt të ligjit dhe të interesit publik.

  •  

Zjarr masiv tek tregu ushqimor në Elbasan, tymi i zi mbulon zonën, 3 zjarrfikëse në vendngjarje

Një zjarr i madh ka rënë pasditen e kësaj të enjteje në tregun agro-ushqimor të Elbasanit. Nga pamjet në zonë shihet një re e madhe tymi të zi që ka mbuluar të gjithë zonën.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se flakët kanë përfshirë një magazinë brenda tregut. Ende nuk dihen shkaqet e zjarrit apo nëse ka persona të lënduar.

Në vendngjarje janë dërguar 3 zjarrfikëse. Në pritje të informacioneve zyrtare.

  •  

Kurti kërkon konsensus për Presidentin, ftesë publike për Hamzën dhe Gjinin: Jam i interesuar për bisedime

Teksa po zhvillon negociata me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u bëri thirrje edhe liderëve të PDK-së dhe Aleancës, Bedri Hamzës dhe Ardian Gjinit, të ulen në bisedime për zgjedhjen e presidentit, duke paralajmëruar se dështimi i këtij procesi do ta çonte vendin në zgjedhje të reja.

Në një konferencë për mediat, Kurti tha se zgjedhja e presidentit nuk është përgjegjësi vetëm e partisë fituese, por siguroi se kërkon dakordësi më të gjerë politike. Sipas tij dështimi për zgjedhjen e kreut të shtetit do ta çonte Kosovën në zgjedhje të reja.

“I bëj thirrje edhe një herë kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjinit, kryetar i Gjakovës, së voni tash edhe kryetar i AAK’së, por edhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, i cili dikur ka qenë guvernator i BQK’së, ka qenë ministër i financave, kryetar i komunës Jugore të Mitrovicës, njeri me përvojë profesionale e institucionale, që të takohemi e të bisedojmë, sepse nëse kryetari i Kuvendit i takon subjektit fitues dhe nëse qeverinë e formon mazhoranca që jemi ne, atëherë zgjedhja e presidentit, e cila në rast të dështimit na qon në zgjedhje të reja, është përgjegjësi edhe e PDK-së edhe e Aleancës.

Pra konstituimi i institucioneve nuk është përgjegjësi ekskluzive e fituesit na duhet na duhet diskutim, e komunikim dhe unë jam i vullnetshëm dhe i interesuar”, ka thënë Kurti.

  •  

Alarm në Greqi, virusi i Nilit Perëndimor përhapet me shpejtësi, 6 viktima dhe 65 të infektuar

Virusi i Nilit Perëndimor po përhapet me ritme shqetësuese në Greqi, duke ngritur alarmin te autoritetet shëndetësore.

Numri i rasteve të konfirmuara është rritur ndjeshëm gjatë javës së fundit, ndërsa viktimat kanë shkuar në gjashtë, të gjitha persona mbi moshën 65 vjeç.

Nga të infektuarit, 54 kanë shfaqur komplikacione në sistemin nervor qendror, si encefalit, meningjit apo paralizë akute. Njëzet pacientë vazhdojnë të trajtohen në spitale, tetë prej tyre në terapi intensive.

Vatrat kryesore ndodhen në Atikë, ku përfshihet edhe zona e Athinës, si dhe në Thesali dhe në Maqedoninë Qendrore.

Autoritetet shëndetësore flasin për një qarkullim veçanërisht të lartë të virusit në Atikë, ndërsa disa zona të tjera janë shpallur me rrezik të lartë, edhe pse ende nuk kanë regjistruar raste te njerëzit.

Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet kryesisht nga pickimi i mushkonjave të infektuara. Mushkonjat e marrin virusin nga shpendët, ndërsa ai nuk përhapet nga një person te tjetri përmes kontaktit të zakonshëm. Rreth 80 për qind e të infektuarve nuk shfaqin simptoma. Shumica e të tjerëve kalojnë një formë të lehtë, të ngjashme me gripin, ndërsa më pak se një për qind zhvillojnë komplikacione të rënda neurologjike. Më të rrezikuarit janë të moshuarit, personat me sëmundje kronike dhe ata me imunitet të dobësuar.

Autoritetet paralajmërojnë se sezoni i transmetimit të virusit vazhdon dhe se mund të shfaqen raste të reja edhe në rajone të tjera.

