Reading view

Sherr mes të miturve në Kombinat, policia ndërhyn në kohë, 28 të proceduar

Një sherr i mundshëm mes disa të miturve është parandaluar këtë të mërkurë nga blutë e Tiranës.

28 të mitur, të moshave 13 deri në 17 vjeç, janë proceduar në gjendje të lirë, pasi gjatë kontrollit iu gjetën thika, kaçavida dhe maska.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pas marrjes së informacionit në rrugë operative se disa grupe të miturish do të konfliktoheshin me njëri-tjetrin, në Kombinat, kanë organizuar menjëherë punën dhe kanë ndërhyrë për parandalimin e konfliktit.

Në bazë të informacionit, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në rrugën “Llambi Bonata”, disa të mitur të ndarë në grupe, të cilët dyshohet se do të konfliktoheshin me njëri-tjetrin. Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe i kanë shoqëruar të miturit, në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6.    

Gjatë kontrollit fizik, disa prej tyre iu gjetën armë të ftohta (thika), kaçavida, si dhe disa maska, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.    

Veprimet procedurale me të miturit u kryen në prani të prindërve dhe psikologëve dhe pas komunikimit me prokurorin, nisi procedimi në gjendje të lirë për 28 shtetas të mitur, të moshave 13-17 vjeç.  

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të metejshme.

  •  

Fluks i madh turistësh në Lezhë, Policia Rrugore shton shërbimet për të shmangur radhët e gjata

Atraksionet e ndryshme turistike në Lezhë kanë sjellë një numër shumë të madh turistësh, duke shkaktuar edhe fluks të lartë qarkullimi të automjeteve.

Në këto kushte, Policia Rrugore ka shtuar shërbimet në terren, me qëllim menaxhimin e fluksit dhe shmangien e krijimit të radhëve të gjata në pikat më problematike.

“Kemi marrë masa me të gjithë punonjësit që kemi në dispozicion me sistem 12 orësh dhe me shërbime suplementare. Kryesisht këto shërbime janë të vendosur në pikat më problematike dhe ku ka ngarkesë më shumë të trafikut”, tha Altin Dervishi, Shef i Qarkullimit Rrugor

Pas kufizimit të lëvizjes së automjeteve të tonazhit të rëndë gjatë fundjavës, në segmente të ndryshme rrugore rikthehet një numër i konsiderueshëm kamionësh, përfshirë edhe mjete që hyjnë nga pikat kufitare me Malin e Zi.

Kjo ka detyruar efektivët që t’i orientojnë drejtuesit e këtyre mjeteve drejt akseve alternative.

Në periudhën e mbetur të muajit gusht, autoritetet paralajmërojnë se fluksi i automjeteve pritet të mbetet i lartë, ndërsa Policia Rrugore do të vijojë shërbimet e shtuara në terren.

  •  

Veliaj ankimon vendimin e ILD për prokurorin Ols Dado, kërkon nisjen e hetimit disiplinor

Erion Veliaj ka ankimuar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë vendimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për arkivimin e ankesave ndaj prokurorit të SPAK, Ols Dado, duke kërkuar “shfuqizimin e vendimit dhe fillimin e hetimit disiplinor”.

Sipas ankimit, ILD ka zbatuar standardin e gabuar ligjor: në vend që të vlerësonte nëse ekzistonte “dyshim i arsyeshëm për fillimin e hetimit”, i ka kërkuar praktikisht Veliajt të provojë që në këtë fazë përgjegjësinë përfundimtare të prokurorit.

Në qendër të çështjes është “konflikti i interesit i Ols Dados”. Ai rezulton i lidhur si bashkëpronar/përfitues me një zhvillim ndërtimor të miratuar nga Bashkia Tiranë, ka pranuar komunikimin me Kryetarin e Bashkisë në periudhën përkatëse dhe më pas është bërë pjesë e grupit që hetoi Veliajn. Ankuesi argumenton se ILD ka shmangur analizën e konfliktit “në dukje dhe të mundshëm”, si dhe të detyrimit të prokurorit për deklarimin e interesit dhe heqjen dorë nga çështja.

Ankimi ngre gjithashtu “dyshime mbi ligjshmërinë e emërimit fillestar të Ols Dados si prokuror” dhe pretendon se ILD nuk ka administruar provat thelbësore që kishte kompetencë t’i siguronte vetë: dosjen e plotë të lejes së ndërtimit, aktet e pronësisë, deklarimet e interesave, komunikimet dhe dokumentacionin mbi emërimin dhe statusin e magjistratit.

Por ankimi ngre edhe “konfliktin e interesit të vetë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani”: në vitin 2008, si anëtar i Këshillit të Prokurorisë dhe përfaqësues i Presidentit, ai ka marrë pjesë në procedurën institucionale që lidhej me emërimin e Dados. Sipas ankimit, Metani është vendosur kështu në pozitën për të kontrolluar sot ligjshmërinë e një procedure në të cilën kishte marrë pjesë vetë.