  •  

Zjarret në Mallakastër, vihet nën kontroll vatra pranë Cfirit, flakët avancojnë drejt Ngraçanit

Situata e zjarreve në Mallakastër mbetet problematike, megjithëse është arritur të vihet nën kontroll një nga vatrat më të rrezikshme.

Vatra e zjarrit në Panahor, në kufi me fshatin Cfir, është neutralizuar, por flakët vijojnë të përhapen në drejtim të Ngraçanit, duke mbajtur në gatishmëri forcat e emergjencës.

Dy helikopterë vazhdojnë operacionin nga ajri, duke hedhur ujë mbi zonat më problematike për të frenuar avancimin e flakëve.

Ndërkohë, edhe në Drenije zjarri mbetet aktiv, ndërsa ekipet zjarrfikëse dhe strukturat e tjera të angazhuara po punojnë për izolimin e vatrave dhe shmangien e rrezikut për banesat dhe sipërfaqet e tjera të prekura.

  •  

Gjyqi për pengim të drejtësisë, Haga cakton shtatorin për deklaratat përmbyllëse për Thaçin

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë njoftuan të enjten se mesi i shtatorit është caktuar për mbajtjen e seancave për shpalosjen e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit – të cilët akuzohen për pengim të drejtësisë.

Seancat për deklarata përmbyllëse do të mbahen më 10, 11 dhe 14 shtator, njoftoi gjykata.

Ata akuzohen se, mes prillit dhe nëntorit 2023, kishin ndikuar tek dëshmitë e dëshmitarëve të thirrur nga prokurorët për çështjen gjyqësore për krime lufte kundër vetë Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Ndaj Hashim Thaçit janë ngritur tri akuza për tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe tetë akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Ndaj Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut janë ngritur, për secilin, një akuzë për tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe një akuzë për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndaj Hajredin Kuçit janë ngritur dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Të pesë të akuzuarit janë vetëdeklaruar të pafajshëm.
Gjykimi ndaj tyre filloi më 27 shkurt, ndërsa më 13 mars, Prokuroria përfundoi paraqitjen e provave.
Ndërkohë, aktgjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, do të shpallet më 16 shtator.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, akuzohen për vepra si vrasje, torturim dhe përndjekje, gjoja të kryera gjatë viteve 1998-’99 gjatë luftës për pavarësimin e Kosovës nga Serbia.

Që të katërtit i kanë mohuar këto akuza dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që përfshijnë rreth 155 viktima.
Prokurorët kanë kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe secili të dënohet me nga 45 vjet burgim për krimet e pretenduara.

Mbi 130 dëshmitarë dëshmuan, ndërsa u pranuam me shkrim 160 deklarata të dëshmitarëve të tjerë në këtë gjyq gjatë tri vjetëve seanca.

Gjyqi ndaj tyre përfundoi në shkurt, ndërsa ata janë mbajtur në paraburgim në Hagë qëkurse u arrestuan në vitin 2020.

Gjykata Speciale është formalisht pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës por përbëhet nga gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka hasur në kundërshtime të shumta në Kosovë, pasi është parë si e njëanshme, duke qenë se në të nuk përfshihen krimet e kryera nga serbët në territorin e Kosovës.

Prej atëherë, nëpër Kosovë janë vendosur pankarte e pllakate të mëdha me mesazhin “Liria ka emër” dhe fotografi të ish-krerëve të UÇK-së.

Gjithashtu ka pasur protesta kundër këtij procesi në Hagë, në Prishtinë dhe në qytete të tjera.

Mijëra qytetarë morën pjesë në protestën “Drejtësi, jo politikë” në Ditën e Pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt këtë vit në Prishtinë, në përkrahje të Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit./ REL

  •  

Territorialja, Klosi kundër bashkimit me Matin, këshilltarët: Do të ndjekim rrugën ligjore dhe protestat

Këshilli Bashkiak i Klosit u mblodh të enjten për të diskutuar mbi propozimin e mazhorancës socialiste për reformën territoriale e cila parashikon shkrirjen e Bashkisë Klos dhe bashkimin e saj me Bashkinë Mat.

Në mbledhje morën pjesë këshilltarët bashkiakë, drejtues vendorë dhe dhjetëra banorë të zonësGjatë diskutimeve, këshilltarët u shprehën unanimisht kundër bashkimit me Bashkinë Mat, duke deklaruar se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për ta kundërshtuar vendimin, pa përjashtuar edhe organizimin e protestave.