Pas qëndrimit të KLP-së në procesin administrativ “Erion Veliaj kundër Presidentit të Republikës dhe Ols Dados”, ky është “testi i dytë institucional për KLP-në”, nëse do të ushtrojë mandatin e tij kushtetues si garant i ligjshmërisë dhe integritetit të sistemit të prokurorisë, apo do të shndërrohet në një mekanizëm që mbyll problemet e magjistratëve të selektuar.

  •  

Kapet në flagrancë 33-vjeçari në Dukat, zbulohen 135 bimë kanabisi (VIDEO)

Shërbimet e Policisë të Komisariatit të Policisë Vlorë, si rezultat i hetimeve intensive të kryera me metoda proaktive, për disa javë, për një rast të kultivimit të bimëve narkotike, finalizuan operacionin e koduar “Afternoon”.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë arrestuan shtetasin H. K., 33 vjeç, banues në fshatin Dukat, i cili u kap në flagrancë në vendin ku dyshohet se kishte kultivuar 135 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Bimët u asgjësuan nëpërmjet djegies, përveç një pjese që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Kontrollet vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Vlorë, me qëllim parandalimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

  •  

Si nisi sherri në Ksamil? Turisti portugez u dhunua me grushte nga shqiptaro-britaniku për një vajzë, Sokrat Vata e nxori zvarrë nga lokali dhe e goditi me thikë

20 vjeçari portugez, Luis Miguel Varela Mendes, erdhi në shqipëri me një grup turistësh për të pushuar, por gjeti vdekjen pas një sherri me punonjësit e “Principotes”.  Grupi i turistëve me të cilët kishte udhëtuar 20 vjeçari i ndjerë, një pjesë e tyre francezë, e një pjesë portugezë, kanë dëshmuar se nuk e parë momentin e vrasjes dhe e kanë mësuar vetëm në mëngjes kur ka mbërritur Policia.

Ndërkohë është zbardhur dinamika tronditëse, e cila solli në vrasjen e të riut, Sipas Report Tv, personi që ka nisur konfliktin me portugezin ka qenë David Heurtevent, një shqiptar me nënshtetësi britanike dhe banues në Tiranë. Sherri i cili dyshohettë jetë nisur për një vajzë, solli më tej përfshirjen e kamarierëve të lokalit, dhe të Sokrat Vatës.

Fillimisht David Heurtevent, i cili ishte klient në lokal, ka qëlluar me grushte të riun portugez dhe pasi dhunës makabre i janë bashkuar pjestarët e stafit, ka qenë Sokrat Vata, hasjani i cili e ka tërhequr zvarrë të riun duke e nxjerrë nga ambientet e “clubit”, e ka dërguar deri tek shezlongët e beach bar-it aty pranë “Paradise”, ku edhe e ka goditur me thikë për vdekje.

Më pas Moisid Matushaj, polici i cili punonte edhe si truprojë në “Principotes”, ka transportuar vrasësin e portugezit me një makinë në pronësi të tij deri në qendër të Ksamilit, dhe më pas me të njëjtën makinë është rikthyer në kompleksin luksoz. Vata më pas ka kontaktuar dy turqit, të cilëve u kërkoi ndihmë, deri në momentin që u arrestua në Levan brenda bagazhit. Dy turqit të arrestuar, Nuh Mahmutoglu dhe Ezgi Perlak kujtojmë se deklaruan se me Vatën kishin krijuar raport shoqëror dhe se disa herë e kishin paguar si shoqërues personal.

David Heurtevent, startuesi i sherrit që solli ngjarjen e rëndë është shpallur në kërkim, ai bashkë me Vatën akuzohet për vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim, po ashtu kujtojmë se në kërkim është shpallur edhe pronari i lokalit Bekim Bulica, i cili është larguar menjëherë pas ngjarjes.

Kamarierët e përfshirë në konflikt janë Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Ildi Cekani dhe Murat Zhabina, ata kanë goditur me grushte të riun portugez. Në momentin e konfliktit, në lokal kanë qenë në rolin e bodyguardëve efektivi i policisë Moisid Matushaj, punonjësi i policisë Bashkiake Romeo Shehu dhe Kristi Koshi, të akuzuar se nuk kanë ndërhyrë për parandalimin e ngjarjes dhe për mosnjoftimin e policisë së Shtetit, të dy ata janë pezulluar nga detyra ditën e sotme.

  •  

Vrasja e turistit, Berisha: Në Sarandë shteti dhe krimi janë një, plazhet janë pushtuar nga të fortët

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar sot për vrasjen e 20-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil, ngjarje për të cilën Policia e Shtetit ka arrestuar autorin, disa persona dhe ka shpallur një tjetër në kërkim.

Në një deklaratë për mediat, Berisha e lidhi ngjarjen me situatën e sigurisë dhe kriminalitetit në Sarandë, duke e cilësuar vrasjen e turistit të huaj si “pothuajse vrasje shtetërore”. Ai akuzoi qeverinë se ka lejuar, sipas tij, shkrirjen e kufijve mes shtetit dhe krimit në industrinë turistike të zonës.

“Vrasja e 20-vjeçarit portugez, turist në Ksamil, është një akt sipas të dhënave, pothuaj vrasje shtetërore. E them këtë në kuptimin, jo se ai u ekzekutua nga njerëz me uniformë, por në kuptimin e vërtetë se industria turistike në Sarandë është në kthetrat e krimit.

Në Sarandë, shteti dhe krimi janë një. Ligji nuk ekziston. Në Sarandë, dhe jo vetëm, flitet gjerësisht për një ekonomi të bazuar në trafiqe droge, njerëzore etj, e cila gëlon nga darka në mëngjes në lokalet e natës, të cilat funksionojnë gjer në agim.

Në plazhet e pushtuara, ku nuk gjendet një metër plazh publik, por të gjitha të dominuara nga të fortit që shesin shezlonget qindra euro”, tha Berisha mes të tjerash.

  •  

Britanikët ndryshojnë qëndrim! Rritet kërkesa për konfrontim me Francën, sondazhi zbulon ndarjen e fortë politike

Më shumë britanikë besojnë se përpjekjet për të ndaluar ardhjen me gomone të emigrantëve drejt brigjeve angleze përmes ngushticës së La Manshit që ndan Francën nga Anglia, do kenë më shumë efekt, nëse do ketë një përballje me Francën sesa përmes bashkëpunimit të deritanishëm.

Ky është konkluzioni nga një sondazh ekskluziv i bërë nga kompania YOUGOV, në emër të rrjetit informativ britanik SkyNews. Votuesit që kanë mbështetur dy partitë kryesore të së djathtës britanike, në zgjedhjet e fundit, kanë më shumë gjasa t’i përmbahen kësaj pikëpamjeje dhe konkretisht, 57 % e votuesve konservatorë dhe 79 % e votuesve të partisë Reforma të Nigel Farage.

Ndërkaq, shumë më e ulët është kjo shifër në radhët e partive të majta, si për shembull, vetëm 24 % e votuesve laburistë në pushtet dhe liberaldemokratëve, dhe 19 % e të Gjelbërve. (Në fakt, shumica e mbështetësve të këtyre tre partive të së majtës dhe qendrës mendojnë se bashkëpunimi më i ngushtë me Francën, sesa konfrontimi, është zgjidhja). Në mënyrë të pasaktë, sipas sondazhit të Sky News, 40 % e britanikëve besojnë se kalimet me gomone janë rritur këtë vit në krahasim me vitin e kaluar, dhe më shumë predominon ky mendim tek të djathtët e konservatorëve dhe partisë anti-emigracion të Farage.

Faktikisht, kalimet me gomone deri në këtë gusht janë më të ulëtat që nga viti 2021, kur arritën kulmin një vit më vonë, në 2022-shin. (Deri më sot, rreth 16 mijë emigrantë kanë kaluar me gomone përmes La Manshit, ç’ka është 43 përqind më pak se një vit më parë).

Në realitet, ka një pakënaqësi në rritje ndaj Francës pasi tërë këto vite ka marrë rreth 1 miliardë financime nga Londra për të patrulluar një territor relativisht të vogël të Francës veriore, që emigrantët dhe trafikantët të mos organizojnë kalime dhe kanë investuar në interceptimin dhe patrullimin nga pala franceze, gjë që dukshëm nuk është se ka frenuar kalimet, siç do donin britanikët.

Ndërkohë, Liberal Demokratët e qendrës, fajësojnë Brexit-in për kalimet pasi dalja nga BE-ja ka krijuar boshllëqe në aksesin në databazën biometrike të BE-së, dhe ka bërë që emigrantët të ndërmarrin këto udhëtime mjaft të rrezikshme duke e ditur se sa pak mundësi ka Britania që t’i rikthejë në vendet nga vijnë apo në vendet e BE ata që arrijnë të mbërrijnë në brigjet angleze, në kushtet kur ka ndaluar të funksionojë edhe e ashtuquajtura Marrëveshja e Dublinit në kohën kur Britania ishte pjesë e BE-së, dhe që nënkuptonte rikthimin e emigrantëve në vendin e parë të sigurt në Bashkimin Evropian, marrëveshje që duhet thënë se nuk është se ishte perfekte dhe tejet funksionale.

  •  

Presion i fortë ndaj Infantinos! Izraeli i bashkohet vendeve që i “kthejnë shpinën” kreut të FIFA-s

Presioni ndaj Gianni Infantinos po rritet. Izraeli ka vendosur të tërheqë zyrtarisht mbështetjen për rizgjedhjen e tij në krye të FIFA-s, duke u bërë federata e radhës që distancohet nga kreu i futbollit botëror.