Në mbledhje mori pjesë edhe kryetarja e Bashkisë Klos, Valbona Kola, e cila bëri të ditur se projekt-propozimi i reformës ka mbërritur në bashki dy ditë më parë. Ajo sqaroi se dokumenti parashikon një periudhë 60-ditore konsultimi publik, gjatë së cilës do të zhvillohen dëgjesa me qytetarët në të gjitha njësitë administrative të bashkisë.

Kryebashkiakja Kola theksoi se do të jetë në krah të banorëve dhe se do të përfaqësojë vullnetin e tyre në çdo fazë të procesit, duke garantuar se qëndrimi i Bashkisë Klos do të bazohet te mendimi i komunitetit.

Në përfundim të mbledhjes u bë e ditur se në ditët në vijim do të nisin dëgjesat publike në të gjithë territorin e Bashkisë Klos, ku qytetarët do të kenë mundësi të shprehin qëndrimin e tyre lidhur me reformën administrativo-territoriale.

  •  

Rivlerësimi i pronave me taksë 5%, Tatimet: Në 7 muaj u kursyen 120,5 mln euro nga tatimpaguesit

Qytetarët kanë kursyer 120.5 milionë euro në kosto fiskale përmes rivlerësimit të pasurive të paluajtshme vetëm gjatë periudhës janar–korrik 2026. Shifrën e bëri publike Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e cila thotë se procesi ka sjellë përfitime konkrete për tatimpaguesit.

Tatimet u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që nuk e kanë përfituar ende këtë mundësi të aplikojnë brenda afatit, pasi rivlerësimi i pasurive mund të kryhet deri më 30 shtator 2026.

Procesi u jep mundësi individëve që kanë në pronësi pasuri të paluajtshme ta rivlerësojnë atë me vlerën e tregut, duke përfituar nga lehtësitë fiskale të parashikuara në ligj. E njëjta mundësi vlen edhe për bizneset, ndërsa përfitues janë edhe individët që janë në proces legalizimi dhe regjistrimi të pasurisë, sipas procedurave të përcaktuara.

Aktualisht, tatimi për rivlerësimin është 5%. Procesi i fundit i rivlerësimit, i zhvilluar në vitet 2020–2022, përfshiu 168 mijë prona dhe i solli buxhetit të shtetit 12.7 miliardë lekë.

  •  

“Inteligjenca artificiale po mëson të mashtrojë njerëzit dhe të kryejë sulme kibernetike”, ekspertët ngrenë alarmin

Ekspertët e sigurisë kibernetike kanë ngritur një alarm të ri për zhvillimin e inteligjencës artificiale, pasi disa modele të avancuara janë zbuluar duke kryer veprime mashtruese dhe duke tentuar të depërtojnë në sisteme kompjuterike gjatë testimeve.

Një raport i Institutit për Sigurinë e Inteligjencës Artificiale (AISI) në Britani zbuloi se një program i inteligjencës artificiale tentoi të hynte në databaza të mbrojtura plot 19 herë gjatë një serie testesh. Në rastin më shqetësues, një agjent i AI-së krijoi identitete të rreme njerëzore në internet për të mashtruar programues dhe për t’i bindur ata të ndihmonin në realizimin e një sulmi kibernetik.

Sipas ekspertëve, ky është një nga shembujt më të qartë deri tani se inteligjenca artificiale po bëhet më autonome dhe po zhvillon aftësi për të anashkaluar kontrollet e sigurisë.

Testimet u kryen nga AISI, një institucion i krijuar nga ish-kryeministri britanik Rishi Sunak në vitin 2023 për të studiuar rreziqet e teknologjive të avancuara. Studiuesit u dhanë disa modeleve të AI-së akses në internet me disa kufizime sigurie të hequra, për të parë se si do të silleshin në situata të ngjashme me sulmet kibernetike.

Nga 122 prova, sistemet e inteligjencës artificiale shfaqën sjellje problematike në 19 raste. Modeli i kompanisë Anthropic ishte përgjegjës për 17 tentativa, ndërsa modeli i OpenAI për dy raste.