Vendimi është bërë i ditur përmes një letre të presidentit të Federatës Izraelite të Futbollit, Moshe Zuares, i cili ka shprehur shqetësimin për situatën aktuale brenda institucioneve drejtuese të futbollit.

Në letrën e tij, Zuares e përshkroi situatën si një “krizë të paprecedentë besimi” mes FIFA-s, UEFA-s dhe konfederatave të tjera, duke argumentuar se mosmarrëveshjet rreth drejtimit të futbollit botëror tashmë kanë marrë përmasa të thella.

Ky zhvillim vjen në një periudhë të vështirë për Infantinon, i cili është përballur me kritika lidhur me një projekt të braktisur për përfshirjen e investitorëve privatë në të drejtat komerciale të Kupës së Botës. Situata u komplikua edhe më tej pas largimit të drejtuesit të operacioneve të FIFA-s, Kevin Lamour, i cili kishte kritikuar këtë projekt.

Me tërheqjen e Izraelit, lista e federatave që kanë marrë distancë nga Infantino zgjerohet. Më herët, qëndrime të ngjashme kanë mbajtur Anglia, Uellsi, Skocia, Irlanda, Shqipëria dhe së fundmi Zelanda e Re e Izraeli. Gjithë UEFA, Konfederata e Amerikës së Veriut dhe Qëndrore (veç Meksikës) dhe ajo e Azisë janë kundër Infantinos.

Italo-zvicerani është në krye të FIFA-s që prej vitit 2016 dhe synon të vijojë drejtimin edhe pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027. Megjithatë, zhvillimet e fundit kanë shtuar presionin mbi presidentin, i cili, pavarësisht kundërshtimeve të reja, vazhdon të gëzojë mbështetje të rëndësishme nga disa konfederata dhe federata kombëtare.

  •  

“U dorëzua vetë”, avokati i Ylli Zallës: Armët ishin të vjetra, kapsollat jo funksionale

Avokati i Ylli Zallës, Dritan Gina, ka kundërshtuar kërkesën për masën “arrest në burg”, duke pretenduar se klienti i tij nuk paraqet rrezikshmëri të lartë dhe se veprat për të cilat akuzohet nuk kanë rrezikshmëri të veçantë.

Sipas mbrojtjes, armët dhe municionet e sekuestruara janë gjetur në pjesën e pasme të banesës, në ferra, pa masa të veçanta për ruajtjen apo ambalazhimin e tyre. Avokati pretendon gjithashtu se disa kapsolla detonatore nuk ishin funksionale dhe se disa prej bombave nuk ishin të lidhura në mënyrën e duhur.

Gina deklaroi se armët ishin prodhime të vjetra kineze të vitit 1982, rreth 50-vjeçare. Për sasinë e kanabisit të sekuestruar, ai tha se ajo kishte qenë e ekspozuar ndaj agjentëve atmosferikë, çka sipas tij tregon mungesën e kujdesit nga ana e Zallës.

Avokati pretendon gjithashtu se klienti i tij u dorëzua vetë dhe se policia, pavarësisht përdorimit të dronëve dhe angazhimit të forcave të shumta, nuk kishte mundur ta kapte gjatë operacioneve të mëparshme.

Sipas tij, videot e publikuara para arrestimit tregojnë se Zalla ka komunikuar me forcat RENEA dhe është dorëzuar pa rezistencë.

“I vetmi element që solli sukses në operacionin e policisë ishte dëshira e Yllit për t’u dorëzuar për të sqaruar pozicionin e tij. Videot publike para shtëpisë së tij  e tregojnë më së shumti këtë gjë, madje ai vetë ka thërritur me zë një person që i është dukur i forcave RENEA dhe i është prezantuar duke u dorëzuar kësisoj”, theksoi ai.

Për këto arsye, mbrojtja kërkoi një masë më të lehtë sigurie se “arresti në burg”, kërkuar nga Prokuroria.

  •  

Rusia dhe Kina mund të hapin dy fronte njëherësh, zbulohet skenari që do të vinte në provë SHBA-në dhe Perëndimin

Një skenar që deri vonë konsiderohej pothuajse i paimagjinueshëm po diskutohet gjithnjë e më seriozisht nga strategët ushtarakë perëndimorë: Rusia të sulmojë një vend të NATO-s në Europën Lindore, ndërsa Kina të nisë në të njëjtën kohë një operacion ushtarak kundër Tajvanit.

Në një situatë të tillë, Shtetet e Bashkuara do të përballeshin me një krizë të jashtëzakonshme strategjike, pasi do të duhej të menaxhonin potencialisht dy fronte ushtarake në të njëjtën kohë. Nëse Washingtoni do të ishte ende i përfshirë në konfliktin në Lindjen e Mesme, presioni do të shtrihej në një front të tretë.

Sipas analizave të cituara nga The Atlantic, shqetësimi kryesor është se Perëndimi nuk ka një plan të qartë dhe të përbashkët për përballimin e një konflikti të koordinuar ruso-kinez.

Ekspertët ushtarakë pranojnë se përgatitjet për një skenar të tillë kanë qenë të kufizuara. Ndërkohë, Rusia ka rritur ndjeshëm prodhimin e armatimeve dhe ka fituar përvojë të konsiderueshme në luftën moderne gjatë konfliktit në Ukrainë, veçanërisht në përdorimin masiv të dronëve.

Në Azi, Kina ka ndërtuar një kapacitet të madh ushtarak, me një flotë të fuqishme dhe një arsenal të konsiderueshëm raketash me rreze të gjatë veprimi.

Njëkohësisht, ekziston shqetësimi se një krizë e dyfishtë do të vinte në provë unitetin politik dhe ushtarak të NATO-s dhe aleatëve të SHBA-ve. Nëse Europa dhe Washingtoni do të përballeshin me mosmarrëveshje mbi mënyrën dhe shkallën e ndërhyrjes, reagimi perëndimor mund të dobësohej.

Për strategët perëndimorë, skenari më shqetësues nuk është domosdoshmërisht që Rusia dhe Kina të zhvillojnë një operacion të përbashkët, por që të shfrytëzojnë të njëjtën periudhë për të hapur dy kriza të mëdha njëkohësisht, duke detyruar SHBA-të dhe aleatët të ndajnë forcat, armët dhe kapacitetet e tyre.

Në këtë rast, aftësia e NATO-s për të ruajtur një strategji të unifikuar do të ishte vendimtare. Një luftë në Europë dhe një krizë ushtarake në Tajvan në të njëjtën kohë do të përbënin një nga testet më të mëdha strategjike për Perëndimin në dekadat e fundit.

NATO po përgatit skenarë të ndryshëm reagimi në rast të një sulmi të mundshëm rus ndaj një prej vendeve baltike, sipas raportimeve të medias gjermane Bild.

Sipas raportimit, planet parashikojnë disa nivele reagimi me synimin kryesor për të ndaluar përparimin e forcave ruse dhe për t’i shtyrë ato drejt kufirit, pa synuar pushtimin e territorit rus. Raportimi përputhet me përpjekjet e dokumentuara të NATO-s për forcimin e krahut lindor dhe mbrojtjen ndaj kërcënimeve ajrore e raketore.

Një nga elementët e skenarëve lidhet me mbrojtjen ndaj raketave dhe dronëve. Në rast të një ofensive ruse, NATO do të përdorte avionë luftarakë, sisteme raketore dhe dronë për të neutralizuar kapacitetet ushtarake që do të përdoreshin kundër vendeve aleate.

Sipas Bild, rajoni i Kaliningradit përmendet si një prej zonave që mund të goditen, për shkak të pranisë së sistemeve të mbrojtjes ajrore, raketave dhe infrastrukturës ushtarake ruse. Objektiva të tjera të mundshme, sipas raportimit, përfshijnë fusha ajrore, fabrika armësh, ura dhe linja hekurudhore me rëndësi ushtarake.

Një tjetër element i planit është krijimi i një të ashtuquajture “zone autonome” përgjatë kufirit me Rusinë dhe Bjellorusinë, ku do të përdoren në mënyrë të gjerë sisteme pa pilot. Bëhet fjalë jo vetëm për dronë ajrorë, por edhe për mjete tokësore robotike, të cilat do të mund të përdoren për zbulim, monitorim dhe goditje të forcave që do të përparonin.

Sipas raportimit, NATO po shqyrton gjithashtu përdorimin e dronëve për goditjen e objektivave ushtarake në thellësi të territorit rus. Megjithatë, qëllimi i deklaruar i skenarit nuk do të ishte pushtimi i Rusisë, por ndalimi i ofensivës dhe rikthimi i forcave ruse në pozicionet e tyre përgjatë kufirit.

Raportimet për këto plane vijnë në një periudhë kur NATO ka forcuar ndjeshëm qëndrimin e saj në krahun lindor. Aleanca e konsideron mbrojtjen ajrore dhe kundër-dronëve një pjesë qendrore të gatishmërisë së saj ushtarake.

Tensionet janë shtuar gjithashtu pas incidenteve të fundit me dronë në hapësirën ajrore të vendeve të NATO-s. Më 14 gusht, avionë të Aleancës rrëzuan një dron që kishte hyrë në hapësirën ajrore të Letonisë, ndërsa autoritetet letoneze e lidhën incidentin me luftën elektronike ruse.

Sipas Bild, publikimi i këtyre skenarëve synon gjithashtu t’i dërgojë një mesazh Moskës: një sulm ndaj një vendi anëtar të NATO-s do të sillte një reagim të gjerë ushtarak nga Aleanca dhe një kosto të lartë për Rusinë.

Megjithatë, duhet theksuar se këto janë raportime mbi skenarë të mundshëm, jo një njoftim zyrtar i NATO-s për një plan konkret sulmi ndaj Rusisë. Dokumentet publike të Aleancës theksojnë se qëndrimi i saj ndaj kërcënimeve ajrore dhe raketore është në thelb mbrojtës.