Rasti më alarmues ishte kur një sistem AI mblodhi informacione për një person që drejtonte një projekt online, krijoi disa profile false dhe u përpoq ta manipulonte atë që të pranonte një kod me qëllim keqdashës. Më pas, sistemi u përpoq të fshinte gjurmët e veprimeve të tij për të mos u zbuluar nga njerëzit.

Ekspertët thanë se, nëse kodi i dëmshëm do të ishte pranuar, ai mund të kishte shkaktuar vjedhje të të dhënave, dëmtim të sistemeve kompjuterike dhe probleme serioze sigurie.

Studiuesit zbuluan gjithashtu se një agjent i AI-së kishte komunikuar me agjentë të tjerë në platformën GitHub, duke ndarë udhëzime dhe materiale për të ndihmuar në përmbushjen e objektivit të testit.

Alarmi ka shkaktuar reagime edhe në politikën britanike. Liderja e Partisë Konservatore, Kemi Badenoch, e cilësoi inteligjencën artificiale një “rrezik të qartë dhe të menjëhershëm” për sigurinë e vendit. Ndërsa deputetja Julia Lopez kërkoi rregulla më të forta për kompanitë që zhvillojnë modelet më të fuqishme të AI-së.

Edhe drejtues të sigurisë kibernetike në Britani paralajmëruan se zhvilluesit duhet të kenë plane të qarta për reagim ndaj sjelljeve të paparashikueshme të inteligjencës artificiale.

Nga ana tjetër, kompanitë Anthropic dhe OpenAI thanë se testimet u zhvilluan në ambiente të kontrolluara dhe se këto raste nuk përfaqësojnë përdorimin normal të produkteve të tyre. Megjithatë, ato pranuan se incidentet tregojnë nevojën për metoda më të sigurta vlerësimi dhe mbrojtje më të forta ndërsa modelet e AI-së bëhen gjithnjë e më të fuqishme.

Ekspertët paralajmërojnë se sfida kryesore e së ardhmes nuk është vetëm krijimi i inteligjencës artificiale më të avancuar, por edhe sigurimi që ajo të mbetet nën kontrollin e njerëzve.

  •  

Bilanci i policisë/ Kapet i dënuari nga GJKKO, 4 operacione dhe 7 shoferë të arrestuar në 24 orë

Policia e Shtetit ka publikuar bilancin e 24 orëve të fundit, gjatë të cilave janë finalizuar katër operacione policore dhe janë goditur një sërë veprimtarish të paligjshme në të gjithë vendin.

Sipas policisë, është kapur një person i shpallur në kërkim, i dënuar me dy vite burg nga GJKKO për korrupsion aktiv në zgjedhje, ndërsa është ekzekutuar edhe masa e sigurisë “Arrest në burg” për një 41-vjeçar të kërkuar për narkotikë, armëmbajtje pa leje dhe vjedhje të energjisë elektrike.

Gjatë kontrolleve u goditën nëntë raste të narkotikëve, u evidentuan 17 raste të krimeve kundër personit, 12 raste të krimeve kundër pronës, gjashtë raste të dhunës në familje dhe tetë raste të krimeve kundër mjedisit. Në total u arrestuan dhe u proceduan dhjetëra persona për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e qarkullimit rrugor, shtatë drejtues mjetesh u arrestuan dhe gjashtë të tjerë u proceduan penalisht për drejtim automjeti në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, një 56-vjeçar u arrestua pas një aksidenti në aksin Lezhë–Milot, ku mbeti i plagosur drejtuesi i një motomjeti.

Njoftimi i plotë:

Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollet e territorit, monitorimin e qarkullimit rrugor dhe operacionet policore, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, me synim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, si dhe rritjen e parametrave të sigurisë publike. Si rezultat i veprimeve policore dhe hetimore:

– U finalizuan 4 operacione policore, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe për zbardhjen e rasteve të vjedhjes;

– U kap dhe u ndalua 1 shtetas i shpallur në kërkim, i dënuar me 2 vjet burgim nga GJKKO për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”;

– U ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për një 41-vjeçar të shpallur në kërkim, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.

Në fushën e narkotikëve u goditën 9 raste, me 1 shtetas të arrestuar dhe 6 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 2 raste vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë 2 inspektorë pyjorë, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”. Gjatë veprimeve u sekuestruan sasi të lëndëve të dyshuara narkotike, kokainë dhe cannabis sativa, si dhe u asgjësuan bimë narkotike të kultivuara.