  •  

Paralajmëron Lamallari: Ata që sfidojnë ligjin, meritojnë përgjigjen më shembullore nga Policia e Shtetit

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka reaguar lidhur me respektimin e ligjit dhe garantimin e rendit publik, duke theksuar se mbrojtja e të drejtave të njeriut duhet të shkojë paralelisht me zbatimin e ligjit.

Përmes një deklarate, Lamallari u shpreh se balanca mes të drejtave të njeriut dhe rendit ligjor është në funksion të qytetarëve dhe mbrojtjes së shoqërisë.

“Ata që sfidojnë ligjin dhe linçojnë shërbëtorët e tij, meritojnë përgjigjen më shembullore nga Policia e Shtetit”, deklaroi ministri.

Lamallari theksoi kështu nevojën për një reagim të fortë institucional ndaj rasteve kur cenohet autoriteti i ligjit dhe i strukturave që kanë për detyrë garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Reagimi i Lamallarit vjen pas ngjarjes së djeshme (19 gusht) ku një turist portugez u qëllua me thikë për vdekje nga një 29-vjeçar ku 41 persona u shoqëruan pas ngjarjes dhe 11 u arrestuan duke zbuluar një zinxhir dështimesh në siguri dhe përfshirjen e stafit të shërbimit.

Po ashtu, pak ditë më parë një tjetër ngjarje e rëndë u shënua në Sarandë ku u dhunua shefi i Krimeve në qytet, Mateo Bakalli. Ky i fundit ishte përfshirë në një konflikt fizik me disa persona, ku si pasojë e sulmit pësoi dëmtime në trup dhe në fytyrë.

  •  

Vlorë/ 67-vjeçari bie nga lartësia e banesës teksa po bënte riparime, dërgohet me urgjencë në spital

VLORË- Një 67-vjeçar i identifikuar, Lumturim Qerimi është dërguar me urgjencë drejt spitalit të Vlorës.

Ai dyshohet se ka rënë nga lartësia e banesës së tij, ndërsa po bënte rregullime.

Megjithatë këto janë të dhënat e para mbi ngjarjen. Detajet e ngjarjes pritet t’i konfirmojë dhe Policia e Vlorës.

  •  

Ylli Zalla lihet në burg! 49-vjeçari përballet me gjykatën pas kapjes me kallashnikov, ja çfarë deklaroi për atentatin e Rinasit

49-vjeçari Ylli Zalla, i cili u arrestua dy ditë më parë në fshatin Zallë të Fushë-Krujës, është lënë në burg nga Gjykata e Tiranës. Ai ka mohuar përfshirjen në atentatin e Rinasit ku u vranë Gilmando Dani e Muçi Shaljani, ngjarje për të cilën ishte i dyshuar në fillim, duke thënë se “është përgojuar kot.” Ekspertiza e kryer më vonë nuk tregoi lidhje të Zallës me atentatin. Gjithashtu, Zalla ka pretenduar se armët e gjetura në banesën e tij s’i përkasin atij.

Zalla u kap të hënën, i fshehur në një ndërtesë rreth 500 metra larg shtëpisë së tij, i armatosur me një kallashnikov dhe tre krehra me fishekë.

Para arrestimit, të shtunën në banesën e tij shpërtheu një sasi tritoli, vetëm me dëme materiale, pasi askush nuk ishte në shtëpi, por policia ka dyshuar se personi që mund ta ketë vendosur atë, të jetë vetë Zalla, edhe pse ky i fundit për Report Tv mohoi të kishte gisht.

Vetëm një ditë përpara se të përfundonte në pranga, ai publikoi në rrjetet sociale një video ku akuzonte policinë dhe bandat se donin ta vrisnin.

Policia kishte tentuar disa herë të arrestonte Ylli Zallën, dhe arriti ta vë në pranga vetëm të hënën e 17 gushtit, me angazhimin e efektivë nga Tirana e Kruja dhe forcat speciale RENEA. Për lokalizimin e tij u përdorën edhe dronë të specializuar “Bayraktar”.

Ylli Zalla ishte në kërkim pasi në banesën e tij janë gjetur në 4 raste, arsenale me armë, që dyshohet se përdorej për furnizimin e grupeve kriminale.

  •  

Tragjedia në Manzë! 16-vjeçari lufton për jetën, dëmtime të shumta në gjymtyrë dhe qafë

Gjendja shëndetësore e 16-vjeçarit të plagosur në aksidentin tragjik në Manzë është shumë e rëndë. I mituri ka pësuar dëmtime të shumta në gjymtyrë dhe në pjesën e qafës dhe po merr trajtim mjekësor.

Ndërkohë, 25-vjeçari tjetër i plagosur ka marrë dëmtime, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Aksidenti i rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm në Manzë, ku tre persona humbën jetën, ndërsa dy të tjerë mbetën të plagosur.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

  •  

Gjirokastër/ Merr flakë biznesi pranë Liqenit të Viroit

Një zjarr ka rënë në një biznes në afërsi të Liqenit të Viroit në Gjirokastër.

Me mbërritjen e shërbimeve, u konstatua se flakët kishin përfshirë një ambient që përdorej për mbajtjen e kompresorëve të ajrit. Zjarrfikësit ndërhynë me shpejtësi, duke përdorur fikëse me pluhur dhe ujë.

Falë ndërhyrjes në kohë, zjarri u neutralizua pa marrë përmasa të mëdha dhe u shmang përhapja e flakëve në ambientet e tjera të biznesit.

Nga incidenti janë shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar.

Ndërkohë, shkaqet e rënies së zjarrit po hetohen nga organet kompetente.

  •  

Alarm në Europë! Financial Times: Irani po shqyrton goditjen e bazave amerikane në Bullgari e Qipro

Irani ka marrë në konsideratë goditjen e objektivave ushtarake amerikane në Evropën Jugore dhe Juglindore nëse Presidenti Donald Trump vendos të përshkallëzojë konfliktin, raporton Financial Times, duke cituar dy persona të afërt me regjimin e Teheranit.

Sipas burimeve, forcat iraniane mund të ndërmarrin sulme të mundshme ndaj aseteve amerikane në vende si Bullgaria, e cila muajin e kaluar autorizoi përdorimin e Bazës Ajrore Bezmer për të furnizuar me karburant avionët ushtarakë amerikanë. Qiproja thuhet gjithashtu se mund të vihet në shënjestër, pasi një bazë britanike në ishull u godit nga një dron në mars.

Irani nga ana tjetër ka paralajmëruar shtetet e Gjirit të mos ndihmojnë forcat ushtarake amerikane, duke argumentuar se çdo formë bashkëpunimi do të përbënte përfshirje në konflikt.

Paralajmërimi erdhi nga Ali Abdollahi, shefi i shtabit të forcave të armatosura iraniane. Sipas Al Jazeera Abdollahi tha se asgjë që po ndodh në rajon nuk është “e fshehur nga sytë tanë”.

Gjenerali përmendi konkretisht praninë e avionëve të shumtë ushtarakë, veçanërisht avionëve të furnizimit ajror, në bazat në rajon, duke argumentuar se do të ishte e vështirë të shpjegohej një prani e tillë pa dijeninë e vendeve që strehojnë objektet.

“Ne paralajmërojmë: çdo ndihmë dhe lehtësim për ushtrinë agresore amerikane është ekuivalente me pjesëmarrjen në forcat ushtarake amerikane”, tha Abdollahi.

  •  

FOTO/ Aksidenti tragjik në Durrës, ky është çifti i sapomartuar që humbi jetën

Është publikuar foto e çiftit të sapomartuar që ndërruan jetë në orët e para të mëngjesit të sotëm në Durrës.

Mbrëmjen e kaluar, çifti Kleo Vrioni, dhe Sara Brugentelli  së bashku me tre personat e tjerë që ndodheshin në makinë, kishin qenë në një lokal nate në zonën e Maminasit. Pas largimit nga lokali, ata janë nisur në drejtim të banesës së tyre në Katund të Ri.

Pak më vonë, në rrugën dytësore në Manzë, automjeti ka dalë nga kontrolli dhe është përplasur me një bordurë betoni. Përplasja rezultoi fatale për drejtuesin e mjetit, Kleo Vrionin, si dhe dy pasagjerë të tjerë.

Dy personat e tjerë kanë mbetur të plagosur, ndërsa 16-vjeçari ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit tragjik.

  •  

Melania e pakënaqur nga afërsia e Trump me Natalie Harp? Shpërthejnë spekulimet për marrëdhënien e presidentit me ndihmësen 35-vjeçare

Spekulimet publike për afërsinë mes presidentit amerikan Donald Trump dhe një prej ndihmëseve të tij më të afërta, Natalie Harp, raportohet se kanë shkaktuar pakënaqësi te zonja e parë Melania Trump.

Debati u rikthye në qendër të vëmendjes pasi senatori demokrat i Xhorxhias, Jon Ossoff, ironizoi presidentin amerikan duke lënë të kuptohej se ai ishte i shpërqendruar nga detyrat e tij dhe i përfshirë në një marrëdhënie jashtëmartesore me Harp.

Në një fjalim të dielën, Ossoff tha se Trump “nuk dëshiron të bëjë punën” dhe se është më i interesuar të ndërtojë sallën e re të ballos në Shtëpinë e Bardhë dhe të udhëtojë me Natalie Harp në avionin presidencial, të cilin e përshkroi në mënyrë ironike si “pallatin e tyre fluturues”.

Komentet shkaktuan reagime të ashpra nga disa prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Trump. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Davis Ingle, e sulmoi ashpër senatorin Ossoff, ndërsa drejtori i komunikimeve të Shtëpisë së Bardhë, Steve Cheung, e quajti atë një “humbës” në një postim në rrjetin social X.