Në fushën e krimeve kundër personit u evidentuan 17 raste, me 19 autorë të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve. U arrestua 1 shtetas, i dyshuar se ka goditur me grushte kryeplakun e një fshati në Fier, për shkak të detyrës, dhe i ka dëmtuar automjetin. U proceduan në gjendje të lirë 3 shtetas, pasi nuk iu bindën urdhrave të punonjësve të Policisë. Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, me 1 autor të arrestuar dhe 6 të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, u plotësuan 8 kërkesë-padi për urdhër mbrojtjeje.

Në fushën e krimeve kundër pronës u evidentuan 12 raste, me 8 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 të shpallur në kërkim, ndërsa për 2 raste vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Po punohet për identifikimin dhe kapjen e 2 shtetasve që dyshohet se gjatë natës, në Ishull Lezhë, i kanë marrë me dhunë sendet personale një shtetasi. Janë evidentuar 8 raste të krimeve kundër mjedisit, me 8 autorë të proceduar në gjendje të lirë. Në fushën e krimeve ekonomiko-financiare u evidentuan 5 raste, me 4 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 të shpallur në kërkim. Gjithashtu, u procedua penalisht një 36-vjeçar, i dyshuar se ka përvetësuar një shumë parash nëpërmjet mashtrimit. Është arrestuar 1 shtetas për shkelje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”, ndërsa 8 shtetas të tjerë u proceduan penalisht për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e qarkullimit rrugor u arrestuan 7 shtetas dhe u proceduan penalisht 6 të tjerë, pasi drejtonin automjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, 5 shtetas të tjerë u proceduan penalisht për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. U arrestua shtetasi B. K., 56 vjeç, pasi mëngjesin e sotëm, në aksin rrugor “Lezhë-Milot”, automjeti që drejtonte u përplas me motomjetin që drejtohej nga shtetasi N. B., 29 vjeç, i cili mbeti i dëmtuar dhe po merr mjekim në Spitalin e Traumës. U ndëshkua me 25 000 lekë gjobë, pezullim të lejes së drejtimit për 6 muaj dhe zbritje të 4 pikëve, drejtuesja e një automjeti që u filmua duke qarkulluar në kundërvajtje në rrugën “Mitat Hoxha”, Sarandë. Gjatë verifikimit rezultoi se e drejtonte automjetin në efektin e alkoolit.

Strukturat e Policisë Kufitare proceduan penalisht 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Tiranë – Në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, ku shfaqet një shtetas duke ngacmuar një shtetase, shërbimet e Policisë kryen verifikimet, identifikuan autorin, një 40-vjeçar që dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor, dhe pas shoqërimit në Komisariat kryen veprimet procedurale, duke referuar materialet në Prokurori, për vlerësim. Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin pa pagesë 112, duke garantuar reagim të shpejtë, profesionalizëm dhe anonimat të plotë.

  •  

Turistja gjermane humbi jetën në Palasë, Policia e Vlorës jep detaje: Dyshohet nga arresti kardiak

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ka reaguar lidhur me lajmin për humbjen e jetës së një shtetaseje të huaj në Palasë, duke sqaruar rrethanat e ngjarjes.

Sipas policisë, rreth orës 11:45 të datës 30 korrik 2026, Stacioni i Policisë Dhërmi u njoftua nga Qendra Shëndetësore e Palasës se në ambientet e saj ishte dërguar një shtetase gjermane, M. S., 33 vjeçe, e cila kishte shfaqur probleme shëndetësore.

Pavarësisht ndërhyrjes dhe ndihmës së menjëhershme mjekësore, 33-vjeçarja nuk ka mundur të mbijetojë dhe ka ndërruar jetë.

Nga veprimet paraprake hetimore, autoritetet dyshojnë se bëhet fjalë për një vdekje natyrale, pasi shtetasja gjermane dyshohet se ka pësuar arrest kardiak.

Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë kryer të gjitha veprimet procedurale në vendngjarje, në bashkëpunim me grupin hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë kompetente për vijimin e hetimeve.

Policia e Vlorës ka bërë me dije se të gjitha veprimet në lidhje me këtë rast janë kryer në përputhje me procedurat standarde të punës dhe legjislacionin në fuqi.

  •  
❌