Vetë Trump nuk pranoi të komentonte drejtpërdrejt mbi akuzat. Kur u pyet nga gazetarët në Zyrën Ovale, ai e cilësoi Ossoff si një “imitues të Pee-ëee Herman”, duke iu referuar personazhit të njohur të komedisë amerikane.

“Melania nuk i pëlqen këto gjëra” – Sipas një personi pranë Shtëpisë së Bardhë, reagimi i fortë i administratës ndaj komenteve të senatorit lidhet pjesërisht me faktin se “Zonja e Parë nuk i pëlqen këto lloj gjërash”.

I njëjti burim, i cituar nga media amerikane Semafor, tha se Trump “zemërohet shumë” kur bëhen spekulime publike për jetën e tij personale.

Burimi e përshkroi gjithashtu Harp si një prej bashkëpunëtoreve më të bindura të presidentit, duke thënë se ajo “do të hidhej më lart se kushdo tjetër në dhomë” kur Trump i kërkon diçka.

Megjithatë, nuk ka prova të konfirmuara publikisht se Trump dhe Harp kanë një marrëdhënie romantike. Spekulimet për një lidhje mes tyre kanë qarkulluar për shkak të afërsisë së tyre të dukshme dhe faktit që Harp është shfaqur gjithnjë e më shpesh pranë presidentit.

Natalie Harp – Natalie, 35 vjeçe, ka qenë më parë prezantuese në rrjetin konservator One America Neës Netëork dhe prej vitesh është pjesë e rrethit politik të Trump.

Gjatë fushatës presidenciale të vitit 2024, ajo u bë e njohur me nofkën “printeri njerëzor”, pasi mbante vazhdimisht me vete një printer për të printuar artikuj dhe materiale që mund t’i interesonin Trumpit.

Në fillim të mandatit të dytë të Trumpit, Harp u punësua si asistente ekzekutive e presidentit në Shtëpinë e Bardhë.

Roli i saj pranë Trumpit ka tërhequr vëmendje edhe për mënyrën se si ajo i paraqet atij informacionet dhe lajmet e ditës. The Neë York Times ka raportuar më herët se disa persona brenda rrethit të Trumpit kanë shprehur shqetësime se ajo mund të ketë ndikim të madh mbi mënyrën se si presidenti i percepton zhvillimet aktuale.

Sipas këtyre raportimeve, Harp është akuzuar se i përcjell Trumpit materiale nga burime të prirura drejt teorive konspirative dhe se i kushton rëndësi të madhe mbulimit mediatik që e paraqet presidentin në mënyrë pozitive.

Një video e publikuar gjatë fushatës së vitit 2024 tregonte Trumpin duke i diktuar Harp postime për rrjetin e tij social Truth Social, ndërsa ajo i shkruante në kohë reale.

Letrat personale – Afërsia mes tyre është përmendur edhe në librin Original Sin, të gazetarëve të The Neë York Times, Maggie Haberman dhe Jonathan Sëan, botuar në vitin 2025.

Sipas raportimeve të cituara në libër, Harp i ka dërguar Trumpit letra me tone shumë personale dhe emocionale, ku e përshkruante si një figurë shumë të rëndësishme në jetën e saj.

Në një prej tyre, sipas autorëve, ajo i shkruante se dëshironte të rikthente “atë sinergji” që kishin pasur më parë dhe se donte t’i sillte “gëzim”, duke shpresuar që të kalonin kohë së bashku pa folur vetëm për punën.

Këto raportime kanë ushqyer më tej spekulimet për natyrën e marrëdhënies së tyre, por as Trump dhe as Harp nuk kanë konfirmuar ndonjë lidhje romantike.

  •  

I shpallur në kërkim nga Kosova për drogë, 32-vjeçari kapet me identitet të rremë në Rinas

Një 32-vjeçar është vënë në pranga të policisë me qëllim ekstradimin drejt Kosovës.

Ndaj 32-vjeçarit rëndon akuza “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”.

Në momentin e ndalimit në Rinas, ai i është prezantuar uniformave blu me një identitet të rremë me qëllim shmangien e identifikimit dhe arrestimit.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet kosovare, do të kryejë procedurat për ekstradimin e 32-vjeçarit, në Kosovë.

“DVP Tiranë/Vijon operacioni i koduar “Ëanted”, për kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar.

Akuzohet në Kosovë, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 32-vjeçari. 

Në momentin e ndalimit nga  shërbimet e Policisë, ky shtetas është prezantuar me identitet tjetër, për të shmangur identifikimin dhe arrestimin e tij. 

Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për kapjen e shtetasve në kërkim dhe i shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, kanë lokalizuar dhe kapur në Rinas, shtetasin A. Sh., 32 vjeç, banues në Kukës. 

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata Themelore e Prishtinës, Kosovë, ka lëshuar urdhër-arresti ndaj tij, për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”, njofton policia.

  •  
❌